Në Kosovë po shënohet përvjetori i tetë i shpalljes së pavarësisë së vendit. Kryeqyteti, Prishtina, tashmë është dekoruar me flamujt dhe simbolet shtetërore, që krijojnë atmosferën e kremtes, ndërkohë që në Kosovë, tashmë kanë arritur edhe një numër delegacionesh dhe mysafirësh nga vendet tjera.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit për tetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të tyre, por edhe me thirrjet që festa e 17 shkurtit të mos zbehet, duke iu referuar protestës së paralajmëruar nga partitë opozitare, e cila, siç është thënë, do të nis në orën 14.
Në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka theksuar se shteti i Kosovës ka lindur me shumë mundime, sakrifica të hatashme njerëzore, vuajtje të thella dhe me pasoja të rënda. Ajo tha se sakrifica për të arritur deri më sot, krijon vetëdijen se Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është e asnjë lideri politik.
“U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë, për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie. Për të këmbëngulur për rend dhe ligj dhe për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit. Për t’i rikthyer në busull të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan që ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka shtuar se këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, janë përjetuar dhimbjet e rritjes, dhe në këtë kontekst , siç ka theksuar ajo, “mospajtimet janë të kuptueshme, sikurse sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të pa testuar, e cila duhet të vazhdojë t’i japë peshën e legjitimitetit çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se Republika e Kosovës është rrëfimi i përbashkët i suksesit të qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të tyre, ndaj të cilëve ata do të jenë gjithmonë mirënjohës. Ai gjithashtu iu ka referuar edhe kundërshtimeve të opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 17 shkurt.
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë ‘shtëpi me tym e pa hidhërim, nuk ka’. Në fakt, është ngritur shumë tym, por reja e atij tymi do të largohet shpejt, sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt."
"Ne kemi vendosur rregulla demokratike, ligjet dhe kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyese për Kosovën, sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspiruese për tu bërë pjesë e familjes euroatlantike”, ka theksuar Mustafa.
Presidentja dhe kryeministri i Kosovës kanë falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe gjithë aleatët tjerë për ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën dhe ndërtimin e shtetit gjatë gjithë këtyre viteve.
Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Senatori Bob Corker, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, e ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, si dhe e ka përgëzuar për përparimin, siç e ka quajtur, të jashtëzakonshëm.
“E di se disa qytetarë të Kosovës do të demonstrojnë për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë të gjitha të drejtat që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo me dhunë. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit, e jo të shënohet me dhunë”, ka thënë senatori Corker.
Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë me Kosovën që nga fillimi dhe me Kosovën janë edhe tash.
Në ditën kur shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita ka paralajmëruar protestë masive, me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhemarrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.
Qeverisë së Kosovës dorëheqje po i kërkohet edhe nga një pjesë e intelektualëve të vendit. Grupi i Intelektualëve dhe i Autoriteteve Morale ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, si e vetmja zgjidhje për tejkalimin e gjendjes politike, në të cilin është futur vendi.
Në vazhdim e gjeni apelin e këtij grupi dhe emrat që e kanë nënshkruar këtë apel:
QYTETARËVE TË REPUBLIKËS, QEVERISË, FORCAVE POLITIKE TË VENDIT DHE TË INTERESUARVE TË TJERË
A P E L
Prishtinë, 16 shkurt 2016
Duke dashur të marrim përgjegjësitë tona qytetare e intelektuale, dëshirojmë t’u drejtohemi publikisht qytetarëve të Republikës, Qeverisë dhe forcave politike, lidhur me situatën në Kosovë, me qëllim që të ndihmojmë në marrjen e vendimeve të drejta e të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës;
Përpjekjet e qeverisë aktuale për të kontrabanduar e realizuar marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese se ato janë në shpërputhje me frymën e kushtetutës dhe e cenojnë rëndë rendin kushtetues e juridik të Republikës, tregojnë qartë se kemi një qeveri politikisht të papërgjegjshme dhe të pamoralshme, dorëheqja e së cilës shtrohet si kërkesë dhe nevojë imediate.
Jemi të bindur se për shkak të problemeve të krijuara dhe të gjendjes me të cilën po ballafaqohemi, kemi ardhur në situatë kur Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet.
Konsiderojmë se kjo duhet të ndodhë për arsyet e mëposhtme: – për shkak të mënyrës se si po trajtohet pasuria nacionale (Trepça, Brezovica, Termocentralet e Kosovës etj.), – për shkak të sjelljes së Qeverisë lidhur me Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, – për shkak të dështimit në UNESCO, – për shkak të dështimit në procesin e liberalizimit të vizave, – për shkak të shkeljeve të premtimeve zgjedhore, – për shkak të mosfunksionimit të sistemit gjyqësor dhe të mungesës së drejtësisë në vend, – për shkak të largimit masiv të popullatës nga Kosova, – për shkak të ndjekjeve penale të një numri të konsiderueshëm të deputetëve dhe të represionit ndaj opozitës në përgjithësi, – Sidomos për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, me të cilin akt kryeministri shkeli themelet e rendit kushtetues-juridik të vendit, të cilat shkelje i vërtetoi tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dorëheqja e qeverisë bëhet imediate
Përfundimisht, vetëm dorëheqja e Qeverisë, që tashmë ka humbur legjitimitetin, do të rikthejë vullnetin e popullit dhe do ta ndalë shndërrimin e Kosovës në shtet autoritar.
Kosova nuk është pronë e asnjë lideri politik, zgjidhjet për vendin duhet të jenë kushtetuese dhe vetëm kështu arrihet përpara. Kështu tha presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
I ftuar në këtë pritje, senatori amerikan Robert Corker, dha një mesazh për protestat që pritet të mbahen nesër, të organizuara nga opozita. Sipas tij, edhe pse të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, dallimet politike duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe jo me dhunë.
Presidentja Jahjaga me këtë rast tha se tetë vjetori i pavarësisë së Kosovës është rrugëtim që forcon themelin e shtetit të tonë. Ajo për këtë arritje ka falënderuar shtetet mike që ndihmuan shtetin në rrugëtimin e sakrificës së popullit të Kosovës.
Ajo shtoi se kjo sakrificë nuk mund të përvetësohet, sepse sipas saj, Kosova i takon të gjithë qytetarëve dhe populli, siç tha ajo, është më i bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike.
Jahjaga: Kosova nuk është e asnjë lideri politik
“Sakrifica për të arritur deri këtu në bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e as një lideri politik. U takon qytetarëve të saj të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike. Për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj. Për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t’i rikthyer... angazhimit tonë vlerat dhe idealet që në ndihmuan të shpalim Kosovën shtet, që pran kësaj kauze u rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, çerdhet e demokracisë”, tha Presidentja Jahjaga.
Kryeministri Isa Mustafa tha se në këto tetë vjet, Kosova ka dëshmuar që mund të ndërtojë shtetin dhe ka zbatuar obligimet ndaj shteteve fqinje. Ai ka pranuar edhe dështimet në këto vite të shtetësisë dhe çlirimit që për të janë të njohura.
Mustafa: Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona
“Këto tetë vjet ne kemi demonstruar përkushtimin për ta bërë Kosovën një vend të denjë dhe për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim dhe zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtar. Tashmë Republika e Kosovës i ka bërë të vetat, vlerat e lirisë dhe demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona që na kanë përcjell në këto tetë vite pavarësi dhe për 17 vjet liri”, tha kryeministri Mustafa.
Ai më tej tha se ekonomia e një vendi është shtylla kryesore dhe Qeveria në fokus ka zhvillimin e saj. Ai foli edhe për procesin e liberalizmit të vizave, që sipas tij, Kosova është në prag të këtij p rocesi.
Kryeministri ka falënderuar shtetet mike, veçanërisht SHBA-në, Shqipërinë, e të tjerat.
Senatori amerikan Robert Corker, tha se nuk ka qenë e lehtë, por me të vërtet është arritur përparim i jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër. Ai ka nxitur drejtuesit e institucioneve të Kosovës drejt komunitetit euro-atlantik. Po ashtu, ai foli edhe për protestat që pritet të mbahen në përvjetorin e pavarësisë. Corker tha se SHBA-të kanë qenë dhe do të jenë përkrah Kosovës.
Corker: Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash
“E di se disa qytetarë të Kosovës ndoshta do të demonstrojnë nesër për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë çdo të drejtë që të demonstrojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen nëpërmes debatit e jo m e dhunë. Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit e jo e dhunës. Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash”, tha Corker.
Në këtë eveniment të organizuar nga Presidenca dhe Qeveria, u pritën ambasadorë të të gjitha shteteve më të mëdha në Prishtinë, KFOR-it, përfaqësues të BE-së, senatoër dhe deputetë, por jo edhe përfaqësues të opozitës.
Kryeministri Mustafa: Republika e Kosovës rrëfim i përbashkët i suksesit të Kosovës dhe aleatëve Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. “Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre.
“Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa, në pritje.
Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran. 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës. Të dashur miq, 17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm. Zonja dhe Zotërinj, Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj. Zonja dhe zotërinj, Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale. Të nderuar të pranishëm, Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike. Të dashur miq, Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme. Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale. Të nderuar të pranishëm, Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte. Të nderuar të pranishëm, Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu, është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze. Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave. Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës
I nderuar Kryeministër Mustafa, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, I nderuar senator Korker, I nderuar kongresist Terner, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë, Të nderuar familje të Dëshmorëve, Qytetarë të dashur, Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t'i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t'i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar - përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi - njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t'i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t'i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.
Policia e Kosovës përmes një komuniko për media ka njoftuar për planin e saj operativ në protestën e thirrur nga tri partitë opozitare më 17 shkurt.
Policia njofton se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar edhe një plan operativ.
Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e cila pritet të mbahet më 17 shkurt 2016, në orën 14:00, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ.
Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është:
*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
*Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.
*Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jo stabilitet.
*Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike, apo shkaktimin e dëmeve në pronë publike apo private.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e kësaj proteste është prioritet i planit të PK-së.
Bazuar në historikun e zhvillimit të protestave të deritashme dhe vlerësimeve të bëra, Policia e Kosovës disponon informacione se gjatë protestës nga persona të ndryshëm mund të përdoren mjete që shkaktojnë dhunë apo rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të zyrtarëve policor siç janë: mjetet të ndryshme të forta, koktej molotovi duke mos përjashtuar edhe përdorimin e armëve të zjarrit, prandaj,
Policia e Kosovës APELON te të gjitha shtresat e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rendin dhe sigurinë publike.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe krijimit të një ambienti sa më të sigurt për punë të gazetarëve, me mirësjellje kërkon nga mediumet, gazetarët, fotoreporteret etj. që të pajisen me pajisjet e nevojshme për identifikimin e tyre, duke përfshirë ID-të identifikuese dhe jelekët reflektues me mbishkrime PRESS.
Kjo kërkesë ka të vetmin qëllim ndaj mediumeve dhe gazetarëve, që t’ju mundësojë krijimin e hapësirës për punë përmes identifikimit të tyre, ofrimit të sigurisë ndaj tyre dhe shmangies së çfarëdo lloji të incidentit të mundshëm.
Policia e Kosovës gjithashtu ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive për nder të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme.
Presidenti serb, Tomislav Nikolic ka thënë se Serbia respekton pozicionin e veçantë të Kosovës, me faktin se po bisedon me autoritetet e Prishtinës.
Megjithatë, ai theksoi se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Para meje është Kushtetuta. Unë e di se kryetari i Serbisë zgjedhet edhe në Kosovë, por autoriteti i Serbisë nuk shtrihet në të gjithë Kosovën. Serbia e ka njohur pozicionin e veçantë të Kosovës. E kemi pranuar këtë me faktin se po negociojmë me ta, por kjo nuk do të thotë se e njohim pavarësinë”, tha Nikolic në një intervistë për televizionin ‘Prva’.
Nikoliq ka thënë se po mundohet që mos të shkelet Kushtetuta dhe se Serbia nuk do të ndryshojë asnjë dokument, i cili do të konsideronte Kosovën si shtet të pavarur.
“Kosova është në bazën e Kushtetutës sonë, përkatësisht është pjesë integrale e Serbisë. Sipas dëshirës, vullnetit dhe pritjeve tona është pjesë e Serbisë”, tha Nikoliq.
Ndërkohë, ai beson se qytetarët serbë janë të përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që liroi më 28 dhjetor të 2015 Ismail Morinën nga burgu duke e lënë në arrest shtëpie.
Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për Ismail Morinën të njohur si ‘Ballisit’ u bazua në faktin se Ministria e Brendshme nuk i siguroi urdhër mbrojtje, jehona e ndeshjes në Serbi për dronin, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, masa ekstreme nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit dhe shfuqizimin që Kushtetuesja i bëri vendimit të qeverisë për që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje. Vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Lartë është publikuar nga ‘Shqiptarja’
Gjykatat e faktit në caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg”, si një masë izoluese nuk ka bërë një analizë të shkaqeve se përse çdo lloj mase tjetër është e papërshtatshme, pasi caktimi i kësaj mase sigurimi, nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që personi rrezikon.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më datë 10.12.2015 për shfuqizimin e vendimit të qeverisë që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje, ku parashikohej se çdo person që arrestohet për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 deri 15 vjet burg.
Masa arrest me burg nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim, i cili është i pa dënuar, pa precedentë të mëparshëm.
Duke ju referuar edhe ngjarjes se ndodhur ne ndeshjen Shqipëri –Serbi dhe jehonës qe ajo pati ne te dy shtetet, personi nen hetim Ismail Morina i është drejtuar me pare Ministrisë se Brendshme, për te siguruar mbrojtje prej saj, por ne asnjë rast nuk rezulton qe një mbrojtje e tillë i është ofruar këtij personi. Ismail Morina u arrestua një ditë përpara ndeshjes me Serbinë që Shqipëria do të zhvillonte në Elbasan, pasi iu gjetën në makinë dy pistoleta pa leje dhe disa bileta.
‘Ballisti’ qëndroi në burg deri në fund të dhjetorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit u shprehën kundër lirimit.
Aktivistë të subjekteve opozitare kanë hequr pankartat e vendosura në sheshet e kryeqytetit. Ata kanë thënë se kjo po bëhet për shkak të rrezikut nga era e fortë.
Aktivistë të subjekteve opozitare kanë hequr pankartat e vendosura në sheshet e kryeqytetit. Ata kanë thënë se kjo po bëhet për shkak të rrezikut nga era e fortë.
“Po i heqim se nuk po duam t’ua rrezikojmë jetë qytetarëve”, tha njëri nga aktivistët, duke shtuar se do të vendosen disa pankarta tjera në pjesë tjera të sheshit.
Po ashtu, edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashës Krasniqi ka thënë se pankartat janë larguar për shkak se era e fortë ka rrëzuar disa nga pankartat. Ai tha se në momentin që do të ndalet era, do t’i vendosin sërish.
Hiqen pankartat e Lëvizjes Vetëvendosje nga sheshi Nëna Terezë
Para pak çastesh ka filluar largimi i pankartave të Lëvizjes Vetëvendosje të cilat ishin vendosur ditë më parë me thirrjet për protestë.
Nuk dihet se kush jane personat të cilët kanë filluar largimin e tyre nga sheshet e kryeqeytetit.
Frashër Krasniqi është marrë nga policë civilë rreth orës 19:00 teksa po dilte nga televizioni 21 ku ishte i ftuar që të flasë mbi protestën e së mërkurës.
Tash, kur kanë mbetur vetëm 40 orë deri në protestën e madhe të opozitës së bashkuar, përndjekja e aktivistëve si përpjekje për ta ndalur e dobësuar protestën e 17 shkurtit po vazhdon.
Këto sulme e përndjekje që shtohet sa herë opozita përgatitet për kundërshtim nuk kanë efekt. Opozita nuk ndalet dhe protesta do të jetë madhështore.
Aksion e gjerë arrestimesh, prangoset Frashër Krasniqi Me urdhër të EULEX-it para pak çastesh ka filluar arrestimi i një numri të madh të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mësohet se në mesin e të arrestuarve të parë është zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.
Ende nuk dihet arsyet e këtyre arrestimeve, meqë aksioni është duke vazhduar ende.
Këshilli organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i cili është themeluar në kuadër të Kryeministrisë së vendit, për datën 17 shkurt ka paraparë organizimin e një morie aktivitetesh nëpër komunat e Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën.
Në kryeqytet është paraparë parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe njësive të Policisë së Kosovës, pastaj homazhe para varrit të presidentit Ibrahim Rugova, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe artistike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka theksuar se organet e rendit do të kujdesen për sigurinë gjatë kremtes.
“Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve respektove, për nderë të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme për vendin”, ka thënë Hoxha.
Dy ditë para shënimit të përvjetorit të tetë të pavarësisë, qyteti i Prishtinës ende nuk është dekoruar, siç bëhet zakonisht për festa, si dhe nëpër sheshe nuk janë vendosur flamujt dhe simbolet e shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar protestë, e cila do të nis në orën 14, dhe përmes së cilës do të kërkojnë largimin e qeverisë së vendit.
Ditë më parë, përgjatë sheshit kryesor në Prishtinë, sheshit “Nëna Terezë”, nga autoritetet komunale ishin vendosur pankarta në formë të parullave, në të cilat u bëhej thirrje qytetarëve për protestë dhe për largimin e qeverisë së vendit.
Megjithatë, të hënën, në orët e pasdites, këto pankarta janë hequr. Erzen Vraniqi, zëdhënës i komunës së Prishtinës, kryetar i së cilës është Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se pankartat janë hequr nga aktivistët e opozitës.
“Aktivistët e opozitës së bashkuar, më saktësisht aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar t’i heqin pankartat, për shkak se pak më herët, një pankartë është shkëputur nga era e fortë dhe ka rënë në shesh. Tash, për ta shmangur rrezikun që pankartat të shkaktojnë ndonjë lëndim të ndonjë kalimtari, ata kanë vendosur që t’i heqin ato nga sheshi”, ka thënë Vraniqi.
Ai ka shtuar se pankartat nuk kanë qenë pengesë për dekorimin e qytetit, që sipas tij, e kanë për obligim autoritetet qendrore dhe jo ato komunale, për faktin se shënimi i ditës së pavarësisë së vendit është festë shtetërore.
“Ne kemi marrë kërkesë edhe prej Këshillit organizativ të qeverisë, që ata ta dekorojnë qytetin dhe ta vendosin një skenë në sheshin ‘Nëna Terezë’. Kjo kërkesë e tyre do të aprovohet, kështu që ata do ta dekorojnë qytetin.”
“Nga komuna asnjëherë nuk ka pasur dekorim konkret dhe meqenëse është festë shtetërore, gjithmonë ne ua kemi lejuar hapësirën publike për dekorim dhe u kemi ofruar ndihmë logjistike, nëse ata kanë pasur nevojë. Kjo ka ndodhur edhe viteve të kaluara”, ka thënë Vraniqi.
Në anën tjetër, në faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, aty ku është publikuar agjenda e Këshilli organizativ për shënimin e 8 vjetorit të pavarësisë vendit, thuhet se “Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve, për datat 15-17 shkurt 2016, me flamuj, dhe brenda mundësive të tyre edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë”.
Por, a do të festohet apo protestohet gjatë 17 shkurtit?
Vraniqi e sheh kështu situatën.
“Sipas nesh, do të ketë shënim të 17 shkurtit. Qeveria do ta dekorojë qytetin e populli do të protestojë për të drejtat e veta. S’ ka dekorim ma të bukur se sa kur qytetarët e mbushin sheshin”, tha Vraniqi.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka theksuar se lidhur me protestën e paralajmëruar nga opozita, Policia e Kosovës me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ, i cili ka për qëllim sigurinë e përgjithshme, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e ligjit.
“Policia e Kosovës APELON te të gjitha shtresat e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rendin dhe sigurinë publike”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se për datën 17 shkurt, policia parasheh shtimin e masave të sigurisë dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe akteve kriminale të mundshme, që në çfarëdo mase do ta rrezikonin qetësinë publike, apo shkaktimin e dëmeve në pronë publike apo private
Ish anëtari i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, ka thënë se do të jetë neutral për protestat e 17 shkurtit, për shkak se nuk gëzon respekt ndaj kryeorganizatorëve të protestës.
Kështu është shprehur në një koment të bërë, në një nga statuset që bën në llogarin e tij në rrjetin social Facebook.
“Për Fatmir Limën e Ramush Hajradinajn e kam humb konsideratën qysh kur kam krijuar bindjen se po e vjedhin Shtetin” – ka thënë Kelmendi.
Ish veprimtari Ibrahim Kelmendi, ka lënë të kuptohet se është skeptik nëse ndonjëherë Kosova do të ketë qeveri të duhur, që t’na kthej buzëqeshjen, lumturinë dhe krenarinë për vendin. “Të urojmë që do të ndërgjegjësohet gjenerata e radhës, e cila do ti jap fund kësaj epidemie kancerogjene, për të bërë shtet me të cilin natyrshëm do të krenoheshim” – shtoi Kelmendi./V.R.