Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/15

Lista e shkrimtarëve të persekutuar nga rregjimi komunist


Dorina TOPOLLAJ

Për kreun e shkrimtarëve të Shqipërisë, çdo njeri që ka jetuar në pluhurnajën e diktaturës nuk ka dalë pa u bërë pis sadopak. E nga kjo nuk bën përjashtim edhe Lidhja e Shkrimtarëve, e cila sipas Zyhdi Moravës, në kohën e diktaturës ka qenë institucioni ku është bërë presioni më i madh lidhur me dosjet, me intrigat, e me spiunimet e njëri-tjetrit. Por për të mirën e letërsisë e të shkrimtarëve ai ka marrë një vendim. "Sa të jem unë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk do t'i jap askujt dhe s'do lejoj kërkënd të merret me të kaluarën e shkrimtarëve, të cilët s'kanë funksione politike dhe shtetërore", deklaron kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", ai komenton ndjesën e shkrimtares Diana Çuli, përse mendon se s'duhet të hapen dosjet e shkrimtarëve dhe çfarë dosjesh ekzistojnë në arkivin e Lidhjes.
Shkrimtarja dhe deputetja Diana Çuli kërkoi ndjesë publikisht për përfshirjen e saj në çështjen e dy poetëve të pushkatuar nga regjimi Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Si e komentoni ju këtë ndjesë?
Unë kam venë re që kohët e fundit, për arsye që nuk mund të shpjegohen saktësisht, bëhet shumë zhurmë për faktin që Diana Çuli në vitin 1976 ka bërë ekspertizën e disa poezive të Genc Lekës, dhe ajo që më habit paksa është amplifikimi i hershëm që i bëjnë këtij fakti media, qoftë e shkruar, qoftë dhe ajo vizive. Të krijohet përshtypja sikur Diana Çuli duhet kryqëzuar a thua se te Diana mbaron gjithë kriminaliteti i 45 viteve diktaturë. Në këtë që do them, nuk marr përsipër të bëjë avokatin e Diana Çulit, por si qytetar dhe si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kam për detyrë të bëjë avokatin e së drejtës dhe së vërtetës. E vërteta në rastin konkret është se me këtë problem jam marrë, në vitin në '93, mos gabohem, kam botuar një shkrim tek gazeta "Tribuna Demokratike" nën nxitjen e vëllait të Vilson Blloshmit, i cili më solli disa materiale të nxjerra nga arkivat dhe me publikimin e atij shkrimi, në fakt mua, më dukej se i shërbeja zbulimit të një fakti shumë të hidhur, pushkatimit të dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, por njëherësh kam qenë dhe shumë i tronditur para se ta botoja. Më trondiste vdekja e dy poetëve në moshë të re dhe shumë të talentuar, sepse ndërkohë kisha lexuar dhe poezitë e tyre, që ishin shumë të mira. Kaluan pastaj shumë vjet dhe kohët e fundit është marrë një fushatë kundër Dianës dhe ku përjashtohen dy të tjerët, të cilët, ndryshe nga Diana, kanë qenë shumë më të ashpër në atë që kanë shkruar. Përjashtohen Koçi Petriti dhe Myzafer Xhaxhiu. Në qoftë se tre njerëz kanë bërë të njëjtin veprim, në të njëjtën kohë, dhe ky veprim cilësohet si i dënueshëm, unë mendoj se nuk duhet të veçohet njëri nga tjetri. Në qoftë se sulmi i ndërmarrë kohët e fundit ndaj Diana Çulit bëhet për arsye politike, kjo le të jetë përgjegjësi e politikës, dhe shtypi, një shtyp dinjitoz, mendoj unë, nuk duhet ta amplifikojë në këtë fare feje siç e ka bërë deri tani. Kam dëgjuar se ajo ka kërkuar falje publike, unë e vlerësoj jashtëzakonisht këtë gjest qytetar të saj, sepse në fund të fundit ajo ndjen një farë dhimbje, për mos thënë pendimi, por nga këndi im i shikimit, Diana po aq sa ka një mëkat, po aq është dhe viktimë. Është viktimë e presionit të Sigurimit të Shtetit që e ka detyruar atë në moshë fare të re të bëjë këtë gjë, që e kanë bërë në të njëjtën kohë burra në moshë më të madhe dhe akoma nuk kanë kurajën civile dhe qytetare siç bëri Diana, të dalin publikisht dhe të thonë: "Zotërinj, i kërkoj falje familjes së filanit. E kemi bërë këtë veprim ,këtë gjest, i cili ka ndikuar negativisht në jetët e tyre". Unë këtë gjest të Dianës e vlerësoj shumë. Kam dëgjuar sërish se vëllai i Vilson Blloshmit, Bedri Blloshmi ka shkruar në një gazetë ku ka thënë që "unë nuk e fal atë". Unë nuk arrij ta kuptoj këtë shprehje. Kur thua nuk e fal, lind pyetja çfarë do t'i bësh? Kur një grua të kërkon ndjesë, unë mendoj se do jesh jo fort normal të mos e pranosh ndjesën e kësaj femre, pavarësisht se çfarë të ka shkaktuar. Në një kohë kur flitet për pajtime gjaku, ku shumë njerëz janë pajtuar. Në rastin konkret, Diana nuk i ka gjak kurrkujt. Duke qenë se jam tërësisht i informuar në këtë pikë, akt-ekspertiza që ka bërë Diana Çuli për poezitë e Genc Lekës dhe akt-ekpertiza që ka bërë Koçi Petriti për poezitë e Vilson Blloshmit dhe akt-ekspertiza që ka bërë Myzafer Xhaxhiu për përkthimet e Vilson Blloshmit, le t'i quajmë sikur janë krim, por ky krim arrin deri tek neni agjitacion propagandë, i cili dënohej me 10 vjet burg. Pra të tre këta persona nuk kanë gisht në vrasjen e këtyre poetëve me atë që kanë thënë. Për atë, që ata kanë ndikuar që poetët të marrin maksimumin 10 vjet burg, kjo është një përgjegjësi morale dhe Diana këtë përgjegjësi e vuan dhe ka kërkuar ndjesë publike. Përse i pushkatuan, po e them për ata që nuk e dinë dhe për brezin që është më i ri. Fill pasi gjykata e Librazhdit i dënoi me 10 vjet burg për agjitacionin dhe propagandë hyri në mes Partia, e cila kishte interes që këta djem të talentuar, me pasione të mëdha letrare, të ekzekutoheshin të hiqeshin nga qarkullimi sepse ishin bij të familjeve të deklasuara. Bij të familjeve nacionaliste. Pikërisht këtu sekretari i Partisë të Librazhdit në atë kohë, i cili, me siguri kishte marrë udhëzime nga lart, ulërin dhe bërtet me të madhe dhe thotë: Ç'keni bërë, duhet që ata të pushkatohen dhe inskenuan në mënyrë të llahtarshme një nen, atë të sabotimit ekonomik, i cili kishte 25 vjet burg deri në pushkatim. E parë në këtë këndvështrim, Dianës nuk mund t'i thuhet, siç shkruhet nëpër shtyp, që ke vrarë dy poetë, qoftë dhe Koçi Petritit, qoftë dhe Myzafer Xhaxhiut. Mëkati i tyre, faji i tyre arrin deri tek dënimi agjitacion e propagandë. Kështu që i vëllai i Vilson Blloshmit apo ndonjë tjetër që thotë "unë i fal, unë s'i fal", e para, është punë e tyre, por nuk ka të drejtë morale as ligjore të thotë se më ka vrarë vëllain, por ma ka dënuar me burg. Në qoftë se ai apo ata janë kaq të vendosur sa të mos falin njeri, dhe unë i mbështes në këtë drejtim, le t'i marrin me radhë, le të krijojnë dosje, le të hedhin në gjyq gjyqtarin dhe prokurorin e Librazhdit të asaj periudhe, hetuesin apo hetuesit që u morën me këtë punë dhe inskenuan nenin e sabotimit ekonomik, prokurorin e përgjithshëm në atë kohë, krye hetuesin e përgjithshëm në atë kohë, sekretarin e parë të Librazhdit në atë kohë, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit në atë kohë, kryetarin e Gjykatës së Apelit në atë kohë, kryetarin e Gjykatës së Lartë në atë kohë dhe sekretarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili firmosi mos faljen e jetës së këtyre djemve që kishin një talent të jashtëzakonshëm në fushën e letrave. Unë mendoj se ky cikël duhet mbyllur. E para, një herë ajo ka kërkuar ndjesë, e dyta është një shkrimtare shumë e mirë, e treta është nënë, e katërta është bashkëshorte. Le të merren me ata që përmenda pak më parë. Kjo do të ishte dinjitoze si për familjarët e tyre dhe shumë të tjerë që janë të interesuar që drejtësia të vihet në vend.
Cili është opinioni juaj si kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve, a duhet të hapen dosjet e shkrimtarëve?
E kam dëgjuar shpesh këtë ide, që shkrimtarëve duhet t'u hapen dosjet, në një kohë që në Parlament akoma diskutohet hapja e dosjeve personave që duhet t'u hapen dosjet, dhe nuk është marrë asnjë vendim për këtë punë. Dëgjojmë nëpërmjet televizione e media akuza të ndërsjella nga të dy forcat e mëdha politike. Të majtët dhe të djathtët akuzojnë njëri-tjetrin për krime në kohën e diktaturës dhe përmendin një seri pseudonimesh. Unë jam shumë dakord, dhe them sot, e kam thënë edhe me kohë, që në vitin 1991, tek gazeta "Republika", që dosjet duhet të hapeshin jo të hapen. Ka një ndryshim shumë të madh, sepse kanë kaluar 15 vjet. Në qoftë se themi që të hapen dosjet, unë jam deri në atë masë që është kërkuar në Parlament. T'u hapen dosjet qeveritarëve, parlamentarëve, të gjithë atyre që kanë poste drejtuese, të gjithë atyre që nga pozicioni që kanë mbrojnë ligjin, bëjnë ligjin, bëjnë moralin, mbrojnë moralin e kështu me radhë. Dhe kjo s'ka ndonjë efekt të madh. Ndërsa për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve, e para, në rastin e 60-vjetorit të Lidhjes së Shkrimtarëve, në mbledhjen që bëmë, kam thënë: "Jam i vendosur që duke filluar nga sonte do të mbyllet hermetikisht porta e së shkuarës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë prej nga vazhdimisht çlirohet gazi karbonik i së keqes që është bërë në atë kohë. Të hapet dera e së nesërmes, një derë ku të vijë oksigjen jete i marrëdhënieve miqësore me njëri-tjetrin." Në kohën e diktaturës Lidhja e Shkrimtarëve ka qenë vendi ku është bërë presioni më i madh lidhur me dosjet, me intrigat, me spiunimet e njëri-tjetrit, këto tashmë dihen. Në qoftë se do të hapen dosjet e shkrimtarëve të asaj kohe, veprimi i Diana Çulit do të duket shumë minor në krahasim me ç'është bërë këtu. Dihet se të punoje në Komitetin e Partisë duhet të ishe me një biografi shumë të pastër politikisht, flas do të ishe "i yni", siç thuhej, dhe ishte e njëjta gjë po të punoje në Lidhjen e Shkrimtarëve, duhet të ishe me biografi të pastër, duhet të ishe i devotshëm për të shërbyer diktaturës, duhet të ishe i "i yni", siç të quanin ata oficerët e Sigurimit të asaj kohe. Unë jam i vendosur që në Lidhjen e Shkrimtarëve të mos zbulohen gjirizet e së djeshmes. Le ta fillojnë hapjen e dosjeve me mua. Unë jam kryetar i këtij institucioni dhe kam përgjegjësi morale, dhe dosjen time le ta hapin që nesër. Por shkrimtarët e tjerë që nuk janë funksionarë shteti, që nuk bëjnë pjesë në Parlament, që s'kanë poste drejtuese, do t'u hapen dosjet vetëm atëherë kur do t'i hapen dosjet gjithë popullit shqiptar.
Z. Morava, çfarë informacioni keni ju për ekzistencën e dosjeve të shkrimtarëve në Lidhjen e Shkrimtarëve? A keni gjetur ju të tilla dosje?
Në qoftë se bëhet fjalë për dosjet të Sigurimit, unë nuk kam gjetur dosje të kësaj natyre. Por që ato kanë ekzistuar, është më se logjike, sepse këtu ka pasur një operativ Sigurimi dhe ai fiks për këtë punë ishte. Për t'u hapur dosje shkrimtarëve, për t'i provokuar, për t'u bërë presion atyre, siç na bënë presion edhe neve që hëngrëm burgun. Ky operativ ka përgatitur këto dosje.
A ruheshin këto dosje në arkivin e Lidhjes?
Nuk e di ku ruheshin, se në atë kohë nuk kam qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Por dosje të kësaj natyre nuk ekzistojnë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Në qoftë se këto dosje kanë qenë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe aktualisht nuk janë, dhe dikujt i intereson për të ditur se ku janë, ma do mendja se detyra e medias është që të kapë, të investigojë, të pyesë me radhë kryetarët paraardhës. Unë deklaroj se dosje të kësaj natyre në Lidhjen e Shkrimtarëve nuk kam gjetur dhe nuk ekzistojnë.
Shkrimtari Ismail Kadare deklaroi në një intervistë për emisionin "Opinion", se një pjesë e arkivit është zhdukur...
Kadare mund të dijë disa gjëra më tepër se sa unë, sepse ai ka qenë atëherë në Lidhje, ka qenë, mos gaboj, në kryesi, nuk jam i sigurt, hynte dilte si gjithë anëtarët e tjerë të Lidhjes. Unë thashë, atëherë nuk lejohesha të kapërceja pragun e derës së Lidhjes e jo më të hyja brenda dhe të dija këto gjëra që di Kadareja. Por në qoftë se është e vërtetë që Kadareja thotë se kanë ekzistuar dosje dhe janë prishur, mua më duket se media ka buçitur gjatë se edhe dosjet më të rëndësishme që kanë qenë në arkivin e Ministrinë e Brendshme edhe ato na qenkan zhdukur. Pastaj, ma do mendja, edhe njëherë po e nënvizoj, që këto dosje nëse ekzistojnë diku, le të gjenden, le t'i shërbejnë historisë së Lidhjes së Shkrimtarëve. Por nëse ato i kërkojnë për t'i përdorur, për t'ia përplasur turinjve njërit apo tjetrit të kaluarën, unë edhe njëherë po them, nga ajo e kaluar askush s'ka dalë puritan. Me përjashtime jashtëzakonisht të rralla. Kjo gjë nuk do t'i shërbente as letërsisë shqipe, as jetës së shkrimtarëve, as të nesërmes. Unë, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, sa të kem mandatin nuk do të lejoj të ndodhë kjo gjë, sepse nga kjo s'vjen asgjë e mirë.
A ka dosje në Lidhjen e Shkrimtarëve, që janë procesverbale të plenumeve apo mbledhjeve të kryesisë ku kritikoheshin shkrimtarët?
Po. Nuk e di nëse janë të plenumeve apo të kujt janë, por zakonisht në mbledhjet e kryesisë mbaheshin procesverbale. Rastësisht në një zyrë kam parë një stivë dosjesh të kësaj natyre, gjithë pluhur, e kam hapur njëherë. Kam parë në procesverbal, "filani u ngrit e tha për filanin", dhe e mbylla menjëherë. S'pata pikë kurioziteti për ta lexuar më tej. Më krijoi një pështirosje. Me siguri këtu janë procesverbalet. Nuk kam treguar ndonjë interesim të madh për të dërguar dikë për t'i pastruar pluhurat, sepse është njësoj sikur të kalosh në një rrugë shumë të pastër, të marrësh bajgat e një kali, e t'i ruash e t'i konservosh diku në një cep të kësaj rruge. Ato le të jenë atje. Nëse një shkrimtari do t'i duhen për të bërë historinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, le të vijë dhe të bëjë çfarë të dojë. Por edhe njëherë nënvizoj, sa të jem unë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk do t'i jap askujt dhe s'do lejoj kërkënd të merret me të kaluarën e shkrimtarëve, të cilët s'kanë funksione politike dhe shtetërore. Atyre që u dhimbsen shkrimtarët e Shqipërisë, le të kthejnë sytë nga gjendja e mjerueshme financiare në të cilën ata jetojnë. Kjo do t'u shërbente më mirë shkrimtarëve, letërsisë shqipe, personalitetit të shkrimtarëve dhe Shqipërisë. Sepse, duam apo s'duam, shkrimtarët janë udhëheqësit shpirtërorë të një kombi. Në qoftë se në diktaturë u bë një presion aq i madh ndaj Lidhjen e Shkrimtarëve, u bë pikërisht që ky zë i fuqishëm i udhëheqjes shpirtërore të këtij vendi të rrinte sus, dhe, përveç presionit, dhunës, burgut, ishte përdorur edhe kjo mënyra e ndyrë e sherrit dhe e spiunimit midis njëri-tjetrit. E nënvizoj edhe njëherë, se nuk besoj që të ketë ndonjë njeri që kaloi në këtë pluhurnajë e të ketë dalë pa u bërë pis sadopak.

Te dhena

1. Qani Panariti (përkthyes) pushkatuar
2. Dhimitër Falla (përkthyes) pushkatuar
3. Vincent Prenushi (poet) vdekur në burg
4. Myzafer Pipa (gazetar kritik) vdekur në hetuesi
5. Arshi Pipa (poet) burgosur
6. Et’hem Haxhiademi (poet, dramaturg) vdekur në burg
7. At Gjon Shllaku (kritik, gazetar) pushkatuar
8. At Mikel Koliqi (kompozitor) burgosur
9. At Don Kurti (etnograf, kompozitor) burgosur
10. At Anton Harapi (shkrimtar) pushkatuar
11. At Leon Kabashi (piktor ikonash) burgosur
12. Dom Lazër Shantoja (shkrimtar) pushkatuar
13. Dom Ndre Zadeja (dramaturg, poet) pushkatuar
14. Imzot Jul Bonati (përkthyes) pushkatuar
15. Terenç Toçi (gazetar) pushkatuar
16. Sem Mark Çuni (stilist) pushkatuar
17. At Aleksandër Sirdani (folklorist) vdekur në hetuesi
18. At Nikoll Gazulli (linguist) vdekur në hetuesi
19. Prof. Simon Deda (përkthyes) vdekur në burg
20. Padër Mark Harapi (shkrimtar përkthyes) burgosur
21. Padër Gjon Karma (folklorist) burgosur
22. Padër Pjetër Mëshkulla (poet, teolg) burgosur
23. At Marin Sirdani (historian) burgosur
24. At Konrad Gjolaj (shkrimtar) burgosur
25. Frat Gjon Pantalia (regjizor) vdekur në hetuesi
26. Pjetër Gruda (aktor) vdekur në kamp
27. Mark Dema (përkthyes) burgosur
28. Zef Zorba (përkthyes, regjizor) burgosur
29. Gjon Shllaku (përkthyes) burgosur
30. Ndoc Vasija (shkrimtar) burgosur
31. Koço Tasi (linguist) burgosur
32. Ghush Sheldija (folklorist) burgosur
33. At Viktor Volaj (studiues) burgosur
34. Luigj Filaj (muzikolog) burgosur
35. Marin Skanjeti (gazetar) burgosur
36. Akile Tasi (gazetar) burgosur
37. At Filip Mazreku (muzikolog) burgosur
38. Napolon Tasi (përkthyes) burgosur
39. Nikoll Dakaj (shkrimtar, kritik) burgosur
40. Filip Fishta (studiues) burgosur
41. Hazis Vrioni (përkthyes) burgosur
42. Jusuf Vrioni (përkthyes) burgosur
43. Amik Kacaruho (shkrimtar) burgosur
44. Mirash Ivanaj (linguist) vdekur në burg
45. Lazer Radi ( shkrimtar) burgosu
46. Sulejman Idrizi(linguist) vdekur në burg
47. Selman Riza (linguist) burgosur
48. Mitrush Kuteli (shkrimtar) burgosur
49. Qemal Draçini (kritik) vdekur në burg
50. Mysine Kokalari (shkrimtare) burgosur, vdekur në internim
51. Ramadan Sokoli (muzikolog) burgosur
52. Ndoc Nika (shkrimtar) burgosur
53. Mustafa Gërblleshi (shkrimtar) burgosur
54. Gjergj Bubani (gazetar) vdekur në burg
55. Zef Gruda (kompozitor) burgosur
56. Pashko Gjeçi (përkthyes) burgosur
57. Markensen Bungo (shkrimtar) burgosur
58. Dylber Starova ( muzikant) burgosur
59. Osman Bishqemi (shkrimtar) burgosur
60. Anton Frashëri (shkrimtar) burgosur
61. Nexhat Hakiu (poet) burgosur
62. Petro Marko (shkrimtar) burgosur
63. At Bernardin Palaj (shkrimtar) burgosur
64. Zef Leka (kompozitor) burgosur
65. Mithat Araniti (publicist, përkthyes)burgosur
66. Guljelm Deda ( gazetar, përkthyes) burgosur
67. Beqir Haçi (poet përkthyes) burgosur
68. Kasem Trebishina (shkrimtar) burgosur
69. Mark Ndoja (poet) burgosur
70. Gjergj Komnino (poet) burgosur
71. Kapllan Resuli (shkrimtar) burgosur
72. Nikolla Kote (përkthyes) burgosur
73. Pjetër Gjini (poet kompozitor) burgosur
74. Kin Dushi (shkrimtar) burgosur
75. Dhora Leka (kompozitore) burgosur
76. Uran Kostreci (poet) burgosur
77. Lekë Previzi (piktor) burgosur
78. Pjetër Arbnori (shkrimtar) burgosur
79. Leka Toto (dramaturg) burgosur
80. Nuredin Boriçi (poet) burgosur
81. Pano Taçi (poet) burgosur
82. Bajram Hyseni (poet) burgosur
83. Jorgo Bllaci (poet) burgosur
84. Trifon Xhargjika (poet) pushkatuar
85. Xhelal Koprëncka (poet) pushkatuar
86. Fadil Kokonami (gazetar) pushkatuar
87. Vangjel Lezho (gazetar) pushkatuar
88. Robert Vullkani (përkthyes) burgosur
89. Zhaneta Ogranaja (poete) burgosur
90. Mehmet Myftiu (shkrimtar) burgosur
91. Gramoz Omari (fizarmonist) pushkatuar
92. Anastasia Taçi (librare) burgosur
93. Mandi Koçi (kameraman) burgosur
94. Viktor Stratobërdha (regjizor filmi) burgosur
95. Genc leka (poet) pushkatuar
96. Vilson Blloshmi (poet) pushkatuar
97. Bedri Myftari (shkrimtar) burgosur
98. Zyhdi Morava (shkrimtar) burgosur
99. Visar Zhiti (poet) burgosur
100. Halil Laze (gazetar) burgosur
101. Daut Gumeni (poet) burgosur
102. Frederik Reshpja (poet) burgosur
103. Lluk Kaçaj (bas)burgosur
104. Milto Vako (dirigjent) burgosur
105. Kiço Venetiku (dirigjent) vdekur në burg
106. Krisanthi Venetiku (fotografe) vdekur në burg
107. Vangjush Tushi ( piktor) vdekur në burg
108. Edison Gjergo (piktor) burgosur
109. Ali Oseku (piktor) burgosur
110. Maks Velo (piktor) burgosur
111. Abdullah Cangoni(piktor) burgosur
112. Sadri Ahmeti (piktor) burgosur
113. Stavri Rafaeli (skenograf, tenor) burgosur
114. Minush Jero (dramaturg) burgosur
115. Mihallaq Luarasi (regjizor) burgosur
116. Sherif Merdani (këngëtar) burgosur
117. Fadil Paçrami (dramaturg) burgosur
118. Beqir Çela (poet) pushkatuar
119. Ahmet Golemi (shkrimtar) burgosur
120. Fatos Lubonja (gazetar) burgosur
121. Bashkim Shehu (shkrimtar) burgosur
122. Myqerem Janina (përkthyes) vdekur në burg
123. Dhimitër Lala (kameraman) burgosur
124. Dhimitër Furrxhi (aktor estrade) burgosur
125. Telat Agolli (artist cirku) burgosur
126. Havzi Nela (poet) varur
127. Ylber Merdani (poet) burgosur
128. Aleksandër Zeka (poet) burgosur
129. Jamber Marko (poet) burgosur
130. Gjergj Peçi (poet) burgosur
131. At Zef Simoni (poet) burgosur
132. Dom Frano Ilia (folklorist) burgosur
133. Dom Nikollë Mazreku (studiues) burgosur
134. At Zef Pëllumbi (shkrimtar) burgosur
135. Llazar Moreka (kompozitor) burgosur
136. Niko Kotani (redaktor) burgosur
137. Medi Prodani (kitarist) burgosur
138. Sotir Andoni (shkrimtar) burgosur
139. Mihal Zallari (publicist, përkthyes) burgosur
140. Visaroin Xhuvani (teolog, linguist) burgosur
141. Zef Mala (drejtor i biblotekës) vdekur në burg
142. Fotaq Filipeu (muzikant) burgosur
143. Astrit Delvina (shkrimtar) burgosur
144. Gani Skura (poet) burgosur
145. Fatos Mero Rrapaj (folklorist) burgosur
146. Eqerem Biba (përkthyes) burgosur

Gëzim Hajdari: Ja shkrimtarët zëdhënës të regjimit komunist



"Gjëmë" u botua nga shtëpinë botuese "Mësonjëtorja" në korrik të 2010. Gazeta "Shqip" njoftoi botimin më 21 korrik, në rubrikën "Libra të rinj", ndërsa kapitulli i parë u botua në gazetën "Dielli" në New York në të njëjtin muaj.

Nga Fatmira Nikolli

Ajo nga e cila nuk duam të ndahemi kollaj është e kaluara edhe pse kjo e kaluar është kriminale. E mbajmë fort si një identitet tonin dhe kemi frikë, se nëse na e heqin me dhunë, zemërohemi dhe i rikthehemi krimeve të së kaluarës. Ky është thelbi i librit "Gjëmë, genocidi i poezisë shqipe" është kujtesë për të mos harruar çfarë ndodhi gjatë regjimit komunist dhe gjatë kohës kur ekzistonte realizmi socialist. Autori është Gëzim Hajdari, një nga poetët më të njohur shqiptarë, që ne nuk duam ta kujtojmë dhe e lëmë në harresë, sepse të vërtetat e tij sëmbojnë një, dy, tre, disa njerëz. Dhe pikërisht që të mos na mërziten këto një, dy, tre dhe disa njerëz, ne më mirë preferojmë të harrojmë se ekziston dhe Gëzim Hajdari dhe vepra e tij dhe të flemë të qetë në shtëpi, "sot nuk mërzita asnjë njeri". Gjëma e shqiptarëve sipas Hajdarit, por edhe historisë, ishte komunizmi, nga i cili vuajmë ende. Gjëma e letërsisë ishte realizmi socialist, pjellë e keqe dhe e shpërfytyruar e komunizmit, i cili lëvrohet sot lehtë, dhe autorët e tij janë në piedestalin e këtij vendi. Hajdari, përveçse përmend të gjitha viktimat e komunizmit, ato viktima që po të ishin gjallë, do ishin një shtresë e fuqishme intelektualësh, shkrimtarësh dhe poetët, me të cilët historia e letërsisë do të ishte krejt tjetër, përmend edhe autorët e realizmit socialist, që i konsideron përgjegjës për mbijetesën e diktaturës. "Gjëmë, genocidi i poezisë shqiptare" mund të gjendet në të gjitha libraritë e vendit, ka 316 faqe, kushton 1000 lekë dhe është botim i shtëpisë botuese "Mësonjëtorja".

____________

Gjëma' i demistifikon pseudomitet e letërsisë komuniste të Enver Hoxhës që ende në mijëvjeçarin e tretë u serviren lexuesve shqiptarë si simbole të letërsisë moderne shqiptare dhe si mbrojtës të të drejtave të njeriut". Kështu, shprehet në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" poeti Gëzim Hajdari, pas botimit të librit të tij "Gjëmë. Genocidi i poezisë shqipe". I persekutuar nga regjimi komunist, ai sot flet për ato që i quan ideatorë e xhelatë të terrorit shtetëror që vlerësohen "me çmime vjetore nga shteti apo qeveritarët 'demokratë' e 'socialistë' të Tiranës, për faktin se i kanë shërbyer atdheut të djeshëm komunist me devocion". Nga ç'duket ai i ndan poetët shqiptarë në të dënuar e "dënues" dhe këto i thotë me emra në intervistën e mëposhtme.

Vitin e shkuar ju botuat librin "Gjëmë. Genocidi i poezisë shqipe". Është libri i parë në llojin e tij mbi letërsinë e dënuar gjatë komunizmit në Shqipëri. Si lindi kjo vepër?

"Gjëmë" u botua nga shtëpinë botuese "Mësonjëtorja" në korrik të 2010. Gazeta "Shqip" njoftoi botimin më 21 korrik, në rubrikën "Libra të rinj", ndërsa kapitulli i parë u botua në gazetën "Dielli" në New York në të njëjtin muaj. E theksoj një gjë të tillë se, disa kohë më parë, miku im, Visar Zhiti, në intervistën "Jeta ime ferr dhe parajsë" dhënë Rezarta Dhogas për "Tirana Observer", botuar më 19 nëntor 2010, duke folur për librin e tij: "Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar", - thotë se "paralelisht me librin tim ka dalë dhe "Gjëmë" e Gëzim Hajdarit"! S'është e vërtetë. Për të qenë më të saktë, libri i Zhitit, është botuar në muajin tetor të 2010-ës dhe jo në korrik. Përkundrazi, dorëshkrimi im është dorëzuar botuesit të Tiranës në fillim të 2010 dhe sipas kontratës, libri duhet të dilte në prill të 2010. U shty për motive teknike. Dëshmi tjetër për botimin e librit tim është dhe artikulli i Ylli Polovinës "Migrantë, por jo të ikur", botuar në "Gazeta Shqiptare" më 3 tetor 2010.

Shkrimi i Polovinës, i cili në fund të faqes mban shënimin "Peshkopi, në një hotel 11-13 shtator 2010", u dorëzua në kohë në redaksinë e të përditshmes së mësipërme, por çuditërisht, "Gazeta Shqiptare" e vonoi botimin e tij. Shkaku? Priti të dalë libri i Visarit dhe botoi shkrimin mbi librin e tij. Por, libri im ka zanafillë tejet të hershme, nis me një studim me titull "Breve panorama della poesia albanese dagli anni Trenta ad oggi" (Poezia shqipe nga vitet '30 gjer në ditët e sotme), botuar në revistën italiane "Si scrive", maj 2000, Cremona, f. 185-235. Veç kësaj, revista gjermane Matrix, 1/2009 (15), e cila botohet në Ludwigsburg, botoi 40 faqe (f. 58 - 84) të "Gjëmës" sime. Kapitulli titullohet: "Der Genozid der albanischen Lyrik", përkthyer nga Stefanie Golisch. Pra, kam më se dhjetë vite që i kushtohem masakrës komuniste kundër poetëve shqiptarë.

Ndoshta është rasti të tregoj se si lindi libri i Visarit. Vitin që shkoi u takova me Zhitin, asokohe atashe kulturor pranë ambasadës sonë në Romë, në një kafe afër stacionit të trenave në Termini. Në bisedë e sipër, midis të tjerash, i rrëfej se kisha përfunduar librin "Gjëmë - Genocidi i poezisë shqipe". Pasi me uroj për veprën time, më tha: "...edhe unë kam një kapitull të botuar mbi shkrimtarët e dënuar, do ta bëj libër më vete...". Me të thënë e me të bërë, libri i Zhiti shkruhet dhe botohet. Sigurisht më bëhet shume qejfi që kolegu im, Zhiti, botoi "Panteonin" e tij, dhe mirë se të vijnë libra të këtij lloji, dëshmi të tilla janë gjithnjë të mirëpritura. Qëllimi i këtyre radhëve s'është personal, por etik dhe ka të bëj me ndershmërinë intelektuale, sepse ka rrezik që teksa flasim për të "çliruar" poetë e libra të dënuar gjer dje në burgjet komuniste, "dënojmë" librat e kolegëve tanë sot në "demokraci"...!

Cili është qëllimi i "Gjëmës"?

"Gjëma..." s'është një libër i shkruar rastësisht, për të marrë ndonjë primat në letërsinë e burgjeve apo për të fituar çmime nga ministria e Qeverive të Tiranës, përkundrazi është pjesë e misionit tim, një projekt që zgjat prej dhjetëra vitesh. Qëllimi i "Gjëmës" është rindërtimi i memories kolektive të popullit tonë. Një vepër e tillë synon - për herë të parë në letërsinë shqiptare - të bashkojë fragmentet e thyera të memories kolektive, për sa kohë që dosjet të mbeten të mbyllura. Nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri nëse s'do të mund të konfrontohemi me të vërtetën historike. Pra, në këtë vepër përshkruaj fate, jetë, rrethana, rrëfej akuza, arrestime, burgosje; dëshmoj qelitë, internimet, krimet, dënimet, torturat kundër poetëve tanë të pafajshëm; tregoj për kobin, llahtarinë, rënkimet, plagët, terrorin, tmerrin që u desh të pësonin njerëzit e kulturës nga xhelatët e kuq të Enver Hoxhës; rrëfej banalitetin, absurditetin, tragji-komedinë e regjimit të diktaturës së proletariatit, por dhe tonën si shqiptarë nëpërmjet fakteve, dëshmive, dokumenteve, arkivave, vargjeve, librave, intervistave të të afërmeve të viktimave dhe miqve të tyre; ekzaltoj heroizmin e pashoq të martirëve të Verbit të kombit tonë si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela etj pa harruar përgjegjësit, me emër e mbiemër, që shkaktuan kësi tragjedish të përbindshme.

Mendoj se çdo shqiptar duhet të njihet pikërisht me të vërtetën e këtij libri dhe të ngjashmëve të tij, nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më paqësore, më vëllazërore, më të drejtë, më trasparente, më të ndershme, më qytetare e më europiane. Ndryshe ndjeja e fajit dhe hija e krimit do të na persekutojë edhe në "botën e përtejme". Pra, "Gjëmën" e kam shkruar për të mos harruar, për t'i thënë stop politikës së poshtër të harrimit, për t'u konfrontuar me të vërtetën historike. E kam shkruar për lexuesin dhe për brezat e rinj, që të hedh dritë mbi krimet e djeshme e të identifikoj përgjegjësit e tragjedisë komuniste. Terrori shtetëror ka qenë një sistem, një parim ideologjik mbi të cilën mbështetej diktatura enveriste. E theksoj një gjë të tillë sepse shpesh e kaluara në Shqipëri identifikohet vetëm me viktimat dhe harrohen komisarët e kuq që përmbushën një kasaphanë të tillë të përbindshme. Gjer më sot, tragjedia komuniste shqiptare s'ka pasur asnjë përgjegjës; s'ka pasur as dhe një dënim, të paktën moral. Qeveritë postkomuniste presin që të zhduket brezi i të persekutuarve dhe, së bashku me të, çdo dëshmi okulare, çdo dëshmi e gjallë, çdo kujtim i historik. Përderisa Parlamenti i Tiranës nuk do të shpallë terrorin shtetëror si një krim kundër njerëzimit, s'do të ketë demokraci në Shqipëri.

Libri juaj është një vepër krejt e pazakontë, mund të na thoni diçka rreth formës së tij?

"Gjëmë" s'ështe ese akademike në termin klasik, është tragjedi në vargje, poemë dramatike, pamflet, elegji, por në të njëjtën kohë është dhe ese, dhe tragjedi, dhe poemë dramatike dhe pamflet dhe elegji; pra është një libër i pa katalogueshëm. "Gjëmë" është një këngë morti shkruar sipas gjëmës tonë të veriut, e cila përkon me episodin e grekëve të lashtë. "Gjëmë" është një libër tronditës i cili rrëfen të vërtetën tronditëse mbi masakrën ushtruar kundër poetëve shqiptarë nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Për një poet të vërtetë s'majfton vetëm të shkruaj libra me vlerë, por të gjej dhe forma të reja letrare.

Kujt i kushtohet kjo "Gjëmë"?

Siç e theksova dhe më sipër, "Gjëma" u kushtohet poetëve dhe shkrimtarëve të vendit tonë, viktima të pafajshme të Terrorit komunist. E kam nisur ta shkruaj këtë libër në Darsinë time, në Lushnjë, në vitin 2000, për ta përfunduar në Itali në 2011, në Ezilin Çoçar. Janë vite kërkimi, studimi, hulumtimi, leximi, reflektimi, takimesh me miqtë dhe me familjarët e viktimave. Vite të dendura, dramatike, përplot me ankthe dhe tmerr, të cilat kanë shënuar një herë e përgjithmonë ekzistencën time. S'e kam pasur të lehtë t'u jap emër, fytyrë, trup dhe zë poetëve martirë apo vdekur nga vuajtjet në lager apo në kampet e internimit. Pasi mbarova së shkruari faqen e fundit të kësaj poeme të përmortshme, m'u duk sikur u shtypa nga pesha e asaj që përfaqëson pjesën më të kobshme të Historisë sonë.

A keni hasur vështirësi në shkrimin e librit tuaj?

Vështirësitë në këtë ndërmarrje kanë qenë të shumta pasi përgjegjësit e një masakre të tillë, sot mbulojnë përgjegjësi të larta politike dhe qeveritare në Shqipërinë postkomuniste dhe veç kësaj, bëjnë ç'është e mundur për ta varrosur memorien e djeshme. Ata që guxojnë të hedhin dritë mbi krimet barbare komuniste, si në rastin tim, konsiderohen armiq dhe dënohen me heshtje nga kultura zyrtare e Tiranës. Familjarët e viktimave kanë afër shtatëdhjetë vjet që presin të dinë të vërtetën mbi tmerret që kanë ndodhur në dhomat e llahtarta të ish-sigurimit. Dhe shpresojnë që Parlamenti i Tiranës t'i dënojë, më në fund, krimet kundër njerëzimit të epokës enveriste.

Ende s'dinë se ç'fund kanë pasur trupat martirë dhe dorëshkrimet e të dashurve të tyre, ndërsa ideatorët dhe xhelatët e Terrorit shtetëror vlerësohen me çmime vjetore nga shteti apo qeveritarët "demokratë" e "socialistë" të Tiranës, për faktin se i kanë shërbyer atdheut të djeshëm komunist me devocion! Shqipëria është shndërruar në një varrezë: çdo ditë zbulohet një gropë anonime me eshtrat e burrave, grave dhe fëmijëve, konsideruar armiq të Partisë së Punës dhe diktaturës së proletariatit, e jo më larg javën e shkuar u zbuluan eshtrat e dy martirëve të revoltës së Qafë-Barit. Te "Gjëma" kam shmangur çdo polemikë ideologjike, se desha t'iu jap zë martirëve dhe të mbijetuarve, që kanë mundur të dëshmojnë mbi tragjedinë, çmendurinë, banalitein pervers të diktaturës.

Në libri tuaj "genocidi" kundër poetëve shqiptarë s'shihet si një fakt i kufizuar, por nën kontekstin e vendeve ish-komuniste të Lindjes. Përse një kontekst i tillë?

"Gjëma" s'është thjesht renditje faktesh, por një histori korale që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Në libër flitet, jo vetëm për persekutimin e poetëve gjatë komunizmit, por dhe për persekutimin e poetëve shqiptarë edhe gjatë regjimit zogist, fashizmit dhe nazismit. Përshkohet historia tragjike e poezisë shqipe, dhe nëpërmjet saj, historia e kulturës sonë nga vite '20 deri në 1989, vit i cili përkon me varjen në litar të poetit Havzi Nela. "Gjëma" s'është një libër që flet vetëm për poetët martirë shqiptarë, por dhe për poetët disidentë e martirë sovjetikë, kinezë, çekosllovakë, rumunë etj. Masakra komuniste kundër poetëve shqiptarë s'ka qenë një masakër e izoluar, por është parë nën kontekstin e bllokut komunist të Lindjes. Ç'ka ndodhte në Bashkimin Sovjetik, huazohej nga Kina e Mao Ce Dunit dhe me pas imitohej, por me një egërsi të pashoqe në Shqipëri, po edhe në Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, Poloni etje.

Përse e ke titulluar këtë vepër pikërisht "Genocidi i poezisë shqipe"?

Nëse ekziston një memorie letrare në vendet e Lindjes, kjo falë poezisë e cila ka qenë avangarda e lëvizjeve kulturore. Profetët e Verbit, gjatë diktaturës komuniste, arritën ta sfidonin hapur Terrorin e Kuq dhe pushtetin gjakatar të diktaturës së proletariatit, në emër të lirisë dhe të drejtave njerëzore, duke u bërë protagonistë emblematikë të shekullit XX. Mund të thuhet pa ngurrim se opozitarët e parë të kastës gjakësore të Enver Hoxhës, qenë pikërisht poetët. Ata u përleshën heroikisht pa kursyer as jetën kundër Terrorit të kuq. Diktatori i frikësohej zërit të poetëve ndaj përdori grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre Sigurimin e Shtetit. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Lista e të pushkatuarve nga regjimi është e gjatë dhe i përngjan një gojëdhëne të pabesueshme, mjafton të përmendim emrat: Vinçenc Prenushi, Lazër Shantoja, Bernardin Palaj, Mark Çuni, Ndre Zadeja, Lazër Radi, Et'hem Haxhiademi, Kudret Kokoshi, Frederik Reshpja, Musine Kokalari, Kasem Trebeshina e Bilal Xhaferri.

Është rasti të kujtojmë dhe stinën e jashtëzakonshme poetike në ish-Bashkimin Sovjetike: poetët si Bllok, Klebnikov, Majakovskij, Gumilëv, Esenin, Mandelstam, Akmatova e mjaft të tjerë, kanë bërë legjendë në historinë e artit europian. Thuajse të gjithë studiuesit pohojnë se arti më i madh në vendet e Lindjes ka qenë pikërisht poezia. E thënë me fjalët e Pasternakut: "...poezia është më simbolikja dhe më e çmuara e të gjitha arteve të racës së poetëve në Europën e Lindjes". "Majakovski - shkruan Pietro Cittati - recitoi në skenën e historisë duke thënë se gjaku i vërtetë është ai që rrjedh nga venat e prera apo nga zemrat e çara. Në asnjë tjetër teatër të botës, në asnjë histori të kohës sonë, s'ka patur aktorë kaq gjigantë dhe ngjarje kaq të mahnitshme si spektakli që na ka ofruar Rusia në ato vite, ku poetët u kthyen në protagonistë të pashoq të një tragjedie korale. Kush, më mirë se Majakovski, e parandjeu katastrofën revolucionare bolshevike?!" Në moshën 30 vjeç pushkatohet Ryleev, 36 çmendet Batjuskov, 34 vritet Griboedov, 35 pushkatohet Gumilëv, 44 Mandelstami, 30 vjeç varet Esenini, 36 vetëvritet Majakovski, 49 Cvetajeva. Pa harruar pushkatimet, me urdhër të Stalinit, të poetëve: Babel, Kljuev, Belyj, Vedenskij, Charms, Vesëlyj, Erdman, D. Mirskij, Oresin, Ganin, Klyçkov. Kishin ëndërruar një Revolucion sipas motos së tyre.

Në librin tuaj, midis të tjerash, dalin në pah poetë që e kanë kundërshtuan hapur diktaturën komuniste dhe poetët e realizmit socialist që bashkëpunuan me regjimin e Enver Hoxhës. Si e shpjegoni që asnjë krijues shqiptar gjer më sot, s'e ka pasqyruar një përballje të tillë në një vepër si "Gjëma"?

Vërtet, "Gjëma" vë përballë fatet e martirëve të Verbit shqiptar, që me vargjet e tyre sfiduan një nga diktaturat më gjakatare të shekullit XX, duke mos kursyer as jetën e tyre, në emër të lirisë së krijimit letrar, dhe nga ana tjetër zëdhënësit e regjimit komunist si LL. Siliqi, Çaçi, Musaraj, Shuteriqi, Gjata, Kadare, Agolli, A. Shehu, Arapi (I përkasim Komunizmit), K. Petriti, N. Lako, etje., të cilët i thurën romane e poema madhështore Enver Hoxhës, luftës së klasave dhe komunizmit. "Gjëma" i demistifikon pseudomitet e letërsisë komuniste të Enver Hoxhës që ende në mijëvjeçarin e tretë u serviren lexuesve shqiptarë si simbole të letërsisë moderne shqiptare dhe si mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Mafia politike dhe kulturore e Tiranës ka shpenzuar miliarda lekë për të rinovuar maskat e tyre komuniste për t'i imponuar këto mite të rremë qarqeve letrare kombëtare e ndërkombëtare (gjer në histeri kolektive), duke kryer kështu një masakër të re kundër martirëve të kulturës sonë kombëtare. Madje 99 për qind e gazetave dhe shoqatave kulturore shqiptare në Itali dhe në Europë janë krijuar me urdhër për të promovuar letërsinë e realizmit socialist. Krijuesit zyrtarë të Tiranës s'mund të shkruanin një "Gjëmë" të tillë sepse, fatkeqësisht, vuajnë "sindromën e Stokholmit", veç kësaj, kolegët e mi shqiptarë i kanë shërbyer si Enver Hoxhës ashtu dhe pushtetarëve post-komuniste: Nanos dhe Berishës. Poetët e Tiranës janë njerëz të pushtetit dhe kanë përfituar nga pushtetet.

"Gjëma" është homazh vetëm për kulturën shqiptare?

Jo,"Gjëma" s'është homazh vetëm për kulturën shqiptare, po edhe për kulturën italiane, franceze, greke, gjermane, austriake e amerikane. Poetët dhe shkrimtarët e persekutuar shqiptarë ishin formuar në universitetet më të famshme të Europës Perëndimore e, në vend që të bënin karrierë profesionale dhe të parapëlqenin rehatin e tyre vetjak, u kthyen në atdhe për t'i shërbyer përparimit shoqëror, kultural, ekonomik dhe shpirtëror të vendit amtar. Veç të tjerash, këta korifenj u bënë edhe mbartës të një kulturë perëndimore dhe të një konceptimi të ri kulturor e shkencor dhe urë lidhës të Shqipërisë me Europën e qytetëruar. Në vend që ata të trajtoheshin si baballarë të Shqipërisë, të shtetit demokratik shqiptar dhe kulturës kombëtare, ata u varrosën të gjallë nga tirani Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të zellshëm.

Si e shpjegon faktin që vepra juaj "Gjëmë - Genocidi i poezisë shqipe" u dënua me heshtje nga shtypi dhe mediat shqiptare?

"Gjëma" duhej te ishte cilësuar si libri i vitit në Shqipëri, dhe autori i saj duhet të ishte ftuar në panairin e Tiranës si mik nderi për prezantimin e tij. Përkundrazi libri s'bëri pjesë as në radhorin e çmimeve vjetore!!! Arsyeja e një qëndrimi të tillë tejet cinik, është se vepra ime tregon të vërtetën; "Gjëma" mbetet një akt-akuzë tronditëse dhe e pa kompromis kundër pushtetarëve të djeshëm/të sotëm të Tiranës tirane, dhe, në të njëjtën kohë, ngrihet kundër poetëve që kanë hyjnizuar luftën e klasave dhe komunizmin e Enver Hoxhës. S'është hera e parë që krijimtaria ime letrare injorohet në mënyrën më cinike nga mafia politike dhe kulturore e vendit tonë. Me heshtje u dënua edhe "Poema dell'esilio/ Poema e mërgimit", Fara Editore, botimi i 2005; botimi i II në 2007.

Mund të them se u kam paraprirë në kohë tragjedisë së Gërdecit. "Poema e mërgimit" është një poemë prej 1600 vargjesh ku gërshetohet elementi epik me atë lirik. Përmbajtja e saj është e gjerë dhe komplekse: në të rroken aspekte antropologjike, politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore. Në këtë poemë, mes të tjerash, denoncohet trafiku i organeve, i armëve, korrupsioni, lidhjet midis politikës dhe mafies, krimet e komunizmit, vjedhja e pronës, korrupsioni, bankat fantazmë, grabitja e pasurisë kombëtare, trafiku i drogës, i prostitucionit dhe i klandestinëve ... denoncohen pseudo-poetët dhe pseudo-intelektualët zyrtarë të Tiranës, pseudomitet që i kënduan Enver Hoxhës dhe luftës së klasave, pushtetarët e djeshëm/ e të sotëm që kanë uzurpuar çdo qelizë të jetës politike, ekonomike dhe kulturore të vendit dhe që e mbajnë peng zhvillimin e vendit. Por ç'ka e verbon më shumë mafien politike dhe kulturore të Tiranës është fakti pse unë s'u kam kënduar partive, tiranëve, luftës se klasave, terrorit shtetëror; pse unë s'kam qenë kurrë poet oborri, poetë stinësh, servil, i pafytyrë e dredharak.

Përkundrazi e kam krijuar korpusin e veprës sime me stërmundime të pafundme dhe me ndershmëri intelektuale, duke iu imponuar kritikës ndërkombëtare falë vlerave letrare, pa përmendur kontributin tim politik gjatë proceseve demokratike. Ndaj vepra ime u fut frikën panteonit të poetëve të Tiranës; ndryshe s'ka s'i shpjegohet fakti që në harkun e 50 vjetëve autori i kësaj interviste s'është ftuar kurrë të lexoj veprën e tij në Shqipëri. Edhe pse konsiderohem nga shtypi dhe kritika botërore si poeti më i shquar shqiptar dhe njëri ndër poetët më të mëdhenj në botë. Madje në 1997, kur unë fitova çmimin "Montale" për poezinë, çmimi më prestigjioz për poezinë në Itali, shtypi shqiptar s'shkroi sikur dy fjalë! Shqipëria është si Medea i ka shqyer gjithnjë poetët e saj të vërtetë.

Kur do të botohet "Genocidi i poezisë shqipe" në Itali?

"Gjëma" do të botohet në Itali brenda këtij viti. Më pas do të botohet në Francë dhe Gjermani; varianti në gjuhët e huaja do të ketë rreth 100 faqe më shumë kundrejt botimit të parë në Tiranë. Ashtu si dhe "Poema e mërgimit", "Gjëmë" është një vepër e hapur. Për masakrën ndaj poetëve shqiptarë gjatë diktaturës komuniste s'është folur kurrë deri sot përtej kufijve të Shqipërisë, përkundrazi, është bërë ç'është e mundur për ta fshehur atë ç'ka ka ndodhur.

Ndonjë libër i ri që do të pasojë "Gjëmën"?

Së shpejti do të dalë nga shtypi dhe një tjetër libër që ka të bëjë me Memorien kulturore dhe historike tonën. Këtë herë s'po e zbuloj përse bëhet fjalë..."Frikem" se mos ndonjë nga kolegët në Tiranë më "merr" primatin

Revista “Ylli” si histori e propagandës komuniste

ylli-revista
Nga Ledion Peshtani   
E mbani mend revistën Ylli?! Ka qenë fytyra e regjimit komunist të Shqipërisë. Në faqet e saj nëpërmjet fotografive e ilustimeve u bëhej jehonë arritjeve të socializmit, jetës së lumtur në Shqipëri, gruas si një forcë e fuqishme që çonte para shoqërinë, e deri miqësisë së pandarë me vëllezërit kinezë. Revista shpesh sillte edhe pamje te fëmijëve apo të figurave të njohura historike.

ylli06
E gjitha kjo materializohet më së miri në kopertinat e kësaj reviste të përmujashme, që ishte një mjet i fortë i propogandës së kohës.
ylli-revista
Duke qenë revista më kryesore e kohës, koleksioni i Yllit është jo vetëm një histori e fiksuar e zhvillimeve të asaj kohe por edhe një histori e fotografisë shqiptare në ata vite. 

ylli01ylli05
Kopertinat e saj janë dëshmitare jo thjeshtë të propogandës por edhe të faktit se si fotografia që cilësohet si pasqyruesja më besnike e asaj që sjell manipulohet deri atja sa të mos sjellë pasqyrën e saktë të realitetit. Revista është dëshmitarja më e mirë se si ndikon shteti mbi fotografimin, se si u përshtatën fotografët me regjimin, se si ushqeheshin shikuesit e tyre me ideologjinë e regjimit totalitar.
ylli04
Që nga vitet 60-të, revista Ylli, vitrina e fotografisë shqiptare, organizonte çdo vit një konkurs fotografik, i cili ishte i hapur si për profesionistët edhe për amatorët. E njëjta revistë botonte ndonjëherë edhe një rubrikë e veçantë dedikuar amatorëve. 
ylli03
Në vitin 1967, Ylli është e para që kapërcen tek fotografia me ngjyra. Në atë kohë fotografitë me ngjyra që shtypen në këtë revistë por edhe në të tjera që e ndoqën më pas janë fotografi bardhë e zi por të ngjyrosura.
ylli02
 Në Shqipëri do të duheshin edhe 7 vjet që të vinte fotografia e vërtetë me ngjyra. Laboratori i parë me ngjyra hapet në ATSH më 1974 dhe vite më pas më 1981, ngrihet një laborator modern, me makineri të blera në Itali.
ylli04           ylli03 ylli02       ylli01 ylli05    ylli06

Diktaturën e mbajti në këmbë Sigurimi i Shtetit

Publikimi në gjuhën angleze i biografisë së gazetarit Blendi Fevziu për diktatorin Enver Hoxha, vazhdon të tërheqë vëmendjen e mediave angleze.
Këtë herë është rrjeti prestigjioz BBC që ka realizuar një intervistë me studiuesin Robert Elsie, editorin e këtij libri.

ehoxha-fevziu2
Ai fillimisht flet për historinë e vizitës së Nënë Terezës në Shqipërinë komuniste.
“Në fund të viteve ’60, regjimi shqiptar nisi një fushatë kundër fesë, veçanërisht ndaj klerit katolik. Regjimi druhej nga kontaktet e tyre me botën perëndimore, shumë priftërinj u arrestuan dhe u vranë.
Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare, e lindur në Shkup.
Për fat të keq regjimi nuk e lejoi të vizitonte nënën para vdekjes, pa asnjë arsye.
Por ajo e vizitoi Shqipërinë më vonë dhe takoi Nexhmije Hoxhën, të shoqen e Enver Hoxhës,” thotë Elsie.
“Dhe e fali Enver Hoxhën dhe vendosi lule tek varri i tij”, shton gazetari britanik.
“Enver Hoxha studioi në Francë. Kishte një kulturë fasadë perëndimore, por ishte shumë hakmarrës”, thekson ai.
Gazetari shton se “ai e detyroi Shehun të vrasë veten”.
“Po, kjo ka qenë më spektakolarja e vdekjeve të njerëzve pranë tij. Ai pak a shumë vrau të gjithë, nga bashkëpunëtorët e hershëm në lëvizjen komuniste, historia e Byrosë Politike është e mbushur me vrasje dhe vetëvrasje. Më spektakolarja ishte ajo e Mehmet Shehut, që ishte numri dy i regjimit. Preteksti për rënien e tij ishte fejesa e djalit të tij me një vajzë që nuk kishte, siç thuhet në Shqipëri, një biografi të mirë”.
Megjithatë, pikëpyetja e gazetarit është se përse ky regjim ishte kaq i fortë, kur Enver Hoxha ishte i sëmurë dhe i dobët në vitet e fundit të jetës.
“Nuk ishte Enver Hoxha, ishte aparati i Sigurimit. Mendohej se një e treta punonte dhe bashkëpunonte me Sigurimin. Isha në Shqipëri në atë periudhë dhe askush nuk fliste hapur, por mund të kuptojë se nuk kishte entuziazëm të vërtetë dhe mbështetje për regjimin, por të gjithë ishin të frikësuar, ndryshe nga vendet e tjera ku kishte njëfarë disidencë dhe tolerance. Në Shqipëri nuk kishte disidencë”, thotë Elsie.
Sipas tij, “një nga gabimet e mëdha të Partisë Komuniste ishte kolektivizimi i kafshëve, edhe pulave madje”.
Në fund, gazetari i BBC e pyet se cilat janë leksionet që mund të mësohen nga ky libër.
“Është historia e një pushteti absolut, dhe pushteti absolut sjell korrupsion. Ka regjime të ngjashme në botë sot, si Koreja e Veriut. Nuk e di se si ndodhën gjërat, si ngrihen diktaturat, por ndodhi dhe është një nga shembujt më të këqinj në historinë europiane”,tha gazetari.

Rrëfimi i Pëllumb Kullës: Si më ndiqte Sigurimi kur isha 17 vjeç

Pëllumb Kulla



Pëllumb Kulla ka lindur në Zëmblak të Korçës në vitin 1940.


Përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 Nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Mojsiu" më 1964.

Aktiviteti profesional

U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.

Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon per riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë. Riedukimi zgjat po aq sa iu desh per te kryer studimet e larta; plot katër vjet.

Më 1972 emërohet aktor në Teatrin e Fierit, me pas regjisor; dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin "kullën" e suksesit. Ështe me e mira ne vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë.

Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër".

 Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët "Teatri kjo lojë magjepsëse"

Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.

 Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër".

Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia "Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë", vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Vitet '80

Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror.

Aktiviteti pas viteve '90

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në New York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria". Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi njw seri librash qw u pritwn me interes.

E nisi fillin me essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës".

Ndërkohë Shtwpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime "Pushtimi i Amerikës" (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin atraktiv "Rrëmbimi i nuses në Nju Jork" (2012).

Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik "Luftë pa Fund" ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij. Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën "Rilindja Demokratike" e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA.

Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane.

I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë "Kërcuri" (2003), "Milioneri" që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), "Dikush duhet të vdesë" (2011) dhe "Shshsht! Ule zërin" (2013).

Vlerësime: Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Mojsiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" (3 Dhjetor 2003)


Agjencioni Floripress






“Jam përndjekur nga Sigurimi që kur isha 17 vjeç”. Pohimi befasues i regjisorit të famshëm në reagimin e tij për shkrimin “Pse duhen ndaluar dramat e Pëllumb Kullës”, botuar te “Panorama”, zbulon një histori interesante që hedh dritë mbi disa aspekte të panjohura për mënyrën e sjelljes së regjimit me njerëzit e artit, veçmas me ata me biografi të papërshtatshme politikisht. Në shpluhurosjen e dokumenteve të hershme, Kulla përpiqet të ndriçojë misteret e labirintheve, siç pohon ai, ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj. Përtej vështrimit bardhë e zi, në rrëfimin e tij vijnë ngjarje e ndodhi ku përshkruhet me një qasje interesante natyra represive e regjimit dhe diferencat e karaktereve të zyrtarëve të nomenklaturës, si një bashkësi besnikësh të verbër që kapërcejnë madje edhe limitet e kohës në përballjen me viktimat e tyre dhe një pjese tjetër, që rriskon nga vetja për të lehtësuar sa të mundet grupin e të pambrojturve. Më poshtë botojmë pjesën e parë të kujtimeve të Kullës, që zbulojnë rrethanat e panjohura të largimit të dhunshëm nga skena e teatrit në guroren e Kaninës…

***
p-kulla-rrefimi
Nga Pëllumb Kulla

Para ca ditësh, z. Afrim Imaj, që kujdeset për rubrikën “Dossier” të “Panoramës”, pati nxjerrë në dritë dy dokumente të vitit 1966, që mbanin nënshkrimin e sekretarit të Komitetit të Partisë së Vlorës. Falënderoj zotin Imaj për fjalët tepër vlerësuese që pat derdhur në komentarin e tij, por sidomos për publikimin e këtyre dokumenteve, të cilat hedhin dritë mbi labirinthet ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj që llogarisnin të kishin si mbështetje vetëm punën dhe aftësitë e veta. Që të dyja dokumentet kanë nevojë të shpjegohen dhe nga ana e njeriut që fokusohej aty, e që jam unë, tashmë në një moshë të shtyrë. Janë të vërteta aty nënvizimet e nxira të prejardhjes, të persekutimeve, listimet e të arratisurve që me sytë e kohës duhej ta degdisnin varkën time në fund të detit të Vlorës.
Pellumb Kulla dhe Nene Tereza
Por kaq! Të tjerat pastaj janë shpifje dhe ngarkesa keqdashëse. Interesant ishte dyshimi i burokratëve vlonjatë të kohës mbi përkrahjen që mund të kisha unë nga elementë dashamirës në Ministrinë që mbulonte teatrot. Dhe pastaj paradoksi më i madh dhe më uluritës ishte ai që Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH i shfaqej nga Vlora pikëpyetja torturuese se kush më pat futur mua, një individ me përbërje aq të rënduar në Shkollën e Lartë! Dhe këta mehmurë nuk dinin një fakt, që vetëm në ndonjë zyrë lokaliteti nuk dihej: që këtë lëshim të pazakontë e mëshirëmadh e pat bërë vetë Enver Hoxha! (Kam folur disa herë në shtyp për këtë takim fatlum me të parin e vendit, kërkesën që i bëra unë atij dhe pëlqimin që dha ai). “Ky njeri”, ankohet sekretari Gani Keçi në shkresë, “është në përpunim aktiv nga organet e Punëve të Brendshme si element armik me pikëpamje të theksuara borgjezorevizioniste dhe zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore”. A mund të përfytyrohet një autoritet i frikshëm i diktaturës që të denoncojë në Sekretariat të Enverit një çunak 26-vjeçar, pinjoll reaksionarësh me të pushkatuar e të arratisur në familje, që ka sypatrembësinë dhe marrëzinë të bëjë në mes të Vlorës agjitacion dhe propagandë armiqësore?! T’i dërgosh aparatit të lartë të Partisë një shkresë të titulluar “Mbi çështjen e aktorit Pëllumb Kulla”, do të thotë që është hapur tashmë një çështje! Do të thotë që aparati u ka kërkuar llogari partiakëve të Vlorës për degdisjen e një djali të ri në guroren e Kaninës, pasi ka shkruar dramën e parë të fillimeve letrare, një dramë entuziaste rinore, që po vlerësohej në konkursin e 25vjetorit të Partisë. E ka paraqitur atë dhe në teatrin ku bënë pjesë shokët e trupës e kanë pritur veprën.

Teatri i Vlorës e ka miratuar dhe regjisori përgatiti vënien në skenë. Asnjë gabim ideor nuk kishte drama, asnjë ndikim borgjezorevizionist, apo “dominim të formës mbi përmbajtjen”, siç thuhet në denoncimet e Keçit. Pra, ra si rrufe nga qielli i kthjellët mosmiratimi në Komitetin e Partisë nga Sykot dhe Keçët e asaj kohe. Nga ana tjetër, konflikti i ndërsjelltë i Ministrisë së Kulturës dhe tre teatrove, që ndërkohë po e vinin atë në skenë, me mediokritetin e aparatçikëve të Vlorës, përziente shumë probleme, ngaqë prekeshin shumë interesa. Teatri “AZ Çajupi” për pesë ditë do t’u jepte shfaqjen e dramës sime spektatorëve korçarë dhe atë po e vinte në skenë jo dokushdo, por mjeshtri Luarasi. Në Durrës kish përfunduar procesin në tryezë dhe aktorët flisnin mirë për rolet që i tërhiqnin. Në Institutin e Arteve, pedagogu Spahivogli kish filluar një punë diplome me studentët që më së miri i përshtateshin pjesës sime. Rolin kryesor të inxhinierit ia kish ngarkuar studentit brilant Sheri Mita, ndërsa atë të vajzës së rritur me pekule, ia kish besuar shoqes sime (që më pas u bë gruaja ime), Xhuljetës. Nuk mund të përfytyrohej një qiell aq i kthjelltë për një autor të ri. Dhe nuk po ndodhte kjo për inat të Gani Keçit dhe Janaq Sykos, shefit që drejtonte kulturën në Vlorë! Ndalimi i veprës shkaktoi keqardhje në trupën tonë. Punët vështirësoheshin se unë nuk mund ta tërhiqja dramën nga konkursi, dhe nuk kisha arsye kur ajo po çante me sukses drejt çmimeve të larta. Kjo vinte në pozitë të vështirë Komitetin e Partisë, aq më tepër kur te ne, në teatër, po shfaqej hapur pakënaqësia e artistëve, që “kulaçin e bërë në magjen e tyre do ta hanin të tjerët”. Dhe ata punuan fort dhe e gjetën zgjidhjen: me një urdhër nga lart, në të njëjtën ditë, puna u ndërpre në të gjitha këto skena. kishin emra dhe histori më të pasura se Vlora. Nuk ishin “miqtë” e mi që po ua bënin hilen. Isha unë që i nxirrja në dritë të shtrembër me trillin tim marrok për t’u endur në fushën e letërsisë skenike. Unë në jetën time kam hasur vështirësi, por kam gjetur edhe njerëz dashamirës, me botë të gjerë shpirtërore. Por kundërshtarët e mi të fuqishëm duhej logjikisht të kishin 10-fishin e “miqve”, nga ai lloji që i mendonin ata, dhe e patën më të lehtë t’i mobilizonin në betejën e tyre me një qenie të brishtë. Kur kjo ngjarje u bë e njohur, keqardhja preku shumë njerëz të mirë të botës së artit dhe politikës, atëherë po, u shfaqën miqtë.
ÇAUSHI

Pëllumb Kulla dhe Perlat Çaushi


Një ndër ta, poeti i madh Dritëro Agolli, aso kohe një gazetar i thjeshtë i seksionit të kulturës në gazetën “Zëri i Popullit”, nisi të trokiste fort nëpër dyer zyrash të rënda, por pa çarë dot. Atëkohë as Dritëroi nuk e kishte staturën që i njohim tani dhe as që kishte me mua miqësinë që kemi sot. Emri im Agollit nuk i thoshte asgjë dhe do të mjaftonte përmendja e vetëm njërës prej të zezave në jetëshkrimin tim, që të largonte cilindo pa i vënë aspak faj, jo vetëm atëherë, por as edhe sot. Por falë i qofshim Zotit për ekzistencën e pabujshme të njerëzve të tillë që u skandalizuan nga vepra kriminale e atyre aparatçikëve vlonjatë me mashën e Luftës Klasore. Për t’u ritakuar me skenën m’u deshën të kalonin pesë vjet të gjatë. Miq të tjerë të mrekullueshëm vlonjatë, si Ismet Cibaj, sekretar i Komitetit të Partisë në Fier, Axhem Gjonaj, nënkryetar i Komitetit të Vlorës, dhe të tjerë bënë të mundur që unë të atashohesha me emërim në Estradën dhe Teatrin e Fierit, ku erdha më i burrëruar, me një bagazh më të plotë jetësor dhe artistik.

Me Piron
Pëllumb Kulla dhe Piro Mani

Kalvari im ishte i gjatë, por mua asnjëherë në qytetin bregdetar nuk m’u vunë në dukje as vërejtjet për veprën që shkrova dhe as për sjelljen time të padenjë të padisiplinuar dhe të dënueshme politikisht. Pra, unë u dëbova nga studiot dhe skena e teatrit, por asnjëherë nuk m’u tha motivacioni i këtij ndëshkimi. Nuk m’u tha që vepra kish të meta ideore, e nuk kish sesi, ngaqë konkursi dhe opinioni artistik kombëtar ua pat kyçur me autoritet gojën. Nuk më thoshin dot as që po më syrgjynosnin dhe po më shpinin te gurët. E nuk kish sesi, se ndërkohë, me vonesë – me vonesë, por edhe ata kishin marrë vesh që kjo qe kapërcyer tashmë nga vetë i madhi i vendit dhe përderisa pas takimit me të, pushkatimet dhe arratisjet në fisin tim qenë prerë, nuk dilte dot Keçi para Hoxhës! Edhe në Fier, për një kohë hija e ngjarjes së Vlorës shfaqej, por jo me ato përmasa. Puna ime në këtë qytet të ri kishte vlerësime të larta dhe unë kurrë nuk u nëpërkëmba. Përkundrazi! Jeta mes artistëve të shkëlqyer e mes publikut frymëzues fierak ishte e bukur. Ndodhte ama nganjëherë që në mbledhjet, që provokoheshin kur dënoheshin grupet e shumta armiqë sore në nivele të larta të ushtrisë, ekonomisë dhe ideologjisë, na ngrinin të premtonim se ne si kundërpërgjigje do ta rrisnim cilësinë e artit skenik dhe na bënin të ndërgjegjshëm se sa i detyroheshim popullit, sidomos ca nga ne, që në jetët e tyre…
Pëllumb Kulla dhe Mihallaq Luarasi
Pellumb Kulla dhe Mihalaq Luarasi


Dhe qëlloi që njëherë, ndërsa më kishin ngritur mua, më pyetën: “A mund të na e thuash ti, shok, se nuk na e ke thënë kurrë: përse të dënuan në Vlorë në vitin 1966?!”. Kishin kaluar dhjetë vjet që isha pjesëtar i kolektivit atje! Iu përgjigja: “Nuk jua kam thënë kurrë, more shokë, sepse nuk ma kanë thënë kurrë! E kam kërkuar të ma thoshin motivacionin në Vlorë, nuk ma thanë. E kam kërkuar edhe në Tiranë. Heshtje e plotë! Pa ta provoj ta kërkoj edhe këtu te ju, në Fier, mbase ma thoni: Përse në fund të atij vitit 1966, më dërguan të nxjerr gurë në majë të Shashicës?!”. Kjo faksimile e kartelës së Sigurimit “Model 1” i përket të riut 17 vjeçar Pëllumb Kulla. Një nga rastet e rralla ky, kur policia e fshehtë merrte në përpunim institucionalisht një adoleshent. Përpunimet (përndjekjet) në komunizëm regjistroheshin në këto lloj dosjesh: PP (Përpunim paraprak), kur vinte ndonjë e dhënë e paverifikuar. Nëse ajo vërtetohej, ngrihej në nivel 2B ose 2A. Dosja “2B” hapej për të gjithë të parashikuarit kundërshtarë të regjimit të llojit “bir prefekti”, “bir kulaku” etj. Ata mbaheshin nën gjurmim dhe një herë në muaj dokumentohej një raport rreth tyre. Dosja “2A”, ndryshe dosja e përpunimit aktiv, që nënkuptonte vëzhgimin 24 orë për objektin me prirje armiqësore. Ekzistonte sakaq edhe përpunimi aktiv, si problem i centralizuar përmbi një person. Ky problem ndiqej me pseudonim, p.sh. problemi i centralizuar “Bataku”, “Bloza”, “Plehu”… Këto janë fjalët që pëlqente më shumë Sigurimi.

Persekutimi komunist në shkencat albanologjike


Nga Kolec Topalli.

Lufta e klasave dhe persekutimi komunist veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato qenë shumë të ashpra sidomos ndër intelektualë që ishin shkolluar jashtë shteti e kishin kulturë perëndimore. Frika e regjimit komunist nga intelektualët demokratë që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare, pati si pasojë përndjekjen e tyre, arrestimet, internimet, torturat e pushkatimet, që ndërprenë për një gjysmë shekulli lidhjet shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me botën e qytetëruar perëndimore. Shembujt që vijojnë flasin qartë për këtë.
Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I lauruar në Innsbruck të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924 si kundërshtar i monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë. Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje. Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanozi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.
Donat Kurti qe mbledhës i zellshëm i folklorit, i quajtur Anderseni shqiptar. I lauruar në Universitetin “San Antonio” të Romës ku iu dha titulli “doktor i shkencave”, njohës i shkëlqyer i 7 gjuhëve të huaja, u vlerësua nga Norbert Jokli “ndër prozatorët më të mëdhenj shqiptarë”. Por edhe ky pati të njëjtin fat si bashkëpunëtori i tij. I burgosur që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Dhe kaloi 17 vjet në burgjet dhe kampet shfarosëse komuniste. Ironia e fatit deshi që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.
Një tjetër albanolog pati një fat edhe më të rëndë. Lazër Shantoja qe mbledhës folklori, publicist, kritik letrar, poet e prozator, përkthyes i talentuar i Gëtes, Shilerit e Hajnes. Por ai që për mbrojtje të demokracisë kishte provuar burgun që në vitet ’20, ai që bisedonte me ditë e me muaj me Faustin e Wilhelm Telin, e pësoi keq nga diktatura. I arrestuar në shkurt të vitit 1945 u torturua kaq shumë sa luste zotin ta shpëtonte me vdekjen e tij. Kur e pa për herë të fundit e ëma duke u zvarritur pas hekurave me këmbët të gangrenizuara, iu lut rojeve ta vrisnin, që të mos vuante më. Dhe e pushkatuan pas një gjyqi farsë që i dha dënimin me vdekje.

I fundit që e pa trupin e tij të vrarë, dëshmon: “E kishin coptue. Ishte me kambë e me krahë të gjymtueme. Ia kishin pre me sharrë. Kofsha e djathtë ishte e ajun tej mase, sa dukej më e madhe se trupi, dhe dukeshin gjithkund gjurmë plagësh të bame me gjithfarë mjetesh. S’kishte mujtë me qindrue në kambë dhe e kishin pushkatue me një breshërimë plumbash brenda në varr. Gurë e dhé mbuluen trupin e tij të gjymtuem, për të mos u gjetur kurrë vorri i tij”. Vepra e tij, e shpërndarë në revista e gazeta të kohës, u botua në një vëllim me rreth 700 faqe, 60 vjet pas vdekjes së autorit. Duke u çmuar përtej kufijve të Shqipërisë, kam pasur rastin të jem i pranishëm në Romë para 4 vjetësh kur u përkujtua me nderim të veçantë në një konferencë shkencore, organizuar posaçërisht për të.
Një tjetër shkencëtar, intelektual-albanolog, që u vra nga diktatura në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist, qe Nikollë Gazulli. Ai ka lënë Fjalorin më të mirë krahinor të fjalëve të rralla, me shpjegime e sqarime të shumëllojshme dhe me një pasqyrë të gjerë të parashtesave e prapashtesave të shqipes, që e bëjnë atë një thesar të paçmueshëm në fushë të leksikografisë. Qe nismëtar edhe në fushë të leksikografisë onomastike, duke botuar të parin “Fjalor onomastik” shqiptar në revistën “Hylli i Dritës”, ku trajtohen edhe probleme historike e etnografike. Nga informacionet që kemi, ai kishte mbledhur edhe 2000 fjalë të tjera, fati i të cilave nuk dihet. E me gjithë këto kontribute, emri i tij nuk u përmend asnjëherë në studimet albanologjike. Së shumti lejohej të citohej vetëm titulli i veprës me shkurtime, por kurrsesi autori i saj. E kjo ndodhte sepse ai u pushkatua pa gjyq në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. I rrethuar nga bandat komuniste, u vra si martir në një shpellë ku ishte strehuar për t’iu fshehur terrorit të kuq, një Bajram Curr i kohëve tona, i mbetur edhe ky pa varr, ai që në luftën për demokraci në vitet ’30 kishte vuajtur 4 vjet në burgun e Gjirokastrës dhe ishte liruar falë ndërhyrjes së Norbert Joklit, Gjergj Fishtës dhe Aleksandër Xhuvanit.
Mark Dushi qe një tjetër mbledhës i zellshëm i folklorit, i leksikut të rrallë, i toponimeve, të dhënave historike, mitologjike, legjendave etj. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe presin një dorë të kujdesshme t’i nxjerrë në dritë. Një monografi e tij, që u botua si vepër postume, “Tirana dhe rrethinat e saj”, përmban të dhëna dhe argumente arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe etimologjike me interes shkencor për të njohur kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Dhe shpërblimi i gjithë kësaj pune qe burgosja e tij nga diktatura, torturat mizore, dënimi me vdekje dhe pushkatimi në moshën 46 vjeçare.
Fate të njëjta patën edhe shumë dijetarë të tjerë, që për punën e tyre u shpërblyen me burgje, internime e persekutime të tjera. I tillë është rasti i tre orientalistëve të shquar: Mykerem Janina, Vexhi Buharaja dhe Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me vlerë shkencore e letrare.
Mykerem Janina qe ndër specialistët më të mirë të osmanishtes, njohës i përkryer i dokumenteve historike dhe i paleografisë, përkthyes i “Defterit të Sanxhakut Shqiptar” të historianit turk Inalçik. Ai kishte nisur aktivitetin botues që në vitet ’30, por u burgos dy herë gjatë jetës së tij me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë ishte afër moshës 80 vjeçare.
Vexhi Buharaja ka lënë një vëllim shumë të madh materialesh dokumentare osmane, që janë me rëndësi të dorës së parë për studimin e historisë së Shqipërisë. Duke i përkthyer në gjuhën shqipe, ai solli pranë nesh veprat e frashërlinjve, “Besën” e Samiut dhe “Ëndërrimet” e Naimit, si edhe disa kryevepra botërore të poetëve persianë. Por ky intelektual me potencial të madh shkencor, që punoi 10 vjet në Institutin e Historisë, u pushua nga puna në vitin 1975, për të kaluar vitet e pjekurisë më të madhe shkencore në vetmi të plotë larg çdo aktiviteti shkencor.
Tahir Dizdari është autor i fjalorit më të madh e më të mirë të orientalizmave në gjuhën shqipe, ku jepen shpjegime të shumta për huazimet turke, me argumente leksikore e gramatikore, etnologjike, letrare e etimologjike, dhe me krahasime me gjuhët e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e bëjnë atë me vlera të paçmueshme jo vetëm për albanologjinë, por edhe për orientalistikën e ballkanologjinë. Por e gjithë kjo punë e stërmundimshme, për të cilën ai punoi gjithë jetën, nuk u botua sa qe gjallë autori, dhe pa dritën e diellit 33 vjet pas vdekjes së tij. E kjo për arsyen e thjeshtë se Tahir Dizdari ishte burgosur më 1951 si antikomunist, ai që për ndjenjat e tij patriotike e demokrate ishte internuar nga fashizmi në vitin 1939.
Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën.

Guljelm Deda, që Orlandon e çmendur të Ludovico Ariostos e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje të rimuara në gjuhën shqipe. Edhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit; Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik nga studiuesit gjermanë. Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm. Mithat Araniti përktheu nga gjermanishtja vepra kapitale për albanologjinë. I tillë është Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane me tre vëllime i etimologëve me përmasa botërore Alois Walde dhe Julius Pokorny, një kopje e të cilit gjendet në Muzeun e Durrësit. Dhe shpërblimi i kësaj pune qenë vitet e pafund të burgut e të internimit.
Një tjetër njohës i thellë e përkthyes i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, shqipëroi kryevepra botërore: “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjikat” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez. Ka lënë në dorëshkrim “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Fjalorin greqisht shqip”. Për të gjitha këto, u shpërblye me burg disavjeçar.

Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, gjuhëtar, poet kritik letrar e folklorist, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës, sepse ky ishte vendi i caktuar nga diktatura për ata që kuvendonin me Homerin e Virgjilin, me Danten e Petrarkën, për ata që ishin shkolluar në perëndim dhe tentuan të ecnin kundër rrymës zyrtare.
Një tjetër përkthyes i talentuar, qe edhe Mark Harapi, që na dha në shqipe kryeveprën e Manzonit “Të fejuemit”, njëri nga intelektualët më të kulturuar të kohës, që kishte refuzuar të qëndronte për të dhënë mësim në Universitetin e Romës, vetëm që të kthehej në atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus prophetarum” duke e pajisur me shumë komente e shënime gjuhësore. Dhe shpërblimi i kësaj pune qe dënimi me 20 vjet burgim, prej të cilave bëri 10 dhe pas këtyre edhe 5 vjet të tjera internim. Deri sa vdiq jetoi me lëmoshën e bamirësve të rrugicës ku banonte.
Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak ditësh. Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të dlirët e të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij. Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes, atje ku në hyrje mund të shkruhej si në portën e ferrit të Dantes: “Këndej kalohet në qytetin e mjerimit / Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi / Këndej kalohet te njerëzit humbun shqimit / O ju që hyni mbrendë keni mbarue”. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, ose kënetave të Maliqit e të Bedenit.
Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90.
Një shembull tjetër i këtij persekutimi është Frano Illia, ky Shtjefën Gjeçov i dytë, i cili pasionin e tij për të mbledhur doke, zakone, tradita e fjalë të rralla të shqipes, e pagoi me një kalvar të vërtetë vuajtjesh të pafund, sepse atëherë kur më 1967 dorëzoi për të botuar “Kanunin e Skenderbeut”, e thirrën, jo për t’i botuar veprën, por për t’i vënë prangat në duar dhe pas 7 muaj torturash në qelitë e Sigurimit të Shtetit, me një gjyq farsë, ku nuk munguan as duartrokitjet, e dënuan me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burgim, prej të cilave bëri 20 vjet.
Gjergj Fishtën, të madhin e letrave shqipe, të quajtur “Homeri shqiptar”, kryetarin e komisionit të hartimit të alfabetit, njërin nga themeluesit e “Komisisë Letrare”, e shpëtoi nga ferri komunist vdekja e parakohshme. Por ai s’mund të hidhej në harresë aq lehtë, sepse vepra e tij e botuar në të gjallë të poetit, njihej e deklamohej prej shqiptarëve nga Veriu në Jug. Ja përse ai ishte një rrezik potencial për diktaturën. Prandaj edhe i vdekur nuk i shpëtoi persekutimit mizor dhe hakmarrjes makabre komuniste: eshtrat e tij u zbuluan, u nxorën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin. Në çdo vend të botës prehjet e fundit të poetëve kombëtarë ruhen me fanatizëm si relikte të shenjta e si vende nderimi e pelegrinazhi. Varri i Dantes ruhet në Ravena prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij. Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi. Njihen plot raste kur intelektualë të arrestuar janë akuzuar se kanë lexuar Fishtën, se kanë folur për të, se kanë fshehur “Lahutën” e shumë akuza të tjera të kësaj natyre. Shteti i diktaturës sllavo-komuniste nuk mund t’ia falte kurrë poetit të madh himnizimin e luftës që bënë shqiptarët “mos me nda tokat e Shqipnisë, për me ngopë klyshët e Rusisë”. Ndërsa si kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, ai nuk u përmend asnjëherë dhe për shkak të tij e të ndonjë anëtari tjetër të anatemuar, fotografia e komisionit të këtij kongresi nuk u bë e njohur asnjëherë gjatë 50 vjetëve.
Viktor Volaj, gjuhëtar leksikolog, profesor i gjuhës shqipe, latine e greke në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës, kaloi shumë vite nëpër kampe internimi. Ai qe komentatori e shpjeguesi më i mirë i veprave të Fishtës, për të cilat punoi shumë vite nën mbikqyrjen e poetit të madh. Ai qe edhe autor i sa veprave të tjera, që humbën në vitet e diktaturës pa mundur të shohin dritën e botimit. Prandaj ai u quajt “akademiku i madh pa vepra”. Me nxitjen e Xhuvanit e të Çabejt, ai kishte mbledhur e dorëzuar në Institutin e Gjuhësisë 1200 fjalë e shprehje të rralla shqipe si kontribut për “Fjalorin e madh të shqipes”, por emri i tij nuk përmendet askund.
Nikollë Mazreku, ky njohës i mirë i historisë, gjuhës e letërsisë, njëri nga latinistët më të shkëlqyer, ka lënë shumë dorëshkrime, ndër të cilët një vëllim për heroin kombëtar, Skëndërbeun. Ka mbledhur shumë fjalë të rralla, që i ka përdorur me mjeshtri në vargjet e tij poetike. Mbrojtës i flakët i racës dhe kulturës shqiptare, ai shkroi me pseudonimin Nikë Barcolla pamfletin e famshëm kundër skandalit të Cordignanos. Për të gjitha meritat e tij diktatura e shpërbleu me 25 vjet burg dhe 12 vjet në internim.
Në bankën e të akuzuarve u rreshtua edhe Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit. Vëllai i tij, Aleksandër Sirdani, një tjetër mbledhës e studiues i folklorit dhe i fjalës së rrallë shqipe, që ka lënë me mijëra faqe dorëshkrim, u torturua në mënyrat më çnjerëzore dhe trupin e tij të dërrmuar nga torturat e shëtitën nëpër Koplik për t’i futur tëmerrin qytetarëve. Pastaj e vranë duke ia shpuar trupin me cfurk deri sa e rrokullisën në një gropë të zezë.
Dijetarë të tjerë u lanë në heshtje, vepra e tyre nuk vlerësohej e nuk botohej. Këtë fat pati gjuhëtari i madh, që tërë jetën ia kushtoi albanologjisë, Selman Riza. Ai që ishte internuar në Ventotenë prej fashizmit për idetë e tij demokratike në mbrojtje të lirisë së vendit, ai që ishte internuar nga regjimi titist jugosllav për përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë, ai që kishte ndërruar burgje e kampe internimi po aq sa edhe vende pune e banimi, u persekutua egërsisht nga diktatura komuniste e Tiranës: u dëbua nga Instituti i Gjuhësisë e u internua në Berat. Dhe ashtu siç u la në heshtje për vite me radhë vepra e tij e pabotuar, ashtu qe edhe dita e varrimit të këtij kolosi të albanologjisë.

Një fat të tillë pati edhe gjuhëtari Justin Rrota. Për autorin e sa studimeve në fushë të gjuhësisë, për dijetarin që solli në vendin tonë veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, askush s’kujtohej nga zyrtarët e regjimit, prandaj vdekja e tij kaloi në heshtje, ashtu siç u la edhe vepra e tij, që bëri gjumin letargjik 50-vjeçar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, për t’u zgjuar e për të parë dritën e botimit vetëm pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së demokracisë.
Për 50 vjet me radhë u mbuluan me heshtje edhe emrat dhe veprat shkencore të personaliteteve më të shquar të diasporës: Martin Camaj, Namik Resuli, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Zef Valentini e shumë albanologë të tjerë, emrat e të cilëve ishin bërë tabu në regjimin komunist.
Martin Camaj është albanolog ndër më të shquarit, për më tepër shkrimtar e poet ndër më të talentuarit. Në fushë të albanologjisë ka lënë një varg veprash për historinë e gjuhës shqipe, për gramatikën e dialektologjinë, për etimologjinë dhe të folmet arbëreshe, për tekstet e vjetra, folklorin e letërsinë. Ai qe shtyllë e emigracionit, që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi. E megjithëkëtë, nga regjimi totalitar mori epitetin “tradhëtar”, sepse mundi të shpëtonte nga ferri komunist e të dilte në botën e lirë, duke mbetur tërë jetën një shqiptar i vërtetë. Edhe pas vdekjes mbeti i tillë. Kam pasur rastin të vizitoj varrin e tij. Është më i thjeshti në varrezat e Lengriesës në Gjermani: një copë shkëmb i pagdhendur, që bashkëkombasit e tij e kishin sjellë nga malet e Dukagjinit për t’ia vënë te koka këtij shqiptari të madh, që vdiq në dhé të huaj pa mundur ta vizitonte qoftë edhe një herë të vetme atdheun e tij.
Një tjetër albanolog që mundi të shpëtonte nga Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba e të dilte në botën e lirë, qe Arshi Pipa, studiues gjuhe e folklori, kritik letrar, estet, poet e përkthyes. I arrestuar menjëherë pas vendosjes së komunizmit, mundi të arratiset pas lirimit nga burgu. Profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku emigroi, ai drejtoi disa revista shkencore e letrare dhe botoi disa libra e artikuj me vlerë për kulturën shqiptare; por emri i tij deri në vitet ’90 nuk mund të përmendej, dhe të gjitha botimet e tij mbetën të panjohura.
Namik Resuli qe filolog, gramatikan, historian i letërsisë, studiues i teksteve të vjetra, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ka transkriptuar “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe vepra të tjera të letërsisë së vjetër dhe arbëreshe. “Gramatika e shqipes” që hartoi, është ndër më të mirat në llojin e saj. Por punën e tij më të madhe ia kushtoi transkriptimit, komentimit dhe botimit të veprës më të hershme të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Buzukut, me të cilën punuan shumë dijetarë të vendeve të ndryshme për vite me radhë, madje, edhe pas botimit të saj 10 vjet më vonë nga Eqrem Çabej, vepra e të cilit mbeti e kyçur në depot e Institutit të Gjuhësisë, e cilësuar si “vepër me përmbajtje fetare”. Shembulli më i fundit për këtë është vepra me 800 faqe “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku” e botuar më 2004 prej akademikut Wilfried Fiedler, i cili është mbështetur te botimi i Namik Resulit. E me gjithë këto vlera të mëdha për albanologjinë, emri i tij mbeti tabu, dhe vepra e tij qe dënuar për 50 vjet me shkronjën R, që do të thotë “rezervat”. Atij nuk iu lejua asnjëherë të shkelte në atdhe.
Një tjetër albanolog i shquar, vepra e të cilit nuk u vlerësua kurrë në regjimin totalitar, qe Zef Valentini, shqiptar nga shpirti e zemra, ndonëse jo nga kombësia. Ai qe historian, etnolog, gjuhëtar, profesor letërsie, bashkëpunëtor dhe drejtues revistash shkencore e letrare në Shqipëri e jashtë saj, anëtar i disa akademive. Njohës i shkelqyer i gjuhës shqipe, i historisë dhe etnologjisë, ai qe një mbrojtës i flakët i racës shqiptare dhe i vlerave kulturore të popullit tonë para botës së qytetëruar dhe një pikë referimi për studimet shqiptare. Edhe kur u largua nga Shqipëria, vijoi studimet dhe botimet në fushë të albanologjisë duke punuar në Universitetin e Palermos e duke drejtuar Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare.

Punoi sa për një institut të tërë. Vepra e tij madhore “Acta Albaniae Veneta” përmban 27 vëllime me dokumente për historinë mesjetare të Shqipërisë. E ndërsa shkriu jetën për vendin tonë, asnjëherë gjatë 50 vjetëve diktaturë s’mundi të shkelte në të. Emri i tij ishte kthyer në tabu dhe askush s’mund t’i referohej. Dhe atë që regjimi komunist s’arriti t’ia bënte këtij dijetari, që u largua nga Shqipëria një vit para vendosjes së diktaturës, ia bëri veprës së tij, që qëndroi e burgosur për 50 vjet, e dënuar edhe kjo me shkronjën R.
Dhe në mbyllje të kësaj kumtese bëj pyetjen: “Cili ka qenë faji i të gjithë këtyre?”. Faji i tyre ka qenë i njëjtë me fajin tim kur diktatura komuniste në moshën 10 vjeçare, më 1949, më internoi në kampet shfarosëse me tela me gjemba, në Turan e në Bënçë të Tepelenës dhe në kështjellën e Ali Pashës në Porto-Palermo të Himarës. Faji i tyre ishte i njëjtë me fajin tim, kur më 1990, ndërsa isha mësues fshati larg familjes, sigurimi i shtetit emrin tim e kishte vënë në listat e zeza të vdekjes, të publikuara pas fitores së demokracisë.

Populli që harron historinë e vet, e dënon veten me përsëritjen e saj. Të mos e harrojmë tragjedinë kombëtare të 50 vjetëve komunizëm, të martirizimit, kryqëzimit dhe torturimit të një populli të tërë.

2016/08/14

Vdiq mjeku -pediatër Dr.Sylë Berisha


Sot u nda fizikisht nga jeta , njeriu i sakrivicave ,mjeku dhe humanisti Dr.Sylë Berisha.

Sylën e kisha shokë të fëmijërisë dhe studimeve .Ishte i afërt më kolegët, me pacientin !

Studimet e Mjekësisë dhe Specializimin nga Pediatria  i kreu para katër decenieve !




Punojë  mjek - pediatër  në Shtëpinë e Shëndetit "Hasan Ukëhaxhaj" në Deçan.

Syla ishte zemër gjerë,i urtë ishte njeri i sakrificës ! Ishte shpirtërisht i lidhur shumë më pacientin,sidomos fëmijtë !.Ai  do jetë çdo herë në zemrat tona!   


Varrimi i të ndjerit,bëhët nesër më 15 gusht 2016  në ora 15:00  ne varrezat e fshatit Pozhar të 
 Deçanit

14.8.2016                                                                                         Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...