Nga Fatime Kulli
Veprimtari i madh i çështjes kombëtare, profesori, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Bedri Tahiri, me penën e tij të mprehtë, asgjë që ka të bëjë me kombin atdheun nuk ia lë stihisë e dhëmbit të kohës. Ndjehem me fat që Bedriun e njoh mirë prej kohësh, dhe, gjithnjë në shërbim të atyre që me gjakun e vet sollën lirinë. Bashkëpunimi me të u thellua më shumë, kur si kryetar komisioni, një rrugë në Vushtrri e pagëzoi “ÇAMëRIA”. Në gusht të vitit 2012, në Tiranë, “Poetika Mbarëkombëtare Bytyçi” zhvilloi një manifestim të madh mbarëkombëtar në Malin e Dajtit dhe Bedri Tahiri u nderua me çmimin “HASAN PRISHTINA”, për kontributin serioz dhënë në fushën e studimeve historike për figurat e kombit shqiptar. Gjeografia e veprave të tij është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Madje, edhe vetë idetë e veprave të tij bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar.
Tashmë, dihet nga të gjithë se Bedri Tahiri është latues i temave madhore kombëtare dhe se e ka krijuar stilin e vet krijues origjinal. I lindur dhe i lidhur ngushtë, mu si rrapi shekullor, me trevën e Drenicës heroike, me truallin e Azem e Shotë Galicës, i rritur pranë Adem Jasharit e i luftëtarëve të lirisë (edhe vetë ishte i angazhuar në luftë dhe e gëzon statusin e Veteranit të UÇK-së), i edukuar në frymën e flaktë të shqiptarizmës, në shpirtin e tij kryesisht ka zënë vend tema e luftës dhe heroizmave të brezave liridashës që çdo gjë dhanë nga vetja, edhe jetën, për çlirim e bashkim kombëtar. Dhe, mua për këtë edhe librat e tij të shumtë, kryesisht, lidhën me atdhedashurinë: “Azem Bejtë Galica” (1995), “Përmendorja që mungon” (1997), “Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare” (1998), “Adem Jashari- legjendë e legjendave” (u ribotua nëntë herë, 1999), “Përjetësia” (2000), “Agu i lirisë” (e ribotuar dy herë 2001), “Drenica- një shekull trimërie” (u ribotua tri herë 2002), “Përtëritja” (2002),”Flakadanët e lirisë1″ (2004), “Drejtësia në sprovë” (2005), “Azem Bejtë Galica” (botimi i dytë i plotësuar 2005), “Flakadanët e lirisë 2” (2oo6), “Nga Shqipëria në Shqipëri” (2oo7), “Flakadanët e lirisë 3” (2007), “Adem Jashari- legjendë e legjendave “ (botim i nëntë 2008), “Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” (2008), “Abdyl Krasniqi- frymëzues brezash”(2009),”Diferencimi”(2010),”Për Flamurin kuqezi” (2010), “Vesel Galica atdhetar dhe mentar i shquar” (2010), “Në Grykë të Valbonës” (2011) dhe “ Flakadanët e lirisë 4” (2012). Pra, figurat më madhore të kombit, si: Milosh Nikollë Kopiliqin, Ahmet Delinë, Azem Bejtë Galicën, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin, Hys Popovën e pastaj luftëtarët e shumtë të UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptar dhe nga mërgata si: Shaban e Hamzë Jashari, Ilaz Kodra, Fehmi Lladrofci, Xhevë Lladrofci, Tahir Sinani, Fatime Hetemi, Indrit Cara, Astrit Suli, Shpend Dragobia, Skerdilajd Llagami, Rrustem Hyseni, Ahmet Selaci, Mehmet Gradica, Shaban Palluzha, Sadri Kapiti etj, janë përjetësuar denjësisht nga pena e të palodhurit Bedri Tahiri. Pas një mali me libra (të botuara 24 e në dorëshkrim 10), kryesisht monografi historiko- letrare, tregime artistike dhe publicistikë, ky autor, së shpejti do të dalë para lexuesve edhe me një libër të zhanrit tjetër, meditativ e eseistik, të titulluar “Përsiatje recensionale”. Qeshë shumë e nderuar që librin e pata në dorë si dorëshkrim dhe e lexova me një frymë. Libri “Përsiatje recensionale” është konceptuar në dy pjesë, të cilat autori i ka emërtuar:
1. Unë për të tjerët dhe
2. Të tjerët për mua
Në pjesën e parë janë përfshirë mendimet, shqyrtimet dhe analizimet që Bedri Tahiri ua bënë veprave të autorëve të ndryshëm. është me interes të cekët se edhe këtu autori i kapërcën kufijtë politik, duke e parë Shqipërinë ashtu siç duhet, të plotë e të pandarë. Ai, duke shkruar për 16 vepra, me tema e mendime të ndryshme, sikur sublimon atë që duhet, të mirën, pozitivizmin, kombëtaren dhe mbi të gjitha njerëzoren, duke na dhuruar një gjendje letrare të shëndetshme për nga vlera e trajtimit të veprave të këtyre autorëve. Gjuha e këtyre shkrimeve, është e qartë, e kuptueshme, e pastër, e fuqishme, e zgjedhur, e begatë me shprehje e frazeologjizma si dhe me një sintaksë perfekte e të lakmueshme. Analizimi dhe zbërthimi i veprave me tematikë të larmishme të: Selatin e Sabri Novosellës, Skënder Kapitit, Abdyl Ukës, Fatmir Mingulit, Hazir Mehmetit, Raif Mehmetit, Nezir Çitakut, Halil Kajtazit, Rexhep Kuçit, Ramadan Bozhlanit, Idriz Mehmetit, Xhemail Pecit, Shaban Baksit, Gloriosa Dobrës e Dafinë Musës bëhet aq saktë, rrjedhshëm, natyrshëm, argumentueshëm e me një konceptualizëm të paparë, saqë mund t’i kapë lehtë secili lexues. Ndërkaq, në pjesën e dytë përfshihen vlerësimet e të tjerëve për disa nga veprat e krijuesit të talentuar Bedri Tahiri. Të mos harrojmë se, kohë më parë, është botuar libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, i cili në vete përmban vetëm shkrime vlerësuese për veprimtarinë letrare- historike- publicistike të këtij autori. Kësaj radhe, për shqyrtim janë marrë librat me tregime: “Përjetësia” dhe “Diferencimi”, monografia “Abdyl Krasniqi- frymëzuesh brezash”, libri publicistik “Në Grykë të Valbonës”, monografia “Vesel Galica- atdhetar dhe mentar i shquar”, monografia “Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, si dhe libri për dëshmorët “Flakadanët e lirisë 4”.
Ajo që duhet veçuar me këtë rast është se të gjithë studiuesit: Ejup Ceraja, Zenun Gjocaj, Fatmir Minguli, Nusret Pllana, Gjon Neçaj, Riza Haziri, Behram Hoti, Skënder Kapiti e Xhemail Peci, i vlerësojnë me pietetin më të lartë veprat dhe kontributin e Bedri Tahirit për historinë dhe kulturën tonë kombëtare. “Bedriu është njohës i mirë i rrethanave historike, andaj nuk e ka të vështirë të bëjë shëtitje nëpër shekuj kohor të historisë së popullit tonë, në një anë dhe nëpër morfologjinë e gjeografisë së trojeve tona etnike, në anën tjetër. Pra, Bedriu, epokat përpara luftës së UÇK-së i përshkruan me njohurit e një eruditi si njohës i mirë i historisë, kurse epokën e UÇK-së e përshkruan si përcjellës i drejtpërdrejtë i saj”- shprehet studiuesi i parë i këtij libri, Ejup Ceraja. “Tetëmbëdhjetë libra nuk janë thjesht numra librash, por ndryshe janë qëmtime portretesh të heronjve realë, nga të cilët publicisti i specializuar Bedri Tahiri ka ditur të marrë pjesë njëlloj si ai piktori i madh që merrte porcione nga fytyrat e njerëzve e krijonte veprën e vet të padiskutueshme”- konstaton eseisti i njohur nga Durrësi, Fatmir Mingul. Ndërkaq, poeti dhe krijuesi i njohur tropojan, Gjon Neçaj, duke folur për autorin dhe veprën e tij, pos tjerash konstaton: “Pa ndonjë ekzistencializëm të tepruar në këtë sfond, Bedri Tahiri duket se i takon Panteonit të atyre krijuesve më të shquar të popullit ose më saktë, të kombit tonë që e shkruajnë krijimtarinë e tyre të gjithanshme me gjakun, gjuhën dhe me shpirtin e vet krijues dhe artistik”. “Libri i Bedri Tahirit “Flakadanët e lirisë 4” përbëhet nga tregime biografike historiko- letrare, të stolisura me një mjeshtri të veçantë përmes një stili të lehtë, të kapshëm e joshës për të gjitha shtresat lexuese. Figurën e stolisin elementet historiografike, gojëdhanore, arkeo-logjike, toponimike të shkrira me elemente letrare dhe të harmonizuara me mjeshtri artistike, përmes një stili të kapshëm për mbarë shtresat e gjera intelektuale, jo vetëm për frymëzime historike, por edhe për ato letrare”, – vlerëson kritiku dhe krijuesi, prof. dr. Zenun Gjocaj. “Autorin e librit “Hasan Prishtina” z. Bedri Tahiri e njoh shumë herët, ai është miku im dhe mysafir i të gjitha trojeve shqiptare. Ai është i tillë, sepse ka një zemër të gjerë, është patriot i palodhur dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare në kërkimin dhe hulumtimin, me talent e vullnet të jashtëzakonshëm në këmbënguljen e tij për ta përjetësuar qëndresën, atdhetarizmin, veprën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe lënë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare si në të shkuarën e largët, në atë të afërme dhe të sotme në vijimësi. E gjithë tematika e shkrimeve, veprave e librave të Bedri Tahirit është patriotizmi dhe atdhedashuria, dhe, këtë frymë e ka të trashëguar nga Drenica, nga kjo krenari kombëtare që e lindi dhe e rriti,- shprehet politologu dhe filozofi durrsak, Skënder Kapiti.
Një vlerësim tjetër vjen nga Anglia, kur studiuesi Xhemail Peci me plot gojën thotë: “Me penën e tij të mprehtë, duke i skalitur në mermerin monumental të magjisë së fjalës shqipe që si himn i zjarrtë nderon Martirët e Lirisë, me kronikat e zërit të zemrës për të gjithë ata që me Gjakun e tyre të njomë e të kulluar iu falën Përjetësisë, me përshkrimet e tij të holla të përjetimeve dhe të tablove të luftës, Bedri Tahiri m’i kujton Kronikat e Kryengritjes Shqiptare të Mihal Gramenos, si dhe tablonë e Delakroas: “Liria i prinë popullit”. Ndaj, lirisht mund të gjykojmë se edhe libri më i ri i Bedri Tahirit, që nuk ka reshtur kurrë të ngjyej penën e tij të shpirtit, si një rilindës i kohëve moderne ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për çështjen kombëtare dhe për kombin e tij. Vepra meditative “Përsiatje recensionale” është një dritare e hapur, plot diell për lexuesin dhe me siguri, një vepër që duhet ta kenë në bibliotekën e tyre, pasi një vepër me vlerë ta bën mendjen e ndritur.
Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit “Përsiatje recensionale”