2016-11-16

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin jep urdhrin bombastik: Rusia të largohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar të tërhiqet nënshkrimi i vendit nga statuti i formimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).

 Image result for vladimir putin

Në dekretin e nënshkruar sot, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar Ministrinë e jashtme për t’i informuar Kombet e Bashkuara për këtë vendim.
 
Në deklaratën e ministrisë theksohet se gjykata “ka dështuar të shndërrohet në trupë të vërtetë të pavarur dhe autoritative ndërkombëtare të drejtësisë”.
 
Në vitin 2000, Rusia e ka nënshkruar Statutin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, që ishte formuar për procese për krime të luftës, por Moska nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për t’ju bashkuar kësaj gjykate.

Liberalizimi i vizave/ Presidenti i Kosovës zt.Hashim Thaçi: Vonesat e BE, padrejtësi historike ndaj popullit, Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla


Image result for hashim thaci

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn.
Në këtë takim, sipas një njoftimi, presidenti Thaçi edhe një herë ka theksuar se vonesat që po i bëhen Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave janë të papranueshme.
“Këto vonesa që po shkaktohen nga BE-ja janë një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Më tej, presidenti Thaçi ka thënë se Kosovës padrejtësisht i janë shtuar kritere nga Bashkimi Evropian, vetëm për t’i arsyetuar vonesat e panevojshme dhe të dëmshme për perspektivën tonë nga ana e Brukselit.
Ai ka shtuar se Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla në procesin e liberalizimit të vizave, meqë BE-ja ka mjaft mekanizma që kushtëzimin ta bëjë gjatë procesit të anëtarësimit.
“Kam frikë se dikush në BE e ka ngatërruar keq procesin për liberalizimin e vizave me procesin e anëtarësimit të Kosovës. Po harroni se Kosova nuk bëhet anëtare e BE-së në momentin që hiqen vizat”, ka thënë kreu i vendit në takim me komisionerin Hahn.
Presidenti ka thënë se shpeshherë e ka dëgjuar refrenin se BE-ja mëson nga gabimet e së kaluarës.
“Sikur kjo të ishte ashtu, atëherë cilët kufij u demarkuan nga Gjeorgjia apo Ukraina, nga të dyja këto vende që janë gati të marrin të drejtën e udhëtimit pa viza në BE në javët e ardhshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në takim me komisionerin Hahn, presidenti Thaçi ka theksuar se vonesat në liberalizimin e vizitave dhe në qartësimin e rrugëtimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit po krijojnë hapësirë për fuqi të tjera që ta destabilizojnë rajonin.
“Vonesat e tilla në procesin e liberalizimit dhe perspektivës evropiane po rrisin ekstremizmin politik e fetar dhe druaj se ky vakuum do të shfrytëzohet nga fuqi që nuk ia duan të mirën rajonit”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar komisionerin Hahn për ardhjen e tij në Kosovë, menjëherë pas publikimit të raportit të progresit.
“E mirëpres angazhimin tuaj personal dhe e vlerësojmë përkushtimin tuaj që të gjenden zgjidhje për të mbajtur dhe avancuar procesin e reformave evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Vendet ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza


Premtimi nga të gjitha pushtetet, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, se banorët e shtetit më të ri në Evropë shumë shpejt do të udhëtojnë pa viza, ka mbetur e parealizuar që prej tetë viteve. Madje deri më tani “nuk kanë bërë punë” edhe “kërcënimet” e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi, se izolimi i kosovarëve është padrejtësi e Bashkimit Evropian ndaj shtetit të Kosovës, dhe se ky largim mund t’i japë jetë forcave të cilat sipas tij, nuk ia duan të mirën vendit.
Dëshpërueshëm për mosliberalizim e vizave, ka folur edhe ish – ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili për më tepër ka theksuar se as në 2016 kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen. Por, sipas zyrtarëve të BE-së, liberalizimi i vizave për shtetin më të ri në Evropë, nuk po ndodh sepse institucionet e Kosovës nuk po i realizojnë detyrat e shtëpisë, ku veçanërisht theksohet mungesa e luftës nga korrupsionit. “Thembra e Akilit” dhe njëri prej kushteve të tjera të vëna si kusht për liberalizimin e vizave, është edhe demaskimi i kufirit në mes të Kosovës dhe fqinjit të tij perëndimor, e që zgjidhja e tij nuk po duket në horizont, për shkak të qëndrimeve të kundërta të pozitës dhe opozitës në Kosovë. Ndonëse nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shchengen, banorët e shtetit të ri mund të udhëtojnë lirshëm në disa shtete, shkruan tg.
Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se Kosova ka marrëveshje të lëvizjes së lirë me një sërë shtetesh të cilat lejojnë udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Sipas zyrtarëve të MPJ-së qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në: Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Turqi, Dominika, Ekuador, Gambia, Haiti, Mikronezi, Niue, si dhe në Shën Vincent & Grenadines.
“Njëkohësisht, Kosova është në negociata me një sërë vendesh për ta hequr regjimin e dyanshëm të vizave, kur kjo të jetë në interesin e vetë shteteve. Përveç kësaj, një numër prej të paktën 29 shteteve të botës kanë lehtësuar në maksimum marrjen e vizave për qytetarët tanë. Qytetarët e Kosovës, mund të marrin viza në këto 29 shtete pas arritjes në aeroportin/pikën kufitare të shtetit përkatës”, kanë thënë nga MPJ.
Ata kanë sqaruar se hyrja e shtetasve të vendeve të tjera në Kosovë – sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës bazuar në marrëveshjet ndërshtetërore të arritura midis saj dhe disa shteteve të botës – hyrja në shtetin e Kosovës bazohet nëse shtetasit e këtyre vendeve kanë viza Shcengen, ose në raste specifike të tjera siç është rasti me SHBA-të dhe vende të tjera. “Shtetasit e vendeve për të cilët Republika e Kosovës aplikon regjim vizash, por të cilët kanë leje qëndrimi biometrike të vlefshme të lëshuar nga njëri prej shteteve të zonës Schengen; po ashtu bartësit e vizës shumë-hyrëse të Schengenit, lirohen nga nevoja për t’u pajisur me vizë kosovare për hyrje, transit dhe qëndrim në Kosovë. Qëndrimi i tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës kufizohet në 15 ditë”, ka sqaruar nga MPJ.

Super-aksion në Kosovë, arrestohen 19 terroristët duke planifikuar sulme, kapen me eksploziv, armë dhe municione

Super-aksion në Kosovë, arrestohen 19 terroristët duke planifikuar sulme, kapen me aksploziv, armë dhe municione





















Policia e Kosovës thotë se ka realizuar disa operacione gjatë ditëve të fundit, të cilat ndërlidhen me parandalimin e akteve terroriste në Kosovë, por edhe në Shqipëri, me ç’rast janë arrestuar 19 persona të dyshuar dhe është konfiskuar eksploziv, armë të ndryshme dhe municion.
 
Në njoftimin e Policisë thuhet se Drejtoria Kundër Terrorizmit në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Agjencionin Kosovar të Inteligjencës (AKI), si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të RKS-së, ka arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon.
 
“Duke pasur parasysh se institucionet e Sigurisë në vazhdimësi monitorojnë dhe trajtojnë personat që shfaqin elemente ekstremiste, kanë kuptuar se persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M., nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit”.
 
“Pas një monitorimi dhe hetimi për një periudhë të gjatë kohore, ku janë përdorur të gjitha masat e specializuara të fshehta të hetimit, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ku personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izreal”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
 
Gjatë hetimeve policia ka kuptuar se këta persona të dyshuar kanë qenë të ndarë në grupe të ndryshme dhe të koordinuar nga terroristi L. M., nga i cili kanë marrë udhëzime.
 
Këto grupe kanë vepruar të ndara, por që në koordinim me L. M. dhe R. H. të cilët gjenden në Siri përkrah ISIS-it, kanë pasur objektiva të qartë se kush dhe kur duhet të sulmohet.
 
Nga data 04.11.2016 dhe deri më sot janë arrestuar (19) persona të dyshuar, ku (18) prej tyre shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë.
 
Me vendim të prokurorit kompetent (18) personave të dyshuar iu është caktuar masa e paraburgimit prej (30) ditëve, ndërsa njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orëve.
 
Policia thotë se gjatë realizimit të këtyre operacioneve policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar: 281 gr eksploziv i llojit TATP, që vlerësohet si një ndër eksplozivet më të rrezikshëm dhe më të ndjeshëm, rreth 2.5 kg substancë e përzier me lëndë shpërthyese në gjendje të kristaltë, një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62 mm, një pushkë gjuetie, një revole me gaz, municion, 719 fishek të kalibrave të ndryshëm, një dron, radiolidhje, telefona celular, lap-topa, shtëpiza kompjuteri, USB, materiale dhe literaturë fetare nga autorë të njohur për ideologjinë e tyre ekstremiste.
 
Më tej në komunikatë thuhet se “Kosova si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIL (ISIS), për këtë rast ka bashkëpunuar edhe me autoritetet nga shtetet e rajonit si, Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende këto në të cilat po ashtu ka pasur arrestime të personave të dyshuar.
 
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet tjera relevante brenda dhe jashtë Kosovës, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në komunikatën e Policisë. 

Përforcohen dyshimet mbi vdekjen e Nako Spirut, u vra apo u vetëvra, ja çfarë u zbulua nga zhvarrimi i eshtrave


Kohët e fundit në shtyp ka pasur disa artikuj mbi vdekjen e Nako Spirut, një nga drejtuesit e regjimit komunist në vitet e para të tij. Në vendin tonë ka mjaft ngjarje, sidomos ato të lidhura me vdekje kriminale që kanë mbetur të pazbuluara apo të pasqaruara.                            
Kështu p.sh. një pjesë e madhe e kufomave të viktimave të diktaturës komuniste, nuk janë zbuluar ende. Në mjaft raste, viktimat kanë qenë vetë drejtuesit e lartë komunistë që kanë shfaqur mendime të kundërta me ato të regjimit, ose dhe për arsye të sajuara, mbi ta është ushtruar një presion i madh që i ka detyruar të vrasin veten. Pra, vetëvrasje kjo që është konsideruar si një protestë e individit kundër dhunës dhe regjimit diktatorial.  
Por vetëvrasja në regjimin komunist është konsideruar një veprim i dënueshëm. Prandaj në mjaft raste, suicidi ka qenë i dyshimtë, sepse mund të ketë qenë një vrasje që është paraqitur gjoja si vetëvrasje, me qëllimin që dënimi i viktimës disidente e regjimit, të ishte edhe më i ashpër. E tillë mund të ketë qenë edhe vdekja e dyshimtë e Nako Spirut, në vitin 1947, ndoshta vetëvrasja e parë e një drejtuesi të lartë të shtetit të ri komunist të vendit tonë. Ka shumë shkrime mbi rrethanat e vdekjes së tij të paraqitura me hollësi kohët e fundit në shtyp, por që nuk mund të përcaktohet në mënyrë të sigurt saktësia e tyre. Përveç tyre, unë do të paraqis edhe të dhënat e një këqyrjeje identifikuese të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryer prej meje në njërën nga pesë lëvizjet që u është bërë atyre pas vdekjes. Dua të shtoj se në vendet e tjera, në mediat dhe shtypin e tyre të përditshëm janë dhënë përshkrime të hollësishme të rasteve të tilla të ngjashme. P.sh., përshkrimi i autopsisë të presidentit të ShBA, J. Kennedy, i vrarë në vitin 1962, apo përshkrimi i hollësishëm i mbetjeve kockore të carit Nikollaj të Rusisë dhe familjes së tij, të ekzekutuar në vitin 1919 nga bolshevikët, por që u arrit të zbuloheshin dhe identifikoheshin pas viteve 1990.                                                                                       
Në këto raste, publikimi i të dhënave me karakter mjekësor apo mjekoligjor që ndihmon në sqarimin e plotë të ngjarjeve të mëparshme historike të vendeve të ndryshme, sidomos për ato që kanë pasur të bëjnë me vdekje kriminale, nuk përbën një shkelje të sekretit mjekësor. Në vendin tonë, vdekja e Nako Spirut do të konsiderohet një ngjarje e tillë, e cila ja vlen të analizohet.                                                                                                        
Kush është Nako Spiru për vendin tonë?
Sipas motivacionit të urdhërit të lartë “Nderi i Kombit”, akorduar Nako Spirut nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2002, ai është vlerësuar: “Organizator, frymëzues dhe drejtues kryesor i Rinisë Antifashishte Shqiptare, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri. Luftëtar i vendosur për ruajtjen e pavarësisë së vendit pas luftës dhe për futjen e tij në rrugën e progresit. Intelektual i shquar, publicist i talentuar, që gjithë dijen e tij e vuri në shërbim të një të ardhmeje më të mirë e më të drejtë”.                                                    
U lind në qytetin e Durrësit në vitin 1917; u shkollua në Institutin Italian në Korfuz dhe Fakultetin Ekonomik të Torinos në Itali. Në luftën Nacional Çlirimtare ka qenë udhëheqësi i Rinisë dhe një nga udhëheqësit e kësaj lufte. Pas çlirimit të vendit, ai u angazhua në drejtimin e tij duke patur postet e ministrit të Ekonomisë dhe kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit deri në vdekjen e tij në vitin 1947.                         
Cilat janë rrethanat e vdekjes së tij?                                                                           
Më datat 18-20 Nëntor 1947, në mbledhjet e byrosë politike të komitetit qendror të partisë komuniste shqiptare, Nako Spiru që mbante postet e ministrit të ekonomisë dhe kryetarit të komisionit të planit të shtetit, kritikohet rëndë nga Enver Hoxha, madje duke u cilësuar si një tradhtar i Partisë dhe i padenjë për të qenë në udhëheqjen e saj, të gjitha këto akuza vetëm se nuk ishte dakord me aneksimin e plotë të Shqipërisë nga Jugosllavia dhe kërkonte që vendi ynë ta ndërtonte ekonominë e tij pa ndihmën e saj, pra i shkëputur nga Jugosllavia. Në këtë situatë, sipas versionit zyrtar, në orën 20.00 të datës 20 Nëntor 1947, në zyrën e tij në komisionin e planit të shtetit, ai qëllon veten me armë zjarri. Në gjendje shumë të rëndë sillet urgjent në spitalin e Tiranës, ku sipas dokumenteve mjekësore dhe dëshmive, megjithëse ai u reanimua dhe ju dha gjak me qëllim që të bëhej e mundshme ndërhyrja kirurgjikale, kjo gjë nuk u arrit dhe në orën 02.00 të datës 21 Nëntor 1947, ai dha shpirt.                                                                                                
Në ndjekjen e tij në spital nuk rezulton ndonjë e dhënë se ndaj tij nuk është treguar kujdesi i duhur mjekësor me qëllim që të shpejtohej vdekja, siç aludohet në shtypin tonë që mund të ketë ndodhur në raste të tjera të ngjashme.                                             
Dr. Fejzi Hoxha, mjek i udhëheqjes së lartë të vendit tonë, në kujtimet e tij tregon se, personat e sigurimit silleshin nëpër këmbë duke ndjekur çdo lëvizje të njerëzve e në veçanti të mjekëve në rastin e Nako Spirut. Sipas Bedri Spahiut, prokuror i përgjithshëm në atë kohë, Nako Spiru, përpara se të jepte shpirt ai ka arritur t’i flasë atij, duke i thënë: “Më lini të vdes, nuk dua të shërohem”.                                                                                   
Të gjitha këto materiale të shtypit që janë dhënë deri tani, po kështu edhe ato që do jepen më pas, pa pretenduar që ato janë të sakta me siguri të plotë, unë po përpiqem t’i analizoj për të dhënë mendime apo për të bërë supozime mbi vdekjen e Nako Spirut.        
Kështu, sipas një punonjësi të një prej zyrave të Komisionit të Planit të Shtetit që e kishte ruajtur kolltukun ku kishte qëndruar Nako Spiru në momentin që kishte ndodhur qitja vdekjeprurëse me armë zjarri, ai tregon se kolltuku ishte prej meshini me ngjyrë të zezë dhe në ndenjësen e tij ndodhej një vrimë që ai mendonte se ishte shkaktuar nga plumbi. Më pas, ky kolltuk u modifikua nga një marangoz, i cili zbuloi në dërrasën e shpinës së këtij kolltuku një kanal me drejtim të pjerrët rreth 45˚, në fundin e të cilit u gjet një plumb, që u mendua prej tij dhe punonjësit të zyrës, që ai duhej të ishte plumbi me të cilin u qëllua Nako Spiru. Këtë plumb, ata ja dorëzuan ish-bashkëshortes së Nako Spirut, znj. Liri Belishova. Nga ana e saj, znj. Liri Belishova tregon se ka ruajtur veshjen që Nako Spiru ka patur në momentin e ngjarjes: një kostum prej stofi me ngjyrë gri e çelur, një bluzë, një këmishë e përgjakur me vrimat e plumbit: hyrëse dhe dalëse (hyrja sipër gjoksit afër zemrës, dalja – poshtë kafazit të kraharorit në zonën e veshkave).      
Cilat janë të dhënat e dëmtimeve të kufomës?                                                           
Sipas dëshmisë së Dr. Fejzi Hoxhës, plumbi kishte përshkuar zonën para zemrës, cipën mbështjellëse të saj, kishte dëmtuar një arterie të rëndësishme të mushkërive, diafragmën, shpretkën, kolonin transvers dhe kishte qëndruar diku në shtyllën kurrizore.                    
Në të vërtetë ky përshkrim i Dr. Fejzi Hoxhës, mendoj se nuk duhet të jetë krejt i saktë, për një plagë arme zjarri të zakonshme, sepse sipas organeve të prekura në versionin e tij, rruga e plumbit duhet të ketë pasur në fillim një drejtim nga para prapa dhe nga sipër poshtë dhe anash (pak a shumë e ngjashme me drejtimin e pjerrët të kanalit të plumbit në dërrasën e kolltukut) dhe në fund kur ka përfunduar në shtyllën kurrizore që ndodhet më brenda, ka ndryshuar disi drejtimin, pra tani jo në një vijë të drejtë, siç duhet të jetë një kanal arme zjarri të zakonshme, por një vijë e lakuar, apo me kënd. Ky variant i fundit mund të ishte i vërtetë, nëse predha do të kishte bërë një rikoshetë të brendshme.   
Por kjo gjë nuk është arritur të vërtetohet. Siç duket Dr. Fejzi Hoxha, i ka nxjerrë këto të dhëna nga ekzaminimi klinik dhe ndofta ai radiologjik i viktimës para vdekjes. Pra ato janë të pambështetura, nga të dhënat e një autopsie mjekoligjore, dokumenti i të cilës nuk figuron në dosjen hetimore të këtij rasti. Ka shumë mundësi që autopsia të mos jetë kryer fare, gjë që dëshmohet edhe nga fakti që gjatë këqyrjes të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryera nga ana jonë në njërën prej lëvizjeve të varrit të tij, nuk u konstatua sharrimi i kapakut kafkës, që konsiderohet si një nga veprimet rutinë të çdo autopsie mjekoligjore.                                                
Në fakt, kjo këqyrje mjekoligjore e këtyre mbetjeve kockore, u krye nga unë, më shumë për të vënë në dukje shenjat identifikuese të seksit dhe moshës, të cilat përputheshin me ato të Nako Spirut, se sa dëmtimet e tyre.                                                              
Sidoqoftë, eshtrat në përgjithësi dhe sidomos ato të trupit: brinjët, vertebrat etj. rezultuan shumë të ngrëna dhe të shkatërruara, kryesisht nga veprimi për një kohë shumë të gjatë i faktorëve dekompozues të mjedisit përreth mbi to. Midis tyre me aq sa u pa nga ana jonë, nuk u arrit që të zbulohej ndonjë predhë ose pjesë predhe të një qitjeje me armë zjarri.
Kështu, këto të dhëna paraprake deri tani, nuk arrijnë të vërtetojnë versionin e ngritur në shtyp, sipas të cilit, vdekja e Nako Spirut është shkaktuar nga dy qitje me armë zjarri, ku përveç predhës të gjetur në kolltuk, duhet të ketë qenë edhe një predhë tjetër që ka mbetur brenda në trup, por që nuk u arrit të zbulohej në mbetjet kockore apo edhe që mund të ketë humbur gjatë lëvizjeve të shumta, ndofta të pakontrollura që i janë bërë këtyre mbetjeve kockore. Në favor të versionit që ka pasur vetëm një qitje me armë zjarri dëshmon edhe prania në foton e këmishës nga përpara vetëm të një dëmtimi, të ngjashëm me atë të një vrime hyrjeje plage me armë zjarri. Në të vërtetë, diskutimi që është qëlluar një apo dy herë me armë zjarri viktima Nako Spiru, nuk ka asnjë vlerë shkencore për të diferencuar vrasjen nga vetëvrasja, sepse nga pikëpamja mjekoligjore, vetëvrasja mund të kryhet jo vetëm me një qitje, por edhe me dy ose më shumë qitje me armë zjarri, sidomos kjo, kur preken pjesët e trupit që nuk shkaktojnë vdekje të menjëhershme, siç është edhe ky rast. 
Nga shqyrtimi i të gjitha këtyre informatave jo të plota, mungesës së kryerjes së autopsisë menjëherë pas vdekjes së viktimës si dhe materialeve të shtypit jo 100% të besueshme, mund të supozohet që vdekja e Nako Spirut ka ndodhur nga një plagë qitjeje me armë zjarri në trupin e tij, me vrimën e hyrjes në pjesën e përparme dhe të majtë të gjoksit dhe atë të daljes nga prapa në regjionin ku janë veshkat, sipas një kanali që duhet të ketë prekur zemrën, mushkëritë, enët e mëdha të gjakut, diafragmën, shpretkën, zorrën e trashë (koloni transvers) etj. Vdekja ka ardhur për shkak të hemorragjisë (shoku hemorragjik) që nuk është arritur të dominohet dhe se drejtimi i kalimit të predhës në trupin e viktimës ka qenë nga para prapa dhe nga sipër poshtë.                         
Përsa i përket formës mjekoligjore të vdekjes, zyrtarisht ajo është përcaktuar në fillim si një vrasje aksidentale (arma kishte shpërthyer në kohën që viktima po e pastronte) dhe më pas si vetëvrasje sepse ndodhi ndofta nga tronditja nervore që Nako Spiru duhet të ketë pasur nga presioni që ju bë, duke u cilësuar si tradhtar i Partisë, sepse kundërshtoi nënshtrimin e vendit tonë ndaj Jugosllavisë etj.                                                      
Megjithatë, ky version, nuk rezulton të jetë shoqëruar me një letër lamtumire, që shkruajnë zakonisht viktimat para se t’i japin fund jetës së tyre.                         
Më vonë, sidomos, pas viteve 1990, në shtypin tonë ka shumë shkrime që e cilësojnë vdekjen e Nako Spirut si vrasje. P.sh., sipas K. Dervishit, “personat kryesorë që mbetën gjallë nga kjo vdekje, megjithë peripecitë që hoqën, nuk patën kurajo as në fund të jetës së tyre të pohonin se Nako Spiru u vra”.                                                                                   
Në një prononcim tjetër, K. Dervishi, midis të tjerave shkruan se: “u morën masa që në spital të mos hynte njeri, madje as bashkëshortja, deri sa të mundësohej vrasja. Dëshmitari Dh. S., me punë në Komisionin e Planit të Shtetit e kishte parë gjithë skenën, por i ngarkuar me vrasjen nuk ka mundur ta fiksojë, për shkak të hutimit që e ka kapur. Dhe kjo jo pa shkak. Vrasjen ia kishin ngarkuar atij pa dëshirën e tij. Thjesht kishte kryer detyrën ndaj Partisë”.                                                                                                       
Nga pikëpamja mjekoligjore dhe kriminalistike, argumenti kryesor që dëshmon për versionin e vrasjes, padyshim që është drejtimi i pjerrët që duhet të ketë pasur kalimi i predhës në trupin e viktimës, sipas dëshmisë së Dr. Hoxhës që përputhet me atë të marangozit të kolltukut ku duhet të ketë qenë ulur Nako Spiru, në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Zakonisht, një vrasës më këmbë që qëllon në trup nga përpara një viktimë të ulur në karrige apo kolltuk, duke qenë se është në një pozicion më lart se viktima, i shkakton një plagë arme zjarri me drejtim të pjerrët, sikurse duhet të ketë qenë edhe ajo e rastit të Nako Spirut. Ndërsa në një qitje të zakonshme me qëllim vetëvrasjeje të kryer nga viktima me dorën e saj, zakonisht duhej të ishte shkaktuar një plagë arme zjarri horizontale.                                                                                                                            Në fakt, të gjitha këto shpjegime të dhëna prej meje, të mbështetura kryesisht në materiale të shtypit, ndofta jo plotësisht të vërtetuara, nuk kanë një vlerë të mirëfilltë shkencore.
Për një vërtetim të saktë mjekoligjor të këtij rasti është e nevojshme, një ekzaminim i hollësishëm mjekoligjor dhe kriminalistik, i teshave dhe plumbit që mendohet se ka vrarë Nako Spirun, pasi të jetë provuar më parë autenticiteti i plotë i tyre me anën e ekzaminimit krahasues të ADN-së, ai i mbetjeve kockore, përcaktimi i distancës së qitjes në bazë të ekzaminimit të indeve të teshave rreth dëmtimeve të tyre etj., të gjitha këto në bashkëpunim me laboratorë të specializuar të vendeve të zhvilluara.     Në vendet e tjera me një histori të gjatë disa qindravjeçare, në kohën e sotme, shpesh për ngjarje të kaluara të mbetura të panjohura me shekuj të tërë, sot nëpërmjet ekzaminimeve të hollësishme shkencore forensike, ato janë sqaruar.                                                                              
P.sh., zbulimi 170 vite pas vdekjes të Napoleon Bonopartit, që vdekja iu shkaktua atij nga helmimi kriminal kronik me arsenik dhe jo nga sëmundje të stomakut, siç mendohej më parë (ekzaminimet gjenetike u kryen në laboratorët e FBI në SHBA).                                 
Po kështu, rasti i djalit me moshë të vogël të mbretit të fundit të Francës Luigji 16 dhe gruas së tij, mbretëreshës Maria Antuaneta, që vdiq pas ekzekutimit me prerje koke të prindërve të tij. Nga pikëpamja historike, për fatin e tij përmendej si fakt historik edhe versioni që fëmija i vërtetë i mbretit të Francës, pas vdekjes së prindërve, ishte dërguar në SHBA, për t’i shpëtuar persekutimit të revolucionit dhe në vend të tij ishte paraqitur e vdekur, kufoma e një fëmije tjetër. Ekzaminimi krahasues me anën e ADN-së të indeve të zemrës së kësaj fëmije që ruhej në një kishë dhe flokëve të kokës së Maria Antuanetës, i kryer në vitet 2000, pra mbi 200 vjet pas vdekjes, vërtetoi me saktësi, që ky djalë ishte fëmija e saj e vërtetë. Edhe në shtetin tonë, historia e të cilit nuk është aq e gjatë sa ajo vendeve të tjera, ka shumë momente apo ngjarje, sidomos ato me vdekje kriminale që kanë mbetur të pasqaruara, ku një prej tyre padyshim është dhe ajo e vdekjes së Nako Spirut. Të dhënat dhe dyshimet e mia të paraqitura për këtë rast, që për fat me sa duket ka prova të shumta të ruajtura, shpresoj që të nxisin organet tona shtetërore përkatëse, që të organizojnë kryerjen e ekzaminimeve forensike, të shoqëruara me një shqyrtim të hollësishëm të dokumentacionit përkatës, për të vërtetuar me saktësi nëse Nako Spiru, ky udhëheqës dhe personalitet i shquar i vendit tonë, vrau vërtetë veten me dorën e tij apo u ekzekutua nga një vrasës.
Nga Prof. Dr. Bardhyl ÇIPI*
*Ekspert mjekoligjor

Enver Hoxha aplikoi për vizë franceze për t’i shpëtuar Shehut


Enver Hoxha aplikoi për vizë franceze për t’i shpëtuar Shehut (FOTO-LAJM)
Studiuesi Armand Plaka ka publikuar në faqen e tij në ‘Facebook’ një faksimile të rrallë të CIA-s. 
Në dokumentin e deklasifikuar të CIA-s, thuhet se Enver Hoxha ka aplikuar për vizë në ambasadën franceze në vitin 1954. 
Statusi i studiuesit:
Është përfolur shumë se sidomos në fillimvitet pesëdhjetë, Enver Hoxha mund të jetë ndjerë i kërcënuar nga “konkurrenca” që i bënte Mehmet Shehu dhe shumë burime konfirmojnë se Shehu në atë kohë ishte në fakt i preferuari i Moskës dhe lideri real i Shqipërisë, duke lënë në hije dhe vetë Sekretarin e Partisë.
Teza në fjalë është pohuar e kundërshtuar nga shumë studiues e protagonistë të kohës, por asnjëherë nuk na kishte shkuar ndërmend se për Hoxhën, mund të kishte pasur një urdhër arresti apo dhe që madje të ishte arrestuar ndërkaq, ose që ai të ishte ndjerë i kërcënuar në atë masë, saqë të kishte çuar ndërmend ndonjëherë largimin, duke kërkuar azil politik në ndonjë vend perëndimor, në mënyrë që t’i shpëtonte i sigurt raprezaljeve të Shehut, i cili në atë kohë njihej ndërkaq me nofkën “kasapi i kuq” nga media perëndimore, falë “bëmave” të tij.
Të paktën këtë na lë të kuptojmë një dokument (i deklasifikuar qysh në vitin 2005) i CIA-s amerikane i vitit 1954, nga i cili mësojmë se tashmë në zyrat e saj kishte mbërritur lajmi se Enver Hoxha ishte arrestuar e se ai kishte aplikuar edhe për vizë franceze. Dokumenti në fjalë i sjelle per here te pare per publikun shqiptar, megjithëse i deklasifikuar, nuk arrin dot të na japë dot emrin, apo burimin e lajmit, por shihet qartë se CIA ishte e interesuar rreth këtij lajmi dhe se do të punonte deri në sqarimin e plotë të tij.
Më konkretisht, në dokumentin e deklasifikuar të CIA-s shkruhet: Në përgjigje të kërkesës sonë për konfirmimin e lajmit, ku raportohet arrestimi i Enver Hoxhës dhe aplikimi për t’u pajisur me vizë franceze, kërkesë e cila ishte bazuar në kabllogramet e referuara, (emri paraqitet i fshirë) na informoi si më poshtë: “Ne e kemi parë informacionin tuaj dhe nuk do hezitojmë t’ju informojmë, nëse Enver Hoxha ka aplikuar për vizë franceze”. Asnjë përgjigje nuk është marrë ndërkohë nga (emri paraqitet i fshirë).

Vetë emri i Shehut në dokumentin e CIA-s nuk na shfaqet askund, por nëse e njeh mirë situatën, menjëherë e kupton se kjo aty të çon. Është pikërisht viti kur Shehu sapo ishte emëruar Kryeministër dhe besohet se ishte në zenitin e fuqive të tij.

Nga e gjitha ajo çka na dëshmon historia jonë zyrtare e ajo jozyrtare, mund të pohojmë se është hera e parë që qarkullon një informacion i tillë, duke dalë në dritë si një risi, pavarësisht faktit se shumë pak gjasa ka që të ketë qenë i vërtetë. Rreth tre dekada më vonë, vetë Shehu do të pësonte një fund tragjik, dilema e të cilit vërtitet mes vrasjes e vetëvrasjes, e rrethuar me plot pikëpyetje të tjetra.

Në një tjetër aspekt, na shfaqet një lloj turbullire nga ana e CIA-s amerikane në atë kohë, në lidhje me depërtimin e lajmeve të cilat kishin një bazë shumë të ulët besueshmërie. Shumëkush sot mund të thotë se ndoshta pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja për të cilën Hoxha nuk e fali kurrë Shehun, por një llogjikë e thjeshtë të thotë se pse duhet të priste Hoxha aq shumë vite për të eliminuar Shehun, kur pas viteve pesëdhjetë, pushteti në duart e tij ishte mëse i sigurtë.
Të gjithë e dimë se diktatori shqiptar ishte në gjendje të të zhdukte nga faqja e dheut edhe nëse kishe tentuar të bëje shumë më pak se akti i sipërpërmendur. Sidoqoftë, më poshtë faksimlja e dokumentit të CIA-s amerikane në vitin 1954.
 




 

 

Besim Tula: Gjenden fonde për makina luksoze por jo për artin dhe Kulturën, Kumbaro nuk i njeh artistët



Besim Tula

Ekspozita “Nëntor” edicioni i 19 prezantohet për publikun në galerinë e artit FAB. Veprat e 30 piktorëve janë pjesë e saj, të cilët edhe pse vijnë me tematikë të lirë i bashkon zymtësia e realitetit ku jetojmë. Ironia me politikën që harron historinë dhe shtresat sociale vjen me gjuhë figurative në këtë ekspozitë. Piktori dhe kuratori Besim Tula pohon se 19 vjet tregojnë mjaft për këtë aktivitet, i cili prezanton për publikun disa nga krijimet më të mira të piktorëve. Në intervistën e tij piktori pohon se bëhet një punë e madhe për realizimin e ekspozitës, që prej vitesh nuk i mungon jetës artistike në Tiranë. Por edhe këtë vit “Nëntor 19” nuk ka gjetur mbështetjen financiare nga Ministria e Kulturës. Në këtë situatë janë vetë artistët që e organizojnë. Piktori Besim Tula ndalet dhe në problemet që po kalon sot arti dhe kultura, mungesa e vëmendjes për artistët, dhe sipas tij për artin jepen buxhetet minimale. Piktori flet dhe për Galerinë Kombëtare të Arteve duke kërkuar më shumë vëmendje nga Ministria e Kulturës, pasi sot ky institucion nuk blen dot as vepra për të pasuruar fondin, por mungojnë dhe botimet. Ekspozita vjetore e pikturës “Nëntor” është një veprimtari me histori pasi dhe vetë formimi i saj ka një domethënie. Ajo u ideua dhe u realizua nga artistët Llambi Blido, StefanTaçi dhe Besim Tula si thyerje e heshtjes artistike të vitit ‘97. Në fillimet e saj kanë qenë 12 pjesëmarrës dhe numri i tyre ka ardhur duke u rritur nga një edicion në tjetrin. Kanë debutuar me veprat e tyre mjeshtra si prof. Sadik Kaceli, Isuf Sulovari, Pandi Mele, Ismail Lulani, Niko Progri, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, etj, të cilët janë pjesë e kujtesës dhe historisë së artit dhe kulturës tonë.

-Ekspozita “Nëntor” erdhi në edicionin e 19 në galerinë FAB. Ju si kurator i ekspozitës ku mendoni se janë të veçantat e këtij viti?

19 vjet tregojnë mjaft për seriozitetin e aktivitetit, për angazhimin e piktorëve, dhe mendoj që ka dhënë dhe kjo rezultate, duke stimuluar ato pjesë të krijimtarisë që janë shumë interesante për publikun. Për secilin autor mund të ketë 3-4 vepra të tij, të cilat janë arritjet e tij më të mira, dhe kjo nuk është gjë e vogël për këtë ekspozitë. Përshembull kemi autoportretin dramatik të Sali Shijakut, kemi kompozimin “Ija” të Bashkim Dervishit ku qytetërimi vinte sëbashku i pakontrolluar, vinte me një degradim dhe kishte vënë një figurë të një nëne duke ujitur lulet në oborrin e saj ndërkohë ndërtesa të mëdha po i vinin nga pas. Pra humbja e identitetit, globalizmi. Mund të përmend dhe autorë të tjerë si Ksenfon Dilo me natyrat e tij të qeta shumë profesionale, profesor Vilson Kilica me tablonë prekëse “Takimi”, ku të rinjtë kanë takimin e tyre të parë, Stefan Taçi me “Mbesa” etj. Pra në secilin prej pjesëmarrësve kjo ka stimuluar që të arrijë veprën e tij më të mirë. Pse u themelua ekspozita “Nëntori”? Në vitin 1997 pushuan aktivitetet artistike. Në 1998 sapo filloi pak qetësia u organizua kjo ekspozitë. Arsye tjetër ishte sepse në atë kohë ishin hapur parullat që piktura është një gjë e tejkaluar, por që nuk ishte normale, sepse ne kemi pasur mjeshtra, që kanë derdhur talent dhe kanë bërë që arti ynë të ecë përpara. Kjo ekspozitë filloi me 12 piktorë, organizatorë Llambi Blido, StefanTaçi dhe unë. Ishte me kurajo, sepse nuk ishte e lehtë të organizoje ekspozitë në ato vite. Ekspozita në fillim u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Por dalëngadalë numri i piktorëve që mbledh “Nëntori” ka ardhur duke u shtuar dhe tani ne jemi 30 vetë, që nuk mundemi ta kalojmë dot këtë numër, kjo sepse është e pamundur që të menaxhosh më shumë.

-Ju si piktor me veprat tuaja keni në vëmendje dhe problemet që kalon shoqëria. Prezantoni dy vepra në “Nëntor 19”, realizimi i tyre?

Unë në ekspozitë kam dy tablo pikture. Njëra quhet “Mahnitja”, ndërsa e dyta është “Pa titull”. E para është për situatën që kalojmë ne, ku njeriu duhet që të mbijetojë, duke u bërë gati një lloj vegle, dhe kam përdorur një shprehje të Vermatit ku na kanë bërë një përshkrim të tillë që jemi me tru të vogël, gjaknxehtë, dhe sigurisht edhe dembelë. Kjo është një gjë që dhe për mua është problem, dhe nuk di a kam unë një vërtetësi, por gjithë këto vite kanë treguar që nuk është një histori kaq interesante qoftë për ne si popull apo dhe për drejtuesit. Dhe zgjidhja vizuale e tyre është që të gjithë shikojnë në një krah si të mahnitur. Por kjo mahnitje është mjaft problem. Gjithmonë në krijimet e mia kam treguar që të shikoj këtë pjesë të realitetit, ku politika ndikon mbi ekonominë, jetën e njerëzve, drejtësinë, etj, dhe duke pasur këtë këto kanë qenë dhe karakteristika e saj. Tek vepra “Pa titull” nis nga fraza e një mikut tim shkrimtarit të vetëm disident tonin Kasem Trebeshina, i cili duke biseduar njëherë për situatën thotë: ne akoma nuk futemi në popull, jemi nën popull, nuk dimë të protestojmë, kërkojmë të drejtat tona. Duke u nisur nga kjo shprehje e tij kam realizuar krijimin “Pa titull”. Janë dy vepra që për herë të parë prezantohen për publikun në këtë ekspozitë.

-Ekspozita “Nëntor” çelet në galerinë FAB. Edicioni i 19 ju jeni shprehur se nuk është mbështetur nga Ministria e Kulturës?

Në vendin tonë Ministrja e Kulturës pranon me dinjitet pa njohur artin të drejtojë artin. Atëherë unë nuk kam pse të shkoj më tek ajo që t’i qahem, sepse nuk më njeh. Ajo nuk njeh kolegët e mi, nuk di të vendosë nëse unë kam të drejtë apo shkoj dhe i bie në qafë kot. Ndaj unë si artist nuk shkoj te ajo. Duke pasur këtë, sigurisht që ka një mijë argumente për të mos u bërë ekspozita, mungesë sponsorizimi, etj. Duhet t’u rrish nga pas institucioneve zyrtare, etj, dhe gjëja më e mirë mos të bëhet. Por ne jo, ne si piktorë e organizojmë ekspozitën “Nëntori”. Ne aplikuam për këtë projekt në Ministri të Kulturës dhe nuk morëm asgjë. Edhe vitin e kaluar, ne morëm një përshëndetje që ju falenderojmë për kërkesën që bëtë ndaj nesh. Ndaj për mua si artist tashmë ka më shumë rëndësi krijimtaria. Dhe këto janë pjesë që quhen kohë të humbura. Sa të bind unë drejtuesit e Ministrisë së Kulturës që do të bëj dhe këtë, unë si artist humb kohë shumë. Edhe ky vit vazhdon me shumë probleme me artin dhe kulturën.

-Për ju, ku vijojnë ato?

Dua t’ju tregoj dhe diçka tjetër që më pezmatoi shumë dhe më bëri që të mos shkoj më në Ministri të Kulturës. Unë pata bërë një libër ndihmë për nxënësit. Ishte një punë 6 vjeçare, duke qenë se kam qenë mësues në Liceun Artistik dhe me këmbëngulje futa lëndën që quhet estetikë arti, sepse bota është transformuar dhe është shumë interesant dhe jo kaq i lehtë dhe për t’u kuptuar arti bashkohor. Unë për këtë duke parë që tek ne nuk vijnë artistë të famshëm, GKA është e vogël në diapazonin për të shpjeguar tërësinë e artit e metodave dhe prurjeve, që bota i ka vazhdimisht, Tirana nuk paraqet interes për artistë të mëdhenj në botë që të vijnë dhe të hapin ekspozita këtu sepse nuk ka interes. Duke parë këtë unë nuk mund të qëndroja kaq indiferent dhe bëra këtë material për librin. Aplikova jo këtë vit, por më herët në Ministrinë e Kulturës. Për të garantuar librin mora dhe dy referenca nga zërat më të dëgjuar të kritikës sonë. Kur shkova në Ministri të Kulturës çova dhe referencat një vajzë atje më thotë që nuk kanë vlerë. Por si mund ta dini ju i them që materiali im vlen apo jo kur ju nuk mbështeteni diku? Jo më tha, këto referenca nuk kanë vlerë. Që nga ajo kohë nuk shkova më në ministri për projektet e mia. Edhe “Nëntorin” nuk e ka mbështetur Ministria e Kulturës. Unë nuk kam asgjë për projektet e tjera, që mund të marrin nga ministria, sepse tek ne jeta e artistit është dramatike. Artistët e rinj janë po ashtu me shumë probleme për jetën artistike. Artistët në Shqipëri nuk kanë kushte. Dhe unë për asnjërin nuk them, që nuk e ka merituar ndihmën e ministrisë. Të gjithë e meritojnë, por mund të jepnin diçka ndihmë dhe për ekspozitën “Nëntori”.

-Ju përmendët institucionet e artit. Një piktor si ju si e shikon sot GKA?

Më vjen keq për institucionin e Galerisë Kombëtare të Arteve që merr minimumin e fondeve nga Ministria e Kulturës. Dhe ai institucion nuk mund të bëjë as botime. Është lënë pas dore GKA. Është një institucion që varet nga Ministria e Kulturës, por ministrja e Kulturës në plan të parë ka karrierën e saj, të gjitha të tjerat vijnë më poshtë në art dhe kulturë. Kjo sepse ajo nuk ka ndërmend të rrezikojë veten, që të japë dorëheqjen sepse nuk i dha fonde GKA. Por do vijë një kohë, që do të jetë një periudhë bosh në fondin e GKA, do të jetë bosh periudha e artit e asaj kohe që galeria nuk po mundet dot të blejë vepra. Por qeveritarët tanë siç gjejnë fond për makina luksoze, për vete, atëherë dy makina mos të blihen dhe besoj që GKA do të ishte në rregull me buxhet. Në këtë situatë problemi i politikës është si t’ia hedhim njëri-tjetrit. Normal që Ministria e Kulturës duhet të shtojë buxhetet për GKA. Mos harrojmë që stimujt dhe për artistët e rinj janë zero. Në këtë situatë ka artistë të pasionuar, një pjesë e tyre jemi ne tek “Nëntori”, që i kalojmë këto telashe për financime. Por pa mbështetje dhe vëmendje është gjynah për artistët. Si do ta provojë veten një artist i ri? Politikat dhe buxhetet për artin janë minimale, të pallogaritshme dhe secilit i takon të notojë vetë për të shpëtuar veten.

-Meqë po flasim për artin, pritet ekspozita “Onufri” në GKA?

Janë shumë pak aktivitete. Për çdo vit dalin me dhjetëra artistë nga universiteti. Aktivitetet për këtë grup artistësh që del duhet të ishin të shumta, por mungojnë. Edhe “Onufri” për 10-12 vetë bëhet ku ata mund të jenë dhe disa të huaj. Pra është kthyer në një aktivitet shumës specifik, i cili nuk stimulon gjerë mundësitë e krijuesve të artistëve të ndryshëm, sepse jo të gjithë mund të jenë të atij drejtimi. Ndaj duhet të kemi më shumë aktivitete shtetërore për artin.

Intervistoi: Julia Vrapi

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...