Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/05/03

Francesca Petrizzo- Kujtimet e një bushtre

Një anije ndodhet në afërsi të brigjeve greke. Në bord, një grua përpiqet të dallojë profilin e Peleponezit në dritën e vagullt të muzgut. Është Helena e Trojës, e rikthyer në atdhe nga i shoqi, Menelau, pas shkatërrimit të qytetit krenar. Erës dhe dallgëve, ajo u beson historinë e vet. Dhe zëri i saj rrëfen një të vërtetë të ndryshme nga ajo që njohin të gjithë: melankolike dhe vibruese, flet për një krijesë të etur për dashuri, të mbushur me pasion dhe sensualitet, por të shtrënguar t’i bindet ligjit të të atit – mbret dhe të martohet me një burrë që nuk e kishte zgjedhur dhe as dëshiruar.
Kujtimet e nje bushtre, Francesca Petrizzo

Një vendim fatal, prej nga do të lindin kobe dhe tragjedi, sepse Helena do ta kërkojë në krahët e të tjerëve atë që i është mohuar. Duke humbur gjithçka dhe duke përfunduar e damkosur si “bushtër”, fatprerë dhe tradhtare.
Në sfondin e mitit dhe të poemave homerike, Francesca Petrizzo e zhvesh protagonisten e saj nga tisi i misterit, i jep mish dhe shpirt, duke krijuar një figurë shumë moderne femërore që vërshon nëpër faqet e librit me forcën, zemërimin dhe dobësinë e një personazhi të përnjëmendtë, arketip i të gjitha femrave që në rrjedhën e kohës u kanë kundërvënë arsyet e zemrës atyre të pushtetit. I mbështetur nga një shkrim lirik, muzikor, nganjëherë hipnotik, romani befasues i debutimit të një shkrimtareje shumë të re të talentuar.

Fragment nga libri

Bushtra, kështu më quajnë burrat e ekuipazhit. Bushtra. Këtë e bëjnë fshehurazi. Por unë i dëgjoj. Unë quhem Helenë, kam lindur në Spartë, por u largova prej andej për shkak të dashurisë. Thoshin se isha gruaja më e bukur në botë. Për ato pak gjëra që mora, për ato shumë që humba, rapsodët bëjnë tashmë rrëfime. Rrëfime të gënjeshtërta. Tek e fundit, ata nuk ishin. Kurse unë, po.

Mbi autoren

Francesca Petrizzo ka lindur në Empoli më 17 maj 1990. Pas maturës në liceun klasik, regjistrohet në fakultetin e Historisë në Firence, por pranohet gjithashtu në Universitetin e Oksfordit, të cilin do ta frekuentojë nga vjeshta e 2010. Dashuron kinemanë, muzikën, leximin dhe ka shumë miq, pa pasur nevojë për Facebook – un. Kultivon ngahera pasionin për shkrimin, që shpërtheu në këtë roman të sajin të parë.

Titulli: Kujtimet e një bushtre Origjinali: Memorie di una cagna Gjinia: Roman Autori: Francesca Petrizzo Shqipëroi: Adrian Beshaj Shtëpia botuese: Saras Viti: 2012 Fq. 248.

Gazmend Krasniqi - Shitësit e Apokalipsit


Shitesit e Apokalipsit


Gazmend Krasniqi ka lindur në vitin 1963 në Shkodër, ku ka studiuar fillimisht për Pikturë e më pas për Letërsi.
Aktualisht jeton në Tiranë. Veprimtaria e tij letrare përfshin vëllimet me poezi “Skodrinon” (Shkodër 2001), “Poema”( Shkodër 2005), “Toka e (pa)premtuar” (2008), përmbledhjen me tregime “Kodi i vërtetë i Da Vinçit”(2008) dhe tri romanet: “Eldorado”( Prishtinë 2006), vlerësuar me çmim në konkursin mbarëkombëtar “Buzuku” në Prishtinë, “Bar Parajsa”( Tiranë 2008), “Asgjëtë e vogla të Zotit”( Tiranë 2009). Krasniqi po ashtu ka lëvruar edhe gjininë e dramës, me të cilën është vlerësuar edhe me çmime kombëtare. Përmendim “Tri drama”, botuar në 2006-n në Shkodër(çmim në konkursin mbarëkombëtar Albdramatika në vitet 2003 dhe 2007). Kjo pjesë është ngjitur në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ndërkohë që drama tjetër “Koncerti” ka fituar çmim në konkursin mbarëkombëtar “Katarina Josipi”, Prishtinë 2008. Gazmend Krasniqi është pjesë edhe e botimeve ndërkombëtare si “New European poets”(Poetët bashkëkohorë europianë), Minesota, USA 2008, “Antologia della letteratura albanese contemporanea” (Letërsia bashkëkohore e Shqipërisë), Romë 2007, “Poésie albanaise” (Poezi shqipe), Bruksel 2007, “Cobpemeha пoеэија Aлбанија” (Maqedoni), Shkup 1995, “22xPecs” (22 autorë europianë për qytetin Pecs të Hungarisë, 2010), “Izbor iz savremene albanske proze” (Përmbledhje nga proza bashkëkohore shqiptare), Nvo Prostory, Podgoricë 2011, “Pip Anthology of World Poetry of the 20th Century” (on-line), ndërkohë që poezi të tij gjenden në www.transcript-review.org/gazmendkrasniqi në gjuhët anglisht, frëngjisht e gjermanisht, përkthyer nga Robert Elsie e Janice Mathie-Heck, Hans Joachim-Lanksch dhe Ardian Marashi. Përveç krijimtarisë letrare, Krasniqi ka dhënë kontributin e tij edhe në fushën e përkthimeve, duke sjellë shqip “Poezi anglosaksone e shek. XX” (antologji poetike, bashkautor), Tiranë 2004, “Unë dhe zonjushë Mandible” (tregime nga Donald Barthelme), 2004, romanin e Henry James “Deizi Miler”, 2007, përkthime letrare në revista letraro-artistike si dhe në suplementet letrare të shumë të përditshmeve shqiptare.




Jason Goodwin - Syri i keq



Syri i keq, Jason Goodwin

Ky libër i katërt i mistereve të Jason Goodwin që përfshijnë personazhin aq tipik, detektivin Jashim, e shpie lexuesin sërish në botën përrallore dhe ekzotike të Perandorisë Osmane të shekullit të 19-të. Ashtu si te Pema e Jeniçerëve, libri fitues i çmimit Edgar Allan Poe, Goodwin na sjell të gjallë botën bizantine nëpërmjet përshkrimeve plot jetë, hollësirave mbresëlënëse dhe një konteksti të qartë historik. Në librin “Syri i Keq”, ai shpalos dramën dhe bukurinë e Stambollit, një qytet ku gjeografia dhe kultura janë ndërthurur duke e bërë një nga vendet më magjepsëse të botës.

Monika Stafa - Një ditë si Sofia



Nje dite si Sofia
I rashë me forcë drurit të vjetër, të lashtë, aq sa dukej si kishte mbirë aty që kur kishte qenë fidan. Nga brenda doli një burrë mbi të 50-tat. A mund të flasim bashkë, ju lutem? Nuk prita të merrja pëlqimin dhe vijova: Si është puna e aeroportit? A ma shpjegoni me detaje? Unë jam – për pak desh më doli “Sofia” – e katit të dytë, që do të udhëtoj nesër në ora 4, ja, e shoh, e keni të shenjuar aty në bllok. Ju lutem shiheni. Burri përballë meje thoshte vetëm Yes, pas çdo fjale që dëgjonte dhe s’nxirrte asnjë zë më shumë. Shpjegimet e mia po me nervozonin dhe mua vetë, s’po dukeshin aspak të vlefshme në bisedë me një tip si ky, që edhe ishte recepsionist, edhe s’dinte asnjë fjalë anglisht. Ndërsa po lëvizte ngadalë diçka në kompjuterin e tij, valë mendimesh të çrregullta më përplaseshin në krye. Një skuqje përvëluese ndieja që më kishte pushtuar fytyrën dhe nervat po më tendoseshin akoma më shumë nga ngathtësia e burrit në shërbim. A ka mundësi të më ndihmoni më shpejt, i thashë, me një zë lutës. Ai ktheu kokën qetësisht nga unë dhe s’i ndryshoi asnjë nerv, asnjë qerpik s’i lëvizi. Ky ose s’kupton, mendova, ose është nga ata tipat që të çmendin me indiferencën e tyre të qëllimshme.
Nga novela “Një ditë si Sofia”.

Veton Surroi - Miliarderi

“Miliarderi” është romani i quajtuar nga kritika letrare si një histori rrënqethëse.
Miliarderi Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi i rikthehet sërish letërsisë, më i pranishëm se kurrë. Një rrëfim plot humor e ironi. Një nga veprat letrare më serioze të Surroit, por edhe të letërsisë shqiptare të viteve të fundit.
Mbi autorin
Veton Surroi (1961) është gazetar, aktivist i shoqërisë civile dhe politikan. Ka themeluar revistën “Koha” më 1990, e cila në 1997 u transformua në gazetën e parë të pavarur të përditshme në Kosovë “Koha ditore”. Më vonë themeloi edhe stacionin televiziv KTV.
Si anëtar i delegacionit të Kosovës më 1999, ka qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Rambouillet, e cila solli çlirimin e Kosovës. Më 2005 – 2008 ka qenë anëtar i udhëheqjes së delegacionit të Kosovës në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës. Ka botuar librat “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në Kështjellë” dhe “Libri i fluturave”. Ky është romani i tij i parë.

Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes

Me këtë roman, Roberto Ciai paraqet me qartësi vitet e ethshme dhe jo të qeta që nga shkëlqimi i përfaqtë i regjimit fashist të viteve tridhjetë të shpien te vorbulla e luftës dhe e shkatërrimit të fundit. Një mozaik i pasur me personazhe historike dhe të trilluara në letër ndizet me një dritë jashtëzakonisht të fortë, disa gjallërohen nga një mister i kobshëm apo nga njëfarë furie shkatërrimtare, kurse të tjerë të zotëruar nga demoni që pikon melankoli, kurajë apo thjesht një nevojë ulëritëse për hakmarrje.
Njeriu qe i shpetoi jeten Duces
Por ky roman di të ndërthurë në mënyrë të pashoqe ngjarjet e burrave dhe grave në luftë me veten e tyre më parë sesa me botën, aq sa mundimi angështues i konflikteve të tyre forcohet në mënyrë të mrekullueshme me tablonë më të gjerë të luftës që po shkatërron Mesdheun. Falë një rindërtimi historik të kryer me aftësi mjeshtërore, të vëmendshëm ndaj hollësive, madje edhe ndaj ngjyrimeve të veçanta, magjia e pamohueshme e këtij romani e tërheq lexuesin, përmes kthesave të ngjarjeve të mëdha, në fatin magnetik të secilit personazh….

Portreti i Belinit: Misteret e eunukut Jashim

Portreti i Belinit, Jason Goodwin


Në librin “Portreti i Belinit”, Goodwin dhe detektivi Jashim shpalosin aftësitë e tyre më të mira. Nëse doni vërtet të merrni arratinë nga kjo botë e sotme, e ftohtë dhe e mërzitshme, ky është libri që ju çon në një tjetër botë. Aq sa është një roman letrar dhe trillim historik, aq edhe një mister. Hetimi i shpie këta detektivë mendjemprehtë, guximtarë dhe tërheqës, në Venecia, ku lexuesit fatlumë përjetojnë një periudhë të magjishme të historisë së Venecias.

Një panoramë e mrekullueshme, zbavitëse dhe një përshkrim i saktë historik i Republikës së Venecias… Me një rrëfim të gjallë, Goodwin na sjell ndërmend Stambollin e përfshirë në valën e ndryshimeve.
Po aq i koklavitur dhe i mistershëm sa edhe rrugët ujore të Venecias. Të mbetet në mendje…
Lexuesit e rregullt të librave të Goodwin nuk do të zhgënjehen dhe lexues të rinj do ta gjejnë veten edhe mes rreshtave të veprave të hershme të Goodwin.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...