Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/27

Prishtina, qyteti që nuk fle


Edhe pse dukshëm më e vogël se Tirana, për kontekstin shqiptar të shoqërisë dhe kulturës, Prishtina është një metropol i vërtetë. Mbase është qyteti i vetëm shqiptar që nuk fle kurrë dhe ku energjia e jetës bubërron si në hoje të bletëve. Shkrimtari dhe filozofi urban, Albatros Rexhaj në një guidë të kryeqytetit të Kosovës

Vendet për të mos u humbur

pedonalja.jpg

Dua të filloj me hotelin Suis Diamond, hoteli i vetëm në rajon që mund të thuhet se ka më shumë se pesë yje dhe me një SPA përrallor. Një “must see” është monumenti gjigand i “Bashkim – Vëllazërimit”, simbol i bashkëjetesës së dështuar të kombeve të Jugosllavisë së dikurshme. Edhe pse e shoh çdo ditë, për mua, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, një ndërtesë gjigande që ishte dizajnuar me idenë që të shpërfaqte fuqinë e rinisë jugosllave, është një nga simbolet e Prishtinës. Diçka e veçantë për t’u parë është ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare, që është një atraksion ndryshe, sepse është radhitur një nga objektet më të shëmtuara në Evropë. Monumenti NewBorn, i vendosur përkohësisht përbri Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, por që asnjëherë nuk u zhvendos në një lokacion më të mirë, është simbol i Prishtinës si kryeqytet i Kosovës së pavarur. Për adhuruesit e kulturës orientale, në qytetin e vjetër janë xhamitë e vjetra që datojnë që nga shekulli XV dhe XVI dhe që janë thesar i arkitekturës tipike osmane. Thuhet se një pjesë e zbukurimeve të brendshme, që janë shumë të bukura, janë punuar nga kurator hebre, pasi aty- këtu kanë lënë shenja të dukshme të kulturës hebraike (ylli i Davidit, pema Sefirot, etj.).
4197170506_33f56def38_o
Koha më e mirë për ta vizituar

Prishtina shijohet më së shumti në pranverën e vonë, gjatë verës dhe në vjeshtën e hershme. Kjo është koha kur qyteti është zgjuar për 24 orë. Gjatë mbrëmjeve ka organizime të shumta, muzikë LIVE dhe vallëzime në qendër të qytetit, ndërsa pedonalja vlon nga njerëzit që shëtisin deri në orët e vona të natës.

Swiss-Diamond-Hotel

Ku ta kthesh një gotë

Prishtina ka shumë vende ku mund ta kthesh një gotë, qoftë në qendër, por edhe në periferi. Ka aso vende ku duhet të paguash çmimin e krekosjes – vende ku shkohet për të treguar praninë –por ka edhe vende ku bëhet shumë qejf edhe pse birra kushton vetëm një euro. Rrugica e vogël e njohur si “te Martini” apo “te taverna Tirona” është vend ku kohën e kalojnë bohemët e qytetit, si ata të rinjtë ashtu edhe ata të vjetrit. “MIQT Pub” është kthyer në simbol të Prishtinë urbane, pasi që aty nuk e ndiejnë veten mirë të gjithë ata që kanë komplekse. Pastaj aty është “Tingle Tangle”, një vend për të gjithë ata që nuk kanë komplekse dhe për ata që duan t’i heqin ato.

tingel tangell

Ku ta shijosh kulinarinë vendase



Taverna “Dardha”, taverna “Miqtë”, taverna “Tirona”… të gjitha këto janë vende ku shijohet një kuzhinë ndryshe dhe shumë e shijshme – natyrisht baza është mish dhe vetëm mish. Për ata që duan restorante Fancy, aty janë restorantet që frekuentohen politikanë e biznesmenë vendas si dhe nga diplomatët e shumtë ndërkombëtarë që punojnë në Prishtinë.


taverna e tirones
Pjata tipike

Kombinim mishërash me perime dhe djathë tradicional. Aty-këtu ende gatuhen simite tradicionale (bukë e shijshme me aromë që shkon shumë larg). Në pamje të parë, nuk duket diçka e veçantë, por posa ta shijosh menjëherë ndryshon mendim.

10933923_835146786553059_9020218747782707969_n

Ku të hedhësh dy hapa



Posa të zbresësh nga makina apo autobusi, drejtimi i parë duhet të jetë për në pedonalen e madhe në qendër të qytetit, ku vargëzohen njëra pas tjetrës tre sheshe dhe një bulevard. Pedonalja (apo siç i thonë vendësit “te sheshi”) është ekuivalenti i bllokut në Tiranë, vendi ku janë baret dhe kafeteritë kryesore të qytetit. Dallimi është se këtu mund të shëtisësh i qetë dhe i lirë nga presioni i makinave. Për ata që nuk duan zhurmë, parku “Gërmia”, që është vetëm pesë minuta larg qendrës, ofron qetësinë dhe kënaqësinë e natyrës. Në këtë park mund të pihet kafe, të hahet një drekë apo darkë, të bëhet pak jogging nëpër shtigjet malore të gjata me kilometra apo të luhet një ndeshje futboll apo basketboll.

taverna dardha
Ku të shpenzosh ca para për shopping

Dikur Prishtina kishte shpirtin e vet unik tregtar, por në kohën e “Shopping malls” gjithçka është kthyer përmbys, por gjithsesi aty-këtu mund të gjendet ndonjë Argjendari e vjetër dhe ndonjë shitore suvenirësh.

Pak informacion për vendasit
final
Prishtinasit janë njerëz mendjehapur dhe të dashur në raport me të gjithë të huajt. Kjo e bën Prishtinën të jetë një vend shumë i sigurt dhe ku dikush, pavarësisht prej nga vjen, mund të integrohet shpejt në ritmin e jetës. Të gjithë flasin gjuhën angleze, ndërsa gjuhët e tjera janë shumë më pak të pranishme. Stili i veshjes anon kah stili londinez, si për meshkujt ashtu edhe për femrat; veshje modeste, por me shumë shije. Ky shpirt mendjehapur i Prishtinës e bën qytetin lider në botën shqiptare në aftësinë për të prodhuar “POP Culture” dhe për ta imponuar atë te viset tjera shqiptare.

Qyteti shëtitet më mirë me…

Me këmbë. Prishtina nuk është qytet për biçikleta, sepse është i vendosur mbi disa kodra, por aty janë edhe vozitësit e pamëshirshëm që kanë pak konsideratë për biciklistët.

Ku të shpengohesh netëve

thumb_600

Ku të mundesh! Prishtina është plot me klube të natës që punojnë deri herët në mëngjes. Mjafton të futesh në facebook dhe aty i gjen të gjitha të dhënat apo pas orës 24 vetëm ndjek hapat e atyre që ende janë rrugëve. Mos kërkoni të dini se ku bëhet më mirë, sepse secili vend e ka ritmin e vet. Mjafton të bëheni bashkë me dikë nga miqtë tuaj vendas (nëse nuk keni gjejeni dikë! ) dhe gjithçka tjetër pastaj ecën në sinkron me ritmin e natës.
pedonalja
Këshilla ekstra

Nëse vjen në Prishtinë për argëtim, mos provo të kalosh kohën në restorantet chic, sepse aty nuk bëhet qejf apo në “Shoping Malls”. Prishtina është një qytet me shpirt bohemi dhe duhet synuar zbulimi i këtij shpirti.

Nga Teodor KEKO: “Bomba atomike” ka rënë prej kohësh (viti 1991)

50269

Në sheshin që rrethihet nga gati 10 dyqane fruta-perime është qetësi. Shitoret i kanë banakët bosh. Një pazi e prishur që mund t’ua priosh mendjen blerësve për spinaq. Ca lakra të freskëta dhe një lloj reçeli në kavanoz. Vetëm kaq. Dhe ca shitës që hanë fara luledielli të përgjumur. Unë kam një orë që bisedoj me shitësin, një djalë i ri që ka mbarruar 5-6 vjet të shkuara gjimnazin. Gjatë praktikës mësimore i kam dhënë disa orë letërsi këtij djali. Atëherë i kam folur për karakterin e mrekullueshëm të shqiptarit. Për vetitë e tij të admirueshme që mahnitën Bajronin, për bujarinë dhe besën. Tani ai, që nuk harron asgjë, më pyet:

-E mban mend profesor, ç’më ke shpjeguar dikur në mësim?

I bëj një shenjë me dorë “më lërë të qetë!” dhe qëndroj si murg para banakut. Nga porta e madhe shfaqen hera-herës ca si fantazma në kundër dritë. Kur afrohen në banak, disa i shquaj se cilët janë. Janë njerëz të shquar të kryeqytetit, artistë me emër, mjekë, ekonomistë – truri i kombit. Ata, herë qeshin me servilizëm para shitësit, herë bëjnë humor të sforcuar…janë aktorë të mrekullueshëm tek përpiqen me çdo kush që ta tundojnë shitësin. Mbase ai futet pas perdes së dyqanit dhe iu shet nja dhjetë kokrra vezë, apo ndonjë frut!?…mirëpo shitësi ju betohet se sot magazina s’e ka furnizuar. Atehërë, ata heqin maskën, pikëllohen dhe largohen të vrarë. Unë e di se ç’thonë me vete: “Më mirë të mos kisha shkelur këtu, se sa humba gjithë këtë kohë dhe ula veten përrtokë duke iu lutur një shitësi si…”

Ai që e njeh karakterin tonë përmes “Lahutës së Malcisë” të Fishtës, tmerrohet nga metamorfoza. Ai që e njeh përmes “A don qymyr, zotni?” të Migjenit, skandalizohet nga përsëritja pikë për pikë e shkatërrimit të karakterit. Karakteri ynë vërtet është në një pikë kritike. Shkrimtarë që në epistolarin e tyre kanë më shumë lutje se vepra. Vandakë letrash anonime. Shpifje pa fund të shkruara me një kaligrafi të admirueshme…

Që foshnjë na mësuan të lutemi…Më dërgoi babi për një paqetë me filter…pastaj lutjet për të hyrë në rini, lutje për t’u futur në punë, lutje për shkollën e lartë, lutje për transferim, lutje për shtëpi, lutje për shtesë rroge, lutje për të marrë një frigorifer, përgjërim te shitësi i peshkut, servilizëm te shitësi i vezëve, lutje te…

Kush na shkallmoi kështu, ne njerëzve me bezë burri e shpirt njeriu?

Ata që përpiqen ta mbajnë gjallë karakterin e tyre, e pësojnë. Më 16 janar, në orën 6 e 1 minutë të mëngjesit, fizikanti P.F., njeri që nuk dëshiron t’i lutet askujt, u plagos në dorë duke u shtyrë mes grumbullit të blerësve, në çastin që u hap dera e madhe e merkatos së Tiranës (ora kur hapet është 6). Vërtet e trishtueshme që viktima e parë e luftës në Irak, fill pas shpalljes së kësaj lufte, ishte në Tiranë.

Shitësi më thotë se i është mërzitur jeta në dyqan. Nuk shikon dot superintelektualët e kombit që të luten si mjeranë.

– Kam një javë që nuk çoj vezë e fruta në shtëpinë time, – shton, – s’ruaj dot një mall për vete. Si shoh dot njerëzit të luten. S’kam zemër.

Ai është nëj djalë i zgjuar. Më thotë atë që unë trembem ta sjell nëpë mend:

– Dyqanet një ditë do të mbushen, ekonomia do të mëkëmbet, por karakteri i këtyre njerëzve s’rregullohet më! Ata gjithë jetën do të hakmerren për këto vite, kur nuk i lanë të bëjnë shkencë dhe art, por i shndërruan në lypsarë!…

Ai ndoshta nuk di dhe një gjë tjetër: thuajse të gjithë ata që kanë shkruar letra anonime dhe shpifje, që kanë deponuar të paqëna nëpër gjyqe dhe vëllezërit e tyre, – të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të detyruar me përdhunë nga presioni fatal i mekanizmit të ekzistencës, “po nuk fole, do të dënohesh ti”, sot janë penduar dhe i vret ndërgjegja. Nëse një ditë do t’i harrojmë mëritë e vjetra, të fundit do të mbeten këta! Këta njerëz do të hakmerren ndaj vetvetes, ndaj fajit të tyre, duke ndenjur një kohë të gjatë forca inaktive për të mirën e kombit tonë. Po sa intelektualë do të vetëparalizohen kështu?

Në të vërtetë, bomba atomike ka rënë në shpirtin tonë. Kjo është një bombë e llojit të veçantë. Në Hiroshimë ajo vrau njerëz dhe mbolli leuçemi. Tek ne shkatërroi karakteret e njerëzve dhe mbolli ligësi. Po si do ta zbukurojë këtë vend nja karakter i shëmtuar nga tatuazhet që ia fiksuan përdhunshëm këto 46 vjet? Si do ta shërojë Shqipërinë një shpirt i sëmurë njerëzor?

Rrituni sa më shpejt fëmijët tanë! Bëhuni burra, jo si ne! Mos iu dorëzoni mjerimit, siç i ngritëm duart përpjetë ne!…

Në sheshin e merkatos është një boshësi e madhe. Ajo nesër do të gjallërojë nga zërat njerëzorë. Por unë i trembem boshësisë së shpirtit. Këtë gjë nuk e di akoma: a do të na mbushet ndonjëherë shpirti me jetë? A do të nisemi ndonjëherë me shpirtin tonë përdore drejt krijimeve të mrekullueshme njerëzore?

Nga Amir B. AHMETI: Shpifja mediatike, kjo prirje e pështirë e disa gazetarëve

12767407_1108892112464123_1251294312_n-e1456753829498


Nuk është hera e parë që shkruaj për etikën në mediat e shkruara dhe elektronike tek ne, por kësaj here nuk do të merrem me terrorin që disa prej tyre na bëjnë ne muslimanëve në Kosovë. Këtë herë po shkruaj një opinion timin për rastin e fundit, që lidhet me kërkesën e ambasadës turke në Prishtinë për zbatimin e ligjeve kosovare.

Edhe vetë kam qenë cak i disa gazetarëve dhe mediave dashakeqe, që famën e kërkojnë duke shpifur dhe dezinformuar opinionin. Disa herë e kam ftuar prokurorinë e shtetit në Kosovë, dhe atë publikisht, që ex officio të merren masa për mediumet dhe gazetarët që keqinterpretojnë dhe e keqinformojnë publikun, por edhe për shpifjet, linçimet, ofendimet dhe deklaratat e mosdurimit fetar e racor, që disa prej këtyre gazetarëve i kanë bërë vazhdimisht ndaj besimtarëve muslimanë, duke u fshehur gjithnjë pas provizionit kushtetues “liria e shprehjes”. Prokuroria, si zakonisht, asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme që të marrë masa.

Pasi i lexova lajmet bombastike se ambasadorja turke në Prishtinë ka kërkuar burgosjen e gazetarit Buzhala për arsyen se ky i fundit paska kritikuar Erdoganin, menjëherë shfletova shumicën e portaleve të lajmeve në Kosovë. Isha shumë i habitur se si ka mundësi që një ambasadore e huaj të kërkojë të burgoset një gazetar në një vend të huaj vetëm për arsyen se ai kritikon politikat e një shteti tjetër. Për këtë dhe desha të informohesha saktë. Shfletova shumë portale, por askund nuk e gjeta se Buzhala po kërkohej të arrestohej pse paska kritikuar Erdoganin. Në fund, në një portal të lajmeve të Tiranës, e gjeta edhe tekstin origjinal të ambasadorës turke.

Habia dhe dyshimi im nuk zgjati shumë. Edhe këto lajme paskan qenë të të njëjtit lloj, shpifje meskine të disa islamofobëve të ashtuquajtur gazetarë, që tash lirisht mund t’i quajmë edhe Erdoganofobë.

Për ta sqaruar më shumë këtë shpifje mediatike, desha të ndaj me ju faktet e këtij komploti mediatik kundër ambasadores turke, apo më mirë të thuhet, kundër Turqisë, a edhe krejt më saktë, kundër Erdoganit.

Ambasadorja turke, në letrën drejtuar MPJ-së së Kosovës, e shpjegon arsyen e letrës ku implikon gazetarin Buzhala, i cili publikisht, natën e 15 korrikut, kur ndodhi një përpjekje për puç në Turqi, i ftoi qytetarët kosovarë që kanë rastisur atje të rreshtoheshin me ushtrinë puçiste kundër Erdoganit. Këtë ftesë të Buzhalës e kemi parë të gjithë që atë natë, ku ai dhe plot islamofobë të tjerë i gëzoheshin terrorit puçist që vriste qytetarët turq për t’i nënshtruar. Kurse vetë ftesa e Buzhales ka qenë me një emoji në fund të fjalës, duke lënë të kuptohet se po e thotë atë me satirë. E satira e tij shpesh edhe ta shpif. Si përfundim, ambasadorja turke i fton autoritetet kosovare që të merren masa ndaj gazetarit në fjalë në pajtim me ligjet kosovare, duke aluduar për ligjin nr. 05/L – 002: “Për ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit”. Pak a shumë kjo është përmbajtja e letrës së ambasadores turke.

Atëherë, pse qenka problem për ne zbatimi i ligjeve tona, të cilat i ka miratuar Kuvendi i Kosovës? Pse qenka jodemokratike kur dikush na këshillon që të zbatojmë ligjet tona të cilat janë në fuqi? Pra, problemi nuk qëndron tek ambasadorja turke, por te vetë ato media që shpifën e dezinformuan se ambasadorja turke po përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Janë të njëjtat pseudomedia dhe pseudogazetarë të cilët janë mësuar që t’i fyejnë besimtarët muslimanë në Kosovë me fjalët më denigruese dhe kurrë të mos japin llogari para gjyqësorit kosovar.

Të gjitha mediat në Kosovë e dinë se gati çdo Raport i Progresit që vjen nga BE-ja tërheq vërejtjen se Kosova ka infrastrukturë të mirë ligjore, por se ligjet nuk po zbatohen. Pra, kur një ambasador i një vendi mik na kujton se si shtet i ri që jemi duhet që ligjet të zbatohen në përpikëri për të ndërtuar një shtet të së drejtës, nuk e kuptoj pse duhet ta quajmë armiqësore këtë kujtesë. Për më shumë, kjo nuk është risi në Kosovë. Vazhdimisht ambasadorët e huaj në Kosovë ua tërheqin vërejtjen institucioneve tona në këtë pikë. Dhe tituj të tillë kemi pasur vazhdimisht në mediat tona, por askush nuk i ka quajtur jodemokratike, si për shembull: “Ambasadori Cliff, lavdëron ligjet, kërkon të zbatohen”, “Zhbogar kërkon zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, etj. etj. E mos të përmendin ndërhyrjen e ambasadave të huaja për shumë çështje, gjë që e dinë edhe nxënësit filloristë. Atëherë, pse kaq reagime të pështira për kërkesën e ambasadores turke në Prishtinë, e cila po kërkon të zbatohen ligjet e Kosovës?!

Këtë energji negative nga këta pseudogazetarë nuk e kemi parë e dëgjuar madje as dje, kur ambasadori rus në Beograd pa kurrfarë leje vizitoi Kosovën dhe tha: “Pala e Kosovës duhet të angazhohet që Marrëveshja të realizohet me qëllim që popullata serbe në Kosovë dhe Metohi të jetë e mbrojtur.” Ai kërkoi të zbatohet marrëveshja e asociacionit edhe përkundër mosmiratimit të saj ende në Kuvendin e Kosovës, e madje dhe duke e përbuzur emrin e shtetit tonë, duke i shtuar prapashtesën “Metohi”, sipas legjendave serbe.

Ku ishin këta gazetarë dje, për ta kritikuar ambasadorin rus, që sot me kaq mllef kritikojnë ambasadoren turke? Si nuk kanë turp?

Si përfundim, nëse mediat, dhe vetë Buzhala, e respektojnë shtetin turk siç i respektojnë dhe vendet e tjera mike të Kosovës, kishte me qenë mirë vetëm të sqarohej se ai postim në facebook ka qenë satirë dhe do të përfundonte gjithçka, por jo të derdhin lot krokodili se sa të vështirë e kanë profesionin.

Nga Laura KONDA: Jugosllavia, një mozaik drejt shpërbërjes (viti 1991)

2011322
Për vite me radhë është folur për “krizën jugosllave” në aspektin etnik. Gjatë viteve të sundimit të Sllobodan Millosheviçit, mbrojtës i tezës “nacionaliste serbe”: “Një Serbi e fortë është një Jugosllavi e fortë”, kriza jugosllave filloi të marrë përmasa galopante, veçanërisht këta dy vitet e fundit, me krizën e sistemit socialist dhe me klimën e përgjithshme demokratike që ka përfshirë mbarë Europën, vendosjen e sistemit të pluralizmit politik në një varg vendesh ish-socialiste, përfshirë dhe Jugosllavinë.

Pluralizmi politik u lejua për herë të parë në Jugosllavi në janar të vitit 1990. Me këtë evenimet filluan t’i lëkunden pozitat në fushën politike nacionalistëve serb. Le t’i referohemi disa faktorëve historikë që gradualisht sollën momentet aktuale: Në zgjedhjet që u zhvilluan në muajt prill-maj të vitit 1990 në Slloveni dhe Kroaci, komunistët humbën dhe pushtetin e morën nacionalistët (në 2 korrik 1990). Sllovenia deklaroi të drejtën e saj për pavarësi. Ndërkohë deputetët shqiptarë të Kosovës adaptuan një deklaratë të pavarësisë nga Serbia, së cilës Serbia iu përgjigj me shpërndarje të parlamentit dhe qeverisë së Kosovës, si dhe me mbylljen e emisioneve në gjuhën shqipe. Më 28 shtator 1990 iu hoq autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës, ndërkohë që Kuvendi i Kaçanikut shpalli Republikën e Kosovës që nuk u njoh nga Serbia…

Pas shumë përpjekjesh të popullit slloven dhe atij kroat, më 25 qershor 1991 u shpall pavarësia e këtyre dy republikave. Me këtë rast, presidenti kroat Franjo Tuxhman deklaroi: “Ne nuk mundemi më të jetojmë në një shtet ku shprehet një urrejtje patologjike kundër gjithçkaje që është autentike kroate, në një shtet ku ne konfrontohemi me kërcënimet e përsëritura për përdorimin e forcës dhe terrorizmit”. Gjithashtu, ai iu referua faktit se Serbia refuzoi zgjedhjen në krye të presidencës jugosllave të një kandidati kroat, akt ky që sipas tij shpreh dhe konfirmon edhe një herë atë që Kroacia ka qenë gjithmonë në një situatë inferiore dhe të pabarabartë në federatë.

Deklarata e Franjo Tuxhman është një pretencë e vërtetë kundër Jogosllavisë së djeshme dhe qeverisë së saj, qeveri e cila refuzon të shohë të vërtetën në sy, refuzon të shohë krizën jugosllave, jo vetëm si krizë që ka të bëjë jo vetëm me sistemin socialist, por para së gjithash një krizë e marrëdhënieve midis kombësive brenda republikave. Një kundërshtim me pikëpamjet e Perëndimit që shpërbërjen e Jugosllavisë e shohin si destabilitet të Europës. Tuxhman theksoi se “Jugosllavia nuk ka qenë asnjëherë faktor stabiliteti”. Për këtë të vërtetë dëshmon vetë historia e këtij shteti të krijuar, siç dihet artificialisht në vitin 1918 e që artificialisht ka mbijetuar gjatë këtyre 70 e ca viteve.

Le të rikthehemi tek ngjarja e ditës: shpallja e pavarësisë së dy republikave, asaj sllovene dhe asaj kroate. Pa arritur mirë të vlerësohet evenimenti nga diplomacia evropiane dhe amerikane, ngjarjet papritur morën drejtim tjetër: forcat ushtarake jugosllave të prirura nga idetë nacionaliste të serbomëdhenjve nuk mund të aprovonin kurrë këtë fakt: shpalljen e pavarësisë së dy republikave, prandaj hynë brutalisht në Slloveni ku shpërthyen konfliktin e armatosur që pati viktimat e tij në njerëz. Por ndërsa krimi kundër Sllovenisë dha sinjalet e para të luftës civile në vend, terrorin e vërtetë, me sa duket serbomëdhenjtë synojnë ta kryejnë në Kosovë, për të shtypur kështu kërkesat e drejta të shqiptarëve.

Padrejtësitë ndaj kroatëve të deklaruara nga Tuxhmani, s’janë shumë përpara politikës historikisht terroriste të ushtruar nga serbët e Kosovës, sidomos këta dhjetë vitet e fundit. Edhe në këtë situatë mjaft kritike për fatet e Federatës Jugosllave, përsëri serbët aspirojnë të derdhet gjak shqiptar për të flijuar përsëri ata më të flijuarit e atij bashkimi kombëtar për t’i dhënë mësim edhe të tjerëve e për t’i vënë kështu kapak konflikteve nacionale që siç shihet tashmë s’ka zot t’i qetësojë.

Serbia ndërmerr masa agresive ndaj Kosovës, siç ishte mbyllja e mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, duke e kërcënuar hapur atë dhe duke i bërë shantazh për të mos e lejuar të kërkojë të drejtat legjitime të popullsisë shqiptare në Kosovë, siç është njohja e Kosovës-Republikë. Por qoftë kërcënimet, qoftë masakrat nuk mund të pengojnë frymën e re të demokracisë e të lirisë që ka përfshirë Evropën, ndonëse Jugosllavia ishte e fundit në këtë drejtim. Në kushtet e një atentati të ri që rrezikohet t’i bëhet demokracisë evropiane, siç është rreziku i gjakderdhjes në Kosovë dhe fillimi i luftës civile në Jugosllavi, është së pari detyra e ne shqiptarëve dhe e shteteve evropiane që të mos e lejojnë të ndodhë një gjë e tillë.

Nga Josef MARTINSEN*: Katandisja e grave të përdhunuara gjatë luftës, turp për ty Kosovë!


01-29-15-Josef-Martinsen-14-Copy1

Me keqardhje të madhe po e përjetoj një qëndrim negativ të paimagjinueshëm nga qeveria dhe parlamenti i Kosovës për të drejtat e njeriut të grave, e në veçanti për gratë e dhunuara seksualisht dhe ato të dhunuar gjatë luftës së viteve 1998-99 .

Një popull që para shtatëmbëdhjetë vjete u shpëtua nga perëndimi dhe që mori miliarda euro / dollarë në mbështetje, në këto shtatëmbëdhjetë vjet autoritetet i kanë lënë pas dore krejtësisht viktimat e pafuqishme të luftës në Kosovë, ato të abuzuara seksualisht dhe gratë e përdhunuara. Udhëheqësit politikë gjatë gjithë këtyre viteve që kur Kosova u çlirua kanë dështuar për t’i ndihmuar këto gra viktima që të kenë një jetë dinjitoze. Sundimi i ligjit dhe i drejtësisë për gratë mungon në Kosovë. Perëndimorët duhet të bëjnë që Kosova të jetë përgjegjëse për mungesën e sundimit të ligjit, barazisë para ligjit dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi për gratë.

Më vjen keq që më duhet të shkruaj këtë artikull për Kosovën dhe për faktin si ajo nuk arriti të kujdeset për viktimat e saj më të rrezikuara të luftës 1998-99.

Pasi kam ndjekur për gjashtëmbëdhjetë vite nga afër historinë në krijim të shtetit më të ri të Kosovës, unë ndjehem i turpëruar se si ajo si një shtet sovran i është shmangur përgjegjësisë që ka ndaj viktimave të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës.

Hera e parë kur e kam ngritur këtë çështje publikisht ishte në vitin 2010 kur e kam prezantuar librin tim të dytë “Çfarë ndodhi në Kosovë? 1998-99- një dokumentacion” në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë. Hera e dytë ishte në vitin 2014 kur kam prezantuar trilogjinë time për krimet e luftës, dy libra dhe një film dokumentar. Tani është hera e tretë që po e adresoj këtë çështje, dhe po ndihem shumë keq se si ende asgjë nuk është bërë për zgjedhjen e kësaj çështje, kompenzimin ose sigurimin e një pensioni për gratë që ishin sulmuar dhe abuzuar seksualisht gjatë luftës dhe të cilat janë lënë anash nga shoqëria .

Gjashtëmbëdhjetë vite kanë kaluar që kur krimet dhe abuzimet seksuale ndodhën.

Moszgjidhja e problemit të kompensimit, u ka shkaktuar këtyre viktimave vuajtje dhe të tjera. Kosova u detyrohet të paktën një kërkim faljeje këtyre grave, por mua më duket që autoritetet më parë zgjedhin t’i shohin këto gra duke u zhdukur ose duke bërë vetëvrasje, se sa të bëjnë diçka për to.

Është turp se si asgjë nuk ka dalë nga bisedimet e autoriteteve për 16 vite. Asgjë nuk është zgjidhur dhe asgjë nuk është premtuar.

Kush jam unë për të fajësuar të tjerët?

Unë jam Josef Martinsen. Takimi im i parë me Kosovën ishte në korrik të vitit 1999 , duke e marrë përsipër punën si koordinator në një program emergjent të quajtur “Heqja e trupave të njerëzve nga puset“. Unë isha i punësuar nga UNHCR( Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë) dhe NCA (Kisha Norvegjeze). Pas tetë muajsh në fushë, nga më shumë se 450 puse që dyshoheshin se kishin kufoma brenda, janë nxjerrë rreth 127 trupa, të cilët janë regjistruar dhe varrosur.

Pas punës time për UNHCR-në, kam shkruar një libër për puset, “Puset e vdekjes në Kosovë” që pasqyrojnë nismën time private lidhur me katërqind varreza masive të regjistruara dhe raportuara nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. UNMIK-u, dhe më vonë qeveria, nuk kanë hetuar se si më shumë se 10,000 civilë shqiptarë, gra, fëmijë dhe burra janë vrarë qëllimisht në vitet 1998-99 dhe janë fshehur në varrezat masive në të gjithë Kosovën .

Në pranverën e vitit 1999 shumë prej këtyre varreve u hapën dhe u transportuan në Serbi në varre të reja masive për të fshehur provat.

Bazuar në hulumtimet e mija dhe dokumentacionin që kam përpiluar për katër vite, që nga 2006-ta, unë në vitin 2010 arrita ta botoj librin tim të dytë të quajtur “Çka ndodhi në Kosovë 1998-99 Dokumentacion”. Së bashku me një film dokumentar , këtyre tri veprave i referohem dhe i quaj si “Trilogji e Kosovës”.

Punën time të plotë për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet 1999-2010 dhe përfshirjen time mund ta gjeni në www.kosovotrilogy.com and www.truth-commission.com

Rasti

Rasti në fjalë ka të bëjë me mirëqenien e grave me të cilat është abuzuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998-99, dhe të drejtën e tyre për dinjitet dhe për një shpërblim të drejtë financiar. Këto gra të cilat qëndruan të forta gjatë luftës duke u kujdesur për familjet, fëmijët dhe shtëpitë, meritojnë nderim nga shoqëria dhe jo injorim.

Pas luftës, janë regjistruar rreth 20 mijë raste përdhunimi. Mjekët dhe spitalet jashtë vendit kanë bërë verifikimin e këtyre rasteve, ku më shumë se katërqind prej tyre ishin përtej të kuptuarit. Këto viktima është dashur të marrin kujdesin e duhur në çdo mënyrë të mundshme nga ana e shoqërisë, por kjo nuk ka ndodhur dhe viktimat janë ende duke vuajtur, ndërsa përfaqësuesit e tyre, d.m.th politikanët, nga pakujdesia e tyre e madhe, u sollën atyre një turp shtesë!

Shumë prej atyre, kanë lënë atdheun e tyre dhe gjatë ikjes dorëzuan deklarata, të konfirmuar nga mjekët, se ishin përdhunuar dhe, për shkak të qëndrimit të shoqërisë ndaj tyre, nuk panë mundësi tjetër, përveçse të largohen nga Kosova.

Natyra e luftës në Kosovë 1998-99 ishte asimetrike në të gjitha aspektet e fjalës, veçanërisht në rrethanat si në vijim:

-Ushtria, policia, milicia paramilitare dhe civile sulmuan dhe shkatërruan popullsinë e pa armatosur civile shqiptare mbi një vit e gjysmë.

-Aktivitetet kriminale, të tilla si përdhunimi i grave, janë përdorur si një armë kundër shqiptarëve civilë.

-Gratë me të cilat u abuzua seksualisht mbetën papritur të braktisura nga shoqëria e pasluftës. Ato u bënë “persona të padëshiruar”, siç mund të shihet qartë nga burimet e mëposhtme:

– Historitë e tmerrit 1998-1999 (History of horror 1998-99) nga Sanije Gashi (2010)

– Rrëfime Tronditëse (2003) nga Luljeta Selimi

– Pa Apologji (Ëithout APOLOGJI) nga F. Ramosaj

-Dy vëllime të dokumentacionit të Prof.Dr. Jusuf Osmanit (2016)

-“Krimet e Qeverisë serbe në Kosovë 1998 – 1999”, deklaron në faqen 67 Vol.1 se “Gruaja shqiptare ka qenë prej kohësh një objektiv i propagandës shoviniste serbe.

-Thënia e Vasa Çubrilloviqit në vitin 1937 thotë që gruaja shqiptare është njohur mirë: me ndershmërinë e saj, ajo ka penguar projektin serb për zhvendosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës me elementin serb”.

Qeveria dhe Parlamenti nuk arritën të nderojnë gratë për kontributin e tyre kur vendi u sulmua nga forcat serbe. Për gjashtëmbëdhjetë vjet, këtu dy instanca kanë injoruar 423 viktima të regjistruara, dhe femrat që u larguan kanë pritur për drejtësi dhe të drejta të barabarta. Presidenti i Kosovës, ministrat dhe deputetët e parlamentit a e kanë harruar vallë historinë e tyre bashkëkohore?

Njohuritë e tyre të pamjaftueshme rreth historisë në përgjithësi, dhe rezultatet e luftës në 1998-99 në veçanti, kanë sjellë vështirësi dhe turp për këto gra që meritojnë nder.

Kush është ngritur në këmbë për gratë e abuzuara seksualisht?

Përveç autorëve të librave rreth grave të dhunuara të përmendura më lart, jo shumë qëndruan në barrikada për këto viktima të abuzuara dhe injoruara.

Kjo duhet të ketë qenë një fokus kryesor për OJQ-në, QKRMT (Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës), në funksion për gjashtëmbëdhjetë vite. Por mua më duket se QKRMT ka shmangur vazhdimisht termin “gra të abuzuara seksualisht” nga veprimtaria e tyre, dhe është fokusuar në termin “torturë”, duke iu shmangur për të identifikuar saktë llojin e mizorisë që maskojnë të vërtetën.

Ashpërsia e kryerjes së abuzimit seksual ndaj njerëzve të cilët nuk mund të shmangin situatat, nuk ka qenë e reflektuar në qëndrimet e shoqërisë. Këto viktima janë më të rrezikuara nga të gjitha viktimat e luftës. Ato qëndruan duke mos pasur asnjë shans kundër ushtrisë së armatosur dhe paramilitare serbe. Nuk kishin askënd për t’i mbrojtur dhe nuk mund të iknin. Ato u detyruan të qëndrojnë pas në shtëpitë e tyre për t’u kujdesur për fëmijët, ushqimin dhe veshmbathjen, ndërsa burrat shkuan në shkurre dhe male për t’u fshehur.

Këto ngjarje nuk mund të injorohen nga askush. Situata e rëndë për të paktën 423 raste që janë plotësisht të dokumentuara nga mjekët dhe spitalet, duhet t’i alarmojë politikanët , studiuesit dhe anëtarë të tjerë të vijës së frontit të shoqërisë.

E falenderoj Prof. Dr. Jusuf Osmani që ka permendur këto viktima dhe të drejtën e tyre të qartë për barazi dhe drejtësi në punën e tij të plotë, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Por unë nuk kam asnjë dyshim se dikush brenda është armiqësor ndaj idesë së kompensimin të grave të dhunuara seksualisht. Kjo shkon gjatë gjithë rrugës deri në Parlament dhe Qeveri.

Le të jetë shumë e qartë se politikanët në Kosovë të cilët janë zgjedhur që nga viti 2000, kanë përgjegjësinë për situatën e tmerrshme të këtyre grave.

Është koha për të bërë një njoftim publik që njeh dhe shpall vështirësitë që këto gra kanë duruar dhe për t’u dhënë atyre një kompensim të drejtë në mënyrë që ato të mund të përfshihen në shoqëri përsëri.

Përndryshe, ky është një turp i madh!

*Josef Martinsen, 76-vjeçar, i lindur në Stavanger të Norvegjisë, është i diplomuar si ushtarak ku edhe ka shërbyer për 17 vjet në pozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit .

Pas shërbimit në mbrojtje, Martinsen mori poste të ndryshme në biznes dhe në banka private. Ai në vitin 1989 u emërua në pozitën e ndihmësdrejtorit të divizionit në Bankën Qëndrore në Norvegji. Doli në pension të parakohshëm në vitin 1998. Në verë të vitit 1999 ai u angazhua nga NKN (NCA) dhe UNHCR për tetë muaj për të koordinuar një program emergjent të quajtur “pastrimi i puseve nga trupat e pajetë të njerëzve” në Kosovë.

Nga viti 2001 deri në vitin 2010 ai ka shkruar dy libra dhe ka inicuar një film dokumentar në lidhje me katërqind varrezat masive që janë regjistruar nga GJND-ja (gjykata në Hagë që u krijua në vitet ’90) që janë raportuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në nëntor të vitit 1999.

Durrësi, ta duash e ta vuash fort një qytet si ky!

1c
Nga Mark Brunga

Nostalgjia për Durrësit është një “sëmundje” e vjetër, një sëmundje që në fakt e kaplon çdo njeri për vendin ku është lindur e rritur. Por po shkruajmë për posaçërisht për qytetin e njohur bregdetar, me një “pasaportë” të rrallë vlerash, mbase që nga përshkruesit e hijeshive të tij në lashtësi kur ai cilësohej si një qytet “Come una luna ne la firmamente”, ose si “ Taverna e Adriatikut”..

Shkas i këtij shkrimi për “nostalgjinë durrsake”, u bë një foto e hedhur në rrjetet sociale, e shoqëruar me një poezi të nëshkruar nga një vajzë, Edlira Begeja, dhe komenteve që e shoqëronin atë. Komente qytetarësh me origjinë nga Durrësi, të cilët kanë vite pa ardhur, por që ruajnë nostalgjinë për bregdetin, e kryesisht për xhiron e famshme durrsake në bulevard orët e mbrëmjes si dhe të festave. Është një nostalgji dhe dashuri për qytetin, të lidhura organikisht. Begolli ka shënuar edhe një strofë poezie në këtë foto, mjaft spikatëse dhe domethënëse për çfarë ka dashur të shprehë ajo:

Edlira Begeja dhe dashuria per Durresin

Edlira Begeja dhe dashuria per Durresin“Me të metat e të mirat që ka

E dua unë këtë qytet

Se vetëm kështu mund të ndodhë

Në një dashuri të vërtetë”.

Komentet janë të tepërta. Ajo është treguar racionale duke shkëputur mbase strofën me kuptimlote që shpreh thelbin e një dashurie pa kushte për qytetin e sajë të zemrës, nga ndonjë poezi e saj, ose ka dashur të shkruajë një poezi për Durrësin, por që është frenuar më pas për të vijuar më tej, sepse pasi ka konstruktuar këtë strofë, ka kuptuar se ka thënë gjithcka që mund të thuhet për dashurinë durrsake. Anesti Jorgji, një bashkëqytetar i Edlirës, e kujton edhe ai me nostalgji këtë xhiro dhe shkruan se:

“Shumë, po shumë durrsakë e bënin xhiron e Vollgës nji herë, apo edhe dy apo tri herë në ditë, derisa “prenë biletën” vetëm “vajtje” për në qytetet perëndimore!”

Sot, në zonën e njohur si Vollga, është sheshi bregdetar me emrin “Taulantia” dhe tradicioni i xhiros vazhdon sidomos në ditët e sezonit turistik veror, ku kushdo shesh se si tejmbushet me pushues të ardhur nga të gjitha viset e atdhut tonë, edhe jashtë kufijve shtetërorë. Po durrsakët e vazhdojnë këtë xhiro edhe në ditët e dimrit… Por Jorgji kujton edhe trishtimin e tij kur qyteti u boshatis pas eksodit të marsit `91. Ja si e përshkruan ai:

222222

“Sa trishtim të shikoje nënat me sy të njomur nga lotët, bulevardi bosh pa bijtë dhe bijat e Durëesit, që deri me datën 5 mars ishin aty, të pandarë, paradite dhe pasdite, para buke dhe mbas buke, kur për një cast çdo gjë ndryshoi, për të mos qënë kurrë më njësoj si në të kaluarën, për një pjesë më mirë dhe për një pjesë tjetër më keq. Kjo ishte “hemoragjia më e madhe dhe më e dhimbshme” e rinisë durrsake në shekujt e fundit. Kanë kaluar 23 vjet e kusur, e kujt i kujtohet i kalojnë mornica ne trup!”

Natasha Mule shkruan në këtë linjë, me një shqipe të papraktikuar prej vitesh në mërgim:

“… më pëlqen çdo qoshe e durrsit më pëlqen me zhurmë pa zhurmë kur je larg çdo gjo është e bukur dhe malli është tmerrshëm ato që janë në Italy aty janë po ne në të amerikës dy vjet tre vjet dhe me shumë shkon çfarë nuk më pëlqen është kur dal nuk njoh asnjeri të gjithë janë në emigration kam shpresë se çdo gjo do rregullohet dhe në Durrës dhe Vollga të jetë vërtete një vend argëtimi dhe jo ashtu siç e përshkruni ju me lart I love my city and I miss every thing there see you soon guys”


Durresi ne mbremje xhiro
                                                            Durresi ne mbremje xhiro

Interesant është edhe shkrimi i Maria Droettit. Ai është nipi i Paolo Droetit, ish-ushtarak italian dhe me pas ish-partizan që ka dalë në pension në Durrës si oficer ushtrisë shqiptare. Mario i lindur në Durrës shkruan:

“… dhe unë për 3-muaj që qëndroj, nuk i jam ndarë si në mëngjes edhe në mbrëmjet vonë pranë bregut. Këtë vit nuk jam larguar nga qyteti, po kam qëndruar me ndjenja sikur do largohesha te nesërmen..”

Durrësi mbetet vendlindja e tij dhe, me sa duket edhe pas emigrimit në atdheun e trashëguar nga gjyshi i tij, Mario e ndjen veten durrsak në esencë!

Mall e dëshpërim!

Po ndërkohë, ka nga ata që shprehin edhe keqardhjen për anarkinë e zonës. Ja si shprehet Emilian Gjoni:

“Kush pjesë e Vollgës ju pëlqen? Ajo e lokaleve që shtrijnë territorin e tyre gjithnjë e më tepër në shëtitore? Ajo e ndriçimit që ngjan me një Kabul pas bombardimit? Ajo e lodrave për fëmijë që janë pa kurrfarë kriteri mbi sigurinë dhe nivelin e zhurmës. Ajo e kavove elektrike që kalojnë nëpër shëtitore apo e fijeve të lëna zhveshur anash mureve. Më vjen keq por nuk është Vollga në të cilën jam rritur, e nuk mund të jetë ajo ku mund të rris fëmijën tim, që sa herë tentoj të kaloj andej, trembet (7 muajsh) nga zhurmat e larta e kaotike të zonës…”
1d
Përjetime të rralla

1dKush niset nga portet e Italisë ose të kujtdo vendi fqinj me traget për të ardhur në Durrës, në orët e mëngjesit vëren një fenomen të rrallë. Tragetet zakonisht rreth orës 07.00 të mëngjesit ndodhen disa milje larg hyrjes për në portin e Durrësit dhe deti shtrihet i gjërë në fushëpamjen e kujtdo. Dhe rrezet e diellit që sapo ka nisur trajektoren e zakonshme mbi qiellin e qytetit, sikur projektojnë një shkëlqim ikonografik mbi të gjithë masivin ujor dhe kurorat e kodrinave që shtrihen në harkun e gjirit bregdetar. Ngjyrë e ëmbël dhe e artë, që shikohet vetëm nga thellësia detare prej trageteve të linjave, është e ngjashme me aurorën e ikonave, privilegji i vetëm i qytetit ikonografik në historinë 3 mijëvjeçare të tij. Pasi turisti që e shkel për herë të parë këtë vend është ndeshur me këtë përndritje të këtij qyteti tempull, vë re se edhe në mbrembje deti ndizet nga një kurore zjarri që i ndërron nuancat çdo mbrëmje. Dhe nga kjo, shënimin e lashtë se Durrësi ndrin “Come una luna ne la firmamente” (Shkëlqen si hëna lart në qiell), e kupton mire se ke zbritur ne tempullin e turizmit bregdetar të Shqipërisë, Durrësit – qytetin që e adhuroi Qezari, e që Ciceroni e ka cilesuar “të admirueshëm”.

Edhe Eduart Lir ra në dashuri me Durrësin

Një nga gravurat e Eduard Lirit, është ajo e Durrësit: Kalaja me katër kullat në kodër e që zgjatet poshtë me ca kulla më të ulëta; katër burrat, tre në këmbë, një mbi kalë me veshje shqiptare. Eduard Liri shkruan në ditar:

edward-lear-durazzo-from-journals-of-a-landscape-painter-in-albania-and-greece-published-1851

“Durrësi është qyteti tjetër i udhëtimit tim… Qyteti tani në vetvete është reduktuar në një rrugë të vetme dhe shikohet nga kullat e rënda ngjyrë gri të kështjellës, të cilat janë ndërtuar relativisht në një vend të lartë… Kombinimet e panoramës rreth e përqark janë shumë të bukura si çdo pamje shqiptare. Rruga e vetme e Durrësit, zë thuajse të gjithë vendin e ngushtë që zbret në det dhe mbaron në mol… Në Durrës ka një atmosferë këngësh dhe unë dëgjoj shumë tinguj muzikorë, të cilët dëgjohen në të gjithë anët e Shqipërisë”.

Shënimet dhe gravura e Lirit i përkasin vitit 1848. Në to duket sikur mund të gjurmohen rrënjët e xhiros bregdetare të banoreve te hershëm të Durrësit

“Le Iene”, reportazh për drogën në Lazarat


Kane vendosur t’i shtojne famen Lazaratit, kesaj radhe edhe ne Itali. Pasi e pershkruajne si fshatin ilegal qe ben trafik ne drite te diellit, programi i njohur investigativ i rrjetit Mediaset “Le Iene” ka vendosur t’i kushtoje nje reportazh te plote Lazaratit. Gazetari Luigi Pelazza, tregon se pikënisja e ketij programi qe do te transmetohet ne shtator, ka qene pikërisht Xhorxho Riformato. Italiani i kapur ne Divjake ne tentative per transportuar me avion drejt Italisë sasi droge, ishte nje personazh i njohur per “Le Iene” qe ne 2009. Te ardhur ne Shqiperi prej disa ditesh, ekipi i “Le Iene” eshte futur ne Lazarat ku edhe ka xhiruar sipas gazetarit sasitë e marjuanes ne oborret e banoreve. Per te mos e lene me kaq, italianet kane tentuar te ndjekin te gjithe rrugen e nje qese droge. Por nese thaset e mëdhenj zhduken ne destinacione qe veshtire t’i gjemosh, keto 180 kilograme marijuane dhe 6 kilogramë heroine u dogjen kete te premte buze lumit Erzen ne Tirane. Aksioni i cili u xhirua edhe nga “Le Iene” erdhi pas vendimeve te gjykates se Krimeve te Renda.  200 mije euro do te ishte vlera e kesaj sasie sot ne tregun vendas, shumëfishi i çmimit me te cilin blihet ne Lazarat, pasi siç Pelazza tregon 1 kg hashash mund ta blesh me 200 euro. Pyetja qe ai ngre eshte: Interesat e kujt fshihen pas ketij trafiku?

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...