2017-10-12

Komisioni i ri për demarkacion drejt dështimit, marrëveshja në arbitrazh?

Naile Ejupi
Naile Ejupi

Marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi për përcaktimin e vijës kufitare, vazhdon të jetë çështje e pa zgjidhur për Kosovën, ndërsa Mali i Zi ka deklaruar se për ta kjo punë tashmë ka përfunduar.

Ndërsa, Qeveria e sapoformuar e Kosovës, ende nuk e ka sqaruar vendimin e tyre për këtë marrëveshje.


Qeveria aktuale të vetmin vendim që ka bërë në këtë aspekt, ka qenë shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit shtetëror dhe formimin e një komisioni të ri për demarkimin e kufirit.

Komisioni i ri i sapoformuar është i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, ndërsa do të ketë anëtar Riza Smakën, Zejnullah Grudën dhe Florim Isufaj. Kanë kaluar disa javë që nga formimi i këtij komisioni, mirëpo ende nuk ka ndonjë njoftim sa i përket punës së tyre.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë disa herë me kryetarin e këtij komisioni, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Ndërsa, anëtarët të tjerë të këtij komisioni kanë theksuar se nuk e kanë të lejuar të flasin për media.

Ndërsa, sipas opozitës, Haradinaj demarkacionin është duke e dërguar drejt arbitrazhit.


Marrëveshja drejt arbitrazhit

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë  se Haradinaj nuk është duke u munduar ta zgjidhë problemin e demarkacionit dhe se ai thjeshtë mundohet ta shtyjë këtë dhe pastaj të shfajësohet.

Sipas Selimit, duket se Haradinaj këtë marrëveshje është duke e dërguar drejt drejtimit të arbitrazhit.

“Haradinaj nuk do ta zgjidhë këtë problem brenda 3 muajve, madje ai as nuk po mundohet që ta zgjidhë atë. Ai thjeshtë po mundohet ta shtyjë dhe të shfajësohet për çfarëdo dështimi të Qeverisë për ta kthyer këtë marrëveshje në pikën e duhur. Haradinaj po duket se kësaj marrëveshje problematike ia ka dhënë drejtimin e arbitrazhit, pavarësisht rezultatit”, ka deklaruar Selimi.

Ndërsa, në anën tjetër analistët politikë thonë se kjo marrëveshje më nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet.

Sipas tyre, çështja e arbitrazhit është e komplikuar dhe kësisoj duhet të pranohet nga të dyja vendet.


Spektakël për zgjedhje të reja

Analisti politik, Dimal Basha, ka thënë se pas debatit dy vjetor për këtë çështje dhe ende nuk është dërguar në arbitrazh, atëherë kjo zhurmë ka qenë vetëm spektakël për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

“Çfarëdo vonese rreth ratifikimit të marrëveshjes se demarkacionit nënkupton izolim të mëtutjeshëm të qytetarëve të Kosovës. Ka që 2 vjet që debatohet kjo çështje dhe ende nuk është dërguar në arbitrazh, sepse mendoj unë krejt kjo zhurmë për demarkacionin ka qenë vetëm spektakël për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve, çështja rreth ratifikimit ka ndryshuar komplet duke marre parasysh që numri i atyre qe e kundërshtojnë këtë çështje është rritur në Kuvend. Me fjalë tjera, kjo marrëveshje kërkon aprovimin e 80 deputetëve, numër ky është shume vështirë të arrihet duke marrë parasysh kundërshtinë e 32 deputetëve nga LV, disa deputetë shqiptarë brenda partive tjera nga LDK, si dhe Listën Serbe” ka pohuar Basha.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet.

“ Pra, për shkak të ndryshimit të konfiguracionit në Kuvend, Haradinaj dhe deputetët e AAK-së, kjo marrëveshje nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet sepse Haradinaj me deputetët e tij nuk janë më faktorë vendimtare për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe duke marrë parasysh opozitën e fortë që ka në Kuvend. Si pasojë, unë mendoj se kjo çështje nuk do të gjejë zgjidhje dhe qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mbesin të izoluar edhe për një kohë të gjatë” ka theksuar Basha.


Komision koti

Ndërsa, analisti Blerim Burjani ka thënë se ky komision nuk ka pasur nevojë të themelohet fare.

Sipas Burjanit, çështja e arbitrazhit është shumë e komplikuar, sepse duhet pajtim në mes dy vendeve.

“Ky Komision nuk pasur nevojë fare të themelohet se dihet se nuk do të këtë një vlerësim valid dhe të njohur nga Mali i Zi, ky komision është themeluar kotë pas përfundimit të punës së një komisioni të menjëhershëm është vetëm humbje kohe ose për të vizatuar harta koti. Ideja për të treguar inate për të themeluar komisione të tilla nuk do të sjellin kurrfarë rezultati. Çështja e arbitrazhit është e komplikuar shumë, së pari ekziston një marrëveshje e pajtimit në mes dy shteteve dhe e nënshkruar pra vështire se mund të shkojë edhe në arbitrazh , sepse Mali i Zi do të konstatojë se ekziston një marrëveshje të cilën e ka pranuar Kosova, por ende formalisht nuk e ka ratifikuar Kuvendi, po që se pajtohem dy shtetet për abitrazh atëherë kjo mund të ndodhë me vjet deri të në një vendim tjetër”, ka deklaruar Burjani.


Fillim i mirë

Kurse, analisti politik Faik Krasniqi ka deklaruar se komisioni ka filluar punën dhe nëse ky komision vërteton me fakte se ka devijime të vijës kufitare, atëherë nuk ka nevojë të shkojë çështja në arbitrazh.

Sipas tij, emërimi i komisionit të ri është një fillim i mirë.

“Shkarkimi i Komisionit të vjetër dhe emërimi i Komisionit të ri, konsideroj që është një fillim i mirë, sepse ishte krijuar një konfuzitet i madh me çështjen e Demarkacionit. Me aq sa jemi njoftuar të gjithë përmes mediave, Komisioni i ri veçse ka filluar punën, dhe besoj që brenda pak kohësh ky Komision do të dal me raport zyrtar rreth shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Nëse ky Komisioni i ri vërteton me fakte se ka devijime të vijës kufitare, atëherë Mali i Zi është i detyruar që të bisedojë prapë me Kosovën për shënimin e vijës kufitare. Por nëse çdo gjë është në rregull me demarkimin, atëherë çështja s'ka pse të shkon në arbitrazh ndërkombëtar, por të ratifikohet në Kuvend”, ka nënvizuar Krasniqi.

Sipas tij, arbitrazhi merr kohë me vite të tëra dhe është e pandershme që qytetarët të mbesin pa viza vetëm për këtë.

“Arbitrazhi ndërkombëtar merr kohë me vite të tëra, dhe qytetarët e Kosovës do të ngelnin të izoluar deri sa kjo Gjykatë ta zgjidhte këtë çështje. Aq sa është i pandershëm demarkacioni si kusht për liberalizim të vizave nga ana e BE-së, po aq është e pandershme nga këta politikanë që qytetarëve të Kosovës t'ua mohojnë lëvizjen e lirë, për një çështje që ka zgjidhje. Qeveria e Kosovës, partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet t'i japin sa më shpejt epilog kësaj çështje, dhe qytetarët e këtij vendi të dalin nga ky izolim i padrejtë, izolim që do të duhej të vlente për politikanët dhe jo të ndëshkohen qytetarët e Kosovës!” ka shtuar Krasniqi.

“Përplasjet” brenda koalicionit, PDK i kërkon Haradinajt ta pranojë versionin aktual të demarkacionit

Arben Sylejmani
Arben Sylejmani





Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi mbetet nyja e pazgjidhur për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj që rrezikon të çoj edhe në prishjen e qeverisë të udhëhequr nga ai.Kjo për faktin se ministrat e PDK-së tash hapur po i kërkojnë Haradinajt që tërhiqet nga qëndrimi i tij lidhur me këtë marrëveshje.Kërkesa e fundit vije nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhuratë Hoxha e cila në një deklaratë për media ka deklaruar se demarkacioni me Malin e Zi është kriter i padiskutueshëm nga Bashkimi Evropian dhe sipas saj, kjo çështje nuk ka kthim mbrapa.

Haradinaj këmbëngul në rinegociim

Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj këmbëngul se kjo marrëveshje duhet të rinegociohet pas fakteve shkencore të komisionit të ri për demarkacionin në krye me Shpejtim Bulliqin.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e ka opinionin dhe qëndrimin e vet rreth kësaj çështjeje duke mos e lënë pezull, por duke e shtyrë përpara procesin. Kryeministri është në pritje të marrë opinionin shkencor - gjetjet e komisionit të ri - dhe pastaj ai do të ndërmarrë hapat adekuat, në ndërtimin e një koncensusi institucional dhe shoqëror por edhe me aleatët startegjik të Kosovës që kjo çështje të zgjidhet në afat optimal”, kanë thënë për “Bota sot” përfaqësuesit e Zyrës së Kryeministrisë.


Edhe deputeti i NISMA-s për Kosovën, Zafir Berisha është deklaruar se gjithqysh duhet të rinegociohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

“Në parti ende nuk është vendosur se cili do të jetë qëndrimi i NISMA-s, nëse Haradinaj tërhiqet nga kërkesa e tij për demarkacionin, por unë si Zafir në asnjë çmim nuk e mbështeti versionin aktual të demarkacionit”, tha deputeti Berisha .

Ai tha se tërheqja e Haradinajt nga versioni aktual është një vetëvrasje politike dhe për meritat e tij gjatë luftës.

“Tërheqja e Haradinajt për çështjen e demarkacionit pas kërkesës së PDK-së do të ishte vetëvrasje edhe politike, edhe vrasje për të kaluarën e tij dhe familjen e tij, sepse gjatë kohës sa ishte anëtar në Komisionin për Politik të Jashtme, Ramushi ka dal kundër këtij versioni. Ramushi i ka bërë do lëshime të vogla, por këtu nuk besoj, sepse po e përsërisë se është një kapitullim për vet atë”, shtoi Berisha.


Baraliu: Qeveria të dal më një qëndrim unik për demarkacionin

Nga ana tjetër, profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se qeveria e udhëhequr nga Haradinaj duhet të dal me një qëndrim sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Mendoj se i përket qeverisë nëpërmjet zëdhënësi të informoj publikun për qëndrimin e ekzekutivit lidhur me demarkacionin. Pra kërkohet më shumë kompaktësi dhe kohezion sa i përket kësaj çështje”, tha Baraliu.

Ai thotë se deklarata e kundërt e ministres së integrimeve, Dhurata Hoxha për demarkacionin tregon se kjo qeveri nuk ka unitet të brendshëm.

“ Unë e shoh si një qeverisje që është në pushtet që nuk ka kohezion. Anëtarët e koalicionit të kabinetit qeverisës nuk janë në mes tyre koherent dhe nuk përgjegjësi te dikastereve me kryeministrin Haradinaj që e ka të drejtën që të udhëheq qeverinë”, tha Baraliu.

Ai tha se Haradinaj duhet të bërë një strategji ku do t’i përmbaheshin të gjithë anëtaret e kabinetit qeverisës.

“Mendoj që këta anëtar të qeverisë të kenë një strategji dhe veprime të përbashkëta dhe kujdes për atë që thuan publikisht për çështjet që janë të rëndësishme”, tha më tej Baraliu.

“Prandaj nuk e kuptoj se si munden anëtarët e një kabineti të deklarojnë gjëra të ndryshme për të njëjtën çështje, për çka në fakt kanë votuar vet që formohet një komision i ri për të rishqyrtuar demarkacionin”, shtoi Baraliu.


Vullneti i Haradinajt i kundërt me atë të PDK-së

Politologu Mentor Tahiri thotë se kundërshtimet në mes së PDK-së dhe AAK-së kanë filluar prej emërimit të komisionit të ri për të rishqyrtuar të gjeturat për demarkacionin.

“Duhet rikujtuar se qysh në vendimin e parë që ka marrë ky kabinet qeveritar, e në të cilin është shkarkuar kreu i komisionit për demarkacionin e kufirit z.Murat Meha, ka pasur një reagim të Ministrit të Drejtësisë z.Abelard Tahiri. Janë rrethanat në skenën elektorale ato që nuk po lejojnë të ketë një ndasi ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, por është e qartë se qëndrimi i AAK-së i transferuar në qeveri nga koha kur AAK ishte në opozitë, nuk është në përputhje me vullnetin e gjithë koalicionit qeverisës”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, Haradinaj sa ishte në opozitë ishte shumë kritik ndaj marrëveshjes së demarkacionit, i cili pjesëtarët e qeverisë i quante edhe si tradhtar.

“Nuk përjashtohet mundësia që komisioni i mëparshëm të ketë bërë gabime eventuale. Por në thelb kauza e Demarkacionit është një problem artificial i prodhuar në vazhdën e një fushate opozitare të kohës për të paraqitur relacionet e atëhershme opozitë-qeveri si "patriotët dhe tradhtarët". Kjo kauzë është ngritur mbi disa manipulime të qasjeve metodologjike duke marrë si bazë kufij të viteve të 50-ta apo 60-ta brenda Federatës Jugosllave. Por kjo qasje është mjaft e rrezikshme, ngase nëse një manipulim i tillë metodologjik bëhet në të ardhmen gjatë Demarkacionit me Serbinë, atëherë Kosova do të rrezikonte të humbëse”, shtoi Tahiri.



Edhe publicisti nga Shqipëria Rexhep Shahu thotë se kryeministri Haradinaj i ka të gjithë kundër sa i përket marrëveshjes së demarkacionit.

“Unë besoj se Haradinaj i ka pasur dhe i ka kundër të gjithë sa i përket demarkacionit, por besoj se Haradinaj qoftë edhe formalisht duhet ta rishikoje çështjen me zyrtarët e tij, me ekspertet e tij. Unë besoj se në këtë botë vetëm vdekja nuk negociohet, ndërsa çdo gjë tjetër po, negociohet”, thotë për  analisti Rexhep Shahu.

Por sipas tij, shqiptarët e Kosovës duhet besuar tek ndërkombëtarët sa i përket rekomandimeve të tyre për çështjet e ndjeshme të Kosovës.

“Nëse edhe vendosësit ndërkombëtare janë drunj dhe nuk heqin dorë nga e tyrja, ne duhet ta besojmë se ndërkombëtaret e duan Kosovën më shumë se sa e don Haradinaj. Nuk besoj në gjëra të mëdha, por dua të besoj se Haradinaj do të bëjë të paktën rivlerësim të gjendjes së situatës dhe nuk do ngrejë dorën si i verbër siç ka bërë qeveria Thaçi dhe vete Thaçi gjithë kohën për hir të karrigës se pushtetit të tij personal”.

2017-10-11

“Zhanret e gazetarisë” për studentët dhe profesionistët, libër nga Prof. Dr. Bajram Kosumi


Libri i sapobotuar i prof. dr. Bajram Kosumit “Zhanret e gazetarisë” profesionalisht shtjellon në hollësi pesë kapitujt që janë: Teoria e zhanrit gazetar, Gazetaria informative, Gazetaria analitike (opinioniste), Gazetaria letrare (publicistika), Gazetaria argëtuese. Libri me 420 faqe është botuar nga “University for Bussines and Technology”/ UBT në Prishtinë dhe recensentë janë: prof. asoc. Dr. Milazim Krasniqi dhe Arber Vllahiu.

Libri “Zhanret e gazetarisë” ka titullin pragmatik, sepse ashtu quhet kursi kryesor për zhanrin në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës. Ky libër synon që parësisht studentëve të gazetarisë t’ua shkoqisë ligjësitë teorike dhe praktike të zhanrit të tekstit gazetar. Pra, objekt i studimit të kësaj shkence, teorisë së zhanrit, është vetë teksti gazetar. Pavarësisht se në çfarë forme dhe statusi ekziston gazetaria, pavarësisht në gazetë apo portal “online”, teksti gazetar ende vazhdon dhe për një kohë të gjatë do të vazhdojë të jetë procesi themelor i formësimit dhe jetëshkrimit të informatës. Prandaj mësimi i tij, mësimi i parimeve themelore teorike e praktike të tij dhe mësimi i trajtave e i formave të ekzistimit të tij, është çështje parësore për studentin e gazetarisë. Libri ka qëllim që duke shpjeguar ligjësitë e përgjithshme dhe të veçanta të ekzistimit të një teksti gazetar, i cili dallon prej një teksti tjetër gazetar, studenti jo vetëm mëson ta dallojë një tekst nga tjetri, por edhe ta shkruaj ndryshe një tekst nga teksti i llojit tjetër zhanror.
Autori librit, prof.dr. Bajram Kosumi ka qenë protagonistë i ngjarjeve të 1981 dhe aktivist në procesin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Ka qenë kryeministër, ministër, deputet i zgjedhur. Aktualisht është Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ligjërues në degën e Gazetarisë, Fakulteti Filologjik, Universiteti i Prishtinës.

KAPITULLI i parë i librit “Zhanret e gazetarisë” përmban: Teorinë e zhanrit gazetar, ku flitet për ekzistimin e teorisë së gazetarisë në përgjithësi dhe teorinë e zhanrit gazetar në veçanti. Flitet për tipologjinë gazetare dhe ndarjen e gazetarisë në tipa, si gazetari e shkruar apo “online”, gazetari ditore apo javore, gazetari ekonomike apo informative etj.

KAPITULLI i dytë i librit përmban: Gazetarinë informative, ku shtjellohen llojet dhe nënllojet zhanrore informative: lajmi, llojet e shkurtra të lajmit (flashlajmi, antërfajlli, fotolajmi, lajmi i titruar), raporti, kronika, artikulli i veçantë (fiçori), nekrologjia etj.

KAPITULLI i tretë i librit përmban: Gazetarinë analitike (opinioniste), ku flitet veç e veç për llojet e ndryshme zhanrore të kësaj gazetarie, ato që janë më të përhapura jo vetëm në gazetarinë shqiptare por edhe më gjerë. Shtjellohen gjerësisht: editoriali, komenti, analiza (artikulli analitik), kryeartikulli, kolumna, intervista, “vox pop”-i, dosja, letrat e lexuesve etj.

KAPITULLI i katërt i librit përmban: Gazetarinë letrare (publicistikën), ku shtjellohet zhanri publicistik ose gazetaria letrare. Ndër të tjera shtjellohen elementet letrare të cilat gazetaria i merr prej letërsisë, si dhe çështje të tjera si: origjinaliteti në publicistikë, imagjinata dhe e vërteta, gazetaria letrare dhe letërsia dokumentare, tendenca dhe tipikja në gazetarinë letrare. Sikurse dhe shtjellohen llojet e veçanta zhanrore të kësaj gazetarie si: reportazhi (raporti letrar), fotoreportazhi, karikatura, udhëpërshkrimi, udhërrëfyesi (guida), polemika, pamfleti, fejtoni (nënfleta), kozeria, recensioni, bibliografia, eseja, skica, portreti (profili), dhe shënimi.

KAPITULLI i pestë i librit përmban: Gazetarinë argëtuese, ku shtjellohet për herë të parë në mendimin gazetar shqip, përdorimi i gazetarisë për argëtim. Ku janë shtjelluar dy format kryesore të argëtimit përmes gazetarisë: entertaiment dhe infotaiment.

Prof. dr. Bajram Kosumi ka publikuar disa libra dhe shumë artikuj shkencorë në revista të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Me punimet shkencore ka qenë pjesëmarrës dhe ligjërues në shumë konferenca shkencore vendore e ndërkombëtare. Librat e publikuar nga Prof. dr. Bajram Kosumi janë: Koncept për subpolitikën, Zgjimi, Ferizaj, 1995; Fjalor i Barbarëve, Brezi ’81, Prishtinë, 2000; Botim i dytë: MA, 2009; Koncept për mendimin e ri politik, Brezi ’81, Prishtinë, 2001; Lirika e Fishtës, Botimet Toena, Tiranë, 2004; Një vit vendimtar, Botimet Toena, Tiranë, 2006; Botimi i dytë: e-book, Botimet Filozofia Urbane 2013; Letërsia nga burgu-kapitull më vete në letërsinë shqipe, Botimet Toena, Tiranë, 2006; Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi ’81, Prishtinë, 2012; Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës, Botimet Filozofia Urbane, e-book, 2013, “Tipoligji dhe zhanër” 2015, dhe libri i fundit është “Zhanret e gazetarisë”. G. T.

Fishta në optikë studimore të Bajram Kosumit


NGA: ISAK AHMETI



Vëllimeve monografike për Fishtën të studiuesve si: Vehbi Bala,Pal Duka-Gjini,Xhavit Aliçkaj,Anton N.Berisha,Tonin Çobani etj.,i është shtuar edhe studimi monografik:FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE,Brezi 81,Prishtinë,2012,fq.503,i studiuesit Bajram Kosumi



Ky studim monografik për Fishtën,siç e thotë edhe vetë autori në Parathënie(fq.15-22),krahason një poet madhor shqiptar,Gjergj Fishtën(1871-1940),megjithatë që ai vetë ka krahasuar traditën letrare shqiptare.Ky studim krahasimtar,brenda trungut të letërsisë shqipe,bën të mundshëm shqyrtimin e poetikave,të figurave,të metrikës,të ligjërimit dhe të ideve poetike të një krijuesi,duke i ndjekur ato në tri kohë të ndryshme:

Do Not Search Any Further
Click Here Now: easy healthy recipes
1.origjina apo e kaluara në raport me autorin;

2.autori i shqyrtuar apoe tashmja e autorit;

3.pasardhësit apo koha e ardhme në raport me autorin.

Në këtë trekëndësh kohësh,autori i shqyrtuar është qendra dhe pika e referimit,por e kaluara është pjesë thelbësore e tij,ndërsa e ardhmja është e ndryshueshme dhe individuale,nga autori në autor(fq.15).Për më tepër,studimi monografik në fjalë,është një rreth i ri i studimeve historike letrare shqiptare.

Rrethi i parë ka qenë studimi i vetë veprës së autorëve tanë, i cili deri diku është kryer me sukses gjatë shekullit XX.Rrethi i dytë i studimeve është pikërisht shqyrtimi i shkallës së ndikimeve sipas teorisë së trekëndëshit kohor të autorit.Rrethi i tretë i studimeve do të ishte shqyrtimi i prurjeve në letërsinë shqipe nga letërsitë e huaja prej të cilave letërsia shqipe është ndikuar më shumë,si letërsia antike helene e romake,letërsia biblike, letërsitë evropiane dhe ajo ruse,letërsia turko-arabo-persiane etj.Vetëm pas shqyrtimit të letërsisë shqipe në këta tre rrathë , ne mund ta shkruajmë të plotë historinë e letërsisë shqipe-konstaton studiuesi(fq.16-17).

Fishta dhe tradita letrare shqiptare

Libri studimor: Fishta dhe tradita letrare shqiptare,e studiuesit në fjalë,hapet me një Parathënie(fq.15-22),që është mjaft përmbajtësore dhe shërben,si të thuash, si një VADE MECUM për leximin e librit dhe me një: Hyrje(fq.23-27),ku autori -studiuesi me të drejtë konstaton se krahasimi kaq i gjerë,thelbësor,i tërësishëm dhe i përimtuar do mundësojë një gjykim të ri për veprën e Fishtës dhe për rolin e saj në historinë e letërsisë shqipe,në bazë të vetë elementeve,shfaqjeve,parimeve e të vlerave që ka kjo vepër.

Te kreu i parë: FISHTA DHE AUTORËT E VJETËR TË VERIUT, studiuesi ,Bajram Kosumi,me një akribi shkencore,të veçantë,ka shqyrtuar dhe analizuar raportet e veprës së Fishtës me letërsinë e vjetër shqipe(fq.30-80), të vlerësuar si përkime apo ndikime,që janë de facto dëshmitë më të mëdha për kontinuitetin e letërsisë shqiptare që nga Buzuku e deri te romantizmi dhe për rolin ndikues të letërsisë së vjetër mbi Fishtën,vepra e të cilit është universale, madje në dy plane.Në planin e parë,si tërësi,ajo është lirikë,epikë,satirikë dhe dramatikë,prandaj ajo është një gjithëpërfshirje e gjinive letrare.Në planin e dytë Lahuta e Malcis është një vepër universale për shqiptarin dhe levizjet e tij në shekullin XIX për krijimin e kombit të lirë e modern,në të gjitha aspektet:filozofike,morale,sociale,individuale,letrare etj.(fq.66).

Te kreu i dytë:FISHTA DHE SHKOLLA PROKLASIKE SHKODRANE(fq.82-126), me nënkapitujt si:

I.LETËRSIA E VERIUT DHE FRANÇESKANËT,

II.FISHTSHTA DHE SHKOLLA PROKLASIKE SHKODRANE,dhe

III.FISHTA DHE PASUESIT,studiuesi shtjellon,në mënyrë të thelluar,raportet (marrëdhëniet) e Fishtës me shkrimtarët e shkollës proklasike shkodrane,veçanërisht me rrethin e shkrimtarëve françeskanë,si në dimensionin marrës ashtu edhe në atë dhënës duke dhënë edhe vlerësime dhe gjykime përfubdimtare.Në këtë kontekst,prandaj, studiuesi në fjalë nxjerr konstatimin se Fishta është ndikuar nga rrethi i shkrimtarëve proklasikë shkodranë në disa prej parimeve të përgjithshme krijuese,të cilat ai do t'i absorbojë,do t'i shndërrojë në vlera të veta dhe mbi to do të krijojë, për katërdhjetë vjet , letërsinë e tij.Me këta letrarë ,ai ka të përbashkët vokacionin klasik,prirjen për letërsinë popullore,traditën e shkrimit të poezisë fetare dhe të poezisë satirike,temat e përjetshme në letërsi dhe frymën patriotike të letërsisë.

Te kreu i tretë:FISHTA DHE ROMANTIZMI(fq.128-231),me tre nënkapituj si:

I.MISIONI I LETËRSISË,

II.TEMATIKAT DHE MOTIVET dhe

III.FORMAT POETIKE,FIGURACIONI POETIK DHE MODELI I SHKRIMIT, studiuesi shtjellon dhe studjon marrëdhëniet e veprës së Fishtës me letërsinë popullore dhe me romantizmin,që ,sipas vlerësimit të tij, është më pjellorja.

Duke u marrë me shqyrtimin e pikëtakimeve apo dallimeve të Fishtës me romantikët shqiptarë,studiuesi,Bajeam Kosumi,ka zbardhë dy çështje:së pari ,përimtimin e mëtejmë të vlerave letrare,kulturore e estetike të veprës së Fishtës dhe,së dyti,gjetjen e përgjigjes në pyetjen se a është Fishta romantik dhe a është ndikuar prej romantikëve shqiptarë,përkatësisht se sa është ndikuar prej idealeve të Rilindjes Kombëtare?(fq.131).

Te kreu i katërt:FISHTA DHE LETËRSIA POPULLORE(fq.234-396),me nënkapitujt si:

I.VEPRA E FISHTËS DHE EPIKA POPULLORE,

II.KOHA,BOTA DHE HERONJT,

III POETIKA E FISHTËS DHE POETIKA POPULLIRE,

IV.MARRJE E DHËNIE TË VEPRËS SË FISHTËS ME LETËRSINË POPULLORE,

V.MITET NË VEPRËN E FISHTËS DHE MITOLOGJIA SHQIPTARE, studiuesi në fjalë,Bajram Kosumi, është marrë ,në mënyrë mjaft të thelluar,me ndikimin e letërsisë popullore në veprën e Fishtës dhe ,në lidhje me këtë,konstaton:ndikimi i letërsisë popullore në veprën e Fishtës është i madh,i shumanshëm dhe i veçantë.Është ndikim i madh,sepse qenëson në të gjitha strukturat poetike të Fishtës,,si:në shprehjen poetike,në varg,në procedeun krijues, në motive e në temë,në idetë poetike,në strukturën e figurës poetike,etj.Është i shumanshëm,sepse ,si ndikim,ka lënë vulën në të gjitha format poetike të Fishtës,në lirikë,në satirikë,bile edhe në tekstet dramatike,e më se shumti ka ndikuar në epin Lahuta e Malcis.Është i shumanshëm edhe për faktin se Fishta është ndikuar prej të gjitha formave poetike të letërsisë popullore,po më se shumti prej epikës popullore dhe miteve e legjendave.Është i veçantë ,sepse si te asnjë poet tjetër shqiptar,marrëdhënia e Fishtës me letërsinë popullore kapërcen kufinjtë e ndikimit.Ky kapërcim i kufijve të ndikimit ,sipas studiuesit,nxjerr në dritë një shfaqje të re në letërsinë shqipe:marrjen e një teksti letrar të huaj dhe trupëzimin e tij në tekstin autorial(fq.390-391)

Te kreu i pestë:KONCEPTET ESTETIKE TË FISHTËS DHE TRADITA E MENDIMIT ESTETIK SHQIPTAR(398-442),me nënkapitujt si:

I.SHKRIMI ESTETIK I FISHTËS,

II.KRAHASIME PËRGJITHËSUESE TË FISHTËS ME MENDIME TË TJERA ESTETIKE-KRITIKE ,studiuesi analizon dhe shqyrton pikëpamjet estetike të Gjergj Fishtës duke i krahasuar ato me mendimin estetik të traditës,e në radhë të parë me nendimin estetik të Pjetër Bogdanit e të De Radës si dhe me mendimin kritik të Faik Konicës,bashkëkohës i Fishtës(fq.401).

Përveç kësaj,studimi në fjalë përmban edhe: Përfundimet e përgjithshme: Fishta dhe tradita letrare shqiptare(fq.426-442), Rezymenë në gjuhën angleze, Bibliofrafinë kryesore të Gjergj Fishtës,të konsultuar enkas për këtë studim si dhe Bibliografia tjetër. Dhe krejt në fund le të konstatojmë se studimi monografik :FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE, është një kontribut i veçantë dhe i tej çmueshëm në fushën në fushën e studimeve fishtjane.


*****

Agjencioni Floripress / Flori Bruqi :

Bajram Kosumi lindi më 20 mars 1960 në Tuxhec, Dardanë, gazetar, albanologë dhe politikan shqiptarë nga Kosova. Ka qenë kryeministër i qeverisë së Kosovës.

Image result for bajram kosumi

Përgatitja profesionale e tij Fakulteti Filologjik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe Magjistër i shkencave filologjike. U agazhua si gazetarë në vitet 1991-1993, gjatë viteve 1994-1996 dhe 2000-2002 ishte kryetare i Partisë Parlamentare të Kosoves. Mori pjese si antarë i delegacionin të Kosovës në Konferencën e Rambujesë (1999) pas luftes kreu funksionin e ministrit te informiit në qeverin e perkoshme të Kosovës gjate viteve 1999-2000. Që nga themelimi i Partisë AKK është nënkryetarë i saj. Si antarë i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ishte gjate viteve 2001-2004 dhe nga ky funksionë në vitin 2004 zgjedhet minister i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor dhe nga aty pas parabugimit të Kryeminstrit të Qeverisë s Kosovës Ramush Hajredinaj emerohet si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës.


Bajram Kosumi ka bërë disa publikime si "Koncept për subpolitikën", botuar në Prishtinë më 1995, "Fjalor i barbarëve", Prishtinë, 2000, "Koncept për mendimin e ri politik", Prishtinë, 2001 dhe 2004 "Lirika e Fishtës (studim)", i botuar ne Tiranë, më 2004. Po ashtu është bashkeautorë i publikimeve "Libri i lirisë" (bashkautor), Prishtinë, 1991 dhe librit te cenzurar "Letra nga burgu" Prishtinë, 2004.
Bajram Kosumi perposë gjuhës amtare (shqipes) fletë edhe serbishtën dhe anglishtën.

Bibliografia

Libri i lirisë (bashkautor), Prishtinë, 1991
Koncept për subpolitikën, Prishtinë, 1995
Fjalor i barbarëve, Prishtinë, 2000
Koncept për mendimin e ri politik, Prishtinë, 2001
Letra nga burgu - libri i censuruar (bashkautor), Prishtinë, 2004
Lirika e Fishtës (studim), Tiranë, 2004
Letërsia nga burgu, Toena , Tiranë 2006
Një vit vendimtar, Toena, Tiranë 2006
FISHTA DHE TRADITA LETRARE SHQIPTARE,2017



Më gjerësisht lexoni :

http://filologjia.uni-pr.edu/getattachment/Personeli/Personeli-akademik/Prof--ass--dr--Bajram-Kosumi/Bajram-Kosumi-cv-shqip-(modeli-UP).pdf.aspx

2017-10-10

Aktori Neritan Liçaj ka reaguar përmes një statusi për katrahurën e krijuar një administratë.

Sipas tij e keqja e madhe e shtetit shqiptar është punësimi i militantëve, që janë të mbrojtur politikisht dhe nuk dijnë të bëjnë punën.


“Problemi i shtetit shqiptar për mendimin tim, ështe, se vazhdojmë me shtete partish, ose e quajtur ndryshe PARTI-SHTET, si në kohën e diktaturës. Ke militantë dhe njerëz të mbrojtur politikisht që bëjnë si agallarë dhe nuk zbatojne ligjet në poste drejtuese që kanë. Dhe pastaj liderat e tyre që i kanë vendosur vetë, bërtasin”Pse nuk funksjonon shteti?”! E thjeshtë s’janë specialistë dhe janë të mbrojtur nga ai që bertet. Atëherë përse bërtisni zotëri të pushtetit kur këtë katrahurë jeni ju që e keni gatuar?!Mos lani duart si Ponc Pilati. Merrni njerëz të denjë dhe të aftë dhe jo militantë që jo vetëm abuzojn, por dhe nuk dinë të bëjnë punën. Fare e thjeshtë”, shkruan Liçaj

Edhe pse topi është i rrumbullakët…



Përsiatje pas ndeshjeve

nga Andon Dede, Nju York



Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, në mos gabohem me Gjermaninë, në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, u ndodha rastësisht në një kafene afër stadiumit “Qemal Stafa”. Pranë nesh ishte dhe një figurë e njohur në futbollin shqiptar, Besim Q., që në atë kohë punonte në mirëmbajtjen e stadiumit. Më është fiksuar në mendje ai sidomos tek vadiste fushën e blertë me një zorrë uji të fuqishme. Por, të kthehemi tek episodi i kafes që nisa. Besimin e njihnin të gjithë dhe, tek po diskutonin për ndeshjen e ardhëshme, dikush e pyeti se si e parashikonte ai rezultatin. Pyetja e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe si me sustëkthyen kryet tek ai. Besimi e ndjeu këtë interesim por nuk reagoi menjëherë. Gjerbi edhe një herë kafen, la filxhanin në vend dhe tërë qetësi tha duke luajtur kokën si të thoshte diçka befasuese e të rëndësishme: “Vallahi, topi është i rrumbullakët…”. Të gjithë lëshuan një si psherëtimë të lehtë pakënaqësie, me që ai, ndryshe nga ç’prisnim, pohoi diçka që dihej qysh kur ka lindur futbolli.
Mu kujtua ky episod këto ditë kur përjetuam humbjen me Spanjën, ndonëse dihet se kush është Spanja; veç kësaj, ajo na kishte mundur edhe nëfushën tonë. Deklaratat pompoze të trajnerit e të shefave të tjerë të Federatës, për një lojë dinjitoze, u shumëzuan me zero kur kemi parasysh se si u realizuan golat, vetëm në 25 minutat e para dhe si e menaxhoi, pa shumë vështirësi, kohën tjetër të lojës trajneri spanjoll për të mos harxhuar energji kot. (Mos harroni se dhe Sërbia na i bëri dy golat e fitores së saj në Elbasan pasi kishte mbaruar koha e rregullt, në tre minutat shtesë). Nuk më pëlqeu deklarata e trajnerit pas ndeshjes, se dhe Italia ka ngrënë tre gola, po nga Spanja, edhe pse e vërtetë. Ai duhet të qe më modest, më realist e më kritik në pohimet e veta se, tek e fundit, humbja mban kryesisht autorësinë e tij. Megjithatë, pohimi i tij më kujtoi prapë Besimin e kafenesë: ”Topi është i rrumbullkaët e nuk duhet të habitemi nga asnjë rezultat”. Qetësia ime u rivendos deri diku vetëm kur pashë ndeshjen Turqi-Islandë, ku këta tëfundit fituan bindshëm po 3 me 0, edhe pse ndeshja u luajt në fushën e fqinjëve tanë. Heshtja si në funeral e spektatorëve e shprehte më tepër se çdo gjë tjetër përjetimin e turqve që u rrahën keqas në fushën e vet, nga një ekip që përfaqësonte një popullsi qindra herë më të vogël se ajo e tyrja. Ja pra që vërtet topi, si i rrumbullkët qëështë, mund të na befasojë me rezultatet e ndeshjeve.Jo vetëm kaq, por duhet pranuar se mund të ndodhë edhe më keq nga ç’ngjau me ne. Unë nuk e mbaj veten as për tifoz të thekur e aq më pak për specialist të futbollit, por kaq gjë mund ta them pa drojtje: rezultati në Spanjë mund të kishte qënë shumë më i thellë sikur trajnerit të mos i mjaftonin ata tre gola.
Kam dëgjuar të tjerë tifozë që thonë se ne mund të kishim pretendime edhe për të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës. Unë i kam kundërshtuar, me argumenta jashtë-sportivë: kaq e kemi hapin! Vërtet se Islanda që zumë në gojë më sipër është një vend i vogël por a e keni parasysh nivelin e saj në të gjithë treguesit? “E ke gabim, - ma ktheu njeri. - Kështu skeptikë si ty kishte dhe për Europianin, por ja që shkuam…”. “Zuri qeni një lepur…”-ia prita unë dhe shtova më tej, - Po të mos na e kishin dhënë në tavolinë fitoren me Sërbinë, si zor të kishim marrë pjesë edhe në të…Mbase duhet t’i jemi mirënjohës Ballist Morinës për këtë?!” – e mbylla diskutimin si me shaka. Bashkë me të po i jap fund dhe këtyre radhëve duke iu kthyer edhe një herë fjalëve të Besimit në kafene: edhe pse topi është i rrumbullkët apo pikërisht për këtë, duhet luftuar e shpresuar, pavarësisht se kë kemi përballë. A nuk e përligj këtë aksiomë edhe ndeshja e fundit me Italinë: pavarësisht humbjes, askush nuk mund ta mohojë se çunat tanë dhanë maksimumin e mundshëm dhe meritonin më shumë.
Nju York, 10 tetor 2017

Kur të vritet tradhtia, do të ribashkohet Shqipëria Etnike



Barometri diplomatik
Prof.Dr.Mehdi HYSENI





-Ribashkimi i Shqipërisë Etnike do të bëhet, por, jo me këta shtetarë dhe me këta liderë politikë të korruptuar, që po luftojnë kundër ribashkimit kombëtar (1990-2017), duke e quajtur recidiv folklorik, stereotip, të tejkaluar, të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shqiptarët dhe për Ballkanin. Ky vështrim i praptë dhe pervers politiko-propagandistik i faktorit të brendshëm shqiptar, kur të “përkthehet” në gjuhën e interesit të politikës ditore dhe të nepotizmit të liderërve politikë dhe të drejtuesve të dy shteteve shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë), do të thotë nuk ka ndryshim të statusit kolonial shekullor të shqiptarëve nën Mal të Zi, nën Serbi, në Maqedoni dhe nën Greqi. Kjo është fitorja e politikës dhe e diplomacisë së këtyre shteteve të theksuara kolonialste sllavo-bizantine të Ballkanit.

Sa më shumë të ngjizemi me kolonialistët sllavë të Ballkanit, dhe, sa më shumë të formohen parti politike, aq më larg, do të jemi nga synimi i jetësimit të RIBASHKIMIT!

Pra, deri tani (1990-2017), asgjë e re sa i përket RIBASHKIMIT KOMBËTAR, “krejt me të vjetra”. Rezultate konkrete nuk ka sa i përket ribashkimit kombëtar mbase, pikësëpari politika dhe diplomacia shtetërore e Shqipërisë, qe tri dekada (1990-2017) ende nuk e ka vën në “itinerarin” e strategjisë gjithëkombëtare të objektivave të saj prioritare çështjen e ribashkimit kombëtar shqiptar. Madje, mungon paradigma e unitetit dhe e vizionit gjerman, ku në vend se të ndiqet me konsekuencë dhe me vendosmëri shembulli i RIBASHKIMIT GJERMAN, ne shterohemi dhe kridhemi në luftën vetëmohuese dhe anticivilizuese, duke sharë, duke shpifur, duke përçarë, duke mashtruar, duke etiketuar, duke tradhtuar deri në vrasje (vetëm për të krijuar armiq të paqenë sipas “recetave” të OZN-së, të UBDB-së, të Sekuritates etj. për të lartësuar, fronëzuar dhe pasuruar injorancën, terroristët, mercenarët, fashistët, rusofilët dhe kuislingët e panumërt) si kurrë më parë në historinë e derisotme të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike. Kjo rrugë e gabuar dhe iracionale e pakrye nuk çon drejt pajtimit dhe ribashkimit, por drejt në humbëtira të pafund, të pa shenjë dhe pa gjurmë. -Ky është triumfi i të gjithë armiqve brendshëm dhe të jashtëm të KOMBIT DHQIPTAR dhe të SHQIPËRISË ETNIKE.

Filozofia e strategjisë së ribashkimit gjerman, puna dhe uniteti, jo fjalët dhe përrallat retorike

Ia vlen të theksojmë se pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermaninë Perëndimore nuk ka pasur asnjë parti politike për ribashkimin gjerman. Mirëpo, ja, së fundi, ia arritën të ribashkohen me Gjermaninë Lindore (tetor 1990). Kjo, do të thotë se gjermanët e kanë pasur përnjëmend, që të arrijnë këtë objektiv të shenjtë-ribashkimin. Ndaj, pothuajse gjysmë shekulli (1945-1990) në vend se të bënin “bla-bla-bla” (dushk për gogla, kush është më intelektual i zoti dhe kush më patriot, e kush më trim…etj.), gjermanët punuan pareshtur, me mendje të mbledhur si një kokë, si një trup, si një zë i vetëm dhe me vepra të njësuara konkrete, që të ribashkohen si një komb dhe një shtet i vetëm. Ky shembull historik, politik, kombëtar dhe atdhetar gjerman provon se me fjalë poshtëruese, me shpifje, me gënjeshtra, me piratizëm, me tradhti, me thika, me plumba njëri-tjetrit, nuk bëhet kurrfarë ribashkimi e as kurrfarë demokratizimi evropian perëndimor e as amerikan.

Pavarësisht nga pikëpamjet divergjente të ishtarëve dhe të veprimtarëte të ribashkimit kombëtar dhe të atyre kundër ribashkimit kombëtar ( 1913-2017), maksima e vlefshme historiko-politike kombëtare dhe atdhetare shqiptare e plejadës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, është e pakundërshtueshme se “Vetëm Ribashkimi Kombëtar është shpëtimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike”.

Mirëpo, si gjatë 100 viteve të shkuara të shekullit XX, ashtu edhe sot, në fundin e dekadës së dytë shekullit XXI, kjo maksimë në vazhdimësi është sabotuar, rrezikuar, anatemuar dhe mohuar në nga kundërshtarët dhe nga armiqtë e saj të egër të brendshëm shqipfolës, të cilët për inetresat e tyre meskine, egoiste personale, klanore, partiake dhe pushtetore feudale, vazhdimisht, në forma të ndryshme primitive dhe injorante e kanë sabotuar dhe luftuar këtë Maksimë të pavdekshme të Rilindësve tanë mendjendritur, duke e gënjyer vetveten se “janë më të ditur”, “më të emancipuar”, “më patriotë’”, “ më vizionarë”, “më të drejtë”, “më demokratë” dhe “më të merituar” sesa Rilindësit, që kanë meritat kryesore për formimin e Kombit Shqiptar, të Kulturës dhe të Shqipërisë Etnike.

Ky është konflitki dhe hendikepi i pakapërcyeshëm me të cilin, edhe sot inteligjencia patriotike shqiptare po përballet me injorantët, me primitvët, me hedhurinat, me kriminelët dhe me tradhtarët shqipfolës, të cilët duke e mbivlerësuar vetveten me arrogancën, me mendjemadhësinë, me ushtrimin e forcës së frikësimit, me mbështetjen e shërbimeve dhe të agjentaurave të ndryshme serbo-sllave etj., haptazi dhe fshehurazi po i luftojnë ithtarët dhe veprimtarët patriotë të ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Derisa shqiptarët ta plaçkisin, t’ia fusin thikën, ta tradhtojnë, ta poshtërojnë, ta spiunojnë dhe, t’ia fusin plumbin njëri-tjetrit për “kapuç të madh” bajraktarist feudal, për pushtet dhe për pasuri, ribashkimi, do të jetë vetëm një utopi e shkretë. I gjithë ky negativizëm dhe primitivizëm, do të thotë se, fajtor dhe përgjegjës kryesor për mosribashkimin e deritashëm kombëtar, është faktori i brendshëm politik, jo assesi Evropa e as bota. –Së pari, pa unitet dhe pa pajtim brendakombëtar, nuk mund të ëndërrohet kurrfarë ribashkimi, as kurrfarë ndihme nga faktorët e huaj ndërkombëtarë.

Me këtë problem të brendshëm anticivilizues dhe vetëmohues, gjermanët, asnjëherë, në historinë e tyre të derisotme nuk janë përballur. Prandaj, nuk është aspak e çuditshme dhe befasuese Ribashkimi i Gjermnisë Perëndimore me atë Lindore , më 3 tetor të vitit 1990.

Nuk ka asnjë dyshim se, po të kishim ndjekur rrugën dhe veprat e ndritshme të Rilindësve tanë; rrugën heroike të lavdishme të Skënderbeut të bashkimit të princërve të principatave shqiptare në Kuvendin historik të Lezhës ( “2 mars 1444”); Shembullin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( “10 qershor 1878”) dhe shembullin e themelimit të shtetit të parë të bashkuar modern shqiptar-Shqipërisë Etnike të Ismail Qemalit (“28 Nëntor 1912”), si dhe shembullin e fundmë heroik legjendar të Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari (për lirinë, për pavarësinë dhe për ribashkimin e Kosovës me Shqipëri), që së bashku me 53 bashkëluftëtarë të tjerë, prej tyre 21 anëtarë të famlijes së ngushtë Jashari, flijuan heroikisht, duke mbrojtur pragun e shtëpisë në Prekaz kundër soldateskës barbare gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (“5, 6, 7 Mars 1998”), sigurisht se, tanimë, do të ishim ribashkuar, ashtu sikurse Gjermania Perëndimore me Gjermaninë Lindore, “më 3 tetor 1990”.

Fati i gjermanëve, që nuk janë të përçarë si shqiptarët

Me gjithë kundërshtimet dhe me pengesat (e faktorit të jashtëm) të disa shteteve të Evropës, që ta pengonin ribashkimin e Gjermanisë, kjo ia arriti qëllimit të bashkohej me Gjermaninë Lindore, sepse gjatë 45 viteve të copëtimit, gjermanët nuk kanë fjetur, dhe nuk kanë jetuar në iluzione të shkreta, se ribashkimi, do të realizohej vetvetiu, duke e shpifur, duke e tradhtuar njëri-tjetrin, duke e vrarë njëri-tjetrin, duke e poshtëruar njëri-tjetrin, duke zhvleftësuar njëri-tjetrin, duke e shitur njëri-tjerin për inetresa të huaja të armikut, si dhe për inetresa të tyre të luftës për pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim për ta gjunjëzuar, shfrytëzuar dhe shkatërruar popullin dhe shtetin e vet, duke e vjedhur, duke e plaçkitur, duke e varfëruar, duke e lënë të papunë, duke bërë vetëvrasje për bukë dhe për ekzistencë dhe mirëqenie etj.

Gjermania u ribashkua, sepse shtetarët dhe liderët politikë të saj, nuk rrahehshin, nuk likuidoheshin dhe nuk vriteshin për poste në pushtet dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Gjermania u ribashkua, se gjermanët ishin unikë, me vetëdije të plotë dhe me ideal të pathyer, se ribashkimi ishte jo vetëm ëndërr, jo vetëm dëshirë, jo vetëm imperativ, por, mbi të gjitha ishte domosdoshmëri, patriotizëm dhe detyrim individual dhe kolektiv ndaj interesit të përgjithshëm të kombit dhe të atdheut të vet.

Gjermaninë e ribashkuan vlerat e saj kombëtare, patriotike akademike, shkencore, politike dhe shtetërore, që pas Luftës së Dytë Botërore ia arritën të krijojnë lidhje, marrëdhënie dhe bashkëpunim të ndërsjellë jo vetëm me vendet fqinje evropiane, por, edhe me vendet e tjera të botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si supërfuqi botërore, dhe si një nga faktorët kryesorë për rimëkëmbjen politike, dipomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë Perëndimore, gjë që kjo, së fundi, pati ndikimin, meritën dhe rolin e veçantë, që të ribashkohej me Gjermaninë Lindore (“3 tetor 1990”).

Pikërisht, në saje të vlerave të tilla kombëtare dhe shtetërore, Gjermania brenda gjysmë shekulli, ia arriti të bëhej edhe një ndër fuqitë më të mëdha ekonomike , e cila, sot zë vendin e katërt (4) në listën e vendeve më të fuqishme ekonomike botërore.

Sa, më sipër, shqiptarët, do të ribashkohen, kur të arrijnë të bëhen si gjermanët ( me vetëdije të plotë se, mbi të gjitha janë humanizmi, drejtësia, liria, pavarësia, uniteti, shteti dhe atdheu, jo klani, jo partia, jo korrupsioni, jo plaçka, jo tradhtia dhe jo krimi etj….) dhe të binden dhe të kuptojnë njëherë e përgjithmonë, se pa ribashkim mbarëkombëtar nuk ka as liri, as pavarësi, as siguri, as stabilitet, as prosperitet e as ardhmëri e as paqe të sigurt në Ballkan.

Gjithashtu, shqiptarët e kanë të vështirë të ribashkohen, sepse: nuk janë në numër mbi 82 milionë si gjermanët; nuk janë kurrfarë fuqije ekonomike; nuk janë kurrfarë fuqie ushtarake siç është Gjermania me mbi “60 mijë trupa”; nuk kanë të zgjidhur problemin kolonial me vendet fqinje kolonialiste sllave (1912-2017); qeveritë e tyre në Tiranë dhe në Prishtinë janë kundër ribashkimit kombëtar .

Këta janë nga treguesit kryesorë, që vënë në dukje faktin se nuk nuk mund të tërhiqet kurrfarë paralelizmi i fenomenit të ribishkamit të Gjermnaisë me atë fenomenit shqiptar, sepse shqiptarët janë një komb i vogël në Ballkan, ribashkimin e të cilit, së pari, nuk po e mbeshtetin as Shqipëria, as Kosova zyrtare, as Amerika, as BE-ja e as NATO-ja. Ndërkaq, ribashimin e dy gjermanive e ka mbështetur fuqishëm Amerika. Për të fituar një besim të tillë të Amerikës dhe të aleatëve të saj tradicionalë, politika dhe diplomacia shqiptare e Tiranës dhe e Prishtinës, nevojitet të dëshmohen praktikisht se janë krijuar kushtet optimale për ribashkimin e kombit shqiptar, ashtu siç ka dëshmuar me shembuj konkret Gjermania e kancelarit Helmut Kol dhe e Hans D. Gensher në vitet e 90-ta të shekullit XX.

Konkluzion

-Ribashkimin kombëtar shqiptar mund ta bëjnë ata, që nuk i kanë borxh as Zotit, as Kombit, as Atdheut e as Historisë. Ata që pohojnë dhe me të gjitha mjetet e mbrojnë drejtësinë dhe të vërtetën. Ata që janë me mendje të shëndoshë të arsyes, që luftojnë për drejtësi, për liri, për qytetërim, për përparim, për ineteresin e përgjithshëm të gjithë kombit dhe mbarë Shqipërisë Etnike; ata që me sjelljet, me veprimet dhe me punën e tyre vlerore janë dëshmuar se janë në Rrugën e Shenjtë Gjithëkombëtare të Rilindësve Shqiptarë, të cilët asgjë nuk kanë kursyer për ta bashkuar, çliruar dhe mëvetësuar kombin e vet dhe Shqipërinë Etnike; ata që janë si gjermanët unikë, të vendosur, që kanë strategji, vizion dhe ide pozitive për të sotmen dhe për të nesërmen; ata që punojnë ditë e natë pa u ndalur si gjermanët, jo ata, që llomotisin, që shpifin, që vrasin pas shpine, që nxijnë dhe që denigrojnë figurat kombëtare shqiptare, me qëllim të përçarjes dhe të konfrontimit të popullit në vija religjioze, ideologjike, dogmatike dhe politike. Këta janë armiqtë e brendshëm më të rrezikshëm për Kombin dhe për Shqipërinë Etnike. Këta nuk I duhen as Kombit e as athdeut, sepse janë njësoj të rrezkishëm , të dëmshëm dhe gjaksor sikurse të të gjithë armiqtë e jashtëm të Ribashkimit të Kombit dhe të Shqipërisë Etnike. Këta janë pengesa krysore , pse, edhe sot jemi gjysmë të kolonizuar dhe të robëruar nën sundimin e egër shekullor sllavo-bizantin.

Kësi shembujsh negativë, anakronikë, vetëmohues dhe tragjikë nuk gjenden në mesin e popullit gjerman, as në Gjermani. Kjo është përparësia dhe fati i tyre historik, kombëtar dhe shtetëror, sepse, ndryshe, po të ishin gjermanët si shqiptarët mendjeshkurtër, të përçarë (njëri thumbit, tjetri patkoit), duke e eliminuar njëri-tjetrin për poste shtetërore dhe për pasurim të paligjshën në kurrizin e populit dhe të shtetit (1913-2017), kurrë nuk do të kishin pasur fatin që të ribashkoheshin më 3 tetor 1990.

Kjo është një nga arsyet, pse Evropa nuk i ka ndihmuar shqiptarët, që të krijojnë shtetin e tyre gjithëkombëtar sikurse shtetet e tjera në Evropë dhe në Ballkan, sepse skena politike shqiptare gjithmonë ka qenë e përçarë dhe heterogjene në pikëpamjet dhe në interesat e saj parciale klanore, partiake, ideologjike dhe provincialiste, si rrjedhim i përligjjes së interesave të huaja të pushtuesve anadollakë, sllavo-bizantinë, fashistë dhe ruso-bolshevikë etj.

Sa më lart, nëse duam që të fitojmë simpatinë dhe mbështetjen e gjithanshme të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës shpëtimtare, që përgjithmonë të dalim nga skëterra e robërisë kolonialiste sllavo-bizantine, së pari, siç ka vlerësuar me plot të drejtë ish-Akademiku ynë i ndjerë Prof.Dr.Esat Stavileci, “është e domosdoshme, që të ulemi në një sofër të përbashkët kombëtare, e pastaj në atë ndërkombëtare”.

-Jo përditë të “fabrikojmë” partia dhe plaforma të “sofrave” individuale, mahallore, provinciale, partiake, ideologjike dhe bajraktariste feudale, sepse Evropa, as Amerika nuk kanë kohë të merren me shqyrtimin e “101” projekteve dhe platformave për ribashkimin e shqiptarëve. Këtë, duhet pasur të qartë si diellin të gjithë shqiptarët.

Pra, thjesht, nuk mund të ketë ribashkim me “1001” sofra, por vetëm me “NJË SOFËR”. Me t’u arritur ky unitet me kconsensus mbarëkombëtar, atëherë, edhe armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, edhe miqtë tanë evropianë ndërkombëtarë, seriozisht do ta kuptonin dhe, do ta merrnin në konsideratë KËRKESËN TONË UNIKE për RIBASHKIMIN E KOMBIT SHQIPTAR DHE TË SHQIPËRISË ETNIK SI NJË SHTET KOMBËTAR në Ballkan, ashtu sikurse shtetet e tjera ballkanike dhe evropiane.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...