2017-04-28

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq : Forcat tona janë të gatshme nëse kërcënohemi nga zhvillimet në Maqedoni!


Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq sot theksoi se ai nuk pret që siguria e Serbisë të kërcënohet nga zhvillimet në Maqedoni, por se forcat e sigurisë janë të gatshëm për të vepruar në një rast të tillë.

“Ne jemi të kujdesshëm për vite për shkak të situatës në kufijtë tanë jugorë për arsye të ndryshme. Ne analizojmë të gjitha skenarët dhe situatat në fiqnjësi, tek shtetet që kanë treguar disa lloje jostabiliteti dhe rrezikun e sigurinë dhe po marrim masa që forcat tona të sigurojnë të gjithë qytetarët e Serbisë dhe se nuk duhet të shqetësohen”, tha Stefanoviq.

Ai shtoi se ai pret pjesën kryesore të mbledhjes së Byrosë Koordinues të shërbimeve të sigurisë të jenë të përkushtuar për situatën në Maqedoni dhe masat që duhet të merren.



I pyetur nëse shërbimet e inteligjencës turke ishin të përfshirë në ngjarjet në Maqedoni dhe Serbinë jugore, Stefanovic tha se ai nuk kishte të dhëna të tilla.



Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup: 8- të arrestuar, 109 të lënduar dhe mbi 5000 qytetarë ishin në Kuvend mbrëmë



Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në incidentin e ndodhur mbrëmë në Kuvendin e Maqedonisë janë lënduar 109 presona, 83 nga të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikat shtetërore,
Për ngjarjet e mbrëmshme në dhe përreth Kuvendit, Policia ka arrestuar tetë presona që po mbahen në stacionin policor të Gazi Babës. është siguruar video materiali nga Kuvendi që do të ndihmojë në identifikimin e personave që sulmuan deputetët, gazetarët dhe personat tjerë në ndërtesën e Kuvendit.




Avokati i Popullit Memeti e dënon rastin në Kuvendin e Maqedonisë


Avokati i Popullit edhe një herë, ashpër i dënon ngjarjet e djeshme me futjen e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, si dhe dhunën mbi deputetët dhe ekipet të gazetarëve. Njëkohësisht, e kritikon veprimin joprofesional dhe selektiv të Ministrisë për Punë të Brendshme, e cila në vend që ta pengojë e mundësoi dhunën.

“Puna selektive, përkatësisht me standarde të ndryshme, e këtij organi edhe një herë e konfirmon konstatimin e Avokatit të Popullit se kjo Ministri është thellë e partizuar, që është për çdo gjykim, sikurse edhe plogështia e nëpunësve policorë të cilët ashiqare, siç u pa nga incizimet edhe pse ishin të pranishëm nuk reagonin, me çka mundësuan dhunë, kurse gazetarët u penguan në kryerjen e punës së tyre dhe u cenua liria e mediave”, citohet në njoftim.


Avokati i Popullit potencon se dhuna nuk është mënyrë për zgjidhjen e mospajtimeve dhe mosmarrëveshjeve kudo që paraqiten dhe posaçërisht jo në Parlament, është e palejueshme që organi, kompetencë themelore e cilit është sigurimi i mbrojtjes së qytetarëve, të bëjë lëshime të atilla, me çka e rrezikoi jetën e të pranishmëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.


Nga kjo, Avokati i Popullit kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë të ngrihet mbi interesat partiake dhe në mënyrë efikase dhe profesionale ta ushtroj funksionin në interes më të mirë të qytetarëve.

Avokati i Popullit thërret në arsye dhe apelon që të gjithë faktorët, veçanërisht liderët e partive politike, ta marrin guximin dhe pa hezitim dhe në mënyrë të qartë ta dënojnë dhe të distancohet nga dhuna dhe arbitrariteti, me çka njëkohësisht do të mundësojnë formimin e institucioneve pa dhunë dhe në interes të qytetarëve.




Deputeti i himnit shqiptar në Kuvendin maqedonas: jo unë arsyeja e shpërthimit të dhunës dhe pse duam një Shqipëri stabile




Po spekullohet rëndom këto orë se shkaku i sulmit ndaj Kuvendit maqedonas nga përkrahës të VMRO-së, ishte këndimi i himnit shqip nga deputeti i BESËS, Zekerija Ibrahimi. Por ky i fundit e mohon këtë fakt. Në një intervistë për tesheshi.com, Ibrahimi sqaron se si ndodhi që ai shkoi deri te himni. Dhe në fakt kjo ka bërë habi, pasi i njohuri si Zeka i BESËS nuk është një politikan folklorik, ndërsa himni i tij në Kuvendin maqedonas u servir nga mediat shqiptare me maksimumin e folklorizmit. Për deputetin Ibrahimi, gjithçka ndodhi lidhet me emërimin kryetar Kuvendi të një shqiptari….

Bisedoi: Mensur Krasniqi

Disa media kanë shkruar se ishit ju, pra këndimi i himnit shqiptar prej jush në Kuvend, shkak për trazira. Sa për qind e vërtetë është kjo?


Ndonëse të gjithë e dinë të vërtetën, dikujt mbase ashtu i pëlqen ose ashtu është i porositur të veprojë.

Këndimi i himnit të flamurit shqiptar erdhi si pasojë e një diskutimi që e kishim që në mëngjesin e ditës së djeshme me deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët na provokuan se a e respektojmë ne, shqiptarët, himnin e shtetit. Dhe, pastaj – pas dite – që ta rrisin provokimin, një deputet i kësaj partie e shfrytëzoi të drejtën e fjalës për vërejtje ndaj rregullores që në ato minuta ta këndojë himnin maqedonas. Natyrisht, ne e respektuam. Por, si reagim ndaj kësaj, se edhe ne e kemi himnin tonë dhe po ashtu mund ta këndojmë nga Kuvendi, që ta shohim edhe sa na respektojnë ata neve, por edhe si reagim që kryesuesi i mbledhjes e lejoi veprimin e tij, erdhi himni shqiptar.

Por, mbledhja përfundoi pa ndonjë incident dhe ne qëndruam në sallë derisa u zgjodh kryetari i Kuvendit. Pasi përfunduan të gjitha procedurat, ne u larguam. Ndonëse atyre mund t’u ketë djegur që një shqiptar ua këndon himnin nga foltorja e Kuvendit, mendoj se arsyeja e sulmit të huliganëve ndaj deputetëve ka qenë për shkak se shumica parlamentare e zgjodhi kryetarin e Kuvendit.

Me ç’ndërgjegje e bëtë këtë, politike apo atdhetare?

Nuk besoj që ka shqiptar që himnin e flamurit mund ta këndojë me ndërgjegje tjetër, pos atdhedashurisë.

Kishit ndonjë dilemë para se ta ndërrmernit këtë hap: ta bëj apo mos ta bëj?


Jo, nuk kisha asnjë dilemë. Kisha vetëm dertin a do ta ma japin fjalën, sepse mbledhja përmbyllej për dy minuta. E kisha vendosur.

Ku u ndodhët kur u sulmua Kuvendi nga turmat, mos rrezikuat dhe ju?

Pasi që përfundoi seanca e zgjedhjes së kryetarit, një pjesë e deputetëve shkuan në press-qendër dhe pjesa tjetër dolëm jashtë. Në atë kohë mezi arrita deri te makina, sepse turma e huliganëve ishte ja 10-15 metra më tej. Natyrisht, më shanë e më gjuajtën me çka kishin në dorë, por – falë Zotit pa ndonjë lëndim – arrita të largohem. Pas kësaj, turma i ka kaluar barrikadat dhe është futur në Kuvend. Ka qenë dallimi për dy-tre minuta. Jam i bindur se po të më kishin kapur, sidomos pas atij himnit në Kuvend, s’besoj që do të kishim mundur ta realizojmë këtë intervistë.

Prandaj, duke u përballur me vdekjen, kur shoh postime në stilin “pse nuk qëndruat aty, pse ikët?”, më duken njësoj si thirrjet albanofobe “shqiptari i vdekur – shqiptar i mirë”. Nëse duhej të pësonim që të na vajtonin e të bëheshim heronj, kjo mendoj se është e ulët.

Si u ndjetë kur patë Zaevin dhe Selën ashtu të gjakosur?

Natyrisht, shumë keq. Para se të dalim u përshëndetëm me Zaevin dhe biseduam shkurtimisht për hapat e mëtejme, ndërsa me Selën u ndamë të fundit në korridor. Dhe, t’i shohësh pastaj të gjakosur, nuk ka si bëhet më keq. Megjithatë, më vjen mirë që e kanë marrë veten dhe tash janë më mirë. Uroj që kjo kurrë më të mos përsëritet.

Si e parashihni të ardhmen e afërt të situatës?

Është pak herët të prognozojmë, por se Maqedonia tashmë ka rrëshqitur nga kriza e demokracisë në krizë të sigurisë, kjo është evidente. Dhe, meqë e dimë se cilat rregulla ndërkombëtare duhet të vlejnë në raste të krizës së sigurisë, shpresoj që tash komuniteti ndërkombëtar do të jetë më këmbëngulës në vendosjen e rendit, qetësisë dhe kthimin e demokracisë.

A mendoni dhe ju si influence ruse ka ndikimet e saj në gjithë këtë situatë?

Po nëse nuk merren në konsideratë rekomandimet e BE-së e të SHBA-ve për zgjidhjen e krizës, vetvetiu shtrohet kjo pyetje.

Po situatën në Shqipëri si po e përjetoni dhe a ju ndihmon kjo në betejat tuaja politike si faktor shqiptar?

Do të doja që atje së paku të jetë gjendja stabile.




Ra ky himn e u njohëm!


Blerim Sejdiu

Të vjen shumë keq kur sheh njerëz të cilët deri dje kanë menaxhuar me institucion shtetëror, të shprehin shqetësimin e tyre se përse deputeti shqiptar i cili këndoi Himnin kombëtar (për së pari herë në Kuvendin e Maqedonisë) paska ikur nga salla e Kuvendit. Kjo i paska mërzitur disa eksponentë të BDI-së, të cilët paskan dashur “në emër të kombit” të sulmohen fizikisht deputetët e Besës dhe se nuk është dashur të ikin. Sipas këtyre mendjeve të sëmura, na qenka dashur që këta deputetë shqiptar të Lëvizjes Besa të rahen nga huliganët maqedonas, të sulmohen fizikisht, të përgjaken apo të lëndohen rëndë, pasi që vetëm kështu (sipas këtyre) do të ishin treguar “burra që nuk frikohen”!

Është e dhimbshme me të vërtetë kur sheh se në çfarë gjendje të egër shpirtërore i ka sjellë verbëria politike disa njerëz, të cilët dakordohen që edhe shqiptarin ta shohin të vrarë, vetëm i Besës të jetë! Çmenduri e paparë! Kështu nuk mendon as armiku i etnisë së kundërt, e lere më një shqiptar që e dallon bindja politike. Turp tju vije!




Zoran Zaev: Mbrëmë kishim një tentim për vrasje me paramendim dhe me plan


Kemi bërë një hap të madh, kemi zgjedhur një kryetar parlamenti të ri dhe proceset do të vazhdojnë deri në formimin e qeverisë të cilën të gjithë po e presin. I uroj kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi dhe porosis se me vendosmëri qëndrojmë prapa kthimit në vend. Dhuna mbrëmë është nxitur nga Nikolla Gruevski, Trajko Velanoski, Mitko Cavkov dhe Gjorgji Ivanov si dhe bashkëpunëtorët e tyre të cilët po i prek ndryshimi i qeverisë e cila bart përgjegjësi. Ata po i viktimizojnë qytetarët për interesat e tyre. Dita e djeshme ishte test për qytetarët dhe për Maqedoninë, deklaroi sot kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, transmeton Tetova1.



Tetë persona janë arrestuar, Mitko Çavkov është shkarkuar nga Shtabi operativ

Për ngjarjet e djeshme të dhunshme në Kuvend, në të cilën janë lënduar disa deputetë në Stacionin Policor Gazi Babë janë arrestuar tetë persona me të cilët ende po punohet, ka informuar zëvendës ministri Jordan Lamanovski, cili shtoi se është siguruar video material për identifikim dhe zbulim të autorëve të mundshëm.


Lamanovski ka kumtuar se me shtabin operativ pranë MPB-së tani udhëheq ministri Agim Nuhiu në vendin e drejtorit të Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, i cili deri tani ka udhëhequr me shtabin.



Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...