Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/25

Arti i të shkruarit

nga Sulejman Mato

Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje.

Octavio Paz

Fjala poezi vjen nga geqishtja e vjetër "poesis" që do të thotë "bëj", "krijoj", "thur". Ajo ndryshon prej prozës prej organizimit ritmik të lëndës gjuhësorë. Gjuhëtari A.Xhuvani poezinë e krahason me muzikën:“Poezia,- thoshte ai,- është një harmoni poetike që tregon një ngritje, një naltësim të veçantë të shpirtit, sikurse muzika." "Poezia është e dashuruar me çastin dhe kërkon ta rijetojë atë në vargjet e saja duke e ndarë kësisoj nga koha në vazhdim e duke e kthyer në një të tashme të fiksuar. Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje",-thotë O. Paz ,- por edhe për ta konsidëruar atë moment, si "e tashme e fiksuar. Në kohën që shkruaja, - vijon ai,- nuk e vrisja mendjen se po bëj gjë.. Unë kërkoja hyrjen për në të tashmen: doja t'i përkisja kohës sime dhe shekullit tim. Pak më vonë, ky obsesion u bë një ide ngulmuese: Unë doja të isha poet modern, kërkimi im për modernen kishte filluar."
Poeti grek, T.Patrikios thotë: "Poezia është një kombinim i zemrës me mendjen.” Shekspiri ka një thënie tjetër, për të gjithë ne që shkruajmë: “Ne jemi materiale me të cilat ndërtohen ëndrrat."
Poezia krijon temporitme të veçanta si dhe intonacione të caktuara.Në dallim me prozën, ku ligjërimi është i lirë për të shpjeguar gjithçka, gjer në imtësitë më të thella, intonacioni i një poezie ndjek rregulla të caktuara, duke e periodizuar sintaksën poetike.
Në një studim shkencor në fushën e mjekësisë ku trajtohet ndarja e proceseve të punës në koren e trurit, autori i këtij studimi e konsidëron poezinë si një instinkt dhe e vendos atë krahas instinkteve të tjera, në një kënd të kores së trurit.
Ja çfarë quan ai instinkte dhe çfarë vendi zënë ato në koren e trurit:
-Instinkti gjenetik,-Filogjenitura,
-Nostalgjia -Instinkti i vetëmbrojtjes
-I violencës, barbarisë dhe shkatërrimit
-Instinkti i pronës -Instinkti i kohës
-Instinkti i ambicies, i boshllëkut dhe xhelozisë
-Instinkti i reflektimit dhe i dyshimit
-Instinkti i kujtesës, i fakteve, i kureshtjes dhe afeksionit
-Instinkti i dashurisë për të largëtën (kozmopoliten)
-Instinkti i kujtesës dhe i fjalëve
-Sensi i gjuhës-Talenti në pikturë dhe në muzikë
-Talenti në matematikë dhe talenti i gjithanshëm
-Alegoria-Ideologjia-Keqdashja-Vëzhgimi.
-Organi i poezisë -Sensi i moralit
-Organi i imitimit -Organi i imagjinatës
-Ndjenja fetare-Karakteri, -Perversitetet, -Indipendenca.
Në këtë ndarje, poezia konsiderohet "organ" ndërsa, talenteve e tjera, i muzikës dhe i pikturës, quhen "talente".
Më këtë duam të themi se poezia është diçka më e qenësishme dhe instiktive. Ajo ekziston te çdo njeri, si minerali në brendësi të tokës. Mjafton një emocion, një mbresë, një gëzim ose hidhërim i veçantë dhe tek ne lind dëshira të shprehemi me një koncentrat fjalësh të zgjedhura. Ndoshta kjo është ajo që quhet poezi në kuptimin e përgjithshëm të saj.

Shpesh reklamohet me të madhe: “poezisë i ka ardhur fundi”, se poezia është diçka anakronike, se të rinjtë që shkruajnë poezi janë demode, sentimentalë dhe romantikë, jashtëkohorë...Madje ka rrethe shoqërore të cilët i qesëndisin poetët. Kjo ndodh pasi shumica syresh nuk kanë idenë çdo të thotë poezi. Ata poezinë e barazojnë me bejtet e rëndomta popullore apo me shkaravinat sentimentaliste të disa individevë të patalentuar. Kjo ka bërë që ata të mos dinë të vërtetën rreth thelbit të asaj që quhet "poezi". Poezia, siç thamë më lart, është organ i ndijimit.Ajo ka lindur së bashku më njeriun dhe do të vdesë së bashku me njeriun. Borges, thoshte: "Një revistë lexohet për t'u harruar, gjithashtu edhe një disk dëgjohet për t'u harruar, është diçka mekanike, jetëshkurtër. Ndërsa një libër lexohet për t'u kujtuar" (kupto këtu edhe një libër me poezi S.M.)

Koncepti "poezi" është shumë i gjerë. Poezia, me një* vështrim, rrok pafundësinë e oqeaneve, kozmosin, ndjesitë e panjohura që ndodhin në thellësitë e shpirtit njerëzor.

Në ndryshim nga proza, poezia është një ligjërim emocional. Ajo bazohet mbi disa rregulla fikse, të cilat modifikohën dhe përshtaten kohë pas kohe.Poezia tradicionale u përshtatet rimave dhë ritmeve të brendshmë rreth një linje. Ndërsa poezia e lirë është një meditim i lirë, që i përshtatet vetëm ritmit të saj të brendshëm. Poezia klasike i jeptë një rëndësi të veçantë rimimit , rimës, aksentit, pauzës... Kjo lloj poezie ka për bazë melodikën e veçantë, një melodi me metër të caktuar, masa e së cilës jepet qysh në vargun e parë. Në fund të këtyre vjershave tradicionale ka asonanca ose rima, të cilat ngjajnë me një jehonë ritmike.

Ritmi kthehet në kohë në intervale të rregullta dhe me akcentë të rregullta. Në poezi ka dy akcente, tonike dhe ritmike.

Poezia klasike ka forma të caktuara vargjesh. Poezia me dy vargje quhet "distik", trevargëshi është quajtur "tercinë". Edhe trevargëshi është përdorur në poezi, qoftë në formën e marrë nga populli, qoftë në formën e tercinës danteske, qoftë në formën e "hajkut "tradicional japonez.

Në formën popullore e gjejmë tek L.Poradeci e ndonjë tjëtër.

Ja një shembull nga Poradeci:
£ mora shoqezën përkrah ,
e matmë rrugën ca nga ca,
sikur na ndillte larg diçka.

(E mora shoqezën përkrah) Ky lloj vargu kohët e fundit ka mundur të gjejë përdorim përsëri tek disa poetë, si influencë e hajkut tradicional japonez. Më i apasionuari në lëvrimin e këtij vargu është poeti
Milanov Kallupi.

Përdorim të gjerë në poezi ka pasur dhe ka poezia strofike (me katër, pesë, shtatë dhe tetë vargje) me rimë të altërnuar (të kryqëzuar) apo të puthur, pranë e pranë.

Strofa është një bashkim vargjesh me rimime të alternuara (ABBA, ABAB, dhe shumë rrallë sipas rimës së puthur (AA BB).Në këto poezi gjatësia e vargut nis nga katër rrokje gjer në gjashtëmbëdhjetë, por vargjet më të përdorshme janë pesërrokëshi, tetërrokëshi dhe dhjetërrokëshi.

Poeti që nuk di të ndalet, ai është Zeqir Gërvalla



Agim Vuniqi

Poezia që shkruan Zeqiri është vërshuese, e bënë njeriun të dal nga shtrati i ëndërrave dhe mendimeve, e bënë të gjykoj më me realizëm, aty është edhe qëllimi i autorit, ai rrëfen, dialogon me më të dashurit, komunikon me historinë, sa bukur e shfrytëzon metaforën për të ndriquar ngjarjet historike, por mu atëherë emocionet ngriten; lexuesi edhe ngrihet, edhe përmallet, dënesë, rebelohet, klithë, dhe të gjitha i bënë në heshtje, po.., vërtetë dhemb kjo gjendje, është e vështirë, thuase e paqëndrueshme. Ai shkruan për biografinë shqiptare "Pak biografi", pastaj hymnizon malësorin në poezinë "Portreti i një malësori", dmth në të dy rastet i korinizon ndjenjat, thjesht bënë luftë me veten por edhe me ne lexuesit, të cilët, ne, e përjetojmë thellë gjëmën, jetojmë jasht vendit por ëndërrojmë shqip, e vështrojmë nga afër zhvillimn e fëmijëvë dhe vazhdimisht bëjmë monolog, athua gabuam, athua kishim zgjidhje tjera, pse jetojmë të vuajtur duke shënuar ngjarjet, e duke mos marrë pjesë në to, a e kemi kuptuar drejt botën, shoqërinë, familjen, apo kemi mbetur lypës të fatit..eh mallkim i rëndë, lypës i fatit...

Nuk ndalet me kaq poeti, ai rikujton fjalët e Rexhep Elmazit, fjalët e shkruera me aq dhimbje për Rexhepin janë edhe të tijat, ai flet për kohën, niset nga vdekja këthehet në lindje, gjykon bukur për tokën, aty fillon dhe mbaron lindja, është e vërtet që mbarimi nuk ka kufijë, është përshkrim i gjithësisë, i yjeve, i planeteve, i lartësisë mendore, jo i përkufizimeve mendore, i të pakufishmes e cila nuk dijmë kur fillon e kur mbaron, nga shenja - (minus) apo + (plus), nuk dihet pra fillimi i jetës-lindja dhe kur përfundon nisja-është vdekja, si duket bota nuk ka as fillim as mbarim, nuk ka "0" të cilën njeriu e supozon si fillim, por natyra e demaskon e rrëzon edhe si teori... Fjala e Rexhepit dhe e vet autorit nuk është përmbyllëse, është e hapur dhe e vazhdueshme, nuk e dijmë kur ka filluar bota dhe kur do të mbarojë, për atë besojmë në përjetësi.. besojmë në kodin jetësorë ashtu siç e spjegojnë librat e shenjtë, tjetër spjegim më të arsyeshëm tash për tash nuk ka. Poeti i këndon edhe luleve dhe saktëson atë që kanë thënë filozofët, aq sa mësojmë, lexojmë më tepër-dijmë më pak, ngase vetes i hapim horizonte të reja të dijes-mos dijes, dhe asnjëherë nuk kemi përgjegje të saktë, akoma merremi me hipoteza, aludojmë të gjejmë formulat e jetës së njeriut, hulumtojmë florën e faunën, lulet, zogjët, pra vet ekzistenca e njeriu lidhet me bashkëshoqërimin e njeriut me natyrën "Koha e luleve", ai me të drejtë madhëron rolin e nënës e cila jep jetën, madhëron femrën si krijesë, ai nuk ndalet flet, dënesë qan, na rikujton të gjithëve sa është e vlefshme fjala nënë, për atë edhe vendin Shqipërinë e quajmë nënë, se pa te nuk do të ishim as ne, si shqiptarë, dhe poeti nuk do të këndonte aq bukur shqip, duke na dhuruar këto poezi për ta ngushlluar veten, për të besuar në lulzim të sërishëm, në amshim..., poeti nuk e merr përgjegjësinë, ai ua len lexuesve (neve) me poezinë "Nuk di"

PAK BIOGRAFI

…Im atë
U lind në perëndim të diellit
E unë - në mesnatë
E ti - me yllin e parë të mëngjesit…

E tërë dita e madhe
Është para teje, bir.

Gjyshi betohej në shpatë
Babai - në pushkë
Unë - në libër
E ti… ku ta di!

Toka biro,
gjakon njerëz të rinj.

----------------------------------------

PORTRETI I NJË MALSORI

Në shpinë - një barrë
Në kraharor - një varrë
Në sy - një lot
Në zemër - barot…

Këmbëzbathur ecën
Rrugës zikzake të malit:
“A t´ja zë pritën hasmit -
A t´i blej abetare djalit?“

----------------------------------------

FJALA E TIJ
Rexhep Elmazit

Do të vijë një kohë
Që do ta dënoj një kohë
Edhe për vdekjen time:

Do të vijë një kohë
Që do ta ndriçoj një kohë
Edhe me fjalën time:
Do të vijë një kohë
Që do ti lidhë të gjitha kohët
Edhe me lindjen time.

------------------------------------------

KOHA E LULEVE

Koha e luleve - zëri I zogjve
Ku po të dhemb, o Nënë!
Malli yt - deti i lotëve…
…Natë e errët pa yj e hënë!
…për diell yj e hënë
Vera do vijë
E fruta do piqen, o Nënë!

-----------------------------------------

NUK DI

S´di
Një natë ka kaluar
Apo një shekull vetmi
S´di
Zëri im apo zëri yt
Del nga kjo thellësi
S´di
Unë bie apo trungu im
Lulëzon përsëri!...

Ç’kodifikime të një teksti poetik Diku, kudo Frederik Rreshpja

Riza Braholli


Ç’kodifikime të një teksti poetik
Diku, kudo
Frederik Rreshpja

Për të hulumtuar e shpalosur vlerat e një poezie, për të shkuar drejt një kuptimësie sa më të mundshme të saj, duhet që më së shumti t’i qasesh nga brenda, t’i shestosh strukturimin që nga njësitë tingullore dhe deri te fjala, vargu, njësitë e objektivuara dhe ato të munguara e deri te poezia si analoge e një qenieje poetike. Një poezi që na ka grishur drejt përsiatjesh të thella, emocionale e përgjithësimesh filozofike, është edhe poezia e poetit Frederik Rreshpja:
Diku, kudo

Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh
Për ditën tënde të pangushëlluar!
Shfaqet dhe zhduket Itaka
Nën pasione vetëtimash.

Zot, jam tmerrësisht i vonuar!
Tani duhej të isha diku përtej shiut.
Tek dritarja, fëmija lakuriq,
Më vështron me sytë prej uji.

Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është,
Por nuk jam një Odise i shpikur.
Eh, Itakën time e kam shpikur vetë,
Se kam nevojë për ishuj.

Më vështron me sytë prej uji,
Te dritarja, fëmija lakuriq.
Bien Itakat e legjendave,
Pas bregut madhështor të vetmisë.[1]
Kjo poezi është analoge e një qenieje, që na shfaqet si “objekt,” i vendosur në kohë e hapësirë pa limite kohore dhe hapësinore në udhëtimin ciklik e metafizik të qenies, drejt së paarritshmes dhe përsosjes.
Që në titullin “Diku, kudo” vëmendja e lexuesit drejtohet në kahe hapësinore e kohore; në pikëpjekjen e të dy këtyre shenjimeve. “Diku, kudo”, ndajfolje vendore, shënojnë dy caqe: përveçuese dhe tërësore, duke krijuar një raport alogjik e kundërthënës ku, një çast apo një vend i vetëm diku, shfaqet si një pikë e veçantë, por edhe pjesë e së tërës: të papërcaktueshmes e të përgjithshmes kudo, të cilat mund të jenë shenjime hapësinore, por edhe kohoreMendojmë se me vendosjen e këtyre piketave, subjekti poetik cakton pikat e orientimit të mendimit dhe udhëtimit të tij artistik, qenies njerëzore në kohë e hapësirë. Procedimet analogjike të mjeteve poetike, që përdor subjekti poetik, të çojnë në krijimin e një atmosfere udhëtimi, në një lëvizje të gjithkohshme në këto koordinata, diçka të ikshme e të lëvizshme, por dhe të pakapshme, ku ka më shumë rëndësi udhëtimi se mbërritja. Dhe, një pjesë e mirë e kësaj simbolike, nëpërmjet zhvillimit rizomatik[2], risemantizohet drejt një kuptimësie të re.

Përveç titullit që janë përcaktime hapësinore, por njëherësh dhe kohore, shqyrtojmë dy vargjet e parë të strofës së parë:
Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh
Për ditën tënde të pangushëlluar!
Shfaqet dhe zhduket Itaka
Nën pasione vetëtimash
Paraprakisht duhet theksuar që në fillim se poezia është ndërtuar nga katër strofa katërvargëshe. Secila strofë në vetvete është ndërtuar me vargje të lirë, por të katër strofat, simetrikisht, nga ana sintaktike, janë ndërtuar me nga dy vargje që plotësojnë një mendim poetik të caktuar, i cili ka lidhje kontekstuale e përmbajtësore me mendimin e dy vargjeve më pas, që edhe ato kanë një mendim të vetëm poetik. Dhe e tërë strofa (secila nga strofat) në vetvete ka një unicitet përmbajtësor e artistik i cili e ruan këtë koherencë e logjikë ndërtimi me të gjithë strofat e tjera, duke krijuar një qenie unike poetike në funksion të mesazhit poetiko-estetik e përmbajtësor.
Le ta shohim më në imtësi dyvargshin e parë. Kemi dy elemente sintagmatikë që shënojnë caqe kohorë; dhe mendojmë se loja poetike ndërtohet mbi këta nocione kohorë. Vini re: mija vjetësh dhe për ditën tënde. Edhe këtu, njësoj si në titull, kemi një raport midis të përgjithshmes dhe të veçantës. Kemi një metaforizim hiperbolik të kohës në të cilin kryhet veprimi “...qan prej mija vjetësh.” Pra koha është një kohë mitike dhe zgjerimi i kohës, paralelisht sjell edhe zgjerimin e hapësirës, duke e zhvendosur piketën po në një përmasë mitike, “...prej mija vjetësh”, duke derivuar në një pikëprerje të diakronikes me atë sinkronike, kohës vertikale me atë horizontale: fjala ditën, e vendosur në kallzore, përveçon e shquan njërën nga ditët e mija vjetëve. Pra, kemi dy raporte të ngjashme, dy izotopi: hapësinore e kohore që piqen me njëra – tjetrën deri në shkrirje, njëjtësim. Sipas studiuesit I. Rugova (...) në poezinë dhe në romanin modern koha si fenomen i perceptuar gjithnjë e më shumë vjen duke u shndërruar në hapësirë, që lidhet drejtpërdrejt me teoritë e relativitetit e cila e nxjerr të pandashëm raportin Kohë – hapësirë. Kjo tendencë krijuese në letërsinë moderne merret si destruksion i kohës në kuptim thjesht objektiv.[3]
Kështu që, nisur edhe nga shenjat e tjera dhe kombinacioni që krijohet mes tyre, pohojmë mendimin e nënvizuar më lart se kemi të bëjmë me qenien si veçanti të unit poetik në raport sinkretik me qenien njerëzore universale, si dhe rrugëtimin e kësaj qenieje në një qark ciklik hapësinor, kohor e iluziv të kthimit në botën e pafajësisë foshnjore drejt kërkimit të botëve, në udhëtimin drejt Itakës së tij. Sipas Gëtes: “Çdokush kthehet gjithmonë te vetvetja”. E nëse fjala shi është, njëherazi, nje metonimi e unit poetik, por dhe një animim, sintagma “...ti, fëmijë i vockël,” është një ravijëzim i mëtejshëm metonimik i subjektit poetik të shenjuar me shiun; dhe, vetëm me këtë varg, arrin të krijojë një sfond e një realitet poetik metafizik e abstragues në kufijtë e imagjinatës.  
Mendojmë se loja poetike e subjektit, me të folurin në vetën e dytë, është një teknikë e hollë që e ndihmon poetin të distancohet nga vetja e ta shpërfaqë atë sa më dimensionalisht, duke e dyzuar veten dhe duke e vënë përballë, për ta eksploruar nga brenda dhe jashtë, me tërë sinqeritetin, naivitetin e vërtetësinë e mundshme. Ai është fëmijë i vockël, ...që qan. Pse fëmijë, pse i vockël dhe pse ...qan? Të tria fjalët në vetvete, në vlerën e tyre arketipale, por dhe në marrëdhënien sintaktike që ato kanë, mbartin brishtësi, dhimbje, por dhe pafajësi, dëlirësi, pastërti, bukuri, sinqeritet. Gjithashtu shprehin dhe fatin e njeriut: është i vockël para botës së madhe, para të panjohurave të saj. Ai është fëmijë; dhe kush më shumë se poeti është një fëmijë...? Ai mbetet fëmijë i i vockël dhe i përjetshëm, sidomos para pafundësisë së botës të nuancuar si materie e metafizikë, kohë, hapësirë e histori. Ndërkohë përcakton dhe vendin që i takon atij në kohë e hapësirë. Dhe parë nën një këndvështrim filozofik, rrugëtimi i njeriut gjatë ciklit të jetës së tij fillon qysh fëmijë. Ai është fillimi dhe caku i fundit të udhëtimit.
Më tej, shiut i bëjmë dy lexime:
a. fenomen natyror;
b. analogji e qenies.
Në leximin e parë, folja qan, që shenjon një veprim njerëzor, (derdhja lotë prej një hidhërimi apo dhembje të madhe) kthehet në një metaforë foljore dhe i jep shiut një ngarkesë të re semantike, ndërsa në leximin e dytë, kur shiu metaforizon qenien njerëzore, kjo folje ingranohet në tërësinë sintagmatike, me metaforën shi dhe me metoniminë “... ti, fëmijë i vockël”. Por ky veprim njerëzor e më shumë fëmijëror, si efekt i dhembjeve të mëdha, plotësohet me sintagmën pasuese e përcaktuese kohore “...prej mija vjetësh.” Ai bën fokusimin dhe ndriçimin e plotë të objektit që i drejtohet, pra unit, duke e vendosur në gjithkohësi, element ky që i jep përmasa mitike si qenie universale.
Le ta shtjellojmë më tej. Cila mund të jetë një ditë e pangushëlluar për njeriun? – Emrin ditën, siç thamë dhe më lart, poeti e vendos në kallzore, duke e përveçuar, e shenjuar në një nga ditët e mijëra vjetëve. – Ajo është një, dhe e pangushëlluar; dhe një ditë e tillë mendojmë se aludon për një gjëmë të madhe apo vetë vdekjen. Ngushëllimi, si akt, kryhet pikërisht pas një fatkeqësie. (Dihen eufemizmat që përdoren për vdekjen në traditën shqiptare: iku, na la, ajo ditë që mos ardhtëe nëmura, etj.) Pra, dita e pangushëlluar, është një metonimi që ndërtohet nga zhvendosja kuptimore eufemike e fjalës vdekjeedhe pse ajo nuk është e pranishme në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Por për një kuptimësi më të plotë, vargu i parë ka nevojë edhe për vargun e dytë eliptik “...për ditën tënde të pangushëlluar.” Kjo sintagmë shkakore dhe eufemike, vjen si përmbyllje e logjikës poetike, porse duke lënë një hapësirë mungesore, që të çon në një situatë medituese rreth subjektit e përtej subjektit. Vini re, shprehja na çon, jo vetëm në një konstatim, që përcakton dikë, diku, por dhe na krijon një gjendje të tendosur, sa trishtuese, aq dhe kërshëritëse.
Dy vargjet e tjera “...Shfaqet dhe zhduket Itaka / Nën pasione vetëtimash,” duket se krijojnë një thyerje të vijimësisë logjike e kuptimore me dy vargjet e para. Kamera e poetit, lëviz në mënyrë të papritur, duke ndërruar planet e fokusuar. Ai lë në mes dialogun me shiun dhe shfaqet në një pozicion rrëfimtar, ku çdo fjalë mbart një lëvizje të papritur: shfaqje e fshirje imazhesh, caqe hapësinore, kohore e mitike. Përveçse si objekt tematik koha dhe hapësira, në këtë poezi, luajnë një rol dinamik në procesin e shndërrimit dhe lëvizjes. Vëmë re se foljet në kohën e tashme “Shfaqet dhe zhduket,” një sintagmë kundërthënëse antonimikekrijojnë imazhe të ikshme, të paqëndrueshme midis qenies e hiçit. Gjithçka shikohet e konceptohet nga një çast kohor i tashëm, por që dhe ai vetë është pjesë e simultanes, së tërës.
Por simboli më i dallueshëm që bën pikëprerjen e hapësirës me kohën është Itaka.
Në simbolikën e artit botëror Itaka ka hyrë si objekti apo vendi i cili vepron mbi subjektin me një rol thirrës, ndjellës i dheut, i nënës, atit, gruas, fëmijës dhe ku shpërfaqet përpjekja e njeriut, Odiseut, për rikthimin drejt këtyre qenieve e objekteve, me mallin e tij, përpjekjen, sakrificat për t’u kthyer edhe me shpirt ndër dhëmbë. Por vërejmë se ky veprim intencional i veprës së Homerit, siç do ta shikojmë dhe më poshtë, në mënyrë edhe më të plotë sintetike e sinkrete, transfigurohet dhe i largohet modelit homerian, duk u risemantizuar. Ai ndërmerr një udhëtim brenda mikrobotës së qenies njerëzore, ku Itaka është caku i nisjes, por dhe i mbërritjes të udhëtimit të njeriut, duke përfunduar udhëtimin e tij ciklik, që ka përcaktuar jeta dhe fati për njeriun.
E shoqëruar me vargun më pas “...Nën pasione vetëtimash”, kjo lëvizje bëhet më dinamike e më me potencialitet, duke u kthyer në një kohë subjektive[4].
Po pse “...nën pasione vetëtimash?” Përpjekja mbinjerëzore për t’u rikthyer, është lufta brenda qenies. Shiu, si metaforë e qenies poetike, nuk mund të kuptohet pa vetëtima, po dhe qenia s’mund të kuptohet pa pasione. Pranëvënia paralele metaforike këtu, jo vetëm që është shprehëse e mendimit poetik, por vërejmë se është në harmoni dhe sintoni me të gjithë shprehjen si shenjim më i gjerë formal e përmbajtësor. Aq më tepër kur Itaka, është një cak kohor dhe hapësinor, simbol që ç’kodifikohet si caku i nisjes dhe i mbërritjes të udhëtimit ciklik drejt plotësisë së qenies.

Dhe ja, ku vijmë në strofën e dytë:
Zot, jam tmerrësisht i vonuar!
Tani duhej të isha diku përtej shiut.
Tek dritarja, fëmija lakuriq,
Më vështron me sytë prej uji
Vargu i parë: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!” bëhet mbartës edhe i kuptimit dhe domethënieve të atyre që thamë më lart (në strofën e parë, duke i dhënë kuptim metaforës “Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh”), por mbart edhe ankthin e qenies, njeriut dhe bëhet e dukshme përpjekja dhe dëshira për të shkuar diku, pra, për të udhëtuar; ku? “...diku përtej shiut,” përtej të mundshmes. Në këtë strofë vëmë re se ndryshon këndi i shikimit. Subjekti shfaq një anë tjetër të vetes. Nëse në strofën e parë subjekti i drejtohej shiut e nëpërmjet shiut vetvetes në vetën e dytë, në këtë strofë, dialogu ndërtohet me Zotin; ku Zoti vjen me konotacionin e një thirrori, në të cilin ai mbështet ankthin e tij. Kështu pra, logjika poetike na çon në përplasjen e qenies mes vetes, në përpjekjet dhe pamundësinë e unit poetik për të arritur dikupërtej shiut, caqe e limite këto të pafundësisë e pamundësisë, që japin edhe gjendjen plot dhembje, ankth e trishtim të subjektit.
Por subjekti këtu na shfaqet i munguar, i shprehur nëpërmjet foljes jam: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!” Folja jam, në kohën e tashme, bëhet njëherazi dhe përcaktues i një pike hapësinore, që vjen si nëntekst, p.sh. këtu. Nëse do të merrnim përgjegjësen e saj, sipas dhe kuadratit semiotik greimassian, në vargun tjetër, ai shpreh dhe njërën nga modalet duhej, e cila na çon te izotopi hapësinor diku përtej shiut, sipas: këtu – diku, pra, duhej, në të pakryerën, që na shfaq ankthin e vonesës, (i vonuar) ndryshimit, e lëvizjes nga një pikë A në një pikë B.
Shikojmë se ndajfolja kohore tani, si dhe folja jam, që shprehin të tashmen, i përgjigjen pikës hapësinore diku përtej shiut. Pra, të jesh këtu mos të jesh diku përtej shiut, përbën ankthin e palëvizshmërisë, që e bën gjendjen dinamike, sepse ka një dëshirë apo detyrë që duhet përmbushur, të shkojë: diku, përtej shiut. Fëmija lakuriq është shtysa, ai që i jep detyrën, që, edhe pse duket se është statik, me vështrimin e tij me sytë prej uji, ai e nxit subjektin drejt shndërrimit. Subjekti është i ndërgjegjshëm për atë çka duhet të realizojë: të shkojë dikupërtej shiut. Por sintagmat me foljet jam dhe duhet, krijojnë një raport të gjendjeve të ankthit, të dëshirës dhe pamundësisë duke e shndërruar në një gjendje tërësore komplekse e të paarritshme. Ai është në ankth, sepse nuk mundet, por që ndërkohë e di që duhet të shkojë përpara për të realizuar udhëtimin e tij ciklik i shtyrë nga sytë prej uji të fëmijës lakuriq. Pra, jemi në një situatë absurdi e sizifiane, ku nuk ka rëndësi maja e synuar, por rruga për të shkuar tek ajo.
Po pse lakuriq? Dendësia e shtresimi i ngjeshur shumëkuptimor na e bën të detyrueshëm përqëndrimin në çdo semë e segment të vargut. Sintagma metaforike fëmija lakuriq, shfaqje e njeriut në fillesën e tij të jetës, (ashtu siç vjen njeriu në këtë botë, me të dy kuptimet gjegjëse: fizike e metafizike) është pikërisht njëra pjesë e dyzuar e komplekse e qenies, pjesa e dëlirë e pafajësisë dhe pastërtisë, është caku prej nga është nisur dhe vendi për ku vrapojnë dëshirat e tij. Kjo metonimi mbart një sërë valencash kuptimore si pafajësia, fillesa e jetës, brishtësia; dhe fuqia e saj, që qëndron pikërisht te të qenit foshnjë e porsalindur, sepse e rrit, si shprehinë poetiko – estetike, edhe atë përmbajtësore. Është pikërisht pamundësia fizike që nëpërmjet syve të saj, kthehet në një fuqi të parezistueshme. Çfarë nuk do të bënim për sytë e ujshëm të një fëmije, që ata të mos mbushen me lot. Nga ana tjetër vetë metafora “...me sytë prej uji”, për nga delikatesa, brishtësia, lëvizja dhe ndjenja që mbart, përveçse një dimension të thellë human, i jep edhe një harlisje estetike të freskëte shkëlqimtare.
Por sytë me vështrim prej uji shfaqen te dritarja. Dhe, dritarja, e cila bën pjesë në izotopinë hapësinore, shndërrohet në një objekt kufizues të diku – së nga ku ai niset, por dhe ku mbërrin. Pra ka një sendërtim të nocionit hapësinor diku; por, nëse do t’i drejtoheshim simbolikës së figurave gjeometrike, që rëndom përdoren në artin viziv, dhe për rrjedhojë edhe në atë poetik, katërkëndëshi i dritares shpreh simbolikisht kuadratin e plotësisë, (...) si një simbol të vetvetes[5].
Po dhe sintagma metonimike përtej shiut, ndahet në dy pika hapësinore: shiu, dhe ndajfolja përtej, e cila shërben si një mjet ftillues e ndriçues i papërcaktueshmërisë së ndajfoljes diku, por që paradoksalisht na lejon që të shohim vetëm me sytë e imagjinatës drejt pamjesh mungesore, duke na thirrur në lojën e tij poetike me të gjitha aftësitë tona konstruktive e abstraguese, për të zbuluar këtë palmpsest vlerash e shprehish artistike të ngjeshura. Vetë kjo sintagmë, përtej shiut, është një piketë e udhës në të cilin do të lëvizë subjekti poetik dhe, në një farë mënyre, na jep idenë e hapësirës, lëvizjes dhe udhëtimit, por që gjithmonë mbetet një hapësirë e kohë e papushtuar, e paarritshme e iluzive, duke arritur në përgjithësime filozofike e universale, përtej një leximi të ngushtë e duke na u shfaqur kështu si një poet gjenuin, intutiv, por dhe me një mendje depërtuese me abstragim të thellë.
Nuk ndodh shpesh që qëllimësia e poetit të përkojë me kuptimësinë e përftuar nga lexuesi apo kritiku, por na bën përshtypje dhe na duket se na ndihmon, përgjigja e tij në një intervistë dhënë gazetës “55”: (...) Kush ju pret atje përtej shiut? – Pikërisht Itaka, shiu, mjegullat. Pikërisht ajo botë që unë kam synuar gjithnjë e që bie në sy në punimet e mia. Ai shi që kërkova unë nuk ra asnjëherë. Kjo duket e trishtë, por jo. Unë jam pajtuar gjithmonë me fatin tim. Historia e Odiseut është historia e njeriut fatkeq. E njeriut pa një të dielë...[6] Padyshim që këtu ne shohim vetëdijësimin e Rreshpjes për atë që krijon, por edhe krijimin si pjesë e pavetëdijes, si nevojë e subjektivitetit të tij për t’u objektivuar në imazhe, fjalë. Por, gjithashtu, tregon se kjo poezi, përveç aventurës për të kërkuar metaforikisht të dielat e tija, për një jetë ndryshe, ka mundësi për një sërë leximesh të tjera, të cilat e pasurojnë me shtresa të reja poetike e kuptimore.

Te strofa e tretë,
Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është,
Por nuk jam një Odise i shpikur.
Eh, Itakën time e kam shpikur vetë,
Se kam nevojë për ishuj,
kemi dy frazime sintagmash që, në vetvete, shprehin nga një mendim të caktuar, por që dhe me njëra-tjetrën ndërtojnë një raport alogjik. Edhe pse duken si mendime të copëzuara që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, është ky raport alogjik që dedukton në bazë të korelacionit të të dy nëntekseve që rrjedhin prej të dy dyvargëshave të strofës, ndarë nga pikëzimi, drejt një domethënie të caktuar.
I qasemi vargut të parë: “Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është.” Kjo sintagmë është e defigurativizuar; siç e shohim është një pohim i thjeshtë pa asnjë element simbolik. Por, parë si e tërë, është një figurë mendimi, figurë që e merr vlerën konotative nga alogjizmi naiv dhe absurd midis nocionit të veprimit (nxitimit) në mënyrë të vullnetshme e të vetëdijshme, drejt asgjësë, pra duke na çuar drejtpërdrejt në një situatë absurdi: “...të nxitoj drejt diçkaje që nuk është.” Vini re: ...më duhet të nxitoj, është modalja vepruese me funksionin e një “detyre” që ka marrë, por, ...drejt diçkaje që nuk është. Raportet ndërtohen sipas një qëllimi të caktuar artistik, midis shtysës, dëshirës, pamundësisë, por dhe ngulmimit për të shkuar te e pambërritshmja si filozofi e akt sizifian, qëllim iluziv e i gjithkohshëm universal i qenies. Përtej skajeve të logjikës, është një vetërrëfim i hidhur e paksa ironik, gati një absurd i vetëdijshëm ekleziast, nën pushtetin e njohjes të së vërtetës së hidhur për përkohshmërinë dhe iluzivitetin që mbart qenia në vetvete dhe ky udhëtim odisean i tij.
Po a nuk shkon poezia, arti drejt të vërtetave më të mundshme...?! Në vijimësinë e logjikës artistike, duke u kthyer në një mendim poetik të mirëfilltë, ky ndërtim kalon nga e pavetëdijshmja tek e vetëdijshmja, nga e kufijshmja tek e pakufijshmja. Por assesi vargu i parë nuk mund të jetë i plotë pa vargun e dytë mohues që pohon qenësinë e të qenit një Odise i vërtetë, “...Por nuk jam një Odise i shpikur.” Për një deduksion të saktë na duhet që dyvargëshi të lexohet e të shqyrtohet si një mendim i tërë. Vargu i parë është një pohim që plotëson mendimin e nisur në vargun para tij, me anë të lidhëzës kundërshtuese, por dhe mbaron i pikëzuar si vazhdim i këtij vargu paraardhës.
Më tej, nëpërmjet mohimit, ai pohon se nuk është një Odise i shpikur dhe njëjtësohet me figurën mitike, me atë çfarë është thelbi i kësaj figure: shpirt i aventurës dhe i përpjekjes njerëzore për të arritur atje ku e thërret detyra e atdheut mallit dhe familjes edhe nëpërmjet të së pamundurës, dhe siç e thamë, duke shkrirë subjektiven e ngushtë te universalia, të kufishmen që realizohet në të pakufishmen e kohës. Njeriu është një Odise që gjithë jetën do të rreket në rikthimin drejt Itakës së tij. Vini re: ”...Eh, Itakën time e kam shpikur vetë, / ...”. Edhe këtu procedimi poetik ndërtohet po mbi alogjiken. Nga një anë ai, nëpërmjet mohimit, pohon se është një Odise i vërtetë dhe përkundër kësaj kemi pohimin gati delirant, që, Itakën e tij e ka shpikur vetë. Le të ndalemi këtu pak më gjatë për një hetim e konkludim më të thellë të strukturimit sintaksor, i cili i jep vlerë kuptimësisë. Është në natyrën e procedimit të tij poetik që i copëzon mendimet, imazhet, duke thënë gjëra që, në pamje të parë, duken sikur janë larg njëra-tjetrës. Me to ai pastaj ndërton mozaikë, të cilët, të shtresuar dhe me hapësirat mungesore, e bëjnë të gjithë tekstin të njëzëshëm e koherent, por duke e dendësuar shprehjen artistike. Kjo bën që përqindja e lëndës së thatë e të koncentruar në tekst, ashtu siç ndodh te verërat e mira, të jetë në një masë të lakmueshme.
Në këtë strofë kemi dy frazime sintagmash që në vetvete shprehin një mendim të caktuar, por që, me njëra–tjetrën, ndërtojnë një raport alogjik. Vargu i parë që pohon me anë të mohimit, duke krijuar një figurë të përmbysur, qenësinë e të qenit një Odise i vërtetë, e plotëson me mendimin e nisur në vargun para tij, me anë të lidhëzës kundërshtuese, por dhe mbaron i pikëzuar si vazhdim i këtij vargu paraardhës. Pra, sipas këtij ndërtimi, logjika të çon te një pohim i fshehur se Odiseja nxitonte drejt diçkaje që ishte, diçkaje të prekshme, të arritshme, por që sot po këtij Odiseu mitik, tashmë modern, i duhet të nxitojë drejt diçkaje që nuk është. Pse? Përgjigjja jonë është qenia, subjekti poetik që kërkon udhë të reja në kohë dhe hapësira të ndryshme. Njeriu është po ai, Odiseu, por ai ka një Itakë të shpikur vetë. Një qëllim që është tjetër, udhëtim tjetër,  se ka nevojë për ishuj. Pra ka nevojë për ide, iluzione shpresa... Vini re si lëviz procedimi e transfigurimi artistik, nga sendet e prekshme, materja, në një perceptim e konkludim poetik me gjendje e imazhe metafizike, pra nga konkretja te abstraktja.
Dy vargjet: “Itakën time e kam shpikur vetë / Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj”, strukturohen si figura të mendimit, ku thelbi figurativ qëndron te konotacioni i mendimit që shfaq në kohezion harmonik me artikulimin e së tërës, duke marrë e dhënë. siç ndodh në një proces biologjik në një trup të gjallë. Mendimi, në fakt, në raport me mendimin e mohimit pohues më sipër, ngjan me një përçartje: “Por nuk jam një Odise i shpikur.” Siç e thamë dhe më lart, nga një anë kemi pohimin se është një Odise i vërtetë dhe në anën tjetër kemi pohimin që “Itakën time e kam shpikur vetë.”

Akrobacitë e kësaj loje poetike me fjalën i qëndrojnë logjikës dhe ideve të mesazhit që kërkon të përcjellë dhe i gjejmë të plazmuara në deduksionet e strofës së fundit.
Më vështron me sytë prej uji,
Te dritarja, fëmija lakuriq.
Bien Itakat e legjendave,
Pas bregut madhështor të vetmisë.
Vërejmë ripërsëritjen e sintagmës fëmija lakuriq që e vështron me sytë prej uji. Ka një ngulmim te kjo sintagmë, por e ripotencuar me veprimin dhe këndin hapësiro – kohor. E gjithë fraza sintaktike është ndërtuar si një inversion i pastër mbi tre detaje: veprimi më vështron..., objekti hapësinor te dritarja... dhe personazhi fëmija lakuriq..., që plotësohet si figurë me metaforën ...me sytë prej uji. Mendojmë se theksi bie te veprimi. Jo më kot, e jo vetëm për arsye ritmike, vargu fillon me këtë folje, veprim që bie mbi subjektin poetik. Ç’mbetet pas këtij vështrimi? Heshtje mungesë, që fton lexuesin të bëhet pjesë e “fajit”, fatit, dhimbjes apo qortimit? Kjo pafajësi, ky realitet i së vërtetës së qenësisë i zhvlerëson Itakat e legjendave si elemente të materies, duke tentuar drejt një zeroje absolute, (sipas një shprehje të shkrimtarit M. Zeqo për F. Rreshpjen) drejt hiçkohës gri, që është e vërteta pas bregut madhështor të vetmisë. Potencimi i saj vjen nëpërmjet zhvlerësimit të legjendave e miteve nëpër një udhëtim imagjinar ekzistencial. Abstragimi është i thellë, tonet janë drithërues dhe imazhet montohen e ngërthehen me mendime filozofike, që rrjedhin nga tërësia poetike; udhëtimi brenda qenies është një rrekje drejt përftimit së të vërtetave mbi kuptimin e jetës, shpresës e kotësisë, fatit dhe vdekjes, pra absurdit ekzistencial, që Sartri e thelbëson me lirinë e qenies, me dënimin e saj për të qenë e lirë. Mesazhi lexohet te mungesa, një metafizikë që shfaqet si nënteks dikotomik i tërë këtij udhëtimi odisean drejt një Itake aq shumë të ëndërruar e shndërruar në qëllim të jetës, ...drejt ishujsh që njeriu i krijon vetë, për të arritur diku, si nevojë iluzive e lëvizjes dhe e ekzistencës së qenies. Dhe ky është dhe thelbi iluzor i qenies poetike që na transmetohet nëpërmjet kësaj loje metaforike dhe vetironike, që rreket gjithnjë drejt metafizikës së qenies.

Gusht 2013



[1] F. Rreshpja: Në vetmi, Arbëria, Tiranë, 2004, f. 66
[2] Shih A. Tufa: Letërsia dhe procesi letrar në shekulli e XX 2, Rizoma, shblu, Tiranë, 2009, f. 45.
Në librin “Rizoma (1976) Zhil Delëz dhe Feliks Guatari veçojnë dy tipa të kulturës, karakteristike për kohën tonë: kulturën “drunore” dhe kulturën “rrënjore”.
.... Delëzi dhe Guatari janë të bindur që frymës së kohës i korrespondon më shumë një tip tjetër i kulturës, kultura e “rrënjës” apo “rizomës”.  ...(Rizoma është një lloj i veçantë rrjeti rrënjor i nëndheshëm i bimëve zhardhokë, që shërbejnë si rrënjë për vetveten si p.sh. patatja)
[3] I. Rugova: Strategjia e kuptimit, “F. Konica”, Prishtinë, 2005, f. 80
[4] Shën. Im: Sipas I. Rugovës te kapitulli Poezia dhe koha, te libri Strategjia e kuptimit, “F. Konica”, Prishtinë, 2005, f. 78, koha subjektive ka të bëjë me koncepsionin dhe percepsionin e subjektit poetik.
Gjithashtu, duke iu referuar Studiuesit Emil Shtajger, ai mendon se këtë kohë duhet ta lidhim drejtpërdrejt me ekzistencën njerëzore dhe me vetë njeriun. Pra, në interesin tonë, ajo që quhet koha ekzistenciale, që shfaqet me tridimensionalitetin e vet, sepse lidhet me ekzistencën që ka fillimin dhe mbarimin e vet, me të kufishmen që realizohet në të pakufishmen e kohës.
[5] Aniela Jaffe: Simbolizmi në artet vizuale, përkth. Neli Naço, Korçë, 2003, f. 21. Autori shkruan: Dr. M – L. von Franz-i e ka shpjeguar rrethin si një simbol të vetvetes. Ajo shpreh totalitetin e psikikës, duke përfshirë këtu marrëdhëniet midis njeriut dhe plotërisë së natyrës.
[6] F. Rreshpja: Shiu që unë prita; gazeta “55”, 23 nëntor 1997, f. 7.


SAKRIFICA DHE HERONJ


Sakrifica individuale si mesazh ndaj publikut, popullit, shtetit ose institucioneve gjithnjë përfaqëson një dilemë morale; edhe pse heronjtë gjithnjë i admirojmë dhe përpiqemi t’ua sjellim brezave të rinj si role models, askush nuk shpreson vërtet se këtyre brezave mund t’u kërkohet, seriozisht, që të sillen heroikisht në rast nevoje.

Sakrifica, me fjalë të tjera, mund të jetë gjest i admirueshëm, por nuk trajtohet dot si imperativ moral; aq më tepër që kurrë nuk mund t’i zbulojmë dot motivet e atyre që sakrifikohen; dhe në këtë pikë të fundit propaganda nuk ndihmon shumë. Individi që vetësakrifikohet mund të jetë moralisht i përkryer dhe i bindur se, vetëm nëpërmjet sakrificës vetjake, mund ta përcjellë mesazhin e vet, të cilin e konsideron të rëndësishëm; por mund edhe të jetë i çmendur, me mani madhështie, paranojak, fanatik fetar e kështu me radhë.

Për të kuptuar sa e ndërlikuar është kjo, nuk ka nevojë të shtyhemi deri te Mic Sokoli ose Selam Musai; sepse një shembull modern e gjejmë te të ashtuquajturit suicide bombers, të cilët e flijojnë veten në emër të një ideali që, për ta, e përligj marrjen e jetëve, qoftë edhe krejt të pafajshme.

Në një nga librat e vet me kujtime, I. Kadareja tregon për një incident privat që i kish ndodhur, dikur në vitet 1980, kur i ishte afruar në rrugë një i panjohur, për t’i thënë “ç’bëni ju intelektualët, pse nuk veproni”; dhe shkrimtari i ishte përgjigjur se nuk është e thënë të jesh njeri i njohur për të bërë një gjest publik kundër regjimit, dhe se edhe një qytetar çfarëdo mund të ndiqte shembullin e çekut Jan Palach, një student 21 vjeçar që, në 16 janar 1969, i vuri zjarrin vetes në Sheshin Venceslas në Pragë, për të protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë [për fat të keq, nuk citoj dot nga burimi, sepse nuk e kam librin e IK].

Nuk është pra, e thënë, të jesh njeri i shquar dhe i njohur për publikun, për t’i dhënë publikut një mesazh të fortë; gjesti e mposht anonimitetin dhe sakrifica, nëse është menduar mirë, e bën heroin figurë publike a posteriori. Të paktën kështu duket se mendon I. Kadareja. Në thelb, sakrifica e Jan Palach i kishte të gjitha elementet e teatralitetit, të nevojshme për të përcjellë mesazhin: vetëvrasja në një mjedis publik, dhe vetë domethënia e djegies në kulturën çeke – nuk është rastësi që vetëm pak metra larg vendit ku vdiq Palach, gjendet monumenti kushtuar teologut bohem Jan Hus, i cili u dogj në turrën e druve, nga inkuizicioni, në vitin 1415.

Vetëm kështu gjesti i Palach u shndërrua në një katalizator të protestës publike, në Çeki, kundër pushtimit sovjetik.

Nëse mund të kryhej edhe në Shqipërinë totalitare një gjest i tillë, sa i dëshpëruar aq edhe simbolik, kundër regjimit, për këtë mund të diskutohet; por e vërteta është se incidente të tilla nuk pati. Një arsye për këtë zbrazëti të protestës lidhet drejtpërdrejt me viskozitetin e informacionit; meqë regjimi e kontrollonte rreptësisht çfarëdo lajmi, jo vetëm duke vendosur se çfarë do të ishte publike dhe çfarë jo, por edhe duke e rishkruar historinë sipas interesave të momentit.

Edhe veprimi i guximshëm i Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës, të cilët i shkruan KQ të PPSH një letër kundër diktatorit Enver Hoxha dhe pastaj për këtë u dënuan me vdekje, nuk jehoi dot në opinionin publik në Shqipëri, sepse pothuajse askush nuk e mori vesh. Edhe pse ne sot jemi në gjendje të kuptojmë forcën e vetëmohimit të tyre dhe t’i admirojmë për guximin, përsëri vetë gjesti i letrës mbeti akt privat, u varros në arkivat dhe në sirtaret, dhe u mbyt së bashku me vdekjen e autorëve.

Një bashkëkohës dhe bashkëvuajtës i atyre të treve, Fatos Lubonja, në një ese të tanishme për heroizmin e Kokomanit, Lezhos dhe Koprenckës, shkruan ndër të tjera:

tek ne vazhdon të dominojë kultura komuniste e tiranisë së mujsharëve dhe mashtruesve ndaj më të mirëve; kultura e pushtetit të mediokritetit dhe paaftësisë; ku mburrja dhe vaniteti eklipsojnë çdo lloj drite m[o]destie vetëkritike dhe vlere të vërtetë; ku i thurren këngë e i ngrihen monumente banditëve, mafjozëve, injorantëve; ku pendesa e ndjesa nuk njihen si vlera, por trajtohen si dobësi, ku sakrifikimi për ideale nuk çmohet e nderohet përkundrazi ku lartësohet (në fakt duke rrafshuar) aftësia për t’u shitur, për t’ua futur të tjerëve e për të dalë pa lagur; ku humanizmi përqeshet nga intelektualët siç përqeshej dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: “ti, që s’vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Pala[c]h për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha.”

Nuk mund të mos i japësh të drejtë autorit për denoncimin që i bën batakut moral në Shqipëri; por sulmi ndaj I. Kadaresë, në fund të paragrafit, më tingëllon i papërligjur. Dhe më tingëllon i papërligjur kryesisht ngaqë edhe vetë fakti që në Shqipërinë totalitare nuk u gjet një Jan Palach që të therorizohej për të sfiduar pushtetin arrogant të diktaturës ka të bëjë me profilin e ulët moral qytetar të individit, ose me po atë patologji sociale që sot prodhon të gjithë atë maskarallëk që përshkruan F. Lubonja [një komentues më poshtë ka vënë në dukje se Lubonja në esenë e vet me siguri i referohej një interviste të Kadaresë me Blendi Fevziun, jo kujtimeve të botuara të atij shkrimtari. I lutem lexuesit ta ketë parasysh këtë saktësim, meqë unë intervistën në fjalë nuk e kam ndjekur, as e di ç’ka thënë Kadareja atje.]

Përsëri vijmë te çështja se kush duhet të sakrifikohet; dhe vetë shtrimi i kësaj dileme, në këtë mënyrë, tregon se sakrifica ende nuk është pjesë e kulturës qytetare shqiptare – as në kuptimin religjioz, as në kuptimin laik. Deri më sot, shqiptarët vetëm sa kanë dëgjuar liderët e tyre, paritë dhe baballarët, ideologët dhe manipulatorët, që t’i ftojnë për t’i sakrifikuar, në emër të këtij apo atij iluzioni çfarëdo: komunizmit, Europës, Kosovës, flamurit, NATO-s…

Në këtë kontekst, të gjithë presim të përjetojmë sakrificën e tjetrit, madje edhe të gatshëm për ta nderuar si idhull, e për t’i lënë lule tek busti në shesh.

Ai shqiptari anonim, që iu afrua I. Kadaresë në rrugë, edhe sikur të mos ketë qenë provokator banal i Sigurimit të Shtetit, kurrë nuk e kishte çuar në mend që të vepronte vetë kundër regjimit, qoftë edhe simbolikisht. Përkundrazi, i dukej e natyrshme që t’ia kërkonte sakrificën një figure publike, të perceptuar, me ose pa të drejtë, si alternative. Po a nuk është pikërisht këtu rrënja e maskarallëkut etik?

Ironikisht, vetë shkrimtari ynë antonomastik zgjodhi të largohej drejt Francës pikërisht në një kohë kur regjimi totalitar në Tiranë po shkërmoqej si bukë e mykur; duke ndërmarrë një gjest publik jashtëzakonisht të vonuar madje komik, imitim i një akti politik që vetëm pak vite më parë do të kishte pasur forcën e një gongu fatal për diktaturën në Shqipëri, por që askush nuk ia kishte kërkuar, as do t’ia kërkonte.

Natyrisht, aktorëve nuk ua lyp kush të rrezikojnë jetën në skenë të teatrit, edhe pse të papritura kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin. Por edhe aktorët, sado të mbrojtur fizikisht nga lëndimet, rrezikojnë profesionin e tyre; në kuptimin që rruga nga sakrifica tek heroi është me një drejtim vetëm; dhe është qesharake ta përkufizosh heroin si individ publik që prodhon sakrifica, si bleta mjaltin ose krimbi mëndafshin.

Ermelinda Smajl Qorraj: Para viteve të liga

Lina Qorraj



(Xhaxhait tim,Ismet Qorraj)

Zërin e kishe të ëmbël
Syrin e mprehtë
Vështrimin e thellë
Mendimin e qartë
Urdhërin e prerë
Fjalën e zjarrtë



Postieri
Rilindjen
E asaj dite të kobshme
Na solli
Si një copë drite
Nëpër të çarën e derës
E futi
Dhe në të
Ismeti...vdiç në logun 
e burrërisë

Kalorës i nxirosur
Hiçi i madh
Të erdhi vërdalë
Para vitëve të liga
të shekullit

që pinte gjak
P╒rtypte barot
Fashatonte plagën
e Ti 
Ismet
u dole para
Agimeve marsjane
kur trolli me nofullat e veta
Kafshonte bijtë e sajë.

Dr. MOIKOM ZEQO - Kitara lirike e jugut


Të shkruash gjysmë shekulli poezi është një gjë e çuditshme. Të mos ndiesh gëlltitjen kronos-ikje të kohës, të apelosh motive të brendësisë shpirtërore, të lëvizësh në një kaleidoskop jonik, të brishtë, kumbues, të ndritshëm, të ngarendësh nëpër stinët e arta, të trishtohesh, të zbulosh fosile nostalgjish nëpër mijëvjeçarë, do të thotë të përjetosh sipas individualitetit poetik, qenien poetike te të tjerët, të emanciposh në heshtje fjalën.


Sulejman Mato ka rrugëtuar në poezi gjatë dhe gati në heshtje. Natyraliteti i tij, thjeshtësia e krijimit.
Përzgjedhja e poezive është një proces i brendshëm, një ritendosje, një pohim i vetëm, përtej dilemave. Kjo përzgjedhje shpaloset si një mozaik që nuk ka zë. Sulejman Mato nuk është një poet këlthitës. Me një modesti dhe thjeshtësi të veçantë, ky krijues është një nga lirikët më autentikë dhe më të mirë të poezisë shqipe. Ai qëndron larg bujës mediatike, larg hierarkive të rreme të kritikës, por edhe larg harrimit dhe mospërfilljes.

Sulejman Mato ka tipologjinë krijuese të jugut. Treva bregdetare jonike është mitologjizuar me ngrohtësi të madhe nga poeti. Ky qe fati i tij i bukur, saga e tij intime, ekzistenciale. “Kitara e jugut” ringjall vegimet, fjalët, emocionet. Poezitë për kilën e vogël si ABC e urisë, për Himarën, për vendlindjen, për Fterrën, për detin, për Sarandën, Ksamilin me katër ishuj në sy, për dallgët e brengosura që të lutin “mos ik!”, për shkëmbinjtë e thepisur me xigomatikë si të Homerit, kanë një ndjeshmëri të lartë. Bota e fantazisë përthyhet brenda realitetit, ajo është djepvarri i saj, është mrekullia e mbijetesës. Sulejman Mato nuk kërkon të çuditë, ai na i përkthen çuditë. Këtu qëndron dhe sekreti i krijimtarisë së tij. Sulejman Mato spikati si poet i talentuar qysh në vitet ’60. Ai ishte dhe mbetet ndër poetët më të njohur të brezit të tij, së bashku me Viktor Qurkun, Hiqmet Meçen, Xhevahir Spahiun, Shefki Karadakun, Frederik Reshpen, Musa Vyshkën etj.

I njohur qysh herët në shtypin letrar... gjatë kohës që punonte në revistën “Nëntori” mbahet mend si një një redaktor dashamirës me talentet e reja, inkurajues dhe shpirtmadh. Mato nuk e njeh xhelozinë për të tjerët, i mjafton talenti i vet dhe kjo nuk është pak. Ai kultivoi, jo rastësisht, një poezi lirike larg toneve tribunale. “Poeti bën marrëveshje me yjet, universin...”, një koncept poetik kozmogonik. Qenia e çdo poeti ka disa bërthama vizionesh, të cilat shkëndijojnë në metafora. Mato sjell vegime të vendlindjes së vet, na sjell jugun me hapësirat detare, fëmijërinë, humanizmin njerëzor. Në poezinë e tij ka diçka nga De Rada, nga Lorka, nga Kafavis. Eseisti Valter Beniamin thotë: “Mbeturinat e kujtesës janë shpesh më të qëndrueshme dhe më të forta sesa procesi që i lë pas ato”. * * * Poezia e këtij krijuesi të talentuar nuk reshti në vite dhe nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe u pasurua. Veçanërisht mbresëlënëse janë poezitë e dashurisë,tepër njerëzore dhe të kthjellëta, një cikël unikal.

Stili i Sulejman Matos është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën meditive. Konkretja modelon simbolikën. Disa nga poezitë e këtij poeti të kujtojnë poetin e madh turk, Nazim Hikmet. Sulejman Mato nuk është thjesht një poet, ai është një krijues dimensional e me interesa të gjera. Në krijimtarinë e tij përfshihen disa drama të suksesshme, disa libra me tregime, një prozë e zhdërvjellët e plot ngjarje jetësore. Mato është dhe një studiues i mirëfilltë, studiues i artit të shkrimit, i lashtësisë dhe i gjuhësisë. Librat që ka shkruar në këtë rrafsh e sidomos ai “Në kërkim të rrënjëve”, e kanë rritur pa dyshim personalitetin e tij krijues.

Sulejman Mato është një emër i njohur dhe në publicistikë, ku spikat natyra e tij prej qytetari të preokupuar për problemet e kohës, ndryshe nga shumë krijues të tjerë të gjeneratës së vet. Ambicia për të njohur të fshehtat njerëzore si dhe rrënjët e identitetit shqiptar e kanë plotësuar dimensionin e studiuesit shkrimtar dhe poet. Lexuesi, duke marrë në dorë përzgjedhjen e shumë librave të tij poetikë “Kitara e jugut”, sigurisht do të ndiejë një kënaqësi të veçantë. Çdo lexim është një rilexim. Në këtë proces, gati misterioz, lëvizin kohët dhe botërat. Autori e di mirë këtë gjë, ndaj ai preferon të mos flasë për veten e vet. Këtë sekret ia beson poezisë së tij, të cilën na e afron me dashamirësi për t’i prekur vlerat e saj.


Remzije Zekolli :Flas me ty kryetrim!(Ismet Qorraj)

Remzije J. Zekolli



....Ciceroni fliste 
Për historinë e Ismet trimit 
Që dikur moti kisha dëgjuar 
për ty
E tash ti je i veshur në bronz 
me bukurinë tende magjepse... 
Nuk e dijë
A ti më soditë mua
-apo unë ty
Nën hijen e blirit shtatëhedhur
Që Ti e mbolle o kryetrim
e unë rri  e flas 
me ty
deri në amshim!...




Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...