Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/07

Çoje kokën, përse qan?



      Përgatiti: Jeton KELMENDI






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



MIMOZA AHMETI








        

           

             Hyrje

            Mimoza Ahmeti (lindur 1963 në Krujë, Shqipëri) është poete në mesin e poetëve më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, dhe ndoshta më i njohur femra shqiptare. Librin e saj më të popullarizuar dhe vlerësua në mënyrë kritike është mbledhja e 53 Delirium poezi, botuar në 1994, Tirane, nga "Marin Barleti House" Publishing. Librin e saj më të fundit të poezive është pllenim e Luleve, nga "Ora House" Botime, Tirane, 2004. Ahmeti ka botuar gjerësisht dhe librat e saj janë përkthyer në italisht, frëngjisht dhe spanjisht. Il mio Grido, poezi, 1993, nga "Argo" Publishing House, Itali. Persone Belle, roman, 1996 nga "EIZIONI ETS", Pizës, coordinatif absurde Italy.L ', tregime të shkurtra, 2002, Paris, botuar nga Agnes Pareyre. Ca va Albnie, ese, Paris, 1998, nga Edition "La Promenade". Bilingue Delirium edicion, 2002, nga "Maremoto" Publishing House, Malaga, Spanjë. Edhe pse më i njohur për poemat e saj, ajo ka shkruar edhe tregime të shkurtra, artikuj dhe novela. Ajo ka ventured në fushën muzikore, pjesëmarrëse në disa festivale të muzikës shqiptare, si "Kenga Magjike", "Maratona Popullore". Ajo kishte si pikturuar si një seri e çorape të holla. Më 1994 ajo kishte një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ahmeti ishte një kandidat për Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale 2001 Tiranë





Poezi

MIMOZA AHMETI



ÇMENDINA ME PORTË HAPUR
Po ikni, po na lini,
duke menduar; "Përgjithmonë",
Nga ky dhe që ishte juaji, joni,
që është çmendina jonë.
Çmendina jonë e dashur, mallëngjyese
me kafkat shqyese.

O të çmendurit e mi të shtrenjtë,
sa ju dua,
megjithëse kurrë s'ju flas,
megjithëse kurrë s'më flisni
dhe dot s'ju duroj
dhe dot s'më duroni.
Por ky është rit:
ne nuk e shohim në sy njëri-tjetrin
për pa urryer,
dhe ky është shkak
për t'u dashur gjer në çmendim,
duke buzëqeshur ekzaltisht,
ndërsa në faqe
lotët na rrjedhin,
lotët.

Bashkëvuajtës të mi
që ikni mërgueshëm,
të çmendinës sonë unikale,
me sy të fiksuar
pas një ideje të vetme,
oh, vetëm pas një ideje të vetme,
që askurrë s'u pa, s'u gjend askund
dhe s'di ndonjëherë në ka për t'u gjetur.

Shpërndahuni, ikni, tretuni.
Vend më vend shtet më shtet...
Oh, çfarë piskame pisket
nga çmendina jonë
në orën e vonë të perëndimit,
kur malli e merr për bijtë në Perëndim...

Ç'trishtim!
Mure të rrjepur. Mure që gjithmonë
kufizojnë horizontin
për të lënë një qiell pa fund përsipër.

Aty pas mesnate dënesjet mbarojnë,
dikush me vete po flet:
Sidoqoftë shqiptarit,
kudo që të ndodhet,
i mjafton marrëzia e vet...

 


ARMIKU IM
Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç'do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s'mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron
qenia zhduket)
Armik. Armiku im.
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi jeta ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat ngërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëher s'i ditëm,
s'i llogaritëm,
TURMAT,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.


 

QE TI JE GOMAR KJO ËSHTË DIÇKA QË DUKET
Fytyrë e bukur dikur, tani stigmatike,
në gjurmët e tua gjej vrasjen që të kanë bërë,
në gratë që i humbe, që i braktise, a shpëtuan duke ikur prej teje,
për të mbetur gjallë diku
në lemoshe ndjenje.
Fytyrë e bukur dhe sot, me gjithë prishjen, dyshimin,
dekompozimin,
trup që zvarrisesh e birresh në tokë të mallkuar.
Masë vigane dhe e dëshpëruar njëkohësisht.
Një vath në vesh-diç ja nxit kotësisë kuptimin.
Çdo ditë humb diçka nga cilësia e yllit,
vdiresh në rërë.
Çdo natë fiton diçka nga pamortësia e vdekjes.
Oh, tani që po shuhesh, ndërsa vazhdon akoma të shuhesh
vërvit në ajër tentakula të tmerrshme vetmie të shthurur
me lak fshikullues kap, tërheq e shtrëngon,
robëron
me buzët sterile, trupin e pandjeshëm.
Shpesh kam rënë në gjurmët e bjerrrjes sate, shfrimit
mënyrës së tërthortë të shfaqjes, helmimit,
fshehjes, sofizmit, lëkundjes, së paqenës,
asaj paqendrueshmërie që nuk ngre dot bazë.
Ndjenja luksoze, në esencë shkatërruese,
gërryejnë si macet gjire grash të lëna.
Rrugëhumbur i bukur që vazhdon të humbësh,
që di të sillesh, por që etika s'ta përmush dot shpirtin.
Jam jotja, më ke, gjithmonë më ke pasur,
mbështetje, frymë, shteg në rrugë pa krye,
Por ti s'e kupton, ngaqe je gomar,
dhe ky është shkaku
që unë të dua tmerrësisht.



 
TI DO TË HESHTËSH
Ti do të heshtësh gjatë atë ditë,
ndoshta për fare atë natë,
kur të mos jetë
mbi sferën e humbur të tokës,
figura ime krenare
me sytë e fuqishëm si shpezë
që veç lirisë i përkasin,
që ti, ti i deshe aq shumë.
Ti do të heshtësh djalë,
ti do të heshtësh, burrë,
ti do të heshtësh, shpirt,
kur të mos jem më unë.
Dhe mjekra jote pshtetur mbi klavikul,
do të heshtë.
Oh, nuk do të jetë më ajo heshtje,
një nga ato që vibrojnë afrimin.
Ajo heshtje e madhe,
ajo heshtje e mungesës,
ajo heshtje e kthimit tënd,
në një, në një, në një.
Ti që gjithmonë me mua ishe dy,
dhe prapë njësuar,
po kurrë bir vetmie.
Do të heshtësh,
ti që aq pak flisje dhe heshtjet i krisje
ti që i kishe fjalët si guaska të rralla,
që m'u desh aq rrugë të eci për t’i gjetur,
do të heshtësh ti, që aq shume të desha,
Do të kthehesh në një burrë si mijëra
(kurrë nuk mbaron argatëria së ngrëni burra.)
Do të heshtësh. Do të çohesh. Do të ikësh që andej,
krahthyer drejt gojës së argatërisë do t'ikësh
duke t’u zvogluar trupi, shpatullat në largësi.
(Pika më raftë sa fort t’i desha shpatullat!)
Do të ikësh argati im, do të zhdukesh,
dhe këtu historia jonë do të mbarojë
historia jonë e padëgjuar
që e përgjonin yjet e pikuar
e që kapnim me dorë nën çati.



DELIRIUM 
I thyer, i errët, i vrertë
qëndroj dritë lëshoj,
mjaltë rrejdh nga vrujet e mija
e thyer në pikën më të dobët
të të mbeturit vetëm
që askujt s’i sjell dëm,
por mua më mbaron
prej dhimbjesh
që kullojnë ëmbëlsi
gjaku të shtypur
në vetmi.

Oh, gjeniale është kjo gjendje
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur
lumturinë e pafundme ndjej
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s'mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.

Lavdi! Ç'është kjo fjalë
nga mbërriti tek unë,
si ka dalë ?
(Me siguri ndonjë ambicion i dobët
i panatyrë.)
Kthehem nga kthehem nga natyra mbërrij
qëndroj, dua të gjykoj,
prap tërhiqem.
Kaq i bukur dhe njëhershëm i vdekshëm
njeri.
Kaq i zemërt dhe prap i vetmuar.
Kaq fuqi dhe po aq dyshim

Oh, padyshim,
shtjella inerte rilevon në ikje
çdo absolut relativ papritur.
Vetëm bukuria, ajo ka të drejtë
të pretendojë.

Përse ikni prej meje krijesa reale?
Në një përshkrim të ikshëm e sotmja
në të djeshme ndërroi
aq shpejt sa dot s'e konceptova
(thua ka jetë pa konceptim).
Dëshira uritet për një të nesërme
që nuk është imja.

Përse ikni prej meje krijesa reale?
jetoj një jetë sendesh gjithmonë të paqenë
dhe vetëm vetveten e kam në duar...
Oh, nuk ka lumturi si kjo,
por as pikëllim si ky s'mund të ketë.


 

MAMA DHE BIJTË 
Gjithmonë e më rrallë të shoh,
gjithmonë e më tepër
çuditem
si dola nga barku yt dhe ti je ime bije.
Sepse je e vogël, mama, e pafajshme
dhe lotët i ke të brishtë e të rinj.

Ti që u plake dhe qan si foshnje
kur duhet të gëzohesh
e që pikëllimi të ndjek si urith
pikërisht kur liria hap një shteg.
Po ti je e vogël, mama, e
pafajshme...

O zot, ç'deshi një njeri si ti
në këtë botë të sprovuar...
Ti akoma s'ke mësuar të gënjesh,
e shtrenjtë dhe duart i ke si dy
bonbone të vogla, të emblat duar, të sheqerta
nga lotët e tu.

Mirëserdhe mama!
Ja shtëpia, filaxhani i kafesë dhe mirësjellja ime
të serviret me kujdes, sofostike është, megjithatë
në modë...

Çoje kokën, përse qan?
Bijtë e tu janë rritur tashmë-
bisha sfiduese, s'i ndjek dot rreziku;
ty të duan
mishëredhimbsur, mama,
nuk të harrojnë,
më mirë vdesin,
Ke dhe ti në zemrën e tyre një dritare,
një oval gëzimi, drite e shprese,
sepse të tutë ishin naivët,
si kuaj lufte, me sytë e mëdhenj
ushqyer me ujëra kroi.

I deshe fort, mama, siç dite i deshe,
i mallkove fort, mama, sa munde i mallkove,
me zërin që e kishte si varg rruazash mbi gur...

Dikur...e mban mend, mama?
Në shtëpi këndoje,
ishe e re, e bukur
tani e kuptoj.
Perëndimi vdiste i lumtur për atë lloj kënge,
dhe syri yt i lumtur për atë lloj kënge,
dhe jeta ishte organike, mama:
luanin kalamajtë,
naivët që ti i rrite me delir horizonti...

Ja ku i ke perballë, të rrahur me jetë e me sprovë,
fëlligështia i ka vrarë, por gjakun nuk ua ka stërpikur.

Janë të virgjër, mama, të përdalët e tu,
janë të virgjër,
lakuriq të pambrojtur, me gjithçka të fituar me
dhëmbë.

Mos i shaj, mama, se bën faj. Mos i truaj.
Të kanë dashur, mama, të kanë dashur.
I duaj. (Kurrë prindi nuk mund të
mbërrijë dashurinë e fëmijës.)

Kthehu, ec në vete, mama,
mos qaj më.
Janë të fundit vjetë të tutë, në
këtë fëmijëri të dytë
mund të ngrohë pak dielli,
po t'i terësh sytë
Fshiji lotët, mama, jemi dërrmuar,
të buzëqeshësh pak, kjo është bukë për ne.

O fëmija im i dëshpëruar,
mëkati më i madh i perëndisë mbi dhe!


           

Në teatrin e verbër të përditshmërisë...


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Sabir KRASNIQI






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



ADEM ZAPLLUZHA




         


             Hyrje
           
            Adem Zaplluzha u lind më 1943 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë.


         Veprat e botuara

        1“Puthje”,  2.“Ecjet e viteve të mëdha”, 3.“Çamarrokët e Thepores”, 4.“Muret, 5“Morfologjia e dhembjes”, poezi, 6.“Ai vjen nesër” 7.“Letër nga mërgimi”  8.“Letër nga mërgimi 2 “  9.“Udhëndarja”,  10.“Thirrje e gjakut”,  11.“Asgjë sikur molla  12.“Vesa në lotin tim, 13.“Puthja e gozhduar”, 14. “Pema e bekuar”, e përkthyer në Ruumuni 15.“Kashelasha në vargje”,  16. “Bajraktarët e vatanit”,  17.“Hijet e ndryshkura”  18”Stuhi në Kutulishte” 19.“Posa ikte nata”,  20. Loja e myshqeve”,  21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, 22.“Metafora e heshtjes”,  23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,” 24. ”Sinorët e hinores”, poezi,  25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”,  26. ”Zjarri i dashurisë”, 27. ”Kur likenet vallëzojnë”,  28. “Ditari në vargje”,  20. “Tingujt që nuk përfundojnë”,  3o. “Shtegu i mallit”, 31. ”Korniza e thyer” 32. “Zgjimi i gjëmës”, 33. “Vallja mistike”,  34. ”Merre kodin”, 35. “Letër atdheut” 36 . “Tejdukshmëria e shiut”, 37. “Përtej teje”, 38. “Sa afër e sa larg”,  39. “Vallja e zanoreve”,  40. “Ikja e eshtrave”,  41. ”Kalorësit e mjegullave”,  42. “Hingëllimat e shiut”, 43 .“Kur pemët i ndërrojnë këmishët”, 44. “Mirëmëngjes Imzot”,  45. “Kafshimi i mikut”, 46. “Atje tej maleve”,  47. “Heshtja që del në shesh,”  48. “Portat e shpresës”,  49.“Në dhomën time gjysmë të errët”, 50. “Kinse Lojë Shahu”,  51. “Për çdo dekadë nga një baladë” 52.  “Fusha e mëllenjave”,  53. “E kujt është kjo vetmi”,  54. “Mos pyet për adresën e lumit” 55. “Stoli në parkun vjetër”  56. “Urori i stralltë”  57. “Po të mos ishte fjala” 58.“Thyerja e urave”,  59. “Trokëllimat në gjumin e dallgëve”,  6o. “Në flokët e dëborës”, 61. “Një grusht nostalgji”,  62. “Kur filluan të flasin njerëzit”,  63.“Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”,  64.“ Lisi në rrënjët e veta”,  65. “Eca ecëm dhe do ecim”,  66.“Fëmijët e erës”, Poezi,  67.“Çast në fund të stinës”,  68. “Si të flas me drurët”,  69 . “Më pëlqejnë mendimet e tua”,  70 . ”Andej dhe këndej kohës”,  71.“Zëri i heshtjes”,  72.“Kush i lexoi letrat prej erës”,  73. “Fluturimi i korbave në netët pa hënë”,    74 .“Koha e ime dhe koha e jote”,  75 .”Diku te një baladë”, 76. “Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”, 77. “Ky def prej hëne”,  78. “Pyesni zogjtë në ikje ” 79. 109 “Fërfërimë gjethesh”, 80. “Refrene yjesh”   81. “Te delta e mjellmave”,  82.“Rinjohja”,  83. “Diku në fund të një fillimi” 84. “Makthi i hijes”,  85.“Një zog prej uji”,  86."Druri i pikëlluar",  87. "Asnjë fjalë nuk frymon",  88. "Lëreni zërin tim",  89. "Mbi flokët e ullukëve", 90. "Sytë e gurtë të erës", 91. "Zjarri i mallit tim", 92"Dëneste bashkë me erën", 93. "Atdheu i paçmuar", 94. "Nëpër gjymtyrët e mjegullave",   95. "Kur era teshtin", 96. "Ndjekësit e enigmave",  97. "Një grusht dashuri",  98. "Kur dehen perënditë",  99."Daullet e një nate", 100. "Stina asnjanëse",  101. "Shi në qytetin tim",  102. "Psalm i harruar", 103. "Krakëllimat e natës", 104. "Menatë vijnë lejlekët",  105 ."Fjetëm njëqind shekuj",  106."Loti i gotës së dehur",  107. "Për kë po bie moj kambanë",  108. "Si trenat e verbër", 1o9."Mbi shpirtin e erës pagane",


            Referencat






ME KUFOMA TË NGRIRA

Zogjtë e ngrirë
Nëpër degët e thyera vrasin heshtjen
Dimri i sivjetmë
Paska veshur një këmishë të bardhë
Dhe duket se në ecje e sipër
Thua se i përngjan ndonjë spitali psikiatrik

Nëpër dhomat e mbushura
Me kufoma të ngrira
Kundërmon dita e plagosur
Një erë e rënd ngjyrë plumbi
Ankorohet në shqisat e të nuhaturit

Kolliten muret
Si të sëmurët nga tuberkulozi
Kolliten shtretërit e metaltë
Këto dritare të mëdha hapen
Vetëm njëherë në vjet
Kur dalin arkivolet e ngrira

Nëpër korridore të përgjumura
Vetëm bubuzhelët shohin ëndrrën
E lagështisë së mureve të çara
Me qindra vite
Dielli nuk paska hyrë nëpër këto dhoma


NGJANË ECJES SË KËTYRE MALEVE

Drurët e njomë të shpirtit
Me nga një copë alegorie në dorë
Ecin si të dehur nëpër histori
Parakalojnë nëpër varret e ushtarëve
Të njohur dhe të pa njohur
Më duket se po u përngjajnë gjyshërve

Ecja e tyre kishte një madhështi krenare
Ngjante ecjes së  këtyre maleve
Kur kollitej
Nga shpirtrat e gjetheve i pështynte
Të gjitha të ligat e kohës

Këta drurë sa shumë ngjajnë me parathëniet
E baladave të moçme
Edhe kur çmendet murrlani
Këndej pari
Nga secila degë pikon portreti i erës
Kurse nën shpirtin e gjetheve flenë alegoritë

Njerëzit dhe drurët e atdheut tim
Janë të ngjizur për këto male
Në shpirtin e secilit zgjohet
Një dashuri e paparë
Kur i dëgjojnë daullet e kushtrimit


MARSHOJNË MIQTË E MI USHTARË

Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Ecin nëpër natë të shurdhtë
Diku pas shpine
Kanë lënë peng nga një copë ëndrre
Turtujt e natës i ngjajnë lakuriqëve
Vetëm xixëllonjat  e kuqe
Ua hapin
Dhe ua tregojnë rrugën

Ecin nëpër natë
Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Depërtojnë nëpër shpirtin e sterrës
Për ta arritur qëllimin
I pret një rrugë e gjatë deri në atdhe
Një udhë e gjatë deri në liri

Ecin pa u ndalur askund
Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Secili kalon nëpër dhembjen e vet
Por gjithsesi ata s’ndalen
Ecin deri në fund
Nata është e gjatë sonte
Diku në mbarim të rrugës i pret liria


QË KURRË NUK E MËSOVA PANTOMIMËN

Mbrëmjeve të vona vjeshtake
Duart e mia të plagosura sërish
Sërish tjetërsohen
Në një gjendjen asnjanëse

Fryma e lehtë e pranverës
Përkulet mbi mua
Të cilën mund ta krahasoj me gruan
E një ëndrre të moçme

Më pastaj ulem mbi kujtimet e kaluara
I pyes kalimtarët
Për hidhërimet
Dhe zhgënjimet e mia  të vogla

Por prej asnjërit
Asnjë fjalë s’u del nga goja
Ngjajnë muranave të shembura
Dhe heshtin si përmendoret e akullta

Kalojnë edhe kuajt e paçjerrë
Mua domosdo më duhet të bëzaj
Nuk e njoh atë gjuhë të bukur
Të mëgojëzave
As të dizgjinëve prej lëkurës së buajve
Dhe pendohem tej mase
Që kurrë nuk e mësova si duhet
Pantomimën
Atë gjuhë të bukur të lëvizjeve të erës


PYES NJERIUN PËRBALLË MEJE

Për çdo ditë e më shumë
Në një pasqyre konvekse
I shikoj sytë e mi
Hundën dhe duart kah zvogëlohen

Pyes njeriun përballë meje
Kush është
Dhe nga cila dritare
Hyri në dhomën time të gjumit

Kjo heshtje e gurtë mortore
S’bisedon me mua
Asnjë fjalë nuk flet as me pasqyrën
Me një ironi të paparë më shikon

Shikoj edhe unë
Duke ironizuar siluetën e akullt
Nuk di dhe s’mund të kuptoj asnjëherë
Se cili jemi më kokëfortë

Unë dhe miku im përballë meje
Ose pasqyra konvekse
Por gjithsesi mbase që të dy ne
I kemi humbur sumbullat e kaltra të mendjes


PRANVERA KURRË MË E BUKUR SE SIVJET

Janë të madhërishme këto pamje
Nga thellësitë e padukshme
Si nga ëndrrat
Dalin në shesh zërat e atdheut

Zgjohen shpirtrat e fjetur
Të nëntokës
Dhe zbresin me legjendat e bardha
Teposhtë lumenjve

Vijnë edhe kalorësit e së kaluarës
Me dizgjinë prej ari
Dhe mëgojëza të çelikta
Kalërojnë nëpër kujtesën e fjetur të shekujve

Një pemë e vjetër
Që askush nuk ja di moshën
Këto ditë çeli ashtu siç çelin
Vetëm jargavanët e atdheut tim

Pranvera kurrë më e bukur se sivjet
Një stinë që vetëm njëherë
Zbret kaq hije rëndë nga malet
E buzëqeshur rri ulur nën pemët e harlisura

Shikon e shikon të kaluarën
Po ashtu edhe të ardhmen
Korbat me një xhelozi të paparë
Krakëllin në qiellin e lindur
Për herë të dytë në këto anë
Po zgjohen njerëzit
Nga një gjumë i përdalë


PAMË SKENA APOKALIPTIKE

Po guxove preke të pamundurën
Preke hirin e shiut
Që po i ngacmon plagët e çative
Kjo natë e gjatë
Nuk po i përngjan asnjë nate

Rrinë kacule mbi gurin e kujtesës
I prek të gjitha ato ëndrra
Që deshëm e nuk mund t’i pamë
Ishin të zhveshura
Të tejdukshme si frymëmarrja

Kjo rrugë e gjatë asgjë nuk tregon
Përpos lodhjes
Dikush nga sytë e verbër të malit
I shkuli me dhunë
Rrënjët e mbjella të pemëve

Çfarë nuk pamë në jetën tonë
Kryqe të ngulura nëpër shpirtrat e drurëve
Dhe nga gjethet e zverdhura
Se si pikonte dita
Pamë skena apokaliptike
Në teatrin e verbër të përditshmërisë


VRIMË NË ZEMËR

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




ALI SH BERISHA





          
             Hyrje
  
            Ali Sh. Berisha u lind më 20.05.1949 në fshatin Llukar, komuna e Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjimnazin, SHLP - dega e Albanistikës, Fakultetin filologjik - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
            Nga viti 1971 e deri në vitin 1976 punoi në Normale të Prishtinës, nga 2 shkurti i vitit 1976 e deri më 5 korrik 1990 punoi në Televizionin e Prishtinës, në vitin 1992 dhe 1993 punoi në Qendrën për Informim të Kosovës, nga viti 1993 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore "Zenel Hajdini" të Prishtinës, nga fillimi i vitit 2003 e deri në gusht të vitit 2005 punoi në Radiotelevizionin e Kosovës kur edhe migroi në Gjermani për shkak të martesës.
            Për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 dhe për udhëheqjen e referendumit për pavarësi në Kodrën e Trimave më 1991 u dënua me burg.
            Me kultivimin e poezisë u mor qysh si gjimnazist dhe vazhdon edhe sot. Kultivoi prozën e shkurtër për fëmijë si dhe shkroi tregime për të rritur, të cilat i botoi nëpër gazetat dhe revistat e kohës.  Nga viti 1990 u mor me hulumtime trashëgimore e historike.

            Botoi këto vepra:

            1. Dua ta pres lirinë (rrëfejza për fëmijë), 1996
            2. Krizantemë për Nëntorin e Tretë (poezi), 1997
            3. Bashkia e Llukarit (monografi), 1998
            4. Bashkia e Llukarit II - Masakrat serbe në Bashkinë e Llukarit (monografi), 2000
            5. Dhembje e krenari (poezi), 2001
            6. Flijimet për tokën e lirë në Gallapin e Prishtinës (monografi), 2002 (Kjo monografi është pjesa e VI e projektit "Gallapi i Prishtinës")
            7. Ujë dhe prush (poezi), 2003
            8. Gurë me rrënjë (roman historik), 2004
            9. Alfabeti i shpirtit (poezi), 2004
            10. Globi (roman për fëmijë), 2004
            12. Kuvendi i mbretërisë së lodrave (poezi për fëmijë), 2008
            13. Gallapi i Prishtinës I, 2008
            14. Gallapi i Prishtinës II, 2009
            15. Gallapi i Prishtinës III, 2009
            16. Muza e dhembjes (poezi), 2010
            17. Gallapi i Prishtinës IV, 2010
            18. Gjyshi ka siklet (poezi për fëmijë), 2011
            19. Gallapi i Prishtinës VII, 2012
            20. Çlirimi i shpirtit (poezi), 2012
            21. I kujt është dielli (tregime), 2013
            22. Gallapi i Prishtinës V, 2014
            23. Gallapi i Prishtinës VIII, 2014




INDÇELIK
(Akrostik për dëshmorin Bajram Bahtiri)

Bazamentit të kullës së lirisë iu fute edhe ti,
Ante, pasi vrave tradhtinë
Jelekun zbërtheve e pusi zure n'Kodër
Radhët e hienave qëllove thekshëm
Atëherë me motin e shkurtit në perëndim
More plagën që vetëm çlirimin do kishte shërim

Babë Hajrushi t'përcolli me dhembje
Atë dimër t'përvëluar në përjetësi
Hijet makabre i shikoi në sy dhe mbylli derën 
Tek n'zemrën e ndrydhur fuste gulçimën
Idilën e kuqe me rreze dielli
Rënkimin e hequr pranë altarit të lirisë
Indçelikun Besnik të atdhedashurisë



LIRINË E DUA SI SYTË E MI
(Pranë lapidarit të heroit Zahir Pajaziti)

Ju që jeni rreshtuar
në shkallët e amfiteatrit
nëse nuk e dëgjoni zërin e heroit
pikasne zemrën tuaj
në sytë e të afërmit
dhe do të ndjeni tek vjen
herë si murrlan e herë si fllad vere
fjala e njeriut në bronz
dhe shpërthen murmurimshëm heshtjen
- Lulen e lirisë e mbolla
Ju ushqejeni të jetë liri –



MAJI I BLERTË

Thuhet nga balta ka lindur njeriu
nga gjelbërimi engjëlli
por unë jam nga ashti e mishi
që të digjem e piqem
për blerimin që zë fill

Maji përsëritet e përsëritet
e unë lutem e lutem
shëndetshëm si hithi
e fort si hekuri
ndërsa engjëlli im çelë pesëshe
me mjaltin në gjuhë
me agimin në sy



UNË E KAM GJET HËNËN TIME

Nuk kishim zili askënd
në rrugën e qumështit
në bashkimin e orbitave
brenda galaktikës sonë

E gjeta a më gjeti zoti e di
dhe që të dy kënaqemi
kur galaktika pjellë yj e hëna
brenda orbitës së dashurisë

Përpiquni të keni orbitë të njëjtë
por kurrsesi kopje jona
se mund të keni vetëm përplasje
dhe djegie e fikje me dhemb



VRIMË NË ZEMËR

(Zonjës Silka Liria Blumbach)

Ndjeshmëria s'pikë prej qielli
as merret hua nga askush
është dhunti e zemrës së vrimuar

Padashtas në atë zemër hyjnë
edhe zemra prej guri
me fshikullima vrastare

Ndjeshmëria rritet e përfundon
në lotin e padukshëm
që rrëshqet në lumin e amshimit

Le të shërbejë ajo vrimë si zurna
dhe melodi dashurie
të mos e njohë vdekjen asnjëherë
  

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

         Shkruan Akademik Flori Bruqi Qafa e Çakorriit  ose  Çakorri  është një qafë mali që shtrihet në  Alpet Shqiptare , në kufi në mes M...