Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/25

Kur poezia mendon…


DSC03225

(Shënime për vëllimin poetik “Mbi Arsyen e fjalës” të poetit Bujar Plloshtani nga Maqedonia )


Nga Fatmir Minguli /


Në deltat e lumejve përplasen me mijra libra poetikë për t’u futur me nxitim në oqeanin e madh të poezisë. Por oqeani është shumë i madh dhe lumejtë janë shpesh të vegjël. Sa shumë libra që botohen sot? Sa shumë poezi e sa shumë për dashurinë! A thua gëlltiten të gjitha në oqeanin e poezisë?
Por poezia është një qënie e gjallë që nuk mbetet e ngurtë , nuk fiksohet te statuja e aksh poeti dhe i kopjon siluetën e tij. Ka pak libra që ngrejnë vetë statujën e tyre. Ka pak libra që përveç autorit të tyre i pëlqejnë shumë njerëz, shumë më tepër se sa do të mendonte vetë poeti. Por gjithçka varet se ç’shkruan ky poet!
Duke lexuar me një vëmendje të posaçme librin e poetit shqiptar që jeton në Tetovë të Maqedonisë, Bujar Plloshtani, m’u larguan disi përshtypjet e zakonshme që të japin librat vetëm
me poezi dashurie, epizma dhe slogane aforizmash.
Në librin ” Mbi arsyen e fjalës” poezia e Plloshtanit sillet krejt e veçantë jo se do të godasë fort “mbi arsyen” në kuptimin më të plotë të saj, por se do të dalë me mendimin e tij personal, pa ndikime të ngurta e pa predikime të ndryshme.
Duke e trajtuar kështu filozofine e ndërtimit të poezisë së tij ai kap hapësira të mëdha, ku hapësira e mendimit i tejkalon ato gjeografike, ai duke qenë në Tetovë, është njëkohësisht nëpër botë. Hapësira witmane rilind te Plloshtani por sipas stilit të vet poetik dhe vetë personalitetit të poetit.
Në poezitë e këtij libri, njeriu ka se ç’të mësojë e pastaj të meditojë. Ndonëse poezitë e Bujarit janë të shkurtëra ato ngëthejnë tharmin filozofik të jetës. Aty gjejmë poezi të pjekura, të akorduara plotësisht me teknikat e vargut, ku gjatësia e tyre paralelizohet me atë të mendimit. Edhe aty ku duket se ka parregullsi në teknikën e vargut, prap ajo është brenda rregullsisë së përgjithshme.
Prandaj vërehet qartazi edhe një veçori e poezive të këtij libri çka është alternimi elegant i rimës dhe vargjeve pa rimë ku herë triumfon vargu i lirë herë rima paraqitet si një lirë shoqëruese në gjithë kompleksin e poezisë.
***
Këto alternative janë si të thuash edhe një lloj alkimie që Plloshtani përdor në teknikën e poezisë së tij.Edhe në botkuptimin e tij për jetën, në shumë poezi vihet re, ndihet fryma bodleriane në shikimin kriktk të gjrave dhe të ndodhive. Këto ai i sheh nën sensin e gjetjes së një rrugëzgjidhje pa u ndalur, gjithmonë në kërkim.
Kështu mund të spjegohet më mirë tendeca e tij filozofike moderne në poezitë e tij. Ai kur thotë: ku jam, ku ndodhem, në botë apo në pirg dhimbjesh”, është tepër i matur duke e vendosur lëkundësin e lavjerrësit midis optimizmit dhe pezimizmit. Me gjithatë pezimizmi për atë tingëllon ndryshe, sepse e përdor si një trampolinë të cilës ia njeh fort mirë elasticitetin dhe e bën një gradim të hedhjes së re.
Dëshpërimi, kjo kategori e poetëve, ështyë një ngas temat më të fuqishme sot në poezinë modern si në atë amerikane ashtu dhe në atë europiane. Këtë kategori Bujar Ploshtani e njeh dhe e përpunon duke e ekspozuar në të gjithë spektrin e saj. Vargjet “Paqe shpirtërore/ nuk ndihet askund/ bota si provë mistike,/ t’i hedh idetë në absurd.”, janë vargje të veçanta që të çojnë në botën e “çudirave”, janë vargje që vetëm poetët modernë të sotëm i shkruajnë.
Në vazhdim të këtyre analizave për poezinë e Plloshtanit nuk do të rri pa përmendur edhe tendencyën filozofike të poezivë të këtij libri. Diku në parathënien ë këtij libri shkruhet ” Dashuria duket kështu, tejet tipike. Edhe pse në pak vargje, ajo mbetet si një nga frymëzimet e mëdha mes filozofisë së poetit Bujar Plloshtani”.
Pa tjetër që kështu është, dashuria e poetit është pjesë e filozofisë së poetit. Mjafton të lexosh poezinë kushtuar A.S. Pushkinit dhe lexuesi e kupton fort mire idenë që ka Plloshtani për dashurinë.
Por Plloshtani është metafizik. Ai si studjues I filozofisë di t’I shohë gjërat dhe fenomenet ndryshe. Ai kërkon të largohet nga e zakonshmja, nga konvencionalja. Ai është në kërkim të arsyes së fjalës kur fjala thotë gjithçka ashtu siç thotë edhe për gjethen e zvedhur, për kitarën e zezë, trupin e gruas, qytezën e zbrazur, konteshën dhe pallatin mbretëror. Ai ka interesin që arsyeja e tij të bazohet ashtu siç thotë Emanuel Kanti: ” Çfarë mund të di, çfarë mund të bëj, [farë kam të drejtë të shpresoj…”.
Si i tillë poeti Bujar Plloshtani është një risi në poezinë e sotme shqipe, është një autor që në poezi ka mendim, ku brenda botës së tij nuk është thjeshtë vetëm dashuria ndaj gruas, por ndaj të bukurës në tërësi. Eshtë e natyrshme që nuk mund të flitet këtu për paganizëm,jo, në asnjë mënyrë. Por mund të flitet për operimin poetic që Plloshtani I bën gurit dhe pluhurit, molit dhe qytetit të braktisur.
Bujar Plloshatni po lëvron poezinë mendim.
***
Eshtë e kuptueshme se Brenda poezisë së tij gëlon shpirti i poetit me lirikën e tij të veçantë, me simbolet e gjetura dhe alegorit gati të pakuptueshme për secilin, me dashurinë për jetën dhe të dashurën, për diellin dhe hënën e gjithçka tjetër që poetët kanë për zemër. Por Plloshtani di edhe të jetë i lirë si te poezia “Çafka” apo të e mrekullueshmja poezi “Manastiret”; në poezinë “Për sytë” me një frymëzim të jashtëzakonshëm ai të jep një portret për sytë e femrës e në fund thotë: “Dy topa hënore,/ krejt botën rrotullojnë.”
Në poezinë “Gurët” me një simbolizëm të rafinuar na sjell vazhdimin e legjendave e miteve të lashtë shqiptarë të ilirëve, ku guri ishte pothuaj gjithçka.
Një gjë del shumë e qartë kur lexon me kujdes librin e Bujar Plloshtanit “Mbi arsyen e fjalës”. Është kujdesi i madh që poeti i kushton poezisë, duke e quajtur atë si një Kristal të brishtë, që tek e cek për ta përpunuar mund të plasë e të bëhet thërrime. Ai e përgatit shumë e shumë kohë mendimin e në fund e sjell kristalin të përfunduar, pa patur frikën e shkatërrimit apo të deformimit negativ.
Ky libër ka një të ardhme të madhe jo vetëm për poetin por dhe për vetë poezinë që sot kërkohet. Librat qindrafaqëshe me poezi vetëm për dashurinë përplasen atje tej në deltën e lumit duke u shtyrë me njëri tjerrin e për të hyrë në oqeanin e pamatë të poezisë së vërtetë. Por deltat janë të ngushta e nuk mund të pranojnë të gjitha përnjëherë. Ndoshta seleksionimi i poezive bëhet aty!

Përkthimi i poezisë si pjesë e besimit letrar




Sa herë flitet për poezinë dhe përkthimin e saj, pothuaj përherë thuhet se poezia bart një lloj dykuptimshmërie: është njëkohshëm universale dhe e papërkthyeshme. Universale, - sepse shpirti njerëzor është i tillë, shpjegojnë, - e papërkthyeshme sepse, me kalimin nga një gjuhë në një tjetër, me ndërrimin e shenjave grafike, ndryshon dhe muzika e saj, elementi thelbësor që ka. Por, përpara se të flitet për përkthim të poezisë, është e natyrshme të shtrohet pyetja e përjetshme: ç’është poezia? Si mund të përkufizohet me pak fjalë poezia? Me gjithë përpjekjet për ta shpjeguar, enigma mbetet. Benedetto Croce thotë se poezia është një ndijim i brendshëm, një ngjarje intime në shpirtin e poetit. Ndërsa për Pessoa-n poet, poezia është një përshtypje e intelektualizuar, apo një ide e transformuar në emocion, e cila u komunikohet të tjerëve, nëpërmjet një ritmi. Në librin e tij me ese “Harku dhe lira” Octavio Paz-i kuturiset e bredhërin lëmit poetik duke u rrekur të japë një përgjigje për pyetjen në fjalë. Me anë të një ligjërimi poetik, bën një përpjekje për të përcaktuar të papërcaktueshmen poezi dhe për të arritur te poezia nëpërmjet vetë poezisë; interesante është të thuhet se një nga instrumentet që ai përdor për të hedhur pakëz dritë brenda labirintit të mjegullt të temës në fjalë, pra, për ta shpjeguar poezinë, është perspektiva e përkthimit të poezisë, e cila përfshihet në atë që cilësohet “eksperiencë e poezisë” dhe që me fjalë të tjera është rikrijimi i saj...

Po le t’i kthehemi përkthimit të poezisë: është, padyshim një proces i ndërlikuar dhe shumëfaqësh, po të mendohet, përpos të tjerash, se poezia e përdor “fjalën” si një instrument artistik, shpesh jashtë shtratit të saj kuptimor; aq e vështirë është t’ia dalësh e ta përkthesh besnikërisht një “huq” të tillë të poezisë, sa shprehja “Traduttore, traditore” duket se është shpikur pikërisht për përkthyesit e poezisë. Ka zëra që thonë se përkthimi i poezisë, përkthimi i emocionit njerëzor, është një ndërmarrje pothuaj e pamundur, se përkthyesi është i destinuar të dështojë në përkthimin e poezisë, madje, ata arrijnë gjer aty sa ta mohojnë krejtësisht përkthimin poetik; por ka të tjerë zëra që thonë se përkthimi poetik pasuron, se e kthen të ndryshmen në të ngjashme, madje, edhe kur nuk e arrin dot këtë, të paktën na sjell në shtëpi atë gjënë e ndryshme që përfaqëson origjinali. Sa për poezinë si shprehje e emocioneve njerëzore, këta zëra thonë se emocionet njerëzore janë, në pjesën më të madhe të tyre, të ngjashme dhe se mund të shprehen në çfarëdolloj gjuhe. Përkthyesi i poezisë duhet të rreket të gjejë kalket përgjegjëse, të afta që të ngjallin emocione të ngjashme te lexuesi. Në fund të fundit, atë që mund të cilësohet si “efekt i kërkuar”, nëse do të shpreheshim me gjuhën e Walter Benjamin-it, kur në “Misioni i përkthimit” pohon se “të përkthesh do të thotë të dish të përcjellësh atë çka në një tekst shfaqet si efekt i kërkuar”.

Borges-i është në një mendje me ata që shprehen se “çdo gjuhë ka mundësitë dhe pamundësitë e veta”, por nuk e pranon përfundimin se përkthyesi letrar është i dënuar të dështojë. Përkundrazi, Borges-i pohon se ndryshimet mes gjuhëve dhe mënyrat e ndryshme të shprehjeve i japin një përkthyesi, që ka për mjeshtëri rikrijimin nga origjinali, mundësi të shumëllojta. Për Borges-in, përkthyesi përherë duhet të përdorë lirinë e nevojshme për të arritur atë që çdo shkrimtar kërkon: një vepër letrare mbushamendëse. Përkthimi i poezisë, ndonëse është përherë një sfidë e madhe për përkthyesin, ka njohur arritje të tilla, kur versioni i përkthyer është konsideruar si i të njëjtit nivel me origjinalin: në krye të kësaj liste janë përkthimet në frëngjisht që Baudelaire-i u ka bërë poezive të Edgar Poe-së. Apo përkthimi nga Pessoa në portugalisht i poezive të Poe-s “Annabel Lee” dhe “Ulalume”; “Poezi që i përktheva jo për hir të vetë vlerave që bartin, por sepse paraqiteshin si një sfidë e vërtetë përpara përkthyesve”, na thotë përkthyesi.

M’u desh të rendis gjithë sa më sipër për të rrëfyer se në ç’univers të koklavitur e të vështirë u gjenda viteve 1987-88, kur nisa të përktheja në frëngjisht poezitë e Kadaresë, të cilat përmblidhnin rreth tridhjetë vjet krijimtari të autorit; në të vërtetë, e kisha filluar përkthimin e tyre shumë më parë se të më besoheshin “zyrtarisht” prej tij, në kohën kur studioja për filologji frënge. Ishte koha kur besoja në fatin tim prej përkthyeseje letrare, kur dija përmendësh qindra vargje të poetëve klasikë dhe modernë francezë, kur përpiqesha të përktheja në frëngjisht poezi të Nolit dhe të profesorit tim të përkthimit Vedat Kokonës, dhe kur shkruaja vetë vargje në frëngjisht (në të vetmen gjuhë që kam guxuar të shkruaj vargje ndonjëherë), të cilat kishin për lexues vetëm pedagogët e mi francezë dhe shokët e kursit.

Që në krye të herës, ndonëse e kisha të qartë se përkthimi nga shqipja në frëngjisht ishte ku e ku më i vështirë se nga frëngjishtja në shqip, mbaj mend, pata krijuar bindjen se, ndryshe nga besimi i përgjithshëm se përkthimi ishte një “poezidëmtues” a “poezivrasës”, përkthimi në vetvete ishte element përbërës i poezisë dhe se poezia lindte dhe gjallonte nëpërmjet tij: poeti kur shkruan poezinë s’bën gjë tjetër veçse “përkthen” emocionet e tij në gjuhën e fjalëve, ndërsa lexuesi bën të kundërtën, “përkthen” fjalët e poezisë në emocione. Madje, ai bën një “përkthim” të dyfishtë: emocionet e përftuara duhet t’i “përkthejë” në kodin, a gjuhën e emocioneve të tij.

Me këtë mendim dashamirës e të ngrohtë për marrëdhënien poezi-përkthim mora në sy sfidën e madhe të përkthimit në frëngjisht të poezive të Kadaresë. Isha, në fund të fundit, një lexues i veçantë i cili, gjuhën e emocioneve që kish arritur të vilte nga poezia e Kadaresë, do t’ia përcillte të ngjashmit të vet francez. Kishte poezi të krijuara përpara se të lindja unë dhe në vise të largëta (mësova që për t’i përjetuar t’i klasifikoja në kohët e jetës sime): valë brigjeve të Jaltës, gjire të Rigës, re që mërgonin drejt Suedisë, gra ëndërrore me emrin Birgit, kujtime që ktheheshin në statuja, tunele që nisnin në stacionin Arbatskaia dhe që gëlltisnin njerëzit si gojët e Harresës, dhe Lora... klima e tyre ishte e jashtëzakonshme dhe përjetimi i tyre prej meje, ishte si përjetimi i një jete që e ke jetuar me siguri, por që të është fshirë nga kujtesa -- rigjetja e saj ka shije identiteti të thellë. Pastaj vinin poezi që ishin krijuar aty nga viti i parë i lindjes sime dhe më pas në fëmijërinë time të hershme: tramvaje të pasmesnatës vendeve të huaja, orë të ndarjes, gishtërinj malli, të gjatë me kilometra që pleksen flokëve të dashur me gishtërinj të tjerë të huaj, qiej dimri, me një finlandeze në bar, vjeshta që mbron si luan ditët e saj të fundit nga dimri, Aeroporti i Rinasit, Luvri, orare trenash... Pastaj beteja e Fushë-Kosovës më 1389 dhe gjëma e ballkanasve, dhe alfabeteve të përgjakura, gjuhë të vdekura, marshi i akullnajës, teknika dhe poezia, fusha të dimërta, Sahara dhe drerë qiellorë që përndiqen nga qentë përballë mospërfilljes së yjeve...

Poezia e Kadaresë kishte gjithçka: mendim, ide dhe kumte, mister, simbole, emocion, ritëm fjalësh dhe ritëm imazhor, muzikë, - një klimë e tërë estetike, e cila duhej transplantuar në një tjetër klimë estetike. Kishte poezi ku mendimi apo ideja e Kadaresë duhej transmetuar në frëngjisht me një besnikëri të madhe dhe përpara të gjithave, por, duhej ruajtur me çdo kusht bukuria e të shprehurit. Siç thashë më lart, Pessoa e barazon poezinë me ritmin që ka; ai shprehet: “Ky ritëm është i dyfishtë, njëlloj si anët konkave dhe konvekse të një harku: përbëhet nga një ritëm fjalësh apo muzike dhe një ritëm pamor apo imazhor, të cilët veprojnë në brendësinë e tij. Andaj, përkthimi i një poezie duhet t’i përshtatet absolutisht, e para, idesë apo emocionit që përbëjnë poezinë, dhe e dyta ritmit verbal në të cilin kjo ide apo ky emocion shprehet”. “Ajo pjesë e poezisë që godet syrin e imagjinatës së lexuesit nuk ka për të humbur asgjë nga përkthimi në një gjuhë të huaj; ajo që i bën thirrje dëgjimit arrihet vetëm në origjinal”, thotë Ezra Pound.

Kishte poezi që mbanin, për hir të rrethanave dhe kohës që ishin shkruar, një kumt të fshehtë dhe mbeta shpesh në mëdyshjen: Ta bëja më të qartë kumtin për lexuesin francez? A do të arrinte ai vallë ta zbulonte vetë si lexuesi shqiptar, i regjur në zbulimin e kumteve të fshehta të Kadaresë? Një tjetër vështirësi shfaqej përpara meje: dhënia e pikës së saktë të misterit që mbarte një pjesë e poezive, - as duhej ta rrisja atë, dhe as duhej ta zbardhja. Thuhet se përkthyesi, njëlloj si aktori apo violinisti, vendoset në mes të krijuesit origjinal, autorit, dhe të lexuesit, apo pritësit. Roli i tij është t’i komunikojë këtij të fundit nëpërmjet gjuhës, me sa më pak ndryshime që të jetë e mundur, mesazhin dhe çastin estetik të krijuesit. Duhet të veprojë në mënyrë të tillë që të meritojë titullin e një krijuesi të vërtetë të artit dhe jo të shërbejë vetëm si një urë. Pra, realisht, më duhej të deshifroja fjalët- simbole të përdorura nga Kadareja për të shprehur mendimet, idetë, kumtet, misteret e tij, të përjetoja dhe bashkëndaja me të eksperiencat e tij mistike dhe pastaj të gjeja fjalët e mia - simbole, me anë të të cilave do t’i jepja lexuesit francez mesazhin e Kadaresë, me një ngarkesë estetike sa më afër origjinalit. Dhe kulmi fare, duhet të sillesha vërtet si krijuese, por duhet të isha vetëm çelësi në dorë të lexuesit, i cili ftohej të hynte në botën e brendshme të autorit; pra, duhet të rrija veç në prag të asaj bote dhe krejt neutrale.

Ishte shumë e vështirë dhe pothuaj e rrezikshme: gjer në ç’masë isha e lirë në artin tim të përkthimit? Gjer në ç’shkallë duhet të isha e përgjegjshme, domethënë gjer në ç’shkallë duhet të isha “e drejtë, e saktë” ndaj autorit? Po ndaj lexuesit? çfarë elementesh të poezisë duhet të sakrifikoja në të mirë të elementeve të tjera? Sepse pa dyshim “sakrifikime” do të kishte, kur përpara meje ngrihej barriera e rreptë e gjuhës. Nuk kishte rregulla absolute, madje, s’kishte fare rregulla; përgjegjësia dhe liria më shqetësonin shpirtin dhe më turbullonin punën e çdo dite. Duhej vendosur një ekuilibër mes të dyjave, por s’qe aspak e lehtë, përkundrazi, u torturova gjatë mes dyshimeve të gjembëta. Bëri punë vetëm magjia e poezisë. Isha aq e kredhur në universin e poezisë, aq e mbushur me të, dhe aq shumë jetoja për të, sa dikur ndjeva se isha e “pushtuar” prej saj, gjer në atë pikë sa më ngjante se vargjet që përktheja në frëngjisht, në të vërtet dilnin prej meje që në burim, krijoheshin nga unë, sikur unë të isha vetë autori; qe një iluzion shpëtimtar që vendosi ekuilibrin e duhur mes përgjegjësisë dhe lirisë së zejes sime: bëri që zëri poetik përkthimor të ishte shumë pranë origjinalit. Kisha hedhur mbi supe një fat përunjësie dhe nënshtrimi ndaj produktit të autorit, kisha lënë gjer identitetin tim krijues, kisha përqafuar identitetin krijues të autorit dhe metoda e punës doli të ishte krejt origjinale: i mësoja përmendësh poezitë në shqip, nga leximi i shumëhertë dhe me muzikën dhe mesazhin e tyre në mendje, pastaj, vargjet dilnin vetiu në frëngjisht, edhe në çastet më të pamendueshme të jetës sime: edhe në gjumë. Kishte raste kur lidhëzat, përemrat, ndonjë formë foljore hidheshin në erë nga “natyrshmëria” e lindjes së vargjeve në gjuhën frënge, çka prodhonte edhe ndonjë gabim gjuhësor “të detyruar”, që Claude Durand-i redaktonte më pas me kujdes.

Në esenë e tij “Mjeshtëria e besimit letrar” Borges-i flet për krijimin letrar si për një besim të veçantë: “ ... për kredo-n time letrare mund të pohoj pjesën që ka të bëjë me religjionin: është e imja përderisa besoj në të, jo ngase e kam shpikur unë…” Dhe “credo”-ja ime asokohe ishte, pa dyshim, besimi pothuaj religjioz ndaj realitetit të poezisë dhe përkthimit të saj: qe i njëjti realitet që ndante autori dhe unë; dhe i njëjti besim, sigurisht.

Kadareja vinte në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku punoja asokohe, me një bllok të numërtuar rreptë ku mbante poezitë që shkruante, shumica të pabotuara, dhe nga ku më jepte syresh në formën e dorëshkrimit për t’i përkthyer. Në fletët e atij blloku ndodhej edhe poezia Sapuni “Ledi Makbeth”, e porsashkruar (viti 1987), cila, poshtë titullit kishte fjalën “Antireklamë”... Më goditi përnjëherë: mesazhi i saj qe i tmerrshëm, rrëqethës: sapunin gjakshlyes njerëzimi nuk kishte për ta shpikur asnjëherë, kjo qe gjëja më e çmuar e tij, krimet nuk shlyheshin kurrë, madje edhe pas katërqind vjetësh... E përktheva poezinë me një ndjenjë të fuqishme të dyfishtë: e magjepsur nga forca e së vërtetës së saj dhe e frikësuar për vdekje për fatin tim dhe për fatin e autorit, - ishim mësuar që “Ledi Makbeth” të quanim nën zë Nexhmije Hoxhën, aludimi qe fare i qartë, në dritë të diellit, dhe asokohe, vejusha e diktatorit qe më e fuqishme dhe më e rrezikshme se kurrë. U mata me dhjetëra herë të flisja me Kadarenë e t’i komentoja se, ndonëse poezia nuk do të botohej në Shqipëri, por do të shkonte e do të botohej frëngjisht drejt e në Francë, ai ishte në rrezik të madh (nuk do t’ia përmendja fare frikën që kisha edhe për vete); por natyrshmëria me të cilën ma dha poezinë e frikshme dhe një lloj moskokëçarjeje të çuditshme apo një lloj “guximi” naiv, më penguan ta bëja: nuk mori mundimin as të më paralajmëronte që të mos ia rrëfeja kujt dorëshkrimin e poezisë. E kam vrarë mendjen gjatë kohë më pas se si pat ndodhur që Kadareja më pat besuar aq lehtësisht poezinë e rrezikshme. Vite më vonë e pyeta dhe nuk dinte të më përgjigjej, por unë isha tashmë e sigurt: i ishim dorëzuar dhe i përkisnim tërësisht besimit të përbashkët të krijimit letrar, i cili bëri të mbeteshim gjallë kohëve të liga që jetuam dhe ruajti nga prishja pjesën tonë më të qenësishme, shpirtin tonë.

Poezia joshëse e një femre


Vita Guhelli është poetja më e re nga Prizreni. Ajo gjer tani ka botuar dy përmbledhje me poezi:”E bukura e shpirtit” dhe “Këngë që do të këndohet.

Ajo e ka filluar “jetën” e saj me vargje poetike. Sikur është dashuruar në vargje, ritëm, rreshta, rima, strofa e tituj të poezive etj. Kjo rrugë e saj në artin letrar po dëshmon qartë se, poezia është vokacin i saj i parë i artikulimit poetik. Për te është një lloj “ushqimi”shpirtëror dhe frymëzimet i ka nga jeta e përditshmërisë sonë. Ajo si tetëmbëdhjetë vjeçare, e ka kuptuar se ç’është poezia, ç’është arti i shkrimit. Andaj, bota e saj është magjepsur nga kjo fuqi arti. Çdo gjë tek bota e saj krijuese “rrëfen” koha e jetës së njeriut. Kjo e bën lexuesin ta duan poezinë e saj për mënyrën e trajtimit të temave, të cilat janë joshëse dhe adhurohen nga të gjithë lexuesit. Është poezi që secili njeri e gjen vetën e tij rinore apo njomake. Pra, poezia e Vitës është më e ndryshme prej krijuesve tjerë, për fatin se shprehet me një gjuhë të qartë e pëlqehet për figuracionin e qëlluar e të rrallë të shprehjes artistike. Ajo është një “freski” e shpirtit. Vita i ka vargjet për udhët e zgjimit, për buzëqeshjen e fatit, sekretetin e jetës, për të bukurën e shpirtit, labirinthet e jetës, horizontin, portretin e njeriut, valët gjarpërore, pendimin, sprovat e jetës, fëmijërinë, pritjen, urat, kohën mortore, heshtjen, iluzionet apo realitetin, jeta që ka kthesa, për kujtimet e të shkuarës, për njeriun e lirë në jetë, por ka edhe vargje të shkruara me tema të tjera për miqësinë, për figurën e madhe shqiptare, Gonxhe Bojazhiun, Emin Durakun, 28 nëntorin, për qytetin, Prizrenin e të tjera. Janë këto krijime të frymëzimeve të “para”, të saj, të cilat dalin nga thellësia e shpirtit, por që tingëllojnë bukur me atë gjuhë të ëmbël e me shije të hollë krijuese. Dhe, secili fillestar që krijon vargje të këtilla, padyshim “rrëfehet” për vetën e tij, e cila “botë” është magjike, për faktin se janë shpërthime e dallgë zemrash plot vrull. E tillë është poezia Vita Guhellit, e cila na del e artikuluar si loti me ato shprehje të bukura e fort të qëlluara astistikisht e temtikisht. Në një vend, ajo shprehet “Jeta e njeriut/ është e vështirë/ por nuk thonë kot/ “çdo e ligë - ka të mirë”. E populli e thotë se pas të keqes, vjen e mira, pas rrebeshit të shiut, kthjellet moti etj. Këto vargje të autores në fjalë të përkujtojnë më tepër letërsinë gojore, e cila nuk hiqet dot nga zemra e këngëtarit e shprehur në atë mënyrën filozofike të njeriut për jetën, fatin e tij të pritur. Nuk ka poet që nuk ka shkruar për të bukurën apo të madhërishmen. E bukura gjithmonë i ka frymëzuar krijuesit e artit. E, kjo e bukur ka qenë e është edhe sot temë e frymëzimeve të krijuesve tanë. Edhe Vita, duke “prekur” këtë temë, ajo hyn aty ku është burimi i të bukurës, ajo që adhurohet dhe ka magji jete, e cila fshihet në zemër të krijuesve dhe ka madhështi arti, por ka edhe emër që nuk hiqet nga mendja. Në poezinë e Vitës me titull “E bukura e shpirtit”, ajo për të bukurën, shton: “Bukuria e shpirtit/ asnjëherë nuk venitet/ vetëm atë shenjtëri/ nuk e rëndojnë vitet/ (f.8). Apo, kur e mendon se të gjithë jemi pasardhës të dikujt, ajo një poezi ia kushton njeriut të zemrës, Nënës, me titull “Asaj”. Ja si shton autorja: “Asaj që m’u bë engjëll i përjetshëm/ në momentin kur fillova të jem pjesë e kësaj bote/ Falë asaj, krijesës më të dashur njerëzore - Nënës, / Njeriut të zemrës!” (f.12). Vita Guhelli e ka përjetuar luftën e fundit (1999), e cila (luftë) la pas vete pasoja të mëdha në njerëz. Në Krushë të Madhe, vend afër Prizrenit, mbetën shumë fëmijë pa prindër. Ajo në poezinë “Kohë mortore”, shton: “Kush do i ndalë lotët e syve jetimë/ Vajet për prindërit e vrarë/, Tmerr lufte ndër sy fëmijës/ Skenari prapë i luajtur/ Vdekja mbi jetë errësira mbi dritë/ Pasqyrë e thyer kosovare” (f.26). Pas kësaj “ngjarjeje”, Vita Guhelli i kthehet jetës së ecjes përpara. Ajo nuk e lë pa e përkujtuar të kaluarën, luftën, por së shpejti i kthehet me plot optimizëm të ardhmës, të cilën e sheh si një mozaik të spërkatur me dritë. Ja, si shton ajo: “Të jetojmë të tashmen/ si të priturën ditë/ Të pimë nga gjiri i saj/ Mozaikun spërkatur me dritë” (f.34). Pse jo? Ajo e sheh të ardhmen se do të agojë me të pritura më të mira për të gjithë njerëzit, kur sërish nis jeta pas asaj kohe të rëndë dhe, poetja i “këndon” kësaj “jete” me këto vargje: “Fitorja i takon atyre që kanë guxim”. Por, edhe si poete e re, nuk e largon fajësinë e dikujt, sidomos të njeriut të fjalës, për të cilin ajo shton: “Ti njeri jo i fjalës/ një ditë do të jesh mëkatar/ për muret e shembura/ të tabanit kombëtar” .

FATOS ARAPI, poeti elitar shqiptar



Intervistoi: Vera Pelaj

Fjala poetike e tij është moderne, universale dhe e përjetshme. Ka lënë këtë lloj përjetësie të flasë për të, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të tërhiqet prej të qenit publik.

Si poet, ju keni përcjellë rrjedhat e poezisë në hapësirën shqiptare. A mund të veçoni ndonjë gjeneratë poetësh?

Fatos Arapi: Për fat të keq, një pjesë e tyre, që më vjen shumë keq, nuk janë më. Do të veçoja Azem Shkrelin, i cili ka qenë një nga kulmet e poezisë shqiptare dhe i cili meritonte më shumë sesa unë çmimin. Pastaj ju në Kosovë keni një plejadë të tërë poetësh. Unë nuk dua t’i përmend emrat sepse jam i bindur që do të harrojë dhe nuk është e drejtë që të përmend emrat, por poezia kosovare dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe. Gjithashtu edhe këndej nga ana jonë ka pasur. Është plejada tjetër e poetëve të viteve ’60-të, dhe jo vetëm të viteve ’60-të, por edhe e viteve ’70-të, të cilët kanë bërë çka është e mundur për poezinë. D.m.th poezia, unë e thashë që në fillim dhe dua të kuptohen, që poezia shqiptarë i ka bërë detyrat historike të imperativit historik të saj, i ka bërë shumë mirë në ato kushte shumë të vështira, në të cilat është ndodhur.

Kritika shqiptare, brezin tënd, e ka konsideruar si fillim të mbarë të fjalës shqipe. Brezi juaj, Agolli, Arapi dhe Kadare, keni kontribuar mjaftë në gjininë poetike. Ç’farë mendoni për brezat e rinj?
Dëgjoj shumë andej e këndej që janë pesimist këta që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptarë tashmë e ka të qartë synimin e saj drejtë lirisë së njeriut, drejtë të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar në veçanti, mendoj se është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimist. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…

Prania e juaj vërehet edhe te disa poetë d.m.th janë ndikuar nga krijimtaria juaj.
Është krejt normale ajo sepse në fillimet e veta, çdo poet është si puna e fëmijës, që do ta kërkojë dikë që ta marri për dore dhe ajo është krejt normale. Por, vjen një moment që ai e kupton që duhet të shkëputet nga dora dhe duhet të ec vet në këmbët e veta dhe atëherë fillon te eci poeti. Poeti nuk është gjë tjetër veçse është personalitet i tij, shpirt i tij dhe kultura e tij. Kështu që, ai do ta gjejë vetveten. Mos u shqetësoni nga ajo sepse është në influencën e këtij apo atij poeti, nuk ka rëndësi. Me kalimin e kohës ai do ta gjejë, nëse është poet, po e nënvizoj nëse është me të vërtetë poet, nëse ka lindur vërtetë poet, siç thoshin antikët latinë dhe nëse ka lindur vërtetë poet, ai do ta gjejë rrugën e vet. Nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar aty.

Në vitet ’70-të, një grup shkrimtarësh iu kundërvunë realizmit – socialist. Teksti ishte “Vox clamantis in diserto – Zëri i humbur në shkretëtirë”. Pati shkaktuar shqetësime mjaftë tek ne. Te ju si është pritur, pasi që ishin kohë të vështira?

Fatos Arapi: Tek neve ajo erdhi si një lajm, si një fenomen që ka ndodhur. Nuk ka pasur shumë rëndësi tek ne fakti se ç’farë bëhet. D.m.th, në këtë pikëpamje se ç’farë thoshin teorikisht. Brezi i viteve ’60-të, që erdhëm ne, më tepër shikonim krijimet tona dhe mbështeteshim tek këto krijime duke lexuar poetët botërorë në përgjithësi dhe poetët dhe poezinë tuaj në përgjithësi. Ne shikonim më tepër krijimet sesa anën teorike sepse ana teorike, tek ne ishte shumë e ndaluar. Ju kishit më shumë liri e po ashtu edhe kritikët tuaj, kishin më shumë liri. Prandaj edhe sot e kësaj dite, inteligjenca e kritikës tek ju, është shumë më e fortë sesa këtu tek ne. Akoma tek ne nuk e kemi bërë kapërcimin e personaliteteve të mëdha, të vërteta e të fuqishme të kritikës. Nuk është se neve na kanë ndihmuar kritikët, por ne krijuesit vetë kërkonim dhe ne mbështeteshim vetë në krijimin tonë. Po e kemi dëgjuar atë “Vox clamantis in diserto – Zëri i humbur në shkretëtirë”.


Ku vete letërsia shqipe sot?

Fatos Arapi: Në çështjet e letërsisë, nuk mund të flitet kështu. Unë e kuptoj dhe dëgjoj gjithnjë ankime. Letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar. Shembull le të marrim vitet ’35. Nuk ka qenë vetëm Lasgush Poradeci, po në vitet ’35 këtu ka pasur një gjeneratë të tërë shkrimtarësh. Ka qenë Ali Asllani, ka qenë Asdreni, Fishta, pastaj të rinjtë Petro Marko, Nexhat Akiu, kanë qenë plotë, mirëpo në një moment të caktuar, poezia bën sintezën e vet dhe del një talent i fuqishëm i cili sintetizon të gjitha këto. Kështu p.sh. një sintezë e tillë është edhe poezia e Lasgush Poradecit, e cila nuk mund të themi se përfaqëson të gjithë këtë gamë të madhe të poezisë shqiptare, që ekzistonte atëherë. Natyrisht Fishta ishte një Fishtë, Ali Asllani ishte një Ali Asllan, Asdreni qe një Asdren, Lasgushi një Lasgush, por sidoqoftë viheshin sintezat, kështuqë nuk duhet të jemi pesimist në këto gjëra dhe nuk duhet t’i kërkojmë në letërsi përnjëherësh gjërat. Ato sinteza janë sinteza historike, historia i bën ato zhvillime.

A mund të shikohet letërsia si në të kaluarën e copëtuar, pasi që nuk ekzistojnë më kufijtë në hapësirën shqiptare?

Fatos Arapi: Jo, jo jo. Sot letërsia shqiptare mendoj unë, ka mundësi komunikimi, mundësi leximi. Gjithnjë e më shumë është duke u bashkuar, janë duke u shkrirë njëra me tjetrën dhe duke pasur ndikime njëra mbi tjetrën. Unë p.sh, shoh ndikime të ndryshme tek të gjithë poetët qoftë edhe tek vetvetja ime. Ndikohem qoftë edhe nga një poetë I ri, I cili më jep një figurë shumë të bukur p.sh në një poezi ec një figurë shumë e bukur, unë ndikohem menjëherë. Unë mendoj se poezia shqipe sot, i ka të gjitha kushtet që të eci bashkërisht dhe bashkërisht do të eci, s’ka se si ecën ndryshe.

Sa është e pranishme letërsia shqipe në hapësirën evropiane?

Fatos Arapi: Pengesa e madhe është vetëm gjuha. Është gjuha që është një gjuhë e vockël dhe është një gjuhë ndoshta, ndoshta, e vështirë për t’u mësuar. Pastaj janë shteti dhe politika jonë, që nuk i japin rëndësi fare problemit të përkthimeve kështu që, përkthimet janë bërë monopol të disave, të cilëve të them të drejtën, unë nuk iu afrohem fare e as nuk u jam afruar ndonjëherë, as nuk do të provojë. Unë shikoj punën time por, letërsia shqipe si letërsi, është letërsi që ka personalitete shumë të fuqishme. Shkrimtarët shqiptarë, e kanë krijuar atdheun e tyre estetik tashmë. Shqipërinë estetike. Kjo është shumë më e rëndësishme sepse kjo do të edukojë brezat e ardhshëm, do të kalojnë këto tollovi që kalojmë neve tani, do të vijnë brezat e ardhshëm, e ata do të edukohen nga atdheu estetik. E nënvizoj ATDHEU ESTETIK, që kanë krijuar shkrimtarët shqiptarë me gjeneratat e tyre. Dhe këto gjenerata, e kanë bërë mirë, e kanë bërë me dinjitet, e kanë bërë me një kulturë të fortë evropiane, detyrën e tyre ndaj këtij atdheu estetik të tyre.

Fërkimet në mes të krijuesve janë të pranishme. Si i shihni ju z. Arapi?

Fatos Arapi: Ajo është e natyrshme fare, as mos u tronditni fare. Që në kohët antike, Juvenali, poeti romak, thoshte “ Po ku ka në Romën e vjetër një kënd që nuk punohen pranga për poetët”? Edhe unë kam një poezi që them që “poetët lindin me pranga në duar…”. Poetët lindin me pranga në duar, por ata nuk i shohin prangat. Kjo është ana e mirë e tyre. Ata nuk i shohin prangat sepse ata ndjekin idealet e lirisë, idealet e humanizimit, idealet e njerëzimit, të poezisë së tyre, të anës së bukur, të harmonisë, të dashurisë midis popujve, midis njeriut, të zhbirimit të shpirtit njerëzor, i cili është kaq i pasur. Kështu që, edhe pse lindin me pranga në duar poetët, vazhdojnë punën e tyre dhe poezia vazhdon punën e saj. Megjithëse thonë të zhduket, jo andej e jo këndej, ato nuk janë asgjë, poezia do të jetojë sa të jetë njerëzimi.

A kemi ne shqiptarët, kandidatë të denjë për çmimin Nobel për Letërsi?

Fatos Arapi: Këtu më vure në një pozitë jo të mirë. Këto çmimet janë nganjëherë fatet, janë momente komplekse, bile bile, ishte një tezë e madhe që thoshte se nganjëherë çmimet i zhvlerësojnë shkrimtarët dhe poetët, por nuk kemi çka ju bëjmë. Derisa ekzistojnë, ekzistojnë. Nuk di çka të them për ato punë.

A mund ta përmendësh ndonjë nga shkrimtarët tanë, që ti do ta nominoje për këtë çmim?
Fatos Arapi: Për çmimin Nobel? Ta nominoja unë? Nuk do të pranoja ta bëja këtë punë, jo se ka apo nuk ka. Mund të ketë, mund të mos ketë por, unë vet nuk do të guxoja dhe nuk dua që të merrem me këtë punë që të përcaktojë sepse për mua nuk ka shumë rëndësi.

Diçka për fund?

Fatos Arapi: E para dhe e gjitha, të studiojnë vetveten, shpirtin e tyre, ta kultivojnë shpirtin e tyre, ta bëjnë atë shpirt me të vërtetë një shpirt të një njeriu të epokës në të cilën jetojmë, epokë e cila është me të vërtetë shumë e zhurmshme, shumë e vrullshme, por që jep mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e shpirtit njerëzor. Mbi të gjitha, ne shqiptarët, kemi nevojë të njohim vetveten, të njohim historinë tonë, sidomos të kaluarën historike dhe të mos e ulim kokën para askujt. Por në të njëjtën kohë, të kemi dashuri, respekt, dinjitet për çdo njeri, për të gjithë. Për fqinjët, për njeriun në përgjithësi. Liri, njerëzi dhe dashuri midis njerëzve. Ky është mesazhi im.

Pak biografi

Fatos Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës. Ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, më pas punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike "Shtigje poetike" (1962), "Poema dhe vjersha" (1966), "Ritme të hekurta" (1968) është më konform iste. Më 1971 botohet në Prishtinë vëllimi "Kaltërsira ". Vëllimin "Më jepni një emër" ia ndaloi diktatura. Pasojnë vëllimet: "Drejt qindra shekujsh shkojmë" (1977), "Fatet" më 1979, "Duke dalë prej ëndrrës" (1989). Pas rënies së diktaturës botoi vëllimet "Ku shkoni ju statuja", T 1990, "Dafina nën shi", T. 1991, "Ne, pikëllimi i dritave ", T. 1993, "Unë vdiqa në brigjet e Jonit", Shkup, 1993, "Më vjen keq për jagon ", T. 1994, In tenebris, T. 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet "Dhjetor i shqetësuar" (I970), "Dikush më buzëqeshte" (1972), "Shokët", 1974, "Deti në mes ", 1986, novelat "Patat e egra" (1970), "Cipa e dëborës, “Gjeniu pa kokë” (1999), disa drama: “Partizani pa emër” (1962), “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku” (1995). Ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare.
Ndërsa, për herë të parë në historinë 50-vjeçare të "Netëve Poetike të Strugës", një poet shqiptar, Fatos Arapi, fiton "Kurorën e Artë".

Striptizë poetike në Washington D.C.

Refleksione për librin " Striptizë poetike në Washington D.C. " të Moikom Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas Tiranë 2014

Një libër, një antologji e poeteve modernë amerikanë, një përkthim i përsosur i 73 poetëve të përzgjedhur nga poeti Moikom Zeqo. Përkthime të poezisë anglosaksone e veçanërisht të asaj amerikano-veriore. Të përkthesh një poezi të poetit të huaj do të thotë të përkthesh vetë poetin. Atëhere përkthimi nuk është më një përkthim. Është diçka tjetër që vetë Moikomi e quan "Striptizë poetike" e që mund të thuhet dhe "Striptizë Shpirti". "Këta poetë janë brenda meje. Ose unë isha brenda tyre" – kështu shprehet Moikom Zeqo për këtë libër që është me tepër se antologjik. Kur e pyetën një njeri të ditur se ç'është poezia, ai u përgjigj:- Eshtë një mister i pashprehur. Po përkthimi i poezisë ? - do shtoja unë. Përgjigjen e gjej pikërisht në këtë libër ku janë përkthyer poetët më të mirë të Amerikës.
***
Letërsia anglosaksone ka ardhur relativisht vonë ne Shqipëri. Fan Noli e hapi portën e saj me Shekspirin dhe me Longfelloun. Pastaj erdhën " Fijet e barit" të Ëalt Ëitman- it nga Skënder Luarasi dhe "Parajsa e humbur" e Xhon Miltonit përkthyer nga Alqi Kristo. Por poezia moderne kishte boshllek në vazhdimësi deri kur Gentian Çoçoli botoi të përkthyer kolanën komplete me dhjetë poetë amerikanë. Një plotësim boshllëku i ndjeshëm jo vetëm për poetët dhe studjuesit shqiptarë.
***
Moikom Zeqo e filloi këtë punë madhore që në vitin 1996, në Ëashington D.C. , ku " ethet " e para u shprehën të botuara në librin e tij "Shtatë ditë të zbulimit të Amerikës" dhe me vonë në librin " Çfarë i thotë nata varkës se zbrazët" të poetit bashkohës amerikan Ëayne Miller. Ndërsa në librin e parë i dha një dritë inteligjente poetëve të "Beat generation", shoqëruar me rrezatimin profetik të Ëalt Ëitmanit, në librin e dytë Moikomi na fut në botën e poezisë urbane të ditëve tona në Amerikë.
Po këto nuk mjaftonin për zhveshjen e plotë të shpirtit poetik të tij prandaj solli këtë vepër të papërsëritshme duke u futur në rrymat përçuese të ideve të poezisë së Botës së re moderne.
Një rrugë e gjatë përkthimi, një aventurë elegante në tokat e pazbuluara poetike. Por rrugëtimi i gjatë nuk është e vetmja vështirësi. Poezia moderne amerikane përveç përzgjedhjes së autorëve ngërthen në vetvete mistere të reja , mistere ndryshe nga ato te poezisë eurocentriste. Umberto Eko thotë: " Përkthimi është një nga gjërat më të vështira por që e bën të njohur letërsinë në botë". Moikom Zeqo është shumë kërkues në këtë fluks vështirësisë, fluks që tani, me këtë libër të poezisë amerikane është kthyer në një përmendore kuptimplotë.
***
Le të kthehem në boshllëkun që ekzistoi në Shqipëri , mungesën dhe largësinë e poezisë anglo - saksone në Shqipëri. Përse ky fenomen ?- Në Shqipëri u krijua matrica e eurocentrizmit, ngadalë por e plotesuar.- Poezia e poetëve amerikanë nuk mund të perkthehet nga mjeshtrit e mediokritetit. Dhe me të vërtetë Ezra Pound, një nga poetet e mirë amerikanë që guxoi ndermjet të tjerash të përkthejë poetët e mëdhej të Kinës e të Japonisë thotë fare thjeshtë:" Poetët e mëdhenj, përkthehen vetëm nga poetë të mëdhenj"...
I ndodhur në dhomën e mistereve të poezisë amerikane të kohës sonë, Moikom Zeqo ka ditur të orientohet me shqisën “e shtatë”, duke hedhur tej format konvencionale të studimit të poezisë. Antologjija me përkthime të poetëve moderne amerikanë " Striptizë poetike në Ëashington D.C. ", nën ankthin e së vërtetës jepet me shumë perparesi të cilat po i paraqes të radhitura më poshtë: Eshtë një komplet i gjere poetik me 73 poetë që nga Ëitmani.
- Janë poezi që janë përkthyer vetëm nga Moikomi, çka përbën një veçanti madhore në botën e përkthimeve.
- Eshtë përdorur teknika e kuptueshmërisë së vargjeve me formën e vargjeve te paraqitura në prozë. Kjo është forma e jashtme por që i jep krahë brendësisë për të kapur idenë në mënyrën më të plotë që poeti kërkon të shprehë.
- Ka sensin e estetikës në përkthim, gjë që në shumë përkthyes mungon. Ne se kjo estetikë nuk ekziston, atëhere një poet i madh i huaj duket tepër i rëndomtë.
***
Po të shohim historikisht një nga faktorët e mësipërm, pikërisht përdorimin e teknikës të paraqitjes së poezisë në formë proze, gjejmë si paraardhës Faik Konicën që përktheu disa poetë të mëdhenj.Natyrisht që realizimi me art i kësaj eksperience nga ana e Moikom Zeqos, bazohet në përsosje të vazhdueshme të një pune të madhe edhe si poet origjinal. Ndryshe nuk do të gjendej kjo përshtatje kaq natyrale e përkthimit të poeteve moderne amerikane.Moikom Zeqo sjell poetë të tillë të njohur në gjuhën shqipe si William Blake, Walt Whitman, William Butler Yeats, Thomas Eliot, Ezra Pound, Ëallas Stevens, Silvia Plath, Gregory Corso, etj. Ai ka ditur të përzgjedhë poetët midis detit të madh të poetëve amerikanë, ata poetë që na afrohen me shumë si mesdhetarë por edhe si temperament prej shqiptari. Nga është nisur Moikomi ka bërë këtë përzgjedhje? Në radhë të parë ka qëmtuar vetëm pak poetë dhe në radhë të dytë nga krijimtaria e çdo poeti ka marrë vetëm pak poezi. Qindra vëllime qarkullojnë nëpër botën amerikane me poezi të këtyre poetëve por në antologjinë delikate të Moikom Zeqos “ Striptizë poetike në Ëashington D.C.”, do të gjejmë botën e shkuar të mpleksur me të tanishmen konkrete dhe me të ardhmen abstrakte. Për shembull poeti Charles Simiç në poezinë “ Njeriu i padukshëm”duket sikur e përgjum të tanishmen dëftore dhe e trondit nga e ardhmja e foljeve qiellore....
***
Në këtë antologji lexuesi shqiptar do të gjejë kënaqësinë e intersektimit të botës së sotme amerikane me botët e lashtësisë europiane, me Biblën dhe me Odiseun, me Roterdamin dhe më Afërditën e Luvrit. Poeti nobelist Derek Ëalcot sjell në poezinë e tij “Odiseu” një Odise tjetër , tepër të dëshiruar, por të kohëve tona. Metafora është e qartë.
Moikomi realizon kështu një tablo të munguar në Shqipëri, atë të pasqyrimit të poetëve amerikanë të Botës së Vjetër. Pikërisht këto rikthime të poetëve modernë amerikanë në botën europiane të rrugëve romake, Pompeit, Francisco Goja-s, Paulo Uccelon, Jeruzalemit, Bizantit, Dantes e Karontit, etj e bëjnë antologjinë që po analizoj me vlera të jashtëzakonshme. Në këtë prurje poetike mund të gjejmë përgjigjen në teorinë e “ kujtesës së drurit”. Kujtesa e drurit nuk është thjeshtë teknika e kthimit të pemës në letër tipografike, është shumë më tepër. Është kujtesa e kohës, kujtesa e pemëve jetë gjata që ruajnë në lëngun e tyre ngjarjet e jetës....
Gati gjysma e poetëve në këtë antologji i janë kushtuar Europës.
***
Një vend të posaçëm zë në këtë libër edhe poeti i sotëm Ëayne Miller. Përkthyes i poezive të Moikom Zeqos nga shqipja, ky poet është konsideruar një e ardhme e poezisë amerikane. Përkthimet e para të poezisë së tij u bënë nga Moikomi në vitin 2010 dhe tani e kemi përsëri në grup me poetët e tjerë modern amerikanë. Poezia e tij është një skaner i jetës së qytetit amerikan të sotëm, ku lëvizja në dukje turbulente qetësohet nëpërmjet tre personazheve fëmijë: Justinës, Klarensit dhe Andit. Udhëtimet e tyre imagjinare nën figuracionin poetik tejet modern të Millerit të kujtojnë “Lizën në Botën e çudirave”.Një skenë e çuditshme paraqitet në poezinë “Festival rruge” , poezi e cila është xhirimi i kamerës lëvizëse nëpër rrugët e qytetit: ‘Ku kulmet e palmave janë elektrizuar në flokë-/Ku fishekzjarret bëhen hi nga terri-/ ku dritaret janë copëza muzgu mbi rrugë-/ ku tingulli I dritës i jep zhurma lumit-.” Ëayne Milleri vjen i plotë në këtë libër striptize të poezisë. Duhet ta lexosh që të ndjesh frymëmarrjen e shpirtit të poetit, e bashkë me të do ndjesh dhe tingujt e rrugës, ditën dhe natë, do ndjesh lëvizjen kaotike të njerëzve në trotuaret e Nju Jorkut e në fund do të kuptosh se vetëm kaos nuk ka. Rregullsi jete, po!
***
Libri me poezi amerikane “Striptizë poetike në Ëashington D.C. “ mund të jetë dhe një tekst i mirëfilltë shkolle, që nga arsimi i mesëm e deri te pasuniversitar. Dhe kjo nuk është thjeshtë një dëshirë, dhe as një propozim. Eshtë një domosdoshmëri për të thyer ato korraca të ngurtësuara të teksteve të letërsisë ku vetëm frymëmarrje shpërthyese të poezisë hapësinore s’ ka.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/arte/magjia-e-perkthimit-te-nje-matrice-poetike-50066/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Poezia e Visar Zhitit për të birin: Bëhu ç’të duash, por bëj vetëm mirë


Atjon Zhiti humbi jetën në një aksident rrugor

Nuk e kishte menduar që jeta do ti merrte padrejtësisht në moshën më të bukur, gjënë e tij më të shtrenjtë, djalin dhe fëmijën e vetëm.
Poeti dhe shkrimtari disident, Visar Zhiti, në një nga librat e tij të botuar i kishte kushtuar gëzimit të jetës një poezi, ku mes rreshtash përcjell porositë për të birin.
“Bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem. Bëjvetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të shkelin”shkruan Zhiti.

Familjarë, të afërm, miq edhe shokë e kanë përcjellë për në banesën e fundit mes lotëve e dhimbjes 19-vjeçarin Atjon Zhiti, i cili humbi jetën tragjikisht mëngjesin e 20 dhjetorit, teksa motori me të cilin udhëtonte sëbashku me shokun e tij u përplas me trafikndarësen në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të QTU.

Pas homazheve në nderim të të riut, arkivoli me trupin e pajetë të 19-vjeçarit është nxjerrë në krahët e miqve dhe të afërmve të tij.

Të afërm, shokë dhe miq, vendosën kurora me lule dhe u përkulën me nderim përpara trupit të pajetë të të riut, i cili u përcoll mes dhimbjes e lotëve për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës në kryeqytet.


Poezia e Visar Zhitit shkruante për të birin
Bir, i vogli im, i bukuri, degë e
gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë
përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i
dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj
vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje
ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe
emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte
ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.
Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe
në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi
lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…

Udhëve të poezisë shqipe


Akademiku, prof. Ali Aliu është tashmë i njohur si një “gjeneral” i mendimit kritiko-letrar shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e më gjerë. Gjithë jetën e tij 70-vjeçare Ali Aliu ia ka kushtuar studimit e vlerësimit të letërsisë artistike mbarëkombëtare, pa u hallakatur asnjëherë nëpër fusha të tjera gjurmimesh. Dhe tani lexuesit tonë i drejton një libër të ri me shkrime të zgjedhura të tij, që u kushtohen udhëve të poezisë shqipe.




Shtegtim metafore
nga Ali Aliu
Shkrime kritike për poezinë shqipe

Shtëpia Botuese: Toena

Numri i faqeve: 280

Çmimi: 600 lekë

Kryefjalë e këtij libri është një pyetje, që e ka përcjellë gjithë jetën studimore të autorit: Ç’është poezia, magjia e saj? Si ta lexojmë poezinë? Në kohën tonë janë fare të paktë ata të varfër, që s’kanë pasur fatin ta shijojnë poezinë; por Ali Aliu nuk ia drejton kryesisht këtij grupi njerëzish pyetjen e mësipërme, por para së gjithash atyre që e njohin dhe e pëlqejnë poezinë, studiuesve të saj, madje edhe vetes së vet. Dhe ka të drejtë që e ngre këtë problem, ndonëse poezia është zhanri më i lashtë i historisë botërore të letërsisë.

Qysh në kohët parahistorike folklorike e më vonë në lashtësi, kur poezia ishte në kërkim të vetvetes, pati filluar edhe studimi i saj. Platoni e, pas tij, Artistoteli në veprën e famshme “Poetika” filluan studimin vërtet serioz, shkencor të saj. Por është fakt i pamëdyshtë, se studimi i saj vazhdon edhe në ditët tona, kur poetë nga më të mëdhenj të rruzullit si: T. S. Elioti, Ezra Pound, Osip Mandelshtami, Jorgos Seferis, Eugenio Montale, Oktavio Paz, Josif Brodski, etj. kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë studime, artikuj e ese shumë interesante, në të cilat duan t’i japin një përgjigje pyetjes: Ç’është poezia? Bashkohet me ta në librin e tij edhe Akademiku Ali Aliu, kurse lexuesit të kulturuar mund t’i lindë natyrshëm pyetja: Çudi, akoma, nuk qenkësh sqaruar ç’është poezia?! Mijëra vjet nuk mjaftuan për t’i dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje? Kjo pyetje e pafajshme mbetet pa përgjigje jo vetëm për atë gjykatësin, që Kritikë letrare UDHËVE TË POEZISË SHQIPE Ali Aliu Shtegtim metafore Botimet TOENA e pyeti poetin nobelist Josif Brodskij për profesionin që ushtronte dhe kur dëgjoi përgjigjen e të pandehurit “Poet!” gjykatësi udhëroi se “krijimi i poezisë nuk është profesion!” dhe e dënoi poetin me burgim; puna është se vazhdojnë përpjekjet për ta studiuar poezinë dhe për të thënë diçka ende të pathënë për të. Që nga kohët e lindjes së poezisë e deri tani jo vetëm krijuesit e saj, por edhe studiuesit më të mençur kanë ngulmuar duke e quajtur: “magji”, “enigmë”, “fshehtësi hyjnore”, fjalë që gabimisht merren ndonjëherë si pafuqishmëri e shkencave letrare. Këtë cilësim të poezisë, lexuesi do ta gjejë edhe në shkrimet e librit të Ali Aliut, kur ai flet për “magjinë e fjalës”, për “zogun e qiellit”, për “thelbin mitik”, etj.

Kjo do të thotë se mjeshtri ynë i mençur i gjykimit të poezisë, e pranon se mbetet ende për t’u marrë me deshifrimin e të fshehtave të poezisë, prandaj pyet: “Si ta lexojmë poezinë”? Dhe në secilin shkrim të librit të tij, Ali Aliu na tregon shumë gjëra që s’i kemi ditur, që s’i kemi kuptuar, na ndihmon ta njohim më thellë poetikën, bukurinë mahnitëse të saj, të kënaqemi e ta adhurojmë. Profesori u qaset të fshehtave të poezisë duke hetuar e hulumtuar çdo poet shqiptar, pa përsëritur çka është thënë e stërthënë, duke zbuluar perla e xhevahire edhe te De Rada e Naimi, Lasgushi e Serembe, Fan Noli e Migjeni, Dritëro Agolli e Azem Shkreli, Fatos Arapi e Ali Podrimja, Sadik Bejko e Resul Shabani e shumë të tjerë.

Cila është metoda, kyçi që përdor studiuesi ynë në gjurmimet e veta? Ai nuk sajon ndonjë skemë abstrakte apo ndonjë kanun, që ta përdorë si kriter ose masë të përgjithshme, universale për t’ia nënshtruar çdo varg, çdo poezi, çdo poet. Ky qëndrim i tij bie në sy edhe në disa nga antologjitë e poezisë, që ka hartuar ai e që janë nga më të suksesshmet. Në gjithë shkrimet e tij spikat njohja e zotërimi i parimeve, nocioneve, ideve e aksiomave të teorisë e stilistikës së letërsisë botërore; Ali Aliu ka qenë e vazhdon të jetë titullar i kësaj lënde në Universitetet e Prishtinës, Shkupit, Tetovës e gjetkë. Ai i njeh mirë arritjet teorike e metodologjike klasike e moderne të studimeve të poezisë e të letërsisë. Kur lexon çdo shkrim të tij, lexuesi e kupton se ai ka një prapavijë të pasur teorike, që e ndihmon ta rrokë poezinë pa e lënduar, duke mbajtur ndaj saj një qëndrim delikat, të brishtë, siç është natyra e saj, tregon respektin e ndjeshmërinë e lartë të tij ndaj saj dhe përpiqet të mos e lëndojë e të mos e gjymtojë asnjë varg, strofë apo poezi nga trysnia e jashtme e skemave dhe kanuneve shkollareske të klasikës ose modernes, që i njeh mirë, të cilat mbeten të nënkuptuara, si prapavijë mbështetëse për analizat konkrete ndaj origjinalitetit e vërtetësisë estetike të tyre.

Konceptet teorike nuk kanë qenë kurrë për të instrument tekash, ekstravagancash formale “erudicioni” ose “moderniteti”, sepse i ka shkrirë në veprat poetike që shqyrton, i ka bërë kuptime të brendshme të analizave e konkluzioneve, interpretimeve të sakta e të zbulimit të vlerave të mëvetësishme të estetikës. Mjeshtri ynë nuk pret që ta shfaqë mendimin e vlerësimin e tij pasi janë krijuar opinione të qëndrueshëm, për mirë apo për keq, për një poezi të re, për një krijues të ri, sepse synimi kryesor i tij ndaj poezisë është të kapë së brendshmi bukurinë autentike të saj, siç ka rrjedhur natyrshëm, spontanisht, pa sforcime nga gura e poetit, për ta prezantuar siç është vërtet dhe për aq sa është. Dhe kjo i ka dhënë dorë Ali Aliut të arrijë me kohë, të njohë e të pëlqejë, madje të zbulojë vlera të reja me ujërat e kulluara të poezisë bashkëkohore, siç e tregojnë shkrimet e tij për poezinë e Xhevahir Spahiut ose të Mihal Hanxharit, të Eqrem Bashës dhe të Visar Zhitit, të Luljeta Leshanakut dhe Arjan Lekës, Agron Tufës e Shaban Resulit, etj.

Lexuesi do të mësojë se gjykimit të Ali Aliut nuk i ka shpëtuar tharmi i përveçëm që në hapat e para të krijimtarisë së poetëve, ndoshta qysh kur vetë autorët nuk kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për talentin e tyre poetik. Lexuesi ynë nuk do ta ketë të vështirë të njohë se si është afruar zëri i kritikut me atë të poetit, se si i japin dorën njëri-tjetrit. Por cila është e vërteta e poezisë që i kumton Ali Aliu lexuesit? Ç’pret nga poezia kritiku i etur për poezi? Ai i afrohet poezisë, duke kërkuar dhe gjurmuar në të, asgjë më shumë veç thelbit estetik të saj, që e ka bërë kriterin më të lartë të vlerësimit të poezisë dhe të patosit e frymëzimeve, që e afrojnë dhe i shtojnë dashurinë për të, që ia mundëson të zbulojë në të forma përmbajtësore dhe përmbajtje, të formësuara estetikisht, dhe bukuri klasike e moderne.
Me këtë qasje bëhet e mundur që kritiku e poeti të mbeten të mendimi kritik letrar pati karakter të dyzuar kundërthënës për shkaqe të mirënjohura politike e ideologjike; veçse në këto tre-katër dhjetëvjeçarët e fundit ka ndryshuar dukshëm në sens pozitiv, ngaqë faktori kritiko-letrar këtej e përtej kufijve shtetërorë është bërë një faktor me ndikim të fuqishëm në zhvillimin e letrave shqipe. Fjalën e kam për çlirimin e kritikës nga ideologjizimet e politizimet e mëparshme, nga traditat e mbyllura konservatore, provinciale e vulgare, nga monizmi teorik e metodologjik dhe nga fryma amatoreske, ndërkohë që përgjegjësia moralo-qytetare dhe profesionale është rritur ndjeshëm.

Një provë bindëse për këtë është edhe libri i prof. A. Aliut, që dëshmon edhe për një fazë rritjeje e pasurimi të këtij mendimi, kur nevojat e zhvillimit të kulturës artistike kombëtare plotësohen më mirë edhe falë zhvillimit të kritikës letrare të konsoliduar, e cila tashmë zotëron një fuqi të ndjeshme ndërmjetësuese midis estetikës së krijimit poetik dhe estetikës receptive. Lexuesi i vëmendshëm i këtij libri do të vërë re se si shfaqet nga njëri shkrim në tjetrin mjeshtëria e kritikut, që nuk i UDHËVE TË POEZISË SHQIPE Shtegtim metafore nga Ali Aliu Shkrime kritike për poezinë shqipe Shtëpia Botuese Toena Numri i faqeve: 280 Çmimi: 600 lekë vetëmjaftueshëm, si dy binjakë të lidhur nga thelbi estetik i poezisë, pa e cënuar funksionin e pavarur estetik e artistik të dy profesioneve të ndryshme të tyre.

Historia e zhvillimit të kulturës tregon se nuk ekziston përherë një raport i ekuilibruar, i njëjtë i zhvillimit të përbërësve kryesorë të saj; madje edhe në epokën tonë janë manifestuar e manifestohen shpërpjestime e pabarazi të ndjeshme midis poezisë dhe mendimit kritiko-letrar. Në të kaluarën e largët brenda kulturës sonë kombëtare ka patur periudha kur mendimi kritik, ose ndikimi i tij kanë qenë të papërfillshëm, ose tepër të kufizuar. Në epokën e sotme, kur poezia zotëron hapësirat më të gjera të universit artistik botëror, përherë e më shumë po kuptohet se poezia e mendimi kritik nuk bëjnë dot njëra pa tjetrin, sidomos ngaqë ky mendim përfaqëson një disiplinë të pasur dijesh, të arritura krahas zhvillimit të shpejtë të shkencës, filozofisë, estetikës, teknologjive në rrugët e spërdredhura të lëvizjes së tashme të qytetërimit bashkëkohor. Te ne, vetëm në periudhën e pasluftës në një rrafsh sasior e profesional ky shpërpjesëtim u ngushtua, ndonëse në rrafsh cilësor imponohet me rol dhaskali, por si bashkudhëtar i lexuesit, që e ndihmon të njohë të fshehtat e vlerat e mirëfillta estetike nga poezia në poezi, nga poeti i hershëm tek i riu, duke mos premtuar të vërteta absolute, por duke i dhënë kyçe që hapin portat e çdo krijimi poetik. Mjeshtri ynë i kritikës e përgatit lexuesin të besojë se edhe gjatë të ardhmes së poezisë, ka për t’i mbetur e pashterur përfundimisht pyetja e tij: Ç’është poezia?

Shkrimet e librit të A. Aliut tregojnë se ai është në pritje të lulëzimit të mëtejshëm të poezisë shqipe. Ky nuk përbën ndonjë parashikim profetik, por ai ka besim në dellin e begatinë poetike të shqipes. Ai nuk i ka pranuar kurrë profecitë e disa estetëve mbi “vdekjen e pashmangshme të poezisë”. Besimi i tij në mbijetesën e poezisë mbështetet në njohjen e vetë natyrës së këtij zhanri të letërsisë, të thelbit të saj estetik. Në çdo shkrim të librit të tij, profesori na tregon origjinalitetin e krijimeve të çdo poeti, na tregon se poezia është e hapur, është në udhë, në udhëtim dhe nuk ka e nuk mund të ketë postbllok që ta ndalojë lëvizjen e saj, se po të mos jetë në udhëtim të përhershëm, gjithnjë në ripërtërirtje, ajo vdes; çdo ndalesë është ndërprerje e lidhjeve të saj me jetën. Sa ka qenie njerëzore, do të ketë edhe poezi, e gatshme për të shprehur shpirtin, ndjenjat e mendimet më të bukura e më të larta, gëzimet e hidhërimet, e jetës së gjeneruar të atyre që do të vijnë pas nesh. Dhe së bashku me këtë ripërtëritje të jetës e të poezisë, do të mbetet e përhershme magjia, enigma, misteri i poezisë, i pyetjes: Ç’është poezia? Nga libri i tij lexuesi ka për të mësuar shumë gjëra të vlefshme për poezinë, do të ndihmohet për ta kuptuar më mirë e për ta dashuruar më fort poezinë, për ta shëndoshur shijen estetike e për t’i zotëruar gjithë thesaret e saj.

Një meritë e veçantë e prof. A. Aliut është studimi dhe vlerësimi me objektivitet shkencor i letërsisë shqipe në ish-Jugosllavinë, që zbulon vitalitetin e origjinalitetin krijues të shqiptarëve në kushtet tejet të rënda për ta; po kaq e rëndësishme është vepra studimore e Ali Aliut edhe për njohjen e vlerësimin e drejtë të letërsisë shqipe brenda kufijve shtetërorë të Atdheut Amë (siç quhej aso kohe Shqipëria), në kushtet kur këtej e andej kufirit theksohej “ndryshimi” cilësor i letërsisë, varur nga kushtet sociale, politike e ideologjike. Me modestinë karakteristike e talentin mjeshtëror, duke shmangur çdo pozë mësimdhënieje, ai pati evidentuar kthesën e poezisë shqipe drejt letërsisë moderne, duke kritikuar shfaqje të frymës konservatore e provinciale dhe duke çmuar vlerat e krahut modern, bashkëkohor, që e pati afruar letërsinë shqipe me modelet moderne të letërsisë evropiane e botërore.

Përfshirja e gjithë përbërësve të poezisë shqipe, të traditës e të bashkëkohësisë në objektin e kritikës letrare nuk ka qenë punë e lehtë, por Ali Aliu i përballoi pengesat, që e vështirësonin komunikimin e hapur e normal të proceseve kryesore të zhvillimit të kësaj poezie. Ai nuk u ndrojt t’i çmonte lart edhe veprat e disa poetëve të përndjekur, që cilësoheshin nga autoritetet zyrtare të asaj kohe si “revizioniste”, “dekadente” apo “nacionaliste” që ishin përndjekur, dhe në disa raste ndikoi pozitivisht edhe në rehabilitimin e tyre. Dhe këtë nuk e bëri duke përdorur ndonjë lloj pragmatizmi e konformizmi politikoideologjik, që në ato kohë pati qenë modë në disa qarqe kritikësh, por duke argumentuar bindshëm vlerat e mirëfillta estetike të letërsisë kombëtare.

Në studimet e esetë e A. Aliut spikat gjuha shqipe e pastër dhe e begatë, bashkëkohore dhe e qartë, e kuptueshme dhe semantikisht e thellë dhe e ndjeshme, që i ka dhënë mundësi të krijojë në studimet letrare një stil të mëvetësishëm, tërheqës, që dallohet për ngarkesën e spikatur ekspresive e emocionale, që aq fort i përshtatet natyrës estetike dhe bukurisë së poezisë. Nuk ka ndonjë kritik apo studiues tjetër, që të ketë përfshirë në optikën e hulumtimeve e vlerësimeve të sakta të librave të profesorit të gjithë autorët e talentuar të poezisë shqipe.

Secili prej këtyre poetëve ka ndier sinqeritetin e dashamirësinë e tij, sugjerimet e këshillat e urta, që u dhurojnë kurajë për të mos u tërhequr para vështirësive në angazhimin e tyre në fushën aq fisnike të krijimit të poezisë. Studimet e prof. Aliut do t’u vlejnë jo vetëm poetëve e lexuesve që u drejtohet sot libri i tij, por edhe gjithë atyre që interesohen për fatet e letërsisë dhe të kulturës shpirtërore të kombit tonë. Ato do të mbeten një enciklopedi e letrave shqipe, një kontribut i shquar në studimin e historisë së tyre, një manual i ngjeshur me idetë bashkëkohore të teorisë e kritikës letrare, që ka arritur nivel të lartë mjeshtëror.

Prof. ALFRED UÇI

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...