Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/05/20

CIKËL POETIK NGA ODISE PLAKU

odise-plaku



ODISE PLAKU

Vendlindja: Fier

Vendbanimi: Tiranë

E-mail:odiseplaku@yahoo.com


Arsimi:

-2012-Master në Shkencat Politike, International University of Struga
Me temë “Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë, ulje-ngritjet e tyre”.
-2013-Universiteti Bujqësor i Kamzës, Fakulteti “Financë-Kontabilitet”
Me temë “Banka e Shqipërise, realiteti dhe problemet rreth saj”.
-1990-Universiteti “ Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Mësuesisë, Shkodër
-1983-1987 Shkolla e Mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri”, Gjirokastër
-2009-Kursi Pasuniversitar për “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci”, Tiranë në Akademinë e Diplomacisë Shqiptare

Eksperiencat e punës:

-2014-Shef i sektorit te botimeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë
-2010-2013-Këshilltar, Ministria e Punëve të Jashtme
-2009-2010- Drejtor i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
-2004-2005- Këshilltar në Ministrinë e Rendit Publik
-2006-2007-Drejtor i Burimeve Njerëzore pranë Kompanisë Filmike Audiovizuale “AA” Tiranë
-2005- 2006- Drejtor i departamentit të informacionit në Telenorba Shqiptare
-1999-2004- Drejtor i TV Kombit Fier.
-2007-2008-drejtues emisioni në A1 TV
-1990-1999 –mësues gjuhë-letërsie.

Vepra skenike: (Të vëna në skenë )

“Klithma e një nëne të marrë”- monodramë, vënë në skenë në teatrin “Bylis”, Fier, me aktoren Hajrie Rondo. 2006
“Ylli i mëngjesit”- dramë vënë në skenën e teatrit Migjeni, Shkodër, 2009
“Velloja e bardhë” monodramë, teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë, me aktoren Zamira Kita, 2008
“Flakët e shpirtit”, dramë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, qershor 2010
“Të rendësh i lirë”, dramë për fëmijë, 2009
“Moonlight”-film me metrazh të shkurtër, skenarist, 2007
“Fëmijët e ndrojtur”- komedi, Teatri “Metropol”, Tiranë 2014

Aktualisht ka botuar këto vëllime:

“Zhguni i Gjinkallëdredhakut”- novelë për fëmijë 2011
“Kur qeshen ëndërrbukurat”- novelë për fëmijë, 2009
“…dhe gjethet bien…”- vëllim me poezi për të rritur, 2005
“Kthimi i Samantës”- vëllim me tregime e novela 2005
“Qullaci” novelë-përrallë për fëmijë, 1999
“Lotin nuk e fal”- vëllim me tregime për të rritur, 1995
“Dyluftim nën hënën mashtruese”, 

Çmimi i parë në konkursin e tregimit organizuar nga Revista “Obelisk”, 23 janar 2010







BOTË KUJTIMESH


Kridhet tej në botë kujtimesh
kredharak i fëmijërisë,
bredh mes barit të pashkelur
shkurtëz-grushtëza e frikësuar,
pak më tej me krahët hapur,
një mëllenjë në grackë ka rënë,
feta akulli që thyhen,
shkrrap-shkrrup hapat përmbi të,
këmbët lagur, duart skuqur,
ditë e dimrit mavijosur,
kridhet tej në botë kujtimesh
kredharak i fëmijërisë.
Valët e lumit që përplasen
në thellësi të shpirtit tim
më ngacmojnë e më trazojnë
atë breg që quhet mall.



Me ty nëna ime...


Filiz pa rritur në jetë do të isha
Pa qumështin tënd në buzët e mia.
Gjethetharë në tokë do të kalbesha
Pa fruta në degë, 
pa këngë zogjsh i mbetur.
Pa ty, edhe dita kurrë nuk do të agonte
Çarçafët e errësirës a do të griseshin?
Pa ty, akullnajat në shpirtin tim nuk do të shkrinin 
Titanikët kurrë në port nuk do të mbërrinin.
Me ty, eh, me ty, 
Livadhi i jetës mbetet përherë i bleruar
Pluguar nga plori i dashurisë së përjetshme.
Njomështia buron dhe harliset zhurmshëm 
Në ditët e fëmijëve të mi.
Me ty, lumi vërshon si i ndërkryer
Tek hapja e portës, te puthja, përqafimi i jetës.
Tek supi yt prehjen e vetvetes gjej
Unë mesoburri që përherë mbetem fëmijë.


LULET


Mbi varr
i vendosën tufa me lule shumë,
siç e la amanetin lulishtari plak.
Shumë lule. E shkuan,
nuk erdhën më, e harruan,
po lulet nuk thaheshin mbi varrin e plakut,
freskia buronte nga shpirti i tij.


DILEMË


Të rrëfehem nuk e di,
Mëkatet e mia a do të bëhen mirësi?
Ti mbaj në supe më rëndojnë si gurë,
I tërheq me vete si Krishti kryqin për ditë e mote.
Eh, këto mëkatet më trazojnë dallgët e shpirtit
Qetësinë ma prishin me zhurmë e ulërimë.
Më kërcënojnë me britmat e tyre frenetike,
Për flokësh më kapin dhe fije-fije m’i rrëzojnë,
Sysh më verbojnë e numrin e qelqeve ndërroj,
Fytyrës kafshojnë dhe rrudha mbjellin,
Trupin godasin e trëndafila blu më pikturojnë.
Keq me mëkatet se të ëmbla duken në lindje!
Janë dreqka sa mbaron njëra, tjera të fton e të josh.
Më lodh çdo çast mendimi gri të rrëfehem a t’i mbaj thellë në gji.
Sa herë matem të shkoj në rrëfim
në mendje më vjen fjala e një të mirit mikut tim:
“Mbaji, pa to jeta nuk ka kuptim,
I pashkruar libër do ishe miku im
Fletë e bardhë pa jetë, pa lexim.”
Ndaj shkoj e kthehem rrugës për rrëfim
mëkatet ende ulërijnë e skërrmiten në supin tim
deri te pragu shkoj e këmba në ajër mbetet pa kalim
një tjetër mëkat lind nga ky syri im në vështrim...



Faljen e kam mikeshë në jetën time



Faljen e njoh dhe pse krenaria më tërheq mbrapsht
Më pëshpërit: “Mbetu i fortë dhe mos u dorëzo!”
Në majë kreshtash më çon fluturimthi diellin të prek
E përsëri në rrëzë mali unë zbres me këmbët përgjakur
Faljen e ndjej të rrjedh në thela plagësh shpirti të çelura
Kokën përul dhe mjekrën kurrë nuk e ul
buzëqeshjen dhuratë për ju unë ruaj.
Nevriku më mposht për çaste, por mbetem përsëri në përunjësi
Faljen e njoh dhe e shtroj në sytë e mi si tapetë mirësie.
I nënshtruar?
Jo!
I lehtë në shpirt më shumë se kurrë!
Eh, sa shumë falje kam për të mbjellë si filiza në këtë jetë...
Kohë t’i ujit a do të kem vallë?


Më thuaj një ditë a do të duhemi?


Mos më thuaj asnjëherë
Pse zemrën s’ta tregova,
Dhembjen e saj dhe rrahjen gjithashtu.
Me mijëra kilometra endemi ne të dy,
Dhe duart çdo çast
Me druajtje veç i prekim.
Endemi në ëndërrime,
Puthja na mungon.
Endemi në përqafime,
E gjitha një lojë, vegim.
Sa herë ti matesh
Të thuash sa më do
Tretet syri yt, e timin e përlot.
Sa shumë të pathëna
Sa shumë mbeten mistere.
Vdesin brenda meje,
Mbesin brenda teje.
Dhe ikim nëpër netë
Mes çmendurisë sonë
Në puthje përqafime,
Në lindje dhe vegime.
Sa shumë të kam dashur
Sa shumë ende të dua
Ti, pjesë e jetës sime,
Më thuaj, më thuaj
Një ditë, vërtetë, a do të duhemi?


IKJE DHE KTHIM


Ika si i çmendur nga ti,
e në gjumin e trazuar humba shpejt.
Ika si i luajtur nëpër ëndrra,
e klitha për vdekjen tënde të rreme.
U ngrita e s’di kush më tha:
Të kërkon...
Më kishte folur gjaku,
më kishte folur malli,
më kishte folur rruga nga kisha ikur,
më kishte thirrur rruga e kthimit...
Të kërkova.
Andej-këndej u enda sypërlotur.
Të kërkova...
E një fytyrë perëndeshe buzëqeshur
përshëndeti:
Përsëri të dua!...



Divorc me ty nuk dua...



Veç ty të dorëzohem dhe të përulem!
Në duar të marrë me ledhatime.
Nuk nginjem në puthjet e tua
dhe tekave iu bindem, kokulur qëndroj.
Adoleshent më bën e herë burrë mjekërbardhë.
Dhimbjet dhëmbështrëngur duroj kur honeve më gremis.
Durimshumë jam para teje
dhe kur kamxhikët e tu vraga lënë pa mëshirë.
Sa herë më provokon dhe kërkon ikjen time.
Veç ndarjen me ty kurrë nuk dua,
Se i verbër rrugëve të jetës do mbetem përgjithnjë,
Pa tokë nën këmbë, pa qiell në sy,
Pa det, pa frymë do më lësh,
Nëse divorcin pranoj me ty poezi...



Një ditë dhe unë do të iki...


Kur të mos jem
Rrugën për në botën e mallit kam marrë.
Parmenda do të plugojë kujtimet e jetës
Shtëllunga ajri kristal buajt e kohës do të gulçojnë.
Do t’i cytë të mos ndalin
dhe pse e di që lodhur shumë janë.
Është ftohtë në botën e mallit, e largët është ajo!
Unë,
Njeri i pakohë që botën brodha pa fre
Anijes velat ia grisa për plagët e erërave kujandjellëse
Brigjet i putha me buzët e rreshkura
Dheun përtypa si bukën më të ëmbël
Duarsh nëne gatuar me qumështin e gjirit.
Kur të mos jem,
(Mos u trembi ,nuk iki kaq shpejt!)
Shtruar në biseda në botë të mallit do të jem...


Mos me ik!


Mos me ik, mos me braktis!
Ti, ore e fundit e ketij vitlindjeje.
Qendro me mua, shume te deshiroj.
Largimi yt me ndryshim te madh pason.
Pesen e ben gjashte dhe dyzet e pesen e ben dyzet e gjashte.
Ne lutje do te mbetem, por ti me mua do te luash.
Do te qeshesh, do te shkosh dhe stacion do te nderrosh.
Ti, lozonjarja ore e fundit e nderrimit te vitjetes, lojen tende fillon me gazmend qiellor.

MIQVE


Sa miq që pata, më s’i kam,
kanë ikur,
me kohën është tretur miqësia jonë
E mbetet në kujtesë e shkuara e dëftores.
Pastaj luaj me foljet;
Ishin.
Janë.
Por prapë e para të bren
si një molë që rrugëzën ka hapur,
se diçka të mirë në shpirt
të kanë lënë
ata që “emrin” kishin miq.
E shpesh më zë malli
(Paçka se më s’i kam, sot nis t’i kujtoj një nga një)
Pastaj ndiej gjakun të më ziejë ndër deje,
këput një të sharë pa fre:
-Dreq kohë më je!
Ku lidh njerëz në një miqësi të re,
ku të vjetrën e le dhe s’e le.

SIME BIJE


Sot u ankova për ty, Anisë,
se gjumin ma trazove me të qara,
por fjalët s’i vazhdova më tej.
Më përzhiti vështrimi i një miku,
qetaz e sypandarë nga të mitë belbëzoi:
Të paska lodhur kënga e një zogu.



Vogëlushit tim


Ti mos qaj, vogëlushi im,
retë e zeza, që kafshojnë qiellin
e pjellin gjarpërinj të kuq,
s’do të të trembin më.
Unë i treta ato
me rrezet e syrit tim
e frikën e godita
me rrahjet e zemrës.
E përzura gogolin e ëndrrës së ligë,
që gjumin e vonë të trazon,
e ndoqa në një luginë mjegullash,
gremisur honeve të thella qe fundi i tij.
I përzura të gjitha ligësitë frikëmbjellëse
dhe një kopsht me lule
e një tufë pëllumbash krahëbardhë
në ëndrrën tënde solla,
ndaj ti mos qaj, vogëlushi im,
sytë e tu i dua si qeshja e dëlirtë e pranverës.

Nipërve të mi


(Samuel dhe Lea jeni engjëjt e shpirtit tim)

Ti ike trazovaçi im i vogël,
Pas le zërin tënd që nëpër dhoma
Zhurmonte dhe gëzonte.
Le pas erën tënde në nënkresë, në çarçafë
Dhe mallin e shpejtë ti lë.
E kyçe anglishten tënde diku në mendje,
Gjuhën e zgjidhe nëpër fjalët e shqipes
Mësove, eh çfarë nuk mësove
Dhe ato fjalët e rralla të fjalorit të të rriturve!
Më mirë kështu sesa gojëhumbur në fjalët shqipe
Dhe përgjigjet e tua në “yes” a “no”.
Ti ike trazovaçi im i vogël
Dhe zërin tënd e duam përsëri.
I vogli është ilaç i të madhit kurdoherë
Të vret mërzinë e mbjellë gëzim!
Ti ike trazovaçi im i vogël
Si dy zogj, me motrën, drejt Anglisë fluturuat
Lea e vogël cicërimat e para të shqipes mësoi këtë vit!
Ju ikët engjëjt e mi,
Avioni që ju çoi kaltërsive të pamata
në pistë të zemrës time do të ulet përsëri një ditë.




KY PRAG I MOÇËM


Rrufeja goditi pragun e gurtë,
më dysh u thye e shkoi,
por ai mbeti.
Ashtu si është pragu i një shtëpie të moçme
nga shirat shpofka –shpofka
e me pak myshk anëve,
kanate të mëdha, dërrasa të krisura,
Fishkëllima erërash
dërguar nga botë poseidonikësh.
Klithma grash
e të qara foshnjash,
që vijnë në jetë përmes gjakut,
hapa të vjedhur
e hapa trokitës që hyjnë e dalin ditën
e natën e mbushur plot shtojzovalle velloqumësht,
hapat e një fëmije të sapomëkëmbur
dhe çak- çuku i plakut
rëgjuar nga vitet e kërrusur hallesh,
kafshimin e minutit
e dyzimin e tij në shekull çoroditës,
shpërthimin e lulëkuqes
e shkeljen e krahut të harabelit,
histori e treguar mes enigmash të pafund,
pleksur e notuar në përrroin urrejtje
e në lumin dashuri.
Fletë anemike,
histori brezash regjistruar në kujtesë njeriu,
ky prag thinjosh,
si plak i urtë që damarin e inatit fshehur mban,
në çaste kur duan t’i përbuzin pleqërinë,
ky prag pritës e përcjellës
të gjitha mund të të tregojë
për shtëpinë e moçme me emrin; Atdhe.



KËNGË E HARRUAR
(POEMË)

…Erdhi lajmi se je vrarë
si t’i them unë nënës vallë?
Shtriga e harruar shtriqi gjymtyrët,
pluhurin e vjetër lëpiu ngadalë,
pastaj mërmëriti zgavruar e kënaqur:
- Tani të dalë ku të dalë!
Dhe thirri bijat e saj nga honet e detit,
i nxori të ngrëna, nga kripa të tretura,
me gjuhë të ethshme i lëpiu,
i rinoi e plagët u përthau
dhe zë u bëri bijave të tokës.
I erdhën të bëra si lëkura e thatë,
me pështymën e saj pa përtesë i regji,
dhe përsëriti me shpirt të shkërmoqur:
- Tani të dalë ku të dalë!
Dhe i puthi siç dinë shtrigat të puthin,
dhe u foli me të zezat fjalë:
-Kemi vite që veten kemi ngrënë,
tani të dalë ku të dalë!
Qeshën shtrigat, hingëllinë të bijat,
dhe u përqafuan etshëm plot mall,
dhe thirrën fort,
nga ajo thirrje zemrat tona dhembën:
- Tani të dalë ku të dalë!
Ikën bijat –shtriga përsëri në tokë e në det,
të kënaqura që vitet e gjata të pritjes
jo, kot, nuk kishin shkuar kot.

PSE VALËT NGRENË KRYE?

Dhe mbeti në breg e vetme,
lotët si smeraldë i ranë ngadalë
e zemra vajin e zuri plot mall.
- Biro, të vetme, ku më le ti vallë?
Dhe ranë lotët në shkëmb,
shkëmbin e rrahu një dallgë.
- Biro, të vetme, ku më le ti vallë?
I qetë ishte deti ,
i qetë, si i thonë si vaj.
Pesë dërrasa të lidhura,
do t’i mbajnë vallë?
I thirri qetësia e detit pa dallgë,
i thirri që nga larg një valëz e bardhë.
- Dhe ikët larg biro ,sa larg!
Biro, të vetme, ku më le ti, vallë ?

ËNDRRA E LIGË

Ti natën u ngrite përgjysmë
dhe thirre :“Bir!”- plot vaj.
-Pusho! - t’u hakërrye plaku,
matanë detit djali na ka dalë.
Por natën në ullinj kush zbret?
Ashtu gulçuar
kush vallë ecën, qan?
Kush vjen duke rënkuar?
E zezë kjo natë, e zezë!
Sterrosur fort ky det!
Në breg ulet nëna, në breg rri e pret.
E rrahin dallgët bregun,
e rrahin pa mëshirë,
yjet zënë e fiken, dita duke gdhirë,
tërhiqen dallgët, lodhja është fshirë,
ditën është i qetë, natën është i nxirë.
Hakërrohet plaku plakës
dhe sytë me ujë deti lan:
- Detit, djali, i ka dalë matanë!
Plaka s’flet një fjalë.
Sytë atij s’ia hedh, po seç mërmërin.
- Pse rënkon ky det e vjen si me përtesë?
Hingëllin shtriga me nënën që rri pret.
Hingëllin e kridhet, humbet nëpër det.
Nuk ka faj deti, deti nuk ka faj,
Bredh vdekja në det, bredh të të gënjejë.
Ndaj kur dallga në shkëmb thërrmohet,
dije; është shtriga, ka zënë të tërbohet.
I flet plaku plakës shtruar, mengadalë :
- Matanë detit, moj, djali na ka dalë!...
Plaka mërmërit heshtur, me ngadalë:
- Pse rënkon ky det, pse rënkon vallë?

MBETI LËNDINA E LOTËVE

Çapiten të lodhur, hapat janë ngrënë,
supet kanë ngrirë, buzët thuajse nxirë.
Ofshajnë të trishtuar, rruga është e gjatë.
Ndalojmë,- thotë njëri,-ndalojmë vetëm pak.
Kundërshton i pari, ai që rrugën heq.
Nata është e zezë, yje s’ka në qiell,
i fshihen dhe hënës kur pas reve del.
Ecin dhe ofshajnë.
- Dreq, o rrugë dreq!-tjetri e mallkon.
Çapiten të lodhur, hapat janë ngrënë,
supet kanë ngrirë, buzët thuajse nxirë.
Rruga …
Po çfarë rruge?
Tani janë tre.
Mblidhen në një pikë, tjetri supet ngre.
- Jemi ngatërruar.-belbëzon dikush.
I pari mbledh supet, s’di se ku t’i futë.
Ecin në një rrugë, tani na janë tre.
- Të provojmë këtë, -dhe gishtin shpejt ia vë.
Nisen varg e varg, për ta rrugë e re.
- Mos !- klithi e çau një re.
-Mos !-klithi nata -Rrugë e vdekjes është!
Po kush t’i dëgjojë, dikush me ta zë qesh.
I thithi gremina, veç jo një, po tre,
një për çdo rrugë, se dhe to qenë tre.
Honi lart e ngjiti zërin plot me vaj
“Oh nënë, moj nënë, kush do të më qajë?”
… dhe pret nëpër ditë numëruar me gishta,
lotët kanë shterur, ditët u bënë vite,
janë kthyer dallëndyshet,
kanë gjetur folenë,
të tjerat i presin, ndoshta diku flenë…
Dhe pret nëpër ditë, bukuritë fiken,
Nëna i thotë birit : Sa shpejt që m’u rrite!


ÇFARË MË KËRKON?

Një puthje përpara se të them ”Mirupafshim”,
Një dorë të ngrohtë në flokët e verdhë,
një fjalë të ngrohtë mirësie,
një përqafim njerëzor kur je e lodhur,
një krah vendosur tek krahu im
tek ecim rrugës mes njerëzve.
një çast sa mijëra vite jetë të të dhuroj.
As flori,
as argjend,
as miliona
s’më kërkon,
kërkon veç qenien time
të jetojë në zemrën tënde.


BOTË KUJTIMESH

Kridhet tej në botë kujtimesh
kredharak i fëmijërisë,
bredh mes barit të pashkelur
shkurtëz-grushtëza e frikësuar,
pak më tej me krahët hapur,
një mëllenjë në grackë ka rënë,
feta akulli që thyhen,
shkrrap-shkrrup hapat përmbi të,
këmbët lagur, duart skuqur,
ditë e dimrit mavijosur,
kridhet tej në botë kujtimesh
kredharak i fëmijërisë.
Valët e lumit që përplasen
në thellësi të shpirtit tim
më ngacmojnë e më trazojnë
atë breg që quhet mall.


ZËRI I JETËS

Ej, njerëz,
ju lutem, dëgjoni!
Ti mik,
hesht për pak çaste dhe dëgjo.
Mos i mblidh supet,
është një zë që tretet e forcohet.
Është një zë i afërt, i largët.
Ju lutem, njerëz, dëgjojeni atë zë!
Ulërimat e fjalëve tuaja,
përplasja e grushtave tuaj,
turfullimat tuaja
s’e bëjnë të dallueshëm atë zë.
Për ty,
Për ty këtu, dhe për ty atje matanë;
sendet që bien,
përplasen,
thyhen,
shkatërrohen,
s’e lënë të vijë
tek ti,
tek ti, dhe tek ti në qoshe,
s’e lënë
zhurmat e të shprishurave tuaja
të vijë tek ju plot qartësi
zëri i jetës.


HUMNERA


Shurdhmemec rrëshket dheu nëpër shpirt,
në humnerën e lindur përpëlitet kurmi im i çarë,
e ndiej rënkimin e shpirtit që po mbushet
me banorët e fundzezonës së humnerës.
Rënkon shpirti nga peshat, më pas këlthet.
Më sheh përbuzës teksa përpëlitem.
Ngrehu! Mjaft me vilanosje!
Nëse s’mundesh të më mbrosh,
më plotëso fletëlirimin,
mos më lër të vuaj.
Ti ikën,
bëhet kurmaçari im humnerë.




FTESË


Në muajin shkurt kam lindur,
ndaj pres të vish,
jo për urim të rastit
a të më sjellësh dhuratat,
por për të më sjellë
zërin tënd të ngrohtë,
nënë.



NËSE…


Nëse si Odiseu larg do të ikja,
në zemër do të merrja atdhe.
Nëpër udhët e nxehta të jetës,
kur buzët do më reshkeshin,
shpirti do të më njomej nga dashuria jote.


Kam mall për ty

(Pas kaq vjetësh ndihem më i lumturi kur më vjen në ëndërr)

Të lutem,
Të përgjërohem
çdo ditë, çdo natë,
çdo çast, çdo minutë, çdo sekondë,
me vite me radhë sa shumë të kam pritur!
Eja, të lutem, kam nevojë për ty!
Zgjohem e ngrysem me sytë nga rruga, nga qielli,
hënën e pyes, dhe yjet gjithashtu
Ti eja, të lutem, kam shumë për të të thënë!
Kaq vite të ndarë, pse nuk ka një kthim?
Unë vuaj,
ti shpirtin ma njeh si askush në këtë botë,
kam mall të të shoh qoftë edhe një herë!
Çfarë brenge inati, çfarë qejfmbetje ke me mua?
Kaq shumë sa të lutem askush nuk e ka bërë.
Krenarinë tënde humbe për një çast,
eja, eja, nuk mundem, më beso!
Vitesh me radhë stacionet kam ndërruar,
trenin ku ke hipur kam dashur ta ndal.
Ti ikën e ikën nëpër vite pa kthim.
Unë pres e pres ashtu si dikur
për zërin, fjalën tënde, i dashur baba!




Gjeografia e një krijuesi



Talentet letrare lindin herët. Kjo gjë është tashmë një fakt i pa kundërshtueshëm dhe i konfirmuar. Megjithëse rasti i Wollter Skotit, shkrimtarit të famshëm skocez, që romanin e parë e shkroi në moshën 40 vjeçare nuk e zbeh argumentin e mësipërm.

Edhe në Fier, si një nga hapësirat e Letërsisë shqipe nuk kanë munguar asnjëherë talentet. Ata janë shfaqur qysh në fillimet e letërsisë së shkruar, e cila për vetë kushtet e zhvillimit të saj,në këtë qytet u zhvillua gjatë shekullit të XX.

Mund të përmendim një sërë penash të tilla si: Jakov Xoxa, Nasho Jorgaqi, Miço Kallamata, Maku e Stavri Pone, pjesë e brezit të parë, të cilët do të pasoheshin nga të tjerë shkrimtarë, që janë bërë tashmë pjesë e letërsisë kombëtare.

Midis kësaj morie krijuesish një vend me peshë zë edhe Odise Plaku, një përfaqësues i brezit të dytë, rruga artistike e të cilit zë fill qysh në fillim të viteve 80-të.

Si të gjithë letrarët e rinj që aktivitetin e nisin me poezi dhe skica të thjeshta edhe ai nuk bëri përjashtim në këtë rast. Botimet e para, Odiseja i nisi qysh në moshën 10 vjeçare në revistat për fëmijë si: “Fatosi” dhe “Pionieri”. Skica e parë me të cilin nisi maratona e gjatë e botimeve të tij titullohej “Flutura dhe lulja,” botuar në revistën ‘’Fatosi’’. Më pas në shkollën e mesme nisi të formatohej profil krijues i këtij autori të ri.

Në këtë periudhë skicat, tregimet dhe poezitë e tij do të zinin faqet e gazetave: “Zëri i Rinisë” dhe “Pararoja” të Gjirokastrës. Ishin vitet kur ai studionte në shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, të qytetit jugor, nga i cili kishte dalë përfaqësuesi më i madh i letrave shqipe, Ismail Kadareja. E, kështu rrugëtimi arsimor i Odise Plakut u zhvendos më pas drejt veriut të vendit, ku për katër vjet të tjera kreu studimet larta në Institutin e lartë pedagogjik “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Një gjeografi e çuditshme që i ngjan asaj vjershës së dikurshme të letërsisë për fëmijë të socartit, ‘’Jam o shokë nga gjithë Shqipëria’’. Ndërkohë viti 1990 është koha e përfundimit të studimeve, ku për një periudhë 9 vjeçare Odiseja do të punojë si mësues në nivele të ndryshme mësimdhënieje, në disa shkolla të rrethit Fierit. Periudha në arsim përkon me etapën e parë të krijimtarisë së mirëfilltë të tij, ku në vitin 1995, botohet vëllimi i parë me tregime “Lotin nuk e fal”. I pritur mirë nga lexuesit dhe kritika, ai u pasua nga një vëllim i dytë. Ishte viti 1999, kur kësaj radhe me një kthesë që i çuditi të gjithë njohësit e letërsisë së tij, Plaku do të botonte novelën përrallë për fëmijë të titulluar “Qullaci”. Po këtë vit ndodhi ndryshimi i parë në jetën profesionale, sepse Odise Plaku do të nis të punojë si gazetar në televizionin lokal ‘’Kombi’’ në Fier.

Për gjashtë vjet Odise Plaku do të shndërrohet në ‘’ikonën’’ e gazetarisë televizive në Fier dhe në njërin nga personazhet më të dashur të qytetarëve fierakë. “Firmën” e tij do ta mbajnë me dhjetëra reportazhe, kronika televizive dhe emisione. Mund të veçojmë 32 artikuj të tij në publicistikën historike, që i kushtohen figurave të inteligjencës shqiptare si :Sejfulla Maleshovës, Ramize Gjebresë, gjeneral Gjin Markut, Lipe Nashit, Enriko Veizit, Pëllumb Kullës, etj.

Ishte një periudhë kur në Shqipëri lulëzoi media vizive, e cila thithi edhe mjaft pena të reja krijuese, të cilat nuk i shpëtuan dot ‘’grackës’’ së saj. Një periudhë heshtje, meditimi apo akumulimi për Plakun, i cili në vitin 2005 bën një tjetër shkëputje, duke braktisur vendlindjen. Tashmë me një profil të plotë, ai lë Fierin dhe largohet drejt Tiranës, ku pa ju larguar plotësisht gazetarisë, merret edhe me punë të tjera, për të përballuar këtë zhvendosje tjetër në gjeografinë e jetës së tij. Fillimisht e gjejmë si këshilltar në ministrinë e rendit publik në vitin 2004, fakt që dhe lexuesve i duket i çuditshëm, për të vazhduar si gazetar dhe drejtues emisionesh në televizionet A1 dhe Alsat, apo si drejtor i departamentit të informacionit në Telenorba Shqiptare. Për të theksuar edhe faktin, se në vitet 2008-2009 e gjejmë gazetar te gazeta ‘’Integrimi’’. Të pashlyera në kujtesën e publikut shqiptar do të mbeten imazhet e emisionit të tij ‘’Bashkëshortët’’, ku të ftuar në studion e A1-shit, do të ishin disa nga çiftet më të njohur si: Avni dhe Nina Mula, Zhani dhe Rudina Ciko, Mihal dhe Edi Luarasi, Dritan dhe Meri Prifti, Gerti Vaso dhe Enada Hoxha, Neritan Licaj dhe Olta Koci, Rexhep dhe Qelidhona Celiku, etj.

Ndërkohë që kjo periudhë e viteve 1999-2010, përkon me etapën e dytë të krijimtarisë së Odise Plakut, sepse në vitin 2005 në Tiranë ai boton vëllimin me tregime dhe novela: “Kthimi i Samantës”, si dhe vëllimin me poezi: “Dhe gjethet bien”, për të arritur kulmin në Janar 2010, kur revista ‘’Obelisk’’, e specializuar në kritikën letrare, e shpall fitues të çmimit të parë, të konkursit të organizuar për gjininë e tregimit. Një sukses tashmë i merituar i këtij krijuesi të palodhur, për të cilin në shkrimin ‘’Emocionet e një gare krijuese’’ autorja e tij, Jonida Roli do të shkruante midis të tjerave për ceremoninë e ndarjes së çmimeve.’’Ka qenë shkrimtari Odise Plaku që nderohet me çmimin e parë në këtë konkurs për tregimin e tij “Dyluftim me hënën mashtruese”. Një dyluftim mes jetës dhe vdekjes. Një luftë jetësore e nënës së lodhur nga vitet e pritjes së kthimit të djalit me vdekjen që troket në shpirtin e saj prej nëne. Një hënë që mashtron me dritën e saj. Hëna dhe gjithçka rreth saj I morën jetën nënës, por jo dashurinë e saj për të birin, që mbeti e tillë deri në fund’’.



Dramaturgjia është një nga drejtimet më të suksesshme të veprimtarisë artistike të Odise Plakut. Këtë “rrugëtim” ai e nisi me monodramën “Klithma e një nëne të marrë”, në vitin 2006. Drama u vu në skenën e teatrit “Bylis” të Fierit, nga regjizori Mehmet Xhelili, pedagog në Akademinë e arteve të bukura. Me rolin e nënës, aktorja Hajrie Rondo, fitoi “Çmimin e karrierës”, në Festivalin Kombëtar të Monodramës të zhvilluar në Teatrin Kombëtar në Tirane.

Pas këtij suksesi të parë dhe të merituar, Odise Plaku shkroi dramën e dytë: “Ylli i mëngjesit”, e cilësuar nga media e shkruar si një vepër për etërit. Kjo dramë, nën drejtimin e regjisorit Edmond Mëhilli u vu në skenë në nëntor2008 nga teatri “Migjeni” i Shkodrës.

Në qendër të dramës autori ka vendosur një baba, i cili ka sakrifikuar një jetë për tu përkushtuar rritjes së djalit të vetëm, ardhur në jetë pas vdekjes së bashkëshortes.

Befas, babai që ka ndjekur me sakrifica hap pas hapi rritjen e të birit, Yllit, gjendet i braktisur prej tij. I vrarë në shpirt nga veprimet e të birit, i cili arrin deri aty sa të shesë edhe tokën ku ishte varrosur e ëma, ky baba fatkeq i jep fund jetës në mënyrë tragjike. Me këtë homazh të sakrificës së prindërve ndaj fëmijëve, autori zgjodhi Shkodrën, qytetin, ku dikur kreu studimet, duke u rikthyer aty pas 18 vjetësh.

Por “gjeografia” artistike e Odise Plakut plotësohet me monodramën “Velloja e bardhë” ,vënë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, nga regjizori Marko Bitraku. Për të përçuar mesazhin e kësaj vepre u përzgjodh aktorja Zamira Kita, si një artiste potente, e cila mund të mbante peshën dhe ritmin e shfaqjes.

Si në të gjitha veprat e tij skenike edhe këtu Odise Plaku nuk ju nda probleme sociale. Me penën e tij ai skaliti figurën e një gruaje, e cila e detyruar nga kushtet ekonomike, papunësia e saj dhe bashkëshortit, me fëmijët që i kërcënoheshin nga uria dhe me prindër të sëmurë, merr përsipër të prostituojë për të mbajtur familjen.

Duhet theksuar se, monodramat: “Klithma e një nëne të marrë” dhe “Velloja e bardhë” i kushtohen figurës së femrës. Pavarësisht se personazhet e tyre i përkasin dy grupmoshave të ndryshme, autori synon që nëpërmjet tyre tu japë guxim brezave të tërë të grave, që të thyejnë heshtjen e tyre. Një gjë të cilën shoqëria perëndimore e ka bërë 60-70 vjet më parë. Kjo është risia që sjell Odise Plaku, si një ekzistencialist ai i mëshon idesë së filozofisë se “ekzistenca i paraprin thelbit”, prandaj femra nuk është e tillë nga lindja, por bëhet e tillë.

Kështu Plaku ecën në gjurmët e filozofisë franceze Simone de Beovouir, e cila theksonte se “emancipimi i femrës është përpara të gjithash një aventure intelektuale”.

Për dramaturgun gruaja është gjithnjë e frustruar pavarësisht se ajo është një individ aktiv në jetë. Lajtmotivi kryesor i këtyre monodramave është revolta e gruas ndaj shoqërisë. Duket sikur autori i drejtohet asaj me thirrjen : Mos u bini në qafë grave. Mos i ngarkoni atyre aq e aq faje pa e kuptuar se në fajet dhe gabimet e tyre ka pjesën kryesore vetë shoqëria. Me një instinkt të mprehtë dramaturgu autori përpiqet dhe i zgjedh edhe vet aktorët që do ti japin jetë personazheve të tij. Mjeshtre të tilla të skenës si Hajrie Rondo dhe Zamira Kita, përçojnë me forcën e talentit të tyre idetë e guximshme të Odise Plakut, që me forcën e fjalës tenton të revolucionarizoje shoqërinë shqiptare.

Nëpërmjet monologëve të ndërtuar mjeshtërisht, autori ngre si pyetje kryesore atë që, kërkon të gjejë kuptimin e jetës në absurditetin e një jetë që njeriu nuk e ka zgjedhur vetë. Ndërsa, në dramën ‘’Ylli i mëngjesit’’, në ndryshim nga monodramat e tjera të tij, Odise Plaku vendos në qendër të saj figurën e një burri, i cili jeton me një brengë në zemër siç është mungesa e respektit nga i biri. Pra dy burra përballë njeri-tjetrit që përfaqësojnë dy breza, dy mentalitete të ndryshme. Këtu kemi një tjetër mesazh të fortë midis tragjikes që përshkon të gjithë zhvillimin e dramës o njerëz ç’po bëni kështu. Familja është gjëja më e fortë dhe më e shenjtë në botë.



Në ditët e nxehta të korrikut një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës shkonin drejt Durrësit, për të harruar sadopak vapën mbytëse të verës në ujërat te Adriatikut. Këtij rituali i bashkëngjitej edhe shkrimtari O. Plaku, stacioni I të cilit nuk ishin Shkëmbi i Kavajës, plepat apo Golemi. Ai zbriste çdo pasdreke në qendër të qytetit aty ku ndodhej godina e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Me hapa të shpejtë dhe me çantë në dorë, nxitonte për të ndjekur çdo pasdite provat e trupës teatrore, e cila përgatitej të vinte në skenë dramën e tij të fundit ‘’Flakët e shpirtit’’.

Pas teatrove të Fierit, Shkodrës dhe Korçës, këtë herë ai zgjodhi Durrësin dhe teatrin e njohur të tij, për të shfaqur një tjetër dramë, të së njëjtës natyrë: asaj familjare dhe shoqërore.

Pas suksesit të 22korrikut ku ‘’Flakët e shpirtit’’ u prit shumë mirë nga publiku dhe kritika, mund të lind me të drejtë pyetja. Cili do të jetë stacioni i radhës së Odise Plakut ? Tirana apo Prishtina. Të shpresojmë, sepse tanimë ai po e plotëson gjeografinë e tij krijuese njëlloj si gjeografinë e aktivitetit të tij: mësues, gazetar, nëpunës, shkrimtar, apo dramaturg?(Ilirian Gjika-historian)

Thanë....

Flet shkrimtari, mësuesi dhe dramaturgu Odise Plaku


Albert Zholi

Para disa ditësh drama “Flakët e shpirtit” e autorit Odise Plaku ka mbledhur artdashësin durrsak në sallën e teatrit “Aleksandër Moisu”në premierën e saj. Nën regjinë e Luljeta Hoxhës dhe pse në një mot të nxehtë (ku nuk ka munguar pjesëmarrja e spektatorit) ka ardhur me tone shumë emocionuese loja e Hysen Bashhysës, Marvin Tafajt, Klodian Hoxhës dhe Xheni Hallullit. Kjo dramë sjell në skenë një pjesë të realitet shqiptar ku me pak fjalë mund të cilësohet si drama e përballjes së individit me kohën dhe sfidat e saj.



Z. Odise mund të na përcillni me pak fjalë se çfarë ka në thelb kjo dramë që u mirëprit nga spektatori durrsak?

Drama është marrë realiteti jetësor shqiptar. Në qendër është një djalë i dalë nga burgu pas dhjetë vjetësh, i cili gjen një shtëpi e cila është në rrënim e sipër, një vëlla të paralizuar si pasojë e hakmarrjes së konflikteve që Landi(vëllai që del nga burgu) ka lënë pas, një vajzë si nuse shtëpie(Lejda, interpretuar nga Xheni Hallulli) të cilën dikur e ka pëlqyer dhe ka qenë pjesë e shoqërisë mes dy vëllezërve. Nëse dalja nga burgu ka bërë që porta të mbyllet me shlyerjen e dënimit, e kundërta e pret në realitet. Dyert e konflikteve janë ende të hapura dhe presioni vazhdon të jetë aq i fortë sa nuk e lejon të shkëputet dhe të dalë nga rruga e nisur dhjetë vjet më parë. Nën këtë atmosferë trysnuese të jashme fillojnë reflektimet brenda familjes.

Një dramë paksa tronditëse. Cili është mendimi juaj për lojën e aktorëve?

Përderisa spektatori e duartrokiti, unë jam me duartrokitjet e tyre. Vënja në skenë kërkon përkushtim, punë, angazhim, studim, vëmendje, cilësi këto që aktorët i patën. Me këtë rast dua të falënderoj drejtuesin e këtij teatri Melsi Labi dhe gjithë stafin e tij për mbështetjen e dhënë, por një falëndrim të veçantë për të gjithë ata që mundësuan realizmin e kësaj drame regjisoren Luljeta Hoxha, aktorët Hysen Bashhysa, Marvin Tafaj, Klodian Hoxha, Xheni Hallulli që kanë sjellë një shfaqje emocionuese dhe me vleraGjatë shfaqjes patëm rastin të testojmë spektatorin dhe të analizojmë punën e bërë. Njëkohësisht dua të pohoj se në sallë kanë qenë të pranishëm dhe disa turistë, dhe më është afruar dhe një pasqyrim i kësaj shfaqjeje dhe në një revistë italiane të cilët i ka tërhequr jo vetëm fabula e dramës, por edhe loja e aktorëve dhe zgjedhjet regjisoriale.

Dramaturgjia një gjini e vështirë. Si u gjendët në fushën e bukur të dramaturgjisë?

Jo rastësisht... Asgjë nuk vjen si ëmmbëlsirë pa punë...Nuk ishte se vija nga një fushë boshe, përkundrazi. Kam ushtruar profesionin e bukur të mësuesit për shumë vite ku ka mbizotëruar jo vetëm mësimdhënia, por një larmi aktivitetesh me nxënësit. Pikërisht kjo ka qenë edhe periudha ku kam përdorur monologun si bazë të konkurrimeve letrare të cilat fatmirësisht i kam incizuar dhe i ruaj me fanatizëm dhe kujdes. Sa herë i shikojë më japin emocion. Nuk kisha menduar se ato një ditë do të më shërbenim në këtë fushë. Përveç kësaj kam arritur që të botojë në vitin 1995, vëllimin me tregime “Lotin nuk e fal”, novelë përrallën për fëmijë “Qullaci” 1998, dhe në vitin 2005 dy vëllimet me tregime e novelë “Kthimi i Samantës” dhe vëllimin me poezi “Edhe gjethet bien...”. Kështu baza për të ecur ekzistonte. Por ngacmimi ka ardhur nga miku im aktori fierak Dritan Boriçi i cili teksa ka lexuar tregimin “Kthimi i Samantës” më ka shtyrë të shkruaj monodramën “Klithma e një nëne të marrë....” e cila në të vërtetë kishte si bërthamë monologun “E marra e qytetit tim” e shkruar që në vitit 1995. Duke bërë këtë gërshetim arrita që kjo monodramë të interpretohet në vitin 2006 nga aktorja Hajrie Rondo me regji të Mehmet Xhelilit, dhe në festivalin kombëtar të monodramës i mbajtur në Tiranë, po në 2006-në Hajrie Rondo, nderohet me çmimin e Karrierës, ndërsa pjesa pritet shumë ngrohtë. Ndoshta ishte puna e parë e imja dhe padyshim ka patur nevojë edhe për më shumë sy kritik, por teksa shoh që kjo pjesë është pritur me dashamirësi atje ku Rondo interpreton ndihem mirë,


Fragment nga drama “Flakët e shpirtit”


(Babai duke ndezur një qiri. Dy fotografi pranë njëra-tjetrës. Janë dy djemtë e tij.)

Kohe, moj kohe, paske qene me e egër sesa te dija. Me mbolle dhimbje dhe lot atëherë kur mendoja se filizat e lumturisë do te rriteshin e bëheshin peme te mbushura me lule plote. M’i more nga duart dhe mi çove larg këtij pragu, kësaj porte, kësaj strehe. Dhe mbeta këtu i vetëm me trarët e kësaj shtëpie që përflaken dhe djegin pa mëshirë shpirtin tim. Se flakët e shpirtit përvëlojnë dhe më shumë se vullkani më i madh i kësaj toke, o kohë. Dhe ti ma ndeze këtu në shpirt, në zemër, në jetën time. Të kam mallkuar sa e sa herë o kohë, përse më dole kaq e pabesë. Përse më lë kështu si kërcu i pagjethe. Ti, o kohë që jetën boshe me solle si dhuratën më të shëmtuar në këto vite, përse më dënove aty, në gjënë më të shtrenjtë të jetës time. Fëmijët. Më dëgjon? Më dëgjon? Mua plakun që zemrën ma zhurite me dhimbje, me lot, me vuajtje. Përse? Çfarë të bëra. Unë ku të lëndova që shpagim jetët e djemve më kërkove? Apo unë isha i verbër dhe shurdh njeri. Dhe zërin tënd nuk e dëgjova. Më thuaj? Për herë të fundit ta kërkojë? Unë nuk e dëgjova dot zërin tënd? Unë mbeta brenda këtyre mureve? Unë nuk eca dot pas hapit të fëmijëve të mi? Unë nuk dita rrugën atyre tua tregojë? Më thuaj për herë të fundit ku gabova? Ti hesht dhe unë vajtoj. Unë sa të kem frymë në këtë jetë do të jem plaku që ndez qirinj përmbi mermerë. Do të jem plaku që do capitet varrezave dhe me sytë e mjegulluar do kërkojë bijtë e mi. Do të ruajë flakët e qirinjve të mos fiken dhe me shpirtin tim përmbi ta. Më dëgjon o kohë? Mermerët do të puth për të nxjerrë mallin e djemve të mi që dot nuk i gëzova në këtë jetë. Se nuk më le ti o kohë ti kisha pranë. Kohë dreqi përse nuk më kthen qoftë një përgjigje. Kush gaboi në këtë jetë unë apo ti? Ti hesht dhe unë përsëri të mallkoj dhe pse e di që ti je e pafaj. Ah moj kohë, që nuk të kuptuam asnjëherë. Dhe pse në shpirtin tone ti ke folur ngadalë dhe qete. Ne, jemi të rrëmbyerit e tu, dhe ti na përfshin në vorbullën tënde. Ti ecën në rrugën tënde, ndërsa ne vazhdojmë të mallkojmë pa e ditur pse.


Përgatiti:Flori Bruqi

Antishqiptarizmi dhe mitologjia sllave në enciklopedinë e Maqedonisë

Prof. Dr. Agron F. Fico



Dijet shkencore, që janë një dhuratë fisnike e mendjes së njeriut kanë qenë dhe janë dritë dhe busull në zhvillimin e njerëzimit. Shkenca dhe kultura kanë qenë dhe janë burime të fuqishme të përparimit dhe të miqësisë së popujve. E ashtuquajtura enciklopedi e Maqedonisë, që u vu në qarkullim, kohët e fundit, përcjell mesazhe jo vetëm të gabuara, antishkencore, por edhe antishqiptare.

Shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë. Zbulimet arkeologjike, dokumentet historike, dëshmitë e historianëve klasikë, të historianëve të periudhave të ndryshme historike, mbi të gjitha vet gjuha shqipe provojnë katërcipërisht lashtësinë e shqiptarëve.

Dijetarët e shquar thonë se shqiptarët janë një popull autokton, një popullsi e moçme, pasardhës të banorëve më të parë të gadishullit ballkanik, një ndër popujt më të lashtë të Europës dhe të botës. Ata thonë se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët e dikurshëm. Përfaqësuesi i kësaj teze është albanologu gjerman G. Von Hahn.

“Të gjithë dijetarët e sotëm bashkohen në mendimin se Shqiptarët janë stërnipat e ilirëve të moçëm dhe se gjuha e tyre është faza më e re e ilirishtes së vjetër”- shkruan Eugen Oberhummer, profesor i gjeografisë historike në Universitetin e Vjenës. Shqiptarët e sotëm rrjedhin padyshim nga raca e moçme e ilirëve, thotë historian i njohur rumun, Nikolla Jorga.

Janë të shumta dëshmitë që sjellin dijetarët dhe historianët e huaj për lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve. Shtrembërimi, falsifikimi dhe baltosja që bëjnë autorët e të ashtuquajturës enciklopedia e Maqedonisë nuk është një dukuri rastësore. Sajesat e tyre janë një prodhim i mitologjisë sllave anti shqiptare.

Ish kryeministri i Serbisë, Vladan Gjeorgjeviç, në një libër të mbrapshtë me titull “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha” nxin e karbonizon gjithçka shqiptare dhe poshtëron kombin shqiptar para opinionit publik. Gjeorgjeviçi me një urrejtje patologjike, shkruan midis të tjerash: “Shqiptarët nuk janë një komb, por vetëm një përzierje fisesh të ndryshëm, pa gjuhë të përbashkët, pa histori dhe pa atdhe..”( “Rilindja e Shqipërisë Etnike” 2009, f.13).

Ngjashmëria e këtyre shpifjeve antishqiptare janë të njëjta me ato që thuhet për shqiptarët në të ashtuquajturën Enciklopedi e Maqedonisë. Përdhosja e figurave të mëdha të kombit shqiptar, heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, Nënë Terezës etj. provojnë jo vetëm thelbin antishqiptar të këtyre të ashtuquajturve akademikë, por edhe mbështetjen që ata kanë, qoftë edhe financiarisht nga qeveria e Maqedonisë.

Studiuesit e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë hapësirës shqiptare duhet të nxjerrin një mësim, të bëjnë detyrën ndaj kombit. Të hedhin me argumente shkencore, poshtë tezat antishqiptare dhe të shkruajnë historinë e vërtetë të shqiptarëve të Maqedonisë.

Kërkesa mbarë shqiptare është që ky botim, me falsifikime dhe fyerje ndaj kombit shqiptar të hiqet menjëherë nga qarkullimi dhe të hidhet në koshin e plehrave.

NGJARJET E KUMANOVËS NË OPTIKËN E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE AMERIKANO-SHQIPTARE

Agron Fico


Prof. Dr. AGRON F. FICO

Nën/kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve

Filozofia –bazë, kryesore e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, qysh ne krijimin e vet, ka qënë dhe është “Çështja Kombëtare”. Në të gjithë programin e vet, në strategjine shkencore afatgjatë ajo ka shënuar dhe mbajtur një sërë aktivitesh madhore me vlerë kombëtare si :Akademia për 600-vjetorin e lindjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, simpoziumi shkencor për Luftën e Kosovës, sesioni shkencor per 70-vjetorin e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare etj.

Madje nga Akademia janë dërguar mesazhe dhe letra prane Organizmave nderkombëtare per çështjen e të drejtave te shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ne Luginën e Preshevës
Një kontribut të veçantë ka dhënë Akademia shqiptare ne Diasporë për të demaskuar tezat antishqiptare te Enciklopedisë së Maqedonisë, e cila përcillte mesazhe sa të gabuara , antishkencore , aq edhe antishqiptare.Në këtë botim “akademik” mohohej lashtësia, autoktoniteti dhe vazhdimësia iliro-shqiptare.

Albanologu i njohur gjerman G. Von Hahn shkruan :

“Të gjithë dijetarët e sotëm bashkohen në mendimin se shqiptarët janë stërnipërit e ilirëve të moçëm dhe se gjuha e tyre është faza më e re e ilirishtes së vjetër”

Në një debat të posaçëm të Senatit të Akademisë u demaskuan këto qëndrime antishqiptare dhe u theksua se” përdhosja e figurave të mëdha të kombit shqiptar , Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, Nënën Terezës etj. provon sa thelbin antishqiptar të këtyre të ashtuquajtur akademikë, aq edhe mbështjetjen që ata kanë , qoftë edhe financiarisht, nga Qeveria e Maqedonisë.”

Një bashkëpunim i ngushtë ekziston midis Akademisë sonë dhe intelektualëve e akademikëve shqiptarë në Maqedoni, disa prej të cilëve janë edhe anëtarë të kësaj Akademie Madje mjaft prej tyre kanë kontribuar edhe me studime e kumtesa ne veprimtarine shkencore te Akademisë dhe materialet e tyre janë botuar ne revistën e saj “DITURIA”

Në dhjetorin e vititi të kaluar , në përvjetorin e Universitetit të Tetovës mori pjesë edhe kryetari i Akademisë prof. dr. Skënder Kodra, i cili ne kumtesën dhe diskutimin e vet ofroi ndihmë dhe bashkëpunim të gjerë me këte institucion të Lartë të shqiptarëve ne Maqedoni.

Akademia Shqiptaro-Amerika e Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, si institucion i lartë intelektual, ndjek me shqetësim, ashtu si gjithë bashkësia shqiptare në Amerikë, ngjarjet e zhvilluara kohët e fundit në Kumanovë. Ajo është e bindur se ngjarjet në Kumanovë janë faji i politikës së Shkupit dhe të qeverisë së kryeministrit Gruevski.

Ajo çka ndodhur në Kumanovë dëshmon për një qëndrim zyrtar antishqiptar që shprehet ne dy komponente të publikuara , më një anë është deklarata e pështirë e Ministres së Brendëshme të Maqedonise se shqiptarët jane fise te egra hindiane dhe se ata mund të zhduken ne një orë dhe nga ana tjetër ësht fakti se në Kumanovë janë arrestuar rreth 30 shqiptaë dhe 14 janë gjetur të vdekur , 68 objekte kanë pësuar dëme nga luftimet e fundjavës së shkuar, prej të cilave 28 shtëpi janë vlerësuar si “të shkatërruara plotësisht”.

Një analizë më e gjerë vertikale në kohë zbulon ngjarje dhe fakte të shumta e të përsëritura nga Qeverite e Maqedonisë në mos zbatimin e Marrëveshjes se Ohrit në të gjitha kërkesat e saj.
Populli shqiptare që zë mbi 30% të gjithë popullit në Maqedoni ndjehet i diskriminuar dhe i keqtrajtuar. Një dukuri e shëmtuar ështe edhe niveli dhe sasia e shkollave shiqpe ne Maqedoni. 

Kjo ka një rëndësi parimore se i shkolluar është më i lirë dhe më i guximshëm në kërkesat e të drejtave të veta.

Në rafshin politik vihet re se liderët e partive politike shqiptare ndjekin një politikë egoiste dhe u mungon vullneti politik për bashkim midis tyre për te rritur ndikimin politik në qeverinë e Maqedonise. . Populli shqiptar në Maqedoni i ndjen në kurrizin e vet këto qëndrime përçarëse të liderëve te vet, prandaj edhe ne Kumanovë kur e vizitoi një kryetar partie shqiptare , banorët nuk e pritën dhe kërkuan që ai të largohej

Liderët shqiptarë në Maqedoni synojnë vetëm e kryesisht të ruajnë ngastrat e tyre të pushtetit në Maqedoni, se mendojnë se janë më shumë te rrezikuar nga shqiptarët , që kërkojnë ndryshime politike , sesa nga maqedonasit që duan të ruajnë pushtetin që kanë.

Shqiptarët në Maqedoni, duhet thënë hapur, janë pjesë e një shteti , i cili duhet të ketë orientim të qartë perëndimor, objektiv të qartë futjen në NATO dhe Bashkimin Europian dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit Nikolla Gruevski është armik i shtetit të tyre , pikësëpari se është antiperëndimor..

Shqipëria, si faktor paqeje dhe stabiliteti ne Rajon, ka marrëdhënie normale bashkëpunimi dhe disa marrëveshje ekonomike me qeverine e Maqedonise, por ajo ka përkrahur dhe ka shprehur qëndrime të qarta vëllazërore me shqiptartët në Maqedoni.Ngjajet ne Kumanovë u përcollën në Tiranë dhe në Prishtinë me shqetësim politik e diplomatik dhe u kërkua edhe njeherë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe mbi të gjitha respekti i të drejtave të shqiptarëve.

Faktori ndërkombëtar dhe, radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dënuan përdorimin e dhunës në Kumanovë dhe i kërkuan qeverise së Gruevskit që të zbulojë organizatorët e këtij krimi dhe fajtorët t’i vëjë para drejtësisë.

Ambasadori amerikan , i posa emëruar nga presidenti Barak Obama, Jess L. Baily, ka pohuar se ai dhe kolegët nga shtetet e tjera janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë për qytetarët e Kumanovës dhe dënoi ashpër dhunën e përdorur.

Akademia Shqiptaro-Amrikane e Shkencave dhe Arteve kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre në Maqedoni. Ajo, Akademia u kërkon liderëve politikë të shqiptarëve që të marrin përgjegjësi atdhetare e demokratike dhe të bashkëkohen midis tyre, 
pavarësisht nga nuancat politike që ka secila, ata duhet të tregojnë vendosmëri politike ne mbrotjen e të drejtave te popullit shqiptar në Maqedoni, 

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve kanë qënë dhe është në krah të vëllezërve të tyre shqiptarë ne Maqedoni, ashtu si të gjithë bashkëkombasit e vet kudo që ata jetojnë,.


Tiranë-Nju York, 18 maj 2015

------------------------------


Masakra e Dubravës : Krimi që nuk duhet të harrohet

Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)

Në maj të vitit 1999, ndodh një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës. Ky burg i sigurisë së lartë, gjatë luftës së fundit në Kosovë përdoret edhe nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë. Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohet ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Në këtë burg do të ndodhin krimet më makabre që mund të përshkruhen më së miri me fjalët e Mustafë Kolgecit, një prej të mbijetuarve të kësaj masakre: “Nuk ka shkrimtar, nuk ka poet, nuk ka regjisor që mund të ilustrojë ato tmerre. Kishte çaste kur vdekja, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë”.
Skicë që ilustron krimin (19 maj 2000)

Telegrafi, sot dhe në ditët në vijim, do t’ju sjellë këto rrëfime tmerri, ku vdekja pra shihej si shpëtimi i vetëm.
Në këto rrëfime do të pasqyrohet edhe ana e errët e shqiptarëve, e bashkëpunëtorëve të Serbisë që futën shumë të burgosur në grackë që të iknin nga burgu, për çka menjëherë janë ekzekutuar nga forcat e armatosura serbe. Në këto rrëfime do të pasqyrohet mbi të gjitha vuajtja dhe forca e shqiptarit, si dhe humanizmi për të nxjerrë nën breshërinë e plumbave të plagosurit e mbetur në terrenin ku forcat serbe vranë me çka mundën mbi 100 shqiptarë.
Pamje nga burgu i Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Krimet ishin aq të rënda, sa që disa të burgosur kryen madje vetëvrasje duke mos përballuar rrethanat në të cilat gjendeshin. Ndaj, të burgosurit kujdeseshin për njërin-tjetrin që edhe shpirtërisht e mendërisht të jenë të fortë.
Avni Klinaku, i mbijetuar i plojës së Dubravës, thotë në një bisedë për Telegrafin: “Përveçqë kemi pa njerëz të shtrirë, të plagosur, të vrarë, kemi parë edhe të burgosur trupat të cilëve fluturonin në ajër nga bombat”. Ndërsa, se cila ishte gjendja e të plagosurve, që do të tingëllojë si një film horror, këtë mund ta kuptoni në ditët në vijim nga rrëfimi i të mbijetuarit, Frashër Shabani.
Pamje nga kompleksi i Dubravës, ku shihen gjurmët e bombardimeve 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Sot, burgu i Dubravës është rinovuar. Ky renovim ka filluar menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, ndaj nuk mund të vërehet më asnjë gjurmë që do të ilustronte këtë krim. Në maj të vitit 2000, ekipi i Magazinës së Ilustruar Shqiptare - “Zëri” (Agron Shala dhe Ridvan Slivova), ishin brenda këtij kompleksi, ku përmes fotografive dëshmohen rrëfimet e dëshmitarëve të mbijetuar. Këto fotografi të botuara në javoren e sipërpërmendur në vitin 2000, Telegrafi do t’ju sjell për herë në kualitet më të mirë bashkë me pjesë të tekstit të rubrikës “Dosja e hapur”. /Telegrafi/ 

RRËFIMI I SALI BYTYÇIT: BURGU I VDEKJES!
Sali Bytyçi për herë të dytë arrestohet në maj të vitit 1998. Profesori i Gjimnazit të Rahovecit, ndërpret punën e tij për t’ju bashkuar forcave të UÇK-së. Ai do të bie në pritë të forcave serbe në Gexhë dhe do të dënohet me pesë vite burg. Menjëherë pas arrestimit, Bytyçi do të jetë viktimë e maltretimeve të mëdha e të vazhdueshme fizike e psikike. Ai e përjetoi dhe mbijetoi një nga momentet më të rënda të historisë së fundit të shqiptarëve - masakrën e Dubravës.
Sali Bytyçi

“Që në muajt e parë të vuajtjes së dënimit në Burgun e Qarkut në Prizren - pas arrestimit tim për herë të dytë (herën e parë jam burgosur në dhjetor 1982), më 12 maj 1998 - kisha frika se një ditë do të më transferonin në Serbi. Çdo lëvizje në burg e prisja me drithërimë. Një ditë, më 9 shtator 1998, në kulmin e ofensivës serbe, më hipën në autobus dhe më nisën drejt veriut. Isha i sigurt se fundi i kësaj rruge do të ishte ndonjë burg i Serbisë. Një lehtësim në shpirt ndjeva kur më zbritën në burgun e Qarkut të Prishtinës në Lipjan. Këtu, jo rrallë, në prani të përgjegjësit shqiptar që na fliste serbisht, si dhe një pjese të gardianëve shqiptarë që flisnin vetëm serbisht, më rrihnin deri tri herë në ditë, ndërsa bukë na jepnin vetëm sa për ta mbajtur shpirtin. Por, megjithatë, një lehtësim e kisha, sepse ndodhesha në territorin e Kosovës”, ka thënë Bytyçi për Telegrafin.
Gjatë qëndrimit të tij në Lipjan, një pjesë e të burgosurve nga ky burg u transferuan në Serbi, ndërsa Bytyçi prapë kishte “fatin e mirë” që nuk e dërguan jashtë Kosovës. Por, një ditë, në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe, më 30 prill 1999, atë dhe shokët e tij i hipin në autobusë për t’i dërguar diku tjetër.
NGA LIPJANI NË DUBRAVË
“Gjatë gjithë kohës kisha parandjenjën se udhëtonim drejt Vranjës. Ngaqë nuk guxonim të ngrinim kokën dhe të shihnim, më dukej se vazhdimisht shkonim drejt lindjes. Edhe kur arritëm në një vend dhe një ushtarak serb e ndali autobusin e i përshëndeti gardianët me ‘Ovde malishevski Korpus’ dhe ‘Kako ste braqa’ (‘Këtu Korpusi i Malishevës’ dhe ‘Si jeni vëllezër’), më shkoi mendja se ishim në Malishevë të Gjilanit. Ngaqë isha afër derës, dëgjova oficerin serb të pyeste udhëheqësin e autobusit: ‘A ka ndonjë për t’u therur?’. Ai ia ktheu se nuk kishte nevojë, se të gjithë janë për t’u therur kur të arrijnë në destinacion. Unë këtë e mora vetëm si një shfryrje të mllefit të tyre në këtë situatë”.
Pas arritjes në “destinacion”, në burgun e Dubravës, të burgosurit që në fillim u “mirëpritën” me dajak. Por, përkundër kësaj dhune, atë që e mbante të fortë Bytyçin ishte sërish qëndrimi në vendin e tij.
“Na dhanë dajak që përfundoi tek kur u lodhën policët dhe gardianët serbë. Pas gjysmë ore, pasi u vendosëm në pavijon, e kuptuam se ishim në Dubravë, pra në Kosovë e jo në Serbi. Kisha dhembje të madhe në gjoks, sepse më kishin goditur rënd me këpucë, por fakti se ishim në vendin tonë sikur më jepte forcë për të përballuar dhimbjen. Po të njëjtën ditë me ne i kishin sjellë këtu edhe të burgosurit nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe ai i Nishit. Shumica prej tyre e kishin nga një fashë në fytyrë apo në kokë, pasi një kamion ushtarak, një ditë më parë në Carrallukë, u kishte dalë para dhe avionët e kishin goditur. Ushtarët serbë nëpër autobusë, që t’i vrisnin, por përgjegjësi u ishte lutur duke thënë se ishin nën përgjegjësinë e tij. Në shenjë hakmarrjeje, ushtarët të burgosurve ua kishin bërë nga një prerje në fytyrë dhe në kokë”.
Kthimi në Dubravë u bë pasi Ministria e Drejtësisë së Serbisë, përmes një komunikate dhënë mjeteve të informimit, kishte urdhëruar masa të jashtëzakonshme në të gjitha burgjet e Serbisë dhe të Kosovës ndaj të burgosurve shqiptarë. Në këtë urdhëresë nuk specifikoheshin masat, por të gjithë pasojat e saj ranë mbi lëkurën e të burgosurve.
SKENARI MORBID
“Gjatë kësaj kohe maltretimet u intensifikuan, duke u përdorur të gjitha mjetet kundër të burgosurve shqiptarë, prej shqelmave, grushteve e shkopinjve, e deri te shufrat e metalit. Në këto masa hyn edhe kthimi në Dubravë”.
Sistemimi i të burgosurve në burgun e Dubravës, gjatë kohës së bombardimeve, hyn në skenarin morbid serb për t’i eliminuar të burgosurit politikë shqiptarë.
“Vetëm në një radhë të pavijoneve, Lindje-Perëndim, janë të vendosura pesë pavijone. Në jug është pavijoni ‘I pritjes’, ku vendosen përkohësisht të burgosurit, të cilët pastaj sistemohen nëpër pavijone tjera. Në radhën e pavijoneve Lindje-Perëndim, të burgosurit u vendosën në pavijonin e parë, C-ja si e quanin; në pavijonin e tretë, B-ja; dhe në pavijonin e pestë, A-ja. Një plot, një i zbrazët. Pastaj, në jug, të burgosurit u vendosën në pavijonin ‘E pritjes’ (këtu ishte grupi i robërve nga Gjakova, që u sollën në Dubravë nga mesi i majit 1999, i cili numëronte rreth 155 veta). Në mes të këtyre pavijoneve dhe atij të ‘Pritjes’, janë: Kuzhina, Shtëpia e Kulturës, Salla e Sportit etj. Jashtë mureve ka edhe godina të tjera: Drejtoria, Ngrohtorja etj., që do të thotë se është një kompleks i tërë ndërtesash. Nga të tri pavijonet Lindje-Perëndim, C-ja ishte pavijon i tipit të mbyllur, B-ja gjysmë i mbyllur (dy herë në ditë të burgosurit nga ky pavijon ushqeheshin në Kuzhinën që ishte nën pavijon), A-ja ishte e tipit ‘të lirë’. Të burgosurit e këtij pavijoni punonin brenda mureve të burgut: kositnin barë, punonin në Kuzhinë, si dhe punë të tjera. Në këtë kohë numri i të burgosurve të ardhur nga burgjet e tjera arriti në rreth 1000 sish”.
Të burgosurit e kthyer në Dubravë jo njëherë pyesnin veten apo njëri-tjetrin se përse i kishin sjellë këtu. Këtë pyetje ia kishin bërë edhe Bytyçit.
“Më pyesnin duke menduar se njeriu që ka pak shkollë, duhet të dijë diçka për këtë. Por, unë, për t’jua larguar atyre frikën, po edhe vetes, u përgjigjesha se sigurisht kthimi këtu është për të mirën tonë. Shkurt, kur të largohen trupat serbe nga Kosova, të mos na kenë barrë në Serbi. Ndoshta këtij varianti i kam besuar më shumë unë, sesa ata që pyesnin”.
BOMBARDIMI I PARË
Më 16 maj, ditë e diel, “u lëshua” nga burgu i Dubravës Ukshin Hoti. Tri ditë më vonë, më 19 maj pasdite, aeroplanët e NATO-s bombarduan së pari pavijonin C, pas pak edhe pavijonin e dytë me radhë i cili ishte i zbrazur. Me këtë rast, në pavijonin C mbetën të vrarë tre veta (Enver Topalli, Abdullah Tahiri e Gjokë Ndrecaj), ndërsa disa të tjerë u plagosën.
“Nga frika se do të vinin prapë aeroplanët dhe do të bombardonin edhe pavijonin e tretë në vazhdim, B-në, ku isha edhe unë, të burgosurit u ngritën dhe me ndihmën edhe të të burgosurve nga pavijoni A, që ishin të lirë në hapësirat e burgut (në mesin e të cilëve dallohej një i burgosur me ngjyrë, të cilit i rridhnin djersët çurg, ngase u mëshonte hekurave sa të mundte me kazmë), i thyen dyert e burgut dhe dolëm në oborr. Në momentin sa po dilnim, Sherifi (Ilazi) më tha: ‘Tashti në mal, a?’. I thashë mos të tentonte, se nuk kishte shpëtim. Pasi kaloi vala e bombardimeve, me urdhër të gardianëve të armatosur, në mesin e të cilëve tani hynë edhe të burgosur ordinerë serbë, u kthyem në pavijone. Prej këtij momenti, pasi njëherë hanim në Kuzhinë, racionin e dytë - buka pa asgjë - na jepej me vete”.
Porta e burgut të Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Në bombardimin e dytë të NATO-s, viktimat u shtuan në numër.
“Kur filloi bombardimi i burgut, më 19 maj, po më shumë kur vazhdoi më 21, më shkoi mendja për keq: serbët, pasi ranë viktimat e para, do ta vazhdonin me viktima të tjera, duke i arsyetuar me bombardimin e NATO-s. Kjo as mua nuk më pëlqente të ndodhte, po as nuk mund ta shfaqja këtë mendim para të tjerëve, se edhe ashtu kisha vendosur që asnjë mendim të ligë që më vinte në kokë mos t’ua thosha të tjerëve”.
21 maji ishte ditë me diell, nga ditët më të kthjellëta të asaj pranvere. Pasi nuk kishte fjetur mirë, Bytyçi ishte zgjuar pak më herët.
“I zgjova edhe shokët tjerë. Qemajlit (Qemajl Bytyçi, 1964, djalë i xhaxhait, inxhinier i bujqësisë, u vra më 22 maj nga serbët), të cilit gjersa po flinte i kishte rënë një nur i veçantë në fytyrë, i thash të zgjohej nga gjumi dhe të dilte në natyrë, sepse kishte kaluar më shumë se 12 muaj që nuk i kishim shijuar rrezet e diellit, të lirë, sikur këto dy ditë. Gjatë natës, që e kisha kaluar i vetëm në katin e dytë, në sallë të ngrënies kisha dëgjuar lëvizje të forcave serbe nga jugu në veri. Shokëve iu thashë në mëngjes se, siç po shihet, serbët janë në tërheqje e sipër. Por, aty nga ora 10 e ditës, kur shumica e të burgosurve ishin në hapësirat përreth Kuzhinës, ia arritën aeroplanët dhe filluan bombardimin, në fillim jashtë mureve”.
VIKTIMAT E BOMBARDIMIT TË DHE SPIUNËT
Nga forca e projektilëve që godisnin Ngrohtoren, në fillim ngrihej një si kërpudhë e pastaj përhapej pluhuri, dheu e copat e tjegullave të cilat binin mbi kokët e të burgosurve.
Pamje nga hyrja e kompleksit të Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“U bëmë të gjithë të kuq nga pluhuri. Në fakt, ndjeja një disponim të pashpjegueshëm nga goditjet e fuqishme të avionëve... Por, për një çast erdhën tre të tjerë dhe krisma e tyre ishte më e madhe. Unë kam vënë xhaketën mbi kokë dhe jam shtrirë përdhe. Në këtë kohë, sikur më qeshej me goditjet e avionëve, por kur e ngrita kokën pash se një pjesë e metalit që ishte shkëputur nga pullazi i Kuzhinës e kishte prerë në fyt, si me zhilet, shokun nga Suhareka me të cilin po bisedoja deri para dy-tre minutave. Ai po dridhej në minutat e fundit të jetës... Tashti e pash se nuk ishte momenti për të qeshur. Nga tmerri, instinktivisht, të gjithë sa ishim aty bëmë një lëvizje në drejtim të lindjes, gjatë së cilës pash edhe një person me organe të trupit jashtë (në mes të barkut dhe këmbëve); tjetrin të sakatuar; një tjetër që po bërtiste sa po mundej; të plagosur në këmbë... Edhe në këtë vend vazhduan të binin viktima të tjera nga bombardimi, ndaj të gjithë të burgosurit u tërhoqën krejt në lindje, në Fushën e Sportit. Nga kjo lëvizje, po edhe nga bombardimi me projektilë të intensitetit më të vogël dhe më precizë, të burgosurit i ikën vdekjes, edhe pse bombardimet vazhduan deri në mbrëmje”.
Bytyçi tregon për një situatë aspak të këndshme, se si në mesin e tyre kishin edhe bashkëpunëtorë të Serbisë, që tentonin t’i bindnin shqiptarët të iknin... drejtë vdekjes!
“Në Fushën e Sportit, pasi ishim më larg nga rreziku, disa herë më shkrepi mendimi se kur të pushonin avionët, do të vazhdonin serbët. Por, këtë mendim sikur ma zbuti ca një fakt: gjatë kohës së bombardimeve, nga dalja që ishte krijuar në murin verior, një shok i dhomës, Qamil Thaçi nga Llapushniku, vetë i treti apo i katërti, në kulmin e bombardimeve kishin mësyrë të iknin. Atyre u kishte prirë një Arsim, i burgosur ordiner, me të cilin për një kohë kishte qenë në një dhomë në Lipjan. Aty nga ora 15, Arsimi u kthye, por jo nga e çara nga kishte dalë, po nga dera që ishte në jug. Unë nga kureshtja iu afrova dhe e pyeta se si ndodhi që u kthye. Ai më tha se kishte arritur të ikte deri në Gjurakoc, po e kishin zënë trupat serbe, të cilat ishin të shumta, dhe e kishin kthyer në burg. Për shokët nuk dinte asgjë. ‘Në mesin e atyre që më zunë, kishte qëlluar edhe një serb i Rahovecit, i cili më tha se ‘edhe ne njerëz jemi - nuk hamë njerëz’. Nga rrëfimi i Arsimi sikur më lindi një fije shpresë se, derisa nuk e kishin vrarë atë në fushë të hapur, nuk do të na vrisnin as ne që ishim në burg”.
MASAKRA...
Bombardimi i pavijoneve përfundoi rreth orës tetë të mbrëmjes. Ngase pavijonet u demoluan nga bombardimi, por edhe më shumë nga frika se do të vazhdohej bombardimi edhe natën e 21 majit 1999, të burgosurit vendosën ta bëjmë “gjumin” në qiellin e hapur, në Fushën e Sportit.
Puseta ku strehoheshin të burgosurit e ku forcat serbe hidhnin bomba dore 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
“Edhe gjatë natës përmbi Dubravë vazhduan fluturimet e avionëve, po më nuk ndodhi asnjë bombardim. Disa të burgosur, sikur ndodhi edhe gjatë ditës kur bombardohej burgu, tentuan të iknin, pasi edhe në mur ishte krijuar një e çarë e hapur (për të cilën nuk di kush se si ndodhi që të hapej, ndoshta nga vet Ushtria serbe që ishte përreth murit). Kam dëgjuar njëherë gjatë natës britmat ushtarëve serbë që ishin jashtë murit: ‘Stoj’ (Ndal), pastaj rafalin e plumbave dhe në fund “Sad pobegaj” (Tash ikë)! Ndërkaq edhe mbi pjesën ku ishin të burgosurit është hedhur një bombë, por pa u shkaktuar ndonjë viktimë”.
22 maji ishte dita e masakrës në burgun e Dubravës, gjendje tmerri, frike, por edhe force.
“Të nesërmen në mëngjes, më 22 maj, të burgosurit - shumica prej të cilëve nuk kishin vënë gjumë në sy - janë zgjuar. Ndonjë që ka pasur ndonjë gjë për të ngrënë e ka ngrënë, kanë bërë ndonjë bisedë, derisa një gardian me trup mesatar ka dalë në karakoll dhe është drejtuar në gjuhën serbe: ‘Dëgjoni, këtu më nuk ka kushte për të jetuar. Mblidhni plaçkat, rreshtohuni për katër, se do t’ju dërgojmë në Kapedom në Nish’. Të burgosurit i kanë mbledhur plaçkat ashtu si ishin, të lodhur. Ndonjë edhe ka menduar se si po rreshtoheshin në anën e kundërt ku ishte porta nga kishin hyrë në atë burg. Ndonjë tjetër ka menduar për maltretimet çnjerëzore që do t’i prisnin në Burgun e Nishit, ndërkohë që kanë filluar krismat e llojeve të ndryshme, të cilat, po të krahasoheshin me ato të avionëve të NATO-s që të çanin veshët, dukeshin se po vinin nga ndonjë armë lodre. Në ato minuta të qitjes viktimat ishin të mëdha, sepse zjarri i tyre ishte i koncentruar drejt në trupat e njerëzve të gjallë”.
TMERRI...
Këtu u takua mishi me zjarrin, barotin dhe hekurin. Për disa minuta mbi trupat e të burgosurve kanë rënë plumba armësh automatike, bomba dhe granata dore.
Hyrja e pavijonit C (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Mua, pasi isha në rreshtin e katërt, më ranë përmbi tre rreshtat e parë. Mbi grumbullin e trupave që ishin mbi mua ranë edhe dy bomba apo granata dore, ndërsa britmat e të gjymtuarve e çanin qiellin. Gjatë kësaj kohe për jetë a vdekje, jam tërhequr nga trupat dhe kam marrë vrapin deri në Sallën e Sportit. Një pjesë e të burgosurve mbetën në vend; të tjerë në mes të rrugës e disa arritën të largoheshin. Ndërkaq, ata që nuk u plagosën, ikën tani në skajin tjetër në jug, edhe më larg nga ku një ditë më parë ishin larguar nga bombardimi. Pas një pushimi të shkurtër, ata që ishin më të shkathtë u kthyen në fushën e krimit dhe i ndihmuan shokët e plagosur. Pjesa më e madhe u strehua në bodrumin e Kuzhinës, e të tjerët në ndonjë pavijon. Një pjesë janë futur edhe nëpër kanalizime të burgut. Unë isha në bodrumin e Kuzhinës, kur mora vesh se Qemajli, i cili ishte në rresht afër meje, kishte mbetur i vrarë në vend”.
Në mbrëmje, persona të uniformuar janë futur në hapësirat e burgut. Ata, kur e kanë hasur ndonjë të burgosur jashtë pavijoneve, e kanë vrarë në vend. Pastaj, të tjerëve, duke e ditur se janë futur në kanalizim (puseta), u kanë hedhur bomba brenda, duke i vrarë disa prej tyre. Gjatë natës ndonjë ka rrezikuar të ikte nga burgu, pasi në të dyja anët e murit, në veri dhe në jug, kishte mundësi daljeje.
Rrobat e viktimave të paidentifikuara të burgut (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Ditën tjetër, më 23 maj, në hapësirat e burgut kanë hyrë shumë trupa ushtarake dhe gardianë, të armatosur me armë automatike, po edhe me armë të rënda, të cilët pasi i kanë vrarë disa dhjetëra të burgosur nëpër vende të ndryshme, pastaj kanë dhënë urdhër, me megafonë, që të burgosurit të dalin nga bodrumi i Kuzhinës dhe nga vendet tjera ku ishin fshehur. Të burgosurit, duke e ditur se do të pushkatohen, në fillim kanë kundërshtuar. Por, pasi serbët i gjuajtën dy-tri bomba në bodrum, u dorëzuam: iu bindëm urdhrit të dalim. U bëmë dy nga dy dhe u nisëm në drejtim të Sallës së Sportit. Përskaj nesh qëndronin të rreshtuar trupat serbe të armatosura deri në dhëmbë. Kështu i kanë mbledhur edhe të burgosurit nga pavijonet tjera, dhe i kanë grumbulluar në Sallën e Sportit. Gjatë kësaj kohe ka fluturuar ndonjë avion përmbi Dubravë, por nuk ka pasur bombardime”.
DUKE PRITUR...
Në Sallën e Sportit, me të burgosurit ka qëndruar një gardian i maskuar dhe një ushtar i pamaskuar. Gjatë kësaj kohe, disaorëshe, të burgosurve brenda u është sjellë ujë, ndërsa jashtë është bërë numërimi i të vrarëve e i të plagosurve. Në hapësirat u Dubravës nuk kishte vend që nuk kishte të vrarë, ndërsa e gjithë koha sa ishin në sallë i ngjante pritjes dhe ankthit... Të dyja palët ishin në pritje.
Hyrja e pavijonit C1 (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Të burgosurit shqiptarë prisnin që të masakroheshin, si shokët e tyre gjatë mëngjesit të kësaj dite dhe të një dite më parë, ndërsa të uniformuarit serbë pritnin të vrisnin, siç kishin vrarë. Kjo varej nga komanda që do të vinte nga lart, sepse po të varej nga njerëzit e uniformuar, ata do ta kryenin punën menjëherë”.
Pas disa orësh pritjeje (gjatë numërimit flitej për më tepër se 100 të vrarë dhe shumë të plagosur), një gardian tha se çdo gjë ka përfunduar. Të burgosurve, për t’u relaksuar, u është shpërndarë cigare “Partner”. “Ka qenë çka ka qenë”, është shprehur gardiani, “tani e prapa jeni të lirë. Hani çka të gjeni, gjenduni si të mundni, vetëm mos u afroheni afër mureve”.
“Të nesërmen, 24 maj, në kohën që po dilnim, te dera e burgut e pash një grumbull trupash të pajetë të të burgosurve që kishin tentuar të iknin nga ana tjetër, veriore, por gjatë natës edhe nga dera jugore. Më theri në shpirt kur në mesin e tyre pashë trupin e Qamilit nga Llapushniku, me të cilin kishim qenë një kohë në një dhomë në Lipjan. Me autobusë për të aftët dhe me kamionë për të plagosurit, të burgosurit e Dubravës, të cilët u detyruan t’i hidhnin të gjitha plaçkat dhe të merrnin vetëm ato të trupit, u transferuan në Burgun e Qarkut të Prishtinës në Lipjan, ku u pritën me maltretimet më çnjerëzore në sy të drejtorit të këtij burgu, Lubomir Çimburoviq, i cili tani i kishte të veshura rrobat ushtarake”. /Elfije Boletini/Ridvan Slivova/Telegrafi/

DOSJA E HAPUR - BURGU I DUBRAVËS (botuar më 19 maj të vitit 2000, në javoren “Zëri”)
EDHE NJË TIVAR(R)
Në masakrën e Dubravës, përpos konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rregullave të luftës, Serbia ka shkelur edhe dispozitat e ligjeve të saja. Për faktin se karakteri i Shtëpisë Ndëshkuese - korrektuese është risocializimi e jo viktimizimi i të burgosurve. Të burgosurit edhe gjatë luftës duhet të jenë nën mbikëqyrjen e shtetit, pasi që trajtohen si popullatë e pambrojtur civile. Por, në Dubravë të burgosurit u shndërruan në viktima të mllefit dhe të politikës serbe.
AGRON SHALA
Burgu i Dubravës, apo Shtëpia Ndëshkuese-korrektuese e Dubravës ishte më i madhi kompleks i këtij lloji në Kosovë. Madje, thuhej se ishte edhe më moderni në Evropë, që plotësonte të gjitha kushtet për risocializimin e të burgosurve. Ky objekt ndoshta edhe do ta kishte këtë karakter, sikur të mos shfrytëzohej nga serbët për qëllime krejtësisht tjera - për viktimizimin e shqiptarëve.
DUBRAVA DHE TIVARI
Ndërmjet masakrës së Tivarit (prill 1945) dhe asaj të Dubravës mund të tërhiqet një paralele. Në rastin e parë, për të minimizuar faktorin ushtarak në Kosovë (kinse për të marrë pjesë në luftën e Sremit), nga Kosova në drejtim të panjohur, për të përfunduar në Tivar, dërgohen dhe ekzekutohen mbi katërmijë shqiptarë. Qëllimi i kësaj masakre ishte fshehja e gjurmëve të krimit, në një vend larg Kosove. Natyrisht, në masakrën e Dubravës numri i viktimave ishte shumë më i vogël. Mirëpo, kthimi i të burgosurve nga Serbia në Dubravë kishte të njëjtin qëllim: ekzekutimi i të burgosurve dhe fshehja e krimit. Pra, serbët ishin të vetëdijshëm se kurdoherë duhet të përgjigjen për fatin e qindra e mijëra të burgosurve shqiptarë, që dihej se atë kohë mbaheshin në burgjet serbe. Mu për këtë, organet serbe i ekstradojnë të burgosurit në Kosovë (ndoshta nga informacionet që kanë se do të sulmohet ky burg), për t’i vrarë dhe për t’ua veshur fajin e krimit forcave të NATO-s.
Dyert e thyera nga të burgosurit në pavijonin e bombarduar 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Sipas burimeve të huaja, të gazetave dhe organizatave të ndryshme botërore, në orën 1 e 15 minuta të 19 majit ndodh sulmi i parë i NATO-s - siç thuhej nga zyrtarët e NATO-s atëherë, mbi forcat policore dhe ushtarake në burgun e Dubravës. Gjatë këtij sulmi vriten katër civilë, tre të burgosur dhe një gardian, ndërsa lëndohen dy të tjerë. Sulmin mbi këtë objekt, propaganda serbe - në krye me Tanjugun - tenton ta shfrytëzojë për qëllime të veta: për ta akuzuar NATO-n për të gjitha viktimat e Dubravës. Atë kohë Tanjugu raporton se “ka frikë nga rritja e paparashikuar e viktimave”. Kjo është deklarata e parë që i paraprin rritjes drastike të viktima në Dubravë.
Në sulmin e dytë të NATO-s mbi burgun e Dubravës, rreth orës 8:10-10:25 të 21 majit, vriten 19 të burgosur dhe shumë të tjerë lëndohen. Qeveria “jugosllave” raporton për 19 të vrarë në Shtëpinë Korrektuese të Dubravës dhe për më shumë se dhjetë të lënduar “lehtë e rënd”. Ata raportojnë për 24 projektilë të hedhur që shkaktojnë “dëme të mëdha tek shumica e objekteve të Shtëpisë Korrektuese”. Ndërkaq, më 25 maj shtypi “jugosllav”, duke cituar Tanjugun, raporton se “në bombardimet disaditëshe në Shtëpinë Korrektuese të Istogut, rreth 100 të burgosur vdesin dhe 200 të tjerë lëndohen”. Këtë deklaratë Tanjugu e lëshon dy ditë pasi që në burgun e Dubravës forcat serbe ekzekutojnë mbi 100 të burgosur. Pra, kjo është edhe një dëshmi se regjimi serb bombardimet e NATO-s i ka shfrytëzuar për qëllime të veta.
TANJUGU MASAKRËN IA VESH NATO-s
Më 27 maj Tanjugu citon Vladan Bojiqin, gjykatës në Gjyqin e Qarkut të Pejës, që thotë se 96 kufoma janë tërhequr nga gërmadhat dhe se 40 të lënduar tjerë janë në gjendje shumë të rëndë. Më 29 maj qeveria “jugosllave” deklaron se “numri i viktimave në Shtëpinë Korrektuese të Istogut po shtohet. Nga 196 sa janë lënduar në bombardimin vandal mbi këtë institut, tre kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë tërhequr nga shkatërrimet. Kërkimi i të vdekurve ende po vazhdon”. Më 30 maj Tanjugu raporton edhe për shtatë trupa të tjerë të gjetur të vdekur, duke e sjellë numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 93.
Dhomë ku rrinin të burgosurit shqiptarë (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Këto ishin versionet serbe për viktimat e Dubravës, që të vetmet atë kohë kishin qasje në këtë burg. Në të gjitha raportimet që i jep Tanjugu, asnjëherë nuk pranohet përgjegjësia për masakrën e më shumë se 100 të burgosurve. Natyrisht, ngase kjo masakër ishte e planifikuar për të eliminuar një numër të madh shqiptarësh dhe për të njollosur misionin e bombardimeve të NATO-s. Në këtë kontekst nuk duhet harruar se më shumë se 100 të burgosur të Dubravës ishin joshqiptarë dhe çuditërisht, të gjithë ata u shpëtuan bombardimeve të NATO-s.
Mirëpo, këto deklarata, menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe, bien ndesh me realitetin. Human Rights Watch, në një raport të saj, konsideron se forcat “jugosllave” janë përgjegjëse për shkaktimin e vdekjeve më të mëdha që ndodhën pas bombardimeve. Në bazë të hulumtimeve të pavarura nga kjo organizatë, shumica e të cilave janë bërë në bazë të rrëfimeve të dëshmitarëve, të burgosurit janë rreshtuar pranë mureve të Shtëpisë korrektuese pas sulmit të 21 majit. Pas këtij rreshtimi, sipas tyre, ka pasuar ekzekutimi dhe vrasja e më shumë se 80 vetave.
Dyert e thyera nga të burgosurit në pavijonin e bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Në një version të sajin, që bie ndesh me deklaratat se të gjithë të burgosurit shqiptarë janë vrarë nga bombardimet e NATO-s, Qeveria “jugosllave” arsyetohet se shumica e të burgosurve kanë tentuar të ikin gjatë bombardimeve dhe se gardianët janë përleshur me ta. Pra, sipas këtij versioni ndodh që një numër i të burgosurve janë vrarë pasi që gardianët “mbanin rregull”. Mirëpo, e vërteta, në bazë të raportit të Human Wright Watch dhe dëshmitarëve, është se qindra të burgosur rreshtohen në fushën sportive të burgut. Pas disa minutave mbi ta fillojnë të shtënat me granata nga muret dhe karakollët e burgut, që vrasin së paku 70 të burgosur. Ndërsa, në 24 orët e ardhshme, rojet e burgut, forcat policore dhe paramilitarët sulmojnë të burgosurit që janë fshehur në pjesët e padëmtuara të burgut, në bodrume dhe puseta kanalizimi, duke vrarë kështu edhe 20 të tjerë.
NATO DUBRAVËN E KONSIDERON CAK LEGJITIM TË SULMIT
Gazetarët e huaj që vizitojnë Burgun e Dubravës më 21 maj raportojnë se kanë parë të vdekurit në rresht për 10 apo 20. Ndërkaq, në një vizite tjetër pas ekzekutimit të 22 majit, Jacky Rowland, gazetar i BBC-së, në një raportim të tij thotë se nuk e ka të qartë se si të gjitha ato viktima kanë vdekur: “...Na thanë se ata kanë vdekur prej të premtes e deri të dielën. Por, nuk ishte e qartë se si të gjithë ata e gjetën vdekjen, si dhe pse të gjithë ata ishin në një dhomë relativisht të padëmtuar”.
Washington Post, menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, në një artikull për Dubravën, shkruan: “Vizitat e pasluftës në burg, nga gazetarët, dëshmojnë se të burgosurit janë vrarë pas bombardimeve”.
Pjesa e jashtme e pavijonit B3 të bombarduar nga NATO (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Pra, versionet e gazetarëve serbë edhe këtë herë nuk arritën të bindin opinionin e huaj. Mirëpo, ende mbeten të paqarta shkaqet, arsyet që kanë shtyrë NATO-n të bombardojë dy herë burgun e Dubravës. Atë kohë, më 21 maj, në konferencat e rregullta për shtyp, zyrtarët e NATO-s deklarojnë se kanë bombarduar “në afërsi të burgut, në Istog, barakat dhe objektet e Policisë dhe të Ushtrisë ‘jugosllave’ që kanë bërë spastrimin etnik të popullatës së Kosovës”. Më 22 maj, zëdhënësi i NATO-s, koloneli Conrad Freytag, thotë se burgu ishte në listën e goditjeve si “burg i pabanuar, me fushë ajrore dhe pajisje ushtarake të përdorura nga forcat militare, forcat tokësore serbe dhe Policia speciale”. Ai thotë se NATO-ja ka bombarduar një “kompleks të gjerë” dy herë më parë dhe se “ka shkaktuar dëme të mëdha”.
Edhe para bombardimeve të NATO-s, sipas dëshmive të shqiptarëve, shumë forca serbe të angazhuara në sulme kundër civilëve ishin të vendosura në burgun e Dubravës. Këto forca kishin edhe helikopterë në dispozicion. Edhe KDOM-i atë kohë ka vërejtur se aksesi në rrugët drejt burgut, shumë lehtë mund të përdoret si zonë aterruese. Sipas burimeve shqiptare, në burgun e Dubravës ishin të dislokuara forcat paramilitare speciale të kriminelit Frenki. Kjo edhe ishte arsyeja pse serbët largojnë nga ky burg pjesën më të madhe të të burgosurve.
DUBRAVA - BAZA MË E FORTË SERBE NË DUKAGJIN
Para bombardimeve, shumica e të burgosurve shqiptarë nga ky burg, si dhe shumë burgje tjera të Kosovës, barten në burgjet e Serbisë. Mirëpo, prej prillit 1999 bëhet ekstradimi i tyre në burgun e Dubravës. Kjo si duket bëhet me qëllim të caktuar, pasi që burimet e NATO-s ishin të informuara për shfrytëzimin e burgut nga Ushtria, Policia dhe paramilitarët serbë. Në burg vendosen paramilitarët e Frenkit, por edhe “Tigrat” e Arkanit dhe forcat e rregullta ushtarake dhe policore.
Pamje nga burgu, pavijonet e bombarduara dhe Fusha e Sportit ku u krye masakra 
(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Dubrava ishte një prej bazave më të forta serbe në Rrafshin e Dukagjinit, prej nga do të komandohen, siç thonë disa burime, rreth 30 mijë ushtarë. Pra, pikërisht këto ishin arsyet pse numri i të burgosurve prej 254 vetash, sa ishin deri më 24 mars, shtohet në 950 të burgosur politikë, ordinerë, por edhe të kidnapuar në mënyrë arbitrare.
Më 19 maj kryhet bombardimi i parë i NATO-s mbi Dubravë. Por, mbetet ende e paqartë e dhëna se si objektet e komandës, para bombardimeve, zbrazen nga serbët. Nga kjo lind dyshimi mos forcat serbe në Dubravë kanë pasur ndonjë pikë përgjimi. Goditja mbi burgun e Dubravës (njëri prej 12 goditjeve të NATO-s që u shfrytëzuan nga propaganda serbe për shkak të viktimave të padëshiruara në civilë), ishte një prej temave që u ka shkaktuar kokëçarje të mëdha zyrtarëve të NATO-s në Bruksel. Atë kohë, pyetja kryesore që u shtrohej zëdhënësve ushtarakë të NATO-s ishte se a ka ditur shërbimi informativ i Aleancës për të burgosurit shqiptarë në burg.
E vetmja fotografi, e cila është përdorur gjatë asaj kohe në konferencat për shtyp, ishte një incizim i marrë nga televizioni serb, sipas të cilit kishin pësuar edhe disa të burgosur. Në NATO ishte e pamundur të sqarohet se si ka ndodhur që të pësojnë ata. Në konferencat për shtyp të zyrtarëve të NATO-s nuk jepeshin sqarime se a ka ditur NATO-ja apo jo për të burgosurit shqiptarë. Koloneli Freytag as sot nuk jep sqarime përkitazi me këtë problem. “Ne kemi goditur një kompleks ushtarak, ashtu siç kemi thënë edhe para një viti”, i ka thënë ai javores “Zëri”.
EKZEKUTIMI BËHET PRANË FUSHAVE TË SPORTIT
Në anën tjetër, mbetet ende e paqartë mos depërtimi i informacioneve nga Kosova për ekstradimin e të burgosurve shqiptarë në Dubravë. Në një intervistë për javoren “Zëri”, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, për bashkëpunimin dhe këmbimin e informatave mes UÇK-së dhe NATO-s, thotë: “Ka pasur bashkëpunim teknik, por kjo nuk ishte lidhje direkte... Informimi i pikave për sulm është bërë përmes mediumeve, përmes raporteve që janë dhënë atëherë”. Pra, faktorët e UÇK-së nuk kanë pasur mundësi direkte të komunikimit me autoritetet e NATO-s. Mirëpo, këtë herë informatat e mediumeve, që thuhet se i kanë shfrytëzuar edhe analistët ushtarakë të NATO-s, nuk arritën të depërtojnë tek autoritetet e NATO-s.
Gjurmët e armëve të përdorura nga serbët ndaj të burgosurve gjatë masakrës së 22 majit 1999. Aty shihet edhe karakolli nga gjuanin serbët në Fushën e Sportit 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Nga bombardimet e NATO-s në mbi burgun e Dubravës vriten 24 të burgosur. Vdekja e tyre vjen si rezultat i lëndimeve nga pjesët e rrënuara të ndërtesës, por edhe nga gjakderdhja. Mirëpo, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet më 22 maj, pas ekzekutimit masiv që forcat serbe e bëjnë tek të burgosurit shqiptarë.
Më 22 maj, në ora 5 e 40, komandanti i burgut ka urdhëruar të dalin të burgosurit në fushën sportive. Ata urdhërohen të radhiten në rreshta dhe pastaj mbi ta fillojnë të shtënat nga predhat, plumbat dhe bombat e dorës. Sipas dëshmitarëve - sipas të dhënave me të cilat disponon NKMDLNJ e Istogut - aty vriten 130 veta. “Në fushën e sportit vriten 130 veta. Por, ky numër nga pasojat e lëndimeve rritet”, thotë Ejup Kameraj, kryetar i Këshillit. Mirëpo, ç’është e vërteta, rrallëkush nga të burgosurit e din numrin e saktë të të vrarëve gjatë këtij ekzekutimi. Blerim Krasniqi (1977) në një dëshmi të tij thotë: “Na kanë ftuar të dalim jashtë fushës ku kemi fjetur dy netët e fundit. Na kanë thënë se për shkak të sigurisë do të na transferojnë në burgun e Nishit. Pas urdhrit që dha komandiri Aca, papritmas filluan gjuajtjet me armë zjarri, me bomba dore, minahedhës etj. Nga këto sulme u vranë 70 të burgosur shqiptarë...”. Ndërsa, sipas një dëshmie tjetër të Musa Krasniqit, gjatë këtij ekzekutimi vriten 110 veta. Enver Hashani, në një rrëfim të publikuar kohë më parë në javoren “Zëri”, thotë se numri i të ekzekutuarve ishte 130.
NGA DUBRAVA LARGOHEN 650 TË BURGOSUR
Ekzekutimi i të burgosurve bëhet nga largësia 15-20 metra. Këtë e dëshmon edhe raporti i ekspertëve të patologjisë spanjolle, që bën ekshumimin e kufomave të masakrës së Dubravës. Ndërkaq, në puseta të kanalizimit ekzekutimi bëhet në afërsitë prej 1-2 metra. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në Dubravë, sipas Ejup Kamerajt, është 170. Mirëpo, sipas një dëshmie tjetër, ndoshta më e sakta nga gjithë të tjerat (e Bajrush Xhemajlit, dëshmitari i masakrës së Dubravës), numri i përgjithshëm i të vrarëve është 120.
Shufrat që të burgosurit i përdornin për mbrojtje (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Bartja e të burgosurve nga Dubrava në Lipjan bëhet me tetë autobusë dhe katër kamionë të vegjël për të plagosurit. Sipas dëshmitarëve, në secilin autobus ishin nga 80 të burgosur, ndërsa në kamion nga 10 të plagosur. Pra, numri i përgjithshëm i të burgosurve të gjallë ishte 640. Në punktin e fundit nga Istogu, një i burgosur dëgjon një serb tek thotë se 650 veta shkojnë në Lipjan. Pra, numri i atyre që i shpëtuan masakrës ishte rreth 650. Ndërsa, nëse nga numri i përgjithshëm prej 950 të burgosurve sa ishin në fillim të bombardimeve, afro 800 thuhet se ishin shqiptarë, numri i të vrarëve në Dubravë arrin shifrën prej 150 vetash.
Kufomat e masakrës së Dubravës janë gjetur në fshatin Rakosh. Numri i kufomave të gjetura është 97. Prej tyre nga patologët spanjollë janë identifikuar 39 veta, ndërsa nga anëtarët e familjeve dhe aktivistëve të KMDLNJ-së 24. Pra, janë gjithsej edhe 34 kufoma tjera të paidentifikuara. Këto kufoma janë të varrosura në Rakosh.
Serbia, me masakrën e Dubravës, përpos të drejtave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rregullave të luftës, ka shkelur edhe dispozitat e ligjeve të saja, ngase karakteri i Shtëpisë Ndëshkuese - korrektuese është risocializimi e jo viktimizimi i të burgosurve. Të burgosurit edhe gjatë luftës duhet të jenë nën mbikëqyrjen e shtetit, pasi që trajtohen si popullatë e pambrojtur civile.
Ajo që masakrën e Dubravës e bën edhe më të veçantë në tmerrin e saj, është e dhëna se të burgosurit serbë bëhen ekzekutues të të burgosurve tjerë. Pra, në mënyrë direkte dhe të hapur organet serbe autoritetin e bartin tek kriminelët e burgosur. Përgjegjësia për këtë, si edhe për shumë masakra dhe krime tjera serbe, bie mbi organet serbe, në rend të parë mbi Ministrinë e Drejtësisë. Këtë e thotë edhe Natasha Kandiq, kryetare e Fondit për të drejtën humanitare, në një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”. “Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për këtë, prej ditës kur të burgosurit dhe të arrestuarit janë nën juridiksionin e tij”, thotë ajo. /Telegrafi/

RAMUSH HARADINAJ, DËSHMI E VITIT 2000 (botuar në javoren “Zëri”, më 19 maj 2000)
DUBRAVA ISHTE QENDËR E FORCAVE SERBE
Forcat serbe, pas fillimit të sulmeve të NATO-s, kanë filluar maskimin e tyre. Dhe, kanë filluar të përqendrohen në vendbanimet ku ka pasur më shumë popullatë. Më konkretisht, në një shtëpi kati i poshtëm ka qenë me forca serbe, ndërsa në katin e sipërm ka pasur popullatë, ose e kundërta. Kemi edhe shembuj konkretë të kësaj dhe popullata i din ato. Forcat serbe kanë filluar të përdorin për transport mjete civile: kamionë, traktorë dhe gjithçka tjetër, por jo ato ushtarake, me qëllim që të maskohen, ndërsa kanë filluar të përdorin gjithë infrastrukturën që ka pasur Kosova për qëllimet e tyre ushtarake. Forcat serbe kanë qenë të detyruara të përdorin objektet e mëdha, për shkak të organizimit të tyre të brendshëm, por në raste të caktuara janë shpërndarë edhe nëpër banesa ose shtëpi.
Podrumet ku janë strehuar të burgosurit, pas masakrës së 22 majit 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me vetë Burgun e Dubravës. Dubrava ka qenë një prej epiqendrave të forcave serbe në rajonin e Istogut dhe të rrethinës dhe ka qenë një prej caqeve të parapara për sulm nga NATO-ja.
Sa i përket asaj se a ia kemi dhënë ne NATO-s këtë cak për sulm, këtë fakt nuk e kam të qartë dhe nuk mund ta them qysh tash, por e di se forcat serbe kanë qenë të përqendruara rreth Burgut të Dubravës.
Kur ka ndodhur Dubrava, unë personalisht kam qenë në Ratishë të Deçanit, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës në këtë kohë ka qenë në zonën e lirë të fshatrave të Dushkajës, domethënë që nga Ratishi, Mazniku, Jabllanica e fshatrat e tjera. Ka qenë edhe sipër Vrellës, në bjeshkë, në Studenicë, nëpër fshatrat e Istogut, në Pejë, në Rugovë etj.
Ne vetëm nga lajmet kemi mundur të marrim vesh se çfarë ka ndodhur në Burgun e Dubravës... /Telegrafi/

NATO DHE SULMI MBI DUBRAVË (botuar në javoren “Zëri”, më 19 maj 2000)
Jamie Shea

20 maj 1999, ora 10:30
Në komunikatën e shpërndarë para konferencës për shtyp të Jamie Sheas, pos tjerash thuhet: “...Aeroplanët e NATO-s kanë bërë 446 fluturime, 118 fluturime goditjesh dhe 35 të tjera kundër raketave mbrojtëse të ushtrisë serbe. Goditjet kundër forcave serbe në Kosovë janë bërë kundër tankeve, veturave të blinduara, pozitave artilerike, transportuesve të raketave SA-6 dhe automjete të tjera ushtarake...“
Në listën e caqeve të goditura figuron edhe Dubrava (me emrin Istok), i vlerësuar si vend me pajisje ushtarake serbe.
Korridoret e pavijonit C1 (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

20 maj 1999, ora 15, konferenca për shtyp:
PYETJE: Kemi parë se NATO-ja ka goditur një cak të quajtur Istog. Ka disa raportime nga mjetet serbe të informimit, të cilat thonë se NATO-ja ka goditur një burg edhe pse është ditur se autoritetet serbe kanë dërguar aty shumë të burgosur politikë shqiptarë nga vendet e tjera të Serbisë. Çfarë mund të thoni për këtë cak dhe a keni ndonjë të dhënë se NATO-ja ka goditur këtë burg, apo jo?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk është burg, është cak ushtarak. Ne e dimë se ai është një kompleks ushtarak i sigurisë dhe është goditur si cak ushtarak legjitim. Nuk kemi ndonjë të dhënë se ndonjë raketë ka shkuar në ndonjë vend tjetër, apo se arma ka goditur keq...
PYETJE: A mund të ndodhë që forcat serbe kanë përdorur këtë objekt si mburojë njerëzore?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk mund të spekuloj lidhur me këtë. Sipas informatave të mbledhura nga shërbimi ynë informativ, e dimë se ai ishte një kompleks ushtarak i sigurisë që u takon forcave të Milosheviqit për komandë dhe kontroll.
Shkatërrimet që sollën bombardimet (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

21 maj 1999, ora 15:00, konferenca për shtyp:
PYETJE: Ka raportime se një burg në Istog është goditur nga aeroplanët e NATO-s. A keni ndonjë koment për këtë?
GJENERALI WALTER JETZ: Krejt çfarë mund të them është ajo që thashë dje. Nuk kemi ndonjë të dhënë se është goditur përsëri.
PYETJE: Por, raportimet thonë se po?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk ka ndonjë të dhënë për këtë. Nuk e kemi goditur dhe nuk e di nga ka ardhur kjo informatë.
PYETJE: Kjo do të thotë se ju nuk e keni goditur sot Istogun?
GJENERALI WALTER JETZ: Jo.
JAMIE SHEA: Nuk besoj se kemi goditur ndonjë cak në Kosovë, për shkak të kushteve të motit.
PYETJE: Por, raportimet thonë se sulmi është bërë sot në mëngjes.
GJENERALI WALTER JETZ: E kam fjalën për sulmet në 24 orët e fundit. Informatat për këto orë përfundojnë në mëngjes, prandaj nuk kam ndonjë raport tjetër...
Korridoret e pavijonit C1, ku shihen të mbathurat e të burgosurve shqiptarë (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

(pas disa minutash...)
GJENERALI WALTER JETZ: Sapo e mora një informatë se Istogu ishte në listën e caqeve për sot. Por, lista e mëngjesit për 24 orët e kaluara nuk e ka përshirë atë. Një kompleks i sigurisë është sulmuar këtë mëngjes, por nuk kam ndonjë informatë më shumë...
Shkatërrimet që sollën bombardimet (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

22 maj, ora 15:30, konferenca për shtyp:
JAMIE SHEA: Në Istog forcat e NATO-s kanë goditur një kazermë dhe një hapësirë e cila është përdorur një kohë të gjatë nga Ushtria jugosllave dhe nga forcat speciale të policisë serbe...
PYETJE: Kolonel Freytag, a mund të na jepni më shumë detaje për bombardimin në Istog? Sa aeroplanë janë përdorur, sa bomba janë hedhur, çka kanë goditur, sa ka qenë larg prej burgut goditja, a ka qenë vetë burgu i goditur në mënyrë direkte apo nga efekti i gabuar i bombave? Çfarë ka ndodhur atje?
KOLONELI FREYTAG: E kam një fotografi për ju, nëse doni ta shihni (v.j. të marrë nga televizioni serb). Ky cak është vënë në listën e caqeve për goditje, si burg i papërdorur, ku ka një numër të madh pajisjesh ushtarake... Ne e kemi goditur dy herë dhe kemi shkaktuar shumë dëme, por detajet duhet të na vijnë...
Pavijoni i bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

PYETJE: Çfarë ishte ky kompleks dhe pse ishte aq i rëndësishëm ?
KOLONELI FREYTAG: Ky kompleks ishte i madh dhe i përdorur nga forcat ushtarako-policore serbe...
PYETJE: Pra, në listën e caqeve ka figuruar burgu si i papërdorur ?
KOLONELI FREYTAG: Po...
23 dhe 24 maj
Në listën e caqeve të goditura në 24 orët e fundit nuk figuron Istogu.


Pavijoni i bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)





Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...