Opozita është shumë kritike ndaj arrestimit të deputetëve dhe simpatizantëve të tyre dhe sistemin e drejtësisë po e quan të kapur prej pushtetit, megjithatë nëse analizohet se çfarë thotë Kodi Penal për veprimet që ata i kanë bërë, atëherë lirisht mund të konstatohet se vendimet e gjykatësve janë minore për veprimet e tyre, sepse baza ligjore në Kodin Penal parasheh burg deri në 10 vite për këto veprime.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë, Republika.info më poshtë ka radhitur të gjithë bazën ligjore në përputhje me Kodin Penal për veprat penale të deputetëve të opozitës dhe militantëve të tyre.
I. Thirrjet për Republikë të tretë
Përpjekja e ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe e deputetëve të këtij subjekti politik, e shpalosur publikisht si thirrje për një “Republikë të tretë” dhe e materializuar përmes organizimit të manifestimeve të dhunës në Kuvend dhe në publik, mund të cilësohet si vepër penale “Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, sipas nenit 121 të Kodit Penal, transmeton Republika.info.
Neni 121
Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës
1. Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që ta ndryshojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës apo të përmbysë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
2. Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që të pengojë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës apo me përdorim të dhunës ose kanosjes së dhunës implementon rendin e huaj juridik në ndonjë pjesë të Republikës së Kosovës, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
3. Kushdo që me përdorim të dhunës ose me kanosje të dhunës tenton të rrezikojë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tërësinë territoriale dhe karakterin demokratik të shtetit, dënohet jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.
II. Sulmet e deputetëve kundër Veselit dhe Mustafës
Sulmet e deputetëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës kundër kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Kosovës mund të cilësohen si vepër penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, sipas nenit 128 të Kodit Penal, transmeton Republika.info.
Neni 128
Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës
Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Personat e saktësuar në nenin 126 janë:
• Kryetari i Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës;
• Kryeministri i Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ose
• Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës.
III. Veprimet e dhunshme të deputetëve
Nëse kryerja e veprës penale nga nenet 121 dhe 128 ndërlidhet me:
• rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave;
• rrezikon jetën e një apo më shumë personave;
• vepra përcillet me dhunë të rëndë ose shkatërrim në shkallë të madhe; ose
• vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës, atëherë kryesi i veprës dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Veprimet e deputetëve të opozitës, në rastin tonë, janë përcjellë me dhunë të rëndë.
IV. Të bashkuar kundër rendit kushtetues
Veprimtaria e Vetëvendosjes për një “Republikë të tretë” mund të cilësohet edhe si “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese”, sipas nenit 134 të Kodit Penal, transmeton Republika.info.
Neni 134
Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese
1. Kushdo që formon një grup apo ndonjë bashkim tjetër të personave për kryerjen e veprave penale nga nenet 121-134 të këtij Kodi, dënohet me dënimin e paraparë për atë vepër penale.
2. Kushdo që merr pjesë apo bëhet anëtar i grupit apo bashkimit nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
3. Anëtari i grupit apo bashkimit, që e lajmëron grupin para kryerjes së veprës penale nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose mund të lirohet nga dënimi.
V. Përpjekjet për të detyruar Kuvendin dhe Qeverinë të ndërmarrin veprime me motive politike
Veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës mund të cilësohen edhe si terrorizëm. Qëllimi i veprimeve të tyre është që të detyrojnë një organ publik, Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Qeverinë e Kosovës, që të ndërmarrin veprime të caktuara të motivuara politikisht dhe përmes këtyre veprimeve janë duke destabilizuar strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas nenit 135 të Kodit Penal, terrorizëm, veprim terrorist apo vepër e terrorizmit është kryerja e një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare.
Më poshtë argumentohen veprat penale në ndërlidhshmëri me pikat e këtij neni:
Pika 1.3. sulmi, sulmi me lëndim të lehtë trupor dhe sulmi me lëndim të rëndë trupor në shkelje të neneve 187-189 të këtij Kodi (Baza ligjore për sulmin me gaz lotsjellës dhe hedhjen e mjeteve tjera në drejtim të deputetëve dhe personelit të sigurimit gjatë seancave dhe gjatë protestave jashtë Kuvendit).
Pika 1.7. shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm; zjarr vënia apo djegia ose shpërthimi nga pakujdesia në shkelje të neneve 334 ose 365 të këtij Kodi (Baza ligjore për demonstratat e dhunshme dhe trazirat jashtë Kuvendit).
Pika 1.8. shkatërrimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike apo rrezikimi i trafikut publik në shkelje të neneve 129, 366, 378 ose 380 të këtij Kodi (Baza ligjore për gjykimin e demonstruesve të dhunshëm dhe për trazirat e tyre jashtë Kuvendit).
Pika 1.9. furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve, eksplozivit ose armëve nukleare, biologjike ose kimike në shkelje të neneve 176, 369 ose 372-377 të këtij Kodi;
Gazi lotsjellës cilësohet si armë dhe baza ligjore për gjykimin e deputetëve që e kanë hedhur dhe bartur mund të mbështetet në pikën 1.10.
Pika 1.10. përvetësimi i paautorizuar, mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve nukleare, biologjike ose kimike, ose hulumtimet për ose ndërtimi i armëve biologjike ose kimike në shkelje të neneve 176, 369 ose 372-377 të këtij Kodi;
Këtu duhet sqaruar se sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 120, pika 38, armë nënkupton çdo send ose vegël të punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat lirohen gjatë djegies së materieve shpërthyese, elektrike, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, hedhë predha në formë të një plumbi të vetëm, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që krijohet dhe përdoret për të shkaktuar lëndime trupore ose dëm fizik, qoftë edhe psikologjik, si dhe secili send tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose ndaj pasurisë. Armë po ashtu përfshinë municionin, pjesët dhe përbërësit e armëve, si dhe armët nukleare, biologjike dhe kimike. Armë në këtë kuptim janë edhe armët që përdoren për shpërndarjen e gazit irritues. Përdorimi i mjeteve shpërthyese që lirojnë gaz lotsjellës plotësojnë kushtet e cekura si më sipër dhe cilësohen si armë, sepse lirojnë gaz i cili përdoret për të shkaktuar lëndime trupore dhe psikologjike, transmeton Republika.info.
Gjithashtu, edhe pse është shumë e rëndë për ta pranuar, veprat e deputetëve të dhunshëm dhe të protestuesve të dhunshëm mund të cilësohen edhe si vepra terroriste.
Çka është grupi terrorist?
Shprehja “grup terrorist” nënkupton grupin e strukturuar prej më shumë se dy personave, që ekziston për një periudhe kohore dhe i cili vepron në bashkëpunim për kryerjen e terrorizmit. Grup i strukturuar nënkupton një grup i cili nuk është formuar rastësisht për kryerjen e menjëhershme të një vepre dhe i cili nuk ka nevojë të ketë role formalisht të përcaktuara për anëtarët e tij, vazhdimësinë e anëtarësisë ose strukturë të ndërtuar. Në këtë kuptim, të tri partitë opozitare mund të cilësohen si grupe terroriste, sepse janë tri grupe që veç e veç, por edhe së bashku, kanë krijuar struktura organizative me qëllim të kryerjes së veprave penale të terrorizmit sipas Kodit Penal.
Neni 136
Kryerja e veprës terroriste
1. Kushdo që kryen një vepër terroriste dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
2. Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.
3. Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 137
Ndihma në kryerjen e terrorizmit
1. Kur vepra nga neni 385 ose 386 i këtij Kodi kryhet në lidhje me terrorizmin, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
2. Kur vepra nga neni 388 i këtij Kodi kryhet në lidhje me terrorizmin, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
3. Kushdo që e ndihmon kryesin apo bashkëpjesëmarrësin pas kryerjes së një vepre terroriste, duke i siguruar fonde ose burime të tjera materiale personave të tillë, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Neni 138
Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit
1. Kushdo që në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni apo bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdorën tërësisht ose pjesërisht për apo nga grupi terrorist, apo për kryerjen e veprës terroriste, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
2. Kushdo që e ndihmon kryesin apo bashkëpjesëmarrësin pas kryerjes së një vepre terroriste, duke i siguruar fonde ose burime të tjera materiale personit apo personave të tillë, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjet (10) vjet.
Neni 139
Rekrutimi për terrorizëm
Kushdo që i bën thirrje personit tjetër për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprës terroriste, të marrë pjesë në aktivitetet e grupit terrorist apo të sigurojë fonde ose burime materiale, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
Neni 141
Shtytja për kryerjen e veprave terroriste
Kushdo që shpërndan, ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejtë ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
Neni 143
Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist
1. Kushdo që organizon ose drejton një grup terrorist dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë (500.000) euro dhe me burgim prej dhjetë (10) deri në njëzet (20) vjet.
2. Kushdo që merr pjesë në veprimtaritë e grupit terrorist dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet.