2017-05-17

Ja kush eshte Ilir Meta, një president mes dashuri-urrejtjes dhe përplasjeve të forta politike



Nga Fatjona Mejdini

Ilir Meta është padyshim një nga politikanët më aktivë dhe më polemikë në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. Ai lindi në vitin 1969 në një fshat të vogël në rajonin jugor të Skraparit dhe hyri në skenën politike në moshë të hershme duke arritur majën shpejt. Meta u anëtarësua në Partinë Socialiste në vitin 1991, teksa kjo po përpiqej të reformonte dhe distanconte veten nga e shkuara komuniste. Një vit më pas, në moshën 23 vjeçare, ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste. Meta është një nga më të rinjtë që iu bashkuan socialistëve në një kohë kur shumica e rinisë së vendit po reshtoheshin pas partive rivale të sapo-formuara si Partia Demokratike.


ilir-meta

Megjithatë karriera politike e Metës lulëzoi ndërsa partia e tij dukej se po haste vështirësi. Socialistët humbën zgjedhjet e 1992 ndaj demokratëve dhe Fatos Nano – lideri i atëhershëm i Partisë Socialiste – u dënua me 12 vjet burg në prill 1994 pasi u shpall fajtor për korrupsion dhe shkelje të keqmenaxhimit që dyshohej të kishte kryer gjatë tre-mujorit të tij si kryeministër në 1991. Nano gjithnjë i mohoi akuzat, duke pretenduar se ishin të motivuara politikisht. Ai u lirua në 1997 pasi shleu tre vjet dënim si pjesë e amnistisë së urdhëruar nga Sali Berisha, që ishte atëherë president i Shqipërisë. Nano vazhdoi karrierën e tij politike dhe u lirua nga të gjitha akuzat. Gjatë kësaj kohe, Meta punoi për të ngjitur shkallët e karrierës dhe u caktua zv.kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme në 1996. Pasi socialistët fituan zgjedhjet e parakohshme të 1997, Meta u caktua Sekretar i Shtetit për Integrimin Europian. Ai u caktua zv.kryeministër dhe ministër i koordinimit të qeverisë në tetor 1998. Vetëm një vit më pas, Meta fitoi nga përçarjet brenda partisë së tij se kush duhet ta pasonte kryeministrin e përkohshëm Pandeli Majko. Në nëntor 1999, vetëm 30 vjeç, Meta u bë kryeministër.
Përplasje me Nanon
Ai u rizgjodh kryeministër pasi socialistët fituan zgjedhjet në 2001 por u largua në shkurt 2002 pas mosmarrëveshjeve me Nanon – që ishte kryetari i partisë së tij – dhe mbështetësve të tij. Në këtë kohë, partia vetë ishte e përçarë në fraksione të ndryshme ku mbështetës të Nanos e akuzuan kabinetin e ministrave për korrupsion. Meta e ricaktoi kabinetin por grupi i Nanos pretendoi se ai nuk mund të drejtonte një qeveri. Meta tha se do të dorëhiqej nga qeveria pasi nuk pranonte presionin e kryetarit të partisë për caktimet e ministrave. Pandeli Majko e mori sërish drejtimin si kryeministër i përkohshëm pas një votimi parlamentar. Nano shërbeu sërsish si kryeministër nga gushti 2002 – hera e tij e katërt në atë zyrë që nga rënia e komunizmit. Nano, tani në krye të partisë dhe kryeministrisë, e caktoi Metën menjëherë si zëvënësin e tij dhe si ministër të jashtëm në përpjekje për të shëruar mosmarrëveshjen. Megjithatë Meta dha dorëheqjen një vit më vonë pas Nano nuk miratoi një seri reformash në parti dhe qeveri të cilat ai i sugjeroi. Meta, i cili gjatë viteve kishte krijuar një bazë solide mbështetësish brenda partisë, u përplas me Nanon në dhjetor 2003 në kongresin e partisë. Nano jo vetëm që refuzoi të kalonte çdo mocion të ngritur nga Meta, por gjithashtu bllokoi emërimin e çdo mbështetësi të tij në poste partiake. I zënë ngushtë brenda partisë, Meta i dha Zërit të Amerikës në të njëjtin muaj: “Kongresi është një turp i madh historik dhe një njollë e zezë, jo vetëm për historinë e Partisë Socialiste por edhe për politikën e vendit”. Meta dhe mbështetësit e tij, të vetëdijshëm se nuk kishin një të ardhme me socialistët, formuan Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, në shtator 2004 – një lëvizje qe Meta e ka përshkruar si hapin më të rëndësishëm të karrierës së tij politike. Manifesti i LSI u përqendrua te afrimi i Shqipërisë me anëtarësimin në BE dhe tërhoqi mbështetje shtesë nga intelektualë dhe grupet e zhgënjyera të vendit nga dy partitë kryesore post-komuniste: socialistët dhe demokratët. Partia e sapoformuar fitoi vetëm pesë nga 140 vende në parlament në zgjedhjet e 2005. Pesë deputetë të LSI u ulën në opozitë pasi Partia Demokratike e Berishës formoi koalicion me parti të tjera.
Pakti me Ramën
Me zgjedhjen e Edi Ramës si liderin e ri të Partisë Socialiste në fund të 2005, lideri i LSI ia doli të rilidhej me partinë e tij të vjetër. Meta dhe Rama formuan koalicionin e tyre të parë përpara zgjedhjeve lokale në shkurt 2007. Duke bashkuar forcat me socialistët në Tiranë – ku Rama fitoi mandatin e tretë si kryebashkiak – të dyja partitë fituan qytetet më të rëndësishme në vend dhe LSI mori 121,172 vota, barasvlershme me 9.2 për qind të votave. Megjithatë koalicioni Rama-Meta u prish pasi socialistët dhe demokratët prezantuan reforma elektorale në nëntor 2008. Sistemi politik i Shqipërisë kaloi nga të qenët një përzierje e përfaqësimit direkt (100 deputetë) dhe proporcional (40 deputetë) në përfaqësim proporcional vetëm. Nën sistemin proporcional të përfaqësimit të Shqipërisë, partitë prezantonin lista kandidatësh për 12 rajone. Numri i votave përcaktonte se sa vende në parlament do t’i jepeshin kandidatëve në listat rajonale. Partitë më të vogla, përfshirë LSI-në e dënuan lëvizjen, duke pretenduar se do t’i sillte përfitime vetëm dy partive kryesore që kishin shumicën e votave në listat rajonale. LSI dhe parti të tjera mbajtën një grevë urie në parlament, por reformat elektorale nuk u kthyen. Partia e Metës, tashmë pa një partner koalicioni, fitoi katër vende në zgjedhjet e 2009. Pavarësisht se fitoi kaq pak vende, LSI u bë një vendimtar i befasishëm pasi demokratët fituan 70 vende kundër 66 vendeve të Ramës. Pasi mori miratimin e presidentit për të formuar një qeveri, Berisha dhe Meta ranë dakord për kushtet që i dhanë demokratëve të qendrës së djathtë një shumicë të vogël por të qëndrueshme. Meta fillimisht shërbeu si zv.kryeministër dhe ministër i jashtëm por pastaj kaloi në zv.kryeministër dhe ministër të tregtisë, ekonomisë dhe energjetikës. Pozicione të tjera kabineti u mbajtën nga deputetë të LSI. LSI formoi gjithashtu një koalicion me demokratët përpara zgjedhjeve vendore të 2011, por vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve të 2013, formoi një koalicion surprizë me socialistët e Ramës. Në këtë kohë, LSI mori 180,470 vota, të barasvlershme me 16 deputetë, ndërsa koalicioni i qendrës së majtë fitoi 83 vende nga 140. Meta u bë kryetar i parlamentit dhe partia e tij mori pesë ministri. Të qenët kryetar i parlamentit nënkupton ndikim të konsiderueshëm, përfshirë drejtimin e seancave parlamentare, mbikëqyrjen e komisioneve dhe axhendave dhe aktivitete e iniciativave të tjera të brendshme dhe të jashtme. LSI kishte arritur një ndryshim të madh duke krijuar një parti të tretë të suksesshme në një sistem politik që prej kohësh dominohej nga dy parti – një gjë që shumë kishin dështuar ta bënin më parë. Përveç vlerësimeve, partia e Metës ka tërhequr shumë kritika për dyshime nepotizmi dhe korrupsion.
Akuza korrupsioni
Meta vetë është akuzuar për korrupsion shumë herë gjatë 25 viteve të fundit, megjithëse akuzat kundër tij gjithnjë janë rrëzuar. Në janar 2011, ndërsa ishte në koalicion qeveritar me demokratët e Berishës, emisioni investigativ Fiks Fare i Top Channel, transmetoi atë që supozohet të jetë një bisedë e fshehtë mes Metës dhe Dritan Priftit, atëherë ministër i ekonomisë.

Video e shfaqte Metën duke folur me Priftin për të ndërhyrë në një tender publik dhe duke diskutuar ryshfete në lidhje me të. Të dy më pas u shfaqën teksa diskutonin për ndikimin e padrejtë në caktime publike për të favorizuar kandidatë të partisë LSI. Menjëherë pas kësaj, rezultoi se video u publikua nga Prifti, i cili u hoq nga posti i tij ministror shtatorin tjetër. Meta më pas mori postin e tij. Pasi video u publikua, Meta dha dorëheqjen nga qeveria pasi tha se ishte i hapur për hetim por iu referua filmimit sekret si “veprim i grupeve kriminale”. Video shkaktoi protesta që u drejtuan nga Rama. Më 21 janar, protesta u kthye në e dhunshme dhe katër protestues u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga Garda e Republikës. Meta u akuzua për korrupsion në maj 2011 pasi Prokurori i Përgjithshëm hapi një investigim. Ai u përball me dy vjet burg dhe një gjobë prej 7000 eurosh nëse do të ishte fajtor. Prokuroria e konsideroi videon origjinale dhe përdori dëshmi ekspertësh nga Amerika dhe Britania. Megjithatë, Gjykata e Lartë e pastroi Metën në janar 2012 nga të gjitha akuzat, duke cituar mungesën e provave pasi tre ekspertë shqitparë – të punësuar nga gjykata – e deklaruan videon montazh. Meta sërish përfundoi i akuzuar për korrupsion në shtator 2015, pas një investigimi të BIRN që zbuloi se një firmë ligjore që përfaqësonte firmën energjetike shqiptare OSHEE pretendoi se lideri i LSI kishte marrë ryshfet nga agjencia e mbledhjes së borxhit, Debt International Advisory, DIA. Akuza u shfaq si pjesë e një mosmarrëveshje mes OSHEE dhe DIA që u paraqit në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vjenë në 2013. DIA ngriti padi kundër OSHEE, që atëherë zotërohej nga gjiganti çek i energjisë, CEZ. Një mocion për të anuluar çështjen, ngritur gna qendra arbitrale nga avokatët e OSHEE Clifford Chance, pranon se Meta ishte një nga përfituesit e një pagese mashtruese prej 4.5 milionë eurosh nga CEZ Shpërndarje te DIA në 2010 dhe 2011. Gjatë një seance parlamentare në tetor 2015, Meta sulmoi BIRN Albania dhe e denoncoi investigimin e BIRN si një konspiracion “mafioz” kundër tij. Meta nuk u akuzua kurrë në lidhje me çështjen dhe nuk u përfshi në hetimin pasues të prokurorisë për DIA-n. Politikanët e opozitës kërkuan një hetim ndërkombëtar, kryesuar nga prokurorë të huaj, por ai nuk u ngrit kurrë. Shqipëria fitoi mosmarrëveshjen në arbitrazh në procedurë teknike. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj që atëherë u akuzua nga prokuroria shqiptare për pastrim parash dhe mashtrim të lartë. Gjyqi i tij vahdon. Një nga drejtorët e DIA-s, Rebeça Gaskin Gain, mendohet të ketë bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk u akuzua. Ismailaj që atëherë u arrestua, u akuzua për pastrim parash dhe mashtrim të nivelit të lartë. Në një intervistë për revistën Mapo, të publikuar në gusht 2016, Meta i përshkroi të gjitha akuzat me të cilat ishte përballur si të motivuara politikisht. Ai sugjeroi se kishte pasur një jetë të vështirë se shumëkush dhe se e kishte marrë veten shpejt, gjithashtu nuk i ishte trembur burgut kurrë. “Nëse Fatos Nano [kryetar i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër] i lindur në mes të Tiranës e kaloi me sukses burgun politik, burgu do të ishte më i lehtë për mua, i lindur mes maleve dhe do të më motivonte të çoja më përpara LSI-në dhe të mbroja demokracinë e vendit tonë,” tha Meta. Se çfarë mbart e ardhmja për këtë politikan të ri, por ende të rrahur mirë, tashmë që ai është zgjedhur president mbetet për tu parë.

Rama “junior”, koka hashashi dhe Rama “major”

u2_abdurahim

Nga Abdurahim Ashiku

Rama Junior, alias Luan M. Rama, në thuajse në të gjitha daljet publike por përdor “lopatën” për ta hedhë “hashashin” në arat e Rama Major, alias Edi Rama, kryeministër. “Shatin” nuk e do askush kur është fjala për ta përdorë për një problem kaq të madh që lidhet me kultivimin dhe trafikimin e një bime të “mallkuar”. Ai përdoret vetëm kur është fjala për të mbledhë fitime e për të grumbulluar rreth vetes vota dhe votues. Në këtë mes beteja midis Ramës Junior dhe Ramës Major, dy Rama-ve në koalicion duket se është e fituar nga i pari. Për një arsye të vetme se Rama “Major” hesht i frikësuar se mos një ditë Rama Junior do të dalë e të thotë i presim lidhjet dhe…Qeveri Teknike. Hashashi në Shqipëri “kultivohet” nga Rama Junior, në fushat dhe malet e dhëna në administrim për tu qeverisur nga partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministri i bujqësisë Edmond Panariti është një ndër figurat më të larta të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fushat e kodrat nën administrimin e tij mbillet hashash. Si ministër ai ka një “ushtri” të tërë specialistësh që nuk ka se si mos shohin (madje edhe të jenë pjesë) në kultivimin e hashashit. Deri sot nuk kemi dëgjuar që ministri dhe vartësit e tij të flasin për “arat” ku kultivohet kanabis sativa apo bimë të tjera narkotike. “Arat” ja ngjisin z. Rama Major… Ministri i Mjedisit dhe Pyjeve Lefter Koka është një ndër figurat më të larta të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në kodra dhe male, siç kemi parë nga fotografimet ajrore, mbillet masivisht kanabis sativa. Kokën e Ministrisë së Mjedisit dhe të Pyjeve e kemi parë ti kundërvihet Ramës Major deri në kërkesën për dorëheqje për shkak të kultivimit të bimëve narkotike në pyjet e tij. Shqipëria ka një sipërfaqe të madhe pyjore që i është dhënë për ta administruar dhe mbrojtur deri në bimën më të vogël Ministrisë së Mjedisit me Lefter Kokën në krye dhe një armate të tërë nëpunësish të mëdhenj e të vegjël që nga drejtorët në qendër, në rrethe, në komuna e deri tek rojtarët (policët me uniformë të gjelbër) e pyjeve me nivel arsimor inxhinier pyjesh dhe teknik pyjesh. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit ka dy drejtori zëri i të cilave duhet të kishte dalë nga gurmazi për kultivimin në pyje e male të hashashit; Drejtoria e Mbrojtjes dhe Trajtimit të Pyjeve dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve. Sa është kjo armatë në logjistikë dhe në persona fizikë nuk e di, por jam i sigurt se ata janë më shumë se sa policët e Tahirit që korrin e djegin hashashin në “arat” e Lefter Kokës dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rama Junior i sugjeron policisë që të mos merret me korrjen e hashashit. Sugjerim i mençur. Por kush do të merret me këtë punë në qoftë se policia tërhiqet? Rama Junior nuk jep alternativë. Kjo sepse atëherë kjo gjë duhet të ishte bërë (dhe të bëhet) nga vetë ministri Koka dhe armata e tij në terren, nga vetë ministri Panariti dhe drejtoritë e bujqësisë në vartësi të tij në terren. “Shati” në këtë rast do ta tërhiqte hashashin në oborrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim gjë që do ti komplikonte gjërat dhe koalicioni i çarë ose do të ndahej si është ndarë kontinenti amerikan me atë evropian miliona vjet më parë ose do të ishte bashkuar e ngjitur fort për të marrë përsipër përgjegjësitë e për të qenë NJË në sfidat e ditës, gjë që kalon nëpërmjet shumë pikëpyetjeve. Nuk është i vetmi zë Rama Junior në ndenjësen e “ekskavatorit politik” të “pjesës në koalicion” që po “mbledh mullar” me ruspë në oborrin e Ramës Major cannabis sativën dhe trafikantët nga toka, deti dhe ajri. Ka edhe të tjerë, deputetë, ministra, drejtorë që i sheh këto ditë anë e kënd Shqipërisë diku me “shatë në krah” e diku me “ruspë në gjoks”. Sot Rama Junior u pa të hedhë në oborrin e Rama Major një tjetër thagmë: Hashashi i kapur është asgjësuar pa proces-verbal, pa praninë e prokurorisë, pa…” Fushatë e ashpër zgjedhore e Ramës Junior mbi Ramën Major… Me dashuri dhe qetësi…

Bedri Tahiri, studiusi i veprave me tema madhore kombëtare



Nga Fatime Kulli 




Veprimtari i madh i çështjes kombëtare, profesori, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Bedri Tahiri, me penën e tij të mprehtë, asgjë që ka të bëjë me kombin atdheun nuk ia lë stihisë e dhëmbit të kohës. Ndjehem me fat që Bedriun e njoh mirë prej kohësh, dhe, gjithnjë në shërbim të atyre që me gjakun e vet sollën lirinë. Bashkëpunimi me të u thellua më shumë, kur si kryetar komisioni, një rrugë në Vushtrri e pagëzoi “ÇAMëRIA”. Në gusht të vitit 2012, në Tiranë, “Poetika Mbarëkombëtare Bytyçi” zhvilloi një manifestim të madh mbarëkombëtar në Malin e Dajtit dhe Bedri Tahiri u nderua me çmimin “HASAN PRISHTINA”, për kontributin serioz dhënë në fushën e studimeve historike për figurat e kombit shqiptar. Gjeografia e veprave të tij është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Madje, edhe vetë idetë e veprave të tij bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar.




Tashmë, dihet nga të gjithë se Bedri Tahiri është latues i temave madhore kombëtare dhe se e ka krijuar stilin e vet krijues origjinal. I lindur dhe i lidhur ngushtë, mu si rrapi shekullor, me trevën e Drenicës heroike, me truallin e Azem e Shotë Galicës, i rritur pranë Adem Jasharit e i luftëtarëve të lirisë (edhe vetë ishte i angazhuar në luftë dhe e gëzon statusin e Veteranit të UÇK-së), i edukuar në frymën e flaktë të shqiptarizmës, në shpirtin e tij kryesisht ka zënë vend tema e luftës dhe heroizmave të brezave liridashës që çdo gjë dhanë nga vetja, edhe jetën, për çlirim e bashkim kombëtar. Dhe, mua për këtë edhe librat e tij të shumtë, kryesisht, lidhën me atdhedashurinë: “Azem Bejtë Galica” (1995), “Përmendorja që mungon” (1997), “Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare” (1998), “Adem Jashari- legjendë e legjendave” (u ribotua nëntë herë, 1999), “Përjetësia” (2000), “Agu i lirisë” (e ribotuar dy herë 2001), “Drenica- një shekull trimërie” (u ribotua tri herë 2002), “Përtëritja” (2002),”Flakadanët e lirisë1″ (2004), “Drejtësia në sprovë” (2005), “Azem Bejtë Galica” (botimi i dytë i plotësuar 2005), “Flakadanët e lirisë 2” (2oo6), “Nga Shqipëria në Shqipëri” (2oo7), “Flakadanët e lirisë 3” (2007), “Adem Jashari- legjendë e legjendave “ (botim i nëntë 2008), “Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” (2008), “Abdyl Krasniqi- frymëzues brezash”(2009),”Diferencimi”(2010),”Për Flamurin kuqezi” (2010), “Vesel Galica atdhetar dhe mentar i shquar” (2010), “Në Grykë të Valbonës” (2011) dhe “ Flakadanët e lirisë 4” (2012). Pra, figurat më madhore të kombit, si: Milosh Nikollë Kopiliqin, Ahmet Delinë, Azem Bejtë Galicën, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin, Hys Popovën e pastaj luftëtarët e shumtë të UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptar dhe nga mërgata si: Shaban e Hamzë Jashari, Ilaz Kodra, Fehmi Lladrofci, Xhevë Lladrofci, Tahir Sinani, Fatime Hetemi, Indrit Cara, Astrit Suli, Shpend Dragobia, Skerdilajd Llagami, Rrustem Hyseni, Ahmet Selaci, Mehmet Gradica, Shaban Palluzha, Sadri Kapiti etj, janë përjetësuar denjësisht nga pena e të palodhurit Bedri Tahiri. Pas një mali me libra (të botuara 24 e në dorëshkrim 10), kryesisht monografi historiko- letrare, tregime artistike dhe publicistikë, ky autor, së shpejti do të dalë para lexuesve edhe me një libër të zhanrit tjetër, meditativ e eseistik, të titulluar “Përsiatje recensionale”. Qeshë shumë e nderuar që librin e pata në dorë si dorëshkrim dhe e lexova me një frymë. Libri “Përsiatje recensionale” është konceptuar në dy pjesë, të cilat autori i ka emërtuar:
1. Unë për të tjerët dhe
2. Të tjerët për mua
Në pjesën e parë janë përfshirë mendimet, shqyrtimet dhe analizimet që Bedri Tahiri ua bënë veprave të autorëve të ndryshëm. është me interes të cekët se edhe këtu autori i kapërcën kufijtë politik, duke e parë Shqipërinë ashtu siç duhet, të plotë e të pandarë. Ai, duke shkruar për 16 vepra, me tema e mendime të ndryshme, sikur sublimon atë që duhet, të mirën, pozitivizmin, kombëtaren dhe mbi të gjitha njerëzoren, duke na dhuruar një gjendje letrare të shëndetshme për nga vlera e trajtimit të veprave të këtyre autorëve. Gjuha e këtyre shkrimeve, është e qartë, e kuptueshme, e pastër, e fuqishme, e zgjedhur, e begatë me shprehje e frazeologjizma si dhe me një sintaksë perfekte e të lakmueshme. Analizimi dhe zbërthimi i veprave me tematikë të larmishme të: Selatin e Sabri Novosellës, Skënder Kapitit, Abdyl Ukës, Fatmir Mingulit, Hazir Mehmetit, Raif Mehmetit, Nezir Çitakut, Halil Kajtazit, Rexhep Kuçit, Ramadan Bozhlanit, Idriz Mehmetit, Xhemail Pecit, Shaban Baksit, Gloriosa Dobrës e Dafinë Musës bëhet aq saktë, rrjedhshëm, natyrshëm, argumentueshëm e me një konceptualizëm të paparë, saqë mund t’i kapë lehtë secili lexues. Ndërkaq, në pjesën e dytë përfshihen vlerësimet e të tjerëve për disa nga veprat e krijuesit të talentuar Bedri Tahiri. Të mos harrojmë se, kohë më parë, është botuar libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, i cili në vete përmban vetëm shkrime vlerësuese për veprimtarinë letrare- historike- publicistike të këtij autori. Kësaj radhe, për shqyrtim janë marrë librat me tregime: “Përjetësia” dhe “Diferencimi”, monografia “Abdyl Krasniqi- frymëzuesh brezash”, libri publicistik “Në Grykë të Valbonës”, monografia “Vesel Galica- atdhetar dhe mentar i shquar”, monografia “Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, si dhe libri për dëshmorët “Flakadanët e lirisë 4”.
Ajo që duhet veçuar me këtë rast është se të gjithë studiuesit: Ejup Ceraja, Zenun Gjocaj, Fatmir Minguli, Nusret Pllana, Gjon Neçaj, Riza Haziri, Behram Hoti, Skënder Kapiti e Xhemail Peci, i vlerësojnë me pietetin më të lartë veprat dhe kontributin e Bedri Tahirit për historinë dhe kulturën tonë kombëtare. “Bedriu është njohës i mirë i rrethanave historike, andaj nuk e ka të vështirë të bëjë shëtitje nëpër shekuj kohor të historisë së popullit tonë, në një anë dhe nëpër morfologjinë e gjeografisë së trojeve tona etnike, në anën tjetër. Pra, Bedriu, epokat përpara luftës së UÇK-së i përshkruan me njohurit e një eruditi si njohës i mirë i historisë, kurse epokën e UÇK-së e përshkruan si përcjellës i drejtpërdrejtë i saj”- shprehet studiuesi i parë i këtij libri, Ejup Ceraja. “Tetëmbëdhjetë libra nuk janë thjesht numra librash, por ndryshe janë qëmtime portretesh të heronjve realë, nga të cilët publicisti i specializuar Bedri Tahiri ka ditur të marrë pjesë njëlloj si ai piktori i madh që merrte porcione nga fytyrat e njerëzve e krijonte veprën e vet të padiskutueshme”- konstaton eseisti i njohur nga Durrësi, Fatmir Mingul. Ndërkaq, poeti dhe krijuesi i njohur tropojan, Gjon Neçaj, duke folur për autorin dhe veprën e tij, pos tjerash konstaton: “Pa ndonjë ekzistencializëm të tepruar në këtë sfond, Bedri Tahiri duket se i takon Panteonit të atyre krijuesve më të shquar të popullit ose më saktë, të kombit tonë që e shkruajnë krijimtarinë e tyre të gjithanshme me gjakun, gjuhën dhe me shpirtin e vet krijues dhe artistik”. “Libri i Bedri Tahirit “Flakadanët e lirisë 4” përbëhet nga tregime biografike historiko- letrare, të stolisura me një mjeshtri të veçantë përmes një stili të lehtë, të kapshëm e joshës për të gjitha shtresat lexuese. Figurën e stolisin elementet historiografike, gojëdhanore, arkeo-logjike, toponimike të shkrira me elemente letrare dhe të harmonizuara me mjeshtri artistike, përmes një stili të kapshëm për mbarë shtresat e gjera intelektuale, jo vetëm për frymëzime historike, por edhe për ato letrare”, – vlerëson kritiku dhe krijuesi, prof. dr. Zenun Gjocaj. “Autorin e librit “Hasan Prishtina” z. Bedri Tahiri e njoh shumë herët, ai është miku im dhe mysafir i të gjitha trojeve shqiptare. Ai është i tillë, sepse ka një zemër të gjerë, është patriot i palodhur dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare në kërkimin dhe hulumtimin, me talent e vullnet të jashtëzakonshëm në këmbënguljen e tij për ta përjetësuar qëndresën, atdhetarizmin, veprën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe lënë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare si në të shkuarën e largët, në atë të afërme dhe të sotme në vijimësi. E gjithë tematika e shkrimeve, veprave e librave të Bedri Tahirit është patriotizmi dhe atdhedashuria, dhe, këtë frymë e ka të trashëguar nga Drenica, nga kjo krenari kombëtare që e lindi dhe e rriti,- shprehet politologu dhe filozofi durrsak, Skënder Kapiti.
Një vlerësim tjetër vjen nga Anglia, kur studiuesi Xhemail Peci me plot gojën thotë: “Me penën e tij të mprehtë, duke i skalitur në mermerin monumental të magjisë së fjalës shqipe që si himn i zjarrtë nderon Martirët e Lirisë, me kronikat e zërit të zemrës për të gjithë ata që me Gjakun e tyre të njomë e të kulluar iu falën Përjetësisë, me përshkrimet e tij të holla të përjetimeve dhe të tablove të luftës, Bedri Tahiri m’i kujton Kronikat e Kryengritjes Shqiptare të Mihal Gramenos, si dhe tablonë e Delakroas: “Liria i prinë popullit”. Ndaj, lirisht mund të gjykojmë se edhe libri më i ri i Bedri Tahirit, që nuk ka reshtur kurrë të ngjyej penën e tij të shpirtit, si një rilindës i kohëve moderne ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për çështjen kombëtare dhe për kombin e tij. Vepra meditative “Përsiatje recensionale” është një dritare e hapur, plot diell për lexuesin dhe me siguri, një vepër që duhet ta kenë në bibliotekën e tyre, pasi një vepër me vlerë ta bën mendjen e ndritur.
Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit “Përsiatje recensionale”

AKTIVITETE KULTURORE NË DURRËS


Prof.Bedri Tahiri 

Gjatë dy ditëve (12 e 13 maj 2017) isha në Durrës ku zhvilluam shumë aktivitete kulturore. Si përherë, konakun e kisha në familjen bujare e atdhetare të Skënder Kapitit.


NJË ENCIKLOPEDI E LLOJIT TË VET

Ditën e parë takova avokatin, krijuesin dhe atdhetarin Ilir Malindi nga Skrapari historik, të cilin e njoh qysh moti. Nga ai më parë kisha lexuar librin “Kosova është imja”, por kësaj radhe shkas ishte një Projekt madhor me vlera historike kombëtare, një Enciklopedi e llojit të vetë, që siç thotë me të drejtë filozofi, studjuesi e opinionisti i shquar, Skënder Kapiti ajo është: “Enciklopedia e vërtetë panshqiptare që i paraprin edhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare të ndara në dy shtetet shqiptare Shqipëri e Kosovë si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës dhe të Ҫamërisë”.

Vepra unikale apo kryevepra e tij voluminoze “Unitet States of Albania” (Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë), në të cilën punon e gjurmon që nga viti 2000, në vete ngërthen gjithë historinë dhe kulturën tonë që nga pellazgët e ilirët e deri tek aktualiteti i sotëm mbarë shqiptarë. Ajo do të dalë në 62 vëllime, me 26 mijë faqe shkrime e me 6500 fotografi që flasin vetë. Një punë kolosale që nuk e kanë bërë dot as institucionet përkatëse shtetërore. Por, mjerisht, mungon përkrahja materiale dhe deri sot janë realizuar vetëm dy vëllime, ky që e kemi përpara, i tridhjeti, dhe ai i dymbëdhjeti, të cilin ia ka dhuruar Bibliotekës kombëtare në Prishtinë.

Të lumtë z. Malindi dhe suksese në realizimin e këtij Projekti mbarë kombëtar!

PRANVERA POETIKE DURRËSAKE

Ditën e nesërme, më 13 maj 2017, në orën 11, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, nën kaltërsinë dehëse të qyetit bregdetar të Durrësit, për të tetën herë u zhvillua Festivali poetik “PRANVERA DURRËSAKE”. Një atmosferë e bukur me poetët nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Vlora, nga Tropoja, nga Shkodra, nga Pogradeci, nga Tirana, nga Kavaja, nga Saranda, nga Mati etj.


Në pjesën e parë të Programit u bë përurimi i libarave të poetes durrësake, që aktualisht jeton e vepron në Novara të Italisë, znj. Trandafile Molla...

Ndërkaq, në pjesën e dytë u lexuan poezitë konkurruese, të cilat i vlerësoi juria: Gjergj Vlashi, Ibrahim Berjashi dhe Petrit Rukaj.Unë pata poezinë kushtuar Lasgush Poradecit “SHTERG I QIEJVE”...

ME KRIJUESEN VILHELME VRANARI- HAXHIRAJ

Moment i veçantë për mua qe takimi dhe këmbimi i librave me krijuesen e njohur vlonjate, znj. Vilhelme Vranari- Haxhiraj, me të cilën jam në konatakt të përhershëm, por nuk e kisha takuar që nga Takimet e poeteshave në Vushtrri vite më parë...

Ajo ma dhuroi librin e saj të ri “PA KOMENT”, në të cilin është përfshirë edhe recensioni për librin tim “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, ku, që në fillim shkruan: “Me rastin e 60 vjetorit të lindjes, i uroj zotit Bedri Tahiri, Jetë të gjatë lumturi në familje, suksese në rrugën e vështirë, por të ndritur të krijimtarisë dhe studimit! Me respekt të veçantë! Vilhelme, Fitim dhe Familja Haxhiraj nga Vlora!
...Libri i z. Bedri Tahiri “Atdhetarizmi jeton në përjetësi” ka një vlerë të madhe me kapitullin e veçantë me dokumente të faktuara, kërkesa apo vlerësime, drejtuar politikës dhe shtetit për vlerësimin e Hotel “Drenica” që u shndërrua në pike referimi i qëndresës së palëkundur të familjes Drenica për çështjen kombëtare. Ai hotel u bë streha e gjithë vullnetarëve që shkonin për t’u bashkuar me UÇK për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ai hotel zinin fill peticionet, kërkesat, deklaratat dhe thirrjet për të ndihmuar Kosovën...

Urime z. Bedri Tahiri për këtë vlerë të çmuar që na ke dhuruar!

Dhe, sërish valët kaltëroshe të Adriatikut rrahnin brigjet e Dyrrahut plak, që me gjithë zemër na uronte: Gëzuar e gjithmonë qofshi kështu të bashkaur Ju penat shqiptare!


******


Bedri Tahiri u lind në Galicë të Drenicës më 1956. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980 ligjëron lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë.

Krahas punës edukativo-arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, merret edhe me artin letrar. Me shkrime ka zënë të merret qysh herët. Shkrimet e tij letrare-historike- dokumentare-publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër Simpoziume e Sesione shkencore me tema hulumtuese shkencore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, nënkryetar i Art Clubit “Rifat Kukaj”, i cili u themelua më 2014, bashkëthemelues i Klubit Letrar “Latif Berisha” në Vushtrri etj.

Gjatë tërë kohës së luftës sonë çlirimtare qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime e ditar lufte dhe gëzon statusin e Veteranit të UÇK- së. Për suksese dhe të arritura në punën me nxënës, në krijimtari dhe në hulumtime shkencore, ka marrë shumë Dekorata, Mirënjohje, Falënderime e Plaketa. Më 27 Nëntor 2007, “Kompleksi Përkujtimor ADEM JASHARI” i ka lëshuar një Falënderim për kontributin e dhënë, diku mbi 27. 000 euro, nga librat e shitur...Nërkaq, më 26 gusht 2012, nё Poetika mbarёkombёtare “Ndue Bytyçi 2012”, organizuar nё Malin e Dajtit, gjegjësisht në Tiranë, u vlerësua me çmimin ”Hasan Prishtina”.

Në Ditën e Çlirimit, më 17 qershor 2015, Komuna e Vushtrrisë e nderoi me çmimin PENA E ARTË.

Krijimtaria

Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar. Ky krijues i palodhur nuk pushon për asnjë çast. Pena e tij e mprehtë nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. Deri tani ka botuar këto vepra:

Azem Bejtë Galica, 1995,
Përmendorja që mungon, 1997,
Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare, 1998,
Adem Jashari- legjendë e legjendave, 1999,
Përjetësia, 2000,
Agu i lirisë (e ribotuar dy herë), 2001,
Drenica- një shekull trimërie (u ribotua tri herë), 2002,
Përtëritja, 2002,
Flakadanët e lirisë 1, 2004,
Drejtësia në sprovë, 2005,
Azem Bejtë Galica (botimi i dytë i plotësuar), 2005,
Flakadanët e lirisë 2, 2006,
Nga Shqipëria në Shqipëri, 2007,
Flakadanët e lirisë 3, 2007,
Adem Jashari- legjendë e legjendave (botim i nëntë), 2008,
Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2008,
Abdyl Krasniqi- frymëzes brezash, 2009,
Diferencimi (Tregime), 2010,
Për Flamurin kuqezi, 2010),
Vesel Galica atdhetar dhe mentar i shquar, (2010),
Nё Grykё tё Valbonёs. (2011),
Flakadanёt e lirisё 4, (2012,
Ramadan Bajraktari... (2012),
Përsiatje recensionale, (2013),
Gur i diellit shenjëtor, (2013)
Atdhetarizmi jeton në përjetësi, (2013),
Përmendorja që mungon, (2014),
Toponimia e Galicës. (2014),
Jashar Jashari- Komandant DURAKU. (2015),
Ligjërime e përimtime, (2015),
Lufta e Drenicës... (2015),
Drenica – Djepi i trimërisë, (2015)
Përshtypje nga Franca. (2016).

I ka të gatshme për botim edhe këta libra:

Fehmi e Xhevë Lladrovci- të pandarë edhe në përjetësi,
Flakadanët e lirisë 5,
Xhemë Tërnafci- Sugari i Çetës,
Poezi e tregime,
AGIMI I LIRISË,
Interferime historiko- letrare,
Metamorfoza (tregime) etj.

Në vitin 2008 doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, ndërkaq, vjet, në korrik 2015, u botua edhe libri “Pena e Bedri Tahirit përjetëson lavdinë tonë kombëtare” të autorëve Xhemail Peci e Xhevahir Cirongu. Në fundvitin 2016, studiuesi i njohur Xhemail Ali Peci nxori në dritë librin “Zemër-thirrja e Bedri Tahirit: Atdhetarizmi jeton në përjetësi”.

Aktivitetet e tij mësimore, edukative, studimore, shkencore, letrare e kulturore janë përditshmëri e zakonshme dhe nuk kanë të ndalur.

Ligor Shyti :Detektivi


Image result for Ligor shyti

Ligor Shyti lindi në Kosinë të Përmetit më 29/12/1957. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit ushtarak, iu përkushtua karierës ushtarake, prej së cilës u shkëput nga një aksident i rëndë automobilistik, që e bëri të jetojë mbi karrige me rrota. Pas korrikut të vitit 1991 i është kushtuar artit dhe letërsisë. Në pranverën e vitit 2000 doli në qarkullim libri i tij i parë i titulluar “Çmimi i Faljes” dhe më pas vazhdoi krijimtarinë e tij.

Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme lokale, kombëtare të poezisë dhe fabulës dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda vendit, në Itali e Greqi. Romani “Letër nga Ferri” është shpallur nga Lidhja e krijuesve “Pegasi” me qendër në Gjirokastër, si vepra më e arirë e vitit 2005. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në shtypin e përditshëm lokal dhe atë kombëtar, si dhe në Kosovë, Sh.B.A. dhe Italinë e jugut.

Botime në prozë:

“Çmimi i faljes” , shkurt 2000 (roman)
“Letër nga Ferri” korrik 2003 (roman)
“Françi, mbesa e kapitenit” 2007 (roman)
“Në aerodromin e ëndrrave të mia”2010 (poezi-lirika)
“Detektivi” 2006 (tregim)
“Kuqoja” qershor 2008 (tregim)
”Në qendër të të gjitha gjërave qëndron Mirësia” tregim,
Publicistikë:
“Kosina dhe kosinaret ne vite”, shkurt 2007
“Bastioni” i socialistëve në Përmet, u shkërmoq” janar 2007.



Reportazh




Ligor Shyti, shkrimtar me sensibilitet të lartë ndaj jetës shoqërore dhe shoqërisë, angazhuar në betejën për respektim reciprok kundër diskriminimit të çdo lloj forme qoftë; racial ose social. Vete shkrimtari është person me aftësi të kufizuara dhe sukesi i tij tregon edhe një herë që, pavarësisht nga andikapi që mund të kemi, brenda çdo personi ekzistojnë dëshira dhe energji, që mund të vihen në shërbim të shoqërisë, për të ecur përkrah të tjerëve pa paragjykuar të metat fizike apo rangun social.



Gazetari: Z. Ligor. Kemi ardhur në qytetin tuaj për të bërë një intervistë me Ju për jetën dhe aktivitetin tuaj gjatë viteve të fundit. A mund të na e krijoni këtë mundësi?



Përgjigje: Padyshim, madje është kënaqësi për mua. Pa modesti do t’u thosha se ndihem i privilegjuar, sepse më jepni rastin të ftoj publikun tim për të ndarë së bashku momentet e lumtura dhe vështirësitë e jetës, veçanërisht për mua që jam person me aftësi të kufizuara, por kjo, në asnjë moment, nuk më është bërë pengesë për pasionin tim, letërsinë, dhe komunikimin nëpërmjet librit. Për të mposhtur një pasion tek njeriu, mendoj se duhet më teper se kaq dhe nuk mjafton një andikap fizik, për të më penguar që t’i jap publikut atë që ai pret nga një shkrimtar.



Pyetje: Ne dimë tashmë që ju jeni lindur e rritur në këtë qytet të bukur si Permeti, pra, jeni “djalë vendi” siç thuhet shpesh me krenari nga përmetarët kur i pyesim për ju. Por ne duam të dimë pak më teper se kush është Ligor Shyti, pra, cila është jeta e vërtetë e shkrimtarit ?

Përgjigje: Kush jam unë, kush është jeta ime… ?! Sa herë që ndodhem përballë kësaj pytjeje, zhytem në kujtimet e fëmijërisë sime dhe kujtoj plot gjëra. Si çdo kush, kam kujtime të bukura dhe të hidhura që më vijnë në mendje sa herë kthej kokën pas dhe mendoj të shkaurën time. Pra, jeta ime është e ngjashme me dhjetra jetë të tjera të kohës dhe epokës time.

Jam lindur në vitin 1957 në një familje me shumë fëmijë. Prindërit na kanë rritur e edukuar gjithnjë me dashurinë për punën dhe njerzit. Fëmijërinë time e kam kaluar në fshatin Kosinë, ku jetonin prindërit e mi Niko e Thomaidha Shyti, madje përfitoj nga rasti për t’i falenderuar për përkushtimin dhe përpjekjet që ata kanë bërë për të na rritur me këto vlera të mira morale e që kanë ndikuar gjithnjë në jetën time.

Pas përfundimit të shkollës në qytetin e Përmetit ju përkushtova karieres profesionale në telefoni në sektorin e ushtarak. Por kjo u ndërpre brutalisht në vitin 2001 nga aksidentimi tim në punë. Që prej asaj kohe jetoj në një karige me rrota. Këtë ndryshim social, nga një person aktiv, në një person me aftësi të kufizuara, e përjetova me dhimbje morale dhe fizike. Në ndryshime të tilla, çdo gjë tjetërsohet, në çdo gjë duhet të adoptohesha me një situatë të re e të pa njohur per mua deri në atë kohë. Pra, çdo gjë ishte e vështirë për mua. Por kjo, është vetëm një pjesë e jetës sime. Pra, jeta ime nuk përmblidhet vetëm në momentet e dhimbshme të fatkeqësisë. Ajo ka edhe aspekte të tjera.

Për t’i dhënë një përgjigje sa më të saktë pyetjes tuaj, unë do ta ndaja jeten time në tre apekte kryesore; në jetën e individit si pjestar i shoqërisë, jetën si person me aftësi të kufizuar dhe jetën artistike si shkrimtar. Pra, të tre këto aspekte gërshetohen dhe krijojnë një tabllo me një stuhi emocionale që është vështirë të shpjegohet me fjalë.

Gazetari: Atëherë të fillojmë nga jeta juaj. Cilat ishin ëndrrat tuaja dhe cilat janë momentet më interesante të këtij aspekti të jetës tuaj?

Pergjigje: Pavarësisht se kam lindur në një familje me shumë fëmijë dhe, mundësitë për të ëndërruar ishin të limituara, jeta ime ka pasur plot momente lumturie, që krijojnë një album me kujtime të bukura me shoqërinë dhe të afërmit e mi. Nga fëmijëria, më kujtohen gjithnjë me nostalgji dhe emocion, mbremjet në dimër, kur im atë kthehej nga puna dhe unë i dilja përpara për ta pyetur nëse kishte vrarë ndonjë gjë atë ditë. Babai tim e kishte shumë qejf gjuetinë dhe mbante një armë gjahu dhe gjuante lepuj apo thëllëza. Ai, shpesh, më sillte ndonjë thëllëzë të gjallë dhe unë e mbaja me këmbët e lidhura deri në mbrëmje kur nëna fillonte t’i përgatiste për darkë. Në dimër gjyshi na mblidhte pranë zjarrit dhe na tregonte ngjarje nga jeta e tij në Stamboll, si emigrant, duke pire duhan me llullën e tij, që shpesh e shkundte në qoshe të vatrës së zjarrit dhe e mbushte përsëri nga qesja e tij. Mbasditeve e grinte duhanin hollë-hollë dhe e vinte pranë zjarrit për t’u tharë sa më mirë. Me dukej gjitmonë si një ceremoni rituale e të riturve, që, ndoshta, do ta adoptoja dhe unë kur të ritesha. Pastaj e dëgjoja me vëmendje kur tregonte, pasi ai kishte një art të veçantë në rrëfimin e ngjarjeve. Gjithashtu më kujtohet në atë epoke gjithnjë nëna, që, pasi ishte ngritur që herët e na kishte përgatitur ushqimin të gjithëve, sa herë më përcillte për në shkollë mua me vëllain e madh, na shoqëronte deri te fundi i rrugës duke na këshilluar vazhdimisht me kujdesin e nënës për gjëra që na i kishte thënë me mijra herë... Janë plot gjëra të tilla që kur i kujtoj më japin një emocion të veçantë dhe them gjithnjë që kam pasur fat që kam pasur këta prindër.

Më vonë, fillova të rritem e të ndihem më i përgjegjshëm për atë që më priste në një familje si e jona që përbëhej nga shumë fëmijë. U rrit përgjegjësia për të dalë më mirë me mësime, filluan kërkesat të rriten. Mbaj mend, në muajt e verës shkoja me shokët e mij natën për të ruajtur misrin e kooperativës nga baldosat. Më i madhi ishte xhaxhai i një shokut tim, ndërsa më i vogli, isha unë. Këto momente kanë qënë shumë të bukura dhe mbushur me emocion dhe mister. Edhe pse ishim akoma të parritur, që në moshën 13-14 vjeç ne filluam të ëndërronim për jetën, për ëndrrat e sa ardhmes, për dëshirat se ç’do të bëheshim në të ardhmen. Në atë kohë pëlqeja shumë misterin që fshihte qielli me yjësinë e tij dhe ëndërroja që në të ardhmen të studioja për astronomi. Më pëlqente shumë edhe bota e bimësisë, pemët, lulet, natyra në përgjithësi, por, kur njeriu jeton në një vend kaq të bukur, siç është zona e Përmetit, në një farë mënyrë e konsumon këtë dëshirë dhe ndihesh i realizuar. Më pas erdhën vitet e rinisë kur njeriu kërkon të jetë i pavarur dhe kërkon të shkëputet nga guacka e familjes duke njohur horizonte e aspekte të reja të jetës. Filluan aktivitetet me rininë e shkollës, konkurset, koncertet, mbrëmjet e vallzimit etj. Nga kjo periudhë kujtoj që kam qenë rrethur nga shokë dhe miq të mirë, gjithnjë do të kisha dikë për të folur dhe për të më dëgjuar. Plus kësaj do t’i shtohej edhe situata dhe konteksti polotik i asaj kohe, që nuk të jepte dhe shumë mundësi për të shpresuar. Liria e njeriut ishte e drejtuar në shina të paracaktuara dhe vështirësisht mund të dilje prej tyre. Por, njeriu, në çdo situatë qoftë, di të krijojë momente të këndshme të jetës së tij, pra them gjithnjë, që jeta është e bukur, sidoqoftë ajo nuk duhet shpërdoruar, por duhet përfituar për ta gëzuar, sepse koha kalon shpejt.

Pyetje: Kur jeni aksidentuar dhe cila ka qënë jeta juaj gjatë këtyre viteve si Person me Aftësi të Kufizuara?

Përgjigje: Unë jam aksidentuar në verën e vitit 1991 në një aksident automobilistik dhe qysh prej asaj kohë jetoj në kushtet e invaliditetit me dëmtime të kollonës vertebrale. Po të analizoja jetën time të këtyre 17 viteve, do të më duhej të shkruaja ndoshta vëllimin më të madh që kam shkruar ndonjëhere. Një pjesë të saj e kam shkruar në romanin “Çmimi i Faljes”, por ajo është vetëm një pjesë, ose e thënë ndryshe maja e ajzbergut. Shiko. Jeta e një invalidi, në kushtet e sotme në Shqipëri, është si një njeri që shkon në një fushë të minuar, që, po s’ishe i përgatitur shpirtërisht, moralisht dhe nuk ke mbështetjen e familjes dhe të shoqërisë, nga çasti në çast mund të shkelësh mbi mina dhe të rrezikosh jetën. Unë, falë prindërve, të afërmve, shokëve dhe miqve, ia kam dalë të mbijetoj dhe e kam bërë më të lehtë rrugën nëpër të cilën kam kaluar këto 17 vjet. Një invalid, që ka një gjëndje relativisht të vështirë, që të bëhet pjesë e shoqërisë dhe të integrohet në të, duhet në rradhë të parë të ndihet mirë me vetveten. Të pranojë atë që i ka ndodhur, ta njohë sëmundjen deri në detaje dhe ta sfidojë atë me të gjitha mënyrat. Unë ia kam dalë ta bëj një gjë të tillë dhe kjo më ka dhënë mundësi që edhe të shfaq aftësitë e mia për letërsinë. Për ta bërë këtë nuk është gjë e lehtë. Zakonisht këto shoqërohen me trauma të fuqishme shëndetësore dhe sociale, por njeriu është qënie e arsyeshme që e do jetën dhe për hir të kësaj dashurie lufton për ta fituar betejën.. Në një farë kuptimi kam kryer një shkollë më vete. Kam fituar eksperienca të reja, jam përballur me vështirësi që nganjëherë janë edhe të paimagjinueshme për një njeri të thjeshtë. Është e natyrshme se në këtë shkollë nuk kam qënë i vetëm. Kam bashkëpunuar me individë, organizma të specializuara shoqërore e institucionale, por, për ta bërë këtë nuk më ka munguar asnjëherë vullneti dhe vendosmëria.


Pyetje: Cili ka qënë kontakti juaj me letërsinë?



Përgjigje: Unë nuk kam pasur ndonjë moment të caktuar ku të kem vendosur një raport të mirëfilltë me letërsinë, por, meqënëse po më pyesni, po ju them se, në klasën e parë, me rastin e festës së abetarës, mësuesja më ngarkoi të luaja një pjesë së bashku me një shokun tim përpara prindërve që kishin ardhur të na shihnin e të na dëgjonin. Më kujtohet, dola shumë mirë në atë interpretim dhe duartrokitjet e njerzve të pranishëm më bënë të kuptoja se kisha talent në interpretimin e pjesëve të ndryshme. Gjatë harkut kohor të tre katër viteve të shkollës fillore u aktivizova në koncertet e shkollës dhe recitoja pjesë të ndryshme. Në klasën e gjashtë kam marrë pjesë në një konkurs të fjalës artistike në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Përmetit dhe dola mirë. Aty më lindi dëshira për të lexuar më shumë dhe fillova të kërkoj libra të ndryshëm. Në fillim u njoha më një libër me tregime të Petro Markos që na e rekomandonte mësuesi në shkollë. Më pas u njoha me krijimtarinë e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit etj. Nga fundi i klasës së shtatë, që përkon me fundin e viteve 60, u njoha me Romanin “Nëna” të Maksim Gorkit, i cili në atë kohë ishte një nga më të lexuarit në Shqipëri. Kur e lexova në atë kohë nuk m’u duk ndonjë vepër kushedi, ndoshta s’e kuptoja në atë kohë, por më vonë e rilexova dhe arrita ta përjetoj me shumë dashuri. Më vonë lexova romanin “Lumi i Vdekur”, “Mërgatë e Qyqeve” e N. Jorgaqit, e shumë e shumë të tjerë nga letërsia shqipe dhe e huaj.

Megjithëse në përgjithësi letërsia e asaj kohe ka qënë e orientuar dhe e kontrolluar me autorët e lashtësisë dhe ata të mesjetës, ne, me pak vështirësi, mundnim të kontaktonim edhe me autorë të krijimtarisë botërore. Pas viteve 90 –të, ka pasur një dyndje e letërsisë moderne botërore dhe kontakti me të është i bollshëm sa shpesh nuk arrijmë t’i asimilojmë.



Pyetje: Kur ju ka lindur dëshira për të shkruar dhe, pse shkruani, ndërkohë që ju mund të bënit një punë apo të zgjidhnit një fushë tjetër?



Përgjigje: Unë do t’u thosha se, në moshën e adoleshencës, apo më vonë, kur njeriu u jep liri ëndrrave të veta, as që e kisha menduar ndonjëherë se një ditë mund të shkruaja apo të meresha me krijimtari. Në vitet e shkollës së mesme dhe më pas, kam patur rastin të bëj ndonjë poezi, apo të interpretoja në skenë, por kurrë s’më kishte shkruar në mendje se do të shkruaja vetë një ditë. Më ka pëlqyer shumë të lexoja dhe relativisht kam lexuar shumë, por fusha e krijimtarisë më është dukur larg. Kam pasur një ditar timin të viteve të gjimnazit dhe më pas, duke hedhur disa nga momentet më pikante të jetës, por kjo nuk ka qënë me ndonjë prapamendim. Pas aksidentit, nga viti 1995-96 shkrova disa poezi që i mbaja në sirtarin tim dhe vetëm kaq. Një ditë m’i zbuloi një miku im dhe ai u bë shkas për të më përballur me një mësuesin tim të vjetër, poet dhe shkrimtar i njohur në rang kombëtar. Ai, pasi i lexoi, ato më shtyu të shkruaja duke më thënë se kisha talent dhe në të ardhmen do të bëja gjëra të bukura. Pas atij momenti dyluftova gjatë me veten për të shkruar romanin tim të parë “Çmimi i Faljes”. Që nga ai çast hyra në botën e krijimtarisë dhe pas kësaj nuk mund të jetoj dot pa të. Më vonë shkrova romanin “Letër nga ferri” e më pas, në vitin 2007, u botua romani “Françi, mbesa e kapitenit”. Së shpejti pres të botoj një roman tjetër të cilin e kam përfunduar si dhe një përmbledhje poetike që përmban krijimtarinë time të dhjetë viteve të fundit. Gjatë këtij harku kohor kam shkuar artikuj të ndryshëm në shtypin e përditshëm, kam shkruar disa tregime në gazetën “Drita” si dhe disa pjesmarrje në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare për poezinë dhe fabulën në të cilët jam vlerësuar edhe me çmime për një kontribut të lartë në promovimin e letërsisë shqipe në këto vende, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Pyetje: A mund të na thoni përse shkruan Ligori?



Përgjigje: Kësaj pyetje e kam të vështirë t’i përgjigjem sepse edhe vetë nuk e di se përse shkruaj, por, duke iu referuar një optike tashmë të njohur botërore e quajtur “optika oruelliane”, më duhet t’ju shpreh tre ose katër motive që e bëjnë krijuesin të shkruajë; së pari ka një lloj egoizmi të mirëfilltë tek ai që shkruan, pavarësisht nëse e shfaq apo jo ai këtë. Së dyti, në krijimtarinë e tij krijuesi përfshihet nga një lloj entusiazmi estetik që në momentin e krijimtarisë së tij e ka në nivele të larta, përtej vlerësimit që do të marrë më pas nga lexuesi apo kritika e mirëfilltë. Në momentet që shkruan ai nuk e merr fare parasysh një gjë të tillë. Së treti, shkrimtari, apo poeti, në momentin që shkruan nuk mund t’i shmanget një lloj shtyse historike e cila e obligon atë të bëhet pjesë e saj. Përtej stilit, fantazisë, gjetjeve që bën një krijues në krijimtarinë e vet, ai në mënyrë të pashmangshme bëhet pjesë e kësaj shtyse historike, që në një farë mase tregon edhe periudhën historike në të cilën ai ka shkruar. Dhe e fundit, për të mos u zgjatur shumë, është qëllimi politik në të cilën autori do të bashkohet apo të synojë me krijimtarinë e tij. Është tjetër gjë të ngatërrosh bërjen e politikës me atë të bërjes së letërsisë, dhe tjetër gjë të realizosh një qëllim të caktuar politik në krijimtarinë tënde. Nëse ti e realizon me mjeshtëri këtë qëllim dhe arrin të ngacmosh ndërgjegjen e lexuesve, pjesë e një shoqërie të caktuar ku ti kërkon të realizosh qëllimet e tua politike për një shoqëri më të mirë, më të zhvilluar e më të civilizuar, atëherë them se e ke realizuar këtë qëllim.

Në ballafaqimin e shumë krijuesve me këtë pyetje ka shumë interpretime, që për mendimin tim duhen respektuar. Ka krijues që shkruajnë për një katëgori të caktuar lexuesish, ka njerëz të tjerë që kushtëzohen nga fakti se sa janë të pëlqyer nga masa e njerzve, ka të tjerë që nuk u intereson fare lexuesi dhe kritika, por kjo është relative në gjykimin tim. Për mua, letërsia ka një mision zbavitës, argëtues dhe meditativ për atë ç’ka thuhet në të. Nëse një poezi, një tregim apo një roman i plotëson të tria këto komponentë, ajo duhet të jetë e pëlqyshme, por, ka edhe krijues që kanë vetëm një nga këto elementë dhe janë të pëlqyshëm për një katgori lexuesish...

Pyetje: A mund të na thoni një motiv për të cilin unë si lexues duhet ta blej librin tuaj?



Përgjigje: Për mua një individ që e do letërsinë, në rradhë të parë do të dije nëse libri që do të blejë është, apo jo, libër i bukur, nëse ka nivel artistik dhe nëse fabula që përshkon veprën letrare të jetë tërheqëse që atë ta argëtojë. Së dyti, ai do të dijë nëse gjatë leximit e argëton dhe i krijon emocione, apo jo, dhe së treti, nëse mesazhi që i përcjell lexuesit dhe shoqërisë ky libër është aktual dhe ç’vlera përmban? Unë mendoj se me krijimtarinë time ia kam përcjellë këto tri elementë lexuesit dhe ata gjatë leximit mund të argëtohen, mund të emocionohen, mund të meditojnë dhe të mësojnë shumë gjëra gjatë leximit të librave të mi.



Pyetje: Gjatë leximit të librit tuaj të parë “Çmimi i Faljes” më tërhoqi që në fillim titulli i librit. Ç’kini dashur të thoni me këtë titull?



Përgjigje: Mund t’ju them që në ballë që cikli i romaneve të mia shkruar nga viti 2000 e më pas i përket një nevoje të brendshme që vlon brënda meje si thirje drejtuar shoqërisë për disa fenomene që e shqetësojnë shoqërinë tonë pas viteve 90-të. Unë, me një pjesë të shkëputur nga jeta ime, kam dashur të bëj prezent në shoqërinë shqiptare e më tej një element shpirtëror që ka të bëjë me raportet e individit në familje dhe në shoqëri, siç është “falja”. Ne shqiptarët, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë, vesin e faljes e paguajmë gjithmonë me një çmim dhe tërë jetën pastaj punojmë për të paguar çmimin. Nuk mund t’ju them më tepër për këtë, pasi lexuesi më parë duhet ta lexojë këtë libër dhe pastaj të kuptojë se është kënaqur, apo jo. Për mendimin tim lexuesit pas leximit të këtij libri do të ndihen më të kënaqur, më humanë, më njerëzorë. Për një gjë jam i sigurt; nëse dikush do të fillojë ta lexojë këtë libër, nuk ka për ta lënë në mes.



Pyetje: Po ju lexoj një pasazh nga libri juaj i dytë: “Letër nga Ferri” kapitulli i dhjetë me titull “Dashuri në shtëpinë e priftit”. Pasi ta lexoj do të doja të dija mendimin tuaj, ç’kini dashur të përcillni te lexusi me këto pasazh:

“Atë mbrëmje Lesi do të lehte vazhdimisht pas porte, duke lënë të kuptohej se dikush qëndronte aty në heshtje dhe s’kishte ndërmend të largohej. Qetësia e natës dhe rrezet e hënës që sapo kishte dalë mbi lartësinë e malit Poste-han, i dhanë një siguri të brendshme për të shuar kuriozitetin dhe për të parë kush ishte ai që, jo vetëm Lesit, i kishte tronditur qënien e saj në këtë orë të vonë të natës.

... Zbriti shkallët ngadalë dhe iu afrua portës së oborrit të madh shtruar me pllaka. Në çast Lesi u bë më agresiv dhe filloi të lehte më shumë, duke u hedhur me këmbët e para tek kanatet e portës.

-Hesht! – i foli ajo ngadalë qenit dhe të dy qëndruan si me komandë në heshtje duke përgjuar. Një trokitje e lehtë u dëgjua nga jashtë portës, duke lënë të kuptohej se pas saj dikush priste.

Vendosi ta kapte në befasi. Hoqi ngadalë shulin e portës dhe duke tërhequr me dorën tjetër kanatin e majtë, pyeti menjëherë: “Kush je ti që përgjon te porta?”

-Jam unë...

-ç’po bën aty?

-Po rri… të pres ty…

Në çast e njohu dhe, sikur ta kishte menduar qysh më parë, vazhdoi:

-Të pëlqej?

-Po. Jashtë mase. Nuk mund…

-Shëëët. Futu brënda! –tha ajo ngadalë duke e tërhequr prej jakës së këmishës me dorën e djathtë. Mbylli me të shpejtë kanatin dhe, ashtu siç ishte, e ngjeshi pas trupit ndërsa ai rrinte si zog i zënë në çark dhe mbante tufën me trendafila përpara.

-Po këto? –pyeti ajo kur ndjeu tufën e trendafilave, gjëmbat e të cilëve i shpuan duart e saj të buta.

-I solla për ty. I këputa tek lulishtja e Vilës. Janë të freskëta, tani sapo i këputa, s’pata as kohë t’i rregulloja pak...

Nuk mundi dot ta përmbante afshin e dashurisë që i shpëtheu në çast...”

Përgjigje: Kjo është një pjesë e marrë nga romani “Letër nga ferri”. Në konceptin tim për Parajsën dhe Ferrin unë kam dashur t’i them lexuesit se Parajsa dhe Ferri janë këtu midis nesh, janë brënda nesh dhe, jemi ne ata që mund ta ndërtojmë jetën tonë ku të duam, në Parajsë apo në Ferr. Ky është një pasazh dashurie midis dy të rinjve që dashurojnë dhe ngrejnë Parajsën e tyre në Ferrin e një qyteti X. Le t’ia lëmë lexuesit tonë të mësojë ngjarjet e mëtejshme.



Pyetje: Në romanin tuaj të tretë “Françi, mbesa e kapitenit” kini prekur një temë delikate, duke guxuar të prekni çështjen çame dhe raportet midis dy të rinjve të kombësive të ndryshme me një fabul që përplaset midis fantazisë dhe realitetit. Pse kini dashur ta bëni një gjë të tillë?

Përgjigje: Po... ajo është e vërtetë. Fabula ka nisur nga një ngjarje e vërtetë aktuale që ka ndodhur në vitet 90 dhe më pas unë kam fluturuar me fantazinë time për t’i dhënë udhë një revolte të brendshme që më ka shqetësuar prej vitesh. Në fund të fundit, sido që mendojnë njerëzit në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek, popujt tanë kanë një dhe vetëm një të ardhme; rrugën drejt Evropës.



Gazetari: Ç’dëshironi t’i shprehni lexuesit tuaj përpara se t’ju falenderoj për intervistën?

Përgjigje: Natyrshëm më duhet t’i falenderoj për përkrahjen që më kanë dhënë gjatë këtyre viteve të fundit me anë të telefonatave, mesazheve, letrave të shumta dhe ju uroj atyre shendet dhe lumturi kudo që janë. Përfitoj nga rasti t’i drejtohem me anën e kësaj interviste të gjithë atyre që kanë në dorë të japin kontributin e tyre për kategorinë e njerzve me aftësi të kufizuar, duke u thënë se me qindra invalidë sot kanë nevojë të ndihmohen, kanë nevojë të integrohen në shoqëri, kanë nevojë për më shumë dashuri njerëzore. I bëj thirrje me këtë rast Kryetarit të Bashkisë së qytetit tim dhe të gjithë kryetarëve të bashkive kudo që janë, Kryeministrit të vendit tim, Presidentit të Republikës, deputetëve dhe gjithë strukturave shtetërore, se invalidët sot kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tuaj. Askush nuk ka bërë dhe nuk mund të bëjë kontrato me jetën dhe jeta e invalidëve për fat të keq është e shkurtër. Ju bëj thirrje edhe në emër të tyre: zgjidhini në kohën e duhur problemet e invalidëve, sepse ata janë në luftë të përditshme me sëmundjen që nga dita në ditë kërkon t’i mposhtë.

Lexuesve ju bëj thirje të blejnë librat e mi për të shtuar kënaqësinë dhe bibliotekën e tyre, por, në të njëjtën kohë, më ndihmojnë edhe mua të vazhdoj në rrugën e bukur të krijimtarisë.



Pyetje: Ku mund t’i gjejnë lexuesit librat tuaj?



Përgjigje: Ata mund të komunikojnë me drejtuesit e Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar, zotin LLazar Dako, në adresën: adpa@adanet.com.al ose me mua në adresën: shytiligor@yahoo.it Ndërkohë mund të blejnë librat e mi në librarinë e qytetit Përmet dhe Shtëpinë botuese “Medaur” në Tiranë.



Gazetari: Atëherë nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju falenderoj për këtë intervistë, duke e lënë të hapur bisedën tonë për takime të tjera. Faleminderit dhe punë të mbarë!



Ligor Shyti: Punë të mbarë edhe ju dhe faleminderit!



Image result for Ligor shyti


Ligor Shyti : DETEKTIVI





Përpara se të afroheshim në kryeqytet, treni ecte drejt asaj reje të zezë në formë shtëllunge që sa më shumë i afroheshim, aq më poshtë ulej, sikur të ishte në garë me trenin për të kapur kryeqytetin. Sinjalin e fillimit të rrebeshit na e dha një shkrepëtimë e beftë e shoqëruar me një bubullimë të mbytur që lëshoi më pas litarët e saj mbi gjithçka dhe mbështolli edhe trenin tonë me curila uji të rrjedhshëm nga të gjitha anët.

Mbritëm në stacion. Ende pa sistemuar mirë valiçet, për t’i nisur më pas me hamejtë e rastit drejt qendrës, sikur ta kishte prerë me thikë pamjen që ndan stacionin me bulevardin qendror, u shfaq rrezja e parë e diellit që depërtoi në brendësi të bulevardit dhe krijoi një të çarë të qiellit pikërisht në zonën qendrore të sheshit “Skënderbej”. Atë mëngjes pranvere të lagësht me mjergull të përshkënditur nga rrezet e diellit, ajëri i freskët të flladiste fytyrën, sikur të bënte fresk me pendë pëllumbash. Era e malit të Dajtit ndihej në mes të bulevardit njëlloj sikur të ishte në lartësinë e malit, edhe pse pallatet e lartë e vështirësonin depërtimin e tyre. Fasadat e pallateve nga të dy anët e rrugës shndrisnin si pasqyrë nga pikat e shiut që sapo kishte pushuar dhe reja e zezë filloi të largohej drejt jugut. Njerëzit filluan të dilnin në rrugë nga të gjitha anët, për të vazhduar jetën e tyre normale, të ndërprerë nga stuhia e pak minutave më parë. Menjëherë u rivendos gjendja e mëparshme. Filluan përsëri makinat dhe autobusët e linjave të lëviznin nëpër stacionet e tyre. Jeta iu kthye normalitetit. Në fytyrat e njerzve shihje vetëm gëzim dhe hare, sikur shiu t’u kishte kthyer humorin që u mungonte prej kohësh. Edhe kumbullat e egra anës trotuarit ndiheshin çuditërisht të qeshura dhe lëshonin në ajër aromën e tyre kënaqësindjellëse. Edhe kulla e sahatit ndrinte atë mëngjes jo si herë tjetër, duke lënë të nënkuptohej se ndihej e kënaqur që ishte më e lartë se monumenti i kalit të Skënderbeut dhe rrezet e diellit i shijonte më parë se ai që qendronte i heshtur e i palëvizur me shikimin e tij drejt stacionit të trenit, nga ku vinim ne dhe i afroheshim, sikur objektivi ynë të ishte ai dhe jo qendra e Tiranës.

Pasi u sistemova në një hotel afër qendrës, për të qendruar disa ditë me miqtë e mi në atë qytet, zbrita shkallët dhe dola në rrugë. Nuk e mora mundimin të lidhesha me ta, si zakonisht, e t’u lajmëroja ardhjen time. Çuditërisht, atë mëngjes, më pëlqente të rrija i vetëm e të shijoja ato pamje që u shfaqën pas ikjes së atij shiu të rrëmbyshëm dhe daljes së rrëzeve të bukura të diellit. Pamjet magjike që të ofron Tirana pas shiut, të rrëmbejnë e të bëjnë përvete, duke të ftuar t’i shijosh ato, pa bërë ndonjë plan se ku do të shkosh, apo me kë do të takohesh.

Nostalgjia e kujtimeve të viteve të shkuara më kishte rrëmbyer krejt dhe, si pa dashje, ia lashë rastësisë të më merrte në vorbullën e saj. Kujtimet filluan të zgjoheshin një nga një, si trupa të rënë në koma prej vitesh dhe turma e njerzve më rrëmbeu pa e kuptuar drejt “Rrugës së Barikadave” ku ndodheshin njeri pas tjetrit dyqane nga më të ndryshmet. Diur, vite më parë, në njerin nga ata dyqane, kisha blerë një çantë të zezë me zinxhir për të mbajtur dokumentat dhe ajo më shoqëron akoma në udhëtimet e mia. Qesha me vete kur mendova se çanta ime po kthehej të shihte pronarin që kishte lënë aty më shumë se njëzet vjet më parë.

I shtyrë nga kureshtja, apo, ndoshta për të shtyrë kohën e lirë, iu drejtova përsëri asaj rruge, me shpresë se mos shihja ndonjë pamje të ngjashme me atë të njëzet viteve më parë, apo ndonjë fytyrë të njohur me të cilin mund të bisedoja për kujtimet e viteve të shkuara. Në vetvete ndjeja thellë në shpirt se atë ditë diçka ishte ndryshe, jo si ditët e tjera. Nuk e di përse një instikt i brendshëm më shtynte të mendoja se do të më ndodhte diçka e paparashikuar dhe, ngaqë minutat po iknin dhe mua nuk po më ndodhte gjë, nuk e di se si m’u krijua një gjendje ankthi, që më shtynte edhe më shumë të mendoja se ajo po vononte dhe unë isha i sigurt se do të më ndodhte.

Vështroja me vëmendje njerëzit që më rrethonin dhe, si i trembur nga vështrimet e tyre, mundohesha të dalloja tek ata edhe detajet më të vogla të fytyrës, apo ndonjë shënjë të veçantë që mua më tërhiqte vëmendjen. Ngaqë koha po kalonte dhe mua nuk po më ndodhte asgjë, shkova në verandën e një lokali dhe po vështroja nga trotuari njerëzit që kalonin poshtë tij. Kamerieri erdhi menjëherë dhe nuk e mbajta mend se ç’porosita pas ikjes së tij. Të gjithë më dukeshin si figura gjeometrike që lëviznin sa në një krah të rrugës, në tjetrin dhe unë nuk mundja të njihja asnjë prej tyre, edhe pse në këtë qytet kisha shumë shokë e miq.

Më shumë se gjysmë ore qendrova në atë kolltuk. Në brendësi të qenies sime plogështia kishte bërë pakt me ndjenjat e mia të heshtura, që s’bënin gjë tjetër veçse sodisnin pamjet që të ofronte veranda e lokalit në drejtim të sheshit qendror, nga ku vinin e shkonin turma njerëzish me fytyra të qeshura, që diskutonin me njeri-tjetrin, shpesh dhe me zë të lartë.

S’kishte kaluar më shumë se një orë dhe mua nuk po më ndodhte gjë e pazakontë atë mëngjes të zakonshëm të jetës së një qyteti, që vlon nga zhurma e më shumë se tetëqind mijë banorëve. Ndjenja e pritjes së një diçkaje të paplanifikuar, që askush dhe asgjë nuk ma kishte premtuar se do të më ndodhte, më kishte bërë të ndihesha i sigurt dhe nuk më shtynte të kundërshtoja, apo të mendoja se ajo, të cilën unë prisja, nuk ishte gjë tjetër veçse një sajim, apo pjellë e fantazisë sime, aq më pak, një parandjenjë e të qënit tim supersticioz për fatin.

I përgjumur në vështrimet e mia të humbura, drejt hyrjes ku njerëzit vinin e shkonin, vura re një njeri që u shfaq disa herë brenda një afati kohor të shkurtër dhe, si pa u kuptuar, u zhduk përsëri në thellësi të turmës. Nuk e di pse, ky njeri më tërhoqi vëmendjen dhe fillova të mendoja për të. Ndoshta ishte veshja e tij me xhaketën gri dhe këpucët e rënda ushtarake që më bënë të mendoja se, ai njeri, nuk ishte si gjithë të tjerët. Ndoshta vështrimi i tij disi i trembur, i ngjethur, i çoroditur, jo si të tjerët, më bëri të mendoja se më pas unë do t’i kushtohesha atij, për të kaluar orët e asaj paradite që brenda qenies sime kishte rëndësi të veçantë. Kur hyri në brendësi të turmës, u mata të ngrihesha e t’i shkoja pas, por ishte tepër vonë dhe koha nuk më premtoi të paguaja e të nisesha.

Me ndjenjën e fajësisë, ngaqë nuk shkova në kohë ta shihja nga afër, vendosa që nëse ai do të shfaqej përsëri, do ta ndiqja. Këtë rradhë bëra gati lekët dhe i lashë mbi tavolinë, për të qënë i gatshëm të largohesha në çdo kohë. Ai njeri, pamjen e të cilit më dukej sikur e njihja prej kohësh, më bënte të mendoja se brenda tij diçka të rrallë do të gjeja, apo ndoshta do të zbuloja një gjë të re që kurrë më parë s’e kisha njohur. Në fund të fundit, kush ishte ai njeri dhe pse më kishte bërë mua të ndihesha aq kurioz me qenien e tij? Të ishte ecja, ajo që më kishte tërhequr vëmendjen, apo mënyra se si ishte veshur! Jo, jo! Veshja jo! Ai nuk kishte ndonjë gjë të veçantë nga të tjerët, që unë të kuptoja se veshja e tij nënkuptonte diçka, edhe pse xhaketa e tij diçka më kujtonte, apo këpucët e tij me qafë si këpucë ushtarake. “E pamundur!” -thashë me vete. “Ky njeri, nuk mund të më ketë ngacmuar me veshjen e tij. Ai ka diçka tjetër që më tërhoqi vëmendjen kaq shumë dhe më bëri të kuptoja se nuk ishte si të tjerët”.

Ndërsa kisha rënë në mendime dhe po hetoja shkaqet që më kishin bërë të kuptoja se ai njeri kishte diçka jonormale, burri me xhaketë gri më kaloi përpara syve dhe me shpinën kthyer nga mua iu drejtua shkallëve. U ngrita menjëherë si i llahtarisur. Për të mos i lënë shije të hidhur pronarit të lokalit, i vura kartmonedhën në dorë afër banakut dhe pa humbur kohë iu drejtova shkallëve pa ia ndarë sytë. Burri, që në pamjen e parë të jepte përshtypjen se ndiqte me vëmendje gjithëçka që e rrethonte, ktheu një herë kokën pas, sikur nuk i interesonte fare mjedisi që kishte rreth e rrotull, nxori një kunjë shkrepseje dhe po vështronte reklamat në një afishe në anë të trotuarit. Unë isha afër, shumë afër dhe ndiqja me vëmendje të gjitha lëvizjet e tij, edhe pse nuk kisha dëshirë që ai ta merrte vesh se po e ndiqja. Në një farë mënyrë më dukej vetja si detektiv dhe kjo nuk më pëlqente. Në fillim mendova se mos ishte ndonjë hallexhi i papunë, apo hajdut xhepash që priste rastin e përshtatshëm të sulmonte prenë e tij, por kur vura re se personazhi im ishte qethur shkurt dhe mbante një kapelë të pastër, ndërrova mendim. Një herë mendova se po i bija kot më qafë këtij fakiri, por kur e vura re nga afër se si i vështronte njerëzit me bisht të syrit, mendova se nuk do të dilja pa gjë me atë njeri.

Pas pak u nis me të shpejtë drejt sheshit “Skënderbej” Mënyra si po ecte më la të kuptoja se kishte një hall të madh. Kurioziteti më shtyu ta ndiqja pas e të mos i ndahesha. Ç’të ishte ai njeri! E ndoqa deri tek stacioni i autobusit, në anën e poshtme të lulishtes, afër Bankës Kombëtare. Nga mënyra se si iu afrua njerëzve më la përshtypjen se ishte ndonjë intelektual, por kur vura re se po kruante dhëmbët akoma me kunjën e tij të disa minutave më parë, kuptova se kisha gabuar. Ai vazhdonte i qetë të kruante dhëmbët pa e çarë kokën fare se aty afër kishte të tjerë që prisnin të hipnin në autobus. Mendova të tërhiqesha nga aventura time, por nuk e di përse atë çast m’u kthye mendja dhe vendosa ta shoqëroja akoma më tej. Vendosa të hipja bashkë me të në autobusin e parë që pritej të vinte. Për çudi edhe autobusi i stacioneve të veriut të Tiranës po vonohej.

Autobusi mbriti dhe njerëzit filluan të hipnin. Me bindjen se “gjahu” im do të nxitej të futej së bashku me turmën, u afrova si të gjithë të hipja edhe unë dhe, me bisht të syrit, ndiqja nga afër lëvizjet e tij. Për çudi, apo ndoshta e kishte vënë re se po e ndiqja, bëri një kthesë të papritur dhe mori anash autobusit të linjës dhe u nis drejt trotuarit për në sheshin qendror. Aty e kuptova se ajo për të cilën unë kisha dyshuar pak minuta më parë, tani ishte një realitet. Nuk isha gabuar. Personi që më kishte tërhequr vëmendjen diçka fshihte dhe mua më duhej ta shpija deri në fund aventurën time. Tani ai nuk ishte më njeri i zakonshëm dhe unë, dashje, pa dashje, duhet ta zbuloja misterin që fshihte. Përse ai ndërroi mendim dhe nuk hipi në urban? Cili është shkaku or mik, që u tërhoqe nga vendimi yt? Patjetër që këtu diçka fshihej dhe unë, që tashmë kisha marrë përsipër këtë detyrë, duhej ta ndiqja. Tani instikti im ishte kthyer në një detyrë që s’ma kishte ngarkuar askush dhe për asgjë s’isha i detyruar të jepja llogari, nëse kërkimi im dështonte, edhe pse isha i bindur që në këtë ndërmarrje s’kisha arsye pse të dështoja, aq më tepër tani që ai më dha një shans më shumë me ndryshimin e drejtimit të tij të udhëtimit. E ndoqa pas. Kalova trotuarin dhe e vështroja nga larg, për të mos i lënë të kuptonte se po e ndiqja. Duke ecur m’u krijua bindja se ai s’ishte gjë tjetër, veçse një detektiv i policisë që shkonte kudo dhe vëzhgonte çdo gjë që mund t’i shërbente atij si element i dyshimtë. Tirana është qytet i madh me popullsi nga krahina të ndryshme dhe padyshim detektivët civilë luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e elementëve kriminalë që veprojnë në qytet.

Do të kisha ndërruar mendim dhe do të kisha hequr dorë nga roli im prej “detektivi” në ndjekje të atij njeriu, por, kur vura re se ai u kthye me të shpejtë në drejtim të bustit të Skënderbeut, hoqa dorë nga mëdyshja dhe u binda plotësisht se ai njeri paraqiste interes. Zbulimi im tashmë kishte hyrë në rrugë pa kthim dhe mua s’më mbetej gjë tjetër veçse ta ndiqja dhe të mësoja të vërtetën. Ankthi dhe kurioziteti po më shtrëngonte gjoksin. Mezi prisja të zbuloja atë që, ndoshta, edhe punonjësit më të specializuar të policisë sekrete do ta kishin zili. Isha njeriu më me fat që do të kisha mundësinë të shihja nga afër një skenë që nga çasti në çast mund të ndodhte. Askush në këtë qytet nuk ishte më i përgatitur se mua shpirtërisht për të ndjekur atë pamje që fati ndoshta ma kishte rezervuar vetëm mua.

Fillimisht u tremba kur mendova se ai mund të ishte ndonjë atentator apo terrorist që mund të bënte ndonjë shpërthim me dinamit në afërsi të institucioneve, aq më tepër që aty ishte qendra e kryeqytetit, por, kur vura re se ai u kthye nga lulishtja, në pjesën e pasme të monumentit dhe, sikur të kishte frikë nga dikush që mund ta vështronte, nxorri nga xhepi i brendshëm një celular, vështroi një herë majtas e djathtas dhe me të shpejtë formoi një numër telefonik, ndërrova mendim. Aty u binda se miku im s’ishte gjë tjetër veçse një informator civil i policisë që u jep informata eprorëve. Biseda nuk zgjati më shumë se tridhjet sekonda dhe ai futi menjëherë celularin në xhep dhe u ul në një stol në qoshe të lulishtes. Atë çast mendova të largohesha dhe ta lija rehat fukaranë që bënte punën e tij për të mbajtur familjen me bukë.

Do të kisha ikur dhe s’kishte për të më rënë kurrë ndonjëherë në mend ajo fytyrë, po të mos kisha kthyer kokën dhe ta shihja si për herë të fundit për ta përshëndetur. Pikërisht kur unë vendosa të largohesha dhe shpresat e mia për të parë diçka të veçantë e të rëndësishme po shuheshin, vura re një lëvizje të çuditshme që më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri të ndryshoja mendim. Isha shumë afër. Vetëm një rresht me lule na ndante dhe unë kisha mundësinë ti shihja fytyrën dhe gjithëçka që kishte të bënte me atë njeri misterioz. Në lulishte kishte shumë pak njerëz, ndoshta vetëm ne të dy. Unë që e shihja dhe ai që nuk më shihte. Unë që kisha më shumë se një orë që e ndiqja, dhe ai që bëri gjithë ato lëvizje dhe akoma nuk e kishte vënë re se dikush po e ndiqte. Më erdhi rëndë që bëja një veprim të tillë, por kur ktheva kokën dhe nëpërmjet një boshllëku pashë mikun tim që po qante, u gjenda i çuditur dhe ndjeva keqardhje. Ai njeri, që unë e kisha quajtur punonjës të policisë sekrete, kishte kapur kokën me duar dhe po qante me dënesë. Ç’të ishte vallë ajo skenë dhe përse ai njeri po qante?

Vendosa të largohesha. Ai njeri ishte një hallexhi që s’i prishte punë askujt. “Në fund të fundit” –thashë me vete, “një qytet i madh ka dhe raste të tilla”. Hodha disa hapa drejt muzeut Historik, por shpejt u pendova. Në mendjen time filloi një duel ndjenjash që më bënte të ndihesha fajtor. Pak minuta më parë, kur unë kisha interes për ta ndjekur, ai ma kishte plotësuar kënaqësinë time dhe më kishte mbajtur për më shumë se një orë me ankth e emocion, ndërsa tani që ai kishte nevojë më shumë se kurrë për mua, e braktisa. “Jo, jo!” thashë me vete dhe, si me telekomandë, u ktheva pas për të shkuar përsëri atje ku ai ishte ulur dhe qante me ngashërim.



Eca drejt lulishtes i sigurt se miku im nuk do të më kishte vënë re. Kalova pranë tij dhe bëra sikur nuk e kisha vënë re më parë, për të mos e vënë në siklet e ta bëja me turp që e shihja që qante, por ai asqë e vuri re fare praninë time. Rrinte kokëulur dhe herë pas here nxirrte nga xhepi një shami dhe fshinte lotët. Iu afrova, qëndrova i heshtur para tij dhe me mirësjellje iu drejtova:

-A mund të ulem?

Më vështroi sikur deshi të hetonte praninë time aty dhe, si nëpër tym m’u përgjegj me zë të ngashëryer:

-Ulu! –tha dhe lëvizi pak nga e majta.

Për më shumë se pesë minuta ndënjëm së bashku pa folur. Unë mendoja për të dhe përpiqesha të gjeja shkakun që e bënte atë burrë rreth të pesëdhjetave që qante me ngashërim, dhe, herë pas here vështronte nga maja e pishave të parkut, sikur donte të ngushëllohej me to, ndërsa ai e ndërpreu ngashërimin dhe, ndoshta nga prania ime, filloi të meditonte duke u mbështjellë më tepër me xhaketën e tij jo shumë të përshtatshme për stinën.

-Nga të kemi? –pyeta pas pak.

-Urdhëro? –u përgjegj ai sikur u shkund nga mendimet që e kishin gllabëruar.

-Këtu banon? –pyeta përsëri për të kuptuar nëse ishte vëndas apo i ardhur në Tiranë. Ai më vështroi me vëmendje nga koka tek këmbët dhe, si për t’u siguruar më parë se nuk isha njeri i keq, m’u përgjigj thatë:

-Këtu, këtu banoj!

-Jeni i ardhur? –këmbëngula, duke i lënë të kuptoja se biseda jonë nuk kishte ndërmend të mbaronte me kaq. Ai më vështroi edhe një herë drejt e në sy dhe, si u bind në vetvete se s’mund të isha njeri i keq, m’u përgjigj:

-Jam i ardhur nga Përmeti!

-Nga Përmeti? Po fol a derbardhë. Qënkemi patriotë. Edhe unë nga Përmeti i kam prindërit! –vazhdova tashmë i lehtësuar, por çuditërisht edhe atij iu çelën sytë dhe, si për t’u shfajësuar nga ajo skenë që kisha vënë re pak minuta më parë, uli kokën dhe tha i dëshpëruar:

-Nga Përmeti jam, por… ç’e do. Ika, e lashë Përmetin. Tani më duhet të mat rrugët e Tiranës si zagar i zgjidhur.

-Pse? –pyeta unë duke mos e lënë bisedën të ftohej, aq më tepër që edhe ai ishte akoma në një gjendje të tronditur dhe në sy i dukej hapur shqetësimi që kishte. Pasi u prezantuam dhe i shpjegova origjinën e prindërve të mi, ai vazhdoi:

-Lëre, lëre, se jam bërë për të vrarë veten!

-E ke gabim. –ndërhyra për ta qetësuar. –Njeriu në jetë kalon shumë vështirësi, por kjo nuk do të thotë se, sa herë të kemi probleme, të mendojmë për vetvrasje.

-Po, ke të drejtë! –tha ai me një shprehje të qartë të fytyrës, ku dukej sheshit se halli i tij i kalonte kufijtë dhe unë nuk isha në gjendje ta kuptoja. –Edhe unë deri përpara një viti kështu mendoja, por sot ndihem si një njeri që i rëndon dheut kot. Po ta dije hallin tim, do të më jepje të drejtë.

-Mos u shqetëso! –ndërhyra. -E di ç’ke ti, a shkojmë ulemi në ndonjë lokal dhe pimë ndonjë kafë e bisedojmë shtruar?

-Jo, faleminderit! –tha ai i vendosur dhe u mbështoll mirë me xhaketën e tij të hollë, ndërkohë që unë këmbëngula:

-Po hajde, ç’ke ti? Qiras unë!

-Jo, jo. –tha ai. –Po të jetë për të qirasur, do të ta jap unë kafen.

-Mirë, dakort! –thashë dhe e kapa prej krahu e iu drejtuam lokalit më të afërm në pjesën e poshtme të monumentit. Miku im tashmë ishte qetësuar disi dhe vështrimi nuk qe ai i pari. Dukej i qetë dhe i heshtur edhe pse shprehja e fytyrës e tradhëtonte dhe gjendja i ikte herë pas here nga kontrolli. Ndonjëherë më dukej se fliste me veten dhe mundohej që në praninë time ta shmangte një fenomen të tillë.

Pasi morëm nga një kafe ekspres dhe u rehatuam në tavolinë përballë njeri-tjetrit, miku im, që me sa e mbaj mend quhej Perikli, pyeti:

-Në Kuçovë banon?

-Po, -thashë menjëherë.

-Je mirë, mos u largo nga Kuçova. Është vend i bukur dhe i qetë. Unë e hëngra atë tek tani dhe s’e ndryshoj dot…

-Pse? –pyeta gjithë kurreshtje, apo ndoshta për t’i dhënë shkak që ai të fillonte rrëfimin e tij.

Pasi mori frymë thellë, më vështroi drejt e në sy dhe, si për të hetuar dëshirën time për ta dëgjuar, vazhdoi:

-Siç të thashë, kam bërë një gabim që ndoshta do të më kushtojë shtrenjtë. E tepërt të ta them, por mua më duket sikur më tregojnë të gjithë me gisht, dhe e gjithë kjo, vjen ngaqë i jam dorëzuar jetës dhe s’kam më dëshirë për të jetuar.

-E ke gabim! –ndërhyra unë, por ai nuk më la të vazhdoja.

-Dëgjomë deri në fund dhe do të më japësh të drejtë, -tha duke vështruar nga dritarja dhe tundi kokën, sikur miratonte diçka që ai vetë e propozonte. –Dikur, jo më larg se dy vjet më parë, kam qënë oficer dhe u kam bërë moral ushtarëve për karakter të fortë e … ç’nuk u kam thënë, por ja që jeta u kthye mbrapsht dhe tani s’jam në gjendje ti jap kurajo as vetes. Kam qënë oficer në brigatën e Artilerisë, me gradën kapiten i parë. Isha njeri i nderuar dhe asnjëherë s’e kisha humbur ekulibrin, me gjithë vështirësitë e shumta që kam hequr për 25 vjet me rradhë. Më është q… nëna maleve nëpër dëborë, ku s’kam shkelur, megjithëatë kam qënë i lumtur. Zoti më dha dy djem si yje dhe i rrita me gjithë të mirat. Tani e kuptoj se nuk i kam rritur ashtu siç duhet. Kur i kisha fëmijët të vegjël, kisha shumë ëndërra për të ardhmen e tyre dhe nuk kurseva gjë që ata të rriteshin me të gjitha të mirat. Për vete jam rritur me fukarallëk të madh dhe nuk doja që edhe fëmijët e mi të kishin të njëjtin fat. Tani po e kuptoj se prindërit e mi nuk kanë qënë vetëm të zotët që na rritën një tufë me kalamaj, po heronj. Edhe sot, nëna ime, që është 75 vjeç, kujdeset për të gjithë ne, si dikur, kur ishim të vegjël, ndërsa unë…

Miku im ktheu kokën mënjanë dhe disa pika loti i rrodhën në faqe.

-Më fal, se… ndoshta të mërzita. –tha pas pak.

-Jo, jo, - i thashë i prekur nga lotët që i rridhnin si fëmijë edhe pse herë pas here përpiqej t’i mbante. Pasi rrufiti disa herë kafen e ngrohtë, vazhdoi:

-Gruaja ime, në fakt, ka qënë e vetme në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të mi. Kuptohet, unë më shumë në repart se në shtëpi, por kjo nuk e justifikon gabimin që kam bërë me fëmijët. I madhi, mbaroi gjimnazin dhe u fut në një kolegj për të vazhduar më tej studimet. Ishte djalë i rregullt dhe i disiplinuar. Doli shumë mirë me studime. Mësoi edhe dy gjuhë të huaja, ndërsa të voglin e përkëdhela ca si shumë dhe nuk më eci mirë në gjimnas. Ngeli dy vjet në vitin e parë dhe s’mund të vazhdonte më tej. Pashë, ç’pashë, e futa dhe atë në një kolegj fetar. E ndihmoi shumë i vëllai me shokët që kishte atje. Në kolegj, për tre vjet, doli me rezultate të mira dhe mësoi dhe një gjuhë të huaj. Në fund të vitit të tretë, djali i madh filloi punë në një televizion privat në Tiranë dhe u shkëput nga marrëdhëniet me kolegjin, megjithëse e paguanin pak dhe nuk kishte ndonjë prespektivë. Këtu filloi kalvari i halleve të mia, që sot e kësaj dite s’dihet se si do t’i vejë filli. Djali i vogël, mbaroi shkollën në kolegj dhe iu ngrit mendja të vazhdonte një shkollë dy-vjeçare për piktor. Mirë e kishte ai, por shkolla i kërkonte çdo muaj nga 10 mijë lek, dhe këto i donte nga mua. Bisedova me gruan, e cila në atë kohë punonte si shitëse në një market ushqimor, dhe ia plotësuam dëshirën djalit. “Sidoqoftë, -thamë, -për djalin tonë po sakrifikojmë!” Pa mbushur vitin në Tiranë, djali i madh u njoh me një vajzë. I bëra fejesën dhe filloi të bashkëjetonte me të. Sikur të mos mjaftonte kjo, pas tre muajsh më vjen i vogli, që s’kishte mbushur akoma të njëzetat, dhe më thotë se ishte lidhur me një vajzë nga Lushnja, të cilën e kishte njohur në kolegj. S’më erdhi mirë që u ndodha përpara një fakti të tillë, por gruaja më foli dhe… desha, s’desha, i bëra fejesën edhe atij.

Deri këtu, mirë, por më e keqja më erdhi më pas. I vogli, kur pa të vëllanë që bashkëjetonte, kërkoi edhe ai të merte një dhomë me qira e të jetonte me të dashurën e tij. Të dy ishin pa punë dhe pa të ardhura. Më erdhi nj’a dy net në Përmet dhe më tha se kishte ndërmend të fillonte punë si kamerier në një lokal, për të nxjerrë lekët e qirasë së shtëpisë, por donte nga ana ime ta ndihmoja për të ngrënë e jetuar. Unë i jepja dhjetë mijë çdo muaj, por ato nuk i dilnin. U shqetësova dhe i thashë se e kisha të vështirë t’i jepja më shumë, por ai m’u përgjegj: “Bëj si të duash o babi, por unë këto dy vjet kam nevojë. Kur të mbaroj shkollën, nuk ta kam nevojën pastaj!” U vura në pozita të vështira. Sapo kisha ndërtuar një objekt tregëtie dhe akoma s’kisha mbaruar kredinë e ndërtesës. Më zuri aq keq or’ ti mik, që s’dija ç’të bëja. Unë atë djalë kam për pleqëri dhe me atë them ta ngrys jetën, në e ngrysça. Desha, s’desha, ia dhashë fjalën, por unë e di se ç’kam hequr. Punoja që nga mëngjesi në mbrëmje dhe gjumi s’më zinte kur vinte dita që t’i dërgoja lekët djalit. Ai mezi i priste, aq sa nganjëherë më merrte dy tri ditë përpara në telefon. Ku e dija unë i ziu se ç’bëhej në Tiranë. Ndoshta fola pak si shumë dhe… të mërzita.

-Jo, jo, përkundrazi, s’jam mërzitur fare! –thashë duke e ndjekur bisedën me shumë interes.

-Pa mbaruar mirë vitin e parë i vogli, më vjen një natë djali i madh dhe më thotë se nusja dhe shokët i kishin kërkuar që të bënte dasmën. Në mes të atij shqetësimi që kisha për të voglin, edhe dasma e të madhit më duhej. Më premtoi se do t’i gjente vetë lekët e dasmës, por se ku do t’i gjente, as zoti s’e dinte. Ai paguan njëzet mijë lek qiranë e shtëpisë, përveç ujit, korrentit dhe shpenzimeve për të jetuar. Të gjitha të ardhurat që kisha mbledhur për afro pesë muajsh, i harxhova për dasmën e tij. Edhe ca para që m’u mblodhën, ua dhashë dhe i nisa për pushime në plazhet e Vlorës. Sido që bëra, edhe pse u lodha dhe u sfilita, ua pranova të gjitha, por, sikur të mos më mjaftonin të gjitha këto, m’iu shkrep të voglit të merrte një dyqan me qira në pallatin ku jetonte. “More djalë, -i thashë, -kush do të ta mbajë dyqanin ty me furnizim dhe të të shesë tërë ditën? Ne po ngordhim nga mëngjesi në mbrëmje, dhe mezi fitojmë ndonjë lek, ndërsa ti, në një anë shkollën, në një anë dyqanin. Nuk bëhet kjo! – i thashë, por u tregova i dobët. Ma mbushi mendjen. E kishte biseduar me të shoqen dhe kishin vendosur që të merrnin të vëllain e saj për paradite. Pasdite të shiste vetë. E pranova. Ku e dija unë se ç’do të vinte më pas. S’kaloi as një muaj, më merr në telefon. Më thotë se kishte gjetur një motor të mirë dhe i duhej për të bërë furnizimin e dyqanit. Më vuri përpara një fakti, që m’u duk e arësyshme dhe, desha s’desha, ia bleva.

U nisa dhe erdha vetë në Tiranë. Thashë të vete një herë, të shoh ç’bëhet. Kisha vite pa ardhur. Tirana është bërë ehuuu… s’e merr vesh ku fillon dhe ku mbaron. Kur erdha, ç’të shoh? Dyqani që kishte marrë im bir ishte në një pallat në thellësi, që s’kishte xhiro fare. E zonja e dyqanit merrte rrehat qiranë dhe s’donte t’ia dinte nëse kishe, apo s’kishe fitim ti. Kunati i djalit ishte njeri i mirë, po… i ri, as ia kishte idenë nga tregëtia. U mërzita shumë, por vura re se edhe djali nuk ishte shumë i kënaqur nga kjo punë. Atë mbrëmje, pasi hëngrëm darkë, djali më tha: “A vini dhe ju o babi, këtu me ne? Ç’do të bëni në Përmet? Gjithë bota drejt Tiranës po vijnë, vetëm ju dhe disa fshatarë kini ngelur në atë qytet. Hajdeni këtu dhe të përpiqemi të gjejmë ndonjë punë. Mami le të merret me dyqanin paradite, sa të vij unë nga shkolla. Edhe këtë vit, pastaj unë mbaroj shkollën dhe zgjidhet problemi”. Në këtë periudhë e shoqja kishte filluar punë në një bankë si ekonomiste. Ky propozim m’u duk i çuditshëm. As që e kisha menduar ndonjëherë më parë. Shtëpinë në Përmet sapo e kisha mbaruar dhe unë e di se ç’hoqa që e bëra për së mbari.

U ktheva me mendje të ngritur. Fëmijët i kisha të dy në Tiranë, ndërsa unë rrija atje me gruan. Kishim disa vjet që rrinim vetëm dhe vetmija dukej sikur na vriste. “Na ruat që kemi dy djem!” thoshte gruaja sa herë që mërzitej. Dhashë e mora e s’dija ç’të bëja. Nga një anë më vinte mirë të shkoja afër djemve, por kur mendoja se ç’do të bëja në Tiranë dhe me se do të rroja, më zinte paniku. Gruaja më thoshte se duhej të vinim që tani afër fëmijëve dhe jo kur të bëheshim pleq e të zinim vend. Me lekët që do të shisja shtëpinë dhe objektin në Përmet, unë nuk blija dot as një dhomë e një guzhinë, e jo të arrija e të blija ndonjë dyqan të vazhdoja aktivitetin tregëtar. Për më shumë se tre javë s’më zinte gjumi. Në Tiranë djemtë i kisha pa shtëpi dhe pa punë. Një natë, më mori në telefon nusja e djalit të vogël dhe më tha se e kishte marrë malli shumë, por s’vinte dot se ishte e zënë me punë. Edhe djali dukej i përmalluar dhe s’kishte mundësi për të ardhur. Atë natë ndodhi ajo gjëmë e madhe që s’kam për t’ia falur vetes kurrë.

U ngrita të nesërmen si i marrë dhe i thashë gruas të bëhej gati për t’u nisur drejt Tiranës. E kisha vendosur. Të bëhej ç’të bëhej. Në djall të vejë. Kur ikin gjithë ata njerëz dhe rrojnë, unë i vdekur jam! Nxorra lajmërimin në qytet për të shitur shtëpinë dhe lokalin dhe në krye të javës u shitën. Ishte prag krishtlindjesh dhe më duhej të shkoja t’i festoja me fëmijët. Unë për të ikur kisha një ditë, pse të mos ishte ky momenti i ikjes, thashë me gruan.Dhjetori i 2003-shit ishte koha kur u largova nga Përmeti dhe, ndoshta, shkatërrimi përfundimtar i jetës sime. Shtëpinë dhe objektin atje i shita 2.7 milion lek dhe s’kisha asnjë lek më tepër. Sa erdha në Tiranë, djali me nusen më propozuan të merrnim një shtëpi më të madhe me dy dhoma e një kuzhinë që të ishim më rehat, por më vonë, më doli nga hundët.

Shtëpia kushtonte shtrenjtë dhe, veç asaj, më duhej të paguaja edhe ujin dhe korrentin, përveç shpenzimeve të përditshme që sa vinin e shtoheshin. Vetë, fillova punë tek një pronar që merej me montimin e kondicionerëve, por ika shpejt. Punoja gjithë ditën nga mëngjesi në mbrëmje dhe më jepte shumë pak. Gruaja filloi të punonte në dyqan, por edhe aty fitimet ishin të pakta. Djali, sa bënte furnizimet në mëngjes dhe, deri në orën katër të pasdites gruaja s’lëviste nga dyqani. Unë, herë punoja, herë s’punoja. Kur vinte fundi i muajit, pronari i dyqanit na kërkonte lekët e qirasë, kishe apo s’kishe fituar ti. Edhe pronari i shtëpisë, sa vinte data, donte njëzetmijëshin. Përveç shpenzimeve, më duheshin çdo muaj afro pesëdhjet mijë lek të reja vetëm për pagesën e qirave. Ku t’i gjeja unë? Nga dyqani sa që mbanim frymën gjallë. Kur isha në Përmet, s’kishte ditë që të haja bukë e të mos pija një gotë verë. I kisha mundësitë. Vetëm nga rrushi që kisha nëpër oborr, nxirrja afro dy kuintalë verë në vit, pa diskutuar rrushin që hanim dhe rakinë. Ç’të të them? Kur e kujtoj, më vjen të qaj. Më mblidhet një lëmsh në grykë që më merr frymën.

Dukej se ishte tronditur thellë dhe kishte nevojë të pushonte pak. Buza iu tha nga pështyma. Piu pak ujë nga gota që kishte sjellë kamerieri dhe vazhdoi:

-Pa mbushur mirë gjashtë muaj, harxhova më shumë se një milion lek të vjetra nga lekët e shtëpive. S’kisha ç’të bëja. Djali, sa na solli këtu dhe s’e vriste fare mendjen se ç’do të bënim. Dilte nga shkolla, merrte në celular të shoqen dhe tërë pasditen me shokë e shoqe. Bleu dhe një motor të shtrenjtë, gjasma me kursimet e së shoqes, dhe as që duan t’ia dinë se ka, apo jo shtëpia. Pashë, ç’pashë, vendosa të blija shtëpi. Sido që të ishin, vetëm t’i kisha të miat dhe të mos paguaja qira. Erdha vërdallë një javë të tërë për të gjetur ndonjë shtëpi me çmim të arsyeshëm.

Një ditë, takova një mikun tim, i cili më drejtoi tek një agjenci. Sa hyra atje, shoh një patriotin tim nga Përmeti që drejtonte agjencinë. U mbretërova nga gëzimi. Sido që të ndodhë, thashë, mishin do të ma hajë, por kockën do të ma ruajë. I shpjegova problemin dhe shumën e lekëve që kisha në dispozicion. Ai u tregua menjëherë i gatshëm. Mbylli zyrën dhe u nisëm në “Kinostudio” për të parë shtëpinë që do të blija. Ishte në një lagje që… “Kinostudio” i thënçin, po më mirë të themi në fshat. Edhe shumë nuk më pëlqeu, por, kur mendoja se çdo muaj po më shkonin nga pesëdhjet mijë lek të reja, në djall të vejë, thashë. I dhashë fjalën se do të vija pas një jave t’i shpija lekët dhe të bënim dokumentat, por miku im më foli prerë: “Po s’pagove njëzet mijë lek tani, si garanci, unë nuk të garantoj që e gjen pas një jave!” Mendova një herë të hiqja dorë, por u tregova i pavendosur. Patrioti im më siguroi se po t’i merrja shtëpitë, njëzet mijë lekët do të mi zinte në llogari. E vendosa. Unë i humbur e i humbur jam, thashë, këto njëzet mijë lek nuk do të më nxjerin nga moti.

Kur shkova në shtëpi, gati sa s’më mbytën në grykë të gjithë. Në një anë gruaja, në një anë djali me nusen, m’u lëshuan sikur të kisha bërë ndonjë krim. Njeri më thoshte: “Ikë bano vetë atje, se ne s’të vimë!” tjetri më thoshte: “Të gjeti ty Bujari, kështu e quajnë përgjegjësin e agjencisë, dhe të shiti shtëpi të mbetura në fshatrat e Tiranës…” Ç’të të them, ore mik! Më gjeti belaja, por më e keqja ishte kur shkova tek patrioti im , të nesërmen, për t’i thënë se nuk mund t’i blija. Ai, as që ma vërshëlleu fare. “S’dua ta di unë!” –më tha. “Nuk mbaj përgjegjësi se të kthehet mendja ty. Unë, këtë punë kam dhe me jëtë rroj. Perikli, më tha, jemi në ekonominë e tregut. Nuk është si qëmoti. Po deshe, po s’deshe…” sikur të më kishte vrarë, s’do të më dilte pikë gjaku. Kishim kaluar një jetë të tërë me familjen e tij në Përmet dhe na lidhte edhe miqësia, por, që të ma bënte ai këtë, s’e besoja. Të humbasësh duke ndenjur njëzet mijë lek, kjo është për të ulëritur.

U mërzita shumë. Dilja për ndonjë punë por, s’më merte njeri. Sipërmarrësit duan djem të rinj. Unë i mbusha të pesëdhjetat dhe s’punoj dot si më parë. Tani më dridhen duart dhe ndihem i pafuqishëm. Një i njohuri im më adresoi një palë shtëpi në “Allias”. Vajta i pashë. Ishin shtëpi të mira, në vend të kulluar, por ishin pak larg nga qendra e Tiranës. Gruaja sikur u bind, por nusja me djalin ma prenë në mënyrë kategorike. “E pamundur, tha nusja, me se do vij unë që nga “Alliasi” në punë? Apo të bëhem me baltë dhe të më tallin njerëzit?” Çudi, thashë me vete, këta sikur kanë lindur aty, pas kalit të Skënderbeut!

Një natë, pasi kisha bërë fjalë me gruan, për disa qëndrime të tyre që binin ndesh me traditën nga anët tona, thashë të dilja një xhiro nga kodrat e liqenit artificial, të merrja ajër të pastër. Kisha vite pa dalë nga ajo anë, që kur isha student. Vendosa të shkoj në këmbë, edhe pse ishte pak larg. Kur u ktheva që andej, më kishte mbaruar shkrepsja e duhanit dhe hyra në një bar-restorant afër ish parkut “Rinia” Do të blija shkrepsen dhe do të dilja, por djali i madh më kishte vënë re dhe erdhi menjëherë. Ç’të shoh? Ata ia kishin shtruar të katërt me meze e birra dhe po bënin qejf sikur t’i kishin të tëra në vijë. Më ra në kokë kur i pashë, por s’e dhashë veten. Më ftuan të ulesha, por mua m’u bë koka miza miza.

I përshëndeta në heshtje dhe dola. Të them të drejtën, sikur të kisha ndonjë armë atë çast, do të kisha vrarë veten. “Hajde o Perikli, hajde!” thashë me vete. “Puno o qerata të rritësh fëmijët dhe të hash veten me dhëmbë se s’ke shtëpi!” Kisha një vit ardhur në Tiranë dhe akoma s’po kuptoja grackën që më kishin ngritur fëmijët. Ata ma kishin patur nevojën që të vija në Tiranë e tu mbaja hapur dyqanin dhe gruaja t’u lante e t’u shpëlante shtëpinë e t’u bënte gjellën. Nuk më zuri gjumi atë natë dhe, që atëhere, s’më zë më. Fle apo s’fle dy orë në natë. Ç’kam bërë, ç’kam bërë! Më shumë se pesë vitet e fundit, u dërgoja fëmijëve nga pesë mijë lek çdo muaj, me merakun që të mos mbeteshin keq e t’i shtrinin dorën njeriu, por tani e kuptoj se ç’gabim kam bërë. Tani po e vras mendjen që fëmijët e mi gjetën parajsën në Tiranë dhe u joshën nga jeta e bukur e kryeqytetit. Se, po ta shohësh nga pamja e jashtëme, të merr më qafë Tirana. U çudit lagjia kur bëra dasmën e djalit në Përmet, aq sa thoshin njerëzit: “ Kur u bënë kaq të qefit këta djemtë e Perikliut!” ku ta dija unë i ziu, se djemtë e mi s’kishin lënë lokale e bare pa bredhur e pa shijuar. Tani po e kuptoj shkakun që i detyroi fëmijët e mi të martoheshin nga 20 e 24 vjeç. Domosdo, një fëmijë që zgidhet nga zinxhiri, ç’do të bëjë!

Pasi mori frymë thellë dhe porositi kamarierin t’i sillte edhe një gotë ujë, vazhdoi i menduar:

-Sido që ma bënë, unë, përsëri fëmijët e mi i kam, s’mund t’i hedh poshtë, po…ç’ti bëj fatit që më ka vënë përparë me gurë. Që nga ajo ditë, vendosa të veproja pa pyetur fëmijët. Të nesërmen, mora gruan dhe shkuam tek një biznesmen me origjinë nga ana jonë, që merret me ndërtim banesash. I vajta në shtëpi me gjithë gruan dhe i qava hallin. i thashë: “Në daç më ndihmo, në daç më hidh në lumë. Unë dua të më japësh një hyrje me ato para që kam!” Ai, i shkreti, është burrë i mirë, por më sqaroi se s’kishte shtëpi të gatshme. “Po të paguani lekët që kini, unë mund tua bëj gati hyrjen nga mesi i vitit që vjen!” -na tha.

Pasi na siguroi se do të bënte çdo veprim sipas rregullave ligjore dhe shtëpia do të ishte gati pas gjashtë muajsh, vendosëm të paguanim. Të nesërmen dorëzova lekët dhe bëmë një dokument noterial për pagesën. Sido që të shkonte puna, pas gjashtë muajsh do të kisha shtëpinë time. I pagova lekët, po unë e di se ç’kam hequr. Kur e mori vesh djali me nusen, sa s’u vramë fare. “Ç’është kjo që ke bërë? –Ulërinte djali. –Pse, kafshë jemi ne që të rrimë në një dhomë e kuzhinë? Apo do flemë si qëmoti…” E ç’nuk më thanë! Më e keqja ishte se, flitej që biznesmeni ishte në krizë ekonomike dhe pallati kishte mbetur në vend. Rrezikohej të mos e ngrinte në afatin e duhur. Kjo më bëri të çmendem. Unë dhe për tre muaj lek kisha të paguaja qiranë. Më pas i zoti i shtëpisë do të më nxirrte përjashta. U bëra për të vrarë veten kur më tha edhe një tjetër se punimet e pallatit kanë mbetur në vend.

Sikur të mos më mjaftonte kjo, djalin e madh ma pushuan nga puna dhe s’kishte lek as për të paguar qiranë e shtëpisë. Thashë se më iku kapaku i kokës. Në Përmet s’kthehem dot nga turpi, aq më tepër që s’kam ku të vete. Tani s’kam asnjë lek dhe, sido që të vejë puna, më duhet të rri këtu e të pres se si do t’i vejë filli pallatit që kam paguar. Nuk di ç’të bëj. Fëmijët i kam pa punë. Vetë, herë gjej, herë s’gjej. Qiradhënësit s’duan t’ia dinë. Vajti fundi i muajit, ata duan paratë. Së shpejti më lindin dy nuset e djemve. Janë shtatzëna, po shpenzimet do të më shtohen. Me se t’i përballoj të gjitha këto?!

U mbështoll mirë me xhaketën e tij ngjyrë gri dhe u mbështet pas kariges, sikur ishte çliruar nga një barrë e rëndë. Fytyra herë pas here i merrte një pamje të zbehtë, që dukej sikur do të pësonte ndonjë paralizë faciale nga çasti në çast. Tendosja e muskujve ishte e pakontrollushme dhe atij nuk i ngelej gjë tjetër, veçse të mbante shpesh nofullën e poshtme me pëllëmbën e dorës.

Pas një pauze të shkurtër, në kohën kur unë mendova t’i bëja ndonjë sugjerim, ai u ngrit si i trembur dhe, pa pritur t’i thosha diçka, foli në ikje e sipër:

-E di ç’do të më thuash. Lëre, e kam marrë vesh që jam treguar i dobët. Mos e zgjat!

Më dha pak majën e dorës dhe u largua si me telekomandë. Me sa duket, diçka iu kujtua dhe iku me të shpejtë. Ndoshta nuk ishte në gjendje të përballej me gjykimin e tjetrit, aq më tepër që nuk më njihte. Të ndodhesh përballë gjykimit të një të panjohuri, nuk është gjë e lehtë, veçanërisht për ushtarakët. Për më shumë se një javë të qendrimit tim në kryeqytet, nuk munda ta shihja më atë njeri, të cilin në fillim të tregimit tim e quajta: “Detektivi”.

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...