2017-05-18

Alban Bardhyli: Roli i inteligjencës në sigurinë kombëtare



“Roli i inteligjencës sekrete në sigurinë ndërkombëtare dhe në politikën botërore është tani më i rëndësishëm se kurrë [...]. Pritjet publike për inteligjencën nuk kanë qenë kurrë më parë më të mëdha, dhe këta përfshijnë edhe zbulimin e rolit të shërbimeve sekrete” - Len Scott

Hyrje

Ky punim botohet me rastin e veçantë të festës së 17 dhjetorit - 103 përvjetorit të krijimit të Shërbimit Sekret të Shtetit Shqiptar, moment në të cilin dëshiroj të përcjell urimet e mia më të sinqerta Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), me shpresën se aktiviteti i këtij Institucioni do të shënojë edhe në vazhdim suksese dhe fitore të reja ndaj dukurive të këqija!
Ky punim synon të edukojë edhe teoretikisht publikun sa i përket inteligjencës dhe rolit të saj në Sigurinë Kombëtare, për të evituar në vazhdim rënien në grackën e mashtrimeve të disa mass mediave me qëllime dashakeqëse ndaj SHISH dhe punës së tij.
Teza kryesore e këtij punimi është se siguria kombëtare ka nevojë për inteligjencën dhe varet shumë nga ajo, si dhe në politikëbërjen e sigurisë, edhe në paralajmërimet për kërcënimet ndaj sigurisë së një shteti.
Ky punim, pa synuar të jetë gjithëpërfshirës, është një përpjekje e parë për të kuptuar inteligjencën dhe rolin e saj në sigurinë kombëtare.
Fillimisht synojmë të përcaktojmë termin inteligjencë dhe rolin themelor të saj në sigurinë kombëtare, që është informimi dhe udhëzimi i vendimmarrjes politike, ushtarake, etj. Bëhet dallimi themelor midis informacionit dhe inteligjencës, që është informacion i përpunuar dhe në formën e një analize.
Pastaj analizohen misionet themelore dhe tipet e shërbimeve të inteligjencës sipas tipeve të inteligjencës (inteligjencë e brendshme, e jashtme, ushtarake, kriminale dhe fazat themelore që përbëjne procesin e inteligjencës, duke vënë theks mbi mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen.

Çfarë është inteligjenca?

Termi inteligjencë […] i referohet grumbullimit, analizimit, prodhimit, dhe përdorimit të informacionit rreth shteteve, grupeve, individëve ose aktiviteteve potencialisht të rrezikshme. Ai dallohet nga burimet e tjera të informacionit, sepse shpeshherë, por jo gjithnjë, mblidhet në mënyrë të fshehtë dhe sepse shtetet përpiqen të mos i lejojnë njeri-tjetrit ta shtien në dorë. Ai mund të përfshijë edhe aktivitete speciale, të destinuara të influencojnë zgjedhjet e politikës së jashtme ose të brendshme të shteteve të tjera, pa zbuluar burimin e influencës. Inteligjenca i referohet gjithashtu entiteteve qeveritare që e grumbullojnë dhe analizojnë informacionin, si dhe procesit nëpërmjet të cilit ekzekutohet ky funksion.
Përcaktimi i inteligjencës bëhet nga Manuali i inteligjencës të SHBA-ve në këtë mënyrë: “përcaktimi më i thjeshtë dhe më i kthjellët është: informacion plus analizë është e barabartë më inteligjencë. Kjo qartëson dallimin midis informatës së mbledhur dhe inteligjencën e prodhuar, dmth: Pa analizë, nuk ka inteligjencë; kjo është çka është prodhuar pasi të dhënat e mbledhura dhe informacioni është i shqyrtuar dhe i analizuar.
I njëjti manual pohon se qëllimi i inteligjencës është të informojë qeverinë. “Inteligjenca prodhon një dijë të veçantë që një shtet duhet ta ketë lidhur me mjedisin strategjik, shteteve të tjera dhe aktorët joshtetërore për të siguruar vetveten se kauza e tij nuk do të vuaje, dhe ndërmarjet e tij nuk do të dështojnë për shkak të burrave të shtetit dhe të organizatave dhe mjeteve për të implementuar planin e politikave të sigurisë, se burrat e shtetit nuk do të vendosin dhe nuk do të veprojnë në injorancë”
Len Scott thekson faktin se “roli i inteligjencës sekrete në sigurinë ndërkombëtare dhe në politikën botërore është tani më i rëndësishëm se kurrë në politikën përendimore. Pritjet publike për inteligjencën nuk kanë qenë kurrë më parë më të mëdha, dhe këta përfshijnë edhe zbulimin e rolit të shërbimeve sekrete”

2. Shërbimet e inteligjencës

Entitetet shtetërore që kanë rolin e mbledhjes dhe përpunimit të informacioneve quhen shërbime të inteligjencës dhe ekzistojnë për të:
mbështetur procesin e vendimmarrjes dhe politikëbërjes.
siguruar paralajmërime të hershme
shoqëruar qeverisjen e mirë
sjëllë ekspertizë të afatgjatë
mbështetur menaxhimin kombëtar dhe ndërkombëtar të krizave
mbështetur mbrojtjen kombëtare dhe, në rast të konfliktit, operacionet ushtarake
mbajtur dhe ruajtur sekretet.
Ekzistojnë katër kategori të inteligjencës që mund të dallohen dhe që kanë krijuar shërbime ose agjenci të ndryshme të inteligjencës: inteligjencë të jashtme, të brendshme, ushtarake, dhe kohët e fundit, në disa shtete, inteligjencë kriminale.
Shërbimet e Jashtme të Inteligjencës
-mbledhin, analizojnë dhe prodhojnë inteligjencë relevante për sigurinë e jashtme dhe për qëllime paralajmëruese.
-mbrojtja e sigurisë së jashtme kërkon dije të rreziqeve, kërcënimeve, oportuniteteve dhe shanseve dhe të mundesive e probabiliteteve të zhvilimeve dhe gjasave për ngjarje dhe rezultate
-inteligjenca është e nevojshme mbi qëllime, plane, aftësi dhe aktivitete të fuqive të huaja, organizatave, grupeve joshteterore dhe agjentët e tyre që paraqesin kërcënime aktuale ose potenciale ndaj shtetit dhe interesave të tyre kombëtare.
Shërbime të Brendshme të Inteligjencës
-Shpeshherë të quajtura Shërbime të Sigurisë, mbledhin, analizojnë dhe prodhojnë inteligjencë relevante për sigurinë e brendshme dhe për paralajmërim.
-Siguria e brendshme synon të mbrojë shtetin, soveranitein, territorin, infrastrukturën kritike, shoqërinë dhe njerëzit kunder akteve keqdashëse dhe aktiviteteve armiqësore.
-Çfarë mbulon Inteligjenca e Jashtme jashtë shtetit, bën Inteligjenca e Brendshme brenda shtetit, duke u varur nga situata me prioritete të ndryshme.
-Zbulon terrorizmin; spiunazhin; sabotazhin, subversionin; ekstremizmin etnik dhe fetar, krimën e organizuar; produksionet e narkotikeve dhe trafikun; spastrimin dhe falsifikimin e parave; trafikun e armeve, kontrabandën me arme dhe njerëz; imigrimn ilegal, sulmet kibernetike dhe vjedhjen e të dhënave dhe shpërndarjen e pornografisë, etj.
Shërbimet e Inteligjencës Ushtarake apo të Mbrojtjes
-mbledhin, analizojnë dhe prodhojnë inteligjencë relevante për planifikimin e mbrojtjes dhe forcave ushtarake dhe mbështetjes së operacioneve ushtarake.
-mbështetja në planifikimin e mbrojtjes detyron për njohjen e inteligjencës mbi aftësitë ushtarake të huaja; dobësitë; doktrinet; urdhrat e betejes; konceptet operacionale; taktikat; dhe performanca e armatimit për të modeluar përmasat, tipet dhe dizlokimet e forcave ushtarake.
-mbështetja e operacioneve ushtarake ka të bëjë me inteligjencën për mbrojtjen e forcave; për të siguruar transparencë të hapësirës së betejes, duke lokalizuar qendrat e gravitetit dhe pikat vendimtare; dhe për të mundesuar përmes operacioneve në qendër të rrjetit dhe të bazuara në efekte mbizotërimin dhe arritjen e objektiveve strategjike dhe operacionale
Shërbimet e Inteligjencës Kriminale
-mbledhin, analizojnë dhe prodhojnë inteligjencë mbi grupet kriminale, korrupsionin dhe aktivitetet kriminale me qëllimin e dënimit.
“Të gjitha shërbimet e inteligjencës kanë tre funksione bazike: mbledhjen, analizën dhe kundërinteligjencën Aksionet e mbuluara (covert action) janë rastësisht një funksion të katërt, mund kryhet prej shërbimet e inteligjencës së jashtme ose […] në aksione përçarëse prej policisë”
Duhet përmendur esenë e Andrew Ratmell, ku argumentohet se në botën e sotme, “shërbimet e inteligjencës kanë nevojë të bëjnë ndryshime radikale në qasjet konceptuale dhe më strukturën organizacionale për t’u adaptuar në kushtet sociale, kulturore dhe teknologjike që shfaqen dhe për të akumuluar dijen intensive në sistemet e globalizuara të shpërndara. Atë që ai quan “fragmentimin” e kërcënimit kërkon qasje konceptuale për të kuptuar kërcënimet ndaj sigurisë dhe ndryshimet radikale në të cilat shërbimet e inteligjencës mbledhin dhe përpunojnë njohuri mbi to. Supozimet epistemologjike të mendimit postmodernist janë tërësisht në varësi me mendimin bashkëkohor në ushtrinë amerikane, ku kërkimi për njohuritë mbi betejen e përkryer është qëllimi i atyre që bëjnë prozelitë për revolucionin në luftën e informacionit”, thekson Len Scott.

3. Cikli i inteligjencës

“Kuptimi më i mirë i procesit të inteligjencës dhe rëndësisë së tij për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare u bë më i domosdoshëm si kurrë më parë. As nuk ka nevoje të shtrëngojë kufizimet, si dhe vlerën e inteligjencës”, thekson Len Scott, në punimin “Burime dhe metoda në studimin e inteligjencës”.
Ashtu siç Loch K. Johnson pohon në “Hyrje në literaturën e studimeve të inteligjencës”, botuar në vëllimin I të librit Inteligjenca Strategjike, inteligjenca mund të klasifikohet në tri misione kryesore: “mbledhja dhe interpretimi (“analiza”) e informacionit, ruajtja e sekreteve të qeverisë kundër sherbimëve të inteligjencës armiqësore dhe të kërcënimeve të tjera (“kundërinteligjenca”); dhe manipulimi klandestin i ngjarjeve për interesat e kombit, përmes përdorimit të propagandës, aktiviteteve politike, përcarjes ekonomike dhe operacioneve paraushtarake (kolektivisht të njohura në Shtetet e Bashkuara si “covert actions” ose “aktivitete speciale"). Çdo prej këtyre misioneve ka tërhequr vëmendjen të shkenctarëve të inteligjencës, në veçanti mbledhja, analiza dhe shpërndarja – zemra dhe shpirti i inteligjencës.“
Cikli i inteligjencës fillon prej përcaktimit të nevojave deri në sjelljen e produktit të gatshem të inteligjencës për konsumatorin (faktorët vendimmarës).
Inteligjenca është e prodhuar në një proces përmes të cilit qeveria, udhëheqja ushtarake, agjenci dhe konsumatorë të tjerë kërkojnë inteligjencën e nevojshme, dhe përmes së cilit shërbimet e inteligjencës iu përgjigjen nevojave në gjashtë hapa të aktiviteteve të ciklit të inteligjencës (ose Procesi i Inteligjencës):
Përcaktimi i nevojave, planifikimi dhe drejtimi
Mbledhja
Përpunimi dhe shfrytëzimi
Analiza dhe prodhimi
Shpërndarja e produkteve përfundimtare të inteligjencës
Feedbacku

Përcaktimi i nevojave, planifikimi dhe drejtimi “implikon menaxhimin e orvajtjes së tërësishme të inteligjencës, prej fillimit përmes kërkesave ose detyrimeve për inteligjencën mbi subjektet, bazuar në nevojat e vendimmarrjes.”
Mbledhja është “sigurimi i të dhënave dhe informacioneve të rëndësishme për vendimmarrje të politikanëve, udhëheqjes ushtarake, agjencioneve të tjera dhe klientëve të inteligjencës”
Loch K, Johnson pohon se mbledhja e inteligjencës bazohet “në mjete teknike (satelitet dhe aeroplanet të zbulimit – e ashtuquajtura inteligjenca teknike ose TECHINT, në akronimin profesional); ose në mjete njerëzore (spiunazhi klasik ose inteligjenca njerëzore – HUMINT); dhe në analizën e informacionit e gjetur në literaturën e hapur (gazetat, fjalimet publike dhe njëjtat- e referuar si inteligjenca nga burimet e hapura OSINT.”
Manuali i inteligjencës analizon këto disiplina të mbledhjes së informacioneve:
Inteligjenca nga burime të hapura (OSINT) – “është mbledhja e të gjitha të dhënave dhe informatave të hapura prej radios, gazetave dhe burimeve të lajmeve të printuara, librave, literaturës gri, studimeve, raporteve zyrtare, prej kërimeve në Internet dhe bisedave, si dhe të fakteve dhe parashikimeve prej biznismeneve, think tank-eve, universiteteve, zyrtarëve”
Inteligjenca njerëzore (HUMINT) – është informacioni i mbledhur nga njerëzit. “Prej spiunëve, agjenteve ose informatorëve; të mbledhur prej defektorëve, dezertorëve; ose është nxjerrë prej diplomatëve, biznismenëve, udhëtarëve, akademikëve; si dhe informatat të mbledhura prej marrjeve në pyetje, prej bisedave me personelin e huaj; ose të rezultuara prej operacioneve të kundërinteligjencës, etj.“
Inteligjenca e sinjaleve (SIGINT) – “janë të dhënat dhe informacionet të mbledhura prej përgjimeve, monitorizimeve dhe lokalizimeve të radios, mikrovaleve, radarit ose emisioneve të tjera elektromagnetike, duke përfshirë laseri, drita e dukshme dhe optikat elektrike, të mbledhura prej vendeve të hapura ose klandestine, të gjitha incizimet dhe raportimet e asaj që ka ndodhur.”
Inteligjenca e imazheve (IMINT) – “të dhënat dhe informacionet e mbledhura përmes fotografisë (PHOINT), filmit, videos, televizorit ose radarit pëmes sateliteve, dhe anijeve”
Inteligjenca e masave dhe e nënshkrimeve (MASINT) – “ndërthur IMINT dhe SIGINT, duke përdorur drita të dukshme, infrakuqe, rrezet ultravjollcë, të dhënat që dalin prej analizës spektrale të pasqyrimeve në spektrin e dritës dhe shfrytëzimi i cilësive fizike dhe magnetike, energjia e reflektuar dhe emetuara të frekuencave radio, laserët, etj.
Allan Collins shton edhe disa disiplina të tjera (sipas Lowentalit), siç janë inteligjenca telemetrike (largësimatëse) – TELINT, inteligjenca elektronike – ELINT, inteligjenca e komunikimeve – COMINT, RADINT- informacionet që burojnë prej analizës së radarëve.
Përpunimi dhe shfrytëzimi është “shëndrrimi i të dhenave dhe informatave të mbledhura në një formë më të përshtatshme të analizës dhe prodhimit të inteligjencës; siç është përkthimi i gjuhës, dekriptimi, riprodhimi i teksteve të lexueshme dhe përthimi i filmeve dhe sinjaleve dixhitale në imazhe të dukshme”
Analiza dhe prodhimi është “shqyrtimi dhe interpretimi i inteligjencës së papunuar dhe shëndrrimi i të dhënave dhe informacioneve në produkte përfundimtare të inteligjencës”
Loch K. Johnson pohon: “Në thelb të inteligjencës është sfida e analizës. Këtu është qëllimi për të depërtuar brenda informacionit që u mbledh dhe u përpunua. Metoda është e drejtpërdrejtë: punëso njerëz të mençur për të analizuar gjithë informacionin në disponim në një përpjekje për të parashikuar cilat ngjarje mund të ndodhen në vijim në botë.”
Lidhur me vendin e analizës në ciklin e inteligjencës, John Hollister Hedley, në punimin Sfidat e analizës së inteligjencës konsideron se “analiza përputhet në tablon kombëtar të inteligjencës si portret i mbaruar i një subjekti të inteligjencës. […] Të raportosh një ngjarje është një gjë; të përgjigjesh në pyetjen “çfarë don të thotë?” është analizë. Analiza shkon larg asaj që ka ndodhur – dhe ne mund të zbulojmë çka ka ndodhur – për të vlerësuar çka është prej asaj që ka ndodhur: Ata raportojnë dhe ata vlerësojnë. Çka raportojnë përbën produkti i inteligjencës, ose “inteligjenca e përfunduar”. Ky produkt mund të merr formën e një komenti si reagim të shpejt, një vlerësim me implikime të mundura në term afatshkurtër ose një studim mbi tendencat në term afatgjatë dhe rrjedhojat e tyre potenciale. Në çdo prej këtyre rrethanave, analistët e inteligjencës janë duke luftuar për të gjetur sensin e të dhenave shpeshherë të paqarta, jo të pajtueshme, jo të plota dhe nganjëherë edhe kontradiktore. Dhe nuk e bëjnë këtë në një seminar, por në botën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”. I njëjti autor thekson se “analiza e inteligjencës është kulminacioni i procesit të inteligjencës, edhe pse procesi aktualisht është një cikël që nuk përfundon asnjëherë. Analiza vazhdon mbledhjen përmes identifikimit të nevojave dhe boshlleqeve, që kërkon për më shumë mbledhje, që kërkon analizë të metutjeshme”
Shpërndarja – implikon shpërndarjen e produktit të përfunduar të inteligjencës.
Inteligjenca e përfunduar është bërë e gatshme në disa forma”: inteligjenca e përditshme (“zhvillimet e reja dhe treguesit e mundshëm të ngjarjeve që do te vijnë”), inteligjenca e parashikueshme (“sjell udhëzim strategjik për politikat në zhvillim, zakonisht duke shikuar tri deri në pesë vite në vijim”), inteligjenca bazike (“mbled të dhëna të referencës – biografike, gjeografike, ushtarake, ekonomike, demografike, sociale dhe politike – të prezantuara në formën e monografive, studimeve, atlaseve, hartave, përmbledhjeve të urdhërave të betejes”), inteligjenca paralajmeruese (që nënvizon kërcënimet që do të kërkonin një përgjigje potenciale), inteligjenca për mbështetje operacionale (është fokusuar për planifikimin dhe zhvillimin e një operacioni specifik).
Autori Peter Gill nënvizon: “shpërndarja brenda komunitetit është një faktor i rëndësishëm në cilësinë e produkteve finale, por shpërndarja jashtë komunitetit është ajo që krijon besueshmëri dhe levërdi të inteligjencës. Konsumatorët primarë të inteligjencës janë “bërësit – politikë ose korporatistët. Siç janë prezantuar përfundimet e inteligjencës është e rëndësishme: specifikisht, si prezantohen gradat e paqartësisë. Përdorimi i gjuhës është kryesor; në të vërtetë është përcaktues e çka, në fund, është konsideruar të jetë dije mbi politikën dhe si është racionalizuar. Inteligjenca kërkon të përmirësojë dijen duke reduktuar paqartësinë, por është vetëm parcialisht e suksesshme”
Feedbacku – është çka duhet të sjellin konsumatorët, duke shprehur kënaqësinë apo jo mbi produktin final të inteligjencës dhe duke ardhur me kërkesat e reja për shërbimet e inteligjencës dhe analistët e tyre.

Përfundime

Roli i inteligjencës në sigurinë kombëtare është kyç, sepse nga ajo varet politikëbërja dhe vendimmarrja korrekte dhe e informuar, por edhe paralajmëron mbi rreziqet ndaj sigurisë kombëtare të një shteti. .
Duhet theksuar gjithsesi se vështrimi i rolit të inteligjencës në sigurinë kombëtare është modeluar gjithnjë e më shumë prej revolucionit të informacionit në epokën tonë postmoderne. Sidomos procesi i shpërndarjes vë në pah domosdoshmërinë e analizës mbi lidhjen inteligjencë-politikë. James J. Wirtz përmbledh teoritë normative mbi praktikat më të mira në lidhjen inteligjencë – politikë. Janë dy teori të tilla: teoria e Sherman Kent që “fokusohet në pavarësinë e analizës së inteligjencës, kur vjen nevoja e sjelljes së informacionit për politikëbërësit”. Teoria e Kentit është një model kundër politizimit të inteligjencës, dmth. “modelimit sipas preferencave politike” Korniza tjetër operacionale është lidhur me reformat e realizuara në mesin e vitit 1980 prej Drejtorit të CIA-s, Robert M. Gates dhe fokusohet në “actionable intelligence”, që don të thotë “informatat e përdorimit të mënjehershëm dhe direkt prej politikëbërësve“. Por, autori thekson se “revolucioni i informacioneve ka krijuar një kornizë të rë për oportunitetet e për ndërveprimin midis analistëve të inteligjencës dhe politikëbërësve, në mënyra që nuk janë të kapura as prej Gates, as prej Kent. Barrierat për ndërveprim të supozuara në modelin e Kentit, që janë siguruar prej manaxherëve të inteligjencës ose përmes procesit të gdhendjes së preventiveve formale të inteligjencës janë plotësisht të tejkaluara prej revolucionit të informacioneve. Politikëbëresit dhe stafet e tyre mund tani lehtësisht të komunikojnë në një bazë të përdithshme drejtprejdrejt me analistët. Është gjithënjë e më shumë vështirë për analistët të qëndrojnë mbi grindjet e politikës nëse janë të bombarduara me barazhin e pyetjeve mbi politikat e përditshme, kërkesave të të dhënave dhe kërkesave për komente apo informata në shtim mbi mbulimin e mediave të disa ngjarjeve ndërkombëtare. Më shumë, nga moment që vëllimi i ndërveprimit joformal midis politikëbërësit dhe analistët rritet, mund të fillojë të rritet edhe mesazhin e preventiveve formale të ofruara prej organizatave të inteligjencës.”

Bibliografi

***Inteligjenca strategjike, vëll. I-V, edituar nga Johnson Loch, K, PRAEGER SECURITY INTERNATIONAL
*** ,Manuali i inteligjencës, botuar në kujdesin e agjencive të informacionit amerikane CIA, NSA, Counterintelligence Field Activity, pranë Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve
Collins, Allan, Studime bashkëkohore të sigurisë, Tiranë

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...