Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/06/02

IFIMES: Shkon Hashim Thaçi, vjen Albin Kurti?


Instituti ndërkombëtar për studime ballkanike e të Lindjes së Afërt (IFIMES) nga Lubjana lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë më 11 qershor, vlerëson se "plani i shteteve udhëheqëse të botës është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”.

Në analizën me titull "Kosova: Paralajmërimi i ndryshimeve tektonike në skenën politike", IFIMES, siç përcjell novosti i Beogradit, përkujton se nuk është vënë në funksion Gjykata Speciale dhe Prokuroria për krime lufte me të cilat do të procedoheshin edhe supozimet nga hetimet nga Këshilli i Europës për trafikimin e organeve edhe pse Kuvendi që në prillin e vitit 2014, ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës e BE-së për sundimin e ligjit me të cilën parashihet formimi i asaj Gjykate e Prokurorie.



"Pa përcaktimin e të vërtetës, nuk ka realizim të së drejtës dhe arritje të pajtimit në Kosovë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, plani i vendeve udhëheqëse të botë është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”, konsiderohet në Institutin e Lubjanës.

Në analizë theksohet se “për shkak të gjendjes katastrofike në drejtësinë kosovare, nuk është e mundur të procedohen bërësit e krimeve të luftës, bartësit e krimit të organizuar e të korrupsionit".

"Çerdhja e kriminalitetit në Kosovë gjendet në Agjencinë për privatizim, në sferën e tenderëve publikë, në kompanitë publike, kontrollimin e doganave … Kriminaliteti në Kosovë i ka rrënjët që nga Qeveria në mërgim", përcjell Koha.net vlerësimin e IFIMES.



Përkujtohet se në zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2014, Thaçi kishte premtuar 200 mijë e Isa Mustafa 120 mijë vende të reja pune, ndërsa në “vend të kësaj ndodhi vala e re e shpërnguljes masive nga Kosova në vendet perëndimore të Europës".

"Qeveria aktuale nuk ia ka dalë të zgjidhë asnjë çështje kyçe të Kosovës e i ka hapur tri tema kryesore për përparimin e Kosovës: Zgjidhjen e Marrëveshjes për demarkacion për kufirin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, formimin e Asociacionit të Komunave serbe (AKS) dhe formimin e Ushtrisë së Kosovë”, thuhet në analizë.



IFIMES vlerëson se “pushteti kosovar ka pasur sukses të padukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".


"Sipas vlerësimeve të analistëve, Kosova është parajsë e veçantë për kriminelët për shkak të veprimit të dobët të institucioneve dhe lidhjeve të fuqishme të strukturave politike e kriminale. Ilustrues është rasti i Naser Kelmendit, kundër të cilit po zhvillohet procesi gjyqësor në Prishtinë me akuzën për vrasje. E Kelmendi është njëri nga narko- dilerët udhëheqës në Europë, për ç’shkak ai gjendet në “listën e zezë” amerikane, thotë Instituti i Lubjanës.

Lidhur me formimin e koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, IFIMES thekson se hulumtimet e opinionit publik thonë se beteja në zgjedhjet paraprake do të zhvillohet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicioneve të tubuara rreth LDK-së e PDK-së.


"Votuesit e papërcaktuar janë të mendimit se duhet dënuar qeverinë aktuale (LDK - PDK) gjë që mund të sjellë çrregullime tektonike në skenën politike dhe ardhjen në pushte të Vetëvendosjes dhe të udhëheqësit të saj joformal Albin Kurti ... Kjo situatë mund të sjellë eliminimin e plotë të kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili për këtë arsye ka hyrë në koalicion me Ramush Haradinajn (AAK) dhe Fatmir Limaj (Nisma), kundërshtarët e tij më idhnakë, që të mund të shpëtojë atë që mund të shpëtohet dhe kështu ka dëshmuar se qëllimin e vetëm e ka mbetjen në pushtet”, vlerëson instituti.

IFIMES shton se "pritet që votuesit të dënojnë koalicionin e tillë joparimor të ngarkuar me përplot hipoteka dhe i cili edhe deri më tash ka pasur rastin të tregojë çfarë mund të bëjë për Kosovën".

"Për këtë arsye nuk duhet habitur në suksesin e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes ”, thekson IFIMES dhe shton se nuk duhet befasuar që një ditë dialogun ndërmjet Beogradit zyrtar e Prishtinës ta përfundojnë Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti (Vetëvendosje)", thotë analiza.

Kështu, theksohet në analizë, “çështja e formimit të Asociacionit të Komunave serbe (AKS), demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi si dhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet në pako”, me ç’rast “përfaqësuesit zyrtarë të bashkësive minoritare do të kenë rol të rëndësishëm“.

Lunacek dënon ashpër sjelljen e Serbisë ndaj ish presidentës shqiptare nga Kosova z. Atifete Jahjaga-Kuçi


Lunacek dënon ashpër sjelljen e Serbisë ndaj Jahjagës
Autoritetet e Serbisë i ndaluan ish-presidentes Atifete Jahjaga -Kuçi që të marrë pjesë në një takim në Beograd. Eurodeputetja Ulrike Lunacek dënon ashpër këtë sjellje të Serbisë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga_Kuçi  ishte e ftuar për të promovuar librin "Unë dua të dëgjohem", kushtuar rreth 20.000 femrave të dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës së Kosovës. Libri pritej të prezantohet sonte në Beograd, në kuadër të Festivalit "Mirëdita, dobar dan!", i cili po mbahet në kryeqytetin e Serbisë. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuese e posaçme për Kosovën, Ulrike Lunaçek e ka dënuar ashpër sjelljen e autoriteteve serbe.

"Është plotësisht e papranueshme që ish-Presidnetes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t'i pamundësohet nga autoritetet serbe pjesëmarrja në Festivalin „Mirëdita, Dobar Dan", thotë Lunacek në një prononcim për Deutsche Wellen.

Presidentja Jahjaga kishte për qëllim të prezantojë atje librin "Unë dua të dëgjohem", për femrat e dhunuara dhe keqtrajtuara në Kosovë gjatë kohës së luftës. "Kjo sjellje e autoriteteve serbe është edhe një kundërshtim tjetër i marrëdhënieve të mira fqinjësore, për të cilat Beogradi është obliguar në dialogun e Brukselit me Kosovën të ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian", pohon Lunacek, e cila kërkon që "autoritetet e Serbisë menjëherë të mundësojnë hyrjen e ish-Presidentes Jahjaga në Serbi me qëllim që sonte të mund të marrë pjesë në takimin ku është ftuar."

Ish-shefi i CIA-s: Në Kosovë e Maqedoni mund të ketë ndryshime kufijsh - SHBA aktualisht s’e përkrah Ushtrinë e Kosovës

Ish-shefi i CIA-s: Në Kosovë e Maqedoni mund të ketë ndryshime kufijsh - SHBA aktualisht s’e përkrah Ushtrinë e Kosovës

Ish-shefi i CIA-s për Ballkanin, Steven Meyer, thotë në Ballkan, herët a vonë, do të vijë deri tek ndryshimi i kufijve.




Ai, në një intervistë për mediumin serb “Novosti”, thotë se kufijtë, sipas të gjitha gjasave, do të ndryshohen në Maqedoni, por edhe në Kosovë. Ai vlerëson se Bashkimi Evropian nuk ka zgjidhje për Ballkanin, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk po interesohen më sa duhet për rajonin.

Duke folur për situatën në rajon, Meyer thotë: “Bosnja e Hercegovina tani është më larg nga të qenit një vend i bashkuar se në çdo moment në të kaluarën. Çështja e Kosovës po bëhet më serioze, ndërsa Maqedonia është në rënie serioze për muaj. Në të njëjtën kohë, BE nuk ka përgjigje në pyetjet që shqetësojnë Ballkanin”, u shpreh Meyer, transmeton Koha.net.

Sipas tij, ndryshimet eventuale të kufijve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë mund të sjellin krijimin e Shqipërisë së Madhe, por kjo nuk do ta kishte përkrahjen e SHBA-së.
“Megjithatë, është me rëndësi të kihet parasysh se Washingtoni nuk është më shumë i interesuar për Ballkanin. Administrata e Trumpit nuk do të reagojë në veçanti nëse këto ndryshime arrihen në mënyrë paqësore, të themi, siç ka ardhur deri tek pavarësia e Malit të Zi”, ka shtuar analisti politik.

Në pyetjen se çfarë fati e pret Maqedoninë, ai thotë: “Nëse Mali i Zi dhe Kosova mund të dëshmojnë pavarësinë, edhe Maqedonia do të mundte. Por, ndoshta kjo s’do të ishte rruga më e mirë për t’u ballafaquar me Maqedoninë. Në këtë rast, ata do ta konsiderojnë edhe bashkimin federal me Serbinë”.

Në pyetjen se si do të reagonte administrata amerikane në rast të formimit të Ushtrisë së Kosovës, Meyer thotë se Qeveria aktuale amerikane nuk është në favor të kësaj, “por kjo mund të ndryshojë lehtësisht”.

“Administrata Trump ka qasje të vogël ekspertësh në lidhje me Ballkanin. Serbia duhet që t’i përcjellë me kujdes ndryshimet në politikën e SHBA-së”, theksoi ai.

Sipas fjalëve të tij, “Ushtria e Kosovës, nëse do të formohej, do t’i shtonte rajonit edhe një element trazues në situatën që veçse është jo-stabile”.

“Kjo vlen veçanërisht për rrezikun e përleshjeve të mundshme në veri të Kosovës”, ka shtuar ish-shefi i CIA-s, i angazhuar në çështjet e Ballkanit.

Duke folur për gjendjen në Bosnje, Meyer thotë se, pas heqjes dorë nga padia ndaj Serbisë, do të mund të bëhet e paqëndrueshme.

“Boshnjakët tani janë të pakënaqur dhe të zemëruar, ndërsa serbët të kënaqur. Kjo në veçanti i vështirëson raportet mes Federatave dhe Republikës Serbe”, thekson ai.

E VRANËT ISHTE AJO DITE


E vranët ishte ajo ditë,si sot,pa shi

Veq s’ishte gusht,por nëntor Me përtes ecte kortezhi drejt varrit Dhembje e madhe zihej në kraharor.

Asnjëri s’ngutej,
S’mund të pajtoheshim që s’do ta shihnim më
Lotët rridhnin faqeve të zbehta
S’ndihej asnjë zë.

E vranët ishte ajo ditë
Heshtjen prishte vetëm zhurma e vajit
Ishte vaj edhe më i vranët se dita
Kortezhi ecte ngadalë drejt varrit.

Përtonim por megjithatë ecnim
Oh! Pse ecnim,pse nuk ndaleshim në vend?
Për të zgjatur së paku takimin e fundit.
Për t’a shuar mallin,t’vetmin melhem

Ecte kortezhi.
I vdekuri shtrihej gjatë në tabut
Dhëmbët i kishte të shtrënguar
Flokët të shpupuritur,ballin e zbehtë.

Në ballë dukej shenja që kishte lënë plumbi i gjaksorit
Kur e kishte goditur nga larg
Ai ishte rrëzuar atëherë
Por s’ishte dorëzuar.

E vranët ishte ajo ditë
Dëshmori çohej në varr
Ecte kortezhi me lot në sy
Dhembja barazohej me një mal.

Ç’thoshin duart e tij në pozicion lufte
E kuptuan të gjithë:
Shokët,miqtë,njerëzit e tjerë
E kuptoi edhe moti I lig.

Nëna vështir e kishte pritur lajmin e zi
Më keq s’do ta ndjente as sëpatën mbi trup
Dhëmbët kishte shtrënguar,lotët kishte ndalur
Kishte filluar monologun e saj të pafund.

Ishte po ky monolog që e bënte në kortezh
I fliste birit të saj që tani më s’e kishte
E kujtonte,e dëshironte,e përshëndeste,e porosiste…

Të “zjarrta”plot dhembje,ishin këto fjalë
Ato s’ishin fjalë,ishin vetë jeta
Ishte shndërruar jeta në fjalë
Tani kur djalin ia kishte rrëmbyer vdekja.

Fjalët që përmbajnë një jetë
Nuk mund të shqiptohen
Vetëm pëshpëriten,
Kënga për dëshmorin nuk krijohet,ajo vetëm këndohet.

Atë ditë e vranët ishte koha
Por më të vranët ishin njerëzit
E dija se për mua po niste një jetë e re
Me brenga e shqetësime për ty atdhe.

Shkruar nga Fahri Fazliu, ne rrugen e Bledit, Prishtine

(Fahriu, vellai i Bahri Fazliut i cili se bashku me Afrim Zhitine rane duke luftuar me forcat jugosllave me 2 Nentor 1989, gjithashtu u vra nga nje prite serbe ne Bjeshken e Bogiqes ne Plave ne Maj te 1998)

Prof. dr. Beqir Ismaili : Mehmet (Muhamed) Ali Pasha themeluesi i Egjiptit modern


Fotografia e profilit të Beqir Ismaili

Prof. dr. Beqir Ismaili

Me rastin e 200 vjetorit të ardhjes së Mehmet Ali Pashës në Egjipt, më 12 Maj të 2005, në ambjentet e agjensisë së informacionit “Alba Press” në Kairo, u mbajt një tryezë historike me temë “Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit modern”. Përveç të tjerëve, në këtë tryezë ishin të pranishëm dhe personalitete të historisë dhe kulturës egjiptiane si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kairo. Me këtë rast, Prof. Dr. Beqir Ismaili bëri një rezyme të shkurtër të jetës dhe veprës së Mehmet Ali Pashës, duke vënë theksin në madhështinë e kësaj figure të ndritur të historisë shqiptare.
Mehmet Ali Pasha, ky pinjoll i trojeve shqiptare, i njohur me emrin Muhamed Ali Pasha, është një nga bijtë më të shquar që ka nxjerrë toka shqiptare në historinë e saj.
Mehmet Aliu ka lindur me 1769, në një familje shqiptare. Pasi u mor për një farë kohe me tregëti nëpër Çamëri, vendosi të bashkohet me ushtrinë shtetërore Osmane.
Mehmet Aliu nuk e kishte arsimim e duhur ushtarak. Ai mësoi shkrim dhe lexim, me shumë vështirësi, në të dyzetat e tij, por ai shquhej për aftësinë e tij në planifikim dhe mprehtësi mendimi në zgjerimin e kulturës dhe ardhmërisë së vendit që ai udhëhiqte. Mehmet Aliu ishte një njeri i mençur dhe largpamës, gjë që i mundësoi atij të bëjë karrierë në ditët e mëpasme të jetës.
Me ardhjen e forcave pushtuese franceze në Egjipt në 1798, Perandoria Osmane, në krye të së cilës ishte Sulltan Selim Khan, djali i vëllait të ish Sulltan Abdul Hamidit, që ndërroi jetë më 1796, filloi të përgatisë kundërsulmin për dëbimin përfundimtar të francezëve nga Egjipti. Për këtë qëllim u thirrën ushtarë vullnetarë nga e gjithë Perandoria. Nga viset shqiptare u grumbulluan disa mijëra vullnetarë ku vetëm nga zona e Kavallës u paraqitën treqind ushtarë vullnetarë shqiptarë, të stërvitur dhe të paisur me armatime dhe të gatshëm ti përgjigjeshin thirrjes për luftë, në çdo moment.
Njësia ushtarake shqiptare, e cila udhëhiqej nga Ali Aga, filloi të lëvizë nga trojet shqiptare në drejtim të njërës prej bazave ushtarake detare në Detin Egje. Në këtë port, ishin në pritje anije të shumta ushtarake dhe disa anije të tjera, të ardhura nga anë të ndryshme të Perandorisë, të mbushura me materiale të nevojshme për këtë ndërmarrje ushtarake.
Pak para mbërritjes së forcave osmane në Egjipt, Ali Aga e pa të pamundur të vazhdonte të drejtonte formacionin shqiptar dhe për këtë arsye ia dorëzoi komandën Mehmet Aliut.
Pas përpjekjeve të shumta luftarake me francezët, ushtria osmane më në fund arriti t’a çlirojë Egjiptin nga zgjedha Bonopartiste. Formacioni shqiptar i udhëhequr nga Mehmet Aliu luajti një rrol shumë të madh në këtë luftë. Falë strategjisë së përdorur nga komandanti shqiptar, francezët u shpartalluan dhe u larguan përfundimisht nga vendi.
Pas mposhtjes së francezëve, forca të shumta të cilat kishin qëllime kontradiktore, u orvatën të merrnin në dorë sundimin e këtij vendi. Këto forca i shpallën luftë njëra – tjetrës duke luftuar secila për llogari të vet.
Fuqia më e madhe ishte Shteti Osman, i cili e udhëhiqte Egjiptin që prej tre shekujsh dhe dëshironte që ky vend të mbetej në duart e tij.
Një tjetër fuqi me synime ndaj Egjiptit ishin anglezët, të cilët gjithmonë kishin qenë të gatshëm të ishin prezentë në këtë vend. Për këtë arsye anglezët po bënin të gjitha përgatitjet për t’a okupuar Egjiptin, për tia arritur kështu qëllimit që nuk nuk mundën t’a arrinin gjatë kryqëzatave. Britania kishte për qëllim që me pushtimin e Egjiptit t’i hapte rrugë vetes në Detin e Kuq dhe në Detin Mesdhe e të siguronte kështu mbizotërimin e saj në vijën kryesore bregdetare e prej këtu të lidhej me Indinë.
Pretendues për sundimin e Egjiptit ishin dhe mamlukët (feudalët vendas), të cilët në realitet vepronin sipas pëlqimit të osmanllinjëve.
Pas çlirimit të Egjyptit dhe mosmarëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805, Muhamed Aliu me propozimin e Sheikhut të Al-Az’harit- udhëheqësi më i lartë fetar në vend, njëkohësisht dhe Rektor i Universitetit më të madh dhe një nga më universitetet më të vjetër të botës, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë Guvernator i Egjiptit dhe njëkohësisht iu dha titulli “Pasha”. Në 1805, zë fill dinastia shqiptare e zotërimit të Egjiptit. Mehmet Ali Pasha, shqiptari reformator, iu përvesh punës për modernizimin e vendit të Nilit. Krejt i pavarur, në luftë me të gjithë, madje edhe me sulltanët, Muhamed Aliu arriti deri në portat e Stambollit.
Koha e Mehmet Alit u shqua si kohë e fitimit të betejave të shumta, ushtarake dhe ekonomike. Mehmet Ali Pasha, me zgjuarsi dhe strategji të rrallë arriti të shuajë shumë mosmarrëveshje mes mamlukëve dhe osmanlinjve.
Këto arritje të Muhamed Aliut nuk i shkuan për shtat atyre që donin të ishin dominues të Egjiptit, anglezëve, të cilët të penduar për tërheqien e tyre nga Egjipti vendosën në 1807 të riktheheshin përsëri. Duke përdorur politikat e tyre dhe duke shfrytëzuar tradhëtinë e disa udhëheqësve mamlukë që, nuk posedonin aspak atdhedashuri dhe kulturë dhe që interesat e tyre personale i kishin më të shtrenjta se vendi dhe populli i tyre, anglezët provokuan një kryengritje të cilës i printe admirali Frizer. Ofensiva nuk vazhdoi shumë, por u zmbraps me dy sulme në Aleksandri dhe Reshidë. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, Frizeri u largua nga deti.
Mehmet Aliu e priti me keqardhje të madhe tradhtinë e mamlukëve. Për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të Egjiptit, në Mars të 1811-ës ai i thirri prinjësit tradhëtarë “të penduar” mamlukë, në një darkë në kështjellën e tij. Qëllimi i tij i vërtetë ishte, të lante hesapet një herë e mirë me mamlukët. Dhe është pikërisht kjo darkë që shënon fundin e mamlukëve në Egjipt. Ai e shpartalloi përfundimisht udhëheqjen e mamlukëve dhe bëri ankeksimin e forcave mamluke në rradhët e ushtrisë së tij, duke hapur me këtë veprim një faqe të re në historinë e Egjiptit.
Mehmet Aliu ishte largpamës dhe ambicioz. Ai ëndërronte të themelonte një perandori të gjerë. Që në momentin e marrjes në dorëzim të fronit ai e kuptoi se që Egjipti të shkonte përpara, duhej të bashkohej. Kështu ai punoi e luftoi gjithë kohën për t’ia arritur këtij qëllimi. Ndërkohë ai i zgjeroi kufinjtë e pushtetit të tij deri në Kerdefan dhe Nubeh dhe në 1821-1823 themeloi Hartumin, kryeqytetin e Sudanit të sotëm.
Pas zgjerimit të kufinjve filloi të ashpërsojë qëndrimin e tij ndaj Portës së Lartë në Stamboll dhe filloi të distancohet nga osmanët. Djemtë e tij ishin përkrahësit e tij kryesorë. I biri, Ibrahim Pasha, që në shpejtësi të madhe kishte pushtuar Sirinë dhe kodrat e Turusit, nuk u mjaftua me kaq por depërtoi në Azinë e vogël drejt Stambollit. Në të njejtën kohë Muhamed Aliu kërkoi të rriste epërsinë e tij të mëtjeshme të kufijve depërtues në Siri në mes dy lumenjve, e me këtë rast dëshironte të depërtonte deri në Bagdad në mënyrë që të hapte rrugët e tregëtisë me Indinë.
Në 1824, Sulltan Mahmudi i II-të, i cili nuk mundi të shtypte kryengritjet e grekëve, thirri në ndihmë Mehmet Aliun. Ky i fundit, caktoi djalin e tij Ibrahim Pashën, në krye të ekspeditës kundër grekëve, i cili arriti t’i shuaje dhe t’i shtypë revoltat në Greqi. Si shpërblim të kësaj fitoreje, Sulltani e emëroi Mehmet Aliun Guvernator të Kretës.
Triumfi dhe epërsia e ushtrisë së Mehmet Aliut nuk i shkoi për shtat Shtetit Osman dhe fuqive Europiane, të cilëve u cënoheshin kështu interesat e tyre në rajon e më gjerë. Për këtë arsye, në Korrik të vitit 1840, u grumbulluan në Londër kundër Mehmet Aliut. Ato vendosën që Egjipti të rikthehet në kufijtë e vjetër, të jetë pjesë e Shtetit Osman dhe t’i paguaj haraç vjetor Sulltanit, ushtria të mos numërojë më shumë se 18.000 trupa si dhe të mos prodhojë shpata apo armë luftarake.
Për të qetësuar Mehmet Aliun dhe për ti dalë përpara mundësisë së reagimit nga ana e tij, ato e shpallën Mehmet Aliut zëvendës mbret të Egjiptit dhe të drejtën e trashëgimisë së fronit mbretëror, ia kaluan pjestarëve meshkuj të familjes së tij.
Arritjet e Mehmet Aliut janë të shumta dhe i përkasin fushave të ndryshme. Përveç suksesit në strategjinë ushtarake, ai konsiderohet i pari moderator i botës Islame. Ai ishte i pari që ndërtoi sisteme moderne shtetërore për vendet që udhëhoqi, futi në përdorim shtypshkronjën, ndërtoi fabrika, projektoi dhe realizoi furnizimin me ujë të Aleksandrisë nga krahina Mahmudie, etj. Krijimi i Egjyptit si shtet, modernizimi, ndërtimi i qyteteve, qendrave tregtare, industriale etj, bëri që në Egjipt të fillojë epoka e lulëzimit, lirisë dhe pavarësisë. Kjo i dha mundësi Egjiptit të fitojë krenarinë dhe madhështinë shpirtërore dhe materiale. Vlen të theksohet këtu se Egjipti u bë qendra e diasporës shqiptare, opozitare e Portës së Lartë.
Krijimi i shtetit të Sudanit, emancipimi i shoqërisë sudaneze dhe dhënies, kësaj shoqërie, nje fizionomie qytetare ndryshe nga fizionomia fshatare që Sudani kishte para ardhjes së Mehmet Aliut, konsiderohen si arritjet titanike të këtij strategu të madh. Emancipimi i shoqërisë Egjyptiane, që sot është zemra e botës arabe, nëpërmjet aktivizmit të vendaseve endacake-fshatarë në jetën shoqërore qytetare, e bënë Mehmet Aliun arkitektin e intelektualizmit dhe iluminizmit arab, të sistemit të ri, të krijimit për herë të pare, në botën arabe, të një ushtrie me të vërtetë profesioniste dhe shumë më të avancuar se ushtria osmane.
Suksesi i ushtrisë së Mehmet Aliut, i tregoi sultan Muratit se sistemi osman ishte vjetëruar. Kjo bëri që Sulltani të formulojë një strategji të re ushtarake, sipas modelit të Mehmet Pashës, por që asnjëherë nuk arriti suksesin e tij.
Vlerat e Mehmet Aliut, për zemrën e sotshme të botës Arabo – Islame janë të panumërta.
Në ditët e fundit të jetës së tij Mehmet (Muhamed) Ali Pasha shprehet: “Nuk kisha menduar se do të arrijmë në këto suksese në të cilën jemi sot. Shpresat e mia sot janë forcuar dhe po të vihej në pikëpyetje ndërtimi dhe përparimi i Egjiptit, po të lindte nevoja, do të flijoja dikë nga familja ime, vetën e vetëm që të ecte përpara ky vend dhe ky popull.”
Me sëmundjen e Mehmet Aliut, në vitin 1848, mëkëmbës i Egjiptit u shpall i biri Ibrahim Pasha. Mehmet Ali Pasha vdiq më 1849, por dinastia e krijuar prej tij vazhdoi të udhëheqë Egjiptin deri në vitin 1952.
Vendasit dhe të huajt sot shohin një Egjipt të konsoliduar, qendër të zhvillimit dhe civilizimit, djep i kulturës arabe dhe islame, por asnjëherë dhe përasnjë çast nuk harrojnë se në themel të gjithë këtij zhvillimi qëndron figura e atij që është cilësuar si “Bonaparti i Botës Arabe”, e projektuesit dhe arkitektit të përparimit të këtij Egjipti modern, shqiptarit Mehmet Ali Pasha.

******

Prof. Dr. Beqir Ismaili ka përgatitur dhe publikuar në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme një sërë librash, që e paraqesin problemin, tragjedinë, vuajtjet dhe nevojat e popullit shqiptar në Ballkan, që i trajtojnë këto probleme nga të gjitha anët dhe që i nxjerrin ato në dukje në arenën ndërkombëtare.
Pjesë e krijimtarisë së tij, janë dhe mjaft libra e tituj me studime e kërkime shkencore, letrare, kulturore dhe shoqërore, nga fusha dhe disiplina nga më të ndryshmet, të shkruara në gjuhët shqipe dhe arabe.

Arsimin tetëvjeçar e ka kryer në Prishtinë (Kosovë), ndërsa të mesmin në Damask ( Siri) Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Arabe në Fakultetin e Gjuhës Arabe pranë Universitetit të Al Az’harit, në Kajro (Egjipt) Studimet dhe titujt pasuniversitarë. Ka kryer Magjistraturën në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe në “Universitetin e Hapur Amerikan” në Kajro duke mbrojtur temën : “Ndikimi i gjuhës arabe në gjuhën shqipe”. Mbrojtës i titullit “Doktor i Shkencave” në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe në “Universitetin e Hapur Amerikan” në Kajro, me temën : “Përhapja e gjuhës dhe e letërsisë arabe në Kosovë”. Laureat i titullit “Prof. Doktor i Shkencave” në Kajro, më 2004. Studimet pasuniversitare i kreu në Institutin e Lartë për Studime Islame në Kajro, duke marrë një “Diplomë për studimet e larta”. Studimet pasuniversitare në Akademinë Diplomatike Shqiptare – Tiranë,për mbrojtjen e diplomës paraqiti temën : “Politika ndërkombëtare e Muhamed Ali Pashës” - “Këndvështrim kritik për politikën e jashtme”.

Veprimtaria

Është anëtar dhe bashkëpunëtor i shumë prej mediave të shkruara, kryesisht në fushat kulturore, gjuhësore, studimore dhe shkencore. Pjesën më të madhe të punës dhe të përpjekjeve i ka përqendruar në shërbim të çështjes kombëtare brenda dhe jashtë Kosovës, në Egjipt dhe në vende të tjera të botës arabe.
Funksionet e ushtruara
Përfaqësues zyrtar i Kosovës në Egjipt.
Përfaqësues i Qendrës për Informim të Kosovës në Lindjen e Mesme.
Përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në Kajro.
Përfaqësues i Meshihatit Islam të Maqedonisë në Kajro. * Drejtues i Agjencisë së Informacionit “Alba-Press” në Kajro.
Korrespondent i disa gazetave, revistave dhe agjencive lajmesh të Republikës të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Anëtar i shoqatës së përgjithshme të mjeteve të informacionit (qendra gazetareske) në Kajro.
Anëtar i shoqatës së gazetarëve të huaj në Kajro.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Egjiptit.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Letërsisë Islame
Anëtar i “Shoqatës Historike” të Egjiptit.
Anëtar i Shoqatës së Letrarëve të Egjiptit {Shtëpia e Letrarëve}
Anëtar i Shoqatës së Filozofisë në Egjipt.

Veprat

Prof. Dr. Beqir Ismaili ka përgatitur dhe publikuar në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme një sërë librash, që e paraqesin problemin, tragjedinë, vuajtjet dhe nevojat e popullit shqiptar në Ballkan, që i trajtojnë këto probleme nga të gjitha anët dhe që i nxjerrin ato në dukje në arenën ndërkombëtare. Pjesë e krijimtarisë së tij, janë dhe mjaft libra e tituj me studime e kërkime shkencore, letrare, kulturore dhe shoqërore, nga fusha dhe disiplina nga më të ndryshmet, të shkruara në gjuhen shqipe dhe arabe.

Flori Bruqi

Aleanca Ballkanike dhe çështja shqiptare


Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman.

Këto ngjarje, nga ana tjetër, shqetësuan e vunë në lëvizje qeveritë e shteteve ballkanike. Gjendjen e krijuar në Ballkan, sipas tyre, mund ta shfrytëzonte Austro-Hungaria për të pushtuar sanxhakun e Pazarit të Ri, ndërsa lëvizja çlirimtare në Shqipëri e në Maqedoni mund të shpinte në autonominë e këtyre vendeve, gjë që ishte në kundërshtim me planet ekspansioniste serbe, malazeze, bullgare e greke.

Shtetet ballkanike, me gjithë kontradiktat e thella që kishin ndërmjet tyre, shpejtuan të lidhnin një aleancë politike e ushtarake për t’i dalë përpara çdo të papriture dhe për ta zgjidhur çështjen në përputhje me interesat dinastikë. Formimin e një aleance të tillë e përkrahte edhe Rusia cariste, e cila kërkonte ta përdorte atë si gardh kundër shtrirjes austro-gjermane në Evropën Juglindore.

Bisedimet për formimin e kësaj aleance i kishin filluar qysh në tetor 1911 kryeministri bullgar Geshov dhe ai serb Milovanoviç. Një nga çështjet themelore të këtyre bisedimeve ishte, krahas asaj të Maqedonisë, edhe ajo e copëtimit të Shqipërisë. Kjo kishte të bënte me synimet e Serbisë për të dalë në detin Adriatik e për t’u lidhur me tregjet e Evropës Perëndimore.

 Prandaj Milovanoviçi e shikonte si një rrezik formimin e një shteti shqiptar. Duke përdorur si argument të ashtuquajturën “paaftësi të shqiptarëve” për të formuar shtetin e tyre, ai kërkonte bashkimin e Shqipërisë së Veriut e të Verilindjes me Serbinë dhe të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Qysh në ditët e para të bisedimeve të dyja qeveritë kishin rënë në marrëveshje të njihnin të drejtën e plotë të Serbisë mbi vilajetin e Shkodrës dhe mbi atë pjesë të vilajetit të Kosovës që ndodhej në veri të Bjeshkëve të Sharrit, ndërsa Bullgarisë të drejtën mbi vilajetin e Adrianopojës. Por bisedimet u zgjatën për shkak të kontradiktave që lindën në lidhje me ndarjen e tokave të tjera të vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të Manastirit e të Selanikut.


Austro-Hungaria, nga ana e saj, u përpoq ta sabotonte këtë aleancë që po formohej me pjesëmarrjen aktive të Rusisë. Për të lidhur pas vetes Malin e Zi e Greqinë, ajo i premtonte mbretit Nikolla toka shqiptare deri afër Shkodrës, ndërsa Greqisë i propozonte të hynte në një bllok ballkanik kundërsllav me Austro-Hungarinë, Rumaninë e Shqipërinë. Por këto orvatje nuk patën sukses.

Më 13 mars 1912 u përfundua marrëveshja serbo-bullgare. Ajo përmbante një shtojcë të fshehtë, sipas të cilës Bullgaria i njihte Serbisë jo vetëm tokat me popullsi serbe, por edhe aneksimin e tokave shqiptare në veri e në perëndim të Bjeshkëve të Sharrit (Shqipërinë e Mesme, Veriore dhe Verilindore), kurse Serbia i njihte Bullgarisë tokat në lindje të Rodopit dhe të lumit Struma. Territori midis Bjeshkëve të Sharrit, lumit Struma dhe liqenit të Ohrit, me qytetet kryesore Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Shkup, u quajtën si zonë e diskutueshme; si arbitër për zgjidhjen e kësaj çështjeje u caktua cari i Rusisë.

Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zhvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.
Aleanca Ballkanike, me gjithë kompromiset e arritura, përmbante në vetvete farën e përçarjes midis vendeve ballkanike. Nga ana tjetër, ajo përbënte një rrezik tepër serioz për ekzistencën e kombit shqiptar.

Pas përpjekjeve të Vjenës, për t’i kërkuar Portës së Lartë zbatimin e politikës së decentralizimit, diplomacia ballkanike u bë më aktive. Mali i Zi, i cili vazhdonte gjithnjë të organizonte provokacione në kufi, i ftoi aleatët ballkanikë të hidheshin menjëherë në luftë kundër Turqisë. Ai dërgoi emisarët e vet në Shkodër për të bindur klerin katolik ta ndihmonte në veprimin që do të ndërmerrte kundër Turqisë, me qëllim që të çlirohej rrethi ose gjithë vilajeti i Shkodrës dhe të hynte në një “union real” me Malin e Zi. Përfaqësuesit e klerit katolik të Shkodrës nuk e pranuan këtë projekt. Këto përpjekje të aleatëve ballkanas kishin mbështetjen e qeverisë ruse.

Porta e Lartë, nga njëra anë, u deklaroi shteteve ballkanike se nuk kishte aspak ndërmend t’u jepte shqiptarëve autonominë, ndërsa, nga ana tjetër, shpalli më 23 gusht, në një redaktim të ri, kërkesat e shqiptarëve të pranuara prej saj.

Duke mos përmendur asnjëherë në to fjalët Shqipëri e shqiptarë, qeveria turke synonte t’i qetësonte shtetet ballkanike dhe t’u jepte atyre të kuptonin se privilegjet e dhëna mund të shtriheshin edhe mbi popullsinë joshqiptare të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, nëse do të ishte nevoja që ajo t’u bënte një interpretim të tillë. Por kjo nuk i kënaqi aspak shtetet ballkanike. Sukseset e rrufeshme të kryengritjes shqiptare dhe ngjarjet në frontin e Tripolit kishin treguar qartë kalbësinë e Perandorisë Osmane dhe paaftësinë e saj ushtarake. Të nxitur nga kjo, ato filluan të bënin përgatitje të ethshme për t’i shpallur luftë Turqisë.

Qeveria malazeze kishte përfunduar me Bullgarinë një marrëveshje verbale, sipas së cilës kjo e fundit i njihte Cetinës tokat që do të pushtonte në rast lufte kundër Turqisë. Mali i Zi, me qëllim që të shkaktonte sa më parë konfliktin ballkanik, bëri të gjitha përpjekjet me anën e bajraktarëve, si Sokol Baci etj., që ishin në shërbim të tij, t’i hidhte malësorët katolikë shqiptarë në luftë kundër turqve, të cilët kishin krijuar në Malësi një gjendje të padurueshme. Urrejtja e papërmbajtur e malësorëve kundër sundimtarëve osmanë i bëri ata të bashkëpunonin me malazezët.

Këtë bashkëpunim turqit e shfrytëzuan për të nxitur fanatizmin fetar në vilajetin e Shkodrës dhe për të bërë masakra mbi popullsinë katolike të Zadrimës, një pjesë e madhe e së cilës u detyrua të arratisej në male. Me politikën e tyre të terrorit turqit i afruan edhe më shumë malësorët katolikë me Malin e Zi. Luftime të ashpra kundër forcave turke zhvilluan në shtator të vitit 1912 malësorët e Malësisë së Madhe, të përkrahur nga reparte malazeze, si edhe nga zadrimasit.

Ndërkohë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe shteteve të Aleancës Ballkanike po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Nuk e zbuti këtë acarim as vendimi i marrë nga Porta e Lartë më 24 shtator për t’i shtrirë një varg privilegjesh, që u ishin njohur shqiptarëve, edhe mbi popullsitë joshqiptare të vilajeteve të Rumelisë.

Në fund të shtatorit si Turqia, ashtu edhe shtetet ballkanike filluan mobilizimin e ushtrive të veta. Dukej qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm. Fuqitë e Mëdha e në mënyrë të veçantë Rusia u përpoqën ta pengonin një konflikt të tillë që mund të shpinte në prishjen e status quo-së në Ballkan dhe në një luftë botërore, për të cilën ata nuk ishin përgatitur ende.

 Më 7 tetor Austro-Hungaria e Rusia deklaronin në emër të Fuqive të Mëdha që, në rast lufte ndërmjet Turqisë e shteteve ballkanike, në mbarim të konfliktit fuqitë nuk do të lejonin asnjë ndryshim të status quo-së territoriale në Ballkan. Në një kohë kur përfundimi i luftës nuk dihej, Vjena synonte, me anë të kësaj deklarate, të pengonte zgjerimin e shteteve ballkanike në kurriz të Turqisë, ndërsa Rusia të siguronte mbrojtjen e aleatëve të vet ballkanikë në rast disfate.

Megjithatë Lufta Ballkanike shpërtheu. Më 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia.

Lufta e Parë Ballkanike dhe Shqipëria

Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për top në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.
Planet aneksioniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë, plane që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, ishin pjellë e një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët. Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët e tyre të vriteshin me shqiptarët, që ishin të vendosur të mbronin deri në fund lirinë e tërësinë e tokës së tyre, por edhe u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të fortë në dorë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, që të vinin në orbitën e tyre si popullin shqiptar, ashtu edhe popujt fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë, në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër zgjedhës osmane, nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.

Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe kësaj radhe, në këto çaste tepër kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në vatër dhe e sulmuar nga agresorë të rinj. Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte Turqinë.
Qysh në fillim të tetorit gazeta “Liri e Shqipërisë”, që përfaqësonte opinionin e kolonisë shqiptare të Sofjes, duke parashikuar ngjarjet, u drejtohej shqiptarëve me thirrjen: “... të marrim armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë”. Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve t’u përmbaheshin udhëzimeve të Sami Frashërit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, d.m.th. t’i jepnin një goditje të fortë Turqisë për të mos u rrokullisur me të në greminë.



Ndryshe e vlerësuan gjendjen kolonitë shqiptare të mërgimit në ShBA. Ato u nisën nga fakti se Turqia, megjithëse ishte armike e Shqipërisë, u kishte njohur shqiptarëve disa të drejta kombëtare, kurse pjesëtarët e Aleancës Ballkanike synonin ta copëtonin atë krejtësisht. Prandaj mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare të ShBA-së, që u bë më 6 tetor 1912 në Boston, duke “... marrë në sy atë që po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre”, deklaronte: “Është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë - shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë”. Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike, qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante në vetvete një rrezik të madh për vendin. Përkrahja pa kushte që shqiptarët do t’i jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria të pësonte të njëjtin fat që do të pësonte Turqia në Ballkan dhe do t’u jepte një argument të fortë qeverive të Aleancës Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit publik ndërkombëtar planin e copëtimit të Shqipërisë si një provincë e thjeshtë turke.
Brenda në Shqipëri nismën për një veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e vështirë dhe e ndërlikuar e krijuar nga Lufta Ballkanike, e morën shoqëritë atdhetare, Komiteti “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” që ishte krijuar në Shkup. Përfaqësuesit e tyre Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mithat Frashëri etj., organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një mbledhje, për të cilën ishte marrë qysh përpara edhe miratimi i Hasan Prishtinës e i Bajram Currit, që kishin shkuar në front për organizimin e mbrojtjes së tokave shqiptare.



Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Pra, vijonte deklarata, shqiptarët nuk do të pranonin për katër vilajetet veçse një formë të vetme qeverisjeje. Ky vendim përputhej me atë që ishte shprehur nga gazeta “Liri e Shqipërisë” dhe ishte vendimi më i drejtë e më realist që mund të merrej në këto rrethana. Ai iu dorëzua përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.
Mbledhja e Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili do të shkonte në Malësi të Madhe për t’i shkëputur malësorët nga bashkëpunimi me Malin e Zi. Ky delegacion u autorizua gjithashtu të merrej vesh me krahinat e tjera të vendit për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për fatin e atdheut. Por ai nuk mundi të arrinte në Malësi të Madhe; ngjarjet në frontin e luftës ishin zhvilluar me një shpejtësi të tillë, që e detyruan të ndalej përkohësisht në Pejë e në Gjakovë, ku mori autorizimin nga popullsia për ta përfaqësuar atë në veprimtaritë që po ndërmerreshin kundër copëtimit të vendit. Prej këtej delegacioni i Kosovës u drejtua në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, ku ishin marrë nisma nga rrethet atdhetare lokale për organizimin e kuvendit kombëtar dhe kishte filluar zgjedhja e delegatëve.
Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen qëndresën e forcave turke, të përqendruara në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës. Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona, sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.
Mbreti Nikolla i Malit të Zi, ndërsa u premtonte malësorëve se do të respektonte flamurin shqiptar, në thirrjen drejtuar popullit malazez e ftonte këtë t’u jepte dorën “vëllezërve nën zgjedhë të Malësisë, të cilët prej më shumë se dy vjetësh luftonin për të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin me Malin e Zi”. Kur doli në shesh mashtrimi i mbretit malazez dhe kur në tokat shqiptare të pushtuara, në vend të flamurit kombëtar u ngrit ai i Malit të Zi, malësorët, që kishin marrë pjesë aktive në këtë luftë krahas ushtrive malazeze, u tërhoqën në masë nga lufta.
Edhe mbreti serb Pjetër, në manifestin që shpalli në fillim të fushatës ushtarake serbe, deklaronte në mënyrë demagogjike se do t’u sillte edhe shqiptarëve lirinë, vëllazërinë dhe barazinë.
Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.


Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.
Shqiptarët e Kosovës, veçanërisht ata të Llapit dhe të krahinave përreth, u qëndruan me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor), në veri të Podujevës, forcave të Armatës së parë dhe të tretë serbe. Ushtria turke një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Pasi morën Merdarin, forcat serbe të Armatës së parë depërtuan në Podujevë dhe, së bashku me ushtritë e Armatës së tretë, më 20 tetor filluan sulmin mbi Prishtinën. Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve. Më 23 tetor u pushtua Vuçiterna dhe pas saj Mitrovica.
Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufirin me Serbinë, ku së bashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës së tretë serbe. Luftimet në këtë trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë, duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe më 15 tetor. Pasi theu qëndresën e shqiptarëve në kufirin juglindor të Kosovës, ushtria serbe mundi të pushtonte më 24 tetor qytetin e Gjilanit. Më 23 tetor serbët pushtuan Vuçiternën dhe pas saj Mitrovicën.
Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi veprime të tjera në përmasa të mëdha, të cilat kishin si objektiv të parë pushtimin e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë.
Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24 tetor pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000 vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen e 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën drejt Kaçanikut.

Por luftimet më të mëdha u bënë në Grykën e Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2 000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat serbe, pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor u pushtua Prizreni.
Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.
Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë, si edhe shtypi i tyre, filluan t’i deklaronin gjithnjë më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke i justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e “barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet.
Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze e serbe dhe më vonë greke kundër popullsisë shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të tjera të Shqipërisë u shoqërua me vrasje në masë të luftëtarëve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë. Qëllimi i Beogradit ishte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Proklamatave të mbretit të Serbisë, për barazinë e shqiptarëve me serbët në shtetin e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të luftës urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptazi atëherë se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç'qenë shqiptarë”. Deviza e ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!”.
Kudo që shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25 000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa banorët e tyre, pa kursyer as gratë, pleqtë e fëmijët, u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre. Ushtria malazeze plaçkiti Gjakovën dhe dogji pazarin e saj. Sikurse pohonte sekretari i N. Pashiçit, në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar. Në Pejë vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve, serbët, në tetor 1912, masakruan popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan me tokën thuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Fshati Nishor, në veriperëndim të Prizrenit u rënua nga goditjet e artilerisë, ndërsa popullsia u masakrua, u vranë gjithë burrat. Bashkëkohësit shkruanin se në fshatra të tëra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri.
Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta, nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200 veta.
Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.
Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim” e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar” dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve.


Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në perëndim ishte Shqipëria.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.
Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.

Rëndësia historike e Shpalljes së Pavarësisë
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Edhe deklaratat e notat e protestës, që kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, u bënë në emër të Asamblesë Kombëtare që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.
Për ta siguruar një fitore të tillë popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme kanë bërë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.
Në Gadishullin Ballkanik Shqipëria, sikurse Maqedonia, ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i sulltanëve osmanë, në një kohë kur popujt e tjerë fqinjë kishin, kush më shumë e kush më pak, dhjetëra vjet që bënin jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë e politikë, të brendshëm e të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të saj.
Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë. Megjithatë, edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar i vetëm, pa ndihmën e jashtme e pa aleatë. Për më tepër, shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik dhe të copëtimit të Shqipërisë. Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare.
Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike po u vinte fundi.
Në këto kushte, lufta për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Ballkan.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX.

Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.

Rudina, pse humbi ky emër ? Si lindi Gjakova ?


Fahri Xharra



Kosova nuk është djep i serbëve , por është pre pirateske e tyre. Politikanët dhe intelektualët serb duhen ta dinë që kjo krahinë shqiptare ” banohej nga shqiptarë , bashkëatdhetarë dhe vëllezër qysh prej kohës së pellazgëve” (V.Bernard ;”Maqedonia dhe Helenizmi”)


Por si e thot Aristidh Kola në librin e tij ” Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviqit ” (f.67) se në të vrtetë Kosova ,:” falë pozitës gjeografike të saj. është e tillë që kush e zotëron atë; zotëron gjithë vendkalimet për Adriatik, për në Egje e për Shqipëri. Pra, përbën një nyje të rëndësishme ekonomike dhe strategjike, prandaj edhe thuhet në trajtë hiperbolike që kush e zotëron Kosovën e zotëron Ballkanin”

E verteta e Gjakoves ! Keni dëgjuar për nahijën e RUDINES ?

“Të mbrosh çështjen kombëtare në opinion përmes mediave, kur të cënojnë integritetin, territorin e kombit, të mohojnë gjuhën apo historinë dhe kulturën e të parëve, është atdhetari dhe asnjëherë nacionalizëm”.(Vilhelm Vranari Haxhiraj)

Gjakova apo Rudina ,nje pyetje që më ngarkon. A me të vertetë lindi jeta pas Hadum Agës në Gjakovë? . Pa ofendime ,pa parabindje fetare, pa lokalizëm shpirtëror, në shërbim të së vertetës e cila na është mohuar dhe meshefur.Ne duhet t´a zbulojmë.

“Xhamia e Hadumit është një objekt sakral në Gjakovë, Kosovë. Objekti është ndërtuar gjatë sundimit të Perandorisë së Osmanlinjve, në dekadën e fundit të shekullit XVI.[1]

Në defterin zyrtar te Perandorisë të vitit 1571, Gjakova (?) përmendet si fshat, ndërsa tregu i saj konsiderohet si qendër tregtare rajonale. Në atë periudhë, konkretisht në në vitet 1594/1595, Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, vendos ta financojë ndërtimin e një xhamie e cila do ta bartte emrin e tij. Pas ndërtimit të xhamisë në territorin e fushës së Jak Vulës, fillon zhvillimi i hovshëm i ekonomisë, pasi zejtarët nisin të vendosen në afërsi të objektit të saj. Në këtë mënyrë krijohet struktura e kompleksit të Çarshisë së Madhe, e cila më vonë luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Gjakovës.”

A me te vertet lindi jeta në Gjakovë pas Hadum Ages ? A kishte jetë andejpari ,dhe para tij? Po si quhej ai vend ku Hadum Aga vendosi të ngriste xhaminë?

Si do që të jetë qyteti ekzistues i takon periudhës osmane. Në fakt, në bazë të të dhënave historike, Gjakova njihet qysh nga dekada e pestë e shekullit XIV, më saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Alltun-Ilisë, me qendër në Junik. Ndërkaq, sipas burimeve të kulturës materiale, ndërtimeve arkitekturale monumentale, ajo njihet nga dekada e fundit të shek. XVI. : Po mirë në dokumentat e e vitit 1348 , nuk ka mundur ta ketë emrin Jakova.Si e kishte atëherë, dhe pse u mshef ai emër ? Po , pse Hadum Aga e zgjodhu mu këtë vend (sot Gjakovë) , e jo për shembull Junikun?

“Kryepyetja është se cila ishte tradita, toponomia, onomastika, historia shqiptare në brezat familjar para Jak Vulës sepse ekzistenca shqiptare dhe e vetë Gjakovës dokumentohet para pushtimit osman në Ballkan… Në të kundërt vetem historiografia serbe thotë se para ardhjes së perandorisë osmane nuk kishte shqiptarë në Kosovë. Një deshmi e qartë është se kodi i Stefan Dushanit ishte bëre para ardhjes osmane si projekt serb qe katoliket shqiptare ti ortodoksoj me qellim te qartë ti sllavizoj. Këto dëshmi dëshmojnë ekzistencen shqiptare në këto hapësira prandaj historia duhet të shkruhet drejtë në interes të kombit pa paragjykime dhe manipulime për interesa ditore…!!!(Eduard Frrokaj)

Sigurisht, sepse për paradoks po të pranojmë teorine se ka filluar me Hadum Agën atëherë ju japim të drejtën serbëve dhe historiografisë se tyre se jemi ardhacak të vonëshem .

Pra qëllimi i shkrimit është hulumtues , thënë më mirë një nxitje më shumë për të vërtetën shqiptare në këto troje.Nuk guxohet ti ipet kahje tjetër , se vetëm që e rëndojmë qëllimin .


Xhamia e Hadumit

Një gjakovës thoshte: duhet ti percjell rrefimet e baballarëve tanë se Xhamija e Hadum Ages ështe ndertuar me gurët e kishes që ishte aty.” Sa është kjo e vërtetë?

“Sipas regjistrimeve regjistrimeve të vitëve 1571 dhe 1591 regjioni Verilindor i Sanxhakut të Dukaxhinit , ose sipa emrit të dhënë në shek.XVI-të , regjioni i Hasit ishte tërësisht i banuar nga shqiptarët . Regjioni i Hasit ishte i ndarë në tri nahije: Nahija e Rudinës (Gjakova e sotme dhe fashtrat e saja në jug), Nahija e e Domeshtiçit (fshatrat në mes Gjakovës së sotme dhe Prizrenit) si dhe Nahija e Pashtrikut ( fshatrat në lindje dhe në perëndim të malit Pashtrik).Kjo mbyllet me faktin që ngjajshëm me banorët e regjioneve malore të Shqipërisë Veriore edhe banorët e këtyre tri nahijeve kishin emrat tipik Shqiptarë: Gjin, Gjon, Gac, Bac, Kol, Gjec, Doda, Prend, Biba, Nue, Dida, Shtepan, Vata,( Burimi: http://archive.is/tr44YThe albanians in Kosova through the centuries, by S.Pulaha – www.ezboard.com )

Të analizojmë : regjistrimi ,edhe i vitit 1591 këtë lokalitet e shënonte si Rudinë , kurse Xhamia e Hadumit u ndërtua në vitët 1594-1595 ; dhe që nga atëherë humbi çdo gjurmë e Rudinës .( Rudinë;Shesh i gjerë me bar të njomë në mal; lëndinë. Rudinat e bjeshkëve. Kullotin nëpër rudina )

Dashtas apo jo, të sillet ndërmend se a mos ishte diçka shumë e rëndësishme në tokat e Rudinës që duhej të zhbëhej ? Pse humbi emri i Rudinës ? Si lindi Jakova ?

Por edhe një gjë , perderisa te sqarojmë fatin e Rudinës ; Jakova rrjedhë nga emri i Jakov Vulajt ,pra Jakovaj e më vonë Jakova e kurrësesi nuk ka të bëj me kompozimin Jak+ova (ova ,turqisht fushat ) . Por me rëndësi është ,se a e dinte Jakovi (shkurtimisht Jaku) se Rudina do të emrohet sipas tij më vonë ? Pse duhej humbur gjurmët?

Duke u nisur nga stili i ndërtimit të jashtëm , madhësisë së tempullit vetvetiu lind pyetja se a mos ishte ndonjë objekt tjetër aty , mu aty ku Hadum Aga vendosi të ndërtonte xhaminë e tij. A mos u rrënua ai objekt tërësisht , apo a mos u adaptua për nevoja dhe qëllime të Hadum Agës. Hadum Aga kishte lindur në fshatin Guskë ,afër Gjakovës.

Në librin e cekur më lartë të Selami Pulahës ceket : Ndikimi i Antroponomisë Sllave në këto anë ishte shumë i vogël. Ndryshimet në mes të banorëve me antroponomi shqiptare dhe antroponomi sllavo -(ortodokse fxh)jane të pa besushme të mëdha.Prej 2507 krerëve shtëpimbajtës të cilat ishin të krishterë , 1768 kishin emër katolik Shqiptar, 648 emra të përzier katolik shqiptaro-sllav (ortodoks ,shkizmatik fxh) dhe vetëm 96 ishin e emër sllav(shkizmatik fxh): Banorët musliman me emër shqiptarë ishin 492 . Po ata ortodoksët (shkizmatikët )si flisnin , a mos flitnin shqip ? Sigurisht që po.

Në Gjakovë, pra në qytet duhet te kryhen kërkime arkeologjike duke u nisur nga të dhënat apo hartat qe mund te jene ne arikivat e Vatikanit. Manstriri i Deçanit ?, por atje nuk ka interes. A e imagjinoni një vend ku jane zhvilluar pjesë te rëndësishme të historisë europiane që ende te mos dihet asgjë se çfarë ka nentoka.

Enigma e pa zgjidhur kurrë është vendi ku është ndërtuar objekti i parë i fabrikës së tekstilit “Emin Duraku” , (Vektaria ) në Gjakovë. Flitet por s ´ka guxuar të publikohet se aty ishte gjetur një shkritore e vjetër metalesh qe duhej të ketë datuar nga Kultura e Vinçës. Ishin kohërat tjera atëherë ,vitet e 50- ta shekullit të kaluar.

Pra jemi në një kohë që duhet të punohet në këtë drejtim dhe të gjëndet e vërteta e Rudinës

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...