Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/05/15

Kush janë Vojo Kushët në Kumanovë

Kumanova sot gdhiu në një panik të paparë. Të gjithë ne që ndodheshim në këtë qytet, mundëm nga afër të ‘’prekim’’ psikozën e një atmosfere lufte. Detonime të fuqishme, kalibra armësh nga më të ndryshmet.
Mbi qiell pati edhe helikopterë. Breshëria e të shtënave kishte prishur sidomos gjumin e fëmijëve. Ata nuk e kishin ditur se sërish dikush do t’ua prish gjumin.
Sërish, dikush do të kujdeset që pikërisht në këtë zonë, të banuar me njerëz të urtë e hallexhinjë, të sprovojë edhe njëherë durimin e tyre.
Kumanova sot u rizgjodh sërish për të eksperimentuar armatimin dhe municionet e blerë taze nga shteti, por nuk e kemi ende të qartë se kundër kujt sot luftoi shteti i Maqedonisë.
Banorët përreth shtëpive ku u zhvillua përleshja nuk kanë lidhje me atë se çka ka ndodhur. Askush nuk di të tregojë se kush janë njerëzit misterioz kundër të cilëve sot u shkrepën gjithë ato armë dhe u zhvillua gjithë ajo përleshje mbi dy orëshe.
Pse pikërisht sot Kumanova edhe njëherë u zgjodh të jetë ‘’fole qyqesh’’ dhe pse pikërisht kjo zonë e qetë u  piketua si një fushëbetejë absurde. Nuk e kemi të qartë se kush i solli ‘’vezët e qyqes’’ në këtë qytet, por një është e qartë se kushdo që të jenë ata, që sot iu futën kësaj aventure diletante, i kanë bërë një shërbim kolosal regjimit aktual, duke ia zgjatur jetën për aq sa atij do t’i duhet t’i realizojë edhe skenaret tjera. Të realizojë atë që paralajmëruam ditë më parë,:
1. T’i mbyllet goja opozitës maqedonase, që ajo të mos dominoj hapësirën publike me të vërtetën e saj për babëzitë e pushtetit
2. Që shqiptarët në vend se të kthjellen dhe të konsolidohen për një ristrukturim të ri politik, ata tash duhet të mbrohen nga sulmet për vepra e trilluara subverzive kundër shtetit
3. Opinioni publik maqedonas të homogjenizohet rreth idesë megalomane të Gruevskit për ruajtjen e Maqedonisë nga ‘’tradhtarët’’ maqedonas dhe ‘’bashkëpunëtorët’’ e tyre shqiptarë
Asnjë shqiptar në Kumanovë nuk ishte i rrezikuar nga askush që të ketë nevojë dikush prej anësh të vijë dhe t’i ‘’mbrojë’’ ata. Asnjë shqiptar në këtë qytet nuk pati nevojë që dikush të futet në shtëpinë aty afër dhe prej aty të zhvillojë njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë.
Kush deshi edhe njëherë këtë popullatë ta paraqesë kaq pa tru dhe kaq jointeligjente. Pse ka nevojë që tash zëdhënsit policorë ta tregojnë versionin e tyre për këtë aksion misterioz, ndërkohë që asnjë burim tjetër jozyrtar nga ana e shqiptarëve, madje edhe nga ata që supozohet se sot luftuan me shtetin e Maqedonisë,  nuk po arrin të zbardh ndonjë detaj se çka në të vërtetë sot ndodhi në orët hershme të mënghjesit në Kumanovë.
Duke qenë viktimë vetëm të një vërtete që na servon shteti, shqiptarët, jo vetëm të Kumanovës, në mungesë të një truri politik shqiptar këtu, do të përdoren edhe gjatë kohë si pëluhurë toreadorësh për të mashtruar demin e harlisur, që pamëshirshëm shkel mbi fatet e qindra mijëra njerëzve.
Dikush, nesër, do të duhej ta paguaj tagrin e këtij mashtrimi.
Në Kumanovë sot pati shumë krisma, por ato nuk arritën të shurdhojnë vetëdijën e kësaj popullate e cila është e bindur se edhe këtë mëngjes maji dikush deshi ata t’i qeras  me një omlet ‘’vezë qyqesh’’.

Katastrofa shqiptare në Maqedoni




Çfarë po ndodh në Maqedoni është rezultat edhe i mosdijes dhe indiferencës sonë këtu në Shqipëri. Të paktë janë ata shqiptarë këtu, që kanë ndonjë ide të qartë se ku shtrihen territoret e banuara nga shqiptarët në atë shtet. Shumica kanë ndonjë ide të vagullt të ushqyer nga hartat qesharake shqiptaro- mëdha që i referohen gjendjes së popullsisë dhe territoreve në fillim të shekullit të kaluar.
Por ndërkohë ka kaluar një shekull dhe situata në atë që quhet sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë paraqet një regres të pandalshëm nga ana e shqiptarëve.
Asimilimi, shpërnguljet, “reformat” diskriminuese administrative, papunësia konstante, varfëria e imponuar dhe mërgimi si pasojë e varfërisë, i kanë tkurrur dhe vazhdojnë t’i tkurrin në mënyrë të pandalshme territoret dhe popullsinë shqiptare atje.
Në Tiranë askush nuk e thotë, por shqiptarët e Maqedonisë janë në zgrip të ekzistencës. Përfaqësuesit shqiptarë të Maqedonisë janë një grup i korruptuar që luan funksionin e kolaboracionistëve të cilët heshtin përballë kësaj gjendjeje.
Si paraqitet gjendja në territor? Ndryshe nga ç’thonë hartat me “autoktonë”, Manastiri dhe Ohri janë përfundimisht të humbur. Struga është në rënie katastrofale të popullsisë shqiptare. Midis Gostivarit dhe Dibrës, autoritetet maqedonase kanë krijuar me marifet një “pykë”, në formën e një njësie territoriale me “shumicë” maqedonase që është Mavrova, me territore të grabitura prej dy komunave shqiptare, me popullsi prej 8.000 banorësh, sa një e teta e Strugës (65.000) e me sipërfaqe sa trefishi i Dibrës.
Kërçova dhe Kumanova gjithashtu e kanë humbur shumicën shqiptare. Ato janë në prag të humbjes së identitetit shqiptar për shkak të lojërave me ndarjen e rajoneve të tëra shqiptare midis njësive territoriale fqinjë (ku shumicën e kanë maqedonasit) dhe bashkimin në këto njësi, të “bishtave” tokësorë me shumicë maqedonase. Si rrjedhojë e këtyre makinacioneve, gjuha shqipe nuk është në përdorim në administratën e këtyre komunave. Përfaqësuesit politikë shqiptarë vendas e kanë parë të gjithë këtë që ka ndodhur dhe e kanë miratuar në heshtje në këmbim të ndonjë posti për kushërinjtë e vet. Pak a shumë, njëlloj si kryetarët e tribuve indiane në Amerikë që shisnin kullotat e fisit tek kolonizatorët e bardhë në këmbim të ndonjë arke me lëng të zjarrtë (uiski).
Tetova dhe Gostivari gjithashtu janë qethur me kujdes nga territore të tëra të cilat u janë shpërndarë komunave fqinje me shumicë maqedonase, por duke pasur kujdes që raporti etnik në to, të mos ndryshojë dhe vetëm Tetova dhe Gostivari të mpaken territorialisht. Shkupi është enklavizuar duke u shndërruar në një lloj mini- Izraeli ku shqiptarët janë shtyrë dhe ngjeshur në një rrip Gaze të ngushtë, të varfëruar e të mjeruar, ndërsa kolonët maqedonas janë shtrirë në territore të reja, të gjera, moderne e plot hapësirë.
Zyrtarisht shqiptarët janë sot 25% e popullatës vendase, por e vërteta është se në censusin e vitit 2002, një pjesë e madhe e atyre që u regjistruan ishin emigrantë, ndërsa një pjesë e banorëve vendas, nuk u regjistruan kurrë. Askush nuk e di në të vërtetë sa është numri i shqiptarëve në atë vend.
Tirana zyrtare thjesht bën sehir dhe mirëpret cilindo udhëheqës politik që paraqitet si përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë, pa e vrarë mendjen se këta udhëheqës janë të tillë vetëm sepse kanë marrë mbështetjen dhe miratimin e sunduesve maqedonas. Si të tillë, ata nuk kanë lidhje me aspiratat e vërteta kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe shërbejnë vetëm si një lloj karameleje që u hidhet shqiptarëve të atjeshëm për t’u krijuar atyre iluzionin e ndarjes së pushtetit. Pushtet që në të vërtetë ata nuk e kanë.
Shqiptarët janë kësisoj të PAPËRFAQËSUAR politikisht. Ata kanë vetëm një kastë kolaboracionistësh të vegjël, të cilët thonë se përfaqësojnë shqiptarët dhe që ruajnë avantazhet e tyre financiare falë lëmoshave nga qeveria maqedonase që i paguan ata dhe grupin e njerëzve rreth tyre në formën e qehajait lokal që mban të nënshtruar skllevërit e provincës së prapambetur.
Edhe pse janë kontributorë me të paktën 25% të taksave në buxhetin e Maqedonisë, shqiptarët, për shkak të tradhtisë së “përfaqësuesve” të tyre politikë, përfitojnë shumë më pak investime në përqindje. Buxheti i arsimit në komunat me shumicë shqiptare këto vite, ka rënë me 80%, duke i ekspozuar banorët vendas ose me injorancën, ose me përqafimin masiv të së vetmes dritare për ndonjë formë dijeje që mbetet: fesë. Kjo e fundit, në variantin e islamizmit, mbështetet dhe inkurajohet masivisht nga qeveria vendase që synon t’i kthejë shqiptarët nga identiteti i tyre kombëtar, drejt një identiteti të ri, islamik, oriental dhe aziatik, i cili është shfaqur në këto anë shumë kohë pas mbërritjes së sllavëve, prandaj kështu nuk është i rrezikshëm për interesat maqedonase.
Marrëveshja e Ohrit me të cilën lajnë gojën autoritetet e Tiranës sa herë që takohen me homologët maqedonas është një dokument diskriminues, i cili edhe ashtu nuk po zbatohet. Ai synon thjesht rregullimin e marrëdhënies së përdorimit të gjuhës shqipe nga administrata nëpër komuna, në varësi të përqindjeve të popullsisë. Ai lë shtigje të hapura për lojërat me ndarje territoriale, me ndarje buxheti dhe me taktika të tjera diskriminuese, dëbuese dhe asimiluese të shqiptarëve. Duke qenë i tillë, ky dokument mund të quhet përfundimisht i dështuar.
Është koha që në këto kushte disfate dhe rrënimi katastrofik të interesave të shqiptarëve në Maqedoni, Tirana zyrtare të marrë rolin e mbrojtësit të këtyre interesave, sidomos në prag të ndryshimeve të mëdha politike në Maqedoni. Ekspertët shqiptarë duhet të nisin urgjentisht negociatat me opozitën maqedonase të Zoran Zaevit. Në këmbim të mbështetjes masive shqiptare me votë në zgjedhjet eventuale, ato duhet t’i propozojnë atij një dokument të ri të rregullimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, ku ndoshta modeli federalist dy- etnik i Belgjikës mund të merret për shembull.
Me anë të këtij dokumenti të garanohet jo thjesht përdorimi sipërfaqësor i gjuhës dhe simboleve në komuna të ndryshme, por edhe të drejta të tjera të domosdoshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit shqiptar në rajone historikisht me shumicë shqiptare në Maqedoni, vetëmenaxhimi i taksave dhe i territorit, një ndarje e re territoriale e komunave dhe çlirim i mundësive për zhvillim ekonomik dhe punësim në territoret shqiptare të Maqedonisë.
Ndërkohë që kasta partiake shqiptare në Maqedoni ka dështuar, është e paaftë dhe e ka braktisur popullin e saj, mbetet detyrimi kushtetues i qeverisë së Republikës së Shqipërisë që ta ndërmarrë këtë rol përbashkues, duke qenë gjithë kohës e qartë se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punët e një vendi të huaj. Bëhet fjalë për një mision shpëtimi për një komunitet të gjerë njerëzish që ndajnë një gjuhë dhe kombësi me ne, dhe që sot janë në rrezik.

Shqipëria kërkon hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës

.bushatiiiiii 11

Duke folur në ministerialin e NATO-s, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës. Ai gjithashtu ftoi palët që gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme të lihen mënjanë. Sipas Bushatit, cdo përshkallëzim i situatës, nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë

Kërkohet sërish dorëheqja e Gruevskit


“S’ka drejtësi, s’ka paqe”, “dorëheqje”, ishin parullat e protestuesve nëpër rrugët e Shkupit, të cilët edhe sot kërkuan dorëheqjen e Nikola Gruevskit.

protesta
Duke brohoritur “S’ka drejtësi, s’ka paqe”, “dorëheqje”, qindra protestues nga lëvizja Protestoj edhe sot kanë dalë në rrugët e Shkupit dhe kanë kërkuar dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski.
Mediat në Maqedoni raportojnë se protestuesit sërish ishin mbledhur sonte në mbrëmje dhe kanë dashur të shkojnë para ndërtesës së qeverisë ku policia nuk iu lejoi që të grumbullohen aty, prej ku shkuan pastaj tek ndërtesa e Kuvendit.
Në mesin e qytetarëve ishin prezentë edhe përfaqësues të plenumit të shkollave të mesme.

Lideri i opozitës, Zoran Zaev: Qeveria shkatërruese e bashkëjetesës

Zoran Zaev_26_1
Lideri i opozitës, Zoran Zaev sot ka publikuar bombën e 32-të më dëshmi të shumta që sipas tij nxjerrin në shesh fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, i cili paraqitet si nxitësi kryesor i tensioneve ndëretnike në vend. Janë publikuara biseda të shumta mes zyrtarëve të lartë të cilët shprehin mos-durimin e tyre në veçanti ndaj shqiptarëve. Si protagonistë e fyerjeve të rënda sërish paraqiten, Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, Ivo Kotevski, e të tjerë përfshirë edhe kryeministrin Gruevski.

Ali Ahmeti në ‘Rruga drejt...’ flet për Kumanovën

Ali Ahmeti_Rruga
‘Na 
‘Na ndihmo që të dalim të gjallë prej këtu sepse kemi gabuar dhe më kurrë s’do ta bëjmë këtë gabim’. Me këtë kërkesë grupi i armatosur iu kishin drejtuar liderit të BDI-së Ali Ahmetit, të shtunë kur po zhvilloheshin luftime në lagjen e trimave në Kumanovë. Ahmeti, në Rruga Drejt, tha mbrëmë se grupi i armatosur kishin kërkuar një korridor për tu larguar nga vendi i luftimeve. Por, Ahmeti thotë se nuk kishte mundur të merr një përgjegjësi të tillë nga frika se dikush do të mund ti kishte vrarë. Pas një kohe, siç shpjegon Ahmeti kishin qenë vetë pjesëtarët e grupit të armatosur ata që kishin kërkuar të dorëzohen, që të mos digjen të gjallë në flakët e luftimeve që u zhvilluan në lagjen e trimave në Kumanovë për dy ditë radhazi.
img
“Unë asnjëherë nuk kërkova që ata të dorëzohen. Ata vetë e paraqitën opsionin e dorëzimit dhe pasi ja kam propozu organeve, ekipi që unë e dërgova, pas dy orësh më ka thirr Nikolla Gruevski. Më tha çka mendon për gjendjen, thash unë njerëzit i dërgova propozimin projektin e dorëzova, tha ajo a mund të bëhet. Thash sigurisht se mund edhe të bëhet sepse nuk është mirë as për shtetin as për banorët dhe kështu duhet të marrë fund kjo përleshje”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti thotë se para përleshjeve në Kumanovë, gjegjësisht pas sulmit në Goshincë kishte dërguar Sadulla Durakun që të bind komandant Sokolin të heqin dorë nga veprime të këtilla, por i njëjti kishte mohuar çdo përfshirje eventuale në atë sulm. Ahmeti tha se ai kishte qenë kundër një konflikti të armatosur pasi vlerëson se kjo shkon në dëm të shqiptarëve.
“Kam qenë njeriu që kam shpjeguar që nuk është në interes të shqiptarëve ndarja e Maqedonisë, nuk është në interes të shqiptarëve në tërësi çdo veprimtari që ushtrohet dhunë apo përdoret arma. Në këtë rast ne jemi të dëmtuar si shqiptarë në tërësi, edhe Kosova edhe Shqipëria, sepse mund të keqpërdoret nga dashakeqas të shqiptarëve se ja shqiptarët janë ata që e destabilizojnë vendin. Dhe unë po e them këtu përpara jush dhe u them gjithë shqiptarëve se nuk është në interes të gjithë shqiptarëve as ndarja e Maqedonisë, sepse nuk ke si e ndan, nuk ke vija demarkacioni”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
I pyetur për protestën e 17 majit të thirr nga opozita, Ahmeti tha se BDI nuk do t’i mbështeste në rast se përdoret dhunë. Në të kundërtën, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi që lirshëm të dalin dhe të protestojnë në mënyrë paqësore të gjithë ata që kanë pakënaqësi.
“E drejtë e çdo subjekti është që të protestojë, paqësisht, pa ushtrim dhune le ti shprehe kërkesat e veta. Në atë moment që ushtrohet dhunë nuk kanë përkrahje të bashkimit Demokratik për Integrim. Të gjithë le të dalin në protesta le të shprehin pakënaqësitë e tyre, pa përdorur dhunë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Duke folur për Sulejman Osmanin, personi i cili kishte arritur ti arratisej policisë, Ahmeti ngre dyshime madje se si është e mundur që me pranga në duar tu ikë policëve. Ahmeti tha se personi në fjalë, në vitin 2001 ka qenë i arrestuar nga UÇK si person i dyshimtë.

Policia heton arratisjen e Sulejman Osmanit

Policia
Policia edhe më tej heton se si iu ka ikur njëri prej të arrestuarve në aksionin policor në Kumanovë. Sipas MBP-së, po vërtetohen rrethanat për ngjarjen që ndodhi këto ditë në afërsi të fshatit Brezë, kur njëri prej të arrestuarve nga grupi i Kumanovës në vendin e ngjarjes ka treguar ku është fshehur armatimi i vjedhur në Gushincë, dhe ka ikur nëpër pyjet përreth.
“Edhe më tej po punohet në zbardhjen e të gjitha rrethanave. Pas zbardhjes së rrethanave do të ndërmerren masa përkatëse. Pasi tërësisht të konfirmohen të gjitha detajet, saktë do të tregohet përgjegjësia për ikjen”, thonë nga MPB-ja.
Lajmin që dje e publikoi Alsat-M nxiti interesim te mediumet vendore, por edhe ato rajonale. Lajmin e hapi vet personi që ka ikur, duke u prezantuar si Sulejman Osmani nga Breza. Në audio regjistrimin e bërë nga Xhezair Shaqiri si komandant Hoxha në territorin e Kosovës, ai publikisht tregon si është arratisur. Ndërkaq, i frikësuar nga rrahja dhe me pranga në duart, pasi ka treguar ku janë armët, ka filluar të ikë nëpër kodra. Nuk iu ka kushtuar vëmendje paralajmërimeve se policia do të shtie, kështu që policia nuk ka shtënë drejt tij. Më pas, e kanë kërkuar nëpër pyllin përreth, por nuk kanë mundur ta gjejnë. Ai ka gjetur një mik i cili e ka liruar nga prangat dhe më pas ka ikur në Kosovë.
Siç njofton Makfax, autoritetet e Kosovës kanë identifikuar tashmë trupat e pajetë të personave që kishin luftuar në lagjen e trimave në Kumanovë. Bëhet fjalë për
Xhafer Zymberaj i lindur më 18.05.1972
Valon Kabashi i lindur 14.08.1985
Turgaj Gashi i lindur më 13.04.1978
Arben Rexhaj i lindur më 17.09.1971
Samit Kastrioti i lindur më 14.12.1975
Hisen Rushiti i lindur më 20.07.1965 dhe
Fatlum Vishesella i lindur më 16.08.1983
Ndërsa ditë më parë Ministria e Brendshme publikoi edhe emrat e tre personave tjerë të vrarë në këtë aksion, Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj dhe Nusret Kaloshi. Sipas MPB-së në aksionin policor në Kumanovë kanë mbetur të vrarë 10 pjesëtarë të grupit. Nga ana tjetër mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të policisë dhe 37 të tjerë u plagosën..



Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...