2016-08-05

Bibliotekat dhe pushteti

librat
Nga Enton Bido

Lajmi se Këshilli Bashkiak i Korçës paska vendosur këmbim ndërtesash, domethënë Këshillin Bashkiak ta zhvendosë në mjediset e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” dhe anasjelltas është pak të quhet skandal. Një nga bibliotekat publike më në zë në vend në një qytet me kulturës dhe traditë të vjetër librore, të bjerë në këtë nivel?

Kur e kam vizituar këtë institucion, bibliotekistet ankoheshin për pagën e ulët, ndërsa unë i sugjeroja shkëputjen e vartësisë nga Qendra Kulturore dhe daljen drejtori më vete, çka do t’i jepte më shumë kompetenca, financa të pavarura dhe pavarësi institucionale. Këtë e kemi nga përvoja e Bibliotekës Publike të Durrësit, që, me sa di është e vetmja që është shkëputur prej vitesh nga Qendra Kulturore. Ky qe thjesht një sugjerim, pasi ka dhënë fryte dhe është në logjikën e thjeshtë. Aty mësova edhe faktin që pasurimi me libra të rinj bëhej vetëm një herë në vit. Për fat të keq kjo ndodh në disa nga bibliotekat e mëdha publike (bashkiake. Ka qytete më të vegjël që mund të kenë 20 vjet pa blerë as edhe një libër të vetëm. Thjesht mbajnë fondet e vjetra, që doemos qarkullojnë gjithnjë e më pak dhe shtojnë atë fond të vogël vetëm me libra të dhuruar. Kur, tash pas 6-7 muajsh, lexoj që Këshilli Bashkiak i Korçës e paska marrë këtë vendim që në 2014-ën. Çudi dhe turp njëherësh! Shpresojmë që pushtetarët vendor, edhe nën trysninë e qytetarëve kulturëdashës të qytetit të njohur t’i venë gishtin kokës.

Në Pogradec edhe më keq akoma. Nga katër specialiste kishin mbetur vetëm dy, pasi aty e kishte parë të arsyeshme bashkia të bënte shkurtime. Pasurimi zero, tavani po gërryhej përditë nga lagështia e, donte Zoti nuk u binte në kokë, siç pat ndodhur tri herë në Durrës. Pagesa nën minimumin jetik. Kjo është të vesh kujën. Dhe të mendosh që biblioteka mban emrin “Mitrush Kuteli”, ndërsa Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”. Po të ishin gjallë, të dy këtyre shkrimtarëve të mëdhenj do t’u vinte ndot nga kjo gjendje.

Në Berat po bëhet e anasjellta e Korçës. Biblioteka Publike “Vexhi Buharaja” po mbaron rikonstruksionin dhe, ndërkohë, sa të kryhet i plotë ai është zhvendosur përkohësisht në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”. Aty së paku vijojnë rregullisht veprimtaritë me librin. Problem ka qenë marrëdhënia me rrjetin bibliotekar online www.cobiss.net dhe heqja e pamotivuar e një specialisteje.

Në veri të vendit, ka një gjallërim të ndjeshëm biblioteka “Gjergj Fishta” e Lezhës në drejtim të gjetjes së financimeve. Edhe veprimtaritë me librin vazhdojnë me sukses traditën e mëhershme. Në kushtet e varësisë nga qendra kulturore, titullarja e re ka kërkuar dhe gjetur donacione, apo sponsorizime nga kompani të mëdha private, apo banka, të cilat fatmirësisht i janë përgigjur thirrjes. Kështu ka rinisur pasurimi i fondit libror, që kishte rreshtur prej kohësh.

Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës është ndër të vetmet, në mos e vetmja nga bibliotekat publike (qytetëse) me një faqe të sajën online. Dhe ajo pasurohet vazhdimisht me rubrika të ndryshme, ku ndër më të vyerat është digjitalizimi dhe hedhja me tekst të plotë – full text – e periodikëve të vjetër, sidomos atyre të viteve ’30. Këtë përvojë shumë të mirë, pavarësisht se me vonesë po e pason tashmë edhe BK e Shqipërisë.

Për ta mbyllur me Tiranën, duhet thënë se Biblioteka Kombëtare do të marrë disi më lirshëm frymë me kthimin e mjediseve të dhëna privatëve. Edhe ajo është e mbingarkuar dhe bën detyra që funksioni i saj nuk i përmban fare. Ndërtimi i një biblioteke publike për Tiranën është domosdoshmëri, pasi ato pak biblioteka lagjesh nuk mund të përballojnë fluksin e përdoruesve të kryeqytetit afërsisht njëmilionësh.

Në fund të këtij shkrimi, shpresoj që së afërmi të nisin punimet për Sheshin e Drejtësisë në Durrës, ku thuhet se do të përfshihet edhe ndërtesa e re e bibliotekës. Nëse ka trysni dhe përgjegjësi qytetare, e cila deri tash ka qenë e zbehtë, pushteti edhe ndërgjegjësohet dhe nuk rri mospërfillës. Shpresoj që ky vullnet e kjo ndërgjegje të zgjohet përfundimisht. Kështu do të jetë më mirë edhe për qytetet tona, edhe për librin e materialet bibliotekare, në letër apo elektronike qofshin. Edhe pushteti ndoshta do ta kuptojë se nga dija vijnë vetëm përparimi dhe përfitimet dhe jo andrallat dhe shpenzimet.

*Bibliotekist, shkrimtar, n/kryetar i Konsorciumit të Bibliotekave Publike dhe Universitare të Shqipërisë

Analiza e njëanshme e burimeve historike

Doan Dani
Nga Doan Dani*

Pjesë e celebrimit të pesëqind vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, që i shërbente regjimit të Enver Hoxhës si mekanizëm legjitimues dhe konsolidonte te masa një memorie kolektive (të vetmen e lejuar) të standardizuar, nuk mund të mos ishte kodifikimi historiografik i Skënderbejadës, duke e analizuar atë fazë nga plane të ndryshme dhe filtra të njëjtë e natyrisht duke shqipëruar disa burime të kohës. Koço Bozhori në 1967 dhe Selami Pulaha një vit më vonë sollën në shqip, me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, fragmente nga një sërë burimesh osmano-bizantine të fokusuara në shek. XIV-XV. Që prej punës së palodhur të dy studiuesve nuk është bërë më asnjë hap në pajisjen me një aparat kritiko-analitik sado minimal të këtyre burimeve, të cilët vijojnë të citohen si Fjalë e Shenjtë nga kushdo që ka akses e mund të ndjehet i zanatit sepse ka gjetur kutinë e lodrave të historianit, ndërsa shfleton ose transporton copy-paste materiale të formatuara kryekëput për nevoja ideologjike, për më tepër me metoda shkencore anakronike.

«Qëllimi ynë është të bëjmë të njohur lexuesit dhe studiuesit me të dhënat faktike si dhe me mënyrën se si i kanë parë feudalët turq luftërat e popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e pavarësinë e vet kundër pushtimit osman», shkruan Pulaha në parathënien e kolazhit të rrëfimeve osmane, duke evidentuar filtrin përzgjedhës të burimeve. Pas konsideratave rreth armiqësisë dhe përçmimit ndaj shqiptarëve të përshkruara në këto burime, Pulaha gjithashtu nxjerr në pah edhe një mënyrë leximi specifike teksa pohon se «fjalët fyese të përdorura nga këta autorë janë në të vërtetë lëvdata më e madhe për popullin shqiptar», sepse konfirmojnë heroizmin dhe martirizimin.

Në harmoni me titullin e librit dhe me metodën historiografike dominuese, edhe Bozhori e konsideron rëndësinë e burimeve duke përdorur dhunën dhe konfliktin në përgjithësi si parametra përcaktuese, dhe kapitujt vërtiten rreth emërtimeve të tilla si «disfatë» – e sulltanëve natyrisht –, «invazion», «barbarizëm», «masakër», «pushtim». Përshkrimi i dhunës merret si fakt i pakontestueshëm, kurse prania e saj propozohet si njësi matëse identitare e Vetes kolektive dhe e Tjetrit. Pra, thënë ndryshe, fokusi i historiografisë shqiptare, i shprehur përmes këtyre përkthimeve, duhet të jetë qëndresa, dhe, kuptohet, çdo gjë e lidhur me të, nga dhuna tek urrejtja, prej ku ndërtohet imazhi i Tjetrit. Për të pasur një panoramë koherente të Tjetrit nevojitet një mpiksje e rrjedhës historike, duke e shndërruar dinamizmin e kohës në çastin e fiksuar nga fotografia, mundësisht me sfond, personazhe, simbologji e mesazhe përherë të njëjta.

Përkundrazi, në vend të analizës së teksteve, informacionet përqendrohen rreth autorëve. Si Pulaha ashtu edhe Bozhori japin disa të dhëna të thukëta rreth tyre, duke mos kursyer nënvizimin e përkatësisë klasore dhe njëanshmërisë. Fundja as për Marin Barletin, burimi më i cituar rreth epopesë së Skënderbeut, përveçse më i njohuri e njëkohësisht më i huaji – ndryshe nuk shpjegohet arsyeja e histerisë kolektive sa herë që heroit i vihen në dukje plaçkitjet, të cilat vepra barletiane i paraqet me detaje –, nuk është regjistruar ndonjë hermeneutike cilësore, për të mos thënë pastaj se parathënia analitike e Stefan Priftit, përkthyesit të Skënderbeut barletian, megjithëse relativisht e vëllimshme, është dogmatike dhe synon ta certifikojë veprën si objektive e jo ta analizojë: «Nuk kemi ndër mend të merremi me punën e vlerës historike të të dhënave të Barletit në mënyrë të hollësishme», shkruan Prifti, sepse «e para, s’është kollaj të shpikësh një Skënderbej […]; e dyta, sepse Skënderbeu jeton ende i gjallë […]; e treta, sepse ne e pamë që Barleti udhëhiqet nga parimi i të vërtetës […]; e katërta, sepse, në qoftë që Barleti e tepron […], kjo nuk do të thotë se ai shpik apo gënjen». Në këtë mënyrë ajo do t’i funksionojë madhërimit të qëndresës, martirizimit dhe barbarizmit të pushtuesit.

Nuk shmanget aspak prej këtij objektivi citimi i memorieve të Kostandinit, jeniçerit serb nga Ostrovica, në Skënderbeun e Aurel Plasarit. Pasi i ka përshkruar osmanët ekskluzivisht si shkatërrimtarë të etur për zjarr, gjak e seks, Plasari ironizon: «Ky të jetë qytetërimi “i ri”, madje “më i përparuari”, që pushtuesit turq sillnin në viset e Europës jug-lindore?! Ejani e kuptojeni, po qetë të zotët». Në fakt s’mund të jesh i zoti, ka të drejtë, sepse vetë materiali i ofruar për gjykim, aq më tepër në përfundimet e librit, është përzgjedhur ekskluzivisht për të zhdukur çdo hije qytetërimi. Por nëse objektivi ka qenë gjykimi mbi realitetin e shek. XV, atëherë panorama duhej të ishte më e plotë, dhe i cituari jeniçer nga Ostrovica e krijon këtë mundësi, siç ka vënë re Franz Babinger, i cili i vlerësonte Memoriet si shumë të vyera në lidhje me situatën perandorake të viteve 1451-1463, sepse qëllimi i Kostandinit ishte përshkrimi sa më i detajuar e real i organizimit osman, në mënyrë që të lehtësohej sulmi ndaj tyre: «Në fillim duhet të dihet se perandori [Mehmeti II] i mban nën zotërim të sigurt të gjithë kështjellat e tokave të tij përmes garnizoneve të jeniçerëve […]. Nëse doni të përgatiteni kudër turqve mos u rëndoni me armë». Me fjalë të tjera, autori rreket të prodhojë një “hartë” kulturore, politike, sociale e institucionale të perandorisë në ngritje, duke pohuar që në krye të shënimeve se ai është i krishterë dhe qartazi antiosman: «Siç besojmë, ashtu marrim Pagëzimin e shenjtë në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Dhe nga Krishti quhemi të krishterë, për nder të Zotërisë sonë. Prandaj, e adhuruara Trini e Shenjtë, lutemi për mëshirën tënde të shenjtë, denjo t’i ndihmosh të krishterët e tu dhe largoji paganët [osmanët] e mallkuar. Amen». Kësisoj, Memoriet rezultojnë potencialisht më afër realitetit – aq sa mund ta njihte përçuesi i tyre – në fragmentet narrative të “hartës”, pikërisht pjesët e ndëshkuara me indiferencë në traditën historiografike shqiptare, dhe jo rastësisht lexuesi i Skënderbeut të Plasarit do rastisë në Kostandinin si referencë i ndonjë fushate ose i pabesisë sulltanore të nënkuptuar si qytetërimore, siç është rasti i vijues, ku i propozohet Bosnjës armëpushimi e njëkohësisht dërgohet një ushtri për ta nënshtruar: «Një ditë jeniçeri ka vajtur në depon ku ruhen thesaret e oborrit të sulltanit, tek shërben vëllai i tij, kur aty ia mbërrijnë papritmas dy këshilltarët e sulltanit, Mahmut Pasha dhe Is’hak Pasha. I hequr m’anësh për të mos rënë sy, jeniçeri dëshmitar mban vesh bisedën e dy dinjitarëve të lartë të ulur këmbëkryq në sixhade, teksa kuvendojnë për Bosnjën».

Episodi, i cili sfidon edhe serialin Ertuğrul, kondenson pjesët e një formati narrativ klishe – ‘një ditë’, ‘në depo’, ‘papritmas’, ‘këshilltarët’, ‘rënë në sy’, ‘mban vesh’, ‘këmbëkryq’, ‘sixhade’, ‘kuvendojnë’ –, që nuk mjafton për t’i zhvlerësuar, megjithëse një hije e fortë dyshimi duhej të ishte alarmuese për çdo studiues, për më tepër të një vepre të deklaruar përçmuese që në hapje: dy dinjitarë të lartë (këshilltarë) «kuvendojnë» të ulur në «sixhade», brenda në një «depo», dhe aty, ata, ashtu, vendosin fatet e ushtrive dhe të politikës perandorake. Nga njëra anë kemi përherë Skënderbeun që merr vendime, dhe maksimumi këshilltarët e tij shërbejnë si dekor, nga ana tjetër kemi perandorinë trashëgimtare të Bizantit, një superfuqi e kohës në të gjitha aspektet, të cilën perandori-sulltan e udhëheq personalisht në betejë, por fijet e historisë i lëvizin ca këshilltarë nëpër depo. Në formë e përmbajtje të krijon përshtypjen e ngjashmërisë me secilën nga ato karikaturat narrative të Orientit të cilat Said-i i ka shkëputur prej personaliteteve të shumta të trajtuara prej tij, madje, në disa aspekte, është tekstualizimi i pikturës së Giuglio Rosati-t (Arabët duke luajtur tavllë) që Feltrinelli ka përzgjedhur si kopertinë për edicionin italian të Orientalizmit, dhe ka të gjitha tiparet e riciklimit të një orientalizmi që dikur zgjatej nga Perëndimi për t’u banalizuar në publicistikën shqiptare të viteve ’20-’30 e cila në mediokritetin e sotëm është kthyer në fetish të një pjese të ligjërimit publik, si për të konfirmuar se jetojmë intelektualisht në fillimet e shek. XX e mos edhe më tutje.

E teksa për barbarin e përhershëm zhdoganohet çdo burim me kushtin që e certifikon si primitiv dhe informacionet e tjera nga të njëjtat burime anashkalohen tërësisht, sapo diçka prezantohet kundër dogmës në përshkrimin e Vetes kolektive, (1) ose merr status lavdërimi, siç e gjykonte Pulaha, (2) ose shpallet armiqësore e për rrjedhojë duhet ndëshkuar, siç kërkonte Kristo Frashëri nga shteti, në formë mospunësimesh apo pushimesh nga puna (dhe këto metoda, për ta kulmuar ironinë, valëviten prej atyre që postojnë në facebook shkeljet e lirisë në Turqi), (3) ose nis e merr jetë një refuzim “kritiko-analitik” i burimit, siç përpiqet të bëjë Plasari kur çmonton pretendimin se Skënderbeu ka qenë prej “çunave” të abuzuar seksualisht nga Murati II (dhe kjo pasi vetë Plasari i ka prezantuar sulltanët minimumi si perversë të pakufi), duke arritur në përfundimin se referuesi i këtij “fakti”, Halkokondili (i cili sigurisht ka më autoritet se Barleti), prirej «për ta lexuar termin greqisht “παιδικα” jo “favorit”, “benjamin”, ose “kanakar”, por me ngjyresë pejorative». Pra, kur nevojitet, zbulohet se ekzistojnë ngjyresa «pejoravite» në të njëjtat burime që, përkundrazi, nuk qenkan (apo nuk duhet të jenë) asnjëherë të tilla kur përshkruajnë osmanët. Tani, vërtetë «ejani e kuptojeni, po qetë të zotët», se çfarë ka historiografike produkti i legjitimuar nga kjo lloj analize burimore e kodifikuar gjatë regjimit dhe e zvarritur pas tij.

*historian

Kundër rrymës: Anëtarësia partiake, partitë politike dhe shoqëria në Shqipëri

Nga Anjeza Xhaferraj
Nga Anjeza Xhaferaj*

Besimi te politika në Shqipëri është në rënie të vazhdueshme. Edhe në Europë dhe në vendet e tjera demokratike, ndodh e njëjta gjë. Ndërsa në Europë dhe kudo ka rënie të anëtarësisë partiake, në Shqipëri ka një rritje të çuditshme të kërkesës për anëtarësim, shkruan Xhaferraj.

Gara elektorale në Shqipëri, shoqërohet pashmangshmërisht me garën e anëtarësimeve frenetike në partitë politike. Turma të rinjsh plot entuziazëm filmohen sa nga njeri cep i vendit në tjetrin, teksa marrin kartën e anëtarësisë, indikator ky i besimit të patundur te partia për një të ardhme të ndritur dhe shpresëplotë. Në zgjedhjet e fundit, sipas të dhënave të deklaruara nga partitë politike, Partia Socialiste kishte rreth 73,000 anëtarë, Partia Demokratike rreth 100,000 anëtarë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rreth 31,000. Teksa shifrat e deklaruara nga partitë politike merren përgjithësisht me rezervë, për shkak se krerët e partive tentojnë të deklarojnë shifra që janë më të larta se sa realet për të treguar se kanë mbështetje të gjerë e për pasojë legjitimitet, shifrat e deklaruara janë megjithatë pranë të vërtetës.

Natyrshëm lind pyetja: A është shenjë e mirë kjo e anëtarësimeve të larta në partitë politike shqiptare? Nëse vendosim t’iu besojmë shifrave, partitë politike shqiptare kanë rreth 12% të elektoratit të anëtarësuar në radhët e tyre, shifër kjo shumë më e lartë se ajo e vendeve të Evropës Perëndimore apo edhe e vendeve postkomuniste. Të jenë vallë më të lidhura me shoqërinë partitë politike shqiptare se sa simotrat e tyre në Perëndim?

Vitet e fundit, anëtarësia në partitë politike në vendet e Evropës Perëndimore ka përjetuar një erozion aq të madh, sa natyrshëm lind pyetja: A është anëtarësia partiake ende e rëndësishme për sistemin politik në Evropë? Studimet tregojnë se përgjithësisht partitë politike në Evropë arrijnë të anëtarësojnë vetëm 4.7% të elektoratit, shifër kjo ndjeshëm më e ulët sesa në rastin e partive politike shqiptare. Ndërkaq, shkalla e organizimit në vendet postkomuniste është ndjeshmërisht më e ulët sesa në vendet e tjera në Evropë: pothuaj të gjitha demokracitë postkomuniste janë nën mesataren Evropiane, duke pasur një ankorim partiak në elektorat që vërtitet në vlerat e 2-2.5%, gjë që e nxjerr Shqipërinë jashtë grupit të vendeve me të cilët ndan të shkuarën komuniste.

Përgjithësisht, numri i anëtarësisë tregon lidhjet e partisë me elektoratin: sa më të larta shifrat e anëtarësisë, aq më e fortë lidhja e partisë me elektoratin. Në këtë kontekst, arsyeja se pse vendet postkomuniste kanë një lidhje kaq të dobët me elektoratin, ka të bëjë me mungesën e ndarjeve të qarta tradicionale në shoqëri (sistemi komunist i sheshoi të gjitha dasitë klasore, duke e bërë të pamundur identifikimin e grupeve të ndryshme në shoqëri). Megjithatë, si demokracitë e reja ashtu edhe ato të vjetra kanë të njëjtin trend: shifrat e anëtarësisë zvogëlohen nga njëri vit në tjetrin. Arsyeja për këtë rënie ka të bëjë me krizën aktuale të besimit që qytetarët kanë ndaj partive politike. Në vendet postkomuniste, pas entuziazmit të parë për demokracinë, shumë qytetarë u larguan prej politikës edhe për shkak të trashëgimisë komuniste që la një ‘shije të hidhur’ për pjesëmarrjen në politikë dhe vullnetarizmin.

Atëherë, pse Shqipëria qëndron veç vendeve të tjera? Pse të rinjtë rendin të anëtarësohen në partitë politike? Tradicionalisht, anëtarësia ka shërbyer si një ‘pishinë’ burimesh njerëzore për të plotësuar vendet vakante në hierarkinë partiake. Po kështu, anëtarësia, përmes kuotizacionit, ka shërbyer edhe si një burim financiar për aktivitetin partiak. Së fundmi, anëtarësia ka shërbyer edhe si një ‘zinxhir transmisioni’ për të shpërndarë mesazhin e partisë: prej qëndresës në cepat më të largët të vendit. Në një analizë sipërfaqësore, lehtësisht mund të vihet re se anëtarësia e partive politike shqiptare ka reshtur së kryeri dy funksionet e fundit: të ardhurat e partisë nga anëtarësia janë ose zero ose afër zeros dhe televizioni, facebook dhe twitter kanë zëvendësuar rolin e gazetës partiake, duke e bërë të panevojshëm rolin e anëtarësisë në shpërndarjen e lajmit.

Sërish pyetja: Pse rendim pas partive politike kur nuk kemi besim dhe kur nuk na përfaqësojnë? Si ia dalin partitë politike shqiptare ta integrojnë elektoratin në shifra kaq të larta? Në mungesë të atashimeve programatike dhe besimit, i vetmi faktor që shtyn të rinjtë të rreshtohen politikisht është se partitë politike shqiptare janë klienteliste dhe si të tilla ato shpërblejnë me vende pune vetëm mbështetësit e tyre. Andaj, shkëlqimi i partive politike shqiptare nuk është gjë tjetër, veçse mjerimi i demokracisë shqiptare.

*pedagoge, UET

A mund të humbë Trump?

Julian Zyla

Nga Julian Zyla

“Cinco de Mayo” (shqip: 5 Maj) është një festë në Meksikë. Festohet gjerësisht edhe në Shtetet e Bashkuara, nga meksikanët dhe jo vetëm. Këtë vit u shënua edhe nga Donald Trump. Ai publikoi një foto në media sociale, duke ngrënë ushqim meksikan dhe duke deklaruar: “Unë i dashuroj hispanikët”.

Vetëm pak muaj më parë, në fjalimin hapës të fushatës së tij për president, mes ofendimesh të tjera për hispanikët, ai ishte shprehur se “meksikanët… janë përdhunues”. Të kuptohemi, të pozosh me ushqim tradicional meksikan në atë që në SHBA shihet si dita për të nderuar kulturën dhe trashëgiminë hispanike është thjesht një tjetër lloj ofendimi, por ajo që ka rëndësi është sinjali që Trump po jep. Tashmë, kur pritet vetëm zyrtarizimi i triumfit të tij brenda Partisë Republikane, ai është gati të ndryshojë rrënjësisht mesazhin e tij politik.

Deri tani ai u ka thënë kundërshtarëve republikanë ato që nuk donin të dëgjonin dhe elektoratit republikan gjithçka që donte të dëgjonte. Tashmë, është gati t’i thotë demokrates Hillary Clinton gjithçka që nuk do të donte të dëgjonte dhe elektoratit amerikan gjithçka që dëshiron të dëgjojë. Aftësitë në komunikim tashmë i ka treguar. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh se sa shumë është kritikuar, është thuajse e pamundur që ndaj tij të ngjisë kritika: “Trump po ndryshon qëndrim. Ja çfarë ka thënë më parë”. Atëherë, a mund të humbë Trump?

Akuza për ndryshim të qëndrimeve politike ishte një nga thembrat e Akilit e z. Mitt Romney, kandidati republikan që humbi zgjedhjet ndaj Presidentit Obama në vitin 2012. Por me z. Trump kemi një tjetër nivel të populizmit. Mund ta quajmë trumpulizëm. Ky fenomen dhe ky kandidat është kritikuar e dënuar me deklarata të forta nga njerëz publikë jo vetëm brenda Amerikës, por edhe nga përtej oqeaneve. Duket qartë se do të jetë dhe një nga misionet strategjike të zonjës Clinton në këto zgjedhje. Por a përkthehen kritikat ndaj Trump në fitore ndaj tij? Mund të pyesim për këtë rreth 16 ish-kundërshtarët e tij republikanë.

Sondazhet janë krejtësisht kundër mundësisë së një fitoreje të Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme. Por, a nuk është herët për t’u dhënë rëndësi këtyre numrave? Partia e tij sapo ka nisur të shprehë mbështetjen ndaj tij. Dhe mesazhi i tij trumpulist ende nuk i është drejtuar mirë elektoratit të gjerë. Kur kjo të ndodhë, a do të mjaftojë për ta ndalur t’iu kujtohet njerëzve se çfarë ka thënë më parë? “Edhe Hillary po thotë gjëra të ndryshme nga çfarë ka thënë më parë,” do të mund të jetë një nga përgjigjet e tij.

“Unë i respektoj gratë në maksimum. I dua shumë hispanikët. Le ta bëjmë Amerikën të madhërishme sërish, të gjithë së bashku”, mund të jenë disa mesazhe të tjera. A mund të humbë Trump nëse këmbëngul me fjali të tilla?

Sigurisht, kemi faktin që shumë amerikanë thonë në sondazhe se do të preferonin disa lloje sëmundjesh më shumë sesa Trumpin president. Por ata kanë vetëm nga një votë në dispozicion. Shumë të tjerë nuk e ndjekin nga afër politikën. Madje, shumë njerëz, mund të mos e kenë ndjekur fare fushatën deri tani. Këta janë publiku i radhës i trumpulizmit.

Strategjia e Donald Trump në zgjedhjet paraprake ishte brilante. Ekstremizmi ishte e vetmja hapësirë për të dhe ai u fut, duke nxjerrë gjithë të tjerët nga pishina. E dinte që, për të bërë lajm, duhet të ofendonte emigrantët. E bëri. E dinte që, për të bërë lajm, duhet të sulmonte kundërshtarët. E bëri, me suksesin si rezultat.

Tashmë, Trump e di që duhet të ndryshojë përmbajtjen e mesazhit. Po nis ta bëjë, duke ngrënë ushqim meksikan, ose të paktën duke pozuar me ushqim meksikan. Duke thënë se i respekton shumë gratë. Duke thënë se i do hispanikët. E mbani mend që ka thënë se “meksikanët… janë përdhunues”? Për një moment e harruam, apo jo? Kështu mund ta harrojnë, ose mund ta falin, dhe ata që do të vendosin të votojnë për kandidatin e Partisë Republikane në zgjedhjet e radhës në Shtetet e Bashkuara. Pra, siç kuptohet, pyetja nuk është a mund të fitojë Trump.

Fol shqip!

Holta Heba

Nga Dr. Holta Heba

Gjuha, si mjet i rëndësishëm në komunikim është edhe një përfaqësuese, apo identifikuese e formimit të gjithsecilit nga ne.

Sa e rëndësishme është të përdorim një gjuhë të pastër në komunikim?

Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e saj, në kontekste dhe situata të ndryshme. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Një gjuhë e keqpërdorur na shpie drejt keqkuptimesh dhe moskuptimesh, të cilat nuk do të na sillnin asnjë komunikim të realizuar. Është e ditur se në kontekste të ndryshme, ne nuk përdorim të njëjtën formë gjuhësore. Çdo gjë varet nga bashkëbiseduesi që kemi përballë. Për shembull, në komunikimin me fëmijët ne nuk përdorim të njëjtën gjuhë si me të rriturit. Sigurisht komunikimi me fëmijët kërkon fjalë dhe fjali të thjeshta. Megjithatë, edhe në disa raste në komunikimin mes njerëzve të rritur dhe të mirëformuar për nga ana kulturore dhe gjuhësore, ndodh që vështirësia në kuptimin e asaj që thuhet bëhet shumë e madhe. Një fenomen që vështirëson komunikimin mes dy individësh të së njëjtës kulturë dhe gjuhë, është dhe përdorimi i fjalëve të huaja gjatë bisedës, intervistës apo fjalimit. Shkalla e vështirësisë për të kuptuar bëhet edhe më e madhe, kur flitet për një publik masiv. Disa individë të mirënjohur nga publiku shqiptar, përdorin shumë fjalë të huaja gjatë bisedave, intervistave apo referimeve të tyre në publik. Përdorimi i fjalëve të huaja nuk sjell vetëm rrezikun e moskuptimit të asaj që thuhet për audiencën, por edhe rrezikun për t’u dukur shumë shëmtuar si pasojë e një përdorimi të gjuhës jo të saktë.

Si ndodh kjo?

Jemi të vetëdijshëm se shumë fjalë të huaja kanë hyrë në fjalorin tonë të përditshëm. Kjo për arsye se shumë elemente dhe fenomene të huaja, që nuk u përkasin traditave dhe origjinës sonë, vijnë bashkë me emërtimin përkatës. Fenomeni apo elementi i huaj futet në kulturën tonë bashkë me emërtimin. Në shumë raste, arrin të gjendet emërtimi i përshtatshëm nga gjuha burim në gjuhën e shënjuar, por në raste të tjera, edhe pse gjendet ekuivalenca e duhur, fatkeqësisht nuk përdoret.

Le të përmendim disa raste të përdorimit të fjalëve të huaja nga disa VIP-a, politikanë, biznesmenë, apo drejtues të lartë institucionesh publikë apo privatë, të cilët në të folurin e tyre në media përdorin fjalë të huaja. Janë të shumta arsyet pse e bëjnë këtë gjë, por një nga më thelbësoret është që ata të duken “gjoja” më modernë apo më të kohës. Në fakt, nuk është ashtu. E vërteta është se mospërdorimi i një gjuhe të pastër shqipe në komunikim të ngushtë apo masiv, nuk e bën më të famshëm apo më të ditur një drejtues.

Për fat të keq, teksa dëgjojmë gjuhën që përdorin shumë individë të mirënjohur shqiptarë, nuk mund të rri pa reaguar për një gjuhë të pastër shqipe. Sigurisht që nuk mund të hidhen poshtë vitet e shkollimit të tyre në shumë vende perëndimore prej nga mund ta kenë prejardhjen edhe shumë fjalë të huaja të përdorura në fjalorin e tyre, por megjithatë, përpjekja për të përdorur një gjuhë të mirëfilltë shqipe nuk duhet të jetë pengesë në komunikim. Një e folur e qartë me fjalë të përzgjedhura të gjuhës shqipe, do të sillte një komunikim shumë të arrirë dhe një mesazh të përcjellë saktë. Në fund të fundit, çdonjëri nga ne do të dukej edhe më interesant për publikun e gjerë ose jo, nëse në një komunikim në gjuhën shqipe gjenden fjalët e duhura po në shqip.

Disa shembuj të përdorimit të fjalëve të huaja në media të disa personave publikë dhe zëvendësimi i tyre.

synon të mbajë up standardin = synon të mbajë lart standardin
ky projekt do të implementohet = ky projekt do të zbatohet
një kooperim i frytshëm = një bashkëpunim i frytshëm
distributori në Shqipëri = shpërndarësi në Shqipëri
ishte full me njerëz = ishte plot me njerëz
ilaçet do të jenë free = ilaçet do të jenë falas
shumë nice = shumë e këndshme
transmetim live = transmetim i drejtpërdrejtë
Shembuj të tillë të ngjashëm mund të gjenden pafund, teksa dëgjojmë përdorimin pa kriter të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, në bisedat, intervistat, apo referimet mediatike të njerëzve publikë në Shqipëri. Ndërfutja e fjalëve të huaja nuk e bën individin të duket më i formuar apo më afër me botën. Përkundrazi, ndihet një lloj shëmtimi në të folur, si dhe mesazhi nuk vjen aspak i qartë dhe sipas standardit të gjuhës shqipe, sidomos në rastet e audiencave të gjëra publike.

Fol shqip, që të kuptohesh. Fol shqip, që të dukesh bukur. Fol shqip, që të pranohesh.

*Universiteti Europian i Tiranës

Erotizimi i hapësirës publike nga gratë

Gilman Bakalli


Nga Gilman Bakalli

Sapo dielli ngroh ajrin, çlirohemi nga rrobat. Palltot dhe xhaketat dimërore i hedhim gëzueshëm mënjanë. Ky akt nuk është thjesht një ndërrim puplash. Ngrohtësia e ajrit pranveror na jep mundësinë të shfaqim çfarë kemi fshehur gjatë dimrit. Sidomos gratë e vajzat, të cilat joshin me dekoltetë dhe streçet e tejdukshme. Me fustanet e tyre, që më shumë zbulojnë se mbulojnë. Me lloj-lloj tekstilesh fine që theksojnë mrekullisht kofshët dhe vithet e tyre. I gjithë ajri pranveror kthehet kështu në një spektakël të vërtetë formash e ngjyrash femërore. Një festë e jashtëzakonshme për shqisat njerëzore. Sidomos për sytë e mashkullit. E njëkohësisht, bashkë me këtë larmi ngacmimesh, një farë presioni ndihet në ajër. Një lloj tensioni, i cili shpeshherë e prish festën me diskutimet që nxit në publik në lidhje me pasojat e një veshjeje të tillë.

T’i marrim gjërat me radhë. Zakonisht burrat qortohen publikisht sepse duke i lakmuar gratë për shkak të veshjes së tyre provokuese (në gjykimin e tyre), i reduktojnë ata në objekte qejfi seksual. Unë them se ekuacioni është ndryshe: Mos janë vetë gratë dhe vajzat, të cilat me veshjen e tyre, dekolte, minifunde, fustane të hapura anash, para e prapa, streçe të tejdukshme, e erotizojnë hapësirën publike? Mos janë vetë gratë dhe vajzat, të cilat, me veshjet e tyre, seksualizojnë veten dhe hapësirën publike, pa pasur aspak si qëllim që me këtë apo me atë veshje të eksitojnë burrat?

Le të flasim hapur. Instinkti seksual ekziston. Ekziston si fakt dhe jo si konstrukt social. Njerëzit reagojnë ndaj sinjaleve erotike dhe ky reagim është jashtë kontrollit të vullnetit të tij. Njeriu zotëron vullnetin e lirë për të vendosur të mos e kthejë në veprim reaksionin e tij ndaj erotizimit. Kjo prodhon tension, në ato raste kur kënaqja e instikteve nuk lejohet. Si rregull, ky tension është i përhershëm dhe, si rregull, çdo mashkull i rritur duhet të mësohet ta menaxhojë në mënyrë të shëndetshme këtë tension. Çështja është nëse është e përshtatshme që ky tension të ngacmohet akoma më tepër përmes një veshjeje, e cila më shumë zbulon se mbulon, përmes një mode, e cila provokon sipas dialektikës “zbulo duke mbuluar”. Jam i bindur se në momentin që po e artikuloj këtë pyetje, reagimi femëror është i llojit “ah burrat! Mendjen e kanë të gjykojnë veshjet e grave dhe t’u fishkëllejnë nga pas me komente vulgare”! E pranoj që nuk është edhe aq elegante t’u fishkëllesh grave nga pas, porse duhet pranuar që edhe gratë luajnë nje lojë paksa naive ose dinake. Nga njëra anë nxjerrin në pah dhe theksojnë me gjithë talentin e tyre të gjitha format e bekuara që u ka falur Natyra, nga njëra anë e ndiejnë fort mirë reaksionin që shkaktojnë te meshkujt, por nga ana tjetër kjo nuk i pengon ta kërkojnë dhe ta pretendojnë me forcë vetëkontrollin mashkullor. Dhe, nëse burri nuk arrin të vetëkontrollohet por e lëshon shikimin e tij paksa më gjatë seç duhet te dekolteja e kalimtares apo vithet e koleges, atëherë ai është “ai burri si gjithë burrat e tjerë”, banal dhe vulgar, që kërkon te femra vetëm “atë gjënë”, ai burri që, si të gjithë burrat, e redukton gruan në objekt seksual.

Zakonisht në kësi rastesh hidhen jo rrallë në sulm feministet, të cilat i kërkojnë shoqërisë t’ia heqë qafe këta burra të bezdisshëm, t’i ndihmojë ata të mbrohen prej shikimeve dhe komenteve mashkullore të patakta. Sepse konsiderohet seksizëm kur burri i tregon gruas se ai pëlqen ato format që ajo ia ka nxjerrë para syve me veshjen e saj. Sepse fundja çdo grua vishet siç ia pret mendja, thjesht e vetëm për qejf të vet. Sepse fundja çdo grua ndjek modën, sepse ashtu ndihet më mirë, më rehat me veten etj. etj. Por a është e vërtetë që njeriu në këtë shoqëri vishet e mbathet thjesht dhe vetëm për qejf të vet? Sigurisht që jo! Veshja nuk është kurrë një akt neutral. Dhe gratë gabojnë shumë kur mundohen t’ia mbushin mendjen vetes se ato vishen thjesht për qejf të vet, duke besuar me gjithë mend te pafajësia dhe neutraliteti i veshjes së tyre. Dhe gabojnë gjithashtu kur flasin me përbuzje për faktin se meshkujt janë qenie që drejtohen thjesht nga instinkti seksual. E mira do ishte të mendonin se instikti seksual nuk mund të eliminohet nga kjo jetë dhe se të gjithë ne, burra e gra, jemi qenie që përkufizohemi edhe përmes këtij instinkti, edhe pse na e ka qejfi ta quajmë veten si krijesa racionale apo produkte të një kulture sublime me “K” të madhe.

Veshja erotike nuk është e pafajshme apo neutrale. Gratë le të mendohen paksa se çfarë mesazhi duan të japin kur i veshin dhe ta kenë parasysh se çfarë reaksioni shkaktojnë përmes saj. Të jenë të vetëdijshme për ngarkesën erotike që shpërndajnë në ajër dhe tensionin e mundshëm psikologjik mashkullor.

Gra që shiten dhe vriten

Rudina Xhunga


Nga Rudina Xhunga

Në një fotografi të vjetër bardhezi, pashë një grup grash gjysmë të veshura në det. Fotoja është shkrepur në Durrës. Mungon viti, pas saj. Më pas, mësova kush ishin ato gra. Ishin gra të veriut, të cilat, partia komuniste i merrte në besë nga familjet e tyre, prej nga një grua dilte ose e vdekur, ose e martuar.

Ato ishin zgjedhur në çdo shtëpi veriu, për t’u mbledhur në Durrës. Aty, gratë i futën për herë të parë në det.

Ato nuk kishin parë kurrë det më parë.

Fotoja është shkrepur pikërisht në atë moment lumturie bllokuese.

Më treguan, çfarë ndodhi mandej. Gratë u mblodhën në një sallë të madhe dhe gra të tjera nga qyteti, ju mësuan ca gjëra për higjienën personale, për menstruacionet, për shëndetin e gruas, për larjen e fëmijëve, ca gjëra të thjeshta, por që ato i linin gojëhapur. Nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë. Të nesërmen, gratë u nisën për në shtëpitë e tyre, me premtimin se grua pas gruaje, do të kalonin mësimet që morën.

Nuk e di, por e marr me mend; gjëja e parë që gratë u treguan shoqeve, kur u kthyen në kulla, ishte deti. Takimi i parë me detin, që ju ndryshoi jetën.

Kur takova për herë të parë atë gruan 29-vjeçare, nënën e një fëmije 10 vjeç, që ishte veshur me të zeza për të dashurin dhe më pyeste, a mund t’ia merrnin të bijën, meqë kishte dashur burrin e një gruaje tjetër, atë burrë të martuar që e vranë, m’u kujtua deti.

Edhe M. ishte nga veriu. Nga një fshat i harruar, ku kishte mbetur vetëm ajo dhe burri që mori. Bëri një vajzë dhe pastaj i iku burrit dhe fshatit. Bashkë me të bijën 5 vjeç, në Tiranë, në mes të hiçit dhe të panjohurës.

Për pesë vjet ishte e dashura e një burri që e mbante. Më blinte ushqime, më tha. Më paguante qiranë e shtëpisë. Dhe pastaj vajza luante te shkallët, kur ai vinte. Ajo nuk e dinte përkufizimin se çfarë quhej kjo mënyrë jetese, madje as i interesonte të përkufizohej. Mjaftonte që ushqente vajzën dhe i gëzohej tek e vogla rritej.

Për mua, M. ishte skllave seksi. Pa punë, pa shtëpi, pa jetë, në pritje që ai të vinte, rrinte në ballkon. Në ballkon kishte ndodhur pjesa më e madhe e jetës së saj. Duke pritur që ai të vinte.

Gratë si M. janë normalitet tani, në Shqipëri. Kush më e vogël, kush më e re, kush më e pashkolluar, kush më e zgjuar, ato dinë të jetojnë vetëm në këtë mënyrë. Kjo është drama më e madhe e grave të Shqipërisë tjetër, shiten për të jetuar, për të dalë nga fshati, për të parë detin.

Por tani deti për to, nuk është si dikur.

Deti janë vajzat e lira të showbizit të shtirë, shqiptar. Deti janë revistat me gra që flasin për gjëra të pakapshme, për jetë të bukura dhe madhështore. Deti janë telenovelat turke.

Gratë si M. nuk kanë shembuj, nuk kanë informacion, nuk kanë shans të dalin nga bataku.

Ne të medias, kthejmë sytë nga to, vetëm kur vriten, ose vrasin. Nëse ende jetojnë, sido që jetojnë, nuk janë lajm.

Kur dola nga shtëpia e asaj gruaje, që shkova ta intervistoj, e përfundova ta ngushëlloj, nuk kisha asnjë kënaqësi që të jep lajmi, kur ti e gjen e para.

Sapo e hodha atë intervistë, e morën të gjithë, çdo portal, çdo gazetë, e rrëmbyen, e bënë të vetën dhe të nesërmen e harruan. Se të nesërmen vranë Idën.

Idën, që bëri foton e fundit me dorën mbi kokën e së voglës dhe sytë nga djali. Ai 6-vjeçari që bërtiste atë ditë, “babi mos, babi jo”, kur i ati po e ndante njëherë e përgjithmonë nga e ëma. E patë kur doli nga shtëpia, me duart në një përqafim. Ia patë sytë bosh? Duhet t’ia keni parë, keni qarë dhe pastaj psherëtirë e harruar. Se nesër, ka ardhur një tjetër lajm.

Ky vend po prodhon aq shumë fatkeqësi, sa ne nuk kemi kohë të mendojmë gjatë për to. I shkruajmë dhe i harrojmë.

Duke kërkuar lajmin tjetër dhe duke harruar se lajmi tjetër mund të jesh ti.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...