Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/31

FISHTE, LARGOME ZOT PREJ TEJET

Lisandri Kola

Asht viti 2011. Në këtë kohë nisi me dhanë mësim në nji gjimnaz privat në Shkodër. Mbasi më caktojnë ngarkesën konkrete të detyrës dhe të landës së Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë, aty mësoj se me nji klasë kisha me zhvillue ‘Lahutën e Malcís’. Nji ngarkesë prej 72 orësh. Gëzimi për mue ishte shumë i madh, për shkak se mikrotezën e Masterit shkencor e kisha pasë mbi Fishtën dhe doktoraturën po e vijoja po mbi këtë autor – në nji kandveshtrim tjetër tashma.

Nisë ora e parë. Përreth ka sy të vemendshëm, dhe njiherësh kureshtarë. Sigurisht ka dhe kontraktim nga ana e mësimdhanësit të ri. Mbaron ora e parë me nji prezantim të përgjithshëm, me objektivat konkrete të landës e kështu me radhë. Mbaj mend se qysh në orë të parë, u pata thanë nxanësve që me pasë si tekst pune variantet anastatike të Botimeve françeskane, – meqenëse janë riprodhime të botimit të parë integral (1937), – e jo me u drejtue në disa botime të tjera, të cilat janë falsifikime. Mbi këtë çështje asht nji histori e gjatë gjyqesh, e pasuksesshme duhet me thanë, sepse të njejtin (a të njejtët!) botim e shohim në shitore librash apo panairë të përvitshëm qoftesh e librash. Madje botuesi për ma tepër, tash, i ka ba librat e Fishtës me mbulesë të fortë. Si përfundim, askush nuk u fut në burg. Po, në burg për falsifikim. Mbase etnit françeskanë juridikisht nuk ditën ta mbronin si duhet kauzën. Gjithsesi ky turp kombtar raftë mbi të gjithë ne!

Për m’e vazhdue aty ku e lashë… ora e dytë: tashma nuk ka sy të vemendshëm e as kureshtarë, por zhurma e pëshpëritje të shkallëve të ndryshme. Interesi sigurisht i pakët. Ky interes i pakët vjen gjithnji tue u shpeshtue deri në orët e fundit, derisa sa bahet nji uuuf e gjatë sa më shihnin në derë të klasës. Mbi këtë situatë mund të ngrihen disa pikëpyetje. Çështja asht tek brezi? – Brez që e ka mendjen në konfliktet lokaliste të reperave, në selfie, dhe në probleme të tjera të moshës. Hipoteza që nuk mund ta lexojnë në gegënisht, kur lexojnë e shkruejnë në disa gjuhë të hueja, bjen. Tek mësimdhanësi? – Mësimdhanës partiak ose jo, me shkollë me kohë të plotë apo të pjesshme, mësues kimie që jep letërsi apo…? Apo pedagog (i cili për faqe ma të zezë jep Fishtologji në ciklin e dytë të studimeve universitare, USH) që e zhvillon vetëm nji orë ‘Lahutën’ në Bachelor. Tek fiktiviteti me detyrim i veprës, miratue prej Ministrisë, dhe tek politikat e zbatimit të vendimit shetnor nëpër shkolla? – Fiktivitet që asht edhe në vitin e parë të Gjimnazit, me veprën ‘Skënderbeu’ të S. Godos. Volumi i veprës si edhe poetika e saj, e tejkalon interesin dhe përkapjen e nji 15-vjeçari. E njejta me brezin nji vit ma të madh. Megjithëse pjekunia mendore-fiziologjike ndryshon, qoftë edhe për nji vit. Në rastin tim, ushqye me ‘Lahutën’ për vite me radhë, vështirë se kisha me pasë probleme të sojme: nisë prej te leximi korrekt (mos u habitni; ka mësues që nuk dinë m’e lexue veprën, dhe m’e shkrue as titullin e saj madje, dhe kjo jo për fajin e Fishtës); te deklamacioni fanatik i vargjeve; te profesionalizmi; përmbushja e objektivave; tek injektimi i dashnisë për veprën etc. Rezultati ishte se dominonte çinteresimi në pjesën dërrmuese të nxanësve. Kjo njifarësoj edhe e pranueshme. Fundja çka kishte me iu dashtë Fishta, kur në celular rrinë tue luejtë gishta?

Në biseda me (ish) kolegë, kjo e mesme përshkohet në krejt Gjimnazet e Shqipnisë. Kur në Shkodër ka probleme receptimi dhe mosdëshirë këndimi, si mund të jetë gjendja në Sarandë apo qytete të tjera të jugut? Sigurisht jo e kandshme. Paramendohet se të njejten munden me thanë nxanësit italianë për Danten, apo ata grekë për Homerin. Po, por historia na ka tregue se pikërisht ata gjimnazistë ma vonë janë ba dantologë e homerologë në za.

Këtë idhnim e ndeshi vite ma vonë, tash si mësimdhanës në Fakultet, me shembuj të marrë nga vargjet e ‘Lahutës’: nji digresion i vogël, i cili tërthorazi ishte në funksion të argumentit. Problemi tash nuk asht tek vepra, por tek këndimi metrik. Dhe faji domosdo nuk asht i njianshëm. Prapë nuk asht çudi që këta studentë, mësues ma vonë, nuk dinë me njehë rrokjet, e as s’i njohin kanunet e metrikës shqipe. Ma së mbrami gjithçka e ka nji shpjegim në këtë tollovi shqiptare: sa ma pak me ditë, aq ma shumë në detyrë m’u rritë…
Autori është poet, përkthyes, studiues dhe mësimdhënës në Shkodër.Është fitues i çmimit të madh “Atë Zef Pllumi” në fushën e poezisë, për librin “Fluturat vdesin në maj”, që u botua në Prishtinë nga Dit’ e Nat’ në vitin 2014.

Lisandri Kola

AKTI I KRIJIMIT LETRAR SI FATALITET


Aureola e territ që rrethon aktin e krijimit dhe vështirësia që hasin edhe vetë mjeshtrit e metafizikës në përpjekjen për të bërë të ditur se ç’është ai, nuk ka dyshim se buron drejtpërsëdrejti nga themeli i vetë qenies njerëzore. Mund të themi se pyetja: “Ç’është akti i krijimit letrar?” është e barasvlershme me pyetjet: “Ç’është arti?”, “Ç‘është akti i krijimit?”, “Ç’është nevoja për komunikim?”, “Ç’është artisti?”. Mendoj se njeriu e ka të pamundur të zbresë apo të ngjitet në misterin e heshtur të krijimit, dhe jo vetëm të krijimit artistik në përgjithësi, letrar në rastin tonë, por të cilësdo forme të krijimit, të cilitdo niveli të krijimit. Nga një këndvështrim ezoterik njeriu është iluzion, jeta tokësore është iluzion, arti është iluzion, rrjedhimisht letërsia është iluzion. Kësisoj, të marrësh në shqyrtim se ç’është letërsia si akt krijimi, do të thotë të marrësh në shqyrtim iluzionin e iluzionit të iluzionit. Duket si lojë fjalësh, por është një lojë shumë serioze fjalësh.

Në rastin tonë pyetja është një, por përgjigje ka po aq sa ç’ka edhe letrashkrues. Personalisht po parashtroj thjesht një nga këndvështrimet e mundshme: akti i krijimit është një fenomen çnjerëzor, term ky që herë pas here duhet kuptuar edhe si mbinjerëzor, edhe si mizor. Akti i krijimit letrar, që shihet në trajtën e porosisë fillimore është i njëjtë për të gjithë, paçka se mandej kanalizohet nëpër cilësi të ndryshme talentesh, vetëdijesh e vullnetesh njerëzore. Me këtë rast hyjnë në lojë cilësitë e ndryshme të metabolizmave estetikë njerëzorë, të cilët do të duhet ta përtypin këtë porosi të çuditshme që quhet “krijim”.

Krijuesi, domethënë shkrimtari, poeti, ndien njëfarë neverie të përzier me dhimbsuri kur vëren sigurinë me të cilën filozofët, metafizikët, estetët, fenomenologët e përshkruajnë aktin e krijimit, duke mos e njohur në shumicën e rasteve atë fërgëllimën enigmatike që kaplon qenien, fërgëllimë që krejt papritmas i hap udhë krijimit letrar, duke e vendosur këtë lloj krijimi sa çilembyll sytë në majën e perceptimit vetjak të hierarkisë së vlerave njerëzore.

Ja, pikërisht në këtë rast krijimi letrar shfaqet si akt çnjerëzor në të dyja kuptimet që sipërpërmendëm: 1) çnjerëzor si mbinjerëzor, pra hyjnor; 2) çnjerëzor si mizor, kriminal, pra i ndërtuar mbi izolimin, ambicien, egoizmin dhe mbi anashkalimin e sa e sa vlerave të tjera, të cilat me gjasë përbëjnë kuptimin e njëmendtë të ekzistencës njerëzore. Tashmë kemi hyrë në një hulli mendimi tërësisht subjektive. Bëhet fjalë për një spekulim, por ama sipas kuptimit zanafillor që latinët i jepnin këtij termi.

Pra, akti i krijimit është hyjnor sepse ngjizet në një hapësirë, qoftë kjo edhe e brendshme, tërësisht të panjohur e të panjohshme. Krejt papritur rizgjohen imazhet e fjetura, shfletohen disa realitete që ndoshta as i kemi jetuar, as i kemi parë e as i kemi ndierë kurrë. Nuk besoj fare në idenë se shkrimtari është krijues apo qoftë edhe pjesëmarrës në krijim. Besoj thjesht te shkrimtari si instrument krijimi. Ja pse thënia “një për qind talent e nëntëdhjetë e nëntë për qind vullnet” tingëllon tallëse dhe fyese. Artisti nuk mund të jetë kurrsesi një punëtor krahu. Më thoni një njeri që nuk lindet jo me një për qind, por dhe me dhjetë, njëzet a tridhjetë për qind talent! Tashti, mjaft që ky njeri të ketë vullnet dhe mund të shndërrohet në Dante apo Shekspir?! Absolutisht jo.

Është e vërtetë se krimbi shndërrohet në flutur, por mos vallë çdo krimb? Në të vërtetë vullneti, që besoj të jetë korruptuar keqas si fjalë në raport me vlerën e tij fillimore, është një ushtar i talentit. Ai i brendashkruhet dhe i gjunjëzohet talentit në mënyrë organike dhe natyrale.

Gjendja e parakrijimit, pra ajo ideja flakëruese që na kujton fjalën që mëton të artikulohet apo të shndërrohet medoemos në shenja grafike, fjalë që në të vërtetë ende s’është shfaqur, rezulton gjendje vërtet e jashtëzakonshme për nga mënyra se si merr jetë, por njëkohësisht është edhe mjaft e zakonshme, sepse pulson në shumë individë, paçka se jo cilido mund ta shndërrojë në krijim. Nuk di nëse krahasimi vlen për të gjithë, por në kokën e shkrimtarit ekziston kaosi, kaosi që përgatit një formë krijimi që ende nuk ka kaluar në vetëdije, njëfarë Big-Bangu i madhërishëm, një nebulozë e zjarrtë, që të shtie dridhmat. Pra, gjendja e parakrijimit është e pranishme te mjaft njerëz, porse me përjashtime të rralla udhëton drejt ndërgjegjes, për t’u shndërruar mandej në një kumt artistik. Për shembull, nëse një grup turistësh vëzhgon një ujëvarë, një peizazh alpin apo një rivierë, nuk kam asnjë dyshim se çdonjëri nga pjesëtarët e grupit përshkënditet nga e ndjesia e së bukurës me një intensitet të plotë, për t’u transferuar sa çilembyll sytë në pragun e para krijimit. Në të njëjtën kohë nuk kam dyshim se asnjëri prej tyre, përveç artistit, nuk do të ketë fuqi ta kapërcejë këtë prag për t’i shpallur botës atë ndjesi sfilitëse të së bukurës.

Gjithsesi, është vërtet e vështirë, në mos e pamundur, të zbulosh se ç’është akti i krijimit, pasi bëhet fjalë për një mister, që në vetëdije të ndryshme përthyhet në trajta të ndryshme, duke mos na dhënë kurrë mundësinë e një konkluzioni të palëvizshëm. Ndoshta më interesante, e sidomos më e besueshme, do të ishte të flisnim rreth atij segmenti të veçantë të realitetit që e nxit aktin e krijimit. Më përpara lypset ta kemi të qartë se realiteti material që ne njohim nuk mund të jetë kurrsesi motori i parë që vë në lëvizje aktin e krijimit, por thjesht një ingranazh shumë i rëndësishëm që na e krijon këtë iluzion.

Është e rëndësishme të theksohet cilësia e marrëdhënies që ekziston mes njeriut dhe shkrimtarit. Pra, kush duhet ta ketë zërin e parë në vendimmarrje, njeriu apo shkrimtari? Dikush thotë njeriu, dikush thotë shkrimtari. Sipas meje, s’është e drejtë që dikush të zgjohet nga gjumi e t’i thotë vetes:“Ti je shkrimtar dhe doemos duhet të shkruash letërsi”, por: “Ti je njeri dhe doemos duhet të jetosh”. Për rrjedhojë, në përpjekjet që ai bën për të jetuar sa më cilësisht, merret edhe me krijim letrar.

Pra, akti i krijimit nuk është qëllim i ekzistencës, porse ekzistenca është qëllim i aktit të krijimit. Nuk ka kuptim të thuash “unë do të krijoj” ose “unë do përpiqem të krijoj”, por “unë do të pres”ose“unë do të përpiqem të pres”. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është të jetuarit, sepse pa këtë, asnjë lloj tjetër vlere njerëzore nuk do të kishte pikë kuptimi. Gjatë përpjekjeve për të jetuar na ndodhin plot përplasje e konflikte, të cilat bijojnë mandej në mënyrë krejt të vetvetishme atë që krenarisht na pëlqen ta quajmë “akt krijimi”. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për një akt që ndryshon thelbësisht nga aktet e tjera që njeriut i duhet të kryejë në mënyrë natyrale gjatë procesit të të ekzistuarit. Thjesht është fjala për një akt që ka mundësi të vetëlëvdohet nëpërmjet ca ekzekutuesve të pavetëdijshëm që quhen“artistë”. Ajo që unë kuptoj me “akt krijimi letrar” nuk ka të bëjë fare me atë kollajllëkun budalla që e nxit njeriun të ulet përpara një letre të bardhë thjesht i keqkuptuar ose i nxitur prej një realiteti apo një modeli tashmë ekzistues. Nëse firmosim një pakt të përhershëm me veten në lidhje me aktin e krijimit, nëse na ngjan se jemi prore të frymëzuar nga ky fenomen kinse i gjithnjëpranishëm, nëse jemi të fiksuar pas idesë se jemi të thirrur për të krijuar dhe për këtë duhet të shkruajmë e të shkruajmë pambarimisht libra, nëse mendojmë se krijimi është një realitet pa të cilin bota nuk ka kuptim – ndërkohë që ne si krijues kemi ardhur që ta kuptimësojmë atë, nëse sajojmë lidhje artificiale me krijimin dhe mashtrojmë veten me idenë se paskemi nevojë të domosdoshme për letërsinë, atëherë vërtet mund të thuhet se akti i krijimit nuk ka fare lidhje me ne. Artisti, në rastin tonë shkrimtari, them se e njeh mirë ç’është akti i krijimit, por fatkeqësisht apo fatmirësisht është i dënuar me paaftësinë e artikulimit të sekreteve. Për botën njerëzore kjo është e njohur: dimë një gjë, por nuk jemi e as do të jemi ndonjëherë të aftë t’ia shpjegojmë edhe ndokujt tjetër.

Të jesh shkrimtar është fatalitet, ndërsa të ndihesh krenar për mrekullinë e aktit të krijimit letrar është njëlloj sikur të ndihesh krenar për prangat, prej të cilave nuk mund të çlirohesh. Pra, krenari prej skllavi. Mazokizëm. Akti i krijimit është burgu, një burg që i takon shkrimtarit. Krijimi është liria dhe u takon lexuesve. Të ndërtosh realitete dhe botëra që nuk do t’i banosh përtej hapësirës së çastit të krijimit, kjo përbën një nga format e pashmangshme të dënimit. Kur shoh shkrimtarë entuziastë – dhe shoh shumë – më dhimbsen. Plaken dhe mbeten entuziastë. Më vjen keq për ta sepse ende nuk e kanë marrë vesh se ç’po ndodh apo ç’ka për të ndodhur me jetën e tyre. Thonë se kanë ideal, por druaj se ideal nuk do të thotë të krijosh, por thjesht të jetosh. Në të gjitha nivelet e tij krijimi është vlerë dhe vepër vetëm e Zotit. Shkrimtari mbetet instrument. Mbase një instrument i mirë, por gjithsesi instrument.

Shpetim Kelmendi

TE (MOS) HUMBESH NE PERKTHIM

A është përkthimi bashkues apo ndarës kulturash? Megjithëse po jetojmë në epokën e globalizimit, në një botë që i shkurton përditë e më shumë distancat dhe teknologjia i afron njerëzit sërish drejt një gjuhe, profesioni i përkthyesit qëndron ende në këmbë dhe madje i fortë.

Gjithçka nisi në Babel. Është hamendësuar e janë ngritur shumë teori, por askush nuk ka mundur ta zbulojë se cila gjuhë flitej, e megjithatë sipas rrëfenjës biblike banorët që popullonin rruzullin flisnin të gjithë një gjuhë. Derisa plani i tyre për të mbërritur deri lart në qiej e zemëroi aq shumë Zotin, sa vendosi t’i trazojë gjuhët e duke bërë mijëra syresh që njerëzimi të mos kuptohej më me sho-shoqin…derisa erdhën përkthyesit për të marrë dhe sjellë kumt e kulturë, histori e shkencë nga një vend në tjetrin. Të parët që njihen lidhen sërish me Biblën. Ptolemeu II i Filadelfit, sunduesi i Egjiptit dëshironte të pasuronte bibliotekën e Aleksandrisë, kërkoi përkthimin e shkrimeve të shenjta nga hebraishtja në gjuhën greke. I shkroi kryepriftit Eleazar në Jerusalem dhe kërkoi nga gjashtë përkthyes për secilin nga 12 fiset e Izraelit që të vinin në Egjipt me këtë qëllim. Të shtatëdhjetedy përkthyesit përkthyen Torahun; pesë librat e parë të shkrimeve në 72 ditë. Megjithëse ata nuk patën asnjë kontakt me njëri-tjetrit, thuhet se në fund përkthimi ishte i njëjtë. Ky ishte “Septuaginti” apo i njohur ndryshe si “Varianti i të shtatëdhjetëve”. Përkthyesi më i famshëm i historisë është ndoshta Jeronimi, teologu dhe prifti katolik i cili përktheu Biblën në gjuhën latine, njohur ndryshe si “Vulgata”. I njohur si shenjti i përkthyesve, dita e tij e ndarjes nga jeta 30 shtatori është shpallur në të gjithë botën si dita në nderim të përkthyesit…Në Shqipëri veprimtaria përkthimore është thuajse 500-vjeçare. Ndër të parët qenë Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, që u morën me artin e përkthimit. Lista e shqipëruesve është e gjatë, ndërsa veprimtaria e tyre nuk ka ndalur kurrë, as në kohët e censurës së fortë të regjimit diktatorial e vazhdon pa u ndërprerë edhe në ditët e sotme. Megjithëse po jetojmë në epokën e globalizimit, në një botë që i shkurton përditë e më shumë distancat dhe teknologjia i afron njerëzit sërish drejt një gjuhe, profesioni i përkthyesit qëndron ende në këmbë dhe madje i fortë. Nuk e dimë se cilën nga shprehjet ka thënë përnjëmend Umberto Eco, mes “arti i dështimit quhet përkthim” apo “zanati i përkthyesit është një profesion i së ardhmes”, por duket se bota do të ketë gjithnjë nevojë për përkthyes…

Edmond Tupja

Një nënshkrim nga përkthyesi

Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç, në vit të katërt të shkollës së mesme u magjeps për herë të parë me atë çka do të shndërrohej pak vite më pas profesioni i tij.

Nga vitrina e një librarie ia tërhoqi syrin kopertina e një libri të autorit francez Gi dë Mopasan “Mont Oriol”. E bleu pa menduar dy herë dhe e shfletoi aty për aty me kureshtjen e një të riu të dashuruar pas gjuhës dhe letërsisë frënge. “E hap dhe ç’të shoh?! Ishte përkthyer nga mësuesi im i gjuhës frënge, Mahmud Bobrati”, –sjell në kujtesë Edmond Tupja, duke folur me nxitin e të riut që vite më parë vrapoi drejt shkollës, gjeti mësuesin dhe i kërkoi t’i nënshkruante diçka në faqen e parë ( “Asokohe nuk e dinim ç’ishte autografi”, thotë ai duke qeshur). Përgjigja e la një hop qejfmbetur, derisa mësuesi ktheu mendje…”. “Po unë, nuk jam autori Edmond!”- më tha dhe unë u preva. “Megjithatë, meqë autori nuk rron më dhe unë e kam sjellë në shqip, do të të shkruaj diçka”, – sjell në kujtesë Tupja, duke mbledhur në një ndodhi rëndësinë e përkthyesi, por edhe fatin e tij për të mbetur “hero i heshtur”, i fshehur pas perdes së një vepre.

Kur e pa të largohej Mahmud Bobratin, bashkë me beretën e tij të dashur, me vete uroi “Ah sikur të bëhesha mësues i frëngjishtes dhe përkthyes si ai! Dhe u bëra. Madje edhe me beretë”.

Që do të bëhej përkthyes ishte vendosur edhe më herët. Qysh kur ishte fëmijë. Kish qenë e shkruar që Edmond Tupja të bëhej përkthyes, një lloj varkëtari që lundron ujërave të letërsisë duke prurë në bregun e shqipes autorë francezë e duke marrë në varkë autorë shqiptarë për t’i zbarkuar në brigjet e leximit francez…Gjyshja dhe e ëma e mësuan me tingëllimin e gjuhës greke, i ati i foli për Revolucionin francez, bukurinë e gjuhës frënge dhe i mësoi një poezi në frëngjisht që ai nuk e harron as sot, ndërsa nusja e ungjit ishte mësuese e gjuhës ruse. U rrit mes gjuhëve të huaja, por ajo që ia rrëmbeu zemrën përgjithmonë ishte frëngjishtja.

Pas viteve të gjimnazit, ku e mësoi si gjuhë të dytë të huaj, ishte e qartë se studimet e larta do t’i ndiqte për gjuhë frënge. Kështu bëri. U diplomua në Francë, ku nisi edhe përkthimet e para. Fillimisht si interpret për delegacionet vogla nga Shqipëria e më pas tregime të shkurtra e poezi. “Më hanin duart për përkthim” –shton ai. Kur u kthye në Tiranë, pas studimeve, pati fatin të kishte koleg përkthyesin e njohur Vedat Kokona. “Flisnim gjatë për përkthimet, autorët francezë e madje nisëm një si lloj gare; zgjodhëm një poet që për kohën njihej si dekadent, Sharl Bodlerin, morëm një sonet, e përkthyem dhe e diskutuam”, – rrëfen Tupja. Kokona atëkohë merrej edhe me krijimin e fjalorëve, autor i të parit “Frëngjisht-Shqip”. “Na dha edhe ne nga një germë për ta parë dhe bërë vërejtjet. Bëmë disa vërejtje të vogla. Qysh atëherë ai kishte përkthyer rreth 60 libra. Kur u nda nga jeta kishte mbi 100 libra të përkthyer. E shihja me zili. Thosha me vete: ky po që është përkthyes!”. Pas disa kohësh që kaloi në Gramsh, me qarkullimin e kuadrove siç ndodhte gjatë regjimit komunist, u kthye në Tiranë në shtëpinë botuese “ 8 Nëntori” dhe ndodhi që koleg të kishte Jusuf Vrionin, përkthyesi që gëzonte famë të madhe në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit. “Përkthenim më tepër drejt frëngjishtes. Vrioni përkthente prozë më tepër. Punova rreth 11 vjet si përkthyes nga shqipja në frëngjisht”. Por përkthimet e para, rrëfen se i ka botuar më vonë, pas viteve ’70. Më 1981-shin, kujton se Lidhja e Shkrimtarëve nxori në botim një revistë letrare “Les Lettres Albanaises”, me kryeredaktor Ismail Kadarenë dhe redaktore Diana Çulin. “Ajo më aktivizoi të përktheja poezi dhe prozë, të cilat i shihte ndonjëherë edhe Vrioni”. Në mes të viteve ’80, rrëfen se nisi të përkthejë drejt shqipes. “Përktheva poezi e prozë, edhe një libër për fëmijë që u botua nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Pasi ra diktatura kam përkthyer shumë”,- thotë Tupja, i cili numëron 80 tituj të përkthyer gjithsej, nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas, përfshirë këtu edhe disa bashkëpërkthime. Më ’97-n, bashkëpërktheu romanin e shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli “ I humburi” drejt gjuhës frënge. “Më pas i mora unë përsipër librat e Kongolit. Kam përkthyer nëntë, tetë prej të cilëve janë botuar”. Pas Kongolit ka përkthyer rreth 15 autorë shqiptarë drejt gjuhës frënge. “Por nuk matet me sasi kjo punë. Prirem më shumë drejt cilësisë” –thotë Tupja, i cili ka botuar edhe dy libra mbi përkthimin “Këshilla një përkthyesi të ri” dhe “Pro translatore”. “Me Kokonën u bëra edhe bashkautor fjalorësh. Bëmë “Fjalori Sinonimik i Shqipes” i pari i tillë, më vonë botoi edhe Akademia e Shkencave një të tillë. Kam botuar edhe të parin fjalor erotik të gjuhës shqipe, i cili është ribotuar”. Tupja thotë se pas viteve ’90, me gjithë urinë e shqiptarëve për të lexuar librat e ndaluar, vërshuan edhe përkthyesit, shumë syresh të papërgatitur e që sipas tij kanë bërë masakra e kanë sjellë përkthime skandaloze. Nëse Përkthimologjia është shkencë, përkthimin ai e sheh si art. “Nuk mjafton vetëm të dish një gjuhë të huaj. Duhet të njohësh historinë, kulturën, përditshmërinë, këndvështrimin e realitetit. Por duhet të kesh edhe nuhatje, empati”. Ai i ndan përkthyesit në dy kategori “ Nga halli dhe nga malli”. Sado përpjekje të bëjë një përkthyes i pazot, do të ndihet ngërçi në vepër. Thotë se do të ishte ide e mirë të akordohej një çmim i ngjashëm si ai i shpikur nga Umberto Eco në Itali, “Vepra më e dobët e vitit”, për ata që përkthejnë. Një tjetër kusht për përkthyesit është të jenë njohës shumë të mirë të shqipes. Por nuk mjafton kaq. Rrëfen vështirësitë që has çdo ditën ë punën e tij si përkthyes, mes termave teknikë, mjekësorë, blegtoralë, etj., etj. Për të gjetur emrin shqip të një bime, iu desh të shkonte deri në Katedrën e Botanikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për të marrë si përgjigje se në shqip nuk kishte emër… “Tani kam një libër të vështirë nga një tjetër pikëpamje; me shumë terma teknikë e gjysmë teknikë. Flitet për një fshat malor ku bie borë dhe përshkruhen llojet e borës, të pirgjeve të borës. Pastaj pjellja e lopëve, aparati që i ndihmon në proces, pastaj terma gjinekologjikë, pastaj terma pikture… tmerrësisht e lodhshme. Është fat kur autori është gjallë sepse mund ta pyesësh”. Rrëfen se ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me autorin francez të “Delikatesa” David Foenkinos, i cili edhe ka vizituar Tiranën. Por vështirësitë më të mëdha thotë se i ka hasur kur përkthente Marsel Prust, Zhulien Grac dhe poezitë e Bodlerit. Rrëfen se që nga ajo kohë nuk guxon të përkthejë më poezi, veçanërisht ato me formë fikse. Mendon se një njeri duhet t’i hyjë fushës së përkthimeve kur të jetë një përvojë jete, formim dhe kulturë, së paku pas të tridhjetepesave. “Në Francë duhet të kesh të paktën një libër të përkthyer e të botuar. Këtu te ne të gjithë janë përkthyes. Janë të dobët, por ka edhe përkthyes të mirë”, – pranon ai. Për Tupen, përkthyesi është një shkrimtar dembel. “Në vend të krijojë ai rikrijon në një gjuhë tjetër, për një popull tjetër. Prandaj nuk është çudi që përkthyesit të bëhen shkrimtarë pas një farë kohe apo shkrimtarët nga fundi të nisin të përkthejnë”. E kur bëhej fjalë për rikrijim, që rrënjën e ka të ngulur fort të krijimi, një përkthyes mund ta nënshkruajë më krenari firmën e tij në një vepër që e ka sjellë vetë në shqip…

Ah honorem

Pandeli Çina

Shqipërimet e zemrës

Letrari që u bë mjek. Mjeku i shquar që nuk u ndal së përkthyeri gjatë gjithë jetës. Ky është Pandeli Çina, një prej kardiologëve më të shquar shqiptar Profesor dhe Doktor i Shkencave Mjekësore i cili ka sjellë në shqip disa prej poetëve më të shquar polakë e francezë.

Letërsia që nuk iu bë dot profesion iu bë pasioni më i madh. “Unë bëja pjesë në rrethet letrare të qytetit, por im atë, farmacist, më detyroi të shkoja në shkollën e mesme mjekësore që sapo ish hapur” –kujton profesori, i ulur në një prej tavolinave në oborrin e “Friend’s book house”.

Një vend që bën pjesë te ritualet e ëmbla të paraditeve. E lë biçikletën buzë rruge, merr çantën e tij të punës të mbushur me libra, zbret në sallën e leximit në katin e nëndheshëm të kafenesë-librari, shfleton shtypin e përditshëm e më pas ngjitet për të shijuar kafenë… Të gjitha këto gjeste të vogla për nga ritmi dhe qetësia të ngjajnë vetë me një poezi. Nga ato që ai ka shkruar si autor dhe ato që ka përkthyer. Janë bërë tashmë 50 vite që përkthen, rrëfen me një zë të ulët e të butë, ngurrues për t’u shfaqur, aq më pak në një intervistë për të rrëfyer përvojën përkthimore.

Përkthimi ka qenë një veprimtari që e ka kryer në heshtje, jo vetëm për të pasur përqendrimin e duhur gjatë procesit, por sepse autorët polakë që ai ka sjellë në shqip nuk mund t’i botonte në Shqipërinë e diktaturës. “ Disa herë më kanë thirrur në hetuesi, por kam shpëtuar. Na shihnin me dyshim ne që kishim studiuar në Poloni, – rrëfen – e nëse këtij dyshimi i shtohej edhe ndonjë fjalë se përkthente autorë me frymë moderniste, do të ishte fatalitet”. Përkthente pa u pikasur, pa u ndjerë, veç ndjente në çdo varg atë që kish ndjerë poeti vetë, derisa fletoret dhe blloqet në shtëpinë e tij bëheshin pirgje dorëshkrimesh që do e shihnin dritën e botimit shumë vonë. Pasionin nuk e ndal asgjë. Edhe kur përreth asgjë nuk duket se shkon siç do doje. Nëse mjekësia sikur ia ndali ëndrrën e letërsisë, Varshava –qyteti i studimeve –e afroi si kurrë më parë me letërsinë. Kujton se kur iku fill, arrinte të merrej vesh vetëm në gjuhën frënge, por kur ishte në vitin e dytë të studimeve, e merrnin për polak. Kujton sesi student shkoi për të përkthyer në një takim zyrtarë me përfaqësues të ndryshëm shtetesh nga shqipja në polonisht. Atje kishte disa përkthyes interpretë nga gjuhë të tjera drejt polonishtes. “Në fund u ulëm bashkë me përkthyesit e tjerë dhe ata më thanë: “Po ti ku dreqin e ke mësuar shqipen?” Eh ja ashtu më ka rënë në dorë një fjalor, u thashë në fillim, pastaj u tregova se isha shqiptar”, –sjell në kujtesë profesori rininë e parë, të dytën po e jeton tani duke mos u ndalur së përkthyeri. Në një vit ka përkthyer dy nobelistë polakë; Czeslaw Milosz dhe Wisława Szymborska. “Është poete e vështirë. Shumë filozofike” –thotë ai për Szymborska, të cilës në shqip i ka sjellë disa poezi të zgjedhura botuar nga shtëpia botuese “Morava”. Herët përktheu edhe nga frëngjishtja e anglishtja, por polonishtja u bë gjuha kryesore e përkthimeve të tij. ( Kjo ndoshta sepse edhe zemrën, kardiologut të shquar shqiptar ia rrëmbeu një vajzë e bukur polake, e cila la familjen për të jetuar gjithë jetës me njeriun që dashuronte. “Qëkur ka ardhur këtu flet vetëm shqip” –rrëfen duke qeshur profesori, i cili thotë me keqardhje se tanimë kur flet në polonisht e dallojnë që është i huaj, jo si asokohe kur e merrnin për vendas në Varshavë). Pasi ishte njohur me poetët më në zë të Polonisë –as studimet e vështira të mjekësisë nuk e largonin dot prej letërsisë –njëherë u tha disa miqve se nuk kishin një poet më tipare disi diabolike siç kishin për shembull në Francë. Ata e prezantuan me Stanislaw Wyspianski-n “E lexova poezinë dhe e përktheva aty në vend”. I goditur nga gjenialiteti i Wyspianski-t, poezinë e kthyer në gjuhën shqipe “Mbi varrin tim” e di përmendsh edhe sot e kësaj dite dhe nis ta recitojë me ndjenjë. Krahas botimeve të njohura në fushën e kardiologjisë, Pandeli Çina nuk harronte të ndiqte edhe zemrën e tij që gëzonte kur sillte në shqip ciklin poetik “ Shtegtari” nga Adam Mickiewicz, apo “Një zë mbi kishë” të Czeslaw Milosz, “Mali i Ftohtë” nga Han Shan, poezitë e Migjenit

“Në bregun tjetër të lumit” të Czeslaw Milosz, dramën “Çatërton” apo librin me poezi e shqipërime “Gjurmë” bashkë me poetin Xhevahir Spahiu, i cili i ka kushtuar një poezi doktorit, të titulluar “Zemra”.

“…po ti jepi zemrës pak zemër;

thuaji ashtu kot: e keqja është larg.

Ajo beson; është e para dhe e fundit në besim,

fjalët e tua i dëgjon kokulur si fëmijë i zënë në faj,

fjalët e tua transfuzion gjaku për të”.

Mjeku që ia njeh gjuhën zemrës, di edhe t’i shërojë me një lloj tjetër mjekësie…atë të shqipërimeve.

Aida Baro

Nuk i besoj përkthimit që s’të përfshin

Dikur ka përkthyer edhe nga gjuha angleze, por duke forcuar njohuritë në italishte- vend ku ka studiuar dhe jetuar për disa kohë- u përqendrua e gjitha te letërsia italiane. “Mendoj se njeriu duhet të ketë skrupuj ndaj vetes, të analizojë dhe të krijojë bindje reale të aftësive të tij, nëse ka këllqe t’i bëjë të gjitha të përsosura e me përgjegjshmëri, pse jo. Por unë zgjodha rrugë tjetër, zgjodha të vazhdoja të përsosja njohuritë e mia aty ku mendoja se mund të jepja më shumë e më mirë dhe sidomos aty ku kisha pasionin tim. Dhe kjo jo gjithnjë është e lehtë t’ia pohosh vetes dhe të tjerëve” –rrëfen Aida Baro, përkthyese dhe kryeredaktore e shtëpisë botuese “Pegi”. Përkthimet e para thotë se i ka nisur qysh studente, me autorët e saj të dashur. Ishin tregime nga Pirandello e Buzzati. Ajo që nisi si kënaqësi apo mbushje kohe, iu shndërrua në profesion. “Përkthimi në vetvete është një rishkrim në gjuhën tënde i mendimit të dikujt tjetër të shprehur në një gjuhë dhe kulturë krejt të ndryshme nga jotja. Përkthyesi, siç e konceptoj unë, do të duhej të kish thuajse aftësi psikanalisti për të kuptuar tekstin, për të nuhatur se çfarë fsheh autori nën një fjali, frazë apo dhe një fjalë të vetme. E qëmton tekstin me lupë në dorë, se mos autori i shket gjëkundi dhe nëse, për një moment nuk ia zbulon qëllimin, atëherë gjithë teksti do të keqkuptohet dhe rrjedhimisht edhe në shqipe do të vijë i tjetërsuar. Dhe ky do të ishte një gabim fatal. Është thënë e përsëritur shumë herë, që ne nuk përkthejmë fjalë, përkthejmë frymë, frymën e një kulture, të cilën po nuk e njohe mirë, do ta sjellësh të cungët. E nga ana tjetër, po nuk e njohe gjuhën tënde po aq mirë sa gjuhën e huaj, prapë gjysmake do të mbetet fryma”- vijon ajo, duke shtuar se kjo ndihet sidomos në përkthimin e filmave, ku publiku i specializuar fare mirë mund ta kapë mat përkthyesin. Përkthimin, Aida Baro e sheh si çlirim. “Çlirim nga fijet e përditshmërisë, vendi ku imagjinata ime zhytet në zbulim e kërkim, kthehem në tip eksploratori a detektivi dhe sidomos kur hasem në sfida të vështira përkthimi, kur me intuitë e kuptoj se çka dashur të thotë autori, por në atë çast nuk ia gjej gjegjësen në shqip, fillon një proces i ethshëm kërkimi nëpër fjalorë, në forume të ndryshme të huaja që merren me përkthimin, ndizen të gjitha vatrat e mendjes dhe gjej paqe vetëm pasi të jem bindur se kam gjetur të duhurën. Por për të arritur deri në këtë gjetje përfundimtare, ndonjëherë duhen dhe ditë, vetëm për një fjalë të vetme”. Aida është e mendimit se çdo përkthyes krijon një stil të vetin, në bazë të përvojës, shkollimit, karakterit të vet dhe leximeve që ka bërë. “…dhe kur ‘përplasesh’ me një autor ndryshe nga ti, të duhet një përpjekje edhe më e madhe për t’u futur në botën e tij. E ndodh që nga vështirësia të lindë dashuria për një autor të ri, për një letërsi të panjohur më parë, dhe do ta bësh tënden me çdo kusht. Nuk i besoj përkthimit që s’të përfshin”. Rikthehet edhe njëherë në fillimet e saj si përkthyese, duke thënë se atëherë shqipëronte me autorë jo të mëdhenj, duke përjashtuar rastin e shkrimtarit Italo Calvino. “Gjithnjë kam menduar se më duhet përvoja para se t’u drejtohem atyre shkrimtarëve që më tundojnë dhe më “frikësojnë” më tepër”.Në projektet e saj të ardhshëm, tashmë që ka përvojë dhe njohje të mirë jo vetëm të gjuhës por edhe kulturës, bëjnë pjesë tre autorë të rëndësishëm si Goliarda Sapienza, Alberto Moravia dhe Primo Levi.

Alina Karaulli

Me shqipen e pasur bën përkthime të bukura

E ka nisur përkthimin me një biografi të këngëtares Janis Joplin, e titulluar “Buried alive”, me autore Myra Friedman, por që nuk e çoi në fund. “Tani jam e kënaqur që e lashë në gjysmë, pasi nuk besoj se kisha formimin e duhur për t’i hyrë përkthimit të një libri aq të vështirë dhe voluminoz” –rrëfen Alina Karaulli, përkthyesja që u vlerësua me çmim nga Panairi i Librit vitin e shkuar për përkthimin më të mirë të librit “Xhejn Eir” nga Sharlotë Brontë.

Karaulli përkthen më së shumti nga gjuha angleze. “Me përjashtim të vëllimit të parë të trilogjisë “Milenium” të autorit Stieg Larsson që e kam përkthyer nga italishtja”,- saktëson ajo.

Kujdesin më të madh gjatë përkthimit e tregon duke ruajtur të mos humbasë origjinali.

“Të vijë po aq kumbues edhe në gjuhën në të cilën përkthehet, të jetë i kuptueshëm për atë që e lexon dhe veçoritë kulturore që bart me vete vepra që përkthehet të mos përbëjë pengesë për lexuesin, përkundrazi, t’i flasin atij si në gjuhën e vet”. Përkundër mendimit që qarkullon (me gjasë të atyre që u mungon kultura e leximit) për varfërinë e shqipes, Alina thotë se gjuha jonë është pasur dhe kjo i jep mundësinë të bëjë përkthime të bukura. E karakterizon padurimi për të përkthyer kur ka marrë në dorë një vepër të re. “Përkthimi është sa lodhje, aq edhe kënaqësi dhe emocion nga kreu në fund. Personalisht më emocionon fakti që një vepër të bukur mund ta bëj të lexueshme për shumë e shumë njerëz të tjerë pikërisht në gjuhën që është më e afërta për ta, në gjuhën e tyre”. Më të vështirin prej tyre? “Vargjet satanike” të shkrimtarit Salman Rushdie…

Por me gjithë padurimin fillestar, e ka gjithnjë të vështirë të ndahet nga libri i sapo përkthyer, “Mendoj gjithnjë se ka ndonjë gjë për të ndrequr apo ndonjë gjë që më ka shpëtuar dhe kjo nuk më le të qetë as pasi libri ka dalë në librari”. Ka pasur raste kur e ka ndjerë se libri i përkthyer është pak edhe i saj. “Përkthimi nuk është thjesht punë, por mbi të gjitha pasion, një marrëdhënie e veçantë me librin. Përfshirja është e plotë, nëse do të ishte ndryshe, nuk besoj se do ta bëja me dëshirë një përkthim dhe nuk do t’i kushtohesha aq shumë”. Me gjithë dëshirën për ta mbaruar shpejt një përkthim, në mënyrë që t’i falë lexuesit shqiptar një tjetër vepër të vyer, rrëfen se ka pasur nga ata libra që i kanë marrë edhe një vit e gjysmë për shqipërim. Lodhja e përkthyesit vlerësohet jo vetëm në vlera monetare për punën e kryer por edhe me çmime, si në rastin e saj e cila fitoi çmimin “Përkthyesja e vitit” në Panairin e Librit nëntorin e shkuar. “Është kënaqësi, është vlerësim i një pune që jo gjithnjë çmohet sa duhet. Është një shtysë më shumë për ta bërë më me përgjegjësi këtë punë sa të bukur, aq dhe delikate”, – rrëfen Alina, e cila numëron sot 13 vepra të përkthyera.

Bibliografia e përkthimeve në Shqipëri, tashmë online

Për herë të parë bibliografitë nga viti 2003 deri në vitin 2014, të cilat janë të ruajtura në Bibliotekën Kombëtare në formë elektronike, tashmë do të mund të aksesohen shumë lehtë edhe në faqen zyrtare të BK-së. Në Bibliografinë e përkthimeve në Shqipëri 2003-2014 mund të konsultohen mesatarisht 6 240 tituj të botuara gjatë këtyre viteve, prej të cilave vetëm 540 tituj janë të botuara në vitin 2014.

Përkthyes, më shumë se heronj dhe udhëheqës

Arian Leka

Nuk e di ende me saktësi se ç’vend mund të zinin përkthyesit në hierarkinë e atyre viseve imagjinare ku arti i fjalës çmohet përnjëmend. Vijnë para apo pas engjëjve mbrojtës? Rrinë diku mes tyre dhe engjëjve lajmëtarë?

Kam filluar ta besoj se profesioni i vetëm i njeriut është ai i përkthyesit. Ky profesion duket se e shoqëron njeriun nga lindja në vdekje. Që të mbijetojë në shoqëri, më shumë se me gjithçka tjetër njeriut i duhet të përkthejë. Madje gjithçka. Përveç gjuhëve, në mijëra vjet ai a ka ‘përkthyer’ modele qytetërimesh, gjurmët e të cilëve i gjejmë që nga Siria gjer në Britaninë e Madhe në format e trashëgimisë së përbashkët materiale dhe shpirtërore. A nuk ka përkthyer ai metoda, gjeste, stile dhe vepra letrare? A nuk i ka përshtatur ai teknologjitë, lëvizjet e masave, idetë dhe ideologjitë mbi rolin e liderit dhe turmave? Njeriu vazhdon të përkthejë mendime me dritë dhe format më të errëta e më të zymta të mendimit. Ai ka mësuar të përkthejë dhe heshtjet miqve, dhe fjalët e atyre që janë kundër nesh. Ka përkthyer ndërkaq dyshimet, mirënjohjen, mbështetjet dhe braktisjet, fitoret e përkohshme, lëndimet, emrat, aromat dhe ngjyrat e luleve, udhëtimet, lëvizjet, besimet, humbjet jo gjithmonë përfundimtare, ringritjet, puthjet dhe përqafimet, rastet që s’kthehen, gjuhën e fshehtë të trupit dhe kodet ende të pazbërthyera të botës që për t’u shprehur nuk ndjen nevojën e fjalëve. Gjithçka përkthehet, pra. Gjithçka është përkthim. Veçse jo gjithmonë mundemi të futemi aq thellë sa ta kuptojmë nevojën që “Gjithçka-ja” ndjen për t’u përkthyer dhe për t’u përshtatur. Jo gjithmonë arrijmë të kuptojmë nevojën që kanë disa ide për shtegtim, për tendosje dhe zgjatim drejt vendeve dhe mendjeve të tjera.

…Në një formë a në një tjetër, jo vetëm letërsia, por gjithçka, madje vetë Gjithçkaja, ndjen nevojë të përkthehet – ndjen nevojën e një përkthyesi, pra. Me kaq përkthimi si term merr vlerë universale, origjinali protokanonik zhduket, nuk ka më kopje, ka vetëm përkthim të një origjinali, ka përshtatje të arketipave shtegtues në kohë e hapësirë, ka mbartje, tejçim nga një materie në një tjetër, nga një formë në një tjetër, nga një shprehje e kulturë në një gjuhë dhe qytetërim tjetër…Dhe ka fare pak rëndësi nëse Umberto Eco apo ndokush tjetër është shprehur se arti i dështimit quhet përkthim. Njeriu vazhdon të përkthejë gjithçka që i del përpara.

Nuk e di ende me saktësi se ç’vend mund të zinin përkthyesit në hierarkinë e atyre viseve imagjinare ku arti i fjalës çmohet përnjëmend. Vijnë para apo pas engjëjve mbrojtës? Rrinë diku mes tyre dhe engjëjve lajmëtarë? Apo askush nuk i llogarit si pjesë thelbësore e krijimit të kulturës? Cilësimet ndaj tyre jo rrallë shprehin rezerva. Përkthyesit i kanë quajtur “materie e dytë”, “lëndë e prejardhur”, “hamej të fjalës” siç edhe “tradhëtorë”. Por një gjë dihet me siguri: pa përkthyesit ne zor se do të kishim të njëjtën panoramë të përhapjes së ideve, arteve, kulturës dhe modeleve. Pa përkthyesit zor se do të mundeshim t’i hapnim portat e rënda të njëri-tjetrit. Kjo pasi përkthyesit u ngjajnë çelësave të vegjël që rrotullohen në bravat e kyçura dhe që deri më sot ia kanë dalë të hapin porta të mëdha.

500 vjet përkthyes

Përkthyesit e parë ishin Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani. Disa nga rilindësit si Kristoforidhi, Naim Frashëri e Çajupi; më vonë kemi Fishtën, Prenushin, Konicën, Lumo Skëndon, Fan Nolin, Koliqin e Dom Lazër Shanton. Nga fundi i viteve ’30, kemi H. Lacajn, F. Alkajn, P. Gjeçin, S. Luarasin, S. Cacin e A. Varfin. Në vitet ’50, ’60 e ‘70 afirmohen disa nga këta dhe dalin në skenë përkthyes të tjerë, si: H. Selfo e V. Kokona, të ndjekur nga L. Poradeci, Dh. Pasko, A. Hashorva, H. Kokalari, P. Zheji, M. Treska, Z. Simoni, B. Doko, E. Fico, A. Kristo, V. Vinçani, R. Shvarc, S. Çomora, V. Buharaja, P. Gjergo, P. Jorgoni, Gj. Shllaku, J. Bllaci, K. Evangjeli, D. Omari, A. Koçi e shumë të tjerë. Në vitet ’80 e ’90 shfaqen të tjerë përkthyes, më të rinj, si: A. Plasari, P. Misha, Sh. Çuçka, E. Ymeri, B. Shehu, M. Kumbaro, B. Çabej, M. Meksi, V. Kalemi, G. Hadaj, K. Hadëri, A. Marashi, A. e F. Papleka, N. Varfi, R. Vuçini, F. Andrea dhe U. Buçpapa, si edhe S. Pasho, A. Çani, G. Çoçoli, R. Çollaku etj.

Suadela Balliu

LETER ANONIME


Znj. Kumbaro,

Ministre e Kulturës së Shqipërisë.


LEKA BUNGO

Bulevardi “Gjergj Fishta”

Pallati “Bora”

Apt. 24

Tiranë

Për mua dhe kolegët e moshës sime DYERT e Teatrove dhe Televizioneve janë mbyllur “me të drejtë”. Megjithëse: “NDRYSHE NGA BOKSI, NË ART KA EDHE TË RINJ TË VJETËR SIÇ KA TË VJETËR TË RINJ”. Në kushte të tilla e vetmja zgjidhje mbetet vetëpunësimi. Kështu që këtej e tutje vendosa të kontribuoj në një fushë të veçantë të krijimtarisë, e cila nuk është lëvruar vitet e fundit.

LETRA E PARË

Znj. Kumbaro. Rreth dy vjet më parë, me propozimin tuaj dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, Teatri Kombëtar i Komedisë u shndërrua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Aso kohe, shumë kujt iu duk i çuditshëm një ndryshim i tillë. Atyre s’u shkonte ndër mend që kjo ishte një “HILE” e vockël qeveritare për të shkarkuar Drejtorin dhe për të emëruar me çdo kusht z. Kiço Londo, i cili kishte kohë pa u bërë drejtor.

NË VEND TË HYRJES

Shumë vite më parë, një makinë “misterioze” pa targa qëndronte vazhdimisht anës së trotuarit, përballë ndërtesës së ambasadës jugosllave në Tiranë. Ajo priste gjersa një nga makinat e trupit diplomatik dilte nga ambientet e brendshme të ambasadës, i qepej nga pas dhe i shqitej vetëm atëherë kur ajo kthehej përsëri në parkingun e ambasadës. Aso kohe njerëzit thoshin se makina “misterioze” që nuk e merrte asnjëherë mundimin për të mos rënë në sy, ishte makinë e sigurimit të shtetit.

Megjithatë, unë nuk jam pajtuar asnjëherë me një hamendje të tillë. Perkundrazi. Kam qenë dhe jam i bindur sot e kësaj dite se makina që i qepej ditë e natë veturës së ambasadës jugosllave ishte thjesht KOINCIDENCË. Kjo m’u kujtua pak ditë më parë, kur ca kolegë ngulnin këmbë se z. Londo emërohet drejtor teatri sa herë vjen në pushtet Partia Socialiste. Natyrisht kundërshtova sepse isha i bindur që edhe kjo ashtu si Gazi i sigurimit të shtetit është thjesht KOINCIDENCË.

Me fjalë të tjera, znj. Kumbaro, mbajta anën tuaj ngaqë jam i mendjes se kur propozuat emrin e tij në krye të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, jeni nisur nga personaliteti i tij artistik dhe as që ju ka shkuar ndër mend se cilës Parti i përkiste.

***

Znj. Ministre. Nëpërmjet kësaj letre nuk kam aspak ndër mend t’ju shqetësoj për problemet e Teatrit. Thjesht do të desha t’ju bëja TRI pyetje që kanë të bëjnë vetëm me EMRIN e tij.

PYETJA E PARË

A ekziston në botë ndonjë teatër, i cili quhet “KOMBËTAR”, ndërkohë që në repertorin e tij nuk ka asnjë vepër KOMBËTARE? Shumë drejtues teatrosh apo regjisorë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera ku ende “gjallojnë” mbetje të teatrit profesionist, i janë vërsulur dramaturgjisë së huaj, madje në shumë raste kryeveprave të dramaturgjisë botërore, pa llogaritur kanë apo nuk kanë “TAKAT” të maten me to.

Drejtorët preferojnë veprat e autorëve të mëdhenj, sepse janë të bindur në suksesin e tyre, ndërsa “regjisorët” e kanë më të lehtë punën ngaqë “KONSULTOHEN” me kasetat e regjistruara të veprave që do të vënë në skenë. Sipas tyre, kjo ndodh sepse dramaturgjia shqiptare është në KRIZË. Pas këtij konstatimi të dhimbshëm dhe të vërtetë, nuk mund të mos shtrohet pyetja: LEKA BUNGO Si do të dalë nga kriza dramaturgjia shqiptare?

Ministria e Kulturës subvencionon Festivale Teatrore NDËRKOMBËTARE, organizon Festivale NDËRKOMBËTARE të Filmit dhe nuk i shkon ndër mend të shpallë konkurse të dramës shqipe apo të organizojë Festivale Teatrore me vepra të autorëve shqiptarë?!! Sipas kësaj logjike, dramaturgjia jonë mund të dalë nga kriza vetëm në qofte se teatrot SHQIPTARE vënë në skenë vepra të HUAJA?!!

Si është e mundur që të mos hapet dega e Dramaturgjisë pranë Universitetit të Arteve?! Apo jeni të mendimit se mungesën e saj mund ta plotësojë “Punishtja e dramaturgjisë”, si ajo që u sajua disa muaj më parë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe që s’kishte asnjë ndryshim nga kursi i juristëve te plepat e Durrësit.

Znj. Kumbaro.

POLITIKAT E REPERTORIT dhe veçanërisht për Teatrot Kombëtare që marrin oksigjen nga buxheti i shtetit nuk duhet të mbeten vetëm në duart e DREJTORËVE. Ato duhet t’i nënshtrohen gjykimit kolegjial të Regjisorëve, Bordeve, Drejtorëve dhe të koordinohen nga Ministria e Kulturës.

PYETJA E DYTË

Me ç’logjikë mund të quhet “EKSPERIMENTAL” një Teatër ndërkohë kur të gjitha VËNIET E VEPRAVE NË SKENË që nga Greqia e lashtë dhe gjer më sot janë në vetvete EKSPERIMENT? Megjithatë le ta marrim për një çast të mirëqenë emërtimin e përdorur. Cilat janë EKSPERIMENTET e bëra që nga dita e lindjes së këtij teatri? Sipas gjykimit tim, një nga “eksperimentet” më të suksesshme ka qenë shndërrimi i tij nga Teatër Kombëtar për të RRITUR në një Teatër Kombëtar për KALAMAJ.

Në qoftë se sallat e spektakleve për të rritur kanë uri për spektatorë, sepse në të shumtën e herëve mbeten bosh, sallat e shfaqjeve për fëmijë mbushen plot e përplot nga spektatorët me bluza të bardha që vijnë në rresht. Kjo nuk është thjesht hamendje. Mjafton t’u hidhni një sy afisheve të shfaqjeve për kalamaj dhe do të lexoni shënimin: “Të dashur fëmijë, sillini prindët në teatër”. Mirëpo një “eksperiment” i tillë ka ndryshuar profilin dhe platformën filozofike mbi të cilin është ngritur ky teatër. Cili është ai që paska tagër për të bërë “novacione” të tilla?

Një drejtor teatri që fshihet pas një Bordi formal?! Dhe Ministria e Kulturës bën sehir?! Në qoftë se marrëdhëniet e Ministrisë së Kulturës me Teatrot Kombëtare do të jenë kësisoj edhe paskëtaj nuk është çudi që një ditë të bukur Teatri Kombëtar i kukullave të “eksperimentojë” duke vënë në skenë OTELLON, znj. Kumbaro. Një tjetër “EKSPERIMENT” që përpiqet të bëjë “Zhurmë” është edhe vënia në skenë e “Hamletit”, njërës prej kryeveprave të dramaturgjisë botërore. Madje kësaj here “eksperimenti” nuk nis në sallë, as në skenë, por në afishen e shfaqjes. Portreti i aktores që interpreton Hamletin është i varur në mur kokëposhtë!!!

Së largu të krijohet përshtypja se është varur së prapthi gabimisht, por, kur afrohesh, e kupton se i gabuar je ti. Vendosja e portretit kokëposhtë qenkish një këndvështrim “modern”, të cilin e kanë vështirë ta kuptojnë të gjithë! Kjo është cikërrimë në raport me “Eksperimentin” e interpretimit të Hamletit nga një femër. Nuk besoj që Shekspirit t’i ketë shkuar ndonjëherë ndër mend se princi i Danimarkës, djaloshi i dashuruar marrëzisht pas Ofelisë, një ditë të bukur do të shndërrohej në TRANVESTIT.

Natyrisht, Shekspiri nuk mund të parashikonte “EKSPERIMENTET” që do të bëheshin pas vdekjes së tij. Bash për këtë, në një intervistë për shtypin, z. Londo përpiqet ta qetësojë dramaturgun e madh: (Si përmend dhjetëra emra aktorësh që kanë interpretuar Hamletin në skena të ndryshme të botës), ai shton: “…Nuk jam i sigurt se përse producentët e tjerë kanë vendosur që Hamleti të jetë femër, por unë mendoj se Hamleti bazohet në dualitetin e shpirtit dhe tregon vazhdimisht paradoksin e të kundërtave.

Hamleti është qenie hermafrodite që i ka të dyja gjinitë, por që në TKE do TË LINDTE GRUA…”. Sipas psikanalizës së mësipërme, Shekspiri paskish pasur dëshirë që princi i Danimarkës të ishte mashkull, por nuk ia ka arritur sepse i ka dalë edhe mashkull, edhe femër. Në të njëjtën intervistë, pasi hodhi ca lopata me baltë mbi ikonat e teatrit shqiptar, z. Londo tha: “…Shekspiri është provuar edhe më parë në teatrin shqiptar. Por le t’i themi gjërat me emrat e tyre.

Janë luajtur veprat e tij, por në shumicën e rasteve shfaqjet nuk kanë asnjë lidhje me to. Ne akoma nuk e dimë se si luhet Shekspiri…”. (Kur thotë NE, ka parasysh Naim Frashërin, Kadri Roshin, Kujtim Spahivoglin. Shënimi im.) “Tekstet e tij të mrekullueshme që të arrihen kërkojnë vendin, metodat, njerëzit, kërkimet dhe edukimin e duhur…”. (…Thënë me fjalë të tjera, kërkojnë Teatrin Kombëtar Eksperimental, metoda moderne të afishimit, regjisorë anonimë, aktorë fillestarë, përveç Xhuvanit, e të tjera…! Shënimi im.) Pavarësisht nga mendime të mësipërme të Drejtorit, Drejtori vendosi që “Hamleti” të vihet në skenën e teatrit të tij!!!

Znj. Ministre, koncepte regjisoriale eksperimentale janë aplikuar edhe në botë, edhe në skenat e teatrit shqiptar, por “EKSPERIMENTE” të tilla me kryeveprat e dramaturgjisë botërore do t’i shkonin më shumë për shtat Peter Brookut, Tyler Perryt, Al Pacinos… dhe jo…! Skena e teatrit është vërtet LABORATOR, por EKSPERIMENTET nuk mund të bëhen nga ata që kanë arritur deri te germa “C” në alfabetin e artit Teatral.

PYETJA E TRETE

A ka të drejtë njeri që t’i heqë emrin një institucioni, emër që është vënë me vendim të Këshillit të Ministrave?

Ka. Në qoftë se keni qenë kohët e fundit, duhet të kini vënë re se emri i Kujtim Spahivoglit, që është njiherit MBIEMRI i këtij Teatri, është shuar!!! (Për ne studentët dhe kolegët e tij, për artdashësit shqiptarë ai ka qenë dhe mbetet një nga personalitetet më të mëdha të skenës shqiptare.)

Emri i tij ka mbetur vetëm në një nga këndet e teatrit, ndërsa në hyrjen kryesore, atje ku hyjnë spektatorët, është shënuar vetëm fjala: “EKSPERIMENTAL”. Në intervista apo artikuj të ndryshëm, emri i tij është katandisur në TKE. Pra, Teatrit i është hequr mbiemri, bash ai që e bën këtë teatër të ndryshojë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit apo Teatri Kombëtar i Kukullave. Në pamje të parë duket sikur është thjesht lapsus.

Në të vërtetë emri i Kujtim Spahivoglit nuk ndodhet në asnjë nga afishet që varen në muret e teatrit! PSE…?!? Kjo është njëlloj sikur në hyrjen e Ministrisë suaj të varej një tabelë: “Mi.KU.SHQ.”.

Gazmend Krasniqi: Sërish emrat e realizmit socialist


“E keqja e teatrit është te juria e ngritur prej tij. Kjo përzgjedhje m’u duk si një hakmarrje idiote ndaj emrave më të rinj. Emrat që kanë fituar janë një mbetje e realizmit socialist, dhe nuk besoja se do ricikloheshin më. Më duket sikur në teatër ka një ndarje, ne dhe ata”, thotë Krasniqi, duke nënkuptuar me “ne” të rinjtë.

Ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu siç duhet? Kjo ishte pyetja që u ngrit nga dramaturgë dhe regjisorë që u bënë pjesë e një diskutimi të hapur për herë të parë në prill të një viti më parë në skenën e Teatrit Kombëtar, në takimin mbarëkombëtar të dramaturgjisë. Ky takim që zgjati dy ditë, nxori në pah gjithë problematikën e dramës shqipe, konceptet e regjisorëve ndaj prurjeve të reja shqipe, dhe çfarë nuk shkonte te to në raport me veprat e huaja. A mos vallë ishte paragjykuar drama shqipe? Pse mungonte ajo aq shumë në repertorin e këtyre viteve të fundit në skenën e Teatrit Kombëtar. Nga ky takim u dol dhe me konkluzionin për të krijuar netët e leximit të dramave shqipe, net të cilat përmes interpretimit do të mund t’i kuptonin më mirë dramat e shkruara. Prej më shumë se një viti netët e leximit të dramës shqipe janë kthyer në një ritual pasditeve në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas fazës së parë të leximit, tashmë ka nisur faza e dytë pas një seleksionimi që bordi i dramaturgjisë u bëri veprave të dorëzuara për lexim. Qëllimi është që veprat më të mira nga këto lexime të mund të ngjiten në skenë. Por ajo çfarë bie në sy, përtej subjekteve që këto drama trajtojnë është se në pjesët e përzgjedhura për lexim, mungojnë emrat e dramaturgëve të rinj. Veprat që kanë nisur të lexojnë u përkasin emrave të njohur në teatër si: Bashkim Hoxha, Bashkim Kozeli, Ferdinant Hysi, Jani Duro, Kiço Blushi, Josif Papagjoni, Rafet Abazi, Ruzhdi Pulaha, Stefan Çapaliku, Ylldije Sulke. Dhe pse ka pasur në veprat e dorëzuar dhe emra dramaturgësh të rinj, ata janë skualifikuar nga leximi, dhe pse do ishte interesante të shihnin prirjet e të rinjve në teatër, qoftë duke i dëgjuar. “Nekrologjia”, një dramë e Gazmend Krasniqit, dramaturg i ri fitues dhe i një konkursi për dramaturgjinë e re shqipe, nuk ka mundur të kalojë për lexim, ashtu si një dramë e Erion Kames. “E keqja e teatrit është te juria e ngritur prej tij. Kjo përzgjedhje m’u duk si një hakmarrje idiote ndaj emrave më të rinj. Emrat që kanë fituar janë një mbetje e realizmit socialist dhe nuk besoja se do ricikloheshin më. Më duket sikur në teatër ka një ndarje, ne dhe ata”, thotë Krasniqi, duke nënkuptuar me “ne” të rinjtë. Vetë subjekti i dramës së tij, duket sikur i ngjason situatës me të cilën ndodh në teatër. “Ishte një dramë e njeriut të drejtë dhe të ndershëm, në një shoqëri të egër dhe të padrejtë”, thotë Krasniqi. Mungesa e emrave të rinj, ka bërë që lista e veprave që do të lexohen të mos quhen surprizë nga njerëzit e teatrit. Ndërsa nuk mund të paragjykojmë veprat e emrave të përzgjedhur, përderisa nuk ka përfunduar leximi i tyre, por përzgjedhja e dramaturgëve të rinj mund të ishte dhe një shtysë për ta për të vijuar të shkruajnë. Mungesa e dramaturgëve të rinj ka qenë një kritikë që i është bërë gjithnjë teatrit shqip. Kjo ka bërë që të ngrihej më parë dhe konkursi i dramës shqipe, që u jepte mundësi veprave fituese të ngjiteshin në skenë. Gjatë gjithë këtyre viteve është thënë se është shkruar dramaturgji shqipe dhe për fatin e saj të keq ajo ka mbetur sirtarëve. Duke gjykuar faktin që ishin shqipe, një pjesë e mirë e regjisorëve as që i janë afruar për t’i parë si potenciale që mund t’i ngjisnin në skenë. Netët e leximit lindi si një nevojë për ta njohur këtë dramaturgji, përmes interpretimit. Regjisori Mihal Luharasi, kërkon ta shohë ndryshe këtë situatë, duke thënë se leximi i veprave është një ritual që duhet të vazhdojë si në çdo teatër në botë. E vetmja gjë e trishtë sipas tij, është fakti që duhet të ketë më shumë të pranishëm për t’i dëgjuar këto vepra. Leximi i veprave ka përfshirë aktorë të rinj të teatrit, që nuk i fshehin rezervat për nivelin e pjesëve të lexuara. Edicioni i dytë i netëve të leximit nisi me leximin e veprës “Kompleksi i Edipit’ nga dramaturgu Ferdinand Hysi me kuratore regjisoren Elma Doresi. Drama u lexua nga aktorët: Anila Bisha, Genti Deçka, Gerti Ferraj, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Indrit Çobani, Niada Saliasi dhe Sokol Angjeli. Më pas ka vijuar me leximin e dramës “Zonë e kamufluar” me dramaturg Jani Duri kuruar sërish nga Elma Dorezi. Leximi është bërë nga aktorët Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Vangjel Toçe, Mehdi Malkaj, Eva Alikaj, Genti Deçka. Vepra “Askushi” e Bashkim Hoxhës nën kurimin e Elma Dorezit është lexuar nga Helidon Fino, Neritan Liçaj, Erjona Kakeli, Gladiola Harizaj, Flaura Kureta dhe Gerti Ferra. Tri ditë më parë u lexua vepra e dramaturgut Bashkim Kozeli, “Vajza e gjeneralit” nën kurimin e Mihal Luharasit. Sipas tij, në qendër të veprës është nacionalizmi grek, duke e goditur atë. Sot pritet të lexohet vepra “Made in Albania” e dramaturgut Stefan Çapaliku.

Ndër kritikat që i janë bërë teatrit këto vite apo dhe dramave të shkruara shqip ka qenë fakti që në to ka munguar jeta e vërtetë. Ngjarje të vërteta historike të ndodhura vitet e fundit në historinë tonë, apo drama për personazhe të historisë sonë kanë munguar, ashtu siç janë dhe dramat provokuese.

Gjatë takimit të dramaturgjisë kombëtare u hodh ideja dhe e rikthimit të një tradite të hershme siç ishte ajo e krijimit të “një laboratori të dramës shqipe”. Në historinë e teatrit janë të njohura rastet kur dramaturgët i kanë shkruar veprat pranë teatrit, në një studio të ngritur për ta. Ndërsa pritet që veprat e përzgjedhura për lexim të lexohen të gjitha për të folur mbi nivelin e tyre, kjo orë leximi të dramës shqipe, po sjellin dhe një vështrim mbi atë çfarë dramaturgjia jonë ofron.

KUSH E MBAN PENG LETERSINE SHQIPE?

Është edicioni i 18-të i çmimit “Ballkanika” dhe letërsia shqiptare ende nuk ka një hartë të plotë për t’u përfaqësuar krah vendeve të tjera të rajonit. Shkaku: mosinteresim të botuesve apo mungesë fondesh e përgjegjshmërie nga Ministria e Kulturës për të financuar përkthimet e autorëve së paku në anglishte. E ka të vështirë juria jonë kombëtare që zgjedh letërsinë vendase për garë, ndonëse pa u pyetur i shpërfill këto arsye. Ndërsa botuesja e “Toenës”, Irena Toçi, nuk ngurron ta thotë edhe me gjysmë zëri se do të donte që edhe botuesit e tjerë të përfshiheshin në këtë garë për të paraqitur autorët e tyre për çmimin “Ballkanika”.

Megjithatë, dje juria shqiptare e ka shpallur një emër për ta çuar në Sofje, ku do të mbahet në 2-4 tetor ceremonia e ndarjes së çmimeve. Pas një viti pune, u tha dje për mediat se është vendosur për shkrimtaren Mira Meksi për të na përfaqësuar, me romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Nga juria dje ishin paraqitur vetëm Jorgo Bulo, kryetar, dhe Diana Çuli, në fakt këta dy emra flasin gjithmonë ndërkohë që mësojmë se emra të tjerë në juri janë edhe prof. Ali Aliu, Piro Misha, Preç Zogaj e Sonila Kapo, të cilët nuk kanë qenë prezent ndonjëherë para mediave, por thuhet se ata punuan dhe shqyrtuan prurjet në letërsinë shqipe për gjatë tre viteve 2012, 2013, 2014. Argumentimi i jurisë kombëtare në lidhje me këtë zgjedhje: “Romani i Mira Meksit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – një rrëfim midis historisë dhe legjendës, në një sfond jo vetëm gjeografik por dhe kulturor-mitologjik iliro-helenik, ka një përmasë mesdhetare ballkanike që e bën konkurrent në një ballafaqim veprash që pretendojnë çmimin “Ballkanika”.

Bulo ka thënë se këto vite kanë qenë të begata për letërsinë shqipe përmendur vetëm pak emra si Bashkim Shehu apo Rita Petro me vëllimin poetik, si dhe Mira Meksin. Kryetari i jurisë kombëtare, Bulo, ka veçuar se pengesë në prurje kanë qenë kritere ekstra jashtëletrare, jo vetëm ato artistike, duke përmendur të njëjtën problematikë të përvitshme: kriterin e përkthimit në anglisht. Bulo thotë se zgjodhën Meksi për vlerën e veprës, edhe pse ka konkurruar dhe vitin që shkoi, duke lënë në indiferencën faktin se “juria qendrore, ndërkombëtare ka kriteret e veta”. Botuesit e “Toenës”, me të cilën përfaqësohemi në “Ballkanika”, Irena Toçi duke paraprirë, dhe mundësinë e humbjes së garës, tha se letërsia me të cilën përballet autorja shqiptare është me emra të mëdhenj të njohur jo vetëm në rajon por dhe në Evropë. Kjo dihej, kur mjafto kërkimet e tyre, ndonëse të panjohur e pa përkthyer në shqip. Megjithatë ajo ka thënë se në Sofje do të bëhet festë këtë vit, pasi përkon me 20-vjetorin e “Ballkanika”, ku do të mblidhen gjithë fituesit ndër vite. Shqiptarë që kanë fituar, janë vetëm Kadare dhe Kongoli, emra tashmë të konfirmuar në arenën letrare të rajoni dhe evropiane. Harta e cunguar e përfaqësimit në këto vite nuk e bën paraqet të plotë zhvillimet letrare në vend. “Shtëpitë botuese nuk kanë qenë gati. Ky është shqetësimi ynë prej vitesh. Vetëm tani ministria ka hapur projektin për përkthimet. Çmimi “Ballkanika” e ka kufizimin e gjuhës, këto libra zgjidhen nga botues të huaj dhe ne kemi vështirësi për të marrë pjesë”, – thotë Toçi. Por a mjafton nga ministria për të hapur një data base për përkthimet?! Në fakt kjo duhej të hynte në politika kulturore të vendit për të iniciuar me homologët ndërministrorë për përkthimin e letërsive, s’është vetëm punë shoqatash e fondacionesh. Raste të ngjashme ka pasur në përkthimin e letërsive të vendeve të tjera në gjuhën shqipe, nisur nga fqinjët maqedonasit, apo çekët. Ministria e kësaj të fundit, me vullnet krejtësisht politik kanë financuar për të sjellë klasikët e tyre në shqip.

Ndonëse Toçi ka hapur çështjen e mungesës së agjencisë për të drejtat e autorëve shqiptarë në botë, kjo mbetet një humnerë për botimet e brishta të autorëve shqiptarë në Evropë. “Mira e përktheu vetë veprën”, – e mbyll fjalën Toçi, duke nënkuptuar se vazhdon të mbetet një punë vullnetare, por larg punëve të politikës me librin shqip.

Violeta Murati

AKTI I KRIJIMIT LETRAR SI FATALITET


Aureola e territ që rrethon aktin e krijimit dhe vështirësia që hasin edhe vetë mjeshtrit e metafizikës në përpjekjen për të bërë të ditur se ç’është ai, nuk ka dyshim se buron drejtpërsëdrejti nga themeli i vetë qenies njerëzore. Mund të themi se pyetja: “Ç’është akti i krijimit letrar?” është e barasvlershme me pyetjet: “Ç’është arti?”, “Ç‘është akti i krijimit?”, “Ç’është nevoja për komunikim?”, “Ç’është artisti?”. Mendoj se njeriu e ka të pamundur të zbresë apo të ngjitet në misterin e heshtur të krijimit, dhe jo vetëm të krijimit artistik në përgjithësi, letrar në rastin tonë, por të cilësdo forme të krijimit, të cilitdo niveli të krijimit. Nga një këndvështrim ezoterik njeriu është iluzion, jeta tokësore është iluzion, arti është iluzion, rrjedhimisht letërsia është iluzion. Kësisoj, të marrësh në shqyrtim se ç’është letërsia si akt krijimi, do të thotë të marrësh në shqyrtim iluzionin e iluzionit të iluzionit. Duket si lojë fjalësh, por është një lojë shumë serioze fjalësh.

Në rastin tonë pyetja është një, por përgjigje ka po aq sa ç’ka edhe letrashkrues. Personalisht po parashtroj thjesht një nga këndvështrimet e mundshme: akti i krijimit është një fenomen çnjerëzor, term ky që herë pas here duhet kuptuar edhe si mbinjerëzor, edhe si mizor. Akti i krijimit letrar, që shihet në trajtën e porosisë fillimore është i njëjtë për të gjithë, paçka se mandej kanalizohet nëpër cilësi të ndryshme talentesh, vetëdijesh e vullnetesh njerëzore. Me këtë rast hyjnë në lojë cilësitë e ndryshme të metabolizmave estetikë njerëzorë, të cilët do të duhet ta përtypin këtë porosi të çuditshme që quhet “krijim”.

Krijuesi, domethënë shkrimtari, poeti, ndien njëfarë neverie të përzier me dhimbsuri kur vëren sigurinë me të cilën filozofët, metafizikët, estetët, fenomenologët e përshkruajnë aktin e krijimit, duke mos e njohur në shumicën e rasteve atë fërgëllimën enigmatike që kaplon qenien, fërgëllimë që krejt papritmas i hap udhë krijimit letrar, duke e vendosur këtë lloj krijimi sa çilembyll sytë në majën e perceptimit vetjak të hierarkisë së vlerave njerëzore.

Ja, pikërisht në këtë rast krijimi letrar shfaqet si akt çnjerëzor në të dyja kuptimet që sipërpërmendëm: 1) çnjerëzor si mbinjerëzor, pra hyjnor; 2) çnjerëzor si mizor, kriminal, pra i ndërtuar mbi izolimin, ambicien, egoizmin dhe mbi anashkalimin e sa e sa vlerave të tjera, të cilat me gjasë përbëjnë kuptimin e njëmendtë të ekzistencës njerëzore. Tashmë kemi hyrë në një hulli mendimi tërësisht subjektive. Bëhet fjalë për një spekulim, por ama sipas kuptimit zanafillor që latinët i jepnin këtij termi.

Pra, akti i krijimit është hyjnor sepse ngjizet në një hapësirë, qoftë kjo edhe e brendshme, tërësisht të panjohur e të panjohshme. Krejt papritur rizgjohen imazhet e fjetura, shfletohen disa realitete që ndoshta as i kemi jetuar, as i kemi parë e as i kemi ndierë kurrë. Nuk besoj fare në idenë se shkrimtari është krijues apo qoftë edhe pjesëmarrës në krijim. Besoj thjesht te shkrimtari si instrument krijimi. Ja pse thënia “një për qind talent e nëntëdhjetë e nëntë për qind vullnet” tingëllon tallëse dhe fyese. Artisti nuk mund të jetë kurrsesi një punëtor krahu. Më thoni një njeri që nuk lindet jo me një për qind, por dhe me dhjetë, njëzet a tridhjetë për qind talent! Tashti, mjaft që ky njeri të ketë vullnet dhe mund të shndërrohet në Dante apo Shekspir?! Absolutisht jo.

Është e vërtetë se krimbi shndërrohet në flutur, por mos vallë çdo krimb? Në të vërtetë vullneti, që besoj të jetë korruptuar keqas si fjalë në raport me vlerën e tij fillimore, është një ushtar i talentit. Ai i brendashkruhet dhe i gjunjëzohet talentit në mënyrë organike dhe natyrale.

Gjendja e parakrijimit, pra ajo ideja flakëruese që na kujton fjalën që mëton të artikulohet apo të shndërrohet medoemos në shenja grafike, fjalë që në të vërtetë ende s’është shfaqur, rezulton gjendje vërtet e jashtëzakonshme për nga mënyra se si merr jetë, por njëkohësisht është edhe mjaft e zakonshme, sepse pulson në shumë individë, paçka se jo cilido mund ta shndërrojë në krijim. Nuk di nëse krahasimi vlen për të gjithë, por në kokën e shkrimtarit ekziston kaosi, kaosi që përgatit një formë krijimi që ende nuk ka kaluar në vetëdije, njëfarë Big-Bangu i madhërishëm, një nebulozë e zjarrtë, që të shtie dridhmat. Pra, gjendja e parakrijimit është e pranishme te mjaft njerëz, porse me përjashtime të rralla udhëton drejt ndërgjegjes, për t’u shndërruar mandej në një kumt artistik. Për shembull, nëse një grup turistësh vëzhgon një ujëvarë, një peizazh alpin apo një rivierë, nuk kam asnjë dyshim se çdonjëri nga pjesëtarët e grupit përshkënditet nga e ndjesia e së bukurës me një intensitet të plotë, për t’u transferuar sa çilembyll sytë në pragun e para krijimit. Në të njëjtën kohë nuk kam dyshim se asnjëri prej tyre, përveç artistit, nuk do të ketë fuqi ta kapërcejë këtë prag për t’i shpallur botës atë ndjesi sfilitëse të së bukurës.

Gjithsesi, është vërtet e vështirë, në mos e pamundur, të zbulosh se ç’është akti i krijimit, pasi bëhet fjalë për një mister, që në vetëdije të ndryshme përthyhet në trajta të ndryshme, duke mos na dhënë kurrë mundësinë e një konkluzioni të palëvizshëm. Ndoshta më interesante, e sidomos më e besueshme, do të ishte të flisnim rreth atij segmenti të veçantë të realitetit që e nxit aktin e krijimit. Më përpara lypset ta kemi të qartë se realiteti material që ne njohim nuk mund të jetë kurrsesi motori i parë që vë në lëvizje aktin e krijimit, por thjesht një ingranazh shumë i rëndësishëm që na e krijon këtë iluzion.

Është e rëndësishme të theksohet cilësia e marrëdhënies që ekziston mes njeriut dhe shkrimtarit. Pra, kush duhet ta ketë zërin e parë në vendimmarrje, njeriu apo shkrimtari? Dikush thotë njeriu, dikush thotë shkrimtari. Sipas meje, s’është e drejtë që dikush të zgjohet nga gjumi e t’i thotë vetes:“Ti je shkrimtar dhe doemos duhet të shkruash letërsi”, por: “Ti je njeri dhe doemos duhet të jetosh”. Për rrjedhojë, në përpjekjet që ai bën për të jetuar sa më cilësisht, merret edhe me krijim letrar.

Pra, akti i krijimit nuk është qëllim i ekzistencës, porse ekzistenca është qëllim i aktit të krijimit. Nuk ka kuptim të thuash “unë do të krijoj” ose “unë do përpiqem të krijoj”, por “unë do të pres”ose“unë do të përpiqem të pres”. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është të jetuarit, sepse pa këtë, asnjë lloj tjetër vlere njerëzore nuk do të kishte pikë kuptimi. Gjatë përpjekjeve për të jetuar na ndodhin plot përplasje e konflikte, të cilat bijojnë mandej në mënyrë krejt të vetvetishme atë që krenarisht na pëlqen ta quajmë “akt krijimi”. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për një akt që ndryshon thelbësisht nga aktet e tjera që njeriut i duhet të kryejë në mënyrë natyrale gjatë procesit të të ekzistuarit. Thjesht është fjala për një akt që ka mundësi të vetëlëvdohet nëpërmjet ca ekzekutuesve të pavetëdijshëm që quhen“artistë”. Ajo që unë kuptoj me “akt krijimi letrar” nuk ka të bëjë fare me atë kollajllëkun budalla që e nxit njeriun të ulet përpara një letre të bardhë thjesht i keqkuptuar ose i nxitur prej një realiteti apo një modeli tashmë ekzistues. Nëse firmosim një pakt të përhershëm me veten në lidhje me aktin e krijimit, nëse na ngjan se jemi prore të frymëzuar nga ky fenomen kinse i gjithnjëpranishëm, nëse jemi të fiksuar pas idesë se jemi të thirrur për të krijuar dhe për këtë duhet të shkruajmë e të shkruajmë pambarimisht libra, nëse mendojmë se krijimi është një realitet pa të cilin bota nuk ka kuptim – ndërkohë që ne si krijues kemi ardhur që ta kuptimësojmë atë, nëse sajojmë lidhje artificiale me krijimin dhe mashtrojmë veten me idenë se paskemi nevojë të domosdoshme për letërsinë, atëherë vërtet mund të thuhet se akti i krijimit nuk ka fare lidhje me ne. Artisti, në rastin tonë shkrimtari, them se e njeh mirë ç’është akti i krijimit, por fatkeqësisht apo fatmirësisht është i dënuar me paaftësinë e artikulimit të sekreteve. Për botën njerëzore kjo është e njohur: dimë një gjë, por nuk jemi e as do të jemi ndonjëherë të aftë t’ia shpjegojmë edhe ndokujt tjetër.

Të jesh shkrimtar është fatalitet, ndërsa të ndihesh krenar për mrekullinë e aktit të krijimit letrar është njëlloj sikur të ndihesh krenar për prangat, prej të cilave nuk mund të çlirohesh. Pra, krenari prej skllavi. Mazokizëm. Akti i krijimit është burgu, një burg që i takon shkrimtarit. Krijimi është liria dhe u takon lexuesve. Të ndërtosh realitete dhe botëra që nuk do t’i banosh përtej hapësirës së çastit të krijimit, kjo përbën një nga format e pashmangshme të dënimit. Kur shoh shkrimtarë entuziastë – dhe shoh shumë – më dhimbsen. Plaken dhe mbeten entuziastë. Më vjen keq për ta sepse ende nuk e kanë marrë vesh se ç’po ndodh apo ç’ka për të ndodhur me jetën e tyre. Thonë se kanë ideal, por druaj se ideal nuk do të thotë të krijosh, por thjesht të jetosh. Në të gjitha nivelet e tij krijimi është vlerë dhe vepër vetëm e Zotit. Shkrimtari mbetet instrument. Mbase një instrument i mirë, por gjithsesi instrument.

Shpetim Kelmendi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...