Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/06

ALDA BARDHYLI :Klasikët dhe Lana Del Ray


Sam Jink’s_1Ti mund të lexosh Scott Fitzgerald apo Viktor Hygo teksa hapësira e dhomës tënde është e mbushur me tingujt e Maurice Ravel. Duket sikur pianoja shoqëron mendimet e Fitzgerald nga një faqe në tjetrën, dhe kjo nuk ndodh se ata janë të dy francezë. Nën këtë muzikë ti mund të humbasësh në “Shpirtra të vdekur” të Gogolit, teksa ndjek “Lolitën” e Nabokovit apo teksa trishtohesh nga fati i një gruaje ruse si Ana Karenina e Tolstoit. George Eliot, Jane Austin, Çehov, Dostojevski mund të ndihen po aq lehtë nën piano. Ashtu si Homeri apo Platoni, ata nuk mund t’i lexosh teksa në sfond dëgjon Lana Del Ray. Një nga pyetjet që shtrohet shpesh në biseda apo revista letrare sot është fati i klasikëve … Si mund të endesh me javë në faqet e Balzakut, ndërkohë që jeta jote nuk u ngjason më viteve 1800? Dukesha Dë Lonzhe mund të mësojë se ka gjithnjë një formë për të hequr trishtimin për një burrë, duke e hedhur vështrimin te një tjetër, por fustanet e saj të gjata nuk mund t’i veshësh dot sot në zyrë. Dinjiteti i Ariadnës së Çehovit mund të duket si një kohë e humbur, në vite si këto të sotmet, ku dashuria është shpërndarë në qiell si një eter. Në asnjë libër të letërsisë së sotme bashkëkohore nuk mund ta gjesh Ariadnën, këtë grua kaq të ndjeshme që e izolon veten për një burrë. A mund ta imagjinojmë sot John Fanten, që teksa pi skoç në një bar, mendon se si mund të kishte shkuar marrëdhënia e tij me Kamilën, nëse nuk do ta kishte shkruar “Pyes pluhurin”. Por nën ndjesinë e shkrimit, do të kishte lënë në dhomën e thjeshtë makinën e shkrimit për të kaluar mbrëmjen tek ajo. Është një qytet i tërë ku mund të ndiesh frymëmarrjen e klasikëve. Gjen aty Moppasan, Radiguet, Voltaire, Condrad, Manzonin, Hemingway, Kafkën, Gogolin … të bindur që pavarësisht kohës që rend aq shpejt, do të ketë sërish duar që do t’i prekin. Nuk do të jenë ndalesa vetëm për të prekur sadopak lumturinë, por për të marrë prej andej palcën e funksionimit të jetës njerëzore. Është një botë e tërë e ndërtuar brenda një qyteti, që zgjerohet çdo ditë dhe i jep jetë botës sonë të madhe. Një botë që është krijuar ashtu e bukur, nga shpirtra të trazuar në kohë të tilla, që krijuan aty përsosmërinë për të tashmen tonë. Turgenjevi do të jetë gjithnjë aty, për të treguar se esenca e së jashtëzakonshmes është pikërisht tek ajo që ndodh brenda teje dhe vetëm që andej mund të shohësh më mirë. Leopardi nuk do ta lërë asnjëherë këtë qytet. Pavarësisht sesi shpesh duket sikur humb nga qytete të tjera të mëdha që mbushen çdo ditë me botime të reja bashkëkohore, ky qytet s’mund të jetë asnjëherë i padukshëm. Ashtu si me çdo gjë dhe me klasikët koha thjesht na bën të shohim më qartë rolin e tyre. Ata do të jenë gjithnjë aty, duke na befasuar në çdo rilexim, e duke parë sesi personazhet e shkruar kohë më parë rimishërohen çdo ditë në kohët tona. Ata do të jenë aty, si një pasqyrë për të na treguar kush jemi e ku kemi mbërritur. Do të jenë si një shtëpi e ëmbël, ku ti do të doje të kaloje mbrëmje të tëra, pa dashur të agojë … Rritja e numrit të botimeve të reja bashkëkohore nuk mund t’i zbehë klasikët, pavarësisht pikëpyetjeve që vihen shpesh bri emrave të tyre … Thjesht në sfond do të shkonte më shumë heshtja se zëri i Lana Del Ray …

Avokati i Popullit: Të shmanget largimi me forcë e familjeve rome nga Liqeni Artificial

Familje-rome-tek-liqeni
Familje-rome-tek-liqeniAvokati i Popullit ka nisur me iniciativë shqyrtimin e çështjes, që lidhet me zhvendosjen e pritshme të familjeve rome, të vendosura në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës.

“Theksojmë se ky është rast i përsëritur, në të cilin dalin probleme të mprehta sociale, që lidhen me strehimin e familjeve rome, të cilat janë vendosur në zona periferike të qyteteve të mëdha.

Në kuadër të hetimit administrativ të nisur nga Avokati i Popullit, kemi kërkuar shpjegime nga Bashkia Tiranë, për bazën e trajtimit të kësaj çështje, studimit të mundshëm paraprak që ka kryer në lidhje me këtë, si dhe të masave të parashikuara për vazhdimin normal të jetesës të familjeve rome, të cilat jetojnë në këtë zonë. Po kështu, ekspertët e Avokatit të Popullit kanë inspektuar në vend familjet rome dhe kanë marrë informacionet e para”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Më tej Avokati i Popullit u bë thirrje institucioneve të shmangin sa është mundur zhvendosjen me forcë të familjeve rome nga zona e Liqenit Artificial.

“Trajtimi i mëtejshëm i këtij rasti është në ndjekje të posaçme nga ana e Avokatit të Popullit, i cili i ka paraprirë këtyre zhvillimeve me konstatime të hershme, duke evidentuar gjendjen e të drejtave të minoritetit romë në Shqipëri edhe në raporte të posaçme. Gjithashtu, Avokati i Popullit ka përgatitur dhe u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse, një sërë rekomandimesh të rëndësishme, që synojnë marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit romë.

Përtej çdo paragjykimi lidhur me këtë çështje, konsiderojmë si prioritare: përjashtimin kategorik të zhvendosjes me forcë të këtyre familjeve rome nga territori publik në zonën e Liqenit Artificial. Shmangia e keqtrajtimit fizik të këtyre banorëve duhet të jetë në vëmendjen e çdo institucioni shtetëror, aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, pasi në të kundërt kalojmë në një situatë të kundërligjshme, që cenon çdo standard ndërkombëtar, të vendosur për përmirësimin e kushteve të jetesës normale të këtij komuniteti.

Avokati i Popullit do të vazhdojë ndërhyrjen e tij proaktive për sqarimin e plotë dhe zgjidhjen sa më optimale të kësaj çështje”, thuhet në njoftim.

Banorët te liqeni: Nuk ikim nga kryeqyteti, edhe nëse na heqin me forcë


Ilda Hoxha
Kryefamiljarët romë, të mbërritur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që prej mbi 20 vitesh jetojnë në kryeqytet, rrëfejnë për gazetën “Shqip” se ndihen të diskriminuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës do të strehojë në qendrën e emergjencave vetëm 3 familjet rome që janë nga Tirana. “Pse ne romët që jemi nga Elbasani jemi ndryshe? Çfarë kemi ne ndryshe? Ne kemi 23 vjet në Tiranë, fëmijët kanë lindur këtu. Çfarë duhet për të qenë nga Tirana? S’kemi ku mbytemi jo! S’do ikim në asnjë vend! Ku do hamë ne, ku? Po ikëm në Elbasan do vdesim”, thotë Enkeleda Nuredini, nënë e tre fëmijëve, të pashkollë, që po ashtu rrëmojnë kazanëve për 2 lekë më shumë. Të dëshpëruar për fatin e tyre, ata shprehen të zhgënjyer nga të gjitha qeveritë, që ende sot nuk provojnë t’u japin zgjidhje halleve të tyre, që emërues të përbashkët nuk kanë as më shumë e as më pak se luftën e egër për mbijetesë. Dy të afërm, kryefamiljarë në familjet e tyre, Saimir Nuredini dhe Enkeleda Nuredini, të vendosur theksojnë për gazetën “Shqip” se kryeqyteti është i vetmi burim të ardhurash, prandaj edhe s’do të ndalen, do të protestojnë dhe nuk do të largohen as nga liqeni as nga Tirana, pa iu gjetur një tjetër pikë strehimi, siç deri më tani ka qenë liqeni artificial.
Rrëfimi i Saimirit
Saimir Nuredini është një prej banorëve të kësaj zone, ku prej 3 vjetësh jeton bashkë me djalin dhe gruan e tij. Jeta e Nuredinit dhe e familjes së tij ka qenë në endje sa në një vend në tjetrin. Ai tregon se ka ardhur nga qyteti i Elbasanit dhe prej 15 vitesh ka jetuar në zonën e ish-Stacionit të Trenit. Më pas, pasi iu dogj baraka, u vendosën në zonën e Pallatit me Shigjeta ku jetuan 3 vjet. Por për fat të keq, edhe nga aty i përzunë dhe në fund përfunduan te liqeni dhe historia përsëritet, edhe aty nuk ka paqe për ta. “Nuk na kanë njoftuar me shkrim që duhet të largoheni. Ata vetëm kanë marrë emrat tanë dhe origjinën nga jemi. Fjala është që duhet të largohemi nesër (sot). Ne jemi nga Elbasani dhe atje nuk kemi shtëpi. Kam qenë një nga 37 familjet që kemi jetuar te Pallati me Shigjeta. Kam 23 vjet që jetoj në Tiranë, ndërsa këtu te liqeni 3 vjet. Kam jetuar më parë te Stacioni i Trenit për 15 vjet dhe më pas u vendosëm te Pallati me Shigjeta. Fëmijët tanë janë rritur këtu në Tiranë. Shteti ynë nuk e di çfarë na bën, tallet me ne. Zbor na bën shteti, ngrehuni këtej shkoni andej”, rrëfen Nuredini. Lajmin se duhet të largohet nuk e ka pritur mirë, madje pohon se nuk ka ndër mend të kthehet në Elbasan. “Ja u kthyem atje ku duan të na çojnë, çfarë do bëjmë atje? Asgjë. Prapë këtu do të jemi. Këtu në Tiranë do të vijmë, rrugëve do të flemë. Të mos na lëvizin që këtej, këtë duam ne, nuk kemi ku të shkojmë. Ne jemi të gjithë nga rrethet”, pohon 33-vjeçari rom. Për shkak të kushteve të vështira të jetesës, ai është detyruar që ta largojë nga shkolla edhe djalin e tij, i cili ishte një prej nxënësve më të mirë të klasës. “Orgito ka qenë një fëmijë që studionte shumë, ka qenë me nota maksimale dhe e hoqëm sepse nuk kishim para ta çonin. Unë ngela pa punë dhe u detyruam e larguam. Sivjet kalonte në klasën e katërt djali im. Ka qenë në shkollë në Selitë”, sqaron Nuredini. Ai thekson se sa ka jetë dhe shpresë, është i vendosur për t’i bërë ballë jetës së vështirë.
Historia e Enkeledës
Një tjetër banore është edhe Enkeleda Nuredini, nënë e tre fëmijëve, e cila shprehet e shqetësuar për situatën që po kalojnë. Mungesa e një mundësie punësimi është një problem i madh për të, por fakti që duhet të lërë strehën e saj, e shqetëson edhe më shumë. Ajo ka jetuar në Elbasan, ndërkohë që prej 3 vjetësh banon në një prej 200 barakave në zonën e liqenit artificial. “Kam tre fëmijë, në Elbasan nuk kam shtëpi. Kam qëndruar te gjyshja e burrit, ajo vdiq dhe unë ngela nëpër rrugë. Ku të shkoj unë në Elbasan, nuk kam çfarë të hamë. Pa punë jam, vetëm me ndihmë ekonomike jetoj. Tokë nuk kam fare, sepse po të kisha do shkoja të bëja një barake dhe do rrija atje. Këtu jetoj me fëmijët dhe burrin, nuk njoh asnjë njeri, nuk kam ku të shkoj, kam 3 vjet këtu”, tregon Enkeleda. Hallet për të nuk kanë fund, pasi asnjë prej fëmijëve të saj nuk shkon as në shkollë dhe as në kopsht. Sipas saj, fajin për këtë e kanë shoqatat që vijnë e i mashtrojnë dhe në fund largohen vetëm me fjalë të bukura dhe asgjë konkrete. “Njëra prej vajzave, më e madhja është 7 vjeçe, tjetra 4 dhe djali 2 vjeç. Nuk i çoj as në shkollë dhe as në kopsht. Vijnë ata të shoqatës njëherë i marrin, njëherë jo, vetëm tallen me ne. Nuk i kemi fëmijët në shkollë si të gjithë njerëzit normalë”, deklaron nëna e tre fëmijëve. Ajo nuk ka asnjë burim të ardhurash veç mbetjeve që mbledhin, ku herë nxjerrin 500 lekë të reja dhe herë asgjë. Ajo shprehet e vendosur për të jetuar në Tiranë dhe thekson se do të rrijë te flejë rrugëve. “Prapë të na çojnë atje në Elbasan, unë në Tiranë do vij. Ku do ha, ku do pi, pa shtëpi e katandi”, sqaron ajo e shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet.

Astronautja e NASA’s ndan eksperiencën me studentët shqiptarë

Astronautja e NASA, Marsha Ivins, ka vizituar Tiranën në një vizitë dy ditore ku ka ndarë eksperiencën e saj shumëvjeçare me studentët shqiptare, astronautja u ka treguar nëpërmjet pamjeve dhe videove studentëve gjëra të cilat nuk ishin ekspozuar më parë. Marsha Ivins, astronautja e NASA-s e cila ka qëndruar në hapësirë për më shumë se 1318 orë ka vizituar Tiranën duke ndarë eksperiëncen e saj të veçantë me studentët.

Astronautja ka ndarë me studentët eksperiencën e saj duke u treguar atyre video të cilat nuk janë ekspozuar në internet më parë:
“Të shohësh botën nga atje lart është e magjishme” rrëfen astronautja.
Marsha Ivins rrëfen se në hapësirë s’ka parë asgjë të pazakontë, por kur sheh aq shumë yje sigurisht që në mëndje të vjen ideja se diku tjetër ka jetë:
“Përpara se të dikush të udhëtonte në hapësirë mjekët dhe shkencëtarët nuk mund të shpjegonin nëse trupi i njeriut mund të funksiononte në hapësirë,kështu që në vitin 1961 ne vërtetuam qe trupi i njeriut funksiononte shumë mirë në hapësirë. Kështu që në vitin 1969 ne ishim tre astronautë të cilët vizituam Hënën. Gjatë kohës që je në Hënë mund të shohësh lindjen dhe perëndimin në tokë, eksperiencë shumë e bukur”.
​Astronautja e NASA’s ndan eksperiencën me studentët shqiptarë

Rrëfimi i astroanutes për studentët ishte mjaft i veçantë, pasi gjithçka shoqërohej me foto e video të cilat ishin bërë nga vetë ajo apo astronautë të cilët e shoqëronin.
“Kam sjellë për ju fotografi të cilat tregojnë për udhëtimet tona në Hënë, fotografi reale. Këtu shfaqet astronauti i cili qëndron i ulur në pjesën e kapsulës dhe ajo është e vetmja pjesë e cila mund të largohet sërish nga Hëna. Në këtë ulje të parë në Hënë ata qëndruan atje për 21 orë dhe ecja e parë në hapësirë ishte rreth 2 orë e 15 minuta.
Marsha Ivins ka lindur në 15 prill 1951 në Baltimore.
U dilpomua në inxhinieri aeronautike në Universitetin e Kolorados në vitin 1973.
Marsha Ivins ka regjestruar me tepër se 7 mijë orë me mjete fluturimi civile ose të NASA -s.
Pesë udhëtimet e saj në hapësirë janë bërë në vitet 1990, 1992, 1994, 1997 dhe i fundit ka qenë në vitin 2001./oranews/

Këto janë afatet për provimeve të studentëve

Zyra për Informim e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka informuar studentët e këtij universiteti se për vitin akademik 2015/2016 do të këtë tri afate të rregullta të provimeve dhe dy shtesë.Po ashtu kjo zyrë nëpërmjet një sqarimi ka informuar studentët edhe për regjistrimin e vitit akademik.

Sqarimi i plotë i Zyrës për Informim lidhur me kërkesat e studentëve të UP 

Këto janë afatet  për provimeve të studentëve
Të dashur studentë, duke ju dëshiruar një fillim të mbar të vitit akademik 2015/2016, dhe duke marrë në konsideratë shqetësimet e juaja, ju sqarojmë sa vijon:
1. Afatet e provimeve janë të rregulluara me Statutin e UP. Në nenin 111 pika 2, shkruan shumë qartë: janar, qershor dhe shtator. Nuk shkruan tetor sepse, sipas nenit 139 të statutit, mësimi fillon më 1 tetor. Përkundër kësaj, me vendimin e Senatit nr. 2/792 të datës 8.12.2014 ne kemi tejkaluar Statutin, sepse kemi lejuar dy afate shtesë që nuk janë për kusht: nëntorin dhe prillin. Por, do të jemi të kujdesshëm që për shkak të afateve shtesë të mos dëmtohet mësimi. Nëntori dhe prilli do të zgjasin një javë dhe mësimi i humbur do të kompensohet në fund të semestrit përkatës. Ky vendim është në fuqi dhe do të përkushtohemi që kështu të jetë edhe në statutin e ardhshëm të UP. 

2. Kushti për regjistrimin e vitit vijues është rregulluar me neni 149 pika 1 e statutit të UP: Përfundimi me sukses i vitit në pajtim me programin e studimit është parakusht që studenti të regjistrohet në vitin tjetër. Vitin e kaluar, me vendimin nr. 2/791 datë 8.12.2014 kemi vendosur të tejkalojmë Statutin dhe kushti për kalim nga viti i parë në të dytin të jetë një provim i pa dhënë, kurse kushti për kalim nga viti i dytë në të tretin të jetë dy provime të pa dhëna. Ky vendim është në fuqi dhe do të përkushtohemi që kështu të jetë edhe në statutin e ardhshëm të UP. Zbatimi i këtij vendimi bëhet suksesivisht, d.m.th. këtë vit vetëm për vitin e parë kurse nga viti i ardhshëm shkollor edhe për vitin e dytë. 
3. Në mbledhjen e Senatit të UP të datës 2.3.2015 edhe një herë është debatuar për vendimet nr. 2/791 dhe nr. 2/792. Për t’i dhënë fund një praktike e cila vazhdon në UP që nga paslufta, Senati i UP-së në përbërje të plotë (Dekanë, Senatorë dhe Studentë Senatorë) unanimisht dhe pa asnjë votë kundër vendosi që në të ardhmen të mos procedohet asnjë kërkesë e cila bie ndesh me Ligjin mbi Arsimin e Lartë dhe Statutin e UP-së.
Gjithashtu ishte vlerësim i përgjithshëm se këto vendime synojnë t’u japin fund situatave emergjente në UP, me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të cilësisë që është në interesin e të gjithë studentëve, ashtu që në të ardhmen e afërt diplomat e tyre të jenë të krahasueshme me universitetet më të mira në rajon e më gjerë. Kjo është e mundur vetëm nëse secili e merr pjesën e vet të përgjegjësisë, në mënyrë të veçantë mësimdhënësit. Prandaj studentë te dashur, Ju kërkojmë që interesin e momentit t’ia nënshtroni interesit të përgjithshëm, duke nënkuptuar se kjo do t’iu shpaguhet atëherë kur Universiteti ta rikthejë reputacionin që ka pasur dikur. Kjo arrihet duke respektuar normat ligjore dhe duke i ndërtuar qëndrimet mbi argumente dhe në asnjë mënyrë duke u ndikuar nga grupet e ndryshme të interesit të cilat mësimdhënien cilësore dhe të rregullt nuk e kanë prioritet.

Mbi 40 gabime drejtshkrimore në listën e kërkesave të studentëve

Me minimum 12 vjet mësim në lëndën e gjuhës shqipe dhe çdo ditë orë mësimi në këtë lëndë gjatë një viti shkollor, studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e kanë të pamundur që ta bëjnë një shkresë pa gabime drejtshkrimore...

Mbi 40 gabime drejtshkrimore në listën e kërkesave të studentëve (DOKUMENT)

Në një të tillë të bërë nga Grupi i Pavarur Studentor në formë kërkese ndaj Senatit, Këshillit Drejtues dhe Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, mund të vërehen mbi 40 gabime elementare drejtshkrimore në tri faqet e kërkesës.
Sot ky grup ka organizuar një protestë me të cilën kërkuan afate të jashtëzakonshme të provimeve.
Ndoshta këtij Grupi të studentëve do t’u duhej së pari të kërkonin orë shtesë mësimi të gjuhës shqipe.
Ja dokumenti i plotë:

    Në spikamë të BE-së : Veprimet e opozitës rrezikojnë liberalizimin e vizave

    Veprimet e opozitës rrezikojnë liberalizimin e vizave

    Vazhdimi i bllokadës së punës në Kuvendin e Kosovës mund të ketë efekte negative në procesin e liberalizimit të vizave. Kështu të paktën deklarojnë përfaqësues të qeverisë dhe shumicës në parlament.
    Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Ramadan Ilazi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është krejt normale që opozita të kritikojë qeverinë, mirëpo veprimet duhet të bëhen në kuadër të procedurave demokratike.

    Sipas tij, integrimi evropian i Republikës së Kosovës është një proces që gëzon përkrahje të gjerë politikë dhe qytetare, kështu që suksesi i tij do të varet nga bashkëpunimi dhe funksionimi i të gjitha institucioneve.

    “Kosova do avancojë në procesin e integrimit vetëm përmes një bashkëpunimi midis të gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve, sepse të gjithë kemi një përgjegjësi në këtë proces. Kuptohet sa i përket çështjeve legjislative, Kuvendi ka një rol të veçanti për të nxjerrë ligjet që dalin nga agjenda evropiane”, ka theksuar Ilazi.

    Aktualisht, ka disa ligje që presin procedimin nga Qeveria për në Kuvend për miratim. Në mesin e tyre, është edhe ai për Prokurimin Publik, të cilin Komisioni Evropian e kishte vënë si një prej kritereve edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se bllokada po e rrezikon procesin e liberalizimit të vizave, i cili sipas parashikimeve të qeverisë pritej të përmbyllej në vitin 2016.

    “Këto ligje, një numër rej tyre janë shumë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me liberalizimin e vizave. Prandaj janë disa kritere, disa detyra që ne duhet t'i kryejmë që t'i paraprijmë procesit, ta lehtësojmë dhe ta përshpejtojmë procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Grabovci.

    Në anën tjetër, opozita tregohet e vendosur se nuk do të lejoj vazhdimin e seancave të Kuvendit të Kosovës, duke përdorur edhe pengimin fizik të foltores dhe mikrofonit në Kuvend siç ka vepruar tashmë në tri seanca.

    Kjo bllokadë, thuhet se do të vazhdojë përderisa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se opozita ka qëndrim unik që zgjidhja nuk është tek pakica, por partitë e koalicionit qeverisës.

    “Normaliteti në Kuvend dhe normaliteti në vend është në duart e partive në pushtet dhe jo në duart e opozitës. Opozita nuk është ajo e cila po e bllokon Kuvendin, por janë veprimet e qeverisë me të cilat ajo po e ndan Kosovën dhe po e pamundëson perspektivën dhe të ardhmen e saj përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi.

    Procesi i liberalizimit të vizave është trajtuar në vazhdimësi nga i gjithë spektri politik si një interes i veçantë për të cilin pozita dhe opozita kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

    Megjithatë, pas bllokadës së krijuar, tani mbetet të shihet nëse koalicioni i shumicës dhe opozita do të arrijnë fillimisht të vendosin një formë dialogu dhe të pajtohet që për disa ligje dhe çështje të interesit të veçantë të vazhdohet puna në Kuvend.

    Tash për tash, një dialog i tillë midis qeverisë dhe opozitës ka munguar për çdo çështje politike.

    Me gjuhën e fakteve për kolonizimin e Kosovës nga serbo-malazezët si dhe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore

    Shkruan : Akademik prof.dr. Flori Bruqi, PHD.   Në mesin e vargut të shkrimeve publicistiko-historike në Kosovë, është edhe vepra e publicis...