Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/02

Absurdi i Evropës: vetëm Kosova dhe shqiptarët në “karantinë” brenda saj!



Migrimet e jashtme dhe “migrimi ilegal” kanë shpjegime dhe zgjidhje
Migrimi, fenomen jo vetëm ballkanik, por edhe evropian e botëror

Shkruan: Akad. Hivzi ISLAMI

Duhet gjithashtu vënë në pah edhe faktin se në këto lëvizje imigruese të fuqisë së huaj punëtore, në vendet importuese të këtij “proletariati”, përveç dobive të mëdha materiale e financiare, shkaktohen edhe probleme e implikime, të përcjella me ksenofobinë ndaj migrantëve të huaj.
Duke ardhur nga një sistem shoqëror dhe kulturor në tjetrin, imigranti i punës bie në konflikt me shumëçka në mjedisin dhe universumin e ri, duke u ballafaquar me shumë të panjohura dhe probleme. Vështirësitë e para janë mosnjohja e gjuhës dhe e kulturës së vendit imigrues, traditës, strukturimi institucional i shoqërisë, normat ligjore etj. Gjithnjë ndjehet i përbuzur, inferior, i dyshimtë për gjithçka keq që ndodhë aty ku ai sillet, i frikësuar se po përcillet në çdo kënd nga sigurimi e policia dhe do të burgoset, do të ndiqet nga vendi, duke mos i ditur as të drejtat e veta për t’u mbrojtur etj.
UE, në një anë hapet, në anën tjetër mbyllet
Humbjet dhe dobitë ekonomike, demografike e të tjera janë të ndryshme për vendet emigruese dhe vendet imigruese. Në kuadër të migrimit ekonomik të fuqisë punëtore, të ofertës dhe të kërkesës për punë, midis vendeve të pazhvilluara dhe vendeve të zhvilluara, janë migrimet selektive si një veçori e posaçme, përkatësisht lëvizjet migruese të punëtorëve me kualifikime të larta (shkencëtarë, inxhinierë, kuadro teknike, mjekë etj.), që njihen si “migrim i truve”. “Migrimet intelektuale” kanë marrë hov pas viteve të 70-ta të shekullit të kaluar dhe për vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, si eksportues kryesor i “migrimit të truve” në vendet e zhvilluara; ky tip i migrimit paraqet një humbje të madhe të kapitalit njerëzor. Dhe më keq: “brain drain” është një rrugë njëkahshe, ndërsa shumë më produktive është që të jetë rruga dykahshe.
Në anën tjetër, zgjerimi i Bashkimit Evropian në fillim të shekullit XXI, kryesisht drejt lindjes (në muajin maj të vitit 2004 u bënë anëtare të BE-së 10 vende: Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Malta dhe Qipro), përcillej nga një frikë pikërisht për shkak imigrimit masiv të njerëzve nga vendet e lindjes në vendet e UE, përkatësisht të destabilizimit të tregut të punës në këto të fundit. Ka qarqe politike e të tjera brenda BE-së sot që janë kundër migrantëve të huaj (ksenofobia), veçanërisht migrantëve ilegalë, kritikat e tyre i arsyetojnë me faktin se të huajt po i ngarkojnë fondet sociale dhe shërbimet publike, se kriminaliteti është më i madh te ata sesa te vendorët, se po u zënë vendet e punës punëtorëve të vendit etj.
Te procesi i zgjerimit të UE-së vërehet dhe një paradoks nga se Unioni në një anë hapet, por në anën tjetër mbyllet! Mbyllja ndaj disa vendeve kushtëzohet kryesisht nga domosdoshmëria që rrjedhat migruese të vihen nën kontroll. Prandaj edhe kushtet dhe kriteret për integrimin e vendeve të reja në BE, veçanërisht të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithnjë u ashpërsuan (në vitin 2013 u anëtarësua vetëm Kroacia, të tjerat duhet të presin!).
Kosova dhe shqiptarët në migrimet e jashtme
Kosova si pjesa më e pazhvilluar e ish-Jugosllavisë dhe e Europës nuk mbeti e papërfshirë në procesin e emigrimit të fuqisë punëtore në vendet e zhvilluara europiane, edhe pse pak më vonë se njësitë e tjera të ish-Federatës. Shkaqet janë moszhvillimi ekonomik dhe shoqëror: mundësitë e kufizuara të në industri, rritja e dendësisë agrare dhe presioni i madh në sipërfaqet e punueshme, tepricat e fuqisë punëtore, rritja e kontingjentit të popullsisë në periudhën e punës, por edhe motivet e tjera të natyrës familjare, individuale etj. Më të goditurit ishin shqiptarët, edhe pse përbënin shumicën dërmuese. Kështu në vitin 1958 nga 55.490 të punësuar në sektorin shoqëror vetëm 26.247 ose 43,7% ishin të kombësisë shqiptare dhe në vitin 1966 ky numër mezi e kalon gjysmën: nga gjithsej 91.673 të punësuar në këtë sektor 48.804 ose 51% janë shqiptarë, ndonëse sipas regjistrimeve zyrtare janë shumë mbi këtë përqindje (më 1961 67,2% dhe më 1971 73,4%).
Rrethanat dhe motivet e përmendura socioekonomike, ishin të pranishme edhe më parë, madje në formën më të ashpërsuar, por nuk pati emigrim të fuqisë punëtore jashtë ish-shtetit deri në fillim të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Kosova ishte entiteti i fundit që u inkuadrua në migrimet e punës në botën e jashtme. Së paku ishin tre faktorë që kanë ndikuar në këtë drejtim: a) mungesa e traditës në mobilitetin hapësinor dhe social të popullsisë e të fuqisë punëtore të Kosovës në vendet e huaja; b) mungesa e informatave mbi mundësitë, përparësitë, të metat, mënyrën e punësimit dhe hollësitë e tjera lidhur me emigrimin ekonomik jashtë vendit; dhe c) inkuadrimi i vonë i shërbimeve kosovare të punësimit, si ndërmjetësuese të punësimit në botën e jashtme.
Pastaj, më vonë, përveç shërbimeve të punësimit të Kosovës dhe më gjerë, u hapën kanale jashtinstitucionale të punësimit në vendet europiane (shkuarja si turistë, punësimi në të “zezë” etj.), gjë që u konvenonte firmave dhe punëdhënësve të huaj, sepse me këtë mënyrë të punësimit, nuk merrnin përgjegjësi formale për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve; punëtorët e punësuar në këtë mënyrë, numri i të cilëve gjithnjë rritej, as që dinin se çfarë të drejta u takonin. Në fillim të viteve të 70-ta vendet europiane punësonin afër 96% të punëtorëve të Kosovës (74,7% në RF të Gjermanisë, 8,6% në Austri, 5,9% në Zvicër dhe 4,2% në Francë), ndërsa pjesa tjetër i përkiste vendeve të tjera jashtë Europës. Ndërsa në fillim të viteve të 80-ta Gjermania mbeti vendi që printe me emigrantë të punës nga Kosova (51,9%), ndërsa Austria dhe Franca ruajtën përafërsisht numrin e mëparshëm, por u rrit shumë numri i punëtorëve tanë në Zvicër (nga 5,9 më 1971 në 32,1% më 1981 të të gjithë punëtorëve në botën e jashtme). Edhe sot në Gjermani më tepër se në çdo vend tjetër punojnë dhe jetojnë më shumë shqiptarë nga Kosova. Pa dyshim se migrimi ekonomik i shqiptarëve në këto vende kishte efekte shumë pozitive në Kosovë (sigurimi i ekzistencës së familjes, ndërtimi i shtëpive të reja, blerja e teknologjisë dhe futja e risive në përparimin e bujqësisë, pajimi i amvisërive, ngritja e standardit jetësor, investimet në shkollimin e fëmijëve etj., por edhe pasoja negative, në radhë të parë në rrafshin demografik dhe ekonomik (mospunimi i tokës, “ugari social”, investimi në luks etj.).
Problem shqetësues për autoritetet e Kosovës
Në vitet e 80-ta të shekullit XX vargut të push-determinantëve zhvillimorë u shtohen edhe presionet politike, policore dhe ushtarake që ushtroheshin mbi shqiptarët, veçanërisht mbi rininë. Ndërkaq në vitet e 90-ta, për shkak të represionit të egër të regjimit të Beogradit, vala e ikjes së shqiptarëve nga Kosova u masovizua deri te tragjedia e paparë në Evropën e pas Luftës II Botërore - deportimi i haptë i afër 1 milion shqiptarëve, për çka edhe pasoi intervenimi NATO-s.
Kjo që po ndodh sot me migrimin ilegal, proces ky që ka marrë hov vitet e fundit, u bë një problem shqetësues për autoritetet e Kosovës dhe më shumë për vendet e BE-së. Ky migrim nuk është karakteristikë vetëm për Kosovën a vetëm për vendet e Ballkanit, por është fenomen europian dhe botëror, prandaj nuk mund të konsiderohet çështje alarmante në shkallë në çfarë e kanë ngritur institucionet europiane në Kosovë. Problemi i kësaj dukurie, që po e kërkon përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të BE-së veç e veç, ka shpjegime dhe zgjidhje, natyrisht jo të shpejtë, me urgjencën çfarë këta e kërkojnë!

Ashtu siç e çliroi Kosovën, populli do ta mbrojë edhe “Trepçën”



Tutësit, mos i jep as pushtet, as hyqymet...!
E Kosovës ishte, e Kosovës do të mbetet sa të ketë dritë dielli mbi tokë
Pushtetarët s’e duan “Trepçën”, sepse kanë frikë ta duan! Ata e duan Kosovën, popullin, “Trepçën” vetëm për pushtet...

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Asnjë fjalë të keqe për liderë të partive politike. Ata janë fatkeqësi që kurrsesi s’bën të përsëritet më! Vota e lirë udha besim. I përzgjodhi.
I solli në pushtet. Ç’t’i bësh votës së lirë të popullit? Ajo vetë përzgjodhi miq e shokë e dajallarë e teze e kumbarë e ndrikulla e jaranë e dashnore për qejfi të vet, e jo për interesin e Kosovës.
Për interesin demokracisë. Për interesin e “Trepçës”. Apo: ndoshta, kush e di, për hatër të Evropës...Brukselit...të komshikes Serbi!
Për hatër të Politikës, po se po. Për inat të inateve të inatçieve. Vota e lirë ia la Parlamentit sherrin, tutën, paditurinë, të dera. Mbushi institucionet me frikacakë. Me të padijshëm. Me të pangopur. Figura shahu që lozin duke u kënaqur me hijen e madhe të trupit. Gjashtë muaj mbaruam blloqe. Asgjë s’ndërtuam! U bëmë horr. Qeshen me ne edhe zogjtë e pulës...Qeveria, Parlamenti, institucionet, sot, plot me koka. Plot diploma. Plot “armiq” e kurrkund miq. Syresh që, edhe tutën , edhe rrahin gjoks për trimëri. Edhe s’dinë, edhe rrahin gjoks për dije! Syresh që frikohen prej frikës së vet! Atyre s’u intereson demokracia, ligji, Kushtetuta, papunësia, Kosova, “Trepça”, por thonë: “Ne mundemi...!”. Munden, munden , por faqen e zezë... A u zë besë tutësve populli? Evropa? Miqtë? Jo, jo, sepse: Kanë frikë prej frikës së vet! Eu, po sherrin ta pamë, o vota e lirë! Non bis in idem! (Mos u përsërittë më kurrë!)
Hajde, Kosovë, hajde! Po e pasur që je!
Më mirë një ditë sokol se 100 vjet sorrë! Thotë urtësia e popullit. Por disa pushtetarëve s’u pengon as jeta sorrës, as e pulës, as e urithit...
Asnjë fjalë të keqe për disa pushtetarë të Kosovës. Mos i ngucni, allahile. Mos ua prishni terezinë. Mos ua ndërprisni kënaqësitë, dafrungat, gostitë... Mos, bre! Çka po iu bëjnë pushtetarët ? Kanë cucërruar veshët. Po heshtin. Gjashtë muaj morën paga nga taksapaguesit e popullit. Llok-llok. Pa asnjë orë pune. Pa asnjë përmbushje të obligimeve e detyrave e premtimeve që u dhanë qytetarëve para zgjedhjeve nacionale. Gjashtë paga të majme lluk-lluk. Si në bahçe të babës. Hajde, Kosovë, hajde. Po e pasur që na je! Po e dashur që je për të zgjedhurit e votës së lirë të popullit. Tash që na doli “Trepça”...
Pse erdhi “Trepça” bash sot kur kënaqësitë dhe punët e Qeverisë e të Parlamentit po shkonin mbarë? Arrë e fortë kjo “Trepça”? S’ka arrë aq të fortë për pushtetarët e Kosovës. Do ta “thyejmë” arrën me emrin “Trepçë”.Fuqinë e kanë pushtetarët e Kosovës! Dijen e zotësinë e kanë! Obligime ndaj shtetit e Qeverisë e Parlamentit kanë! Pushtetarët “ushtarë” të Kosovës. Doli “Trepça” dhe u pa trimëria, dija, zotësia e Qeverisë. Lum populli që iu ka! A e thyen arrën me emrin “Trepça” pushtetarët e Kosovës? E thyen dhe e rrëzuan për tokë. E dërrmuan dhe e shkërmoqen. Hallall u qoftë! Po qysh ia dolën mbanë këtij halli? A edhe po pyetni, a? U qua Qeveria dhe i dërgoi Kuvendit fletërrufe: “Trepça” jona! E pastaj? Masandej po kjo Qeveri e madhe, trimoshë, e përgjegjshme, doli para Kuvendit dhe popullit, bëri me dije: “S’ka “Trepçë”! Mbylleni “Trepçën”...Ne mundemi...! Ne e duam “Trepçën”.
Mos u besoni, foli populli. Pushtetarët s’e duan “Trepçën”, sepse, kanë frikë me dashtë! Ata e duan Kosovën, popullin, “Trepçën” vetëm për pushtet...! Ece besoju...?!
Kryeministrit tutës, as pushtet, as hyqymet
Hej, o populli Kosovës, s’e dini sa e do kryeministri Isa Mustafa Kosovën? Sa e do “Trepçën”, sa krejt ujët e deteve të botës. “Trepça” ishte dhe do të jetë jona! Dhe, kryeministri hoqi nga rendi i ditës së Kuvendit “Trepçën”. Po pse po e heq, o kryeministër? O burrë i dheut! O patriot! O shqiptar! Si guxon me ia heq Kuvendit të popullit “Trepçën” nga rendi i ditës? Populli po pret. Kosova po pret. Shqiptaria po pret. Varret e dëshmorëve po presin! Fëmijët tanë po presin dhe po brohorisin: “Trepça” jona, nga Lugina të Valbona! “Trepça” sot le të bëhet me Ligjin, jona. Le ta merr vesh Evropa dhe bota. Jona “Trepça”, sot e për mot. Pa “Trepçën” s’jemi të lirë. S’jemi as shtet. As shqiptar! Iku nga foltorja e Kuvendit Kryeministri, iku si hije. Iki frikacaku. Dezertoi? Marrja e motit dhe e robit! Një kryeministër, herë e hedh “Trepçën” në rend dite të Kuvendit, herë e heq. Or ti, foli populli, kryeministri s’e do “Trepçën”, sepse, ka frikë me dashtë! Kryeministri e do Kosovën, popullin, e do edhe “Trepçën”, por vetëm për pushtet...! Ece besoj këtij kryeministri?!
Këtij Kryeministri tutës: As pushtet, as hyqymet...!
Fare pak minuta pasi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në foltoren e Kuvendit dha urdhër që të hiqet nga rendi ditës së Parlamentit “Trepça”, si vullkan i fashitur shpërthyen minatorët e “Trepçës”. I dërguan porosi kryeministrit tutës, të papërgjegjshëm...
I dërguan porosi Beogradit pushtues dhe gllabërues shekullor i “Trepçës”...I dërguan porosi të qarta e të forta Brukselit, Evropës, Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, Presidencës, shkurt e shqip: “Trepça” – kafshorja e thatë e bukës së minatorëve! Krenaria, pasuria, sofra dhe buka e popullit të Kosovës! “Trepça” – shqiptare ishte, shqiptare është! E Kosovës ishte, e Kosovës do të mbetët sa të ketë dritë dielli mbi tokë! Afro një mijë shpirtra minatorësh! Afro një mijë Betime! Afro një mijë ushtarë të ruajtjes dhe mbrojtjes së pasurisë, dinjitetit, nderit, djepit, të dheut të pasur prej floriri të atdheut të Kosovës. U zdorgjën në thellësi të zgafelles. Një gojë. Një shpirt.
Një zemër. Një qëllim: “Kurrë “Trepça” pendël e korbit në lëkurë të shqiponjës! “Trepça”,shqiptare ishte, shqiptare do të mbetët! Duam besë! Duam garanci! Duam Qeverinë e Kosovës. Kryeministrin: Duam popullin! Duam shqiptarinë: O “Trepça” jona (e Kosovës) ,o kjo zgafelle do të bëhet varri ynë! Duam dorëzanë: Popullin” Zotin! Lirinë e Kosovës: “Trepça”, o pasuri e pronë e shtetit të Kosovës, o hapim muhabete të tjera, diku tjetër, me mjete të tjera.... Minatorët në grevë! Motoja e pasdites së sotme (e mërkurë), 21 janar 2015, nga zgafellja e Stantërgut: ASHTU SIÇ E ÇLIROI KOSOVËN, POPULLI DO TA MBROJË EDHE “TREPÇËN”!
Vargjet e minatorit për gazetën “Kosova Sot”
Me vdekur shpirti para trupit! Me vdekur fjala para gjuhës...
Me vdekur besa para pabesisë! Me vdekur trimi para tutësit!
Me vdekur pushka para robërisë!Me vdekur kënga para vajtimit!
Në jetë ka keq e më keq. Por ma keq s’ka ku shkon se: Me vdekur atdhetari para spiunit!Me vdekur goja para urisë! Me vdekur mendja para palaços! Me vdekur i mençuri para budallallëkut!
Me vdekur besimi para dyshimit!Me vdekur burrëria para t’ligut! Në jetë ka keq e më keq. Por ma keq s’ka ku shkon se: Me të thënë hajni je hajn! Me i dhënë tutësit pushtet! Me i dhënë ligshtanit hyqymet, është qesharake dhe për gazep!

Pse politikanët serb hyn e dalin në Kosovë si në bashçe të babës?



A thua vallë, si është e mundur që politikanët serb, hyn e dalin nga Kosova si në bashqe të babës? Dhe, si bëhet që ata të vijnë në Kosovë, pa e ditur fare Qeveria e jonë agjenden e vizitës. Vijnë e flasin çdo gjë kundër Kosovës., kundër Pavarësisë dhe assesi nuk i përmbahen ligjeve të Kosovës. Dhe, a thua, deri kur ata vazhdimisht të na përbuzin moralisht dhe shpirtërisht?...

Shkruan: Mr. Bislim Aliu

Askush, ama askush në Kosovë nuk e ka menduar se Kosova pas 16 vjetësh, pas luftës, të vijmë në një situatë shumë të vështirë dhe aq pa shpresë për popullin e Kosovës. Dhe, kjo situatë, varg e vijë po vjen keq e më keq.
Për këtë, shpeshherë edhe puetemi, a thua, ku na mbeti ajo shpresa dhe ai optimizëm, si populli më optimist në Evropë! Ky zhgënjim ka ardhur në popull nga gjendja tejët e vështirë ekonomike, e cila shkaktoi papunësi dhe mjerim të lartë.
Kjo gjendje e vështirë po na ngulfatë mendjen dhe shpirtin. Në këtë hallakamë ekonomike e sociale, populli sidomos (të rinjtë) po detyrohen që të ikin nga Kosova, nga vendi ku u linden, u rritën dhe u shkolluan, gjthnjë duke shpresuar për një jetë më të mirë dhe shumë më të lumtur.
Politikanët dhe qeveritarët tanë, si kanë lejuar që populli të vie në këtë gjendje të mjerueshme. Ata, që me kohë nuk kanë menduar fare për popullin dhe për gjendjen sociale të tyre. Ata menduan më tepër për vete e për pushtet. Dhe, këtë amulli të paknaqësive të shumta në Kosovë, tensionet i ka rritur te populli edhe hyrja e zyrtarëve serb në teritorin e Kosovës dhe shkuarja e ministrave serb të Kosovës në Beograd në mënyrë të pakontrolluar. E shpeshherë për këtë populli bën pyetje; A thua Kosova a është shtet i pavarur apo jo?
Pse politikanët serb hynë e dalin nga Kosova sa herë ata të dëshirojnë
A thua vallë, si është e mundur që politikanët serb, hynë e dalin nga Kosova si në bashçe të babes? Dhe, si bëhet që ata të vijnë në Kosovë, pa e ditur fare qeveria e jonë agjenden e vizitës. Vijnë e flasin çdo gjë kundër Kosovës, kundër Pavarësisë dhe asesi nuk i përmbahen ligjeve të Kosovës. Dhe, a thua, deri kur ata vazhdimisht të na përbuzin moralisht dhe shpirtërisht?...
Fatkeqësia dhe paknaqësia, që përherë po shfaqet në popull, është ajo, se politikanët serb, hyjnë në Kosovë sa herë ata të dëshirojnë. Dhe pa i pyetur askush, se çfarë agjende ata kanë dhe për çfarë qëllimi ata po vijnë në Kosovë.
Ata, pra, si në bashçe të babës, vijnë e flasin kundër Kosovës, se Kosova është e jona dhe se ajo është djepi i Serbisë! Aman deri kur t’i dëgjojmë këto pollavra nacionaliste të Serbisë? Vjen Kryeminstri serb Vuçiq dhe e përuron në Ranillug shtëpinë e shëndetit, sikur të ishte në Serbi dhe duke e kritikuar Qeverinë e Kosovës, kryeministrin dhe politikanët tanë, aq lirshë edhe ju thotë, se ata duhet të punojnë më tepër për serbët, ose të shkojnë në shtëpi!!!
Pra ky kërcnim i tij thuase është në Serbi, tregon kjartas për një liri të tepruar, thuase Kosova është pjesë e Serbisë dhe se duhet zbatuar ligjet e saj. Dhe, shih tani, atë naivitetin edhe më të madh të qeverisë sonë, të cilëve fare as që ju shkon në mendje që të reagojnë në këtë deklaratë shoveniste dhe të paskrupullt.
Ky mosreagim, a mos vallë qeveritarët tanë, po frigohen nga politikanët serb, apo pse kemi lejuar që ata të hynë e të dalin nga Kosova pa dhënë asnjë përgjegjësi për deklaratat fyese që ata vazhdimisht po i shprehin në Kosovë!...
Qeveria e jonë pse po i lejon Ministrat serb të Kosovës të flasin përherë kundër Kosovës
Edhe ministrat serbë, anëtar të Qeverisë së Kosovës, të cilët paguhen nga taksapaguesit kosovarë, ata vazhdimisht punojnë dhe deklarohen hapur kundër Kosovës dhe kundër Pavarësisë së saj. Ata, zatën, vazhdimisht po i shohim duke i tejkaluar në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjet e saj. Dhe, pse a thua, Qeveria e jonë ka lejuar që ata të paraqitën aq lirshëm kundër Kosovës duke i përkrahur vazhdimisht ligjet e Serbisë. E, tani pyetemi, a thua, ata a janë ministra të Kosovës apo të Serbisë?
Ata pra, u bënë ministra të qeverisë sonë, pa u betuar fare në ligjet e Republikës së Kosovës dhe nuk e njohin kushtetutën e shtetit tonë. A thua, cili shtet në botë do ta zgjedhte një ministër i cili vazhdimisht punon kundër atij shteti? Asnjë shtet për be nuk do të lejonte këtë kundërshti përveç ne në Kosovë! Ndaj, a thua, pse ne po lejojmë serbët që përherë të veprojnë kundër Kosovës?
Kjo zatën, u pa kjartas kur ministrat e “Listës Serbe” të cilët gati luajnë rol dominant në qeveri dhe kanë aq shumë fuqi saqë po e determinojnë situatën edhe brenda Qeverisë. Dhe në vend se ata të bisedojnë në Qeveri, ata shkuan në Beograd, pa marrë leje fare nga qeveria e jonë, duke i përkrahur pretendimet e Serbisë mbi pasurinë e “Trepçës”. Pra ata janë direkt të lidghur me Beogradin. Ky veprim i tyre është skandaloz dhe për këtë, ata është dashur që të japin llogari para qeverisë sonë, për thyerje të ligjshmërisë së Kosovës. Ndaj, pyetemi; pse a thua, ata të konsultohen me Beogradin e jo me Prishtinën?
Patjetër duhet që Qeveria e jonë t’i disiplinojë këta ministra serb. Ata patjetër duhet të sillen në bazë të ligjeve të Kosovës ose të kundërtë duhet të largohen nga Qeveria e jonë. Pra ata duhet ta përfaqsojnë Kosovën dhe asesi Serbinë.
Dihet mirëfilli se Kosova e ka shpallur Pavarësinë e saj më 2008. Dhe që nga ky vit Kosova është dashur të sillet dhe të veprojë vetëm si shtet. Dhe, pse vallë kemi lejuar që politikanët serb të hynë në Kosovë sa herë ata të dëshirojnë dhe aq lirshëm ata flasin kundër Pavarësisë së Kosovës?
Pra në këtë mish-mash dhe në këtë hallakamë, politikanët tanë nuk kanë qenë gjithherë syqelë duke krijuar hendek të madh, që pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës të veprojnë dhe të shprehën për përkrahjen e ligjeve të Serbisë.
Zatën faj të madh kemi edhe ne, meqë vazhdimisht po bashkëpunojmë duke ia blerë mallrat Serbisë. Dhe në vend se atë ta largojmë, ne po e afrojmë. Pra dalëngadal dhe kompromis pas kompromisi kemi ardhur në një situatë shumë të palakmueshme ekonomike dhe politike.
Ndaj shpeshherë populli po bën pyetjen: a jemi shtet i pavarur dhe pse nuk po funksionojmë si shtet? E kemi lejuar Serbinë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Dhe mu për këtë, zyrtarët e saj, varg e vijë, sa herë të dëshorojnë, ama si në bashçe të babës hynë e dalin nga Kosova. Shpeshherë edhe pa pyetur fare.
Andaj, Qeveri dhe qeveritarë, silluni si shtet dhe përfillni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ndaj, boll më me këtë mish-mash dhe me parregullsi shtetërore.
Populli ua ka dhënë votat dhe ai dëshiron që patjetër ta zbatoni pavarësinë dhe shtetësinë. Këte e do populli dhe ashtu dëshiron që të mbetet sot e gjithmonë…

KË E PENGOJNË FIGURAT TONA KOMBËTARE ?



Shkruan: RESHAT SAHITAJ

Figurat kombëtare shqiptare gjithnjë kanë qenë në shënjestër të luftës psikologjike të përgatitur dhe të lanësuar nga armiqtë tanë. Lufta psikologjike është një instrument teper efikas i luftës së armatosur e cila përgatitët para pushtimit të një populli, pas pushtimit si dhe në dekadat e mëvonshme te kapitullimit të armikut mbi atë popull.
Përgatitjet e luftës psikologjike për ta pushtuar një popull fillojnë shumë me heret se ndërhyrjet ushtarake. Ato lansohen nga individë të ndryshëm duke mbjellur dyshimin në qeveri, ne personalitete dhe në aktivistët që luftojnë për mbrojtjën e çeshtjes kombëtare në mënyrë që të zhvlerësohet çdo individ dhe çdo përpjekje për mbrojtje kombëtare.
Më okupimin e atij populli fillon lufta tjetër psikologjike duke dhënë shembull se jeta nën sundimin e armikut është më e sigurt si ne ekonomi edhe në lëmi tjera. Këto dy mënyra se si okupohet,sundohet dhe mbahet i nënshtruar një popull më së miri e ka shkruar Makiaveli në vitin 1513 “Sundimtari” e që është aktuale edhe sot.
Në këtë analizë të shkrutër nuk do koncentrohem në të kaluarën e popullit tonë se si i ka përjetuar këto lufta speciale të armikut, por do të ishte mirë të ndalemi në luftën e fundit që u zhvillua në Kosovë.
Me daljen në skenë të LDK-së, Serbia nuk e ksihte planifikuar se LDK-ja do bëhej një levizje gjithëpopullore ku të gjitha familjet tona do të bëheshin anëtarë të kësaj levizjeje. Pavarësisht si ishte krijuar, kush e kishte themeluar, Serbinë do ta pengonte vetë fakti se LDK ishte terë Kosova, andaj kundër kësaj levizje ata ndërmorën masa të luftës speciale për minimin e saj, sepse shqiptarët e bashkuar në një qendër ishte rrezik për Serbinë. Për këtë sherbimi sekret shtetëror i Serbisë fillojë përhapjen e dezinformatave se LDK-ja ishte e themeluar me autorizimin e Beogradit. Themelimi i partive në ish-Jugosllavi patjetër që duhej të regjistrohej në Beograd, dhe ky fakt i justifikonte thashethemet e luftës psikologjike të lansuar nga Serbia. Mirëpo Beogradi nuk mund t’i kontrollonte të gjithë anëtarët e kryesisë dhe anëtarët të tjerë të LDK-së që shtriheshin në tërë Kosovën dhe që vepronin në favor të çeshtjës kombëtare deri në një kohë të caktuar.
Me krijimin e UÇK-së, e cila brenda pak kohe mori famë jo vetëm ndër shqiptarët por u internacionalizua, Serbia e filloi luftën speciale kundër UÇK-së, duke shpifur gjëra të pa verteta , por që ishin të verteta si psh kur ndonjë ushtar i UÇK-së takonte dikë të familjës apo ndonjë shokë të tij , ai i rrefente për luftën e madje edhe si ushqeheshin ushtarët tanë. Tjetri duke dashur te fitonte besimin të shoket e tij se kishte relacione me ushtarët e lirsë i rrefente ndonjë shoku te tij dhe ato fjalë natyrisht që shkonin edhe të sherbimi sekret i Serbisë. Pak ditë më vonë përhapeshin fjalë se Serbia e din edhe çka hanin për darkë ushtarët e UÇK-së.
Lufta psikologjike e lansuar nga Beogradi kishte efekt, sepse në popull fuste idenë e dyshimit se Serbia e kishte themeluar LDK-në, Serbia e kishte themeluar UÇK-në, Serbia dinte çdo gjë edhe çka fliste gruaja me burrin.
Kush i shërbente luftës psikologjike
Në mënyrë që çdo thashethëme të kishte kredibilitet në popull, çdo imtësi përpunohet në zyrat speciale të Beogradit. Duhej që çdo lansim i një fjalie të mos bënte kundërefekte. Pas përpunimit të tyre, ato përhapeshin në ndeje të ndryshme private gjatë ahengjeve, si dhe gjatë bisedave serioze. Shpërndarësit e luftës psikologjike bëhën nga individë që shpesh herë duken jo të rëndësishëm, dukën jo të interesuar në poltikë, por herë pas here edhe nga individë që duken se bëjnë përpjekje për inisiativa të mira kombëtare. Askush kurrë nuk e din origjinën se kush i pari tha se psh: UDB-a e dinë se çka hanë ushtaret tanë për darkë, ose askush nuk e din se kush i pari tha se : LDK-në është themeluar me urdhëer të Millosheviqit. Të gjithë e dimë se flitët kështu, por askush nuk është në gjendje të din se kush i kishte thënë i pari.
Zhvlerësimi i personaliteteve në Kosovën e pavarur
Armiku kurrë nuk heqë dorë nga vendi të cilin e ka sunduar me dekada. Si mundet që Serbia të heqë dorë nga Kosova, kur në Kosovë ka interesa ekonomike se pakut edhe për njëqind vjet?! Tani më Serbia nuk ka asnjë qëllim të okupimit ushtarakisht të Kosovës, por ka qëllim të okupimit ekonomik dhe kulturor. Për këtë okupim ekonomoko-kulturor , Serbia është kujdesur shumë heret, duke i rekrutuar ish-bashkëpunëtorët e tyre ose bijtë e ish bashkëpunërorëve dhe duke i futur ata në sistem të Kosovës së Pavarur. Si veprojnë këta të rekrutuar të Serbisë kundër interesave të Kosovës? Ata që kanë poste të ndryshme në qeveri apo Parlament të Kosovës, natyrisht në emër të “tolerancës” e të zhytur në korrupsion do t’i përkrahin interesat e poltikës së Serbisë e madje duke u thirrur në patritizëm, në liberalizim të vizave, e duke gënjyer opinionin tonë se janë të shtërnguar nga Amerika dhe Europa se ndryshe ata nuk na përkrahin. Amerika dhe Europa garantojnë vetëm atë që shqiptarët dhe serbët pajtohen, por nuk të detyrojnë t’ua japim Trepçen Serbisë. Pesë Fuqitë Ndërkombëtare prezente në Kosovë, janë vëzhguese dhe matës të tensioneve që krijohen ne mes shqiptarëve dhe serbëve duke i vlerësuar se deri ku janë të gatshëm të shkojnë shqiptarët e deri ku serbët. Nëse serbët janë unik në mbrotje të Trepçës, dhe masovikisht populli i bllokon rrugët, ata natyrisht që dallojnë në deklarata të tyre. Mirëpo nëse qeveria jonë është unike dhe e vendosur në vendimet e tyre, dhe populli qendron pas vendimëve të qeverisë se trepçen nuk e japim, është më se evidente se edhe Fuqitë Ndërkombëtare në Kosovë do të ndryshojnë deklaratat e tyre.
Nuk është e mundur që çdo shqiptar të jetë spiun
Pjesa tjetër që i ndihmon luftës psikologjike të Beogradit , janë shtypi, televizioni si dhe indidivët të cilët në biseda e ne rrjetet sociale nuk lënë shqiptar pa e etiketuar si spiun.
Nuk janë të rastësishme thashethemet e lansuar nga Beogradi kur thonë se Adem Jashari ishte spiun i Serbisë, dhe këtë ata e arsyetojnë se ai kishte depot e municionit afër shtëpisë e Serbia nuk e kishte bërë asgjë. Të gjithë e dinë se kështu flitët në biseda të ndryshme e veçmas folin ata që kurrë nuk kontribuan për çlirimin e Kosovës. Më këtë Serbia mbjellë konfuzitet ne mesin e çdo shqiptari për ta zhvlerësuar luftën që e bëri UÇK-ëja.
Pastaj jemi poashtu dëshmitarë kur folin se Adem Demaçi nuk kishte qendruar në burg, por në Hotel në Beograd. Madje njëri prej ministrave të Kosovës para pak vitësh deklaroi se: Po te ishte Adem Demaçi patriot do ta kishin vra Serbia. Më këtë Serbia mundohet të zhvlerësojë tërë burgosjet poltike që janë bërë kundër shqiptarëve.
Disa të tjerë thonë se: Ia kemi parë sherrin UÇK-së , se ata e krisnin një pushkë e iknin e pas krismave te tyre vinin ushtaret serb e na masakronin. Këto që po i shkruaj janë fjalë qe secili prej lexuesëve i keni dëgjuar, por kurrë nuk i kemi analizuar se kush i folë këto fjalë, pse i folë këto fjalë, sa paguhet për këto fjalë nga Serbia...
Pas tentimeve për të njollosur figurat e larta poltike, fillojnë njollosjet e figurave të vogëla publike dhe të aktivistëve të ndryshëm që tërë jetën ia kushtuan çeshtjes kombëtare dhe të figurave patriotike të niveleve të qyteteve dhe fshatrave. Lufta psikologjike e lansuar nga Beogradi duhet të njollosi të gjitha figurat qe nga ato me permasa mëdha kombëtare deri në ato lokale. Të gjithë e kemi vërejtur se kohëve të fundit luftëtari i lirisë nuk mund të rrefejë asgjë për aktivizimin e tij në luftë se mënjëherë një pjesë e bashkëbiseduesëve i thonë se: “Ju kishit qenë më shumë komandanta se luftëtarë. T’i kishte pasur Kosova kaq luftëtar e kishim Beogradin”, ose tjetri të rrëfejë se ka qenë aktiv për çeshtjen kombëtare në Bruksel, Londër, Gjenevë etj , dalin disa mjerana, disa ish bashkëpunëtorë të armikut dhe me “kundërargumente” të fabrikuara ne Serbi dhe të kundërshtojnë. Po të shikohet biografia e atyre që sherbehen me fabrikime të “provave “ nga Beogradi, do të mësoni se pikërisht atyre kurrë nuk iu dëgjua zëri për Kosovën në momentet kur Kosova ishte nën sundim. Madje këta tipa shkruajnë në rrjete sociale me emra të ndryshëm herë si femra e herë pa paraqitur fytyren në profile të tyre. Këta janë tipa pervers dhe të dështuar në jetën familjare dhe profesionale si dhe të kushtëzuar nga padroni i tyre. Në profilin e tyre nuk mundeni të gjeni asnjë shkrim kundër personaliteteve serbe, por vetëm kundër figurave shqiptare. Qe shkarravinat e tyre të gjejnë përkrahës këta krenohen me të kaluarën e ndonjë kusheriri apo të fisit të vetë, nga se ata personalisht nuk kanë më çka të mburrën konkrektisht për jetën e tyre.
Asnjë shqiptar nuk mbet i pastër
Çuditërisht më kë do që do bisedoni, do ta vëreni se asnjë shqiptar nuk është i pastër. Sipas bisedave që i keni zhvilluar apo do t’i zhvilloni me shokët apo familjarët tuaj, gjithnjë vëhet dyshimi se Ramush Haradianj, Fartmir Limaj, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Albin Kurti, Rexhep Selimi... e deri të çdo shqiptar i cili ka kontribuar për Kosovën do të etiketohet spiun i Serbisë. Kush është ai që e quan spiun Ramush Haradinaj? Eshtë ai i cili e ka për detyrë nga sherbimi sekret i serbisë të mbjelli konfuzitet në popull. Kush është ai që Rexhep Qosjën e quan Qosiq? Eshtë ai që tërë kohën i ka sherbyer Beogradit e tani në Kosovën e Pavarur është i detyruar të përhapë dezinformata kundër Qosjës.
Të tillët mendojnë qe çdo gjë shqiptare të zhvlerësohet. Të tillët nuk kënaqën vetëm me njollosje te figurave qe ende janë gjallë, por fillojnë t’i njollosin si Skenderbeun e Nenë Terezën, duke i quajtur spiunë të Vatikanit, Ismail Qemajlin e quajnë spiun të Greqisë se qenka martuar me greke, Idriz Seferin se qenka konvertuar në katolik, Bajram Currin si komunist...
Çuditërisht askush nuk e akuzon Azem Vllasin, Fadil Hoxhen, Mahmut Bakallin, Xhavit Nimanin etj. Për personalitetët shqiptare të strukturave të sistemit jugosllav, Serbia nuk bënë luftë speciale. Ata duhet të mbetën në historinë tonë kombëtare për t’i treguar tjerëve se Serbia gjithnjë edhe pas vdekjës do kujdeset për bashkëpunëtoret e vetë.
Kush duhet të merret më individët e tillë që i njollosin figurat kombëtare shqiptare? Në fakt ndërprerja e kësaj lufte psikologjike të Beogradit, mund të ndalohet brenda pak muajve sikur AKI të merret serriozisht me analizat e individëve që shkruajnë në rrejtet sociale pa kurrfarë turpi kundër personaliteteve poltike dhe atyre publike. Mirëpo duke e pasur parasysh se AKI-a është në fillim të themelimit dhe ka ende shumë punë më të rëndësishme kombëtare, nuk ka pse t’i qaset këtij problemi që në pamje të parë është inefikas, por që shkakton probleme të vogëla në popull dhe tek individet që janë në shënjestër.
Eshtë për t’u habitur se si këta dezinformatorë, nuk i shqetëson aspak ndonjë deklaratë e ndonjë serbi ne Beograd, por is hqetëson një deklaratë e një personaliteti shqiptar. Këta individë nuk i shqetëson një libër antishqiptar i ndonjë krijuesi në Beograd , por i intereson një libër i ndonjë autori të denjë kombëtarisht në aspektin patriotik.
Shpifësit e tillë, dezinormuesit e tillë në dëmë të personaliteteve potlike dhe publike të Kosovës, do të mbesin të denuarit e historisë. Mjerë ai që i përket asaj shtrese dhe që është përkrahes i thashethemeve te tyre. Ata ishin dhe do të mbetën mjeranë përjetësisht në historinë kombëtare shqiptare.

Kosovostani



Është i vështirë çfarëdo kompromisi politik mbi interesat e individit dhe shtetit, në çoftë se ky i fundit është identifikuar i teri me mediokritet politik të udhëheqjes, sepse kondita e saj nuk zhvillohet po degradohet deri ne atë masë ku dhuna bëhet pjesë legjitime

Shkruan: Bekim Rexhepi

Më shqetësoi pa masë logjikën qe Kosova është vendi i i dytë në një listë, dhe krahasimi me një vend qe duket i lindur në poligon militar, fjala është për Afganistanin. Një paralele mes Kosovës dhe Afganistanit është e dhimbshme për shqiptaret por me e dhimbshme për të mos koinçiduar në faktin se këto dy vende përbëjnë numrin më të madh te militarëve paqeruajtës për Gjermanin. Më logjikën se ne nuk jemi si Afganistani mund ti vemi kunjat krahasimit, por shikuar realitetin ushtaret gjerman janë te stacionuar ne këto dy vende me numrin më të madh. Nuk do ti hymë detaleve të përbashkëta dhe ndërse me afganet, por numri i madh i militarëve tregon se këto vende kanë një poligon nxitës dhe dinamik qe mban në fokus të hapur konfliktin e brendshëm.
Akoma do të ishte i diktueshëm shqetësimi i John Stuart Mill-it lidhur me mediokritetin e klasës udhëheqëse, sepse mungesa e kulturës politike dhe morale deri në shtresën e ultë sikur do ta përzgjedh vetvetiu një sundim të interesave private mbi tersin e procesit politik, i cili rrezikon gjithnjë ta shndërrojë demokracinë në despotizëm të shumicës, mbase për përfitime të një oligarkie te re. Kjo është kopja e shqetësimit të Mill-it, që është nxjerrë dhe që është faktuar në realitetin politik të Kosovës. Por, domosdoshmëria e shpëtimit të shoqërisë, edhe në këtë rast Mill-i jap shpjegimin se si duhet të ndodh krijimi gradual i një grup doktrinash, përmes të cilave nxitet mendimi individual i shtresave duke iu imponuar, përmes bindjeve, bashkësisë, zhvillohet ndjenja e pjesëmarrjes aktive në nivel të masës, sepse këtë kthesë e benë një shoqëri e vendosur për të dal nga parregullsia e shpërfaqur në kohë.
Instrumentalizimi i shoqërisë nga grupet aktive çofshin politike dhe jo, por të cilat kanë një serë doktrinash të drejta dhe të shfaqura në opinionin e gjerë dhe për të cilat ka një bindje se mund të zhvillohen në dobi të lirisë individuale dhe të shoqërisë, aherë duhet ofruar mbështetje për të ndalur mediokritetin në rritje të udhëheqjes. Megjithëse është i vështirë çfarëdo kompromisi politik mbi interesat e individit dhe shtetit, në çoftë se ky i fundit është identifikuar i teri me mediokritet politik të udhëheqjes, sepse kondita e saj nuk zhvillohet po degradohet deri ne atë masë ku dhuna bëhet pjesë legjitime. Askush nuk e do rrënimin fizik të shtetit përmes dhunës fizike, por gjithashtu askush nuk do as edhe rrënimin politik të shtetit përmes dhunës politike, e cila edhe përkundër kontratës me qytetarin nuk përmban limite.
Qytetari ka të drejtë te jetë aktivë madje edhe të zgjedh mënyrën e tij të revoltës, karshi shtetarëve të tij qe pa limite politike dhe pa ndërgjegjeje vazhdojnë të degradojnë në mënyrë të pavetëdijshme të gjitha gjasat dhe shpresën brenda shtetit dhe kombit të tyre.
Ndodhë shpesh herë kur krizat politike në vend menaxhohen jashtë institucioneve qe nuk përmbajë më kerdibilitet, atëherë topi i akuzës për dhunë të ndërsjellë politike bëhet poligon i lojës dhe i dinakërisë, ndërsa këtë edhe qytetari aktiv e, edhe udhëheqësit shtetëror këtë e shfrytëzojnë për interesa duke futur hutin e matjes dhe të identifikimit të të mirës sublime te shtetit dhe kombit, por më shumë ndodh që këtë ta shfrytëzoi pushteti se sa qe opozita synon ta bëjë sepse kjo e fundit niset e freskët për pushtet të ri. Ndërrimi i pushtetit gjithherë nuk krijon klimë më të mirë se sa zgjatja e një pushteti aktual, por në rastin e demokracisë ky është i vetmi limit avancues. Rendja e shtetit pas njërës krizë në tjetrën, do e mos kërkon ndryshimin politik në vend sepse dëshmon se organizimi aktual politik nuk është i aftë për shkak të konotacionit politik qe kanë prodhuar dinakëria politike.
Vazhdoj të mendoj se politika aktuale nuk duhet të jetë më gjatë në pushtet duke pasur në nderë dije atë dinakëri të prodhuar nga përsiatjet e jashtme të cilat po shihet se nuk duan një zhvillim të vendit sipas modelit vetëqeverisës, por gjithnjë me intervenime dhe indikacione politike.

Letër e hapur kryeministrit Mustafa dhe zv.kryeministrit Thaçi


Migrimi më nuk mund të ndalet me dokrra

Shkruan: SADIK PËRVETICA

Zotëri zv.kryeministër, Hashim Thaçi
Të gjitha shkrimet e mia, jo vetëm të kohës së luftës, nëpër gazetat e revistat tona e dëshmojnë përkrahjen time shpirtërore të luftës për liri. Nëpër demonstrata kam ngrënë dajak disa herë (e bile, nga ato ngjarje kam mbetur me pasoja të përjetshme, gjë që dëshmojnë edhe njerëzit që janë gjallë edhe sot, por kurrë nuk kam kërkuar ndonjë kompensim, ngase jam i vetëdijshëm se unë, me veprimet e mia, edhe të asaj kohe, i kam shërbyer vetvetes, popullit tim dhe Atdheut tim). Një pjesë e këtyre që thashë gjenden si dëshmi edhe në KMDLNJ. Por edhe të gjithë aktivistët e regjionit mbajnë mend se unë vazhdimisht u kam thënë se pa u bërë luftë dhe pa u derdhur gjaku, liria nuk fitohet. Kjo vërteton se unë dhe familja ime, përveç me fjalë, edhe me diçka tjetër kemi ndihmuar luftën për çlirimin e vendit nga hordhitë fashiste. Por sot nuk është koha as momenti të flasim për këtë.
Zotëri zv.kryeministër Thaçi! Ju keni qenë kryetar qeverie në dy mandatet e fundit në Kosovë,andaj ju i dini më së miri sukseset dhe dështimet tuaja. E, nuk duhet të jesh një njeri shumë i mençur i këtij vendi, për t’i parë, sidomos dështimet e qeverisë që keni kryesuar ju në ato dy mandate (por që kryesoni edhe sot). Ndaj, si veteran i arsimit, si gazetar dhe si shkrimtar, këtë letër drejtuar juve po e shkruaj me një dhembje të madhe, ngase kurrë nuk kam besuar se pas asaj lufte të tmerrshme dhe pas gjithë atyre përjetimeve të popullit tonë gjatë luftës, shpejt do të vijë dita, kur populli im, i mbështetur për muri nga skamja, nga korrupsioni dhe nga privilegjet e skajshme të qeveritarëve e të deputetëve të shtetit tonë, përsëri do marrë valixhet në krahë dhe, me lot në sy, do niset, me fëmijë e me pleq, drejt autobusëve për të ikur nga Atdheu! E as mua, më besoni: në këto çaste nuk po më lënë lotët t’i përfundoj këto radhë...Dhe këtu më duhet t’jua them troç se njëri prej fajtorëve kryesor jeni pikërisht ju, zoti zv.kryeministër Thaçi. Sepse edhe në fushatën e fundit parazgjedhore, ishit pikërisht ju që i premtuat popullit të Kosovës hiq më pak se 200.000 (dyqind mijë) vende të reja të punës! Kurse sot...?! Menjëherë pas formimit të qeverisë së re, populli gjeti veten të mashtruar dhe të zhgënjyer, ndaj me valixhe në krahë dhe me lot në sy, po i thotë vetes se këtu në këtë shtet nuk ka më: as siguri, as seriozitet për t’u besuar qeveritarëve tanë për ndonjë gjë! Kështu ju, qeveritarët e vjetër e të rinj, ia humbët shpresat popullit, i cili duroi aq shumë, por kurrë nuk e priti se ...: edhe nga njerëzit e vet të zgjedhur, pra: edhe nga ju – do të ketë këso mashtrimesh!
Zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa!
Kur bëhen llogari e bilance: sa para janë harxhuar e po harxhohen edhe sot (dhe ku e për çka po harxhohen) në shtetin tonë, nuk del se jemi shtet pa para dhe pa mundësi më të mëdha për ngritjen e mirëqenies së këtij populli të shumëvuajtur. Gjithashtu, kur shikohen keqpërdorimet milionëshe të privatizimit të pronave shoqërore, vërtetohet se dikush po ka para, por kush?! Gjithashtu, kur shikohen shtëpitë luksoze që janë ndërtuar e po ndërtohen: si në kryeqytet, po ashtu edhe nëpër vendet turistike, si: në Prevallë, në Brezovicë, në Gërmi, e, ndoshta edhe nëpër vende të jashtme – nuk del se jemi shtet i varfër, por shtrohen pyetjet: kush i kanë ato para, kah i morën dhe ku po harxhohen?! Gjithashtu, po të shikohet numri i rrugëve të ndërtuara, si dhe i autostradave: pa transparencë – vërtetohet se shteti ynë nuk është pa para. Mirëpo kur vjen puna te hapja e vendeve të reja të punës dhe te nxjerrja e popullit dhe e vendit nga krizat e njëpasnjëshme ekonomike, atëherë puna po ndryshon! Ndaj populli, me të drejtë pyet: Ku po shkojnë dhe si po harxhohen paratë dhe djersa e taksapaguesve të këtij populli të shumë vuajtur?!
Zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa: Në Kosovë korrupsioni ka emër, tregohet me gisht çdo ditë dhe mund të preket edhe me dorë sa herë të duam dhe nga kushdo që do, por...!!!
Zotërinj kryeministra të Kosovës: Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa!!!
Në një gjendje, çfarë është Kosova sot, është koha e fundit që qeveria juaj (dhe jona) urgjentisht të ulet dhe ta diskutojë mundësinë e nxjerrjes së vendit nga kriza që ka kapluar vendin dhe ta shpëtojë popullin nga rrugët e migrimit, të përhumbjeve e të shkapërderdhjes së sërishme nëpër botë. (Nga humbja e gjakut dhe trurit tonë kombëtar). Dhe në mos gjetshi burime të tjera, çfarë ju, personalisht, i keni premtuar popullit, atëherë, ndoshta, ju duhet t’i ulni pak, qoftë edhe përkohësisht, edhe rrogat tuaja, pra të të gjithë qeveritarëve dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por edhe të zvogëloni numrin e ministrive, të hiqni nga dy zv.ministra dhe ta leni vetëm nga një zv.ministër nëpër secilën ministri, të zvogëloni stafin administrativ (dhe t’i çrehatoni pak të rehatuarit tuaj) nëpër shumë vende fiktive të punës. Sepse migrimi më nuk mund të ndalet me dokrra e me lutjet edhe të armiqve të shtetit (!!!) nga ana e kryeministrit, që të mos i lejojnë njerëzit tanë për t’u larguar në shtete të huaja!
Zv.kryeministër, Thaçi dhe kryeministër, Mustafa
Në gjendjen në të cilën jemi: me mijëra banorë të Kosovës që presin, çdo ditë, të marrin dokumentet dhe të ikin nga Kosova, për mendimin tonë gjendja në shtetin tonë, më nuk mund të quhet: e zakonshme. Kurse ju – ngjitjani emrin si të duani. E në një këso gjendjeje kur pas premtimeve tuaja boshe dhe pas këtyre ditëve të qeverisë së re, e cila po përpiqet t’i rehabilitojë dhe arsyetojë edhe veprimet dhe ligjëratat e kriminelëve (kryeministri ynë Mustafa, me deklaratat e veta mbrojtëse ndaj Jabllanoviqit, amnistoi, jo vetëm atë, por të gjithë kriminelët serbë të të gjitha kohëve !!!) të cilët dje na vranë, por edhe sot, në liri, po na i shajnë edhe nënat pse po protestojnë kundër atyre që dje na vranë, kurse sot nuk po na tregojnë: as kufomat e të afërmve tanë ku i kanë lënë e ç’kanë bërë me to. E nuk po ndalemi në grevat e protestat e shpeshta të popullit tonë, të cilat, në themel kanë keqpërdorimin parasë publike, varfërinë e skajshme, keqmenaxhimin dhe shpërndarjen (shpëlarjen) e buxhetit shtetëror në veprimtaritë me rëndësi të veçantë shoqërore). Andaj pyesim: a i ka hije një qeverie të përgjegjshme: të sillet me komoditet, sikur në vendin tonë nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme?!
Zotërinj: zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa! Mjaft më. Dhe mos i mbroni, por largoni kriminelët dhe të korruptuarit në mesin tuaj, të cilëve që moti u ka dalë boja.

Shshsh...po na përgjojnë!



Shkruan: MARGARITA KADRIU

Drafti qeveritar paraqet cenim flagrant të privatësisë dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës
Prej nesh, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht si përfaqësues e zëra të qytetarëve të këtij vendi, pritet të shqyrtojmë Projektligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike. Qeveria, në këtë rast Ministria e Integrimeve Evropiane, po kërkon që sa më shpejt t’u mundësojë autoriteteve përgjegjëse që të kenë të drejtë të përgjojnë çdo komunikim të qytetarëve, përfshirë thirrjet, mesazhet, komunikimet, si me ‘Skype’, ‘Viber’, ‘WhatsApp’ dhe të gjitha format e tjera të komunikimit mes qytetarëve. Ky projektligj, me përmbajtjen aktuale të propozuar, është kthyer prapa edhe nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, komision ky që e thekson shumë qartë se ky projektligj cenon TË DREJTËN E PRIVATËSISË së qytetarëve - të drejtat themelore të përcaktuara dhe të garantuara me nenin 36, paragrafët 1 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Andaj, Projektligji për përgjimin e komunikimeve elektronike duhet të ndryshojë, sepse, si i tillë, ai kërcënon dhe cenon të drejtën në privatësi, si dhe krijon paqartësi mes institucioneve që kanë të drejtë të autorizojnë përgjimet e caktuara dhe në cilat raste, si dhe në çfarë rrethanash mund të lejohet përgjimi.
Ky projektligj duhet të jetë shumë i qartë dhe tepër konciz lidhur me kompetencat e Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë, AKI-së, për të kërkuar, për të urdhëruar dhe për të lejuar përgjimet.
Në nenit 4 të këtij projektligji thuhet se “punonjësi i “Qendrës Administrative Elektronike” mundëson përgjimin pas marrjes së “urdhrit të ligjshëm nga institucionet e autorizuara me ligj”.
Këtu mungon specifikimi i qartë se cilët zyrtarë, të cilave institucione, janë të autorizuar për të dhënë urdhër të bëhen përgjimet. Pra, nuk duhet të ketë përgjime pa urdhër dhe pa një vendim nga Gjykata
Privatësia, e garantuar me Kushtetutë
Privatësia është e garantuar me Kushtetutë dhe mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të dyshimeve shumë të bazuara e të faktuara dhe pas një vendimi gjyqësor, ku përcaktohet saktë kush dhe kur mund ta bëjë përgjimin.
Po jetojmë në një sistem perfid, kërcënues, zhvatës, korruptues, shantazhues, duke komprometuar çdo pore të jetës në shtetin tonë. Një ligj i tillë nuk mund të quhet ndryshe, pos tentativë që të instalohet totalitarizmi i një shteti policor, kërcënues, e shumë larg të qenit shtet demokratik, të cilin e synojmë, prandaj ne, si të përzgjedhurit e qytetarëve, nuk bën ta lejojmë si të tillë.
Sikur nuk u monopolizuan mjaft politika, ekonomia, biznesi e shumëçka tjetër në Kosovë, por tani të cenohet edhe privatësia elementare e qytetarëve të këtij vendi ende të pafat?!!!
Privatësia është një gjë e garantuar me Kushtetutë të vendit e me ligj dhe askush nuk mund ta cenojë atë, me përjashtim të rasteve kur cenohen rendi e sistemi shtetëror publik, siguria kombëtare, dhe kur ka rreziqe nga terrorizmi, krimi i organizuar etj. E, në këto raste, autoritetet tona, të kapura nga grupet abuzive të pushtetit, jo vetëm që nuk veprojnë, por shërbejnë si ombrellë mbrojtëse për njerëzit e botës e të nëntokës kriminale.
Tani të tentohet që gjoja në mënyrë të ligjshme të hyjnë në shtëpitë e qytetarëve, në mjediset private, në dialogët njerëzorë që i bëjnë çdo ditë, kjo është e tepërt dhe antikushtetuese!
Andaj, unë, si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk do ta votoj këtë projektligj, derisa ai nuk pastrohet nga të gjitha përmbajtjet kundërkushtetuese dhe antihumane.

Autorja është Deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...