Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

NACIONALISTËT E VONUAR DHE ANTINACIONALISTËT E PRAPAMBETUR


Abdi Baleta
Abdi Baleta
Politika një shekullorëshe
Gjatë gjithë vitit 2012, që ishte shpallur si viti i përgatitjeve për kremtimet e njëqind vjetorit të pavarësisë, politikat zyrtare e partiake dhe propaganda shqiptare në përgjithësi i patën lënë në harresë copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe aspiratën e shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Shqiptarët i kanë bërë me vonesë disa punë me rëndësi kombëtare dhe politike që të tjerët i kanë kryer më herët dhe në kohë. Kjo ka ndodhur si për dobësitë e dukshme të vetë shqiptarëve, ashtu dhe për shkak të pengesave të qëllimshme që u kanë nxjerrë të tjerët. Më dëmprurëset kanë qenë vonesat në mendimin e veprimin politik të shqiptarëve për t’u ballafaquar me problemet që u kanë dalë në proceset e kombformimit e të shtetndërtimit.
Përpjekjet e rilindësve nuk u kurorëzuan ashtu siç duhej me njohjen ndërkombëtare të kombësisë shqiptare dhe me bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të Perandorisë Osmane në kohën e Lidhjes së Prizrenit e të Kongresit të Berlinit, atëherë kur ribëhej harta politike në Ballkan. Shteti shqiptar nuk u bë ashtu si lypsej, deri në kufijtë e Shqipërisë Etnike, kur u shpall pavarësia e kombit shqiptar më 1912, as pas dy luftërave botërore në shekullin XX, kur rikonfigurohej disa herë harta politike e Europës dhe Ballkanit, as kur u shpërbënë ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia komuniste në fundin e shekullit XX.
Vonesat kanë qenë të dukshme edhe në zhvillimet brenda kombit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare Komunistët dogmatikë shqiptarë ishin “të vonuar” në analizat e tyre politike dhe ideologjike për të kuptuar dështimin e socializmit si sistem dhe domosdoshmërinë e përmbysjes së regjimit monist komunist në vitet të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta. E njëjta dukuri është vënë re edhe në fushën e mendimit e të veprimit nacionalist, në paraqitjen e mbrojtjen e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare. Në dekadat e para të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar mbizotëroi realpolitika e shpëtimit të shtetit të cunguar shqiptar dhe heshtja për copëtimin e trojeve shqiptare. Në periudhën gati gjysmëshekullore të sundimit komunist mbizotëroi (anti)politika internacionaliste, proletare e socialiste dhe u la pas dore puna për parashtrimin dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Në periudhën 22-vjeçare pas rënies së regjimit komunist ka mbizotëruar realpolitika e “demokratizimit të shoqërisë” dhe e “integrimeve euroatlantike”.
Idealpolitika nacionaliste gjatë gjithë kësaj kohe ka munguar ose ka qenë e vonuar, episodike dhe anemike. Ndërsa një lloj antinacionalizmi shqiptar i prapambetur, në konceptim e në praktikë politike, ka gjetur fushë më të gjerë veprimi. Me nacionalizmin e vonuar dhe antinacionalizmin e prapambetur në trajtimin e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare u ballafaquam edhe një herë, si papritmas, pikërisht në ditët e fundit të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë gjithë vitit 2012, që ishte shpallur si viti i përgatitjeve për kremtimet e njëqindvjetorit të pavarësisë, politikat zyrtare e partiake dhe propaganda shqiptare në përgjithësi i patën lënë në harresë copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe aspiratën e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Dukej sikur shqetësimi më i madh ishte të mos lejohej ndezja e shkëndijave të nacionalizmit. Kjo sjellje politike nuk mund të ndalonte shpërthimet e natyrshme nacionaliste popullore shqiptare, as të pengonte forcat politike e shoqërore të përkushtuara ndaj nacionalizmit që të gjenin mjetet e mënyrat për ta lidhur kremtimin e shpalljes së pavarësisë me çështjen e madhe të bashkimit kombëtar. Këtë e dëshmuan fryma e lartë atdhetare dhe dekori e folklori festiv shqiptar, që u shpalosën më fuqishëm se kurrë në ditët e kremtimeve në të gjitha trojet etnike shqiptare, si dhe në bashkësitë shqiptare nëpër botë. Zymtësia që kishin krijuar politikat shtetërore e partiake shqiptare gjatë vitit 2012 me grindjet e sherret e tyre pa mbarim për pushtet e për pasurim nuk e topitën dot entuziazmin popullor në ditën e 28 Nëntorit. As manipulimet politike me ceremonitë zyrtare të ndërtuara pa shumë përgjegjësi ose me qëllime ngacmuese, nuk ia hoqën madhështinë kremtimit popullor.
Megjithatë, kremtimet e 100-vjetorit nuk kaluan pa lënë edhe gjurmë të këqija dhe pasoja ngatërrestare. Ato i nxorën edhe më shumë në pah, madje i thelluan, ndasitë politiko-ideologjike, krahinore, fetare dhe partiako-klanore që rëndojnë mbi jetën kombëtare e politike të shqiptarëve. Historiografia shqiptare nuk e përballoi si duhet detyrën e shpallur për të bërë ndreqjet e duhura në vlerësimet e ngjarjeve e të figurave historike të kombit e të shtetit shqiptar. Përkundrazi, kremtimet u shfrytëzuan për një revanshizëm të theksuar e të shfrenuar historiografik nga përkrahësit e rrymës së mendimit nolisto-enverist në politikën e historiografinë shqiptare.
Edhe ngjarja më e lavdërueshme, nderimi për figurën e Mbretit Zogu I, u prit me zemërim dhe ripërtëritjen e sulmeve banale, të njohura nga forcat politike e shkencore që qëndrojnë në llogoret krahinariste antinacionaliste të së kaluarës. Megjithatë, rëndësi pati fakti që të dy kryetarët e shteteve shqiptare, të Shqipërisë e Kosovës, e theksuan solemnisht se nderimet që iu bënë Ahmet Zogut duheshin parë si një shlyerje borxhi ndaj figurës dhe rolit të tij historik, si i pari mbret në këtë shtet që gëzojmë ne sot. Edhe dy politikanë e pushtetarë të lartë, që për mjaft kohë nuk i kishin kursyer anathemat për Ahmet Zogun, kryeministri i sotëm Sali Berisha dhe diktatori i djeshëm komunist Ramiz Alia, u gjetën në të njëjtën fjalë se Mbreti Zogu I duhet vlerësuar si “themelvënësi e ndërtuesi i shtetit shqiptar” (mendimin e Ramiz Alisë e bën të njohur Januz Januzaj në “Shqipëria ime. Unë dhe Ramiz Alia”, Toena 2012, f. 89).
Nuk munguan aspak nderimet e duhura zyrtare për figura të tjera madhore të historisë shqiptare që janë vlerësuar lart gjatë gjithë kohës, sidomos nën regjimin komunist. Nuk qëndrojnë aspak ankesat inatçore të disa politikanëve e propagandistëve se figurat më të rëndësishme u lanë në hije, se u lartësua figura e Ahmet Zogut për të ulur figurën e Ismail Qemalit. Disa fanatikë enveristë kërkuan që si kundërpeshë ndaj nderimeve për Zogun të rikthehej në piedestal të politikës shqiptare figura e Enver Hoxhës, ndonëse edhe ata e dinë mirë se si populli i Shqipërisë e kishte përmbysur atë me shumë urrejtje 22 vite më parë, si simbolin e diktaturës më të egër komuniste nga e cila Shqipëria vuajti për 45 vite. Një këmbëngulje pa vend për të trajtuar njësoj figurën e Enver Hoxhës me atë të Ahmet Zogut vihet re edhe nga ithtarë të enverizmit në Kosovë, çka të shtyn të mendosh se nuk bëhet fjalë për rastësi.
Njëqindvjetori i pavarësisë tashmë kaloi, bashkë me harenë dhe me emocionet që solli. Tani kemi hyrë në njëqindvjetor tjetër që të ngjall trishtim. Është njëqindvjetori i copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga fqinjët ballkanas të babëzitur për pushtime. Fillimin e njëqindvjetorit të dytë nuk duhej në asnjë mënyrë ta prisnim në heshtje. Fatmirësisht, në çastet e fundit, kryeministri i Shqipërisë e mblodhi veten dhe nga mitingu i Shkupit e ngriti zërin për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Që nga ai çast në fjalimet e tij, kryeministri filloi t’i përmendë padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar, të kujtojë se ku ishin kufijtë e etnisë shqiptare në Ballkan në prag të shpalljes së pavarësisë, të pohojë se historia nuk mund të harrohet dhe ta denoncojë albanofobinë e hapur që rrethon shqiptarët sot.
Kryeministrit të Shqipërisë ia ngarkonte detyra që në ditët e jubileut të madh të 100-vjetorit të pavarësisë të mbante qëndrime të tilla, edhe sikur të mos i ketë sinqerisht fort për zemër deklaratat që bëri. Por “Kjo ishte (me të vërtetë) një befasi pozitive për gjithë shqiptarët, sepse Sali Berisha paraprakisht përmes prononcimeve të tij zyrtare është deklaruar kundër bashkimit kombëtar shqiptar dhe Shqipërisë Etnike” (Prof. dr. Mehdi Hyseni, gazeta “Metropol”, 4 dhjetor 2012). Prandaj, deklaratat e kryeministrit për bashkimin kombëtar dhe për kufijtë etnikë të shqiptarëve duheshin mirëpritur e përshëndetur nga të gjithë shqiptarët, qoftë vetëm për vlerën e tyre simbolike e paralelizmat historike që na kujtojnë.
Megjithatë ky “nacionalizëm i vonuar” i kryeministrit të Shqipërisë ishte një gjë shumë më e mirë se “nacionalizmi i munguar” i tij prej shumë vitesh me radhë dhe se “antinacionalizmi i prapambetur” që shpërtheu kundër fjalëve të tij për problemin e bashkimit kombëtar. Termat “nacionalistë të vonuar” më është dashur t’i përdorja edhe para shumë vitesh për të karakterizuar qëndrimet e rralla, episodike me ngjyrime nacionaliste të kryetarit dhe të disa drejtuesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndaj problemit madhor të bashkimit kombëtar. Kur Partia Demokratike hyri në skenën politike shqiptare, si e para parti opozitare ndaj Partisë së Punës, u duk se ajo krahas shndërrimit demokratik të shoqërisë shqiptare, kishte si objektiv kryesor edhe çështjen kombëtare shqiptare. Ajo u paralajmërua si parti me fizionomi nacionaliste, sepse në shpalljet e para politike programatike shprehej dhe për bashkimin kombëtar. Por, idili i bukur me çështjen kombëtare zgjati fare pak në sjelljet e drejtuesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Një gazetar francez në vitin 1992 i shkëputi kryetarit të PD-së, Sali Berisha, një intervistë për gazetën “Le Figaro”, në të cilën figuronin fjalët e pamatura mirë të të intervistuarit se Shqipëria e bashkuar nuk paska ekzistuar asnjëherë dhe se tërë shqetësimi e kujdesi i Berishës do të përqendrohej tek integrimi i Shqipërisë në Europë e jo te ndonjë bashkim hipotetik kombëtar i shqiptarëve në një “Shqipëri të Madhe”. Këto fjalë ishin pezmatuese dhe zhgënjyese për shumë shqiptarë që reaguan me mospajtim me ndaj tyre.
Në verën e vitit 1999 PD-ja, gati e shpartalluar nga invazioni grek e rebelimi komunist shqiptar në Shqipërinë e Jugut në vitin 1997, kishte mbetur e gozhduar dhe e trullosur në opozitë. Për ta rimarrë veten në sytë e shqiptarëve, ajo organizoi një kuvend partiak kushtuar çështjes kombëtare dhe e shpalli këtë si “yllin e karvanit në politikën e saj”, siç po e shpall edhe tani. Ishte një lëvizje taktike që nuk të ngjallte besim dhe entuziazëm. Megjithatë, ishte një hap që duhej përshëndetur. Duhej uruar që ai “nacionalizëm i vonuar” të vazhdonte. Por nuk shmangej dot as dyshimi se kjo prirje në politikën e PD-së mund të mos zgjaste shumë.
Më të sakta dolën hamendësimet dyshuese. PD-ja dhe, sidomos, kryetari i saj kaluan shpejt e vendosmërisht në pozitat e njohura antinacionaliste në politikën shqiptare. Pasi kaluan vështirësitë e para nën hijen e nacionalizmit, braktisja dhe mohimi i çështjes së pazgjidhur kombëtare u bënë kali i tyre i betejës në luftën për t’u rikthyer në pushtet. Antinacionalizmi u bë platforma e tyre e vetme politike, aq sa në një rast Sali Berisha u shpreh me sarkazëm nga ekrani televiziv se “ajo parti që do të përfshijë në programin e saj politik çështjen e bashkimit kombëtar nuk do të marrë as njëqind vota në zgjedhje”. Tani me sa duket ka mbërritur në përfundimin e kundërt, se po të hysh në zgjedhje me flamurin e bashkimit kombëtar mund të marrësh më shumë vota.
Prandaj, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bashkë me disa udhëheqës dhe renegatë të viteve të ’90-ta të kësaj partie, që sot janë edhe pushtetarë që e qeverisin Shqipërinë, po marrin sërish pamjen dhe rolin e “nacionalistëve të vonuar”. Kemi të drejtë të shprehemi kështu për ta përderisa nuk e zunë fare në gojë çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare dhe as domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar deri në “aksham pazarin” e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë. Ky fakt na shtyn të mbetemi skeptikë ndaj seriozitetit dhe vazhdimësisë e qëndrueshmërisë të tyre në pozitat e këtij “nacionalizmi të vonuar”. Këtë skepticizëm na e përforcon platforma kyeministrore që ka paraqitur në fund të vitit 2010 kryeministri Berisha në një intervistë dhënë një gazetari shqiptar nga Kosova për gazetën zvicerane “Tages Ancajger”, në të cilën binin në sy këto vlerësime e teza dëshpëruese:  1) Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i gabuar. Kush mendon se me këtë bashkim zgjidhet çështja shqiptare në Ballkan, gabohet ose ka për qëllim të nisë konfliktin. Berisha pohonte se dikur edhe ai kishte qenë në favor të bashkimit, por kishte hequr dorë nga kjo ide, pasi e kishte kuptuar se ishte e gabuar; 2) Me pavarësimin e Kosovës kufijtë në Ballkan janë formësuar përfundimisht; 3) Ne do të bashkohemi në kuadrin e bashkësisë së vlerave evropiane; 4) Për këtë nuk nevojiten ndryshime kufijsh. Duhet të bashkëpunojmë ngushtë me fqinjët që kufijtë të humbasin rëndësinë. Krijimi i kufijve të rinj do të na largonte nga Europa dhe nga ambiciet tona për integrim në BE edhe për 20 vitet e ardhshme dhe 5) Të përmirësohen marrëdhëniet me Serbinë, të cilat historikisht kanë qenë të ngarkuara. Këtyre argumenteve ai u shtoi edhe një tjetër të çuditshëm pak ditë para se të bënte kthesën në fjalimin e Shkupit: “Po të bëhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve, atëherë këta do të humbasin territore”, një “argument” që më herët e kishim dëgjuar nga politikanë shqiptarë në FYROM.
Atëherë është e natyrshme që edhe pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë në mitingun e Shkupit të shtrohet pyetja: Çfarë ndodhi që ai papritmas kaloi nga qëndrime antinacionaliste në qëndrime prej “nacionalisti të vonuar”?! Rivalët e tij në luftën për pushtet në Shqipëri (nga i gjithë spektri politik, “majtas e djathtas”) nuk ngurruan ta qortojnë e ta ironizojnë kryeministrin se gjithçka po e bën në funksion të fushatës politike propagandistike për zgjedhjet e qershorit 2013; se Berisha e ka huq të keq që sa herë e sheh veten ngushtë në lojën politike fillon të bëjë “zhurma nacionaliste”; se nacionalizmi dhe “irredentizmi” i tanishëm i papritur i Berishës qenka thjesht “antishqiptarizëm”. Kundër deklaratave “nacionaliste” të Berishës vërshuan njëra pas tjetrës plot deklarata akuzuese të kundërshtarëve të tij politikë se “po i hedh benzinë zjarrit për interesa elektorale”; se “nacionalizmi i Berishës është i rremë dhe spekulues”; se ky nacionalizëm qenka “një lojë e kurdisur bashkë me agjenturat serbe e greke” dhe “një shantazh mbi diplomacitë ndërkombëtare” etj., etj..
Kur i sulen me kaq arrogancë kryeministrit të vendit për disa deklarata në frymë të “nacionalizmit të tij të vonuar”, rivalët politikë e pushtetarë të tij nuk e marrin fare mundimin të kërkojnë edhe ndonjë element të dobishëm për Shqipërinë në deklaratat e kryeministrit. Ata nuk e vrasin mendjen fare se me të tilla sulme në tym po i shërbejnë praktikisht taktikës që po përdor ai, sepse njerëzit gjithsesi do të parapëlqenin që në qëndrimet e drejtuesve të tyre politikë më mirë të shohin njëfarë “nacionalizmi të vonuar”, qoftë dhe hipokrit, sesa “antinacionalizëm të prapambetur”, trashanik e smirëzi. Rivalët politikë të Berishës shohin në deklaratat e tij “nacionaliste të vonuara” vetëm dredhitë dëmprurëse për strategjinë dhe taktikat e tyre politike elektorale, edhe pse hiqen sikur merakosen shumë nga ndikimi negativ i këtyre deklaratave berishiane në vendimmarrjen e Brukselit për t’i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE.
Në vend që të bëjnë një analizë gjakftohtë të natyrës së deklaratave të Berishës në funksion të parashtrimit me seriozitetin e duhur të çështjes kombëtare shqiptare sot, rivalët e tij politikë hidhen në akuza që, edhe pse kanë ndonjë element të së vërtetës, çështjen kombëtare e dëmtojnë shumë tepër. Ata përpiqen që në sytë e shqiptarëve edhe të botës kryeministrin e vendit ta paraqesin si politikan krejt të papërgjegjshëm, që nuk ditka se çfarë bën, kur lëshon deklaratat për bashkim kombëtar, kur përmend Prevezën si truall të dikurshëm etnik shqiptar. Por, harrojnë se vetë ata bëhen edhe më të papërgjegjshëm e më mëkatarë duke iu kundërvënë kështu bashkimit kombëtar.

NIKOLIÇI DHE DAÇIÇI S’BËHEN DOT AS DE GOL, AS HELMUT KOH



Prof.dr. Eshref YMERI

Në faqen internetike të gazetës “Shqiptarja.com” të datës 26 mars 2014, ishte botuar një njoftim befasues me titull:
“Gratë serbe në të zeza: Kërkojmë falje shqiptarëve për krimet serbe”.
Ky njoftim m’u duk befasues për faktin se tradicionalisht, që prej Kongresit famëkeq të Berlinit dhe Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës, kur u vendos që trojet etnike shqiptare të copëtoheshin me thikën e pamëshirshme të kasapëve evropianë, për të kënaqur epshet shoviniste sllavogreke, me përkrahjen kriminale të shovinizmit rusomadh, gjatë tërë kohës që Serbia dhe Greqia kanë masakruar shtazërisht popullin shqiptar të Kosovës dhe të Çamërisë, ka rënë në sy një unitet i paimagjinueshëm i popullit serb dhe i popullit grek me qëndrimin shovinist të Beogradit dhe të Athinës ndaj etnisë shqiptare.
Kjo është edhe arsyeja që në një sërë shkrimesh të mëparshme, popullin dhe kombin serb dhe grek unë i kam quajtur popull dhe komb shovinist.
Pavarësisht se nga ç’motive janë nisur ato gratë serbe, të cilat, të organizuara nga zonja Stasa Zajoviç, qenë grumbulluar për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe në Kosovë, duhet pasur parasysh ajo çka ato deklaruan në protestën e tyre:
“‘Gratë serbe në të zeza…kërkojnë nga qeveria e ardhshme e Serbisë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në të cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova. Nëse nuk e bëni këtë do të konsiderojmë se e gjitha është frazë boshe dhe se Marrëveshja e Brukselit në fakt paraqet instrument për mbetjen në pushtet të elitës”.
Nga kjo deklaratë rezulton se Brukselit, të përfaqësuar nga zonja Eshton (Catherine Margaret Ashton – 1956), as që i ka rënë ndër mend ndonjëherë që, para se të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit, t’i shtronte këtij të fundit kërkesën e prerë jo vetëm për zbulimin e varreve masive me eshtrat e kosovarëve të zhdukur, por edhe për daljen me një pendesë publike për të gjitha krimet e rënda që kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Brukseli nuk e shtroi dhe nuk ka ndër mend ta shtrojë një kërkesë të tillë, sepse fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përballuan 80% të shpenzimeve për ndëshkimin e Serbisë, morën anën e kësaj të fundit. Këtë e pranon haptas ish-shefi i UNMIKU-ut Lamberto Zanieri, i cili pati deklaruar:
“Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas faqes së internetit. 16.04. 2011).
Dhe domosdo që kërkesat e lartpërmendura Brukseli nuk mund t’ia shtrojë Serbisë, përderisa Hashim Thaçi dhe Prishtina zyrtare janë vënë në rolin e shurdhmemecit para kërkesave të tilla, duke braktisur veprën madhore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. Hashim Thaçit i intereson simpatia e Brukselit dhe jo kërkesa për zbulimin e së vërtetës për varret masive të kosovarëve të vrarë barbarisht, as kërkimi i pendesës prej Beogradit për barbaritë që kreu në Kosovë, as kërkesa për kompensimin tërësor të të gjitha shkatërrimeve në mbarë Kosovën që e çuan ekonominë e kësaj të fundit shumë vite prapa. Beogradi duhej të përmbushte fillimisht këto kërkesa, pastaj Hashim Thaçi të pranonte të ulej në bisedime me Daçiçin në Bruksel. Por Hashim Thaçit i intereson të prezantohet si një djalosh simpatik dhe i bindur para Brukselit, si plastelinëpolitikan, se kështu, sipas mendjes së tij, ai siguron vazhdimësinë e pushtetit të vet, se kështu ai fiton “kredi” në sytë e Bashkimit Evropian, i cili, nën zë, i nxjerr gjuhën dhe tallet me të. Brukseli, në qendër të marrëveshjes me Thaçin dhe me Daçiçin, ka interesat e serbëve të Kosovës, të cilët kërkojnë krijimin e komunave-minishtete brenda territorit të Kosovës, duke e shndërruar pavarësinë e kësaj të fundit në një të ashtquajtur pavarësi dhe sovranitetin e saj në një të ashtuquajtur sovranitet. Thaçi e ka braktisur veprën madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Domosdo, se ai nuk e ka ndier erën e barutit. Prandaj edhe para ca kohësh ai deklaroi në Euronews:
“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike” (Citohet sipas faqes së internetit “Indeks”. 13 shkurt 2014).
Me këtë deklaratë të palavdishme, Thaçi të kujton Enver Hoxhën, për të cilin, në plenumin e Beratit të vitit 1944, Sejfulla Maleshova, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: “Shikojani koburen që mban në brez, i ka zënë ndryshk”.
Prandaj populli shqiptar i Kosovës le të vazhdojë të shtrojë kurrizin para Thaçit dhe vetëm të rri e të soditë përkujdesjet shembullore të tij për pakicën serbe, e cila gjatë viteve të luftës u bë mbështetje e fuqishme e bandave ushtarake të Millosheviçit për masakrimin dhe poshtërimin e popullsisë së pambrojtur kosovare.
Grupi i grave serbe mirë bëri që doli në atë protestë për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe, por problemi është se kërkimi i faljes apo pendesa e tyre nuk ngre kurrfarë peshe, nuk ka kurrfarë vlere juridike, sepse me pendesë publike duhet të dalë Beogradi zyrtar, duhet të dalë parlamenti serb, duhet të dalë presidenti Nikoliç dhe kryeministri Daçiç. Ata, madje, nëse Nikoliçi dhe Daçiçi do të ishin, qoftë edhe njё grimë, politikanë të nivelit evropian, fillimisht, duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe paskëtaj duhej të bënin kërkesën për të ardhur për vizitë në Prishtinë dhe në Tiranë. Dhe kur të zbrisnin nga shkallët e avionit, të përuleshin me respekt para tokës shqiptare dhe të kërkonin ndjesë botërisht për qëndrimin e egër, armiqësor, për krimet e rënda që shovinizmi serbomadh ka kryer kundër kombit shqiptar gjatë një periudhe mbinjëshekullore. Kjo pendesë publike do të hapte një faqe të re në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dhe të fqinjësisë së mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Por ata s’mund ta bëjnë dot një gjë të tillë, se ata s’janë politikanë të këtij niveli, se ata janë pasardhës të Millosheviçit, janë mbetje të shovinizmit serbomadh. Prandaj ata s’mund ta vënë dot veten në rolin e de Golit (Charles André Joseph Marie de Gaulle  1890-1970), i cili, kur zbriti nga shkallët e avionit në Algjer në vitin 1961, iu drejtua algjerianëve që ishin grumbulluar aty:
“Ju kërkoni pavarësi? Merreni, e gëzofshi!”
Nikoliçi dhe Daçiçi nuk mund ta vënë dot veten as në rolin e kancelarit Helmut Kohl (Helmut Josef Michael Kohl – 1930), i cili, në emër të Gjermanisë, bëri pendesë publike dhe kërkoi ndjesë për krimet që nazizmi gjerman kreu kundër popujve evropianë dhe sidomos kundër hebrenjve.

TË PROVOKOSH BALLKANIN!


Akif Emre
Akif Emre
Ishin vitet e fundit ngulfatëse të luftës së ftohtë. Pas Titos të gjithë ekuilibrat ishin tendosur njëjtë si në shtetet e tjera të bllokut komunist, fryma e lirisë ishte flakur dhe veprohej nën paranojat se regjimi ishte i rrezikuar.
Në saje të propagandës se “Në Bosnjë po krijohet një shtet fetar”, një grushti intelektualësh në ballë me Aliun, iu ishte shqiptuar një dënim i rëndë. Kishte filluar një lëvizje për pastrim politik, me ç’rast dënime të ngjashme shqiptoheshin edhe në republikat dhe krahinat e federatës. Për shembull, në Kosovë shumë shqiptarë ishin marrë në shënjestër të përndjekjeve të pamëshirshme nga regjimi.
Pikërisht në këto kohë të trazuara u njoftova me disa moshatarë të mi  ose “jugosllavë të rinj”, të cilët për ta ruajtur identitetin e tyre islamë dhe për t’i hapur horizontet e tyre interesoheshin dhe lexonin çdo gjë që u binte në dorë në lidhje me zhvillimet intelektuale nga të gjitha anët e botës dhe Turqisë. Madje, në kohën kur ishte shumë problem fotokopjimi i teksteve, ato tekste që i gjenin në Stamboll qoftë libra filozofikë ose fetare, duke i fshehur nën këmishë, i dërgonin në vendet e tyre, për çka vetë jam dëshmitar. Librat e Ibn Arabiut, Ali Sheriatit, Henry Corbinit, Nakib el-Atassit dhe të tjera si këto, në gjuhën turke ose angleze dërgoheshin një nga një në Sarajevë e në Shkup, lexoheshin e diskutoheshin dhe, në bazë të mundësive, fotokopjoheshin dhe shpërndaheshin atje.
Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe paraqitjen e shteteve të vogla me ndërrimet politike në Maqedoni dhe Bosnjë u shfaq një rilindje intelektuale. Nga perspektiva e myslimanëve, Sarajeva vetëm ishte bërë kryeqyteti natyror i intelektualizmit dhe dijes. Mirëpo, me shkatërrimin e Jugosllavisë u shkatërruan këto lidhje të myslimanëve me qendrën e tyre.
Më duhet të theksoj se interesimi im për Ballkanin, përtej nostalgjisë historike, shfaqet më tepër si shkas i prezencës së një arterie të tillë konkrete intelektuale. Një herë Aliu më pat pyetur se prej kur kam filluar të interesohem për Ballkanin. Ai nuk mundi ta fsheh habinë kur i tregova se në fillim të viteve të 80’ta në një formë interesante korelative më patën tërhequr vëmendjen gjykimet në Jugosllavi, që i përcolla nga afër me shumë vëmendje e kërshëri.
Pas fashitjes së Jugosllavisë nga historia, në Maqedoni u formua një strukturë më autentike që për mua kishte një kuptim të veçantë.  Shokët që dikur i fshihnin librat e tyre nën këmishë, duke iu shmangur sistemit komunist, i lexonin këto libra. Ata kishin bërë një punë të shkëlqyer: themeluan një shtëpi botuese. Ata i dhuruan botës shqiptare me qindra libra të botuar, nga bota islame, nga Lindja e Perëndimi. Librat të cilat dikur i lexonin në fshehtësi e përndjekje, tashmë i botonin lirshëm dhe ato kontribuuan fuqishëm në zgjerimin e horizontit të shqiptarëve. Përkthimet ishin nga turqishtja, arabishtja dhe gjuhët e tjera perëndimore, pa qenë fare nën presionin e ndonjë kompleksi. Kështu i përkthyen dhe i botuan punimet më të rëndësishme.
Për shembull libri “Safahat-Fletët” për herë të parë është përkthyer në gjuhën shqipe. Të gjitha punimet e Sami Frashërit, një intelektual osman me prejardhje shqiptare, janë botuar.
Për të baltosur dhe nxirë një përpjekje të tillë të shkëlqyer, javën e kaluar në një ueb-faqe shqiptare u postua një lajm i shtrembëruar ose, thënë troç, i përpiluar në formë të materialit politik si paralajmërim për qarqet maqedonase.
Institucionet dhe fenomenet që përmenden në këtë tekst lëre që nuk mund të kenë kurrfarë lidhje në mes vete, por edhe lajmi është i dizajnuar mbi informatat sikurse të kishin rrjedhur nga  “brenda”, ngjashëm me ndonjë raport spiunazhi. Ky lajm aq shumë ishte shtrembëruar, sa ë të gjitha këto aktivitete të shkëlqyeshme që janë bërë për herë të parë në Ballkanin modern, i kishin paraqitur si manifestim të një strukture të errët dhe të fshehtë. Aktivitetet, qoftë të shoqërisë civile të shqiptarëve, qoftë të turqve, ishin paraqitur si celula spiunazhi të pushtetit turk. Në mesin e këtyre organizatave ishin përmendur TIKA dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, institucione këto të cilat realisht aktivitetet e tyre i zhvillojnë vetëm në saje të marrëveshjeve zyrtare. Aktiviteti i organizuar nën patronazhin e Rexhai Kutanit, në kuadër të ESAM-it, pra organizimin “Bota Islame dhe kërcënimet ndërkombëtare”, ishin përpjekur ta paraqesin si një aktivitet të dyshimtë dhe pa autorësi, duke dhënë informata për vendin dhe emrin me kuptime të kundërta. Madje, edhe për  këtë aktivitet është propaganduar si aktivitet të pushtetit aktual. Lajmi aq shumë ishte i mbushur me dezinformata, saqë fjalimi im kritik i mbajtur gjatë një paneli në Shkup, ishte i paraqitur si fjalim nën ndikimin e “Efektit të erdoganizmit”.
Islami në Ballkan nuk është gjë e importuar nga jashtë, por është element autentik i këtij regjioni. Pa u marrë në konsideratë myslimanët, nuk mund të bisedohet për të ardhmen e Ballkanit. Me siguri që, derisa myslimanët e Ballkanit kanë filluar ta gjejnë zërin e tyre, dikush duke i provokuar, ata dëshirojnë ta ngufasin këtë zë. T’i ndërpresësh lidhjet në mes të Turqisë dhe Ballkanit, pavarësisht se pjesëtar i cilës fe ose etni je, kjo do të thotë që t’ia ndërpresësh Ballkanit të ardhmen. Të çfarëdo qarku ose grupi qofshin ata, të cilët janë bërë mjete të kësaj loje, ata janë tradhtarë të historisë dhe Ballkanit.

MASAKRA E TIVARIT NË KUJTESËN E DISA OPOJARËVE


Nuridin Ahmeti
Nuridin Ahmeti
Pa mëdyshje, njëra nga ngjarjet më tragjike në historinë e popullit shqiptar është edhe Masakra e Tivarit. Tragjike këtë masakër e bën edhe fakti se për këtë ngjarje me pasoja për popullin tonë, në veçanti për ata që morën pjesë si të viktimizuar, e që ishin me mijëra, nuk u guxua të shkruhej për një kohë të gjatë, si nga pushtetarët vendas të kohës, ashtu edhe nga të tjerët. Madje dikush, posaçërisht ata që kishin inskenuar këtë tragjedi, sikur deshi të humbë çdo gjurmë të kësaj masakre. Ç’është e drejta, edhe njerëzit e penës, por edhe vetë ata që kishin marrë pjesë si viktima të saj, deri në vitin 1990, sikur e shuan këtë ngjarje. Ndoshta, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej populli shqiptar i Kosovës pas vitit 1945, posaçërisht pas kësaj masakre, nuk ishte e favorshme të diskutohej e të shtrohej kjo çështje.

Po sot çfarë na ndalon të mos e trajtojmë këtë ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, po jap vetëm një argument, i cili, për mendim timin, e bën edhe më tragjike këtë masakër. Në tekstet shkollore të historisë në Kosovë nuk përmendet gjëkundi kjo ngjarje. Për të qenë edhe më i saktë, në mënyrë të veçantë kam konsultuar tekstin shkollor të historisë së klasës së 9-të, në të cilin kapitulli i shtatë i tij, ndonëse mban titullin ”Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore”, fatkeqësisht nuk bën fjalë fare për këtë tragjedi.
Prandaj, gjithsesi, na mbetet neve barra që me hulumtimet e studimet e thella shkencore të korrigjojmë këto lëshime jo të vogla në historinë shqiptare, për të zbardhur një herë e mirë këtë masakër që i përket historisë së re shqiptare.

Si ndodhi Masakra e Tivarit?

Masakra e Tivarit është një nga ngjarjet më tragjike të cilën e kanë përjetuar të rekrutuarit shqiptarë nga Kosova në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Tivar të Malit të Zi. Saktësisht, ngjarja ka ndodhur rrugës për në Tivar. Sipas burimeve të ndryshme, numri i të vrarëve në këtë masakër sillet nga 1700-4300. Kur nazistët po tërhiqeshin nga territori i ish-Jugosllavisë, u krijuan fronte në Srem të Vojvodinës dhe në Adriatik, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë. E ndërkohë që shqiptarët po rekrutoheshin për të luftuar në këto fronte, nga ana tjetër, brigadat serbe po i forconin pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsej, 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare u rekrutuan e u dërguan në luftime larg Kosovës për të zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serbo-jugosllav, që do të vendosej në Kosovë. Shtabi operativ i “Kosmetit”, i urdhëruar nga SHS-ja e UNÇJ-së, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945, mobilizoi me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të “Adriatikut”, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për t’i dërguar shqiptarët në pjesët veriperëndimore të ish-Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rjekë. Për këtë front u mobilizuan shqiptarë nga Vushtrria, Besiana (Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda (Suhareka), Burimi (Istogu), Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni etj.
Pikëtakim i këtyre ushtarëve u caktua Prizreni. Deri këtu ata u drejtuan nga oficerë shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarë u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga e gjatë, por kur të mbërrinin në front iu tha se do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni, të ndarë në tri grupe, shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë prej 4,700 vetash u nis më 26 Mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar. Gjatë rrugës ushtarët u rrahën e në disa raste edhe u vranë, sidomos kur dilnin nga kolona për të shuar etjen ndokund.
Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri përtokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave të vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare e në tarraca të shtëpive, në shkëmbinj e në kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngrihet e të drejtohet drejt ndërtesës “Monopoli i duhanit”, ku filluan të shtënat. Një pjesë do të arrijë të shpëtojë për të vazhduar pastaj pas tri ditësh drejt Torogirit të Kroacisë. Kjo nisje e të mbijetuarve, sipas Muhamet Pirrakut, do të bëhet pas 12 ditësh.
Duke qenë se pikënisje u caktua Prizreni, edhe Opoja, si pjesë e regjionit të Prizrenit, nuk kishte mundësi  se si të shpëtonte nga kjo tragjedi. Opoja historikisht ka qenë e lidhur me Prizrenin dhe pothuajse të gjitha ndodhitë e Prizrenit, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social apo ushtarak, janë reflektuar edhe në Opojë. Me një ndikim të tillë për banorët e kësaj treve qe edhe Masakra e Tivarit. Por, edhe pse nuk kam mundur t’i mbështes kërkimet e mia në ndonjë dokument të shkruar, që do të fliste më saktësisht për pjesëmarrësit apo të vrarët e regjionit të Opojës në Masakrën e Tivarit, jam munduar që t’i identifikoj dhe të bashkëbisedoj me disa pjesëmarrës që e kanë përjetuar këtë tragjedi. Sikur mund të vetëkuptohet, një pjesë e tyre nuk jetojnë më, ndërsa një pjesë tjetër, ndonëse ende janë në mesin tonë, për fat të keq ngurronin të flisnin. Sidoqoftë, me gjithë mungesën e dokumenteve, jam nisur sipas parimit: “ajo që nuk mund të bëhet e tëra nuk duhet të lihet e tëra”. Andaj, e kam parë të arsyeshme që nëpërmjet rrëfimeve të gjalla të tyre të mund të nxjerr ato kujtime që do të zbardhnin sadopak çështje që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Masakra e Tivarit dhe Opoja

Bazuar në burimet e autorëve që kanë bërë fjalë për këtë ngjarje, Shtabi i 46-të i Divizionit të Serbisë i rrethinës së Prizrenit ka vrarë në Opojë 23 shqiptarë dhe ka mobilizuar 240 të tjerë, por ka edhe nga ata që thonë se gjatë kësaj periudhe në Dragash janë vrarë 500 veta. Mirëpo, duke shfletuar literaturë të ndryshme dhe duke mbledhur të dhëna direkt nga terreni, unë dyshoj se numri i banorëve nga Dragashi që u mobilizuan dhe u nisën për në Tivar sillej rreth 500 veta, sepse jo vetëm nga Opoja, por ishte edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve nga Gora që morën pjesë në këtë ngjarje. Këtë gjë e pohon edhe Muhamet Pirraku, sipas të cilit goranët kishin arritur të shpëtonin nga kjo plojë vetëm në saje të mundësisë së tyre për të komunikuar sllavisht (gorançe – N. A.). Këtë të dhënë na vërteton edhe Ramiz Qusaj, njëri prej pjesëmarrësve në Masakrën e Tivarit, i cili pohon se megjithatë kishte edhe prej goranëve që mbetën të vrarë në këtë tragjedi. Halim Krasniqi, që në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç, kurse tani imam i fshatit Brezne, kujton kur njerëzit nga rajoni i Dragashit i kanë tubuar te Hani, vend ky në hyrje të fshatit Brezne. Ai thotë: “Honi u kon i mushët me milet. M’kujtohet kur erdhon n’katundin ton ushtria e i morron plot djem t’ri xhi ishin t’fuqishëm por me lifte. Neve na than q’i p’i çojn me liftue kundra Hitlerit. Masanej do u kthyen e do s’u kthyen hiç mo. Katundi ju çitke buk me ju dhon, dikush ju çitke buk e dikush çarapa me vesh, çysh kishin, se o kon mospasje e madhe”.
Por, njëri nga pjesëmarrësit në këtë masakër është edhe Ramiz Qusaj, i cili ende jeton dhe ka një kujtesë  të kthjellët. Në bisedën tonë, ai mes tjerash kujton: “Une n’at vakot jom kon hyzmeçar n’ Smaç t’Podrimos te Iljaz Shehi i Prizrenit. Kur hini Partia Komuniste n’Prizren, mas do dite erdhon n’Smaç me e lyp Nikoll Tunin e Smaçit, se ish kon ballist, por at dit sun e morron se na e fshehom n’bar…, mas tri dite komunistat erdhon apet te shpija e Nikoll Tunit me ni sabah edhe na rrethuen kret neve, erdhon te na edhe mu m’i lypon dokumentat, kur jau dhash, m’than: “A ti je i Pllajnikit, ju na keni vra mashkllin ma t’mir, e kishte fjalon por Latiif Kolon e Shipnis, se u kon komunist e e paton vra ballistat te Cyleni, pormi Xërxe…, m’i lidhon duort me ni sixhim e n’Prizren te stanica e xhandarmaris. Aty kemi prit ja dy jav, her na ipshin me honger e her jo. Mas dy jave ka ardh ni far Gafurr Alushi, ai i dau do pleç xhi s’muntshin me ec edhe neve na çuen te ushtria moçme e serbit n’Prizren, na i dhan do buk edhe do konzerva edhe na nison por Shipni, u kon  februari-marti i 1945, jemi kon plot milet, ma shum se 2000 vet, na as pe dim ku po na çojn hiç, to hec na, edhe ni muzik po na bon rrank, rrank, rrank. Kur kemi dal te KARABASH EFENIA (vend në dalje të Prizrenit – N. A.), ni nior ka vikat pi kolonos: “Ej vllazni, vinja mendon çesaj muzikos, se kjo po thot: vorr, vorr, vorr”. Kush o kon ai, une s’e di. Xhi po hecim udhos n’te dy onot t’rrethuom me milici edhe na thojshin serbisht: “mos gzoni me dal prej kolonos se ju vrasim meniher”. Pi aty e na çuon n’Vermic. Kur mrrim n’Vermic, dy djem tri t’Kabashit shkuon me pi uj aty ngat, po meniher i vran edhe i lan me krye n’uj. Prej aty na shkuom n’Kuks. Kur mrrim n’Kuks, u bo akshomi edhe na shtin nermjet dy trinave. To nejt aty, kur krisi ni bombe. Aty u bo hallakame, edhe u vran do, s’dishim ka po vin plumat e kush po kris. Atu kemi nejt dy dit. Mas dy dite ka ardh milicia e Enver Hoxhos, se kjo milicia xhi na porcillke neve lypi nim pre milicis E. Hoxhos. Kur erdhon ata, na tham: “He lum e shyqyr xhi to t’na kapin shiptarot nepor duor”. Kur erdhon ata e t’zun me na vikat, to na thon: “Ju kosovarot lypni hjek kokon”. Na thojshin milicia E. Hoxhos: “Ju kosovarot me Xhafer Devon ju keni nimu gjermonve me na myt neve”. Ata ishin kon ma t’zi se kta.
Pi Kuksit kemi shkue n’Puk e prej Pukos n’Shkodor. I kemi bo ja kator-pes dit udh deri n’Shkodor. Dilshin plot xhin na kqyrshin, s’mundshin m’u avit ngat se plot milic mdy onot. Kur mrrim n’Shkodor, na çuon te kalaja e Shkodros. Aty kemi nejt ja dy dit, tri dit. Buk s’kishna. Edhe aty u bo ni hallakame, krisi dikush, masanej milicia i muorr ja tet veta pi nesh, i çiti para nesh dhe i pushkatoj. Aty bile i pushkatum ka met e dhe ni pllavion, po mdokot xhi e ka pas emnin Sherif Tershnjku. Pi aty na kan hyp me do anije te Liqeni Shkodros e na kan çit n’Mal  t’Zi. Pi Shkodros deri n’Mal  t’Zi i kemi bo ja dy dit. Kur kemi mrri n’Mal  t’Zi te ni kodor e madhe, kur kqyrom atje posht, po na dokot jeshil ni vend si fush, kur zhdrypom atje posht e pam xhi i shkon deti e s’ish kon fush. Aty na shtin me ni monopol t’duhonit, u hunxhom e po presim, jemi kon ja 10 opojas dhe do goron, na jemi kon bashk, kater goron jon vra, dy kukajonas edhe dy t’Backos. Kur to rrit aty, erdh ni m’cus Malazez, i kish pas nxhoft goront, se ish kon m’cus n’Kerstec n’kohën e Kral Aleksandrit, e i nxhike goront. Ai e kish pas dit xhi to t’bohet me neve, po s’na kallxojke. Na muor neve edhe na çoj me ni ullishte, kur sa u unxhom, kur pi nim krismat, ushtima ju shkojke njrzve, s’po dim xhi po bohet, na menojshna xhi ju kan ra ballistat komunistave me na shpetue neve, kjo ushtim e madhe ka zgat gati ni sahat, veç n’at moment kur ka ardh ni malazez, to na shajt serbisht, masanej erdhon edhe do ushtar, edhe bojshin llafe nermejt veti e thojshin xhi neve me na çue me ni vend çetor, te deti me na masakrue me ni skele çetor, se aty jon bo shum xhenaze edhe shum xhak e ma mir me i çue çetor ku. Une e dishom serbishton, e mirrshom vesh kret xhi po folin. Aty na morron to na sha e kur dolom prej asaj ullishtos, xhi me pa, plot xhenaze. Na xhi po hecim, po hecim kapormi xhenaze. Xhi shkilshna n’tok, xhaki na vike deri te koci komos. Ata xhi kishin met t’plagosot, veç vikitshin: ”o, a ka dikush ujë me na dhon bre”. Çai xhi vikatke, edhe çato xhi e shishin t’xhall xhi ka met n’at hallakame, malazezt i shkojshin me sakic edhe ju thojshin: ”a po doni uj, qe ujin”, ju bishin n’krye me sakic edhe i lishin n’vend. Kur shkoum rreth detit, xhi me pa, ish bo deti me kapuça t’bardh, u dokshin sikur plluma t’bardh, ish mush deti kapuça t’bardh, shoka e xhak. Neve na morron e na shtin me ni si hotel rreth detit. To hi n’hotel, ni grue malazeze na thojke serbisht: “A hala paskan met shqiptar me e hongor bukon e malazezit a?” Kur kemi dal me kqyr por penxhere t’hotelit, kishin dal populli me kerr t’kjalve, t’kive, t’lopve. I mirrshin xhenazot e si t’ja nxhitshin por krye e por kome e çitshin n’zall sikur xhon, e n’zall i mlojshin edhe i lishin. Aty nejtom ni nat e nesor erdh ni anije e madhe prej Dubrovnikit, na shtin n’anije e na çuon n’Dobrovnik. Kur mrrim atje, na shtin me ni shtall, aty ishin kon ja 120 shiptar, e neve, mas ja xhys ore aty, na n’drruon vendin. Aty, çat nat, i helmuon 120 shiptar, neve na i dhan do maska, por mi hek xhenazet, e masanej na thojshin: “se jon helmue vet, se e kan çel ni kuti e se kan dit xhi osht”. Pi aty na çuon n’Trogir. Afor Splitit kemi nejt 7 dit. Mas 7 dite, na erdh ni komandant, na pru arm edhe veshmathje edhe na tha serbisht: “ka nodh xhi ka nodh, ajo ka shkue, na nesor kemi luft me Hitlerin edhe na duhet m’u nis nesor”. Pi aty, kemi shkue n’Shibenik e prej Shibenikit kemi shkue n’Knin to liftue. Çaty te kalaja Kninit kemi liftue ja 6-7 dit, masanej kemi shkue to liftue n’Rijek, Sushak, Poçane t’Sllovenis, Ister, e shkuem ngat Pules. Manej u kthyem nepor shpi tona, se na than vendi u çlirue”.
Sipas dëshmitarëve, kjo është lista e pjesëmarrësve nga Opoja në Masakrën e Tivarit:
Nga fshati Bresanë: 1. Njazi Hajrullahi; nga fshati Brezne: 1. Mehmet Ferati, 2. Sylejman Ramadani, 3. Riza Alia, 4. Shefki Xheladini, 5. Tahir Shabani, 6. Gani Vebia, 7. Shukri Sylejmani, 8. Esat Imeri, 9. Sefer Asllani. Nga fshati Brrut: 1. Qemal Shabani. Nga fshati Kosavë: 1. Beshir Zeqiri, 2. Elmaz Sallahu, 3. Xhevit Mehmeti, 4. Garip Kuteli. Nga fshati Kuk: 1. Fadil Muhamet Jashari. Nga fshati Pllavë: 1. Eqrem Tërshnjaku, 2. Izet Cenaj, 3. Sherif Tërshnjaku (i pushkatuar në Kalanë e Shkodrës). Nga fshati Zaplluxhe: 1. Ramadan Hasani. Nga fshati Zgatar: 1. Elez Yzeiri.

Përfundim
Bazuar në literaturën e shfletuar dhe në të dhënat nga terreni që flasin për këtë ngjarje, mund të konstatoj se kjo tragjedi nuk e ka lënë pa e prekur edhe rajonin e Opojës. Viktimat e Tivarit e në veçanti subjektet të cilat i kam trajtuar në këtë punim kishin përjetuar tmerr të madh. Me një fjalë, u kishte rënë të shohin vdekjen me sy.
Nga Prizreni deri në Tivar subjektet e lartpërmendura kishin bërë afro tridhjetë ditë e net udhëtim, pa bukë e pa ujë, me fyerje e tortura, për të shkuar në vendin e vdekjes, pa dëshirën e tyre. Fatkeqësi më e madhe është se një pjesë e atyre pjesëmarrësve, që i kanë shpëtuar vdekjes, sot nuk gjenden në mesin tonë, ndërsa pjesa tjetër, që ende janë gjallë, ngurrojnë të rrëfehen. Të paktën, të dihen pjesëmarrësit me emra e me mbiemra, sepse nga të dhënat e terrenit më është krijuar dyshimi se numri i atyre që kishin përjetuar këtë ngjarje ka qenë shumë më i madh se shifrat e lartcekura.
Jam i vetëdijshëm që mundit dhe trishtimit të përjetuar të të viktimizuarve nuk mund t’u dilet borxhit në asnjë mënyrë. Megjithatë, në këtë punim jam përpjekur që, sadopak, të jap një kontribut të vogël dhe të kryej një obligim moral ndaj këtyre fatkëqijve, si edhe për të nxitur hulumtime të reja për këtë ngjarje, sa të dhimbshme, po aq të rëndësishme për historinë e re të popullit shqiptar. Tmerrin e Tivarit e dinë më mirë vetëm ata që e kanë përjetuar me lëkurë të tyre, por për të mos e lënë që ta mbulojë pluhuri i harresës, vetë protagonistët e saj që ende janë gjallë duhet t’i nxjerrin në shesh ato përjetime, për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. E në radhë të parë, ky është obligim i yni, i historianëve.
Do ta mbyllja këtë shkrim duke cituar historianin britanik, H. Seton Watson, i cili kur bën fjalë për historinë e Ballkanit, thotë: “Pena e studiuesit të historisë në këtë pjesë të botës duhet të jetë e mprehtë dhe inteligjente, madje në atë shkallë sa të dallojë gjakun nga boja e kuqe”.

LOJA E SHAHUT GJEOPOLITIK


Afrim Gashi
Afrim Gashi
Figurat e shahut në lojën gjeopolitike në botë po ndryshojnë me një dinamikë të paparë e të papërsëritur deri tani. Në këtë kontekst, Ballkani edhe kësaj radhe duket se është poligoni ku bëhet testi i parë i lojës së re gjeopolitike në botë, pra ai sërish po bëhet vendi ku do të maten forcat e aktorëve globalë. Se çfarë po ndodh në raportet mes fuqive globale, kjo është pyetja në të cilën gati askush s’mund ta rrethojë përgjigjen e saktë. Nëse “nisemi” nga Lindja në Perëndim, mund të shohim se Kina dita-ditës po i pozicionon figurat e saj të “shahut” për të depërtuar thellë në fushën e kundërshtarit, ndërsa sa i përket Lindjes së Mesme, atje “Pranvera e arabe” tashmë ka hyrë në “vjeshtën” e thellë dhe, sipas të gjitha gjasave, “dimri” pritet të vijë në çdo moment. Nga ana tjetër, rasti i Krimesë i shkundi totalisht ato rregulla ndërkombëtare, që funksiononin për më shumë se 50 vjet në arenën ndërkombëtare dhe kështu krijoi hapësirë për rirreshtime dhe ripozicionime të reja në lojën e re të shahut gjeopolitik. Më pas vijmë te zgjedhjet e Parlamentit Europian, ku fitorja e partive të djathta konservatore, që janë kundër zgjerimit të BE-së, sinjalizoi se zgjerimi i shumëpritur i BE-së në vendet ballkanike mund të presë me dhjetëra vite (të paktën 10 vjet sipas znj. Merkel).
Ndërkohë Ballkanin e patën kapluar ethet zgjedhore, të cilat ende e mbajnë me temperaturë të lartë “trupore” këtë rajon. Serbia, Maqedonia e Kosova ishin në zgjedhje, të tria të parakohshme, dhe shikuar nga prizmi i lojës së re gjeopolitike, fuqitë e mëdha me pretendime globale dhanë sinjale se janë të interesuara të përçojnë mesazh se në Ballkan po vjen koha për ripozicionime globale në “lojën e shahut”, ku secili është në garë për të zënë vendin më strategjik. Kjo matje forcash po bëhet më e dukshme në Kosovë, ku faktori ndërkombëtar po merr rolin determinues në formimin e qeverisë së re të saj.
Vështrimi analitik i gjendjes dhe përkufizimi i saktë i situatës së re, të krijuar në rrethana globale, nuk është se neve shqiptarëve na bën shumë dobi, ngaqë si një komb i vogël që jemi, me kapacitete aq të papërfillshme, kemi mbetur mbase “pionë” në këtë “lojë shahu”. Megjithatë, qëndrimi total indiferent ndaj situatës dhe shfrytëzimi i po këtij konteksti të ri gjeopolitik nga ana e lidershipit shqiptar vetëm për përfitime të ngushta personale e grupore, na bën të konstatojmë se kemi mbetur, ndoshta kombi i vetëm evropian, që s’ka asnjë vizion për të ardhmen e tij. Madje, të qenit “pion” në këtë “lojë”, ku të lëvizin kur të duan e të ndërrojnë për çka të duan, megjithatë shqiptarët i bën pjesë e “lojës”. Prandaj, nuk është edhe aq problem i madh pse jemi “pionë”, se ashtu ende jemi në “lojë”, por problemi më i madh konsiston me përjashtimin total nga “loja”. Andaj, në këso konstelacionesh, frika që u kanoset shqiptarëve si komb në përgjithësi është se ata në përfundim të kësaj matjeje forcash mes Fuqive të Mëdha mund të përfundojnë sërish në izolim, i cili mund t’i ngjajë në shumëçka, Shqipërisë enveriste. Është zilja e fundit e alarmit për zgjimin e shqiptarëve nga gjumi shekullor i injorancës politike. Ky zgjim duhet të jetë intelektual e moral, për të krijuar një strategji veprimi në suaza kombëtare, në përputhje me erërat e reja globale, që po kaplojnë edhe Ballkanin. Mbase, ky mund të jetë edhe treni i fundit në të cilin po nuk hipëm, do të mbesim në stacionin e degradimit kombëtar, ku “trenat” nuk do të kalojnë më asnjëherë ose do të mbetemi pranë binarëve vetëm duke shikuar se si kombet rreth nesh udhëtojnë me po ato “trena”. Prandaj duhet ta konstatojmë saktë se cilat janë kapacitetet tona dhe çfarë vendi mund të zëmë ne në kompozicionin e ri të rireshtimit të fuqive globale, por assesi para se ta krijojmë vizionin tonë kombëtar se cila është “rruga” në të cilën jemi nisur dhe ku duam të shkojmë.
Kjo “lojë” nuk është edhe aq e lehtë. Ajo kërkon flijim të disa neuroneve kombëtare, kërkon dije e strategji veprimi dhe lëvizje të duhur në kohën e vendin e duhur. Po i bëre këto, mbase mund të humbasësh, por megjithatë mbetesh në radhë për lojën që vjen. Kurse, ata që nuk e kuptojnë këtë “lojë” janë të destinuar të mbeten vetëm shikues dhe komentues të zhurmshëm të “lojës së shahut gjeopolitik” dhe do të vazhdojnë t’i thurin lavde historike kombit, duke e shpërfaqur mbijetesën si suksesin më të madh kombëtar. Ndërkaq, ne e kuptuam ose jo, shahu do të vazhdojë të luhet…

ÇARSHIA E SARAJEVËS VENDI I MBIJETESËS DHE RESTORANTEVE ME NAM TË SHQIPTARËVE


Çarshia në Sarajevë
Një fjalë e vjetër karakterizon turizmin në kryeqendrën boshnjake: “Nëse nuk ke vizituar “Çarshinë e Vjetër”, nuk ke vizituar Sarajevën”.
Gjithçka parakalon nëpër rrugët me kalldrëm, kultura e vjetër qytetare, historia dhe bëmat e luftës që për shumë vizitorë përkujtojnë ngjarjet ku viktimat ishin të shumta nga shpërthimet mu në mes të “Çarshisë”.
Pikërisht nga kjo lagje e vjetër, Portalb sjell rrëfimin e mbijetesës dhe ngritjes së vazhdueshme të pronarëve shqiptarë që tani më njihen në Çarshinë e Sarajevës me namin e restoranteve ku ofrohen specialitete karakteristike.
Anësh rrugicave të ngushta në formën e kalitur arkitekturore që rruajnë vjetërsinë e një trashëgimie artizanale, qëndron një numër i madh i objekteve në formën e shtëpizave që me kalimin e kohës janë shndërruar në objekte hoteliere.
Çarshia në Sarajevë
Në lagjet më të frekuentuara të Sarajevës, zë fill edhe puna e shumë shqiptarëve, që në vitet e hershme. Ata në fillim përbënin vetëm një krah të lirë punë për tu bërë më vonë pronar të shumë dyqaneve.
Shumë shqiptarë kanë arritur që t’i rezistojnë kohës së luftës dhe të vazhdojnë veprimtarin e trashëguar nga të parët.
Në mesin e 15 familjeve shqiptare nga Maqedonia që tani më jetojnë në Bosnjë, disa prej tyre kanë dyqanet më të njohura në “Çarshinë” e Sarajevës.
Çarshia në Sarajevë
Kualitetit të një skare plotë shije që shërbehet në qebaptoren e familjes Memeti, nuk ka si t’i rezistojnë turistët e shumët por edhe kalimtarët e rastit.
Të parët e familjes Memedi në Sarajevë janë që nga viti 1968. Nga shërbyes të thjesht ata lënë për pasardhësit e tyre një biznes familjar që ndër vite rruajnë cilësinë e shërbimit dhe kualitetin e gatimit.
Haris Memeti është nga fshati Çajle i Gostivarit. Kjo familje ka shitoren e tyre në Çarshi e Sarajevës. Të parët e tyre kanë ardhur në Sarajevë që në vitin 1968. Qebaptorja e familjes Memeti është e njohur në Sarajevë, kjo falë kualitetit dhe shërbimit të mirë që është i njohur ndër vizitorët e Çarshish së Sarajevës.
Familja Mehmeti tani me mund të konsiderohet si e vendit. Brezi i dytë po kryen shkollën në Sarajevë.
Mitat Fida, nga fshati Balindoll prej vitesh kanë byrektoren dhe ëmbëltoren e tyre në Sarajevë. Biznesi i tyre familjar thotë Fidani i mbijetoi luftës me gjithë problemet që krijoi ajo.
Faton Iseni, trashëgon shitoren e babait të tij i cili me vite të tëra ka punuar dhe jetuar në Sarajevë. Të mbijetosh në një vend të huaj nuk ka qenë e lehtë. Fatoni thotë se të parët e tyre kanë punuar me përkushtim dhe e njëjta gjë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Familjet shqiptare që jetojnë në Sarajevë, konsiderohen si banorë të vendit. Brezat më të rijnë kanë kryer shkollat dhe janë të orientuar që të vazhdojnë dhe risin bizneset që i kanë trashëguar nga prindërit e tyre. Përkundër kësaj ndenje ata thonë se janë shumë të interesuar për vendlindjen, ndonëse nuk shprehen të sigurt nëse një ditë do të kthehen përgjithmonë në vendin e tyre.
Pamje nga Sarajeva (8)
Pamje nga Sarajeva (3)

DY POPUJ, NJË FAT


Abdi Baleta
Abdi Baleta
Kronika e paralelizmave historike, ideologjike e fetare dhe ngjashmëritë e situatave në të cilat janë gjendur kohë pas kohe shqiptarët e boshnjakët është më e pasur se ajo e marrëdhënieve konkrete ndërmjet tyre në nivel kombëtar e shtetëror.
Fizionomitë e sotme kombëtare me ngjashmëri shpirtërore-psikologjike te shqiptarët dhe boshnjakët u formuan nëpërmjet procesesh të ndërlikuara historike në Ballkan, ku gjatë shekujsh janë kryqëzuar, ndeshur e ndërthurur popullsi, qytetërime, fe, ideologji e sisteme të ndryshme shoqërore e politike. Shqiptarët e boshnjakët u gjendën bashkë në betejën e Fushë-Kosovës të vitit 1389 përballë ushtrive osmane. Trojet e Bosnjës e trojet shqiptare u përfshinë në Perandorinë Osmane pothuajse në të njëjtën kohë, në shekullin XV. Procesi i myslimanizmit ka qenë më masiv dhe më i vrullshëm te boshnjakët dhe shqiptarët sesa te ballkanasit e tjerë. Shqiptarët e boshnjakët ishin elementë më dinamikë se ballkanasit e tjerë në fuqizimin e Perandorisë Osmane, por e paguan shtrenjtë rënien dhe shembjen e saj në shekujt XIX-XX. Megjithatë, në Bosnjë dhe në trojet shqiptare ruhen ende shenja të dukshme të trashëgimisë së çmuar nga periudha e sundimit perandorak osman.
Gjysma e kombit shqiptar dhe boshnjakët u trajtuan si elementë të dorës së dytë në Jugosllavinë monarkiste dhe komuniste. Megjithatë, edhe në ditët më të mira të “miqësisë” midis “Shqipërisë së Enverit” dhe “Jugosllavisë së Titos” nuk u krijuan marrëdhënie të afërta shqiptaro-boshnjake. Ndërkaq rënia e sistemit komunist u pasua në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX nga luftërat gjenocidale dhe spastrimet barbare etnike të Serbisë, si kundër boshnjakëve, ashtu edhe kundër shqiptarëve. Megjithatë, nuk pati reagime të bashkërenduara institucionalisht midis tyre kundër rrezikut dhe armikut të përbashkët. Në Bosnjë vërtet luftuan një numër shqiptarësh nga Kosova, por kjo bëhej mbi baza vullnetare individuale. Kur luftohej në Bosnjë, në udhëheqësinë politike shqiptare në Kosovë mbizotëronte fryma dhe politika e “rezistencës paqësore” pasive, që natyrisht i shkonte për shtat Serbisë. Kur luftohej më vonë në Kosovë, në udhëheqësinë politike dhe opinionin boshnjak, të stërmunduar nga lufta, mbizotëronte fryma pragmatiste e përshtatjes ndaj “zgjidhjes së Dejtonit”.
Karakteristikë e përbashkët dhe e veçantë e fizionomive kombëtare boshnjake shqiptare është se ato janë formuar dhe ruajtur nën ndikimin e njëkohshëm, të fuqishëm e begatues të fesë islame. Por, në Bosnjë-Hercegovinë ndarjet e besimtarëve sipas feve myslimane, katolike e ortodokse çuan në kristalizimin e ndarjes në tri identitete kombëtare. Ndërkaq në trojet etnike shqiptare, ku gjithashtu kanë vepruar e veprojnë të tria këto fe, nuk ndodhi një dukuri e ngjashme, por u konsolidua një komb i vetëm shqiptar, me shumicë myslimane (Nathalie Clayer, 2007).
Edhe pse fetarisht shumica e shqiptarëve janë më të lidhur me boshnjakët se me cilindo popull tjetër ballkanas, marrëdhëniet konkrete kanë munguar. Këto “marrëdhënie të munguara” bien më shumë në sy kur hedhim vështrimin te fusha më kryesore, ajo e marrëdhënieve ndërshtetërore ose institucionale. Federata 2 (kroato-boshnjake)+1(Republika Sërpska) e Bosnjë-Hercegovinës ka marrëdhënie diplomatike e politike vetëm me njërin nga dy shtetet e sotme shqiptarë, me Republikën e Shqipërisë. Por, këto marrëdhënie janë konkretizuar dobët në fusha të tjera me interes praktik. Herë pas here shkëmbehen vizita personalitetesh, që nuk lënë gjurmë e mbresa për t’u mbajtur mend. Janë përfunduar edhe marrëveshje që nuk kanë dhënë rezultate të prekshme në shkëmbimet tregtare ose kulturore dhe nuk kanë krijuar prirje afruese. Vetë mekanizmat e burokracisë fetare myslimane të Bosnjës e të Shqipërisë janë sjellë si të panjohur midis tyre. Shqipëria dhe Bosnja mbeten për njëra-tjetrën shumë më të largëta se sa janë në realitet gjeografikisht dhe sa u intereson gjeopolitikisht. Shqipëria nuk ka dëshmuar shkathtësi diplomatike për të hedhur drejt Bosnjës ura lidhjeje e bashkëpunimi, që të paktën marrëdhëniet me të të mos mbeten shumë larg nivelit të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e saj fqinje ortodokse.
Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë binin në sy qëndrimet e rezervuara të politikës e të diplomacisë shqiptare për t’u solidarizuar me kauzën boshnjake. Reagimet në Tiranë ishin më shumë përsëritje formulimesh standarde, që dëgjoheshin nga shtete që nuk mbështesnin hapur agresionin serb. Në kujtesën time nga ato vite kam të shënuar vetëm një takim në nivel të lartë shqiptaro-boshnjak. Në dhjetor të vitit 1992 në Xhedah të Arabisë Saudite u mbajt takimi në nivel të lartë i Organizatës së Konferencës Islamike, ku Shqipëria u pranua si anëtar me të drejta të plota. Bëja pjesë në delegacionin qeveritar, ndonëse isha vetëm deputet. Në atë takim mbërriti veçmas edhe Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha. Shkova në dhomën e tij në hotel të bisedoja lirshëm për zhvillimet politike në Shqipëri dhe në Partinë Demokratike. Nuk qëndrova gjatë, sepse më tha që priste t’i vinte në ato çaste për bisedime Presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Nuk mësova ndonjëherë nëse u takuan e çfarë biseduan. Izetbegoviqi ka shkruar vetëm pak fjalë se avioni i posaçëm, që ishte dërguar prej një miku të tij nga Emiratet Arabe ta çonte në Arabinë Saudite, kishte bërë një ndalesë në Tiranë për të marrë edhe Sali Berishën. Nuk bën fjalë për bisedime politike. Madje tregohet i painformuar mirë për jetëshkrimin e Berishës, sepse e cilëson “mjek shqiptar që ka studiuar në SHBA” (Alija Izetbegoviq “Inescapable Questions”, 2003, f. 149).
Ndërsa me udhëheqësit më të lartë politikë serbo-malazezë në atë kohë lufte, Presidenti Berisha dhe Kryeministri Aleksandër Meksi janë sjellë krejt ndryshe. Ata kanë pritur në vizita zyrtare në Tiranë kryeministrin e Serbisë, Milan Paniq, dhe Presidentin e Malit të Zi, Momir Bullatoviq. Jo vetëm kanë biseduar me ta, por u kanë bërë dhe lëshime. Vite më vonë Bullatoviqi është mburrur publikisht se kishte bindur Berishën të thyente embargon e OKB-së ndaj Jugosllavisë së cunguar (Serbi-Mal i Zi) dhe ta furnizonte atë me karburante nëpërmjet kufirit shqiptaro-malazez. Këtë e ka pohuar edhe Berisha, por duke u justifikuar se nuk ishte vetëm Shqipëria që thyente embargon dhe se ai vendosi ta bënte atë hap për të furnizuar me naftë shqiptarët e Kosovës. Millosheviqi po u merrte frymën e fundit shqiptarëve të Kosovës, kurse Berisha nëpërmjet tij po u çonte atyre ndonjë fuçi nafte(!).
Historia e thyerjes së embargos ka qenë shumë më e ndërlikuar. Ajo drejtohej nga Athina, nga qeveria greke dhe kisha greke. Në vitin 1992 në Athinë ishte vendosur multimilioneri serb, Vlladimir Bokan, që kishte marrë menjëherë shtetësinë greke dhe koordinonte veprimtarinë për furnizimet me naftë nga Greqia drejt Serbisë, nëpërmjet Shqipërisë. Qeveria shqiptare së pari shkelte ligjet e vendit, duke lejuar që nafta greke të hynte pa kontroll doganor (kontrabandë) në Shqipëri dhe pastaj e përcillte këtë, po me kontrabandë, drejt Malit të Zi (Takis Michas, “Unholy Alliance, Greece and Miloseviç’s Serbia” 2002, f. 68-69). Historia me thyerjen e embargos së OKB-së ndaj Serbisë do të mbetet përgjithmonë mëkati më i rëndë ndaj popullit mysliman boshnjak dhe turpi më i madh për shtetin shqiptar, që i bënë pushtetarët e Tiranës të asaj kohe.
Horizontet e marrëdhënieve shqiptaro-boshnjake i errëson edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnjë–Hercegovina, e cila është radhitur kështu përkrah Serbisë dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që vazhdojnë me kokëfortësi të pengojnë harmonizimin e politikës së këtij bashkimi lidhur me Kosovën. Kjo mosnjohje është pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në interes të përbashkët shqiptaro-boshnjak në tërësi. Shqiptarët natyrisht dinë të bëjnë njëfarë dallimi midis “armiqësisë” së Bosnjë-Hercegovinës dhe armiqësisë që tregojnë Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia e Spanja ndaj pavarësisë së Kosovës, sepse është Republika Sërpska që luan sigurisht rolin kryesor në bllokimin e njohjes nga federata 2+1. Por, edhe faktorit boshnjak në këtë federatë i takon të marrë përgjegjësitë e veta parimore dhe të mos priret vetëm nga pikësynime konjukturale për të mos u ballafaquar me qëndrimin e Republikës Sërpska. Federata 2+1 nuk mund të ruhet duke mohuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qëndrimi negativist boshnjak në këtë çështje ushqehet dhe me disa qëndrime të së shkuarës lidhur me pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Udhëheqësit komunistë të myslimanëve të Bosnjës në thelb nuk e vështronin ndryshe nga Serbia zgjidhjen e problemit të shqiptarëve, por e trajtonin vetëm në kuadër të statusit të pakicave kombëtare brenda republikave sllave të përcaktuara në Jajce. Në vitin 1981, kur shqiptarët manifestuan fuqishëm me parullën “Kosova Republikë”, udhëheqësit boshnjakë në forumet më të larta të Jugosllavisë, sidomos Raif Dizdareviqi, ishin po aq të vendosur kundër kërkesës shqiptare sa edhe udhëheqësit serbë e malazezë. Gjatë tratativave politike për fatin e Bosnjë-Hercegovinës, nëpërmjet një “Marrëveshjes historike” të dështuar serbo-boshnjake në fillim të viteve 1990 udhëheqësit boshnjakë (më konkretisht Adil Zylfikarpashiqi) përsëri prireshin nga koncepti se midis 6 republikave ekzistuese duhej krijuar një konfederatë jugosllave ose dhe vetëm midis Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës e Maqedonisë, kurse për shqiptarët “vëllezër në besim” mjaftoheshin me kërkesën që të mos trajtoheshin më aq keq, por të mbeteshin në pozitën e pakicave (Alija Izetbegoviq “Inescapable Questions”, 2003; Adil Zylfikarpashiq e të tjerë , “Bosnja në Pranga-biseda. 1994”; Millovan Gjillas “Boshnjaku Adil Zylfikarpshiq”, 1996).
Shqiptarët e boshnjakët i japin Ballkanit një tipar e disa vlera të veçanta si e vetmja pjesë e kontinentit europian ku jeton një popullsi e konsiderueshme autoktone që i përket besimit islam. Njerëzit e arsyeshëm i çmojnë vlerat e kësaj dukurie. Por, ka edhe shumë të paarsyeshëm që ëndërrojnë për një “rikonkuistë të krishterë “ si në mesjetë. Islamofobë të çoroditur në Shqipëri kanë dhënë disa herë alarmin se bota myslimane po krijonte “rrethimin islamik shqiptaro-boshnjak” kundër Serbisë. Gjenocidet e spastrimet e tyre etnike në Bosnjë e në Kosovë serbët përpiqeshin t’i shfajësonin duke i paraqitur si “mbrojtje të Europës nga fundamentalizmi dhe terrorizmi islamik”. Kësaj propagande asnjëherë nuk i janë kundërvënë reagime shqiptaro-boshnjake të bashkërenduara. Udhëheqësit myslimanë në Bosnjë interesoheshin në radhë të parë të shpëtohej ajo që ishte krijuar historikisht, harta gjithë njolla të imëta etnike e Bosnjë-Hercegovinës si një formacion shtetëror. Në Kosovë udhëheqësitë politike e intelektuale kujdeseshin vetëm që të mos u shkiste ndonjë gjest që dikush mund ta interpretonte si shenjë të fundamentalizmit islamik.
Në Shqipëri dhe në Bosnje (Jugosllavi) për dekada Islami është goditur rëndë nga regjimet komuniste. Në Bosnjë në shënjestër të përndjekjes politike, policore e ligjore ishte vënë kryesisht “Islami politik”, organizata “Myslimanët e rinj” dhe ithtarët e “Deklaratës islamike”. Në Shqipëri Islami dhe fetë e tjera u shpallën të jashtëligjshme, u shkatërruan faltoret, u ndaluan praktikat e ritet fetare. Boshnjakët patën përfitime të mëdha nga “Islami politik”. Nga radhët e “Myslimanëve të rinj” dolën drejtuesit kryesorë të luftës së boshnjakëve në vitet 1990, kurse shqiptarët nuk krijuan dot organizim e përvojë të “Islamit politik”.
Pas rrëzimit të komunizmit, mbi shqiptarët ka vepruar një frymë islamofobe e panjohur në të kaluarën. Në shënjestër më shumë vihet “Islami politik”, që në fakt ende nuk është përvijuar si duhet dhe nuk luan ndonjë rol të mirëfilltë fetaro-shoqëror. Në muajt e parë të vitit 2014 shpërthyen dy stuhi islamofobe. Së pari, në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri, nisi zhurma për të miratuar një ligj të rreptë që ndëshkon rëndë “shqiptarët që shkojnë të luftojnë në vende të tjera” (konkretisht në Siri). Absurditetin politiko-ligjor të një ligji të tillë dhe dëmet që mund të sjellë ai kur të zbatohet, i ka zbuluar qartë Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës. Në Tiranë, nën psikozën e këtij projektligji, filloi rrufeshëm e frikshëm, para miratimit të tij, një aksion i forcave policore, që vunë në pranga dy “imamë të vetëshpallur” e disa pasues të tyre. U sajua një herezi e re fetare dhe një koncept i padëgjuar penal nëpërmjet akuzës: kanë bindur dhe kanë rekrutuar shqiptarë të shkojnë të luftojnë në Siri. Kjo shërbeu edhe si provë e shpërthimit të frymës së keqe të ngulitur në mendjet politike, policore, ligjzbatuese dhe propagandistike të Shqipëri gjatë dy dekadash trysnie islamofobe mbi shqiptarët, në të cilën janë dalluar e dallohen shkrimtarë si Ismail Kadare, Kiço Blushi, Ben Blushi, pamfletistë katolikocentristë e janullatistë, intelektualë e gazetarë jugosllavistë në Kosovë e në Maqedoni. Ish-shefi i shërbimit sekret shqiptar, Fatos Klosi, i njohur dikur si protagonist i goditjeve kundër “rreziku të terrorizmit islamik”, bëri papritmas një deklaratë mbresëlënëse se në Shqipëri është më i madh rreziku që vjen nga kisha greke dhe Janullaotsi sesa nga terrorizmi islamik. Por, fjalët e tilla nuk e kthjelluan mendjen e deputetit Ben Blushi, që vazhdon të këmbëngulë se “Islami politik është rreziku për Shqipërinë” dhe kërkon që kundër tij të luftohet duke “defetarizuar shqiptarët”. Para 20 vitesh ishte Kiço Blushi që kthimin e myslimanëve shqiptarë në të krishterë synonte ta arrinte nëpërmjet “njëfetarizmit”, që dështoi. Tani i biri kërkon që kjo të bëhet duke u rikthyer tek praktikat e dështuara të komunizmit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...