Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/09

Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve”

 Ismet Azizi

EKSKLUZIVE: Dy vendime  “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve” - Ismet Azizi
















Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera.
Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve  rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.
Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, "të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke" nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës  dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që  Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total  20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.
Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi  Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.
Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua  për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Teksti i dytë paraqet  projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit  dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është  propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit  të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik  mund të llogarisnin  vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit.
Pothuajse të gjithë propozimet  e përfaqësuesve të  Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat  projekti propozon për "shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri": Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe  thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve  nga  rrethet kufitare në  stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil "të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim", transferimi e zyrtarëve shqiptarë  në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.
Tekstin po e paraqesim  (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.
Procesverbali  i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen  e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Prezent:
- nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia  Milikiq, Shef i Seksionit të  IV repartit  politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;
- nga Ministria e Bujqësisë: g.  Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;
- nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;
- Nga Shtabi i  Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;
- nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;
- nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç,  zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General  i drejtorisë së hekurudhës.
Seancën e udhëhoqi  g. I Milikiq. Procesmajtje e  udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të  Ministria e Punëve të Jashtme.
Seanca u hap në ora 18
***
G. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet  çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak  problem të rëndësishëm.
Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit  të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore  numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka  vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se  elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme konstaton  se vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet  Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.
Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston  mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të  kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe  me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh  që turqit nga Rumania, të cilët janë  rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të  kompensohen nga qeveria rumune.
Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen  të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin  e gjërave me  anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e  kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan  mbetur të pa shitura, sikurse  pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh  me qeverinë turke.
Qeveria e Shqipërisë, e cila më parë ka qenë e gatshëm të pranojë një numër të caktuar të shqiptarëve tanë, tani  thotë se kjo nuk mund të bëhet për arsye financiare. Megjithatë, ne besojmë se  këtë nuk e bënë  për shkaqe  kombëtare: ajo nuk dëshiron të reduktojë numrin e Arbanasëve [Shqiptarëv] tek ne për shkak të pretendimeve të ardhshme territoriale. Qeveria turke, në të kundërtën, ka miratuar për  emigrantët e saj deri në vitin 1936. 3.000.000 lira turke.
Ligjit mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave; por megjithatë ka disa vështirësi nga  ana jonë.
Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e  deklaratave  për largim  gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen.  
Vështirësi tjetër është likuidimi i pasurisë së patundshme të të shpërngulurave. Kjo çështje deri diku mund të zgjidhet  me huanë të cilën Ministria e Bujqësisë mori nga  Bankën Hipotekare Kombëtare  në vlerë prej 21,800.000 dinarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që e kanë likuiduar tashmë pronat e tyre, hasin në vështirësi në marrjen e pasaportave, duke pasur parasysh formalitetet mëdha të mbledhjes së certifikatave. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që këto vërtetime të lëshohen sipas detyrës zyrtare.  
Ata emigrantë, kryesisht të varfër, nuk munden vetë t’i bartin shpenzimet e transportit. Prandaj, është e nevojshme që të sigurohet transport  pa pagesë deri në kufi ose të paktën një zbritje prej 75%. Megjithatë, Ministria e Transportit nuk do të bëjë ndonjë lëshim nga rregullorja për tarifa.
Si do që të jetë, dëbimi duhet të bëhet me një plan të caktuar. Për shkak të kredisë së kufizuar që posedojmë, duhet të përcaktojmë se cilat rrethe, nga arsyet ushtarake dhe politike, duhet në radh të parë t’i shpërngulim.
G. Milivoje MILÇIQ konstaton se çështja e  shpërnguljes së myslimanëve nuk është e re, sepse ka  ekzistuar që nga viti 1878 (Muhaxhirët). Është e re në raport me § 55, i cili  deri në vitin 1933 mbeti  vetëm në letër. Më në fund në këtë vit qeveria shqiptare e ka ngitë këtë çështje, me qëllim  ë zgjidhjes çështjen e shtetësisë të atyre shqiptarëve, të cilët për çfarëdo arsye kishte ikur nga vendi ynë në Arbani. § 55 vlera e së cilës u cilësua më 1 nëntor të 1933 është vazhduar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më 1 nëntor 1938. Nga ata që dhënë  deklarata, rrallë rrallë kush është shpërngulur duke marrë parasysh faktin, që qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për imigrim.
 Deri më tani, janë shpërngulur në Turqi vetëm rreth 20.000. Për Shqipëri  janë dhënë rreth 2000 deklarata, por asnjë nga këto nuk iu është dhënë leje për tu vendosur në Shqipëri. Turqit në vendin tonë paraqesin një element të qetë, të shkëputur nga metropoli (Stambolli) nuk u janë nënshtruar propagandës nacionaliste. Tek  Shqiptarët situata është krejt e ndryshme në lidhje me faktin se u vendosën në masë të dendur në rajonet kufitare (në disa rrethe mbi 90% nga numri i popullsisë së përgjithshme).
Ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe brenda disa muajsh ne mund të zgjidhim çështjen e dëbimit të turqve. Turqia pranon të gjithë njerëzit e kulturës turke dhe në këtë mënyrë do të jemi  në gjendje t’i shpërngulim një pjesë të Arbanasëve.
Në asnjë mënyrë viktimat nuk do të ishin të shumta, për tu zgjidhur kjo çështje. Ministria e Bujqësisë, me anë të një organizimi  të planifikuar, duhet ta shkatërroj kompleksin Arnaut, duke i vendosur në çdo fshat   disa familje tona, dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë  duhet krijuar një brez të pastër pa shqiptarë.  
Z. Vojislav MAGOVÇEVIQ thotë se Ministria e Bujqësisë kryen kolonizimin për 15 vjet me radhë. Më së shumti  u shpërngulën nga rajonet pasive(Bosnja, Lika, Hercegovina, Mali i Zi). Me këtë veprim janë konsumuar të gjitha sipërfaqet e lira që i kishim në dispozicion, por janë edhe 17.000 familje të cilat kanë aplikuar për ndarjen e tokës dhe janë në pritje për t’iu krijuar mundësinë për vendosje (kolonizim ) në rajonet jugore.
E vetmja zgjidhje e problemit do të ishte, shpërngulja e elementit turk dhe shqiptar, i cili është veçanërisht i fortë në 17 rrethe; atje relacioni është 73% me 27% në dëm të popullatës sonë. Arsyet kombëtare kërkojnë të vazhdojmë me kolonizimin pikërisht pran kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, tani Ministria e Bujqësisë ka marrë një kredi prej 21,000.000 dinarë në Bankën Hipotekare Kombëtare për  blerjen e pronave turke dhe shqiptare në jug të Serbisë. Nëse dëshirohet të blihen 15.000 hektarë tokë, ku do të  mund të vendosen 3000 familjet e kolonistëve tanë, atëherë do të ishte  e nevojshme një shumë prej 30.000.000 dinarë. Megjithatë, disa do të donin të  fitojnë  transport falas deri te kufiri turk, dhe për këtë kishin me dhënë pasuritë e tyre pa pagesë.
Përgjatë zonës kufitare me Shqipërinë, ku është rreth 85% e popullsisë shqiptare, është aktiv edhe Komiteti Shqiptarë, të cilin e ndihmon qeveria shqiptare, e cila inkurajon shqiptarët të mos shpërngulen.  
Ne do t’u  jepnim para për prona vetëm personave të cilët marrin pasportë valide, të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë të paguara të gjitha taksat; ata menjëherë do të hipin në tren. Praktika e mëparshme e policisë së qeverisë sonë, kur ka lëshuar pasaportë me vlefshmëri prej gjashtë muajsh, ishte e gabuar, sepse këta persona nuk kanë humbur shtetësinë, dhe kështu ata u kthyen.
Duhet përpiluar një plan dhe program për shpërngulje  me  idetë kryesore. Në këtë drejtim, me siguri  do të mund të shërbejë si një marrëveshje bazë me Rumaninë.
G. Ilija MILIKIĆ pastaj kalon tek masat të cilat  duhen ndërmarrë për eliminimin e vështirësive,  të cilat po pengojnë shpërnguljen e popullsisë jo-sllave në bazë të § 55 të Ligjit mbi Shtetësinë. Këtu do të vinte në shprehje: lëshimi i pasaportave pa pagesë, lirimi nga të gjitha detyrimet, dhënia e mundësisë që pa pagesë të arrihet në kufirin shtetëror në këmbim të pasurive të paluajtshme në shfrytëzim të shtetit, nënshkrimi i  një konvente me Turqinë, të ngjashme me atë të Rumanisë, lirimi nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, duhet  thjeshtuar procedurat  administrative me rastin e nxjerrjes së çertifikatave të shumta, të cilat janë të nevojshme për të shpërngulurit.
Me qëllim të zbatimit sa më të shpejtë të këtyre masave në jetë, g.Milikiq propozon organizimin e një Komiteti të ngushtë, në të cilin do të hyjnë g. M. Milçiq, kolonel, J. Sokolloviq, D. Tadiç dhe V. Magovçeviq, me detyrë të hartimit të një projekti të masave të cilat duhet të ndërmerren për të shpejtuar emigrimin e popullsisë jo-sllave, e cila do të paraqitet në Këshillin Ministror për miratim.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan me këtë propozim.
Z. Kolonel  J. Sokoloviç, thotë se ai ka disa propozime pavarësisht Konventës, e cila do të arrihet me Turqinë, për të përshpejtuar shpërnguljen e popullsisë jo-sllave.
1. Me  forcën  e ligjit t’i detyrojmë t’i kryejnë të gjitha detyrimet  tatimore;
2. Emigrantët të largohen nga trevat e banuara me turq dhe shqiptar, sepse edhe ata të cilët llogariten si miq tanë, bëjnë propagandë kundër shpërnguljes;
3. për shkak se turqit tanë nuk konsiderohen si pakicë kombëtare, të detyrohen fëmijët e tyre të vijojnë shkollat tona kombëtare, sepse deri tani ka ndodhur që tre të katërtat e të rinjve të kësaj ane, të cilët vijnë në shërbim ushtarak, shkruajnë vetëm turqisht;
4. të lëshohen  njoftime konfidenciale për ata që nuk shpërngulen, të mos pranohen në shërbime shtetërore dhe as  në shërbime publike ;
5. këto treva  të shënohen me emra tonë  nacional ;
6. të krijojmë zonën e banuar me elemente tona përgjatë kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, të fillojmë kolonizimin e hapësirave  pran kufitare, kështu që të shkojnë në mënyrë sistematike në drejtim të brendshëm. Kjo çështje të zgjidhet pjesë-pjesë, planin e aprovuar për 10 vitet e ardhshme.
Si masë të parë për organizimin e shpërnguljes të elementit jo sllav g. Kolonel J. Sokoloviq  propozon krijimin e një komiteti të përhershëm intern, i cili  do të mbetet i tubuar me përgjegjësi të plotë, pavarësisht juridiksionit.
Të gjithë që ishin të pranishëm u dakorduan me këtë propozim.
Konferenca sjell konkluzionin e mëposhtëm:
1. Duhet iniciuar  çështjen e shpërnguljes me  qeverinë turke dhe të përpiqemi  për të zgjidhur të njëjtën gjë në një mënyrë të ngjashme si ajo që bëri Rumania, pra  përmes një konvente speciale.
2. Kushdo që dëshiron të shpërngulet, duhet t’iu epen pasaporta pa pagesë.
3. Të gjitha këta persona duhet të jenë të liruar nga detyrimet ndaj shtetit (tatimet, taksat vendore, etj).
4. Atyre që ofrojnë pasuritë e tyre të patundshme në këmbim të transport falas deri në kufi, t’ju bëhet e mundur një gjë e tillë, ndërsa atyre të cilët i kanë shitur pasuritë t’ju mundësohet  75% zbritje.
5. Këta persona duhet liruar nga pagesa e detyrimeve të inventarit të vdekur, të cilin e bartin me veti, sikurse edhe paratë.
6. Ministria e Ushtrisë dhe Marinës tashmë ka nxjerrë një urdhër që të gjithë personave, të cilëve u jepet leja për shpërngulje pa marrë parasysh se a kanë obligime ushtarake. Gjithashtu, duhet liruar ata që duan të shpërngulen, edhe nëse janë  në kryerjen e shërbimit ushtarak.
Komiteti i ngushtë, do të përpiloj një plan projekt për shpërngulje, i cili në konferencat e ardhshme ndërministrore definitivisht të pranohen dhe t’i dorëzohet  Ministrit të Bujqësisë.  Zoti ministër i Bujqësisë do ta sjellë para Këshillit Ministror, i cili do të sjellë zgjidhjen e caktuar.
U mor vendim që komiteti i ngushtë të takohet më 24 shtator 1935. Në ora 9 në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Seanca përfundoi në ora 20.
Proces mbajtës Dr. Feodor Koreniç d.v, Dr. Jozo Logar d.v.
Takimin e kryesoi Ilia Milikić d. v.
20 shtator 1935. Beograd
Projekti i Konferencës së Komitetit të Ngushtë mbi shpërnguljen e elementit jo-sllav nga jugu i Serbisë
Për zgjidhjen e vendimeve te  Konferencës ndërministrore të 20 shtatorit të 1935, komiteti i ngushtë është takuar më 24 shtator të këtij viti, i cili për çështjen e shpërnguljes së popullsisë jo-sllaves së vendit tonë, konkretisht nga Serbia Jugore, sipas nenit 55 të Ligjit për  Shtetësi,   ka marrë këtë përfundim:
1. Çështjen e shpërnguljes duhet rregulluar sa më shpejt sipas konventës speciale midis vendit tonë dhe Turqisë, si dhe në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, sipas formës  që kjo çështje është rregulluar ndërmjet  Turqisë dhe Rumanisë.
2. Në rast se me Shqipërinë nuk mundemi të arrijmë  marrëveshje për shpërnguljen e Shqiptarëve në Shqipëri, ose shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të shpërngulën në Turqi, duhet menjëherë të aplikohen ligjet në fuqi për detyrimin e këtij elementi të zhvendoset nga zona kufitare në brendësi dhe të njëjtat treva të popullohen me popullsi sllave.
3. Për të gjithë ata persona të cilët, në bazë të nenit 55 të Ligjit për Shtetësi t’u ipen deklaratat me të cilat do të heqin dorë nga shtetësia jonë, për një kohe të caktuar të shpërngulen jashtë vendit tonë, t’u mundësohen përfitimet e mëposhtme:
a) t’iu lëshohen pa pagesë pasaporta të emigrantëve, sipas rrethanave edhe kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj shtetit (taksat, tatimet, ushtria, etj);
v) në rastin kur personat të cilët shpërngulën, kanë hipoteka dhe borxhe private (letra me vlerë, obligacione  dhe dokumente të ngjashme), të bëra deri më 1 shtator 1935, t’iu  paguhen pasuritë të tyre të paluajtshme në vlerën e paraparë ;
g) t’ju sigurohet transporti pa pagesë deri në Selanik dhe Svilengrad, nëse kanë deklaruar se të gjithë pasurinë e tyre e paluajtshme t’ia lënë shtetit  tonë. Gjithashtu kjo vlen edhe për emigrantët e varfër;
d) t’ju lejohet zbritje në shfrytëzimin e hekurudhave për 75% e personave të cilët qëndrojnë mirë financiarisht apo që më herët kanë shitur pronat e tyre;
f) të lirohen nga të gjitha pagesat për eksportin e inventarit të vdekur dhe të të  hollave;
e) të lirohen  nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje nga: rekrutimi, dërgimit në ushtri, shërbimit ushtarak, ushtrime ushtarake. Nga kjo mund të bëhet përjashtim, nëse shpërngulën brenda  një viti nga data e dhënës së deklaratës.
4. Për një migrim më të suksesshëm dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi, ose Shqipëri, komiteti ka ardhë në përfundim se është e dobishme për të marrë këto masa:
a) me të gjitha mjetet të parandalohet  dhe të përjashtohet çdo propagandë që bëhet në mesin e këtij elementi kundër shpërnguljes e cila kryhet nga  Shqipëria;
b) nga popullsia  jo-sllave që vjen në konsiderim për shpërngulje, të kërkohet  zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me pagesën e detyrimeve fiskale (tatimet, mbi-tatimet, shërbimet ushtarak, etj);
v) sa më shpesh të jetë e mundur në territorin e Serbisë së Jugut, veçanërisht nga trevat   kufitare  të thirren në ushtrime ushtarake, ushtri rezervë me origjinë jo-sllave, pa marrë parasysh  ushtrime apo  manovra, qoftë për ndërtimin e  rrugëve  ose objekteve fortifikuese;
g) kryesisht mos të pranohen në shërbimin civil (dhe publik) personat të cilët janë emigrant potencial, ndërsa ata që tashmë janë në shërbime të tilla, të shpërndahen në zona ku jeton popullsia jonë;
d) të zbatohet në mënyrë rigoroze principi  i arsimimit të detyrueshëm të fëmijëve të këtyre trevave në shkollat tona fillore;
f) në mënyrë strikte të zbatohen të gjitha rregullat e popullimit të rajoneve jugore, kryesisht viset kufitare) menjëherë të ndërmerren masat e shtetëzimit të objekteve gjeografike (vendbanime,lumenj, male, etj) me emërtime tona. Kjo vlen për mbishkrimet publike, emrat e kompanive, reklamave, etj;
e) Të gjitha masat e përmendura, tërësisht dhe menjëherë duhet të zbatohen duke filluar nga  vija kufitare me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit tonë.
24 shtator 1935. Beograd

Vepër e madhe që zhvesh Mashtrimin e Madh!


 Prof.Dr.sc.Jakup Krasniqi


Vepër e madhe që zhvesh Mashtrimin e Madh! - Jakup Krasniqi




















Në 16 vjetorin e krimit kundër njerëzimit që forcat serbe e kryen në fshatin Reçak, ish- udhëheqësi i Grupit Diplomatik të UÇK-së, politologu Bardhyl Mahmuti, dorëzoi për botim librin e tij të titulluar: «MASHTRIMI I MADH».
Pasi kam lexuar në dorëshkrim këtë vepër, në cilësinë e historianit them pa hezituar që Bardhyl Mahmuti i ofron lexuesit një vepër monumentale e cila hedh dritë mbi shumë çështje që kanë qenë objekt i manipulimit me opinionin publik ndërkombëtar.
Autori Mahmuti një kapitull i veçantë i kushtohet vrasjes së civilëve të pafajshëm në këtë fshat. Kur të lexohet me kujdes ky libër lexuesi do të shohë se çka fshihet prapa debateve dhe polemikave lidhur me cilësimin e kësaj tragjedie si «masakër» apo mohimin e këtij cilësimi. Duke u mbështetur në konventën ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, që përbën bazën juridike të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, autori e vendosë edhe këto vrasje në kuadër të politikës së gjenocidit që pushteti i Beogradit e kishte përgatitur dhe zbatuar kundër shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në kuadër të një analize të këtillë sqarohet pse spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe vrasjet që kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik të shqiptarëve të Kosovës, përbëjnë gjenocid.
Krahas ndriçimit të kësaj çështje thelbësore, në veprën e Bardhyl Mahmutit trajtohen në mënyrë shkencore dhe zhvishet në tërësi ajo që fshihet prapa cilësimit të shoqërisë shqiptare “si shoqëri klanore”? Pse nocioni «mafia shqiptare» është sajuar me qëllim të stigmatizimit të UÇK-së? Kush e sajoi këtë nocion dhe kush janë intelektualët që hynë në kumbarinë e përhapjes së kësaj sajese?
Ngushtësisht e lidhur me këtë formë të stigmatizimit të shqiptarëve dhe UÇK-së autori sqaroi se kush e sajoi gënjeshtrën për “Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzish në Kosovë”. Në cilat burime informative u mbështetën Carla del Ponte, Dick Mart-y dhe dhjetëra personalitete të orientimit ideologjik të majtë apo të djathtë që shpërndanë këtë gënjeshtër? Kush qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë? Çka përmbajnë listat e krimeve që i vishen UÇK-së? Pse krijimi i Gjykatës Speciale për të hetuar akuzat e Dick Marty-t është diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë? Këto dhe shumë pyetje tjera të lidhura me Mashtrimin e Madh me opinionin publik gjejnë një përgjigje shkencore në librin e politologut Bardhyl Mahmuti.
Se shpejti do të keni mundësi ta lexoni, librin: “Mashtrimi i madh” me autor Bardhyl Mahmutin.

2015/02/08

Flori Bruqi : VLERA ARTISTIKE DHE EDUKIMI ESTETIK NË LIBRIN ,,SEMANTIKA E BREGUT TJETËR" TË KADRUSH RADOGOSHIT


Libri ,,Semantika e bregut tjetër” është libër eseistiko-shkencor me një tematikë relativisht heterogjene. Librin, Mr.sci.Kadrush Radogoshi e botoi sivjet në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.
Ky libër krijon një realitet të ri në eseistikën tonë. Është një dëshmi e punës drejtë sforcimit të diskursit letrararo-shkencor, që i sillen atij vërdallë në duhitë e jetës prej një studiuesi të mirëfilltë, që ishte dhe është gjithmonë më kohë dhe në kohë studiues.

Është kjo intenca estetike e intelektualit, të cilit shpirtrat e vegjël e mediokër e herë herë edhe gjysmë analfabetë ia kanë zili, ngase ky kishte dhe ka rrugën e tij të veçantë prej krijuesi, studiuesi dhe artisti.
Kadrushi interpretimin dhe vlerësimin e kryepersonazheve letrare e bëri në mënyrë shkencore: Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Hajdar Salihu,Tahir Desku, Iljaz Prokshi, e dhjeta shkrimtarë të tjerë .
Kadrushi trajtoi një nga temat më specifike të artit, vetë qenësinë e artit, apo “qenien letrare”- siç do të thoshte studiuesi i madh francez i letërsisë, Zherar Zhenet! Radogoshi e ngriti ,,bregun tjetër brenda nesh “ në piedestalin e perlave më të mira të artit dhe për artin, në rrafsh universal letrar, duke u marr si tekst bazë edhe për shumë interpretime të fenomenit të artit.

Prej faqes së parë të librit dhe punimit ,,Ahmet Korenica në mes të harresës dhe semantikës Homerike”(faqe,11-48), lexuesi ndesh një thyerje të zakonshmërisë së interpretimit, vlerësimit, shtrimit dhe argumentimit të tezave. Domethënë, teksti interpretues nuk ndërtohet sipas një tradite diskurseve stereotipe, të ndonjë skematizmi,i cili shpeshherë shndërrohet në Shtrat të Prokrustit për veprën letrare.

Eseisti, studiuesi dhe shkrimtari Kadrush Radogoshi bashkëdyzon stile e metoda, bagazhin e tij teoriko-letrar, historiko-letrar, gjuhësor, filozofik, psikologjik, antropologjik e gërsheton me imagjinatën dhe kreacionin. Ky model, ky diskurs i bie në sy lexuesit posa ta ketë lexuar studimin shterues ,,Ahmet Koronica në mes të harresës dhe semantikës homerike”. Bile, mund të themi, se edhe mendimet perla të vëna në pozicionin e epigrafeve në fillim të këtij punimi dhe të cikleve tjera të këtij libri na e sugjerojnë një gjë të tillë.

Gjithçka që thuhet për figurën e madhe të historisë sonë Ahmet Koronica është rezultat i përpjekjeve serioze të autorit për ta ndriçuar figurën historike nga të gjitha aspektet brenda kontekstit të ngjarjeve të mëdha historike duke u bazuar në dokumentin historik dhe në faktin artistik, i cili nuk është në përputhje (kuptohet në aspektin sasior) me përmasat e mëdha të figurës historike. Autori stigmatizon harresën tonë proverbiale, troket me forcën e çekanit moral e intelektual në ndërgjegjen tonë të përgjumur, e cila ka qenë njëra nga shkaqet kryesore pse na është përsëritur historia dhe tragjika që sjellë ajo.

Shkrimi i Radogoshit “Simbolika e mbijetesës dhe obduksioni i tiranisë””, karakterizohet nga stil metaforik i rrëfimit, në të cilin reflekset dhe imagjinacioni autorial, ecin paralelisht, për të përplotësuar intencën e afishuar në titull; portretizimin e shkrimtarëve tanë më të mirë që ishin torturuar nga regjimi sllav(Adem Demaçi,Fazli Grajçevci,Rexhep Elmazi,Jusuf Gërvalla etj), në mënyrë shkencore analizon “Fatin e lulëve”të Kadri Rexhës, si dhe romanin modern “Rrotull” të Jusuf Gërvallës etj.

Kadrush Radogoshi përmes këtij libri ngrit në piedestalin e lartë Kauzën kombëtare dhe të Artit letrar gjatë interpretimit kreativ të librit ,,Baladë për kthimin e nizamëve” (2005) të shkrimtarit tonë të mirënjohur Hajdar Salihu në esenë me titull ,,Konsolidimi i një poetike autoriale”(faqe, 63-70).
Madje sekuenca të tëra narrative që zhvillohen në tekstin ,,Roman epistolar, i personazhit,

autobiografik apo enciklopedi e shpirtit” (faqe 70-80), ecin në përmbushje të kësaj logjike letrare. Janë këto efektet e kauzës që bëjnë personazhet e pathyeshme autobiografike, të cilat shpalosin enciklopedinë e shpirtit në mënyrën epistolare të shkrimit të romanit. Është fjala për romanin e Adem Demaçit ,,Dashuria kuantike e Filanit” (Buzuku 2008).

Në botën e Radogoshit është ndrydhur pasioni për të bukurën dhe lirinë e pakufishme dhe artikulohet nëpërmjet interelacioneve dhe diskurseve, që konstruktojnë tipin e prozës, që ne, e cilësojmë si roman të edukimit estetik (Kronotopi i burgut në romanin “Hetimet”,Suedi,2000)të Shefki Osekut. Këtë dimension karakteristik letrar, por edhe narratologjik e përplotëson kuadri i rrëfimit që e zhvillon Radogoshi përmes mekanizmave funksional në procedimin letrar.

Ndaj protagonisti i romanit,të Shefki Osekut,Arbën Thaçi,e përshkon një dimension i natyrshëm psikologjiko-antinomik.

Në këtë studim eseistik Kadrush Radogoshi vetëm kthehet në respektin e performansës së tij, që rrjedh nga rebelimi personal dhe i pavarur, që kërkon liri të pakufishme në atdheun e robëruar. Dhe këtë e gjen vetëm në botën e artit, ku noton shpirti i tij i pasionuar. Për të sforcuar këtë diskurs, autorin e shkrin flaka e diellit më ,,Estetika e lirisë” (faqe 93-100) për librin e ,,përjetësisë” apo të ,,Identitetit artistik” (2005) të prof. Dr.Shyqri Galicës.

Kjo shenjë letrare e tij, shifet në shkrimin ,,Një vepër e rëndësishme epistolografike” (faqe, 101-106) koincidon me dëshirën e pakufishme për liri të mendjes, pa kufizime të një libri të veçantë në epistulat e librit të Rasim Selmanajt më titull”Peizazhi i ëndrrës”(2005).

Kritika letrare librin ,,Semantika e bregut tjetër”, e ka cilësuar edhe si prozë empirike, e formësimit jetësor e artistik, të semantikës së një simboli që është vet “Lumi”(faqe 111-123) shkrim mjaft domethënës me të cilin autori ka marrë pjesë në Festivalin Ballkanik të Eseistëve në Strugë (2007). Studiuesi Kadrush Radogoshi është një Franc Kafkë-shqiptar, i cili në eseistikën moderne karakterizohet më stilin e tij (specifik) eseistiko- letrar, më një tekstualitet dinamik të realizuar në shkallën më të lartë të formësimit, larushisë stilistike, narratologjike dhe estetikes së veçantë të tij.
Nga kjo pikëpamje autori bëri thyerje estetike në shkrimin e tij ,,Lament për poetin Maliq Lila” (faqe 125-137), Në të cilin janë gërshëtuar mjeshtërisht erudicioni dhe kreacioni.

Që këndej shkrimet e tij janë vlerësuar si të veçanta për shumë arsye, në kulturën letrare shqiptare (Poeti Tahir Desku,i veçantë me jetën dhe veprën”(faqe,138-141).

Autori Kadrush Radogoshi në procesin e krijimit letraro-eseistik , synoi një filozofi të re në të shkruarit duke vënë theksin mbi teknikën semantike të paraqitjes, që shkon drejtë një gjuhe të figurshme, me përshkrime dhe krahasime të gjetura letrare, që kurdoherë korrespondojnë thellë me dimensionin psikologjik të personazhit hero, dhe korrelacionet intertekstuale që ruan teksti me krijimet e mëparshme letrare si pjesë e reminishencës letrare. Në fakt, sajesat intertekstuale përbëjnë një segment me rëndësi në konstruktimin eseistik në fjalë, nga fakti se autori është jo vetëm letrar por edhe dijetar i pasionuar i letërsisë së përbotshme...

Radogoshit i pëlqen depërtimi në psikologjinë e personazhit, prej ku zhvillohet narracioni. Kësofare, formëson personazhin letrar edhe si hero të narracionit, i cili ndërlidh marrëdhëniet mes narratorit dhe narracionit.

Kadrush Radogoshi pa dyshim mbetet një ndër autorët më të mëdhenj të shekullit të 21-të në Arbëri.. I karakterizuar si shpirt antikonformist, K. Radogoshi ndërtoi portretin e heroit letrar, në rrugët e sfilitjes së brendshme, drejtë kërkimit të sublimes së bashkëdyzuar me të bukurën dhe të vërtetën, koncepcione këto që formësojnë trajtat e stilit të veçantë...

Janë këto shenja të rrugëtimeve autoriale, drejtë synimeve dhe gjetjeve sa më të thella të mistereve të artit, realizuar përmes koloritit të pasur poetik, me narracion dinamik e semantikë ambiguele, ku dramaciteti i gjuhës letrare përplotëson koncepcionet ideomatike. Radogoshi funksionalizon figura kryetipare, të cilat sublimojnë në shkallë të lakmueshme parakonceptimet estetike të imazheve letrare, përmes sekuencave narrative që ndërlidhën me krijime të njohura letrare, antike e biblike. Mbase edhe krijime të ndryshme poetike, me të cilat interkomunikon teksti letrar në gjitha nivelet e organizmit.

Në letërsinë tonë, studimi eseistik ,,Semantika e bregut tjetër” mbetet afreska më e arrirë në interpretimin e artit, përmes artit, zhanrit eseistik.

Nisur nga ky mendim, me të drejtë ky tekst eseistik e shkencor i Kadrush Radogoshit mund të cilësohet studim i edukimit estetik, sepse gjithçka ndodh, ngjarjet dhe situatat narrative si elemente funksionalizohen, dhe ecin në funksion të kësaj intence letrare, shkencore për të triumfuar fuqia e artit, efektet e të cilit reflektohen edhe brenda personazheve.

Në këtë dimension, studimi i Kadrush Radogoshit mbetet si studim ashtu sikur ,,arti poetik” i Horacit, tekst ku teoritizohen shumë çështje që lidhen me artin, shtrohen mendime të rëndësishme për marrëdhëniet në mes të artit dhe jetës e historisë, gjenden përsiatje lidhur me fenomenin e qenies letrare, dimensionit estetik të shkrimit.

Radogoshi këto sekuenca i konstrukton me një narracion dinamik, ku mbërthehet në dilema dramatike. Për të sforcuar diskursin letrar, autori i jep studimit të tij dimensione polisemantike, shpërfaqja e të cilit zhvillohet përmes relacioneve që ndërton teksti me tekstet pararendëse, që shfaqën në intencën letrare, çdo tekst është intertekst (Ronand Barti). Këtë teori letrare e sforcon Radogoshi edhe kur interkomunikon lidhur me perceptimet metafiksionale.

Inkuadrimi i diskursit antik dhe religjioz e biblik shifët në epopenë e Prekazit më heroikën dhe tragjikën e saj “Hamëz Jashari dhe vallja e përjetësisë”(faqe:169-174), bëhet me pikësynimin ideor; në drejtim të pikasjes së gjithanshme të karakterit të portretit të Hamëz Jasharit, në dramat shpirtërore, të Oso Kukës,Mic Sokolit,apo legjendarit Adem Jashari.

Në këtë kontekst, autori arrin të realizojë me mjeshtëri narrative, plasaritjet e njëpasnjëshme në qenien e personazhit letrar.


Prishtinë,18.4.2008

Botuar më dt: 19/04/2008/ në webin :

http://floart-press.blogspot.com/…/flori-bruqi-vlera-artist…

BILAL XHAFERRI - NJË SHQIPONJË ÇAMËRIE

 Rasim Bebo.



BILAL XHAFERRI - NJË SHQIPONJË ÇAMËRIE

Bilal Xhaferri ishte biri jetim i Çamërisë që nuk njohu fëmijëri dhe as rini në jetën e tij të shkurtër. “Ne ishim pesë fëmijë, deklaron e motra e Bilalit, Antika. Nëna na vdiq shumë e re në vitin 1943, Bilalin e la 8 vjeç, pas dy vjetësh na pushkatuan babanë! Na mori gjyshi në shtëpinë e tij të na rriste. Unë isha më e vogla. Babai më la 4 vjeç. Gjyshi ishte plak i sëmurë dhe i verbuar nga sytë. Jetonim në një varfëri të tmerrshme. Atëherë kishte filluar lufta e klasave, nga Partia Komuniste. Në fshat filluan të na përbuznin, qoftë edhe me sy kur na hasnin rrugëve. Bilali, si vëllai më i madh, në moshën 10 vjeç na u bë nënë dhe babë. Të gjitha hallet e familjes ranë në kurmin e njomë të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore katërvjeçare, për dy vjet “gjezdiste” për të punuar, që të na ushqente. Rraskapitej fshatrave për një copë bukë, dhe një ditë mori rrugën për te halla në Sarandë. Ishte 12 vjeç, filloi punë si shpërndarës letrash dhe gazetash në postën e Sarandës. Ecte në këmbë nëpër moçalet e fshatrave të Vurgut të Sarandës, zbathur për 10 -11 orë në ditë. Në çdo dy javë dhe sidomos ditën e festave, vinte në Ninat për të na sjellë ndonjë lekë dhe ushqime, që i blinte me triskë në qytet, të na gëzonte neve dhe gjyshin. Për një natë që rrinte me ne, bënte shumë orë udhëtimi në këmbë. Pas 4 vitesh Bilali shkoi te halla në Shijak, ku punoi në fermën e Sukthit.”... Nga Edip Hoxha, kushëriri i tij, mësohet se, në vitin1957-1958, Bilali punonte si teknik ndërtimi në kantierin e Shkopetit, pasi kishte mbaruar kursin njëvjeçar për Gjeometër. Në vitin 1962 e marrin ushtar në Pronovik të Poliçanit, në atë kohë filloi të shkruante te revista “10 Korriku”, tregime, reportazhe, poezi.
Shkrimtari Naum Prifti shkruan: “Një herë më erdhi me postë një zarf mjaft i trashë, nga një repart ushtarak. Bilal Xhaferri, ishte emër i panjohur për mua. E shikoja me bezdi novelën me 32 faqe dërguar nga një ushtar i thjeshtë. Pas dy muajsh, mu desh ta lexoja. Kur arrita në një faqe, gjeta një pasazh fantastik dhe thashë me mend: “Ky është një talent!” I befasuar dhe i entuziazmuar nga zbulimi i një talenti, i shkrova një letër, ku e lusja, po t’i binte rasti të vinte në Tiranë, do të isha i kënaqur të na bënte një vizitë në redaksi. Pas dy a tre javësh hyri në dhomën ku punoja unë, një ushtar me trup mesatar dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin … M’u kujtua letra, prandaj e pyeta: -Mos jeni Bilal Xhaferri? – Po , -m’u përgjigj, - erdha sipas letrës që më dërguat.” Nga biseda më tha se tregimet e mija i pëlqenin. “Në asnjë tregim ti nuk përsërit veten, por sjell gjithmonë diçka të re”. Vëllimi I tij me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj”dhe “Purpuranti”, lanë mbresa të forta te lexuesit. Epokën e Skënderbeut ai e kishte në zëmër dhe u kthye më vonë me romanin “Krastakraus”.Këto ekskursione historike ishin mjeti i tij, për t’i ikur pasqyrimit të realitetit të zymtë, të cilin ai e njihte shumë mirë.”
Ballkize Halili, gazetare në “Zërin e Popullit” mundi të nxjerrë leje krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve për bashkëfshatarin e saj Bilal Xhaferrin. Ajo e ndihmonte dhe e përkrahte, se e shihte si përfaqësuesin më të talentuar të Çamërisë. A ka gjë më tronditëse për autorin, kur sheh që libri i tij bëhet qull për letër ambalazhi, se ngrinte problemet Çame. Më kujtohet tregimi, “Ti je partizane”, një tregim tepër i ndjerë që u fut në të gjitha tekstet shkollore, si tregim interesant. Por sa shpejtë u fut, aq rrufeshëm u hoq. Paqëndrueshmëria e politikës së Enver Hoxhës, bënte që sot të ishe hero, nesër të dilje tradhtar. Në vitin 1968, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Bilal Xhaferri mori një goditje të fortë, pasi dëmtoi shtyllën vertebrale të letërsisë shqipe. Dhe ishte pikërisht diskutimi profesional i Bilal Xhaferrit, për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Nga emancipimi, femrat s’kishin fituar asgjë, përkundrazi ishin skllavëruar akoma më shumë, duke u ngarkuar me punë të dyfishtë, Brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Duke ndier mbi kurriz luftën e klasave, ai i gjykonte dukuritë më sy realist...

Fadil Paçrami, anëtari i K.Q. dhe sekretari i dytë i K. P. të Tiranës, pjesëmarrës në atë takim, po turfullonte duke dëgjuar kritika që nuk priteshin, e që mund t’I jepnin drejtim të gabuar mbledhjes. Ai u ngrit në këmbë, dhe duke drejtuar gishtin nga Bilal Xhaferri, u tha Inline image 1r

pjesëmarresve me ulërimë: “-E dini kush është ky që foli keq për romanin? Ky është Bilal Xfaferri, të cilit ne i kemi vrarë të atin se ishte armik, ballist. Mendoj se ai nuk ka vend në këtë sallë, dhe që tani kërkoj të dalë jashtë!”
Pas diskutimit të “Dasmës”, Bilalin e internuan në fshatin Kullë të Sukthit. Lajmi mori dhenë. Gazetat shkruanin: “Shkrimtari reaksionar nxjerr kokën”.
Hysni Cyrbja, që ka qenë drejtori i parkut të mallrave në Durrës, kujton: “Shkoja shpesh në bibliotekën e qytetit, drejtori Pertef Kruja më prezantoi me Bilal Xhaferin. Pasi u njohëm mirë, e mora në punë si dispeçer. Kishte ca kohe qe kishte dale në qarkullim “Dasma”. Një ditë biseduam për Kadarenë. Bilali mendonte për dobësitë artistike të romanit, ai çalonte rëndë në trajtimin historik të femrës shqiptare, se femra dilte pa traditën e bashkëluftëtares me burrat. Ky është falsifikim, thoshte ai. Historia shqiptare tregon se femrat, te Skënderbeu dhe gjatë luftës Nacional Çlirimtare, vërtetuan se ishin patriote dhe të emancipuara. Bilali më kërkoi leje për të shkuar në Tiranë, i ftuar për në mbledhjen e lidhjes së shkrimtarëve. Të pasnesërmen, u takuam. E pyeta se si shkoi. Ai uli zërin dhe më tha: -Më sakatuan! Fadil Paçrami më tha: je bir armiku! Në atë çast bie zilja e telefonit, fliste Rita Marko. – More Hysni, a ke marrë në punë ndonjë njeri me emrin Bilal Xhaferri?... -Po shoku Rita ka ca kohë. – Po ku e gjete? (pyetja ishte me zë të trashë). -Më gjeti ai mua, kishte nevojë për pune. -Në orën 12 mblidh kolektivin!... Në mbledhje erdhën të tre sekretarët, siç quheshin: i pari, i dyti, i treti. Rita Marko, nuk pranoi të debatonte me Bilal Xhaferrin veçse i tha: Ti ke penetruar në radhët e klasës puntore dhe fshehe biografinë tënde, se babai yt është dënuar më vdekje. E morën dy policë dhe e internuan në Kullë të Sukthit. Të nesërmen u mblodh byroja, ishte parashikuar të më përjashtonin nga partia, e të më shkarkonin si drejtor i parkut. Unë bëra autokritikë për mungesë vigjilence. Nxora nga çanta librin e Bilal Xhaferrit dhe disa revista “Shqiptaria e re” dhe pyeta: –Këtë libër e ka botuar Shtëpia botuese, që varet nga K. Q. s’e dini ju? Këto revista që drejtohen nga K. Q. e dini ju?. Që Bilali ftohet në lidhjen e shkrimtarëve, që është nomenklatura e K. Q. e dini ju?... Dhe si përfundim më njoftuan masën “vërejtje në kartën e regjistrimit”.
Bilal Xhaferri ishte njeri, dhe kishte intimitetet e tij. Edhe në Kullë ku ishte internuar, nuk i shpëtoi tundimit të intimitetit. Aty pati një lidhje dashurie me mësuesen, vajzën e ish kryetarit të këshillit të fshatit.
Ja e ç’tregon zonjusha Kadife, me një sinqeritet femëror: “Kur mora vesh se në fshatin tonë, ka ardhur i internuar një shkrimtar, kurioziteti nuk më la të qetë, pasi letërsia më ka pëlqyer shumë. Pyeta Janin, operativin e zonës, që shfaqte ndjenja simpatie për mua. Operativi më tregoi se shkrimtari quhej Bilal Xhaferri dhe ishte njeri i rrezikshëm. Ai guxoi të kundërshtonte romanin e Kadaresë që është idhulli I jonë, por më keq, se është djali i armikut të popullit. Kur mësova se ai kishte guxuar të përballej me Kadarenë, kureshtja dhe dëshira grindeshin brenda meje, për të njohur nga afër shkrimtarin, që paraqiste shumë “rrezikshmëri”. E ruajta në mbrëmje, qe ta shihja kur merrte bukën tek furra e fshatit, dhe si hije i shkova nga pas, që të mësoja ku jetonte dhe me kë, pasi zona ku ishin të internuarit ishte e veçuar nga banorët e fshatit. E shihja kur ecte vetëm, i heshtur, me gjysmë buke nën sqetull. Nga paraqitja e jashtme s’ta mbushte syrin, megjithëse u gëzova që shkrimtari sfidoi kureshtjen time. Por reflekset e gëzimit, rrezikonin që ta njihja nga afër. Më kujtohet, kur u fsheha pas një kaçubje në rrugë, kur ai zbriste nga furra e bukës, dhe po e prisja që të kthehej si gjithmonë me bukën nën sqetull. Ishte shumë ftohët dhe sekondat bëheshin orë. Ai po afrohej, por s’ishte vetëm. Po ecte me mullixhiun, u nda nga ai dhe hyri brenda në banesën e tij. Kontrollova me sy rreth e qark, mos më shihte njeri, dhe i rashë derës me gjithë forcën e padurimit. Kush është? - U dëgjua zëri I tij. –Jam unë mësuesja e fshatit, - i thashë. Ai e hapi derën i habitur dhe tha: Mos keni ardhur gabim, unë s’kam fëmijë në shkollë, më tutje është një familje që i ka fëmijët në shkollë. –S’kam ardhur për fëmijët e shkolles, kam ardhur për ty!... Ai shtangu nenë këmbë i frikësuar, kurse mua m’u duk se të gjithë botën e kisha ulur në gjunjë para meje. E ndjeva se ftohtësia e frikës së tij dhe rreziku im, ishin ngërthyer në forcën e magjisë së dashurisë, që në takimin e parë. Takimet pasuan njeri pas tjetrit! Miqësia e jonë ndërtoi mure ëndrrash. Shpesh herë më thoshte: -të lutem, mos m’i shto andrallat. E lëmë me kaq lidhjen tonë. Ishte dhuratë e Zotit! Ai, na dhuroi çaste të bukura dhe ai na i mori! Unë s’jam njeriu i duhur për ty. Kuptoje, Kadife, ne jemi dy kulme të ndryshme. Është shumë e rrezikshme ardhja e jote tek unë... Por unë e dija rrezikun që më kanosej, megjithatë, Bilalin e doja, se ishte njeri i zgjuar, me një shpirt të madh. Në pak kohë fillova të bija në sy me lëvizjet e mia. Një natë i gënjeva në shtëpi, se do të flija tek Lumja (kolegia ime që kishte ditëlindjen) edhe Lumja thuri të njëjtën gënjeshtër tek babai im, i cili na besoi. Banesa ku jetonte Bilali, ishte një barakë e improvizuar, ngrehinë vetëm prej dheu, ku as për bagëtitë nuk ishte e përshtashme, megjithatë unë ndihesha mirë në prani të tij. Atë natë ndodhi historia e tmerrshme e jetës time. Kishte kaluar ora 12 e natës! Isha strukur brenda tij, dhe gjumi s’po më zinte, ca nga të ftohtit, ca nga frika. Kur befas ra dera, nga forca e shkallmimit me shkelma. Nuk shihja asgjë nga errësira se kandili kishte filluar të shuhej. Dëgjova fyerje nga më banalet e më çnjerëzoret. Ishte operative i policisë, sekretari i partisë dhe babai, që bërtisnin:. –Hë, more këlysh bushtre, kë kurvë ke futur sonte në shtrat? Ke filluar të na e degjenerosh rininë e fshatit me shkrimet e tua. S’durova dot dhe i përgjigjem me të njëjtin ton: -Mjaft Baba! Ky s’ka faj, unë kam ardhur këtu vete, me dëshirën time. Ja ku më ke, më vrit po deshe!... Jo tha operativi (puntori i sigurimit), ky të ka mashtruar, dhe e tërhoqi zvarrë për ta nxjerrë përjashta, -Ky maskara do të përfitojë nga ti, të nxjerrë sekretet e partisë. Ky është bir armiku dhe si i tillë do të shkojë atje ku e ka vendin. Bilalin atë natë e mbajtën të lidhur me pranga në zyrën e operativit në qendër të fshatit, kurse mua, në zyrën e sekretarit të partisë. Nuk i harroj kurrë presionet që ushtronin për të më mbushur mendjen të firmosja deklaratën e hartuar prej tyre, me anë të së cilës,mund t’i kishin duart të lira për të dënuar Bilalin. Por unë nuk pranova kurrë të fundosja me të pa drejtë, njeriun që desha me gjithë shpirt. Edhe pasojat për mua dhe familjen time ishin të rënda: babanë e përjashtuan nga partia, e hoqën nga kryetar i këshillit, dhe si ndëshkim, e dërguan të punonte në një brigadë me Bilalin. Mua më hoqën nga arsimi dhe me çuan punëtore në fermë. S’e duroja dot baltën që më hidhnin syve injorantët e fshatit, dhe mbylla sytë, u martova me një burrë të ve në Rumanat, që ishte babai i tre fëmijëve. Pas një muaji, kur u ktheva në derën e babës (si e do zakoni), nëna më tha fshehurazi në vesh: -Kadife, shkrimtari yt është arratisur nga Shqipëria, kështu thonë të gjithë në fshat.”
Kur Bilali e pa se laku po i ngushtohej, nuk i mbeti tjetër alternativë, veç të arratisej me rrezik koke. Rastin e gjeti në festën përkujtimore të luftës partizane të Konispolit, që festohej në Bogaz, më 25 gusht. U arratis për në Greqi, bashkë me burrin e motrës Selfo Hoxhën dhe Bajram Shuaipin. Për aratisjen e tij u bë shkak Fadil Paçrami me presionin e tij. Në SHBA ai botoi revistën “Krahu i Shqiponjës” në Çikago 1969-1986, për rreth 17 vjet, me 39 numra, dhe me një tirazh 300 deri në 500 kopje, të cilën e shpërndante vetë me postë dhe pa i vënë çmim. Prirja patriotike dhe antikomuniste e revistës,tërhoqi përkrahje nga Skënder Shuaipi, Zeqo Kola, Saber Hyso, Xhemil Bebo, Sotir Ajazi etj. Dhe ai iu përkushtua kryesisht kësaj reviste.
Gazetaria Anneli Kraus, që publikoi lajmin e parë, plagosjen e Bilal Xhaferit, si dhe tetativën e eleminimit fizik, ndaj gazetarit shqiptar, që jeton dhe punonte në Amerikë, shkruan: “Bilal Xhaferin e kam njohur nëpërmjet shtypit të lirë amerikan në vitin 1979, Incidenti ndodhi kur festohej 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Më vonë u njoha në Çikago ku ai punonte gazetar në një radio private në Çikago.Modelin e tij ne e quajmë hero. Pas vitit 1983 i dogjën banesën e tij, që e kishte edhe redaksi të revistës, “Krahu I Shqiponjës”.
Skënder Shuaipi tregon: “Bie telefoni dhe më flet Bilali, jam shtruar në spital, nga një dhembje koke”. doktorët dyshojnë për një tumor në kokë. Mbas konsultës vendosën për operacion. Të nesërmen Bilali u operua. Narkoza i doli me vonesë. Komunikimi i tij bëhej me gishta dhe mimikë. Ishte rëndë, nuk vonoi gjatë dhe Bilali ndërroi jetë, në pasditen e 17 tetorit të vitit 1986. Në kohën kur ishte ministër i kulturës, Teodor Laço, eshtrat e tij u kthyen në atdhe.
N. Prifti citon: “Në faqet e revistës ”Krahu i Shqiponjës”, (Nr 17), janar 1979 Çikago gjeta një poezi, të cilën Bilali ia kushtonte, “kundërshtarit të tij”, Ismail Kadare. Kjo poezi është një dëshmi e gjallë, ku “viktima” pasojë, fajëson shkakun”.


Poetit Ismail Kadare

Ti lulëzove me stinë me rubla.
Kur ne të tjerët hanim baltën e kënetave.
Ti u këndon serenata rrugëve të Moskës,
Natashave, Tatjanave, Katjenkave.
Kur ne të tjerët hanim plumbin e mashinkave.
Me kadifen e poemave të tua të kopjuara,
Ti i jep xhela çizmeve të xhelatëve,
Çizme të rënda me gozhda të përgjakura,
Që shkelët mbi fytyrat tona të maskuara.
Ne të dy u ndeshëm në trotuare të kundërta.
Ti vije nga sallonet e aristokracisë së kuqe,
Unë vija drejt nga zëmra e popullit.
Vija nga varri I babai të pushkatuar.
Ne u ndeshëm në errësirë,
Si dy re në një natë me shi.
Por të gjithë e dinë mirë.
Që shenja e furisë sime s’ishe ti.
Unë u ndesha atje me tiraninë,
Hodha jetën time në kthetrat e ujqërve.
Dhe u shikova me vdekjen në sy.

Kështu, dy shkrimtare Ismail Kadare dhe Bilal Xhaferri, të së njëjtës datëlindje, i pari feston 79 vjetorin, se ka qenë idhulli i komunizmit, kurse i dyti, kundërshtari i komunizmit, ka 29 vjet vdekur. Por Bilali jetoi dhe vdiq si një shqiponjë Çamërie, me dashurinë e madhe për lirinë demokratike të Shqipërisë.

Rasim Bebo Addison Çikago Shkurt 2015

ASHIKË FAMOZË TË AHENGUT TË VJETËR SHKODRANË

 

Nga Kabil Bushati

Ahengu i Vjeter Shkodran thojne muzikologët që ka ne repertorin e tij kund 700 kënge ku ne shumicën e tyre janë ruajtë me fanatizem edhe në tekst e në muzikë. Bile instrumentisti dhe kompozitori I ndjerë Mark Kaftalli thotë se ky Aheng ka në repertorin e tij rreth 1000 këngë,por 700 janë që dihen.

Disa here këto kënge përcjellin tek dëgjuesit ose tek ashikët siç i quajnë shkodranët ne zhargonin e përditshëm edhe emra përsonazhesh te cilët janë bërë objekt diskutimi për vërtetësine e tyre, a kanë jetuar realisht apo jo, a janë nga Shkodra apo nga Ulqini dhe vetkuptohet pastaj të kërkohet edhe origjina e këngës, a është shkodrane apo ulqinake.Në këtë kontekst ne flasim për një areal që përfshin disa vise përqark,pjesë e kësaj treve,si Ulqini,Tivari,Kraja,Hoti e Gruda që mbetën jasht kufijvet politikë të shtetit shqiptar.

Shkodranët e vjetër shpesh herë i degjoje të thoshin një maksimë:"Ulqini asht porti i Shkodrës e Shkodra asht pazari i Ulqinit".Pra janë lidhje të vjetra, nuk ka familje ulqinake e cila nuk ka farefis në Shkodër.

 Dhe kjo nuk do të thotë që ulqinakët të marrin autorësinë e këngëve shkodranë të vjetra. Mund të jenë rreth 80% të repertorit të këngëve të dasmava që këndohen në Ulqin që janë kënduar për herë të parë dhe mbajnë autorsinë e këngetarëvet shkodran. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në vendosjen e burimit(matrikullimit)të këngëve të vjetra.

Nga fillimi i shekullit te XX-të në Shkodër u vu re një fenomen sa i çuditshëm aq dhe civilizues dhe emancipues,u bë një çvendosje e personazheve te këngëve, nga anonimati filluan te dalin me emër e mbiemër.

Më përpara personat të cilevet u kushtohej kënga si meshkuj a femra ishin të detyruar të rrinin incognito sepse ishte fanatizëm i madh dhe kerciste pushka dhe vriteshin njerëzit. Prandaj ai që bënte teksin e këngës së dashurisë duhej të tregohej i kujdesshëm që mos të përmendte asjëherë emrin e djalit apo te vajzës, pasi do të derdheshin lumej gjaku.Pra duhej ruajtë anonimati. Por krahas civilizimit të jetës shkodrane, gjatë viteve 1880 e këtej, kjo dukuri u evidentua në shumë këngë. Më poshtë po rëndisim disa të tillë.

1-Jonuzi i Alush Efendi Çobës

Të intrigon me përmbajten e saj kënga e vjetër "Zaganjorit" e cila sot gjalllon ne tregun brilant e Ahengut te Vjeter Shkodran nen titullaturen "Kur ka hype Jonuzi ne lunder". Njeriu i zakonshëm mund të pyesë me të drejtë se kujt i kushtohet kjo këngë. A është ajo këngë dylberash apo është këngë që i kushohet dashurisë së pastër të vajzës?!

 Pas kërkimesh këmbëngulse për javë të tëra, arrita të zbuloj të vertetën e pa kontestueshmë e cila qëndronte e fshehur për dekada me radhë. Ndoshta e kishin fshehur shekujt, ndoshta e vërteta qëndronte e ruajtur me kujdes nën tallaganin osman, në kodin e heshtjes.Pyetjet e mësipërmë nuk qëndrojnë asnjera as tjetra. E vërteta është krejt tjetër...

Para shumë vjetësh në fshatin Zogaj afër Shkodrës, që ishte një fshat peshkatarësh jetonte Alush Efendi Çoba.Kishte një djalë kaq të pashëm e të bukur,sa kur dilte nga Zogajt në Shkodër,kishte rastisë që t'u binte alivani femravet.

Nuk kishte kund djalë më të pashëm. Ky quhej Jonuz.Një vajzë e bukur shkodrane e atyre vitevet e simpatizonte dhe i dilte në ëndërr Jonuzi.Një ditë kur po mbushte ujë te pusi i hapet hallës se vet dhe i tregon dashurinë që kishte për Jonuzin, sa ishte gati të i dilnin mendët prej krejet për te.Vajza ishte gati të jepte jetën për Jonuzin.Halla vihet ne pozitë të vështirë.Mbesa kishte rënë në dashuri shpirtërore me djalin zaganjor që shihnin shpesh ne pazar tek moloja.

Duhet të sqarojmë lexuesin se fshati Zogaj në kohën turkut nuk kishte rrugë maqine.E vetmja gja që dipononin zaganjorët ishte një punishte me pak punëtorë, ku thaheshin e përpunoheshin luspat(paret)e gjuhcavet që eksportoheshin dhe shiteshin me çmim të kripur ne Paris dhe përdoreshin per lyerje me shkelqim të pallateve luksoze.

Duhet te shtojme edhe faktin se zaganjoret gjate periudhes osmane merreshin edhe me kontrabande lekurash dhe duhani me Malin e Zi. Ketë punë bënte edhe i ati i Jonuzit duke tregtuar kryesisht keta dy artikuj fshehurazi me malazezët,derisa u vra me pabesi nga shkjetë. Zaganjorët udhetimin për në Shkoder e bënin me lundra.

Zbrisin në molo ku ishte edhe Pazari i Shkodrës me 4.000 dyqane ku bënin shit-blerjet qe kishin nevojë. Ketë ritual bënte edhe Jonuzi pothuajse përditë.

E ndodhur perballë kesaj pozite,halla e vajzes që nuk i përmendet emri,paguan pare dhe i qet këngën Jonuzit,e cila për herë të parë këndohet tek një kojshi i tij ne Zogaj,i cili kishte një shyqyr dhe kishte thirrë nga Shkodra ahengçijtë.

"Kur ka hype Jonuzi në lundër
Gjithë liqeni po shëndritë,
Zaganjori fort i bukur
Perendija e ka goditë..."

Kënga pati sukses të plotë sa u mblodhën gjithë Zogajt për të dëgjuar...Kanë kaluar vite e dekada,janë ndërruar sisteme dhe kënga perlë ushton edhe sot e bukur,e dashur dhe melodioze. Do te kalojne përseri vite,dekada dhe shekuj dhe kënga do të këndohet dhe do te këndohet.Se këngët janë si diamantet,sa më të vjetra dhe aq më të bukura bëhen. Kjo ishte historia e Jonuzit,e verteta e tij dhe e dashurisë së tij të pastër.

2)Palokë Kurti dhe zoja e randë…

Palokë Kurti lindi në Shkodër në vitin 1858 dhe vdiq në vitin 1920. Ishte kompozitori dhe muzikanti i parë në Shqipëri qe dha sinjalin e “pagëzimit” të artit të kultivuar muzikor. Mesimet e para të muzikës i mori në oborret shkodrane me shermashek ku këndohej Ahengu Shkodran. Një ndihmesë të çmuar në formimin muzikor të Palokës dha edhe At Tommaso Merkos, prift françeskan i njohur në Shkodër si Patër Toma. Shpejt ra në sy të këtij frati të nderuar talenti i Palokës së ri.

Ai shihte tek Paloka drejtuesin e ardhëshëm te bandës muzikore të qytetit të Shkodrës, për të cilën ëndërronte frati.Pas pak kohësh solli nga Napoli një numër veglash muzikore dhe mjeshtrin italjan Giovani Canale,i cili për disa vite u muar seriozisht për edukimin muzikor të Palokës duke i mësuar pianon dhe disa instrumenta frymor.

Në vitin 1878, nën drejtimin e po këtij mjeshtri, u krijue e para orkestër frymore e qytetit të Shkodrës e në fund të fundit e të gjithë Shqipërisë, ngjarje kjo që përkoi dhe me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. 18-vjeçari Palok Kurti, do të ishte një ndër të 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor.

Dy vjet më vonë, në vitin 1880, drejtimi i saj kalon në duert e virtuozit të trombonit, Palokë Kurti, i cili u dallue ndër të tjerët edhe për aftësitë drejtuese dhe organizuese. Me “Daullen” e tij (siç u ba i njohur në popull), Palokë Kurti jepte koncerte në publik të hapun, në fillim një herë në muej e pak nga pak, me konsolidimin e orkestrës, u arrit të jepeshin dhe koncerte regullisht çdo javë. Kështu dalja e kësaj orkestre frymore çdo të diele në lulishten e qytetit, ishte për kohën, një nga evenimentet ma të rëndësishme kulturore. Fillimisht repertori ishte i kufizuem, kështu që Palokë Kurti, iu vu punës për krijimin e një repertori të posaçëm për orkestrën e tij.

Pikërisht këtij qëllimi do t’i shërbenin dhe ndërtimi i dy potpurive me këngë shkodrane “Argëtime muzikore të stërgjyshave tanë” (1890-1900), të dytën e bëri në F-maxhor. Martohet me të bijën e Anastas Papanikut, Angjelinën, nga Parga e Çamërisë. Papanikët ishin me origjinë nga Suli, Anastasi kishte një djalë Gjonin i cili ishte sëmurë me tuberkuloz. Nuk zgjati shumë dhe vdiq, si amanet la që e motra të martohej me shokun e tij, Palokën.

Idromeno i madh i pat bërë një portret Angjelinës më 1925, që ruhet në Galerinë e Arteve. Me këtë martesë do të kishte katër djem: Leci, Zefi, Salvatori, Ndoci dhe një vajzë, Tusha.
Por le të kthehemi tek qëllimi për të cilin po shkruajmë këto rradhë. Tek kënga “Për mua paska kenë kismet” e cila ka rreth 135 vjet që këndohet nga këngëtarë të ndryshëm në dasma, ziafete e koncerte. Këngë që i këndohet dashurisë së pastër si ujë krsitali, se nuk kanë thënë kot shkodranët: ujë Rusit e vajza Dudasit.

"Per mu paska kene kismet
Me kene ti e tjera kujt,
Mbasi te due ban merhamet
Edhe mue me duej...
........................

Ketë kange e ka bërë ne vitin 1880 i madhi Paloke Kurti, kompozitor, instrumentist i shume veglave dhe drejtus i bandes se pare muzikore shqiptare.

Paloka, ne ate kohe 20 vjeç, jepte mesim per piano ne shpijat e pasanikeve te qytetit. Nji nder nxansit ishte edhe vajza e tregtarit Filip Parruca. Paloka kishte ra n'dashni me ket vajzen por nuk kishte guxim me ia shpreh. Nji dite, masi mbaron mesimin, shërbysja e familjes Parruca i thotë Palokës se i ka thanë zotnija mos me ardhë ma me dhane mesim se nuk ka ma kohë te lirë vajza. Paloka u kthye gjithë mërzi në shtepi.

 Por ngjarja do të merrte rrjedhë pas pak ditësh. -Do te shkojme ne nje dasme,- i tha nje dite Palokës një nga shokët e tij te ahengut. -Martohet një i njohuri im-. -Do të shikosh do jetë nje dasmë e rrallë,apo nuk eshtë nusja,yll i vërtete,kukull krejt-. Paloka u mendua pak dhe nuk ia prishi shokut të vet...Në darkë Paloka ishte në krye te orkestrës në dasëm. Vështrimi i të gjithëve drejtohet nga nje derë e hapur andej nga duket nusja. Palokes i bejne syte shkëndija. Turbullohet nga kjo e papritur.

 Ahengxhijtë tjere fillojne të kendojnë këngen që lavdëron bukurinë e nuses. Të gjitheë këndojne përvec Palokës,eshtë tepër i tronditur, nuk e mendonte kurrë se do t'i ndodhte kështu. Kjo e papritur e deshpëruar e derrmon,sikur t’i jepnin një grusht turijvet. Atmosfera i bëhet e rëndë dhe mbytëse, ndersa vështrimi nervoz dhe disi i egër.

 Buzet i mbyllen fort, sikur donin të mbanin të mbërthyer brenda dhëmbeve si në kasafortë të fshehtën e frikshme. Nuk e kishte menduar kurre se mund të kalohej kështu kaq shpejt nga gezimi në dhëmbje.

Don te ngrihet te dalë jashtë e të therase me fuqine e zërit të tij per padrejtsitë e kesaj jete,përse jeta tregohej kaq e padrejtë me rracën njerzore, por e permban veten, e tremb ndonje ngjarje e pahijshme që ishte e pa denjë për te, per here te pare fillon te urrej moshen e tij te re.

Ne ate gjendje te veshtirë, ne ate kaplim ndjenjash e ashk te jashtzakonshem, vendos te veproj ndryshe e ndien më të forte se asnjeherë yshtjen e natyrshme te aftësis se tij krijuese, zjarrin që e pervelon ne shpirt dhe ngjyrimin tragjik te kësaj te papriture qe i rrit deri ne skaj ngarkesen emocionale dhe shperthen: Per mue paska kene kismet/ me ken ti e tjera kujt/ mbasi te due ban merhamet/ edhe mue me duej/… Zeri po i dilte me zor nga fyti, po i dilte si shkumë deti. Shokët e vet te ahengut e ndjeknin me vemendje , por nuk kuptojnë pse shoku i tyre këndon ashtu , edhe pse ne strofën e dyte ai i shfaq haptas ndjenjat dhe mendimet e veta , ata përseri nuk marrin vesh asgjë: Sa të vegova me ra te lig/ humba e s'qeshe insanë/ se e pashë mirë qe s'mund te dal açik/ ty moj zojë e randë/.

Te pranishmit në dasëm mbeten te habitur me ketë që po ndodhte me Palokën. E kane degjuar edhe here te tjera te kendoje , por jo keshtu me trishtim. Zeri tashti i del thelle nga shpirti i ndezuar flakë ndersa ne fjalet dhe melodin e kenges ndihet nje dhembje e thelle.

 Zemra po i pikonte gjak. Mbasi i hedh nje veshtrim kuptimplote nuses , nje veshtrim depertues , te rrepte por edhe te dhimbshem sikur do ti futej thelle ne shpirt, duke kujtuar edhe nje here lojen me zjarrin, me guxim i drejtohet asaj: Kah te shof syte s'po mund t’i ndaj/ e gojet kurre nuk te leshoj/ por po m'erren mbushun me vaj/ ah si s'mbaroj/... Ne vargun e fundit trishtimi i tij arrin kulmin.

Si eshte e mundur te shpertheje njeriu keshtu , duke kenduar e te shpreh ndjenja kaq te fuqishme?

 Ah si s'mbaroj.... me shume se kenge , me shume se melodi , i del vajtim. Kë po vajtonte? Ndoshta fatin e tij te keq me vajzën që dashuronte. Askush nuk e kupton kete gjendje , askush nuk merr vesh shkakun e vertet te ketij mallkimi. Vetem nusja, syte e saj blu te bukur prej kohesh kishin marre nje ndricim tjeter ne fillim si mosperfilles, me vone kur kenga filloi te depertoje thelle ne zemren e saj, syte filluan ti ndrisnin me nje shkelqim te ri. E magjepsur, por edhe e ngacmuar në zemër nga kjo e papritur, filloi te skuqej ne fytyrë, duke u berë edhe më e bukur fjalët e kënges dhe djaloshi i njohur qe po e këndonte e ndezën flakë po i përseriteshin ndjenjat e pavenitura . Vetëm ata te dy po merreshin vesh ne lojen e maskuar për të shfaqur ndjenjat e fshehura thellë në shpirtat e tyre. Me sa dukej po ndodhte një fenomen që shkenca erotike e quante “joshje paralele”. Papritmas ajo filloi te ndiejë veten te ligështuar, po dridhej kur këngetari shqiptoi ....

AH SI S'MBAROJ... i gjithë gjaku i iku nga fytyra dhe i ra te fikët…Kjo ishte “zoja e randë” e Palok Kurtit të madh që kënga do t’i këndohet ndër shekuj sa të ketë Shkodër e shkodranë. Keshtu lindi kënga “Për mua paska kenë kismet” për te vijuar me këngët “Marshallah bukurisë sate”, “Karajfili kuq si gjaku”,”Ta dish,ta dish”,”Karajfil të zgjodha”,”Kur filloi drita me dalë”,”Te due moj te due” etj etj të cilat në gojën e këngetares brilante Marije Kraja do të arrinin majën më të larte ose e thënë në mënyre figurative: do të arrinin majën Korabit të Ahengut të Vjetër Shkodran.

3-Nuh Selmani fjalë ka çue

Në Shkoder është një këngëtar disketa e dhe CD-te cilit shitet me të shpejtë. Media e Tiranës as që do t’ia dijë për të por njëkohësisht as ai për median muzikore të kryeqytetit. Këndon gjithkund nëpër dasma, ziafete, synetlliqe,fejesa. E ke kudo ku bëhet qejf. Se s’kanë thënë kot se qejfi bëhet me shkodranë. Si një “playboy” ai kënaqet me dashnoret e tija në qytetin e lindjes – këngët e tija, dhe asqë do t’ia dijë për “haremin” në Tiranë. Agim Molla këndon këngët ashtu sic kanë qënë origjinale nga teksti. Ai , me kryenecësi këmbëngul vetëm “ashtu si kanë kenë fjalët së pari”. Dhe nuk janë pak,në trurin e tij janë të “incizuara” rreth 400 këngë të Ahengut të cilat i shpalosë pothuajse për natë.
Ja, le të shikojmë se c’del nga historia e njërës prej teksteve të gërmuara prej tij – këngës së Kizit. Kizi është emër i zakonshëm femre i përdorur në Shkodrën klasike.
Për helmimin e ditës së hane, viktima fajson Kizin. Përse ka dashur ta helmojë ajo Nuh Selmanin?
Këngëtari popullor nuk ka paraqitur as edhe një interes për këtë. E kalon në heshtje fare. Se ç’i ka bërë ai Kizit që ka dashur ta helmonte – asgjë. Kënga e lë enigmatike. Ama…Si e ka kërcënuar, sigurisht, më së fundi, te dera e Kizitt është ndalur një kalë i ngarkuar me dru. Nuh Selmani ia ka dërguar Kizit, që ajo ta falë atë. Pikërisht ajo që ka dashur që ta helmonte.
Oh, gjithcka ka marrë fund në mënyrë fatale.


Trak e truk po ban kalldrami
Vjen kali me dru,
Nuh Selmani moj ta ka çue
Kizi moj me u pajtue.
Nuh Selman,more Nuh Selman
Une jam fejue,
Jam feju ne Elbasan
Kam marrë kapidan.

Po kush ishte Nuh Selmani? Një djale ashik Shkodret. I pashën, shpatullgjerë dhe i dhanun pas femrave. Ngjarjet i përkasin periudhës së monarkisë së Zogut. Nuhi ishte një djalë trim dhe siç kishin qejf te quheshin të rijt e asaj kohe-tepër kapadai.Ishte shume gjaknxehtë dhe të mbetej në dorë për kurrgjë send. Ishte i pushkës dhe i mejdanit e i shejtanit. Gjendjen ekonomike të shtepisë e kishte të mirë dhe tërë lekët i harxhonte për qejf. Jetonte ne lagjen Tepe diku në periferi të qytetit. Mirpo kishte pasë disa ngatërresa me njerëz të ndryshëm. Për rrjedhojë kishte edhe disa gjaqe borxh. Një nga këto gjaqe ishte në një fshat afër Shkodrës, në Bërdicë. Berdicjanët shquhen për njerëz trima që nuk ja lëshojnë njeriut rrugën.

Një natë,tek rruga e Kalase, ku është sot restoranti “Arlindi”,i kishin zënë pritë. Një djalë trembëdhjetë vjeçar prej Berdicet, të cilit Nuhi i kishte vra baben dhe sipas rregullit të at’herëshëm i takonte të ja merrte gjakun babës. Adoleshenti shoqerohej nga një burrë i cili e udhëzonte se kur duhej të qëllonte. Djaloshi i la Nuhin të kalonte, pastaj ai që e shoqeronte i dha urdhër që ta qëllont.Dy krisma njëra pas tjetrës ushtuan dhe u perplasën ne muret e Rozafës së lashtë.Djaloshi e qëlloi pas shpinet me dy fishekë çiftjet. E vrau në vend…Ndoshta e ka zënë haku i babait të berdicjanit…ndoshta e ka zënë haku i Kizit.E ku ka dasëm shkodrane që të mos këndohet kënga e Kizit.

4-Se mu më thojnë Adem Kastrati

Në hyrje të Shkodrës së vjetër ka qenë një lagje që quhej Karahase. Në një shtëpi të fisme jetonte një vajzë perri. Kushdo që kalonte përballë shtëpisë së saj do të drejtonte shikimin nga ajo shtëpi se mos shihte kund vajzën perri.Dhe një ditë kaloi një shofer me maqinë tij. E pau vajzën bukuroshe dhe i mori mendet.Dhe ky shofer quhej Adem Kastrati.Shoferi Adem Kastrati,duke veçuar borine e fuqishme si elementin më poetik te maqines se tij dhe njeherazi si mjet artikstik për lajmërimin e të dashurës së tij,e vë atë në një rol të tillë që të mbajë gjithë peshën emocionale të këngës.Sa herë që kalonte para shtepisë së vajzes i binte tri here borise të maqinës.Ky ishte sinjali,ose ishareti qe vajza te dilte ne oborr.Dhe vetkuptohet se në kohën e Zogut ishin të pakta maqinat dhe zanati i shoferit shihej si privilegj i madh.Kishte raste që vajza ishte tek pusi dhe dëgjonte boritë e maqinës që binin në mënyrë të panderprerë. Veç kaq ishte njohja,por e mjaftueshme për t’i qitë një këngë.

Kena ndodh njerez fanatike
Nuk e dimë se ç’asht sheriati,
Do ta baj vajzën me ikë
Se mue më thojnë Adem Kastrati…
Eshtë kënga “Jallah u shofsh moj Karahase”. 

Vetëm në këtë strofë i del emri Adem Kastratit dhe kjo mjafton për t’i siguruar atij “passaportën” e përjtësisë. Ndonse vajza martohet e merr për burrë tjetër njeri, simpatia e Adem Kastratit mbetet e përjetëshme…Pas çlirimit Adem Kastrati punoi në Teatrin “Migjeni”,si aktor teatri dhe estrade.Luajti role të bukura dhe plot përkushtim. Para pensionit e mbaj mend Ademin edhe roje teatri. Ishte një plak shumë i shëndoshë e barkmadh.Pas vdekjes iu dha titulli “Artist i Merituar”.

Ajo që të bën përshtypje dhe të intrigon më tepër eshtë fakti se Adem Kastrati pak dhe aspak përmendet si aktor i Teatrit “Migjeni” dhe Artist i Merituar, ndërsa si ashik i Ahengut Shkodran i del emri në Shkoder se paku 100 herë në javë. Vetëm një strofë kënge u desh që emri i tij të këndohej në dasma,fejsa,sofra festive,ziafete e sebepe.

5-Shaban Aga del në koder

Diku në cep të Xhamisë së Parrucës së vjetër,në vitet ’50 te shekullit të kaluar ka qenë një rostiçeri pozante, një katëshe e quajtur “Drita” që hyri në analet e muzikologjisë shkodrane si një objekt famoz. Në ketë lokal organizoheshin koncerte me këngëtare të famshme të kryeqytetit. Lokali frekuentohej kryesisht nga ashiket e kangës shkodrane. Ky lokal kishte banakier z.Shaban Ura, një shkodran i vjetër dhe familje e njohur.Nga nëna e tij ishte nip i Bushatlijve të njohur dhe fisnikë. Lokali kishte privilegjin të ndodhej në midis të Parruces. Klienta kishte njerëz të njohur në Shkodër nga publiku siç ishin Bimo Fakja i cili ishte njëheri futollist i Vllaznisë, Zef Radovani,Myftar Dyli, Met Sula që punonte simitçi dhe Dush Topçija. Këta vinin darkavet tek Shabani dhe kishin të rezervuara tavolinat e para, si zakonisht pinin raki të zgjedhur Bashkimit(kështu quhej at’hre rakija që piqte Bashkimi i Kooperativave te Konsumit në Çezme të Koplikut) ose birrë me meze të zgjedhura me mish të pjekur në prush të shoqeruara me garniturë pikante.

Këtu pothuaj çdo javë zbarkonin këngëtare të njohura nga Tirana dhe Elbasani, që mblidhinin tërë Shkodrën me dëgjua pothuaj deri në mengjes. Me grupin e këngëtarevet vinin nga kryeqyteti përherë edhe Zan Kuka,Ramiz Pregja, Met Shkreli etj etj. Të përzier me shkodranët këndonin e hidhnin valle të gjithë bashkë,bile edhe këngetaret. Krijohej një atmosferë e solare, e gëzueshme që vetëm në Shkodër mund të përjetohej. Bindej dhe çohej peshë tërë Parruca e më gjerë.
Si gjithmonë në krye të vales e të këngës ishte

Shaban Ura. Njeri shume qejfli dhe shumë i pashëm dhe i mbajtur. Ishte zemra e lokalit dhe e orkestrës. Mirpo nuk kaloi shumë kohë dhe njera nga këngetaret nxorri një këngë Shaban Urës.

Shaban aga, dul´ o në kodër,
Sheh Selvijen o kah k´cen me lodër.

Shaban aga, dul´ o në der-e,
Sheh Selvijen o kah po vjen-e.

Moj Selvije e kuja je?
Jam e nanës, babës ku jam le...

Vargjet e kësaj kënge shumë të bukur janë përcjellur gojë pas goje edhe në ditët e sotme. Kanë kaluar vitet ,rostiçeria u hoq prej aty, Xhamia e Parrucës së dikurshme u shkatërrua gjatë““ luftës së Diktatorit me fenë“ dhe u rindertua përseri me ardhjen e demokracisë, këngëtaret nuk erdhën më, por mbeti kënga si monument për Shaban Urën. Shabani ka vdekë në vitin 1992, i respektuar nga bashkëqytetarët e tij, por kënga këndohet dhe këndohet. Sepse Shkodra është djepi i këngës. Ajo eshtë e çuditëshme; ju këndon trimave, por u këndon edhe ashikëve.

2015/02/07

Ma jep besën, Lum Lumi...



      Përgatiti: Jeton KELMENDI






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



ALI PODRIMJA








        

            Hyrje

            Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
            Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën.
            Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit: Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,) Diellin tënd verbuar e kanë tytat E vatrat shkimbur deri më një... Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.
            Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
            Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999). Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.
            Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike.
            Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.





Poezi

Ali PODRIMJA


UNË BIRI YT

 

Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.




EPIKA
Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!




ANKTHI
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë...

Caqet e tua herët t'i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m'i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje...

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n'ajër?
Nipave ç'tu them për këngën time të vdekjes?
- Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t'më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim - toka e mallkuar..




ME JETUE

Tim bir, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.
Metafora e Jetës Sime

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

plaga ime
le të marrë
frymë thellë




ME QENË
Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është

Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është

Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë




TI DHE UJI

 

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.




NJË NATË NGA NETET PA GJUMË
Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!




PARISI, VENDLINDJA
Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.




RËNKIMI
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...