Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/04/23

Urime Rita Saliu !


Kumtesa e Znj. Mimoza Dajçit mbajtur ne "Monroe" College per poeten e publicisten e njohur Rita Saliu

E nderuar Znj.Rita Saliu!

Të nderuar pjesëmarrës!

Ndihem vërtetë e privilegjuar sot që më jepet rasti të flas për poeten Rita Saliu, heroinën e kombit tonë, humanisten e Nënën e Madhe të Kosovës martire. Për motrën dardane, bashkëshorten e mirë e nënën e dashur të tre djemve të saj, veprimtaren tonë të palodhur, e të përkushtuar për çështjen kombëtare.

Artisten e cila qysh në fëmijërinë e rininë e saj skaliti fuqishëm poezinë, krijimtarinë letrare, të cilën jemi duke promovuar ne sot.

Urime Rita!

Edhe pse Znj. Saliu është grua e lartësive Me pëlqen tek Rita sepse ajo karakterizohet nga thjeshtësia. Rita është si vetë shqiponja krenare që simbolizon edhe flamuarin tonë kombëtar. Ajo endet kudo, si shqiponja e si bijë shqipesh me krahë shqiponje, në Amerikë - tokën e ëndrrave të çdo emigranti, në Kosovën vitale, në tokën Amë - Shqipërinë e bukur.

Të rralla janë si Rita. Edhe pse larg atdheut ku lindi, u rrit e mori edukimin universitar zemra e saj rreh gjithmonë për Kosovën, popullin e saj. Ajo ka dy çerdhe të ngrohta, shtëpinë saj në Roud Island dhe Kosovën që e pret me dashamirësi.

Sa mirë kur jep mirësi, e të japin mirësi.

Diçka hyjnore, dhuratë nga Zoti, e Rita i ka këto vlera të spikatura. Zoti e ka zgjedhur Ritën për të krijuar poezi, humanizëm, bamirësi ashtu si edhe Nënë Terezën, Rita është bijë e trashëgimtare e saj. Kudo shoqërohet me portretin e vyrtutet e saj.

Edhe idhulli i saj është Nënë Tereza, modeste, bujare, në tiparet e saj rrezaton shikimi i Nënë Terezës.
Nominuar e vlerësuar për krijimtarinë letrare, humanizëm dhe patriotizmin e saj nga presidentët shqiptarë të disa kohrave, personalitete të botës së huaj e organizata shqiptare kudo ndodhen në rruzullin tokësor. Çmimi Madhor "Nënë Tereza" akorduar nga ish Presidenti Bamir Topi e bën atë të ndjehet krenare për origjinën e saj shqiptare. Por Rita Saliu është vlerësuar për patrotizëm e letërsi edhe nga Familja Presidenciale Kenedi, e tani së fundi nga Universiteti i Harwardit në Boston për krijimtari letrare dhe humanizëm.

Rita të frymëzon për gjëra të mira, si një nikoqire e mirë për vepra të mira. Motor energjik, që çdo ditë krijon poezi për heronjtë, ndërkohë që edhe vetë është heroinë.

Ashtu si dhe nënat thurrin triko për fëmijët që mos te ftohen në dimër edhe Rita thurr poezitë e saj për vëllezërit e motrat e saj, për një jetë më të mirë e të ardhmes tonë.

Gratë e organizatës së gruas "Hope & Peace" e kanë quajtur poeten Rita Saliu një heroinë të vërtetë.
Nisur edhe nga shembulli konkret që vetë gjenerali Vesli Klark e ka vlerësuar Znj. Rita Saliu Heroinë vlen shumë për tu marë në konsideratë.

Qysh në kohët e hershme kanë thënë një fëmijë është pak e dy janë shumë. Rita është nënë e tre djemve, e gjyshe për nipin e saj të dashur Dion, por ajo fëmijë i quan edhe bonjakët e sëmurë të Kosovës që i priti e u kujdes në shtëpinë e saj në Road Island e nëpër spitale, fëmijë të saj i quajti fëmijët e gjymtyruar të luftës në Kosovë nga makineria serbe, fëmijë të saj i quajti edhe refugjatët nga Kosova që i strehoi në shtëpinë e saj në Roud Island. E një meritë të veçantë për këtë ka edhe bashkeshorti i saj, Z. Adem Saliu inxhinieri nuklear që ka qenë shumë i suksesshëm si në Minierat e Kosovës ashtu edhe në Amerikë e djemtë e saj Driloni, Learti, Gramozi që e mbështesin për kauza të medha humane, krijimtari, e bamirësi, të cilët kanë përfunduar shkëlqyeshëm universitetet në Amerikë e punojnë me përkushtim në institucionet e rëndësishme amerikane. Rita është krenare për djemtë e saj dhe ata për nënën e tyre.

Rita është një femër me mendje të hapur, me një vizion të qartë për jetën e të ardhmen e brezave që do të vijnë prandaj edhe thurr çdo ditë poezi me shtizat e saj të arta. Poezi të cilat ne i lexojmë me ëndje.

Një kontribut të shquar Znj. Rita Saliu ka dhënë edhe për organizatën e Gruas "Hope & Peace", idetë e saj jo të njëanshme na kanë shërbyer për ecjen tonë përpara. Së bashku me Ritën e bashkëshortin e saj Z. Adem Saliu kemi shpalosur në një rast për festën e Ditës së Nënave Amerikane ekspozitën e saj fotografike mbi genocidin serb në Kosovë. E dhimbshme, e prekshme por faktike, e Rita është dëshmi e gjallë e atyre ditëve të errta që gjakosën me tanke e ushtri të tërë popullin e pafajshëm të Kosovës, gra, pleq e fëmijë.

Prania e Znj. Rita Saliu tri herë në luftë mes zjarrit e plumbave të pushtuesit serb, mes plagëve të luftës dëshmon për heroizmin, guximin e sakrificat e saj. Rita me veprat e saj ka bërë histori e ka hyrë në histori.

Poetja dardane me penën e bukur të femrës shqiptare nuk rresht udhëtimet, nuk rresht krijimtarinë e saj, nuk pushojnë bamirësitë e saj, edhe fondi i grumbulluar sot nga libri "Ndjenjë Perëndie" do të shkojë si ndihmë për Kosovën. Sa herë që poetja shkon në Kosovë dërgon ndihma nga të ardhurat e familjes së saj për fëmijët jetimë, veshje e lodra.

Rita gjithmonë ka treguar kujdes edhe për gruan e dhunuar nga lufta në Kosovë, shpesh ka marë kontakte me ato, i ka dëgjuar hallet e brengat tyre, e është përpjekur për tja lehtesuar dhimbjen atyre e fëmijëve të tyre të braktisur nga baballarët apo gratë nga bashkëshortët e tyre për paragjykime.
Rita Saliu, kjo lajmëtare e Paqes sjell kudo mesazhe paqësore, harmonie e edukimi, librat e krijimtaria e saj pasqyrojnë më së miri tolerancën fetare edhe në shoqërinë shqiptare, vargjet e saj mbështjellë me figura të pasura letrare ngrenë Ritën në poetet e afirmuara të kombit.
Duke përfunduar i uroj Ritës jetë të gjatë e të lumtur, suksese në krijimtari bamirësi e humanizëm.


Faleminderit!

Mimoza Dajçi

Don Injac GJOKA (1918 – 1979)

Nga Fritz RADOVANI:

“ÇILJA  DEREN  ATIJ  QË  TROKET !”






 1 Don-Injac-Gjoka







                                        Don Injac GJOKA (1918 – 1979)


1946 – DOSJA NR. 852...

■Mësuesi Don Alfons Tracki krenohej me nxanësit Shqiptarë, ndersa nxanësit e Tij, me veprat e veta nderonin Mësuesin, Edukatorin e Martirin e Kishës së Shqipnisë, Trackin!
Një rresht Martirësh të Trackit ishin Ata, që ngritën Permendoren e Tij në Shqipni, po edhe në Breslau, qytetin e Tij të dashtun që e sakrifikoi per Atdheun e Dytë Shqipni.

■Një nder Martirët e Shkodres së vjeter, që jetoi dhe punoi nen shembullin e Mësuesit të vet, ishte edhe Don Injac Gjoka, jetim pa prind në moshë të vogel dhe me një gjendje të pakandshme shndetsore, që nuk Ju nda gjithë jeten. U emnue në Bogë, po 1944, e gjeti në Mazrrek, ku mbas Janarit 1945 i kerkoi streh Mësuesi i vet Tracki dhe Ndoc Jakova, të dy të larguem dhe të kerkuem nga ardhja e brigadave shfarosëse partizane në Veri.

■Me 21 Mars 1946, plot 70 vjetë perpara arrestohet dhe torturohet si pak kush nga forcat e kriminale të Ndjekjes, të etëshme per Gjak Meshtarësh Katolik Shqiptarë. Ishte njëfarë togerit Bashkim Kasoruho, që kishte marrë përsiper me zbatue porosinë jugosllave:
“... Të zhdukni Shllakun, dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M.

■Nga hetimet e bame nder muejt e parë të vitit 1945, të cilat shenohen me mjaft detaje në Dosjen nr. 852, dhe që asht nder dosjet e plota (të pakta të Arkivit Min. Mbrendshme në Tiranë), që kam lexue me kujdes në vitin 1998, mbasi jo vetem kam njoh Don Injacin, po kujtimet e Figurës së Tij si model i persosun i një Kleriku që të lente mbresa vetem me paraqitjen e Tij, shikimin dhe pervujtninë Shpirtnore që e karakterizonte, po Ajo që më ka ba pershtypje ishte qendresa e pashoqe e Tij, perballë torturave e urisë së pashoqe që Don Injac Gjoken, e ka ndjekë deri në diten e vdekjes, me 12 Nandor 1979...

■Kleriku Don Injac Gjoka, jo vetem pranon strehimin e Don Alfonsit në qelen e vet, po ajo që zemron tejmase hetuesin e Tij, asht “mbrojtja që Don Injaci i ban Mësuesit të vet, tue vue në dukje punen baritore dhe kulturore që Tracki, ka ba nder fshatrat e humbuna të Velipojës, po edhe ndihmesen e Trackit nder komandat gjermane, per me evitue çdo vrasje apo shfarosje gjermane ndaj “partizanëve” që, rrezikonin fshatrat Shqiptare... me veprat e tyne shpesh të qellimta, per me vazhdue si në Jug “luftën civile partizane”.

■Don Injac Gjoka dënohet me 8 vjetë burg, në bazë të ligjit nr. 21, datë 15 Dhjetor 1944, Neni 1, per strehuesit e kriminelëve të “luftës”, gjithmonë me shpresë se vdes shpejtë.

1967...

■Viti i zi i pranverës së 1967, apo i t’ ashtuquejtunit “Revolucion Kulturor i tipit kinez”, kishte trokitë pothuej nder të gjitha dyert’ e Klerikëve Katolik Shqiptar, dhe pothuej të gjithë paperjashtim i kishin dhanë një pergjegje diktatorit ideator të “Revolucionit”, tue ua percjellë qendrimin e vet burrnorë, me skilen anadollake Ramiz Alia, një nga ata që zbatuen me perpikni vendimet e terroristit Enver Hoxha, kunder Klerit Katolik.

■Komiteti i PPSh së Shkodres, kishte ngarkue edhe ai disa mbeturina të mbetuna që nga koha e Haxhi Qamilit, po që me veprimet e veta nuk i lane asgja mangut atij, tue pasë gjithnjë busullen e tyne drejtuese “shokun” Ramiz, i cili ato ditë flinte e zgjohej sa tek drejtori i Institutit Pedagogjik Mihajl Prifti, sa tek Jup Kastrati, apo tek Xhemal Dini dhe Musa Kraja, që kishin marrë në duertë e veta edhe drejtimin e Degës së Mbrendshme në Shkoder, ku kriminelët Feqorr Shehu, Xheudet Miloti, Kasem Troshani, Ali Xhunga, Shyqyri Qoku, Dhimiter Shkodrani, dhe kuadrot Faik Minarolli, Sheuqet Muçi, etj., zbatonin me perpikmeni arrestimet, kontrollet e bibliotekave, të Kishave dhe qelave të Klerikëve Katolik, tue i shpronsue, shtetizue dhe plaçkitë deri tek qylymat e dhomave.

Nder thirrjet e para antikatolike per “Revolucionin Kultural” u arrestue At Gegë Lumaj, ashtusi, në 1945 kur Prekë Cali, u rrethue nga forcat partizane e jugosllave në Selcë...

U vazhdue me Don Mark Hasin, At Pjeter Mëshkallen, në Institutin Pedagogjik, ndersa ■Don Injac Gjoka, u thirr në Shtëpinë e Pionjerit të qytetit, në qender të Serreqit, krejt perballë Kishës Katedrale e mbulueme me “Fletë – Rrufe” dhe e dyllosun... Ishte ulë në një stol dhe po priste fillimin e mbledhjes, po si gjithmonë krenar dhe i paperkulun.

■Nuk priti shumë, dhe Don Injaci filloi Ai para drejtuesit të mbledhjes pyetjet e veta: Pse më keni kerkue në këte mbledhje? – Pergjigju, i tha drejtuesi, Pse kryeni sherbime Fetare ju Don Injac, kur e dini që nuk duhet ?

– Don Injaci, i tha: Perëndia më ka caktue me kenë Misionar i Fesë, si doktori i mirë që nuk ngurron me mjekue, ashtu edhe Misioni em më kerkon me kenë Doktor i Shpirtit per ata që m’ kerkojnë ndihmë! “Çilja deren atij që troket!” ka thanë Krishti. Edhe unë, do t’ Ua çili! Këte ua kam thanë edhe kur ishe në burg, këte po ua tham prap! Unë jam e kam me kenë i vendosun deri në vdekje!” Mbledhjen Don Injaci e mbylli me këto fjalë:

– “I vorfen kam le, i vorfen jam e, i vorfen due të vdes, due T’i perngjas Krishtit!”

(Nga proces – verbali i mbledhjes, i ruejtun dhe i publikuem nga Dr. Pjeter Pepa. 2004)

■Ashtusi vendosi, ashtu e mbylli jeten e vet!

■Në darkë, si pernatë, u drejtue nga furra ku kishte vendin e fjetjes, mbrenda furrës, aty vazhdoj lutjet e veta, po jo, si i “vorfen në Shpirtë”, po si nder ma të dijtunit dhe ma të pasunit e Kishës Katolike në Shqipni! Ky ishte Martiri Don Injac Gjoka!

■As sot, as kurrë, nuk ka nderim ma të Madh, se me u rreshtue me Martirët e Mëdhej të Kishës Katolike në Shqipni, Martirizue prej Gjenodit komunist të viteve 1944 – 1991.
Melbourne, Prill 2016.














Nga Përparim Hysi : Qeni i Degës...(Tregim)

Fehrat Grëmallari qe çuar heret. Më heret se zakonisht. Ka vendosur që të vejë në qytet për të parë babanë e tij, shtruar në spital. Qyteti është larg që këtu, se, edhe po të ecësh "likthi" ( në Myzeqe, likthi përdoret si me vrap), të duhen të paktën nja dy orë të mira. Por Fehrati ia ka gjetur ilaçin kësaj pune. Nuk shkon xhades, por shinave të hekurudhës. Se këto, or byrazer,- thotë Fehrati,- ta bëjnë si tetë me dy. Do e hedhësh vallen sipas muzikës së trenit: s'ka këtu të ecësh navash- navash, sikur m'i ke punët në terezi, por "likthi", sikur nga mrapa, të ndjek dikush me shkop. Nëse nuk e nget këtë "muzikë", mos shkel mbi shina se xërrohesh e thyen hundët copë. Kështu thotë Fehrati dhe kështu do bëj, por, para se të niset për në qytet, ka një punë pakëz me "axhale". Epo me "axhale", pa "axhale",e ka vendosur dhe t'i dalë tymi mu tek "Plepi i Naqes"! "Plepi i Naqes", pak larg që këtu, por bëhet si afër për "habere".
E di që po vrisni mendjen se ç'është kjo "puna me axhale" e Fehratit? Por me radhë dhe, pa u ngutur, se qoftë unë që po e shkruaj, qoftë dhe ju si lexues, nuk kini pse ikni "likthi" si Fehrati.
E, megjithatë, ju mjafton të ndiqni seç bën ai.
* * *
Hodhi sytë andej nga ara e Resulit dhe pa që brigada foragjere kish korrur jonxhën dhe një postat i tërë kish mbetur pa transpotuar. Mori një thes dhe tinzisht hyri tek jonxha, e mbushi dingas thesin dhe, sakaq, hyri në kasolle. E përzjeu jonxhën me kashtë dhe ia mbushi grazhdin lopës. Tani po,- i bëri qejfin vetes,- tani do ia mbushi tenxheren plot "asajta". "Asajta" është e shoqja, por Fehrati, është burrë zakoni dhe nuk e thërret gruan me emër. Do të thoni ju, po mirë, por kur është burrë zakoni, si vete dhe vë dorë mbi jonxhën e kooperativës? "Komprativën",- thoshte,- kurrë s'e kam dashur. Por kur bie kolera (se kolerë e shkuar kolerës), nuk të njehë kush për Sulo-be. Të zë me kuç e me maç. Nuk e do ti, aq m'i bën atij lart, në hyqymet, apo ca më shumë në parti. Por të keqen pepja tyja, kur bën gjyq me kadinë, nuk ka kush ta bënë davanë. Dhe ngeci, karkaleci! Por me komprativën na ka gjetur si me atë që tregojnë: me inat më foli, me inat iu përgjigjësh. Kështu, or tunjatjeta, u bëmë si pakëz hajdut. U bëmë nga e keqja. Unë, që thuaj ti, jam besimtar dhe për çdo të xhuma( të premte) drejt e në xhami. Falesha, or tynjatjeta, dhe hoxha na thosh të parën: mos vidh! E pastaj... të tjera... e të tjera. Por ke parë ti se kujt i polli mendja dhe tak kazmën. Kemi partinë,- i dhanë karar dhe nuk ka ç'na duhet xhamia po dhe kisha. Mirë, o të keqen pepja tyja, ti paske partinë, po unë nuk e dua "atëna" ( këtë po ta them tyja, se Çeçua ka biçak,de), unë dua xhaminë. Le që i prishën, po na thanë:- Prishini ju! Ta lënë dobiçin në derë, badjava. E prishën, e prishën, por ata që vunë dorë, kanë për ta paguar. Më kujtohet që hoxha i paska thënë timati:- Kur të bën lazëm në shtëpi, është harram në xhami!!! Qe i zgjuar hoxha ynë. I binte pragut të dëgjonte dera. Llaf për llaf: në të duhet në shtëpi, merre në komprativë. Ja për atë Zot! Dhe nuk ka shtëpi fshati pa vënë dorë gjakund. Se ndryshe nuk rrohet. Mos shiko qytetin ti. Ata, të qytetit, kanë lindur me këmishë. Ne mbjellim grurë dhe e hanë ata. Na mbiu ibridi në stomaq. Dhe, bereqaves, që kemi lopën se, aha, keq e më keq do qe hesapi.
* * *
E mbaroi atë "punën me axhale", veshi ato shallvaret që mban në sepete si për mik dhe,sa la xhadenë, hipi në trasenë e hekurudhës. Aty ia"shkeli likthi" dhe, o burra, për në spital. Në spital arriti pa ardhur mjekët dhe, pasi la tek komodina e të atit ato që kish përgatitur "ajo" ( e shoqja), priti të vinte mjeku i pavijonit. Edhe për mjekun, e kishte "harxhin" si pakëz më të rëndë: një pulë shqirake që"ajo" e kish rrjepur me kujdes. Erdhi mjeku dhe si "llafosi" mbarë e prapë me të, e ndau fjalën që në fund të javës tjetër, babanë do ta nxirte të shëruar. Lajmi i mirë e bëri si me shend dhe, ca më shumë, që doktori nuk bëri naze për darovinë ( epo darovinë e pëlqen dhe mbreti që ka një mbretëri të tërë,- thotë Fehrati) dhe, sa u përcoll me të atin, u nis për në fshat. U nis për fshat dhe përsëri nga hekurudha. Se ajo"puna me axhale" sikur i është vënë pas si hije dhe, tek hamendëson se ç'do ketë ndodhur kur kanë parë "hatanë" me postatin e jonxhës, sikur merr të trembur dhe jo vetëm nuk i duket se po ikën "likthi", por sikur po ecën sëprapi. Si gaforre! Se këta të qeverisë, po u preke gjëkafshë, mezalla se të falin. Megjithatë, tek u jep këmbëve, sa më shumë afrohet,aq më shumë "largohet". As që e di se ç'ka ndodhur.
* * *
Brigadieri me qerrexhinë erdhën tek ara e Resulit. - Bobo,- vuri kujen. E paskan vjedhur postatin e korrur dhe lopët ta mbajnë kokën tek trarët. La qerrexhinë aty dhe frymën në sektor.- Alarm! Na kanë vjedhur! O burra, të lajmërojmë degën. Rrahën telefonin dhe njoftuan. Kur Fehrati qe në qytet, operativi me policin që kishte qenin e Degës, mbrriti mu tek postati i jonxhës. Qeni u vu në kërkim dhe arriti tek kasollja e Fehratit. Lopa ia kishte "zbardhur" faqen se e kish kollofitur duke mos lënë asnjë fije, por qeni hungëronte. U informuan se pritej që të kthehej dhe zunë, si të thuash, pusinë.
- Ja,- bërtiti brigadieri. Qy që vjen hekurudhës është hajduti, Qy është Fehrati. E lanë sa u afrua dhe i lëshuan qenin. Qeni mend iu hodh sipër. - Hë,- tha operativi,- vëri hekurat se është hajdut.
- Ore, ça hajduti,- thoni ju. Unë qeshë në spital.
- Qe në spital, por qe pas"dasmës",- foli tërë inat operativi. Ke vjedhur jonxhën e kooperativës , se kot nuk t'u hodh qeni në kokë.
Por Fehrati i kish shkuar kësaj pune me "axhale" jo pa rriskuar, se kollaj nuk ia hante qeni shkopin dhe, sikur kjo punë nuk kish të bënte me të, ia zbrazi:
-Pse qenit i besoni ju? Por qeni, po nuk të njohu, të hidhet në kokë,se ndaj është qen. Ja hajde pakëz tek oborri im dhe ta lëshoj atë Balikun tim, po të shohësh ti, pastaj, e kam vjedhur unë apo ti jonxhën. Ky sherr hidh e prit sikur po zgjaste shumë dhe, dalngadalë, u grumbullaun njerëz si shumë. Fehrati kur pa se një anë e ballancës sikur po anonte nga ai, vazhdoi:- Ore shoku operativ, e di ti që qeni, ndonjëherë, ha dhe të zotin, se nuk e njeh?
Ja,- tha,- e sheh Hekuranin ( ky njihej si kalibalash se qe infermieri më i vjetër jo në fshat, por dhe në qytet). Pyete, pyete Hekuranin. Këtë desh e hëngri qeni i tij, se qy natën del nga shtëpia dhe natën kthehet. Kaq u desh dhe njerëzia ia dhanë të qeshurit,se e dinin të gjithë që kështu i kish ndodhur Hekuranit. Kish hipur në fik që të hante fiq dhe i biri, tak dhe i lidhi qenin tek fiku. Kur bëri të zbriste,qeni mend këputi zinxhirin. Ai që lart nga fiku, britmën që të hiqni qenin se mos e hante. Shpotia qëlloi në shenjë dhe operativi me policin e qenit u larguan. Fehrati u mbush me frymë, por "shakanë" me zarar, nuk e harroi.
-Desh ika për dhjamë qeni nga qeni i Degës,- më tha. Por bereqaves nga Hekurani.
* * *
Epilog...
Unë këtë tregim nuk do ta kisha sjell fare, sikur mos përkonte me diçka të përafërt me këtë "qenin e Degës" që desh mori më qafë Fehratin. Por, në e përcolla për lexuesit, e bëra nga një njoftim që, për mua, është paksa jo vetëm tronditës, por dhe jo plotësisht i besueshëm. U njoftua se për persona që shërbejnë në politikë a në organe të specilaizuara, veç tjerash, do bëjnë "provën" e "makinës të së vërtetës". Jo vetëm jam anti asaj "makine", por, kam frikë, se një"makinë" e tillë zor se i afrohet dhe "qenit të Degës", se atij të Hekuranit që hante dhe të zotin, jo që jo.
Por, në fund të fundit, pse do t'i hajë "qeni i Hekuranit" këta politikanë tanë që janë "qelibarë" në të gjitha drejtimet?!!!

Tiranë, 22 prill 2016

Në 100-vjetorin e lindjes, Vlora nderon Qemal Haxhihasanin, personalitetin e shquar të arsimit dhe folklorit shqiptar


Prof. Dr. Gaçe: “Akademia e Shkencave, duhet të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”



Vjollca TYTYNI BIRAKU

Prof.dr. Bardhosh Gaçe, kishte kohë që po punonte me përkushtim për organizimin e një evenimenti shkencor, për jo vetëm për bashkëshoqëruesin e tij shkencor por edhe për mikun e tij, Qemal Haxhihasani. Në sallën e konferencave “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, gjithçka ishte përgatitur me kujdes për të prezentuar sa më denjësisht figurën e folkloristit të shquar z. Q. Haxhihasani, e cila u shpalos nga albanolog dhe njohës të mirë të punës dhe gjithë aktivitetit të tij studiues në fushën e kërkimit shkencor.
Ndjehem e detyruar të përkufizoj më këtë rast, impenjimin e dr. Bardhosh Gaçes, i cili si një studiues i mirëfilltë i fushës së albanologjisë, në mënyrë kronologjike servoi për të pranishmit dhe njohësit e kësaj figure të shquar, jetën dhe gjithë krijimtarinë e këtij udhëtari të fushës së shkencës dhe të dijes. Edhe pse, përkundër gjithë angazhimit dhe falë modestisë që mbizotëron në personalitetin e tij, prof. Gaçe e dinte se, një organizim i tillë, nuk do mund të përjetësonte brenda një dite punën e palodhshme të Qemal Haxhihasanit, këtij intelektuali të shquar. Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi, ka të bëjë me mirënjohjen qytetare e intelektuale te njerëzve dhe vlerave tona të çmuara kombëtare.
Takimin shkencori me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit Q. Haxhihasani e hapi dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, ku ishin të pranishëm studiues nga Shqipëria, Tetova e Prishtina. Në seancën e punimeve shkencore të Konferencës me kumtesat e tyre u paraqitën: prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), i cili u përqëndrua në temën: “Personaliteti i prof. Qemal Haxhihasanit, dje dhe sot”, më pas referuan edhe prof.dr. Nexhip Mërkuri, në temën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”, studiueset dr.Vilma Bello e dr. Migena Balla, të cilat referuan në materialin me temë “E folmja e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani, ndërsa, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë, ndërsa, Albert Habazaj, referoi në temën “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkloristikës shqiptare”
Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar dhe pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, shtjelloi kumtesën në temën: “Sfida të kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesa e prof. Qemal Haxhihasanit”. Ndërlidhur me këtë, dr. Leka Skendaj, ndër të tjera theksoi se: “Prof. Q. Haxhihasani, me pasoinin e lindur u bë i dallueshëm si në  tipologji ashtu edhe në përmbajtje. Dialektologjia, edhe pse nuk mbeti fusha kryesore e studimeve të mëtejshme të tij, që në vitet e para të veprimtarisë shkencore, është bërë objekt i trajtesave dinjitoze për vetë shkallën e profesionalizmit dhe të racionalitetit të problematikave që parashtron, duke u paraqitur kësisoj si model i formatit metodik për studiuersit e tjerë”. 
Prof. L.Skendaj, duke u ndalur në punimet kërkimore në fushën e dialektologjisë të prof. Q. Haxhihasanit, tha se: “Punimet dialektore të profesor Qemal Haxhihasanit, mbeten opus më vete në shtrirjen e gjerë të interesave shkencore të tij. Studimi në nivel monografik i të folmes së Sulovës dhe më pas përqasja me atë të Polisit, si pjesë e grupit kalimtar, mbetet pa dyshim ndër të parët e këtij lloji, duke u bërë kësisoj si modelues i metodologjisë së gjurmimit, regjistrimit, përqasjes dhe krahasimit të dukurive dhe fakteve gjuhësore”.
“Kështu, dr. Leka Skendaj, u ndal edhe në studimin e fonemës së labializimit të a-së, nga ana e studiuesit Q. Haxhihasani, pët të cilën ai tha se: “Atë e gjejmë me graduacione të ndryshme edhe në të folme të tjera të vendit tonë, si në gegërishten lindore (në Kosovë, në rrethinat e Shkupit, në Tetovë e Gostivar dhe pjesërisht në malësinë e Gjakovës). Këtu, jo vetëm a-të e nazalizuara kthehen në o (hona, gjon, thon, ngron) por edhe ato a që nuk janë në pozicion afër bashkëtingëlloreve hundore, paraqesin në disa raste nuance labializimi, si qof (qaf), fore (fare), firor (firar)”.
Gjatë kësaj analize të thuktë dhe interpretimeve të çështjeve fonetike, dr. L.Skendaj në fund të kumtesës së tij përqëndrohet në hundorësinë, që, sipas tij, nuk duhet të kenë qenë si rezultat i veprimit të drejtpërdrejt të trajtave jugore mbi ato veriore, por një aspekt zhvillimi i atij ligji të përgjithshëm që ka përftuar rotacizmi në dialektin e jugut”.
Gjatë kësaj seance folën edhe studiues të tjerë, ndërsa senca e dytë e kësaj Konference Shkencore vazhdoi me kumtesat e studiueseve Arjana Seiti (QSA) dhe dr. Gladiola Elezi, ndërsa, dr. Edlira Çerkezi, paraqiti kumtesën “Veçori të përmbledhjes ‘Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun’ të Qemal Haxhihasanit”.
Duke u mbështetur në trashëgiminë e pasur fokloristike të Qemal Haxhihasanit, dr. Edlira Çerkezi, theksoi se: “Jam ndalur vetëm në një aspekt, atë të studimit dhe botimit të tregimeve dhe këngëve popullore për figurën legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Figura e Skënderbeut dhe Moti i  Madh i tij, na vijnë në dy përmbledhje kryesore: ” Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun“, (1967 ) dhe “Epika Historike I” ( 1983 ), por edhe mjaft artikuj dhe botime të kohës. I tërë ky mjedis dhe figura e kryeheroit tonë sillen prej Qemal Haxhihasanit si një dëshmi e gjallë dhe mjaft  e rëndësishme e cila na flet për ekzistencën e një  epike historike të shqiptarëve të shekullit të XV. Është pikërisht ky syth këngësh që na vjen si jehonë nga poezia popullore arbëreshe, por edhe vise të tjera të Shqipërisë”.
“Në punën gjurmuese të profesor Qemal Haxhihasani, -potencon më tej dr. Edlira Çerkezi, -përfshihen edhe mjaft këngë të tjera nga vatra e kryetrimit, Kruja, por edhe prijësa të tjerë si: Gjergj Arianiti,Vrana Konti,Tanush Topia. Andaj, është meritë e Qemal Haxhihasanit që ai mbodhi mjaft tregime popullore ku zbulohet Sënderbeu si një udhëheqes popullor, kryeprijës në betejat e Gurit të Bardhe dhe Fushë Kuqe, Shën Gjergj, Sfetigrad, Kastriot, Grazhdë, Oranik etj”.
Me të drejtë profesor Qemal Haxhihasani në parathënien e botimit të “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” si dhe disa artikuj të tjerë që trajton, e paraqet figurën e Skënderbeut të mençur e trim dhe herë herë hiperbolike….Ai argumenton edhe legjendaritetin që merr epoka e Skënderbeut dhe trimëria e tij e cila përcillet me një botë të pasur poetike dhe gjurmë të thella të elementëve baladikë”, ka përmbyllur fjalën në kumtesën e saj, dr. Edlira Çerkezi.
Ndërsa,në këtë Konferencë shkencore organizuar në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të shquar Qemal Haxhihasani, referuan me kumtesat e tyre edhe dr. Artan Xhaferaj, dr. Enkelejda Billa, Orjona Shegaj (QSA), Ermela Broci (QSA), Agron Xhaho, kurse në emër të familjes, përshëndeti e bija e Qemal Haxhihasanit, Jeta Haxhihasani, e cila në monitor komentoi një seri fotografishë të disa prej aktiviteteve më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e Qemal Haxhihasanit.
Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”. I ngarkuar me gjithë organizmin e këtij evenimenti, prof.dr. Bardhosh Gaçe, theksoi se: “Qemal Haxhihasani, një jetë të tërë la gjurmët e veta në kulturën dhe shkencën shqiptare.  Siç u vu në dukje edhe nga kumtesat dhe diskutimet e stuiduesve të tjerë, atëherë themi se, Qemal Haxhihasani është një shembull i rrallë i shkencës shqiptare. Një jetë të tërë në heshtje e pa bujë, ai punoi më një përkushtim të rrallë si mësues në disa treva shqiptare, si pedagog e specialist. Ai u afirmua si pedagog e specialist, si folklorist, etnolog, dialektolog e leksikograf. Ata që e kanë njohur dhe punuar me të, ata që kanë bashkëpunuar dhe mësuar prej tij, përherë sjellin ndërmend portretin dhe personalitetin e tij të rrallë për kulturën dhe shkencën, me kërkesa të rrepta ndaj vetes me dëshira të mëdha për të ndihmuar studiuesit e tjerë”, është shprehur ne referencën e tij, prof. Bardhosh Gaçe. Më tej duke u futur në gjithë krijimtarinë historike e shkencore të prof. Q. Haxhihasanit, prof. Gaçe tha se: “Ky dijetar i rrallë i kulturës shqiptare, ka një varg botimesh folklorike, etnologjike, dialektologjike dhe kërkimore, të cilat tashmë shërbejnë edhe si burime për studiues të tjerë. Në veprimtarinë e tij të gjerë e të larmishme ai arriti të afirmohet si një ndër folkloristët më të shquar të folkloristikës shqiptare. Kujtojmë këtu, botimin prej tij të “Bletës shqiptare”, të Thimi Mitkos, një punë voluminoze e me kompetencë, transkriptuar në pëlhurë alfabetin e sotëm, të pajisur edhe në jetën dhe veprimtarinë e këtij rilindasi”.
Ndryshe, prof. Gaçe, figurën e prof. Haxhihasanit e kundroi jo vetëm në sferën intelektuale por edhe në atë të njohjes dhe miqësisë me shumë personalitete dhe dijetarë të shquar. “Qemal Haxhihasani ishte edhe një mik i mirë i mjaft studiuesve të shquar”, -tha në kumtesën e tij, dr. Gaçe, -siç ishin: E. Çabej, Shaban Demiraj, Anton Çeta, Mahir Domi, A. Xhuvani, Sadri Fetiu, Mark Krasniqi, dhe i atdhetarëvee e dijetarëve të tjerë evropian, si: Lluka Perrone (Luca  Perrone) e Antonio Belluci.
I gjithë qëllimi për organizimin e këtij evenimenti, i cili përkonte me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit të shquar Qemal Haxhihasani, për prof. Gaçen kishte edhe një destinacion tjetër, lidhur me mundësinë e angazhimit insititucional për botimin e shumë veprave të këtij personaliteti me vlera kombëtare.
“U fol këtu për botimet e Qemal Haxhihasanit, por, unë mendoj se vepra e tij dialektologjike, folkloristike, etnografike e letrare ende është në arkiva. Por, ç’mund të bëhet në të ardhmen?”, shton pyetjen e tij dr. Gaçe.  “Andaj, -potencon më tej dr. Gaçe, -duke e ndjerë të nevojshme angazhimin dhe kontributin për pasurimin, botimin dhe arkivimin e pasurisë sonë kombëtare, të cilin jo vetëm njerëzit arsimdashës, por atë me patjetër duhet ta kenë në konsideratë edhe institucionet tona shtetërore”. Pëmes këtij ‘selami’, prof. Gaçe, në këtë konferencë shkencore kërkon që: “Institucionet shkencore si Akademia e Shkencave, të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat, duke marrë në konsideratë pikërisht veprat e këtyre dijetarëve si: Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi, Rebi Alikaj janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”, e përmbyll, kumtesën e tij, dr. Bardhosh Gaçe, duke theksuar në fund se, ky takim që përkon me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit dhe folkloristit të shquar Qemal Haxhihasani, nuk përmbyllet këtu por do të vazhdoi me sesione të tjera të cilat do të zhvillohen edhe në Kosovë e Maqedoni, ku prof. Haxhihasani kishte vepruar dhe krijuar gjatë gjithë jetës së tij.
Konferenca Shkencore me temë: “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folklorit shqiptar”, u organizua nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlore, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA).
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai dha një ndihmesë të çmuar në fushën e historisë së folkloristikës shqiptare dhe konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare, si eksplorues, gjurmues e hulumtues, i cili njëkohësisht ishte i lidhur ngushtë me poezinë popullore, ku punoi dhe u anagazhua në realizimin e shumë teksteve të këtij zhanri krijues të letërsisë sonë.



 Lexoni edhe:


http://floripress.blogspot.com/2013/02/marinaj-nje-pasurues-i-lingusitikes-se.html

2016/04/22

LETËR E HAPUR NGA UNIONI I SHKRIMTARËVE DHE KRITIKËVE SHQIPTARË L’UNION DES ECRIVAINS ET DES CRITIQUES ALBANAIS

UNIONI I SHKRIMTARËVE DHE KRITIKËVE SHQIPTARË
L’UNION DES ECRIVAINS ET DES CRITIQUES ALBANAIS


Rr PRISHTINA E RE –KULLA POETIKE E mail:reshats@hotmail.frTel:044 111 430


Prishtinë, më 22 prill 2016

LETËR E HAPUR DREJTUAR:

QEVERISË SË KOSOVËS

SHEFI TË ZYRES SË BE-së SAMUEL ZHBOGAR

SHEFES SE  POLTIKES SE JASHTME TË BE-së  FEDERICA MOGHERINI

MINISTRIA E INTEGRIMIT APO E DEZ-INTEGRIMIT E BEKIM COLLAKUT ? !

Ministria e Entegrimit Europian , është një ministri e sajuar për vendet e mbrapambetura dhe monitorohen nga tjerët , në mënyrë që t'ua mësojnë hapat e parë drejt civilizimit botëror. Vendet e pazhvilluara po të mos e kenë një mbikëqyrje ndërkombëtare do të krijonin kaos politik që vendin do ta çonin drejt një lufte qytetare, sepse klasa poltike e këtyre vendeve (në të cilin bënë pjesë edhe Kosova), dirigjohet nga instikti shtazarak.
Duke u nisur nga fakti se Ministria e Integrimeve së Republikës së Kosovës, është kompetente për integrimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj sa më mirë e më shpejt qytetarët e Bashkësisë Europiane, asociacionet e ndryshme kulturore dhe jo kulturore i drejtohen kësaj ministrie për përkrahje dhe mbështetje të projekteve të tyre që ndikojnë në integrimin e qytetarëve tanë me popujt tjerë europian.
Një përpjekje të tillë vite më radhë e bëri edhe kryesia e Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, duke ia prezantuar dhe konkuruar në këtë ministri me disa projekte kulturore që dukshëm ndikojnë në integrime europiane.

NË VEND TË PËRRGJIGJES- KËRCËNIM FIZIK

Këto ditë,  RESHAT SAHITAJ përgjegjës i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, nuk iu lejua as ta protokolonte projektin kulturor për subvencion lidhur më një projekt kulturor, madje një zyrtar i lartë i kësaj ministrie iu kërcënua fizikisht duke e thirrur në përforcim një punëtor të sigurimit, thuase një nuk ishte i mjaftueshëm.

Zyrtari i kësaj ministrie siç dukej kishte kompetenca të plotfuqishme të rrahte fizikisht kë do dhe kur të do të gjithë ata që guxojnë t'ia kundërshtojnë mendimin e tij shkalla e inteligjencës e të cilit nuk mund të ishte më e lartë se e një qeni.

SQARIM

Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, gjermë tani ka realizuar takime letrare, tribuna shkencore më krijuesit më eminent botërorë si : Franca, Belgjika,Spanja,Greqia,Rusia,Anglia, Italia, Argjentina…

Në këto aktivitete kulturore moren pjesë krijuesit më në zë shqiptarë si:Ali Podrimja,Gani Xhafolli, Rexhep Qosja, Sadri Fetiu,Begzat Baliu …..

Në vitin 2014 iu kemi drejtuar kësaj ministrie , por kurrë nuk janë përgjigjur.

Në vitin 2015, poashtu iu kemi drejtuar kësaj ministrie duke i protokoluar projektet si psh dokumenti :6/05/2015 PRANUAR & dokumenti 24/06/2015 PRANUAR.






Pavarësisht se projektet tona, ndihmojnë dhe kontribuojnë nê integrimet europiane, Ministria Integrimit Europian, harruan të përgjigjen vitin e kaluar , ndërsa tani u kërcënuan fizikisht. 
Përfundim

Zyrtaret e lartë apo sigurimi qeveritar, nuk ka të drejt të sillet brutalisht më asnjë qytetar të Kosovës !
Zyrtarët qeveritarë, të shqyrtojnë kerkesat dhe projektët e qytetarëve tanë objektivisht!

Zyrtarët e qeverisë sonë, t'i velrësojnë projektet në baza të vlerave e jo të klaneve poltike dhe familjare !
Drejtësia të marra masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve të qeverisë që sillen brutalisht ndaj intelektualëve dhe ndaj çdo qytetari të Kosovës !
Kjo nuk është Kosova për të cilën është derdhur gjaku i dëshmorëve !
Kjo nuk është Kosova për të cilën kemi vepruar dhe sakrifikuar tërë jetën !
Kosova nuk është pronë private e disa zyrtarëve matrapaz, mafiozë !
NË KOSOVË TË MBIJETOJË E TË ZHVILLOHËT  FJALA E LIRË DHE MENDIMI KRITIK ! 

RESHAT SAHITAJ, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe të Kritikëve Shqiptarë
Tel 044 111 430 

PS. Kjo letër do u dergohet të gjithë eurodeputetëve nê Bruksel

Të gjitha abmasadave te huaja në Kosovë dhe institucioenve tjera nderkombetare në Bruksel

2016/04/20

Histori shokuese: Në një skutë të fshehur u konsumua marrëdhënia jonë e parë





Poetja Misterjoze


Histori shokuese: Në një skutë të fshehur u konsumua marrëdhënia jonë e parë

E di që kur të lexoni letrën time do të shokoheni, ndoshta edhe do të më urreni, por mua do të më vinte shumë mirë sikur qoftë edhe një lexues ta kuptonte gjendjen time dhe të mos mendonte keq për mua. Kam një sekret të madh brenda vetes, të cilin vendosa ta ndaj me shumë njerëz, duke ruajtur anonimatin. Kam mëkatuar, por në emër të dashurisë.

Po shkoj drejt të dyzetave dhe jam rritur në frymën e historive të dashurisë të romaneve që lexoja kur isha e re. I përpija ato histori me shpejtësi skëterre dhe më pas ëndërroja se si do të ishte jeta ime, si do të ishte njeriu që do të kisha në krah, si do të ishte marrëdhënia jonë. Kisha krijuar shumë ide, shumica e të cilave qenë të gabuara, gjë që e kuptova kur hapa sytë dhe pashë që jeta e vërtetë ishte ndryshe.

U martova me një njeri të mrekullueshëm, por me të cilin çdo gjë shkonte qetësisht. Mbështeteshim dhe e respektonim njëri-tjetrin, por asnjëherë nuk i përjetova ato skenat e fuqishme të dashurisë si nëpër faqet e librave. Unë ëndërroja që dikush të më merrte me forcë, të më rrëmbente, të bënte dashuri me mua për netë të tëra.

Nisa të jetoja monotoninë e ditës, duke e pranuar si një pjesë normale të jetës së gjithsecilit. Gjithçka që tashmë doja ishte një fëmijë. Isha e dëshiruar për të pasur dashuri dhe, duke qenë se nuk e merrja dot nga bashkëshorti im, doja të paktën të provoja dashurinë e nënës.

Por me burrin, pavarësisht se kishim marrëdhënie, unë nuk po mbetesha dot shtatëzënë. Unë ia vija fajin natyrës së marrëdhënies sonë. Ne bënim dashuri si me buton, sikur na detyronte njeri dhe jo sikur e donim me të vërtetë këtë gjë.

Pavarësisht nga gjendja që po kaloja, asnjëherë nuk e kam menduar që do ta tradhtoja tim shoq. Pavarësisht se mbetesha një femër shumë pasionante, e dija që tashmë jeta ime kishte marrë një drejtim të caktuar dhe nuk mund të bëja gabime të tilla, por Zoti gjeti pikërisht atë kohë për të më bërë dhuratë dashurinë e jetës sime. Arbeni ishte shoku i burrit tim. E di çfarë po mendoni, që është diçka e pështirë ajo që do t’ju tregoj, por në fakt e di që ju kurrë nuk do ta kuptoni dot atë që ndieja unë në ato momente. Unë doja të ndihesha femër, e dashuruar, ndaj dhe vendosa t’i pranoja përkujdesjet e Arbenit, të cilat në fillim ishin miqësore dhe më pas nisën të kishin natyrë sentimentale.



Me rastin e një feste të organizuar, në një skutë të fshehur midis një morie njerëzish u konsumua marrëdhënia jonë e parë. Ishte e fuqishme, e plotë, shpërthyese. Asnjëherë nuk isha ndjerë ashtu. U ndjeva femër, u ndjeva e re, u ndjeva sërish plot jetë dhe besim.

Kur ishim në festa apo raste të tjera shiheshim e prekeshim vjedhurazi sa herë mundeshim. Ishte një situatë absurde, por shumë joshëse. Të gjithë festonin, bisedonin, bërtisnin dhe në mes të asaj rrokopuje dy njerëz po i shprehnin ndjenjat njëri-tjetrit vetëm me sy. E ndjeja që mezi merrnim frymë.

Sigurisht që pasuan shumë takime të tjera. Sigurisht që e dija se ishte një gjendje që nuk do të mund të shkonte asgjëkundi, por nga ana tjetër ndihesha mirë, e dëshiruar, nuk doja që kjo lidhje të mbaronte.

Ndërkohë, marrëdhëniet e mia me tim shoq vazhdonin, por ishin më te rralla. Më dukej si një njeri i panjohur në krevat, ndërkohë që në jetën tonë të përditshme ai vazhdonte të ishte bashkëshorti im i dashur. Ishte shumë e çuditshme ajo që ndieja.

Por e gjithë situata u përmbys kur mora vesh se kisha mbetur shtatzënë. U lumturova, isha në qiellin e shtatë sa për një moment harrova të mendoja se kush mund të ishte babai i foshnjës.

Aty e kuptova që kishte ardhur momenti për ta zgjidhur të gjithë situatën në të cilën ndodhesha. Arbenin e doja, por edhe tim shoq nuk mund ta lija. Vendosa të flisja me Benin. Kur i thashë që isha shtatzënë, ai u gëzua gjithashtu.
“Unë e dua shumë këtë fëmijë!”, i thashë, “më shumë se çdo gjë tjetër! Nuk dua të bëj asgjë që mund ta dëmtojë atë, dua që të ketë një të ardhme të sigurtë!”.

“Dhe ne do t’ia sigurojmë!”, më tha ai.

“Jo ne, unë! Unë dhe ai që duhet të jetë babai i tij!”, iu përgjigja.

Arbeni nuk më foli. Më tha që nuk do të lejonte asnjëherë që fëmija i tij të rritej pa babain e vërtetë. U zumë gjatë. Unë nuk doja që ai të ndërhynte. I thashë që unë vazhdoja të kisha marrëdhënie me burrin tim. Kjo gjë e nxehu jashtë mase.

Në atë kohë nuk e dija se ku isha. Çdo zile telefoni, çdo e rënë dere më dukej si shkatërrimi im, sikur ishte Arbeni që kishte ardhur për të treguar gjithçka, por Arbeni nuk u duk më. Asnjëherë. Pas një muaji frike im shoq më tha se ai ishte larguar jashtë vendit përgjithnjë dhe që më bënte të fala pasi nuk kishte pasur mundësi të gjente kohën për të më takuar.

U lehtësova. Pikërisht në atë moment i thashë bashkëshortit tim se isha shtatzënë. Tani djali im është shtatë vjeç. Arbeni nuk është bërë më i gjallë. Unë vendosa që të mos ia bëja analizat e AND-së djalit tim. Nuk e di i kujt është ai fëmijë natyralisht, por realisht, ai është fëmija im dhe i bashkëshortit tim, është fëmija që na ka zbukuruar jetën. Ne jemi prindërit që e duam dhe e rrisim. Kjo ka më shumë rëndësi nga të gjitha.

Ne, njerëzit që ikëm (për fëmijën refugjat të mbytur në det)



Nga Veton Surroi

Është i veshur me rrobat e veta më të mira sepse ne, njerëzit që ikim, i veshim fëmijët tonë me rrobat më të mira. Duam që ata që na presin, kur ne ikim, të na shohin më së miri. Nuk duam që të na shohin si ikanakë. Duam që të na shohin ashtu si jemi, ndoshta edhe më të mirë se jemi. Nuk duam të koritemi. Nuk duam të koritemi edhe kur e dimë se nuk do të hamë, nuk do të pimë, nuk do të dimë ku do të flemë. Duam të dinë se kur kemi ikur, kemi pasur një copë vete dhe se nuk e lamë pas. Kemi lënë shumëçka tjetër. Ndonjëherë shpresën, ndonjëherë gëzimin, ndonjëherë forcën që të na shpjerë te e mira.

femija

Kur e veshim me rrobat më të mira duam të dinë se ne kujdesemi për tonët, edhe kështu, edhe kur ikim. Duam të dinë se kur kemi lënë ndonjëherë shpresën, ndonjëherë gëzimin, ndonjëherë forcën që do të na shpjerë te e mira nuk e kemi lënë prapa veten. Atë që e kemi rigjetur në mëngjes, kur e kemi veshur të birin me rrobat më të mira.
Sepse ato, rrobat më të mira, do ta mbrojnë prej qiellit që errësohet, valës së detit , shpirtrave të këqij . Do ta mbrojnë prej fatit.
Do t’ia ndjellin të mirën. Atë që na humbi ne, njerëzve që ikim.
Ato, rrobat më të mira, do ta çojnë në bregun tjetër, atë breg që është krejt tjetër prej këtij në të cilin jetojmë; në bregun tjetër ku nuk të zgjojnë pushkët, as barku i zbrazët e as ëndrra frikësuese e prindërve se e nesërmja nuk do të gdhijë.
Ne, njerëzit që ikëm, njerëzit që ikim, ne shqiptarët dhe të gjithë të tjerët si ne, humbëm një tonin sot. E kishim veshur me rrobat e veta më të bukura. Dinim se do të sfidonte qiellin e errësuar ,edhe valët, edhe shpirtrat e këqij.
Kaq dinim.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...