Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/11

CIA zbardh vuajtjet dhe vdekjet e të burgosurve dhe internuarve gjatë regjimit komunist, emrat e sigurimsave në Jug dhe si dhunoheshin fshatarët që nuk bashkëpunonin me ta, ja tmerret që rrëfenin të arratisurit

Shërbimi inteligjent amerikan zbardh të gjitha vuajtjet dhe mjerimet e shqiptarëve gjatë regjimit komunist. Në një dokument të vitit 1952, i deklasifikuar nga CIA, tregohet një panoramë e qartë në vendin tonë në drejtimin e Enver Hoxhës. Dokumenti është i bazuar mbi dëshmi të marra nga individë të ndryshëm që janë arratisur jashtë vendit, kryesisht në Greqi. Ata kanë rrëfyer me detaje situatën në fshatrat dhe qytetet e tyre, duke dëshmuar më së miri situatën shumë të vështirë në vend gjatë kësaj periudhe. Ata tregojnë së pari kushtet e vështira në burgje dhe si shumë individë vdisnin aty dhe në kampet e përqendrimit. Nga ana tjetër tregohet si dhunoheshin individë të caktuar, sepse nuk pranonin të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit. Disa prej personave kanë treguar dhe tmerrin që përjetonin nga agjentët e Sigurimit.

22 maj 1952

CIA merr në pyetje të arratisurit nga Shqipëria në Greqi

Informacione të përgjithshme

Zenel Merxhani, nga fshati Konispol


Në kampin e Tepelenës, sipas informacioneve që ai ka marrë, janë liruar të gjithë të internuarit. Ai ka takuar edhe në Konispol njerëz të liruar nga kampi. Në Beden të Kavajës dhe në fshatin Lekaj, gjatë verës së vitit 1951, 880 njerëz që punonin në kanale u burgosën. Zeneli thotë se i ka parë ata personalisht duke udhëtuar me tren. Muharrem Mulaj dhe Kadri Petriti deklarojnë se në fshatin Arantas në Mallakastër, janë mbledhur të gjitha familjet e reaksionarëve anti-komunistë nga shumë rajone. Ata janë vendosur në disa shtëpi të vjetra dhe lejohen të punojnë në rajonin e Fierit si punëtorë ndërmarrjeje, por nuk lejohen të largohen nga juridiksioni i tyre. Familjet janë të shumta dhe janë në kushte të rënda. Fëmijët lypin në rrugët e Mallakastrës dhe kthehen natën në shtëpi. Këta dy njerëz kanë folur me një të afërmin e tyre nga fshati Çaushli i Maliqit. Në fshatin Konispol, Avni Malo dhe nëna e tij rrihini çdo ditë gruan e... sepse burri i saj nuk pranon të bëhet agjent i Sigurimit si ata. Sipas një ligji të ri të qeverisë së Tiranës, ata që nuk sillen siç duhet në burg do të marrin dyfishin e dënimit. Kadri Petriti dhe Eqerem Faredin Frashëri, të cilët ishin dënuar me pesë vjet burgim në Korçë dhe duhet të liroheshin në 1952, u liruan vetëm në 1957. Eqerem Frashëri nuk i ka shërbyer kurrë komunistëve dhe në burg nuk pranoi të spiunonte të burgosurit për llogari të shefit të burgut. Gjatë luftës Eqeremi edhe pse ishte shumë i ri, ka luftuar për Ballin Kombëtar. Me ligjin e ri komunistët shkurtojnë me tre ditë në muaj dënimin e atyre që bashkëpunojnë me ta.

Informacioni nga i arratisuri Zenel Shaban Merxhani

Merxhani arriti në kampin e refugjatëve në Lavrion të Greqisë më 15 prill 1952, nga fshati i Konispolit. Ai është 53 vjeç, fshatar, ka kaluar kufirin natën e 17 marsit 1952. Merxhani kishte komentet e mëposhtme për situatën në Shqipëri: Shumica e familjeve besnike të Konispolit janë ato të Mustafa Dajlanit, Tefik Musa dhe Musaj. Një muaj më parë në Konispol u arrestuan Skënder Plaku, Muço Kareci dhe Sulo Dajlani me pretekstin se ishin takuar me Sali Dajlanin (i cili është në Greqi) teksa në të vërtetë Sali jeton në Siros.

Rezistenca

Pesë ditë më parë, një kompani ushtarësh erdhi në Konispol dhe u vendos në fund të fshatit pranë shtëpisë së Nimet Malos, që tani është në Greqi. Kompania kishte rreth 100 njerëz dhe 10 mushka. Agjentët e sigurimit në Konispol janë Izet Omari, Kadri Rakipi, Hajri Mane dhe Seit Kurizo, ky i fundit komandant. Fshati ka pesëmbëdhjetë policë të veshur me rroba civile. Në urën e Bogazit ka një postbllok me gjashtë policë që kontrollojnë njerëzit që kalojnë urën, pranë së cilës është rruga Konispol-Sarandë. Ka një urë tjetër mbi lumin Bistricë ku njerëzit kontrollohen.

Kushtet e jetesës

Veshjet dhe ushqimi janë me racione. Kooperativat e Konispolit kanë shumë pak artikuj dhe shumicën e kohës ato mungojnë. Gjatë kohës që punoi për tre muaj në hekurudhën e Rrogozhinës, Merxhani shkoi disa herë në Kavajë ku mësoi se misri shitej me 70 lekë kg, një dele kushtonte 3.500 lekë dhe një kg qumësht kushtonte 50 lekë. Shteti e blinte qumështin nga fermerët me 25 lekë litrin.

Largimet dhe siguria

Njëfarë Hasam Belloja nga Konispoli, i cili prej ndjekjes së komunistëve u largua për në Kavajë. “Edhe u largova dhe meqenëse nuk kam të afërm në Shqipëri u bëra punëtor hekurudhe. Kur isha aty humba letër-njoftimin kështu që bëra një deklarim në zyrën e Kavajës dhe erdha në Konispol. Në Konispol një punonjës i shtetit më tha të shkoja përsëri në Kavajë për të marrë dokumentet e tjera nga dega e Ministrisë së Brendshme. Teksa prisja një rast për t’u larguar shkova në një dasmë në fshatin Ninat. Prej andej shkova në Shëndelli, ku kalova kufirin dhe u dorëzova te autoritetet greke në Pleshavice. Aty ishte pyll dhe pashë mina, por kalova nga një gur në tjetrin dhe shpëtova. Autoritetet greke më çuan në Lavrion”. Shënim: I lartpërmenduri është fshatar dhe i paaftë të japë informacion të saktë, prandaj u bënë vetëm pyetje të përgjithshme.

Marrje në pyetje e të arratisurit Xhevdet Malo

Refugjati Xhevdet Malo nga Konispoli dhe ish-punonjës i zyrës së postës, raporton si më poshtë: Në vitin 1951, në Gjirokastër, një person mori një pako me rroba nga Amerika me vlerë rreth 20 dollarë, por autoritetet e postës i vunë detyrim doganor 250 dollarë. Prandaj, personi i shkroi përsëri vëllait të tij në Amerikë që t’i dërgonte shumën në fjalë. I vëllai u habit dhe i shkroi banorëve të tjerë të fshatit për të pyetur nëse i vëllai ishte çmendur, por ata i thanë se ishte e vërtetë dhe nuk ishte çmendur vëllai i tij, por situata në vend. Edhe në 1951, Ahmet Abazi nga Konispoli mori një pako me rroba nga SHBA me vlerë rreth 14 dollarë, dhe qeveria i vuri detyrim doganor 360 dollarë. Ai e la pakon në postë. Refugjati Muharrem Mullaj nga fshati Floqi raporton se nga torturat e agjentëve të Sigurimit në Korçë, i arrestuari Arqile Gostivishti kishte humbur një këmbë. Bijtë e familjeve të shpallura “kulake” duhet të bënin dy vjet shërbim ushtarak dhe dy vjet punë të detyruar. Në vitin 1951, komunistët detyronin fshatarët të dorëzonin më shumë prodhime nga sa kërkohej. Sipas vendimeve të partisë, komunistët caktojnë një sasi të caktuar për çdo fshat sipas planit, të cilën Këshilli i Fshatit e ndante si dëshironte mes fshatarëve, gjë që ishte shumë e rëndë. Masa të ashpra merreshin ndaj atyre që nuk bindeshin. Zoti Edibe Yze ka qenë disa vjet i burgosur në kampin e Kamzës dhe është liruar në fund të vitit 1950, tregon se rreth 40 fëmijë të vegjël kanë vdekur në atë kamp nga mungesa e ushqimit, higjienës dhe kushtet e rënda të jetesës. Ai mbante mend edhe emrat: bija e Osman Pajakut nga Pogradeci, biri i Qamil Çollakut nga Bilishti, bija e Sabri Leminotit nga Korça, bija e Rrapo Selcës nga Gora e Korçës, bija e Shero Tresovës nga Korça, biri i Dagoricës nga Korça, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosun Hoxhallarit nga Tresova, biri i Kajam Ceravës nga Pogradeci, dy vajza të vogla nga Halarupi dhe një djalë brenda një dite, mamaja e Kajim Ceravës, gruaja e vjetër Brakollari nga Dushari, dhe Ligor Gjata nga Bilishti. Pas torturave të shumta të Sigurimit vdiq edhe Isa Bilishti. Kadri Petri që erdhi në Greqi më 16 mars 1952, raporton se në burgun e Korçës vdiq nga vuajtjet Bektash Panariti nga Korça.

Dëshmia e Mefail Totlakut

45 vjeçari Mefail Totlaku ka jetuar në fshatin Tren të Bilishtit. Ai deklaroi se në zonën e tij nuk ka rezistencë të organizuar ndaj regjimit. Njerëzit janë në dijeni të rezistencës së emigracionit dhe komitetit të NCFA dhe shpresat e çlirimit i kanë varur aty. Njerëzit e shikonin pozitivisht SHBA dhe Britaninë edhe pse më shumë i trembeshin ambicieve territoriale të fqinjëve. Sipas tij, në zonën e Bilishtit shtëpitë më të sigurta kundër komunistëve janë Ismail Kape, Ramadan Mehmeti, Haki Mydini, Arif Ramadani, Refat Medani, Estref Medani, Reshit Ganiu, Hysni Kolami, Zeqir Baktashi, Shyqyri Muharemi, Foto Jorgji e Rahim Hajrullahu, të gjithë nga fshati Tren. Nga fshati i Bitiçkës ishin Qamil Saliko, Elmaz Shabani, Nazif Sulejmani. Kohët e fundit në fshatin e tij nuk kishte pasur arrestime, ai kishte dëgjuar për njerëz që ishin arratisur nga malet. Ai personalisht nuk kishte parë gjurmët e NCFA, por kushëriri i tij, Nazif Kape, ka parë një fletushkë të lëshuar nga një avion, ku thuhej që populli duhet të kishte durim pasi Shqipëria do të çlirohej nga NCFA me ndihmën e fuqive perëndimore. Agjentët e pushtetit të zonës së tij ishin Gure Kolami, sekretar i organizatës bazë, Rustem Kolami, brigadier i kooperativës, Tosi Skordileva, Zenel Rexhepi agjent i Sigurimit, Resul Zhyleku, Enver Kape, sekretar i rinisë, të cilët jetojnë në Tren dhe veshin rroba civile.

Udhëtimi

Në Shqipëri nuk ka makina private dhe kamionët e vjetër që ekzistojnë, nuk mjaftojnë për nevojat e udhëtarëve të cilët duhet të presin disa ditë për të gjetur mjete udhëtimi. Ai ka parë se në Berat dhe Rrogozhinë përveç biletave, kontrollohen edhe letërnjoftimet. Për të udhëtuar nga Korça në Berat ai kishte paguar 160 lek. Letërnjoftimin e ka marrë në vitin 1948.

Kushtet e jetesës

Valuta e vetme që qarkullon në Shqipëri është Leku. Ushqimi dhe veshjet janë të racionuara. Anëtarët e lartë të partisë gjejnë çdo ushqim me lehtësi dhe mbështeten nga administrata e ushqimit. Tregu i zi praktikohet me anë të disa dyqaneve të veçanta. Ka disa kooperativa këmbimi ku fshatarët këmbejnë mallra, por shpeshherë këto kooperativa mbeten pa ushqim. Shumica e artikujve të rëndësishëm ushqimorë mungojnë, si veshjet, sheqeri, kafja, orizi, sapuni e kripa.

Kolektivizimi

130 familjeve të fshatit tonë i janë bashkuar edhe 70 familje në kooperativën bujqësore. Megjithëse shumica nuk donin të merrnin pjesë, ato u detyruan ta bënin sepse ndryshe nuk mund të plotësonin detyrimet e tyre ndaj shtetit. Të gjithë bujqit kooperativistë janë të pakënaqur por nuk mund të qëndrojnë jashtë pasi humbasin kafshët e tyre dhe mjetet e punës që i dorëzuan në kooperativë kur hynë. Shumë anëtarë të kooperativës sabotojnë duke thyer veglat apo duke punuar keq. Ata që zbulohen përjashtohen për disa muaj dhe u hiqet e drejta e shpërblimit. Kolektivizimi i detyruar urrehet në të gjithë vendin.

Letër e shkruar nga diversanti shqiptar për misionin në Shqipëri dhe përballjen me forcat e sigurimit, CIA dërgonte diversantë kosovarë pasi shqiptarët refuzonin

11 janar 1952

Letër sensitive e shkruar nga agjenti shqiptar

Më poshtë kemi një letër të shkruar nga agjenti ynë ish-operator radio, gjatë regjimit të ndalimit të komunikimeve. U detyruan që ta bëjmë këtë një shembull për raste të tjera thyerjeje disipline.

Pas disa trajtimeve të ashpra, ai është kthyer menjëherë në bazën LFClake dhe më tej do të dërgohet në ishullin e Jugut të Peloponezit ku nuk do të mund të përfshihet më në shkrime letrash.

Letra

Letra e Haki Terpezes nga kampi i Bagnolit, Itali, për vëllanë e tij, u përkthye nga zyrtarët grekë: I dashur vëlla Hysen. Po të dërgoj këtë letër edhe pse nuk më lejohet të shkruaj letra, sepse dua të të tregoj për jetën tonë. Siç e di, i dashur vëlla u largova nga kompania dhe qëndrova për katër muaj në Gjermani për trajnim. Ceni, Ramazani dhe disa shokë të tjerë erdhën disa muaj më vonë. U thanë se donim të kalonim nga Greqia për të marrë me vete Hysen Shalkun, që të bëheshim një grup me pesë veta, bashkë me një kosovar të quajtur Abdullah. Hipëm në një avion dhe arritëm në Shqipëri më 14 tetor. Ata na lëshuan në një terren shumë të keq. Hyseni u plagos në këmbë. U lëshuam me parashutë në mesnatë dhe kur kishim mbledhur të gjitha materialet kishte vajtur ora katër e mëngjesit. Hyseni nuk e njihte terrenin dhe as ne. Në mëngjes, dhjetë minuta para nisjes së betejës, dëgjuam të shtënën e parë teksa po kalonim rrëzë një kodre. Prej atëherë nuk e kemi parë më njëri-tjetrin. Beteja vazhdoi prej mëngjesit deri në 4 të pasdites. Gjendeshim në mes të komunistëve pa ditur ku të shkonim, sepse nuk e njihnim terrenin. Rreth orës 4 arritëm të çanim rrethimin dhe u larguam. Qëndruam në Shqipëri për tre ditë dhe ditën e katërt kaluam kufirin për në Jugosllavi, në Dibër të Madhe. Falë zotit Ramazani kishte qenë më parë në Dibër dhe na çoi te kufiri. Por ne nuk e dinim se ku ishin fushat e minuara dhe kishim frikë se mos kapeshim të gjallë nga komunistët. Nuk kishim municione dhe prej disa ditësh ishim pa bukë. Po ecnim në dëborë deri në mes, ishim të lodhur dhe nuk kishim ku të shkonim. Por të paktën kishim kaluar kufirin dhe kur arritën në Kosovë shkuam te shtëpia e një mikut të Ramazanit, i cili na dha bukë dhe ushqim për udhëtimin tonë në Greqi. Sa për Cenin dhe Hysenin, zoti e di ç’është bërë me ta. Nëse nuk janë vrarë para se të binte errësira, mund të jenë të gjallë. Nëse ke dëgjuar gjë për ta, me letër apo në radio, më trego, sepse jam shumë i shqetësuar. Por qëkur e kam pranuar këtë punë, nuk mund të bësh asgjë. Kësaj here nuk u dërguam të luftonim por për të përhapur propagandë mes njerëzve. Por çfarë lloj propagande mund të bëjmë ne kosovarët në Shqipëri? Kjo propagandë është e kotë. Nëse do të ketë luftë, ne jemi gati, por komunistët nuk frikësohen nga katër a pesë persona. Tani dua të të them diçka tjetër. Shumë shqiptarë, edhe nga ata të lindur në Shqipëri, kanë refuzuar të shkojnë atje. Por nëse nuk shkojnë ata, kush duhet të shkojë? Po për Kosovën kush duhet të luftojë, kur këta maskarenj refuzojnë të shkojnë në vendin e tyre? Epo Hysen, nëse ata më thonë të shkoj përsëri me Ramazanin e me katër a pesë të tjerë, unë nuk shkoj më. Më vjen turp t’i them “jo” amerikanëve. Në lidhje me Komitetin as nuk dua t’ia di fare më, pasi të gjithë ata që kanë shkuar në Shqipëri janë vrarë. Ja ku ke ca emra: Hamit Shkodra është vrarë bashkë me katër të tjerë; Sejdi Baza është vrarë bashkë me katër të tjerë. Më vjen shumë keq për Sejdiun, një burrë 50 vjeçar që nuk kishte mbajtur kurrë një armë në dorë, në një kohë kur kishte shumë të tjerë më të rinj që mund të kishin shkuar para tij, më duket se e ka dërguar Xhemal Lesi, nuk besoj se ka qenë Abaz Kupi. Përse nuk shkoi vetë Xhemal Laçi? Zir Kabashi është arrestuar, kurse Safet Pokuli dhe Lata nuk shkuan, refuzuan. Muhamet Hoxha është kapur bashkë me disa miq të tij, por besoj se e ke dëgjuar. Pres përgjigje nga ty. Vëllai yt Haki.

Përdhunimet gjatë komunizmit, hetuesit kanë fëmijë me gratë e dënuara


Nevila Nika, ish-drejtore e Arkivit Qëndror të Shtetit ka treguar për historitë e diktaturës komuniste, hetimet, torturat dhe përdhunimet e asaj periudhe.


Nika tregon se gjithçka është e regjistruara dhe e arkivuar në arkiva. Lidhur me debatin e madh të përdhunimeve nga hetuesit e asaj kohe, Nika shkon më tej; jo vetëm që e aprovon këtë fakt, por thotë se këto viktima kanë edhe fëmijë të hetuesve.

“Unë kam pasur fatin të bisedoj gjatë me drita Kosturin, një nga heroinat e lufës, fati i saj qe super tragjik. Në Shkodër, kur atë e arrestuan, ku gratë dhe burrat i mbajtën në një qeli, u bënë dëshmitarë të një ngjarje të tmerrshme. Drita Kosturi më tregonte se një vajzë të re 16-17 vjeçare e morën në hetuesi kur ishin në këtë qeli të përbashkët, e thirrën këtë te htuesi dhe ajo më vonë u kthye në qeli me fustan të grisur krejt dhe e gjakosur. Vajza dridhej prej tmerrit, i dridhej buza e qante dhe njëri nga të burgosurit nga keqardhja hoqi menjëherë bluzën e pizhameve të tij që ajo të mbështillej me të. Janë denoncuar fakte të vajzave ose grave që detyroheshin të shkonin me hetuesin. Madje, që kanë pasur edhe ndonjë fëmijë me ta. Ka pasur shumë denoncime të kësaj natyre”, tregon ish-drejtoresha e Arkivit Qëndror të Shtetit.

Rose Dosti: 45 dëshmi për burgun komunist



50 000 artistë, shkrimtarë, klerikë, intelektualë dhe vetë anëtarë të lartë të Partisë Komuniste u persekutuan gjatë regjimit komunist. Ata që mbijetuan dëshmojnë për urinë, punën e rëndë, torturat, tronditjet, kryengritjet, sëmundjet dhe vdekjen që panë me sy në dokumentarët: “Prison Nation: Albania 1943-1990” dhe “Lost Voices Making History”. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Njeriut (Albanian Human Right Project) në SHBA ka mbledhur, filmuar dhe dokumentuar dëshmitë e shqiptarëve të cilët u burgosën politikisht apo internuan nga 1944-1991, gjatë regjimit komunist në Shqipëri. AHRP filloi punën për mbledhjen e dëshmive të ish të burgosurve politikë shqiptarë në vitin 2004. Deri më tani janë realizuar rreth 45 DVD që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë, në Muzeun Wende, në Arkivin e Luftës së Ftohtë dhe në USC Digital Repository në Universitetin e Kalifornisë. Shumë pak prej këtyre dëshmive janë bërë publike, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre janë arkivuar dhe janë të aksesueshme vetëm për qëllime studimore. Rose Dosti, themeluese e Fondacionit, shprehet se i ka vënë vetes detyrën e vështirë për të mbledhur, arkivuar dhe publikuar dëshmitë e ish të përndjekurve të regjimit komunist në Shqipëri, ashtu siç Stiven Spielberg mblodhi mijëra histori të të mbijetuarve të Holokaustit, që sot mbahen të arkivuara në pjesë të ndryshme të botës si dëshmi e një të kaluare që nuk duhet të përsëritet kurrë më.

Kjo histori duhet treguar, thoni ju. Në fakt, cili ishte qëllimi i themelimit të “Albanian Human Right Project”?

Qëllimi ishte të dokumentonim testamentet e njerëzve të burgosur politikë në Shqipëri nga viti 1943 deri në 1991. Kemi mbledhur rreth 45 testamente dëshmie. Janë dëshmi të gjata rreth 1 orë e 30 minuta, por kemi dhe dëshminë e Liri Belishovës, që shkon gati 5 orë.

Kemi realizuar deri tani dy dokumentarë, “Prison Nation: Albania 1943-1990” dhe Lost Voices Making History”. Ky i fundit është realizuar edhe në gjuhën shqipe.

Ju vetë jeni lindur dhe rritur në Amerikë. Jeni martuar me Luan Dostin, djalin e Hasan Dostit, dhe ata të mbetur në Amerikë. Sa e njihnit ju historinë e Shqipërisë komuniste?

Për herë të parë unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1991. Para atij viti nuk e kisha menduar kurrë se do të kisha mundësi të vizitoja Shqipërinë. Për herë të parë erdhëm për të gjetur familjarët e bashkëshortit tim, Luan Dosti (djali i Hasan Dostit). I gjetëm në Lushnjë, ata ishin ende në internim.

Në atë vizitë të parë ju lindi dhe ideja e këtij projekti?

Po atë vit na lindi si ide. Kuptova se nuk ishin vetëm familjarët e bashkëshortit tim që kishin vuajtur. Kishte dhe shumë të tjerë. Për mua ishte e pakuptimtë sesi ishte e mundur që 50 mijë shqiptarë të jenë burgosur, internuar dhe vrarë gjatë regjimit komunist.

Si gazetare në profesion mendova se kjo është një nga ato historitë që duhet treguar. Nga puna për dokumentimin e dëshmive filluam në vitin 2004. Ishte vizita e dytë e jona në Shqipëri, bashkë me Tomor Dostin nisëm të merrnim dëshmitë. Tomori kishte idenë që në fillim duhej të filmonim ata më të vjetrit. Unë në fillim kisha vizionin se do mund të merrnim 200-1000 dëshmi, duke ecur në gjurmët e Stiven Spielberg që mblodhi rreth 52 mijë dëshmi të të mbijetuarve të Holokaustit dhe themeloi USC Shoah Foundation Institute. Por Spielberg, ndryshe nga ne, kishte një thes me para për ta realizuar projektin e tij. Deri këtu kemi patur mbështetjen e miqve tanë të huaj, që dhe ata mendojnë se ajo që ka ndodhur në Shqipëri gjatë regjimit komunist është dhunim i të drejtave të njeriut.

Cilat ishin dëshmitë e para që morët?

Të shumë familjeve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Lushnjë etj. Në dokumentar janë sjellë dëshmitë e familjes Dosti, Bejkova, Kostreci, Aliko, Kupi, Tereska, Mema, Sejko etj., etj.

Hasët vështirësi për t’i bindur që të dëshmonin?

Në fillim nuk donin të hapnin plagët. Mua më vjen keq që këta njerëz janë margjinalizuar. Tomor Dosti ka qenë vetë i persekutuar. Ai shkoi në shumë vende, takoi shumë prej ish të persekutuarve dhe shumë prej tyre pranuan të dëshmojnë sepse kishin besim tek Tomor Dosti.

Dokumentari shoqërohet edhe nga foto dhe filmime që dëshmojnë gjyqet dhe vrasjet e regjimit. Si i keni siguruar ato?

Më të shumtat janë siguruar nga Arkivi i Shtetit, ndërsa filmimet nga arkivi i TVSH-së. Të gjitha janë marrë me leje. Familjarët nuk kishin filmime, vetëm foto të të afërmve të tyre.

Ku janë shfaqur këta dokumentarë dhe si ka qenë reagimi i publikut të huaj?

Është shfaqur në disa universitete në SHBA dhe qendra të ndryshme. Për të huajt është një gjë e paimagjinueshme kur i shohin, ata pësojnë shok edhe traumë. Gjatë filmit është një qetësi e madhe dhe pasi përfundon u duhet kohë për të marrë veten. Në disa prej shfaqjeve kemi patur të ftuar edhe ish të përndjekur që kanë rrëfyer historinë e tyre. Kemi patur Hyrie Kupin (Dosti), e cila tregonte vuajtjet e saj dhe të familjes në kampet e internimit. Të huajt qanin kur dëgjonin historinë e saj.

Ju thatë se keni mbledhur shumë dëshmi, pak prej tyre janë bërë pjesë e dy dokumentarëve, ndërsa të tjerat ruhen në arkiva të ndryshëm dhe janë të hapura për një publik të kufizuar. Përse?

Sepse janë shqip dhe nuk kemi arritur t’i përkthejmë të gjitha në gjuhën angleze. Na duhen fonde të tjera për ta çuar deri në fund projektin.

Po dëshmi nga persekutorët keni mbledhur?

Jo, sepse nuk e dimë nëse ata janë të gatshëm të dëshmojnë si persekutorë.

I keni shkuar Nexhmije Hoxhës?

Unë personalisht kam kërkuar një intervistë me të, por akoma nuk kam marrë përgjigje nëse ka dëshirë apo jo të japë një intervistë për mua.

Për këtë projekt e keni kërkuar dëshminë e saj?

Jo për këtë projekt. Mua më intereson ta intervistoj atë si një grua e njohur, që kishte shumë dorë në qeverinë e Hoxhës dhe kishte influencë në politikën e vendit për gati 50 vjet. Mua më intereson në këtë këndvështrim.

Kampi i Vloçishtit, ku humbën jetën 73 të dënuar politikë

Historia tragjike e të burgosurve politikë që vuajtën në kampin e tmerrshëm të Vloçishtit në rrethin e Korçës. Rrëfen një nga ish-të dënuarit e atij kampi


"Ja tmerret e Vloçishtit, ku u vranë 73 të burgosur"


Dëshmia e 73-vjeçarit Abdyl Hakan

Banushi: "Kampi i Vloçishtit, ku humbën jetën 73 të dënuar politikë, ishte një nga më të tmerrshmit që u hapën në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Nga trajtimi çnjerëzor që na bëhej në atë kamp, shumë nga të dënuarit nuk duronin dot dhe kalonin në vetëvrasje. Një nga ata të burgosur që shkoi me koshiencë të plotë drejtvdekjes, duke u hedhur ne telat me gjemba, ishte dhe shoku im Virtut Gjylbegu nga Shkodra"


Dashnor Kaloçi

Gjatë afro gjysëm shekulli të sundimit komunist në Shqipëri, pothuaj në të gjithë vendin ishin ngritur kampe dhe burgje ku vuajtën dënimet me dhjetra mijra vetë të cilët regjimi i Enver Hoxhës i kishte shpallur si kundërshtarë politikë. Në ato burgje dhe kampe të punës së detyruar, të dënuarit politikë shqiptarë e të huaj u trajtuan me kushte nga më çnjerzoret që nuk krahasoen dot as me kampet e shfarosjes në masë që kishin ngritur nazistët gjermanë në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Një nga këto kampe ka qenë edhe ai i Vloçishtit në rrethin e Korçës, i cili u hap në vitin 1948 ku humbën jetën 73 të burgosur, të vdekur apo të vrarë nga policët e rojet e atij burgu. Një nga ish-të burgosurit e Vloçishtit ka qenë dhe Abdyl Hakan Banushi, i cili rrëfen për herë të parë për "Gazetën" mbi tmerret e atij kampi.

Kush është Abdyl Banushi
Abdyl Banushi u lind në 1928 në fshatin Golem të Gjirokastrës prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Gjatë viteve të luftës ai u vendos në qytetin e Durrësit për të ndjekur mësimet në gjimnazin e qytetit bregdetar dhe aty u lidh me lëvizjen antifashiste. Pas vitit 1943 ai u lidh me rininë e Ballit Kombëtar dhe mori pjesë në disa demostrata që u organizuan asokohe nga rinia nacionaliste e Durrësit, ku dhe ra në sy të autoriteteve fashiste italiane të cilët e futën në listat e atyre që do internoheshin. Pas kapitullimit të Italisë, ato lista ranë në duart e gjermanëve të cilët në vitin 1944 e arrestuan Abdylin dhe së bashku me dhjetra të tjerë i internuan në kampet e shfarosjes që nazistët kishin hapur nëpër Europë. Në 1945, Abdyli mundi që të lirohet nga ato kampe me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe nga Gjermania ai mbërriti në Itali e më pas u kthye në Shqipëri ku ai u arrestua i akuzuar si agjent i anglo-amerikanëve. Shkak për arrestimin e tij pasi u bë një letër të cilën atij ia kishte dhënë në kampin e Rexhi-Emiljas, ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto për t'ua çuar njerëzve të tij në Tiranë. Pas kësaj Abdyli u dënua me 20 vjet burg dhe mundi që të lirohet vetëm në vitin 1961 pasi kishte vuajtur plot 16 vjet në burgjet e regjimit komunist. Pas daljes nga burgu atë e internuan në qytetin e Fierit ku e arrestuan përsëri vetëm pas pak ditësh. Abdyli mundi që të arratisej nga Dega e Brendëshme e Fierit dhe pas kësaj edhe nga Shqipëria e u vendos në SHBA. Në vitin 1974 ai erdhi përsëri në Shqipëri me një mision dhe i tradhëtuar nga një person që ishte bashkë me të, ra në duart e Sigurimit të Shtetit dhe pas kësaj u dënua edhe 15 vjet të tjera burg, e u lirua më 17 mars 1991, me të dënuarit e fundit politik që dolën në atë kohë , pasi kishte vuajtur plot 31 vjet në burgjet e skëterrës komuniste.


Kampi i Vloçishtit u hap në vitin 1947 afër fshatit me të njëjtin emër pasi u mbyll kampi i Maliqit, dhe ai përbëhej nga tre kazerma të mëdha të ruajtura nga ushtarë me mitrolozë dhe automatik. Ne ishim 500 të dëniuarit e parë që shkuam në atë kamp (në ato kohë komandohej nga Tasi Marko) ku punonim rreth 12 orë në ditë në ngricat e dimrit (temperatura arrinte shpesh herë deri minus 18 gradë nën zero) duke hapur kanale bonifikuese dhe ushqimi ishte vetëm 700 gram bukë në ditë me një lëng uji që quhej supë. Asokohe në Kampin e Vloçishit, terrori dhe frika nisën të bëheshin gjëra të zakonëshme dhe fare normale e shumë nga të burgosurit mendonin se si të arratiseshin apo të vrisnin veten. Në një prej atyre ditëve u arratisën shtatë vetë të cilët mundën të zhdukeshin nëpër kallamishte pa i vënë re njeri. Ikja e tyre u mësua vetëm në darkë kur na numëruan dhe si dënim për atë që kishte ndodhur, ne na lanë gjithë natën jashtë. Ndaj të gdhirë na dhanë nga një lugë me supë dhe na nisën për në punë. Po atë ditë një i burgosur tjetër vdiq në kanalin me ujë. Kur e panë shokët e tjerë trupin e tij të pajetë, nisën që të bërtisnin dhe e lanë punën. Kur u mësua vdekja e tij u njoftua Tasi Marko i cili erdhi menjëherë aty dhe bëri thirrje që të rifillonte puna menjëherë, por atë ditë askush nuk pranoi të punonte. Tasi Marko u largua dhe më pas u kthye përsëri së bashku me një grup civilësh të Ndërrmarrrjes së Bonifikimit e iu drejtua grupit rebel që kishte organizuar ndërprerjen e punës, duke u thënë: "Dëgjoni, ne e pamë gjendjen në vënd dhe i burgosuri duhet të ketë qenë i sëmurë. Por megjithatë ka mjeke që do të bëjnë ekspertizën. Nuk është për faj të askujt, prandaj duhet të vazhdoni punën se për ndryshe do të marrim masa të rrepta. Ky është kamp i punës së detyruar dhe nuk është kamp pushimi". Në atë çast një klerik shkodran doli një hap përpara dhe tha: "Ne më mirë preferojmë vdekjen, se kjo është jetë qeni". Tasi Marko nënqeshi dhe tha: "Vazhdoni, vazhdoni". Kleriku shkodran iu përgjigj: "Zoti komandant, unë kaq kisha, në ras se nuk na keni kuptuar, aq më keq për ju". Atë ditë nuk u mor asnjë masë ndëshkimore, por sa erdhi dreka dhe mbërritën kazanat e supës, të burgosurit morën racionet e tyre dhe nisën të hanin gjithë uri. Edhe pas dreke asnjë nuk pranoi të hante dhe ne qëndruam të gjithë në bankinën e kanalit. Ndërkohë që ishim aty, nga një truproje që ishte aty pranë u dëgjua një krisë e vetme automatiku. Plumbi kishte goditur njërin prej të burgosurve, një burrë të moshuar afër të shtatëdhjetave i cili ishte njëri nga organizatorët e revoltës dhe punonte në brigadën e katërt. Pas kësaj Tasi Markoja urdhëroi të ndërpriteshin punimet dhe të ktheheshim të gjithë në kamp para kohe. Ne pasi morëm me vete dy viktimat e asaj dite, u kthyem dhe u mbyllëm në kapanone duke refuzuar që të merrnim ushqimin e darkës", kujton Abdyl Banushi dy nga vrasjet e shumta që ndodhnin në atë kamp të tmershëm.


Si u hëngrën të vjellat
Sipas rrëfimeve të Abdyl Banushit, ish- të burgosurit në Kampin e Vloçishtit, asokohe në atë kamp përveç vrasjeve dhe vdekjeve të shumta, një nga tmerret që u shkurtonte jetën të burgosurve, ishte dhe uria. Lidhur me këtë ai kujton: "Mungesa e ushqimit në atë kamp shpesh herë shkaktonte skena makabre sa njeriu kafshërohej duke dalë jashtë natyrës njerzore. Nuk e harroj kurrë se si vërsuleshin të dënuarit fushës, kush e kush të rrëmbente më parë ndonjë lëkurë bostani të cilën e kishin flakur punonjësit e lirë të bonifikimitn që punonin atje. Aty ndodhin përleshje të vërteta. Të burgosurit i fshihnin në trup rrepat e shkulura të panxharit dhe mezi prisnin rastin që t'i hanin fshehurazi. Njëherë një i burgosur që vuante nga ulçëra në stomak, volli në sy të shokut dhe ai ia priti ato në dorë dhe i gëlltiti për vete. Pas kësaj ai e luste: "Vill, vill në grushtet e mi". Një nga të burgosurit e tjerë kur e pa atë skenë të neveritëshme, iu shkrehën të vjellat dhe të nesërmen i tha shokut: "Ti ke stomak qeni". Kurse i urituri që kishte ngrënë të vjellat iu përgjigj: "Ndërsa ti ke stomak zonjushash". Nuk e harroj kurrë se si luhej kumar për të fituar një copë bukë apo një rrepkë panxhari më shumë. Shesh herë zaret bëheshin me tul buke sa një thua, i cili pas lojës dhe ai përfundonte në stomak nga ai që fitonte lojën", kujton Abdyl Banushi ato drama njerzore që ndodhnin në kampin e tmërshëm të Vloçishtit.


Vrasja e Virtut Gjylbegut
Asokohe në Kampin e Vloçishtit kanë ndodhur dhe shumë vetëvrasje nga të burgosurit që nuk i rezistonin dot kushteve të tmershme që ishin aty. Lidhur me këtë, Abdyl Banushi dëshmon: "Dramat shokuse që pësonin të burgosurit në atë kamp, shpesh herë bëheshin shkak për vetvrasje dhe unë nuk mund ta harroj kurrë atë çka ndodhi me shokun tim të prangave Virtut Gjylbegun nga Shkodra. Një natë përpara se të flinim nga që ai mu duk shumë i dëshpëruar, unë e pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Ai mu përgjigj: "Abdyl, a ja vlen të jetosh në këto kushte të tmershme"? Për t'i ngritur kuroajon unë, iu drejtova duke i thënë se ia vlente dhe jeta duhej jetuar ashtu si të na vinte. Pas kësaj ai më ra shpatullave dhe më tha: "Nuk e prisja këtë përgjigjie nga një njeri me kulturë", dhe u largua duke më thënë natën e mirë. Po atë natë rreth orës dy të natës, tre policët e kapanonit tonë Hito Hitaj, Ali Gana dhe Skënder Toskallari dhanë alarmin duke bërtitur se një i burgosur po vraponte fushës së kampit në drejtim të zonës së ndaluar atje ku ishin telat me gjembba që rrethonin kampin. Ndërkohë nga alarmi që u bë, roja që ishte aty parën hapi zjarr me mitroloz dhe viktima i asaj nate ishte shoku im Virtut Gjylbegu. Të nesërmen erdhi një komision nga Korça për të verifikuar ngjarjen", kujton Abdyl Banushi mbi vrasjen e shokut të tij që mbeti i vrarë në telat me gjemba të kampit të Vloçishtit.


Protesta e Profesorit P.SH.
Por krahas atyre të burgosurve që mundën t'i përballonin vuajtjet e shumta të atij kampi, kishte dhe nga ata që nuk mundën tu rezistonin dot atyre tmerreve. Për një nga këta të burgosur, Abdyl Banushi kujton: "Një të djelë komandanti i kampit Tasi Marko hyri në shesh me uniformë parade. Zakonisht të djelave ai mbante fjalime por atë ditë shumë nga të burgosurit e rrethuan dhe filluan që t'i ankoheshin për kushtet e vështira dhe gjendjen e rëndë shëndetësore në të cilën ndodheshin, duke i kërkuar që Drejtoria e Kampit t'i lejonte familjet që tu sillnin cigare ushqime dhe rroba. Në kohën që unë po prisja me zemër të ngrirë reagimin e Tasi Markos, ai buzëqeshi lehtë dhe me një ngrohtësi të paparë ndonjëherë tha se do ta shikonte atë problem. Në atë kohë një i burgosur ja dha vrapit e mori drejtimin nga shpura e ushtarakëve që shoqëronin komandantin e burgut dhe duke çarë me forcë një grup të burgosurish i doli përpara me krahë hapur Tasi Markos e i tha: "Ju lutem zoti komandant më dëgjoni dhe mua. Unë jetoj në kushte të tmershme dhe nuk i duroj dot, ju lutem" Komandanti u vrazhdësua në fytyrë dhe i tha: "Kush jeni ju"? Iburgosuri iu përgjigj: "Unë jam Profesori P. Sh. dhe kam qenë me Luftën Nac-Çl qysh në vitin 1941. Në Shkodër kam punuar bashkë me shokët e mi Sadik Boci, Sadik Bekteshi, Adil Çarçani, Sulë Baholli, Qemal Gavoçi etj. Po s'më besuat mund të pyesni sejcilin prej tyre. Unë jam duke vuajtur kot në burg zotëri, jam duke vuajtur gabimet e vëllait tim me grupin e deputetëve. Unë jam i pafajshëm zoti komandant, prandaj ju lutem më dërgoni në burgun e Durrësit, se këtu jam duke vdekur". Pas gjithë atyre lutjeve komandanti Tasi Marko krej i bezdisur ia kthehu: "Ti nuk je më i mirë se këta të tjerët, të punosh dhe të realizosh normën se je i ri. Deri sa je i dënuar me punë të detyruar kështu do të bësh, se ndryshe ka dhe më keq". Pas kësaj Profesori sa s'filloi të qante dhe bërtiste : "Po vdes, po vdes". Komandanti duke ikur ia ktheu: "Një armik më pak". Por në atë kohë Profesori bëri një lëvizje dhe ra në gjunjë para komandantit, i cili i hodhi një vështrim nga sipër dhe i tha: "Përderisa ti je nga ata burra që i bie në gjunjë armikut tënd,unë do të kthej në burgun nga ke ardhur, pra në Durrës. Dhe në atë kohë ai iu drejtua toger Qaniut që të përpilonte fletë-transferimin e Profesorit. Në atë kohë shumë nga të burgosurit u ndjenë keq dhe dy prej tyre Sh Çelkupa dhe E. Podgorica që ishin dënuar me 20 vjet burg politik dhe kishin armiqësi me Profesorin, donin të dilnin nga rreshti dhe ta bështynin në sy , por i mbajta unë. Por atë që nuk e bënë ata të dy, e bëri një tjetër njeri i cili i preu rrugën Profesorit që po kthehej kokë ulur në drejtim të kazermave dhe i tha: "Ju zoti Profesor, me përuljen tuaj të turpëshme keni fyer gjithë nacionalizmin shqiptar", Profesori ngriti kokën dhe pa se i burgosuri që po i fliste ishte intelektuali Eqerem Çabej". Profesori u transferua vërtet në burgun e Durrësit dhe pas disa kohësh mësova se ishte arratisur nga Shqipëria.


Dështimi i arratisjes
Gjatë asaj kohe që të burgosurit vuanin dënimin në kampin e Vloçishtit, duke parë kushtet tepër të vështira në të cilat ndodheshin, disa prej tyre tentuan që të arratiseshin. Po a ja arritën ata qëllimit? Lidhur me këtë Abdyli kujton: "Shumë të burgosur nga që nuk i duronin kushtet e vështira të kamit të Vloçishtit, mendonin ditë e natë se si të arratiseshin që andej. Por duke parë se shumë nga të burgosurit që kishin tentuar të arratiseshin, kishin mbetur të vrarë nëpër rrethimin e telave me gjëmba nga ushtarët të cilët i qëllonin dhe i bënin shoshë, një grup të burgosurish vendosën që të bënin një tunel e me anë të cilit të dilnin jashtë kampit. Për këtë ata u mblodhën dhe caktuan tre grupe punë me nga pesë vetëtë (unë nuk bëja pjesë në asnjë prej atyre grupeve) cilët do të punonin deri natën vonë. Tuneli do të hapej duke shfrytëzuar vrimën nga derdheshin ujrat e zeza të ËC-së. Pas afro një muaj teksa katër punëtorë ishin duke punuar, ata e kuptuan se po i afroheshin sipërfaqes së tokës, sepse gryka e tunelit kishte dalë në fund të shkallëve të truprojes së ushtarit. Ndërsa ata e panë se po i afroheshin daljes së shumëpritur dhe era e lirisë ishte fare pranë, njëri prej tyre u tha që të ktheheshin dhe të lajmëronin shokët. Teksa ata po ktheheshin, një masë e madhe dheu u shëmb dhe u fundos në brendësinë e tunelit të vogël. Njëri nga të burgosurit i frikësuar nga ajo që po ndodhte kërceu jashtë. Ndërkohë nga zhurma që po ndodhte nën kullën e rojes, ushtari i shërbimit u tmerrua dhe ja dha vrapit duke dalë në një arë me misër që ishte fare pranë rrethimit. Kur doli i burgosuri i dytë nga vrima, roja zuri të bërtiste duke thënë se po dilnin njerëz nga dheu. Ndërkohë pas të dytit doli dhe një tjetër i burgosur dhe të tre ja dhanë vrapit në arën me misër duke ecur me zikzake për tu ruajtur nga breshëritë e automatikut të ushtarit që filloi t'i qëllonte. Të tre ata mundën që të arratiseshin, kurse i katërti u bllokua në tunel nga ushtarët e tjerë që erdhën menjëherë në atë vend", përfundon rrëfimin e tij Abdyl Banushi mbi dështimin e tentativës së arratisejes nga kampi i temrrshëm i Vloçishtit ku vdiqën rreth 73 të burgosur.

Kush ishin politikanët shqiptarë që provuan qelinë?

Janë të shumtë rastet që kanë provuar thënien lapidare të At Arapit se të jesh politikan në Shqipëri doemos do ta kesh njërën këmbë në burg dhe një në varr. Duke marrë shkas nga heqja e imunitetit të deputetit socialist Armando Prenga, publikohet raporti special i për 50 politikanët që kanë provuar qelitë e burgut.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin regjimit komunist ku Enver Hoxha nuk kurseu bashkëpunëtorët e vet duke shpikur “grupe armiqësore”. Cilat ishin historitë e tyre dhe pse u arrestuan.

1- Abas Ermenji

Në vitin 1939 Abas Ermenji arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941. Pas lirimit ai bëhet një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit Qendror të tij. Kjo bën që në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai detyrohet të largohet nga Shqipëria. Ai dënohet me vdekje në mungesë nga regjimi komunist, me akuzën si kriminel lufte dhe si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ai vdiq 10 mars 2003 në SHBA.

2-3. Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi

Për 30 vjet, që pas çlirimit të vendit deri në vitin 1975, Abdyl Këllezi mbajti poste të rëndësishme drejtuese si në strukturat shtetërore ashtu edhe në Partinë e Punës së Shqipërisë. Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ministër i Financave, zëvendëskryeministër, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtar i Byrosë Politike etj. Në vitin 1975 ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit si organizator i grupit armiqësor në ekonomi, që kishte si pikësynim rrëzimin e pushtetit të kohës. Në maj të vitit 1977, së bashku me Koço Theodhosin (Ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave), dënohen me vdekje dhe më pas ekzekutohen. Varret e tyre nuk janë gjendur ende.

4-Adil Çarçani

Adil Çarçani gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë komisar i Brigadës së VII S, dhe në vitin 1952 zgjidhet ministër. Në vitet ’60 zgjidhet anëtar i Byrosë Politike, dhe që nga viti 1981 deri më 1991 mban postin e kryeministrit, të cilin e merr pas vdekjes së Mehmet Shehut. Pas ardhjes së demokracisë, ai u arrestua, u gjykua dhe u dënua me burg për përvetësim dhe shpërdorim detyre, ashtu si anëtarët e tjerë të Byrosë Politike që u arrestuan në atë kohë. Dënimi i tij u reduktua në arrest shtëpiak, për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Çarçani vdiq më 13 tetor të vitit 1997.

5- Anton Harapi

Më 13 shtator 1943 Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Ky post qeveritar në kohën e okupacionit gjerman në Shqipëri vulosi fatin e At Antonit, pasi në qershor të vitit 1945 ai arrestohet nga formacionet partizane. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, At Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.

6- Arben Ristani

Në vitin 1994, në moshën 25 vjeçare, gjyqtari Arben Ristani do të shqyrtonte dhe çështjen më të bujshme për kohën, ç’ka do ta fuste edhe në sherr me Presidentin Berisha. Ristani do të shqyrtonte gjyqin ndaj gazetarëve Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, të cilët akuzoheshin për nxjerrje të sekretit shtetëror. Edhe pse vendosi t’i dënojë, masa e dënimit duket se u konsiderua tepër e ulët për drejtuesit e saj kohe, të cilët nuk do të vononin hakmarrjen ndaj gjyqtarit të ri duke e arrestuar. Tashmë Ristani është deputet i Partisë Demokratike.

7- Avni Rustemi

Avni Rustemi, politikan dhe deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1923. Në vitin 1920 ai qëllon dhe vret në Paris Esat Pashë Toptanin, një nga politikanët më të njohur të asaj kohe. Ai arrestohet nga policia franceze, por pas një gjyqi të gjatë, gjykata franceze e liron nga burgu. Mbas asaj Avni Rustemi u kthye në Shqipëri, ku u zgjodh dhe deputet në Parlamentin shqiptar. Por në 22 prill 1924, Avni Rustemi vritet nga njerëz të Ahmet Zogut.

8- Bahri Omari

Ishte nënprefekt i Himarës në vitin 1912, dhe në vitin 1923, anëtar i Kuvendit Kushtetues dhe përkrahës i forcave të Nolit në Parlament. Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit, mërgon në Bari të Italisë. Regjimi i Ahmet Zogut e dënon më shumë vite burg në mungesë. Në qershor 1939 kthehet në Shqipëri e në vitin 1943 emërohet ministër i Jashtëm në qeverinë shqiptare të Rexhep Mitrovicës. Pas çlirimit të vendit, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai u arrestua me akuzën si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ai ishte në grupin e parë të intelektualëve që u dënuan në të ashtuquajturin “Gjyqi Special” në vitin 1945, dhe do ekzekutohej menjëherë pas vendimit me vdekje.

9- Beqir Balluku

Ushtaraku që qëndroi për 20 vjet në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Me detyra të larta ai impenjua që në 1943-shin si komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, komisar i Brigadës së 3-të Sulmuese dhe më pas komandant i Brigadës së 2-të Sulmuese. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Në Kongresin e Parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrojtjes Popullore, post të cilin e mbajti deri në vitin 1975, vit në të cilin akuzohet si organizator i një “puçi ushtarak”.

10- Fatos Nano

Themeluesi i Partisë Socialiste u arrestua nga prokuroria në qershor të vitit 1993 me akuzën “abuzim në detyrën e kryeministrit me pasojë përfitim për të tretët”. Në vitin 1994 përfundon gjykimi në Gjykatën e Faktit, duke i dhënë 12 vjet heqje lirie. Partia Socialiste, opinioni publik vendas, organizata ndërkombëtare prestigjioze të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, e konsideruan dënimin si hakmarrje politike nga ana e mazhorancës që drejtohej nga ish-Presidenti Berisha. Në mars të vitit ’97, Nano nuk pranoi të largohet nga burgu edhe pse për shkak të revoltave dyert u hapën dhe vendi përfundoi në një kolaps total. Fiton “de jure” lirinë me dekret presidencial. Në ’99-ën ai shpallet i pafajshëm dhe dëmshpërblehet për 1485 ditët e burgut.

11- Feçor Shehu

Ministër i Brendshëm në fillim të viteve ‘80, Feçor Shehu u arrestua në zyrën e tij, në shkurt të vitit 1982. Ai akuzohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, bashkë me disa figura të tjera të shtetit të asaj kohe si Kadri Hazbiu, Llambi Ziçishti etj. Si ata, pati të njëjtin fund. Pas një gjyqi special, ata u dënuan me vdekje. Vetëm dy ditë pas përfundimit të gjyqit, në mesnatën e 15 shtatorit të vitit 1983, të ashtuquajturit “grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, nën masa të rrepta sigurie u morën nga qelitë e Burgut 313 dhe u ekzekutuan diku në periferi të Tiranës, afër fshatit Linzë.

12- Gafurr Mazreku

Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore. Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.

13- Halit Shamata

Një nga politikanët e arrestuar në gusht të vitit 1998, ishte edhe ministri i Brendshëm në vitin 1997. Ish-ministri u akuzua për krime kundër njerëzimit. I arrestuar me shumë bujë në 22 gusht 1998, ai do linte qelinë vetëm disa ditë më vonë, pasi akuzat ndaj tij nuk u provuan dot. Por ish-ministri do e merrte pafajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij vetëm katër vjet më vonë, më 26 prill 2006, kur gjykata rrëzoi të gjitha akuzat ndaj tij.

Gjeneral-major Halim Xhelo, zv/ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht shef i Sigurimit të Ushtrisë në vitet e diktaturës, është dënuar disa herë nga drejtësia. Për herë të parë, patrioti shquar nga Vlora u dënua nga regjimi i Zogut, për shkak se ishte kundërshtar i tij. Por Halim Xhelo arriti të arratisej dhe të qëndronte në emigrim deri në vitin 1939. Në vitin 1967, në kulmin e karrierës së tij, ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet me shumë vite burg. Ai akuzua si kundërshtar i regjimit komunist dhe mbështetës i sovjetikëve. U vetëvra në burgun e Burrelit në vitin 1974.

15- Haxhi Lleshi

Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe një nga drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nga viti 1953-1982 dhe ishte Hero i Popullit. Në vitin 1996, Lleshi u gjykua dhe u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Sipas organit të akuzës, këto krime ai i kishte bërë duke qenë në krye të strukturave të regjimit komunist dhe për këtë u dënua me vdekje. Por më pas ky vendim u tërhoq nga Gjykata e Apelit, e cila e reduktoi vendimin me pesë vjet lirim me kusht. Lleshi vdiq më 1 janar 1998.

16- Hekuran Isai

Ish-ministri i Brendshëm në regjimin diktatorial, Hekuran Isai u përball për herë të parë me hekurat e burgut në 7 tetor të vitit 1993. Akuzat ndaj tij ishin të karakterit ekonomik. Edhe Isai, si pjesa më e madhe e kolegëve të tij që u arrestuan në atë kohë, u akuzua për shpërdorim detyre. Gjykata e dënoi Isain me 8 vjet burg, por në vitin 1996 ai akuzohet sërish. Në këtë vit, pas një vale arrestimesh të disa punonjësve në rang të lartë të policisë që kishin punuar para viteve ’90, adresohen edhe akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Sipas prokurorisë, Isai dhe nëntë ish- zyrtarë komunistë ishin nën akuzën e autorizimit të internimeve dhe veprimeve të tjera politike që dhunonin legjislacionin komunist. Në vitin 1997, Isai lirohet pas një amnistie të presidentit të asaj kohe.

17- Kadri Hazbiu

Ministër i Brendshëm për 25 vjet, nga viti 1954 deri në vitin 1979. Gjatë regjimit komunist, Kadri Hazbiu është cilësuar si një nga figurat më kryesore të shtetit në atë kohë. Në vitin 1979 ai emërohet ministër i Mbrojtjes, post të cilin e mban deri në vitin 1982. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në vitin 1982, ai përjashtohet me shumë bujë nga Partia në Plenumin e Komitetit Qendror dhe akuzohet si armik i popullit dhe i partisë. Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983.

18- Kol Tromara

Një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, pati një fund tragjik, kur, në vitin 1945, u pushkatua së bashku me mikun e tij, Bahri Omarin, pas një vendimi të “Gjyqit Special”. Shkak për dënimin e tij ishte posti i ministrit të Kulturës, që ai mbajti gjatë qeverisë së Rexhep Mitrovicës në vitet e pushtimit nazist. Ai u akuzua si bashkëpunëtor i pushtuesve dhe u ekzekutua në prill të vitit 1945. Kol Tromara lindi në Devoll të Korçës dhe që i vogël emigroi jashtë vendit ku edhe u shkollua. Në vitin 1907 ai ishte sekretar i shoqërisë “Besa-Besë” në Boston; më 1915, sekretar i Përgjithshëm i “Vatrës” e një vit më vonë kryetar i saj.

19- Koçi Xoxe

Koçi Xoxe ishte i pari ministër i Brendshëm gjatë regjimit komunist që u ekzekutua me vdekje. Në prill të vitit 1946 u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme e zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, sekretar i Komitetit Qendror të PKSH-së dhe deputet i Kuvendit Popullor që në legjislaturën e parë. Ai dënohet në vitin 1949 nga prokurori Bedri Spahiu me akuzën e spiunazhit, bashkëpunimin me jugosllavët për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, si dhe për eliminimin e këtij të fundit. Pas vendimit, ai ekzekutohet menjëherë me pushkatim.

20- Koço Kota

Kryeministër i qeverisë së Zogut nga viti 1925 deri në vitin 1939, Koço Kota pati një fund tragjik, kur në vitin 1949 vdiq nga torturat në burgun e Burrelit, të ndërtuar nga ai vetë gjatë kohës kur ai ishte në krye të shtetit. Pas pushtimit të vendit nga Italia, Koço Kota u largua nga Shqipëria së bashku me mbretin Zog dhe u vendos në Selanik të Greqisë, duke mos u përzier fare me politikë. Në vitin 1945 ai rrëmbehet nga Sigurimi i Shtetit dhe më pas dënohet nga gjykata me shumë vite burg, me akuzën e tradhtisë ndaj atdheut. Ai dërgohet për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, ku gjen edhe vdekjen.

21- Koço Tashko

Një nga studentët e parë shqiptarë që ka studiuar në Harvard. Koço Tashko kthehet në Shqipëri në vitin 1937 bashkë me direktivat e reja të Kominternit për lëvizjen komuniste. Megjithëse një nga themeluesit e kësaj lëvizje, Tashko u zhgënjye më pas nga ajo çfarë ishte bërë në Partinë Komuniste. Në detyrën e kryetarit të Komisionit te Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë, më 9 shtator të vitit 1960 shkarkohet nga detyrat e tij për “aktivitet armiqësor ndaj partisë” dhe dënohet me burg. Pas 10 vjet burg e shumë vjetësh internim vdes në një fermë.

22- Llambi Ziçishti

Ministri i Shëndetësisë ishte bërë një nga figurat drejtuese të sistemit komunist në Shqipëri, fill pas diplomimit për Mjekësi. Në vitin 1975 u emërua ministër i Shëndetësisë, deri më 1982, kur edhe mbylli karrierën dhe jetën e tij. Në vitin 1982 ai akuzohet si bashkëpunëtor i grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu. Llambi Ziçishti u akuzua gjithashtu se në vitin 1973 kishte dashur të helmojë diktatorin Enver Hoxha. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar më 17 shtator 1983 së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin.

23- Lef Nosi

Lef Nosi është një nga patriotët e shquar, që ndihmoi në Shpalljen e Pavarësisë së vendit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit, në gusht të vitit 1909, gjatë të cilit u themelua Shkolla Normale. Lef Nosi ishte një nga delegatët që morën pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Me krijimin e Qeverisë së Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, ai u emërua ministër i Postave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i Ballit Kombëtar. Pas çlirimit të vendit nga nazifashistët, Lef Nosi u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me vdekje, dhe vetëm pak kohë më vonë u ekzekutua.

24- Lenka Çuko

Ish-anëtarja e Byrosë Politike e zgjedhur dy herë në këtë pozicion, dhe sekretare e Komitetit Qendror, Lenka Çuko u prangos në valën e arrestimeve që u bënë në vitin 1993. Edhe ndaj saj u adresua e njëjta akuzë si ajo e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, abuzim me detyrën për shpërdorim të fondeve publike. Edhe pse pretendoi pafajësi, Çuko u dënua dhe pas amnistive të aplikuara në atë kohë dënimi i saj u reduktua dhe ajo u lirua në fund të vitit 1995. Por u arrestua sërish në vitin 1996, për krime kundër njerëzimit dhe për internimin e disidentëve. Gjykata i dha dënimin prej 15 vitesh burg, i cili u reduktua në 5 vjet disa muaj më vonë. Çuko u largua nga burgu pas amnistisë së presidentit Berisha në vitin 1997.

25- Liri Belishova

Liri Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike nga viti 1948 deri në vitin 1960, pasi Enver Hoxha e përjashtoi nga forumi më i lartë partiak. Por ish-anëtarja e Byrosë Politike pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik do kalonte shumë peripeci. Në vitin 1960 ajo përjashtohet nga partia dhe më pas internohet e burgoset për faktin e vetëm se nuk ishte dakord me prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë viteve të internimit, Liri Belishovës i vdes nga një sëmundje e pashërueshme edhe vajza e vetme. Ajo lirohet nga internimi vetëm pas rrëzimit të regjimit diktatorial.

26-27. Liri Gega dhe Dali Ndreu

Liri Gega ishte anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, ku bënin pjesë edhe Fiqret Shehu e Nexhmije Hoxha. Anëtare e KQ që nga viti 1943. U martua me Dali Ndreun, ushtarak i lartë. Ka qenë deputete e Kuvendit në vitin 1945-1948 dhe një drejtuese kryesore e Organizatës së Gruas Shqiptare. Në vitin 1956 arrestohet së bashku me bashkëshortin e saj me akuzën si agjentë të jugosllavëve. Gjykata i dënon me vdekje dhe çifti Gega-Ndreu ekzekutohen menjëherë.

28- Manush Myftiu

Manush Myftiu pas çlirimit të Shqipërisë mori detyra me mjaft rëndësi, duke kapur majat e strukturës komuniste. Për tre vjet (1947-1950), ai ishte kryetar i Kuvendit Popullor. Në vitin 1949 Myftiu ishte ministër pa portofol dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Në vitin 1952 ai do të emërohej zv/kryeministër, post që, përveç një shkëputjeje 10-vjeçare (1966- 976), do ta linte vetëm në vitin 1990. Në vitet 1956-1958, Myftiu ishte ministër i Shëndetësisë, ndërsa nga viti 1958 e deri më 1965, ministër i Arsimit e Kulturës. Arrestohet në vitin 1992 për shpërdorim detyre, por lihet arrest shtëpie për shkak të problemeve me shëndetin. Më pas dënohet sërish në vitin 1996 për krime kundër njerëzimit, por kësaj radhe dënohet me vdekje. Gjykata e tërheq këtë vendim dhe e redukton dënimin në 5 vjet lirim me kusht.

29- Mark Frroku

Deputeti kristiandemokrat Mark Frroku ndodhet tashmë prej disa javësh në burg. Fillimisht Frroku u dënua për kallëzim të rremë në çeshtjen “Doshi”. Një tjetër akuzë për të edhe për vrasje të kryer në Belgjikë, ndërsa në Shqipëri për akuzën e “pastrimit të parave” dhe “refuzimit për të deklaruar pasurinë”.

30- Mirash Ivanaj

Mirash Ivanaj, një ndër atdhetarët dhe personalitetet më të shquara të kombit, njohës i 11 gjuhëve të huaja, me dy fakultete të kryera në Romë, atë të letërsisë dhe të jurisprudencës, ministër Arsimi në kohën e Mbretit Zog, dënohet dhe persekutohet nga regjimi komunist, gjersa vdes në burg. Ai u arrestua më 15 maj 1947, i akuzuar si “një mbështetës i fortë i qeverisë fashiste zogiste, duke shërbyer si ministër Arsimi”. Ivanaj u dënua me 7 vjet burg dhe vdiq 12 ditë para se t’i përfundonte dënimi në moshën 62 vjeçare.

31- Mit’hat Frashëri

Pinjoll i frashëllinjve, djali i patriotit të shquar të Rilindjes, Abdyl Frashërit, ai është përballur dy herë me drejtësinë. Themeluesi i lëvizjes nacionaliste Balli Kombëtar, u arrestua për herë të parë në vitin 1943 nga Italia fashiste. Shkak u bë lëvizja e tij për çlirimin e vendit. Ai do qëndronte i burgosur vetëm pak kohë, pasi me kapitullimin e Italisë, ai lirohet nga burgu. Por në nëntor të vitit 1944 ai detyrohet të largohet nga Shqipëria, pasi forcat komuniste e cilësojnë tradhtar. Ai dënohet në mungesë nga gjykatat komuniste me vdekje. Vdiq i mërguar në SHBA më 3 tetor 1949.

32- Musine Kokalari

Lindi në Adana të Turqisë dhe u diplomua në universitet për Letërsi dhe Arte të Bukura, dhe po aty u doktorua me temën “Naim Frashëri”. Musine Kokalari është nga shkrimtaret e para shqiptare, por edhe një intelektuale e kompletuar, që nuk mundi të pajtohej me mungesën e lirisë së fjalës dhe të shtypit. Në vitin 1943 themeloi Partinë Socialdemokrate Shqiptare dhe nxori gazetën “Zëri i Rinisë”. Për pikëpamjet e saj, që binin ndesh me regjimin, u arrestua më 22 janar 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg. Mandej u internua dhe u keqtrajtua. Është cilësuar “Pishtare e demokracisë dhe e shqitparizmës”. Vdiq në internim në Rrëshen më 14 gusht 1983.

33-34. Naxhie Dume dhe Nesti Kerenxhi

Naxhie Dume, ish-ministrja e Arsimit, dhe një nga gratë më aktive në Partinë Komuniste, u shkarkua nga të gjitha postet qeveritare dhe partiake pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste. Anëtare e Komitetit Qendror të PKSh-së, Dume ishte ministrja e parë femër në historinë e Shqipërisë. Dume, ishte bashkëshortja e Nesti Kerenxhit, një funksionari të lartë të qeverisë dhe Partisë Komuniste. Të dy u burgosën dhe u internuan për veprimtari armiqësore ndaj partisë.

35- Nesti Nase

Kishte drejtuar diplomacinë shqiptare prej dhjetëra vitesh, kur u arrestua në shtator të vitit të kobshëm 1982. Ai u akuzua si pjesëtar i grupit armiqësor të drejtuar nga Kadri Hazbiu, që kishte për detyrë eliminim e udhëheqjes së lartë si dhe bashkëpunëtorë i shërbimeve të huaja. Në vitin 1983 gjykata e shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe e dënon më vdekje, ekzekutimi i tij kryhet menjëherë.

36- Nexhmije Hoxha

Ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës është dënuar disa herë në periudha të ndryshme. Në kohën e Luftës u dënua me 11 vjet burg për veprimtarinë e saj si komuniste. Por koha më e vështirë për të, ishte pas viteve ’90. Ajo u arrestua në vitin 1991 dhe u dënua në vitin 1993 me 11 vjet burg, për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Por ky dënim u ul disa herë në bazë të amnistive të ndryshme që u bënë në ato vite dhe zonja Hoxha vuajti përafërsisht gjysmën e këtij dënimi. Nexhmije Hoxha akuzohej për shpërdorim detyre, konkretisht se kishte abuzuar me 764 mijë lekë të fondeve publike. Ajo u lirua në vitin 1996 në moshën 76-vjeçare.

37- Pandi Kristo

Për herë të parë, Pandi Kristo u dënua dhe u burgos në Berat në vitin 1938, sepse ishte komunist. 10 vjet më vonë, për ironi të fatit, do të dënohej nga vetë komunistët. Kristo ishte një nga figurat më të larta të sistemit komunist. Në tetor të vitit 1944, ai zgjodh anëtar i Byrosë Politike edhe shef i Shërbimit të Fshehtë Informativ. Në vitin 1946-1947 caktohet kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe në vitin 1948 ministër pa Portofol. Në Kongresin e Parë të PKSH-së kritikohet dhe akuzohet së bashku me Koçi Xoxen, për veprimtari agjenturore pro jugosllave, antishqiptare dhe antisovjetike, etj. Më 28 nëntor të vitit 1948, arrestohet në selinë e KQ-së, mandej hetohet, gjykohet dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie. Dënimin e ka kryer në Tiranë, në Burgun e Vjetër, në Burgun e Ri, në atë të Artizanatit dhe në Burrel. Në tetor të vitit 1963 u lirua nga burgu i Burrelit dhe jetoi në qytetin e Lushnjës, si i dëbuar ushtroi profesionin e këpucarit. Në vitin 1991 u kthye në Tiranë. Vdiq në Tiranë, më 2 tetor të vitit 1994.

38- Pjetër Arbnori

Që në moshën 14 vjeç u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Së bashku me intelektualë të tjerë, mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë. Në pranverën e vitit 1961 u arrestua dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh, u dënua me vdekje. Pas tre muajsh, dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe duke organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg për agjitacion e propagandë, si edhe për arsye të shkrimit të një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Pasi kreu dënimin, më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të vitit 1989. Ishte Kryetar i Kuvendit nga viti 1992 deri në vitin 1997. Vdiq më 8 korrik 2006.

39- Qemal Stafa

Qemal Stafa ishte figurë e shquar e lëvizjes dhe e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai është dënuar dy herë nga drejtësia. Herën e parë u arrestua në janar 1939 dhe u dënua me burgim nga regjimi i Zogut si kundërshtar i tij dhe për bindjet e tij komuniste. Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë arratiset nga burgu dhe bashkë me Vasil Shanton organizon qëndresën antifashiste. Më 5 maj 1942 rrethohet nga forcat fashiste dhe vritet.

40- Ramiz Alia

Ish-Presidenti i Republikës do përballej me akuzën e shpërdorimit të detyrës vetëm disa kohë pasi do jepte dorëheqjen si President, në mesin e shtatorit 1992. Në gusht të vitit 1993 ai burgoset dhe së bashku me ish-funksionarë të lartë të PPSH-së del para gjykatës në prill të vitit 1994. Megjithëse Alia deklaroi se dënimi i tij ishte krejtësisht politik dhe se ai ishte i pafajshëm, gjykata vendosi ta dënonte me 9 vjet burg. Ky vendim u reduktua më pas me 5 vjet burg. Alia kishte kaluar vetëm 1 vit në qeli, kur u la i lirë më 7 korrik të vitit 1995, një vendim i marrë nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se Kodi i Ri Penal e çlironin atë nga dënimi i caktuar. Por liria e Alisë nuk zgjati shumë. Në vitin 1996 ai akuzohet “Për krime kundër njerëzimit” dhe burgoset në mars të këtij viti. Gjyqi ndaj tij filloi në shkurt të ’97-ës, por një muaj më vonë, për shkak hapjes së burgjeve, largohet nga vendi i dënimit. Më vonë çështja ndaj tij pushohet.

41-Safet Butka

Arsimtari i njohur i viteve ’30 dhe eksponenti i famshëm nacionalist i Ballit Kombëtar, ishte një nga drejtuesit kryesorë të demonstratës antifashiste të 28 nëntorit të vitit 1939 në qytetin e Tiranës dhe për atë shkak ai u arrestua nga autoritetet italiane. Butka u burgos në Tiranë, më pas u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, ku u mbajt i izoluar për tre vjet me radhë së bashku me ajkën e intelektualëve shqiptarë antifashistë, si Selman Riza, Abas Ermenji, Masar Shehu, Zef Mala etj., të cilët kishin organizuar e frymëzuar demonstratat e para kundër pushtuesve italianë.

42- Safet Zhulali

Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 1992–1997, Safet Zhulali është një nga politikanët shqiptarë të akuzuar nga drejtësia shqiptare. Ai u arrestua më 22 gusht 1998 së bashku me disa drejtues të lartë. Ish-ministri i Mbrojtjes u akuzua për krime kundër njerëzimit. Por akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë. Kështu, pas 45 ditësh burg, Safet Zhulali lë qelinë, por qëndroi edhe 6 muaj në arrest shtëpie. Më 26 prill 2002 gjykata i dha Safet Zhulalit pafajësinë.

43- Sejfulla Malëshova

“Lame Kodra”, pseudonimi me të cilin u bë i njohur që në moshën 24-vjeçare, vdiq në vitin 1971 i internuar në Fier. Që në Plenumin e Beratit, në vitin 1944, Sejfulla Malëshova shfaqi kritikat e tij mbi linjën e Partisë Komuniste. Ai e cilësoi atë si një parti terroriste. Në 1947-n shkarkohet edhe nga funksioni i lartë shtetëror, ai i ministrit të Arsimit, me motivacionin e çuditshëm “për paaftësi”. Pas Konferencës së Tiranës, më 1956, për shkak të bindjeve të tij politike, ai akuzohet si armik i partisë dhe burgoset e më pas internohet, fillimisht në Ballsh, dhe më vonë në Fier, ku qëndroi deri sa vdiq më 11 qershor 1971.

44- Shefqet Peçi

Ish-deputet dhe ministër i Transportit në kohën e komunizmit, Shefqet Peçi u arrestua më 11 tetor të vitit 1995 dhe u akuzua për një krim të kryer në vitin 1944. Sipas organit të akuzës, Peçi kishte urdhëruar vrasjen e 21 fshatarëve nga Buzëmadhi, një fshat afër Kukësit, në pozicionin e tij si komandant i ushtrisë. Peçi ishte personi i parë i akuzuar nën ligjin e gjenocidit, i cili kaloi në Parlament më 20 shtator të vitit 1955. Peçi deklaroi në atë kohë se “e kishte për nder të vdiste në burgjet e Berishës”. Në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, në moshën 90-vjeçare, Peçi hyn në grevë urie dhe pas 12 ditësh vdes.

45-46. Spartak Ngjela dhe Kiço Ngjela

Të ishte pjesë e nomenklaturës së Hoxhës ishte fat. Por kur ti tregoje nivel, ide të reja dhe ndryshe nga vija e partisë, ajo të kthehej në të kundërt. Kështu i ka ndodhur ish-deputetit Spartak Ngjela, i cili pësoi të njëjtin fat si i ati, Kiço Ngjela, i cili u dënua për sabotime në ekonomi. Ministrit të Ekonomisë as që i shkoi ndërmend një gjë e tillë. Por duket se radha e Enverit nuk bënte dallime. Por, për fatkeq, në këtë drejtim ishte dhe i biri, Spartaku, i cili kishte koncepte dhe ide shumë perëndimore. Ai i arrestua dhe dënua për agjitacion e propagandë në vitet shtatëdhjetë dhe u lirua në vitin 1990. Ish-ministri i Tregtisë së Jashtme, Kiço Ngjela u arrestua “Për veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, në bashkëpunim me armiq të jashtëm”. Ai u burgos në vitin 1976 në burgun e Kosovës.

47. Shpëtim Gjika

Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika përfundoi i arrestuar si i dyshuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave”, “shpërdorimit të detyrës”, ndërtimit të paligjshëm” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. P:as arrestimit kryebashkiaku Gjika u transportua në spitalin rajonal të Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën dhe hipertensionin. Më pas Gjika u la i lirë, duke marrën masën detyrim paraqitjeje.

48- Todi Lubonja

Todi Lubonja ishte një nga intelektualët opozitarë të diktaturës komuniste. Që i ri mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Lubonja u bë një emër i njohur si drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar dhe në këtë post ai do të mbahet mend, si njeriu që solli një frymë liberale dhe profesionale edhe pse ishte anëtar i Komitetit Qendror. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH ishte një rast për të vënë në shënjestër një grup intelektualësh, ku padyshim ndër më kryesorët ishin Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Lubonja shkarkohet. Por dënimi i tij dhe i Paçramit për veprimtari armiqësore si pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grup liberal”, ndodhi në 1974-n, pas Plenumit IV. Familja e Lubonjave internohet, ndërsa i biri i tij, Fatos Lubonja, bën gjithashtu burg politik si i ati. Todi Lubonja vdiq në moshën 83-vjeçare në Tiranë.

49- Tom Doshi

Deputeti Tom Doshi është i akuzuar nga Prokuroria për kallëzim të rremë. Fillimisht ai u arrestua nga policia dhe e kaloi një natë në qelinë “VIP” në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Më pas për deputetin u vendos masa dënim me “arrest shtëpie”. Ndërsa më 28 prill të këtij viti Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për Tom Doshin. Kolegji penal argumetoi se në gjedjen ku ndodhen aktet e dosjes se deputetit mund të hetohet në gjendje të lirë, me masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe se nuk është e nevojshme mbajtja e tij në arrest shtëpie.

50- Tuk Jakova

Antifashist i orëve të para, themeluesi i Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941, veprimtar i shquar i LANÇ-it, anëtar i KQ dhe i Byrosë Politike, ministër, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral-major dhe “Heroi i Popullit”, u cilësua nga regjimi komunist “Armik i partisë dhe i popullit”. Në vitin 1953, ai përjashtohet nga Byroja Politike dhe më pas arrestohet me akuzat si përkrahës i klerit katolik dhe shfaqjes së mendimeve kritike për qëndrimet e Partisë Komuniste. Ai dënohet me 20 vjet burg. Tuk Jakova vdiq në spitalin e burgut, në Tiranë, më 26 gusht 1959, në rrethana misterioze.

PUSHKATIMET PA GJYQ




Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar në raportin vjetor, në të cilin thuhet se gjatë regjimit komunist 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. Në raportin e dorëzuar në Kuvend, ISKK ka publikuar një sërë statistikash, për vuajtjet që kanë pësuar shqiptarët gjatë regjimit “hoxhist”.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.



PUSHKATIMET PA GJYQ

Instituti Studimit të Krimeve të Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa, në raportin e vjetor thekson se ka nisur puna në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq. Në raport thuhet se janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva.

“Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944- 1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raportin e ISKK-së.

HARTA E BURGJEVE

“Topografia e terrorit komunist” do të titullohet harta që po përgatit Instituti i Studimeve të Krimeve të komunizmit. Në këtë hartë do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë.

“ISKK tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet e kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet ‘topografia e terrorit komunist’, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memorialë e pllaka përkujtimore. Instituti vijon të përkrahë e nxitë studimet shkencore rreth krimeve të komunizmit me doktorantë të huaj e shqiptarë pranë Universiteteve të Europës e Amerikës, duke u afruar atyre dokumentet dhe literaturën e nevojshme dhe konsulencën shkencore në këtë drejtim”, thuhet në raportin vjetor.

Xhelatët e diktaturës: Emrat që torturonin të burgosurit



Çelo Hoxha

Identifikohen torturuesit dhe llojet e torturave, duke u bërë zyrtare nga dokumentet e arkivave shqiptarë; rrëfimi i Diti Biçakut për të tmerrshmin Stavri Xharo

Një libër studimor me autor Çelo Hoxhën artikulon për herë të parë, përmes dokumenteve dhe dosjeve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Brendshme, mbi ardhjen e regjimit komunist me anë të ushtrisë; ky është një qëndrim zyrtar që mban i vetmi institucion publik, shtetëror, i krijuar 20 vjet pas rënies së komunizmit, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Më poshtë kemi tërhequr një fragment nga libri “Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri”, 1944-1948, ku për herë të parë artikulohen të plotë, emrat e torturuesve në burgjet komuniste vendosur në kontekstin e pranuar zyrtarisht, të vendosjes së regjimit ushtarak të Enver Hoxhës





Burgu-ne-Ballsh-dhe-vepra-Industriale-300x285Ishte vetëm fillimi i dhunës që u ushtrua mbi Veriun gjatë vitit 1945 e në vazhdim. Shkodra, në atë periudhë, mund të ketë qenë qyteti me numrin më të madh të burgjeve në gjithë Evropën, rreth 30 të tillë. Shumica e burgjeve ishin të improvizuar, një konvikt, Kuvendi i Fretërve, shumë shtëpi banimi, mes tyre dhe një e fisit Rroi, tek të cilët qëndroi, para se të shkonte në Perëndim, Mithat Frashëri.

Me ardhjen e Mehmet Shehut, në Shkodër u vendos gjendja e shtetrrethimit për disa javë. Dënimet me vdekje njoftoheshin në fjalime publike. Çdo të premte në orën 5 bëheshin pushkatimet. Pushkatimet bëheshin në sy të popullit, 10, 12, 14 vetë çdo të premte, për disa muaj. “Gjatë muejve janar-shkurt 1945 masat e terrorit mbi popullsinë erdhën tue u randue: shtoheshin kontrollet, shtoheshin të burgosunit, shtoheshin torturat, shtoheshin pushkatimet. Ndërsa pothuej për çdo natë, mbasi errej, turma të organizueme silleshin nëpër rrugë tue u çjerrë me tërbim me kangët terroriste “Hakmarrje Rini!” etj”. Me ikjen e gjermanëve, në Shkodër sundonte terrori. Të gjitha shtëpitë, pa përjashtim, kontrolloheshin nga partizanë të armatosur. Kontrollet bëheshin me pretekstin e kërkimit të “kriminelëve” dhe “reaksionarëve”, por qëllimi i vërtetë ishte terrori ndaj popullsisë. Për t’i ikur terrorit njerëzit arratiseshin në male ose fshiheshin te ndonjë mik besnik. Ata që strehonin të arratisurit i prisnin ose torturat, ose pushkatimi. Ndodhte që dikush torturohej ose pushkatohej vetëm pse emri i tij ishte i ngjashëm me emrin e personit që kërkohej. E shumta e njerëzve që kryenin kërkimin ishin ose analfabetë, ose gjysmanalfabetë. Pak pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, një person e arrestuan se i gjetën në shtëpi një gazetë “Zëri i popullit” me fotografinë e Enver Hoxhës të grisur. Kush binte në dorë të ushtrisë e Sigurimit përjetonte tortura, prej të cilave, në një rast u çmend dhe vetë hetuesi.

Ja 20 nga llojet e torturave më të shpeshta: të burgosurit rriheshin me dru derisa u bëheshin plagë dhe u binte mishi; u kruheshin plagët e qelbëzuara me dru; u shpohej mishi me tel të nxehtë; u futej rryma elektrike në veshë; u hidhej kripë në mishin e djegur; liheshin në ujë të ftohtë; liheshin pa ushqim deri në vdekje; liheshin pa ushqim për disa kohë; liheshin lakuriq në të ftohtë; u vishej jeleku; u vendosej dinamit në organet gjenitale; u shtrëngoheshin gjinjtë me pinca; u futej jashtëqitje në gojë; vareshin me kokë poshtë; lidheshin me lin; liheshin në diell; u futej macja në tumane; u përgatitej varri; u futej pushka në gojë; tentohej përdhunimi i vajzave. Muço Saliu, punonjës i Sigurimit, në deklaratën e tij për gjyqin e Koçi Xoxes, flet për torturat më me detaje: “Shumë njerëz që janë arrestuar, nuk kanë patur fare dosje ose materiale për të proceduar e nxjerrë në gjyq. Por, a mund të pranojë e të flasë një armik pa patur material kompromentues? Sigurisht që jo. Atëherë ky rrihej derisa tregonte edhe gjëra të pabëra, duke e çuar armën e Sigurimit në rrugë pa krye. Druri dhe torturat kanë qenë metodat e organeve të Sigurimit për të zhvilluar një proces e për ta bërë të arrestuarin të fliste. Në Sigurim nuk ekzistonin lloje të tjera pune për të zhvilluar një proces. Disa shokë, në fillim u thonin të burgosurve me të mirë që të tregonin gjithçka. Në rast se nuk pranonin, kërcënoheshin dhe rriheshin, derisa të tregonin edhe gënjeshtra. Liheshin me ditë të tëra në këmbë, deri në enjtje të tyre. Janë lënë në çimenton e ftohtë pa mbulesa për shumë kohë. Kanë ngelur pa bukë e ujë për javë të tëra (Myfit Shehu i lënë nga Avni Verçuni). Nuk është dhënë ujë, ose kur iu jepej, iu jepej me shumë kripë disa të dënuarve (këtë e ka bërë Irakli Kocani). Liheshin me erën e qelbur në nevojtore për ditë të tëra edhe pa ushqim. Janë lidhur me hekura prej muri me ditë e net, derisa kanë vdekur (Nazmi Qerazit i vdiq një nga Çamëria në këtë mënyrë). Futeshin kokëposhtë në një fuçi të mbushur me ujë, saqë kur dilnin, mezi qëndronin në këmbë. Kjo përdorej në fillim nga Stavro Xharra, por kjo përdorej njëlloj edhe për gratë. Njëri nga përdoruesit ishte edhe Raqi Zavalani. Janë vënë në korrent dhe telefoni qëndronte gjithnjë në dhomën ku pyeteshin të burgosurit. Janë rrahur me kamxhik, dru, shpulla e grushte, derisa iu është bërë kurrizi plagë. Në sigurimin e ushtrisë janë djegur në pulpën e këmbës me thupër pushke të nxehtë. Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke iu shkaktuar dhimbje të mëdha. Kjo u përdor në fillim nga seksioni i sigurimit të ushtrisë. Iu janë djegur organet seksuale me benzinë, si Alfred Ashikut nga Cole Bashari. Vërtiteshin njerëzit në një metër vend me kokë nga drita elektrike në tavan me orë të tëra, derisa binin përtokë. Natën detyroheshin të këndonin disa të burgosur si hoxhë, gjë që e bënte qesharake punën e hetuesisë. Kjo përdorej nga Stavri Xharra. Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër, përdorur nga Tomas Beqari. Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë. Kjo është përdorur po nga Tomas Beqari. Janë marrë në mesin e natës, duke i nxjerrë përjashta me kërcënimin e pushkatimit. Natën në dhomat e burgut u thuhej disave se do të pushkatoheshin, prandaj t’u shkruanin familjeve fjalët e fundit. U premtoheshin se do t’i lironin, në rast se tregonin, duke përdorur edhe vula të institucionit, përdorur nga Raqi Zavalani. U viheshin tek hunda çorape të qelbura, përdorur nga Avran Koja. Janë rrahur me vizore në duar, deri në shkaktim të plagëve të rënda. Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga sigurimi i ushtrisë. Janë lejuar ushtarët roje të burgut që t’iu hipnin të burgosurve në kurriz dhe të shëtisnin nëpër korridore njëlloj sikur të ishin kuaj. Viheshin të burgosurit të rrihnin njëri-tjetrin me shpulla dhe grushta. Përveç disa shokëve, ka pasur edhe të tjerë që kishin qejf të rrihnin edhe në hetuesi, si p.sh. Myftar Tare. Ky e ka rrahur shumë Tomorr Frashërin, se ky thoshte që e kishte patriot. Së fundi, nga druri pranoi se nuk ishte nga Kolonja dhe kështu Tare “shpëtoi” dhe nuk e torturoi më patriotin. Vaskë Koleci për të gjitha këto ka qenë i mirinformuar. Por shokët janë quajtur të dobët se nuk e urrenin shumë armikun, pasi nuk rrihnin shumë. Asnjë nga shokët e sigurimit nuk u dënua për këto gjëra. Vaskë Koleci nuk thoshte përdorni dru, por bëni presion dhe botëkuptimi ishte t’i linim njerëzit pa bukë për ditë të tëra, derisa t’u binte të fikët, t’i vinim në rrymë elektrike dhe t’u punonim të gjitha të zezat. Vaskë Koleci thoshte: të rrihen të burgosurit e t’u bëhet presion, por të mos qëllohen në fytyrë dhe në këmbë, sepse pastaj nuk i nxjerrim dot në gjyq. Vaskë Koleci, Nesti Kerexhi dhe Thoma Karamelo kanë rrahur anëtarin e partisë Vani Furrxhiu. Vaska ka rrahur Llazar Papastolin (Lari Post) me dru për netë të tëra, duke pasur si ndihmës Thoma Karamelon. Skënder Konica më ka thënë për Vaskë Kolecin se ai vinte shpesh në seksionin e sigurimit të ushtrisë dhe kërkonte dara e pinca. Në një dhomë ndodhej dikur një njeri që nuk shihej nga askush. Nga kjo dhomë Vaska dilte me pincat dhe darat gjithë gjak. Këtu mora vesh se ishte anëtari i partisë Galip Hatibi, i cili ishte arrestuar fshehtësisht nga Angji Faber, në kohën kur po dilte nga Komiteti Qendror i Partisë. Kur unë kam shkuar me Siri Çarçanin dhe Lefter Lakrorin në Shkodër, Vaska dhe Nesti i thanë Siriut dhe Zoi Themelit, që ishte shef i sigurimit në Shkodër, të arrestonim dhe rrihnim sa të donim e të ngopeshim. U arrestuan 300 vetë dhe u torturuan në këtë mënyrë të gjithë”. Zoi Themeli e pranon terrorin që ushtrohej në Shkodër. Në gjyqin e Koçi Xoxes, ai dëshmoi se prej tij urdhërohej me shkresa dore, të cilat, përveç udhëzimeve për tortura e pushkatime, mbaronin rregullisht me këtë porosi: “Këndoje dhe digje”.

Dhuna e diktaturës nuk ishte lokalizuar vetëm në Shkodër dhe vetëm gjatë vitit 1945. Në 1946-ën, Nesti Kerenxhi u dërgua në Peshkopi, me vendim të Byrosë Politike, të arrestonte nja 70 vetë dhe 20 prej tyre t’i pushkatonte pa gjyq. Në Burrel u pushkatuan pa gjyq njerëz që mendohej se gjatë operacioneve ushtarake mund të arratiseshin. Në vitin 1946, dega e Sigurimit të Beratit u njoftua se në Lushnjë po shkonte Gjykata e Lartë për të dënuar katër persona me vdekje. Edhe në 1947-ën, pushkatimet pa gjyq vazhdonin, me urdhra politike, ndërsa jepej porosia që formalitetet gjyqësore të bëheshin më vonë. Gjatë procesit të çarmatimit të popullsisë, 1946, ka pasur raste që fshatarët janë vrarë ose torturuar, qoftë dhe për një pushkë të vjetër. Pas rezolucionit të Byrosë Informative, 1948, në Dukagjin u vranë dy gra dhe disa fëmijë. Në një rast, kur Koçi Xoxe u pyet në gjyq se a kishin vrarë vartësit e tij pa urdhër, ai deklaroi se kishte qenë në dijeni për tri raste dhe kur i numëroi përmendi katër: “Në Peshkopi, në Kukës, në Mirditë dhe një herë në Lushnjë”. Të gjitha pushkatimet, ose shumica e tyre, bëheshin me dijeninë e Byrosë Politike. Ministria e Brendshme në të gjitha proceset jepte mendimin e saj dhe sugjeronte edhe masën e dënimit. Sugjerimet e saj për gjykatat ishin të kësaj natyre: “At Aleksi të dënohet me vdekje e të tjerët me burgime të ndryshme”. Morali i një veprimtarie të tillë antiligjore ishte se “për të mirën e punës dhe Partisë”, shkelja e ligjit ishte e lejueshme. Kush shkonte në burg nuk e priste ndonjë fat më i mirë. “Në Burrel hyn e nuk del” ishte parulla në hyrje të burgut të Burrelit. Vargu i parë i Ferrit të Dantes, i kopjuar më me korrektësi, ishte shkruar edhe në hyrjen e burgut të Romës, Rexhina Çeli, në Itali, ku burgoseshin antifashistët: “Zhvishuni nga çdo shpresë, ju që hyni këtu”.

Qeverisë shqiptare nuk i interesonte fati i qytetarëve dhe pavarësisht se e quante veten demokratike, legjitimitetin nuk e kërkonte te qytetarët e saj, por jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, në shtator 1945, ajo i dërgoi misionit të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Tiranë një promemorie, ku kërkonte njohjen e qeverisë. SHBA-të dhe Britania u treguan të gatshme ta njihnin, nëse qeveria plotësonte disa kushte, mes të cilave organizimin e zgjedhjeve të lira. Me shpresën e njohjes ndërkombëtare në mendje, zgjedhjet u bënë më 2 dhjetor. Në zgjedhje morën pjesë kandidatët e organizatës Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar; organizimi i partive politike lejohej de jure, por ndalohej de facto. SHBA-të dhe Britania e Madhe nuk e njohën qeverinë shqiptare, megjithëse më 11 janar 1946 ajo u miratua nga Asambleja Kushtetuese. Mbledhja e parë e asamblesë ka rëndësi vetëm për një fakt, ajo miratoi të gjitha ligjet e KANÇ të dala që nga Kongresi i Përmetit, duke konfirmuar kështu se gjithçka që ishte bërë deri atëherë – dënimi i shumë njerëzve si kriminelë lufte, Gjyqi Special, konfiskimet e pronës, shtetëzimet, prishja e koncesioneve etj., ishte bërë me iniciativën e institucioneve të pamiratuara nga një organ i dalë nga zgjedhjet e qytetarëve, e për rrjedhojë, të paligjshme. Diti Biçaku: Si i shpëtova torturuesit të tmerrshëm, Stavri Xharrës

Rrëfen Diti Biçaku, një prej njerëzve që i shpëtoi pushkatimit të natës së 21 shkurtit 1956, ku u hodhën në Urën e Beshirit, 22 intelektualë të pushkatuar pa gjyq, mes tyre dhe Sabiha Kasimati. Diti ka rrëfyer pak kohë më parë për “Standard”, në një intervistë të gjatë, këtë histori, si dëshmitare e asaj nate kur ishte dhe ajo e arrestuar duke shpëtuar për fije. Bashkë me rrëfimin e ngjarjes, ditët e saj kanë vijuar në burg, pa ditur çfarë u bë me 22 intelektualët, ndërsa ka treguar se në hetuesi u thirr nga Stavri Xharra që njihej nga torturuesit më të pamëshirshëm të burgjeve komuniste.

Kur ishit në burg, a ju morën në hetuesi për ngjarjen?

Mbasi u bë pushkatimit për t’u dhënë me kuptu se po i gjykojmë na çuan në një shtëpi… ishte një hetues, nuk u sjell shumë keq me mua. Nuk e mbaj mend se kush ishte, vetëm se na thoshte se “këtë libër që e kam këtu i kam plot dokumente të tuaja, se ju kam ndjek mbrapa ku ke shkuar. Prandaj trego çfarë ke bërë”. I thashë se nuk kam bërë asnjë gjë. Ajo zonja Lufi që ishte në burg me mua, më pat thënë një fjalë te veshi: “Ti qenke Didija e Biçakut, nëse do të rrish rehat, mos zër asnjë me gojë, se unë kam nëntë muaj izolim, se zura njërin me gojë”.

A ju bënin presion në hetuesi?

Ndonjë presion të madh, me na torturuar, nuk më kanë bërë. Por vetëm se më kanë pyetur pafund, me cilin rrija, çfarë bëja, ku shkoja. Shoku im i ngushtë ishte biçikleta. U thashë se nuk takoja asnjë nga rrethi im. Por torturë ishte kur të akuzonin vazhdimisht se “isha armik i popullit, kundra pushteti” – kjo më bënte të vuaja në fakt, isha pa faj. Unë mbylla gojën, por hetuesi më kërcënoi: se do ta shohësh do të t’i nxjerrim të gjitha ato që ke bërë. Jam e sigurt se po ta hapja atë fletore që më thoshte vazhdimisht hetuesi se ishte plot më bëmat e mia, e them me bindje se do ishte krejt bosh, e bardhë. Mora një kurajë që as vetë nuk e di dhe i thashë hetuesit se ishte e bardhë ajo fletore. Nguli këmbë në të vetën: mirë prapë do shihemi, dhe do t’i thuash pastaj të gjitha ato që ke bërë. Asnjë gjë s’keni prej meje – këto ishin fjalët e mia. Na çuan edhe njëherë tjetër për pyetje, dhe më vonë na nxorën. Hetuesi si tashi më kujtohet ishte Stavri Xharra.

Stavri Xharra njihet si një nga torturuesit më të egër në diktaturë. A kishte kontakt me ju?

Jo ai mori disa të dënuar të tjerë që ishin më përpara se bomba e ambasadës. Ne ashtu na merrnin, hajde dilni dhe thoshin të shkonin te Stavri Xharra. Ne e morën vesh pas daljes nga burgu kush ishte Stavri Xharra. Por kam shkuar dhe unë te Stavri Xharra për hetuesi. Ai më priti me një egërsi dhe më tha: shiko, nuk do t’i përsërisësh më gabimet që ke bërë, se këtë herë ta falëm. Herë tjetër nuk të falim më. E kishim dëgjuar si emër kush ishte Stavri Xharra.

*Pjesë nga intervista e botuar në “Standard”, shkurt 2012

Intervistoi: V. M.



Emrat e torturuesve dhe metodat e tyre



Muço Saliu – punonjës i Sigurimit… Druri dhe torturat kanë qenë metodat e organeve të Sigurimit për të zhvilluar një proces e për ta bërë të arrestuarin të fliste. Në Sigurim nuk ekzistonin lloje të tjera pune për të zhvilluar një proces. Disa shokë, në fillim u thonin të burgosurve me të mirë që të tregonin gjithçka. Në rast se nuk pranonin, kërcënoheshin dhe rriheshin, derisa të tregonin edhe gënjeshtra. Liheshin me ditë të tëra në këmbë, deri në enjtje të tyre.



Avni Verçuni – Janë lënë në çimenton e ftohtë pa mbulesa për shumë kohë. Kanë ngelur pa bukë e ujë për javë të tëra (Myfit Shehu i lënë nga Avni Verçuni).





Irakli Kocani – Nuk është dhënë ujë, ose kur u jepej, u jepej me shumë kripë disa të dënuarve (këtë e ka bërë Irakli Kocani). Liheshin me erën e qelbur në nevojtore për ditë të tëra edhe pa ushqim. Janë lidhur me hekura prej muri me ditë e net, derisa kanë vdekur (Nazmi Qerazit i vdiq një nga Çamëria në këtë mënyrë).





Stavri Xharo – Futeshin kokëposhtë në një fuçi të mbushur me ujë, saqë kur dilnin, mezi qëndronin në këmbë. Kjo përdorej në fillim nga Stavro Xharra, por kjo përdorej njëlloj edhe për gratë.

-Vërtiteshin njerëzit në një metër vend me kokë nga drita elektrike në tavan me orë të tëra, derisa binin përtokë. Natën detyroheshin të këndonin disa të burgosur si hoxhë, gjë që e bënte qesharake punën e hetuesisë. Kjo përdorej nga Stavri Xharra.





Sigurimi i ushtrisë – Janë vënë në korrent dhe telefoni qëndronte gjithnjë në dhomën ku pyeteshin të burgosurit. Janë rrahur me kamxhik, dru, shpulla e grushte, derisa iu është bërë kurrizi plagë. Në sigurimin e ushtrisë janë djegur në pulpën e këmbës me thupër pushke të nxehtë. Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha. Kjo u përdor në fillim nga seksioni i sigurimit të ushtrisë.

- Janë rrahur me vizore në duar, deri në shkaktim të plagëve të rënda. Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga sigurimi i ushtrisë.



Cole Bashari - U janë djegur organet seksuale me benzinë, si Alfred Ashikut nga Cole Bashari.



Tomas Beqari – Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër, përdorur nga Tomas Beqari. Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë. Kjo është përdorur po nga Tomas Beqari.



Raqi Zavalani – Janë marrë në mesin e natës, duke i nxjerrë përjashta me kërcënimin e pushkatimit. Natën në dhomat e burgut u thuhej disave se do të pushkatoheshin, prandaj t’u shkruanin familjeve fjalët e fundit. U premtoheshin se do t’i lironin, në rast se tregonin, duke përdorur edhe vula të institucionit, përdorur nga Raqi Zavalani.



Avran Koja – U viheshin tek hunda çorape të qelbura, përdorur nga Avran Koja.





Vaskë Koleci – Nuk thoshte përdorni dru, por bëni presion dhe botëkuptimi ishte t’i linim njerëzit pa bukë për ditë të tëra, derisa t’u binte të fikët, t’i vinim në rrymë elektrike dhe t’u punonim të gjitha të zezat. Vaskë Koleci thoshte: të rrihen të burgosurit e t’u bëhet presion, por të mos qëllohen në fytyrë dhe në këmbë, sepse pastaj nuk i nxjerrim dot në gjyq. Vaskë Koleci, Nesti Kerexhi dhe Thoma Karamelo kanë rrahur anëtarin e partisë Vani Furrxhiu. Vaska ka rrahur Llazar Papastolin (Lari Post) me dru për netë të tëra, duke pasur si ndihmës Thoma Karamelon. Skënder Konica më ka thënë për Vaskë Kolecin se ai vinte shpesh në seksionin e sigurimit të ushtrisë dhe kërkonte dara e pinca. Në një dhomë ndodhej dikur një njeri që nuk shihej nga askush. Nga kjo dhomë Vaska dilte me pincat dhe darat gjithë gjak. Këtu mora vesh se ishte anëtari i partisë Galip Hatibi, i cili ishte arrestuar fshehtësisht nga Angji Faber, në kohën kur po dilte nga Komiteti Qendror i Partisë. Kur unë kam shkuar me Siri Çarçanin dhe Lefter Lakrorin në Shkodër, Vaska dhe Nesti i thanë Siriut dhe Zoi Themelit, që ishte shef i sigurimit në Shkodër, të arrestonim dhe rrihnim sa të donim e të ngopeshim. U arrestuan 300 vetë dhe u torturuan në këtë mënyrë të gjithë”.



Zoi Themeli - E pranon terrorin që ushtrohej në Shkodër. Në gjyqin e Koçi Xoxes, ai dëshmoi se prej tij urdhërohej me shkresa dore, të cilat, përveç udhëzimeve për tortura e pushkatime, mbaronin rregullisht.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...