Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/05/09

Nënat tona kush i ka vallë?!



- Shkruar më 8 maj 2016,  ditën e Festës së Nënës

nga Andon Dede, Nju York

Nuk di se ç’ka ndodhur me të tjerët, por thellë tek unë, që kur e dëgjova këtë këngë për herë të parë, m’u ngul si gozhdë e nuk më është shqitur për asnjë çast, edhe kur nënën e kisha gjallë edhe tërë këto vite që ajo nuk është më. Mbase jam subjektiv, por tek ajo këngë më ngjan se është sintetizuar bukur e saktë portreti i nënave tona hallemëdha. E kam fjalën për nënat shqiptare ndonëse e di se nëna është nënë jo vetëm për gjithë njerëzit, në kuptimin mbiemëror të saj, por dhe për gjithë botën e gjallë, si burim i jetës. Pa të ne jo vetëm që s’do të kishim ardhur në këtë botë por as nuk do të ishim ata që jemi, me të mirat e të këqijat tona. Vlerat e antivlerat që mbart secili prej nesh e kanë burimin tek ato. “Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun por nëna”, thotë gjeniu ynë i Rilindjes, Sami Frashëri. Nëna japoneze, megjithëse nga profesioni mjeke, mësuese, inxhiniere apo kontabiliste, si rregull, e lë punën dhe qëndron në shtëpi kur bëhet me fëmijë. Shpesh bëhet pyetja nga të huajt: “A mos është humbje, për shtetin, që të shpenzohen kaq shumë para për arsimimin e lartë të saj, (nga shteti), dhe të mos iu shihet hairi drejtpërdrejt? Përgjigja është kategorike: nuk është pa kuptim që nëna, e cila edukon fëmijën dhe e ndihmon atë në përvetësimin e mësimeve të shkollës, të jetë në shtëpi. Nëna kryen mision të lartë nga i cili varet e ardhmja e Japonisë. Në rastin  konkret ajo kryen detyrën më atdhetare”.
Lexova një libër-album të autores Mariana Kuk, (Marianna Cook), kushtuar nënave dhe fëmijve. Ajo e kish drejtuar objektivin e aparatit fotografik tek personalitete të njohura të të gjitha fushave. Për ilustrim apo si diçitura kishte pohime të të dy palëve, ku si emërues të përbashkët kishin pak a shumë krenarinë e të parave për arritjet e bijve apo bijave të tyre dhe mirënjohjen e këtyre të fundit për gjithë sa kishin bërë ato për ta.  Kjo nuk besoj se habit njeri. Por, duke u njohur me nënat e përfshira në atë botim tepër interesant e me vlerë. nuk mund të mos vë në dukje se ato qenë të gjitha me shkollë, madje shumë syresh personalitete të shquara në fushat përkatëse që iu ishin kushtuar. Edhe në ato momente, kur po shfletoja faqet e atij libri, mendja më shkonte tek nënat tona, apo më saktë tek nëna ime që, jo për faj të saj, nuk u shkollua siç do të dëshëronte. Si nëna ime ishin e janë dhe shumë të tjera, të paktën flas për brezin tim. Por, edhe pse vetë pa shkollë, ato bënë të pamundurën që ne të shkolloheshim dhe kjo i ngre ato edhe më lart në sytë tanë, kur kemi parasysh sakrificat e tyre deri në flijim që ne të përparonim në punë e në jetë se, siç thuhet në këngën që cituam më lart, “na donte bota edhe të bukur edhe luftëtarë”. Dikush e ka krahasuar nënën me një qiri që djeg veten për të ndriçuar jetën fëmijve. Si e tillë mirënjohja për të është e pamatëshme. Ajo ka qënë e mbetet burim frymëzimi për tërë krijuesit e gjithë kohërave dhe jo vetëm për ata. Gëte në bisedat me Ekermanin ka thënë se në Greqinë e vjetër nënat nderoheshin njëlloj si hyjneshat. Revista e njohur amerikane ”Esquire”, kohë më parë, bënte një sondazh, me dhjetra burra, se si kishin arritur të bëheshin ata që janë sot, njerëz të shquar të politikës, shkencës, artit, sportit etj.. Pjesa më e madhe e tyre ua atribonin prindërve, herë babës e herë nënës. Por, mbas shumë të pyeturve, aktori dhe regjizori i njohur Robert Redford tha: “Nëna ime! Ajo nuk e humbi kurrë besimin tek unë edhe kur nuk më ecte ndonjë gjë. Besimi i saj tek unë qe shtysa më e fuqishme për të ecur”. Amerikanët kanë një shprehje se “prapa çdo burri të madh qëndron një grua e madhe”.
          Andre Ordioni ka qënë një kolonel në ushtrinë franceze që fati ia desh të jetojë në Shqipëri për gjatë viteve 1917-1925, madje një nga figurat kryesore të “Republikës së Korçës”. Më hollësisht mund të njihesh përmes librit me kujtime të tij, botuar edhe në shqip: “Një oficer francez në Ballkan”. Tek lexon librin, habitesh se si ai, ndonëse njeri i luftës, përshkruan me aq dhembshuri fatin e viktimave të saj. Ne po ndalemi vetëm në një paragraf që ka lidhje me temën. “Nënë, është një emër i ëmbël që e kam dëgjuar aq shpesh në luftë nga të plagosurit rëndë kur afronin çastet e tyre të fundit – shkruan ai. – Këndej, në këto vende të largëta, kjo fjalë më është dukur se ka një domethënie më të madhe, më humane. Nënë!… Për shumë nga ushtarët e mi, kjo fjalë është thënë si një frymëmarrje me pëshpërimën e fundit të shpirtit. Ç’trishtim i pamasë!”.
Më bëri përshtypje kur lexova “Lufta ime”,(“Main Kampf”-in”) e Hitlerit kur ai shprehte dashurinë e jashtzakonshme që ndjente për të ëmën, Klarën, veçanërisht kur ajo po lëngonte në shtratin e vdekjes. Mjeku që i kishte shërbyer pohon se kurrë më parë nuk kishte vënë re një dhimbje si ajo e Adolfit. “Babanë e kam respektuar, shkruan diktatori, kurse nënën e kam dashur”. Dhe mos harrojmë se është fjala për atë që veshi në zi miliona nëna në tërë botën. Unë me qëllim e solla si shëmbull atë për të thënë se dhe një anti-njerëzor si ai, kur është fjala për nënën e vet, dorëzohet. Mbase nuk qe shembulli i duhur për temën më humane që po trajtojmë dhe për këtë nuk druhem t’i kërkoj të falur lexuesit. Po ndalem tek një shembull tjetër dhe konkretisht tek një film dokumentar i mrekullueshëm për Lojrat Olimpike që u zhvilluan në Romë aty nga fillimi viteve ’60 të shekullit të kaluar. Teksti që shoqëronte figurën qe i jashtzakonshëm, por unë po e ilustroj vetëm me një detaj. Kur tregoi për fituesin e peshës së rëndë në boks, emri i të cilit nuk më kujtohet, spikeri tha: “Ky është pa dyshim njeriu më i fortë në botë dhe tani ka frikë vetëm nga nëna e vet”. A ka vlerësim më madhështor për të treguar jo vetëm përkushtimin por dhe pushtetin më se të merituar të nënave ndaj nesh?! Dhe jo vetëm ndaj nesh. Poeti i njohur amerikan Uilliam Ross Uallace ka një poemë të mrekullueshme për nënat, ku ndër të tjera thotë: “Dora që tund djepin është dora që sundon botën”. Si zor ta kundërshtojë njeri këtë pohim të tij. Nënat gjithmonë kanë qënë e mbeten heroina, modele të papërsëritëshme për fëmijët e vet, madje edhe më të bukurat në botë, kudo e sado që të ndryshojnë kohërat. Më pëlqen të riprodhoj këtu disa vargje të poetit N.Abilekaj: “Miss Bota është nëna ime/ata që thonë “jo” më mirë e dinë/ edhe pse, thotë më tej poeti,”Fustanet e modës nuk i ka njohur,/ e në kokë shtrëngon shaminë./Paçka se fytyrën e ka të rreshkur nga erërat/ e nuk zbuloi këmbët e gjinë/ këtë e dinë dhe fitueset e kurorës, konkludon ai. Ma merr mëndja se ai me këto vargje është bërë dhe zëdhënësi i secilit prej nesh për të vërtetën e thjeshtë se kur e duam një njeri na duket edhe i bukur se i bukur është shpirti; bukuria e trupit është aq e përkohëshme sa harrohet shumë shpejt, kurse shpirti kurrë. Ndaj dhe nënat tona ne nuk i harrojmë për asnjë sekondë, jo thjesht se na kanë sjellë në jetë, por edhe se me përkushtimin e tyre na rritën, na dhanë gjithçka më të mirë që mund të na jepnin për të ecur në jetë, për të marrë fluturimin drejt lartësive.
Ndaj dhe më pëlqen të kthehem përsëri e përsëri tek nënat tona, madje tek nëna ime, i sigurt se duke folur e treguar për të po rrëfej edhe për shumë e shumë nëna të tjera shqiptare.
Babai na vdiq herët, duke e lënë mamanë rreth të dyzetave me gjashtë fëmijë. Edhe kur qe ai gjallë, sidomos vitet e fundit që ishte i sëmurë, mbi të binte tërë barra e shtëpisë. Por, sidoqoftë, tani ajo duhet të bëhej edhe burrë edhe grua. Fshati donte punë jo llafe. Kush nuk ka banuar vetë aty e ka vështirë ta kuptojë. Nuk kanë të numuruar punët e domosdoshme që duhen bërë çdo ditë, edhe sikur të jesh një njeri i vetëm e jo më të kesh për të rritur gjashtë fëmijë. Dhe në ato kushte skllavëruese kur mungonin edhe mjetet më elementare për të lehtësuar sadopak furnizimin me ujë, me dru, me ushqime apo gatimin, larjen e rrobave, kujdesin e ushqyerjen e bagëtive e kështu me radhë. Vetëm t’i numurosh punët e përditëshme të saj do të duheshin faqe të tëra. E, megjithatë, jeta e saj mund të përmblidhet edhe me një fjalë të vetme: punë dhe vetëm punë, që pa zbardhur akoma drita e mëngjezit e deri sa errësira e natës mbulonte çdo gjë e s’të linte të punojë jashtë se, brenda mureve të shtëpisë, me kandil, punët vazhdonin: kapica e rrobave për t’u larë, gatimi, kujdesi për fëmijët e të tjera. E, ndonëse shpesh e stërlodhur deri në raskapitje, si nuk e dëgjuam një herë të ankohej e të thoshte se u lodh kur shkonte për të fjetur afër mesnate apo dhe pas saj. Nuk kishte zgjidhje tjetër: I duhej të përballonte “me forcat e veta” gjithçka. Detyrohej të bënte dhe dy-tre punë njëheresh, se koha qe njëlloj si për ato që kishin burra e fëmijë të rritur dhe për të që ishte thuajse e vetme, me që ne ishim akoma të vegjël. Nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë, tek kthehej e ngarkuar, pa shtiza në duar, për të na bërë neve triko, çorape apo dhe pantallona leshi për dimër. E ku shkruhen dot gjithë sa ka bërë ajo për ne? Në çdo rrudhë e thinjë të saj ishin edhe gjurmët tona.
Siç thashë më lart, si nëna ime qenë ndofta shumica e nënave të brezit të saj: dikujt i kishte ikur burri në kurbet dhe e kishte lënë me fëmijë të vegjël; dikujt tjetër i qe vrarë në Luftë apo i kishte vdekur para kohe si vetë asaj; Nderim e respekt për tërë ato!
Për hir të së vërtetës, duhet të pohojmë se tabloja jonë për nënat e vuajtura, nuk do të qe e plotë dhe e saktë po të linim jashtë edhe atë kategori që ndonëse i kishin burrat shëndoshë e mirë, vuanin njëlloj si të tjerat, me që ata, si “burra zakoni” kapardiseshin klubeve duke pirrë, duke luajtur apo duke bërë llogje për shtatë palë qejfe dhe as që donin t’ia dinin se bashkëshorteve të tyre u dilte shkuma nga lodhja. A thua se kjo racë e neveritëshme që të revolton me anadollakllëkun e saj nuk ndeshet akoma aty-këtu në mjediset tona apo dhe gjetkë? Gjatë diktaturës po e po.  Kam shëtitur tërë Shqipërinë, si gazetar. Gratë përgjithësisht, sidomos në fshat, rrobtoheshin shumë më tepër se burrat. Ata kishin zënë qoshet e rehatëshme si roje armësh, llogaritarë e magazinierë ndërsa gratë e tyre rrudhoseshin e fishkeshin nga puna prej skllavi në ara. Rrallë të shihje burra duke vaditur e prashitur kur kalonim rrugëve të koopeativave. Kjo, për të keqen tonë, i kishte rrënjët thellë në histori. Ja se ç’më shkruan miku im nga Franca, përkthyesi e studjuesi Fotaq Andrea: “Në familjet tradicionale shqiptare, mentaliteti anadollak ishte i plotfuqishem, siç e ka dhënë Konica e të tjerë. Burrat  me mustake ishin tepër të prapambetur dhe i vetmi element emancipues në familje e shoqëri ishte gruaja shqiptare. Nga studimet që kam bërë, mund te them pa droje se në shumicën e familjeve të mëdha fisnike në Shqipëri, gruaja i kishte sytë nga Perëndimi europian, si shoqëri e perparuar, Kurse burrat i kishin sytë nga Stambolli ku prisnin ofiqet, gradat, ulufenë (paranë!), sic thotë Konica. Ishte pikërisht e ëma e Faikut, nga familja fisnike Delvina, vazhdon më tej Fotaqi, që i mbushi mendjen të shoqit që djemtë e tyre, Faiku e Mehmeti, të shkonin për studime nga Kostandinopoja në Francë, Austri e gjetkë. Kam episode të shkëlqyera se si gruaja shqiptare ishte shumë më e përparuar dhe më perendimore nga burrat anadollake”.
          Përsëri tablosë sonë do t’i mungonte një dimension tjetër, ndofta edhe më i dhimbshmi që kemi përjetuar. Të shkruash për nënat shqiptare e të mos ndalesh tek ato, që pa as më të voglin faj, u persekutuan gjatë diktaturës, do të qe jo vetëm mangësi e madhe por dhe një mëkat i pafalshëm. Kam takuar shumë syresh, gjatë diktaturës e pas saj. Tek shihje hiret e tyre që po merrnin fund nga vuajtjet fizike e shpirtërore, s’mund të mos të të coptohej zemra, nëse ishe njeri normal. Shumë nga ato u lindën, u rritën, jetuan e u plakën kampeve të internimit, duke përballuar çdo ditë mizoritë çnjerëzore në të gjitha format e saj të mundshme. Emrat e tyre janë të panumërt, ashtu siç është e pamatshme madhështia e shpirtit të tyre, ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e virtytshme janë pasuria më e çmuar e një kombi. O Zot, të vuash tmerret e Ferrit pa pasur asnjë faj!
Ja pra se kush janë nënat shqiptare që mbajtën mbi supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, shpesh pa burra, janë krenaria e vërtetë e racës shqiptare, heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike.
Po nënat e sotme shqiptare? A thua nuk kanë më lodhje, halle e shqetësime, me që rrobat nuk i lajnë më me dorë e me finjë por me lavatriçe e solucione; që nuk gatuajnë më me dru e çerep por me furra elektrike e mikrovalë e kështu me radhë…?! Vetëm ndonjë që është jashtë realitetit shqiptar mund ta mendojë këtë. Tjetër kohë, të tjera meraqe e probleme, mbase edhe më të mëdha se ato të hallemadheve tona. Disa syresh ndjehen të vetmuara për shkak të emigrimit të fëmijve që kanë shkuar larg, tepër larg, për një jetë dhe të ardhme më të mirë se zemra e nënës asnjëherë nuk e bën dysh dëshirën e fëmijve të vet kur është fjala per t'ardhmen e tyre...Por dhe ata, si zogjtë shtegëtarë që nuk e harrojnë folenë e tyre, mbase do të kthehen një ditë…Mbase, por pikërisht tek kjo fjalë e ka zanafillën ai trishtim i thellë i tyre, që buron së brendëshmi, e që siç është shprehur një gazetare, “nuk ka pudër e rimel që e fsheh”, dhe ka të drejtë… Ajo e ka të vështirë në mos të pamundur që t’iu servirë pjellave të veta një model për të ndjekur. Është trishtimi i një qënieje të përgjegjëshme që i dhëmb dhe e tremb e ardhmja e krijesave të veta në këtë xhungël që kemi krijuar para e pas ’90-ës të shekullit të kaluar. Është më se e trishtueshme, madje tragjike, që shumica absolute e nënave shqiptare sot do të donin që pjellat e dashura të tyre të mos jetonin në këtë vend por larg, diku gjetkë, matanë deteve apo dhe oqeaneve, me që janë bindur tashmë se hë për hë, ky vend nuk bëhet. Me këtë klasë politike, s’ka as drejtësi, as shëndetësi, as arsim, as të sotme e as të ardhme. Ndaj o burra, nga sytë këmbët! Kam qënë vetë dëshmitar i disa rasteve kur nëna i thoshte të birit, pasi ai i kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer: “Rri aty, tu bëftë mamaja, mos hajde se këtu s’ke ç’bën, do të ngelesh pa punë si tërë moshatarët e tu!” Dhe sa mbyllte telefonin, shpërthente në lot. A mund të përfytyrohet një nënë më e dhimbëshme se kjo?! Në këtë vend që s’ka as punë e as rend, të qënit nënë është një sfidë e madhe, gati e papërballueshme. E si mund të jesh nënë e mirë kur ke frikë të kultivosh tek pasardhësit e tu ndershmërinë, dëshirën për të mësuar, për të qënë i ndershëm, modest, i sinqertë e dinjitoz, se po t’i mësojë këto vlera universale, njerëzore apo dhe fetare,  ajo po rrit një hyzmeqar, një skllav, një shërbëtor të lukunisë së ujqëve që kanë pushtetin e paranë. Dhe kjo është tragjedia më e madhe jo vetëm për nënat që Zoti iu ka dhënë shënjtërinë por dhe për shoqërinë e kombin. Nuk ka mallkim më të madh se ky! Është kaq e vështirë në mos e pamundur të jesh nënë e mirë, siç e mishëron në vetvete kjo fjalë, në çdo gjuhë të botës, pse jo edhe të kafshëve. Por jo tek ne ku babëzia për para e pushtet s’ka të krahasuar me asnjë vend tjetër. Atdheu ku lindëm, për fat të keq, na është bërë si njerkë e nuk na mban dot. Na mbetet vetëm shpresa për ngushëllim. Më vjen aq keq që këtë shkrim po e mbyll kështu…


DOSJA NR. 2199.../KUSH E VRAU DON DEDË MALAJ ?!

Nga Fritz RADOVANI:

Image result for DON DEDË MALAJ 

DON DEDË MALAJ

(1917 – 1959)

DOSJA NR. 2199...

24 PRILL 1959 Ditë hane. Rigonte pak shi... Altoparlantët ishin hapë në të gjitha rrugët e Shkodres, per me tranmetue gjyqin e “armikut të Popullit” Don Dedë Malaj.

Ishim tue pritë një grup i vogel tek streha e teneqexhijve, perballë Xhamisë së Parrucës, kur u ndigjue zani i prokurorit Rrapi Mina, që hapi seancen mbas hymjes në kinema “Republika” të kriminelit Hilmi Seiti, i shoqnuem nga ambasadori jugosllav...

■Prokurori pyeti të parin Don Deden: “Që kur jeni armik i komunizmit i pandehur?”
Don Deda me zanin e Tij burrnor, po edhe pa Ju tutë syni u pergjegjë: “Unë jam anmik i komunizmit që në moshen 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sepse, unë jam brumosë me ato ide!”...

 Në një heshtje të plotë që kishte ra n’ atë rrugë të Parrucës së vjeter, krejt pranë meje, u ndigjue zani i një Burri në moshë po, që pa pikë frike tha: “Hallallë ta baftë Zoti qumështin e Nanës, se Ajo, paska rritë djalë per Shqipni!..”, dhe iku në drejtim të rrugës Zdralej. Kurrma nuk e kam pa atë Burrë Trim e as, nuk e njoha.


■Don Dedë Malaj asht le në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj, me daten 16 Nandor 1917, prej ku mbas pak vitesh kanë zbritë në Velipojë, e nen kujdesin e Don Alfonsit, u brumos me kulturen Europjane, dhe në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali.

U këthye në Shqipni dhe ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit dhe së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku edhe u arrestue në vitin 1958, ato ditë kur u pushkatue Miku i Tij Don Ejëll Kovaçi, edhe Ai pse nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës së vitit 1951”.


Image result for DON DEDË MALAJ

■Don Dedë Malaj ishte kundershtar i vendosun i firmosjes së “Statutit të Kishës”, aqsa në letren që i pat shkrue Vatikanit, ishte vetem një pyetje: “Ipeshkvijtë e shuguruem mbas vitit 1951, a janë të aprovuem nga Vatikani?”... Tjerat “shtesa” janë jo të verteta! Letra ka shkue deri tek Don Ivo Bozhiq, po jo ma larg... 

Këte e ka vertetue At Konrrad Gjolaj, kur  ishte në Vatikan mbas vitit 1992, dhe asht interesue per letren e Don Dedës.

■Interesimi i Sigurimit të shtetit komunist per zhdukjen e Don Dedë Malaj, ishte shumë i madh aqsa edhe perkushtimi i një grupi aq të madh, që interesohej per vrasjen e Tij.

I pari mërrijti në Dajç, oficeri i njohun Çesk Shoshi, i cili bashkpunoi me kriminelët ma të poshter të Degës së Mbrendshme të Shkodres, drejtue nga terroristi Hilmi Seiti.

E po ti rreshtojmë agjentët e sigurimit tue fillue nga Xheudet Miloti, Mustafa Qilimi, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Dul Rrjolli e sa vrasës të tjerë, do të fillohej me u dyshue edhe Figura e Paster dhe Burrnore e Don Dedë Malaj, që asht pushkatue i Pafajshem!

Image result for DON DEDË MALAJ

■Don Deda njihej si mik dhe “bashkpuntor” i Don Kolec Prennushit, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, të gjithë kundershtarë të firmosjes së “Statutit të Kishës Katolike të 1951”, pra meqë asnjeni nuk pranonte këputjen e lidhjeve me Vatikanin dhe Papen:

■Me daten 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, dhe perfundimisht Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim.

***



■Don Dedë Malaj ishte fëmijë kur mbeti jetim pa Babë. Në ditët e para të Dhjetorit të 1944, brigadat partizane i patne pushkatue vllaun Nikollin, ndersa Frani, kur ishte i arrestuem Don Deda në vitin 1948, vdiq papritmas, dhe la një vajzë të vogel Dranden, që e mori nën kujdes Gjyshja e vet, pra Nana e Don Dedës, Lula. Kur Drandja ishte 7 vjeç,
Nana Lulë vdiq dhe Dranden e mori në qelë Don Deda, që në moshen 13 vjeç Drandja mbeti pa asnjë njeri të aferm... Edhe Don Deda, pritej me u pushkatue...

■Drandja e vogel 13 vjeçare do të interesohej me i “shpetue” jeten axhës së vet.
Në këte fatkeqësi kaq të madhe Drandes Ju gjetën dy Klerikë të njohun të Don Dedës, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që u pushkatue në vitin 1969, dhjetë vjet mbas Mësuesit të vet, dhe Don Pjeter Gruda, mik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në kampin e shfarosjes së Sarandës, i paralizuem në vitin 1989... Tre muej para lirimit.

Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje, as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera e zezë”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. 

■Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”

■Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres: “Lutja yte refuzohet.”
Besoj e kujton mirë vrasësja e fëmijëve Nexhmije Hoxha, kur ka nenshkrue Vendimin: “Të pushkatohet Don Dedë Malaj...vjeç 42...Klerik Katolik Shqiptar”!

11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit u ruejt nga një Vlla Musliman, që e kishte në kopshtin e vet...

■Don Dedë MALAJ mbeti i perjetshëm me perkufizimin filozofik të komunizmit: 

“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!” (Në gjyqin e Tij, në kinema “Republika” Shkoder, Prill 1959).

Melbourne, Maji 2016.








Buqetë lulesh për "Mother's Day"

2016/05/05

Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK )ndau medalje për personalitetet që kanë dhënë kontribut të dalluar



IPK ndau medalje për personalitetet që kanë dhënë kontribut të dalluar
Në një ceremoni të organizuar sot në objektin e Inspektoratit Policor të Kosovës u ndanë 9 medalje dhe 10 mirënjohje personaliteteve të cilët kanë dhënë kontribut të dalluar në IPK.
Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani tha se gjatë pesë viteve udhëheqje nga ana e tij, ka pasur shumë sfida dhe se rrugëtimi deri të suksesi i ditëve të sotme nuk ka qenë i lehtë:
“Pesë vite rrugëtim i përbashkët për ne, apo rruga e suksesit, nuk ishte as e lehte e as e thjesht, por nuk ishte as e pa arritshme. “Gjëja më e rëndësishme për njeriun është vullneti i fortë, do të thoshte Gëte”. Këtë thënie e kanë vërtetuar vetë punonjësit e IPK-së, dhe menaxhmenti i tyre, të cilët kishin dhe kanë një vullnet të pa shoq, për shtetin dhe punën e tyre. Prandaj, me kompetencë ju them sot punonjësve të IPK-së, ndihuni krenar, keni shumë të drejtë të jeni të lumtur, sepse ju jeni njerëz të suksesit, profesionist, dhe së bashku me menaxhmentin e ardhshëm, mbani ne duart e juaja vetëm timonin e kolegjialitetit, të drejtësisë, objektivitetit, transparencës etj” theksoi Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z.Fitim Shishani.
Ai gjatë kësaj ceremonie tha se në bashkëpunim me qytetarët e Kosovës, institucionet e vendit dhe partnerët ndërkombëtar IPK-ja ka qenë dhe mbetet një institucion i përgatitur, profesional dhe objektiv në kryerjen e detyrave.
Me rastin e ndarjes së medaljeve për bashkëpunëtorët ndërkombëtar nga ICITAP-i amerikan dhe EULEX-i, Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së se suksesi i Inspektoratit Policor është sukses i përbashkët:
“Ne sot e dimë saktë se rezultatet dhe profesionalizmi ynë është rezultat edhe i mbështetjes së pa kursyer të institucioneve ndërkombëtare që i potencuam më lartë. Pra është sukses i përbashkët”- theksoi z. Shishani.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të institucioneve të ndryshme si nga Prokuroria e Shtetit, MPB-ja, ICITAP-i, EULEX-i, Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Asociacionit të Gazetarëve.

Qytetarët e keqkuptojnë liberalizimin e vizave, mendojnë se mund të punojnë në Evropë

​Qytetarët e keqkuptojnë liberalizimin e vizave, mendojnë se mund të punojnë në Evropë (Video)
Lajmin për liberalizimin e vizave qytetarët e Prishtinës e pritën me shumë kënaqësi. Por shumë nga ta e kanë keqkuptuar liberalizimin e vizave, ndërsa disa tjerë e dijnë që jo gjithkush mund të udhëtojë pasi që të hiqet regjimi i vizave.
Qytetarët e painformuar me liberalizim të vizave kanë thënë se kjo është një mundësi e mirë për ata që duan të shohin vendet perëndimore dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë.
Disa nga të anketuarit nga KosovaPress fajësojnë Evropën, e disa Qeverinë e Kosovës për neglizhim të kësaj pune, sepse sic kanë thënë ata “kjo punë është dashur të përfundojë kohë më parë.
Shefi Gashi që jeton në Londër është shprehur i kënaqur që i është dhënë mundësisë rinisë që të gjej punë ku të dojë.
Gashi: Mundësi e mirë që rinia të gjejë punë
“Jam i kënaqur shumë , unë jetoj në Londër. Për interesin tim nuk është shumë , por për të tjerët ndoshta ndonjëri do të gjente ndonjë punë. Shpresojmë të gjej ndonjë punë. Nuk është lajm i keq është lajm i mirë”, tha Gashi.
Qytetari Lutfi Istrefi thotë se e ka pritur këtë lajm me shumë gëzim pasi që të rinjtë kanë mundësi të dalin dhe të sfidojnë veten .
Istrefi: të rinjtë kanë mundësi të dalin ku kanë dëshirë
“Shumë me gëzime e kam prit, ndonëse unë vizën e kam pasur, por nuk është për një individ por për të gjithë. Sidomos për të rinjtë, kanë mundësi të dalin ku kanë dëshirë dhe kanë mundësi financiare”, tha Istrefi.
Ndërsa Adem Tujraka liberalizimi i vizave për Kosovën është një mundësi e mirë që qytetarët e të dalin dhe të shohin jetën perëndimore.
Turjaka: Mundësi e mirë që rinia ta sheh jetën perëndimore
“Mirë është,duhet me dal populli me pa jashtë si është perëndimi”, tha Tujraka.
Sabri Berisha mend on që liberalizimi i vizave është dashur të bëhet më herët dhe për këtë ai e fajëson Qeverinë.
Berisha: Liberalizimi i vizave me vonesë, fajtor Qeveria
“Kaherë është dashur të bëhet liberalizimi i vizave, fajtor kryesor është Qeveria, e cila nuk ka punuar sa duhet. I vetmi shtet në këtë planet ne kemi qenë pa liberalizimin vizave, prandaj janë dy lajme të gëzueshme edhe që është pranuar futbolli në UEFA edhe liberalizimi i vizave”, tha Berisha.
Për Xhevdet Gashin kjo është mundësi e mirë që të rinjtë të marrin kulturën evropiane dhe të kenë mundësi punësimi
Gashi: Të rinjtë të marrin kulturën dhe të kenë mundësi punësimi
“Ma mirë s’ka si të jetë. Është mundësi e mirë, sepse dalin të punojnë njerëzit, shkojnë rinia , marrin kulturë , marrin punë kthehen kà «tu, shumë mirë”,tha Gashi.
Ndërsa për boksierin Aziz Salihu kjo është një mundësi mjaft e mirë që rinisë së Kosovës iu kanë hapur dyert të tregojnë sukseset e tyre . Ai shtoi se Kosova tani më ka të gjitha të drejtat dhe se Serbia ka vdekur për kosovarët.
Salihu:Kosova me të gjitha të drejtat. Serbia ka vdekur për Kosovën.
“Kjo është një kënaqësi e madhe. Po më vjen mirë për rini, sepse rinia janë shumë të interesuar dhe kanë mundësi me dalë. Ata pa punë ndoshta kanë familjarë jashtë e munden diqysh me hy në punë e me punë se me të vërtetë është kënaqësia më e madhe kjo dhe që është pranuar futbolli. Nuk kemi çka të bisedojmë më me Serbinë e as askënd e kemi shtetin tonë, i cili sot i ka krejt kushtet vetëm duhet që Qeveria të punojë shumë për këtë popull .Unë mendoj që tash është liria më e madhe që ekziston në botë, krejt i kemi krye veç tash të ecim përpara. Serbia për neve ka vdekë, ne në Kosovë kemi të drejtat tona”,tha Salihu.
Edhe Menduh Dema mendon se kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që të shkojnë në botën e jashtme dhe të punojnë.
Dema: Mundësi e mirë për të rinjtë
“Shumë mirë, është shumë mirë për Kosovën, të shohin rinia se çka është në botën e jashtme edhe me punë atje e me pa veten se si punohet e çka punohet se shumicë nuk e dinë se çka është jashtë”,tha Dema.
Por qytetari Nuhi Shabani mendon më ndryshe sesa tjerr. Sipas tij liberalizimi i vizave është një mundësi e mirë vetëm për ata që kanë pare dhe për biznesmenët.
Shabani:Mundësi e mirë për bizneset
“Liberalizimin e kem prit shumë mirë , por ka qenë mirë me na dhanë edhe kapak pare se s’kena me shku. Ma mirë vonë se kurrë. Mundësi e mirë është njerëzit që punojnë , bizneset sepse për njerëzit që nuk punojnë e të shkojnë është njëjtë”,tha Shabani.
Njëjtë si Nuhi Shabani mendon edhe Sabri Rexhepi. Sipas tij ky është një shans i mirë për ata që kanë pare, ose ata që kanë familjarët jashtë.
Rexhepi: Liberalizimi erdhi me vonesë.
Edhe pse pak i vonshëm është mëkat i madh sepse ky popull ka pasur edhe përpara, besoj që është një shans e mirë për ata që kanë, sepse për ata që nuk kanë edhe nderi ne Prizren nuk kanë mundësi me shku le të presin por le të shkojnë të tjerët le të shkojnë studentët, le të shkojnë ata që kanë njerëzit e vetë atje”,tha Rexhepi .

Pacolli: Mimoza Kusari është profitere, ia organizova fushatën milionëshe

Pacolli: Mimoza Kusari është profitere, ia organizova fushatën milionëshe
Ish presidenti Behgjet Pacolli ka akuzuar rënd ish zëvendësen e tij në AKR, Mimoza Kusari-Lila, duke thënë se ajo e ka qenë përfituese dhe se ka shfrytëzuar AKR-në si trampolinë.
Pacolli ka shkuar aq larg, saqë ka theksuar se aq shumë e ka mbështetur Kusari-Lilën, saqë fushatën në zgjedhjet e fundit për kryetare të Gjakovës ia ka organizuar me përmasa milionëshe.
“Kryetarja ka qenë zëvendëspresidente e AKR-së. Trampolina që e ka shfrytëzuar kryetarja në AKR ka qenë shumë e madhe, stabile dhe zonja çdo gjë e ka pasur të mundur në ARK. Dhe në një moment të caktuar të lihet AKR-ja anash ka qenë e pakuptueshme dhe ka qenë papërgjegjësi. Pak më but po them ka qenë përfituese, për arsye se AKR-ja ka qenë aty”, ka thënë Pacolli në emisionin Natën me Fatmir Spahiun.
Ai ka shtuar se ashtu siç Gjakova udhëhiqet sot, nuk udhëhiqet prej AKR-së. Derisa thotë se nuk e kishte njohur asnjëherë Mimoza Kusarin, por ajo kishte shkuar vet në zyre për ku kishte kërkuar aderimin në AKR.
“Unë nuk e kam njohur kurrë Mimoza Kusarin dhe emri saj ka qenë zero. Mua më është imponuar ajo prej një bashkëpunëtori dhe ajo ka ardhur ka shprehur dëshirën me qenë pjesë e AKR-së. Ajo prej AKR-së ka qenë numri i dytë në Qeveri, ka qenë Ministre dhe ka punuar në mënyrë autonome, ka dashur të kandidoj për kryetare të Gjakovën dhe e kemi mbështetur pa limit dhe ajo e ka pasur një fushatë shumë të kushtueshme në Gjakovë, të përmasave milionëshe. Unë ju kam premtuar Gjakovës se ne do ta ndryshojmë Gjakovën”, ka theksuar ai.


Kusari-Lila “ftesë” ish-kryetarit të saj tek “Partia e Re” – ja si përgjigjet Pacolli!
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda dhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila janë dy emrat tashmë të konfirmuar që do të jenë pjesë e iniciativës së re politike në vend.
Deda i cili javë më parë dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte paralajmëruar themelimin e një subjekti të ri politikë pjesë e së cilit do të jenë figura të njohura nga politika por edhe jashtë saj, transmeton Telegrafi.
Kusari-Lila po ashtu kishte thënë se në rast se lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli dëshiron t’i bashkohet iniciativës së re do ta mirëpresin.
E një gjë të tillë e ka mohuar Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se rrugët e tij dhe Mimoza Kusarit tashmë janë ndarë.
“Jo nuk do ti bashkohem, rrugët tona me Mimoza Kusarin janë ndarë”, tha ai

Instituti Gjeologjik i Kroacisë: Ujërat nëntokësore, shkak i rrëshqitjeve të dheut në Arbëri

​Instituti Gjeologjik i Kroacisë: Ujërat nëntokësore, shkak i rrëshqitjeve të dheut në Arbëri
Komuna e Prishtinës njoftoi se Instituti Gjeologjik i Kroacisë, i cili në marrëveshje me Komunën e Prishtinës ishte kontraktuar që të hulumtojë rrëshqitjen e dheut në lagjen Arbëria, sot erdhi me gjetjet përfundimtare dhe rekomandimet për sanimin e gjendjes dhe evitimin e rrëshqitjes.
Drejtori i Institutit, Josip Halamiq si dhe inxhinieri Zeljko Miklin prezantuan para zyrtarëve të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe atyre të Drejtorisë së Urbanizmit gjetjet dhe rekomandimet e Institutit për sanimin e gjendjes.
Sipas tyre, shkaktari kryesor i rrëshqitjet së dheut janë ujërat nëntokësorë në këtë lagje që shkaktojnë lëvizje. Në planin e sanimit është rekomanduar ndërtimi i tre puseve, të cilët do të shërbenin si pika akumulimi të ujërave nëntokësorë dhe të cilët do të zbrazeshin në intervale të rregullta me anë të pompave.
Gjithashtu, thanë se çdo ndërtim në këtë lagje duhet t'i nënshtrohet rregullave të reja për miratimin e lejeve, që nënkupton disa specifika të veçanta teknike të ndërtimit, siç janë themelet dyfish më të thella të godinave.
Ekspertët nga Zagrebi rekomanduan që tërë hapësira e kodrës së Arbërisë të pyllëzohet, sepse drunjtë janë mënyra natyrore e thithjes së ujit nëntokësor dhe njëherësh ofrojnë gjelbërim.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...