Njëzetetë Nëntori është festa më e dashur për shqiptarët, është festë e shumëfishtë.
Kjo datë ka sjellë gëzime në familjet e shqiptarëve; ka sjellë festë edhe atëherë kur ajo ka qenë e ndaluar të festohej.
Kjo nuk ngjau më 28 nëntor të vitit 2004.
Njëzetetetë nëntori i vitit 2004 solli dhimbje dhe pikëllim në shumë familje shqiptare në të gjitha trojet e sotme, të copëtuara, shqiptare.
Në këtë ditë feste, festa më e dashur e Tij, u nda fizikisht nga ne profesori dhe atdhetari i shquar shqiptar, Prof. Dr.Sci. Jusuf Rexhepi.
Prof.dr.Sci.Jusuf Rexhepi u lind ne Tetovë, më 15 qershor të vitit 1922.
Në vendlindje ka vijuar mësimet në shkollën fillore dhe gjimnazin ne gjuhën serbokroate në Jugosllavinë e atëhershme monarkiste.
Ka mbaruar maturën më 1942 në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë.
Studimet e mjekësisë i filloi gjatë luftës se dytë botërore ne Itali (Bari), i vazhdoi ne Vjene dhe diplomoi, pas lufte, në Beograd.
Pasi punoi një kohë si mjek i praktikës së përgjithshme ne vendlindje, në Tetovë, shkoi në Shkup për të specializuar Mjekësinë Interne dhe si mjek specialist vazhdoi të shërbejë në Tetovë.
Në ndërkohë në Beograd i kreu studimet postdiplomike ne lëmin e kardiologjisë.
Ne vitin 1973 në Fakultetin e porsahapur të Mjekësisë ne Prishtine emërohet ligjërues për lëndën e Mjekësinë Interne. Atje përgatiti dhe mbrojti tezen e doktoraturës me titull “Studimet epidemiologjike mbi faktorët e rrezikut te sëmundjeve koronare te punëtoret industrial te Kosovës.”
Profesor ordinar për lëndën Mjekësia Interne është emëruar ne vitin 1985 dhe përveç punimeve shkencore përpiloi dhe botoi tekstin universitar: “Ekzaminimi klinik i sëmundjeve te brendshme”. Teksti në fjalë doli nga shtypi në vitin 1984.
Përveç detyrës si ligjërues, gjer në pensionim ka kryer detyrën e Kryeshefit të Kardiologjisë në Klinikën Interne dhe Shefit të katedrës për Mjekësi Interne.
Portreti mjekësor, pedagogjik dhe kolegial i Prof.Jusufit, do të jenë udhërrëfyes për të gjitha gjeneratat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe për gjeneratat e universiteteve private në Kosovë dhe më gjërë në Etnikumin shqiptar .
Prof. Dr. Jusuf Rexhepi u lind në Tetovë më 15 qershor të vitit 1922, në një familje zejtarësh, pak kohë pas mbarimit të luftës së Parë Botërore, që shënon periudhën e konsolidimit të mbretërisë Jugosllave, ku qenë përfshirë gati gjysma e tokave shqiptare.
Sajesa artificiale e quajtur Jugosllavi, e formuar si dhuratë e aleatëve që e fituan luftën, përfshinte një territor të gjerë dhe një popullatë tejet heterogjene, një konglomerat të përzier që kurrë nuk ka mundur të konsolidohet gjer në shkatërrimin e vet, pas gati një shekulli ekzistence.
Populli shqiptar, në periudhën mes dy luftërave botërore, në Tetovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë, merrej më shume me bujqësi,aty këtu me tregti të vogël, sepse tregtia e madhe ishte rezervuar për popullin sllav. Vendet e punës në administratë, arsim, shëndetësi, gjithashtu kanë qenë të rezervuara për ta. Arsimimi i masave të gjëra të popullit shqiptar, si element kyç i progresit të një populli ishte katastrofik. Populli shqiptar në Tetovë edhe në viset tjera të Jugosllavisë ishte një popull pa orientim, pa perspektivë, një popull me një gjendje shumë të vështirë ekonomike që nuk dinte çfarë duhet të bëjë dhe kah duhet t’ia mbajë. Historiani serb Vasa Çubriloviq, shkroi tezën e doktoraturës dhe parashihte rrezikun se ky popull një ditë mund të shndërrohet në një irredent.
Kështu në vitet 1939, 1940, filloi terroi i paparë ndaj popullit shqiptarë, me sloganin se ata duhet të shkojnë në Turqi. Por teoria e Vasa Çubriloviqit nuk u realizua pasi nisën të duken shenjat e fillimit të luftës së dytë botërore.
Mësimet a para i morri në të ashtuquajturin Mejtep-mësim fetar tek një hoxhë. Mësimi i arabishtes, i shkonte vështirë dhe përgjithësisht nuk tregoi ndonjë interesim. Këtë shkollë fetare e vazhdoi paralelisht me shkollën laike në gjuhën serbokroate, e cila ishte e obligueshme dhe të cilën e ndoqi me vullnet dhe tregoi sukses të shkëlqyeshëm, duke u radhitur në mesin e nxënësve më të mirë gjatë katër viteve, sa zgjaste ajo shkollë.
Pas kryerjes së shkollës fillore u regjistrua dhe vazhdoi shkollimin në gjimnazin real të Tetovës,edhe pse kishte shumë obstruksion nga rrethi konzervativ i atëhershëm për vazhdimin e shkollimit. Gjatë kësaj kohe vazhdoi me përkushtim të madh mësimet në klasat e larta të gjimnazit dhe ishte nxënës i dalluar. Përcillte me kujdes ngjarjet dhe ishte në dijeni se po përgatitet luftë-një qërim hesapesh mes fashizmit Italian e Gjerman me botën demokratike dhe me komunizmin e Bashkimit sovjetik. Fillimi i Luftës së dytë botërore, më 6 prill 1941 e pezulloi shkollimin tij në gjimnaz, në klasën e shtatë.
l. Periudha e Luftës së dytë botërore
Më 6 prill të vitit 1941 Hitleri, përkatësisht aleatët e boshtit Berlin-Romë e sulmuan Jugosllavinë. Ajo Jugosllavi, e përbërë prej një konglomerati popujsh të ndryshëm, ajo krijesë artificiale, nuk ka mundur të qëndrojë bombardimeve më tepër se gjashtë ditë.
Me depërtimin e fuqive ushtarake italiane në trojet shqiptare, depërtoi edhe administrate në gjuhën shqipe dhe u hapën shkollat e para shqipe. Në rrethanat e reja shqiptarët i kishin të gjitha ingerencat e një shteti të administruar nga vetë ata, kurse vetëm çështja ushtarake ishte në dorën Italiane. Populli shqiptar tokave të çliruara shqiptare asokohe i ishte mirënjohës popullit Gjerman dhe Italian që e çliruan nga zgjedha sllave. Megjithatë shqiptarët, në ish Jugosllavi, e kuptuan me kohë që fashizmi gjerman dhe Italian ka shkaktuar tragjedi të papara në Evropë.
Vetë populli Gjerman dhe Italian, nga perspektiva e sotme, e akuzojnë shtetin e atëhershëm të Hitleri dhe këtë e bëjnë me të drejtë. Do të ishte padrejtësi e madhe po t’mos përmendej edhe roli i Ballit Kombëtar, që popullin shqipëtar në Jugosllavinë e vjetër e ringjalli nga pluhuri, e ringjalli në çdo pikëpamje. Sidomos duhet theksuar rolin e ballit kombëtar në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, që përbën kontributin madhështor të këtyre njerëzve të shkëlqyer, të cilët brenda 4 viteve, sa zgjati Lufta e Dytë Botërore, e transformuan një popull të tërë. Për të vazhduar shkollimin dhe për të kryer maturën, që i kishte mbetur pas mbarimit të klasës së VII të gjimnazit të Tetovës, u detyrua të shkojë në Prishtinë, pasi vetëm atje funksiononte shkolla e mesme e gjimnazit në gjuhën shqipe. Autoritetet e shkollës së mesme në Prishtinë, në krye me drejtorin Dr. Rexhep Krasniqin dhe me rektorin-Vasil Andonin ishin kujdesur që gjithçka të funksiononte si duhet.
Kreu maturën dhe me diplomën e maturantit të shkëlqyer u kthye në Tetovë. Në vitin 1942, në konkursin e shpallur nga drejtoria e shëndetësisë së Tiranës, fitoi bursën për t’i ndjekur studimet e mjekësisë në Bari të Italisë. Studimet në Itali nuk ishin të lehta. Ishin rrethana lufte dhe ndihej mungesa e gjithçkaje, përfshirë këtu edhe ushqimin.
Kalimi i një rruge aq të gjatë dhe të rrezikshme, gjer në qytetin ku i kishte regjistruar studimet e larta, ishte gjë e vështirë, prandaj edhe ishin të paktë ata që shkonin të studiojnë në Itali. Por, për te, entuziast siç ishte, s’kishte pengesa, sepse i përballonte të gjitha. Ishte vjeshtë kur arriti në Itali dhe kur në Universitetin e Barit regjistroi vitin e parë të studimeve të Mjekësisë. Fillimisht iu desh ta mësojë Italishten dhe t’i nënshtrohet provimit të gjuhës, për të fituar të drejtën që më pas të jep edhe provimet e Mjekësisë.
Në vitin 1943 pasi i kreu të gjitha këto, i dobësuar dhe i rraskapitur u kthye në Tetovë, të rehabilitohet pak dhe pastaj ta vazhdojë vitin e dytë të studimeve. Por kjo nuk ndodhi ngase u hap fronti i luftës në jug të Italisë. Në këso rrethanash, ai nuk mundeshte të shkojë dhe të vazhdojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në qytetin Bari. Ato ditë vjeshte të vitit 1943 në Tetovë formohej njësiti ushtarak-batalioni autonom me emrin “Luboten”, ku ushtarët edhe eprorët do të ishin shqiptarë nga Pollogu. Në këtë batalion u inkuadrua edhe ai në postin e nëntogerit-ndihmësit të mjekut ku qëndroi për 3-4 muaj prej nga më vonë dezertoi. Shkaku kryesor i inkuadrimit në këtë batalion ishte që të punojë me mjekë, që të jetë në rrjedha me profesionin mjekësor të cilën e donte shumë e jo të inkuadrohej në forcat gjermane dhe të luftojë për idealet nacional-socializmit. Ai nuk kishte pasur kurrë iluzione se fashizmi gjerman ose Italian kishte ardhur në Shqipëri apostafat për t’i çliruar shqiptarët! Të tilla qenë rrethanat. Për te, si ngjyra e zezë fashiste ashtu edhe ngjyra e kuqe komuniste, ishin njësoj. Bile kjo e dyta ishte më shkatërrimtare!
Në ndërkohë, shfrytëzoi rastin e krijuar nga Balli Kombëtar që, për studentët shqiptarë, kishte siguruar studime në Vjenë. Kështu në vitin 1944 vazhdoi semestrin e tretë të studimeve të Mjekësisë. Edhe pse Lufta kishte marrë hov dhe fuqitë aleate kishin depërtuar thellë në Evropë, edhe pse, forcat e Bashkimit Sovjetik kishin depërtuar në Ballkan dhe i afroheshin Vjenës, studentët shqiptarë vazhdonin të studiojnë me zell. Por më vonë kur bombardimet u shpeshtuan, qëndrimi në Vjenë ishte i pamundur. Atëherë vendosi të largohet nga Vjena dhe shkoi në Shkofja Lloka, afër Lubjanës, ku mbeti gjer në mbarimin e luftës.
III. Periudha pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë muajit maj të vitit 1945 përfundoj Lufta e Dytë Botërore e cila mori me miliona viktima dhe prishi infrastrukturën e Evropës së atëhershme. Në një kohë kur tërë Evropa shpëtoi nga zgjedha gjermane dhe filloi të marrë frymë lirshëm ne Shqiptarët e mbetur në Jugosllavi ndodhi e kundërta. Tokat shqiptare në Jugosllavinë e Titos u ricoptuan. Ku mbeti dhe ç’u bë me marrëveshjen e Bujanit të fundit të vitit 1943? Për paradoks, vendimet e Konferencës së Bujanit u shkelën . Mu për këtë ai shpesh përdorte sentencën se ne më 1945 “u çliruam nga liria”. Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavi, filloi fushata e egër kundër inteligjencës shqiptare. Një pjesë e kësaj inteligjence, që nuk ka mundur të pranojë ideologjinë komuniste dhe të inkuadrohet në radhën e komunistëve, u nxor nëpër gjyqe dhe u vra. Si dëshmitarë i kohës , ai gjithmonë theksonte se u shkatërruan gati të gjithë intelektualët shqiptarë. Këto ishin gjërat, momentet psikike që ndikuan tek ai jashtëzakonisht shumë dhe bënë që të mos i afrohet ndonjëherë partisë komuniste. Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti në Shkofja Lloka të Sllovenisë, ku një kohë të shkurtër ishte në shërbim të sanitetit të komandës së qytetit. Shkuarja në Tetovë ishte e rrezikshme, ngase në monopol të Tetovës ishin pushkatuar dhe rrahur shumë njerëz, ndër të cilët edhe babai i tij, cili ishte rrahur nën pretekst që të tregojë se ku gjendej i biri, Jusufi.
Menjëherë, pa humbur kohë dhe me qëllim të vazhdimit të studimeve, dorëzoi dokumentet e Vjenës në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë së Beogradit, me shpresë, se pas katër semestrash të kryer në Bari dhe Vjenë, tani në Beograd do të regjistrohej në semestrin e pestë. Por nuk ndodhi kështu. Për shkaqe politike, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë së Beogradit ia anuloi të gjithë semestrat bashkë me provimet e absolvuar duke e detyruar t’i rifillojë ato prej semestrit të parë.
Pas një kohe, kur terrori komunist u zbut pak, mundi të udhëtojë dhe të shkojë në Tetovë për ta vizituar familjen.. Ishte koha kur komunistët përpiqeshin ta lansojnë floskulën e njohur të Titos mbi vëllazërim-bashkimin, të cilën një pjesë e popullit shqiptar në Jugosllavi e kuptoi dhe nuk e pranoi.
Në fillim të vitit 1952, pas diplomimit, u kthye në Tetovë ku një kohë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme. Në ato vite, në Shkup, formohej dhe hapej Fakulteti i Mjekësisë që ishte rast i mirë për ta filluar specializimin nga mjekësia internet, të cilën edhe e kreu më 1957. Pas specializimit, si specialisti i parë internist, organizoi shërbimin për sëmundjet e brendshme në spitalin e atëhershëm të Tetovës, duke ushtruar edhe detyrën e drejtorit të spitalit. Në kohën kur në këtë spital filluan të vinin specialistët maqedonas ai u detyrua që postin e drejtorit t’ia lërë një kolegu maqedon.
Pas një kohe i lindi dëshira të specializojë kardiologjinë, ashtu edhe bëri. Regjistroi studimet në Beograd dhe puna i shkoi mbarë deri në muajin dhjetor të vitit 1968, kur në Tetovë shpërthyen demonstratat e shqiptarëve për të drejtat e tyre të natyrshme. Udhëheqja e spitalit të atëhershëm të Tetovës, me pretekstin se edhe ai ishte implikuar në demonstratat e Tetovës, pezulloi me një akt të padrejtë vendimin e specializimit dhe urdhëroi që të kthehet në spitalin e Tetovës, të cilën gjë ai e refuzoi pasi ishte duke përgatitur provimin nga kardiologjia. Për këtë shkak, ata të spitalit të Tetovës e përjashtuan nga puna. Ai vazhdoi mësimin në Beograd, e dha provimin e kardiologjisë dhe u kthye në Tetovën e tij ku dyert e spitalit ishin të mbyllura për te.
Pas një viti, komiteti i Tetovës dhe autoritetet politike të spitalit, pasi panë që padrejtësia e bërë ndaj tij po binte në sy, si dhe për shkak të presionit të popullatës që nuk e kishte të qartë përse një specialist internist dhe kardiolog rri në shtëpi në kohën kur populli ka nevoja të mëdha për të, u detyruan ta pranojnë sërish në punë, me kusht që ai- themeluesi i shërbimit të mjekësisë interne, të mos punojë në spital, por në ambulancën e vendosur në barakën e spitalit. Duke mos patur tjetër zgjidhje, pranoi të punojë në atë barakë.
Pas punës njëvjeçare në barakën e përmendur, vendosi ta braktis Tetovën dhe të shpërngulet në Prishtinë me qëllim të inkuadrimit në procesin mësimor në Fakultetin e posafurmuar të Prishtinës. Vendimi ishte i rëndë pasi i duhej të inkuadrohet në një punë të re. I duhej që prej një mjeku specialist prakticient të futet në teoritë e mjekësisë. Por, falë vullnetit të madh dhe përkrahjes pa reserve të kolegëve, arriti që të përballojë edhe këtë stuhi në jetën e tij.
Më 19.09.1973, në orën 10, në amfiteatrin qendror të Prishtinës u paraqit për ta mbajtur ligjëratën e parë nga lëmi i mjekësisë interne. Vetëm para një muaji Jusuf Rexhepi e ushtronte profesionin e vet i hedhur tutje ne një barakë të spitalit të Tetovës, kurse tani qëndronte përpara studentëve, qytetarëve akademikë të Kosovës, duke mbajtur ligjëratë në shkencat mjekësore…
Entuziazmi i pashoq, kujtimet e këqija nga Tetova,njohja e gjuhëve të huaja, sidomos gjuhës gjermane dhe italiane, ndihma pa rezervë e kolegëve kanë qenë vendimtare që ai t’i përballojë sfidat. Për avancimin e mëtutjeshëm, ai iu përvesh punës në përgatitjen e tezës së doktoraturës. Tezën e doktoraturës, me një tematikë shumë aktuale dhe moderne e mbrojti me sukses të dalluar, në amfiteatrin qendror të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Mbrojtja e tezës së doktoraturës më 1978, me publikimin e rreth 50 punimeve shkencore, me përgatitjen e tekstit universitar”Ekzaminimi klinik i sëmundjeve të brendshme”, që doli nga shtypi në vitin 1980, u hapën shtigjet për avancimin e tij shkencor dhe universitar. Po këtë vit fitoi titullin e Profesorit inordinar kurse më 1985 atë të ordinariusit. Më vonë arriti të emërohet shef i katedrës në mjekësinë interne, kurse kryeshef i kardiologjisë.
Në vitin 1981 filluan trazirat në Kosovë, si përgjigje ndaj pushtetmbajtësve serb,që ushqeheshin me iluzione se Kosova është e tyre. Regjimi i Beogradit u vërsul që të gjejë organizatorët dhe fajtorët e trazirave dhe demonstratave, duke u përpjekur të zbulojë ata që kanë mundur t’i indoktrinojnë studentët që në mënyrë kaq të fuqishme të çohen kundër regjimit të atëhershëm. Kështu filluan sulmet ndaj tij me botimin e artikujve në gazetat prestigjioze serbe, me fotografinë e tij si oficer i batalionit autonom shqiptar. Me këtë Beogradi, shtypi dhe partia komuniste donte t’i diskreditojë mësimdhënësit shqiptarë të Universitetit të Prishtinës me pretekst se këta janë ata që kanë indoktrinuar studentët shqiptarë.
Por, vërsuljet intensive të shtypit të Beogradit me qëllim të diskreditimit të tij përpara popullit Kosovar kishin efekt të kundërt. Kështu, në vend që prof. Dr. Jusuf Rexhepi të diskreditohet përpara opinionit publik ndodhi e kundërta: ai u bë personalitet i admiruar.
Më në fund komisioni i Universitetit të Prishtinës i përbërë nga mjekët serb dhe profesorë titistë shqiptarë vendosi që ta postojë nga posti i shefit të katedrës dhe kryeshefit të kardiologjisë si person politikisht i papërshtatshëm. Mbeti në Klinikë, vazhdoi edhe me tej të jetë në procesin mësimor, kurse kolegët e tij, profesorët shqiptarë, vazhduan të shprehin një respekt të posaçëm ndaj tij.
Shtypi i Beogradit me korrespodentët e vet vazhdoi të lansojë edhe më tej artikuj me fotot e tij me qëllim të diskreditimit të Universitetit të Prishtinës dhe kërkonin që patjetër të hiqet nga procesi mësimor. E kishte më edhe moshën prej 65 vitesh dhe një ditë, pa e konsultuar fare, me t’u kthyer nga pushimi vjetor, gjeti një vendim me të cilin e kishin pensionuar. Edhe këtë e pranoi me gjakftohtësi, sepse misionin e tij e kishte kryer si duhet…
lV. Periudha pas monizmit
Më 1989 pas shpartallimit të komunizmit u kthye në Tetovë, vazhdoi punën si mjek, në ordinancën e tij. Në vitin 2000 kur u hapen dosjet e “UDB”së ai mori dosjen e tij prej 500 faqesh ku qarte shihej se për gati 50 vjet me radhe ka qene person i ndjekur hap pas hapi dhe ne shënjestër te shërbimeve te “UDB”-së, për te vetmin arsye se ka qëndruar i pathyer dhe dinjitoz ndaj presioneve te regjimit titist si dhe ndikimit dhe autoritetit te madh qe kishte ne mesin e popullatës.
Në fund të vitit 2002, dëgjueset e tij, që i përdori plot 50 vjet, i varri në një gozhdë. Që nga viti 1959 në çdo moment të jetës së tij e kishte pranë bashkëshorten e tij Prof. Sabiha, e cila me urtësinë e saj dhe mençurinë e ndihmoi t’i përballonte gjithë këto sfida jetësore. Përpos respektit të madh që ajo gëzonte nga bashkëshorti, ajo ishte e respektuar edhe nga kolegët dhe nxënësit e saj, si profesoreshë e kimisë, në gjimnazin e Tetovës.
Vdiq në moshën 82 vjeçare me 28 Nëntor 2004 në Tetovë, nga një sëmundje e rëndë, i rrethuar nga të afërmit e tij, të cilët u kujdesën për të me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës së tij.