Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Muzeu nëntokësor “Bunkart 2”, destinacion turistik për të njohur diktaturën


Bunk art 2


Ndonëse temperaturat në këtë fund nëntori janë ulur ndjeshëm, ky fakt nuk i ka penguar aspak qytetarët nga Shqipëria, por jo vetëm, të vizitojnë “Bunkart 2”, një destinacion që më shumë sesa politik, po kthehet së fundmi në turistik.
“Bunkart 2” pranë Ministrisë së Brendshme zë një sipërfaqe prej 1.000 metrash katrorë dhe përbëhet nga 40 dhoma, të cilat prezantojnë historinë nga viti 1912 deri në 1991-shin përmes fakteve të marra nga Arkiva e Shtetit dhe Ministria e Brendshme.

Nga dhoma në dhomë, historia shpaloset që me krijimin e Xhandarmërisë së parë, Xhandarmërinë e Mbretërisë zogiste, Policinë Popullore, për të vijuar me kampet me telat me gjemba, e deri te burgjet, internimet dhe dëbimet.

Një dhomë më vete i dedikohet edhe mënyrës sesi përgjoheshin të huajt, që ndodheshin në vendin tonë gjatë periudhës së dikaturës.

Kureshtarë për të parë nga afër këtë muze, qytetarët vizitojnë ndërtesën e nëndheshme në qendër të Tiranës, qofshin apo jo të lidhur me kujtimet e diktaturës. Ka prej tyre që vijnë edhe nga përtej kufijve.Që prej çeljes së tij, “Bunkart 2” mirëpret çdo ditë rreth 500 vizitorë.

E.A. : Jeta private e Fidel Kastros, gratë, të dashurat dhe 10 fëmijët



Komandanti, i cili ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare para pak ditësh, u martua dy herë dhe zyrtarisht pati 6 fëmijë, por tradhtitë e tij kanë qenë të panumërta

Grate
I ashtuquajturi “Lider Maximo”, ose ndryshe Komandant Fideli! Për Kubën ishte Presidenti, por për të tjerët thjesht një bashkëshort, një baba dhe ndoshta edhe një dashnor. Castro u matua për herë të parë në vitin 1948 me Mirta Diaz Balartm: të dy u divorcuan në 1955, pas lindjes së djalit Fidel Ángel ‘Fidelito’ Castro Díaz-Balart.
Pastaj Kastro martohet me gruan e dytë, një femër misterioze, marrëdhënie me të cilën u mbajt e fshehur deri në 75-vjetorin e lindjes së Komandantit, por që i ka qëndruar në krah, pavarësisht nga tradhtitë gjatë gjithë jetës.
fidelcastroMartesa e dytë – Dalia Soto del Valle u bë gruaja e Fidel Kastros në vitin 1980: për të, përveç emrit, dihej shumë pak. Duke qëndruar nën hije për dekada, për të qarkullonin shumë zëra: është brune, është e shëmtuar, është e gjatë. Asnjë nuk e dinte se cila ishte dhe çfarë tiparesh kishte në fytyrë deri në vitin 2003, kur u publikuan për herë të parë foto të saj me rastin e 75-vjetorit të lindjes së “Lider Maximo”. Së bashku me Dalaian, Fidel pati pesë fëmijë, të gjithë djem: Alexis, Alex, Alejandro, Antonio e Angel, germa e parë e të cilëve të gjithëve u fillonte me “A”, që të kujtonte shpesh emrin e dytë të Komandantit, “Alejandro dhe emrin e të atit, Angel.
KastrMungesë besnikërie – Kastro ka qenë gjithnjë dhe në çdo kohë një bashkëshort aspak besnik. Zërat thonë se bënte shumë dhurata për të dashurat dhe që përfitonte nga udhëtimet jashtë për aventura edhe për një natë të vetme. Gjatë martesës së tij të dytë, pati një marrëdhënie me Natalia Revuelta, aristokratja kubane me pasion për “revolucionin”. Por kjo nuk ishte tradhtia e vetme e Fidelit, pasi ai numëron të paktën edhe dy fëmijë të tjerë nga marrëdhënie jashtë martesore.

Zëri misterioz po shkatërron ekonominë e një qyteti, asnjë nuk heton

2000px-Nunavut_in_Canada.svg_-754x640

Një zë misterioz po shkatërron ekonominë e një qyteti kanadez, por askush nuk dëshiron që të hetojë origjinën e tij. Zëri i përhershëm që mendohet se vjen nga deti, po gjunjëzon ekonominë e disa qyteteve kanadeze, që bazohen tek peshkimi. Askush nuk ka arritur që të zbulojë kush dhe çfarë e shkakton atë. Është një histori vërtetë e pabesueshme që vjen nga Kanadaja, ekzaktësisht nga një pjesë e vendit që i përket rrethit polar të Arktikut dhe gjendet në perëndim të Groendlandës. Prej disa kohësh, banorët e zonës që gjenden në Arktik po ndjejnë një zhurmë misterioze që gumëzhin në mënyrë të pandërprerë, i cili ndalon dhe rishfaqet sërish. Në fakt bëhet fjalë për një zonë me burime të varfra natyrore, por e pasur vetëm nga peshkimi. Në këtë rajon, praktikisht të gjithë banorët janë peshkatarë dhe fitojnë për të jetuar falë këtij aktiviteti fitimprurës. Problemi i sinjalit akustik, që duket se vjen nga deti i ka trembur shumë peshkatarë, t të cilët nuk dalin më në det. Kjo po shkatërron ekonomin vendase.

800px-Arctic_Ice_2-770x512

Hipotezat mbi origjinën e zhurmës janë të ndryshme: se pari është se ajo shkaktohet nga një shoqëri minerare që bën kërkime hidrolokatore. Megjithatë, e vetmja kompani që ka pasur interesa në këtë fushë, prej vitesh nuk ndodhet më aty dhe mohon që të ketë lidhje me zhurmën. Hipoteza tjetër është ajo e ambientalistëve, që për të eliminuar peshkun ka vënë objekte që janë në gjendje të çlirojnë sinjale akustike për të trembur peshkatarët: edhe në këtë rast organizata më e madhe ambientaliste në Kanada mohon përfshirjen e saj dhe gjëja më e pabesueshme është se askush prej banorëve, nuk ka parë anije të dyshimta që lundrojnë në ato dete.
sound-495859_960_720-770x506

Kështu Kanadaja mendoi që t’i drejtohej ushtrisë, që ka shkuar për të hetuar prejardhjen e kësaj zhurme misterioze. U nis me anijet e saj, për të kuptuar origjinën e zhurmës, por ndërkohë që ishte atje, ushtria nuk e dëgjoi kurrë atë, përveç se gjeti disa balena. Fakti që nuk dëgjoi asnjë zhurmë, ushtria zyrtarisht deklaroi se ka vendosur që të tërhiqet dhe të mos kryejë hetime të tjera. Misteri mbetet: dikush mendon për projekte sekrete, dikush tjetër për koncesione të veçanta, por fakti është se askush nuk e di origjinën e zhurmës natyrale. Shpresa e tyre është se po të njohin problemin, do ta kenë më të lehtë që të gjejnë përgjegjësit dhe se do të ndalen së bëri atë që po bëjnë. Ndërkohë, mungesa e peshkatarëve në det po i vë në një provë të vështirë banorët e rajonit të Nunavut.

S.Muça

Si u asgjësua beteja e Isa Boletinit tek “Nëntori i dytë”

Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit tregon mbi kërkimet për të gjetur pjesën e censuruar nga filmi “Nëntori i dytë” të cilën regjisori Viktor Gjika e përmend në kujtimet e tij

Alda Bardhyli
Reshat-Arbana

Fragment nga pjesa e censuruar e filmit “Nëntori i Dytë”. Foto e pabotuar më parë


Në fillim të viteve 80-të regjisorit Viktor Gjika, në prag të jubileut të 70-të të Pavarësisë së vendit, do ti linte idea për të realizuar një prodhim kinematografik mbi ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët. Regjisor i suksesshëm në ato vite, emri i të cilit mbante firmën e filmave si “I teti në bronz”,”Gjeneral gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Njeriu me top”, etj, Gjika kërkonte një tjetër sfidë në karrierën e tij si artist. Atë, të ekranizimit të udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, për të shpallur më 28 nëntor 1912-tën pavarësinë e Shqipërisë. Në kujtimet e lëna pas, regjisori tregon për këtë moment. “Deri në ato vite angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedentë nga ana e kinematografisë shqiptare. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative, nuk kishte ndonjë portret apo tablo e aq më tepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për ccudi edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali”, të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me këngë popullore e shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës i “hyra detit në këmbë”, shkruan Gjika në kujtime. Teksa flet për vështirësitë e këtij realizimi, kastën e aktorëve më të cilët punoj, ku veçon Sandër Prosin në rolin e Ismail Qemalit, regjisori flet për herë të parë për ekzistencën e një pjese të censuruar të filmit. “E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tre harqe”, në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë, që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë dy ditë me vonesë. Episodi ishte mjaft dramatik. Peisazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup më trup aty mbi urë dhe kapja rob e ndëshkimi i oficerit serb Mitrovcç, masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit , e bënin atë episod sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin e pacensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Po nuk qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej”,shkruan Gjika në kujtime. Ai shkruan se heqja e këtij episodi pas censurimeve që kishte pasur në filma si “Gjeneral gramafoni” dhe “Yjet e netëve të gjata” si “Plaga e tretë e Gjergj Elez Alisë”, plagë që do ti hapej sa herë që shihte filmin. “Më dukej se nuk rezistova sa duhet për ta mbrojtur episodin.

Nentori (9)

Nentori (9)Ndoshta kishte ndikuar dhe lodhja e tepërt e akumuluar gjatë krijimit të një filmi të vështirë. Përveç kësaj më dukej sikur kisha treguar vetëm një pjesë të vogël të së vërtetës mbi Ismail Qemalin. E unë kisha kaq shumë për ti thënë shikuesit shqiptar. Jeta e personazhit tim ishte aq e pasur sa nuk mund të hynte në një film, të vetëm artistik. Kjo dhembje më shoqëroi 15 vjet”, shkruan Gjika. Në kuadër të 85-së vjetorit të pavarësisë ai do të realizonte një film të plotë dokumentar mbi Ismail Qemalin, ku do të përfshinte edhe xhirime të realizuara në Stamboll me Sandër Prosin që s’kishte mundur ti përfshinte në film. Pas viteve 90-të pati përpjekje për tu gjetur pjesa e censuruar në filmin “Nëntori i Dytë”,i cili tashmë është dhe i restauruar. Gjika u nda nga jeta në vitin 2009-të, pa mundur ta rishihte edhe njëherë betejën fatale të Isa Boletinit, të cilën e kompozoi aq bukur, teksa kërkonte ti jepte jetë historisë. Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit, dhe njohëse e mirë e kinematografisë vjen më poshtë në një bisedë për të treguar mbi kërkimet e bëra për pjesë e munguar tek “Nëntori i dytë”…

Nentori (11)

Eriona, ju jeni marrë me gjetjen e pjesës së humbur nga filmi “Nëntori i dytë”, pjesë të cilën vetë regjisori Viktor Gjika e konfirmon teksa flet për filmin në kujtimet e tij. Ku janë bërë kërkimet, dhe cili ishte fati i tyre?

Në vitin 2012, më rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me nismën e Projektit të Kinemasë Shqiptare u bë i mundur restaurimi i filmit “Nëntori i dytë”. Gjatë punës përgatitore të këtij projekti, ne u përpoqëm të vinim në vend të gjitha defektet apo “pengjet”, që kishin autorët në kohën e prodhimit të filmit në vitin 1982, sepse në fund të fundit, ky është edhe qëllimi i një pune restauruese. Një nga gjërat kryesore që duhej ndrequr, ishte ri-përfshirja në film e një episodi të filmit që ishte xhiruar por më pas ishte hequr para se filmi të merrte miratimin përfundimtar nga autoritetet e kohës dhe të dilte në publik.

Nentori (11)Kërkimet për episodin e humbur nisën me dëshmitë e kohës dhe leximin e ri-leximin e kujtimeve të Viktor Gjikës dhe autorëve të tjerë, bisedave me operatorin Lionel Konomi, kërkimi për të kontaktuar me regjisoren e montaxhit Marika Vila, e cila jeton në SHBA, si dhe kalimin në sitë të kutive të filmave në magazinat e AQSHF-së për të hequr dyshimet për ngatërresa të mundshme, në etiketimet e kutive të filmit. Për fat të keq, metrat e filmit nuk u gjetën dhe mendojmë se për fatin e tyre dy janë mundësitë; ose janë asgjësuar, siç ndodhte rëndom në Kinostudio me materialet që dilnin jashtë përdorimit pas përfundimit të procesit të montazhit, ose gjendet nëpër kuti pa etiketa apo me etiketa të gabuara në magazinat e Albafilmit, të cilat këto 20 vitet e fundit e kanë ndryshuar shpeshherë vendndodhjen për t’i bërë vend ndryshimeve strukturore dhe logjistike që kanë ndodhur në zonën e ish-Kinostudios.

Nentori

Çfarë përmbante pjesa e humbur e filmit?

NentoriKy ishte episodi i betejës së Isa Boletinit dhe njerëzve të tij me serbët. Ai ishte nisur nga Kosova për të ardhur në Vlorë për shpalljen por nuk e arriti datën 28 pikërisht se u vonua duke luftuar në këtë betejë, e kështu arriti 2 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe në histori kështu ka ndodhur. Por, duke qenë se në atë kohë, në vitin 1982 kur po prodhohej filmi, marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin të acaruara, atëherë e hoqën këtë episod nga filmi, që të mos bëhej shkak për përkeqësim të marrëdhënieve, pasi në këtë betejë u bë një kasaphanë e vërtetë me serbët. Në dokumentacionin që kemi në AQSHF, ka mbetur vetëm një foto që dëshmon për këtë episod, një foto e Isa Boletinit (Reshat Arbana) dhe çetës së tij si edhe materialet e shkruara të filmit, skenari letrar dhe ai teknik në të cilin zbërdhehet episodi në fjalë.

Sot, të gjitha materialet janë të disponueshme për studiuesit në AQSHF.

Pak kohë më parë filmi iu nënshtrua dhe restaurimit. Çfarë i solli kjo ndërhyrje filmit?

6Qëllimi i një projekti restaurimi është ta kthejë veprën në identitet, duke mbetur sa më pranë origjinalit, por, njëkohësisht, ta bëjë atë të përputhshme me kërkesat aktuale të teknologjisë e, kështu, të ri-jetësojë veprën që të jetë e disponueshme për brezat që do të vijnë. Sigurisht, gjatë një procesi restaurimi lindin shumë probleme etike, sidomos përsa i përket ngjyrave dhe toneve të duhet t’i jepen imazhit, prandaj është gjithmonë mirë që regjisori apo drejtori i fotografisë të jetë i pranishëm në këtë proces, nëse do të ishte e mundur.

Specialistët e laboratorit Colorlab në USA, ku u bë restaurimi në vitin 2012 bënë një punë të mrekullueshme me përpunimin dixhital të imazhit dhe ri-sjelljen e një imazhi të pastër, të qartë, të thellë, me ngjyra të gjalla dhe në përputhje me formatet e sotme të teknologjisë me rezolucion të lartë. Për herë të parë në film arrihen të shihen tonet e fytyrave të aktorëve apo stofi i veshjeve të tyre, detajet e peizazheve të natyrës shqiptare dhe krijimi i gjendjes emocionale tek publiku nëpërmjet dritëhijeve, ndriçimit të diellit, muzgut apo motit të vrenjtur, shiut e baltës.

6

Një ndreqje tjetër në variantin e restauruar ishte edhe futja e emrit të një aktori në kreditet në fund të filmit. Amarildo Pregapuca luante rolin e djalit të postës, lajmëtarit që vraponte për të sjellë telegramet dhe njoftimet për delegatët apo udhëtimin e Ismail Qemalit, por emri i tij nuk ishte përfshirë në titrat e filmit për arsye “biografike”. Kjo gjë u ndreq në variantin e ri.

Ju e keni njohur regjisorin Viktor Gjika. Si e kujtonte ai “Nëntorin e dytë”?

Padyshim “Nëntori i dytë” ishte një nga veprat më të rëndësishme të krijimtarisë së Gjikës dhe fakti që ky film mbetet edhe sot një emblemë dhe ideja e publikut për pavarësinë e Shqipërisë dhe për Ismail Qemalin lidhet nga ana vizive me filmin dhe karakterin e krijuar nga Sandër Prosi, vërteton se Viktor Gjika ka pasur të drejtë ta donte fort këtë film dhe ta përjetonte shumë keq episodin e humbur të Isa Boletinit. Në fondin e Arkivit të Filmit ne ruajmë edhe 2 akte nga kinoprovat e “Nëntorit të dytë”, madje njërin nga këto, Viktor Gjika e ka xhiruar në Stamboll. Aty paraqitet Ismail Qemali duke kaluar përpara Portës së Lartë, për të treguar lobimin që ai bëri në qarqet ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. Këto imazhe nuk u përfshinë në film, por Gjika i përdori këto në dokumentarin e fundit që realizoi, “Gjuhë që nuk vdes” me rastin e 50-vjetorit të kinematografisë shqiptare, në vitin 2002.

Është e njohur praktika e censurimit të filmave, përpara se të shfaqeshin për publikun. A janë ruajtur këto censurime,a i disponon arkivi pjesët e hequra nga filma të ndryshëm?

Para se filmi të miratohej nga komisionet përkatëse dhe të dilte në publik, autoritetet siguroheshin që vepra të ishte korrekte nga ana ideologjike dhe politike. Një masë të tillë e merrnin edhe vetë autorët nëpërmjet një autocensure në procesin e tyre krijues, gjë që duhej bërë se s’bën se përndryshe jo vetëm që vepra e tyre nuk e shihte dritën e kinemasë por rrezikohej edhe jeta e tyre. Disa prej tyre e kamuflonin të vërtetën që donin të rrëfenin nëpërmjet metaforave apo mjeteve të tjera shprehëse artistike. Piro Milkani tregon gjithnjë se si regjisorët prisnin me ankth kthimin e projeksionistit të Kinostudios nga shfaqja e parë në Komitetin Qendror dhe e lexonin miratimin apo rrëzimin e filmit, nga shprehja e fytyrës së projeksionistit, sapo zbriste nga makina e Kinostudios me projektorin portativ në sup.

eriona
Eriona Vyshka


Për fat të keq, pjesët e censuruara asgjësoheshin menjëherë. Ndonjëherë, brenda Kinostudios ekzistonte një censurë edhe më e fortë se ajo që ushtrohej nga Komiteti Qendror. Një masakër e vërtetë ka ndodhur edhe me filmat e huaj… para se të dilnin në kinema për publikun kalonin nëpërmjet gërshërës në montazh, ku “qetheshin” të gjitha skenat të ashtuquajtura “degjeneruese” që nga puthjet apo kontaktet e tjera fizike e deri te skenat e dhunës, sa që ka plot raste kur filmit i ka humbur kuptimi prej mungesës së skenave.

Çfarë është bërë për gjetjen e tyre?

Para disa vjetësh, regjisori Kristaq Dhamo erdhi në Arkivin e Filmit me pjesë të hequra nga filmi i tij “Brazdat”, pjesë të cilat i kish ruajtur në shtëpi. Mbase kjo ishte mënyra më e mirë për t’i ruajtur pjesët e censuruara, por të paktë janë regjisorët që e bënë këtë. Duke punuar me regjisoren e montazhit të AQSHF-së, Nazmije Gazheli, Dhamo e ri-montoi filmin “Brazdat”, duke i futur sërish pjesët e hequra. Por, fatkeqësisht, ky është rasti i parë dhe i vetëm i gjetjes dhe ri-përdorimit të tyre.

Nafije Poradeci dhe dashuria pa kushte për Lasgushin

Poradeci


E bija, Maria, vjen në një rrëfim për kohët me të, marrëdhënia e tij me nënën (bashkëshorten Nafije) dhe veprën e tij të plotë

Alda Bardhyli

PoradeciE mbështetur në krahët e nënës, me fustanin prej basme, Maria vështron aparatin fotografik. Pranë saj motra dhe babai kanë të njëjtin vështrim. Kjo foto e familjes Gusho ose Poradeci e bërë vite më parë, të ulur në një barkë bri liqenit të Pogradecit, është një nga kujtimet që sjell një tjetër përfytyrim të poetit të dashurisë. Pranë gruas dhe dy vajzave të shtrenjta që qenë gjithë jeta e tij në Shqipërinë e atyre viteve. Janë Kostandina dhe Maria, dy pasardhëset e Lasgush Poradecit që tashmë jetën e tyre e kanë kthyer në një kujdesje ndaj veprës së tij. Maria vjen në një rrëfim për kohët me babanë, marrëdhëniet e tij me nënën dhe veprën e tij…
Marie, kujtimet e para për babanë tuaj ku të çojnë?
Në një kohë të largët që është prezente gjithmonë. Sepse është ai që ma bën prezente këtë kohë, kujtimet e tij. Tani e kuptoj sa e lumtur isha, sa e mbrojtur ndihesha. Jeta është shumë e vështirë, por dora e një njeriu të afërt na jep forcë. Është shumë e rëndësishme. Tani sigurisht është emri i tij që më “mbron”, por prezenca e njeriut të afërt është ndryshe. Më kujtohet se në momente të mërzitura ose kur më shihte lot në sytë e mi, më thoshte: “Mos qaj, ti ke baba”. Atëherë më dukej se lotët kishin një tjetër shije.

Si ishte jeta në familjen tuaj, kur prindërit jetonin?

Jeta jonë ishte e organizuar krejt ndryshe nga familjet e tjera. Ajo diktohej vetëm nga ai. Kur them këtë kam parasysh që jeta në familjen time ishte e ndriçuar me dritën e tij. Ishte e organizuar sipas të vërtetave universale që ai i njihte shumë mirë. Vazhdimisht më thoshte: Mos harro kurrë, ti je vajza e Lasgush Poradecit.
Kur nise të kuptoje që babai yt nuk ishte i zakonshëm, dhe të lexoje poezitë e tij?

Jo, babai im nuk ishte i zakonshëm. Ai i supronte përmasat e një njeriu të tillë. Unë jam rritur me poezitë e tij. Nuk besoj se ka qenë një kohë kur kam lexuar poezitë e tij. Por ka qenë një kohë kur kam kuptuar pse poezitë e tij nuk botoheshin në shtyp. Kultura e tij e jashtëzakonshme, ndershmëria e tij, mosnënshtrimi i tij para të gjitha vështirësive që kalonim, më ka bindur se babai im nuk i takonte atij morali të ndyrë, që tjetërsonte njeriun. Dhe koha e vërtetoi këtë. Babai më thoshte se “politika nuk hyn në poezi, sepse kur vdes ajo politikë, atëherë dhe ajo poezi ka vdekur”.

Si ishin vitet e fundit të jetës së tij?

Më dhemb në shpirt edhe sot kur i kujtoj ato vite. Në vështirësi të mëdha. Atij nuk i mungonte shërbimi im dhe i motrës. Ishte shërbimi i vajzave të tij dhe ne ia jepnim me gjithë zemër. Por pjesën më të madhe të ditës ai ishte vetëm, pasi ne ishim në punë. Në punë nuk kishim asnjë favor, përkundrazi. Ata njerëz (ata që sot janë bërë “demokratë”, dukej sikur na i vështirësonin punët me qëllim. Ishte një kohë kur mamaja nuk jetonte më, dhe motra nuk ishte transferuar akoma nga Pogradeci. Në Tiranë isha vetëm unë dhe babai. Ngrihesha herët në mëngjes, bëja punët e domosdoshme dhe mbasi e puthja në orën 6.30 të mëngjesit dilja për të shkuar në punë. Ai rrinte vetëm derisa kthehesha unë nga puna në orën 15.30. Unë në punë gjithë ditën e kisha mendjen tek ai, se mos më rrëzohej, mos sëmurej. Vështirësitë ishin të mëdha kur ishte dimër. “Baba, i thosha, mos i fut dru sobës (kisha frikë mos digjej), më mirë mbulohu në shtrat mos të kesh ftohtë, etj., etj”. Në atë kohë nuk ishte e mundur të paguaje dikë, që t’i shërbente.
Momentet e fundit me të si i kujton?

Ikja ndodhi në shtëpinë në Tiranë. Ishim të dyja me motrën pranë tij. Nuk iu ndamë asnjë çast tri javët e fundit. I qëndronim pranë shtratit. Ai kishte shpresë se do ta fitonte betejën me vdekjen. Por në momentet e fundit, kur e kuptoi se po kalonte në jetën tjetër, i tha motrës: Kostandinë, bijë e babkës, trupin tim edhe të vdekur ta shpini në Pogradec. Dhe ne ashtu bëmë. Në Pogradec na thanë që do ta varrosnim në një parcelë të veçantë, ku do të preheshin edhe njerëz të tjerë të veçantë të qytetit. Dhe ashtu bënë. Por, tani ajo parcelë është fare e zakonshme. Kanë futur shumë njerëz që nuk janë emra të shquar të qytetit.

Po nënën tënde si e kujton? Si ishte raporti mes tyre?

Ishte një njeri i jashtëzakonshëm si im atë. Çdo gjë të jetës së tij ai e ka të jashtëzakonshme. Edhe marrëdhënia e tyre ashtu ishte. Ata njerëz xhuxhë që e rrethonin tim atë, për fat të keq nuk e kuptuan atë asnjëherë. Madje as tani, ata nuk mund ta kuptojnë, vetëm hiqen sikur kuptojnë. Ata që ia vështirësuan jetën atij sa ishte gjallë, tani na e vështirësojnë mua dhe motrës. Sepse janë në errësirë të përjetshme dhe e urrejnë dritën.

Ju keni botuar në veprën e plotë të Lasgushit dhe letrat e dashurisë që ai ia dërgonte asaj… Si ka qenë njohja mes tyre?

Mamaja ime, Nafije, ka lindur në Durrës. Ajo nuk mundi ta njihte të atin, por dashurinë e munguar të tij do t’ia plotësonte e ëma Feridja, tezja e saj, Sabrije Mema, dhe dy dajallarët Xheladini dhe Faslliu. Familja e nënës së Nafijes ishte nga familja e Bushatllinjve të Shkodrës, mjaft e kamur dhe me tradita patriotike (Patrioti Dom Nikoll Koçorri ishte djali i xhaxhait i nënës së Nafijes). Pra Nafija ishte gëzimi i kësaj familjeje dhe për të nuk kursehej asgjë. Duke pasur mundësi ekonomike Nafija për 8 vjet studioi me pagesë në institutin “Nana Mbretëreshë”, në Tiranë. (Ajo do të hynte në konvikt rreth moshës 10-vjeçare dhe do të dilte prej tij, zonjushë 18-vjeçare). Mbasi mbaroi shkollën, me qenë se studioi me lekët e saj, sipas ligjit, ajo u caktua mësuese në rrethin e saj, në Durrës (shkolla e ciklit të ulët në Shënavlash). Takimi i parë mes tyre ndodhi në një ditë të shënuar, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, në shkollën e vizatimit ku ishte çelur ekspozita e skulpturës (për skulpturën e Gjergj Kastriotit) dhe e dokumenteve të Rilindjes, në komisionin përgatitës të së cilit bënte pjesë edhe Lasgush Poradeci. Ky takim i bëri shumë përshtypje babit. Vajza e brishtë me flokët e verdha, i pëlqeu shumë sa do t’i mbetej në kujtesë për një kohë të gjatë. Do ta takonte edhe më pas kur babai, si “Poet i ditës”, bëri një vizitë në institutin femëror “Nana Mbretëreshë” dhe drejtori i shkollës Karl Gurakuqi, poetit të madh, i prezantoi poeteshat e shkollës ku ishte edhe Nafija. E këtë herë poetit i pëlqeu edhe më shumë. Filloi të mendojë gjatë për të! Me dekretin nr. 93 datë 08.11.1938 të Ministrisë së Arsimit ajo emërohet si mësuese në katundin Shënavlash të Rrethit të Durrësit. Drejtori i shkollës të Shën Vlashit ishte Bajram Gashi, një mik i babait dhe “shkes” për martesën e tyre. Gjyshja jonë, Feridja, na ka treguar: “Një natë, pashë një ëndërr të çuditshme, sikur po martohesha me priftin. U ngrita e trembur dhe vrapova për t’ia treguar hoxhës. Mos u shqetëso – më ngushëlloi ai – nuk parathotë ndonjë fatkeqësi, por me siguri do ta kërkojë për grua Nafijen ndonjë i krishterë. Jo, hoxhë efendi, – kjo nuk ka për të ndodhur kurrë – e sigurova hoxhën. Por, mbas dy javësh erdhën shkesët, Bajram Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, ku ishte emëruar Nafija, me Beqir Çelën, të dy miq të poetit dhe më kërkuan Nafijen, për t’u martuar me Lasgush Poradecin. Unë nuk doja, e para, sepse ishte i krishterë, e dyta, sepse kishte shumë diferencë moshe me vajzën. Por kur e pyetëm Nafijen ajo tha: unë e kam dashuruar Lasgushin që më parë nga vjershat e tija, kam folur me Lasgushin në shkollën e vizatimit (me rastin e ekspozitës së artit, 25-vjetorin)”.
Familja e saj kishte respektuar dëshirën e vajzës. Atë që kishin parathënë yjet nuk mund ta ndalonin dot njerëzit.

Por mamaja e kujtonte këtë histori?

Mamaja jonë, Nafija, na tregonte se “Kur u martuam, fluturuam me aeroplan për në Korçë, prej andej me taksi shkuam në Pogradec. Sapo arritëm, Lasgushi më shpuri te nëna e tij. Ajo, kur më pa, u ul në gjunjë, më uli çorapet setapura dhe duke më puthur gjunjët me tha: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin?”
Pse e bëri këtë gjyshja jonë? Nuseve të djemve të tjerë nuk u ishte drejtuar me këto fjalë! Një grua e mençur si gjyshe Kostandina e dinte që i biri ishte ndryshe, tërësisht larg rrethit të fëmijëve të tjerë, aspak i ngjashëm me ta, tërësisht i ditur, që e shikonte botën krejt ndryshe, me një vizion të qartë afër dhe larg, të tashmen dhe perspektivën. Ai ishte i veçantë në marrëdhëniet me shokët, me vëllezërit, me të afërmit. Ai ishte i veçantë edhe në marrëdhëniet me femrat. Ajo njihte edhe historitë dashurore që i biri kishte pasur me vajza të tjera. Po ato ishin larguar. A do mundej kjo vajzë e re, ky “engjëll i rënë nga qielli” të kuptonte madhështinë e djalit të saj? Prandaj ajo, me një përulje tërësisht njerëzore iu drejtua nuses së ardhshme, që mezi e kish pritur, me fjalët: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin? Po Nafije Mema, kjo vajzë e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, e shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Jeta nuk kishte qenë e lehtë për të. Ajo kishte filluar me idealizëm, me “Poetin e ditës”, të asaj kohe dhe më pas fjalët për Lasgushin ishin shuar. Kishin ndarë bashkë vetminë, largimin e gati të gjithë miqve të dikurshëm. Por ajo nuk u ankua kurrë për këtë. E rëndësishme për të ishte dashuria. Në ditët e tyre të errëta rrinin pranë njëri-tjetrit në heshtje, ajo që e donte me një dashuri vetëmohuese gjer në vdekje dhe ai i shpërblyer nga Zoti me një bashkëshorte me virtyte që ai gjithmonë i kishte ëndërruar. Ishte i sigurt që e kishte lodhur shumë. Ajo kishte plotësuar me vetëmohim për hir të dashurisë të gjitha tekat e tij prej Poeti.
Po kujtojmë këtu dy nga më të dhimbshmet. Ne dy motrat, vajzat e tyre, që të vogla disa muaj të vitit kalonim larg nënës tonë, larg përkëdheljeve të saj. Kishim nevojë të rrinin me të, të ndienim erën e saj si të gjithë fëmijët e botës. Por kur në fillimin e shtatorit nëna kthehej në Tiranë, sepse hapeshin shkollat, ne rrinim me babanë në Pogradec edhe tre katër muaj të tjerë, pasi klima e mirë e ndihmonte shëndetin e tij të dobët. Po nëna jonë duronte të na kishte larg e nuk ia prishte këtë tekë nga më të torturonjëset për shpirtin e saj. Edhe kur u rritëm Kostandina, jo më shumë se 18 vjeçe vazhdoi shkollën e lartë me korrespondencë dhe pasi e mbaroi u emërua në Pogradec. Edhe gjatë kryerjes së shkollës së lartë, edhe kur filloi punë, mamaja e përjetonte këtë ndarje me durim vetëm mos ia prishte qejfin burrit të saj që e adhuronte.
Nëna për 30 vjet e kreu në mënyrë shembullore detyrën e saj si mësuese e përkushtuar, e klasës së parë, në shumë shkolla të Tiranës.
Për punë të mirë Kuvendi Popullor i dha asaj titullin “Mësuese e Merituar”, më 1967. Ajo do të zinte vendin e dytë në konkursin kombëtar për hartimin e tekstit të abetares dhe duke u mbështetur në eksperiencën e saj do të botonte librin “Nga përvoja ime në punën me abetaren”, që do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për mësueset e reja.

Si ishte për Lasgushin ndarja nga jeta e Nafijes. Si e përjetoi këtë moment?

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, babai i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndienim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kishte jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur askujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ishte vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të Rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”. Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

A është botuar e gjithë vepra e Lasgush Poradecit?

Ne jemi përpjekur të botojmë gjithçka ka lënë. Në sensin që atë Dritë që ai ka lënë, duam ta përhapim. Por “errësirat” nuk duan. P.sh veprat e tij nuk i kanë futur në bibliotekat e shkollave. Dhe ky është një turp për një vend që po kujton se po ndërton një jetë të re.

Ka poezi të pabotuara?

Nuk ka poezi të pabotuara. Janë disa korrespodenca, shumë interesante dhe me vlera kombëtare.

ALDA BARDHYLI : Libri “i rrezikshëm” i Arshi Pipës

Vehbiu

Ardian Vehbiu në një rrëfim mbi librat e zemrës



Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Lexoj edhe fiction, edhe non-fiction. Më tërheq historia e mendimit intelektual dhe antropologjia.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Viti ‘93” i Hygoit. “Xha Gorioi” i Balzakut. “Ne” i Zamjatinit. “Solaris” i Stanislaw Lem.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Të Borges-it.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Po i rendis kuturu: Chuck Palahniuk, Pascal Quignard, Nassim Nicholas Taleb, David Markson, Jean Echenoz, Viktor Pelevin, Slavoj Zhizhek, Emmanuel Carrère, Don DeLillo, Douglas Hofstadter, David Graeber. Po shtoj këtu edhe ca autorë të dashur për mua, që pak kohë ka që kanë vdekur: Umberto Eco, David Foster Wallace, Jean Baudrillard dhe Simon Leys (Pierre Ryckmans).Nga shkrimtarët që shkruajnë shqip, do të veçoja Bashkim Shehun, Ardian Kyçykun, Elvira Donesin, Idlir Azizin, Arben Deden.Luljeta Lleshanakun, nga poetët.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Prozë: më pëlqen qasjanarrative post-moderne. Më mahnit letërsia greke antike, që nga Homeri te tragjedianët e mëdhenj. Nga zhanret, më tërheq fantashkenca dhe letërsia spekulative.Si rregull, nuk lexoj romane me temë historike.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Ndoshta libra shahu? Ose libra për gjeometrinë dhe artin? Historinë e matematikës? Historinë e mjekësisë? Historinë e muzikës? Më intereson shumë stalinizmi – kam një raft të tërë me libra për këtë temë. Nga ana tjetër, duke qenë specialiteti im i ngushtë linguistika dhe semiotika, gati gjysmën e librave i kam nga kjo fushë. Si letërsi artistike mbaj vetëm ato vepra që më kanë pëlqyer veçanërisht, të tjerat i dhuroj pasi i kam lexuar – edhe pse tani po përpiqem që të kursej letrën dhe letërsinë e zhanrit ta lexoj në Kindle.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Klouni protagonist te “Me syrin e një klouni”, i Heinrich Böll-it. Shvejku. Kur ende fëmijë, isha dashuruar keqazi pas Rebekës së “Aivenhoi-t”, romanit të Walter Scott-it.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexoja shumë, sidomos letërsi franceze të përkthyer: Hygo, Balzak, Stendal, Zhyl Verne. Sidomos Zhyl Verne.“Udhëtimet e Guliverit” të Suiftit e kam lexuar tepër herët për ta kuptuar mirë. Tani që e mendoj, edhe letërsi ruse: Turgenjevin, Tolstoin, Çehovin dhe nga fantashkenca, “Mjegullnajën e Andromedës,” nga Efremovi. Nga autorët shqiptarë, veçoj Mitrush Kutelin e “Tregimeve të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilos”; Petro Markon e “Shpellës së piratëve”; më pas Kadarenë e “Kronikë në gur” dhe “Kështjellës.”

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Në vitet 1980 qarkullonim dorazi letërsi përndryshe të ndaluar – besoj se kjo vinte me një farë rreziku, sado teorik. Mbaj mend që ashtu kemi lexuar Dostojevskin, Camus-në, Sartre-in, Freud-in, Kunderën. Libri “më i rrezikshëm” që kam lexuar atëherë ndoshta ka qenë monografia e Arshi Pipës, për standardizimin e shqipes, që ma kanë dhënë të fotokopjuar. Kur kam lexuar romanin “1984” të Orwell-it, më është zënë fryma.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Qytetet e padukshme,” i Calvino-s. “Shpikja e Morelit”, nga Bioy Casares.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Kulla e Sahatit” ka qenë i pari në shqip, dhe më i rrëmbyeri si përrua. Më personali është “Sende që nxirrte deti”, ndërsa më i latuari, nga pikëpamja e artit letrar – gjithnjë për mua – “Bolero.”

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Refleksione”, që ai vetë e ka shkruar, si bashkautor, në fillim të viteve 1990.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të doja të ulesha me tre miq të mi të shtrenjtë, që sot ua ndiej shumë mungesën: Teodor Kekon, Ardian Klosin dhe Artan Minarollin.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Për fat të keq, lë shumë libra përgjysmë; kjo ngaqë formati elektronik më lejon t’u hedh një sy librave që më bëjnë kurioz, pa qenë nevoja t’i blej. Sot bëhet shumë letërsi e keqe, e mërzitshme për vdekje, por që pompohet me të madhe nga kritika; në një kohë që i kam mundësitë për të lexuar më të mirën, të cilën duhet ta kërkoj vetë, si prospektorët arin. Libri i fundit që kam mbyllur pa e mbaruar: “Ëndrra e kthimit tim,” nga Horacio Castellanos Moya. M’u duk banal. Pa çka se një libër i tiji që sapo kisha mbaruar, “Neveri” (“Revulsion: Thomas Bernhard in San Salvador”), më kish lënë gojëhapur.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Dikë që do të kish lindur kur unë të mos isha më.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat e Borges-it, të Eco-s, të Calvino-s, të R. Barthes-it dhe të Foucault-it.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Ka disa klasikë që ende s’i kam prekur. Por këtë e mbaj sekret, se pastaj do ta përdorin kundër meje (!).

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Ka autorë latino-amerikanë që dua, që duhet t’i eksploroj më mirë.

HASHASH-BUXHETI OSE TESTAMENTI POLITIK I EDI RAMËS

astrit-patozi


Po të bënim një krahasim në vite, buxhetet e shtetit janë si vëllezërit, të cilët, sa ngjajnë, aq janë edhe të ndryshëm. Ndaj edhe për këtë arsye ata mund të pagëzohen me një emër, që i dallon nga njëri-tjetri, në varësi të peshës, që ka një temë e caktuar në synimet e tyre politike dhe sociale.

Për shkak të polarizimit të fortë politik në Shqipëri, ne jemi mësuar tashmë me kontrastet e thella në epitetet që u mvishen buxheteve. Qeveria thotë, fjala vjen, rilindje, ringritje, shpresë, besim, prosperitet, begati dhe përparim, ndërsa opozita flet zakonisht për depresion, varfëri, korrupsion, babëzi dhe dëshpërim. Natyrisht, që ka ekzagjerime nga të dy anët. Por jo thjesht se ne jemi një vend i varfër, dhe jo vetëm se unë jam deputet i PD, opozita është shumë më afër të së vërtetës.

Unë nuk do të merrem me analizën e detajuar të buxhetit, sepse jam i sigurt që do ta bëjnë me shumë profesionalizëm kolegët e mi. Jam i sigurt se ka plot vend për ta bërë copë dhe rrëzuar një buxhet shqiptar. Por sado keq të jetë konceptuar dhe shkruar buxheti, që po shqyrtojmë, do të ishte luks nëse ne do të merreshim sot thjesht me kritikën e tekstit. Sepse unë mendoj se buxheti në vetvete, edhe më i keqi qoftë ai, është gjithësesi më i pranueshëm se ajo që ndodh me arkën e shtetit, pasi ai miratohet në parlament.

Masakra e vërtetë vjen gjithmonë kur lukunia e kusarëve të pushtetit i vërsulet financave të brishta publike, që janë në fakt taksat e shqiptarëve. Dhe sulmi fillon që më 3 janar, për të mos thënë edhe më shpejt. Ndaj ky buxhet edhe i mirë po të ishte, do të katandisej si paraardhësit e vet. Do të copëtohej në koncensione e tendera korruptivë, në abuzime dhe shpenzime luksi, sic ka ndodhur sidomos në këto tre vjetët e fundit, që kur timonin e ka marrë në duar Edi Rama.

Por ky duhet te ishte buxheti më i mirë ndoshta i kësaj qeverie, sepse ai përkon me zgjedhjet, dhe Edi Rama do që t’i fitojë ato me cdo cmim. Do ta bënte kushdo në fakt, sepse nuk mund të mohohet që askush nuk do që ta lërë me dëshirë pushtetin. Por nuk është vështirë të konstatohet që ai në fakt është buxheti i vazhdimësisë së depresionit të kësaj qeverie, që nga 2013-a e deri tani, sepse nuk shquhet për asgjë të re. Për të mos thënë se ka edhe prapakthehu, për të mbushur ndonjë gropë të tre buxheteve pararendëse.

Dhe në rast se do ta trajtonim atë si një kulminacion të një mandati politik, ky buxhet është në fakt konfirmimi i varrosjes së premtimeve të bujshme të tre vjetëve më parë për shëndetësi dhe legalizime falas, për taksa më të ulëta dhe përralla të tjera të “Rilindjes”. Ndaj edhe ai është, pa asnjë dyshim, monumenti më i spikatur i dështimit spektakolar të kësaj mazhorance.

Por edhe pse i përmban të gjitha këto elementë, prapëseprapë ai e meriton një epitet, qoftë edhe për të mos e ngatërruar me të tjerët. Sipas meje, dokumenti që kemi përpara mund të quhet pa frikë si buxheti i hashashit, edhe pse kjo fjalë nuk gjendet në asnjë rresht të tij. Dikush mund të thotë se i paskam rënë për shkurt, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse unë, sic e dini edhe ju, nuk shquhem shumë si hashasholog.
E kam quajtur kështu sepse kam bindjen se kjo qeveri tek kultivimi dhe trafikimi i kanabisit ka mbështetur gjithë shpresën, jo vetëm për mbijetesën e saj politike, por edhe atë të ekonomisë kombëtare, prej kohësh në pikiatë. Dhe kjo sidomos dhe vecanërisht në dy vjetët e fundit. Jam shumë i sigurt që vitin që vjen, do të jetë një vërshim të pazakontë të mbjelljes dhe të shitjes së kanabisit, sepse do të jenë zgjedhjet nëpër këmbë dhe nevojat e mafias së drogës do të jenë më të mëdha.

Është sa naive, aq edhe djallëzore, gjenerimi i parave të pista në ekonominë e vendit, si mënyrë për ta shpëtuar atë nga kolapsi. Por tek e fundit, kjo është kryevepra e vërtetë e kësaj qeverie në këto vite, për të cilën natyrisht nuk mburret dot publikisht.
Natyrisht, nuk ka një zë në buxhet për hashashin, por një raport I Brukselit para disa ditësh nënvizonte se prodhimi dhe trafikimi i bimëve narkotike zë 2.7 përqind të të GDP-së kombëtare në Shqipëri. Nuk jam shumë i sigurt nëse kjo gjë thuhet për Kolumbinë apo Afganistanin, si eksportuese droge me famë botëriore, që janë, por është jashtë cdo dyshimi se për Europën kjo është një risi, ndërsa për qeverinë e Edi Ramës një rekord i zi. Do të ishte humor i zi dhe cinizëm ekstrem që opozita sot t’i kërkonte Edi Ramës që të korrektonte buxhetin, duke përfshirë në të edhe efektet që sjell industria e kultivimit dhe trafikimit te kanabisit në Shqipëri. Për shkak se jemi seriozë dhe të shqetësuar, ne nuk kemi sot një amendament për këtë cështje.

Por është më keq se sa duket, mendoj unë. Edhe pse tingëllon si e mirëkalkuluar, unë nuk e besoj shifrën që jepet nga raporti i BE. Sepse mendoj që pesha e këtij aktiviteti kriminal në GDP-në e vendit është më shumë. Sepse ajo llogari me siguri që është bërë ndoshta duke patur parasysh vetëm sasitë e kapura, cdo ditë, kryesisht nga policitë e huaja, të cilat janë kolosale. Por të mos harrojmë se sasi të pamatshme kanabisi dhe drogërash të forta, që nisen nga Shqipëria, arrijnë të penetrojnë në kufinjtë e BE dhe për to, sigurisht, nuk ka statistikë.

Unë e di se mafia e drogës, që lundron mbi para të pista, me licencë të qeverisë, ka buxhetin e saj të madh, që nuk ka asnjë lidhje me këtë që po diskutojmë ne. Por kam merakun se ajo mund të fyhet po t’i themi se produkti i saj kriminal zë vetëm 2.7 përqind të GDP-së, sic thotë raporti i Brukselit.

E kam dëgjuar shpesh kryeministrin të irritohet sa herë që përdoret termi Kolumbia e Europës, me argumentin se nuk mund të qëndrojë ky krahasim. Sepse, sipas tij, është shumë i rëndë për vendin, një barrë që nuk i takon ta mbajë. Është afërmendsh që Frontit të së Keqes i janë errur sytë dhe nuk e shikon dot mrekullinë, që ka ndërtuar në këto tre vjet Edi Rama.

Por unë nuk e mbaj dot dhe po e them, që ne jemi më keq se Kolumbia. E dini pse? Sepse Qeveria e Bogotasë nuk e kontrollon dot të gjithë territorin e vendit dhe ajo nuk mban dot përgjegjësi për zonat nën regjimin e FARC-ut. Kurse Shqipëria nuk e ka këtë problem, ndaj edhe qeveria e saj është përgjegjëse për cdo centimetër katror, që është vënë në dispozicion të mafias për t’u mbjellë me drogë.
Kam bindjen se ky e meriton epitetin e vet, edhe sepse është buxheti i fundit i kësaj qeverie të korruptuar dhe të falimentuar. Dhe jam I sigurt se Edi Rama do te synojë ta përdorë atë edhe si narkotik për zgjedhësit shqiptarë, që do të vendosin pas një viti për fatin e tij politik.

Sot që po flasim jemi në gati gjashtëmujorin e fundit të kësaj qeverie. Për cfarë do të mbahet mend ajo? Kush është suksesi i saj më i madh dhe më i prekshëm? Asnjë metër rrugë, asnjë investim serioz, pagat në vendnumëro, pensionet gjithashtu. Kurse hashashi është një sukses i gjithëpranuar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.
Dje e thonte BBC, gjigandi britanik i informimit të publikut dhe unë e kam të vështirë të pranoj se edhe ajo është bërë pjesë e Frontit të së Keqes. “Shqipëria është prodhuesja dhe eksportuesja kryesore e kanabist në Europë”, thonte dje dhe vazhdon ta publikojë edhe sot reportazhin e saj BBC.

Kjo natyrisht është edhe qeveria e palmave, e dritave, e ngjyrave të ndezura, e fasadave, e qendrave të qyteteve, që “rilindin”, e vijëzimit të rrugëve, e stadiumeve, e pishinave dhe e shatërvanëve. Sepse Edi Rama mendon se Shqipëria nuk është ajo që jeton varfërinë, padrejtësinë dhe dëshpërimin, por ajo që duket në televizor.

Vetëm një hashash – buxhet mund të vijojë shpërndarjen e taksave të qytetarëve të vet në koncensione, dhe shërbime gati virtuale, pa bërë asnjë punë që mbetet. Sepse jam I sigurt që Edi Rama do të vijojë të shajë rrugët tona, sic ka bërë gjithë këto vite, edhe kur të shkojë në fushatë, në pranverën e ardhshme. E bëri edhe sot për minuta të tëra. Por sado që diku edhe mund të jetë tepruar apo mund të jetë bërë edhe ndonjë gabim me to, rrugët e ndërtuara nën qeverisjen tonë janë aty për t’u shërbyer njerëzve, për të lidhur pjesët e kombit, qytetet dhe fshatrat tona me njëra-tjetrën.

Ndërsa ky kryeministër, që përmes këtij buxheti na ka sjellë në parlament testamentin e vet politik, e vetmja gjë për të cilën mund të mburret në këto katër vjet është shkëlqimi dhe mjerimi i industrisë së hashashit. Ndaj edhe ky buxhet meriton të refuzohet, sepse vendet demokratike dhe të civilizuara nuk e pranojnë dot t’u nënshtrohen mafias së drogës.

Astrit PATOZI

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...