Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/07

Ndihesh Mbret, sapo shkelë në Qafë...


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




ZEQIR LUSHAJ




          


             Hyrje

            Autori i këtij Cikli Zeqir Lushaj ka lindur në fshatin Gri të Tropojës më 8 Mars të vitit 1949. Shkollën fillore e mbaroi në Gri ndërsa atë 7-vjeçare në fshatin fqinj, në Geg-Hysen.
            Në vitin 1967 kreu shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Që në atë vit (maturant) emri i Zeqirit shfaqet në “Zëri i Rinisë” e më vonë, në krejt shtypin qendror shqiptar, punë e cila vazhdon edhe sot. 
            Mbas diplomimit në pedagogjike punon për tre vjet mësues në Geg-Hysen. Në vitet 1970-1973, mbaron studimet e larta në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, (aso kohe IKF) në Tiranë. Stazhin pasuniversitar e kryen në shkollën e mesme të Tropojës (së Vjetër).
            Më 10 Maj të vitit 1974 mbron diplomën me rezultate të shkëlqyera, (i vetmi vlerësim maksimal me notën 10 i atij viti), dhe në qershor fillon punën redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” në Tiranë ku punon deri në vitin 1977. Ndërkohë, pa shkëputje nga puna diplomohet edhe në arsimin e lartë politik dhe nga gazetar emërohet instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë e mbas 7 vitesh, instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSHsë, ku në vitet 1991-1993, zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i tij.
            Në përpjekje për të realizuar shndërrime demokratike Zeqiri me një grup intelektualësh të pavarur si: Aleks Luarasi, Mehmet Myftiu, Agim Cerga, Haxhi Aliko, Teodor Laço, Tamara Malaj, Hajredin Rudi, Bujar Muharremi, Mirdash Braçe, Hasan Lekaj, Vehbi Furrxhiu etj, krijojnë shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që pas një viti merr emrin: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”. Kjo Lëvizje pranohet menjëherë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe dhe vizitohet në Tiranë nga Presidenti i këtij Këshilli. Gjatë këtyre viteve, Zeqir Lushaj është në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të shoqatës, si dhe bashkëbotues i gazetës “Paqja”.
            Me gjithë këto detyra për një kohë të gjatë në organizatat shoqërore, Zeqiri mbeti gjithnjë një mik i ngushtë i shtypit, një bashkëpunëtor produktiv i papërtuar e cilësor i tij. Pra, ishte dhe vazhdon të jetë, më shumë se nëpunës, një gazetar!
            Që nga viti 1998 e deri në Maj të këtij viti, Ai punoi dhe jetoi në Nju-Xhersi të SHBA-së nga u kthye bashke me bashkëshorten e tij Sabrien për të jetuar përfundimisht ne Atdheun e tij Shqipëri. Gëzon pasaportën e shtetësisë amerikane.
            Deri tani ka botuar 6 libra (në 60 vjetor) të cilat janë:

            1. Hija e vendlindjes Vjersha
            2. Lisi i shkruar Vjersha
            3. Vdekja e varreve Vjersha
            4. Dyqani i mendjes Shkrime publicistike
            5. Pengjet Vjershërime
            6. Fjala mbi tel… Tekste kangësh popullore

            Së shpejti presim edhe 6 libra të tjerë nga Zeqiri të cilat në muajt e parë të  2015-ës  mendojmë që ti kemi në dorë.


              

ATY FILLON PERËNDIMI SHQIPTAR                                    

-Nikaj-Mërturi, dekoratë ilire në gjoksin Dardani -

…!
Kapuçi i bardhë:
Lugbat, Shtyllë,
…Kore e Kaki .

Kërshi i Pikut,
Vorri i Fratit:
Sytë, poshtë tij !

Qafë Agri ,
Qafë Kolçi:
Dy desh mbi urë !

Brinjët, vet fiset,
(Libër i hapur):
-Nikaj-Mërtur.

Rrasa e Mulajve,
Shpatë, për së gjati,
Varur, qystek sahati.

Shkuma e bardhë ,
Nga Currajt e Epër,
Zhurmon serbes,

Qëndrestarin,
(Epos kreshnikësh),
Freskon mes përmes .

Rreth e rrotull,
Bjeshkët plot çetë,
Kalabosh, vezme me fishekë.

Ngulur fort, (Va në Va),
Drinit, nën këmbë,
Nga Kisha e Rajës, në Toplanë .

Sy ciklopi,
Përballë, natë-ditë,
Berishë e Brigjeve-Aprripë !

Shpatullat, të sigurta,
Nga do t’i shikosh,
Valbonë-Shalë -Shosh.

Taban mbështetës,
(Drejtë peshim gjithmonë),
Motrat , Shkodër e Gjakovë !

Vërini i kullave,
Bjeshkët e stanit,
Visare, të Kulturës Komanit !

Si lisat breg Karmës,
E pishat në bjeshkë,
Djelt e çikat, me synin eshkë.

Si në Apelin e Fiseve,
Për t’u rrethue në sofër,
Artistë me emën, në çdo votër.

Hemisfera në Alpe,
(Si Muja e Halili),
Dy Lekët: -Biba-Dukagjini!

Për mikun, në dorë zemrën,
 Për armikun, vaisin pushkët,
 Pa kallauz, katundi që duket!

Aaah ! Nikaj-Mërturi !
Dekoratë ilire, në gjoksin Dardani,
Sa mangut, do të ishim pa Ty !

Mësonje  mirë !
Mbanje mend, (çikë e djalë):
-Aty fillon, Perëndimi Shqiptar!
…!
Gjeografia…,
Lehtë vizatohet,
Libri i jetës, zor lexohet !
       


 FLUTUROVA…, IKA…!

“…Shite tokën…, del hup krejt…!”
-Varg i një kënge popullore, rreth një shekull më parë-

(Fletë ditari, Tiranë-Nju Jork, 27 shkurt 1998)
                                                                                                     
1.
Më thanë se:
I biri i xhandarit jam!

-Në çdo fletë biografie,
Në çdo dosje e kam.

2.
Më thanë se:
-Je, një katundar-malok!

Me prejardhjen time,
Mburrëm edhe sot.

3.
Më thanë se:
-Je agjent i Sigurimit!
…I shikova, pak,
Si me çudi …!

(Një meritë,
E panjohur prej meje,)

Ama, gjithë Bota,
Punon për Siguri!

4.
Më thanë se:
Je kriptokomunist,
Nuk ke për t’u rinovua!


Ç’ka me ba?
-Medet për mue!

5.
Më thanë se:
-Je feminist,
…Sa shumë vajza ke dashtë!

-Sa mirë: -ua ktheva:
“Në vesh të Perëndisë,
…Zoti e thashtë…!”
                                                                                              
6.
Gjithë këto akuza,
(Nuk janë…, as gjysma),
Mbarë e mbrapsht i dëgjova,

Vetën e hangra me dhëmbë,
Bana si bana…,
I durova!

7.
Kur, më thanë se:
-Je servil-karrierist,
Të dhimbset karrigia!


U preka në shpirt,
(Mallkova në heshtje):
-Paçi faqen e zezë!
…Ju raft pika!
 …!
(Ma trazoi shpirtin një fjalë,
Fjalë e vjetër, qyshkur:
-Unë me bukë, e Ti me gurë!)

8.…!
Kur, me kokën mbrapa,
Rëndova…,
 Në shkallët e avionit (!!),

Mu duk vetja…,
Breg-varrit,
Gozhduar,  mes arkivolit…!
…!

9.
-Prapa diellit…,
E thefsh qafën…!
Më bëhej se, (…ata),
Më flisnin në vesh!

Ata…, (ata e ato!),
Që gjithë jetën i desha,
Dhe do t’i dua,
Deri sa të vdes!

10.
Si zogu mbi lis,
Instinktivisht,
Çukita…,

…Mbi xham,
Xhamin e qelqtë,
Me ballin mbështetur,

Fshiva,
(lehtë),
Avullin me dorë,


Por… ,
Pa  e kuptuar,
Kisha  përshëndetur!


11…!
N’daç, përshëndeta,
N’daç, çukita…!
?!…,

12.
…!
Fluturova…,
Ika….!!
./.
      


KOVAÇIT AZIZ VORFI

– Hero i Punës –

Në duart e tua, qindra ton çelik,
Në sytë e tu, xixa hekuri të skuqur,
Në gjoksin tënd me mijëra drita,
Medalja e Heroit, drita më e bukur.

35 veta nga familja jote,
Në grykat e Fierzës punojnë çdo ditë,
Ti, vazhdon të godasësh mbi kudhër,
Si atëherë djalosh në Bistricë.

Në sofrën e mbushur me dashuri,
Të rrethojnë fëmijët , mbesa e nipa,
Emrat ua ngjite brigjeve të lumenjve.
Hidër, Centrale, Lulëzime, Drita…

Një jetë të tërë nën prush çeliku,
Si pisha mes shkëmbit në erë,
Të heqim kapelën, kovaç Aziz Vorfi,
Udha dritë t’u baft përherë!
./.
Fierzë, 1976



UDHA E BJESHKES

-Udhëtoj shpesh,(me mend), me karvanin e  vrritarëve, për në bjeshkë…, në Shtyllë të Grisë-

…!
Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë,
Dije mirë,kallxoja gjithëkujt, o djalë:
-T’ja dijmë kimetin…, është hyjnore,
Aty jetohet…,bash si në  përrallë.

1.
Kalojmë,vijën e Dubravçit,mbi Kishë,
Marrim hijen,gështenjave përpjetë,
Flladitem njëherë,në Gurrën e Grisë,
E besoj:-Jemi nisur për në bjeshkë.

2.
Ku ndahen rrugët, pushimi i parë,
Aty mblidhet karvaji i katundit,
Kokrrohet, avash, brijës Muzi Kurtit,
Nusja ma e re, gjithmonë,e fundit.

3.
Kah e Rrzuemja e Çutës,(kujdes),
Aty asht’ terr, edhe në mesditë,
Në Shteg,tu bojlia e Baram Zmajlit,
Mbarojnë gështenjat, hapen sytë.

4.
Në Fushë-Llozhën, dalim prej hijes,
Mrizi i thotë: -lamtumirë vrrinit,
Prroni i Territ, Lejthia gurbardhë,
Një test i fortë, starti i fillimit.

5.
Të jeshë sa të duash djalë i zoti,
Me korin e gjinkallave përpjetës,
Te Kroni i Morajës, del i djersitur,
Kah’ Molla e Idhët e Ara e Çelës.

Aaah, Ai-Krue don shumë kujdes,
Rinia, këtë punë mire nuk e di (!),
Edhe kali i shkumuem-buzëtharë,
Aty,(menjëheri),rrezikohet kur pi.     1)

“Si pjalm bore reshë rreth majës,
Dhamtë, t’i pinë kroni i Morajës…”
(Këto dy vargje, diku i kam shkrue,
Për Kronin e bjeshkës-ujëbekue).

6.
Mbi Kodër të Morajës, leqe-leqe,
Në Tella të Poshtme duhet pushimi,
Lugut Dikçorit, Rogave të Gabelëve,
Hap-mbas-hapi,vjen rritet freskimi.

7.
Rrasa mbi Dikçur, len sherbelen pas,
Aty,nis e fry, flladi i bjeshkës Epër,
Muret e Gashit, pushimi i fundit,
Nën Qafë-Shtyllë,thik’ të përpjetës.

Gurrcin e Epër,lamë në të djathtë,
Në të majtë, Rrasën e Sukbukurit,
Lugut të Qafës, mbi ortiqet e borës,
Teferig i hollë frynë, i bjen përçukut.     2)

8.
Të rinjëve griçorë, dua tua kujtoj,
-Kujdes nën Qafë, tu Shkalla e Keqe,
Aty,kuajt ndihmohen që të ngjitën,
Patkonjtë-gaca e flakë nëpër leqe.

9.
Aaah, dhe vetëm 100 metra ma nalt,
Ndihesh Mbret, sapo shkelë në Qafë,
-Hallall,-ju thue ortigjeve ku u ngjite,
Sheh përpara një botë të pahesap.

…!
Nga këtu, syri gjënë hapsirën e vet,
Shpirti, fort gufon, don me fluturue,
Një pushkë-haber, kërcet nga gëzimi,
Orët e bjeshkës në pritje i ka ftue…!

10.
Për gjysmë ore, në Rudinë të Liqenit,
Ndalojmë-ulim kryet kuajve,uji me pi,
Shtrihemi rudinës së butë, jeshil-llek,
Ndjehemi të lumtur, dehur,(pa raki!).

11.
Kijet byraten në stomije të rudinës,
Plisat, me brina i gjuejnë përpjetë,
Kumona e dhenve, përcillet shpatit,
Trokaça e dhive, ushton nëpër çetë.

12.
Tani bjeshka, merr një fytyrë tjetër,
Mbushur bar e lule, si nuse na pret,
Ndër breza, griçorët krushqit e saj,
Krenarë…, mbi shtratshpirtin e vet.

...!
Ta duam këtë emër: -Shtylla e Grisë,
Dije mirë, kallxoja gjithëkujt,o-djalë,
T’ja dimë kimetin…, është hyjnore,
Aty jetohet…, bash si në  përrallë.
 ./.
1) Në kronin e Morajës ,gjithmonë duhet me pushua pak, përpara se të pish uji.
2) Perçuku=bar i gjatë dhe i fortë,që del nëpër shkëmbinj, grumbuj-grumbuj.



                            
ALLAFRANGA…!!

-Fletë ditar, Gri 21 gusht 2011-
                                                                                                                                  
…!
Në oborr nuk hyhej,
Gjithkund kaplue therrat!
Kapërcyem trinën hala-hup,
Si të burgosurit mbi telat.

Nga mbretëria e ferrave,
Në pulpë m’u ngul një gjembaç,
Duhej një dëshmi aty ku u rrita,
Dënim më të lehtë nuk ka se kaq!

U solla një herë oborrit,
Me “shoqëruesit” e mi si të mpirë,
Nuk desha as nuk hyra brenda,
Pse-në, kush donë e kupton mirë!
…!
E kreva dënimin me dy pika gjaku,
(-Allafranga ma, të mos na vish!!),
E mbyllëm vizitën dy orëshe te Shabani,       1)
Ku na priste…, gjel-kokoshi mbi çervish !      2)
./.
1.Shaban Ademi, -djali i axhës, qëndrestari i vetëm i trollit të vjetër të Selmanve të Grisë.         
2.çervish,-gatim karakteristik i Tropojës. Miell misri, pak gjalpë dhe lëngu i pulës.
                                      


Errësirë në çdo anë,

isë shqiptare.

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




SOKOL DEMAKU




          



             Hyrje

            Sokol Demaku është poet, prozator, pedagog, publicist, redaktor. U lind më 1954, në Arbri të Drenicës, ku kreu edhe shkollën fillore. Ne Prishtinë kreu shkollën Normale dhe studioj Gjuhën dhe letërsinë shqipe. Në Universitetin Göteborg të Suedisë ka diplomuar lëndën e matematikës, në Shkollën e lartë në Borås studioj pedagogjinë. Ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme “Dituria” që del në Suedi dhe një radio lokale me emrin “Radio Dituria”. Është anëtar i Kryesisë sé SHSHKASHS, njëherit edhe anëtar i Lidhjes se Shkrimtarëve të Suedisë. Momentalisht është duke ndjekur studimet e magjistraturës në Universitetin e Göteborg, dega e pedagogjisë.

            Ka botuar:

            Baladë e Përflakur (shqip-suedisht), 2009
            Histori e Qendrës Kulturore Shqiptare Migjeni, 2009
            Jehona e shekujve, 2010
            Kujtime nga diaspora, 2010
            Mbrëmja në mërgim 2010
            Lundra ime, 2011
            Sa e këndshme është jeta, 2011
            Falë dashuri si askush tjetër, 2011
            Kujtime nga diaspora II, 2012
            Na ishte një kohë, 2012
            Kujtime nga diaspora III, 2013
            Sadulla Zendeli-Daja, me drojën e një ”emigranti” të pa atdhe 2013
            Edhe filozofia e jetës ka kuptimin e saj, 2013
            « Djali dhe Tigrti » përkthim nga suedishtja, 2014
            Kujtime nga diaspora IV, 2014
            ”Gjuetidiamantesh” (përkthim nga suedishtja), 2014
            Një vështrim antropologjik dhe kulturor magjepsë në veriun e largët, 2014




NJË NATË E QETË

Një natë e qetë,
Për shpirtin  lodhur.
Jam vetëm me vargun tim,
E rima ka humbur,
Kohë duhet të gjejë,
Shkronjat janë lodhur,
Vargu nuk ka formë.
Një buzëqeshje nga larg,
Në shpirt e ndjej,
E zemra ime ritëm ka.
Në syrin e kaltër,
Shoh lotin e kthjelltë,
Që shndritë si kandil,
E ky më jep shpresë,
Për të ardhmen në jetë.
Është inspirim vargu,
Për të bukurën dashuri,
Për pëllumbin krah larmë,
Që fluturon në gjithësi.
Eja pëllumb dua të porosisë,
Dua të rrugëtosh,
Fushë e male të kalosh,
Shumë të fala vendlindjes t`mi qosh
Zemrën time ta qetësosh.
Shko pra fluturim në këtë rrugëtim,
Merr me vete mallin tim,
Shko gjej sytë e shkruar,
Ata të qetësosh,
Porosinë e zemrës sime,
Atyre tu dërgosh.


ZGJATMA DORËN VËLLA

Zgjatma dorën vëlla,
Se koha ka ardhur,
Ta harrojmë mërinë,
Ta kultivojmë dashurinë.

Zgjatma dorën vëlla,
Së bashku të marshojmë,
Ardhmërinë e fëmijëve,
Së bashku ta ndërtojmë.

Zgjatma dorën vëlla,
Kthjellu, eja në vete,
Koha e intrigave,
E ka bërë të vetën.

Zgjatma dorën vëlla,
Hynë në valle,
Eja me ne edhe ti,
Se këtu ke të ardhmen.


ÇKA BËJNË POETËT

Shpeshherë
i bej pyetje vetës:
Kush ka forcën,
dhe pushtetin,
të ruaj rimën në poezi
Kush është ai,
që të fton në argumentim
Kush krijon kujtimet,
kush shprehë ndjenjat,
kush hap zemrat,
kush krijon ura,
e dashuri
Shpesh herë pyes vetën,
po pyes kush
Kush krijon radhët,
mes fjalëve në fjali,
kush ngutet me shpejtësi,
të kuptoj rreshtin e ri,
kush të jep forcë
për ditën e re,
për kohën,
për pushim e freski


TRUMCAKU I VOGËL

Peizazh i bukur jashtë,
Çdo gjë është mbuluar me të bardhë
Një trumcak i vogël bukur  këndon
Thërrimet e bukës gjithandej kërkon.
Është kohë e vështirë trumcaku im,
Por mos u brengos, për ty ka shpëtim.
Në çdo anë bardhësi,
Natyra në pushim,
Trumcaku i vogël kërkon shpëtim.
Eja trumcak derën ke hapur,
Hynë në këtë vatër,
Më benë shoqëri, jetën mos ta kaloj vetëm.
Trumcak i vogël mos u brengos,
Ke krahët e lehtë,
Shpëtim për jetë,
Do fluturosh atje ku ka shpresë e jetë.
Më merr dhe mua, ka kohë të pres,
Më dërgo dhe mua atje ku ka shpresë,
Të këndojmë së bashku,
Shpresës ti japim jetë.


KJO NATË ME STUHI

Errësirë në çdo anë,
Dallgë e stuhi,
Është kjo natë vjeshte,
Sa shumë ironi.
Është kjo natë,
Me plotë stuhi,
Që sjellë buzëqeshjen,
Nga ti dashuri.
Më kujton kjo natë,
Shumë histori,
Të ndodhura të pa ndodhura,
Në pafundësi.
E ndjejë afshin,
Jetën më bulëzim,
Por bunaca e natës,
Përpinë qetësinë.
Këtë natë me stuhi,
Rri në buhar,
Sepse kjo natë s`ka fund,
Do pres ditën e re.

Kush e puthi vashën i fundin



(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




REMZI LIMANI




          


             Hyrje

           Remzi Limani (1955) u lind në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit në Universitetin e Prishtinës.
            Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike. Në të gjitha këto krijime, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti që shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.
            Për punën e tij krijuese në fushën e arteve figurative dhe aplikative, zënë vend trembëdhjetë shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë. Deri më tash ka të realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi. Nga fusha e letërsisë ka të botuara 13  vepra. Nga këto dy romane. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune, Bukuresht 2010. Po ashtu, poezia e tij është përfshi edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor) e botuar në gjuhën rumune, Bukuresht, 2010.
            Aktualisht, punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, në Prishtinë në cilësinë e udhëheqësit të kulturës.




I VARUR NË FLOKUN E SAJ

Në sytë e Ty
Me bojëra akuareli
Shkrihej një peizazh i bukur

Të luta në dritë syri
Ta shkrepje një buzëqeshje
Të ma falje ngjyrën e syve
Ta pikturoja shëmtinë time

Sikur me mendje të dyzuar
Gishtin tregues e mbaje n'buzë
Lutjet me dhelka dashurie
Nuk bënin vend në gji gruaje

Me gjithë mendjen time të fiksuar
Varur në flokun Tënd prej argjendi
Nuk belbëzoje më asnjë fjalë
Aromën e dashurisë nuk e ndjeje

Sa e dhimbshme është bukuria
Kur nuk i shpaloset etjes së kallur
Dhe syri i varroset me këngën e zogut


VALA E NATËS

Kur nata shtrinë kofshët bardhoshe
Çdo gjë në Ty shpaloset pa fjalë
Çdo pjesë kadifeje e trupit Tënd
S`i fletë molle e këputur në vjeshtë
E pagëzuar mes gjokseve struket

Mes erës dhe Valës së çmendur
Nata mbështillej me flokun Tënd
Duke zënë në qerpikun e fjetur
Mbi buzët Tua ndalon frymën

Vala nxjerrë gjokset e natës së harlisur
Në pasqyrë rrah vithet e azdisura
Me flokun e shprishur vesh muret
Mbulon sytë e prushtë bojëvere
Vetullat e ngritura qemer mbi lum
I vë hark mallit dhe natës së zjarreve


TI JE RRËQETHJA IME

Kur e hetoj ecjen Tënde tunduese
Trupi më vishet mornica
Në bisht qerpiku syri ngritët n'këmbë
Çdo gjë në mua çohet peshë
Gjaku fishkëllon me trenin e mëngjesit
Thinjat e kohës ngritën të krekosura

Çfarëdo që shoh në Ty
Ndoshta vetëm cepin e zogut t‘krahut
Apo vetëm një fragment buzëqeshjeje
Mornicat i kruajnë dhëmbët e ujkut
Çdo gjë jargitet në prehrin Tënd

Edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër
Koha do vishet me fustanin Tënd
Pastaj, do ta shpalosësh lulen e kërthizës
Për ta shuar urinë e ujkut plak


KUR SHKUNDEN LULET

Nën hijet e heshtjes memece
Shtrydhen kujtimet dhe malli
Mes mendimesh të përgjumura
Ëndrrat flasin me gjethet e vjeshtës

Në heshtim fjalësh
Çdo gjë rri e ndryrë
Loti për ty merr udhë
Në trinë dore pikon ende i vakët

Nëpër fletat e shpirtit të lodhur
Drithërima e zërit tënd vjen e ëmbël
Nga fustani yt i bardhë
Shkunden gjithë lulet e pranverës

Dritës dhe këngës time për Ty
Gjithë petalet do i shkundë koha
Pa mëshirë për këngën e zogut
Do m`i vejnë prangat pa thënë fjalë


NATË E DEHUR

Dita i zbrazi gjithë gotat e verës
Nata e dehur ndaloi hapin
Gjithë gjurmët u fshinë nga udhët

Dehja përkundej s`i një fije bari
Si një gjeth i harruar vjeshte
Në degë molle luhatej mendja

Vallë...
Cilat gjurmë më sollën tek shtrati
Kush e puthi vashën i fundin

Asnjë çmenduri nuk më kujtohej
Pos një aromë gruaje
E veshur në lëkurën time


Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




SKËNDER BUÇPAPAJ




          


              Hyrje

              Skënder Buçpapaj, është lindur më 25 maj 1953 në fshatin Tplâ të Tropojës. Arsimin tetëvjeçar e ka kryer në fshatin e lindjes, arsimin e mesëm në qytetin Bajram Curri, ndërsa studimet e larta për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës. Ka kryer studimet mastër po në Universitetin e Tiranës në fushën e kritikës letrare.
            Krijimtarinë e ka filluar që në shkollën tetëvjeçare, kur ka botuar edhe krijimet e para në shtypin për fëmijë. Nga viti 1970 në pothuajse të gjitha të përditshmet dhe periodikët shqiptarë ka botuar poezi, përkthime nga poezia botërore prej italishtes, anglishtes dhe gjermanishtes, shënime për librat, kritika, studime monografike etj. Nga viti 1976 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga viti 1986 deri në vitin 1991 ka qenë redaktor në gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Artistëve të Shqipërisë, ku ka mbuluar kryesisht sektorin e kritikës. Në fillim të vitit 1991 ka qenë iniciator dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Pavarur të Gazetarëve të Shqipërisë, më vonë Lidhja e Gazetarëve, i zgjedhur dy herë në kryesinë e kësaj organizate. Në vitin 1991, për pak kohë, ka qenë kryeredaktor i gazetës "Kosova". Po në vitin 1991, në dhjetor, është emëruar zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar; ndërsa më 1992 është drejtor i përgjithshëm i RTSH, detyrë që e kreu deri në gusht të vitit 1995. Prej atëherë ka kaluar në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme e pastaj në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ku ka mbuluar sektorë të ndryshëm dhe ka qenë edhe i ngarkuar me punë (chargé d'affaires) pranë kësaj ambasade. Nga viti 1998 filloi në gazetën e përditshme "Bota sot", kryeredaktor i së cilës ishte për dhjetë vjet rresht. Nga viti 1991 është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Është po ashtu anëtar i Shoqatës së Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, i Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.
            Ka lëvruar pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga informacioni, kronika, reportazhi, përshkrimi, udhëpërshkrimit, analiza, komenti, fejtoni, replika, vëzhgimi, polemika, biseda, intervista etj, si dhe ka realizuar shumë dokumentarë televizivë. Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në poezi, kritikë, publicistikë, studime dhe skenarë dokumentarësh. Është përfshirë në antologji të ndryshme të poezisë shqipe. Ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe historiografisë letare në Shqipëri dhe jashtë vendit që me ciklin e parë poetik të botuar në revistën "Nëntori" në janar të vitit 1973.
            Skënder Buçpapaj është autor i librave me poezi, studime, eseistikë, tekste shkollore kryesisht të botuara nga shtëpitë botuese dhe mediat në Shqipëri, Kosovë e tjerë:

Ka shkruar:

Vëllime poetike:
1."Zogu i bjeshkës" (1973)
2. "Epikë" (bashkautor, 1979)
3. "Poezi" (1986)
4. "Frika nga Atdheu" (2009)

Studime:
1. "Përmbajtja filozofike dhe morale e poezisë së Fatos Arapit" (1979)
2. "Poetika e simbolikës" (poezia shqipe e Kosovës) (1986)
3. "Zana e Fishtës dhe trillet e saj" (1991)

Eseistikë
1. "Në vetë të parë Hasan Prishtina, një patraes patriae" (1995)
2. "Këndo, hyjneshë, mëninë e Faik Konicës" (2001)
Tekste shkollore (bashkautor)
1. "Historia e letërsisë shqipe", tekst për shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë (1993)
2. "Antologjia e letërsisë shqipe", tekst për shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë (1993)




POEMA E TPLANIT

Tplani
Prej Moknit në Arvejë
Prej Ballfushës në Kryekand
Është metropoli botëror
I bretkosave.

I kam merak
Se ato, në miliarda,
Mos më mardhin
Në gjumin e tyre letargjik
Nën akull.

Pa muzikën e tyre
Nuk vë gjumë në sy
As këtu midis Alpeve të Evropës.

Druaj se mos më mardhin
Rrëshqanorët e bokave
Zhguallorët dhe jozhguallorët
Ata flenë çdo vit nga gjashtë muaj
Duke mos e ditur
Sa i kushton botës së çmendur
Ky gjumë i pafajshëm i tyre.

Druaj se më mardh
Fauna me gëzof në karma,
Prapshtia, shullëre
Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta
Shkretanët, mbrapshtanët,
Gubanët, qurranët,
Zhelanët, breshkanët,
Gjenialët e Tplani

 


MOJ E MIRA NË ORTEK TË BORËS

Ajo ishte midis diellit
Dhe ortekut të borës
E bardha.

Dielli ishte midis
Së bardhës
Dhe ortekut të borës.

Orteku i borës
Ishte midis
Diellit
Dhe së bardhës.

Flokëbardhën
Sybardhë
Qerpik-bardhë
As me sy
As me të prekur
Por vetëm se kundërmonte zanë mali
E dallova

E bardha
Tamël deleje
Mjelë në ortek të borës
Isha i zanuari i zanës
O.


 

POEMA E TPLANIT

Tplani
Prej Moknit në Arvejë
Prej Ballfushës në Kryekand
Është metropoli botëror
I bretkosave.

I kam merak
Se ato, në miliarda,
Mos më mardhin
Në gjumin e tyre letargjik
Nën akull.

Pa muzikën e tyre
Nuk vë gjumë në sy
As këtu midis Alpeve të Evropës.

Druaj se mos më mardhin
Rrëshqanorët e bokave
Zhguallorët dhe jozhguallorët
Ata flenë çdo vit nga gjashtë muaj
Duke mos e ditur
Sa i kushton botës së çmendur
Ky gjumë i pafajshëm i tyre.

Druaj se më mardh
Fauna me gëzof në karma,
Prapshtia, shullëre
Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta
Shkretanët, mbrapshtanët,
Gubanët, qurranët,
Zhelanët, breshkanët,
Gjenialët e Tplanit.

 


 
PLEPAT

Te dritarja e dhomës sime të mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit
Plepat nuk rrinë thjeshtë për të fshirë yjet në prag të agimit
Ata qëndrojnë aty për të thënë
Aty po fle Skënder Buçpapaj
Prandaj mbani aq qetësi e aq zhurmë
Sa duhet për një gjumë të mirë.

Plepat ndanë Valbonës
Si matës të nivelit të kaltërsisë së lumit
Nuk rrinin gjithmonë për të treguar
Se gjithmonë lumi i kaltër do të kalojë aty

Poshtë Urës së Bujanit
Ata rrinin aty për të treguar
Se nëpër të përthimë të ditës së re
Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj

Plepat rrinë pranë brigjeve, urave, lumenjve
Dregëzohen, lëmohen, gjethohen, zhgjethohen
Gjysmëdrejtëza të hequr nga toka drejt pafundësisë
Për të treguar se nga pafundësia
Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës
Do të rikthehet përsëri te plepat e vet
Skaj dritares së mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit,
Skaj lumit aty ku merr udhë për nën Urën e Bujanit
Gjithandej brigjeve, urave, lumenjve


Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi  ishte një marrëveshje diplomatike ndërmjet  zonës kontestuese të Kosovës  dhe Malit të Zi e cila u ...