Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/28

Ecejaket në kohë dhe hapësirë

Abdi BALETA
E KEQJA E SHQIPTARËVE
Abdi Baleta
Abdi Baleta
Ecejaket në kohë dhe hapësirë
Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike.
Do të ishte mirë që titulli i këtij shkrimi të kishte zënë vend me kohë mbi kapakun e një libri të mirëfilltë studimor si në librin “Le mal français” (“E keqja franceze”) të politikanit e shtetarit francez Alen Peirefit, bashkëpunëtorit të afërt të Gjeneralit De Gol, kur ky ishte President i Francës. Libri me titull “Le mal français” është botuar në Francë në vitin 1979. Në të është bërë një analizë e thelluar dhe në frymë kritike e të gjitha aspekteve të jetës kombëtare dhe shtetërore, politike dhe ekonomike, shpirtërore dhe kulturore, administrative dhe shoqërore, si dhe të politikës së jashtme e të diplomacisë së Francës. Ai cilësohej nga revista “Le Point” si: “Libri më i rëndësishëm që është shkruar mbi vendin tonë qysh nga koha e luftës”.
Kuptohet vetvetiu se një libër i ngjashëm, mbi “Të keqen shqiptare (Le mal albanais)”, do të ishte shumë i dobishëm për shqiptarët në fillim të shekullit XXI, kur shqiptarët ndodhen në udhëkryqin e historisë së tyre dhe nuk arrijnë dot të bien në një mendje se çfarë duan e çfarë u duhet; çfarë duhet të kërkojnë e çfarë duhet të pranojnë nga ato që u ofrohen; çfarë duhet të nderojnë e të mbrojnë dhe çfarë duhet të rishikojnë nga historia e trashëgimia e tyre; çfarë duhet të ripërtërijnë e çfarë duhet të flakin nga kujtimet, doket dhe huqet e tyre, nga mënyra e tyre e të jetuarit e të ëndërruarit; çfarë stereotipash duhet të braktisin e çfarë tabush duhet të krijojnë e të rrënjosin në mendimin e sjelljen e tyre politike kombëtare lidhur me miqtë e me armiqtë; çfarë përfytyrimi duhet të kenë mbi individualitetin, personalitetin dhe dinjitetin kombëtar shqiptar, etj. Shqiptarët ende nuk e dinë mirë se ku janë, ku po shkojnë, çfarë po lënë pas si të panevojshme dhe se çfarë i pret përpara si e panjohur. Me një fjalë, shqiptarët janë në një krizë të përgjithshme e të gjithanshme, që degëzohet në një mori krizash specifike në të gjitha fushat. Nuk mund të pritet sa të dalë një penë e fortë shqiptare si ajo që ka shkruar “Le mal français” për t’u ballafaquar me “të keqen shqiptare”. Prandaj duhet bërë përpjekje që, edhe nëpërmjet copëzash publicistike, të gërvishtet lëkura e së keqes, gjatë këtij viti të trishtë 2013, kur mbushet shekulli i copëtimit të kombit e të trojeve etnike shqiptare.
* * *
Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike.
Në një atmosferë si kjo ai që nuk shkëputet dot nga leximi e ndjen të nevojshme të gjejë diçka të këndshme e të dobishme për të lexuar pa u sforcuar. Libri i parë që mora të lexoja për këtë vit ishte përmbledhja e shkrimeve satirike të shkrimtarit dhe poetit shqiptar që pëlqej më shumë, Mitrush Kutelit (alias Dhimitër Pasko), e titulluar “Havadan më havadan”. Me satirat e sarkazmat e tij shkrimtari ka prekur një tematikë të larmishme nga jeta, zakonet, huqet, psikologjia dhe politika e shqiptarëve deri në LDB. Por, ato duken sikur janë shkruar për të stigmatizuar edhe ngjarjet e zhvillimet e sotme në shoqërinë shqiptare. Kur në gazetat e Shqipërisë lexon tituj si “djali u vetëvar se e keqtrajtuan në polici për akuzën e vjedhjes së pesë pulave të fqinjit” ose “kryeplaku i fshatit vrau fqinjin se i ra me shuplakë djalit të tij për vjedhjen e dy pulave” ose “dy të rinj u plagosën me thika për një gërvishtje të makinës ose pas një grindje në vendin e parkimit”, të dalin para syve skenat e dhimbshme dhe qesharake në satirat e Kutelit: “dikush kishte vrarë dikënd vetëm se duke kaluar rrugës i kishte shkelur hijen, ose e kishte vështruar vëngër”; “dikush kishte vrarë një kalimtar që shkonte rrugës në punën e vet për t’i provuar bashkëbiseduesit se arma që po vajiste kishte qitje të saktë”, “njërin e kishin vrarë se i kishte sytë të zinj, tjetrin se i kishte të gjelbër, të tretin se i kishte të hirrët, dhe njerëzit nuk kuptonin më se të çfarë ngjyre duhej t’i kishin sytë e tyre që të mos viheshin në shënjestër të armëve të trimave pa tru në kokë”.
Po të jetonte Kuteli sot, mund të llahtarisej me larminë e absurditeteve për të cilat bëhen krime të shumta e tejet të shëmtuara. Në satirat e tij Kuteli nuk bën fjalë për “baballarë që vrasin bijtë, për bij që vrasin babën, nënën ose gjyshen për ca para që të luajnë bixhoz, të blejnë drogë, të shkojnë në lokal nate”. Vrasjet në emër të Kanunit që stigmatizonte Kuteli sot janë shumë më të përçudnuara. Figurën e lopçarit të fshatit, të cilit në satirën e Kutelit i shkrepi të bëhej “kaçak” që të fliste fshati për të dhe pyeste gjithnjë “ç’thotë fshati për mua?”, sot e gjejmë shpesh në figurën e politikanit, të pushtetarit, të propagandistit që pasi ka dalë “kaçak” në politikë e në propagandë e vepron krejt mbrapsht me fodullëk dhe pyet “ç’mendon elektorati apo opinioni publik për mua?”. Servilizmi ndaj pushtetarëve e shefave, korrupsioni, fryma e tarafit, që i vinte në lojë Kuteli, sot janë në përmasa të pakrahasueshme me ato të kohës kur ai i shkroi satirat. Çdo gjë që vërejmë, që prekim, që provojmë, na tregon se “e keqja shqiptare” është shtrirë e thelluar në përmasa e me ritme marramendëse. Politikanët partiakë të përfshirë në rivalitetin për pushtet, zëdhënësit e propagandistët e tyre dhe disa grupime të mbyllura opinionistësh “të pavarur”, flasin të shumtën e kohës “havadan më havadan” që ashtu të trullosin opinionin publik.
Në atmosferën e një debati të pazakontë, që u ndez midis shqiptarëve pas deklarimit të papritur të kryeministrit të Shqipërisë se edhe ai ishte kthyer në mbështetës për idenë e bashkimin kombëtar të shqiptarëve, nga libri “Havadan më havadan” më tërhoqën së tepërmi tri skicat e para satirike “Jam patriot”, “Edhe unë jam patriot!” dhe “Patriot, una”, ku shpërthen një sarkazëm e fortë ndaj atyre që spekulojnë me patriotizmin për të nxjerrë përfitime për vete.
Në skicën “Jam patriot” ka një renditje fjalësh të fuqishme që nuk të bën dora t’i cungosh kur të duhet të citosh: “Rroftë Shqipëria! Rroftë atdheu kombëtar shqiptar! Rroftë Flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore, trimërore, dykrenore, shqiptare e Lekës, Pirros edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali! Rrofshin gjithë dëshmorët edhe heronjtë e kombit që vdiqnë për mëmëdhenë! Rroftë! Rroftë! Rroftë!”. I them këto të gjitha nga fundi i zemrës, i mëlçisë dhe i plëncit kombëtar, sepse jam patriot i vërtetë edhe i flakët, si flaka e zjarrit! I kulluar si llomi! I pastër si balta! I drejtë si drapri! Kurdoherë kam qenë patriot kombëtar, i drejtë dhe me qëndrim të patundur si shkëmbi. Kam prova sa të doni dhe sa të mos doni.
Në skicën e dytë “Edhe unë jam patriot” na shfaqet një “më i hershëm në patriotizëm”, i cili më 1925 kishte thirrur “rroftë republika, rroftë presidenti e qeveria kombëtare”, që në emër të popullit pa brekë u dërgonte telegrame urimi ministrave kur merrnin postin dhe shpërblehej me të mira prej tyre; i cili më vonë i predikoi popullit se republika duhej të kthehej në monarki “si në kohën e Skënderbeut” dhe kur e pa se “populli u mërzit me republikë” i tha tij se “duhej të bëheshim perandori kombëtare” e zuri të thërriste “Duçe, Duçe”. Kur ranë Duçja me Viktorin (Emanuelin) në Itali, filloi të mendonte se kujt do t’ia shiste edhe një herë lëkurën, siç ia kërkonte “zanati i tij i patriotit kombëtar”.
Në skicën e tretë “Patriot, una” Kuteli bën fjalë për patriotë edhe më të vjetër që kishin lëvduar me radhë Sulltanin e Stambollës, Mbretin e bukur të Nemces, para se të përuleshin para atij shkurtabiqit të Italisë. Kuteli ka shkruar kështu para se në skenën e historisë shqiptare të shfaqeshin “patriotët komunistë”, që do të përuleshin para Titos, Stalinit e Maos dhe “patriotët e demokracisë”, që po përulen para gjithkujt, sidomos para “integruesve europianë”, që të qëndrojnë ata në pushtet ose të rrëmbejnë ata pushtetin kur nuk e kanë. Çfarë sëmundje e vjetër, e pakuruar dhe në dukje e pakurueshme qenka kjo e “patriotizmit shqiptar” jo-nacionalist!
Sarkazma e fuqishme e Kutelit zbulon se si prej kohësh disa shqiptarë kanë bërë pazar me patriotizmin e interesin kombëtar, si është ngjizur e pse ka vazhduar deri në ditët tona kriza e nacionalizmit shqiptar. Në periudhën që erdhi pasi ishin shkruar satirat e Kutelit kjo krizë e nacionalizmit u kthye në një dukuri të përgjithshme, në antinacionalizëm politik, ideologjik e kulturor. Edhe pas shembjes së komunizmit kriza e nacionalizmit nuk kaloi. Gjatë 20 viteve të paskomunizmit tipat që ka fshikulluar Kuteli nuk kanë munguar në politikën, në mendimin politik, në kulturën e në propagandën shqiptare dhe kanë ndikuar në përhapjen e të keqes së antinacionalizmit në opinionin publik. Prandaj edhe debatet rreth çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar janë kthyer në një “kakofoni patriotike” zërash kumbues politikë, intelektualë e propagandistikë në të gjitha territoret shqiptare.
Megjithatë edhe kjo kakofoni nuk është krejt pa dobi. Dobia e saj e parë është se opinioni publik shqiptar po vëren se çështja e bashkimit kombëtar nuk paska qenë një çështje e kapërcyer, sikurse i është predikuar për disa dekada, por qenka një çështje e shtruar për zgjidhje, siç kanë filluar ta quajnë tashmë edhe disa organe të propagandës që kanë heshtur deri tani. Një dobi tjetër është se opinioni publik do të kuptojë më mirë rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe do të vetëdijesohet se cilat forca politike, cilat rryma të mendimit politik e cilët intelektualë duhet të mbështesë që të çohet përpara çështja e bashkimit kombëtar dhe të ngushtohen hapësirat për veprimtarinë e “patriotëve” që ka demaskuar me kohë Kuteli. Gjëja më pozitive në këtë kakofoni zërash të nacionalizmit të ripërtërirë politik populist, të “nacionalizmit të vonuar”, të “antinacionalizmit të prapambetur”, të “antishqiptarizmit vulgar”, “ të patriotizmit të trembur nga fantazmat ndërkombëtare”, të “intelektualizmit mistrec”, është se kësaj radhe çështja e bashkimit kombëtar shqiptar u ngrit në nivel qeveritar, pra hyri në programin zyrtar shtetëror pas deklaratave të kryeministrit Berisha në Shkup e në Vlorë me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë dhe në paraqitjet e tij të mëvonshme televizive. Si e pati kryeministri këtë punë, nga qejfi apo nga zori, me dëshirë të vet e me vullnet të mirë, apo me hile dhe nën trysninë e sinjaleve ndërkombëtare, kjo është punë për të dhe do ta shohim më vonë.
Tani për tani ka rëndësi që vetë kryeministri i Shqipërisë shpalli para shqiptarëve dhe para diplomacisë ndërkombëtare se shqiptarët duhet të bashkohen, se bashkimi kombëtar shqiptar nuk mund të trajtohet më si një “aspiratë e lavdishme, por e vdekur”, siç shprehej gjatë shumë vitesh, por duhet parë e trajtuar si një problem i shtruar për zgjidhje. Për nacionalistët dhe nacionalizmin e sinqertë shqiptarë që gjatë 20 viteve kanë predikuar e kërkuar pikërisht këtë orientim të politikës zyrtare shtetërore e qeveritare, kjo është një fitore e madhe teorike dhe praktike, përderisa një kryeministër kundërshtar i idesë së bashkimit kombëtar shqiptar u bë promovues e mbështetës i kësaj ideje.
Të tërbuar nga këto zhvillime janë vetëm ata (pseudo)shqiptarë që kurrë nuk e kanë dashur dhe nuk e duan bashkimin kombëtar shqiptar me vetëdije të plotë, apo për mendjelehtësi në gjykimin e trajtimin e problemit dhe për interesa të posaçme. Këta edhe tani do të ngrihen kundër bashkimit kombëtar shqiptar, do të bëjnë çështje të përbashkët me nacionalizmat antishqiptarë sllavë e grek në Ballkan, duke tjerrë lloj-lloj argumentesh të shpëlara gjeopolitike, juridike-ndërkombëtare, gjeostrategjike, realiste-pragmatiste, moderniste-mondialiste për të çorientuar më tej shqiptarët. Ata do të përsërisin si më parë deklaratat se bashkimi shqiptar qenka i vonuar dhe i kapërcyer në histori, se është i panevojshëm në demokraci, është i pakuptimtë në epokën e të drejtave të njeriut e të individit, anakronik në kohën kur kufijtë shtetërorë do të humbasin rëndësinë e tyre; është i papajtueshëm me liberalizmin europian, i padëshiruar dhe i patolerueshëm për diplomacinë ndërkombëtare, madje do të rezultoka i sikletshëm për vetë shqiptarët e bashkuar që e paskan të vështirë të merren vesh midis tyre. “Argumenteve” të tilla u ka dalë boja.
Libri i Kutelit, me të cilin nisa punën e vitit 2013, lexohej shpejt. Prandaj pas tij mora në dorë një libër të veçantë dhe tejet intrigues që kërkon durim e përqendrim të madh për t’u lexuar, “Hakmarrja e gjeografisë. Çfarë na tregon harta për konfliktet e ardhshme dhe betejën kundër fatit”” (Robert D. Kaplan, “The Revenge of Geography. What the Map Tells Us About Coming Conflicts and the Battle Against Fate”, Random House, New York, 2012). Publicisti i mirënjohur amerikan, Robert D. Kaplan, është edhe autor i librit “Fantazmat ballkanase. Një udhëtim nëpër histori” (“The Balkan Ghosts. A Journey Through History”, 1993). Është thënë se ky libër i Robert D. Kapllanit mbi Ballkanin kishte tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, kur iu desh të përpunonte vendimet e rëndësishme që duhej të merrte për Bosnjën dhe për Kosovën. Kjo është një arsye më shumë që libri “Hakmarrja e gjeografisë” të lexohet me kujdes dhe me nge nga vëzhguesit politikë.
Në këtë libër Robert D. Kapllan ka bërë një paraqitje dhe analizë të thelluar krahasuese të teorive të gjeografëve dhe të mendimtarëve të mëdhenj të gjeopolitikës në të shkuarën e afërme dhe të largët, me qëllim që të përshkruajë në mënyrë kritike strumbullarët e zhvillimeve historike dhe të hedhë vështrimin mbi ngjarjet globale që po ndodhin. Autori ka synuar në radhë të parë të nxjerrë në pah se “gjeografia është pikënisja e vetë vargut të ngjarjeve njerëzore”, të shpjegojë ndikimin e faktorëve gjeografikë krahas faktorëve të tjerë, në përcaktimin e zhvillimeve botërore deri sot dhe në të ardhmen, duke qenë i vetëdijshëm se “po shkel në një terren të rrezikshëm kur e ngre gjeografinë në një piedestal”. Për të mos u keqkuptuar, ai ka shkruar se: “Sigurisht gjeografia, historia dhe karakteristikat etnike ndikojnë, por nuk përcaktojnë ngjarjet e ardhshme”( f. 30, 36).

Nexhmedin SPAHIU MBROJTJA E NOVI PAZARIT DHE STANDARDET E PATRIOTIZMIT


Kur e pyesja se më kë ke luftuar në Koleshin, thoshte se ka luftuar me serbët. I thosha: d.m.th. ke qenë partizan se partizanët kanë luftuar me çetnikët?! “Çfarë partizani more, partizanët kanë qenë më të zi se çetnikët”. Po çetnikët kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, ti paske luftuar kundër tyre?! “Oh, jo babo, gjermanët na kanë çliruar, çetnikët i mundëm, po partizanët na mundën”. Ti paske qenë ballist – i thosha. “Jo, nuk kam qenë ballist, kam luftuar mos me i lanë serbët me hy n’Novi Pazar. Novi Pazari ka qenë Kosovë, po tani e kanë ba Serbi”, më thoshte gjyshi. A ke vra ndonjë serb e pyesja? “Nuk e di”, thoshte, “ku e kam ditë se a po e rrokë plumbi apo jo, edhe gjuaja rrallë se i kurseja plumbat se i blinim me pare, e nuk kisha shumë pare”.Derisa jam futur në klasë të parë të shkollës fillore, kam ditur vetëm për një luftë: luftën e Koleshinit. Në shkollë na dërgonin në kinema dhe aty shihnim filma partizanë me gjermanë. Aty na mësonin se partizanët ishin të mirë dhe gjermanët e këqij. Sapo vija në shtëpi gjyshi më thoshte të kundërtën. Ai më thoshte se gjermanët na çliruan, por partizanët ishin këlyshët e serbëve dhe na robëruan përsëri.
Në shkollë mësonim vjersha për lirinë e fituar me gjak, kurse gjyshi më thoshte se nuk ditëm ta ruajmë lirinë që na sollën gjermanët, se ishim të pashkollë, të paorganizuar dhe kur gjermani e humbi luftën, ne s’patëm fuqi ta ruajmë lirinë.
Ky ishte tregimi i gjyshit, dhe duke përvijuar klasave më të larta në shkollë prisja me padurim se kur do të mësojmë për Luftën e Koleshinit, aty ku ishte plagosur gjyshi im. Ai fliste se kishin qenë me mijëra luftëtarë, ndërsa ne në shkollë mësonim për beteja shumë më të vogla, dhe shihnim filma me heronjtë partizanë me numër shumë më te vogël po askund dhe kurrë për Luftën e Koleshinit.
Mbarova dhe fakultetin dhe Lufta e Koleshinit nuk u përmend kund. As sipas versionit të gjyshit tim, e as sipas asnjë lloj versioni.
Do t’më duheshin studime të pavarura e të thelluara për të kuptuar që Lufta e Koleshinit ka qenë lufta më e ndritshme në gjithë historinë e shqiptarëve.
Çfarë ishte Lufta e Koleshinit?
Pas 11 ditëve të sulmit të kombinuar gjerman, italian, hungarez e bullgar të 6 prillit 1941, ndaj Jugosllavisë, Beogradi nënshkroi kapitullimin. Me këtë akt u krijua shteti i pavarur kroat që përfshinte Kroacinë e sotme, Bosnje e Hercegovinën, si dhe pjesë të vogla të Malit të Zi, Vojvodinës dhe Sllovenisë së sotme. Pjesa më e madhe Sllovenisë iu aneksua Gjermanisë e pjesërisht edhe Hungarisë. Hungaria aneksoi Vojvodinën, kurse Bullgaria pjesën më të madhe të Maqedonisë, si dhe një pjesë të vogël të Serbisë së sotme dhe të Kosovës së sotme. Shqipëria mori pjesën më të madhe të Kosovës, disa nga viset shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoninë perëndimore. Pjesa që mbeti u quajt shteti i Serbisë nën protektoratin gjerman.
Meqë Shqipëria ishte nën kurorën e mbretit Italian, Hitleri, për makinerinë e tij luftarake, deshi ta ketë nën kontroll Trepçën që ishte miniera më e madhe në Evropë për plumb dhe zink. Kështu, Mitrovica, Vushtrria, Podujeva e Novi Pazari, në vend se të bëhen pjesë e Shqipërisë, u bënë krahinë autonome në kuadër të Serbisë së kontrolluar nga gjermanët.
Serbët deshën ta shfrytëzojnë rastin për ta spastruar etnikisht këtë territor. Filluan masakrën në Bihor e vendbanime tjera të Sanxhakut të Novi Pazarit, duke avancuar në drejtim të Mitrovicës. Por, kryebashkiaku i Novi Pazarit, Aqif Blyta (1887-1945), ai që dy vite më vonë do t’ishte delegat në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (1943) dhe deputet në Tiranë, organizoi mbrojtjen brilante. Angazhoi vullnetarë nga mbarë Sanxhaku i Novi Pazarit dhe thirri në ndihmë shqiptarët nga Drenica, Shala, Rugova e nga shumë vise tjera anë e kënd Shqipërisë së atëhershme. Ndër ata që iu përgjigjën kësaj klithme ishte edhe Shaban Polluzha (1871-1945) me rreth 3200 luftëtarë. Xhafer Deva (1904-1978), Iliaz Spahiu (Mulla Iljaz Broja) (1892-1946), Miftar Bajraktari i Llaushës etj. ishin truri i kësaj fushate.
Ja çfarë diskutonte dy vite më vonë në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Sali Rama, njëri nga bajraktarët e Rugovës: “Dua t’i lutem Qeverisë s’onë në Tiranë që të mundohet me na i shpëtue qato tokë krejt shqyptare që janë andej ç’prej Mitrovicet, në Pazar e në Senicë. Ato janë toka t’ona pse atje populli asht shqyptar, me zemër e me adete, si na kësaj ane. Unë i njof njato vende, pse kam kanë me luftue, bashkë me shok‘t e mij, kundra shkjevet, që dojshin me hie atje me vra e me therë njerëzit, veç se janë e duen me metë shqyptarë sikur na këndejna“.
Betejat kryesore u zhvilluan në Koleshin, rrjedhën e lumit Ibër, që nga Rozhaja në Mal të Zi, Zubin Potoku në Kosovë, e deri në Rashkë në Serbi. Shqiptarët fituan duke i zmbrapsur serbët në disa përpjekje për t’u futur në Novi Pazar.
Kjo ishte Lufta e Koleshinit që as sot e kësaj dite nuk mësohet në shkollat tona. Por, përse është e rëndësishme kjo luftë?
Nëse zhvishen nga rrenat e stër-zmadhimet ngjarjet tjera nga historia e komunistëve, kjo ishte lufta me më së shumti luftëtarë pas kryengritjes së Hasan Prishtinës së vitit 1912 (30,000 luftëtarë).
Por, nuk janë vetëm numrat që e tregojnë dimensionin e një lufte. Janë motivet në radhë të parë. Motivi i gjithë këtyre luftëtarëve vullnetarë ishte të shpëtonin popullsinë e pafajshme të Sanxhakut të Novi Pazarit nga gjenocidi. Pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve në atë kohë jetonte në një shtet tjetër (Drenica e Rugova ishin në Shqipëri, ndërsa Mitrovica, Shala e Novi Pazari në Serbi). Ata nuk bënë sehir duke thënë se sa gjynah si po vrasin serbët gra e fëmijë në Sanxhakun e Novi Pazarit, po rrokën armët dhe harxhuan plumbat qe i blinin me para. Nuk kishte qeveri apo agjenturë që qëndronte pas tyre. Ishte thjeshtë organizim dhe sakrificë e ndërgjegjes. Ishte solidarizim me tjetrin, me të pafajshmin. Ky është kulmi i ndërgjegjes së një populli.
Më 1993, në klubin “Faik Konica” në Londër, pata ftuar një mik anglez që të përcillnim së bashku një koncert dhe, kur po i përktheja tekstin e këngës së Ahmet Delisë (18??-1913) që po këndonin rapsodët, anglezi më pyeti çfarë patriotizmi na qenkësh ky kur kushtrimi për të luftuar është dhënë tek kur serbët janë futur në Prekaz!? Pse nuk kanë shkuar ta mbrojnë kufirin po kanë pritë që serbët të futën në katund? I shpjegova që standardet e patriotizmit anglez janë të pakrahasueshme me standardet tona, sepse ne jemi një popull i vogël e Anglia ka sunduar botën.
Por, të kthehemi te Lufta e Koleshinit. Standardi patriotik e njerëzor i kësaj lufte është pakrahasueshëm më i larti nga të gjitha luftërat në historinë shqiptare. Aty nuk u mbrojt vetëm kufiri shtetëror, por edhe më tepër, u kaluan kufijtë shtetëror për t’u mbrojtur kufijtë etnikë. Do të thoni se edhe në Luftën e Kosovës (1998-1999), edhe në atë të Luginës së Preshevës, e të Maqedonisë që ndodhën në vijim, pati luftëtarë që kaluan kufijtë respektivë shtetëror. Po, por jo në numër kaq serioz si në rastin e Luftës së Koleshinit. Prandaj, Lufta e Koleshinit paraqet standardin më të lartë të patriotizmit në historinë shqiptare.
Lokalitetet ku janë zhvilluar fushëbetejat e Luftës së Koleshinit (1941) ndodhën pjesën më të madhe jashtë, por një pjesë edhe brenda kufirit të sotëm të Republikës së Kosovës. Ato vende, qoftë edhe ato brenda kufirit, autoritetet e Republikës së Kosovës edhe katër vjet e ca pas shpalljes së Pavarësisë, mund t’i shohin vetëm nga helikopterët e KFOR-it, por këmba e tyre nuk e ka guximin t’i shkelë.
Fakti se autoritetet e Kosovës nuk guxojnë të shkojnë atje të bëjnë ndonjë përmendore apo akademi përkujtimore, nuk do të thotë që nxënësit e studentët tanë në Kosovë e Shqipëri të mos mësojnë për këtë luftë si standardin më të lartë të patriotizmit në historinë tonë.

VAZHDOJNË KUJTIMET E FIRMËTARIT TË PAVARËSISË, HAJREDIN CAKRANI. PËRSE RA QEVERIA E VLORËS!

Blerina GOCE
VAZHDOJNË KUJTIMET E FIRMËTARIT TË PAVARËSISË, HAJREDIN CAKRANI. PËRSE RA QEVERIA E VLORËS!
Drejtori i thesarit Bektash Cakrani: “Ismail bej, kjo që po bën nuk është aventurë, por tradhti!”
Hajredin CakraniProblemet e kufijve të Shqipërisë në 1913, përpjekjet për të njohur jo vetëm shtetin shqiptar, por edhe qeverinë e Vlorës, si dhe “përplasjet” mes figurave historike të njohura të kohës “serviren” në këtë pjesë të kujtimeve të firmëtarit të Pavarësisë, Hajredin Cakrani. Problemet ekonomike me të cilat u duhej të përballeshin atdhetarët, shpalosin mes të tjerave edhe anë të personalitetit të figurave të njohura të atyre viteve. Në shënimet e mëposhtme të Cakranit, zbulohen me të gjithë dritë-hijet personazhet më të mëdhenj që kemi kujtuar. Kjo pjesë e kujtimeve, ashtu si dhe parardhëset, e mundësuar nga nipi i Hajredin Cakranit, Kujtim Cakrani, prezantohet realisht si një shërbim i stërmadh ndaj historisë. Mes tyre hidhet më shumë dritë mbi figurën e Ismail Qemalit, duke e zbuluar atë në tjetër kënd, por lexuesit kanë mundësinë të njohin edhe figurat dhe shërbimin e vëllezërve Cakrani e atdhetarëve të tjerë, një pjesë e të cilëve mbase janë lënë “në hije”, ashtu si nuk e meritonin.
Kufijtë e vitit 1913. Problemi i Korçës; brenda apo jashtë Shqipërisë. Protesta e tyre.
Punët po venin keq e më keq dhe im vëlla Bektashi më të tjerë atdhetarë, u përpoqnë për hyrjen e të gjithë kazave nën guvernën a qeverinë e Vlorës. Unë isha i zënë me luftën kondra grekërve në Skrapar, po puna e sinuarëve (kufijve), n’a digj për ditë e më shumë. Që në fund të 912, Ismail Beu (Qemali), jo që mbeti vetë nëpër mbretëri të Evropit, po kish vënë përfaqësonjësin t’onë, tek të Mëdhenjtë, Mehmet Beun (Konica), se të gjitha kanë an’ e udhë, po që mbretëritë Ballkanike, sërbtë thonin se, -dua gjer më Durrës se ç’kam ca qisha të mija, se këta janë nga Tyrqia të tërë, Mal’ i Zi duaj Shkodrënë, se këtu të tërë janë me mua, s’a vranë me Esat Pashnë dhe komandantin turk që mbron tok me të Shkodrënë, Hasan Pashanë, grekërit tjatër punë, thonin që të krishtërët në Vjosë e poshtë më jug, ishnë të tërë grëkër dhe duhej të virin sinuarë (kufirin) me Gjirokastrë e Korçë brënda. Se ç’do mbetej brenda. ata s’bëneshin merak, po dhe planë t’onë të sinuarëve, o e shihin të fundit o e kishën futur me një sirtar, që s’e hapën kurrë. Si do që Mehmet Beu ish njeri e dhiplomat, e që ne n’a dukej sikur kishte lerë andej, kur i vajti në zyrë chef de la Conférence (kryetari i konferencës-frengj), që ambasadortë do vendosën sinuartë (kufijtë) e priti me shumë siklet nja çerek ore, jo më shumë. Mehmet Beu (Konica), më thanë se i kish thënë inglizit që vështëronte nga penxherja e që s’e begenisi, se ishte aty, se kishën gjetur një hazinè (thesar) të madhe, e duaj t’a ndajë këtë hall me inglizin. Ai kur dëgjoi këtë u ul në muhabet, po Mehmet Beu këtë donte dhe j’a tha hallin e sinorëve, që të ndaheshin atje ku flisnin shqip e ku bëjnë pazarë shqipëtarët, të viret sinuari, po inglizi bëri sikur e dëgjoi. Kur s’u dëgjua Nemsja (Austria-turqisht), që e kish mëndjen më të saktë e n’a kishën thënë qëkur, të shpëtohet ç’të mundë më këtë kuvënt, këtë punë po e mirr lumi dhe gjithë lufta jonë më duket, se s’pati duk. Ismail Beu me Luigj Gurakuqnë po dhe me të tjerë, mbeti Evropit për të vajtur në mbëledhje të cakëtimit të sinuarëve, po me që Verinë i kishën zaptuar serbtë, muar me vete dhe atë malësorin e gjatë, që i flisën Isa Begu (Boletinin), të gjithë allafrënga e ai veshur malësorçe, me qylah e me kobure, sa e bënë gazetartë, si heronë e tyre, pesëqint a njëmijë vjetë përpara. Se përse e bëri këtë mish mash Ismail Beu, duhet një mëndje e hollë, se mirë që mezi duall nga vaportë e grekërve me gjemi të një duke a konti si punë bej i math, po ingliztë, që s’e vrasën fare mëndjen për hallet e dynjasë, vetëm të kenë të tyrej më udhë, jo vetëm që bënë sikur i dëgjuanë, po dhe u tallnë, se ishën më shtëpi të tyrej, jo hiq koburen, jo hiq këpucët te dera. Këjo punë u pá, po se ku do të virej sinori, shpyrti n’a i donte s’a më tutje, do Perëndia e ca habere që vinin se, do viret më Korçë, e ca të tjera do virej më Shkodër, si do që kazatë e veriut i kishëm qarë qëkur, se i kish dhënë Tyrqia më Shën Stefan kur humb me rustë. Aty nga behari ata më në fund e njohën Shqipërinë shtet a mbretëri më vehte, dhe im vëlla Bektashi, më tha se vlonjatët e kishën ndezur me dyfeqe e batarè më telegrafanë, sa që zbrinë fshatërat poshtë, se thanë mos hyrnë grekërit, pa e bënë duket nga mërzitja se nukë n’a kishën njohur guvernë a qeverinë. Po t’i shtosh dhe hallnë e sinuarëve, kohë më të ligë, nukë bënej. Korçarët ishën në fill të perit, se grekërit kërkoin sinuarë të vinej më lart, e Korça të mbetej grekërve dhe kjo ish e padëgjuar për ta. U mbëluath të gjithë e kartat varda guvernës, a qeverisë së Vlorës, i lini kolltukët e ministritë, po hajdeni me nè, të vdesëm tok, nè që i kemi lënë të tëra, kemi mbëledhur fuqitë e fundit e kemi dalë në mal. Po u bë të humbë ky qytet kaq fisnik, jo më që s’ka ilaç t’a shërojë Shqipërinë, se pa Korçën, Gjirokastrën e Çamërinë, më e mirë do që vdekja me nder, se s’a të rrojmë të turpëruar. Nuk mbeti korçarë pa u ngritur më këmbë, me Stavro Karolnë, që ish i parë kryetarë bashkie aty, me Misto Gërmenjë e me Idhome Kosturë, që bëri atë kartë e sa të tjera guvernës. Muntd të më vijë keq për shtëpi e katandi, per kasaba (qytet) e për kaza të tërë, por për korçarë më piku nga ky zeher (helm) haber, se dhe këtë gjë kishëm mangut.
Përplasja më Ismail Qemalin. Koncesioni pa sovran, pa kufij e nga një guvernë provizore nuk është aventurë, por tradhti.
Nganjëherë ne shqiptarët jemi një allasoj (i çuditshëm) mileti e bënemi së prapthi, kur duhet të tregonemi të mënçëm. Në Vlorë të them të vërtetën, ish bërë një rrëmujë, që me Ismail Benë, guvernën e ç’do gjë, dukej sikur kishën ardhur nga tjatër dynja e jo sikur njëndizë (pak kohë më parë), kishëm qënë nën Tyrqi e nashti u bëmë më vete. Ishte fukarallëk i math vërtet e muhaxhirë nga fshatërat që i djegën, e që mua më ishën vrarë sytë nga këjo gjë, vihin me boça në krah këtej më anët tona, po as që bënej llaf nga mileti (populli) të mbëlidhte ndonjë parát a të hollë, për qeverinë të paktën. Kjo e sëkëlldiste (trishtone) tim vëlla Bektashin, si do që gjithënjë, ai e ka zgjidhjen në xhep. Nuk ishte vakti për të bërë puntë rehat, se punë më të madhe se ish lufta dhe këtu unë isha më sinuar tim. Bektashi kishte qënë afër gjërave, dhe ku e shihje tani, s’e gjëje pastaj. Hamza Agai (Isai) me Imer Aganë (Radhima), vanë në krye të vendit në Vlorë, se më të përpjekur se ata, me Brahim Effendinë (Abdullau) e Elmas Effendinë (Kanina), nukë pushonin tutje-tëhu. Po “mali” i kish rënë tim vëllai, Bektashit, pa dhe mua pastaj, se duhej të venim më Llogora se po lëfton Beqir Agai (Velo) e duhej ndimuarë shpetj, fap Bektashin, se ty të dëgjojnë, se ti i mbëleth dyqint a katërqint shpyrt (vetë) e o burra se hataja po n’a vjen më derë, se nuk n’a dilinn këto xhephanetë që n’a bihin ç’do ditë në Vlorë, sa një ditë gjylet, ranë më avlli e tjatrën ditë dërguan Elmas Effendinë (Kanina), se jemi një shtet më vehte nashti, po dëgjonin grekërit?! Shtetin thashë e njohën, po guvernën jo. E poqa tim vëlla Bektashin e m’u duk shumë i lloisur (menduar). U fjalosa me të se, ishte hall jo vetëmi tij, po i të gjithëve. Mirë që nuk n’a e njohën guvernën, po Shqipërinë, si ç’ma ndjente do njohnin ato fshatëra që janë të lira, e ato ku bënej luftë, do i mirr i fituari u tha, e kështu që Ismail Beu, keq brënda e keq jashtë, me mbretëritë. Brenda dukej se po bënej punë e paqme, po nukë kish duk. Se Ismail Benë (Qemali), përditë e sahat e minut, i frynin në vesh llafe, që jo vetëm e çuditën, se ajo jetë që bën në Stamboll, ishte dhe ishte tjatër gjë, po më shumë më dukej se e bezdisnin, pa miqtë tanë në Vlorë, bënë s’a mundën, po aq fuqi kishën. Ne shqiptarët jemi të çuditshëm, po na fole për pará a të holla, e lëmë muhabenë fare, e bëhemi me kë të jetë, vetëm në pará mos n’a nga. Se këjo guvernë a qeveri duhej mbajtur, e se duhej të jepnin nonjë të hollë si punë takse, as që bëhej llaf. Po të bënte vaki të kërkonej si kur ishëm në dovlet (perandori), jam shumë i sigurtë, që do thoshën se ne, ndaj duallëm mënjanë, pa po të qè për të dhjetën e të tretën, ishëm mirë te baba dovleti. Ç’ishën të hollat e mërgimtarëve nga Bukureshti, e ato që jepin miqtë t’onë me gjithë shpyrt në Vlorë, kishën ikur si ujë. Bektashi ishte në merak të madh, jo se po i dhimbeshin paratë e çifligjeve t’onë, po këta vetëm të tunden e shkruajnë vetë, kaq ylefe (rrogë) ti, e kaq ai tjatri, se kush dovlet (perandori) do t’i bjerë këto para, as e vrit njeri mëndjen. E kish llafosur sa herë me Abdi Benë (Toptanin), që e kish si punë ministri të tij dè, po ai kish ca kartëra në dorë përmbys, e s’po i jepte xhevap (përgjigje). E po, -tha im vëlla Bektashi, hesapet po bën, si ministër i financave që është, mor po të bëjë hesapet e tij, pa tek mua përpjekën kokën pastaj. Abdi Beu (Toptani) i këtheu praptas kartërat dhe Bektash beut i himpnë ato të tijat, se ai ishte hazineja (thesari) e të tjerë bëneshin zot. Bektash Beu nuk luajti këmbë, deri sa Abdi Beu qeshi nën mustaqe, e j’a tundi kartërat para hunde, që ishën ca vjersha të tij, se me që kish naftarët (çelsat) e kashtës e s’kish ç’bën, e varda bëj vjershëra. Të gjithë njerëz e miq që vijnë, llafnë e parë qysh ini, të dytnë me të holla qysh j’a shpini, ama Bektash Beut mo j’a kini meraknë, se bejlerëve të Cakranit s’ua ka ngrënë ndonjë herë qeni shkopin. E kish fjalosur dhe me Ismail Benë kaqë herë dhe e ai i thosh që ti e di Bektash Bej, për këtë ti je zot. Mirëpo po ikte behari me luftëra dhe s’po n’a njihinn qeverinë e sinuartë, se si dukej, duhet që mbretëritë Ballkanike, të soseshin më vatër,pastaj të virëshin. Frik’ e madhe ishte dhe më sinuar grek, se ata nuk ngopeshin dhe me mëndje të tyre duajn të dil më Vjosë. Nemsja e pafuqi, thoshte të shpëtoheshin shpejt dhe sa të jetë e mundur, nga veriu e nga jugu doemos, se kur ish puna unë ngrita më këmbë një milion ushtarë dhe ata e bënë që e bënë të tyren. Me gjithë që Esat Pashai nga dera e Toptanajve, që i kishën thënë që pa e bërë Shqipërinë, të vinte këtu në guvernë e të mos trubullonte ujtë, se po na vështronin me dylbi të Mëdhenjtë, e ai bëri sikur u fut në guvernë këtë behar, e ish përgjegjur më prapa, që i math jam vetë.Bëri ç’bëri dhe bëri një si guvernë a pleqësi, si nè, po në konak të tij në Durrës dhe e groposi këtë tonën e Vlorës. Më keq s’bënej dot më, se të Mëdhenjtë, si po venin punët, do n’a i bëhin dhe ne si grekerve qëkur, se nuk janë të zot për të bërë mbretëri, dha fap, j’a prunë një mbret gjermën, atë që i dërguan kartë im gjysh Veis beu më parinë e kazave, t’i ndihmojë. Kishëm shpresë se Ismail Beu, i regjur më punët e Stambollit e Bullgarisë e ku nuk kish qënë, të bënte një copë detyre për këtë vatanë ku kish lerë, pa ish rritur Stambollit. Po as ai nuk n’a kish njohur mirë, ose i mori për sejmenë (këtu-servilë) ata që e rrethonin dhe vonë e kupëtojë, po vakti kish ikur dhe hataja ish bërë. Ç’e zgjas, j’a e dinte Bektashi, se ç’punë e ç’fuqi kish këjo guvernë, j’a s’e dij njeri më këtë dynja. Se im vëlla, mua më ç’koqiti hallnë e thesarit. S’po druan aspak për paratë që duhen, dhe per ç’do gjë që kishën kërkuar po paratë iknë si ujtë, si do që ne nuk kishëm pasur a kishëm nonjë hall, e i vetmi hall ishte vatani, që me gjithë atë mundim, më duket po e humbnim. Ç’do gjë munt të bëjë vaki me tim vëlla, për punë vatani nukë flet dot me të, munt t’a çoshë të vdesë për të, po për i drejtë e t’ja hedhë ndonjë, jo. Këta i vendosin vetë ylefetë (rrogat), shkruajnë e vulos, e më vinë me ca copa kartëra e defterësh dhe vetëm para kërkojnë. Ismail Beut j’a kam thënë sa herë, po ai o më duket i pafuqi, o s’kish parë ç’bënej këtu, e as i njeh, e i vë nëpër ca vënde, (poste), që ai e di. Pa ndonjë gjë për shkollnë, a ndonjë gjë për udhnë, s’bënet llaf fare. Dhe po n’a mori lumi, ata vetëm të kapardisen dinë, po që të vejë në det, unë nukë kam vdekur akoma. Ç’të jetë nisur, të bitiset nga të mëdhenjtë, j’a të vidhiset j’a të ujdiset. Kemi vitëra që i kemi varur torbën punës t’onë, me çifligje e pasuri se o bënet sot, o u përmbysmë, e kur bënet fjala për vatanë, ti e di s’pyes për njeri në dynja. -Të ç’lironesh Bektash Bej dhe ti, se një bankë, si e kanë ata andej, do t’a bëjmë doemos. -Po me ç’para e kapitale do t’a ngrëmë Ismail Bej, se ti e di si po kripemi. Të gjithë duan ylefenë, pa nëpër kafe e bëjnë atë punë, që e ka ëmërin, pa po për para i’u qan syri. -E di Bektash Bej, po unë kam mejtuar, të mos e hapëm nè, po të j’a japëm Nemses (Austrisë) a Italisë, që kemi aty afër, se ti e di, që ne nukë i kemi takanë, t’i vënë ata hë për hë, pastaj do ujdisemi. Këjo ish si punë shakaje mu duk, njëqind vjet. Me që po bëjmë shaka, zotëria juaj kryeministër, a Ismail Bej, qysh të të flas, në më lejonet të bëj një pyetje? Mirë që do vënë paratë ata, po ne kë do lëmë penk Ismail Bej, sarajet e Xhemil Beut me gjithë avlli, se Syrja Beu i ka më vehte. Edhe s’më qeshej -tha im vëlla Bektashi, po dhe shakatë për nè ishën, se të thonë pastaj nursëz, (i vrazhdë) ndaj e vura buzën në gas. Këto Ismail Bej, pa e bërë hesapnë se mo i marrën, si ç’e kanë zënë grekërit, gjer në Vjosë vëndë dhe ikën dhe sarajet e çifliku im. -Unë jam ca si plak për romuzet e tua, Bektash Bej! Ismail Beu e kish me gjithë mënt dhe mua m’u err dynjaja, kaq m’u desh kur flit në kurris të vatanit,- tha Bektash Beu. -Po je dhe ca si i ri zotrote,Ismail Bej, që të pleksesh në pazar me vatanë, e t’a lësh në bixhos, i thonë kësaj. Pa ma çpjego vezir, se qysh do marrëm paratë e të lëmë penk vëndë, që kemi akoma varret e njomë të luftrëravë, që s’kanë të pushuar. S’e kuptuaç pa sinuartë (kufijtë), të bëjmë pazar me vatanë, kur ne nukë kemi as sovranë, e që të Mëdhenjtë na njohën si një copë guvernë kazaje, qysh do bëjmë shaka à faire des concessions (të japim me koncesion-frengj). Qysh do t’a shesëm, pa e marë akoma, pa për të gëzuar me këtë mëndje Mit’hat Pashë, duket dielli që kur len. -Unë nukë jam Mit’hat Pashë po Ismail Bej Vlora, po ty s’ti marr për të keq këto llafe, si do që janë plumb të rënda, se sa ty kam djemtë e mij dhe e di, që s’ja do të lignë vatanit. Gjithë dynjaja është ujdi, Bektash Bej e këjo, ësht’ ujdi që të n’a nxjerri nga halli math që na ka zënë. –Këjo,- i thashë, seule aventure ne peut pas être (vetëm aventurë nuk mund të jetë-frengj) dhe po qè, për tjatër ëmër, kaqë gjë munt t’a gjejë vetë Votre Excellence (Shkëlqesia Juaj). Pa po e do dhe t’a them, e ka emërin tradhëti! Vuri buznë në gas nga zori dhe se ç’doj të më thuaj, po nukë e tha. Kaq gur i math u lëçua e më zu nën vete -tha im vëlla Bektashi, pa atij fët i erth arabaja dhe e mori. Gjumi u mërgua. Munt të lëftoç sa të duash, a të fitosh, po kur vjen puna t’a mbaç, të duket tjatër gjë, që s’e ke pjekur kurrë. E paskej ndarë mëndjen, e nè nukë donim t’a besonim, po më shumë dukej si na një mëndje tjatër ,e futur më kokë të plakut. Pse kështu u bëka Pazar, si më ndonjë sokak të Stambollit dhe i vajçtiplakut prapë, më tha im vëlla. Ismail Beu, m’u duk si i lodhurë e më ç’koqiti ca gjëra, që nuk m’u dukën si hamëndje, po që e kishte ndarë mëndjen, s’bënej llaf fare. S’kemi ç’bëjmë Bektash Bej, e di merak tëndë, po n’a duhet de donner la concession (të japim me konçesion), se jemi në hall të math e kështu mbase dalëm nga këjo hata që na ka zënë. Sahat e minut i them Bektash Beut, se rrëmbehe, kur e shoh si të padrejtë, po këtë herë iu verdh maj’ e hundës nga inati. -E merrni vesh, më bërtit mua dhe Mit’hat Beut (Frashëri), që ish dhe ministër që atë ditë, si do që Mit’hat Beu, ish njeri më i kënduar (i ditur), sa s’bënet, flet javash e fjala i peshon flori, se soji do vejë në soj. -Shiko një çikë këtë punë, se mua më duket se ka të drejtë, si do që nuk munt të dalë krah tim vëllai, për një vepër që munt të jetë dhe e gabuar. E pashë që Mit’hat Beu (Frashëri) u fut në lloi (mendim) që atë çast. -Të gjitha këto që bënen, po bënen gabim, dihet që Bektash Beu ka kaq vitra që ra theror, po këjo s’duket si punë vatani. Nuk e zgjatën dhe u bënë nja dhjet a pesëmbëdhjetë vetë dhe dihet që të shumit ishën korçarë, që po përvëlohen në luftëra, e guverna i shih me sy, e s’bën dot gjë dhe e shkrojtën mémorandum (promemorjen), që të pakësoneshin këto çpenëzime për hiç mos gjë, të vështrohen paratë nga e qysh ikin si ujë dhe se s’është bërë asnjë gjë, që nga gurët e sokakut që mbyte në baltë, më keq se te nè, e gjer më shkollnë që ësht’ vatër e diturisë, pse pak ushtarakë kish aty, sa munt t’i kishën zili mbretëri dhe virën (vendosin-emërojnë), në xhandërmari ca allasëndëk (të dyshimtë, negativë-turq), që nga Myfyt Beu (Libohova),që ish ministër i brëndshëmë e që rrih me shkop bythëve gazetarnë nga Italia, me hynere që s’mirrej vesh ç’bënej, e me ca çeta që i mbanin për trima e kapedanë, e që ishën ca kusarë me nam më këtë anë, po dhe andej, gjer më Stamboll, të ruain vëndë, vunë ujkun bari, dhe domosdo, atë punën e bankës, pa pasur sovranë që të virej zot e të firmosë e pa sinuartë që s’dinim ku do venin, me këtë hata që n’a gjet me orthodhoksë, lart po dhe poshtë (këtu: veri-jug), ku guverna jonë, me gjithë fuqinë e ndihmën të gjithëve, e me atë që ne e ndihëm me të gjithë paratë e çifligjeve t’onë, pa bërë hesap emërin e përkohëshme, nukë kishte fuqi të dil nga kazatë e Vlorës, Beratit e Mallakastrës, me gjithë ne që lëftonim më Skrapar e korçartë që i zu ai hall i math dhe nukë u ndihën dot.
Promemorja që kundërshton qeverinë. Nga 15 në 67 atdhetarë, nënshkruajnë dhe ministra të qeverisë së Vlorës
Si molloiste (ketu:argumenton) im vëlla Bektashi, me ata qe e firmosnë, kaq hollë se i dhimsej, dihet s’donte kallauz (përkthyes), këjo punë, pa lè që m’u droth mishtë kur kisha aty Mit’hat Beun (Frashërin) dhe s’po gjëja tjatër ëmër, se ajo që e kish ujdisur aq mirë, Naim Beu (Frashëri), në ato vjershërat e tij. Tradhtor ishte për vjershërat e tij, pa kur i kemi pjekur (takuar) tradhtarët, u kemi dhënë kusurë, po kaq e madhe puna, rëndonte e s’ngrihej, po me që Ismail Beu kish qënë në Oborr (këtu: oborri i Perandorisë Osmanë) kaq vjet, ishën të shumë ata që ngulën këmbë, se këto ishën pazare të zakonëshme Stambolli, që kishën bërë vitra të tëra, po dhe nè, nukë vinim nga India. Edhe sot unë e them, se ajo ishte mëndje plaku, po jo mëndja e plakut. Bektash Beu nxinte e turfullonte nga inati, po jo me mua. Kur u poqën (takuan) me Fazil Pashën (Toptani) e Amit Benë (Toptani), unë nukë e lashë të fliste dhe i dhashë karar. O, doli bishti para sqeparit. Për ç’do gjë munt të të dëgjojmë, po jo të vësh kujën. Edhe të janë, ruajna Zot, pazare, ti shiko punën tënde. Nukë e qetësoja dot, se u duk që kish marrë të grisur puna. E dija dhe qeshë i sigurt se punëtë në Bullgari a gjetkë, nuk i kishën vajtur si duhet, Smail Beut (Qemali), po mua më trubullonte mejtimi, se që kurë kisha qënë në shkollnë ushtarake në Stamboll, fjalosesha me të birin e njërit, që ish plakur në Oborr dhe se Abdylhamitit i kishën thënë kaqë herë, se s’na pëlqen Mit’hat Pasha (1876 Kryeministër i Perandorisë). Nga ato që dëgjoja e që kishën ngjarë ata, më dridhej mishtë, po ja që Mit’hat Pasha ishte i parë në Oborr, Vezir i Math dhe kish aq dorë të lirë, sa i bënte që nga intrigat e gjer te komplotet, gjer më atë që i ngjau e vdiq Abdylhazizë. Më vonë dolli, që ish dhe hafije (spiun, këyu:punonte për) e inglizit, i kredhur nëpër ato llozhat e tyre të masonerëve, e të gjitha. Ai i njihte mirë çdo gjë e i bënte pa gabim të gjithë pazaret që i leverdisnin, atyre pas tij, se kish fuqi të madhe, deri sa Abdylhamiti e degdisi, a j’a preu koknë, se s’u dëgjua më për të. Kështu pazaret më të mëdha të gjithë dynjasë, bëneshin në Oborr të Stambollit, ndaj qëkur të Mëdhenjtë, nuk donin fare t’a ngisnin Perandorinë Osmanllije, pa le t’a lëftojnë atë, ca të mjerë. A, se mos harroj, Ismail Beu (Qemali) ishe sekretar i tij Chef de Cabinet (shef kabineti) e ç’do gjë, po puna me vatanë ësht’ tjatër gjë. Ai s’të kërkon as bukë, as ujë, as të vishet, kërkon vetëm t’i ngjallësh emërin e harruar. Fazil Pasha m’a këndoi mëndjen dhe tha se këjo vjen erë Mit’hat Pashë. Ai tundi kokënë dhe im vëlla i tha se -jo me mua ama, se vatani është një bè (betim), që po u bë, s’këmbehet me asnjë gjë në dynja. Amit Beu (Toptani) i erth’ në ndihmë atij dhe tha që -s’keni ku veni, tek ne të pushkës do e përpiqni kokën. Ai kish bërë, që në Durrës, ata erdhë e bënë Shqipërinë, se të mos kish dashur, kushedi se kur do Zoti ku do qe bërë, a fare sot. S’paguajmë hiçë gjë, si më dovlet (P.Osmane), as taksë e as gjë dhe pa u bërë akoma, t’ja kishëm këtij copë vëndi, me të hedhur, këjo ishte kujë e shkuar kujës. Amit Beu (Toptani) me Bektash Benë, e shih hatanë si lodër. U bëra paparunde (këtu: flakë i kuq), nga inati që s’kish çt’i thoshja asnjërit, se s’i jep dot mëndje njeriu, kur është më të drejtën. Inatin më shumë e kisha, me këtë fat të zi që na kish pllakosur në vatan, e që mua më ngjan se këjo hata e përzë prapa atë, që mijë vjet, e jo sot. Këjo ishte mangut ,që të flasë dhe Esat Pashnë, që të zgjith ministrinë që do, po ai nukë erdhi më dhe më vonë formoi një si punë pleqësi, më Durrës e kazatë rrotull, që i kish nën hyqëm, me sebepin se guvernën e Vlorës, nukë e duan të Mëdhenjtë, pse të mos bëj dhe një tjatër unë, la concurrence course (gara konkurrence-frëngj), e sido që ndodhi këjo, Ismail Beu (Qemali) e kish friknë te Esat Pasha, që kish fuqi të madhe më ato anë. Ismail Beu po korrte ato llafetë, para e pas kafesë, që i kemi bërë ç’do minutë, kondra njëri-tjetrit, po këtu nukë duronte dot më puna, se ai njeri që kish udhëhequr, sido në vëndet ku e kish çuar Tyrqia, të ngit (këtu:udhëheq) një vapor e tani po mbytej në një sanalle. Këto bëma, që ai i pranonte si zgjidhje, nga ata që i rrinë afër e i fryjnë në vesh, e çuan në qorrsokak, se shqipëtari nukë e mban fajin për vete kurrë, po e degdis gjetkë. Si do që të shumtën e kohës, isha në krah të Xhelal Skraparit e lëftoj me grekërit ,sa herë që vij e takoj tim vëlla Bektashin, mbi dy a tri herë e gjej Ismail Benë me tjatër mendje, po s’të lij dhe Bektashi, kur ta pjekësh 9takosh), duhet t’i thuaç, si e do protokolli, zotrote a kryeministër, po unë j’a preva me të qeshur,- se ai është kryeministri yt, jo imi ne pleqësia jemi më të mëdhenj si rang, e j’u japëm mëndje. U poqmë dhe i thashë, se po ikëm këjo punë në fill të perit ,e po ramë, na mori lumi, po ai ngul këmbë të vej të Evropi për sinuarët. -Ismail Bej, nè s’na pru njeri këtu, erdhëm vetë, se ti e di që i kemi të ngrehura të gjitha me kohë e me vakt, po ky vatani qënka njëmijë herë më i madh, se beja (betimi) që kemi bërë për të. Ky n’a ka bërë, të mirë a të ligj, a jemi bërë gjetiu, s’e di, se kështu mua më ngjan se po vidhiset, jo po ujdiset. Esat Pashai s’do, kurrë mos dashtë, ne duhet t’a zgjidhëm këtë punë dhe pa të. Toptanajt e tjerë, ti e di, i kemi me vethe, e dime dhe që s’munt të bënesh katërqint copë, edhe Evropit, edhe këtu, por po u’a lamë vatanin mbretërive, kush e di ç’udhë merr, pa i bie pastaj, të jemi të shuar, e s’bëjmë dot as një gjë. Bektash Bej ç’i thua ti Hajredin Beut, për këto?!- dhe nuk m’i ngriti sytë. -Po fjaloset me ty Ismail Bej, unë ylefenë (rrogën), j’a kam dhënë. Më këtë muhabet, e pashë që s’ndreqej gjë, dhe përgjegja me qesëndi e Bektash Beut, për nè, që në të vërtetë i lamë të tëra paratë e çifliqeve aty, më dëftoi, se punëtë kishën ikur shumë larg. Po u ndamë si zoqt’ e korbit, vjen qyqja e bën folè, pa me Esat Pashën nuk llafosesh dot, ju e dini, po këjo punë nashti është në dorë të Zotit. Esat Pashnë nukë e kam takuar se kur erdhi në Vlorë unë isha i zënë në jug por të them të vërtetën Ismail Benë dhe në bojë (pamje) dhe në tabijate (sjellje, zakone) ish për atë punë dhipllomat dhe njeri i mënçëm për mua. Ai se ç’kish në të parë si njeri allasoj (këtu:i veçantë) pa allaturk me mjekërr të bardhë kur ish me feste e me t’a hequr atë, dukej njëqind vjet tjatër njeri allafrënga se të gjithë si nën Tyrqi dhe këtej mbanin mustaqe, se edhe Evropi kështu ishtë, e të rrallë ishën ata alla romana të rruar ku herë-herë bëja pjesë dhe unë. Kartënë e memorandum e firmosën të partë nja dhjetë a pesëmbëdhejetë vetë me Mit’hat Benë (Frashëri) që ish dhe ministër i tij, e radhë korçarë, me Mihal Grameno e Misto Gërmenjë, me Idhomen Kosturë e Stavro Karolë që ish kryetar bashkie atje,me Ligor Çilikën që udhëhiq në Manastir më 908 shqipen e Izet e Mendu Zavalanë Seit Bej Qemalë nga Vlorë e të tërë, po asnjeri nuk leshoi pë. Ahere ata që e kundërshtuan Ismail Benë tek këjo aventure vanë nja gjashtëdhjet a shtatëdhjëtë shpyrt me Hasan Bej Prishtnën, Pandeli Çalën, Dervish Bej Himën Fazil Pashën (Toptani), Sotir Kolea, Amit Beun (Toptani), Hajredin Beu (Fratari), Ismail Bej Klosi, Myderiz Mehmeti, Sheh Hasani nga Berati e s’mbaronejshin emërat në memorandum, më të shumta se ne që bëmë dekllaratën e Pamvarësisë e që të gjithë njezes të ç’quar e atdhetarë sa më s’benej. Nukë mjaftonej këjo, po i vëllai i Mehmet Beut (Konica) që e kishëm lënë në Evropë për sinuartë (kufijtë) e të gjitha, Faik Beu (Konica) firmosi nga të parët.

RECENSË E ENIS SULSTAROVA, ARRATISJA NGA LINDJA: ORIENTALIZMI SHQIPTAR NGA NAIMI TE KADAREJA

Besnik PULA
(Departmenti i Sociologjisë, Universiteti i Miçiganit)

RECENSË E ENIS SULSTAROVA, ARRATISJA NGA LINDJA: ORIENTALIZMI SHQIPTAR NGA NAIMI TE KADAREJA
Besnik Pula
Prof.dr.Besnik Pula
Libri i Enis Sulstarovës është një nga përpjekjet e para dhe më sistematike për të përdorur kuadrin teorik të veprës Orientalism (Orientalizmi) të E.W.Said, për të analizuar nacionalizmin shqiptar, ashtu siç shfaqet në letërsi, historiografi dhe ligjërimin politik bashkëkohor. Ndërkaq, qëllimi i librit është arritur me shumë sukses. Sulstarova analizon shfaqjen e dikotomive orientaliste te autorët kryesorë shqiptarë të shek. XIX dhe evoluimin (ose ngulmimin) e tyre gjatë epokave kyçe të historisë shqiptare, në rolin e mekanizmave ligjërimore të përdorura për përcaktimin e identitetit modern shqiptar. Studimi zgjerohet tek përfshin shkrimet e intelektualëve bashkëkohorë shqiptarë, ku Sulstarova zbulon një rishfaqje në rritje të dikotomive të fuqishme orientaliste ndërsa intelektualët përpiqen të shpjegojnë problemet, vështirësitë dhe patologjitë e gjendjes postsocialiste të Shqipërisë, si edhe t’u japin përmasë historike marrëdhënieve të sapo vendosura të këtij vendi me kompleksin politiko-kulturor të quajtur “Evropë”. Analiza e orientalizmit bashkëkohor shqiptar nuk merr si objekt të vetin veprat e autorëve nacionalistë që punojnë në skajet e prodhimit kulturor, të cilët mund të kishin qenë një qitje e lehtë e kritikës ndaj orientalizmit, por veprat e autorëve dhe shkrimtarëve kryesorë, popullorë dhe që për sa u përket prirjeve kulturore dhe politike, zakonisht quhen “liberalë” dhe “proevropianë”. Sulstarova tregon bindshëm se orientalizmi – e ndonjëherë edhe racizmi dhe islamofobia e hapur– ka strukturuar thellësisht mendimin e këtyre autorëve, duke bërë atë që ai e ka emërtuar me vend “orientalizmi shqiptar”, të jetë shumë më tepër se sa një çështje e një mënyre mendimi që i ka kaluar koha.
Duke përcaktuar metodën e tij, Sulstarova ndjek Said, duke e kthyer “orientalizmin” nga një traditë shkencore (sot në pjesën më të madhe të varrosur) të Perëndimit të bazuar mbi studimin e “Orientit”, në një koncept analitik që ka për qëllim të zbulojë dhe shqyrtojë ngulmimin e dikotomive fundamentale epistemike që organizojnë traditën orientaliste të diturisë. Kjo lëvizje teorike synon të vendosë rolin historik që Orientalizmi ka luajtur si një mjet për ndërtimin e vetë-imazhit të Perëndimit dhe të modernitetit të tij, të pozicionuar kundër një “Orienti” të pandryshueshëm dhe jashtë historisë, që përfaqëson një konglomerat gjeo-historik dhe kulturor të paanë, por në dukje homogjen. Sigurisht që Sultarova nuk harron të përmendë se disiplina e orientalizmit mori trajtë gjatë epokës kulmore të kolonializmit perëndimor dhe se ajo ka qenë e lidhur ngushtë me strukturat koloniale të pushtetit dhe sundimit. Por, duke qenë se Shqipëria nuk ka qenë një fuqi kolonialiste dhe studimet orientale asnjëherë nuk morën trajtë si një traditë shkencore në Shqipëri, Sultarova orientalizmin e koncepton si “mënyrën e mendimit që merr si premisë ndarjen midis Perëndimit dhe Lindjes”, në të cilën Perëndimi shfaqet si një formacion social dhe kulturor i vetëm, i unifikuar dhe relativisht i qëndrueshëm, me një sërë veçorish superiore, kurse Orienti si e kundërta e tij (f. 25). Kështu për Sulstarovën kategoria analitike e orientalizmit përdoret për të kuptuar vetëndërtimin prej autorëve nacionalistë të identitetit kombëtar, bazuar mbi supozimet dhe themelet e traditës perëndimore të orientalizmit, dhe se si ligjërimet nacionaliste e përdorën orientalizmit në rrëfimet e identitetit historik të kombeve përkatëse, duke e pozicionuar veten dhe të tjerët brenda ontologjisë së orientalizmit.
Përveç hyrjes, libri i Sulstarovës përmban shtatë kapituj, i pari i të cilëve ofron kuadrin analitik dhe të tjerët i kushtohen analizës së orientalizmit ashtu siç shfaqet në periudha të veçanta të historisë së Shqipërisë. Kjo histori përfshin prej fillesave të nacionalizmit shqiptar në shek. XIX deri në vazhdimësinë orientaliste gjatë regjimeve politike shqiptare para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e deri në debatet e tanishme mbi identitetin shqiptar dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin.
Analiza historike e librit përqendrohet rreth poetit dhe shkrimtarit me famë të shek. XIX, Naim Frashërit. Sulstarova tregon se si Frashëri dhe bashkëkohësit e tij mbështeteshin fuqishëm te dikotomitë orientaliste në përpjekjet e tyre për të larguar identitetin historik shqiptar prej Orientit, që në atë kohë mishërohej nga armiku kryesor i nacionalistëve shqiptarë, Perandoria Osmane. Vepra e Frashërit është fokusi kryesor i kapitullit, duke marrë parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm të tij në nacionalizmin shqiptar dhe statusin e tij si poet i mirënjohur i periudhës së Rilindjes Kombëtare. Për shembull, Sulstarova vëzhgon se rëndësia që Frashëri dhe bashkëkohësit e tij i japin prejardhjes së lashtë pellazge dhe ilire të shqiptarëve është përdorur jo vetëm për të identifikuar rrënjët etnike, por edhe për të theksuar prejardhjen e veçantë evropiane të shqiptarëve, për t’i diferencuar plotësisht ata prej turqve “aziatikë”. Megjithatë, Sulstarova tregon se orientalizmi nuk përdorej vetëm për të ndërtuar ndryshimin prej tjetrit. Si një ligjërim kulturor, orientalizmi shkonte më thellë në strukturimin e narrativës historike të identitetit shqiptar, duke vepruar si një element kyç në disa drejtime. Sundimi osman mbi shqiptarët kështu përfaqëson jo vetëm mohimin e vetëqeverisjes, por edhe një përpjekje skandaloze pesëshekullore për të këputur lidhjet historike të Shqipërisë me Perëndimin. Me anë të analizës së njërës prej poemave më popullore të Frashërit, Istori’ e Skënderbeut, Sulstarova shqyrton përdorimin prej Frashërit të figurës mesjetare të Skënderbeut për të dhënë imazhin e një epoke në të cilën shqiptarët janë, pjesërisht edhe prej krishtërimit, pjesë e Perëndimit.
Sulstarova tregon se si përfytyrimet historike të Frashërit për Skënderbeun dhe epokën e tij janë ndikuar fuqishëm prej biografisë së studiuesit kishtar Marin Barleti në shek. XVI, i cili e portretizon “Turkun” si barbar të racës më të ulët, që synon të pushtojë dhe shkatërrojë gjithë Evropën e krishterë – një temë standarde kjo në narrativat historike orientaliste mbi ekspansionin osman në Evropë. Ky imazh rishfaqet në poemën e Frashërit, ku turku figuron si një shkatërrues i pamëshirshëm, një barbar i papërmbajtur dhe lakmitar, që kërkon të zhdukë qytetërimin perëndimor. Kështu, Skënderbeu del si mbrojtës i Evropës dhe Shqipëria si porta hyrëse për në Evropë. Për Frashërin, çasti i tanishëm është shansi historik për shqiptarët që të shkëputen prej Orientit dhe të kërkojnë vendin që u përket në qytetërim (perëndimor). Megjithatë, Perëndimi në poemën e Frashërit përfaqëson diçka të ndryshme prej atij të kohës së Skënderbeut. Për Frashërin, një mysliman bektashi, Perëndimi i kohës së tij është mishërimi i modernitetit dhe përparimit shekullar, për të cilat aspiron edhe Shqipëria.
Ndërsa analiza e teksteve kryesore të Naimit, ndikimet mbi veprën e tij dhe konteksti kulturor kur shkruante, janë përdorur si mjete për të shqyrtuar hyrjen e mendimit orientalist në ligjërimin nacionalist shqiptar qysh në fillimet e këtij të fundit, një numër më i madh autorësh është përdorur për të analizuar orientalizmin në polemikat e politikanëve dhe intelektualëve të drejtuar kah reformimi dhe modernizimi i Shqipërisë pas pavarësisë. Kapitulli i librit mbi orientalizmin shqiptar midis dy luftërave botërore titullohet saktë “Oksidentalizimi i Shqipërisë”. Sulstarova ilustron se si “oksidentalizimi” pjesërisht kishte kuptimin e “çorientalizimit”, që do të thoshte spastrimi i të gjitha mbetjeve kulturore dhe shoqërore të trashëguara prej kohës osmane – padyshim një çështje e ndërlikuar në një vend ku popullsia është në shumicë myslimane dhe ku pronarët e kohës osmane, bejlerët, vazhdonin të dominonin shoqërinë dhe politikën. Gjatë kësaj kohe, orientalizmi ofronte jo vetëm fushën e vizionit që përcaktonte se çfarë ishte “orientale” në Shqipëri dhe çfarë nuk ishte, por gjithashtu u kthye në një mjet që modernizuesit e rinj, të arsimuar me idetë perëndimore përdornin për të denoncuar armiqtë e tyre politikë. Për këtë grup modernizuesish, siç ishin ata të mbledhur rreth shkollës së neoshqiptarizmës së Branko Merxhanit, orientalizmi shërbente jo vetëm si një mjet polemik, por edhe për ta përcaktuar projektin historik të Shqipërisë pas pavarësisë si një “oksidentalizim” politik dhe kulturor.
Në një tjetër kapitull, Sulstarova ofron një shpjegim të shkëlqyeshëm të ndërtimit letrar që atyre që i quan “personazhe orientaliste”. Këta janë portrete fiktive të figurave (zakonisht të fuqishme), që sipas autorëve të tyre ilustrojnë tiparet e personalitetit të personave që përfaqësojnë shpirtin oriental (të trashë, epshorë dhe irracionalë). Orienti në këtë mënyrë gjendet jo vetëm si një formacion kulturor i ardhur prej së kaluarës, por si një shpirt që ndodhet thellë në trupin e karakterit oriental, një qenie që ka hyrë si një sëmundje në shoqërinë shqiptare. Veçoritë morale të këtij karakteri janë vërtet të neveritshme. Duke shqyrtuar personazhin fiktiv të Xheladiun Beut ashtu siç del në një tregim me shumë ndikim të botuar në vitin 1937, me të cilin autori synonte të përfaqësonte stereotipin e beut shqiptar, Sulstarova na thotë se personaliteti oriental portretizohet si esencialisht i pandryshueshëm, mizor, dinak, gjenetikisht i shthurur dhe lakmitar për perversione seksuale, si homoseksualiteti dhe pedofilia dhe në të njëjtën kohë me një dëshirë të pafrenuar për gra. Sulstarova ka gjetur një mënyrë  të thjeshtë për të shqyrtuar figurën letrare të Xheladin Beut, me anë të krahasimit të diskutimit kritik e historik të K E.Fleming (1999) mbi përshkrimet orientaliste të shek. XIX për sundimtarin osman Ali Pashën. Në këtë analizë krahasuese, Xheladin Beu, më shumë se sa një personazh origjinal i shpikur nga një autor shqiptar, del si riprodhim i një portretizimi historik të “orientalëve” të pushtetshëm, siç jepen nga ligjërimi orientalist.
Ndoshta zbulimi më interesant i librit është lokalizimi i mendimit orientalist në qendër të veprave historike dhe letrare të epokës socialiste të Shqipërisë. Shqipëria socialiste kishte pushuar së kërkuari të bashkohej me Perëndimin ose të bëhej perëndimore – përkundrazi, Perëndimi kapitalist ishte për udhëheqjen komuniste shqiptare, armiku më i madh i Shqipërisë, dhe vlerat dominuese perëndimore, antinom i atyre të komunizmit. Por, paradoksialisht, pozicionimi politik i Shqipërisë si një armik i Perëndimit nuk detyronte një braktisje të orientalizmit në prodhimin kulturor apo ligjërimin politik, sikurse dëshmon Sulstarova. Ai tregon se si ligjërimi i epokës socialiste i zhvendosi koordinatat gjeo-historike të orientalizmit, meqenëse nuk ishte më Perëndimi që përfaqësonte subjektin e tij qendror historik përkundër Orientit ai tjetri i tij, por Shqipëria socialiste si fener i socializmit të vërtetë. Sikurse thotë Sulstarova, “Orientalizmi në socializmin socialist përdorej për përfaqësimin në vepra artistike të Turkut, të Perandorisë Osmane, të bejkerëve, agallarëve, kulakëve, hoxhallarëve, dervishëve, besimtarëve myslimanëve – d.m.th. të gjithë ata që shoqëroheshin me sundimin osman në Shqipëri, por edhe ata që përfaqësonin “klasat shfrytëzuese dhe bashkëpunëtorët e armikut” edhe pas periudhës osmane” (129-130). Në ligjërimin historik, orientalizmi gjen, sidomos në veprat letrare të autorit të mirënjohur Ismail Kadare, zbatimin e tij tradicional si një metodë për të formuar identitetin kombëtar vis-a-vis Perandorisë Osmane të prapambetur, të dhunshme, barbare dhe joevropiane. Duke marrë parasysh se disa prej romaneve të tij janë të vendosura në kontekstin historik osman, Kadareja në mënyrë të qëndrueshme mbështetet mbi dikotomitë orientaliste për të përkufizuar “turqit” islamikë dhe barbarë si kundërshti e shqiptarëve të krishterë “perëndimorë”. Për të, pushtimi osman sinjalizon jo vetëm fundin e pavarësisë politike të principatave mesjetare shqiptare, por edhe nxjerrjen e dhunshme të Shqipërisë prej Evropës dhe vendosjen e saj në Azi. Edhe më interesant është fakti që sipas Sulstarovës, temat e veprave të Kadaresë pasqyrojnë ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri, ndërsa edhe subjekti i Orientit në veprat e Kadaresë ndryshon sipas tyre. Kjo duket pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitet 1960. Është interesante se superfuqia e mëparshme në veprën e Kadaresë kthehet në subjekt që përfaqëson Orientin. Për shembull, në poemën e Kadaresë të botuar në këtë periudhë, “vitet gjashtëdhjetë” hasim vargjet: “Mbi flamurin sovjetik kosorja e draprit/ Befas si gjysmëhënë na ua duk”, pra duke hequr një paralele midis perandorive sovjetike dhe osmane. Sulstarova tregon me një sërë shembujsh, se si pas ndarjes të Shqipërisë me Kinën kjo e fundit bëhet “orientale” në veprën e Kadaresë. Në njërën prej romaneve të tij, udhëheqja komuniste kineze tregohet se kishte për qëllim ta përdorte Shqipërinë si një gur shahu për ta zbatuar një plan sekret për të dominuar gjithë Evropën. Shqipëria e vogël por heroike edhe një herë qëndron e vetme si ledh që e mbron Evropën prej sulmit të Orientit, me sovjetikët dhe kinezët që përfaqësojnë çfarë dikur ishin osmanët.
Pas paraqitjes se orientalizmit në prodhimin artistik të epokës së komunizmit, duket më pak i habitshëm, megjithëse më shqetësues, orientalizmi i hapur e zhurmëmadh, deri edhe te racizmi dhe islamofobia që Kadareja dhe bashkëkohësit e tij shfaqin në epokën pas-socialiste. Në këtë periudhë, nevoja e intelektualëve shqiptarë për ta pozicionuar identitetin politik dhe kulturor të Shqipërisë si esencialisht evropian, duket se ka arritur pikën e paranojës histerike. Një nga çështjet qendrore që nxit këto debate intelektuale është islami dhe marrëdhëniet e tij me identitetin modern shqiptar. Në fillimet e viteve 1990 Kadareja propozoi që shqiptarët në mënyrë kolektive të braktisin islamin dhe të përqafojnë katolicizmin, për t’u rikthyer te feja e paraardhësve të tyre. Islami vazhdimisht fajësohet prej këtyre intelektualëve, të cilët duket se janë të prirur për ta gjykuar atë me anë të stereotipeve dhe përshtypjeve sipërfaqësore, siç e provon Sulstarova në rastin e figurave publike me ndikim si Aurel Plasari, Piro Misha, dhe Mustafa Nano. Efikasiteti i këtyre “kritikave” të islamit bëhet i mundur  me anë të ankorimit të tyre në orientalizmin historik, që lejon për t’i bërë thirrje stereotipeve dhe imazheve të shoqëruara me “Orientin”, ky i fundit duke u shfaqur si  një njësi e veçantë dhe joproblematike. Kështu, argumentojnë këta autorë, një perëndimorizim i vërtetë i Shqipërisë bashkëkohore kërkon, nëse jo braktisjen me gjithsej të islamit, të paktën vendosjen e një distance prej kësaj feje. Meqë këta debate janë të ndikuara shumë prej politikës së ditës, çështja e islamit dhe rolit të tij në shoqërinë shqiptare ka ardhur duke u bërë urgjente pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër Amerikës dhe fillimit të “luftës kundër terrorit” të udhëhequr nga Amerika. Sulstarova ka vënë re, për shembull, një përqafim të intelektualëve më të shquar shqiptarë të nocionit të Samuel Huntington (1996) bazuar mbi “përplasjen e qytetërimeve”, ku 11 shtatori sinjalizon fillimin e një konflikti të tillë. Aurel Plasari, për shembull, në 2002 shkruan se si 11 shtatori vërtetoi vizionin hantingtonian duke e “nxjerrë botën lakuriq”, domethënë së qytetërimet e përkufizuara të tilla në bazë të feve, janë njësitë e vetme reale që kërkojnë përkushtim në botën e ditëve të sotme. Ky vizion ideologjik, i rrënjosur thellë në ndarjet orientaliste të botës, mund të jetë shpjegimi i pjesshëm i fjalimit shumë të diskutueshëm prej presidentit shqiptar në 2005, i cili citohet prej autorit të librit. Në fjalimin e tij presidenti përpiqet ta distancojë Shqipërinë prej islamit duke thënë se është “një islam me fytyrë evropiane”, d.m.th. se është një “islam i cekët” (260). Orientalizmi gjithashtu thirret në ndihmë prej intelektualëve të ndryshëm për të shpjeguar një sërë çështjesh politike dhe shoqërore të Shqipërisë pas-socialiste, ndonjëherë edhe për të shpjeguar për brutalitetin e diktatorit komunist Enver Hoxha, si simptomatike për paaftësinë e Shqipërisë për të kapërcyer trashëgiminë e saj orientale. Rastet që Sulstarova dokumenton dhe diskuton mbi orientalizmin bashkëkohor shqiptar janë të shumta, dëshmi e faktit se orientalizmi nuk është vetëm një trajtë historike me anë të të cilit komunizmi shqiptar ndërton Tjetrin e tij, por një dukuri me pasoja të thella në ligjërimin politik pas-socialist dhe identitetin kulturor.
Libri i Sulstarovës është një arkeologji e shkëlqyer e dikotomive orientaliste në ligjërimin politik dhe kulturor shqiptar dhe është një lexim i domosdoshëm për të gjithë ata që janë të interesuar për politikën, historinë dhe kulturën shqiptare. Libri dokumenton sistematikisht dhe tregon për formimin dhe qëndrueshmërinë e orientalizmit shqiptar, prej shfaqjes së tij në nacionalizmin e shek. XIX deri në debatet e ditëve të sotme mbi identitetin shqiptar. Libri përbën një kritikë shkatërruese të orientalizmit në trajtën e tij të tanishme, i cili shfaqet jo vetëm si një mënyrë stigmatizimi e pjesës joperëndimore të botës, por edhe si një ligjërim gjithmonë e më shumë racist e islamofobik, që përshkon mendimin politik e kulturor në Shqipëri. Sulstarova përdor në mënyrë efikase analiza historike për të treguar dikotomitë e varrosura thellë – dhe ndoshta pjesërisht të pandërgjegjshme – që janë përdorur për të ndërtuar identitetin modern shqiptar, duke ekspozuar pjesë të bazës së tij në kategori mendimi që sipas kritereve të sotme do të dilnin diskriminuese dhe raciste. Pikërisht në këtë pikë Sulstarova identifikon paradoksin më të madh të orientalizmit shqiptar, në atë që ai përdor një mënyrë të të menduarit që kritikohet në Perëndim, për të ndërtuar identitetin e Shqipërisë perëndimore.
Në këtë kuptim, përpjekjet e Sulstarovës ndalin në nivelin e një kritike liberale, duke sugjeruar që orientalizmi të braktiset në emër të bashkimit me “Evropën” (dhe specifikisht me Bashkimin Evropian). Megjithatë, kritika e tij mund të radikalizohet më tutje. Duke qenë se frymëzimi kryesor për studimin e tij është vepra e Michel Foucault (1977; 1980), thellimi i metodës gjenealogjike të Foucault mund të tregojë vërtet se disa prej kategorive kyçe që përkufizojnë ligjërimin nacionalist shqiptar (dhe ligjërimin e nacionalizmit më në përgjithësi) mund të jenë të lidhura me traditat perëndimore të racizmit, darvinizmit social dhe diturisë kolonialiste, sikurse ato që historikisht kanë pjellë orientalizmin. Si një ligjërim vërtet (në kuptimin që i jep Foucault këtij termi), pse historia e mendimit nacionalist të jetë e ndryshme prej asaj të ligjërimeve të tjera të pushtetit që Foucault analizon në studimet e tij tashmë të mirënjohura? Me fjalë të tjera, nacionalizmi është një ligjërim mbi pushtetin në kuptimin më të thellë, por gjithashtu edhe një ligjërim që është historikisht i qëndrueshëm, por edhe i pamundur të ndahet prej rrënjëve të tij epistemike. Kjo sugjeron që orientalizmi shqiptar nuk është thjesht një patologji vendore e kulturës politike dhe intelektuale, por që ai mund të vështrohet nga një pikëvështrim vërtet paskolonial, pasi që orientalizmi shpesh ka vendosur bazën esenciale për shfaqjen e shumë, nëse jo të gjitha, ligjërimeve nacionaliste. (ii) Por këtu, supozoj, qëndron vlera më e madhe e analizës së Sulstarovës, sepse potencialisht të çon te diçka përtej vetes.  Me anë të shumë pyetjeve që ngre libri i tij, mund të hapë rrugën drejt një mënyre që na mundëson jo vetëm ta “provincializojmë Evropën”, siç ka propozuar Chakrabarty (2000), por edhe të çprovincializojmë në mënyrë kritike mendimin nacionalist shqiptar, i cili, sikurse shumica e nacionalizmave, ka tendencën të trajtohet si një dukuri e izoluar që zhvillohet sipas një logjike imanente që është krejtësisht autonome. Përkundrazi, zbulimi se orientalizmi është një parim organizues i rëndësishëm – nëse jo qendror – i ligjërimit dominues të nacionalizmit shqiptar dhe se orientalizmi vazhdon të funksionojë si një supozim i heshtur i debateve intelektuale mbi identitetin shqiptar, sugjeron një panoramë krejt të ndryshme. Ai që dikur ishte vendi më i izoluar i Evropës nuk duket më të ketë qenë aq i larguar prej traditave historikisht evropiane të mendimit  – qofshin ato edhe disa nga traditat më të këqija të historisë evropiane.
Ndoshta u takon të tjerëve të ndriçojnë më fuqishëm lidhjet e thella historike midis orientalizmit dhe ligjërimit nacionalist shqiptar, dhe të qëndrueshmërisë së epistemologjive orientaliste (e prej kësaj, edhe atyre kolonialiste) brenda tij, që do t’u japë mundësinë studiuesve të nacionalizmit të hapin fusha të reja teorike. Sjellja më pranë dritës e lidhjeve historike dhe epistemike midis orientalizmit dhe nacionalizmit do të na lejojë të ndërtojmë një rreth dialektik, në të cilin orientalizmi jo vetëm që shërben për të kritikuar nacionalizmin shqiptar (për të argumentuar se intelektualët shqiptare mbështeten në trajta mendimi që tashmë nuk janë të favorizuara në shumicën e institucioneve akademike perëndimore dhe në ligjërimet politike të qendrës, në këtë mënyrë kërkojnë një rishikim nga ana e tyre), por që kritika orientaliste e nacionalizmit shqiptar mund të shërbejë edhe për të ekspozuar po ato cektina perëndimore dhe moderne të diturisë që vazhdojnë të përshkojnë dhe strukturojnë vetë nacionalizmin. Në një kuptim, çfarë mund të përfaqësojë nacionalizmi, dhe nacionalizmi ballkanik në veçanti, përveç se një mbrojtje ndaj orientalizmit, duke përdorur armët teorike të vetë orientalizmit. Paradoksalisht, duket sikur nacionalizmi e arrin subjektivitetin e tij autonom me koston e përvetësimit në mënyrë aktive të mënyrës historike të diturisë që nuk e ka krijuar vetë. Prej kësaj perspektive, larg prej të përfaqësuarit një ligjërim “derivativ”, ligjërimi historik i nacionalizmit mund të shihet si një mishërim i një mënyre perëndimore të njohurisë par excellence. Cila, atëherë, do të ishte baza e vërtetë e përpjekjeve të vazhdueshme ideologjike e intelektualëve shqiptarë për ta “çuar Shqipërinë në Evropë”, kur përpjekjet e intelektualëve bashkëkohorë shqiptarë për ndërtimin e një identiteti dhe kulture kombëtar të esencializuar dhe të purifikuar, duke racializuar, stigmatizuar dhe përgojuar Tjetrin – një Tjetër që është bërë plotësisht transparent ndaj diturisë – janë strategji ligjërimore tepër moderne dhe tepër evropiane? Për qëllime që shkojnë përtej përfshirjes në debatet vendore intelektuale dhe politike në Shqipëri, shpresojmë se së shpejti do të kemi në duar një përkthim në anglisht të Arratisjes nga lindja.
Burimet:
Canefe, Nergis. 2004. “Foundational Paradoxes of Balkan Nationalisms – Authenticity, Modernity and Nationhood.” http://www.obiv.org.tr/2004/Balkanlar/005-NERGIS%20CANEFE.pdf (Last accessed: July 5, 2006).
Chakrabarty, Dipesh. 2000. Provincializing Europe: Postcolonial Thought and Historical Difference. Princeton, NJ: Princeton University Press.
Chatterjee, Partha. 1986. Nationalist Thought and the Colonial World: A Derivative Discourse. Minneapolis: University of Minnesota Press.
Fleming, K.E. 1999. The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha’s Greece. Princeton, NJ: Princeton University Press.
Fleming, K.E. 2000. “Orientalism, the Balkans, and Balkan Historiography.” American Historical Review, Vol. 105, No. 4.
Foucault, Michel. 1977. Discipline and Punish: The Birth of the Prison. Trans. by Alan Sheridan. New York: Pantheon.
Foucault, Michel. 1980. The History of Sexuality, Vol. I. Trans. by Robert Hurley. New York: Vintage.
Huntington, Samuel. 1996. The Clash of Civilizations. New York: Simon & Schuster.
Kadare, Ismail. 2006. Identiteti evropian i shqiptarëve. Tirana: Onufri.
Said, Edward W. 1978. Orientalism. New York: Pantheon.

(i) Pak pas botimit të librit të Sulstarovës, Ismail Kadare botoi një ese të titulluar “Identiteti evropian i shqiptarëve” (Kadare 2006). Eseja ndërsa risillte qëndrimet standarde të Kadaresë mbi lidhjet e thella historike të Shqipërisë me Perëndimin, gjithashtu i siguronte shqiptarët për “evropianitetin” e tyre duke theksuar ngjyrën e lëkurës së tyre.
(ii)Partha Chatterjee, për shembull for instance, tregon se orientalizmi vepronte te nacionalizmi indian para pavarësisë (Chatterjee 1986). Të tjerë studiues kanë vërejtur se përdorimin e orientalizmit në Ballkanin bashkëkohor (për një përmbledhje shih Fleming, 2000).
(iii) Lidhur me këtë  Nergis Canefe shënon se një çorientalizim i ngjashëm u pa i nevojshëm në nacionalizmin turk. Ai shkruan se “premisat themelore [të nacionalizmit turk] rrekeshin të provonin se turqit nuk ishin një “ngastër orientale” dhe se ata kishin një shoqëri me tipare të brendshme të përparimit politik dhe revolucionit kulturor. Në këtë aspekt, mohimi i trashëgimisë osmane u bë domosdoshmëri” (2004:108).

Fabjola BRAMO : ÇAMËRIA, TOKA E NDALUAR PËR SHQIPTARËT


Trevat shqiptare tanimë të 
pushtuara nga grekët 



I love ÇamëriaNë vitin 1944 rreth 28 mijë çamë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë, ndërsa rreth 7 mijë drejt Turqisë. Militarët grekë vranë rreth 300 civilë të pafajshëm, që nuk pranuan të merrnin rrugën drejt Shqipërisë dhe të linin tokën e të parëve, dogjën dhjetëra fshatra e prona. Qindra familje u ndanë, mijëra pronarë u shpronësuan brenda natës. Asnjë çam nuk ka arritur t’i rifitojë pronat e humbura. Si të mos mjaftonin këto, policia greke nuk lejon hyrjen në Greqi të atyre që kanë në pasaportën vendlindjen në Çamëri. Sot, edhe pse kanë kaluar rreth 68 vjet, çështja çame ende mbetet e pazgjidhur.
Kur isha fëmijë, diku rreth moshës 6-7-vjeçare,  dëgjova për herë të parë fjalën “çam”. Në pallatin ku banoja kishte disa familje çame. E folmja e tyre ishte disi ndryshe me atë që përdornim ne. Në fillim mendova se çamët mund të ishin të ndonjë kombësie të huaj, por që banonin në Shqipëri. I shihja me habi, pasi në atë lloj izolimi që jetonim asokohe, më dukej jashtë mendsh që dikush të zgjidhte të jetonte si ne. Im atë më shpjegoi se çamët ishin shqiptarë si ne, si kosovarët, si shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë etj., por historia ishte treguar shumë e padrejtë me ta. Vite më pas, kur u rrita mjaftueshëm sa për të kuptuar historinë, mësova se prapa dëbimit masiv të çamëve si etni, fshiheshin interesa të lidhura me përfitimin e tokave, pronave e pasurive të begata të Çamërisë.
Dëshirojmë që udhëtimin tonë të revistës “Shenja” nëpër trevat shqiptare për këtë vit, që posa ka trokitur, ta nisim me Çamërinë. Do të vizitojmë historinë e çamëve, pasuritë natyrore, folklorin, personazhet e gastronominë e veçantë të këtyre shqiptarëve. E zgjodhëm jo më kot këtë destinacion, pasi çështja çame është një nga pikat më nevralgjike të kombit shqiptar dhe se protestat e këtij komuniteti janë më të forta se asnjëherë tjetër.
Ku shtrihet Çamëria
Çamëria shtrihet në jugun e Shqipërisë, në veri të territoreve të sotme greke. Më së shumti emërtohet me këtë emër territori ndërmjet Thesprotisë dhe Prevezës, në brigjet joniane të Epirit. Emri Çamëri mendohet se ka lidhje me lumin Thyamis, i cili shqipërohet çam. Një hipotezë tjetër e ngritur lidhet me etimologjinë me emrin e Thesprotisë nën ndikimin osman. Zyrtarisht, territoret çame përfshinin trevat Thesprotia, duke u shtrirë në veri në Gjirin e Ambrakisë, dhe në lindje në malet e Pindit. Lumi Thyamis ishte kufiri verior i kësaj krahine. Mendohet se Çamëria është tkurrur në hartën e shtrirjes së vendbanimeve. Në ditët tona, territoret e dikurshme çame janë pjesë e Sarandës dhe Delvinës dhe kufizohen me Llogoranë dhe malet e Muzinës në veri dhe veri-lindje.
Në kohët moderne Çamëria u reduktua vetëm në territorin dialektologjik të tyre duke u ngushtuar mes lumit Acheron në jug, Butrintit në veri dhe maleve të Pindit në lindje. Aktualisht nën territorin administrative të Shqipërisë gjenden vetëm Konispoli dhe Markati. Të gjitha qytetet dhe fshatrat çame mbetën nën Greqinë. Qytetet më të rëndësishme ishin Janina, Filati, Follorina, Gumenica, Paramithia, Arta etj. Ato janë qytete të zhvilluara, më së shumti Janina dhe Gumenica. Kjo e fundit shërben si një nga portet më të rëndësishme në bregdetin jonian.
Pas vendosjes në Shqipëri, çamët morën nënshtetësinë shqiptare në vitin 1953 dhe u trajtuan si shqiptarë. Çamët më së shumti u vendosën në qytetet e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës. Por, pati dhe një pjesë të këtij komuniteti që u vendos në Himarë, në bregdetin e Jonit, në fshatin Borsh dhe sidomos në zonën Sarandës dhe Delvinës.
Tokat dhe pronat e çamëve patën të njëjtin fat. Greqia ishte e interesuar të përvetësonte tokat e begata të etnisë që përzuri dhe të merrte pa të drejtë pronat e tyre. Një ligj i turpshëm i parlamentit grek në vitin 1953 i konsideroi këto toka si të braktisura nga banorët, të cilët ishin larguar nga Greqia pa leje dhe pasaportë. Në vitin 1956 tokat dhe pronat e tjera kaluan nën pronësinë e shtetit grek ndërsa në vitin 1956, zona u popullua me banorë grekë, të cilët përvetësuan gjithçka gjetën. Çështja e kthimit të pronave pronarëve të dikurshëm ka ngjallur prej vitesh mjaft debate. Një komision i krijuar në vitin 1997 mes palës greke dhe asaj shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave, mendohej se mund të bënte të mundur kompensimin e çamëve, por shpresat u vakën që në nisjen e punës, pasi komisioni nuk funksionoi asnjëherë.
Denigrimi për shkaqe fetare
Një arsye e rëndësishme e denigrimit të popullsisë çame nga Greqia është dhe fakti se shumica e tyre i përkasin fesë islame. Sipas burimeve të ndryshime, islamizimi i Çamërisë ka ndodhur në periudhën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Në shekullin e 17-të, thuajse të gjitha qytetet dhe fshatrat adoptuan fenë islame. Veç këtij fakti, familjet dhe përfaqësuesit e tyre më elitarë luajtën një rol të rëndësishëm në islamizimin e Çamërisë. Pashallarët dhe bejlerët përhapën islamin në popull, ndërsa në jugun e vendin, në Acheron dhe Prevezë, popullsia qëndroi ortodokse, duke ndjekur ritet fetare të grekëve.
Përfundimi i Luftës Greko-Turke dhe nënshkrimi i Traktatit të Lozanës, vendosi që çamët muslimanë të dërgoheshin në Turqi dhe ortodoksët të silleshin në Greqi. Mijëra çamë u çatdhesuan dhe u dërguan në Stamboll. Ky denigrim u duk se u zbut në periudhën kur kryeministër i Greqisë ishte Teodor Pangalos-i, gjysmëshqiptar e gjysmëgrek, i cili shprehej krenar për origjinën e tij shqiptare. Popullsia muslimane qëndroi në trojet e veta për sa kohë që Pangalos-i qëndroi në pushtet. Periudha e regjimit të Janis Metaksas-it ishte më e vështira në historinë e Çamërisë. Jo vetëm që ata nuk lejoheshin të ushtronin veprimtari fetare, por u ndaluan madje të flisnin dhe gjuhën shqipe.
Aktualisht në trevat çame jeton një pjesë e popullsisë autoktone që kanë përqafuar besimin ortodoks. Ata janë folës të gjuhës shqipe dhe e përcjellin atë brez pas brezi. Thuhet se të vjetrit njohin vetëm gjuhën shqipe dhe nuk janë në gjendje të flasin greqisht. Praktikimi i fesë ortodokse u ka mundësuar atyre qëndrimin në Çamëri.
Kontributi çam në çështjen kombëtare
Patriotët çamë nuk munguan në asnjë rast në dhënien e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. Lidhja e Prizrenit mbajtur në vitin 1878 kishte dhe delegatët e saj nga Çamëria, me në krye Abedin Dinon. Madje, me përpjekjet e tij ai arriti të ngrinte dhe një degë të Lidhjes në bregdetin jonian. Ai u vra kur shkonte të merrte pjesë në Lidhjen e Pejës.
Osman  Taka ishte një tjetër bashkohës i Dinos, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Në Çamëri ai themeloi një degë funksionale në Prevezë. Ai u arrestua dhe ekzekutua në Konispol kur u shpërbë Lidhja e Prevezës.
Asambleja e Prevezës, mbajtur menjëherë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, është një tjetër pikë e rëndësishme e kontributit çam në ruajtjen e kufijve shqiptarë. Delegatët nga Labëria dhe Çamëria, numri i të cilëve arriti në 400 delegatë, synonte të pengonte dhënien e Epirit. Asambleja nuk arriti të përmbushte synimet e veta, pasi Artën dhe gadishullin me këtë emër e mori nën sundim Greqia, ndërsa pjesa tjetër e Çamërisë mbeti nën ndikimin osman, nën Vilajetin e Janinës. Në Kongresin e Vlorës, në vitin 1912, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, Çamëria kishte 6 delegatët e saj, të cilët u shprehën pro pavarësisë.
Muzika, vallja dhe veshja
Çamët janë mjaft të apasionuar pas muzikës, e cila në fakt është disi e ndryshme nga ajo shqiptare. Muzika popullore çame ndahet në kategorinë e polifonisë, isopolifonisë dhe baladave popullore. Ndikimi i përgjithshëm është ai toskë, me përfaqësuesit më të njohur labët. “Kënga e Çelo Mezanit” është më e njohura këngë çame dhe i dedikohet një revolucionari çam. Kjo këngë këndohet ende nga grupi i çamëve të Rrogozhinës, me solist Refat Sulejmani. Me të njëjtat motive shumë këngëtarë çamë këndojnë këngë patriotike, si Enkelejda e Hysni Alushi, të cilët janë përfaqësuesit më të denjë të këngës çame në Shqipëri.
Një valle çame me emrin “Osman Taka” është mjaft e njohur dhe popullore nga ky komunitet. Tematika e saj lidhet me emrin e patriotit Osman Taka. Ai ishte i arrestuar nga osmanët, por duke kërcyer këtë valle, arriti ta mrekullonte komandantin osman dhe në këtë mënyrë të arratisej nga burgu.  Në periudhën e totalitarizmit, një grup valltarësh shqiptarë morën pjesë në një konkurs ndërkombëtar vallesh ku merrte pjesë edhe Greqia. Përfaqësuesja greke tentoi të merrte pjesë në konkurs me “Vallen e Osman Takës”, ndonëse ai ishte një çam musliman që nuk kishte asnjë lidhje me Greqinë. Juria asnjanëse ia hoqi të drejtën Greqisë ta përvetësonte këtë valle të bukur dedikuar këtij patrioti.
Një valle tjetër e rëndësishme është edhe “Vallja e Zallongut”, e cila i referohet një ngjarjeje historike të fillimit të shekullit të 19-të në zonën e Sulit.
Lidhur me veshjen e çamëve, vërehet qartë se ka ndikimin e zonës së jugut të Shqipërisë. Veshja e burrave është fustanella, e qëndisur me fije argjendi, jeleku i shkurtër, këmisha e shkurtër me mëngë të gjera, fezi, opingat e lëkurës me xhufkë të kuqe dhe çorapet e bardha deri në gju. Një tjetër ornament është dhe mbajtësja e armës në gjoks, e qëndisur me argjend. Fustanella e çamëve ndryshon nga ajo e burrave të Toskërisë për nga gjatësia.
Gratë çame kanë veshje tipike tumanet. Kështu i quajnë çamet dimitë e gjera të mëndafshit oriental ose të pambukut. Në ditët e zakonshme ato vishnin tumane cope, ndërsa në ditë të veçanta ato të mëndafshta. Pjesa e sipërme e veshjes ishte një këmishë e qëndisur me fije ari ose argjendi dhe, shpesh, shoqërohej me një jelek të shkurtër. Në fund të shekullit të 19-të gratë qytetare çame nisën të vishnin funde ose fustane të gjata, të  ngjyrave vishnje dhe lejla të qëndisura me fije ari. Jeleku i zbërthyer dhe këmisha e mëndafshit me mëngë të gjera, ishin pjesë shoqëruese që qëndiseshin me finesë. Në raste të veçanta vishnin dhe një xhaketë treçerekëshe të qëndisur me motive floreale. Brezi i argjendtë ishte pjesa më e bukur e veshjes, por edhe shamia e mëndafshtë e kokës, vathët, unaza, byzylykë e gjerdanët, e plotësonin kuadrin e veshjes tipike të gruas çame.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...