Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

UDHËZUESI PËR ZHDUKJEN E SHQIPTARËVE


Gani Mehmetaj
Gani Mehmetaj
Qëndrimi i Vladan Gjorgjeviqit, sikurse thotë Mustafa Kruja nuk është vetëm “shpifje e poshtër prej halabaku serb” është më shumë, është një platformë e zhdukjes sistematike të shqiptarëve, është udhëzues për brezat e serbëve që ta kenë vath në vesh.
Është vështirë të gjesh në një libër aq shumë shpifje, insinuata, kurdisje e urrejtje të sëmur si në librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” të shkruar në fillim të shekullit të kaluar. Është edhe më vështirë të kuptosh shkallën e tillë të urrejtës patologjike sikurse atë të V. Gjorgjeviqit. Librat si ky duhet të vlerësohen raciste që nxisin urrejtje e udhëzon për gjenocid, mirëpo atëbotë diplomacia serbe dhe propaganda e tyre jo vetëm nuk e fshehën, por e përkthyen në shumë gjuhë botërore.
Para Vladan Gjorgjeviqit mbase edhe krimineli Milosheviq do të stepej. Sikur ta lexonin udhëzimin e tij, do të zgurdullonin sytë edhe ideologët e gjenocidit pansllavistë në Rusi. Është Vladan Gjergjeviqi ai që i ka frymëzuar serbët të bëjnë krime në Kosovë e në territoret etnike shqiptare, është ky “shkencëtar’ ai i cili e nxjerrë në shesh platformën serbe për zhdukjen e shqiptarëve, në mënyrë që t’ua merr territoret, sepse thotë ai, Serbia ka nevojë për dalje në det, ndërsa shqiptarët kanë det me bollëk. Ata nuk ia kanë nevojën shtetit prandaj as nuk dinë ta bëjnë, këlthet ai në kulm të tërbimit kundër shqiptarëve.
Ky ish-kryeministër pastaj përpiqet të arsyetoj para qarqeve diplomatike evropiane pse duhet të zhduken shqiptarët nga faqja e dheut, pse serbët duhet ta kryejnë këtë “mision të shenjtë” sa më shpejt dhe më mënyrë sa më të përbindshme. Zhdukja e shqiptarëve është gjëja me e shenjtë për Serbinë, dhe për qytetërimin evropian, çirret ai në kupë të qiellit. Harron, ose përpiqet ta lë në heshtje që nuk është as populli i tij në shkallë më të lartë të qytetërimit, përkundrazi. Por ata u çliruan nga zgjedha turke disa dhjetëvjetëshe më herët, e patën mbështetjen e madhe të aleatëve të fuqishëm në armatim dhe në zhvillimin ekonomik, kurse shqiptarët nuk ditën të bëjnë aleatë. Por edhe sikur të ishin fshatarët serbë më të qytetëruar se sa shqiptarët, kjo nuk u jep të drejtë të zhdukin të tjerët, sikurse përpiqet të arsyetoj ky përbindësh i propagandës serbe.

Përgjumja e shqiptarëve

Meqë përgjumja e shqiptarëve zgjati më shumë se sa përgjumja e të gjithë popujve të Gadishullit Ilirik, fqinjët vendosën t’i zhdukin dhe t’ua marrin  territoret. Dhe këtë gjë në pjesën më të madhe e bënë:  Serbia, Greqia, po edhe Bullgaria e Mali i Zi okupuan territoret shqiptare, zhduken pjesë të madhe të shqiptarëve në ato territore dhe u zgjeruan në mënyrë të përbindshme në kurrizin tonë. Dy të tretat e territoreve shqiptare mbetën nën pushtimin e huaj. Turqia në tërheqje e sipër jo vetëm nuk i ndihmoi shqiptarët, por ua fali tokat shqiptare serbëve e grekëve, ndërsa i dogji dhe i masakroi shqiptarët në tërheqje e sipër, në mënyrë që t’ua lehtësonte serbëve e grekëve pushtimin e Shqipërisë. Prandaj Gjorgjeviqi shkruan: “Turqit janë më të mirë se sa shqiptarët” (faqe 107).
Duke e lexuar librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” të Vladan Gjorgjeviqit, botuar në shqip me 1928 në Zarë, përkthyer nga ish kryeministri shqiptar Mustafa Kruja nuk të le pa frymë shkalla e dhunës e vrasjeve të cilën përpiqet ta arsyetoj ky oligark serb para fuqive të mëdha, sa të habitë fakti që këtë udhëzim për zhdukej e shqiptarëve e kanë ndjekur më përkushtim serbët, pavarësisht shkallës së hierarkisë shtetërore apo nivelit intelektualë. Luftërat ballkanike të cilat e gjymtuan Shqipërinë dhe e përgjysmuan popullin shqiptar, ishin vetëm uvertura e vrasjeve të mëvonshme edhe më të mynxyrshme. Gjenocidin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve e kanë yshtur e kultivuar si oficerët serb, pushtetarë e nëpunës, ashtu edhe pjesa më e madhe e intelektualëve: shkrimtarë, piktorë, artistë, gazetarë e publicistë, të cilët shkumëzonin në periudha të caktuara të histerisë kolektive antishqiptare. Dhe kjo formë e histerisë kolektive ka filluara shumë më herët, është përshkallëzuar në faza të caktuara, kur makineria vrastare serbe ishte në përparësi apo ishte jashtë fokusit të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo urrejtje vazhdon të kultivohet edhe sot e kësaj dite nga shteti serb, nga kisha e tyre, nga intelektualët dhe nga shkrimtarët.
Urrejtja e Gjorgjeviqit “shkencëtar” ndaj shqiptarëve është e njëjtë sikurse urrejtja e Gjorgjeviqit sundimtarë Ai e kërkon lejen e bashkësisë ndërkombëtare jo vetëm për dalje në det, por edhe për vrasjen kolektive të shqiptarëve, këtyre “lekurekuqëve të Evropës”, sikurse i quan ai, sepse sipas tij janë barbarë, të egër. Është “shkencëtari” i parë që i cilëson pa fije skrupulli njerëz me bisht, duke e cituar shpifësin tjetër, konsullin rus Jastrebovin në Prizren.
Në përpjekjen që t’i fyej e ti denigroj sa më shumë shqiptarët, ai citon autorë të ndryshëm tekstet e të cilëve i përmbys, i falsifikon, i citon pjesërisht apo gënjen fund e krye. Të skandalizon shkalla e falsifikimeve dhe e shpifjeve kundër shqiptarëve edhe përmes falsifikimit të autorëve të huaj, ashtu sikurse të le pa frymë mendja e çoroditur e këtij ish-kryeministri të një vendi fshatar, ku kultivimi i derrave dhe prodhimi i kumbullave e rakisë ishte burimi kryesor i të ardhurave. Prandaj një zyrtar francez i asaj kohe shqetësohet se si do t’i kthejë borxhet  Serbia, meqë Franca e Rusia i dhanë kredi për armatim, kur ata pos derrave e kumbullave s’kanë asgjë tjetër.
Libri i Gjorgjeviqit, sikurse thotë Mustafa Kruja nuk është vetëm “shpifje e poshtër prej halabaku serb” është më shumë, është një platformë e zhdukjes sistematike të shqiptarëve, është udhëzues për brezat e serbëve që ta kenë vath në vesh.
Sikur të tregoheshim të mençur qysh në atë kohë kjo platformë do të duhej të na mobilizonte, të na bënte të vetëdijshëm për organizimin tonë, për kundërvënien e duhur ndaj tyre. Madje mu për këtë arsye M. Kruja e përkthen librin, sepse sikurse thotë në parathënie duhet të dimë çka mendojnë serbët dhe fqinjët për neve. Por duket se nuk mjaftuan as platformat antishqiptare, as gjenocidi  kundër nesh, sepse historia po na përsëritët në mënyrë të dhimbshme, ndërsa ne në vend të luftojmë armikun e vrasim kundërshtarin politik të kombit tonë.

Urrejtja e serbit kundër veriut shqiptar

Ish-kryeministri serb akuzon Austro-Hungarinë (që e bëri Shqipërinë) pse i mbështet shqiptarët. Prandaj ai baltos shqiptarët, në veçanti baltos shqiptarët katolik, për shkakun e të cilëve u bë shteti shqiptar. Meqë shpreson se do ta kthejë vëmendjen e diplomacisë evropiane, ai pjesën më të madhe të librit ia kushton përpjekjeve për denigrimin e veriut, duke i paraqitur fiset katolike të Malësisë sa më errët. Është e habitshme se kjo urrejtje ndaj shqiptarëve katolik është bartur edhe të partizanët e Miladinit, të cilët e nxitën luftën civile duke bërë gjenocid ndaj shqiptarëve të veriut dhe duke e shpartalluar Kishën Katolike Shqiptare.
Me gjithë këto mynxyra ne vështirë këndellemi e mobilizohemi. Madje as platformat e shfarosjes, nuk na bëjnë bashkë, ne vazhdojmë të jemi e keqja e vetës.
Shpifjet kundër shqiptarëve vazhdojnë edhe në ndarjet dialektore, edhe në ndarjet fetare, pro edhe në mënyrën e të jetuarit e të punuarit. Ai nuk flet për zhvillimin e qytetit, ai nuk flet për personalitetet shqiptare, ai përpiqet ta shtrembëroj traditën e kulturën shqiptare, ai përpiqet të zhvlerësoj çdo gjë tonën.

SERBËT, SË SHPEJTI PAKICË EDHE NË SERBI


Ismet Azizi
Ismet Azizi
Statistikat shtetërore të Republikës së Kroacisë dhe Republikës Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës (krijesë e Dejtonit), tregojnë se këto vendet janë duke u përballur me shkallë serioze negative të shtimit natyror të popullsisë. Një trend i këtillë po e ndjek edhe Republikën e Serbisë, e cila bashkë me Kroacinë, shtete të dala nga e ish-Jugosllavia, cilësohen me numër më të madh të popullsisë dhe që në aspektin nacional janë edhe homogjene.
Para disa muajve shtypi serb shkruante se murtaja e bardhë është duke e ndryshuar strukturën demografike të Ballkanit. Deri në vitin 2080 në Kosovë do të ketë më shumë shqiptarë se sa serbë në Serbi. Demografët serbë janë të brengosur se për shkak të problemeve me murtajën e bardhë që ka Serbia dhe normës së lartë të natalitetit të shqiptarëve në Kosovë, shqiptarët në të ardhmen e afërt do të jenë në gjendje t’i “shtypin” Serbët nga jugu.
Për nga numri i lindjeve të gjalla dhe natalitetit Serbia është fundit në Evropë. Për t’u zbatuar riprodhimi është e nevojshme që gratë gjatë jetës të lindin së paku 2.1 fëmijë. Edhe sikur të ndodhte kjo, Serbia nuk do të kishte rritje pozitive të popullsisë edhe për 20 vite.
Serbia është një nga dhjetë vendet me popullsinë më të vjetër në botë. Serbia është shteti ku çdo vit vdesin 30 mijë njerëz më shumë se sa lindin fëmijë. Së fundmi, Serbia është një vend me normë të ulët të lindjeve, edhe në qoftë se do të dëshironte, nuk mund ta përmirësojë këtë gjendje gjatë dhjetëvjetëshit e ardhshëm.
Sipas Ivana Marinkoviqit, hulumtuese në Qendrën për Demografi të Institutit për Kërkime të Shkencave Sociale, përveç problemeve demografike, Serbinë së shpejti e pret edhe problemi i madh ekonomik. Pikëpyetje e madhe është se a do të jenë serbët në gjendje ta përballojnë rënien e popullsisë dhe rritjen e numrit të të moshuarve. Gjeneratat e pas Luftës së Dytë Botërore, të “bum foshnjave”, të lindura në periudhën kur Serbia kishte shtim të lartë, së shpejti do të hyjnë në kategorinë e popullsisë së vjetër, të pensionistëve. Marinkoviq konsideron se ky do të jetë një problem i madh në aspektin e përballimit ekonomik.
Struktura moshore në Serbi ka kohë që është dëmtuar, kurse mosha mesatare e popullsisë është duke u rritur nga viti në vit. Kjo moshë aktualisht është 43 vjet. Nëse kjo normë e rritjes së shtimit natyrorë të popullsisë vazhdon deri në vitin 2030, serbët do të përbëjnë 50 për qind të popullsisë së Serbisë. Serbia ka më tepër popullsi që është më e vjetër se 65 vjet se që ka të rinj nën 15 vjet. Edhepse ky shtet ofron masa stimuluese të shumta për rritjen e lindjeve, problemi është se ato nuk aplikohen në kontuinitet. Ato shpesh ndërprerën dhe njerëzit nuk e kanë sigurinë e nevojshme për planifikimin e familjes- konsideron Marinkoviq.
Këto konstatime i arsyeton edhe raporti i Enti Republikan i Statistikave në Serbi, i cili tregon se vetëm tetë komuna kanë shtim pozitiv. Në vend të parë është Novi Pazari me 8.6 ‰, mandej Tutini (7.9), Presheva (4.5), Bujanoci (2.6), Novi Sadi (1.8), Sjenica (1.4). Pasojnë komunat e Beogradit, Zvezdara (1.0) dhe Surçini me 0.4 ‰.
Nëse bëhet një krahasim del në shesh se në Serbi brenda një viti zhduket një qytet i madhësisë së Jagodinës, kurse në Kosovë lindë – krijohet – një qytet i vogël. Në Kosovë çdo vit lindin më shumë se 27 mijë foshnje kurse vdesin rreth shtatëmijë njerëz. Demografët serbë kanë theksuar se rënia e popullsisë do të ndkojë në tërheqjen e vëmendjes së popullsisë afrikane për mërgim në këtë shtet.
Kur jemi te imigrimi i popullsisë, një gjë është e sigurt. Kontinenti afrikan, në aspektin e natalitetit është në lulëzim e sipër. Këto vende të pazhvilluara kanë probleme në lidhje me ushqimin e popullsisë. Prandaj, pasi që Evropa është kontinenti mi i afërt, pritet që një fluks i madh i njerëzve në këtë kontinent. Ata së pari do të zgjedhin vendet që kishin kolonitë e tyre në Afrikë. Por, pasi që vendet perëndimore nuk do të jenë në gjendje t’i pranojnë këta emigrant, sipas Marinkoviqit, ata do të fillojnë të vendosen në pjesën lindore të Evropës. Më tutje Marinkoviq shton se kjo është mënyra e vetme për ta përmirësuar situatën e shtimit të popullsisë dhe mbijetimit të ekonomisë në Serbi.
Shtypi serb nuk e ka problem vetëm shtimin e ulët të popullsisë në Serbi. Problem i shtypit serb është edhe shtimi i shqiptarëve. Në Serbi brengosen shumë nga fakti se shqiptarët janë në rritje, sa që mediat e tyre i kanë kushtuar rëndësi të veçantë edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Një shkrim në mediat serbe të para disa muajve mbante titullin “Shqiptarët me natalitet ‘pushtojnë’ Maqedoninë”. Këtu është shprehur frikë e madhe se shqiptarët së shpejti do të jenë shumicë. Por, ata harrojnë faktin se sikur të mos ishin komunat e Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe ato të Kosovës Lindore (Presheva e Bujanoci), pothuajse të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë në çfarë pozite do të ishte Serbia?

SI E PËRVETËSUAN SERBËT IDENTITETIN E VRASËSIT TË SULLTAN MURAT-it


Shtatorja e Millosh Obiliqit në Graçanicë
Shtatorja e Millosh Obiliqit në Graçanicë
Serbët vazhdojnë të pretendojnë se Kosova është tokë ku i ka themelet kombi serb. Sot shënuan përvjetorin e Betejës së Fushës së Kosovës, ku më 1389 u vra Sulltan Murati I, nga serbi Millosh Obiliq, të cilit edhe iu ngrit një shtatore në Graçanicë. Të paktën kështu pretendojnë serbët, pasi shumë historianë e kronist të kohës thonë se ai ishte shqiptar, me mbiemrin Kopiliq ose Kobila.
Historiani Shasivar Kabashi, që po ndjekë studimet pasuniversitare në Histori Bashkëkohore, në Universitetin e Stambollit, në një bisedë për lajmi.net, thotë se ndryshimi i mbiemrit nga Kopiliq ne Obiliq është bërë në XVIII-XIX, nga rritja e mitit dhe nacionalizmit serb.
Sipas Kabashit, këtë pretendim të serbëve, me shumë fakte e demanton edhe prof.dr. Jahja Dranqolli në një punim të tijin, të cilin e përmend edhe historiani anglez Noel Malcolm në librin e tij “Kosova një histori e shkurtër”.
Historiani Kabashi, për ta cilësuar si të pavërtetë pretendimin serb, përmend edhe detaje nga libri i një kronisti osman të kohës, i cili atë që serbët sot e quajnë Obiliq, në librin të shkruar para gati 600 viteve e quan si Kobila.
Por, ai thotë se, nuk duhet me patjetër të pretendohet se ai ka qenë shqiptar.
Sipas tij ai ka mundur të jetë edhe vllah, hungarez, e nuk mund të përjashtohet të ketë qenë edhe gjerman.
Por ajo çfarë është e qartë sipas Kabashit, është fakti se serbët i ndërruan emrin atij, për ta shpallur serb.
“Kronisti osman Aşikpaşoğlu, pjesëmarrës në Betejën e dytë të Kosovës e vitit 1448, në librin e tij të famshëm “Tavarih-i Al-i Osmai” – (Historia e familjes së Osmanit) e përmend atë si Kobilla.
Ai na tregon edhe pjesë nga libri, ku autori i bënë përshkrim betejës, e ku përmend edhe vrasësin e Sulltanit, të cilin e quan Kobila.
“Pabesimtarët (Qafirët) me të parë ushtrinë e islamit filluan të sulmojnë duke u afruar. Në të djathtë qëndronte Bejazit Hani. Në të majtë Jakub Çelebiu. Gazi-itë (luftëtarët në rrugën e Zotit) morën Tekbiret (brohoritjet Allahu Ekber). Vazhduan përballë pabesimtarëve. Luftuan deri në mesin e dy namazeve. Në të djathtë Bejaziti e në të majtë Jakubi. Serbët shpërthyen në krahun e Jakub Çelebiut. Në këtë krahë ushtria u thye. Në këtë anë kishte një pabesimtar (qafir) që i thonin Milosh Kobile, përballë Sulltan Muratit…”
Në betejën e vitin 1389 pranë Prishtinës, kundër Perandorisë Osmane, historiani Jahja Drançolli thotë se, krahas ushtrisë së Lazarit morën pjesë edhe arbërit, boshnjakët, vllehët, çekët, hungarezët, polakët dhe frëngjit; dhe nga grupi tjetër, pjesëmarrësit përcaktohen drejtpërsëdrejti, si më kryesorë serbët, arbërit dhe boshnjakët, duke i dalluar këta nga forcat e tjera ndihmëse. 

PROJEKTI PËR ZHDUKJEN E SHQIPTARËVE I NOBELISTIT ANDRIÇ


Ivo Andriç
Ivo Andriç
Plane, projekte, memorandume e elaborate për pushtimin e trojeve shqiptare, për shpërnguljen e pjesshme ose të plotë të shqiptarëve nga dheu i tyre, për asimilimin a tjetërsimin e pjesshëm ose të plotë të tyre, ose edhe për zhbërjen e plotë të popullit shqiptar, janë bërë shumë, sidomos nga shekulli XIX e këtej. Kësaj valleje antishqiptare i kanë prirë dhe vazhdojnë t’i prijnë edhe sot, kryesisht ato shtete e qeveri shtetesh, të cilat më së paku kanë të drejtë të jenë aq të zellshme për t’i vënë në veprim gjithë mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë, fetarë e jofetarë dhe gjithë potencialin intelektual kundër një populli në trojet e të cilit janë ulur këmbëkryq. Orekset e tyre pushtuese nuk janë kënaqur asnjëherë dhe me siguri nuk do të kënaqen kurrë, sepse në logjikën e atij që ka pushtuar një herë, është të pushtojë përherë.
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë.
Programi i parë politik i Serbisë së Madhe është Naçertania(Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844. Një tjetër dokument antishqiptar është Memorandumi i Vasa Çubriloviqit me titull “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve), një referat që Çubriloviqi kishte mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937 (dërguar qeverisë së M. Stojadinoviqit), ku propozonte dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut.
Këto pikëpamje Çubriloviqi do t’i mbronte edhe pas përfundimit të luftës antifashiste, kur kishte përsëritur edhe një herë idenë e tij për spastrimin e territoreve jugosllave nga shqiptarët dhe nga pakicat e tjera në një referat të tijin që e kishte lexuar më 3 nëntor 1944 para udhëheqjes më të lartë shtetërore e partiake të Jugosllavisë së Re.
Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadolli, ishte po ashtu një projekt, në vazhdën e projekteve antishqiptare.
Një plan tjetër antishqiptar është Elaborati famëkeq i Ivo Andriqit.
Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat i rryer, me një përvojë shërbimi njëzetvjeçar në diplomaci, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Në vitet 1937-1939, Andriqi ishte emëruar zëvendësministër i punëve të jashtme në qeverinë mbretërore të Milan Stojadinoviqit dhe gjatë asaj kohe kishte kryer detyra shumë të ndjeshme e me përgjegjësi. Në janar 1939, pas një vizite që ministri i punëve të jashtme të Italisë Galeaco Çano kishte bërë në Beograd dhe kishte pasur takim me kreun e qeverisë mbretërore Stojadinoviq (ku temë bisedimesh kishte qenë edhe çështja shqiptare), ky i fundit e kishte angazhuar Andriqin që të hartonte një përkujtesë zyrtare (Aide Memoire) lidhur me çështjen shqiptare, për nevoja të brendshme të qeverisë së punëve të jashtme. Andriqi e kishte kryer me zell të madh detyrën që i ishte dhënë dhe Aide Memoire kishte qenë gati më 30 janar 1939.
Ky dokument ruhet në Arkivin e Serbisë, Fondi i Milan Stojadinoviqit. Për herë të parë e ka publikuar historiani kroat Bogdan Krizman më 1977 në «Časopis za suvremenu povijest» (Revistë e historisë bashkëkohore), më 1977, me titull“Elaborati i dr. Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939”, shoqëruar me një koment. Publikimi i këtij dokumenti sekret kishte ngjallur asokohe reagime e polemika të shumta në qarqet serbe. Në Serbi ky dokument është publikuar për herë të parë më 1988, në revistën “Sveske”, Fondi i Andriqit.
Përkthimi i plotë që po japim këtu është botuar së pari në revistën “Fjala” të Prishtinës, më 1 maj 1990, faqe 11-12. Është ky publikimi i parë i Elaboratit të Andriqit në gjuhën shqipe botuar në Kosovë (më parë ky Elaborat është botuar shqip më 1981, përkthyer nga Jusuf Gërvalla në gazetën “Zëri i Kosovës” që botohej në diasporë dhe që shpërndahej ilegalisht në Kosovë e në troje të tjera shqiptare).
Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Ivan Vukotiqi kishte hartuar një tjetër elaborat, më 3 shkurt 1939. Aty në mënyrë fare konkrete flitej për ndarjen e Shqipërisë, si një mënyrë e mundshme për pengimin e depërtimit italian në Ballkan. Edhe ky dokument është botuar shqip më 1990 në revistën “Kosovarja” të Prishtinës (përkthyer nga H. H.).
Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Këto plane, projekte e memorandume djallëzore nuk janë as të parat, as të vetmet që janë drejtuar e vazhdojnë të drejtohen kundër shqiptarëve. Synimet antishqiptare të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, më shumë se një vit pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, vazhdon të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, vazhdon terrorin me të njëjtin intensitet. Gjysmë-shteti shqiptar, sot i mbytur në korrupsion, rrezikon të gllabërohet nga fqinji i saj Greqia (nga e cila aktualisht është e varur pothuaj tërësisht në pikëpamje ekonomike), e cila sa i përket çështjes shqiptare, ka pasur dhe vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë me atë të Serbisë. Shqiptarët në Mal të Zi e në Maqedoni, ndonëse në trojet e tyre etnike, vazhdojnë të përbuzen e të trajtohen sikur të ishin ardhacakë, paçka se krerët politikë shqiptarë, që atdhe kanë interesin personal, flasin për përparim të të drejtave të shqiptarëve atje.
Quo Vadis, shqiptarë?
(Hajro Hajra)
ELABORATI I ANDRIQIT PËR SHQIPËRINË I LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA
Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik
Sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për aleancën ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë të datës 26 shkurt 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret e deriatëhershme turke në veri dhe në perëndim të malit të Sharrit. Lidhur me këtë dispozitë, duke synuar t’i siguronin vendit të tyre dalje në det, më 15 nëntor 1912 trupat serbe hynë në Lezhë dhe dalëngadalë pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, deri në Tiranë dhe në Durrës. Më 25 nëntor në ”Times” të Londrës u publikua deklarata e Pashiqit, ku thuhej se Serbia e kërkonte Durrësin me pjesën më të madhe të prapatokës.
Krijimi i Shqipërisë autonome
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndërkaq, më 1912 mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, më 20 mars 1913 vendosi që Shkodra t’i lihej Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranonte vendimin e fuqive të mëdha. Këtë vendim të sajin e përkrahu Serbia, e cila dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Mëdha vendosën (më 21 mars) të bënin demonstrimin detar, nga i cili u përmbajt vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Barit, i detyruan trupat serbe të tërhiqeshin nga pozicionet afër Shkodrës.
Bllokada e bregdetit malazias
Më 10 prill Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadën e brigjeve të Malit të Zi, mirëpo qeveria e Malit të Zi vazhdonte ta mbante të rrethuar Shkodrën , e cila kapitulloi më 20 prill. Megjithatë, kral Nikolla u detyrua të lëshonte pe dhe, më 4 maj, në një telegram që i dërgon sër Eduard Grejit (Sir Edward Gray), fatin e Shkodrës ua dorëzon fuqive të mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore.
II
NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI NDËRMJET SERBISË DHE GREQISË
Edhe pse Serbia qe detyruar të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria e Veriut nën trysninë e fuqive të mëdha, në radhë të parë të Austrisë, ajo nuk i humbiste shpresat. Në deklaratën e 19 majit 1913, e cila ishte shtojcë e fshehtë e Marrëveshjes së aleancës në mes të Greqisë dhe Serbisë, ishin ndarë sferat e interesit ndërmjet Greqisë dhe Serbisë në Shqipërinë e porsaformuar autonome. Territori që shtrihet në veri të grykës së lumit të Semanit në det, rrjedhës së këtij lumi deri te Gryka e Devollit, pastaj përgjatë Devollit deri te Mali i Kamjes – bënte pjesë në sferën e ndikimit grek. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet do të merreshin vesh për qëndrimin që do të merrnin. Këto janë kërkesat maksimale që i kemi shtruar ndaj Shqipërisë në një dokument të shkruar.
III
PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA
Pakti i Londrës i lidhur më 26 prill 1915 ndërmjet Francës , Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë përmbante këto dispozita lidhur me Shqipërinë:
1. Në vërejtjen e nenit 5 thuhet: “Katër fuqitë aleate do t’ua ndajnë Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi këto vise të Adriatikut: (…) Në Adriatikun e poshtëm (në viset të cilat u interesojnë Serbisë dhe Malit të Zi) tërë bregdetin, nga Kepi Planka deri te lumi Drin, me portet e rëndësishme të Splitit, të Ulqinit dhe të Shëngjinit (…) porti i Durrësit do t’i ndahet shtetit të pavarur mysliman, Shqipërisë”.
2. Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në zotërim të plotë Vlorën, ishullin Sazan, si dhe një territor mjaft të gjerë, të nevojshëm për mbrojtjen e tyre, domethënë pjesën ndërmjet lumit të Vjosës në veri dhe në lindje, kurse në jug deri në Himarë”.
3. Në nenin 7 thuhet: “Po të formohej shteti i vogël autonom i pavarur i Shqipërisë , Italia nuk do t’i kundërvihej dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe ato jugore të Shqipërisë të ndahen ndërmjet Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. “Italia do të fitonte të drejtën t’i udhëhiqte punët e jashtme të Shqipërisë”.
Pra, që më 1915 fuqitë e mëdha miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe Italia, Serbia e Greqia pranojnë se në Shqipëri kanë interesat e tyre. Derisa këtyre dy shteteve ballkanike u jepet e drejta e korrigjimit të kufijve, Italisë i lihet Vlora si dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar.
IV
SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES
Pikëpamjet e fuqive të mëdha
Në Konferencën e Paqes fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), kishin propozuar, në rend të parë për Shqipërinë , në veri dhe në jug, ata kufij që ishin caktuar në Konferencën e Londrës më 1913; e njihnin sovranitetin e plotë të Italisë mbi Vlorën dhe prapatokën e nevojshme dhe ia jepnin Italisë mandatin për administrim të lirë të shtetit shqiptar nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve (Memorandumi i 9 dhjetorit 1919).
Pikëpamjet tona
(Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufijve dhe për marrjen e Shkodrës e të Shqipërisë Veriore).
Në përgjigjen tonë të datës 8 janar 1920 ne e hodhëm poshtë propozimin që Italisë t’i jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufij ofensivë kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për t’u mbrojtur. Kjo në njëfarë mënyre do të thoshte epërsi ofensive, kurse në anën tjetër vartësi e përsosur strategjike.
Për shkaqe ekonomike dhe strategjike ne kemi kërkuar që të bëhet korrigjimi i kufirit tonë (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe me fiset Kelmendi e Kastrati), që i kishte caktuar Konferenca e Londrës më 1913. Përveç këtij korrigjimi, delegacioni ynë kishte deklaruar se zgjidhja më e mire do të ishte sikur Shqipëria të bëhej shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913, me administrim autonom.
Nëse nuk do të pranohej kjo zgjidhje ose nëse pjesa jugore e Shqipërisë do t’u përkiste shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar për ne pjesën veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë ka të drejta të moçme në këto vise, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është kryeqyteti i dikurshëm i sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e 1913-s, në të cilën Serbia humbi disa mijëra ushtarë të vet, kurse Mali i Zi një të tretën e ushtrisë së vet. Për t’i kënaqur dëshirat e fuqive të mëdha, trupat serbe dhe malazeze lëshuan Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria, duke e mobilizuar ushtrinë, kërcënohej me luftë. Shkodra do t’i përkiste Malit të Zi, po të pranonte ky i fundit t’ia linte Llovqenin Austrisë, ose të ishte neutralizuar, mirëpo Mali i Zi refuzoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozicion të rëndësishëm strategjik”.
“Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, i cili i hap udhë natyrore tregtisë së Malit të Zi në det. Edhe me Marrëveshjen e Berlinit Mali i Zi gëzonte të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Pjesa më e madhe e Liqenit të Shkodrës i përket Malit të Zi. Shkaku i pakujdesisë së turqve, sipërfaqet më të mira të Malit të Zi edhe më tutje janë të përmbytura nga uji i Liqenit të Shkodrës. Për këtë shkak shtetin tonë e intereson më së shumti rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit në Bunë, por edhe ngase në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri në 20.000 ha të tokës më pjellore dhe po aq hektarë do të ktheheshin në tokë buke. Dy të tretat e kësaj toke i përkasin Malit të Zi”.
Pikëpamjet italiane
Sipas Memorandumit të 10 janarit 1920)
1. Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin për ta administruar shtetin e pavarur shqiptar.
2. Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që janë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri jugor do të jetë objekt shqyrtimi.
3. Qytet i Vlorës do t’i jepet Italisë nën sovranitet të plotë, bashkë me prapatokën e nevojshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e qytetit.
Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria e Veriut t’i bashkohen Jugosllavisë
Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e nënkryetarit të Konferencës së Paqes, lidhur me lëshimin e Rjekës Italisë, kështu u tha Pashiqit dhe Trumbiqit më 13 janar 1913: “Pra, Shteti Serbo-Kroato-Slloven do të ngrihet në kulmin e fuqisë së vet, pasi t’i ketë në zotërim Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin”
Ne nuk pranuam që Italia ta mbante Vlorën dhe ta merrte mandatin mbi Shqipërinë.
Përgjigjja ynë e fundit Konferencës së Paqes
Në përgjigjen tonë të fundit Konferencës së Paqes (më 14 janar 1920), ne edhe më tutje mbronim pikëpamjen se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë në kufijtë e caktuar më 1913 t’i besohej qeverisë autonome lokale, pa përzierjen e cilësdo fuqi të huaj. Nëse nuk pranohet kjo zgjidhje, por merret vendim që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar pjesën e Shqipërisë Veriore (duke bashkëngjitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën kishte premtuar regjim autonom.
Pikëpamja e Pashiqit
Kur dukej e sigurt se aleatët do t’i lejonin Italisë të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i delegacionit tonë, Pashiqi, e njoftonte më 1919 qeverinë tonë në Beograd se kishte ardhur momenti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë.
Në atë letër thuhej: “Pasi në Shqipëri nuk mund ta kthejmë gjendjen çfarë ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe të shtetit të parë të Esad Pashës për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së Italisë nga ana e fuqive; pasi fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe s’do të ketë Shqipëri çfarë kemi mbrojtur ne, porse aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me prapatokën dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë – ne, në rrethana të tilla, duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë me territoret shqiptare që do të bien nën protektoratin italian”.
“Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri te gryka e Drinit të Bardhë dhe prej Drinit të Bardhë deri në det”.
“Maksimumin duhet ta kërkojmë, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak territore. Ky maksimum i mëtimeve tona do të ishte: lumi i Matit deri në burimin e tij, kurse prej andej drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tanë me protektoratin italian”.
V
PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA
Pas përfundimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak ndërmjet aleatëve, trupat italiane pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën veriore, të cilën na e kishte njohur Pakti i Londrës. Vetëm Shkodra ishte nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane.
Për shkak të qëndrimit armiqësor që Italia kishte asokohe ndaj shtetit SKS, ne e kemi konsideruar këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Ne truallin shqiptar është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet nesh dhe Italisë. Prej andej italianët inicuan çështjen malazeze dhe atë maqedonase, si dhe idenë për Shqipërinë e Madhe deri në Kaçanik. Kundër tyre ne kemi zhvilluar herë aksione të fshehta, herë të hapura, duke e bërë për vete më parë parinë shqiptare dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkanin popujve të Ballkanit”.
Pakënaqësia e popullatës shqiptare, të cilën e përkrahnim edhe ne, i detyroi italianët t’i tërhiqnin trupat e tyre nga brendia e Shqipërisë në fillim të 1920-ës dhe të mbeteshin vetëm rreth Vlorës, prej nga po në qershor të atij viti do të detyrohen të tërhiqen, duke arritur një marrëveshje me qeverinë e Tiranës për evakuimin e mbarë territorit shqiptar, përveç ishullit të Sazanit.
Evakuimi i Shqipërisë, pra, u bë për shkak të qëndresës së organizuar të shqiptarëve, porse nuk duhet harruar se në atë kohë Italia ishte shumë e dobët politikisht dhe ushtarakisht. Edhe sot ka shqiptarë të cilët mendojnë se mund t’i përzënë italianët nga Shqipëria kur të duan. Për ta ky vetëbesim është fatal, sepse nuk e shohin që Italia e sotme fashiste nuk është ajo që ka qenë më 1920 nën qeveritë parlamentare të Nitit, të Gjolitit e të Faktos.
VI
SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE
Pasi me evakuimin e Shqipërisë nga trupat italiane qe spastruar situata në terren, Konferenca e Londrës në nëntor të vitit 1921 mund të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran. Në vend të premtimeve të mëhershme lidhur me Vlorën dhe me mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj të posaçëm për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më shumë pavarësinë e saj. Edhe një herë tentuam më kot para Konferencës së Ambasadorëve që të realizonim korrigjimin e kufirit me Shkodrën dhe me Drinin, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, kurse për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të trafikut. Eksperti francez i Konferencës Laroshi na ngushëllonte me këto fjalë: “Qeveria mbretërore ka gabuar që nuk e ka miratuar asokohe propozimin e Francës për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit kishte refuzuar”. Ne qemë detyruar të hiqnim dorë nga Shkodra dhe nga kufiri deri në Drin, në mënyrë që të mos i linim italianët në Vlorë. Meqenëse ne gjithmonë e kemi përfaqësuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, ashtu siç ishte caktuar më 1913, si dhe të pavarësisë së Shqipërisë, mund të supozohet se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve është e kënaqshme për ne. Megjithatë, nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë, po grumbullohen edhe më tutje, megjithëse Shqipëria është shpallur shtet i pavarur dhe është anëtare i Lidhjes së Kombeve.
Republika e Mirditës
Derisa Konferenca e Ambasadorëve po zgjidhte çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe organizimin e pavarësisë së saj, më 1921 ne nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me parinë e Mirditës. Parashihej formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe interesat e jashtme të të cilit do t’i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shoi këtë lëvizje, kurse ne qemë akuzuar dhe dënuar para Lidhjes së Kombeve.
VII
PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA
Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e tij, ua imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë rreth ngjarjeve në Shqipëri. Kjo, ndërkaq, nuk ishte pengesë që qeveria italiane ta ndihmonte Fan Nolin, në qershor 1924, për të organizuar kryengritje kundër Ahmet Zogut dhe që qeveria jonë, po atë vit, në dhjetor, t’i mundësonte Ahmet Zogut ta sulmonte Shqipërinë nga territori ynë dhe ta merrte pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk mund t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të tyre shqiptarë, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë ndërronin orientimin.
VIII
PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI KY PAKT
Duke i udhëzuar përfaqësuesit tanë që do të punonin në Shqipëri, Pashiqi u thoshte: ne dëshirojmë Shqipëri të pavarur, por Shqipëri të dobët dhe jostabile.
Koha dëshmoi se kjo nuk ishte e qëndrueshme. Shqipëria e dobët dhe jostabile ishte e detyruar të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje atje ku mund të gjente. Regjimi që ishte i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, kurse ai të cilin donim ta rrëzonim ne, kërkonte mbrojtje nga Italia.
Shqipëria e dobët dhe jostabile më 1926 kërkoi mbrojtje dhe ndihmë nga Italia. Ahmet Zogu së pari mori garanci për regjimin e tij, kurse pastaj, më 1927, pranoi të lidhte aleancë ushtarake për 20 vjet, mori qindra miliona lireta për punime botore, në pikëpamje ekonomike e financiare e vuri Shqipërinë plotësisht nën zgjedhën e Italisë, pranoi shumë instruktorë italianë.
U krijua, kështu, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit ne kishim luftuar në Konferencën e Paqes.
Ajo që na rrezikonte më së shumti vitet e fundit nga Shqipëria ishte organizimi ushtarak, fortifikatat ushtarake dhe aksionet irredentiste. Kudo e shihnim rrezikun e madh nga aksionet italiane dhe atë “kufirin ofensiv”, kundër të cilit patëm luftuar para aleatëve në Paris, kur patëm propozuar që Italisë t’i jepej mandati në Shqipëri. Këtu është me interes të theksohet se vetëm ne kishim protestuar dhe kishim luftuar kundër depërtimit të Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë shtet tjetër i Ballkanit nuk na përkrahu. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Madje, Osten Çëmbërleni, në takimin me Musolinin në Livorno më 1926, dha pëlqimin për Paktin e Tiranës, kurse të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i jepnin mbretit Zog këshilla që të mos shkaktonte konflikt me italianët.
IX
PAKTI I MIQËSISË ITALO-JUGOSLLAVE I 27 MARSIT 1937
Bazuar në politikën miqësore ndaj njëra-tjetrës, Italia dhe Jugosllavia mund të merren vesh kështu lidhur me Shqipërinë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë, ajo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet prej nesh; këtë interes ne duhet ta kuptojmë dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin nga Serbia e Jugut, as nga Kosova (e populluar me shqiptarë), as nga Shkodra dhe nga Mali i Zi. Kjo pa dyshim është pasur parasysh kur në protokollin e fshehtë, bashkë me paktin e miqësisë, është paraparë të ndërpritet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit dhe të Milotit. Për sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne as kemi, as duam të investojmë kushedi çfarë mjetesh. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e zotimit të fshehtë, të cilin para dy vjetësh e kanë marrë ndaj nesh që në pikëpamje politike, ekonomike dhe financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë përfitimesh të posaçme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë do ta komprometonin pavarësinë e shtetit shqiptar.
Në këtë mënyrë pakti i miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vikendi” tolerant ndërmjet nesh dhe Italisë në truallin shqiptar, për të cilin vite më parë kemi rënë aq shpesh në konflikt.
Është çështje tjetër se a do të mund t’i bënte ballë ky armëpushim në Shqipëri ndonjë situate më të rëndë e më të ndërlikuar në Detin Mesdhe ose në Ballkan.
X
RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS QUO-së
Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është zhdukur
Pavarësia e një shteti ndaj shteteve të jashtme gjithnjë ka qenë një koncept relativ. Duke pasur parasysh rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është e zvogëluar. Për politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë sot nuk mund të thuhet se është e pavarur nga Italia. Megjithatë, në bashkësinë ndërkombëtare ajo konsiderohet si shtet i pavarur. Me të drejtën ndërkombëtarë bregdeti shqiptar nuk është italian, por në sovranitetin e një shteti ballanik. Italia ende nuk është nisur për në Ballkan. Ajo ka një pjesë sovrane të territorit në Zarë, por kjo nuk i ofron mundësi të zgjerohet më tutje. Në Shqipëri Italia ka ndikim, por nuk ka lirinë e aksionit si në territorin e vet. Megjithatë, shqiptarët e kundërshtojnë depërtimin e saj, i shkaktojnë kokëçarje, e ngadalësojnë.
“Ballkani – popujve të Ballkanit”
Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur dikur në luftë kundër Perandorisë Otomane dhe kundër Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdorte këtë me sukses kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili e futi Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi parë garanci më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim ndërmjet popujve të Ballkanit. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan domethënë hapje e dyerve intrigave dhe pushtimeve.
Ekspansioni i Italisë
A është e mundur që Italia, duke u bërë pronare sovrane e Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, të mbetet vetëm në atë rrip të ngushtë bregdetar? Ne nuk e kemi besuar këtë para 20 vjetësh, kur Fuqitë e Mëdha ia ofruan Italisë Vlorën me prapatokë.
Aq më pak mund ta besojmë këtë sot, kur Italia po shfaq aq shumë dinamizëm e guxim në politikën e saj të jashtme.
Një precedent i rrezikshëm
Marrja e një pjese të territorit të Ballkanit nga një fuqi e madhe joballkanike pa kurrfarë baze etnike, për popujt e Ballkanit, po edhe për ne, është një precedent të rrezikshëm. Fuqi të tjera të mëdha mund të paraqiten nga drejtime të tjera me pretendime të ngjashme. Për ne është i rrezikshëm, sidomos rasti i Italisë në Shqipëri, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin për herë të parë i njihet Italisë Shqipëria Jugore, po kësaj Italie i është njohur edhe Dalmacia Veriore. Precedenti për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit hap dyert edhe për gjallërimin e dispozitave të tjera.
Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje le të kihet parasysh që në çdo mënyrë duhet të përpiqemi t’i shmangemi konfliktit të hapur ose të fshehtë me Italinë. Gjithashtu duhet ta shmangim pushtimin e tërë Shqipërisë nga Italia, ngase kjo do të na rrezikonte në vende shumë të ndjeshme, në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë.
Duke pasur parasysh gjithë ç’thamë më lart, për ne ndarja e Shqipërisë mund të bëhet vetëm si një e keqe e domosdoshme, të cilën s’mund ta kundërshtojmë dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim përfitime aq sa është e mundur, domethënë prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.
KOMPENSIMET TONA
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, atëherë kur është shtruar çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që e kemi kërkuar asokohe është kufiri që do të shkonte përgjatë lumit të Matit dhe Drinit të Zi dhe i cili do të na jepte garanci strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu do të duhej siguruar luginat e Liqenit të Ohrit dhe të atij të Prespës, përfshirë edhe Pogradecin dhe katundet ndërmjet Prespës dhe Korçës. Marrja e Shkodrës me këtë rast do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte që të bënim punime të mëdha hidroteknike dhe të përfitonim tokë pjellore për ushqimin e Malit të Zi.
Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të trafikut të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re do të asimilohej më lehtë. Neve do të na shtoheshin shqiptarët për nja dyqind mijë, deri në treqind mijë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të ketë asnjë aksion të atillë që ta pengojë këtë.

USHTRIA TURKE NA NDIHMOI DUKE BLLOKUAR ANIJET RUSE QË FURNIZONIN USHTRINË SERBE

Kujtim BORIÇI


Dilaver Goxhaj
Dilaver Goxhaj
Në fund të marsit të vitit 1999, përpjekjet e ushtrisë serbe me forcat e UÇK-së, këta të fundit të mbështetur fuqimisht nga ajri e toka nga NATO, krijojnë një front të gjerë lufte. Ushtaraku nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj, i emëruar si një nga drejtuesit kryesor të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndjenë krenari se në formacionet luftarake në teren, në front, në komanda e në prapavijë janë dhe shumë kolegë të tij e të rinj të ardhur vullnetarisht nga Shqipëria për çlirimin e Kosovës…

28 MARS 1999 MIRËNJOHJE TURQISË
(Pjesë nga ditari i luftës)
Disa ditë pasi u angazhua aviacioni i NATO-s në luftë në Kosovë, Rusia kërkoi që të dërgonte një flotilje detare  në detin Adriatik për të përforcuar izolimin e UÇK-së, jo vetëm për furnizime me armatime e municione, por edhe me ushqime. Kjo kërkesë e rusëve u dha nga të gjitha agjencitë e lajmeve, ndaj dhe na tërhoqi vëmendjen edhe neve në Shtabin e Përgjithshëm, pasi ajo deklaratë e Rusisë u duk që u dha zemër ushtarëve serbë. Për këtë arsye, Shefi i Shtabit të UÇK-së, zoti Bislim Zyrapi, një mesnatë, në fund të muajit mars 1999, po bënte një bisedë telefonike herë në gjuhën shqip dhe herë në atë boshnjake me një person me përgjegjësi në Turqi, të cilit i kërkonte të ndërhynte pranë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, që të bënte të mundur ndalimin ose vonimin e kalimit të asaj flotilje ruse nëpër Dardanele.
Mua më tërhoqi vëmendjen biseda, që zhvillohej herë në një gjuhë e herë në tjetrën, ndaj dhe po e ndiqja i përqendruar. Vura re se personi në anën tjetër të telefonit  e quante të mundshme atë kërkesë, por ai nuk mund të gjente arsye se si mund të ndërhynte, sepse ishte i një shteti tjetër.
Në këto momente unë e pyeta Bislimin se më kë po fliste, dhe ai më shpjegoi qëllimin e bisedës dhe se po fliste me atasheun ushtarak boshnjak, gjeneralin Ismail Pasha, me origjinë shqiptare, me të cilin kishin luftuar së bashku në Bosnjë. Në moment unë u kujtova se në Turqi Shqipëria kishte dërguar atashe ushtarak Kolonelin Hajro Limaj, me të cilin njihesha. E luta Bislimin që të më lejonte të bisedoja me gjeneralin boshnjak dhe ai, pasi më prezantoi me të, më dha telefonin.
Pasi u përshëndeta me gjeneral Ismail Pasha, e pyeta në se ai e njihte atasheun ushtarak të Shqipërisë, Kolonel Hajro Limaj. Ai m’u përgjigj se jo vetëm që e njihte, por edhe e kish shok. Kjo më ngrohu dhe i kërkova mundësinë të më lidhte me Hajron. Ai më tha se nesër në mëngjes në ora 08.00 mund ta merrnim në këtë numër telefoni dhe të mund të bisedonim me Hajron.
Kuptohet se ora 08.00 erdhi shpejt, pasi kjo bisedë u zhvillua më shumë se një orë pas mesnate. Në ora 08.00 u lidhëm me Kolonel Hajron dhe pasi ia shpjeguam kërkesën tonë, ai na premtoi se do ta konsumonin kërkesën tonë me drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Turke. Pas disa orësh na morri në telefon dhe na dha sihariqin se komanda e ushtrisë turke do të shfrytëzonte të gjitha klauzolat që mund të kishin konventat ndërkombëtare për këto lëvizje dhe nuk do të lejoheshin të kalonin anijet luftarake ruse.
Dhe ashtu ndodhi. Turqisë duhet t’i jemi mirënjohës për atë ndihmë të sinqertë në atë moment të vështirë për UÇK-në dhe luftën në Kosovë, vetëm me një kërkesë verbale. Ndoshta mund të jetë rast unikal në botë, që një shtet të plotësoi një kërkesë të këtij lloji vetëm me një fjalë goje.
Por duhet t’u jemi mirënjohës edhe dy atasheve ushtarakë shqiptarë, të cilët, ndoshta edhe jashtë rregullave protokollare, duke rrezikuar edhe vendin e tyre të punës prej diplomati, e morën përsipër një kërkesë me aq përgjegjësi e me pasoja ndërshtetërore.
Nuk dua të zgjatem se si u realizua ajo nga miqtë tanë turq në atë luftë, por me këtë dua të them se ishte faktori shqiptar që e mundësoi faktorin e jashtëm të ndalonte kalimin e asaj flotilje. Ishte faktori i brendshëm UÇK që e mundësoi faktorin NATO dhe SHBA që të radhiteshin në krahun tonë për çlirimin e Kosovës.

I KTHEVA BORXHIN KARADAKUT
(Tërpezë, Viti, 24.07.1999)
Disa ditë pasi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u zhvendos nga fshati Divjakë i Malit të Berishës, (ku e zuri mbarimi i luftës) dhe ishte sistemua në qytetin e Prishtinës, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes të QPK, Azem Syla, transferohem në detyrën e Shefit të Kabinetit të tij. Aty nga data 20 korrik 1999 Ministrit i vjen një ftesë prej Komunës së Vitisë, me të cilën ftohej të merrte pjesë në mitingun e madh përshëndetës që do të mbahej në 24 korrik në fshatin Tërpezë, për t’i uruar mirëseardhjen  patriotit Hysen Tërpeza, i cili kthehej në Atdhe pas 54 vjet emigrim. Kur ia paraqita ministrit ftesën, ai më tha që ta kujtoja një ditë para mitingut.
Ashtu edhe veprova. Por, kur e kujtova për këtë aktivitet, prezent ishte edhe zëvendësministri Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Limaj. Ministri më tha që të shkoja e ta përfaqësoja unë, duke e mirëseardhur dhe t’i transmetoja edhe dëshirën e Ministrit për të ardhur një vizitë në Prishtinë. Unë, duke mos e njohur deri atëherë figurën e Hysen Tërpezës, iu luta që të caktonte një person tjetër që e njihte jetën dhe veprimtarinë e Hysen Tërpezës. “Jo,jo. Ju do të shkoni. S’ka gjë pse nuk e ke njohur, edhe unë nuk e kam njohur. Nuk ta kam frikën. Ju të Shqipnisë dini e flisni në kësi rastesh. Madje do të bëje edhe më shumë efekt edhe në popullin e asaj krahine shkuarja e një vullnetari nga Shqipëria për të mirëseardhur Hysen Tërpezën”,-këmbënguli Ministri.
Në këtë moment ndërhyn Fatmiri dhe sugjeroi që të shkonim së bashku. Me kaq mendova se u zgjidh edhe ai siklet që kisha. Me Fatmirin lamë edhe orën e nisjes për të nesërmen, në ora 09.00. Mitingu niste në ora 10.00.
Të nesërmen, duke pritur z. Fatmir, kaloi ora 09:00. Nisa një nga rojet e Ministrisë që ta njoftonte në shtëpi, pasi për fat të mirë e kishte apartamentin në pallatin në trotuarin përballë Ministrisë së Mbrojtjes, ku sot është Siguria Kosova. Ushtari erdhi dhe më solli përgjigjen e zëvendësministrit se, ngaqë i kish dalë një punë e ngutshme, më duhej të shkoja pa atë.
U nisa, duke pasur për shofer djalin tim, i cili pat qenë edhe ai i angazhuar në atë luftë. Por unë e dija se vetëm një Tërpezë ekzistonte në Kosovë, ajo e Malishevës. Ndaj dhe u nisa për atje, duke shkuar drejt Fushë Kosovës. Kur mbërrij në Fushë Kosovë, im bir  më pyet edhe një herë: Në Viti apo në Malishevë zhvillohet mitingu? Në Viti, iu përgjigja unë. Por duhet të kthehemi prapa, më tha ai, pasi Vitija është matanë Ferzajt. Dhe u kthyem, duke menduar që t’i binim shkurt, nga Graçanica, me mendimin se KFOR-i nuk do të na pengonte nga që kishim dokumentet përkatës të lëshuar prej tij. Mirëpo ushtarët anglezë që ishin në Graçanicë as që donin të dinin për dokumentin që vetë ata e kishin lëshuar. Nuk na lanë të kalonim, prandaj na u desh të ktheheshim edhe një herë prapa. Mirëpo, kjo solli shkuarjen me vonesë në miting.
Kur mbërritëm ne, kishin filluar përshëndetjet si dhe koncerti. Na u desh ta linim makinën shumë larg,për arsye se kish shumë popull, gati e gjithë krahina e Karadakut, mbledhur në Tërpezë. M’u deshën jo më pak se dhjetë minuta që të mbrija te tribuna, ngritur në oborrin e shkollës, ku ishte rregulluar z. Hysen Tërpeza dhe shokët e Komunës.
Me të mbërritur dhe me të takuar z. Tërpeza, më afruan një vend pranë tij. Nuk kisha mbaruar ende përcjelljen e plotë të porosive të Ministrit te z. Hysen, kur prezantuesi i mitingut foli në mikrofon: “Tash e përshëndet mitingun Koloneli nga Shqipëria, i cili ka qenë vullnetar dhe ka luftuar me ne për çlirimin e Kosovës, duke qenë antar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së dhe zëvendës shef i atij shtabi”.
U befasova, për arsye se jo vetëm që nuk kisha menduar më parë se çfarë të flisja, por edhe gjatë rrugës për në Tërpezë nuk pata kohë të mendoja, pasi na u desh të ndalonim e të pyesnim në çdo kryqëzim rrugësh, se cila rrugë të çonte në Tërpezë. Duke shkuar nga vendi ku rrija ulur për te mikrofoni, vendosa që të them diçka që populli të duartrokiste dhe gjatë asaj kohe të mund të sistemoja mendimet. Dhe ashtu bëra:
Popull heroik i Komunës së Vitisë dhe i tërë krahinës së Karadakut, jam shumë i gëzuar që më jepet rasti të përshëndes këtë miting kaq madhështor në emër të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, zotit Azem Syla. I uroj mirëseardhjen plakut nacionalist të Luftës së Dytë Botërore, zotit Hysen Tërpeza, i cili kthehet në vendlindjen e vet, këtu në Tërpezë, pas 54 vjet emigracion si dhe u uroj gjithë popullit të krahinës së Karadakut: Ta gëzojmë lirinë! I uroj Bacës Hysen jetë sa më të gjatë në Kosovën e lirë, duke u gëzuar që më në fund  Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri realitet ëndrrën e tij dhe të brezit të tij, duke e çliruar Kosovën një herë e përgjithmonë nga pushtuesi serb, e cila është faza e parë e asaj lufte. Faza e dytë është bashkimi. Prita sa pushuan ovacionet dhe duartrokitjet.
Është hera e parë në jetë time që më jepet rasti të flas para një mase dhjetëra mijëra njerëzish dhe kjo më jep kënaqësinë që ky rast më jepet të flas para popullit të një krahine të Kosovës, e cila ka një lidhje të hershme me krahinën nga unë jam.
Prezantuesi i këtij tubimi kaq madhështor, kur më prezantoi mua, midis të tjerash tha: “Tashti mitingun e përshëndet koloneli nga Shqipëria, Shpëtim Golemi”. I faleminderit për fjalët e mira që tha ndaj meje, por unë mendoj se ai, ndoshta nga entuziazmi bëri një lapsus të vogël, duke thënë për mua se, “unë vij nga Shqipëria”. Mendoj se gaboi. Unë e di se dhe këtu ku jemi mbledhur sot quhet Shqipëri, apo jo?.
Përsëri m’u desh të prisja të pushonin duartrokitjet.
Unë jam shqiptar si dhe ju, por jo nga krahina e Kosovës, por nga një krahinë tjetër e Shqipërisë, nga viset jugore të saj, nga Labëria heroike, dhe më bëhet zemra mal që ju kini organizuar këtë tubim, duke nderuar dy brezat e luftërave çlirimtare shqiptare, ku përfaqësues i luftëtarëve të brezit të Luftës së Dytë Botërore është zoti Hysen Tërpeza, dhe ne që jemi mbledhur këtu, përfaqësuesit e luftës më të re çlirimtare.
I uroj Bacës Hysen të jetojë sa më gjatë në Kosovën e çliruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në bashkëveprim luftarak me forcën ushtarake më të madhe të kohës, NATO-n. Rroftë UÇK-ja!
Tashti besoj se do të më duroni edhe një minutë, për t’u treguar edhe një sekret të vogël rreh shkakut të ardhjes sime në radhët e UÇK-së dhe sot këtu, në këtë miting.
Para se të fillonte Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Bëhet fjalë gjat Luftës së Dytë Botërore, në krahinën time të Kurveleshit të Labërisë kish ardhur një djalë i krahinës tuaj, qysh gjatë viteve ’30-të,  i cili kërkohej nga qeveria e Krajlit të Serbisë, ndaj dhe ishte strehuar në fshatrat e krahinës nga unë jam. Kur filloi Lufta Nacionalçlirimtare, ai ishte ndër partizanët e parë të Çetës Partizane të Kurveleshit e të gjithë Labërisë, çeta e dytë partizane pas asaj të Myslim Pezës, e krijuar në 1 prill të vitit 1942.
Më vonë, me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese, ai, së bashku me babanë dhe dy dajat e mi, u inkuadrua vullnetarisht në atë formacion të madh partizan, dhe ra heroikisht në Qafën e Gjarprit, kur u kthye nga punimet e Kongresit të Përmetit pasi ishte delegat i Brigadës së Parë Sulmuese, dhe u vra në të njëjtën llogore me njërin prej dajave të mi. Menjëherë mbas lufte, ai djalë i krahinës tuaj u shpall  Heroi i Popullit, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.
Heronjtë e parë të Popullit të shpallur nga Parlamenti Shqiptar në janarin e vitit 1946, ishin tre. Dhe kush ishin ata të tre, se? Dy nga Kosova juaj dhe një nga Labëria ime. I pari ishte Isa Buletini, krahu i armatosur i Qeverisë së Ismail Qemalit. Edhe i dyti ishte po prej Kosove, i cili njihej dhe njihet me emrin e krahinës tuaj Karadaku, por që emrin e dhënë nga nëna Kosovare e kishte Xheladin Beqiri, komandanti i çetës “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit.
Dhe, i treti ishte shoku më i ngushtë dhe bashkëluftëtari i Karadakut, komisari i asaj çete ku komandant ishte Karadaku, labi Asim Zeneli, rënë në 2 korrik 1943, në Grykën e Mezhgoranit, ku para trupit të tij u betua komandant Karadaku: “Fli i qetë Asim, se hakun do ta marrim, gjakun që derdhe ti për Shqipëri, shtrenjtë do ta paguaj fashist italiani, ti je një hero për liri”.
Sikundër e shihni, unë nuk kam bërë asgjë më shumë, vetëm se i ktheva borxhin Karadakut, duke i marrë hakun sipas betimit të tij.
Lavdi dëshmorëve shqiptarë të të dy luftërave çlirimtare!
Lavdi Ushtrisë sonë Çlirimtare!
Rroftë Kosova e Lirë!
(Kur u ktheva për t’u ulur, Bacën Hysen e gjeta tek përlotej).

“VULLNETARI I LIRISË”
Këtë emër ka shoqata e luftëtarëve shqiptar që shkuan në luftë për çlirimin e Kosovës. Më pyetën në radion ‘Kosova e Lirë’ për këtë shoqatë… Ju përgjigja: Në shoqatën tonë, të cilën e kemi emërtuar ‘Vullnetari i Lirisë’ bëjnë pjesë vullnetarët nga trevat shqiptare jashtë kufijve administrativë të Kosovës, si dhe nga diaspora jonë e të huaj, që iu përgjigjën thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës prej pushtuesit shekullor. Gjithashtu, në këtë shoqatë bëjnë pjesë të gjithë ata vullnetarë, që nuk kanë qenë qytetarë të territoreve ku u krijuan dhe luftuan UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe, që mbushën radhët e tyre. Nëpërmjet kësaj shoqate dhe gazetës së saj, me të njëjtin emër, do të zgjojmë nga gjumi mbrojtësit e statukuosë së heshtjes hermetike të institucioneve shtetërore e politike të Tiranës dhe Prishtinës ndaj vullnetarëve që shkuan në luftën për çlirimin e Kosovës e të trevave të tjera shqiptare, me mesazhin se do të jetë në nderin e tyre e të historisë sonë, në rast se e vlerësojnë kontributin e vullnetarëve të lirisë. Eshtë vepra e këtyre vullnetarëve të të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës sonë të hershme e të tashme, që e ngacmoi ndërgjegjen kombëtare, për zëvendësimin ndërgjegjes së internacionalizmit proletar, (që ka mbizotëruar te shqiptarët deri në fillim të viteve ’90-të), si dhe ndërgjegjen e globalizmit, (që ekziston te politikanët tonë sot), me ndërgjegjen kombëtare shqiptare të hershme, e cila ka ekzistuar në luftërat e Skënderbeut, Lidhjen e Prizrenit e deri në përfundimin e Rilindjes sonë e që u manifestua triumfalisht në Kongresin e Lushnjes, e sidomos në zbatim të vendimeve të tij, ku idealizmi kombëtar i treguar në atë vit të zbatimit të atyre vendimeve bëri më shumë se ç’kishin bërë shqiptarët gjatë më shumë se 10 shekujve më parë….”.

APOLOGJIA E BALLKANIT


Ferid Muhiq
Ferid Muhiç
Sokrati është i mundur vetëm në Ballkan. Nëse kërkoni argumente, përfytyrojeni Sokratin në Angli, ose në Gjermani, ose në Suedi. Sokrati është saktësisht fenomen ballkanik; një instancë endemike, siç është edhe Ballkani një rast endemik. Të të akuzojnë për krim ata që u ke bërë të mirën më të madhe; të të dënojnë me vdekje ata që u ke hapur dhe u ke ndriçuar mendjen, kjo mund të ndodhë vetëm në Ballkan. Sokrati, sipas profetes nga Delfi, e cila nuk kish gabuar asnjëherë, ishte “më i mençur ndër njerëz”. Mendjen e tij plot bujari ua dhuronte të gjithëve. Dijen e tij e këmbente me miqtë dhe me armiqtë. Ai mbeti i varfër, edhe pse e donin më të pasurit. Ai nuk arriti asnjëherë fuqi, ndonëse ishte i rrethuar nga më të fortët. Dinte më shumë se të arsimuarit, ndërkohë që e akuzonin se ishte i paarsimuar. Të rinjtë i udhëzonte në rrugën e virtytit, ndërkohë që u dënua me vdekje me akuzën se po prishte rininë. Predikonte ekzistencën e një Zoti të vetëm me shumë pasion, ndërkohë që e dënuan me vdekje për herezi dhe blasfemi. Mbrojtja e tij para gjykatës, e njohur si “Apologjia e Sokratit”, nuk e ndihmoi që t’i shmangej dënimit me vdekje, por, nga ana tjetër, e bëri të pavdekshëm! Shtrohet pyetja se kush e kishte akuzuar Sokratin? Bashkëqytetarët e tij, banorët e qytetit ku kishte lindur, të cilit i dha vulën e urtësisë dhe aurën e virtytit! Një njeri i tillë mund të lindte vetëm në Ballkan dhe vetëm në Ballkan mund të kishte këtë fat.
Më shumë se dymijë vjet më vonë, mbase për shkak të ndonjë drejtësie më të lartë ose për shkak të rezistencës së virusit të padrejtësisë, mallkimi i Sokratit goditi Ballkanin. Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë që është ngritur akuza kundër Ballkanit: e pështyjnë për shkak të primitivizmit, mungesës së kulturës dhe qytetërimit; e akuzojnë se po prish të rinjtë dhe pleqtë; se është një “strehë për heretikët” (refugium haereticorum); e ngarkojnë me blasfemi; e gjykojnë për krimet më të rënda. Ballkani, i cili në fillim të erës së re quhej “Kopsa e botëve” (Catena mundi) – sepse vërtet që ka qenë qendra e botës, ku janë bashkuar tre kontinentet e njohura, Afrika, Azia dhe Europa, duke bashkuar dijet e tyre më të larta, jo në aspektin epigjenik, por drejt një sinteze origjinale dhe kreative – sot është shpallur si guacë dhe WC e Europës! Nga kush akuzohet sot Ballkani? Pikërisht prej asaj Europe për të cilën Ballkani është jo vetëm burim, por edhe deltë; jo vetëm alfa, por edhe omega, dhe i cili i ka dhënë edhe emrin, përveç urtësisë, drejtësisë, artit dhe virtytit, që ajo i ka marrë po nga Ballkani!
Kanë kaluar shumë kohë që Ballkani po shkruan “Apologjinë” e tij, që sipas logjikës së padrejtësisë historike dhe precedentit të Sokratit, nuk do gjykohet me liri. Por, sipas drejtësisë historike dhe rrëfimit për Sokratin, Ballkani do ta sigurojë pavdekësinë. Pikat kryesore të “Apologjisë së Ballkanit” janë fokusuar mbi akuzat më të rënda.
Në raport me akuzën e parë, që Ballkani përbën një çerdhe tradicionale primitivizmi dhe një zorrë qorre të qytetërimit, le të kujtohemi se e ashtuquajtura filozofi perëndimore, shkencë perëndimore, kulturë perëndimore, demokraci perëndimore, me një fjalë i gjithë qytetërimi perëndimor buron drejtpërdrejt nga Ballkani! Edhe Sokrati, edhe Platoni, edhe Aristoteli, edhe Soloni, edhe Perikliu, edhe Herodoti, edhe Tuqididi, edhe Sofokliu, edhe Fidia, edhe Euripidi, edhe Aleksandri bashkë me babanë e tij, Filipin, si dhe nënën, Olimpian, që të gjithë me radhë kanë lindur në Ballkan, dhe nuk kanë shkelur kurrë në Londër, në Paris, në Berlin apo në Bruksel. Në fakt, këto qytete, në atë kohë as që kanë ekzistuar, as si mëhallë fshati nuk u është përmendur emri. Pa këto emra dhe pa dy-treqind ballkanas të tjerë, as që do ekzistonte filozofia perëndimore, shkenca perëndimore, kultura perëndimore, demokracia perëndimore dhe qytetërimi perëndimor, ndërsa bota nuk do ishte kështu siç është. Madje edhe Zeusi, si dhe të gjithë hyjnitë e tjera, në atë kohë kanë jetuar në malin Olimp, në zemër të Ballkanit, e jo në Europën Perëndimore. Gjithçka që ata dinë sot e kanë mësuar nga Ballkani. Ndërsa tani kanë gjetur rastin të akuzojnë Ballkanin për primitivizëm, për mungesë kulture dhe qytetërimi, duke përvetësuar pa pikë turpi veprat e ballkanasve si realizime të tyre. Vallë, askush nuk do i dënojë për shpifje dhe si plagjiatorë të paskrupullt!?
Akuza e dytë kapitale kundër Ballkanit ka të bëjë me dhunën fetare dhe etnike, mungesën e tolerancës, me brutalitetin, përndjekjet dhe krimet masive. Megjithatë, eksodi më i madh dhe përndjekja tërësore në historinë e njohur, e realizuar vetëm për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, ka ndodhur në vitin 1492 shumë larg nga Ballkani, në Spanjën e atëhershme, kur të gjithë muslimanët dhe hebrenjtë ishin përzënë. Ata që nuk kishin nga të shkonin, ose u vranë, ose u kryqëzuan. Muslimanët e kryqëzuar me dhunë, të quajtur në mënyrë pezhorative moriskosë, si dhe hebrenjtë e kryqëzuar me dhunë, të quajtur maranosë, qenë përndjekur edhe 120 vite të tëra më pas: të akuzuar për herezi dhe blasfemi; të dënuar pa asnjë faj; të masakruar përçudshëm e kështu me radhë. Përfundimisht ishte lëshuar urdhri që deri në mars të vitit 1612, ose do vriteshin, ose duheshin përzënë nga Mbretëria e Spanjës.
Dhe, ndërkohë që luftërat më të përgjakshme në Europën Perëndimore janë zhvilluar për motive religjioze/doktrinare, në Ballkan mbizotëronte një atmosferë e qëndrueshme dhe paqësore, rrjedhojë e tolerancës multifetare dhe multikulturore, e paprecedentë  në të gjithë historinë botërore. Pikërisht për këtë arsye, numri më i madh i muslimanëve dhe hebrenjve të përndjekur, të përzënë nga Spanja dhe nga vendet e tjera euro-perëndimore, gjetën shpëtim dhe strehë bash në Ballkan. Kishat, xhamitë, katedralet dhe sinagogat, ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër e Europës, në Ballkan qëndronin pranë njëra-tjetrës, që edhe sot dëshmojnë në favor të mbrojtjes së Ballkanit. Krimi më i tmerrshëm kolektiv, holokausti, nuk ka ndodhur në Ballkan; as nuk është planifikuar dhe as është kryer nga ballkanasit. Të vrasësh miliona njerëz në kuadër të një projekti ideologjik, në emër të arsyes dhe qëllimeve të larta, për ballkanasin kjo është shumë monstruoze! Vërtet çnjerëzore! Për ballkanasin vrasja  njerëzve është çështje ndjenjash, emocionesh – nuk është një çështje e arsyes. Vrasja është një formë çmendurie: vetëm një i çmendur i përkohshëm (nga urrejtja, nga hidhërimi!), një njeri pa arsye, që ka dalë nga vetja, mund të bëjë një vepër të tillë të tmerrshme, siç është vrasja e njeriut. Në Ballkan, njeriu i arsyeshëm, njeriu që është në vete, nuk do vriste kurrë një njeri. Llogoret e përqendrimit nuk janë menduar nga ballkanasit, por nga anglezët. Bombën atomike nuk e kanë hedhur ballkanasit.
Që nga themelimi i tij, duke filluar me Torkvemadën dhe me pasuesin e tij Lojola, e deri ne fund të tij, inkuizicioni ka gjykuar me vdekje dhe djegie me zjarr më shumë se dhjetëmijë njerëz, dhe kjo vetëm për motive doktrinare, teorike. Siç thuhet, nisur nga parimi! Në listën e të djegurve janë gjetur mijëra njerëz kundër të cilëve nuk ishte bërë asgjë, dhe të cilët nuk i kishin bërë kujt asnjë të keqe – përveçse ishin të mashtruar nga djalli! Prandaj, në atë listë kishte edhe njerëz të thjeshtë, shkencëtarë të mëdhenj, pleq, gra, madje edhe fëmijë. Në Ballkan nuk ka ekzistuar asnjëherë inkuizicioni; as që ka qenë e mundur. Torkvemado dhe Lojola nuk kanë urryer askënd. Gjykimet e tyre nuk përmbanin diçka të ngjashme. Vdekja në Ballkan është një temë për të cilën me patjetër duhet të keni diçka shumë personale. Asnjë ballkanas i vërtetë nuk mund të pranojë të vrisni një njeri ndaj të cilit nuk ndjeni asgjë personale! Nëse nuk e urreni, si mund ta vrisni!? Njeriu nuk vritet thjesht, ashtu siç theret delja ose pula! Kur njeriu vritet për kot, kur ekzekutohet për kot, ai përçmohet, i mohohet e gjithë njerëzorja! Të paktën i vrari meriton pak respekt nga vrasësi, që të mos ekzekutohet si dele apo si pulë! Vdekja e tij është e pakuptimtë, ndërkohë që ai degradohet si njeri, nëse vrasësi nuk ka ndjerë asgjë ndaj tij – as urrejtje, as hidhërim, as pikëllim, as lehtësim, as vuajtje, as pendim! Thjesht asgjë. Vetëm ai që urren ka një shtysë mjaft të fortë – për të mos thënë edhe të arsyeshme – për të vrarë. Vetëm urrejtja është motivi i pranuar i ballkanasve për të vrarë një njeri ose me dhjetëra.
Është mirë të kujtohemi… Por, edhe Ballkani ka historinë e tij të përgjakshme, dhe në Ballkan lulëzon e harlisur lulja e krimit, nëse na kujtohen fjalët e Baudelaire-t. Në atë pjesë të Europës që e akuzon Ballkanin për brutalitet, për krime masive dhe luftëra të rrepta, vrasja e njerëzve është një aksion aseptik, deratizim, një lloj përdorimi sistematik i herbicideve, ku në vend të minjve dhe barit, vuajnë qeniet njerëzore, të degraduara në minj dhe bar! Aksione të tilla vrasjesh, në thelbin e tyre më të thellë janë të organizuara në mënyrë racionale; janë të planifikuara në aspektin logjistik; të motivuara ideologjikisht; janë të justifikuara nga aspekti doktrinar – e thënë shkurt, janë çnjerëzore. “Asgjë personale” thonë planifikuesit, por edhe ekzekutuesit, dhe këtë e thonë pa emocione, nuk u dridhen duart; zemra nuk rreh e çakërdisur. Ata flenë të qetë, pa ankthe dhe pa brejtje ndërgjegjeje. Ky është lloji më i lig i krimit: krimi pa urrejtje! Ekzekutimi versus vrasja. Në të kundërtën, në Ballkan dhe për ballkanasin, çdo gjest është vetjak, me emocion. Mbase Ballkani është vendi i fundit në të cilin ekziston akoma apejroni i fundit autentik antropologjik, ajo protoplazmë, ai brumë primordial (i kryehershëm) në të cilin ruhet akoma bashkësia burimore e të gjitha elementeve nga të cilat është gatuar njeriu.
Prandaj dhe ballkanasi është i afërt me Sokratin, sepse ai nuk ishte gjykuar me vdekje për motive ideologjike, as për shkak të ndonjë mospajtimi intelektual ndërmjet tij dhe akuzuesve, siç pohohet aq shpesh dhe gabimisht! Pikërisht për arsyen se një pjesë e qytetarëve të Athinës, ballkanas në eshtra e në shpirt, thjesht nisën ta urrenin Sokratin. Prej vitesh u kishte llomotitur të njëjtën gjë: me vendosmëri dhe këmbëngulje gjakonte t’u dëshmonte se sa të pavlerë janë dhe çfarë jete të padenjë e të zbrazët jetojnë. Sepse ua kishte sjellë në maje të hundës! Prandaj kishin zënë të pëshpëritnin: “Aman, edhe ai Sokrati! Kur do shpëtojmë prej tij!?” Ndërkaq, prej Sokratit nuk kishte shpëtim, edhe në moshën 70-vjeçare, duke qenë shëndosh si lisi, një asket i vërtetë, rezistues karshi diellit dhe acarit, i pavarur nga të gjithë dhe i kënaqur me atë pak që kishte, ai përbënte një kërcënim që mund të zgjaste: nuk i shihej fundi, mund të hante inat edhe për 100 vjet me radhë! Ndërkaq, përgjatë gjithë jetës, 50 vite rrumbullak, Sokrati vërtet hante inat: nuk donte t’i linte të qetë njerëzit, u kishte ardhur në maje të hundës. Gjysma e athinasve filluan të mos dilnin në Agorë, në sheshin e qytetit – i rrinin larg si djalli temjanit. Nuk u interesonte as e vërteta, as mirësia, as shpirti, por vetëm paratë, ndërkohë që ai, pikërisht për para nuk i linte të hapnin gojë. Iu lutën, i tërhoqën vëmendjen, u përpoqën që ta korruptonin dhe në fund e kërcënuan. Por çdo gjë qe e kotë. Madje edhe kur u dënua me vdekje, i dhanë 30 ditë afat, derisa të kthehej anija nga ishulli i shenjtë – të ikte, t’i mbyllnin sytë, të shkonte vullnetar në syrgjyn; ata do kujdeseshin që ai të jetonte si mbret. Por, jo dhe jo! A e donte me patjetër gjykimin me vdekje prej tyre? Sigurisht që e donte! Në Ballkan nuk kishte shteg tjetër. Aniti, Meleti dhe prokurorët e tjerë ndjenin urrejtje personale ndaj tij dhe ky ishte një rast ideal që ta kurorëzonin në mënyrë ballkanike: me vdekje. Meqë nuk bënte asnjë dëm serioz dhe nuk i rebelonte njerëzit, në çdo vend tjetër Sokrati do e kalonte me ndonjë qortim dhe me një dënim në të holla. Por, në Ballkan, edhe kundërvajtja më e rëndë falet nëse nuk ekziston urrejtja personale. Kurse në pjesën tjetër të botës dënohet kundërvajtja, jo personaliteti. Madje edhe kundërvajtjet më të rënda mund të kalojnë me qortime ose me ndonjë dënim në para, deri edhe çrregullimet relativisht beninje të rendit dhe qetësisë publike, si në rastin e Sokratit, mund të përfundojnë me dënim me vdekje. Në Ballkan gjykohet personi, jo kundërvajtja. Edhe dënimi në Ballkan nuk është dënim, por hakmarrje. Ndërsa amnistia nuk është amnisti, por falje!
Dhe këtu mund ta ndërpresim këtë apologji për Ballkanin, edhe pse potencialisht nuk ka fund. Në këtë rast vetëm sa përmendëm anën më të ligë të njerëzve, pra edhe të ballkanasve – vrasjen e njerëzve. Sa e gjatë dhe e madhe do ishte kjo apologji për Ballkanin nëse do bëhej fjalë për gjërat e bukura: për dashurinë, butësinë, miqësinë! – fenomene që në Ballkan arrijnë proporcione dhe intensitet të lartë dhe nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër në botë! Por, edhe Apologjia e Madhe e Ballkanit, kur të ulet në bankë për të dhënë llogari para prokurorëve dhe gjykatësve, nuk do ndryshojë shumë; sepse as kjo apologji e vogël, as Apologjia e Madhe nuk do jenë të mjaftueshme që të tërhiqen akuzat kundër Ballkanit, sikundër nuk ka mjaftuar as “Apologjia e Sokratit” për tërheqjen e akuzave kundër tij. Sado që të jenë të pabaza, të sforcuara, të pabesueshme, këto akuza kanë qenë të vërteta, nga njerëz të gjallë, realë, në adresë të një njeriu real, të gjallë! Edhe akuzat kundër Ballkanit janë të njëjta: ato janë akuza plot ndjenjë. Baza e tyre e përbashkët është përzierja e urrejtjes dhe zilisë, e superioritetit të rremë dhe inferioritetit të vërtetë. Dhe, pikërisht për shkak të kësaj, këto akuza, me argumentimin e tyre të papranueshëm racional, por me qëllimin e keq irracional dhe të sinqertë, sa më shumë të përsëriten e të shtohen, aq më të pavdekshëm do e bëjnë Ballkanin, njësoj si akuzat kundër Sokratit, që nga ana racionale janë të paargumentuara, por të motivuara nga mëria dhe smira. Ato e bënë të pavdekshëm Sokratin.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...