Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/30

MARIJE SHLLAKU – VAJZA SHKODRANE QË NË VEND TE NUSERISË ZGJODHI FLIJIMIN PËR KOSOVEN

AVNI BILALLI



(Fjalë e rastit në promovimin të Monografisë " Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës " e autorit Tomë Mrijaj).

Më lejoni që me rastin e kësaj Akademie që po u kushtohet personaliteteve më të ndritura të nacionalizmës shqipëtare, t'ju përshëndes dhe t'ju faleminderoj nga zemra për gatishmërinë dhe pjesëmarrjen aktive tuajën dhe njëkohësisht t'ju shpreh një mirënjohje të veçantë, të gjithë atyre që në çfardo forme dhanë dhe po japin kontribut të çmueshëm si në mbarëvajtjen e kësaj Akademie, poashtu në ndriçimin e veprës madhore të nacionalizmës shqipëtare, e cila të gjitha aftësitë intelektuale dhe fizike, dhe më të shtrenjtën, jetën, e kishte vënë në shërbim të çështjes së shenjtë kombëtare për liri, pavarësi, demokraci e bashkimin e territoreve autoktone në një shtet, në Shqipërinë Etnike.
E këtillë qe edhe personazhja e Monografisë së sipërpëmendur e publicistit dhe e bashkautorit të Monografive: " Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut " (botuar në vitin 2002, në Shkodër) dhe " Lidhja e Prizerenit 1962- 2002, themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha " ( bot. në N.Y. 2002).
Para se të flas për librin jetëshkrimor të z. Tomë Mrijaj " Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës" e ndjej si obligim moral t'i them ca fjalë për jetën dhe veprimtarinë krijuese të tij. Megjithëse jam i vetëdijshëm se do t'i mbetem borxh, ngase ajo është e gjërë dhe e begatshme e poashtu rrethanat janë të atilla që më detyrojnë të kufizohem në ato pika që janë më të rëndësishmet. Pra, z. Mrijaj është i lindur në Kosovë dhe pasi kishte përfunduar në Gjakovë shkollën e mesme Normale (Pedagogji), ishte regjistruar në Universitetin e Prishtinës, në studimet e larta për Jurisprudencë me korrespondencë. Pastaj largohet nga Kosova dhe qëndroi për tre vjet në Paris, si emigrant. Gjersa më 1978 shkoi në SHBA dhe u vendos në New York, ku edhe u martua. Në të njëjtin vit, i etur për dije ai u regjistrua në St. Jons University në Queens të N. Yorkut, të cilin e mbaroi me sukses. Ky publicist dhe autor i vyeshëm shquhet edhe për angazhimin e tij në jetën politike e shoqërore të mërgatës sonë tejoqeanike. Në vitin 1980 u zgjodh Kryetar i Degës " VATRA " për N. Y. dhe anëtar i Kryesisë së Federatës Panshqipëtare " VATRA " me seli në Boston.

Ndërsa në Kongresin e III të " LIDHJES SË PRIZRENIT " në mërgim që u mbajt në vitin 1982, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, detyrë të cilën e kryen edhe tash. I nderuari z. Mrijaj në vitet 1997 - 1998, ishte Kryetar i Shoqatës Kulturore " ROZAFAT " pranë Kishës Katolike " ZONJATË E SHKODRËS " dhe anëtar i Këshillit të Kishës në New York. Në vitin 2002, duke e parë dhe vlerësuar lart aktivitetin e tij, bashkëatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë e zgjodhën nënkryetar të Shoqatës së Pajtimit Mbarëkomëtar " NËNA TEREZE " në N. Y. Falë punës së zellshme krijuese është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë në SHBA.
Monografia "Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës" është një dëshmi e fortë e këtij krijuesi të Diasporës sonë, se mërgata ka ruajtur me kujdes e pijetet të lartë dhe është përpjekur vazhdimisht që idetë për Shqipërinë Etnike të kultivohen brez pas brezi, të përpunohen dhe të gjenden mundësitë e përshtatshme për t'i realizuar në praktikë.
Autori ynë i dëshmuar, ka dhënë shumë mund duke i kushtuar rëndësi të merituar mbledhjes së të dhënave dhe fakteve si dhe sistemimit të tyre, të cilat shkruheshin në buletinet e gazetat e mërgatës qoftë në Amerikë apo Evropë. Poashtu ka hulumtuar edhe nëpër arkiva duke mos lënë anash dëshmitarët e gjallë, të cilët me nostalgji dhe krenari kujtonin bashkëluftëtaren, intelektualen shembullore Marie Shllakun e cila ia dhuroi gjakun e saj Kosovës Nënloke, të cilën e deshti më shumë se vetveten. Kjo bijë e Shkodrës Heroike e cila luftoi pë lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj Mëmës Shqipëri.

Libri Jetëshkrimor " Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës " e këtij autori të zellshëm të Diasporës Shqiptare në Amerikë, është një përmbledhje e aktivitetit të gjithëmbarëshëm jetësor të Maries që nga fëmijëria e gjersa vendqëndrimi i saj u zbulua nga spiunët e tradhtarët e kombit, të cilët kishin lajmëruar forcat policore serbo- sllave për ta zënë dhe dënuar me denimin më të rëndë.
Z. Tomë Mrijaj ka bërë punë shumë të vlerëshme duke i ofruar lexuesëve të dhëna jo vetëm për Marien, por edhe për bashkëluftëtarët e kohës së saj, nga të gjitha viset shqiptare. Këto të dhëna dhe publikimet e botimet e studiuesve tani më të dëshmuar siç janë: Dr.Sabrije Keçmezi- Basha, Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi, Dr. Jahja Drançolli, Jetish Kadishani, Shefqet Kelmendi, Klajd Kapinova, Ibrahim Meta, Drita Bakia- Gunga, Idriz Lamaj, Nue Oroshi, Azem Hajdini- Xani etj., duhet t'iu shërbejnë si bazë historianëve që do ta shkruajnë Historinë e Re Shqiptare, ashtu siç vërtetë ka ndodhur e jo duke u përpjekur t'i shtrembërojnë faktet e t'ua përshtasin politikave ditore. Ngase populli është ruajtësi më i mirë, është arkiv i gjallë e i pamposhtur, i cili gjykon dhe dënon veprimet e individëve dhe grupimeve të caktuara politike që përpiqen ta njollosin veprën e lavdishme të nacionalizmës së mirfilltë, e cila dha dhe po jep pa kursyer asgjë nga vetja, kontributin e saj për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e popullit shqiptar në të gjitha trojet etnike.
Kjo Monografi e z. Mrijaj është tëheqëse dhe lehtë e kuptueshme për lexuesit. Autori me mjeshtri ka sistemuar faktet dhe analizat e dokumenteve të cilat për herën e parë lexuesi ynë ka mundësi t'i lexojë dhe vetë t'i vlerësojë ngjarjet si kishin rrjedhur. Ato fakte i hasim në pjesët e kësaj Monografie: "Familja Shllaku dhe historia ", "Kosova dhe Marie Shllaku", "Nacionalisti ingj. Deva zbuloi dhe përkrahu talentin e Maries", " Profesor Ymer Berisha udhëheqës e martir i Kosovës", "Shokët antikomunistë kujtojnë Marien", "Maria në Kuvendin e Dobërdolit", "Beteja e Çelisë së Siçevës 12 Shtatori 1945", "Maria aktive në Kuvendin e Drenicës", "Martiria shkodrane në luftën e Drenicës", "Shtypi i kohës flet për pushkatimet ", "Nxënsia e Fishtës e priti me qetësi pretencën e vdekjes", "Maria dhe ONDSH ", "Krijimi i Organizatës Patriotike - Besa Kombëtare dhe Maria aktiviste", "Marie Shllaku bashkëpunëtore e shumë organizatave nacionaliste në mal", "Maria në Mat ' hausen dhe Aushvic - in e Jugosllavisë komuniste", "Heroina për 50 vjet e lënë në harresë", "Një histori të dhimshme, por krenare shqiptare ", "Maria dhe historia që do të flasë përsëri ", "Një përmendore e pavdekshme për Marien libri i Ramiz Kelmendit e Viktor Gashit ", "Me histori në dorë" etj.
Autori Mrijaj ka shtjelluar temat e sipërpëmendura duke u bazuar në shënimet historike dhe rrëfimet e bashkëluftëtarëve të Maries nga Amerika, Kosova, Shkodra e Tirana.

Meqenëse Fuqitë e Mëdha: Rusia, Franca, Gjermania, Anglia nuk i përfillën kërkesat legjitime të përfaqësuesve të Lidhjes së Parë të Prizrenit në Kongresin e Berlinit 1878 e më pas në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1913, por vendosën në favor të Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, duke iu dhuruar atyre pjesë të territoreve etnike shqiptare; shqiptarët duhej të bënin krejt çka ishte e mundur për ta mbrojtur integritetin territorial e personal që po rrezikohej nga pushtuesit barbarë.Ushtritë e këtyre të fundit u sulën kundër popullit shqiptar duke ua djegur shtëpitë, okupuar pronën e pasurinë, duke i deportuar me dhunë, duke masakruar pleq, fëmijë dhe të paaftët për luftë, veti të cilën e kishin trashiguar nga të parët e tyre. Për këtë qëllim ishin përgatitur me kohë Plane e Programe si ai i Andriçit, Garashaninit, Çubrilloviçit etj. Ky botim përmban edhe datat tjera të rëndësishme historike që shumica prej tyre qenë katastrofale për ne shqiptarët.

Me ardhjen e Italisë fashiste e Gjermanisë naziste (1939 - 1944), kufiri shqiptaro- shqiptar në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë ishte i lirë për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe jepte mundësinë reale për zhvillim dhe përparim të popullit tonë në trojet e veta etnike. Mirëpo kjo nuk shikohej me sy të mirë nga shovinistët sllav- orthodoks, të cilët papushuar përgatiteshin në shumë drejtime si në diplomaci, ushtri etj. për t'i ripushtuar tokat e Arbrit. Këto toka të shenjta që përveç të tjerave ishin të pasura me minerale të çmueshme, me pasuri të pakufijshme mbitokësore, me dalje në det që mundësonte lidhje permanente detare me gjithë botën dhe lulëzimin e tregtisë që ndihmonte përparimin e gjithanshëm. Kështuqë, ata për t'i realizuar synimet e tyre grabitqare proklamonin ideologjinë bolshevike ruse, si ide e bashkimit të proletariatit ndërkombëtar. Për fatkeqësinë e popullit tonë edhe një pjesë e shqiptarëve e pranoi këtë ide qorre, e cila u ndihmoi të huajve për ta rikthyer pushtimin shekullor, për t'i rindarë trojet shqiptare në disa shtete siç ishin Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Greqia.
Këto shtete dhe regjimet e tyre gjakpirëse i sollën popullit tonë, dëme të cilat kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin dhe kujtesën e tij. Andaj as përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për shqiptarët nuk solli ndryshime pozitive. Përkundrazi solli kolonizimin e Kosovës; deportimin e shqiptarëve me dhunë për në Turqi dhe vendet tjera; aneksimin e Kosovës nga Serbia- Jugosllavia. Solli në Shqipëri burgun më të madh kolektiv që e njeh historia e sotme; vuajtje pa masë të popullsisë dhe një izolim total nga Bota e Civilizuar. Mbushi burgjet e Kampet e përqëndrimit me djemë e vajza të cilat dëshironin të jetonin të lirë dhe ta ndërtonin të ardhmen e tyre mbi baza demokratike dhe një shoqëri të lirë, ku secili qytetar do t'i gëzonte liritë themelore natyrore të pacensuruara nga pushteti centralist- diktatorial, që përpiqej të krijonte "njeriun hibrid " të zhveshur nga ndjenjat kombëtare e fetare.
Kurse çdo përpjekje për të dalë nga kjo situatë e tmerrshme dënohej me procese të montuara politike, me dënime drakonke. Ligjet komuniste ishin kryekëput antishqiptare, nga vetë fakti se e kishin përligjur ndarjen e tij, ishin kundër secilës tentativë për bashkimin e trojeve etnike në një Shtet të pamvarur, të lirë e demokratik. Edhe komunistët shqiptarë të Kosovës, sikur edhe të Shqipërisë, ishin pajtuar për mbetjen e Kosovës nën regjimin jugosllav, duke mos bërë as përpjekjen më të vogël që do të kundërshtonte një gjë të tillë. Bile me dorën e tyre kishin likuiduar shumë intelektualë e patriotë të vërtetë të nacionalizmës të cilët punuan e luftuan për lirinë dhe bashkimin e territoreve autoktone shtetit amë, Shqipërisë. Regjimet komuniste as në Shqipëri e as në Kosovë nuk arritën që veprën madhore e të pavdekshme të nacionalistëve tanë ta fshehin edhe pse pati përpjekje për ta ndryshuar, fshehur ose për ta zhdukur fare. Ajo jetoi në popullin liridashës i cili e ruajti me fanatizmin e tij të papërlyer, por të kthjellët si uji i burimeve të maleve të Kosovës kreshnike ku luftoi Marie Shllaku me trimat tjerë. Aty ku frymëzohej e thurte vargjet poetike e ku mbante Ditarin e saj politik për të gjitha që ndodhnin në atë kohë Kosovë dhe me popullin e saj heroik.

Z . Mrijaj ka përshkruar për mrekulli hisorinë e lashtë të qytetit të Shkodrës, këtij bastioni të qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Shkodra, ky qytet që me bukurinë e vet kishte mahnitur edhe udhëpërshkruesen dhe miken e shqipëtarëve Miss Edith Durham, e cila për të shkruan "Shkodra më mrekullon... ajo asht ma e bukura në botë ", ishte vendlindja e shumë intelektualëve dhe patriotëve të cilët i dhanë kontribut të pazëvendësueshëm çështjes së shenjtë kombëtare. Në Shkodër u lindën Pashko Vasa, Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, prof. Ernest Koliqi, prof. Sami Repishti, at Vinçenc Prenushi, Kardinal Mikel Koliqi, imzot Ernest Maria Çoba, i cili duke biseduar direkt me Atin e Shenjtë në Vatikan, shpëtoi nga coptimi pjesët jugore të Shqipërisë. Aty jetuan e punuan at Gjergj Fishta, poeti kombëtar, kleriku martir dom Ndre Zadeja, at Donat Kurti, Prekë Cali, dom Zef Shestani, nacionalisti i flaktë i " Ballit Kombëtar " e shumë të tjerë.
Në Shkodrën Legjendare u lind edhe Marie Shllaku, në një familje me tradita të pastërta atdhetare. Familja Shllaku ishte vendosur në Shkodër, pas shpërnguljes nga Palajt e Dugagjinit.

Simon Shllaku falë punës së ndershme, fisnikërisë e bujarisë së tij ishte përfshirë shumë shpejt në jetën urbane dhe kishte krijuar standard të mirë jetësor nga puna në dyqanin e tij. Marku i biri i Simonit ishte martuar me Dilën dhe kishin lindur: Ndocin, Rozën, Marien dhe Luvien. Marku ishte lexues i pasionuar dhe interesohej për historinë kombëtare, por me andje lexonte klasikët italianë dhe shtypin e kohës. Kurse në bibliotekën e vet kishte Koleksione Enciklopedish në gjuhë botrore. Ai i dinte pothuajse përmendësh vargjet e "Lahutës së Malcisë" të At Fishtës. Dila, e ëma e Maries, ishte një shtëpiake që merrej me artizanat dhe posedonte një kulturë të lartë qytetare. Ajo ishte bujare dhe shumë zemërmirë. Meqë ajo përgatiste Pajë Nusërie, ndodhte shpesh që vajzave që s'kishin mundësi ta paguanin t'ua jepte falas duke i uruar: "Kjofshi e lumtun dhe Zoti t'ndihmoft n'jetën tande. T'koft fal dhe e gzofsh Pajën "( f. 28). Këto dhe virtytet tjera të kësaj familjeje do t'i bartin Marku e Dila te fëmijët e tyre, të cilët i donin shumë dhe i edukonin në frymën fetare e kombëtare. Mbi të gjitha i kushtonin rëndësi shëndetit dhe shkollimit të tyre.

Bujarinë, fisnikërinë, besën, atdhedashurinë, urtinë, ndjenjat humane për njerëzit dhe virtytet tjera kjo shkodrane i trashëgoi nga stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit e saj.

Marie Shllaku e lindur më 22 Tetor 1922 në Shkodër.

Ajo kishte ndjekur mësimet në moshën parashkollore tek Kuvendi i Motrave Servite. E ëma dhe babai i saj gëzoheshin pa masë për zgjuarsinë e vajzës së tyre dhe ata e përkrahën gjithnjë sa herë ajo kishte nevojë për ta. Edukimi i shëndoshë i fëmijëve me kulturë qytetare tradicionale që vinte nga kultura e lartë e prindërve dhe rrethit ku jetonin ishte parësor për Mark e Dile Shllakun.
Z. Tomë Mrijaj në Monografinë " Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës" përshkruan me përkushtim rrugëtimin e gjatë por shumë interesant të personazhes së vet, drejt horizonteve të pakufijshme për të mbledhur sa më shumë dituri edhe jashtë familjes së saj. Për këtë qëllim ajo ishte dërguar nga prindërit e saj që në moshën parashkollore tek Kuvendi i Motrave Servite e më pastaj në shkollen fillore dhe të mesme tek Kuvendi i Motrave Stigmatine në Gjuhadol të qytetit të lindjes, pra në Shkodër. Marien e donin dhe respekonin të gjithë shokët e shkollës, sepse ajo tregonte aftësi të madhe si në mësime poashtu edhe në lojë e bashkëbisedime me moshatarët e vet.
Meqenëse Maries i pëlqenin lëndët humane letërsia, historia, gjeografia dhe gjuhët e huaja, ajo kishte arritur suksese të lakmueshme në përvehtësimin e tyre. Nga gjuhët e huaja ajo kishte mësuar të fliste dhe shkruante latinishten, greqishten, gjermanishten, italishten, frengjishten e deri diku serbokrotishen. Pra ajo dëshmonte se kishte aftësi të jashtëzakonshme komunikimi jo vetëm në gjuhën amtare por edhe në gjuhë botërore. Rol të veçantë në formimin intelektual dhe si personalitet i pamvarur kishin patur padyshim edhe mësuesit dhe inteluktualët kleriko-katolikë, të cilët i kishin mbaruar studimet universitare në Europën Perindimore. Gjithashtu z. Mrijaj e ve në pah edhe ndikimin e patriotëve dhe trimave të cilët ishin vënë me gjithë qenien e tyre në shërbim të çështjes së shenjtë kombëtare. Maria me ëndje kishte lexuar për luftërat 25 vjeçare të trimit legjendar Skenderbeut si dhe të heronjve të mëvonshëm nëpër periudha të ndryshme të historisë sonë të përgjakshme por edhe të lavdishme e krenare. Ishte frymëzuar nga bëmat e mëdha të heronjve kombëtarë dhe kryeveprat e tyre e bëjnë që edhe ajo e tëra dhe me të gjithë potencialin e saj intelektual dhe fizik t'i përkushtohet luftës për lirinë e vërtetë dhe bashkimin kombëtar. Autori me vetëdije të plotë e ve gjithashtu në dukje edukimin fetar të Maries dhe humanitetin e sakrificat e saj për të ndihmuar njerëzit pa dallime konfesionale, përgatitjes arsimore, përkatësisë rajonale dhe dallimeve tjera që fatkeqësisht ishin prezente te një pjesë e popullatës sonë e cila ishte e infektuar nga idetë dhe propaganda e okupatorëve të ndryshëm të cilët synonin ta mbanin popullin tonë të përçarë e të armiqësuar në mes veti, ngase kjo ishte arma ma e përshtatëshme për të penguar forcat intelektuale dhe patriotët për të vazhduar luftën e drejtë për çlirim dhe bashkim në një shtet në Shqipërinë Etnike. Mirëpo Maria edhe pse e re në moshë i kishte kuptuar me kohë qëllimet e okupatorëve dhe kishte vendosur që t'i bashkohej asaj pjese të intelektualëve dhe luftarëve të lirisë të cilët nuk kishin pranuar në asnjë mënyrë privilegjet e pozitat në dëm të popullit të vet. Ajo ishte kundër çfardo okupatori dhe atyre forcave të errta e të shëmtuara të cilat interesat e veta personale i vinin para atyre kombëtare, siç po veprojnë edhe sot në Kosovë disa "liderë politikë", të cilët po mendojnë se "historia e lavdishme shqiptare po filluaka me ta dhe ata duhet ta gëzojnë lirinë e pakufizuar për t'i realizuar qëllimet e tyre karrieriste e personale pa u bazuar në rezultatet konkrete të punës së vet".

Lexuesit të vëmendshëm të kësaj Monografie studiuesi ynë i nderuar i ofron shumë fakte të reja të cilat gjer më tani nuk janë ditur ose nuk është guxuar ma parë të publikoheshin ose edhe të shkruheshin nga droja se do të zbuloheshin nga agjentët e diktaturës komuniste në Shqipërinë e diktatorit gjakpirës Enver Hoxha dhe shërbimeve sekrete serbosllave në Kosovë. Është një meritë e madhe e autorit i cili edhe pse jeton dhe vepron në Amerikën e largtë, gjen kohë dhe mundësi për të hulumtuar dhe mbledhur me respekt dhe pa u lodhur, faktet e vërteta të kohës kur jetoi, punoi dhe luftoi personazhja e tij, duke i ofruar shkencës historiografike të re shqiptare material autentik e të vjelur me mjeshtri, qoftë nga dëshmitarët e gjallë të kohës kur Marie Shllaku jetonte apo nga burime të tjera të cilat ishin ruajtur me shumë kujdes nga patriotët e devotshëm të cilët ishin të detyruar të jetonin jashtë atdheut të tyre të dashur në Diasporë. Lexuesit do të gjejnë në këtë libër jetëshkrimor pothuajse ngjarjet ma të rëndësishme, datat, personalitetet dhe ambientet në të cilat punoi dhe luftoi Maria e Madhe e Shkodrës Heroike, Shota e Shkodrës, Amazona Shqiptare, Motra e të gjithë luftëtarëve të Shqipërisë së lirë e të bashkuar. Pra kemi pëpara një vepër më të kompletuar se të tjerat që kishin filluar pas viteve 80&90 të dilnin nga shtypi i asaj kohe. Për mua është kënaqësi e veçantë që z. Nue Oroshi ma ofroi këtë libër dhe mundësinë që pikërisht unë të mbaj fjalimin promovues në këtë Akademi të të Djathtës Shqiptare, edhe pse ai nuk kishte njohuri që edhe gjyshi im Bilalli, ndjesë pastë, ishte viktimë e barbarëve partizano/çetnik të cilët pa gjyq e kishin vrarë me 72 plumba dhe e kishin therur me bajoneta në gjithë trupin, sepse dy vllëzërit e tij Qerim e Ibrahim Shupkovci dhe i biri atëherë 17 vjeçar Isa, kishin marrë pjesë aktive në mbrojtje të popullsisë dhe tokave shqiptare në Luftën e Tregut të Ri, në Drenicën Kreshnike, në Shalë të Bajgorës dhe në pjesë tjera të Kosovës.

Poashtu pinjolli i kësaj familje Abaz Fejzullahu u përndjek politikisht, u burgos e u izolua disa herë nëpër burgjet serbo-sllave, sepse ishte dhe iu mbeti besnik idealeve të të parëve për të punuar dhe vepruar me të gjitha mundësitë për realizimin e idesë për Shqipërinë Etnike. Axha Ibrahimi edhepse me ndihmën e disa miqve, të cilët thonin se na "duhet ta mbajmë një dorë në hyqymet për ta shpëtuar shumicën e popullit sepse rrethanat ishin krijuar të tilla" shpëtoi nga ndjekjet e UDB-ës, pas LDB, ai u masakrua mizorisht në luftën e fundit ( Maj 1999) në shtëpinë e vet me të shoqen, të bijën dhe nipin 26 vjeçar.
Unë jam thellësishtë i bindur se edhe shumë bashkëkombas tjerë do ta gjejnë një pjesë të historisë familjare duke e lexuar këtë vepër të këtij biri të patriotit të shquar Nikollë Mrijaj. Pra, unë do të dëshiroja që edhe lexuesit tjerë ta lexojnë këtë libër jetëshkrimor që i kushtohet kësaj martirje e cila nuk kishte mundur asesi të rrinte indiferente ndaj masakrave që po bënin serbo-sllavët kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Por kishte luftuar krahpërkrah me burrat për lirinë e popullit të shumëvuajtur nga zgjedha shekullore, gjersa u martirizua për të mos vdekur kurrë, nga gjakpirësit komunistë, si dhe shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë të saj qoftë në Kosovë apo Shqipëri. Duke mos dashur që edhe më tutje të zbuloj ose komentoj përmbajtjen e shkëlqyeshme të kësaj vepre të rëndësishme të këtij autori të çmueshëm dhe të respektuar, i sugjeroi lexuesit ta lexojnë dhe japin vlerësimin objektiv ashtu siç me të vërtetë e meriton përmbajtja e kësaj Monografie. Andaj e shfrytëzoj këtë rast për të faleminderuar nga zemra organizatorët e kësaj Akademie të parë që po u kushtohet personaliteteve më të merituara të nacionalizmës sonë, që dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për realizimin e ëndrrës shekullore për Shqipërinë e bashkuar të të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim. Me respekt përulem para veprës së madhe të të gjithë atyre që u përpoqen dhe po përpiqen për bashkimin e mirëfilltë të trojeve shqiptare nga Çamëria e gjer në pjesën ma veriore të banuar me shqiptarë ( Kosovën Lindore), si dhe nga Tivari e gjer në Shkup. Në veçanti faleminderoj mikun tim të dashur Nue Oroshin i cili e hodhi idenë për mbajtjen e një Akademie të së Dajthtës Shqipëtare, për të bashkuar në Hamburg të Gjermanisë (Diasporë), bashkëveprimtarët dhe pasardhësit e atyre që punuan dhe të atyre që u flijuan për Shqipërinë Etnike. Me vetë praninë direkte tuajën, të nderuar pjesëmarrës, ju po dëshmoni se gjaku i pastër shqiptar i nacionalizmës sonë qarkullon nëpër dejtë tuej dhe me punë të përbashkët kështu pa kurrëfarë dallimi, kam shpresën se do ta çojmë në vend Amanetin e shenjtë të të parëve tanë për Shqipërinë e lirë, demokratike e të bashkuar. Zoti na ndihmoft në këtë rrugë të gjatë por të realizueshme! Ndërsa ata që mendojnë se interesi partiak është më i rëndësishëm se ai kombëtar, u them se gabojnë shumë dhe të tillë do t'i gjykojnë fëmijët, familjet, farefisi dhe populli ynë i mrekullueshëm.

Ju pjesëmarrës të dashur të kësaj Akademie, keni bërë rrugë të gjatë, gjer këtu dhe me kumtesat dhe punën tuej studiuese e shkencore po i heqni "pluhurin" dhe po i ofroni fakte interesante dhe të dobishme historigrafisë së re, mbi jetën dhe veprën e lavdishme e të paharruar të bijëve më të mirë të kombit tonë në periudhën e LDB, por edhe të luftës së fundit çlirimtare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Z. Tomë Mrijaj i uroj që kjo vepër e tij të ribotohet edhe në Kosovë e Shqipëri, në mënyrë që lexuesit tanë të njihen realisht me veprën e pavdekshme të patriotëve të vërtetë shqiptarë dhe njëkohësisht i uroj që edhe në të ardhmen të na dhurojë vepra të tillë me vlera të larta atdhetare.

MR SINAN GASHI HAKËRRIMI IDEOLOGJIK MBI LETËRSINË KOMBËTARE



MR SINAN GASHI



Injorimi i figurave të mëdha kombëtare, konfiskimi a asgjësimi i veprave të krijuesve më të talentuar, si dhe ndjekja, arrestimi e dënimi i atyre që kombëtaren e kishin parësore në jetë dhe në krijimtari letrare, ishte dëshmia antikombëtare e sistemit totalitar gjysmëshekullor.

Mendime përgjithësuese

Sistemet totalitare kishin mënyrën e njëjtë të veprimit dhe të sundimit, kudo që ishin, ngase kishin burimin e njëjtë ideologjik dhe frymëzues. Për ta mbajtur postin pa të drejt, ata përdorin mjeshtëritë perfide, siç ishte kontrolli mbi gjithçka, e në veçanti mbi artet e letërsinë, e cila u shërbente për programin, qoftë të ideologjisë komuniste të personaliteteve pushtetore. Ata për t’i pasur nën zap, përdornin frikën, dhunën deri edhe asgjësimin. Që më 1945 filluan aksionet kundër krijuesve kombëtarë, e disa edhe pse nuk ishin më ndër të gjallët, i kishin mallkuar zyrtarisht dhe as ata as veprat e tyre nuk guxonin të ziheshin ngoje. Fatkeqësia kombëtare ishte e madhe, ngase të gjithë ata ishin krijues të temave të mëdha kombëtare dhe që e kishin mbajtur gjallë kombëtarizimin brenda e jashtë atdheut politik të shqiptarëve. Kur anatemohej “Lahuta e Malcis” ne shpirtërisht varfëroheshim, e kombëtarisht shkonim deri në zvetënim. U dënua liriku i përjetshëm Vinçenc Prenushi, u shpall i padëshirueshëm Arshi Pipa, u fye në dinjitet Ernest Koliqi, iu nënshtrua ikjes Martin Camaj, la kantierin e dhunës shtypëse Bilal Xhaferi, e qindra të tjerë, deri në ditët e demokracisë, u mbuluan nga terri i propagandës komuniste. Autorët nuk kishin parasysh vlerat dhe veprimtarinë kombëtare të tyre, po kërkesë e përgjithshme ishte: ideologjia mbi gjithçka dhe shteti kontroll fizik e shpirtëror i njeriut, madje edhe i krijuesit. Kjo bëri që për pesë dekada mos ta njohim historinë tonë të vërtetë, krijuesit tonë madhorë, traditën tonë të lavdishme. Fatkeqësisht të vërtetat e fatit tonë, po i njohim me vonesa të mëdha dhe hutimi para personaliteteve të imponuara, po na ngadalësojnë ecjen tonë përpara.

Gjergj Fishta ose Homeri Shqiptar

Nër fytyrat madhore dhe të papërsëritshme është poeti, dramaturgu, publicisti, eseisti, themeluesi i shoqërive kulturore, i revistave e gazetave të ndryshme Gjergj Fishta (1871-1940), i cili kishte besimin e deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, apo ai që edhe ishte përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Parisit (1919) dhe dy herë në Konferencat ndërballkanike, më 1930 dhe 1931. Ishte po ky njeri që, më 1908, në Kongresin e alfabetit të mbajtur në Manastir, propozoi versionin e alfabetit në emër të shoqërisë “Bashkimi” që e udhëhiqte, i cili u pranua dhe me të cilin shkruajmë sot e gjithë ditën gjuhën tonë të mirë. Veç veprave të shumta letrare e të tjera, me veprën epike “Lahuta e Malcis” me gjithsej 15.613 vargje, dëshmoi një talent të rrallë të cilën e punoi për tridhjetë vjet. Veç tjerash, kjo vepër ia dha përjetësinë dhe e bëri të njohur jashtë Atdheut. Edhe mbi këtë personalitet të madh, u veprua në mënyrë makabre: e zhvarrosën më 1968, me një frikë dhe sadizëm njëkohësisht. Vetëm në vitet e demokracisë, rifilloi jeta e vërtetë dhe filloi të bëhet vlerësimi real i letërsisë kombëtare. Retushimet dhe prerjet e tekste, fshehjet e dokumenteve, ishin mënyra e përhershme e atyre ideologjive. Po e zëmë, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjedja dhe Gjergj Fishta kishin bërë fotografi së bashku në Shkodër. Ajo fotografi është botuar disa herë me Fishtën e hequr mjeshtërisht.

Pa i cituar studiuesit tanë se ç’thonë për krijimtarinë e Fishtës apo personin e tij, të cilët janë të shumtë, me interes është të thuhet se Maximilian Lambertzi i shquar bën krahasime homerike të veprës së tij. Dr.Wilhelm Scauster dhe Dr.Max Wieser në “Letërsinë e sotme botërore”, botuar në Berlin, shkruajnë se Fishta është poeti më i dalluar shqiptar, që ka zgjuar vetëdijen kombëtare dhe ka ngjallur kuptimin për liri, ndërsa Dr.Ivan Esih, pohon se me të drejtë është quajtur “poet kombëtar” dhe “Homeri Shqiptar”

Dhunimi i këtij personalitetit për së vdekuri, ishte paralajmërim për hakërrim mbi ata që ishin gjallë.

Romancieri i parë shqiptar u arrestua dy herë

Autori i më se tridhjetë e pesë veprave, e mbi të gjitha autori i romanit të parë të letërsisë shqipe “Marcja” (1889) dhe i cili dijen, mundin dhe pasurinë e fituar e shkriu për kombin e vet, është Ndoc Nikaj. Ai madje kishte blerë shtypshkronjën e parë më 1909. Pas burgosjes së parë nga Qeveria e Lushnjës, ai lirohet i pafajshëm pas dyzetë e gjatë ditësh, por ndihet shumë i fyer. Megjithatë punën krijuese e atdhetare nuk e ndalon. Bashkëpunimi i tij ishte edhe me të përkohshmet “Koha”, “Bashkimi”, “Besa Shqyptare” e “Zani i Shkodrës”.

Arrestimi i dytë ishte më banali. Kur më 1946 ai kishte 82 vjet, me një pushkë në krah e endin mes popullatës. Ata veç vrasjes fizike, kënaqeshin me varjen morale dhe shpirtërore.

Peripecitë e krijuesve janë të shumta dhe natyra të ndryshme, por vetëm ajo që quhej dhunë ishte e njejtë.

Fati i burgosjes shtatëvjeçare nga komunistët e kishte sfilitur Kristo Floqin nga Korça. Ai kishte arsim të lartë. Kishte doktoruar drejtësinë në Athinë më 1889 dhe pastaj kishte kryer punë të shumta kombëtare e pushtetore, si kryetar i gjyqeve e pastaj sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit e së dyti në qeverinë e Durrësit, prokuror në gjyqin e Korçës, avokat në Shkodër, Ministër i Arsimit në vitin 1920, dy herë deputet i parlamentit shqiptar, njëherë përfaqësues i Dibrës e pastaj i Korçës, në Qeverinë e Mbretit Zog, është anëtar e më vonë nënkryetar i Këshillit të Shtetit. Pos tërë këtij aktiviteti, shkruan vazhdimisht poezi në të përkohshmet, por ajo që e përjetoi në letërsi janë më se tridhjetë veprat dramatike, që kapin aktualitetin e kohës së autorit e disa edhe tashti. Njihen pesë veprat poetike dhe disa administrativo-ekonomike. Është e veçanti të ceket vepra “Shqiptarët”, e cila kishte pikënisje takimin e autorit me baronin austro-hungarez Dr.Jozef Kraus, të cilën bisedë e vjershëron në 83 faqe të një libri të vogël. Këto vepra të lëna në harresë ndoshta për bindjet e autorit, kanë bërë që të vjetërsohen si aktualitet letrar.

Doktori i parë i politikologjisë që aftësitë e veta i ishte dashur t’i tregojë në vende të huaja (prefekt i Thrakisë e Maqedonisë e më vonë i Sanxhakut e Samsunit, si dhe bej i Jerusalemit dhe guvernator i Palestinës, nënkomisar i Turqisë në Misir), punoi edhe punë të rëndësisë shtetërore e kombëtare në Shqipëri nga 1923-1939 (përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, kryetar i Qeverisë shqiptare të 1935-tës, kryetar i këshillit të Regjencës), i duhet të degëdiset në dhe të huaj (Itali) dhe atje t’a mbyll jetën. Le që ky person u harrua përjetësisht, por edhe veprat e tij, që do të pasuronin traditën e romanit (“Nevruzi”) apo të dramës (“Trathëtia”).

Krijimet ia mbajtën jetën ngrohtë dhe më afër atdheut, si dhe e lanë shenjën e përjetësisë te brezat.

Kërkesa e ideologëve komunistëve ishte t’a dëshmojnë veten si të parët në historinë e jetës, të shtetit, si dhe të krijimtarisë. Ernest Koliqi me ndjenjën prej krijuesi, ndien dhembjen për fatin e tij. Thotë: “me drydhë fuqit ma të pastra të mendes e të zemrës në shërbim t’atdheut e mos me mujtë me gzue frymën ringjallëse t’ajris së tij: me ushqye një dashuni të pamasë për kombin e vet, një dashni të plleshme e ndërtuese, edhe me ndejun tue njeh larg aty një nga një ditët e muzgut të jetës, pa ngushllimin e nji shpërblimi moral të stërmerituar - asht drama njerzues vërtetë i pikëllueshëm”.

Një fat hiq më të mirë e pat edhe Midhat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit. Kishte ky një kulturë të gjerë, të cilën e kishte degëzuar në lëmin e kulturës si dhe në veprimtari politike, gjithnjë me synim bërjen e Shqipërisë, jo kësaj sa një dorë, siç shprehej Asdreni një kohë e njëherë. I rritur dhe i edukuar në familjen e mendjeve të ndritura të babait të madh e të xhaxhallarëve krijues (Naimit e Samiut), dëshmohet me organizimin e Kongresit të Alfabetit ku zgjidhet kryetar i Kuvendit të tij, pastaj ishte përfaqësues i shpalljes së pavarësisë në Vlorë (1912), i Konferencës së Paqes në Paris dhe, së fundi, prijës i Ballit Kombëtar. I ra fati të jetë edhe pjesëmarrës i Konferencës së Mukjes, që ishte tragjike, si dhe për fatin e tij - vdiq në Nju Jork.

I injoruar deri në harresë “enciklopedia që ecën”

Madhështia e disa personaliteteve, sado mundohesh, nuk mund të rrëfehet me fjalë. Ta merr mendja se s’ke thënë gjithçka për të, kur më pastaj të dalin para dëshmi të tjera për bëmat e tij, Për Faik Bej Konicën mund të thuhet shpejtazi se kishte një kulturë të barazuar me fytyrat madhore evropiane të kohës, se njihte gjashtëmbëdhjetë gjuhë të huaja, se ishte bymuar me njohuri në shkollat e ndryshme në Stamboll, në Paris, në Londër e në Amerikë, se ishte krijuesi i parë i modernitetit në letërsinë shqipe, me veprat e tij në poezi, kritika letrare, ese dhe romani i papërfunduar “Dr. Gjilpëra”; se, kishe nxjerrë revistën enciklopedike “Albania” në Bruksel e Londër, apo edhe “Trumpeta e Krujës” e tjerë. Angazhimi i tij në jetën politiko-shoqërore po ashtu është jo i pakët: ishte pjesëmarrës në Kongresin e Trishtës (1913), në Qeverinë e Vidit (1914) dhe deri në përfundim të jetës ambasador i Shqipërisë në SHBA.

Edhe pse këtë krijues dhe stilist të rrallë nuk e patën në dorë përfaqësuesit e regjimit komunist, krijuan një propagandë të ulët, me të gjitha format e mundshme, nga politikan analfabetë e deri te studiuesit e ideologjizuar e karrieristë. U tha për të se është një kopje e antishqiptarit apo edhe se “ia ka ngjitë kulturës për bishti në vend se për koke”. Konica dallonte nga të tjerët, se kritikonte të metat, të cilat ia kishin zënë frymën përparimit, se nga këta nuk kërkonte postin e lajkatarëve, që interesi vetjak i çonte në falsifikim të dhënash e fshehjesh të tragjikave. Ai kishte thënë guximshëm se “Shqipërinë mund të prishin vetëm shqiptarët”. Një reagim të tillë ndaj të këqijave në shoqërinë shqiptare e kishte bërë artistikisht edhe Gjergj Fishta, kur shihte se si vlerat kombëtare dhe sakrificat e shumta, matrapazët “patriotë sheshesh” i kthenin në të mira materiale.

Personalitete që sollën frymën oksidentale në Shqipëri, gjithsesi ishin të urryer. Ata ishin shkolluar jashtë vendit, si në Romë të Italisë, Tiroli të Austrisë, Insbryk po të Austrisë, Firence të Italisë, Mynih të Gjermanisë e tjerë, dhe ishin ngulfatur nga dëshira që edhe vendin e tyre ta shihnin një ditë ashtu. Ofrua vepra të përkthyera nga shkrimtarët e përbotshëm. Këta ishin të urryerit e të anatemuarit e kohës. Përfaqësuesit e regjimit komunist, krijua një propagandë të ultë, me të gjitha format e mundshme, nga politikanët analfabetë e deri te studiuesit e ideologjizuar e karrieristë. Kështu u veprua me Anton Harapin (1888-1946), i cili me romanin e lënë dorëshkrim “Andrra e Pretrashit” “desh që t’u lajë të shkrueme breznive të ardhshme se fiset e Hotit e të Grudës, të mbetuna jashta kufinit politik të soqëm janë thjeshtë shqyptarë...”

Po ashtu Zef M.Harapi (1891-1946), i cili kishte shërbyer mësues në Pejë, Durrës e Shkodër, la dëshmi romanet “Peng a rob” (1930) dhe “Pushka e tradhëtisë” (1914), dhe shkroi edhe vepra për personalitete të rëndësishme shqiptare, si për Oso Kukën, Mustafa Pashën e Dedë Gjo Lulin. Krijuesi i melodramave origjinale: “Ora e Shqypnis”, “Hijet e zeza”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” dhe “Shpella e Bogdanit”, por edhe i krijimeve poetike, polemike, përkthimeve...Ndre Zadeja arrestohet më 1945 kur edhe ekzekutohet së bashku me 13 të tjerë. Shtypi i kohës shkruante se “u pushkatuan 14 tradhëtarë”. Është një konstatim krahasues se, ashtu si kishin arritur vlera kulmore efektet lirike të teksteve në krijimtarinë e Wagnerit e Puçinit, apo ashtu siç i kishte ndihmuar Lorenze da Pontes veprës së Moxartit, u bëhet krah i fortë libreti i Zadesë kompozitorëve shqiptar, si Mikel Koliqit apo Tonin Harapit.

Bernardin Palaj është mitologu i parë shqiptar, poeti i talentit të shquar dhe atdhetar i dëshmuar. U arrestua më 1946 dhe pas torturave të rënda, vdiq në burgun e Shkodrës, nga tetanosi. Veç gjashtë veprave letrare, kishte publikuar vepra shkencore: “Doke e kanun në Dukagjin”, “Mite, besime e legjenda”, “Kanuni i maleve”, “Kangë kreshnike dhe Legjenda”, e tjerë. Për punën e tij kaq të madhe dhe me vlerë, kishin dhënë vlerësime studiues të shquar të artit e të letërsisë, si albanologjia ruse Desnickaja, shkrimtarja e studiuesja italiane Dr.Angela Cirricione, biografi i tij Vinçenc Malaj, Ernest Koliqi, Pal Dukagjini e të tjerë. Po këso vlerësimesh do jepeshin për Donat Kurtin e shumë të tjerë, të cilët lnë përjetësinë me punën, sakrificën njerëzore dhe krijimtarinë letrare-shkencore.



Hakërrim edhe ndaj atyre që ishin bashkëveprimtarë një kohë

Shkodrani që studioi në Bergamo të Italisë dhe i cili tërë jetën e kishte vënë në shërbim të krijimtarisë letrare dhe të arsimit shqiptar, madje edhe në Kosovë, Ernest Koliqi kudo që ishte, madje edhe viteve të pas 1942-tës në Romë, veproi po në këtë drejtim. I shtyrë të krijonte letërsi nga Luigj Gurakuqi, ai merr krah dhe lë trashëgimi romanin “Shija e bukës mrume”, vëllimin e prozave “Hija e maleve”, “Gjurmët e stinëve”, “Tregtarë flamujsh” e tjerë. Ishte edhe poet i frymëzimeve autoktone. Rolin e intelektualit në raport me kombin, e shihte si domosdoshmëri. Thotë: “Intelektualët e vërtetë, që me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesinë e letrave janë syni i kombit;...Pa veprën dritëpërhapëse t’intelektualve të njimendët, një komb është si i verbti mbi një udhë plot gropa e qarravina të rrezikshme”.

Është ndër themeluesit e fletores “Ora e Maleve”, themelues i së përkohshmes “Shkëndija” apo edhe i revistës së rëndësisë së veçantë “Shëjzat” që doli në Romë. Si mos të përmendet merita e madhe e tij për përhapjen e arsimit edhe në Kosovë, kur më 1941-’42 dërgoi për atje 200 mësues e mësuese, për t’a krijuar bazën e një kombëtarie të vërtetë. Apo si mos të çmohet lartë puna e tij dhe autoriteti i madh për hapjen e Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Romës, e cila më vonë bëhet Institut i Studimeve Shqiptare.

Heshtja dhe injorimi vazhdoi me dekada edhe për këtë fytyrë të lakmueshme të kulturës e arsimit shqiptar. Veprat e tij që njiheshin nga lexuesi gjerman, italian, anglez, arab, grek nuk kishte mundësi të lexoheshin nga ai shqiptar.

Dhimitër Pasko që u bë i përjetshëm si Mitrush Kuteli, kishte fatin e rëndimit të përditshëm, edhe pse vendi ishte “çliruar”. Ishte njeriu që kishte gradën e doktorit të shkencës së ekonomisë dhe që atë dituri kthehet për ta sjellë në vendlindje, për ta themeluar bankën shqiptare, ishte një nga ata që themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ishte një i vetmi deri tashti që interesoeht dhe sakrifikon edhe ekonominë vetjake për t’u botuar vëllime të plota me poezitë e shpërndara si Fan Stilian Noli ashtu edhe Lasgush Poradecit, të rrallë ndër letra shqipe. Është i vetmi që të gjitha veprat e veta i kishte botuar me paratë e shtëpisë, me gjithë skamjen që e përcillte, pra një idealist i vërtetë. Për të gjitha këto shpërblim dënimi, duke u arrestuar më 1947 dhe duke u liruar më 1949, me pasojat shëndetësore të hipertensionit arterial, angjinës pektorale, reumatizmit dhe pagjumësisë duke e shtyrë jetën me vuajtje. Dhe mbi të gjitha e kishte dashur Kosovën dhe shqiptarin e Kosovës deri në idealizim, vetëm për shkak të atdhedashurisë së madhe. Veprat e tij kryesore duheshin pritur vitet e dekadat për t’u rizbuluar para lexuesit shqiptar, për të cilin ishte një befasi e këndshme. Deklarimi i Kutelit në emër të shqiptarit të Kosovës, ishte deklarim në emër të shqiptarimës:

Jam shqiptar e Kosovar

Zot e krenar, Zot e bujar...

“Intelektualët shqiptarë nuk kishin rrugë tjetër, ose të pranonin plotësisht vijën e partisë, ose ndryshe, përfundon në burg” - rrëfen më vonë shkrimtari e intelektuali i shquar Arshi Pipa, në librin e botuar në Nju-Jork “Contemporary Albanian Literature”, 1991, duke folur për fatin e vet dhe të bashkëmendimtarëve. Ky i dënuar fillimisht me dy vjet burg për një ligjeratë për Migjenin apo një poezi me titullin “Bushtra”, që aludonin ata për Bashkimin Sovjetik, i ishte shtuar dënimi në njëzet vjet. Pas fazës së parë me punë skllavi, në fazën e burgut izolues qëndroi në Burrelin famëkeq. Arshiu ngroh shpirtin e ndjeshëm me vargje, të cilat përmes një gardiani të ndershëm, i qet jashtë. Duke mos mundur ta durojë punën e rëndë me kazmë dhe përcjelljen e vazhdueshme të aparatçikëve, kushtëzohet arratisja, për ta dëshmuar aftësinë intelektuale si profesor në Universitetin e Minnesota-s, ku edhe e gjen vdekja. Ai dha mësim edhe në shumë vatra të arsimit superior në Amerikë, si në Georgetoën, University, School of Languages and Linguistics, Columbia University, profesor në shtetin e Minnessota-s, në Adelphi University, Californias University e tjerë. Veprat e tij dolën vetëm kohët e fundit, ku veç talentit të pakontestueshëm, thekshëm del interesimi për fatin e Kosovës e Çamërisë, dy tema të rrezikshme për kohën (lexon poezinë “Kosovës” të Pipës), që regjimit i prishin punë. Aktivitetin kombëtar, edhe në moshë të shtyrë, nuk e ndalon, kur organizon në Qendrën Universitare të Neë-York-ut (The University Graduate Center) Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën, më 6 nëntor 1983. Kumtesat e më se dymbëdhjetë ligjëruesve, prej të cilëve vetëm katër shqiptarë botohen në “Studime mbi Kosovën”, duke aktalizuar gjithçka lidhur me të. Ai vendlindjen do ta shohë tek në vitin 1982, pesë vjet para vdekejs në vend të huaj. Edhe hirin e eshtrave të tij e derdhin në Adriatikun e vendlindjes. Martin Camaj e çmonte drejt, kur thonte: “Besoj se Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë edhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa”.

Martin Camaj (1925-1992) bëri rrugëtim të gjatë. Nga vendlindja e tij në fshatin Temal të Malësisë së Shkodrës, emigron në Kosovë, pataj në Itali të Malësisë së Shkodrës, emigron në Kosovë, pastaj në Itali e së fundi në Gjermani, në Munih, duke qenë gjithmonë krijues e studiues i veprave shqipe.

Jo që nuk njiheshin e botoheshin veprat e tij shkruar e botuar jashtë, por u la në harresë e madje as që ziheshin ngoje dy vëllimet poetike që i ishin botuar në fillim në Prishtinë, “Një fyell ndër male” 1953 dhe “Kanga e Vrrinit” 1954. Camaj çmohet lart edhe nga të huajt për artin e tij modern dhe krijimtarinë e larmishme.

Regjimi komunist nuk i kursente as shokët e vet të luftës, kur ata mendonin a thonin ndryshe, se për të vepruar, ishte e pamundshme nga përcjellësit lakej të të gjitha niveleve dhe detyrave. Kasëm Trebeshina, po e zëmë, edhe pse ishte pjesëmarrës i luftës, që si kujtim i ruante plagët nga ajo, thirret dhe burgosët më se tri herë në vazhdimësi. Veprat e tij në dorëshkrim arrijnë numrin 1000. Minush Jero, një oficer me shërbim në Durrës, dënohet dhe mbetet i palexuar dhe i pabotuar, edhe pse tri dramat e tij paralajmëronin një talent të lakmueshëm, e mjaft të tjerë.

Ky vargan është i gjatë dhe me peripeci të shumta, të dhimbshme

Edhe në Kosovë nuk është hiç me mirë. Herë për shkak të autorit e herë për shkak të ideve të “zbiriluara” të veprës, anomalitë e tilla manifestoheshin me dekada. Talenti i Murteza Nurës u vyshk (edhe pse me një vonesë nxori disa tituj veprash të përnjëhershme) duke u munduar të fshihej pas pseudonimeve. Burgjet e tij e ndrydhën mendjen e freskët dhe prodhimtare. I ndalonin dhe merrnin dënime atyre që u gjendej romani i Adem Demaçit “Gjarpijtë e gjakut”, mu për autorin e burgosur me vite për idetë e tij të ndryshme nga sistemi. Nuk duhej t’i botohej Teki Dervishit, sepse “helmonte rininë me shkrimet e tij”, siç qe shprehur një funksionar partiak i viteve. Kështu e pësuan veprat për bindjen e autorit, si romani “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit, që njëherë ishte edhe pushtetar, duke e botuar me vonesa disa vitesh apo duke mbetur dorëshkrim edhe sot pjesa e dytë e romanit po me këtë emër. Apo vonesa e madhe në botim e romanit “Jeta e një maturanti” e Xhemil Dodës, edhe pse i vëllai i ishte vrarë për ditët më të mira të këtij populli. Ishin të shumtë madje krijuesit e rinj të kohës, të cilëve u merrej e drejta e publikimit.

Edhe këndej vargani ishte i gjatë i këtyre peripecive të autorëve për shkak të veprave, apo të veprave për shkak të autorëve

Duke i larguar, ndjekur, burgosur apo pushkatuar ajkën e kombëtarizmit dhe trurin e një kombi, nuk varfërohet vetëm letërsia, por errësohet e ardhmja e atij kombi. Akademiku freng Leon Bourgeois, thonte me një rast, se “në periodën kombëtare çështjet politike zënë radhën e dytë. Në këtë periodë njerëzit më me rëndësi janë artistët, poetët e shkencëtarët. “Po ashtu konstatime të larta për vlerat kulturale e artistike për një shoqëri kombëtare të përparuar e sheh edhe shkencëtari gjerman Vierkandt, i cili shprehet” “Shoqëria kombëtare është e mundur vetëm në shkallët e larta të kulturës, sepse qenia e saj varet kryesisht nga parimi dhe njohja e ndërgjegjshme e vlerave shpirtërore (“Geselischaftslehre”).

E çfarë mund të thuhet për një sistem apo për ideologët e vonuar të tillë, nëse dhunojnë mendimin e lirë, nëse kërkojnë me çdo kusht ta asgjësojnë tjetrin, me të cilin nuk mund të barazohet as me forcën morale, as politike e as profesionale. E si duhet t’u thuhet atyre që urrejnë kombëtaren për hir të internacionales!

Dikush ia ka siguruar vetes vendin e antikombëtares në historinë tonë të panjohur ende mirë.

Mjerë për guximet e tilla?

Shkrimtari Idealist Shqiptar gjatë shekullit XX



PREND BUZHALA

Shkrimtari Idealist Shqiptar gjatë shekullit XX

Në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai?

Problemi është i moçëm, ç’prej se mbahet mend krijuesi i parë në punë të artit. E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit etj etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Tek e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj.

I Abeli në anën e Shkrimtarit, Kaini në anën e Politikës

Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojnë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në mes shoqërisë dhe artit, në mes kombit dhe krijimtarisë artistike, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike. Nëse problemet e çështjet njerëzore shenjohen nëpërmes Sfinksit antik, që shtron enigma për zgjidhje, zbërthyesi i tyre shenjohet nëpërmes Edipit, kurse privilegji i krijuesit iu jepej perëndive e pajtoreve të arteve, muzave, që ua sjellin frymëzimin; nëse nocioni zanafillor biblik mbi kreacionin mbështetet në Hyjin si semper creator; epoka moderne që zë fill me Humanizmin e Renesancën, këtë privilegj e zbret tek njeriu; por jo krejtësisht tek Njeriu i Rëndomtë, po tek Të Zgjedhurit, tek Heroi, Mbreti, Gjeniu, Artisti. E pra, përsëri Njeriu e njerëzimi e ngjizin dimensionin e të fshehtës a të së mistershmes në natyrën njerëzore krijuese a në vetë aktin e krijimit. I zgjedhuri i tillë, i shenjuari i tillë, ka diçka që e dallon nga të tjerët të jetë Hero, Gjeni, Krijues, Mbret etj. Shekspiri tek “Mbreti Riçardi i Dytë, ndër të tjera, e vë këtë replikë dramatiste: “Si ju jam, prandaj a jam mbret?” Gjeniu,Krijuesi e Heroi përkujtohen përjetshëm, kurse Mbreti ra. Megjithatë, që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet,burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimiter Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engjëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos errësirës e oskurantizmit.Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit. Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe për t’u angazhuar për ndërtimin e idealeve evropiane demokratike, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politkës, Abeli në anën e Shkrimtarit. Ose rasti i Mati Prennushit që i fliste dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga perkrahesit zogist Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit.Po ky Atë Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet. Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë. Mirëpo, fizionomi letërsisë shqipe do t’i japin edhe autorë tjetër të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Havzi Nela, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Maks Velo, Zyhdi Morava, Genc Leka, Trifon Xhaxhika… Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Kurse sot, për të qenë ironia e thellë e kohës, gjenden ende krijues të ish regjimit serbokomunist, tashmë të hedhur nëpër taborre të reja politike e të një mendësie politike të trashëguar, që duan ende ta fyejnë e ta denigrojnë nën maskat e “rendit demokratik”! Dhe kanë fytyrë të quhen shkrimtarë! E dihet se çfarë mesazhesh humaniste e atdhetare, liridashëse e demokratike, estetike e etike, përçon vepra e Demaçit. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha - Bala, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Kadrush Radogoshi, Adem Gashi. . . janë dhjetra emra të tjerë të shkrimtarëve të Kosovës. . . e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha, Gaspër Karaçi etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E pra, nga ana tjetër, jo rrallë po ky shkrimtar shqiptar, si kudo në botë, ka qenë edhe bashkëpunëtor i Ministrisë së Milicisë shqiptare a sllave, eksponent i regjimit, ekzekutor i Res Publica-s, kalemxhi shpirtshitur, që ka luajtur rolin e cenzorit ideologjik të vrasjes së vlerave, të përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues. Do të duheshin qindra e mijëra volume për ta paraqitur të vërtetën e dhimbshme jetësore të Shkrimtarit Shqiptar. Shkrimtari shqiptar ka qenë i ndërgjegjësuar se njeriu i kënaqur me gjendjen e lirisë, thënë pak butë, është konformist. Poeti shkodran, Anton Çefa në librin e tij poetik „Dritarja e një britme“ shkruan: „Për shokët e mi brezin e poetëve jokonformistë, që u rritën e u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht nji bisedë e gjatë me vetveten për ruejtjen e dinjitetit e njikëhësisht shfrim ndaj diktaturës“.

Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një të Vërtete, kurse të tjerat të Vërteta duhet të heshteshin. Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdhuet, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkvizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkvizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?

II. Shkrimtarët: dyshues e opozitarë të përjetshëm

Nëse krijimi është akt individual, vepra letrare, me të arritur në librari, në bibliotekë, në institucione kulture a në duart e lexuesit, bëhet edhe res publica, apo një e mirë e përbashkët. Autorët e moçëm të Antikës thoshin se Shteti apo Res Publica na është çështje publike dhe shtonin: "Videant consules, ne quid detrimenti res publica capiat! (Konsujt le të kujdesen që shteti të mos pësojë asnjë dëm). " Res Publica-n ata e mendonin si qeverisje të interesave të përgjithshme apo të të mirave të përbashkëta. Pra, politika është ajo që merret me çështje publike, kurse letërsia, si nevojë e brendshme shpirtërore e njeriut, nuk kufizohet në kohë e në hapësirë. Shoqëria si sinonim i politikës dhe qytetarit, vetë do të vendosin se si ta qeverisin veten, vetë do të kujdesen për çështjet a punët e veta, do ta bëjnë kushtetutën, o t’i zgjedhin qeverinë dhe deputetët, do të mbështeten, si deklarojnë ata, në vullnetin e popullit. Të zgjedhurve do t’iu besohet pushteti për një kohë të caktuar. Nuk ishte e rastit, pse Platoni pati kërkuar që harmonia do të arrihej, kur shtetin e pushtetin e drejtojnë filozofët si përfaqësues të urtisë e të mendjes, kurse i përjashtonte poetët. Res Publica antike e përfaqësuesve të popullit, tek koncepti i Rusosë shndërrohet në patriae, në atdhesi, në vlera të atdheut. Kurse shkrimtarët humanistë i afirmuan gjakueshëm idealet e tyre të epokës moderne: republikën dhe demokracinë, përkushtimin atdhetar, humanizmin dhe kultin e njeriut, liritë dhe të drejtat njerëzore. Ideja e lirisë është themel i identitetit evropian dhe e lindur po nga ky identitet. Porse njerëzit e lashtë të Antikës nuk e kishin parashikuar se të mirat e përbashkëta apo res publica, do të shndërrohen në interesa të veçanta, e, posaqërisht, në konflikte interesash. Prandaj, padëgjueshmëria qytetare, e lindur po nga ky opozicion i përhershëm i fushës së letërsisë, tani në kuadër të rendit demokratik, vendoset në anën e kundërt të këtij rendi. Dhe kushtetutat moderne e njohin të drejtën qytetare të padëgjueshmërisë e të mosbashkëpunimit, së këndejmi, si e drejtë, edhe e garanatuar, e drejtë edhe e realizuar, sidomos në ato raste kur pushtetarët e shndërrojnë shtetin apo pushtetin në Res Privata. Dhe jo pak qeveritarë e drejtues shtetesh e pushtetesh, vendin e tyre e kanë dërguar në theqafje, në luftëra, në shkatërrim, në sundim diktaturash të përgjakshme etj etj, kur kjo harmoni në mes urtisë e qeverisjes nuk përputhej. Mendimtarë modernë, si Rols (Raëls), Hondrih, Erikson, Berri etj pohonin se padëgjueshmëria qytetare është akt i hapët e i ndërgjegjshëm politik, i padhunshëm, i një grupi a pakice që qëndron kundër ligjeve a sistemit në fuqi, me qëllim që ta ndërrojnë një ligj apo ndonjë veprim politik e që është në duart e shumicës që e kanë në duart e veta forcën politike. Pse të mos e themi se shkrimtari gjithnjë qëndron në anën e padëgjueshmërisë. E kjo padëgjueshmëri gjithnjë gjakon parimin e Barazisë e atë të Drejtësisë. Në këso rastesh, kujtohen protesta e tilla të Martin Luter Kingut në SHBA për realizimin e të drejtave të zezakëve, ato të Gandit për pavarësimin e Indisë, pavarësi e arritur nëpërmes padëgjueshmërisë së padhunshme qytetare. Shkrimtarët disidentë të periudhës komuniste, në emër të idealeve për liri, demokraci e humanizëm, i kanë frymëzuar edhe revolucionet paqësore, me anën e të cilave janë përmbysur qeveritë totalitare e diktaturat komuniste në Evropën Lindore e në shumë vende të Evropës Juglindore.

Gjithsesi, që Res Publica nuk mund të trajtohet sot si Ide platonike, si qasje spekulative teorike, si mit ideologjik mbi rendin ideal e të pagabueshëm, si rend demokratik, në të cilin është e panevojshme padëgjueshmëria qytetare, sepse ky qytetar tashmë na i paska të garantuara të gjitha të drejtat. Kështu, e shikojnë shtetin nga këndi metafizik, domethënë, si rend demokratik që nuk iu nënshtruaka ndryshimeve, evoluimeve apo progresit. Harrohet fakti që në këtë botë tokësore, në këtë botë të gjërave njerëzore, të jetës kalimtare me pikën e lindjes e të vdekjes - nuk ka gjëra ideale, të përkyera pafundësisht apo të paprekshme, dhe, i tillë, me cene e huqe, na është edhe vetë shteti demokratik. Kurse shkrimtarët e dinë se kjo botë nuk është idilë, në të cilën ia vlen vetëm të ëndërrosh. Por, kur qytetarët binden se ky shtet nuk ua realizon të drejtat e tyre, se me veprime e programe kundërdemokratike e kundërnjerëzore, ka për qëllim t'i degjenerojë njerëzit e shoqërinë, atëherë pse të mos kenë të drejtë qytetarët që ta kundërshtojnë? Te e fundit, edhe ligjet nuk janë të përjetshme, po që vlejnë për një kohë të caktuar. Shkrimtarët janë shpesh inicues të asociacioneve demokratike, gjithnjë me pikësynimin që të bëhet transoformimi demokratik i shoqërisë dhe i shtetit. Ata janë ndër të parët, që, në kohë krizash, angazhohen në legalizimin e të drejtave e të lirive njerëzore e në zgjidhjen e konflikteve shoqërore apo etnike. Ndryshe nga mercenarët e zhurnalistikës a të literaturës së porositur e të paguar nga qarqe kundërnacionale, ndryshe edhe nga esktremizmat ideologjikë; shkrimtarët pikësynojnë të tjera caqe; ata nuk vuajnë nga iluzioni për triumfin përfundimtar të së Mirës, prandaj janë dyshues, por ata nuk pajtohen në asnjë kohë e në asnjë rast me triumfin e së keqes. Ata e vazhdojnë betejën e tyre për liri, humanizëm e demokraci. Ata krijojnë aso parzmoresh krijuese, me të cilat do ta mbrojnë me fanatizëm të drejtën për jetë; jetën që ishte dhe është ende e rrezikuar nga stihia e frikës, nga skenat e prapaskenat kundërdemokratike, nga kurthet anti-liri, nga urrejtja e dhuna; ata e kuptojnë vetëçlirimin qytetar që mund të arrihet vetëm nëpërmes luftës kundër kësaj stihie të dhunës e të frikës, duke u përcaktur për lirinë e individit e të shoqërisë. Shkrimtarët janë ata që rezistojnë kundër stihisë dhe anarkisë, që angazhohen për media të lira e të pavarura, tek iu japin mbështetje atyre ideve e atyre bartësve, që angazhohen për ndryshime konkrete demokratike. Dikur një shkrimtar i afirmuar thoshte: „Nëse dëshiron të dijsh se çfarë është shteti e sundimi i tij, dhe çfarë e ka ardhmërinë, shiko dhe mëso, se sa njerëz të ndershëm e të pastër ai vend ka nëpër burgje e sa kriminelë, dhunues të ligjit e kundërvajtës ka në liri. Kjo për ty do të ishte mësimi më i mirë”. E çka do të thotë nëse ky shkrimtar nuk i ka qëndruar besnik këtij formulimi të shqiptuar në ish Jugosllavinë? Kjo do të thotë se Letërsia e Politika mund të ecin bashkë, nëse angazhohen për ideale të njëjta, për liri, demokraci, humanizëm e drejtësi; por asesi nuk mund të ecin së bashku në fushën e demagogjisë, në të cilën mund të veprojë vetëm politika. E dihet, vendimet për fatet e njeriut, pra edhe për idetë e humanizmit e të demokracisë i merr politika e jo letërsia. Letërsisë nuk i duhen deklarat për lirinë e krijimtarisë që vijnë nga politika, sepse ato janë deklarata politike. Prandaj, në dekadën që shkoi, shkrimtarët i kemi parë, tek angazhohen edhe për dialog në mes të njerëzve, janë ithtarë të vizioneve liridashëse e të ideve humaniste, liberale dhe demokratike, gjithnjë në kundërshtim me shumësinë e ideologjive të stalinizmit, klerikalizmit, shovinizmit apo të patriarkalizmit militant. I kemi parë tek e ngritnin zërin e tyre për realizimin e kushteve ligjore, institucionale e procedurale; si dje, si sot, ata reagojnë për të drejtën e informimit objektiv, për shprehje të lirë të interesave, bindjeve e ideve, në mënyrë që Res Publica e tyre të ketë publik të formuar e me ndikim në të mirat e përbashkëta. Ata shprehin zemëratën e tyre kundër propagandës e manipulimit me opinionin publik; e afirmojnë dhe e zhvillojnë mendimin e qëndrimin kritik, kulturën e mendimit e të krijimit. Nuk është e rastit pse në këto parime të qytetarisë moderne, tek formulohen nëpër programet e lëvizjeve apo të partive politike, në radhë të parë, marrin pjesë vetë shkrimtarët. Mbase, edhe mund të zgjohet dyshimi rebelues i dikurshëm: në mos shkrimtari shitet te programi i një partie, duke e tjetërsuar esencën e lirisë së krijimtarisë? Ata janë kultivues të tolerancës e jo të urrejtjes ndaj bashkësive të tjera etnike apo ndaj pakicave. Ata janë në konfrontim e ballafaqim të vazhdueshëm me idetë çorientuese e izoluese, ata, madje, janë ithtarët më të mëdhenj të evropeizimit të popullit tonë e të formësimit të identitetit evropian në proceset e reja integruese. Nuk është e rastit pse shumë vepra që përkthehen kohëve të fundit nga thesari i letërsisë bashkëkohore botërore, e ngërthejnë farën e herezisë, dyshimit dhe intepretimit ndrydhe të rendit të të vërtetave të vendosura nga politika, nga ideologjitë e ndryshme apo qoftë edhe nga religjioni (shih romanet „Kodi i da Vinçit“ apo „Vita brevis“). Shkrimtari e ka botën e tij, të pavarur nga politika. Më në fund, ata janë dyshues të përjetshëm e opozitarë të përjetshëm.

ELEMENTET TË NACIONALIZMES SHQIPTARE NË KËNGËT EPIKE PËR SHABAN POLLUZHËN



   PROF.DR. MEHMET RUKIQI


“Në Ballkan, historia përsëritet me një rregullsi të çuditshme. Popujt e këtij gadishullit kurr s’kan arritur t’i lajnë hesapet me njeri tjetrin deri në fund, sepse, ngaherë janë të thyer prej një armiku të përbashkët”

Edith Durham

1. Nacionalizma-i, nga latinishtja natio-komb dhe frengjishtja nationalisme-patriotizëm, ishte lëvizje politiko-shoqërore dhe kulturore, në kohën e krijimit dhe të afirmimit të kombeve. Ishte luftë kundër okupatorëve, për çlirim dhe pavarësi. “Vetëm perioda e shkurtër e Skënderbeut, përmban forcën e një Nacionalizme Shqiptare. Në fjalimin që Skënderbeu e mbajti në Mbledhjen e Parisë Shqiptare në Lezhë, më 2 mars 1444, tha: “Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Në qoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lum të madh e të fuqishëm.

Shekulli XV i Rilindjes, përkatësisht i Humanizmit dhe Renesansës, zbuloi njeriun. Shekulli XIX përkatësisht i Rilindjes Kombëtare zbuloi kombin. Napoleoni III (1808-1873), e quajti shekulli i Nacionalizmës. Kombe të vjetra e në prag të shuarjes nga faqja e dheut, kishin zënë të zgjohen dhe të kërkonin të drejta ekzistence dhe intependente. Këto të drejta do t’i fitonin me gjak. Shqiptari akoma flinte. Ishte në gjumin e rëndë të shekullit. U desht gjëmimi i topave ruse në portat e Stambollit; Traktati i Shën Stefanit dhe Traktati i Berlinit, që të zgjohet edhe ai dhe të hynte në skenën e Nacionalizmës. Shpirti i shqiptarit ka qenë anarkist. Kurrë nuk ka pasë ide shteti, as që ka formuar shtet gjatë shekujve. S’mund të thuhet se qeverimi i Ali Pashë Tepelenit dhe i Bushatlinjëve, ka patur karakter shteti shqiptar. U mungonte ideja shtetërore. S’e patën as meritën e Mehmet Aliut, i cili krijoi Shtetin Egjiptian. As ndonjë popull nuk del nga gjendja e veçimit dhe e skllavërisë, kur është i edukuar në disiplinë të jashtëzakonshme dhe i pjekur vetëm për jetë politike, sepse, nën sundimin e huaj kurrë nuk kuptohet zhvillimi i lirisë.

Nacionalizma shqiptare, në kuptimin e plotë, e ka fillin në Lidhjen e Prizrenit. Gjer atëherë, lëvizjet e vërteta nacionaliste qenë fare sporadike dhe të vetmuara. Mund t’i gjejmë në ëndërrimet poetike të De Radës, në Itali, dhe në përpjekjet gjuhësore të Naum Veqilharxhit e të Kostandin Kristoforidhit, në Shqipëri. Vetëm atëherë, shqiptari zë të mburrët për kombin e vet e të thotë, me krenari, se jam shqiptar. Megjithatë, nën regjimin e ndritur e të fortë të mbretit Ahmet Zogu, edhe shqiptari zuri të formohet dhe t’i rrënjosët në shpirt ideja e shtetit. Ideali bazë i nacionalimit, në çdo epokë të historisë shqiptare, është dhe do të jetë dashuria e atdheut dhe lufta, nga të gjitha aspektet, për mbrojtjen dhe prosperitetin e tij”.



2. Shaban Polluzha, me tërë qenien e tij, i takoi të “Djathtës Shqiptare drejtë Shqipërisë Etnike”. Që nga viti 1918, luftoi për çlirimin e trojeve shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve të tërësisë së tyre. Ishte komandant legjendar i luftës së armatosur të popullit të Kosovës, kundër okupatorit shekullor serbë. Kontributin e tij s’pati mundësi ta mbuloj as pluhuri i harresës së dhunshme të regjimit gjysmëshekullor komunist.

Dr. Salih Berisha, ish-president, e tani kryeministër i Shqipërisë, Shaban Polluzhën, më 1992, e dekoroi me Urdhërin e Klasit të Parë- “Luftëtar dhe patriot i paepur për lirinë e trojeve shqiptare dhe për bashkimin kombëtar”.

Në formimin e tij ndikuan patriotë të shquar, që pat kontaktuar apo dëgjuar për ta, si: Hasan Prishtina, Ahmet Delia, Isa Boletini, Azem Galica e kaçakët më të afirmuar, si: Dan Deroci, Emin Lati, Fazli Berani, Ker Sadri Bardhi, Ilaz Raçaku, Xhemë Tërnafci , Zenel Leku e Lec Gradica. Frymëzohet nga veprimtaria e pjesëtarëve të shquar të Nacionalizmës Shqiptar, në Drenicë e më gjerë, si: Bedri Pejani, Hilmi Zariqi, Ibrahim Banushi, Ibrahim Lutfiu , Ibrahim Spahiu, Iljaz Agushi, kapiten Shefqet Bylykbashi, kolonel Sylejma Kastrati, Miftar Bajraktari, mulla Asim Luzha, mulla Ibrahim Palaci, mulla Iljaz Broja, Nexhip Draga, prof. Gjon Serreqi, prof. Ymer Berisha, Qamil Hoxha e Rexhep Mitrovica. Mbante lidhje edhe me kryetarë e deputetë shqiptarë, që kishin pranuar pozita në qeverinë jugosllave, për t’i ardhur, sadopak, në ndihmë popullit të vet të shtypur e të pambrojtur, si: Ahmet Shtimja, Banush Sedllari, Ram Bllaca, Sadik Zeneli, Sherif Voca e Tahir Berisha.

3. Në këngët për jetën dhe veprimtarinë e Shaban Poluzhës, dëshmohen virtyte të larta, në veçanti, besa, burrëria e guximi. Qëndresën e kishte metaforë të jetës. Në oda e tubime burrash, përherë e pat vendin e nderit. Fliste rrallë e me maturi. Më tepër ishte dëgjues se orator. E donte folklorin, e sidomos anekdotat e këngët e trimërisë. Në çastet më të vështira, nga brëngat e luftrat i ftonte pranë mahitarët, si: Çun Veliqin, Hajredin Balën, Latif Shapetën, Sadri Kaçamakun e Shaban Çitakun. I ofronte edhe këngëtarët më të shquar, si: Dervish Gugjulin, Habib Kukiqin , Cuf Kadishanin, Mal Sylën e Brahim Rexhen, Januz e Hamit Rukiqin, Sefer Bequkun e Riza Strellcin. Si duronte lavdatat e gënjeshtrat.

“Halim Bajraktari i Klinës së Epërme ishte krijues dhe këngëtar i parë, që me lahutë, këndoi këngë për axhën Shaban. Ishim në kullën e Zymer Malës në Rezallë, së bashku me Shtabin e Brigadës, afërsisht më 10 shkurt 1945. Përveç komandantit, ishin edhe Isuf Gjilani, Ukë Sadiku, Rexhep Gjeli etj. Më kujtohet kur axha Shaban i tha: Halim, kurrë mos ma kno kangën për së gjalli”. Reagonte shpejt e me përgjigje të papritura. Vërejtjes së një nëpunësi serb: “Ktheje gazetën marë”, i përgjigjet: “Marë e kno gjithkush, po pardon i koftë atij si gazetat e Beligradit i knon edhe mrapsht”. Ishte kundër lojës me idetë dhe mendimet sipas modës “filozofike“, nga fryma e re. Ishte kundër mburrjes së tepërt dhe servile për ndonjë sukses të arritur. Nuk punonte çdo gjë të jashtme, të huaj dhe të pavlerë në kulturën shqiptare. Luftonte pasionet e dobëta, interesat personale dhe përbuzjen e parimeve tradicionale dhe demokratike. Përkrahte fuqinë morale të aspiratave më të larta njerëzore e kombëtare. Ishte i pathyeshëm në mbrojtjen e lirisë dhe të atdheut.

Këngët popullore historike për Shaban Polluzhën janë detaje me rëndësi historiografike dhe informative; jehonë e kryengritjeve dhe luftrave të armatosura për çlirimin kombëtar; kronika më besnike dhe mënyra të trajtimit artistik të idealeve për liri; ndihmesa për zbërthimin e kontradiktave, paqartësive e pasaktësive kronologjike dhe përmbajtje të shprehura në mënyrë enciklopedike.

Nga rapsodë e tregimtarë flitet: “Shaban Polluzhën e thërret majori i xhandarmërisë në Mitrovicë. E pret me fjalë të randa, Çfarë kryetari je ti? Kaçakët ta kanë marrë Drenicën! Ti edhe vet po i mbanë Azem Galicën e Dan Derofcin, Emin Latin e Fazli Beranin, Kamer Loshin e Lec Gradicën, Lutë Gllanasellën, Mehmet Delinë e Mursel Ahmetin! Shabani veç e ngojke edhe e këqyrke për seri. Po, kur nisi m’e sha e po do me i ra, brofi në kambë. Ia ngjiti për fyti dhe e shtrëngoi deri sa iu zbardhën sytë.



I bërtet me za t’naltë:
Mos llomat more i biri qenit,
Se ta qes kryet pej venit.
Mos m’shurdho more i biri shkinës,
Se t’i la trutë n’skaj t’tavolinës.
Dhe, pa i dhanë afat të merr frymë:
Me dorë t’shmajt për gushe ia ngjiti,
Me dorë t’dhjathtë shuplakë ia zdriti.
S’dyti herë me grusht e priti,
N’kokërr t’shpinës n’tokë e qiti.

Lajmi se “Shaban Polluzha e rrahi komandantin e xhandarmërisë, mori dhenë. Prej asaj dite, Shabanit i hypi za për trimni t’rrallë. Këngët për te marrin hov të veçantë të krijimit dhe të interpretimit në vitet 1941/43, kur Kosova ishte nën okupimin fashist gjermano-italian dhe bullgar. Në këtë periudhë, njësitet çetnike serbo-malazeze sulmonin kufirin verior. Vritnin e masakronin popullatën shqiptare e të tjerë, që i takonin besimit islam. Sipas rapsodëve, Shaban Polluzha ishte komandant i batalioneve vullnetare, thuajse nga të gjitha regjionet e Kosovës, për ta mbrojtur kufirin dhe popullin, në territoret e Bihorit, Çakorit, Jeni Pazarit, Koloshinit e Rozhajës. Arrin t’i thejë e t’i shpartallojë bandat kriminele të Drazha Mihajloviqit, i cili, sipas këngës, paska thën:

Mos t’ish kanë Drenica e Rugova,
Me Shingjergj m’priti Kosova.

Liderë komunistë serbë e malazezë në këtë periudhë, si Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Pavle Joviçeviqi e Svetozar Vukmanoviqi propagandonin, këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptarë për luftë të përbashkët kundër fashizmit. Lexonin rezoluta nga Konferenca V e PKJ-së më 1940, nga Karta e Atlantikut më 1942, nga ajo e Teheranit më 1943 etj. se: “Pas LNÇ-së, shqiptarët do të gëzojnë të drejtë vetvendosjeje deri në shkëputje”. Shqiptarët hyjnë në LANÇ si popull e jo si minoritet. Megjithatë, gënjeshtrat e ujqëve të veshur në lëkura qengjash, demaskohen shpejt. Falsifikohen vendimet e Pezës, të Mukjes e të Bujanit. Shaban Polluzha, ndër të parët në Kosovë, e kupton tradhtinë sllavo-komuniste, ndaj i shpall luftë.

Në nëntor të vitit 1944, Kosovën e çliruar nga shqiptarët, e sulmojnë ushtritë partizano-çetnike serbe e malazeze. Më 5 dhjetor 1944, me urdhërin e të ashtuquajturit “Shtabi Operativ i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, bëhet shtetrrethimi edhe i Drenicës, me motiv të “zënies së Mehmet Gradicës”. Kulla e Tal Seferajt në Gllogofc, ku ishte vendosur Shtabi i Brigadës së Parë Patizane, nën komandën e Zufer Musiqit dhe Hani i Skënderajt, me urdhër të “Komandës së Vendit”, nën drejtimin e çetnikut Vlado Raiçeviq, u improvizuan në kasaphane. U masakruan burra më të njohur nga Paria e Drenicës. Me bojaneta e çekiça, nën zhurmën shurdhuese të daulleve dhe të valleve çetnike mbi ta, mbyten mbi 300 veta.

Brigada Çlirimtare e Drenicës, në krye me komandantin Shaban Polluzha, iu kundërvu kësaj veprimtarie gjakatare. Të masakruarit nxirën nga lumi Klina, nga gropat e furrat e mëparshme të gëlqeres dhe hendeqet. Ekspozohen në pjesën lindore të qytetit. Ishte fillimi i janarit të vitit 1945. Sipas këngës “Besa me t’pabesin”, komandanti qëndron i shtanguar para viktimave të një terrori të paparë. Në jetën e tij, kurrë s’kishte përjetuar brengë më të thellë:

Shaban Polluzha me zemër t’lnueme,
I këqyrë xhenazet e copëtueme.
Dej atë ditë ‘kush s’e kish pa,
Lotë për f’tyre tuj i ra.

Në vendin e ngjarjes vjen edhe Fadil Hoxha, komandant i Shtabit Operativ të LANÇ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, me disa bashkëpunëtorë:

Shaban Polluzha iu ka drejtue,

Fol Fadil! Fol çka po thue?

Ku met besa si ta kanë dhanë,

Se s’asht Serbia ajo si u kanë?

Jo, “si u kanë“, po shumë ma zi,

Me na vra e me na gri.

Këqyri tash vllaznit e tu,

T’myttë me thikë, me tel e dru.

Me çekiça kryet e damë,

T’preme hundë e duer e kamë.

Këqyri vllaznit e tokës tane,

Sikur mishi n’kasaphane.

Kush t’i ze, Fadil, besë Serbisë,

N’fyt e ka majën e singisë.

Edhe sa t’ka diell tokës me i ra,

S’ka shqiptari besë me shka.

Brigada e Shaban Polluzhës, në gjysmën e parë të janarit 1945, niset për Srem. Në Podujevë e hetojnë tradhëtinë e kurdisur nga çetnikët serbë. Në foltoren e përgatitur, Shabani thot: “Nëse vazhdojmë rrugën për Srem, do të likudohemi ende pa arritur në vend. Këtu do të bëhet tmerr mbi familjet e popullit tonë”.

Flet edhe Miftar Bajraktari i Llaushës, truri i Brigadës, këshilltar dhe bashkëluftëtar i parë i Shaban Polluzhës:

Na për Srem s’domë me shkue,
As Kosovën s’domë m’e l’shue.
Hajdëni t’kthehem kah jemi ardhë,
N’ven tonë t’desim me faqe t’bardhë.
Se gjithmonë adet u kanë,
Qenit besë mos me i zanë.

Në këngën “Çka po thotë Shaban Polluzha”, jepën detaje nga kthimi i Brigadës së Drenicës prej Podujevës. Në Kodër të Bajmofcit, afër Barilevës, ndalen, pas një marshimi të gjatë:

Se n’Bajmofc kur janë dalë,
Me pushue kokan nalë.
Shaban Polluzha po rrinë përballë,
Paska nisë e po manë fjalë.
-Dine mirë more v’llazni,
Se n’luftë madhe sod jem hi.
E nisëm luftën me pesë ballkane,
E me t’zezën Rusinë e Madhe.
Shtirë e kemi me fitue,
Po sikur burrat domë me luftue.

Kënga “Çka po thotë Asim Luzha”, përkujton mulla Asim Luzhën nga
Gjakova, ish-deputet i Drenicës në Parlamentin Jugosllav, prej 1938-1941. Ishte edhe një nga dashamirët më të afërt të Shaban Polluzhës. Më 31 janar 1945, nga Shtabi Operativ në Prishtinë, dërgohet në Drenicë, kinse për të ndërmjetësuar, në ndaljen e luft:

Asim Luzha ni hoxhë azgan,
Pej Prishtinës nisë koka kanë,
Drekën gjysë e paska lanë,
Ni besë të Zotit e paska dhan,
Për Drenicë me u ba kurban.

Po atë ditë, kriminelët organizojnë plojë masive, në lagjet Mulaj e Spahiaj. Vriten 51 veta, ndër ta edhe fëmijë, gra e pleqë. Në pabesi, vritet edhe Asim Luzha, pasi ia fusin në xhep bombën e aktivizuar dhe e vërvisin shkallëve të kullës:

Fort mërzitet Shaban Polluzha,
Sod na u vra edhe Asim Luzha.
Sa t’jenë jeta me jetue,
Kurrë Drenica s’ka m’e harrue.
S’e harron kët deputet,
Ja dha votet për shumë vjet.

Në përbërje të Brigadës së kriminelit Zufer Musiqit, ishte edhe Batalioni i IV i Rinisë. Shumica ishin shqiptarë. Isuf Gjilani ishte komandant e Raif Halimi komeser. Masakrave në Tërstenik iu përgjegjën me dezertim, me komplotin për asgjësimin e shtabit të batalionit, në Kullën e Sheshivar Alisë në Prekaz dhe me bashkimin thuajse të tërë batalionit të tyre me Brigadën e Drenicës. Isufi e Raifi u zgjodhën anëtar të Shtabit:

Isuf Gjilani pika e djalit,
Ia kthej pushkën gjeneralit,
Raif Halimi i Cërnicës,
Nam të madh i la Drenicës.
Këta dy trima si zojë t’dragonit,
E vranë Shtabin e Batalionit.

Në këngën “Shaban Polluzha i kap dyrbitë”, pasqyrohet lufta përfundimtare e Shaban Polluzhës, në krye të Brigadës së Drenicës, me ata pak luftëtarë dhe anëtarë të Shtabit, që u gjendën në kulla të Dvoranëve në Tërstenik, më 21 e 22 shkurt 1945:

Shaban Polluzha i kap dyrbitë,

N’frengji të kullës koka avitë.

M’anë pej bjeshkës i lëshon dyrbitë,

I sheh asqerin t’u u avitë.

I sheh asqerin përpjet’ t’u u ngjitë,

Si murtaja kur vjen pa pritë.

Vijnë si vala e detit t’Zi,

Kullës t’Dvoranit ja kanë sy.

Sy ja kanë kullës t’Dvoranit,

Ku ish Shtabi i Brigadës s’Shabanit.

Rrethohen nga Divizioni 52 i Ushtrisë Jugosllave, i komanduar nga gjenerali Petar Brajoviq, antishqiptari më i tërbuar i asaj kohe. Në luftën e përgjakshme, edhe ai plagoset rëndë dhe, gjatë tërë jetës, mbetet invalid:

Komandanti i lëshon dyrbitë,

Shpejt mamzerres ia ka ngjitë.

Kap mamzerren burri i Shqipnisë,

Si Bajram Curri n’shpellë t’Dragobisë.

Ja drejtojka gjeneralit,

Po ja lypke lulën e ballit.

Medet Petri paksa u nalë,

E pej thumit i paska dalë.

S’e muer n’ball ku pat menue,

N’gazhdër t’gunit ia ka qëllue.

Pushka e komandantit ishte alarm. Të gjithë i kapin armët. Hudhën në luftën më të përgjakshme, për jetë a vdekje. Theksohen Mehmet Gradica, Rexhep Gjeli e Ali Kastrati:

Mitralozi i Mehmet Gradicës,

E çoi peshë këtë anë t’Drenicës.

Breshën plumash sikur qet farë,

N’divizionin gjakatar,

Po i le t’shtrimë si duejt n’për arë.

Dhe më në fund:

Luftuen trimat pa u frigue,

Shumë herë veten e kanë pague.

Nam të madh i lanë Drenicës,

Si Oso Kuka n’Kullë t’Vranicës.

Këngët për Shaban Polluzhën dëshmojnë për shkathtësi luftarake të nivelit të lartë dhe strategji e art luftarak. Morali i lartë i Shaban Poluzhës, në mënyrë të veçant i kontribuojë pavdekësisë së tij në cilësi në e komandantit historik. Përmes këngëve, rapsodët popullor, artistikisht, jetësuan Shaban Poluzhën duke e trajtuar si tribun të pavdekshëm. Ofruan të dhëna për karakterin popullor, aftësinë artistike , filozofike e gjuhësore të krijuesve rapsodëve popullor. Edhe këto këngë janë “art popullor i angazhuar, për tua çelë sytë njerëzve, duke i porositur që të mos mbyllin dot, para fakteve e problemeve të vështira, para zgjidhjeve të papranueshme dhe para alternativave tragjike”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...