Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/15

Acarohen mardheniet Kroaci-Serbi

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka anuluar pjesëmarrjen e tij në një takim që do të zhvillohet më 3 mars 2017  në Zagreb, me homologët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Jug-lindore.

auto_dacic-vucic-ap1487067504

Vendimi, ka bërë të ditur dikasteri i drejtuar nga Ivica Daçiç, është marrë pas deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm kroat, Davor Stier, kundër parimeve themelore për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Daçiç i është referuar edhe celebrimit në Kroaci të lumturimit të kardinalit Alojzije Stepinac, i akuzuar nga Beogradi për krime lufte dhe mbështetje të regjimit kroat gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas kritikave të Ivica Daciç, shefi i diplomacisë kroate ka mbyllur çdo rrugë komunikimi me homologun serb.

“Kroacia synon të vazhdojë mbajtjen e marrëdhënieve të mira me Serbinë dhe të ruajë një kanal komunikimi me Beogradin, por kjo është e pamundur me ministrin Ivica Daciç”, ka deklaruar ministri Davor Stier.

Ministri serb i punës, Aleksandar Vulin : Po e paditi Shqipëria Serbinë për gjenocid, përkeqësohen marrëdhëniet

Ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, ka thënë se marrëdhëniet në mes Serbisë dhe Shqipërisë do të përkeqësohen ndjeshëm nëse Tirana pranon ta padisë Beogradin për gjenocid në vend të Prishtinës, siç është spekuluar nga gazeta Sputnik të martën.


Pasi e përditshmja ruse Sputnik të hënën shkruante se Shqipëria mund ta padisë Serbinë për gjenocid në vend të Kosovës ngase ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, Vulin ka thënë se marrja e këtij roli nga Shqipëria, s’do të ishte gjë e ndershme.

Mali i Zi, Rusisë: Mos u përziej në anëtarësimin tonë në NATO

nato_2015-jpeg-0ccec-1144x665-650x358

Kryeministri i Malit të Zi i ka bërë thirrje Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan që mos të kundërshtojnë anëtarësim e saj në NATO.

Dushko Markoviç tha të marten se ata që duan që të destabilizojnë vendin duke ndërhyrë në punët e saj ‘duhet të mbajnë duart e tyre jashtë Malit të Zi’.

Markoviç ka bërë këto komente pasi partitë opozitare pro-ruse kanë denoncuar një telefonatë nga prokurori special i Malit të Zi, duke i bërë thirrje kuvendit kombëtar për heqjen e imunitetit të udhëheqësve të lartë të opozitës të dyshuar në përfshirjen e një komplori pro-rus me qëllim për përmbysjen e kërkesës sa saj për anëtarësimin në NATO.

Parlamenti voton mbi imunitetin të mërkurën.

Rreth 20 persona, përfshirë edhe dy shtetas rusë, kanë qenë të dyshaur për një komplot që dyshohet se kishte për qëllim vrasjen e një ministry të atëhershëm.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi: Jam i frikësuar, sepse kryeparlamentari i Kosovë Kadri Veseli po fuqizohet



Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi pasi që është nominuar nga partia e tij si kandidat për president të Serbisë, ka folur edhe për rajonin, e në veçanti për Kosovën.

Ai ka thënë se në Serbi e kanë kritikuar për dorështrengimin me ish presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton.

“Sigurisht se ia kam shtrënguar dorën, dorën ia kam dhënë edhe Thaçit. A mendoni se me pëlqeu? Kjo është puna ime. Puna ime është që t’i shtrëngoj duart në mënyrë që Serbia mos të luftojë”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Duke folur në televizionin publik serb edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se për herë të parë nuk ka kuptuar se çfarë ka ndodhur në bisedimet e Brukselit.

“Tomës (presidentit Nikoliq) i kam thënë kur kemi hyrë në aeroplan se jam shumë i frikësuar. Këtu jam njeriu më me së shumti përvojë, jam veteran sa i përket kësaj çështje, nuk mund të me frikësojnë me trike të thjeshta. Për herë të parë jam frikësuar, sepse nuk e kam kuptuar çfarë kanë bërë ata të BE-së dhe çfarë kanë bërë shqiptarët”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se “ka ardhur deri te karateja e përzier”, pasi që sipas tij, Isa Mustafa e ka humbur rolin e tij, kurse Kadri Veseli po rritet dhe fuqizohet, e kjo, siç ka thënë ai, është keq për Serbinë.

“E kam thënë të vërtetën pas atyre takimeve, askush nuk me ka demantuar. Jemi marrë vesh dhe hajde tash të bëhemi sikur nuk jemi marrë vesh. Luaj shah tërë jetën dhe nuk i kam kuptuar çfarë deshën dy herët e fundit. Kjo me frikëson dhe e kam një lloj ankthi”, ka thënë ai.

Serbia me mbi 100 fletë arreste kundër kosovarëve

beogradi

Ministria serbe e Drejtësisë ka shpallur më shumë se 100 fletë arreste për krimet e bëra në Kosovë në fund të viteve të 90-ta.

Siç njofton tanjug, fjala është për fletë arrestet e shpallura kundër personave ndaj të cilëve po vazhdojnë hetimet si dhe ndaj personave ndaj të cilëve hetimet janë në përfundim pas arrestimit të të dyshimtëve, siç është rasti me Ramush Haradinajn.

“Bërja publike e emrave të të dyshuarve në këto fletë arreste do ta humbiste kuptimin, sepse të dyshimtit me siguri nuk do të rrezikonin për t’u arrestuar”, ka thënë burimi të cilin agjencia serbe e quan njohës të punës së institucioneve të hetuesisë si në Serbi ashtu dhe në Kosovë.

Fati i 9200 shqiptarëve të pafajshëm në Masakren e Bihorit

masakra-e-bihorit-1

Në prag të Kërshëndellave Ortodokse më 5 dhe 6 Janar 1943, forcat pushtuese serbo-çetnike masakruan 9200 shqiptarë dhe detyruan të shpërngulën me dhunë 32 000 të tjerë. Me bekimin e Kishës uzurpatore Ortodokse të Serbisë, forcat çetnike kryen një prej krimeve më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore në Gadishullin Ilirik. Bihori mbetet në kujtesën historike të kombit shqiptar si një prej ngjarjeve që dëshmon, se Besë me serboçetnikët dhe sllavokomunistët shqipfolës nuk ka dhe nuk mundet të ketë KURRË.

konvertimi i dhunshëm

Të mbijetuarit e Masakrës së Bihorit u detyruan të konvertohen me dhunë. Vajzat e reja dhe gratë e mbetura pa burra u konfiskuan dhe u skllavëruan për nevojat e batalioneve çetnike. Për fatin e tyre, me përjashtim të pak rreshtave në raportin e qeverisë shqiptare të kohës nuk është shkruar asnjë fjalë e vetme përkujtimore dhe nuk dihet ende asgjë. Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila asokohe drejtohej nga serboçetnikët Milladin Popoviq, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviq Tempo dhe komisari i shërbimit çetnik Dora e Zezë, Velimir Stojniq, e heshti tërësisht ngjarjen dhe kurrnjëherë nuk e informoi opinion shqiptar me të vërtetën e ngjarjeve në Bihor. Përkundrazi, Partia Komuniste e Shqipërisë filloi të etiketojë shqiptarët e Kosovës si mbështetës të fashizmit dhe vuri në shënjestër të terrorit të kuq të gjithë drejtuesit politik të forcave nacionaldemokratike të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës u detyruan të presin rënien e sistemit komunist për të pasur sadopak mundësi të flasin dhe të shkruajnë për krimet e sllavokomunizmit dhe gjenocidin e ushtruar ndaj tyre.

konvertimi-i-dhunshem-i-te-mbijetuarve-ne-bihor

DOKUMENTI I PARË – LETRA E MUHAXHIRËVE

Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave

Shkëlqesi

Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime.

N’emën të muhaxhirëve të Bihorit

P.S.
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue.

DOKUMENTI i II-të

Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit
1.- Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, në zonën që quhet neutrale, midis Malit të Zi dhe Shqipnis, sepse nuk mvaret prej Administratës malazeze por as nuk asht e bashkueme me Mbretnin shqiptare , janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943.
2.- Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë nën zgjedhën e Malazezve, u ban dëshmorë të nji dëshire të shejtë, ata kanë pa me sy, ndër ato ditë të zeza, çka nuk ka ndodhur kurrkund ndër vise t’ona.
3.- Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle Gjurishiq ose t’urdhënuem prej “tij” u avitën tinas katundeve të Bihorit, tue kalue lumin, togje – togje, në të mugët e natën. Sa t’a kuptojë popullsia rezikun, çetnikët, u vërsulën kundër saj si bisha t’egra dhe e filluan me terbim veprën e tyne shnjerëzore tue prishun, tue gjegun e tue masakrue. Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kuryen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit. Kush mundi t’i shpëtojë vdekjes tue ikur, ka me e pasë për gjithë jetën në trup e në shpirt, vulën e tmerit e të vuajtjeve.

4. – Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky: Shtëpija të djegura 1763, burra të vramë 590; të therun 185, gra të vramë 340; gra të theruna 285, fëmijë të therun 701; të djegun 705, të grimë prej të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119, të vdekur nga urija, të plagosur: burra 359, gra 275, të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë me shpejti, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata q’i mendojnë e i kryejnë; dënimi i Drejtësis njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie qi janë tregue bisha të pashpirt.

5.- Shkaktar kryesuer i këtyre mizorinave mund të quhet Vojvoda Pavle Gjurishiq, shokët e çetat e tij. Ay paturpësisht pretendon se i asht shtrue autoriteteve ushtarake italiane të Maltzi dhe se bashkëpunon me to. Vepra kriminale e kryeme kundër Shqiptarëve të pafajshëm e të pamprojtun të Bihorit e provon plotësisht se Gjurishiqi dhe çetnikët e tij janë anmiq të betuam të fisit shqiptar. Janë gjithashtu anmiq të papajtueshëm t’Italisë: e treguen përpara dhe do t’a provojnë rishtas në ma të parin rast të volitshëm. Qi Pavle Gjurishiqi e organizoi planin e masakrit në Bihor dhe ndofta e zbatoi në vend, nuk duhet të ketë dyshim. Dëshminat e atyne q’i banë çetnikët në veprim e sipër; shenjat qi ata lanë në lamën e kërdisë s’provojnë mjaftësisht fajin e tij. Por, veç këtyne provave asht fakti se nuk mund të merret me mend qi, ndër ato vise, mund të veprojë nji çetë e madhe 4- 5 mijë vetësh pa dijen e pa lejen e tij. Në nji proklamatë të shpallun e të nënshkrueme prej tij, mbas masakrit, ay thotë tekstualisht: “Tragjedija e katundit Burgjeve ka sjellë dëshpërimin e popullit t’onë në kulm dhe ky ka eksplodue. Populli vetë asht çue me marrë gjakun dhe njëkohësisht me u mbrojtë. Kanë ndodhun tmere të pa mbajtura në mend deri më sot, qi ka qenë e pamundur me i ndalue. Komanda e çetnikëve dhe kryetarët e njësive të mija s’janë pjesëmarrës në këtë…” Qi ay gënjen pa turp, duket faqas, sepse çetnikët me uniforma e me të gjitha shenjat dalluese të tyne: ata e kryen kërdinë e jo katundarët malazias. Kjo gja asht evidente, e dukshme qartësisht, e pamohueme.

6.- Pavle Gjurishiqi flet, në Proklamatën e tij, për “tragjedinë e katundit Burgjeve” dhe, me këtë, don të thotë se faji asht i popullsis shqiptare, e cila i ka dhanë shkak munxynes së Bihorit. Kjo asht nji renë qi e akuzon dhe nuk e shfajëson. Ja si qëndron puna: Gadi dy muej ma para, malizas të katundit Burgjeve qi nuk shkojnë me Shqyptarët, mbassi shumë ndër “ta” e kanë zanat grabitjen dhe janë çetnikë, e atakuan katundin shqiptar Bular, rëmbyen 40 krenë lopë, 250 berra dhe vranë dy bari. Dy javë ma vonë, Shqiptarët e vendit, tue drojtun dhe kërcnime të tjera, u mbështjellën dhe shkuen në katundin Burgjeve, ku kishin mësue se gjindet nji pjesë e baktive të grabitun. Atje u pritën me pushkë prej çetnikëve dhe kështu u ndes nji luftë midis tyne. Përfundimi asht se u vranë disa nga të dy palët, u dogjën 5-6 shtëpi, por nuk u damtue as nji njeri qi nuk mori pjesë në luftim, as nji grue nuk u vra, as nji fëmijë nuk u plagos. Asht marri e thjeshtë të gjykohet se me ngjarjen e Burgjeve, të shkaktuese prej malaziasve, popullsia shqiptare ka provokue ahmarrjen e Bihorit. Kryeparë vihet re se katundi shqiptar Bulari, qi u ba shkak për ngjarjen e Burgjeve, as nuk gjindet midis atyne 82 katundeve që janë shkatrre prej çetnikëve.

7.- Asht jasht menç të thuhet se ndofta Shqiptarët e kanë shkaktue vet ngjarjen e Bihorit. Kryeepara ata mezi presin realizimin e idealit të tyne qi asht bashkimi me Mbretnin shqiptare. Ata e kanë kuptua mirëfilli se çdo ngatresë e trazirë në vend, shkon për dam të tyne. Ata vullnetarisht janë ba mbrojtës të qetësisë e kanë luftue kundër kryengritësve qi kërcnonin rendin e ri të vendosun n’at zonë. Ata u kanë dalë zot ushtarëve dhe karabinierëve italianë, kur këta janë ndodhur ngushtë si në ngjarjen e Beranës ku ishin rrethue nga çetnikët dhe u shliruen nga Shqiptarët -, jo për tjatër, por për njerzi e për mirënjohje kundrejt atyne ushtarëve qi kanë ardhur si shlirues të tokave shqiptare të Malitzi. Asht ky provokimi ma i randë për të cilin i fajson Pavle Gjurishiqi, sikundër del faqas nga Proklamata e tij q’u përmend ma nalt. Por, sigurisht “provokimi” asht vetëm nji fjalë për ta mbulue të vërtetën. Realiteti asht se Pavle Gjurishiqi me shokë, kundrejt Shqiptarëve nuk ban[ tjatër veç se me e zbatue planin ma të gjanë të Drazha Mihajloviqit. Baterdija e tmerrshme e Bihorit mund të thuhet se asht zbatimi i pikës së parë të Planit të kurdisun nga Mihajlloviqi, dhe të shpallun ca kohë ma parë prej Shtypit shqiptar, ku shfaqet qartas vendimi me e shfarosun popullin shqiptar t’atine krahinave.

masakra-ne-bihor-2

8.- Të mjeruemit e tragjedis së Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, nuk janë vetëm ata q’u shënuan ma nalt, në pikën 4. Janë edhe t’ikunit nga tmeri. Këta mbath e vdath kanë lanë plangun e shtëpinë dhe kanë marrë rrugën e malit dhe shumica e tyne kanë dalë përkëtej kufinit. Nji pjesë tjatër e madhe gjindet në Qendrën e Bjelopoles. Të parët janë 6- 7 shpirt, shumica në Pejë. Ata të Bjelopoles janë 4-5 shpirt. Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plagosunit e të sëmundit janë në rezik të madh. Sëmundje të rënda dhe të rrezikshme, edhe për popullsinë e vendit, mund të shfaqen në mes të tyne. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë dhe të dobishme. I takon Qeverisë mbretërore t’i vendojë e t’i zbatojë me ngutësi masat që do t’i duken ma të përshtatshme. Masat e shpejta dhe ma të nevojshme munden me u radhitë në këtë mënyrë: a) Organizimi i ndihmës, zyrtare e kombëtare, për muhazhirët të mjeruemit: strehim, veshje dhe ushqim; b) Dërgim i shpejtë mjekësh dhe barnash për të sëmundit; c) Organizimi i rikthimit të muhazhirëve nëpër vendet e tyne, pasi të vendoset atje qetësija dhe sigurija; d) Përkrahje materiale që të mundin ata t’a rifillojnë sa më parë punimin e tokës.

Masakra në Bihor
9.- Duhet theksuar se zgjidhja e plotë e çashtjes qëndron vetëm në rivendosjen e banorëve nëpër shtëpijat e vet. Por këto u dogjën e u shkatruan, sikundër edhe e gjithë pasunija e tyne e lujtëshme .Prandaj duhet mendua dhe vendosun mënyrat se qysh këta njerëz mundin të rivendosen nëpër plangjet e veta e t’a rifillojnë jetën e parë. Duhet theksue gjithashtu se n’atë vend nuk ka aspak siguri. Me kot thënkan autoritetet e Cetinës se mbretnon qetësija. Mbasi ikën çetnikët, si me thanë “zyrtarë”, u sulen (vërsulën –I . A)për grabitje banorë e bashibozuk të tjerë nëpër të gjitha katundet e prishuna. Këta janë t’armatosun thuhet se kanë edhe mitraloza. Asht fakt se banorët shqiptarë qi kanë dashun të kthehen në shtëpi të vet, si dhe ata qi kanë shkue për t’i varrue të vramit e të therunit, janë pritë me pushka dhe disa prej tyne kanë mbetë të vramë.
10.- Tue marrë parasysh se çka ndodhi në Bihor, si duket, vetëm fillimi i një prodroni kundër popullsis shqiptare, dhe ma për së shpejti ka me u ardhur siraja (radha – I.A.) krahinave të tjera, asht e domosdoshme dhe e ngutshme të mendohet dhe të zbatohen qysh tash masa të dobishme e të forta për t’a sigurue e për t’a shpëtue popullsin shqiptare të zonës neutrale. Shumë masa të përshtatshme mund të gjenden, por kryepari vijnë në mendje këto: a) Armatimi i popullsis shqiptare; b) Garantimi i kufinit të zonës neutrale me Malinezi nga ana e ushtris italiane të Malitzi; c) Organizimi i përshtatshëm i vullnetarëve shqiptarë të vendit; d) Vendosja në zonë ose aty pranë i autoriteteve eprore të Zonës. Këto masa mund të zbatohen sikundër tregohet ma poshtë:

11. Për t’a zbatue rifillimin e armatimit, duhet marrun ngutshëm masat që vijojnë:

a) Në popullin e Sienicës i aftë për të mbajtun armë, duhen dërguar së paku 6.000 pushka me municione të mjaftueshme dhe 3.000 pushka të tjara për Tutin e Rozhajë. Në këtë hesap nuk përfshihen nevoja për Plavë e Gusinë dhe që kapin 2.000 pushkë të tjera;
b) Do t’ishte gja e domosdoshme që, përveç pushkëve, të vihen në dispozitë të popullit shqiptar të Zonës neutrale një sasi mitralozash, të mëdha e të vogla. Për përdorimin e tyne ka mjaft njerëz të stërvitun.
c) Nënkuptohet se këto armë nuk do të ndahen të gjitha në popull, por vetëm një pjesë e vogël, ndër ata burra të njoftun e të besueshëm, që do të përbajnë si me thanë “Rojen Civile të Vendit”. Parija e çdo vendi mund të bahet dorëzanëse për njerëzit që do të marrin armët në dorëzim;
d) Sa për pjesën e madhe e këtyre armëve, dhe sidomos të municioneve, ato kanë me u vendue ndër depo të posaçme, të zgjedhuna simbas situatës së vendit dhe me të gjitha sigurimet që kërkon mirmbajtja dhe ruajtja e këtyne depove;
e) Shpërndarja e armëve nga depot e paramendume, do të bahet vetëm në rast reziku, domethënë kur të vërtetohen sheja të dukshme nga ana e çetnikëve për të mësye katundet e zonave në fjalë.

12. Që shpërndarja e armëve, në raste të tilla, të bahet e rregulltë dhe me të gjitha garancinat e duhuna, nevojitet nji organizim paraprak ndër çeta vullnetarësh, të mëdhaja e të vogla, simbas nevojave të vendeve të ndryshme. Këto çeta do të kenë në krye të tyne njerëz të njoftun që do të mundin me garantue për vullnetarët qi ata kanë me pasë nën urdhën të vet. Ky organizim mund të kryhet mirëfilli tue shënue, së pakut, tre oficera të stërvitun e t’aftë, si organizues të vullnetarëve ndër zonat e përmenduna, dome thanë nji në Senicë, nji në Rozhaj e nji në Plavë e Gusinë.

13. Duhet pohue për, se sa vullnetarët, sa armët që do të kenë ata, nuk do të mjaftojnë për mbrojtjen e vendit, kur ky të mësyhet nga çeta të mëdhaja, me armatim e organizim të përsosun, si ata të Pavle Gjurishiqit që kanë ba kërdin në Bihor dhe që përbahen nga mija shpirta. Prandaj zonave neutrale të përmenduna, u duhet me doemos një vërejtje e posaçme nga ana e fuqive t’armatosuna italiane të Malitzi. Ato duhet t’organizojnë një rjetë postësh për t’a vërejtun lëvizjen e çetave të mëdhaja e, në rast nevoje, për me ndalue të msymit e tyne, ose për ta ndihmue përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë.

14. Për të pasun populli shqiptar nji provë të dukëshme interesimi t’autoriteteve eprore italiane e shqiptare, do t’ishte mirë që Komisari i Naltë, Shkëlqesa Umilta, sidhe një nëpunës shqiptar me autoritet, t’a vendosin qendrën e veprimtaris së tyne në Senicë, ose aty pranë.

15. Populli shqiptar i zonës neutrale e kupton me zor situatën e sotme, që sy duhet të vazhdojë me ndejtun i ndamë prej Shtetit shqiptar. Dëshira e tij ma e flaktë dhe shpëtimi i tij i sigurtë do t’ishte aneksimi i menjëhershëm. Ay e din boll mirë dhe nuk dyshon se ky përfundim dëshirohet prej Qeverisë shqiptare dhe gjen përkrahje pranë Qeverisë italiane, si edhe se ky bashkim do të kryhet në çastin e volitshëm. Por, për t’i dhënë atij fuçinë shpirtërore dhe durimin me prit, duhet qi, interesimi i Qeveris dhe përkrahja e Qeveris italiane të marrin një formë të gjallë, për t’a rivendosun atë popull të mjeruam ndjenjën e sigurisë dhe për t’a forcuen shpresën e tij. Masat q’u përmenden ma nalt, dhe të tjerat që Qeverija Mbretnore nund t’i gjejë vetë, duhen zbatue ngutësisht e në mënyrë sa ma të dukëshme, që populli t’a rifitojë besimin në mbrojtjen e saktë të Qeverisë shqiptare dhe që, n’anën tjetër, të mund të mënjanohen ato të këqija për ahmarrje e të tjera që mund të lindin nga dishprimi i popullit.

16. Autoritetet shqiptare të njanës anë dhe ato italiane n’anën tjetër duhet të kenë besim te mendarija (te të mençurit –I. A.) e popullsis shqiptare. Ajo e kupton vleftën e urtësis dhe të durimit në këto çaste. Pra, jo vetëm se nuk kërkon të nxjerë ngatrime, por do të mundohet të gjith krenat e saj të ndalohen e të prevenojnë çdo akt e vendim të papëlqyeshëm.

I bashkohen këtij relacioni nji sasi dokumenta – radhoj e qartësisë fiktive të cilat epen hollësinat dhe provohen çka u tha ma nalt mbi mizerinat e kryme prej Malazezve ndër katundet e Bihorit. Tiranë, me 30 Kallnuer 1943-XXI.

DOKUMENTI i III –të

Drejtoris së përgjithshme të Kryqit të Kuq

Me anë të ngarkuesit t’onë zotni Emrush Myftarit po ju dërgojmë nji kuti me raportin mjekues ku gjinden të mbylluna nji pjesë të masakrimevet që kanë bërë çetnikët Malazez kundra popullatës Shqiptare të Bihorit që gjinden gjatë bregut të lumit, në anë të këtyne dokumenteve mundë të marrë vesh gjithë bota mbarë se këto janë veprimet e shekullit 20 që kanë adaptue çetnikët Malazez kundra nji zone thjesht Shqiptare dhe që në dejt e banorve të tyne vlon gjaku Shqiptar. Këta vllazën masakrue nga anmiku pse pakë në numër në proporcion me ata të anmikut që i ka sulmuar dhe pa mjete luftarake. Këta vllazën me gjith se janë Shqiptarë fatkeqësisht kanë ngelë provizorisht jashtë vijës së demarkasjonit si zonë neutrale dhe me gjith kërkesat e tyne qi t’i lidhen nënës Shqipni, fatkeqësisht dëshira e tyne nuk mbriti të realizohesh deri sa anmiku i zhduki nji herë e përgjithmonë. Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova.

Rrozhajë, me 23-I-1943

DOKUMNETI i IV-të

1.- Kokë djali rreth 13- 15 vjeç e preme me anë të nji arme të bardhë (shpatë- thikë)dhe këtë me nji të sjellme nga e cila shihet se anët e plagës janë krejtësisht të rrafshëta, kështu qi skajet e ashtit të nofullës të poshtme janë krejt të rrafshëta.
2.- Kokë gruje rreth 22-26 vjetshe e preme me anë të nji arme të bardhë e cila shihet në skajet e plagës janë krejt të rrafshëta. Flokët e kokës djegun dhe lëkura karbonizua, nga e cila shihet se koka i është premun grues së gjallë dhe masandej hjedhun në zjarë.
3.- Shuplakë djaloçi rreth 10 vjetësh e preme me nji të sjellme me nji armë të bardhë nga e cila shihet se skajet e plagës në asht (koc) e mish janë të rrafshëta.
4.- Këmba e burrit të pjekun, e preme me armë prefëse me nji të sjellme si kur duket nga skajet e rrafshëta të plagës në asht e mish.
5.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se dora e fatkeqit ka qenë premun për së gjalli dhe masandej hjedhun në zjarr. Dora ësht e nji djali.
6.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se asht premun për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora i ka përkitun nji persone të rritun.
7.- Dora e majtë e preme pak nën bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se ka qenë e preme për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora ka qenë e nji persone të rritun.
8.- Veshi i djathtë dhe i majtë të njeriut pjekun. Tu dy veshtë kanë qenë të premë në nji të sjellme e me anë të nji arme prefse, nga duken skajet e së premes plotësisht të rrafshëta. Të dy veshët janë të preme më parë.
9.- Veshi i djathtë i premë në bazë të nji të sjellme e me anë të nji arme të preftë, nga duken skajet e së premes plotësisht të rafshëta.
10.- Hundë me buzën e sipërme me gjithë mustakët të preme mbi kocin e hundës. Skajet e plagës janë të rrafshëta.
11.- Syni i djathtë dhe i majtë, të nxjerrun me kapak nga gropa e syvet. (Rozhajë, 23 I 1943)

DOKUMENTI i V-të

Kryesis Komitetit të Kryqit të Kuq Shqiptar

Në Rozhajë mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka. Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s’janë hetue sëmundje efektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronshit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë. Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë.

Nëpër disa gra e djelm asht dukun në disa raste avitaminoza dhe këtë “D” “B” C”. Ka fillue organizimi i banjës primitive dhe spitalit prej 15-20 shtretë. Prandaj i lutemi Kryesis Kryqit të Kuq Shqiptar, t’udhëzon dërgimin sa më të shpejtë të ndihmës në roba djemsh, grash dhe burrash, dhe po qe e e mundun dhe me rrobat për fëmijët në moshë të ndryshme, e për foshnjët e vogla në gji, pelena (shperra) gjithashtu të keni mirësinë me dërgue ndihmë të shpejtë në medikamente për të cilat ndihet nji mungesë e madhe sidomos në materialin mbështjellës dhe në specialitetet e vitaminave (C, A, B dhe D) me të cilat aspak s’disponohet në këto vise.

Lusim ma tepër t’urdhënoni dërgimin e nji mjekut, e në qoftë se Kryqi i Kuq Shqiptar nuk disponon nji mjek, të përpiqeni pranë Ministrisë përkatëse se të dërgojnë me urgjencë së paku nji mjek, dhe së fundit drejtohuni patriotizmës së mjekëve të Tiranës që të vijnë në ndihmë ndonji prej tyne si vullnetarë në këtë anë të masakrueme.

Rozhajë, më 23-I-1943 Kandidat Medicine – Hasan Llukaqi.

(Notë: Shkrimi është i plasuar në origjinal ku mundë të gjeni në shumë raste terme dhe karaktere të dialektit Gegë)

50 hijet e shtypjes së grave


shqipe-gjocaj

Nga Shqipe Gjocaj

Është shkruar e debatuar shumë për trilogjinë e librave Fifty Shades nga E. L. James. Me kritika të mëdha për mungesë të vlerave letrare, të tri pjesët e Fifty Shades prapë se prapë e pushtuan tregun komercial të librave më të shitur.

Ngjashëm ndodhi edhe me filmat, ku i dyti i bazuar në tekstin e dytë momentalisht po i dominon kinematë botërore, përfshirë edhe ato të paktat në Kosovë. “Me 1400 bileta të shitura sot për filmin Fifty Shades Darker kemi vendosur rekord te ri!” – mburret Cineplexx Kosova. Filmi qëllimisht shfaqet mu në kohën e festës së të dashuruarve Shën Valentinit, dhe pa dyshim që zhanri i filmit po promovohet për romancë, erotikë dhe përqafim të seksualitetit femëror.
Por as librat dhe as filmat e bazuar në to, nuk kanë të bëjnë asgjë me asnjërën nga të tri konceptet e përmendura,, dhe assesi me natyrën dhe mënyrat komplekse se si manifestohen në praktikë përmes përvojave dhe raporteve reale.

Kudo ku dominon patriarkati, dinamika dominues / e dominuar është narrativë jo vetëm e njohur por edhe e mbrojtur shoqërisht e institucionalisht; burri dominuesi ndërsa gruaja e dominuara. Kjo dinamikë tipike prezantohet në Fifty Shades. Burri, i pasur, vetjak, narcizoid, ndërsa gruaja, e pasigurt në veten e saj, e papërvojë seksualisht, dhe në kërkim patetik të dashurisë.

Ai është biznesmen i pasur që e josh me dhurata të shtrenjta, ndërsa ajo është studente që punon me gjysmë orari në një dyqan. Ai i di dhe i ka përjetuar të gjitha, ndërsa ajo tërësisht pasive por e gatshme që përmes dashurisë së një burri t’i tejkalojë ‘kufijtë e saj fizikë dhe mendorë’; “Nuk është dhimbje, është kënaqësi” – manipulon dominuesi Green me të dominuarën Steel.

Kushdo që është e/i familjarizuar me konceptet e dhunës ndaj grave, ngacmimit seksual, kërcënimit dhe përndjekjes, besoj që i ka lexuar librat apo parë filmat me sy kritik. Nuk është romancë, as erotikë dhe as BDSM. Përderisa librat thirreshin në eksplorimin e seksualitetit femëror dhe përqafimit të ‘anës së errët’ së saj, janë pikërisht anëtarë të komunitetit BDSM që jo vetëm kanë qeshur me mënyrën se si komuniteti i tyre është prezantuar përmes personazhit Grey, por e kanë cilësuar edhe të rrezikshëm sepse ky i fundit e shfrytëzon përvojën me BDSM për të manipuluar me dikë që nuk është fare pjesë e këtij komuniteti dhe as që ka informacion bazik se si funksionojnë raporte të tilla.

Sipas praktikuesve të BDSM, aktivitetet në fjalë, sikurse secili raport tjetër seksual bazohet në komunikim, mirëkuptim, siguri, dhe mbi të gjitha miratim (ang: consent) prej të dy palëve. “Grey për dallim është përndjekës klasik i cili e përcjellë, e frikëson verbalisht, dhe e izolon nga shoqëria protagonisten Steel.” – thotë njëri nga anëtarët e këtij komuniteti. Organizatat për mbrojtjen e grave nga dhuna kanë reaguar qysh me marrjen hov të shitjes së librit të parë, dhe vazhdojnë të reagojnë edhe për filmat në të cilat dhuna ndaj një gruaje po maskohet për erotikë.

Shprehjet e shpeshta që vajzat e gratë i kanë kur i referohen raporteve toksike dhe të korruptuara me të dashurit, partnerët apo bashkëshortët e tyre, janë “xhelozon sepse më do”; “më përcjellë sepse kujdeset”; “nuk më beson sepse shoqëria është degjeneruar”, dhe të tjera të ngjashme.

Arsyeja pse gra të reja kudo, përfshirë Kosovën, mund të asociohen me protagonisten Steel, mund të jetë fakti se në Kosovë, sjellja dominuese, kërcënuese dhe përndjekëse e kulturës mashkullore është pothuajse e normalizuar, dhe një grua e re e virgjër që “eksploron seksualisht” me të dashurin e saj kontrollues dhe dominues, tingëllon si diskurs i pranueshëm për gratë dhe çiftet. Me fjalë të tjera, mund të luash egër, por sipas kushteve të tij. Dhe kjo nuk ka lidhje me përqafim dhe eksplorim të seksualitetit femëror por përkufizim, kontrollim dhe mbikëqyrje të saj nga ai.

Por kjo nuk besoj që është arsyeja e vetme pse filmi ka tërhequr numër të madh të grave të reja në kinema. Interesimi nuk ishte që vinte veç nga to, nga kureshtja pas leximit të librave, apo thjeshtë interesimi për natyrën e “errët” seksuale të filmit. Albi Mall është siguruar që marketing gjinor të bëhet në plotësi. Për të siguruar numër rekord të biletave të shitura nën moton #LadiesNight, Cineplexx është siguruar që konsumatoret t’i joshë me elemente tipike të ‘marketingut femëror’, shpërblime me fustane, set stolish, syze, çanta, rroba, parfume dhe masazhe trupore.

E pse të kritikojmë një rrjet biznesesh në Kosovë për përforcimin e seksizmit përmes marketingut gjinor, kur janë vetë institucionet e vendit që për 8 mars u dhurojnë grave të punësuara në ato institucione nga një kupon prej 20 eurosh që të blejnë parfum, çantë apo diçka ‘femërore’? Apo kur Policia e Kosovës në një tender të vetëm shpenzon mbi 6,700 euro për dhuratat e 8 marsit?

Sistemi dhe mendësia kapitaliste (edhe pse jo i vetmi) e përforcon binaritetin strikt dominues/e dominuar dhe e ushqen tregun seksist përmes ‘‘marketingut femëror”’. Pse nuk u zgjeodhën filma të tjerë për joshjen e audiencës femërore me moton #LadiesNight, si për shembull filmi Jackie ku dekonstruktohet figura politike e zonjës së parë Jacqueline Bouvier Kennedy gjatë një momenti tragjik në politikën amerikane, apo Hidden Figures, një film për pjesëmarrjen e grave afro-amerikane në NASA? Epo, porositë për fuqizim politik të grave nuk ia dalin t’i shesin çantat e parfumet po aq sa ato që promovojnë konsumerizëm dhe imazh të rrejshëm të grave të modernizuara.

Një skenë filmi apo bisedë e natyrës seksuale që nxit të qeshura nga njerëzit në sallë ashtu sikurse po ndodh me filmin Fifty Shades Darker në Cineplexx, tregon për papjekurinë e burrave dhe grave për biseda serioze dhe komplekse sikurse erotika, seksi dhe raportet toksike në mes të çifteve. E mos të flasim për të rinjtë e të rejat që ende nuk rriten në shkollë e shtëpi me edukatë seksuale, por rriten me qasje të pakufizuar në pornografi që i lë të irrituar, të hutuar, dhe i pengon të krijojnë raporte të shëndosha romantike dhe intime. E kur është fjala për edukimin seksual të të rinjve, ia vlen të rikujtojmë faktin që njëra nga shkollat private në vend, Mileniumi i tretë, në revistën shkollore nën rubrikën “Literaturë’ pa pikë përgjegjësie e ka përzgjedhur pikërisht librin Fifty Shades duke e prezantuar atë për roman dashurie bashkë më një libër tjetër po aq të kritikuar sa ky në fjalë.

Një shtypje e tillë e grave përmes abuzimit psikologjik dhe seksual, dhe promovimit të imazhit pasiv të grave përmes dhuratave konsumuese ‘shën valentinase’, është pikërisht diskursi i korruptuar gjinor që po ndodh aktualisht në pop kulturën tonë. Për t’i zbërthyer 50 hijet e personalitetit të personazhit Grey mjafton mendimi kritik dhe informacioni shumë-dimensional rreth pushtetit, erotikës, mizogjinisë dhe kapitalizmit. Ajo na ndihmon t’i shohim ato si 50 hijet e shtypjes së grave, prej dhunës fizike dhe seksuale e deri te ajo simbolikja përmes konsumit dhe marketingut seksist.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...