Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/24

“Ne, atletët që bënim prova me arkivolin e Enver Hoxhës”



Nga Enver Hoxha te… Luiza Gega. I pari një ish­diktator i egër, ndërsa e dyta nënkampione Europe. Dy personazhe që nuk kanë asnjë lidhje mes tyre.
Por, është Isa Tare ai që bën lidhjen mes dy epokave. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, ishatleti zbardh të vërtetën e varrimit të ish­diktatorit Hoxha.

Tare ka qenë një prej sportistëve të përzgjedhur në atë kohë për të mbajtur mbi supe arkivolin e Hoxhës ditën që është përcjellë për në banesën e fundit.
Tare tregon se si u përzgjodhën disa ish­sportistë duke u bazuar te fiziku i tyre i gjatë dhe i fuqishëm për të mbajtur arkivolin. Ish­atleti zbulon faktin se kanë bërë prova 2­3 ditë përpara se të kryhej ceremonia mortore, duke e mbushur arkivolin me rrota shtange.
Gjithashtu, Tare flet edhe për epokën aktuale dhe shpalljen nënkampione Europe të Luiza Gegës. “Gega është numri 1 dhe mund të konsiderohet ‘Mbretëresha e Atletikës’.

Është arritja më e madhe në sportin e atletikës”, thotë ndër të tjera Tare në rrëfimin e tij.

Keni qenë për shumë vite atlet dhe më pas drejtor i klubit Partizani si dhe poste të tjera në Federatën Shqiptare të Atletikës. Si ka ndryshuar ky sport në këndvështrimin tuaj, në një kohë kur janë ndërruar edhe sistemet?
Unë jam marrë me atletikë nga viti 1959 deri më 1986. Në atë kohë, organizimi, drejtimi dhe kujdesi për atletikën ka qenë më i mirë se tani. Atëherë, pjesëmarrja ka qenë me kategori sportive. Çdo sportistë duhet të merrte pjesë në Kategorinë e Parë, dhe duhet të plotësonte normën që të kalonte më tej, dhe të merrte pjesë në garat e rëndësishme. E njëjta gjë edhe me sportistët e Kategorisë së Dytë, të Tretë apo me të rinjtë.


Tani i kanë hequr fare normat dhe unë mendoj se e kanë dëmtuar atletikën. Në atë kohë, garat bëheshin në 2­3 bateri, ndërsa tani i kanë hequr fare barrierat dhe futen të gjithë, madje edhe fëmijët e vegjël. Më përpara, shumë atletë kanë pasur rezultate. Ishte një rregull që duhej të hipje në podium dhe më pas të shkoje në gara. Në këtë mënyrë, shumë atletë janë djegur nga kjo. Ndërsa, tani është hapur pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare dhe marrin pjesë të gjithë duke mos pasur norma, apo edhe ata me rezultate të dobëta. Dhe po ta shikoni, sportistët shqiptarë tani renditen në vendet e 10­ta apo edhe më poshtë. Dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës justifikohen vetëm me dy sportistë: Luiza Gegën dhe Izmir Smajlaj i kërcimit së larti. Dhe të kërcesh 8.03 është një rezultat shumë i madh.

Ndërsa, Luiza Gega u shpall nënkampione Europe pak ditë më parë…

Atë mund ta konsideroj si legjendën e sportit shqiptar dhe atletikës në veçanti. Është e para atlete shqiptare që ka arritur të shpallet nënkampione e Europës duke fituar medaljen e argjendtë.

Është arritja më e madhe në historinë e atletikës shqiptare?

Padyshim që është arritja më e madhe në historinë e atletikës sonë. Që kur ka nisur të praktikohet atletika në Shqipëri në vitet 30­të, kjo padyshim që është sportistja më e madhe e jona në këtë sport. Edhe trajneri i saj Taulant Stërmasi ka merita të jashtëzakonshme. Por, përtej asaj çfarë shihet, kur kam folur nga afër me ta, kanë shumë ankesa për Federatën.
Gega dhe trajneri i saj i kanë bërë të ditur ankesat dhe mungesën e vëmendjes ndaj tyre. Çfarë nuk shkon me të, në një kohë që bëhet fjalë për nënkampionen e Europës?

U mungon kujdesi dhe financat gjithashtu. Unë kam biseduar disa herë me trajnerin Stërmasi dhe më ka thënë që shumë herë kanë shkuar nëpër aktivitete me shpenzimet e tyre. Ky është një skandal. Unë kam qenë vetë zv/president i Federatës së Atletikës dhe e di se si funksionojnë gjërat. Aty, përveç buxhetit që akordon shteti, kontribuon edhe IAAF­i (Federata Botërore e Atletikës) me 70­80 mijë dollarë dhe këto përdoren për të stimuluar atletët cilësorë. Ndërsa, Luiza që përfiton vetëm një bursë 1 mijë dollarë dhe një shpërblim qesharak nga ana e Federatës, është për të ardhur shumë keq. Unë kam qenë i pranishëm në shumë aktivitete ndërkombëtare dhe kemi biseduar me grekë, gjermanë, rusë apo dhe nga vende të ndryshme të Europës dhe të Botës.

 Dhe na thoshin që çdo sportistë që dilte kampion apo nënkampion Europe apo Bote apo ata që fitonin medalje në Olimpiada, u lidhnin pensione të përjetshme. Luiza Gega po sakrifikon rininë e saj për të arritur këto rezultate. Sporti është me moshë. Pas 2­3 vitesh ajo del nga skena dhe kush do të kujdeset për të?! Ku do t’i gjejë të ardhurat?! Duhet patjetër të bëhet një ligj për ata sportistë që arrijnë rezultate të larta, të kenë një pension dhe të sigurojnë jetën. Dhe jo të presin kur të mbushin 65 vjeç dhe të përfitojnë pensionin normal. Të kenë një pension të posaçëm dhe jo si ai që akordohet tani, i cili nuk është as 200 euro. Një sportiste e këtyre niveleve duhet të ketë mjekun, fizioterapistin, masazhatorin dhe gjithçka i nevojitet për të arritur ato rezultate. Kjo që ka bërë Luiza është një arritje e jashtëzakonshme.
Dhe për më tepër, ndër të paktat sportiste që e ka arritur rezultatin dhe nuk ka rezultuar pozitive në testin e dopingut…

Fakti që është një rezultat i pastër, e bën suksesin edhe më të madh. Nuk është e stimuluar me anë të substancave të ndaluara. Ky është një sukses shumë i madh. Gega është numri 1 dhe mund të konsiderohet “Mbretëresha e Atletikës”.

Gega do të jetë një prej sportisteve që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Brazilit. Çfarë prisni prej saj?

Mendoj se nuk do ta diskutojë përfshirjen në finale. Është një atlete me një potencial të madh dhe ka shumë shanse. Besoj se do të regjistrojë rezultat surprizë dhe le të besojmë deri në fund se mund të fitojë edhe medalje.

Infrastruktura ka qenë një prej problemeve më të mëdha të sportit shqiptar vitet e fundit. Duket se gjërat kanë ndryshuar disi, si e gjykoni?
Sigurisht, infrastruktura vazhdon të mbetet në ato nivele ku është për të ardhur keq. Megjithatë, duhet t’i njohim një meritë të veçantë Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, një ish­sportist. Ai ka investuar për sportin duke rikonstruktuar plotësisht stadiumin e Elbasanit, i cili nuk është vetëm për futbollin, por është vendosur aty edhe pista e tartanit. Gjithashtu, është bërë stadiumi i Korçës, po përfundon plotësisht edhe stadiumi i Shkodrës. Meritë e veçantë e tij është se janë bërë edhe me pistë tartani dhe jo vetëm për futbollin.

Çfarë duhet bërë që të rinjtë të tërhiqen edhe nga atletika? Zakonisht, të rinjtë tërhiqen më shumë nga futbolli, basketbolli dhe volejbolli. Atletika është pak sport sakrifice dhe vetjak. Është meritë personale kur arrin të fitosh, ndërsa sportet e tjera në grup janë më tërheqëse dhe emocionuese. Një gjë pozitive është se janë shtuar orët e mësimit për fiskulturën nga 2 në 3. Krijimi i klasave sportive është një domosdoshmëri e madhe gjithashtu. Ato kanë qenë më parë dhe nga ato dilnin shumë talente.
Jeni optimist për të ardhmen e atletikës shqiptare?

Ka qenë edhe një sportist i hedhjes së gjyles duke kapur rezultatin e 19 metrave, por më pas e eliminuan fare. Ka dalë nga skena dhe ka përfunduar në rezultatin e 15 metrave. Dhe e gjitha ka ardhur nga mungesa e kujdesit dhe përkrahjes. Përveç këtyre dy sportistëve që janë aktualisht, Luizës dhe Smajlajt, atletika shqiptare është shumë e dobët. Shoh që nuk ka ndonjë të ardhme që të dalin sportistë të niveleve të larta që të garojnë denjësisht në kompeticione europiane, ballkanike apo botërore.

Gazeta zotëron një foto ku keni qenë një prej sportistëve të asaj kohe që keni mbajtur në krah arkivolin me trupin e ish­diktatorit Enver Hoxha duke e shoqëruar për në banesën e fundit. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Në atë kohë kam qenë pedagog në Akademinë Ushtarake dhe na kanë caktuar atë ditë për të marrë pjesë në varrimin e diktatorit Hoxha.

Po si u bë përzgjedhja e atyre që do të mbanin arkivolin në krah?

Na zgjidhnin ne që ishim trupa të mëdhenj dhe që merreshim me sport. Dhe një prej atyre që u përzgjodhën isha edhe unë për shkak të fizikut të gjatë dhe sportiv që kisha.

Kush ishin sportistët e tjerë që morën pjesë dhe që duken edhe në foto?

Aty ka qenë edhe Bashkim Lika, por jo duke mbajtur arkivolin, por te truproja e nderit. Ndërsa, te mbajtja e arkivolit ka qenë Patriot Aliaj, një ish­basketbollist (u caktua nga Drejtoria Operative e Ushtrisë), Aleks Andoni një tjetër sportist gjithashtu, i cili më vonë u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ishin figura të sportit dhe njëkohësisht trupa të mëdhenj dhe të fuqishëm fizikisht.
Është e vërtet se vdekja e ishdiktatorit ishte çështje dy ditësh dhe ju keni bërë prova dy javë rresht duke e mbushur arkivolin me gurë?

Jo, me gurë. Kur na caktuan neve, shkonim te Shkolla e Bashkuar dhe e mbushnim arkivolin me rrota shtangash për të krijuar peshën e nevojshme dhe bënim prova duke e vendosur arkivolin te shtrati i topit. Bënim praktikë se si do ta ngrinim dhe se si do ta ulnim. Dhe nuk është e vërtetë që ne e kemi marrë vesh dy javë përpara. Kur ai vdiq, kemi bërë 2­3 ditë prova.

Si ndiheni tani pas 31 vitesh?

Ishte diçka që në atë kohë na e kanë caktuar dhe duhet ta bënim. Kush ishte ai në atë kohë t’i thoshin se do të bësh këtë dhe nuk pranonte?! Atë e përcolli e gjithë Shqipëria pasi ashtu ndodhte. Më pas, me ardhjen e demokracisë u evidentuan anët negative që kishte ai dhe populli dha gjykimin e vet pastaj.

Sporti më i mirë në atë kohë apo tani?

Sporti ka pasur një kujdes të mrekullueshëm në atë kohë. Ishte fat që në krye të sportit shqiptar ishte Mehdi Bushati. Duke përfituar nga rasti që ishte dhëndri i Hysni Kapos, një prej udhëheqësve kryesorë të asaj periudhe, dhe duke pasur mundësinë që të kishte afër edhe Ramiz Alinë, arriti që të krijonte sportin profesionist. Ai arriti të fuste profesionalizmin në sportin shqiptar. Sportistët shkonin në klube pesë herë në javë: në mëngjes dhe pasdite. Vetëm një ditë në punë ku merrnin edhe rrogat. Në atë kohë kishte shumë organizim pasi u morr modeli rus dhe gjerman. Nëpërmjet sportit bënin politikë. Sporti dhe arti ishin dy fushat me të cilat përfaqësohej Shqipëria jashtë kufijve. Ndryshimi tani është në faktin se pjesëmarrja në aktivitetet jashtë është e hapur. Dhe shkojnë shumë sportistë, me norma apo edhe pa norma. Në atë kohë shkonin sportistë që kishin kapur një normë të caktuar dhe kishin premisa për të hipur në podium.

Tani sporti është kthyer në një industri gjigande ku synohet më shumë përfitimi financiar. Si e vlerësoni këtë ndryshim?

Çdo gjë ecën sipas kohës. Në atë periudhë ishim të mbyllur dhe i gjithë gëzimi dhe lumturia ishte te sporti. Ndërsa, tani çdo gjë është e hapur. Megjithatë, sporti ka një veçori të rëndësishme që i mbledh të rinjtë duke mos i lejuar që të hyjnë në rrugë të gabuar. Në atë kohë sportistët kanë sakrifikuar shumë dhe përfitonin vetëm një trajtim ushqimor 10 lekë. Kaq ishte kënaqësia që të dhuronte sporti në atë periudhë. Edhe nëse dilje i pari apo i dyti, përfitoje vetëm diploma dhe jo stimuj financiarë. Tani gjërat kanë ndryshuar shumë dhe duhet t’i përshtatesh kohës dhe rregullave të perëndimit. Sigurisht që aspekti financiar është shumë i rëndësishëm në këtë periudhë. Por, jo siç ndodh në vendin tonë, kur nënkampionia e Shqipërisë, Luiza Gega ende nuk ka një shtëpi. Sporti është i shkurtër, të harrojnë shpejt pasi del tjetri. Çdo gjë është me moshë. Sa je në majë duhet të marrësh përfitime, pasi në të kundërt ikën çdo gjë dhe harrohet.

***

Ish­sportist, kampion dhe rekordmen për shumë vite në sportin e atletikës, në garat e hedhjeve, si disk e gjyle. Një ndër sportistët elitarë për disa dekada në Shqipëri.

Pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kombëtare, si Spartakiada, Kampionate, Kupa Republike, aktivitete miqësore të organizuar e zhvilluara në Shqipëri, por edhe në ato aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, si Kampionate Europiane, turne Ballkanikë, aktivitet miqësore ndërkombëatre duke rivalizuar me kampionë e rekordmenë të njohur për kohën.

Isa Tare me gradë oficer ka përfunduar studimet në Shkollën Ushtarke të Bashkuar­Tiranë dhe më pas është diplomuar edhe në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.

Përfaqësues i Klubit “Partizani” dhe anëtar i ekipit përfaqësues të atletikës, e pas anëtar ai ka qenë i angazhuar në drejtime si anëtar i Kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës dhe njëkohësisht nga vitit 1994 deri në vitin 2006, shef i klubit shumë sportesh të “Partizanit”.

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”, dhe “Mjeshtër i Punës”. I datëlindjes 1944, sot ndodhet në pension. Dy vite më parë Presidenti Bujar Nishani dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Isa Taren, një nga personalitetet e sportit shqiptar. “Për veprimtari të shquar ndër vite, atlet i nivelit të lartë në disiplinën e sporteve të atletikës me një kontribut të jashtëzakonshëm, me vlera të mëdha kombëtare në mbështetjen, zhvillimin dhe masivizimin e sportit në vëndin tonë”.

Gjatë karrierës së tij sportive është shpallur rekordmen në flakjen e diskut dhe gjyles për 27 vite me radhë duke fituar 27 medalje të kampionit kombëtar dhe 3 madalje të arta në aktivitet ndërkombëtare.

BESAR BOZGO

Nga vrasësit te prostitutat, fotot e pabesueshme datojnë që nga 1870



Nga vrasësit, tutorët, prostitutat, hajdutët dhe lypësit, këto janë fytyrat e shumta që janë shkrepur në foto në momentet më të vështira të jetës së tyre.

Ndërkohë që mjaft njerëz e shohin me kurizotet të shkuarën, për dikë ajo u kthye në një obsesion të vërtetë.

Mark Michaelson grumbulloi mbi 10,000 fotot të burrave dhe grave të të gjitha racave dhe moshave, të shkrepura gjatë ballafaqimit të tyre me ligjin.

Lista me të dhëna: Ja deputetët më të pasur në Shqipëri

Doshi-Berisha1

“Open Data Albania” (ODA) ka publikuar të dhëna për pasurinë e deputetëve shqiptarë gjatë vitit 2015.
Deputetët janë subjekt i deklarimit dhe kontrollit publik të pasurive dhe konfliktit të interesit.
Deputetët duhet të dorëzojë në fillim viti një Deklaratë ku bëhen të ditura të ardhura, shtesa apo pakësim të pasurisë për dymbëdhjetë muaj të vitit të fundit.
Në hulumtimin e ODA është bërë renditja dhe kategorizimi sipas burimit të të ardhurave, e në fund për totalin e të ardhurave të krijuara në vitin 2015.
Tom Doshi – 129 milionë lekë

Anastas Angjeli – 58 milionë lekë
Sali Berisha – 55 milionë lekë
Sherefedin Shehu – 40 milionë lekë
Omer Mamo – 34 milionë lekë
Astrit Veliaj – 29 milionë lekë
Gramoz Ruçi – 22 milionë lekë
Namik Dokle – 19 milionë lekë
Shkëlqim Selami – 18 milionë lekë
Ilir Xhakolli – 17.8 milionë lekë
Olta Xhaçka – 17.1 milionë lekë
Piro Kapurani – 17 milionë lekë
Gjovalin Kadeli – 16.2 milionë lekë
Florjon Mima – 15.3 milionë lekë
Dashamir Kamberi – 14.6 milionë lekë
Artan Gaçi – 14.6 milionë lekë
Ilir Meta – 13.1 milionë lekë
Mimoza Hafizi – 12.6 milionë lekë

-Deputeti më i paguar për punë si deputet dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015 rezulton zoti Anastas Angjeli, i cili ka të ardhura nga Kuvendi në vlerën 2.6 milionë lekë, dhe të ardhura nga mësimdhënie në universitete jo publike rreth 2.9 milionë lekë.
-Njëqind e katër deputetë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e deputetit.  Ndërsa pjesa tjetër kanë dhe të ardhura nga paga dhe shpërblime edhe në detyra të tjera si anëtarë të Këshillit të Ministrave apo pranë institucioneve të edukimit universitar.
-Njëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë se kanë përfituar bonuse në vitin 2015. Vlerën më të madhe të të ardhurave nga bonuse e ka deklaruar deputeti Alban Zeneli, i cili ka përfituar 3.2 milion lekë  me Vendim të Këshillit të Ministrave si pagesë për shpenzime për mjekim.
Anastas Angjeli dhe Edlira Çekrezi janë deputetët e vetëm që deklarojnë Të ardhura si Këshilltarë apo Anëtarë Bordesh për vitin 2015.
-Të ardhurat nga interesa nga depozita bankare, letra me vlerë dhe obligacione është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Janë tridhjetë e tre deputet që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim. Deputeti me vlerën më të lartë të këtyre të ardhurave është deputeti Ben Blushi, i cili deklaron të ardhura nga obligacione në vlerën 2 437 986 lekë. Zonja Liljana Elmazi dhe zotiGenc Ruli pasojnë listën.
-Dyzet deputetë të Kuvendit përfitojnë të ardhura nga qiratë. Deputeti që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Astrit Veliaj me 25.7 milionë lekë. Piro Kapurani gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht 13.3 milionë lekë. Pesëmbëdhjetë deputet rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë kuvendit.
-Tek kategoria të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje rezulton deputeti Tom Doshi në krye të listës me njëqind e njëmbëdhjetë milionë lekë të ardhura nga bizneset. Eduard Selami deklaron të ardhura ne vlerë 56 mijë dollarë amerikanë nga një biznes në SHBA dhe Dashamir Pezadeklaron të ardhura nga biznesi prej 2.4 milionë lekë. Të tjerë deputetë kanë të ardhura të sipërmarrjeve, bizneseve dhe ndarje e dividendëve, por ato janë të kategorizuara si të ardhura të personave të familjes.
-Publikimet dhe e Drejta e Autorit, janë një tjetër mënyrë përfitimi të ardhurash. Edi Rama kryeson listën e kësaj kategorie me 2 694 009 (dy milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë, të ardhura nga krijimtaria e tij artistike shitur dhe arkëtuar në vitin 2015. Kjo vlerë është përfituar nga shitja e librit “Kurban” gjatë këtij viti, si dhe nga shitje të veprave artistike skica dhe piktura. Kryeministri njëkohësisht deputet ka specifikuar se kjo është vlera neto e përfituar pasi janë zbritur tatimet mbi të ardhurën personale. Ben Blushi mban vendin e dytë në renditje me dy milionë lekë të ardhura. Një vit më parë 2014, shitjet e librave për Ben Blushin garantuan pesë milion lekë të ardhura përmes UET dhe Fondacionit për Liri Ekonomike. Këtë vit kryeministri e ka lenë pas Blushin.
-Renditja e deputetëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo partnerë e kryeson zoti Anastas Angjeli, pasi zonja Greta Angjeli ka siguruar gjatë 2015 të ardhura vetëm nga punësimi pranë AAEF vlerën 125 574 (njëqind e njëzet e pesë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) dollarë. Familja Angjeli kryeson në renditjen sipas kategorisë të ardhura nga persona të familjes së deputetit, pasuar nga familja Berisha, familja Ruçi dhe familja Dokle.
-Sa i takon pagave për bashkëshortët apo partnerët lista e kryesuar nga zonja Angjeli pasohet nga bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, zoti Artan Gaçi, njëkohësisht deputet, dhe pason me zotin Florion Mima e zonjën Mimoza Hafizi. Kryeministri mban renditjen me numër 14 sa i takon të ardhurave nga bashkëshortët e deputetëve, duke u renditut disa deputetëve pas anëtarëve të grupit të tij parlamentar si Anasatas Angjeli, Olta Xhaçka, Mimoza Hafizi, Klodiana Spahiuapo Taulant Balla.
-Të Ardhura nga Detyrime të Shlyera nga të Tretë, është një tjetër burim të ardhurash për deputetët e Kuvendit. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vinë nga shitja e pasurive apo detyrime të tjera kontraktore. Zoti Omer Mamo, deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet kryeson renditjen për këtë kategori. Në këtë renditje na shfaqet edhe çifti i deputetëve Ilir Metadhe Monika Kryemadhi, renditur në pozicionin numër tetë, të cilët kanë deklaruar gjatë vitit 2015 hyrje në llogari për një shitje apartamenti të realizuar që në vitin 2014.
-Shtatë deputetë të Partisë Socialiste Dade, Ruçi, Baraj, Shalsi, Xhafaj dhe Braçe kanë përfituar të ardhura nga një Vendim Gjyqësor ku ata kanë paditur institucionin e Kuvendit për ndalesa nga paga gjatë ushtrimit të detyrës së deputetit mandati i mëparshëm (përpara vitit 2013). Këtë vendim e kanë fituar edhe të tjerë deputet socialistë, të cilët kanë preferuar ta deklarojnë së bashku me pagën.
-Në përfundim duke përllogaritur të ardhurat totale të deklaratës së secilit deputet, ku përfshihen të gjitha kategoritë e sipër shënuara e njëkohësisht të ardhurat e personave të familjes në detyrim për deklarim, rezulton që renditjen e kryeson zoti Tom Doshi, pasuar nga zoti Anasatas Angjelidhe zoti Sali Berisha.
-Sipas deklaratave të deputetëve për vitin 2015 rezulton që një deputet fiton mesatarisht mbi 8.37 milionë lekë në vit ose mbi 697 429lekë në mua, mesatare kjo pesë herë më e lartë se paga si deputet.

“Kërcënimi i Prokurorit të Përgjithshëm është vepër e lejtnantëve të Al Kapones!


berisha
Nga Sali Berisha


Te dashur miq, mediat njoftojne se Prokurori i Pergjithshem i vendit eshte kercenuar nga bajloze te krimit, te burgosur, te denuar apo qe presin te denohen, por qe vizitohen pothuaj çdo dite nga ministra deputete, neobllokmene dhe trafikante ne qelite e tyre.

Hetimi urojme te gjeje sa me pare autorin e ketij akti te rende dhe te pashembullt dhe ta vendosi para ligjit. Duke denuar me ashpersine me te madhe kete akt kriminal, deshmi e pasigurise ekstreme ne kete vend dhe revanshit kulmor te krimit te lidhur me qeverine, shpreh solidaritetin tim te thelle me prokurorin e pergjithshem dhe institucionin qe ai drejton ne luften kunder krimit si dhe bindjen me te thelle se prapa fallangave te krimit qe kane kryer kete akt te pashembullt, qendron mbeshtjetja direkte e kreut te meduzes te krimit te organizuar apo Al Kapones ne krye te qeverise

Vetem lejtnantet e tij, pra bajlozet e krimit te veshur me pushtetin kryeministror si Dritan Dajti apo Mili ose Mali i partise, Genti i Olsit dhe Hakmarrjes, mund te ndermarrin vet apo me porosi te tij kercenimin me jete te kreut te akuzes se shtetit.

Ky akt tregon se cila eshte sot ne Shqiperi shkalla e pasigurise per qytetarin e thjesht shqiptar! Por mbi te gjitha ky akt eshte nje kembane alarmi, nje thirrje per çdo qytetar te ketij vendi qe te ngrihet ne lartesine e guximit kunder organizates kriminale me te rrezikshme ne Europe, qeverise se Al Kapones!

Pse e larguan nga puna gazetaren Alida Tota. Dhe sulmi i Edvin Kristaq Ramës mbi mediat


Nga Luçiano Boçi

Alida Tota është gazetarja e fundit në radhën e gjatë të atyre që janë sakrifikuar nga pushteti. E brishtë dhe plot profesionalizëm, ajo është e njohur nga të gjithë për urtinë e dashamirësinë e saj. Sot e kanë flakur në mes të katër rrugëve. Nuk i dhanë asnjë arsye apo justifikim, duke zbuluar gjendjen e frikshme e të qenit gazetar. E flakën sepse guxoi të ishte gazetare e të pasqyronte të vërtetën. I ra nga pas një afere e cila trazoi shumë emra. Kërkonte të bënte punën e vet, siç kërkojnë me qindra në Shqipëri. Them kërkojnë, sepse një pjesë e madhe nuk munden ta bëjnë dot.

Tek ne ndodh një fenomen i çuditshëm: gazetarët dinë më shumë se ajo çka shkruajnë, apo çka pasqyrojnë. Pjesën tjetër, atë që dinë, e bluajnë së brendshmi dhe që të mos u sjell dëm e konsumojnë shpesh si humor të hidhur, nëpër tavolina. Më të shkathëtit mund ta përdorin momentalisht infon konfidenciale, për të mos e humbur kot, për të marrë ndonjë “favor” të vogël, nga ato që pushteti i shpërndan me pikatore. Por vetëm kaq. Pjesën e luanit dihet që e kanë të tjerë. Ka një handikap shumë të madh gazetaresk në këtë rast. Është problem lirie dhe frike. Pushtetit, liria e fjalës i duket e tmerrshme.

Ajo është baras me të vërtetën në opinion. Pushteti mund të falë çdo të keqe siç dhe ka ndodhur për hir të interesave, por nuk mund të përtypë asnjëherë “sharjen” e një gazetari, zbulesën e tij. Aq më shumë kur ky është “zog i vetmuar”, i papërkrahje dhe rob i pasionit të vet, siç dhe ishte Alida dhe siç janë pjesa dërmuese e gazetarëve. Alida dhe të ngjashmit si Alida, simotrat e sivëllezërit e saj, ngjallin frikë, sepse kërkojnë të vërtetën dhe fjalën e lirë. Madje ngjallin tmerr.

Ndërsa pushteti frikën e tmerrin e vet, frikën nga e vërteta, kërkon ta kthejë në armën e vet. Ja di efektin asaj dhe rend “ta kapë i pari demin prej brirësh”. Zbaton parimin “frika ruan vreshtin (pushtetin)”. Pas kësaj tenton ta mbjellë atë kudo. Hapi i parë është “puthja e asaj dore që nuk kafshohet”. Fut në thes me favore ata që kanë në dorë drejtimin e medias, për t’i pasur këta të fundit vetëm një telefonatë larg. Për të tjerët, gazetarët e thjeshtë, rezervohet përçmimi, tallja, trajtimi si “bërës detyrash”, hedhja mes katër rrugëve e linçimi. Zheji e përcaktoi bukur mirë Ramën si një sa-trap, me dy lista gazetarësh në xhep. Njërës që i ofronte “xhenetin” e interesave të pushtetit të tij, për hosanatë që i thur dhe tjetrës që i detyron “xhehnemin”, sepse “i prishin qetësinë e rrugëtimit të tij të shndritshëm”.

Këtu u gjend dhe Alida. Por jo e vetme. Sa Alida të tjera e të tjerë, kanë ikur e janë larguar nga profesioni, apo x media vetëm e vetëm se s’kanë dashur të shkelin mbi profesionalizmin e tyre?!! Unë njoh një duzinë të paktën. Ku janë gazetarët e talentuar të Agon Channel sot? Një pjesë e madhe e tyre pa kontrata pune, ose në kërkim diku të vetvetes. Dhe pse?!!! Shumë e thjeshtë. Jo se Rama e kishte me Bechettin, sepse rrezik me të e rrëkëllen ndonjë kafe diku në Londër, “për të folur për Kalivacin”, në emër “të interesave kombëtare”. Por sepse nuk duronte dot Sonilën, Bejten, Krastën etj., që kërkonin të bënin gazetari, oponencë, investigim.

Nuk duronte që “Ca thu-ja” të ishte refreni i gafave e korrupsioneve të përditshme të tij. Shkurt nuk duron dot të vërtetën dhe lirinë e fjalës. Mediat i ngjallin krupën pushtetit të Ramës. Ai gjithmonë ka kërkuar t’i përdorë ato, sikurse kurtizanet përdorin aksesorët. Kur e zbukurojnë në shëmtinë e pushtetit, i miklon dhe i mban varë rreth qafës si sende të çmuara, kur e tregojnë ashtu siç është, açik, në pasqyrë, i flak tej e kërkon t’i shkelë me këmbë. Megjithëse deri diku ai ka arritur ta heshtë atë, mes mijëra marifeteve, duke i hequr asaj sensin e lirisë, nuk resht së luftuari me të. Ka një ndërthurje midis frikës së pushtetit të sotëm dhe fobisë që vjen si arketip tek ai, nga e kaluara.

Image result for Alida Tota


“Alidën” ai jo vetëm e hedh në mes të katër rrugëve. Nuk mjaftohet me kaq. Kërkon dhe ta vendosë pas hekurave. Gjithmonë nga frika. Koincidenca e largimit të Alidës me daljen në shesh të propozimeve “të çuditshme”, në ligjet paketë të reformës në drejtësi, që fjalën e lirë e kanalizojnë në “influenca” apo “ndikime të papërshtatshme” dhe që duan t’i tregojnë asaj qelinë, nuk duket fare e tillë. Ka një logjikë të fortë brenda kësaj sjellje konkrete hakmarrëse dhe formalizimit ligjor që insiston Rama, për ta gjunjëzuar plotësisht median. Nuk mungojnë këtu as ekot e viteve, kur fjalën e lirë e priste litari. Sepse po në të njëjtën mënyrë, justifikimi gjendet tek “populli” dhe pritshmëria e madhe që ka ai për drejtësi.

Sipas tij, që drejtësia të jetë e “drejtë”, duhet bërë larg syve dhe gojëve të këqija të medias “llafazane”, e cila në shumë raste, sikurse Alida, kërkon gjilpërën në kashtë dhe mund të nxjerrë në shesh padrejtësitë në emër të drejtësisë. Propozimet e Ramës janë ulërima e fundit e kambanave që kanë kohë që bien për median e lirë, në përpjekjet për ta përcjellë atë në funeral. Tërheqja e tyre ndryshon melodinë. Shënojnë fillim e kambanave të rënies së një pushteti anti-media dhe anti-demokratik. Frika që vjen nga “Alida” do ta marrë me vete pushtetin e Ramës.


******
94540f84cf667092dd52b5be4af176c3_M

UGSH denoncon largimin arbitrar nga detyra të koleges Alida Tota 


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të UGSH

Denoncojmë largimin arbitrar nga detyra të koleges Alida Tota



Gazetarja Alida Tota, e qenë në detyrën e Drejtores se Informacionit pranë Tv A1 është shkarkuar nga detyra pasi, sikurse ajo ka deklaruar, në përmbushje të detyrës funksionale, ka lejuar publikimin e kronikave me dëshmi ekskluzive nga fusha e grumbullimit të mbeturinëve në Sharrë. Raportime këto, që tregonin sesi shfrytëzoheshin mizorisht fëmijët që punojnë në këtë landfill, e që, sikurse kolegia denoncoi: errësojnë punën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj…

Përtej pretendimit të palëve në konflikt: gazetares Tota dhe drejtuesve të Tv A1, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është duke e ndjekur rastin hap pas hapi dhe, ndërkohë, u bën thirrje drejtuesve të këtij televizioni ta gjykojnë e trajtojnë me korrektese vendimarrjen e tyre, pasi nisur nga pretendimet e koleges sone Tota, kemi të bëjmë me një ndërhyrje arbitrare që cënon integritetin e editorit dhe dhunon hapur autoritetin e gazetarisë.
Image result for Alida Tota
Për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë rasti i koleges Tota është pjesë e një praktike ndëshkimi fatkeqësisht të kthyer në normalitet. Prej aplikimit të saj kanë rënë preh jo pak gazetarë e punonjës të niveleve të larta drejuese mediatike. Përsëritja e këtyre rasteve ka ndikuar në uljen e besueshmërisë ndaj mediave dhe sidomos në ngushtimin e lirisë së gazetarëve. Fenomeni ka qenë dhe vazhdon të jetë shqetësues pasi vlerësimi prej punëdhenësve i punonjësve mediakë e gazetarëve, bëhet jo nga kriteri i cilësive të profesionalizmit, që ata prodhojnë, por nga qejfbërja apo qejfmbetja e drejtuesve politikë e pushtetor për llogari të pronarëve dhe interesave ditore të tyre. Ky realitet arbitrar ngushton lirinë e përcjelljes së informacionit të vërtetë dhe të gazetarisë drejt raportuese.
I gjendur para një fakti të tillë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e inkurajon kolegen Tota të ndjekë me vendosmëri gjithë procedurën ankimuese që përcakton ligji për të tilla raste, duke e garantuar se UGSH do të jetë në solidaritet të plotë me të drejtën e saj ligjore e profesionale.

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

XHOVAN SHYTI

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri,guidë turistike e kanabisit



Nga Armand Shkullaku


Ekskursionet e organizuara të ministrit të Brendshëm, nëpër fusha e male me kanabis mbuluar, kanë shënuar kulmin e absurdit këtë të enjte, kur pjesë e tyre u bënë edhe deputetët e majtë të komisionit parlamentar të rendit dhe sigurisë. Disa burra, mes tyre edhe në moshë të thyer, u shfaqën para shqiptarëve të ngazëllyer si adoleshentë duke bërë selfie, foto e video mes parcelave mbushur me të gjelbërtën magjike. Njerëzit e përzgjedhur si përgjegjës për rendin dhe sigurinë në Shqipëri, dukeshin si ata dy të rinjtë hollandezë që nuk u besonin syve ndërsa shihnin dikur bimët e shëndetshme të Lazaratit.
Pozat e deputetëve, herë nga afër e herë nga larg, dhe pamjet entuziaste gjatë turit turistik nëpër arat me kanabis, u bënë publike nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në faqen e tij në facebook. Tahiri, ose vërtet nuk e kupton idiotësinë e kësaj propagande ose “virusi Veliaj” e ka prekur aq rëndë sa po e kthen në një personazh komik, ndërsa merr poza mes fushave të mbjella me drogë.
Ndërsa Veliaj mund të duket fallco, imitues apo hipokrit në ato sajesat e tij populiste, entusiazmi gati naiv që lexohet në fytyrën e Saimir Tahirit, kur nis e merr poza, shton dyshimin se ai vërtet nuk e kupton peshën e veprimeve që po bën.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që një ministër i Brendshëm, rreshton forcat speciale me antiplumb e kallashnikovë, për të dalë në fotografi me një gazetar të huaj, të cilit i tregon se si vendi i tij është kthyer në një parajsë marihuane, ku policia po realizon një fushatë korrjesh propagandistike. Nuk ka si shpjegohet gjithashtu inisiativa e vetë ministrit për t’u treguar gazetarëve shqiptarë, në një tjetër ekskursion me helikopter, se si policia do të shkulë disa mijëra bimë mes miliona të tjerave që i ka lejuar po vetë të kultivohen.

Dhe kulmi i kulmeve, ministri mbledh deputetët e komisionit të sigurisë, të cilët në vend ta thërrasin në interpelancë urgjentisht për përmasat katastrofike që ka marrë kultivimi i drogës, bëjnë selfie përpara bimëve të harlisura si përpara ndonjë objekti turistik. E nga qejfi i madh i ekskursionit, i postojnë ato në facebook, tamam si ata turistët që duan t’u tregojnë të tjerëve se ku kanë qenë dhe sa shumë janë kënaqur.

Mirëpo, përhapja në këtë shkallë e kultivimit, trafikimit dhe konsumimit të drogës në Shqipëri, nuk mund të trajtohet si një kuriozitet turistik: shikoni sa shumë rrënjë janë mbjellë dhe bëni nga një foto. Ministri Tahiri nuk është zgjedhur të bëjë guidën turistike të gazetarëve apo kureshtarëve, por që të parandalojë dhe ndëshkojë trafikun dhe trafikantët e drogës.

Ai nuk përgjigjet për fotot, videot dhe postimet e tyre në facebook, por duhet të marrë përgjegjësi se përse është lejuar që vendi të kthehet në hambar të marihuanës. Ministri nuk është skenarist që mban të lidhur katër fakirë derisa të vinë t’i filmojnë gazetarët, por duhet të japë llogari (edhe përpara deputetëve që i merr në ekskursion) se përse nuk kapen krerët e trafikut dhe përse nuk ndiqen penalisht oficerët e policisë që e kanë toleruar këtë situatë.

Duke bërë turizëm me marihuanën, ministri Tahiri përpiqet të mbulojë përfshirjen e zyrtarëve të policisë në këtë industri ilegale, të zhvlerësojë akuzat e opozitës dhe të propagandojë si sukses të tij një operacion selektiv dhe të vonuar. Vetë fakti se ministri ka disa ditë që ka lënë zyrën dhe shoqëron kamerat dhe grupet me gazetarë e deputetë, dëshmon se më me rëndësi është propagandimi se sa lufta e vërtetë dhe serioze kundër trafikut të drogës.
Pikërisht serioziteti është elementi i parë që është goditur nga spektakli kanabist i ministrit Tahiri.

Vetë gazetarët ranë në kurthin e propagandës së gëzuar të Tahirit, ku në vend të nxjerrjes së përgjegjësisë për përhapjen e frikshme të këtij fenomeni, u futën në konkursin “kush bën poza më të bukura” nga fushat e kanabisit. Dhe pas tyre, deputetët, që nga të kritikueshme, e shndërruan në qesharake guidën turistike të agjensisë “ministria e Brendshme e Shqipërisë”. Situata ka degraduar deri na të pikë, sa askush nuk do të habitej nëse video- selfie e ministrit me deputetët e komisionit të sigurisë do të shoqërohej nga kënga e Mozzikit, “edhe ni spllif...”.

Nga T Çela : Nuk mund të bëhet për disa javë shëndetësia falas









Edi, nuk hyet në Europë 
me batutat e katundeve

Kryeministri Rama ka kapur sot pothuajse të gjitha titujt kryesorë të mediave online, kur pas një defekti të përkthimit në konferencën e shtypit me komisioneren Mohgerini, ai, iu drejtua zyrtares së Brukselit: “Me sa duket nuk jeni gati të na prisni”.

Në pamje të parë kjo batutë e shefit të qeverisë i ngjan atyre që ai bën anekënd katundeve të Shqipërisë kur ndan tapitë e tokave dhe kur merr nëpër gojë gratë e fshatarëve të mjerë.

Por, në këtë rast, kjo deklaratë nuk është vetëm një përpjekje për ekzibicionizëm të pashërueshëm.

Ajo është me tepër sesa kaq.

Që kur ka ardhur në pushtet tre vite më parë për të gjitha dështimet e tij, Rama ka gjetur argumenta justifikues: “Nuk gjykohet qeverisja me muajt e parë”, “Prisni fundin e mandatit për të parë rezultatet e reformave”, “Nuk mund të bëhet për disa javë shëndetësia falas”, “E gjetëm vendin të shkatërruar nga qeverisja e Berishës” etj.

Pikërisht kjo lënie e përgjegjësisë përtej vetes është edhe lapsusi i tij i pandërgjegjshëm përballë Mohgerinit. Përteje efektit të batutës, ajo do të japë mesazhin se faji për mbetjen ne vend të rrugës drejt Europës gjendet në Bruksel dhe jo në Tiranë.

Në fakt nuk është kështu.

Shqipëria e Rilindjes është një vend krejtësisht jashtë standarteve.

Nuk po përmendim këtu, zhytjen e thellë të vendit në krim dhe korrupsion (lexo dy nga tituj kryesorë të lajmeve lart/Lapsi.al). Por po marrim vetëm një fakt që ka shpërthyer ditët e fundit.

Arsimin si një nga prioritete e rilindjes.

Si mund të aspirosh Europën me një administratë bashibozukësh që ka bërë atë lëmsh të pazgjithshëm me të drejtat e studimit duke ndryshuar rregullat në mes të lojës dhe duke u tallur me gati 30 mijë maturantë.

Si mund të aspirosh Europën me raste që të ngjallin krupën me provimet në universitete si ato që denoncuan “Fiks Fare” dhe “Stop”.

Mjaftojnë këto skandale për të treguar se fatkeqësisht jemi ne ata që nuk jemi gati të trokasim në portat e Brukselit. Realiteti i dhimshëm është ky. Dhe ai nuk mund të zhbehet me batuta karagjoze.


****



O Edvin o harbut, lekët tona ku i ke fut!



Duket si anekdodë po është e vërtetë. Kur kryeministri Rama shkoi të inspektonte punimet e autostradës që del nga Tirana deri tek kthesa e Rinasit, një nga drejtuesit e kompanisë që pati fituar tenderin e këtij segmenit iu drejtua shefit të qeverisë me modesti. “Më falni zoti Rama, por kam një pyetje: kam dëgjuar se autostrada do bëhet me 3 korsi. Mua më leverdis puna që kam marrë por nuk e kuptoj pse duhet bërë ky shpenzim. Le të zgjerojmë fillimisht rrugën dhe pastaj mbjellim pemët e vendosim ndriçimin”.

Pasi e dëgjoi Rama me arrogancë i’a ktheu: “Ti je ktu për të kryer punën që ke marrë përsipër, apo për të dhënë mend”.

Me kaq biseda e dëgjuar nga shumë dëshmitarë u mbyll, por ajo vlen të rikthehet sot në vëmendjen e gjithëkujt, kur sapo ka dalë lajmi se ky segment i autostradës do zgjerohet dhe se 60 milionë lekë palma do të shkojnë kot.

Lapsi.al e ka botuar këtë lajm po ashtu si dhe vëzhgimin për shpërdorimin e parave të Ecoparkingut përballë satadiumit Qemal Stafa, që u shkatërrua menjëherë sapo u ndërtua (lexo dy lajmet poshtë Lapsi.al).

Janë dy shembuj flagrantë të moskokëçarrjes dhe papërgjegjshmërisë flagrante në administrimin e parave publike.

Në rastin e parë, atë të autostradës, ky abuzim i shërbeu thjeshtë vanitetit të Ramës që donte një hyrje Tirane me palma dhe drita të kuqe, për të pritur homologët e tij, Vuçiç, Merkel, etj me një hyrje që do të shërbente si një tapet i kuq, për të ftuarit që do të bijtin në vendin e drejtuara nga politikani artist. Ajo e bëri atëhere Fatos Lubonjën të shkruante se ktëa edhe kozmetikën e qytetit e vënë në funksion të mashtrimit të të huajve.

Kurse rasti i dytë është me sa duket një simbol flagrant i moskokçarjes dhe voluntarizmit në vendimmarrje: Ai tregon se planet bëhen sot për nesër, se as Rama dhe as Veliaj nuk kanë projekte, se të dy bëjnë vetëm shfaqe sa për tu shfaqur një mbrëmje në ekranet e kontrolluar prej tyre dhe për ti hedhur hy syve njerzve. Përndryshe nëse kish plan për të shkatërruar stadiumin e vjetër dhe për të ngritur një të ri, pse duheshin harxhuar fonde për të ngritur parimi në vendin që vetëm pak muaj më pas do të shndërrohej në kantier?

Por si rasti i parë dhe i dytë, tregojnë një gjë të vetme.

Se këta dendy vanitozë nuk kanë asnjë dhemshuri për pasurinë tonë të përbashkët. Për taksat që mbledhin dhe për paratë e atyre të mjerëve që i fusin në burg se nuk kanë paguar 2 mijë lekë energji elektrike.

Përpos vjedhjes brutale me tendera e koncesione, ata po i rrjepin shqipëtarët dhe me investimet vanitoze e të panevojshme, që shërbejnë vetëm për të përkëdhelur egon e tyre të sëmurë.

Si pasojë e makutërisë dhe papërgjegjshmërisë ata po ngrenë një piramidë të rreme në këtë vend. Një ngrehinë iluzore që do të rezultojë krejt bosh kur njerëzit të kuptojnë se kanë përjetuar një ëndër të keqe. Dhe atëhere nuk do të jetë çudi, që si në rastin e piramidave reale, ata tu kërkojnë përgjegjësve llogari, se ku i kanë çuar paratë e tyre.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...