Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/08

BIOGRAFI E SHKURTËR E ADEM DEMAÇIT

Fondi Nderi i Kombit Adem Demaçi
Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu’Demaçi, Adem Demaç u lind diku në gusht’shtator 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”.

Gjatë një festimi të shkollës, Adem Demaçi, papritur e pyeti mësuesen e vet Vezire Gllavica, “Mësuese, përse shqiponja në flamurin tonë është e rrethuar me sëpata?”. Kjo pyetje prishi atmosferën në klasë. Mësuese Vezirja që, deri në atë moment, plot gëzim e hare, tregonte se si më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali me burrat e tjerë shqiptarë kishte ngritur përsëri flamurin e Gjergj Kastriotit, vrik ua ktheu shpinën nxënësve dhe u zhgreh në vaj. Nxënësit duke vërejtur se mësuesja Vezire dëneste, edhe ata u zhgrehën në vaj. Vetëm Ademi i vogël mbeti si i ngrafitur nga habia përse e gjithë klasa bashkë me mësuesen qante për shkak të një pyetje aq të thjeshtë që i kishte drejtuar mësueses aq të dashur. Duke mos gjetur përgjigje ngushëlluese edhe ai iu bashkua vajit e dënesjes së përgjithëshme. Pas një copë here, mësuesja Vezire e mori veten, fshiu lotët, iu afrua Ademit të vogël dhe duke ia përkëdhelur flokët e bardhë iu drejtua nxënësve tashmë të qetësuar me fjalë trimëruese: “Edhe pak kohë shqiponja jonë ka për t’i luajtur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sopatat e zeza fashiste!”



Adem Demaçi me mësuesen e tij Vezire Gllavica
Edhe si nxënës i klasës së parë të Gjimnazit Real të Prishtinës, më 1946, Adem Demaçi me pyetjen e vet “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?” që ia drejtoi arsimtares Zorka Peçenoviq, bëri që kjo e fundit, e befasuar dhe e dëshpëruar nga kjo pyetje, pasi që nuk ia doli ta qetësojë klasën me shpjegimet e veta, u zhgreh në vaj dhe me lot në sy u largua nga ora e mësimit, duke iu ankuar drejtorit të gjimnazit për atë që kishte ndodhur në klasë. Vetëm mosha fort e njomë e Ademit e shpëtoi atë që të mos përjashtohej nga shkolla.

Në një tubim të letrarëve të Kosovës, më 1955, ku ishin të pranishëm edhe udhëheqës të lartë partiakë e shtetërorë të Kosovës dhe ku këmbëngulej që të provohej se në Kosovë ishin duke u bërë hapat e parë të letërsisë, Adem Demaçi, i cili sapo kishte filluar studimet e letërsisë në Beograd, u ngrit e tha se “ne nuk jemi duke bërë kurrëfarë hapash të parë, sepse ne kemi tashmë traditën tonë letrare, kemi Naimin, Çajupin, Migjenin, Spasen, Nolin, Kutelin dhe se ne vetëm duhet të vazhdojmë rrugën e tyre në letërsinë tonë”. Kjo qe një sfidë që tregoi se në mes të letrarëve të Kosovës po lind rebeli.

Gjithashtu, në një tubim tjetër, një vit më vonë, të letrarëve të Kosovës, pasi që Mehmet Hoxha, një udhëheqës ende me ndikim në hierarkinë e udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, u zotua që të mos lexohej dhe të mos botohej Ernest Koliqi që jetonte dhe krijonte në Itali, Adem Demaçi, duke marrë pjesë në diskutim tha se “nuk ka asgjë të keqe nëse e lexojmë Koliqin sepse ai është mjeshtër i rrallë i novelës shqipe dhe se ne kemi shumë çka të mësojmë nga ai”. Kjo nuk kaloi pa mërmëritje në qarqet politike të Kosovës, por regjimi komunist më shumë preferonte që, po qe e mundur, Demaçin e talentuar dhe tashmë të popullarizuar, ta bënte për vete se sa të merrte masa kundër tij.

Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi.

Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, „Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.

Në verën e 1958, Demaçit iu sugjerua në mënyrë subtile që të inkuadrohej në rradhët e Lidhjes Komuniste, gjë që po ashtu butazi u refuzua nga ai. Mirëpo, kur pas një farë kohe atij ky sugjerim iu bë në mënyrë këmbëngulëse, Demaçi po ashtu u përgjigj me vendosmëri: “Shikoni, për ju më mirë do të jetë të mos ngatërroheni me këtë punë, sepse kur do të më përjashtonin nga Partia, dikush do të mund të kujtohej e të pyeste se kush qe ai që e propozoi Ademin të anëtarësohet në Lidhjen Komuniste dhe do ta “hanit” edhe ju bashkë me mua!”.



Shtëpia ku e kaloi fëmijërinë Adem Demaçi
Me kaq kupa u derdh!

Në kreun e UDB’së u vendos që Demaçit t’i merrej liria dhe me këtë hap të arriheshin dy objektiva: së pari të eliminohej vetë ai si element “turbullues” dhe së dyti dhe kjo është më e rëndësishmja, inteligjencës shqiptare t’i futej data dhe të mos guxonte të dilte nga binarët e nënshtrimit dhe të konformizmit. Për këtë qëllim, më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.

Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipërinë! Qytetarët që kishin mbushur sallën e madhe të gjyqit nuk i përmbajtën dot lotët. Vetëm nëna Nazife nuk qante. Ajo ishte krenare me birin e vet trim. Dënimin drakonik prej pesë vjetësh Adem Demaçi e priti me buzëqeshje. Sfidën e regjimit për t’u sakrifikuar krejtësisht dhe përgjithmonë për lirinë e Kosovës Demaçi e pranoi me një mendje dhe pa mëdyshje.

Pas daljes nga burgu i parë, nëna i pat thënë: “Bir i nënës, Nëna Nazife, herët ose vonë, një ditë do të vdesë, por populli shqiptar nuk ka për të vdekur kurrë, prandaj lere Nënën Nazife në dorën e Zotit e ti kapju popullit!”Adem Demaçit iu desh vetëm leja e nënës së vet që me krejt forcën, t’i përkushtohej përpjekjeve politike në funksion të lirimit të popullit shqiptar nga dominimi, diskriminimi dhe destruksioni serbomadh.

Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin (i ndjeri), Teki Dervishin (Kadri Kusarin (i ndjeri), Din Spahiun (i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin (i ndjeri), Shefqet Strofcin, Avdyl Lahun (i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin (i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën (i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.

Regjimi policor serb kishte qenë gjatë tërë kohës në përcjellje të Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit. Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Titoja, mjeshtri i madh i kozmetizimit të totalitarizmit, tashmë u detyrua të mendonte si të distancohej dhe të shpëtonte nga hija e Aleksandër Rankoviqit, për të vazhduar edhe më tutje pushtetin e vet.

Kur Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme. Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish’federatën jugosllave. Mirëpo krerët e komunistëve serbë, maqedonas dhe malazias kishin frikë pikërisht nga një mundësi e tillë, prandaj po merrnin masa intensive në funksion të monolitizimit të shtetit jugosllav dhe të jugosllavizmit si variant i pansllavizmit ortodoks.

Në frymën e këtyre tendencave, gjatë vitit 1975 në Kosovë, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë.Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje. Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.



Adem Demaçi – duke folur para komunitetit shqiptar në Zagreb
Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin të patundur, Adem Demaçi dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, tash katërmbëdhjetë vjet, për herë të parë, autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Pastaj lejuan të hynin edhe disa gazetarë. Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit. Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundëshme.

Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan.Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Ademi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit.Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë. Madje për habinë e të gjithëve, duke synuar urat e mirëkuptimit, ai për herë të parë e përdori edhe dyfjalëshin “vëllezërit serbë”.

Në pranverë të vitit 1991 Demaçin e bindën që të merrte kryesinë e “Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Këshilli edhe deri atëhere kishte punuar dhe kishte dhënë ndihmesë të madhe, por me ardhjen e Adem Demaçit në krye të tij, falë autoritetit të tij të madh në popull, falë guximit, aftësive organizative dhe këmbënguljes së tij, këshilli, nga një kolektiv prej gjithsej 25 vullnetarësh, pa lokale të veta dhe pa mjete materiale, shumë shpejt, gjeti lokalet e veta të punës, krijoi mjete të domosdoshme materiale për një punë sadokudo normale, krijoi nëndegët e veta në të gjitha qendrat e Kosovës dhe në shumë qendra të njohura të botës, kështu që në rradhët e tij ai përfshiu më se 2000 anëtarë.

Fjala e lirë dhe mendimi i lirë i Këshillit me në krye Adem Demaçin po ndiheshin gjithnjë e më shumë në botë.Në dhjetor 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të të ndjerit Aleksandër Langer, të zonjës Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkëatdhëtarëve tanë Behare Rexhepi dhe Reshat Sahitaj, i akordoi z. Demaçi çmimin e lartë “Sakharov”.Pas kësaj mirënjohje të lartë Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore si dhe shumë bashkëatdhëtarë tanë të shpërndarë në të katër anët e botës.Pas kthimit nga udhëtimi i dytë në SHBA, në pranverë 1993, Demaçi mori një ftesë për të kontaktuar drejtpërdrejt me shikuesit e televizionit të Beogradit dhe të Serbisë përmes televizionit të pavarur të Beogradit. Ftesën e pranoi pa mëdyshje. Brenda 100 minutave, sa zgjat zakonisht emisioni i drejtpërdrejt, mu në mes të Beogradit, Demaçi mbrojti me dinjitet, me argumenta dhe në mënyrë të shkëlqyeshme të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë dhe të pavarur si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.

Në verën e vitit 1994, me ftesë të Rrethit të intelektualëve të Beogradit (Beogradskij Krug), në krye të të cilit qendronte profesori i ndritur dhe disidenti i njohur, tash i ndjeri Miladin Zivotiq, Demaçi u gjend sërish në Beograd. Mbeti e paharrueshme fjala e tij e frymëzuar që ua tha intelektualëve të Beogardit: “Për këtë që kaq fort e dua lirinë për popullin tim, për këtë jeni edhe ju fajtorë, zotërinj të nderuar, sepse edhe prej jush kam mësuar se si duhet liria e pavarësia..”Edhe në vitin 1995, bashkë me Bajram Kosumin dhe Masar Stavilecin, Adem Demaçi, para po të njëjtit forum në Beograd, u mundua që të mbante gjallë dhe të forconte shansin e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës edhe pse “Marrëveshja e Dejtonit” qe një paralajmërim zhgënjyes për ata që besonin në zgjidhjet paqësore në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Pas shpërthimeve të para të organizuara në shumë pika të Kosovës njëkohësisht, në pranverë të 1996, me angazhimin energjik të anëtarëve të nënkëshillit tonë në Bruksel, Behare Rexhepit dhe Reshat Sahitajt, Adem Demaçi mori rrugën për në Bruksel, Hagë dhe Londër. Përpjekjet e Demaçit për të bindur dhe angazhuar fuqitë evropiane që të përdornin mjetet e tyre për të penguar gjakderdhjen edhe më të madhe që po paralajmërohej në Kosovë, hasën në moskuptimin dhe mospërfilljen e faktorëve përkatës dhe Demaçi u kthye në atdhe shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer.

I bindur se pa gjak regjimi serb nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më në fund, nuk i refuzoi thirrjet, disa herë të përsëritura, që t’i bashkohej Partisë Parlamentare. Qëllimi ishte që me anë të PPK’së të krijohej mbështjellësi i domosdoshëm dhe i kualifikuar politik për lëvizjen çlirimtare që tanimë rridhte nga zemra e popullit dhe kishte vendosur të paguante çdo çmim për lirinë e vet. Qëllimi tjetër më i zgjeruar ishte që përmes PPK të krijohej “Forumi Demokratik i Kosovës”, një lëvizje e kompletuar gjithëpërfshirëse politike e cila do të na shpinte deri te liria e Kosovës me shumë më pak sakrifica.Me synim që UÇK të vendosej faktikisht dhe formalisht në qendër të lëvizjes gjithëpopullore për liri të Kosovës, Adem Demaçi bashkë me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë të udhëheqjes së atëhershme të PPK, më 5 dhjetor 1997, i drejtoi një Letër të hapur UÇK’së. Me gjithë angazhimin e parezervë për realizimin e këtyre synimeve tejet të domosdoshme, këto përpjekje hasën në moskuptimin tragjik dhe paaftësinë fatale të aktorëve të tjerë politikë që nuk ishin në lartësinë e duhur të momentit dramatik historik.

Me22 shkurt 1998, Adem Demaçi, në Prishtinë, në Qendrën Amerikane, në cilësinë e Kryetarit të PPK pati një përballje dramatike me të dërguarin special të SHBA-së për hapësirën e ish Jugosllavisë, z. Gelbard. Në përpjekjet e atëhershme të gabuara amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës duke nënshtruar shqiptarët, z. Gelbard kërkoi nga Adem Demaçi që edhe ky të përkrahë tezën e tij të gabuar se UÇK ishte organizatë terroriste! Kjo kërkesë hasi në kundërshtimin e vendosur të Demaçit. Z. Gelbard tri herë me zë të ngritur i tha Demaçit se “UÇK-ja është organizatë terroriste”, kurse Demaçi tri herë përsëriti së UÇK-ja ishte organizatë çlirimtare. Takimi përfundoi në atë mënyrë që bashkëpunimi midis Adem Demaçit dhe PPK në njërën anë dhe amerikanëve në anën tjetër, rreth zgjidhjes së çështjes së së Kosovës, u ftoh për disa muaj të ardhëshëm.

Me 12 gusht 1998, me ftesën e udhëheqjes së UÇK-së në Tiranë u arrit marrëveshja gojore që Adem Demaçi të merrte përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, mu përpara kthetrave të kulçedrës kriminale, hapi Përfaqësinë Politike të UÇK-së dhe rreth vetes mblodhi shumë këshilltarë kompetentë që e ndihmuan pa rezerva për gjashtë muaj- deri më 26 shkurt 1999, aq sa edhe zgjati bashkëpunimi shumë i gjallë dhe i frytshëm midis udhëheqjes së UÇK-së dhe Adem Demacit e stafit të tij të vyer e lojal.Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë” sepse ai ofronte vetëm një autonomi tepër të cunguar për shqiptarët.Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet usharake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.

Akademia, Albanologjia dhe Shkenca



Akademia, Albanologjia dhe Shkenca
Nga Ledi Shamku


Përsëpari marr përsipër të them veç ato që di, se gjithologjia nuk është lëmi im “studimor”. Pra nuk e kam parë të detajuar planin ristrukturues të institucioneve tona shkencore, por mesa pashë, përmblidheshin të gjitha në një Qendër Kombëtare të Kërkimit Shkencor, edhe Akademia poaty. Dhe kjo është një punë e mirë. Struktura të tilla ka dhe janë mjaft funksionale: CNR në Itali, CNRS në Francë. Madje ah sikur QKKSh-ja jonë t’ia dilte të kishte një Flotë Shkencore si dy fqinjet që përmenda! Po kush tha m’anë tjetër që nuk ia del? Modelet aty janë, vullneti i mirë duhet.

Tash vijmë te ajo që unë modestisht di dhe besoj e di mirë: a duhet të ktheheshim sot te modeli i dikurshëm: Akademi me Institute? Kam pasur dikur një komshi plak, quhej xhaxhi Miti. Rrugica ime dhe e xhaxhi Mitit ishte afër Kinema Republikës në rrugë të Kavajës. Doli një film “i jashtëm” një ditë dhe u dyndëm. Edhe xhaxhi Miti erdhi. Te ky filmi vdiste në fund njëri nga heronjtë për faj të një gabimi të vet. Qamë e u qurravitëm, e shamë “heroin” pse na pikëlloi, hamendëm si mund ta kishte shmangur dhe ikëm. Të nesërmen shoh xhaxhi Mitin prapë te Biletaria e Republikës. “Po iki njëherë sot, – tha, – se mos ka vënë mend ai personazhi dhe shpëton!”.
“Xhaxhi Miti, ik në shtëpi, i thash, – se e ke film të parë. Po atë fund do ketë!”.

Akademinë me Institute bashkë e kemi film të parë. Kush e ripropozon si kunderreformë, të më ndjejë po është tëpkë xhaxhi Miti vaktit! Aq më të pakuptimta janë thirrjet e kukushme se po u shkri Akademia do shkrihet dhe Albanologjia dhe Shqipëria do të deshqiptarizohet!!! Unë e kuptoj që leva e Arkimedit për opinionin shqiptar sot për sot mbetet çështja identitare, ndaj është punë e pamirë t’i mëshosh tinëzisht kot kësaj leve. Nuk “mbyllen” Studimet Albanologjike, madje keshtu si jane sot për sot, janë thuajse të mbyllura, dhe të mbyllura prej kohësh. Të ashtuquajturat konferenca ndërkombëtare albanologjike përfshijnë e shumta studiues nga Kosova e Maqedonia, pra le ta themi që nuk janë aspak ndërkombëtare por thjesht kombëtare e ndërshtetërore. Albanologjia ka nevojë të shohë një film tjetër se plasi duke shkuar në kinema me xhaxhi Mitin e duke parë të njëjtin film porse me uzdajë çdo herë për kismet të ri… . Dhe në fund, shkenca nuk është vetëm Albanologjia! Po për pjesën tjetër të kërkimit shkencor, atë të “mbyllur” prej kohësh e prej dekadash, atë që nuk lidhet me identitetin kombëtar por me prosperitetin ekonomik e social, si nuk ju ha meraku për të, apo ajo nuk jep “vota audience”?!

Siç ishte e pamë. Xhaxhi Miti është i ftuar të shohë një film të ri. Thonë që është film “kopjac”, kopjon filma italianësh, francezësh e gjermanësh. Po xhaxhi Miti e di që “kopjimi” është edhe shansi i vendeve të prapambetura si ky yni. “S’ka nevojë ta shpik prapë unë ujin e nxehtë për të bërë një rehato-dush në darkë” – thotë xhaxhi Miti se kaq gjë e mori vesh edhe ai.

Portreti i Adem Demaçit në vargje


Nga Kosovare Krasniqi

Adem-DemaciAdem Demaçin për herë të parë e kam njohur përmes romanit të tij “Gjarpërinjtë e gjakut”. Sa mbaj mend, ishin vitet e ‘90-të, kur unë, shumë e re, lexova librin e tij të ribotuar, pas daljes së tij nga burgu; që nga ajo kohë emri i tij më ka mbetur në kujtesë, jo vetëm për faktin se nga leximi i këtij romani mbeta e impresionuar, por edhe nga fjalët e prindërve të mi, të cilët më shpjeguan historinë e bacës Adem dhe arsyen e burgosjes së tij.

Image result for ADEM DEMACI


Për këto arsye, respekti dhe admirimi im për të dhe veprën e tij është i veçantë. Natyrisht, vetëm njerëzit e mëdhenj e tejkalojnë kohën kur jetojnë për t’i hedhur sytë në të ardhmen, pa marrë parasysh pengesat që u dalin përpara. Adem Demaçi ishte i tillë, ishte nga ata burra që nuk presin t’i nënshtrohen fatit, po që e sfidojnë atë.

Demaçi me fuqinë e fjalës dhe me qëndrimin e tij prej titani nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, për popullin shqiptarë u bë zë i guximit, zë i shpresës, zë i forcës, zë i besnikërisë; vetë emri dhe qenia e tij i reflektonin të gjitha këto; ai, duke u sakrifikuar, u kthye në simbol të udhërrëfyesit për popullin e tij.

Ky zë i fuqishëm kundër padrejtësive që po i bëheshin popullit shqiptarë, por edhe për bashkimin e trojeve shqiptare, u bë objekt frymëzimi edhe i shumë poetëve e poeteshave shqiptare, të cilët në vargjet e tyre nuk nguruan t’i shprehnin ndjenjat më sublime për të, vargje të cilat i mblodhi në një vëllim me një titull mjaft sinjifikues “Demaçi, aromë atdheu”, Selatin Novosella, i cili po ashtu ishte i burgosur politik, dhe që jo pak është marrë edhe biografinë e Adem Demaçit.

Vargjet për Bacën

Vëllimi “Demaçi, aromë atdheu” në vete ngërthen 80 poezi, të shkruara nga krijues të njohur, por edhe të panjohur, të moshave dhe të vendeve të ndryshme, por edhe nga krijues anonimë, të cilët me vargjet e tyre i ngritën një lapidar Adem Demaçit.

Përshtypja e parë që më bëri kur lexova vargjet e përmbledhura në këtë vëllim, ishte dashuria dhe afërsia që poetët shprehin për të, se sa i dashur është Adem Demaçi për ta dhe popullin shqiptar.

Titulli i librit “Demaçi, Aromë atdheu”është mjaft domethënës. Kur e lexojmë këtë titull, në mendje na vjen pyetja: te kush mund të ndihet aroma e atdheut më fort sesa tek Adem Demaçi, tek ai që për dekada me radhë ishte i privuar nga jeta e lirë, nga vendi që e lindi dhe e rriti, ku fjalën mëmë e atë i theksoi për herë të parë? Përgjigjja: Adem Demaçi dha aq shumë për atdheun e tij një jetë të ërë sa u bë edhe ikonë e atdheut, prandaj me shumë të drejtë autori i kësaj përmbledhjeje, Selatin Novosella, shprehet se një aromë e tillë do të ndihej vetëm nga “heroi kombëtar i yni, Adem Jashari”.

Në këtë vëllim janë të mbledhura poezi të shkruara përgjatë viteve të ndryshme, nga shumë autorë të ndryshëm, mirëpo çdo poet vjen këtu duke na “rrëfyer” nga një pjesëz të jetës së subjektit për të cilin flet, ndër të cilët mund të veçohen: Ali Podrimja, Abdullah Konushevci, Agim Spahiu, Selatin Novosella, Shaip Beqiri, Xhevë Ladrovci, Naxhije Doci, Mirvete Dreshaj-Baliu, e shumë e shumë poetë të tjerë. Poezitë e këtij vëllimi vërehet që janë të shkruara me ndjenjën e dashurisë, me shumë respekt, me modesti dhe sinqeritet.

Poezitë e këtij vëllimi sikur u ngjajnë copëzave të mozaikut sepse disa nga poezitë janë më të vogla e disa më të mëdha, nga të cilat krijohet një vëllim, në të cilën poetët shprehin botën e tyre subjektive, me një subjekt të përbashkët – Adem Demaçin; secili me historinë e tij, por muza e të gjithë poetëve të këtij vëllimi bëhet njeriu i pathyer karshi rrebesheve serbe.

Secili nga krijuesit “përshkruan” nga diçka prej portretit të Bacës, për të dhënë në fund tërësinë e këtij portreti sa kompleks aq edhe madhështor. Këtu përmendim vargjet e Shaip Beqirit, i cili figurën e Adem Demaçit e kthen në mit: mit të gjallë. Apo vargjet e Agim Spahiut, në të cilët shpërfaqet madhështia shpirtërore e Adem Demaçit. Pastaj në vargjet e Ali Podrimjes, Hydajet Hysenit etj. Edhe tek poezia më e thjeshtë në shikim të parë, del diçka që e plotëson figurën e Adem Demaçit.

Rruga e jetës nëpër të cilën ka kaluar Adem Demaçi ka qenë rrugë e vuajtjeve, rrugë e mundimeve, një jetë që siç thotë një fjalë e urtë popullore, e kaluar “si gjarpri nën gurë”, apo siç e thotë edhe Podrimja ynë i ndjerë, një jetë “brenda një katrori magjik”, por të cilën ai ka arritur ta kalojë me dinjitet:

Tani gjendesh

Brenda katrorit magjik

Dhe kërkon Kosovën

në hartën e vezullimeve



Ndërsa në poezinë e Agim Spahiut fuqishëm na shpërfaqet figura e Adem Demaçit, si mendimtar i së sotmes po edhe si vizionar i së ardhmes. Sa figurë reale, aq edhe madhështore është figura e Adem Demaçit në poezinë e këtij poeti:

Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishe të bardhë

Ishe djalë,

Dhe pe larg…. ky ishte faj?



Mirëpo, përderisa deshën ta shuanin emrin e tij, emri i tij vetëm sa mori jehonë tek populli shqiptar; ndërsa emrin e tij deshën ta kthenin në hi, ai nga hiri, si feniksi, rilindi.

Një poezi dhuratë në ditëlindjen e 70-të të Adem Demaçit ia kushtoi poeti Selatin Novosella, i cili edhe në jetë edhe në vepër është frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij. Subjekti lirik i poezisë së Novoselles është njeri i cili mësoi gjërat më të rëndësishme në jetën e tij. Demaçi ishte njeriu i cili i mësoi alfabetin e atdhedashurisë, shenjat e rrugës për bashkimin kombëtar, njeri i cili edhe burgun e shndërroi në universitet, dhe i cili, edhe pse vetë i izoluar, të jepte shpresë ne atë kohe kur edhe jeta e vdekja bashkëjetonin:



Ty, që na forcove në çaste dobësie!

Ty, që u dogje për të mbajtur gjallë zjarrin e Lirisë!

Ty, që na jepje shpresë kur jeta dhe vdekja bashkëjetonin!



Në këtë vëllim poetik një vend të veçantë zënë poezitë e shkruara nga të burgosurit politikë, nga bashkëvuajtës të Bacës apo nga të burgosur në burgje të tjera, të cilët e njihnin apo vetëm kishin dëgjuar për të. Hydajet Hyseni ishte njëri prej atyre që i kushtoi poezi në burgun e Nishit, bashkudhëtarit të tij të vuajtjeve, sepse edhe ai ishte i burgosur politik, poezi që e ndan në tri pjesë. Në pjesën e parë poeti tregon për burgun se si është “me hekur e beton”, ku edhe guri zbehet, syri shteret, është vend që “Që gërryen e kafshon”. Në pjesën e dytë të poezisë jepet portreti i Demaçit: i pathyer përkundër të këqijave që i pëson. Poeti këtë pjesë e fillon me pyetjen “E Ai?”, duke shtuar: ”dhe kurrë nuk u zverdh, s’u thye, s’u shemb”. Ndërsa, në pjesën e tretë e tretë përshkruhet qelia e vogël e burgut që ka brenda një zemër shume të madhe.

Në vargjet e kësaj poezie, poeti vë përballë gurin e betonin me shpirtin dhe idealet e larta të tij, sepse idealet e mbanin atë të pathyeshëm, sepse ai, me gjithë torturat që i bënë serbët, qëndroi më i fortë se burgu dhe se guri.

Përfundim

Dhe, në fund, duke ju përshëndetur të gjithëve juve, pjesëmarrës të nderuar, do të doja të shtoja se Adem Demaçi është njeriu i cili ka dhënë gjithçka nga vetja e tij për lirinë e Kosovës, ndërsa poetët ia kanë shpërblyer atij me vargjet e tyre. Poezitë që kanë zënë vend në këtë vëllim sikur e plotësojnë njëra-tjetrën; këtu vijnë më të gjalla, më të këndshme e me frymëzuese se po të ishin të shpërndara në libra e revista të ndryshme; këtu të mbledhura bashkë sikur e ndiejnë veten më mirë, pa marrë parasysh që secila ka fytyrën e vet; disa më të bukura e disa më pak të bukura, por ajo që i lidh të gjitha është dashuria që kishin krijuesit për figurën e Adem Demaçit. Të tëra së bashku përbëjnë një autobiografi të Bacës Adem Në vargje. Pastaj çdo poezi e këtij vëllimi sikur përçon mesazh të qartë tek lexuesi, fortësinë dhe guximin e Adem Demaçit kur e dimë që çfarë ka vuajtur ai nëpër burgjet serbe, si kalon nëpër atë ferr të trishtueshëm, të cilin poeti Adem Zaplluzha e krahason me ferrin dantesk, ku thotë edhe ferri i Dantës ishte më pak i tmerrshëm krahasuar me vuajtjet e dhembjet që përjetoi Adem Demaçi në burgjet jugosllave.

Mirëpo, e mira e të mirave është se të gjitha këto poezi flasin për një fund të lumtur, pavarësisht dhembjeve të mëhershme, sepse fatmirësisht Bacën Adem Demaçi e kemi gjallë dhe jeton në mes nesh duke gëzuar shëndet të plotë dhe që lexuesi këto poezi do i lexojë e shijojë me një lloj kënaqësie.

Përkitazi me librin e Selatin Novosellës, “Demaçi – njeri i lavdisë”, botoi ShBPK, Prishtinë, 2018



Image result for BEDRI ZYBERAJ

Bedri Zyberaj

Një libër i veçantë për njeriun e veçantë

Adem Demaçi!
Një emër që sa herë e dëgjojmë, ndiejmë brenda vetes sonë se na thotë shumëçka. Dhe vërtet na thotë shumëçka. Por, nëse do të përpiqeshim të artikulonim me fjalë e t’ua kumtojmë të tjerëve atë që e ndiejmë, menjëherë na ngec sharra në gozhdë.

Cili prej nesh nuk e ka provuar një lloj dëshpërimi sa herë që është përpjekur dhe ka thënë diçka, me shkrim ose me gojë, për këtë emër?

E kemi thënë, por përherë kemi ndierë një lloj zbrazëtie se nuk e kemi thënë atë që është dashur dhe kemi menduar ta themi.

Dilema të këtilla provon njeriu vetëm kur ka të bëjë me personalitete të veçanta, që në vete ngërthejnë diçka të magjishme.

Këtë të magjishme duhet ta ketë pasur parasysh edhe Ukshin Hotin, kur ka bërë një lloj portretizimi të figurës së Adem Demaçit. Me atë rast, ai thotë: “Figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore” për ta përmbyllur me një konstatim se: “Mund të jesh me të, përbri tij apo kundër tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij”.[1]

Kur jemi te kjo cilësi na duhet të saktësojmë se e magjishmja e këtij njeriu është reale, e ngritur mbi gatishmërinë e përhershme për vetëmohim, pa u hamendur asnjëherë për rrugën që kishte zgjedhur dhe pa u çekuilibruar për asnjë çast të vetëm, kur del nga burgu, për të shkarë në urrejtje dhe ksenofobi.

Pra velloja e magjishme që e mbështjell këtë emër, nuk është diçka e momentit, e një çasti, por e një qëndrimi të paepur, për një jetë të tërë, të mbrujtur mbi një konstantë të përhershme dhe jetëgjatë e me shkallë të lartë vetëmohimi. Për koincidencë, ndërsa data e sotme përkon me 82-vjetorin e lindjes, ky vit, viti 2018, paraqet edhe 60-vjetorin e burgosjes së tij të parë, më 1958, që paraqet edhe fillimin e një epoke të re të përpjekjes së shqiptarëve që kishin ngelur jashtë kufijve të shtetit amë, për liri, çlirim e bashkim kombëtar. I kësaj epoke, që po të përpiqemi t’i gjejmë një emër për ta emërtuar, nuk do të mund ta quajmë ndryshe, përpos Epoka e Demaçit.

Si i tillë, Demaçi, para, por sidomos pas lirimit “nga burgu i vogël dhe daljes në burgun e madh”, siç shprehej vet sapo e përfundoi vuajtjen e dënimit të tretë, ku kishte kaluar 28 vjet të jetës së vet, është shndërruar në personalitetin i cili, sipas Sali Bytyçit, “më së shumti është epitetizuar, personifikuar dhe simbolizuar në vargje (dhe jo vetëm në vargje do të shtoja unë), por edhe është kthyer në mit, më shumë se çdo personalitet tjetër i çdo fushe”.[2]

Këto dy konstatime paraqesin dy premisa për të arritur te silogjizmi se personaliteti i Adem Demaçit, me energjinë e jashtëzakonshme pozitive që ka mishëruar përgjatë gjithë jetës së vet, vazhdimisht e gërget dikë që të merret me punën dhe qëndrimin e tij. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe ka për të ndodhur edhe në të ardhmen.

Deri tani, ka një numër të madh të atyre që herë fare shkurt, herë më gjatë janë përpjekur të vënë në pah disa cilësi të krijimtarisë letrare, politike e publicistike të Adem Demaçit. Dhe ata që kanë dhënë mendime dhe vlerësim për këto aspekte të jetës së tij nuk kanë qenë vetëm njerëz të thjeshtë dhe as vetëm të përkatësisë etnike shqiptare.

Për nga statusi shoqëror kanë qenë njerëz nga më të thjeshtët deri tek ata që kanë qenë ideatorë dhe kreatorë të Rendit të Ri botëror që erdhi si domosdoshmëri për t’u krijuar pas rënies së monizmit në Evropën Lindore dhe shpërbërjes së BRSS e RSFJ-së; për nga përkatësia etnike janë shqiptarë, boshnjakë, kroatë, serbë, francezë, maqedonas, bullgarë, anglezë, danezë, belgë, gjermanë, amerikanë etj; për nga angazhimi profesional janë kritikë, historianë të letërsisë, estetë, gazetarë, publicistë, politikanë, të dënuar politikë etj.

Të tillë janë ata që deri tani kanë thënë diçka për veprën letrare e publicistike të Adem Demaçit, për jetën e tij, për stoicizmin e tij nëpër burgje, për bindjet e tij politike, për nismat dhe dështimet e tij. Janë shkruar me mijëra faqe librash e gazetash, janë bërë me dhjetëra e dhjetëra orë lajmesh në radio e televizione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, i janë dhënë me dhjetëra mirënjohje, dekorata, tituj nderi e çmime të ndryshme deri te i famshmi “Saharov”.

Të gjitha këto, në një formë mjaft sintetizuese, të interesuarit, tani e tutje, do ta kenë mundësinë t’i gjejnë në Librin më të ri të Selatin Novosellës, “Demaçi – njeri i lavdisë” që këto ditë doli nga shtypi.

Libri “Demaçi – njeri i lavdisë” ka 175 faqe. Ai hapet me një kushtim të shkurtër të autorit, por pa u emërtuar si i tillë, në të cilin shënohen disa nga epokat më të vështira nëpër të cilat është shtrirë jeta 82-vjeçare e Adem Demaçit dhe është mbrujtur e kalitur personaliteti i veçantë i tij. Këto epoka, nga ana e autorit Novosella, emërtohen me emrat e krerëve udhëheqës të shtetit jugosllav, duke filluar prej Aleksandër Karagjorgjeviqit (do të duhej të shkruhej Petër Karagjorgjeviqit)[3] kohë në të cilën ka lindur Demaçi më 1936 e deri në “kohën e Sllobodan Millosheviqit”, më 1999, kur Adem Demaçi do të bëhet përfaqësues i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, për t’u përmbyllur me një konstatim, mendoj të qëlluar dhe të drejtë se, pavarësisht prej vuajtjeve dhe rreziqeve të shumta, Baca “është ndër personalitetet e rralla më me fat në historinë më të re të Kosovës”.

Pas këtij kushtimi të llojit të vet vjen një parathënie e shkurtër e Lulëzim Etemajt, e titulluar “Një shtatore për Adem Demaçin”, ku autori e vlerëson këtë vepër të S. Novosellës me fjalët më të mira. Më pastaj vjen një prolog me titull “Në vend të hyrjes”, me të cilin lexuesi informohet për historikun e njohjes së autorit me Adem Demaçin, moment ky që kishte ndodhur para më shumë se gjysmëshekulli. Saktësisht, në vjeshtën e vitit 1963, “në një orë letrare në Shkollën Normale të Prishtinës” siç thotë ai.

Lidhja e autorit me Bacën, pas asaj njohjeje, ishte vazhduar dhe ishte përcjellë me peripeci të shumta nga arrestimet, gjykimet, dënimet e vuajtjet e dënimeve nëpër burgjet jugosllave, për të arritur deri në kohën e çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999, por tani, në kohën e lirisë, në rrethana krejtësisht të reja, më normale dhe më të favorshme.

Siç na e thotë vet autori, Selatin Novosella, kjo lidhje kaq e gjatë, po sidomos koha e pasçlirimit, i ka mundësuar atij të grumbullojë, të sistemojë dhe të analizojë “çdo libër, revistë, gazetë, dokument, faksimile, fotografi dhe poezi që bënte fjalë për jetën e Adem Demaçit”.[4]

Me këtë rast mësojmë se në saje të këtij angazhimi, sot në arkivin personal të Selatin Novoselles gjenden “mbi 10 mijë faqe me dokumente gjyqësore nga të tri gjykimet e Bacës (1958, 1964 dhe 1975), me programet politike, dorëshkrimet, intervistat, fjalimet, analizat, opinionet, polemikat dhe reagimet e tij (A. Demaçit – B. Z.)”.[5]

Nga kjo shumësi dokumentesh, deri tani, siç mund ta dini ju dhe lexuesit e këtij libri, S. Novosella ka botuar shtatë libra.

Ky që po e përurojmë sot është i teti me radhë.

Libri “Demaçi – njeri i lavdisë”, për mendimin tim, është libër i veçantë. E them këtë duke u nisur nga fakti se për nga mënyra se si është konceptuar, kompletuar dhe finalizuar ashtu siç e kemi në dorë tani ne si lexues, për aq sa di unë, në letrat shqipe, nuk mund t’i gjendet edhe një tjetër për t’ia bërë shoqin. Diçka i ngjashëm me të është edhe libri i pestë “Demaçi – metaforë lirie”, nga i njëjti autor por, megjithatë, prapëseprapë kanë dallime të konsiderueshme njëri me tjetrin, si për nga konceptimi, po ashtu edhe për nga numri i atyre që kanë dhënë mendime për Demaçin dhe janë përfshirë në këta libra.

Derisa në librin e mëparshëm gjejmë disa vlerësime më të gjata të 100 autorëve të ndryshëm, në këtë të fundit, “Demaçi – njeri i lavdisë”, është përzgjedhur vetëm nga një mendim i shkurtër, duke filluar nga gazetarë, publicistë, avokatë, drejtues fetarë, shkrimtarë, politikanë, bashkëveprimtarë të Bacës e bashkëvuajtës të dënimeve me të, veprimtarë të çështjes kombëtare, studiues dhe historianë të letërsisë, senatorë, diplomatë e burrështetas të ndryshëm të kohëve, ideologjive dhe vendeve të ndryshme, shqiptarë dhe të huaj, duke filluar nga Enver Hoxha e deri te Riçard Hollbruku e Madlen Ollbrajti; nga presidentë e ish-kryetarë parlamentesh të shteteve të veçanta që prej Pjetër Arbnorit, Rexhep Mejdanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit të Shqipërisë apo Vladimir Sheksit të Kroacisë e deri te Baron Krespo ish-kryetar i Parlamentit Evropian e Kofi Anani – ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Duke u bazuar në këtë cilësi, librin e parë “Demaçi – metaforë lirie” do të mund ta quanin “përmbledhje shënimesh për Demaçin”, ndërsa këtë të fundit “Demaçi – njeri i lavdisë” “përmbledhje mendimesh për Demaçin”.

Secili nga këto mendime veç e veç paraqet një gur të veçantë të një tërësie prej mozaiku ku shpërfaqet personaliteti i Adem Demaçit.

E përbashkëta e të gjitha këtyre mendimeve qëndron në vlerësimin, se ky njeri, Adem Demaçi, në të gjitha kohët, përballë gjithsecilit, qoftë ai gazetar i vendit apo diplomat i rangut botëror, qëndron i pathyeshëm dhe besnik i idealit të vet. I idealit, në të cilin populli që i përkiste, pra shqiptarët, që gjatë burgosjes së tij të dytë, pikërisht te ky njeri e kishte zbuluar gurrën e vet të frymëzimit dhe e kishte parandier besnikërinë e tij të përhershme ndaj po atij ideali që kishte rezultuar me një shkrirje të cilën e kishte pikasur dhe e ka theksuar Ukshin Hoti, sipas të cilit, Demaçi, në saje të vuajtjes, qëndresës, besnikërisë ndaj idealit të vet, “kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore. Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i popullit, por gati vet populli (nënvizim imi)”[6].

Populli e kishte parandier këtë të vërtetë që në krye të herës dhe, falë gjenialitetit të vet krijues, kishte filluar të thurte edhe legjenda që ishin në funksion jo vetëm të përhapjes së atij ideali që tani e përfaqësonte ky bir i tij, por edhe të ruajtjes së tij të përhershme.

I tillë është edhe një rrëfim i dëgjuar nga një rapsod, e që S. Novosella e ka futur në libër. Kur e pashë, derisa po e lexoja librin, më ktheu diku në fillim të viteve ’70, duke më kujtuar se diçka të tillë kisha dëgjuar edhe unë nga xhaxhai im, Jonuz Zyberaj. Do të ketë qenë viti 1972. E gjykoj të nevojshme ta përflas me këtë rast ashtu siç e kam dëgjuar, për ta mbështetur atë konstatimin e mëvonshëm të U. Hotit, të cilin e citova më lart.

“Adem Demaçi para gjyqit ka thënë: Ju mund të më dënoni me burg të përjetshëm. Mund të më dënoni edhe me vdekje e të më ekzekutoni, e mund edhe të lirohem pa u çliruar e bashkuar kombi im. Por, dijeni një gjë! Atje, ku do të më varrosin, mbi varrin tim do të mbijë bari. Atë bari do ta hajë bagëtia nga e cila njeriu yni merr qumështin. Atë qumësht që do ta pinë fëmijët që do të lindin pas vdekjes time, do ta fuqizojnë edhe më shumë këtë ideal për të cilin po më dënoni ju e do të bëhen edhe më të ashpër sesa unë kundër robërisë!”

Si duket, që në atë kohë, populli e kishte parandier se në rastin e Adem Demaçit kishte të bënte me një njeri të veçantë. Dhe nuk kishte gabuar. I tillë na del portreti moral e shpirtëror i Adem Demaçit në ato 299 mendimet e shkurtra që autori Novoslella i ka përfshirë në pjesën kryesore të librit, të titulluar “Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin”.

Pas pjesës kryesore, gjenden 36 shënime të shkurtra të gazetave dhe revistave të përzgjedhura si dhe radiostacioneve të ndryshme, e pasuar nga kronologjia e mirënjohjeve, dekoratave dhe e çmimeve që i janë dhënë Adem Demaçit, brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga ato me të thjeshtat e deri te titulli “Nderi i Kombit” që iu ka dhënë, më 10 qershor 2012, nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi.

Për habi, këtu nuk figuron Çmimi Saharov që iu dha më 1991. Pse i është përvjedhur ky lëshim autorit, nuk e di.

Në fund është literatura e shfrytëzuar dhe një pasqyrë kronologjike e veprave që ka botuar Selatin Novosella, të cilat paraqesin një aparaturë me interes për t’u orientuar të gjithë ata të cilët, në të ardhmen, mendojnë t’i zgjerojnë dhe thellojnë njohuritë e veta për jetën dhe veprën e Adem Demaçit.

Në fund, këtë kumtesë mund të përfundojmë kështu: Adem Demaçi, ashtu siç na shfaqet në mendimet e autorëve të shumtë të paraqitur në librin më të ri të Novosellës, është një institucion në vete, i cili ka funksionuar ndryshe. Ka funksionuar ndryshe si në rrethana robërie dhe lufte, po ashtu edhe në ato të paqes. Ai ka pasur fuqinë më të madhe të ndikimit, pikërisht atëherë kur ka qenë më i izoluar dhe kur pushteti e shteti jugosllav kanë menduar se me burgosjen e tij ia kanë mbyllur gojën. Për këtë arsye mund të gjykohet se emri i tij përfaqëson një njeri të veçantë. I tillë, i panënshtruar as në burgje e as në jetë, i pathyer as para policit e hetuesit dhe i palëkundur as para diplomatëve më të rëndësishëm të kohës, duke i ngelur besnik idealit të vet fillestar dhe të drejtës, nuk ka pranuar asnjëherë të bjerë pre e politikës së ditës dhe nuk është mashtruar nga kalkulimet politike për paqe. Paqja mbi bazën e kalkulimeve e jo të drejtësisë është jetëshkurtër. Ai ka qëndruar konsekuent në përcaktimin e vet fillestar për liri dhe drejtësi të plotë, i bindur se kjo është rruga dhe mundësia e vetme mbi të cilën mund të ndërtohet paqja e përhershme.

Këtë të vërtetë na e dëshmon edhe ky libër i veçantë ku gjenden mendime të shumta, njerëzish të ndryshëm, për Adem Demaçin.

Prandaj, lirisht mund të thuhet se ky libër është i veçantë për një njeri të veçantë.

Mund të thuhet kështu, sepse sado që i kushtohet dhe për objekt ka një personalitet të caktuar, ai nuk është si librat e tjerë monografikë që, në raste të tilla, merren me jetën dhe veprën e akëcilit personaliteti.

Mendimet dhe vlerësimet e autorëve të shumtë që gjenden në libër të radhitura sipas rendit alfabetik, që i kanë dhënë për të njëjtin njeri, janë këndvështrime të veçanta që të gjitha së bashku plotësojnë një mozaik të llojit të vet, në të cilin na shfaqet, disi ndryshe, portreti i plotë njerëzor i Adem Demaçit. I atij, të cilin, S. Novosella, me të drejtë, e quan “Njeriu i lavdisë”.

Tek-tuk librin e shoqëron ndonjë mangësi si, p. sh., në pjesën ku janë shënuar mirënjohjet dhe çmimet që i janë dhënë, nuk është shënuar Çmimi Saharov, apo në ndonjë rast, mund të të krijohet përshtypja se nuk është përzgjedhur mendimi më përfaqësues i ndonjë personaliteti që e ka dhënë për Demaçin. Edhe disa gabime teknike janë të pranishme, por mendoj se këto nuk ia ulin vlerën librit. Me këtë rast dua të them edhe një gjë. Kam bindjen se, pavarësisht faktit se këtu janë përfshirë 299 mendime të shkurtra, ka ende autorë të tjerë që kanë shkruar për Demaçin, por që mendimet e tyre kanë mbetur jashtë këtij mozaiku.

Mendoj se kjo “mangësi” mund të plotësohet në të ardhmen dhe, së bashku me evitimin gabimeve që i përmenda, në një ribotim të radhës, libri do të kompletohej edhe më shumë për nga informacioni dhe këndvështrimi për A. Demaçin.

Autorin e përgëzoj për librin dhe i dëshiroj botime të reja që do të jenë në funksion të plotësimit të misionit që i ka vënë vetes për ndriçimin sa më të plotë të figurës Adem Demaçit!

Librit i dëshiroj rrugë të mbarë për te lexuesi, ndërsa njeriut të veçantë, të historisë sonë më të re, Adem Demaçit, jetë të gjatë e shëndet të mirë!

[1] Ukshin Hoti, “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Prishtinë, 1996, f. 175-176

[2] Selatin Novosella, “Demaçi – njeri i lavdisë”, ShBPK, Prishtinë, 2018, f. 119

[3] Aleksandër Karagjorgjeviqi nuk ka qenë i gjallë kur ka lindur Adem Demaçi. Atë e kishin vrarë rreth dy vjet më parë në Marsej të Francës më 9 nëntor të vitit 1934. Në kohën kur ka lindur Demaçi, Mbret i Jugosllavisë ka qenë Petër Karagjorgjeviqi II.

[4] Selatin Novosella, “Demaçi – njeri i lavdisë”, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2018, f. 11

[5] Po aty f. 11-12

[6] U. Hoti, vep. e cit., f. 175


(Bedri Zyberaj lindi me 6 maj të vitit 1963 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në Drenovc të Rahovecit, ndërsa të mesmen në Rahovec. Studimet universitare i përfundoi në Prishtinë me sukses të shkëlqyeshëm në degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në UP, po ashtu i përfundoi studimet pasuniversitare – dhe në vitin 2003 ka mbrojtur me sukses temën e magjistraturës me titull, “Fenomeni i luftës në veprat Për kë bie Këmbana- Ernest Hemingwej dhe Hasta la vista-Petro Marko”. Në vitin 1998 ka botuar librin me poezi ,,Dromca vitesh", ndërsa në vitin 2013 librin me studime ,,Në gjurmë të arketipeve". Ka marr pjesë në tryeza dhe konferenca shkencore brenda dhe jasht vendit ku ka paraqitur referate dhe studime për probleme të ndryshme të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Bedri Zyberaj ka marrë pjesë aktivisht në luftën për çlirimin e Kosovës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse studimet i kishte mbaruar me 1988, me notë mesatare 9,53, për shkak të diferencimit të ateëershëm ideopolitik që e kishin vlersuar se gjoja ishte i ngarkuar me nacionalizëm, nuk e kishin lënë të punonte dhe deri me 1993 kishte qenë i papunë. Me 1993 ka filluar të punojë në Shkollën Fillore ,,Vëllezerit Frashëri" të Drenocit në detyrën - arsimtar i gjuhës dhe letersisë shqipe, ku ka punuar deri me 1998. Gjatë kohës së luftës ka qenë pjestar dhe epror i UÇK-së. Prej vitit 1999 deri me 2004 ka qenë epror i lartë i TMK-së. Në këtë trupë ka qenë Komandant i Shkollës për oficerë te lartë të TMK-së. Nga viti 2004 deri me 2009 ka qenë i paraburgosur. Prej 23 nëntorit 2009 deri me 16 maj 2014 ka qenë Këshilltar për media dhe marrëdhenie me publikun në PTK. Ndërsa nga 16 maji i vitit 2014 është drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bogdani" i zgjedhur me Konkurs publik.)

"Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia, nesër do të jem askushi në vendin tim….”

Vranari Haxhiraj: Rrugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj




Nga Mujo Buçpapaj

"Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia,
nesër do të jem askushi në vendin tim….”

I.Luzaj

Para pak ditësh Shtëpia Botuese “Nacional”nxori nga botimi libri studimor “Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe e Penës”, ku autorja ka studiuar dhe analizuar gjithë librat e botuara në shqip të filozofit Luzaj.


“Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”
"Profesor i Merituar i Amerikës”, “Mjeshtër i Madh” dhe "Nder i Kombit"

“Libër i mirë dhe i vlefshëm është ai që krijon një dialog me lexonjësin, një komunikim shpirtëror… Ky dialog që e bën lexonjësin mik, shok e vëlla,e bën këtë të mendojë, të ndiejë, të arsyetojë.”

Isuf Luzaj,”Festimi i yjeve”,2013,

“Jeta dhe vepra akademike e një personaliteti të shquar të kulturës dhe shkencës, i shërben më parë Atdheut të vet. Kur përmasat e tij arrijnë shkallën sipërore të një individualiteti që i kapërcen kufijtë shtetëror, atëherë Ai nuk i përket më as vetes, as familjes dhe as kombit të tij, por është vlerë e gjithë Botës së Kulturuar. Një elitë e tillë e pavlerësuar është Prof.Dr. Isuf Luzaj. Ndërsa sot…ai mban titullin e lartë dhe të shumëmerituar :“Nder i Kombit”.

Vivra

Ky libër studimor që autores i ka marrë një kohë të gjatë pune këmbëngulse prej 17 vitesh, është një vepër e arrirë, ku Vranari ka zbërthyer terminologjinë shkencore filozofike, ka shprehur botëkuptimin e tij ideor, si dhe forminim e përsosjen e një individualiteti dhe personaliteti botëror, duke i bërë veprat e eruditit Prof.Dr. Isuf Luzaj të kuptueshme për lexuesin. Kjo vepër është një ndihmesë e vyer për studentët që u duhet ta studiojnë veprën madhore të filozofit shqiptaro-amerikan, Isuf Luzaj, e cila është vlerë e padiskutueshme që i bën nder Kombit. Autorja Vrana -Haxhiraj, duke i kërkuar ndjesë në ceremononë mortore 2 dhjetor 2000 në Kaninë-Vlorë, shprehet me këto fjalë:

“Unë…një nxënëse fillestare,

pranë tombës i them dy fjalë:

“Më fal profesor, më fal!

Më fal, që s’e njoha dot më parë,

vargun tënd margaritar,

sarkazëm, dhembje dhe lotë ! “

Vivra

Xhevat Beqaraj- Redaktor i studimit.

Përshtypje rreth librit studimor të Vilhelme Vranarit, me titull:

“Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”

Vilhelme,

dorën e djathtë e kam të sëmurë, të mbështjellë me fasho. Po përpiqem t’i kërkojë ndihmë së majtës që të të përciellë dy fjalë.

1.

Pa nisur çfletimin e librit në dorëshkrim, parandjenja më thoshte se do të më pëlqente,( kjo, nënkuptohet dhe nga ç’kisha lexuar prej teje). Dhe...Ashtu ndodhi. Më pëlqeu.

2.

Duke u nisur nga titulli i librit, me të vërtetë është një rrugëtim që ka dashur guxim, mundim, lodhje dhe kohë. Një punë e tillë sidomos kërkon vullnet, këmbëngulje, përkushtim, pasion, dijeni (kulturë) që tek ti, Vilhelme, nuk mungojnë.

3.

Ky libër është edhe një dëshmi më tepër në njohje të një personaliteti vlerash të veçanta si Isufi ynë.

4.

Besoj të ndaj me ty të njëjtin mendim,(të cilin e kam shprehur afërsisht edhe në parathënien e librit të Prof.Dr.Isufit “Filozofia e Bukurisë”, se:

“...u takon arkitektëve të Panteonit të kulturës sonë kombëtareqë,mbasi të njihet mirë jeta e korpusi i veprës së Tij, Ai, në këtë Panteon do të ketë vendin që meriton.

Nderi , më tepër se Atij, i bëhet kulturës shqiptare...

Le të shpresojmë.

Me urimet më të sinqerta.

Xhevat Beqaraj

Tiranë, 14 korrik 2017

Mirënjohje

Qysh kur rastësia më njohu me librin “Gloria e çmendjes”të Prof.Dr.Isuf Luzaj, më lindi një dëshirë e ethshme për ta njohur sadopak veprën e tij letraro-filozofike. Mundësinë ma krijoi motra e tij e ndjerë, një grua me kulturë, zonja Rahile Luzaj Caushaj, e cila më dhuroi gjithë botimet e Profesorit në shqip.

Kjo ndodhi menjëherë pas ceremonisë mortore që u bë më 2 dhjetor 2000.

Znj. Rahile, në kushte regjimi shtrati, më kërkoi ta vizitoja në shtëpi, për të më falënderuar për poemën “Vdiq poeti Filozof”,që i kushtova birit të Kaninës plakë dhe mësuesit të të gjithë botës së kulturuar, Isuf Luzaj. Ajo zonjë e nderuar, ish e burgosur politike, u ngrit në këmbë dhe tha:

“ -Sot që më erdhe ti moj bijë, në shtëpi më ka ardhur Isufi !

-Ç’thoni kështu hallë?! Para personalitetit madhor të Profesorit, unë jam një hiç…

- E ke gabim. Vetëm një njeri me dije e me shpirt të madh, mund të shkruajë për vëllanë tim të harruar e të mohuar… Ky njeri,je ti…Nëse mundesh, kujtoma Isufin me penën tënde! Ka punuar dhe shkruar aq shumë, por, a do të njihet vallë?Kam frikë se do ta mbulojë pluhuri i harresës.

-Mjafton që vepra e tij të botohet në Shqipëri dhe me kohë ka për t’u njohur e për t’u studiuar.

-Të faleminderit që më jep shpresë, ti, bija e Kaninës, nga një derë e fisme. Familja Vrana ishte e para që themeloi Kaninën,bashkë me pesë familje të tjera, që u bënë pritëse të shumë familjeve fisnike. Nuk thuhet kot , moj bijë: “Ku ka rrjedhur , do të pikojë!”

Ndaj shpreh mirënjohjen time për këtë zonjë fisnike dhe bashkë me të vëllanë, uroj që të prehen në përjetësi dhe qofshin të paharruar!

Nderim e mirënjohje bashkëpunëtorëve të mi:

Shpreh mirënjohje të veçantë për z.Xhevat Beqaraj, redaktor dhe këshillues i mrekullueshëm i këtij studimi, njeriun e palodhur e me zemër të madhe, që ka përgatitur për botim disa nga librat e Isuf Luzajt! Mirënjohje për bashkëpunëtorët : Sh.B. Nacional, shtypshkronjën “Europrint, veçanërisht znj. Blerina Ndreu, disenjatorin e talentuar Jorgo Saqellari dhe fotografin dhe menaxherin tim personal, si dhe bashkëshortin tim; z.Fitim Haxhiraj. I përshëndes dhe i falenderoj të gjithë lexuesit bashkë me komentuesit e mrekullueshëm që gjenden në faqet e këtij libri.

Qoftë e paharruar vepra e filozofit, poetit , historiografit Prof.Dr.Isuf Luzaj, “Profesor i Amerikës” dhe “Nder i Kombit”!

Vivra

“ Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë natyralë, ku është gdhendur vetëmohimi i gruas shqiptare!”


Image result for VILHEME VRANARI


Vilhelme Vrana Haxhiraj


Gra të shquara shqiptare, elitare të kombit.
Paragraf nga dorëshkrimi” Elitat, krenari kombëtare”

“ Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë natyralë,
ku është gdhendur vetëmohimi i gruas shqiptare!”

“Familja, atdheu i vogël, ku hedh rrënjë kombi, ndërtohet nga të dy gjinitë, ...kur burri dhe gruaja do të dinë ta vlerësojnë njëri-tjetrin për atë që është në gjendje të bëjë e të arrijë secili segment i shoqërisë, do të kemi një familje të bukur, një shoqëri kompakte e pa smirë, një shtet më të konsoliduar dhe një komb të integruar...”Vivra

Shoqërinë njerëzore e bëjnë dy segmente:burra dhe gra, ku kjo e dyta sipas statistikave, zë vendin e parë, me mëse 51% të numrit të të gjithë popullsisë së globit tokësor. Ky segment vital, qeliza e njerëzimit, nga i cili lind e bukura “JETA”, ka dhënë, jep dhe do të japë vlera në shoqëri. Është gruaja që ka dhënë burra të aftë që kanë drejtuar dhe drejtojnë perandori, shtete, organizma kombëtare dhe ndërkombëtare në të gjitha fushat si në organet e larta presidenciale, legjislative, juridike, ekzekutive, si dhe në shkencë, ekonomi, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi, ushtri etje... Edhe pse të pavlerësuara si e sa duhet, si dhe në kushte pabarazie gjinore, megjithatë janë në një numër të konsiderueshëm gratë që janë ndërtuese të shoqërisë, me të njëjtat vlera si dhe meshkujt. Kurr s’duhet harruar se gjatë historisë ka pasur shumë vajza të reja, bashkëshorte, nëna që me punën e tyre, bazuar në intelekt, arsim, profesion, kurajo, guxim e vetmohim, janë bërë shembuj virtyti që kanë dhënë vlera të njëjta apo dhe më të avancura sesa meshkujt. Në këtë mënyrë ato kanë krijuar modele që duhen ndjekur nga bashkëkohësit apo të merren si nxitje për të thyer konceptet patriarkale të shqoqërisë njerëzore. Në kërkim të modeleve të grave që patën guxim për të sfiduar kohën dhe mentalitetin, për gjetjen e atyre zonjave që thyen tabu dhe korniza shumë të ngurta, të vendosura padrejtësisht ndaj tyre nga politikat e mbrapshta, ka pasur në çdo kohë.
Një fjalë e urtë thotë:“Po të kërkosh, gjen.” Në Shqipëri ka shumë modele grash që me guxim, kanë thyer rregullat strikte dhe patriarkale të mesjetës. Ato dolën kundër kohëve të egra që mohonin ekzistencën e saj si një segment vlerash. Them me bindje se Elitat dolën nga kornizat e rregullave të ngurta të shoqërisë, duke sfiduar kohën dhe pushtetet despotike. Me vlerat e tyre të pamohueshme, jo vetëm kanë luftuar gjatë shekujve për të çliruar vendin, por hodhën themele të reja për një shoqëri të re dhe hapën rrugën e qytetërimit. Këto zonja jetuan e punuan në periudha të ndryshme historike, që me guxim e mençuri u ngritën kundër çdo lloj shtypjeje, dhune dhe tutele, që ishin tregues të lënies së tyre në injorancë, varfëri mendore dhe vartësi ekonomike. Një gjendje e tillë e gruas, me mungesë të theksuar lirie, që ishte për të dëshiruar, përherë ka karakterizuar ndërgjegjen tonë kombëtare në nivele tejet të ulëta. Dua të veçoj e të vë në dukje ato gra intelektuale që u ngritën me forcë kundër shtypjes,dhunës, indiferentizmit gjinor, mohimit dhe hapën rrugën për një të ardhme ndryshe, ku femra të mos ndihet inferiore. Këto zonja vitale me shembullin e tyre ia rritën famën dhe vlerat vendit që i lindi e i rriti, duke e vënë kombin mbi gjithçka tjetër, shumë syresh rritën prestigjin e këtij segmenti të bukur dhe të pazëvendësueshëm.
Synimi i zonjave që kanë dalë nismëtare, ka qenë luftë kundër zakoneve e mentalitetit patriarkal të Mesjetës, nëpërmjet arsimimit të tyre, rritjes së nivelit kulturor, pjesmarrjes së gruas me të drejta të barabarta dhe në kushte të njëjta me burrat në çdo fushë të jetës, pse jo edhe në drejtim. Elitat gra janë vlera që duhen nxitur apo inkurajuar nga shteti me institucionet e tij.
Familja, atdheu i vogël, ku hedh rrënjë kombi, ndërtohet nga të dy gjinitë, nga burri dhe gruaja, por emrin e mbajtjes së familjes, namin e mirë apo famën tek ne, e merr burri. Pse? Ata paskan të drejtë të ndihen të përkushtuar?! Jo. Këtë pseudosakrificë e bëjnë vetëm për ego, për mentalitet dhe për të treguar se “pa burrat nuk rritet fëmija, nuk mbahet familja, madje edhe kombet nuk zhvillohen pa pasur në krye burra shteti”. Arti gojor i popullit tonë të lashtë u transmeton brezave: “Njëra dorë lanë tjetrën, të dyja lajnë fytyrën!” - kjo thënie është më se e duhura dhe tejet e spikatur për këtë rast. Sepse kur të dy gjinitë do të dinë ta vlerësojnë njëri-tjetrin për atë që është në gjendje të bëjë e të arrijë secili segment, do të kemi një familje të bukur, një shoqëri kompakte e pa smirë, një shtet më të konsoliduar dhe një komb të integruar. Natyrisht këto gra që i ka nxjerrë koha,me vrazhdësinë e saj, të cilat qëndrojnë më lartë se të tjerat, pavarësisht nga bindjet politike që ka secila, kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve të larta shtetërore, duke nisur që nga Kryeministri, Qeveria, gjithë pushteti qëndror dhe ai që do t’i spikat i pari këto vlera, duhet të jetë pushteti lokal.
Gra të tilla, që meritojnë të quhen “ELITA” i treguan botës se, ekzistenca e shoqërisë njerëzore nuk mund të jetë e njëanshme, as vetëm mashkullore dhe as vetëm femërore, por mundësohet nga dy segmente, femra dhe meshkuj. Pyes:”Si mund ta mohojnë atë të vërtetë të madhe se, nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore, drejtësia dhe fatet e kombeve të mëdhenj apo të vegjël?” Gra të tilla, veç të qenit bija të denja, bashkëshorte besnike dhe nëna apo gjyshe shembullore, por duke sjell progres në ssoqëri në fusha të ndryshme të jetës, kanë fituar disi lirinë vetjake.
Si individ, unë jam kundër lirisë pa kufi që shtrembëron e përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike, të vyer dhe të pazëvendësueshme.Jam për atë liri që individit, në rastin tonë, gruas i jep mundësinë për të qenë vetvetja dhe si e tillë, është vlerë kombëtare.
Vo:Tribuna Shqiptare,7 mars 2014- Vivra,” Gruaja shqiptare në shekuj”: Historia e kombeve është zhvilluar sipas epokave historike, politike, ekonomike dhe sociale që, në tërësi bëjnë historinë e një kombi. Historinë e vërtetë e bënë njerëzimi me bëmat e tij, vetëm atëherë kur të dalin në pah vlerat e rralla të njerëzve të shquar. Meqë gratë dhe burrat bashkëudhëtojnë, duhen pasur parasysh vlerat reale që ka dhënë çdo segment i shoqërisë në historinë e kombit. Zakonisht politikat e politikanët më tepër i kanë prishur dhe i prishin punë, se sa i japin vlerat e duhura gruas, këtij segmenti të rëndësishëm e të pamohueshëm në jetën politiko-social-ekonomiko-kulturore të kombit. Njëanshmëria e këtij mentaliteti do të ekzistojë për sa kohë të ketë pabarabarazi gjinore. Madje ky qëndrim do të jetë edhe pasi të mënjanohet mentaliteti patriarkal dhe të pranohet se femra ka të njëjtin potencial intelektual e profesional, si burrat. Pikërisht për këtë diferencim gjinor,duhet të vlerësohen veprimtaria, arritjet dhe sfidat e gruas në çdo epokë historike. Çdo epokë ka përfaqësuesit e shquar të shoqërisë.
Ashtu si shumë meshkuj që janë shembuj virtyti e trimërie, si mbretërit ilir,si: Bato, Pleurati, Monuni, Mytili, Pirro i Epirit, Genti, Agroni. Aleksandri i Madh, më vonë Gjergj Arianiti, Skënderbeu dhe Ismail Qemali, ka edhe mjaft gra të shquara.
Theksoj se qysh në lashtësi, gruaja ka mbajtur peshën e familjes e të të gjithë shoqërisë. Gratë ilire merrnin pjesë në kuvende dhe herë -herë u dëgjohej fjala më shumë se sa burrave. Një vlerësim të tillë për femrën e përmban edhe Kanuni i Lek Dukagjinit. Si heroizmat e pashoqe të burrave trima, të tilla drithëruese dhe vetëmohuese, janë legjendat edhe për gratë trimëresha. Shembuj të tillë ka plot.
Pas vdekjes së Agronit drejtimin e shtetit Ardian e mori mbretëresha Teuta, e cila diti t'i udhëheqë ilirët nga beteja në betejë, në luftën e drejtë dhe çlirimtare ndaj romakëve. Teuta u shqua si një stratege e zonja që e nxori popullin e vet nga situata të vështira ndërlufuese, jo shaka por me një Perandori që ishte sundimtare e botës. Kjo u tregoi ilirëve dhe botës se edhe një grua është e aftë të drejtojë si çdo burrë.
Shembuj vitaliteti e besnikërie ishin gratë ilire që luftonin përkrahë burrave. Në kohën që ata ishin në luftë, gratë jo vetëm drejtonin familjen, ekonominë, rrisnin dhe edukonin fëmijët për t’u bërë luftëtarë të zotë, por drejtonin e mbronin edhe pronën e tyre. Pra rrjedhat e kohës nxorën, jo vetëm burra por edhe gra të famshme. Sa e sa gra atdhetare ia kanë rritur emrin Shqipërisë iliro-pellazge.
Ato, në çaste vendimtare për atdheun e tyre, i dhanë emër vetes, kanë mbijetuar me armë në dorë ose kanë vdekur me nder. Shembuj të tillë, janë 6000 gra dhe vasha që dolën malit për çlirimin e Shqipërisë, e cila u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Veç tyre ka dhe nga ato zonja me kuptimin e vërtetë të fjalës, që me bëmate tyre janë shndërruar në legjenda, si: Doruntina e Vranajve, të cilën e thirri zëri i tokës mëmë. Legjendat e Gjergj Elez Alisë dhe të Mujës e Halilit, që veç trimërisë së pashoqe tregojnë besën e shqiptarit. Rozafa e flijuar që muret e kështjellës së Shkodrës të mos binin, duke lënë jetim fëmijën në gji. Argjiroja, e cila për të mos rënë në durt e pushtuesve, u hodh nga muret e kalasë së Gjirokastrës. Mbretëresha Teutë, gratë e Sopotit, gratë e Pargës, apo suljotet në vallen e vdekjes, përjetësuar nga piktori Ari Shefer, në pikturën “Gratë e Sulit”.
*Maro Konda:Kujt mund t’ia merrte mendja se nusja e re nga bregu i praruar i Jonit do të bënte epokë, që u vetflijua, duke u hedhur nga shkëmbi dhe tërhoqi në greminë pas vetes, turqit e lidhur me litar njëri pas-tjetrit. Pas njohjes së vitalitetit dhe karakterit të gruas shqiptare, i kanë përjetësuar në vpra letrare, kurse Akademikja franceze, Margaret Jursenar në tregimin “Qumështi i vdekjes” u bazua në legjendën e murosjes së Rozafës, nënës së re që u flijua nën gurët e kalasë. Ka vënë në gojën e një personazhi të entuiazmuar nga legjenda e Rozafës,i cili u shpreh: “Ama për nënë do të doja të kisha një vashë si ajo e legjendës shqiptare”.
Kujtojmë dy princeshat e Kaninës:
* Rugjina Balsha, e cila në shek.e XIV bëri epokë, duke luftuar dhe udhëhequr luftëtarët si burrë. Pasi aleatët ia mohuan ndihmën, nuk fitoi, por as nuk iu dorëzua pushtuesve osmanë. Ajo me trimat e saj migroi në Korfuz, ku vdiq me sytë nga brigjet shqiptare.
* Donika Arianit Kastrioti, e cila ishte e denjë për t'u kurorëzuar Mbretëreshë e Arbërisë, titull që e mbajti me nder edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Si Donika, dhe e motra, Shën Angjelina, dy vajzat e Princit të Kaninës, Gjergj Arianiti rritën emrin e tyre, të të atit dhe të Arbërisë. Donika Kastrioti jetoi jo pak po 32-33 vite në oborret e Napolit, Venedikut me dinjitet mbretëreshe. Deri në vdekjen e saj, në fillim të shek XVI ajo nuk reshti së ndihmuari shqiptarët nga mërgimi ku jetonte.
*Elena Lukrecia Peshkopia Me këtë rast ju njohim me të panjohurën Elena Peshkopia, e para grua në botë që mori doktoraturën në Filozofi. Programin e doktoraturës e ndoqi në Universitetin e Padovës( Itali). Ajo për doktoraturë mbrojti teoritë e saj sipas babait të Filozofisë,Aristotelit, më 25 qershor 1678 para profesorëve të filozofisë, astronomisë, logjikës, mjekësisë dhe teologjisë, në Universitetin “Vassar” të Nju Jorkut në SHBA. Aty para katedrës, Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin. Portreti i saj është në dritaren e qelqit rreth 7 m. i lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson”, në Universitetin “Vassar”. Gjithashtu ky portret që ngre në piedestal gruan shqiptare, gjendet edhe në shumë universitete të Europës.
*Rilindja Evropiane dhe lufta për të drejtat e gruas.
Qysh në shek. e XVIII-të, në oborrin e Shën Petërburgut u bë evolucion social-ekonomik-kulturor nga Perandoresha Katerina e Madhe. Kjo grua me origjinë gjermane, shërbeu si shembull për femrat përparimtare dhe të arsimuara të Evropës, që kërkonin ndryshim, të cilin duhet ta sillte gruaja prej së cilës lind jeta. Askush nuk mund ta mohojë se nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve. Shumë zonja të nderuara, që e urrenin skllavërinë e femrës si segment, izoluar brenda katër mureve të shtëpisë, kishin vërejtur se mungesa e lirive dhe të drejtave të gruas, mospjesmarrja e saj në votime, mosarsimimi apo mohimi i të drejtës së punës intelektuale në administratën shtetërore, ishte një pengesë për zhvillimin e kontinentit plakë. Femrat e arsimuara e kanë ditur se ky segment i shoqërisë, gruaja e pakulturuar ka qenë pengesë e zhvillimit të shoqërisë. Ndaj qysh në Mesjetë vajzat malësore të Alpeve shqiptare morën një vendim që do të luftonin kundër pushtuesit si me pushkë por edhe me zgjimin e ndërgjegjes. Ato u ngritën kundër sundimit të huaj për të mos u bërë skllave që të shiteshun nëpër tregjet e Europës. Këto ishin 200 Amazonat shqiptare, që shkuan në ndihmë të Katerinës së Madhe në brigjet e Detit të Zi. Gjithashtu ishin këto amazona të maleve shqiptare që u ngritën kundër fejesës në djep dhe martesave të detyruara nga ligjet e egra të kohës.
*Nora e Kelmendit: Ajo ishte një e re trimëreshë, si zanë mali, e cila bëri emër ishte në shek.XVII. Nora ishte vajza nga Malësia e Madhe. E shquar për bukurinë dhe trimërinë e saj Nora e Kelmendit, në vitet 1637-38, pranoi të martohej kundër vullnetit të të atit me kryekështjellarin boshnjak, Pashanë e Shkodrës, të cilin e vrau me një kamë me dorezë argjendi, që e kishte fshehur nën xhubletë. Për këtë akt trimërie që nuk iu nënshtrua të huajit, bota e quajti Brunilda Shqiptare, ose Mbretëresha e Maleve që vrau kryekështjellarin, ashtu si Brunilda e antikitetit që vrau Zigfridin.Shembujt tregojnë se,

*Rilindja Europiane ndikoi edhe në Shqipëri.
1993) - sepse për gruan shqiptare, madje edhe në botë ishte e ndaluar të merrej me politikë apo punë intelektuale.
Por me kohë femrat e arsimuara e kishin të qartë se pa një grua të kulturuar nuk mund të ketë as familje, as rini dhe as të ardhme të zhvilluar të kombit. Si pasojë e nivelit të ulët kulturor të njerëzimit, botës do t'i mungojnë kombet e qytetëruar. Në Europë kishte nisur lëvizja femërore madje e nxitur nga burrat. Në Paris, Rusoi themeloi shoqatën "Lega e Gruas"më 1869. Por ligjet e kohës ishin të egra. Ndaj shumë gra që kërkonin ndryshim, përfunduan në gijotinë, shumica e të cilave ishin nga shtresa e lartë e aristokracisë, mbretëresha e princesha si në Skoci, Angli, Hollandë, Francë etje. Një shembull i tillë ishte e reja 19 vjeçare franceze Zhan d'Ark (1412-1431), që udhëhoqi lëvizjen fshatare në Francën e viteve 1429-1431,model, që e ndoqën amazonat shqiptare,Nora Kelmendi, Janica Martinaj apo Tring Smajlja.
Revolucioni në industri, solli ndryshime rrënjësore në Evropë. Dalja e gruas në punë me kushte të vështira, paga e ulët, orari 12-14 orë dhe puna e rëndë e të miturve në miniera, ose si hamenjë, bënë që gruaja të zgjohej ndërgjegjësisht sidomos në Angli e Francë.
*Shekulli i XIX-të,shekulli i Rilindjes Evropiane, ishte një lëvizje social-kulturore, në të cilën u përfshinë edhe mjaft zonja. Në këtë kohë, krahas industrisë, mori hov arti, letërsia, piktura, skulptura, muzika, teatri, baleti etje. Duhej kurajo dhe guxim nga gra të virtytshme që të thyenin konceptet mesjetare dhe të dilnin nga kornizat e kohës. Këtë rrugë ndoqi dhe një ndër 10 gratë e shquara të shekullit XIX-të:
* Elena Gjika ose Dora D'Istria, që u bë pjesë aktive e Rilindjes në Europë. Elena ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Lind pyetja:-Pse mbante këtë pseudonim? E dimë mirë se atëherë ishte e vështirë që të pranohej gruaja si vlerë e profesioneve si letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci, profesione që ishin pronë për mendjet dhe forcën mashkullore. Ndaj Elena Gjika jo më kot u quajt Princesha e Kulturës Evropiane. Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë më natyralë që ka gdhendur vetëmohimin e gruas shqiptare, si kanë dalë vetë ato.
Elena nuk ishte rasti i parë në kontinent si grua e emancipuar. Në Francë ishte Zhorzh Sandi, e cila vetëm kur mohoi emrin femëror dhe u vesh si kalorës, mundi t'i botonte veprat e saj letrare. Në Evropë atë kohë kishte mjaft femra të kulturuara, por mes tyre ishin 4 femra të famshme që ngjallën respektin e botës mashkullore, zgjuan dhe rritën interesin e rretheve politike, të salloneve mondane, tryezave diplomatike për mençurinë, kurajon dhe elegancën e tyre. Ndërkohë që gruas i ishin mohuar shumë të drejta, madje dhe e drejta e votës, në Angli u shqua një zonjë, Virxhinia Woolf, shkrimtare moderne, romanciere, publiciste e shquar, eseiste, që mbronte të drejtat e grave. Le të[ shohim disa modele grash elitare të kombit shqiptar:
*Laskarina Bubulina:Në Luftën për Pavarësinë e Greqisë, mes shumë burrave shqiptarë,u dallua gruaja shqiptare, luftëtarja trime, kapedania, Laskarina Bubulina, e cila e vuri gjithë pasurinë në shërbim të revolucionuit grek.
*Lejla Rasih Dino: Fisnikja nga Çamëria, Lejla Rasih Dino,në emër të grave shqiptare, si një diplomate e sprovuar, iu drejtua autoriteteve të larta botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të 1913-ës. Ishte gruaja e parë shqiptare që me kurajo iu drejtua në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për përkrahjen e drejtë të çështjes shqiptare. Ajo trokiti tek simboli i Paqes, personaliteti më në zë i politikës botërore, Woodrow Wilson, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. Ajo preku zemrën e Wilsonit, i cili kishte firmosur zyrtarisht dhe vendosur ne kalendar të dielën e dytë të muajit Maj festën e nënave, “Mother’s Day”. Lejla Dino krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919 dhe identifikoi se SHBA ishte mik i madh i Shqipërisë.
Ne themi:“E vërteta vonon, por nuk harron” Për 100 vjetorin e copëzimit të Shqipërisë nga konferenca e Ambasadorëve, u botua Traktati i fshehtë i Londrës 1915, i cili kishte hartuar zhdukjen e Shqipërisë, njëlloj si Kongresi i Berlinit 1878, kur kancelari gejramn, Bismarku u shpreh: “Shqipëria është një shprehje gjeografike.”

* Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi :Jo vetëm nuk duhen harruar, por duhet të nderohen motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, të cilat hapën shkollën e parë shqipe të vashave më 1892 nën luftën e rreptë të kishës helene dhe Portës së Lartë, për ta penguar përhapjrn e gjuhës shqipe. Ndalonin zhvillimin e arsimit, që forconte kombin shqiptar, e shihnin si rrezik të pretendimeve të tyre gllabëruese, ndaj i pengonin shkollat e para shqipe.
*Tringa e Malsisë, ose Tring Smailja: Në kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, me në krye heroin legjendar Ded Gjo Luli, ku u përfshinë edhe gra si Tringa e Malsisë, ose Tring Smailja. Kjo kryengritje u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Deçiç, më 3 prill të po këtij viti,që është Preludi i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
*Janica Martinaj - Vo:New York Times 25 maj 1911 dhe Gazeta franceze'Le Petit Journal', më 28 maj1911: Beteja e Vraninës - një Zhan d'Ark shqiptare :” CETTINJE, 9 maj. Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër - u shqua një vajzë e re, shumë e bukur, Janica Martinaj , që zuri vendin e babait të saj të vrarë dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Vajza në mediat e huaja u quajt “Zhan d’Ark shqiptare”.
*Shote Galica: Kush nuk e kujton heroizmin e trimëreshës Shote Galica, e cila u vesh si burrë, ngjeshi armët e Azem Galicës, bashkëshortit, dhe luftoi kundër të huajve. Ç'bëri më shumë heroi legjendar El Sidi, se sa kjo grua malësore që mbrojti trojet arbërore?
*Sado Koshena, nga Dukati i Vlorës më 1907 u bëri qëndresë torturave të xhandarëve turq, për kunatin, që s’ pranoi të shërbente në ushtrinë turke. Më 27 dhjetor 1912, në luftën italo-greke nisi djemtë në luftë, ngjeshi gjerdanin me fishekë dhe mauzerin në dorë, luftoi në Llogara kundër forcave greke, që kishin zbritur në Himarë. Kur pa burrat që lanë frontin e luftës gërthiti: “Turp, turp! Pse kështu bëjnë burrat? Shkoni, shkoni e futni në çitjanet e grave që të shpëtoni lëkurën!”- (Dukat- Word press). Po kështu në Luftën e Vlorës, më 4-5 qershor 1920 ishte në krye të çetës prej 13 vetash, që shpartalluan garnizonin Italian.
*Gratë e shquara shqiptare të kohës moderne :
* Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare për gjallesat e ujërave, që e vrau diktatura me grupin që gjasma hodhi bombë në ambasadën sovjetike. Pas vrasjes, studimin e saj, dorëshkrim gati për botim, ia dhanë autorsinë, një rusi dhe dy shqiptarëve.
*Tefta Tashko Koço, Sopranoja, që me talentin dhe zërin e saj debutoi në skenat e Parisit dhe La Skalës (Milano), e kërkuar të ushtronte artin e saj brilant në SHBA. Por ajo zgjodhi vendin e saj,. Ajo ngriti në art lirik këngën popullore, folklorin e pasur shqiptar, duke e shndërruar atë në art modern e të përjetshëm.
*Musine Kokalari, Gjatë luftës së II Botërore doli një grua trime, Musine Kokalari, intelektuale me vizion të gjerë për demokracinë në Shqipëri, që ishte për një shtet të tipit evropian, pasi ishte arsimuar në Universitetin e Romës. Ajo luftoi me penë duke lënë mbi 5000 faqe dorëshkrim. Ishte gruaja që nuk i ndërroi idetë edhe pse e kaloi gjithë jetën në burg dhe internim.
*Nermin Vlora Falaski, Studiuesja, gjuhëtarja që ka mbrojtur me dije e kulturë origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe, që vërteton se përmes gjuhës shqipe deshifrohen shumë gjuhë të vdekura. Teza e Nermin Vlorës, që thekson se shqipja rrjedh nga pellazgishtja, është një dokument i rëndësishëm për ekzistencën parahelene të shqiptarëve si pasardhës direkt të iliro-pellazgëve.
*Nobelistja "Nënë Tereza", e mohuara nga Diktatura Komuniste e cila është një prej personaliteteve më të mëdha të kombit shqiptar, e quajtur “nëna e të gjithë botës” e cila sot është shenjtore “Shën Nënë Tereza e Kalkutës”.
*Laura Nexhat Mersini nga Vlora, një shkencëtare e re shqiptare, pretendente për çmimin Nobel .Dr. Laura Mersini-Houghton, Profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill. Kjo grua, një gjeni “Mari Kyri”e sotme e fizikës së kozmosit, që me kurajo demonstroi zbulimin e saj shkencor më (24-29 gusht 2015) në Suedi para 32 shkencëtarëve nga e gjithë bota. Ajo deklamoi se Teoria e Big Bang-ut dhe e ekzistencës së ‘vrimës së zezë’ është e pamundur për shkak të energjisë së jashtëzakonshme që i duhet një shpërthimi të tillë. Ajo shkencërisht hodhi tezën se, Gjithësia është multiverse.
Tani pyes se cila nga këto zonja të nderuara, nga këto elita shqiptare që ia kanë rritur prestigjin kombit, është vlerësuar nga politika, nga shteti shqiptar?! Shumica janë të mohuara, të panjohura dhe ndonjera që është vlerësuar, nuk e ka marrë vendin që meriton në piedestalin e elitës së mohuar shqiptare.” I uroj gruas shqiptare kurrë të mos rresht për të kërkuar të drejtat dhe liritë e saj për rritjen e ndërgjegjes kombëtare, për integrimin e saj me dinjitet dhe jo duke qenë bishti i kavallit në politikë e kudo, por me arsimim , profesionalizëm dhe intelekt..
Ndaj me të drejtë jam shprehur 25 vite më parë: (Vivra.Kogresi i I-rë i LDG-ës 5 mars,Tiranë-1993.)
“Ne jemi gra,me arsim të barabartë, gjithashtu me intelekt dhe profesionalizëm të barabartë me burrat. Ç’kanë më tepër nga ne këta zotërinjë? Vetëm se ata janë më të korruptueshëm se gratë. Pasi një grua e korruptuar, nuk ka vlerë morale as si bijë, si motër, si bashkëshote dhe aq më tepër si nënë apo gjyshe, pasi duhet të jetë model mirësie dhe virtyti në shoqëri e kudo. Fëmijët i lindim dhe i rrisim bashkë me burrat, familjen e mbajmë së bashku, shoqërinë e ndërtojmë së bashku, atëherë përse të mos drejtojmë politikën dhe pushtetin të dy segnmentet bashkë?!
Respekte dhe konsideratat më të larta për këto zonja që u vetëflijuan për zhvillimin dhe integrimin e kombit! Vivra.
Vlorë 6 mars 2018

2018/03/07

Kauza e qëndresës dhe dinjitetit kombëtar përballë armiqve të lirisë…


Image result for dugagjin hata
Nga Dukagjin HATA


Krijimi i një profili të lartë dhe të qëndrueshëm shoqëror,politik,estetik, kulturologjik është një proces i gjatë dhe që ndodh natyrshëm, pa shtytje nga jashtë unit dhe pa paterica të gjithëfarëshme, të cilat nuk të çojnë askund, përveçse në bjerrje kohë dhe devijime e keqkuptime të skajshme.

Ndryshe nga pseudoelita e “shtrydhur” në shtrydhësen e “ekskatedrës” dhe që në këto vite tranzicioni ka prodhuar shteprësi, një elitë reale është konturuar ngadalë por bindshëm në letrat tona, në media, në hapësirat e kulturës kombëtare etnike e një nga zërat e kësaj elite, analisti, politologu, kulturologu, autori i mjaft librave dhe qindra shkrimeve të botuara në shtypin mbarëshqiptar, Azgan Haklaj, ia ka dalë të përveçësohet në daljen e tij publike në fushën e shkrimtarisë dhe më gjërë.

Në dy librat e tij më të fundit “Jam Arbër: 800 vjet shtet” dhe “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, Haklaj vazhdon të përvijojë qasjet dhe qëndrimet e tij rreth shtetit dhe antishtetit, rreth politikës si forcë progresive dhe mundësi shndërrimi të shoqërisë dhe politikës si bunker, ku mbyllën instinktet më të ulëta të llojit human, rreth asaj çfarë kemi dëshmuar me historinë dhe parahistorinë tonë brilante, ne pellazgët, ilirianët, arbërorët, shqiptarët, bijtë e këtij dheu të lashtë me rrënjë në qytetërimin dhe kulturën evropiane dhe çfarë na kanë rezervuar kohët e këqija, aleancat e këqija dhe shtetarë të këqinj në udhëkryqe të trishta kohësh dhe epokash historike.

Është një kërkim që autori ka kohë që e bën me pasionin dhe përkushtimin e një intelektuali emblematik, duke gërmuar në thellësitë e fjetura të një vetëdije të harruar historike, për të nxjerrë që andej ide, qasje, fragmente ëndrrash të gjymtuara në kohë të vështira për shqiptarinë, rekujeme që mbartin mesazhe dhe kumte që rrëzëllijnë në të gjitha kohët.

Nëse në librin “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, Azgan Haklaj ndjek gjurmët e ajkës së fisnikërisë së kombit, shenjat e shtetit dhe të kryeshtetarëve, që u ngritën në lartësitë e epokave që i lindën dhe i mbrujtën, tek libri tjetër “Shteti Komb, domsodoshmëri historike”, depërton në palcën e historisë sonë kombëtare, një histori e deformuar dhe keqkuptuar, të cilën ai e “pastron” nga retushimet dhe pluhuri i stisjeve të kahershme, duke tentuar që ta xjerrë mendimin historik dhe filozofinë e ekzistimit gjithëshqiptar nga vorbullat e amullisë dhe hutisë së kahershme të “ekskatedrës”.

Ajo që autori mbledh pikë pikë, me pasionin e një arkitekti dhe projektuesi brilant në librin “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, duke na përvijuar linjat e një historie të ndaluar, me ngjarje që edhe pse na madhështojnë e fisnnikërojnë nuk kanë gjetur pasqyrim në linjën e historisë sonë zyrtare, e rikonturon dhe plotëson në librin tjetër “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, ku rrinë të ulur në të njëjtën “sofër”, në sofrën e madhështisë sonë kombëtare figurat më emblematike të kohëve të vjetra e të reja të shqiptarisë.

Azgan Haklaj e rindërton mendimin e tij analitik, duke shkrirë në një induksionin dhe deduksionin, sinkroninë dhe diakroninë, elegancën e frazës ku spikat një stil i latuar, i përpunuar hollë, me fuqinë e imazhit dhe kthjelltësinë e gjykimit, duke iu dhënë veprave të tij një qasje të thellë dhe shteruese ndaj realitetit të të ndodhurave, që bën objekt të shqyrtimit të tij.

Tek Haklaj shkrihet në një gazetari investigues me analistin shije hollë, historiani me mendimtarin, veprimtari politik e shoqëror me politologun, individi i aksionit kombëtar me atë të përballjeve të mëdha e të gjithëkahshme, për shkak të kauzave madhore që pasqyron dhe mbron.

Ajo që ngre si qasje dhe vizion ndaj një realiteti historik të anashkaluar e për më tepër të anatemuar tek libri mjaft intersant “Jam arbër: 800 vjet shtet”, ku “parabola” e faktit dhe analizës vjen përmes një deduksioni të beftë, rikonturohet në figura dhe mesazhe gjithëkohore tek libri tjetër jo më pak domethënës “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, ku idetë dhe tezat autori i përcjell nëpërmjet një site të imët analitike, herë me sharmin e një gazetari inevstigues shijehollë, herë me mprehtësinë e analistit dhe intuitën e dikujt, që gjithçka e ka provuar në lëkurën e tij dhe “lëkura” si përvojë në rrugëtimet e qëndresës është dituria më e madhe e njeriut.

“Manualet” diturore të Haklajt, qasjet e tij të freskëta e të befta ndaj realittetit historik, politik, sociologjik panshqiptar, ngrihen përmbi kufijtë dhe doganat mes shqiptarëve në Ballkan e më gjërë, duke na përcjellë mesazhe që ndriçojnë të djeshmen dhe aktualitetin e kësisoj vlejnë për sot e për nesër.

Sipas Haklajt, mesazhet e shqiptarisë në kohë nuk kanë ndryshuar që nga epoka e shtetit të Arbërit në epokën e internetit dhe dixhitalizimit të gjithçkaje, në të ashtuquajturën epoka e modernitetit, por kanë ndryshuar vetëm kostumet dhe rekuizitat e protagonistëve dritëshkurtër politikë, këtyre dështakëve, që në vijë lineare, me një kurajo të pacipë, iu janë kundërvënë heronjve, martirëve, mbartësve të idealit gjithëkombëtar, idealistave dhe progresistave të gjithëkohshëm.

Azgan Haklaj, para se të jetë politikan, artist, njeri i aksionit kulturolgjik, ësht një misionar dhe si i tillë qëndron përmbi podiumet politike të radhës, përmbi foltoret, ku premtimet boshe ngjajnë me koshat pas të vjelave, siç thotë i urti ynë shembullor.

Tek ai shkrihet në një analisti, mendimtari, politikani, politologu, veprimtari aktiv atdhetar, kulturologu, që me dijet dhe kurajën e tij ka vënë në veprim një institucion prestigjioz të lartësimit të vlerave kombëtare, siç është Unioni Artistik I Kombit Shqiptar, të cilin ai e ka krijuar dhe ngritur në lartësitë e një misioni atdhetar në çdo cep të trojeve tona entike.

Njerëz si Azgani, që me aktin e tyre përkushtimtar iu paraprijnë kohëve të reja të shqiptarisë, nuk i nxënë njëzet e tetë mijë kilometrat e Shqipërisë amë, të rrudhur, të ngrënë kufijsh e të gjymtuar nga kohë të errëta dhe mllefe primitive.

Azgani e konsideron veten njësoj të angazhuar si për Tropojën, vendlindjen e tij, Tiranën, vendbanimin e tij, Shkodrën, Fierin, Vlorën, Sarandën, Strugen, Pejën, Gjakovën, Prizerenin, Prishtinën, Kumanovën, Tuzin, Artën, Prevezën, duke lidhur me aktin e tij të pandërprerë kulturologjik, me lëvizjen fizike dhe shpirtërore, me këngët, vallet, librat e tij dhe të miqve të ti të gjitha fijet e dukshme dhe të padukshme të kombit. Nuk ka personalitet politik e kulturologjik për të cilin të kenë shkruar aq shumë pena mjeshtërore, siç kanë shkruar për Azganin. Për të janë shprehur shkrimtarë e poetë të shquar, politikanë të zotë e kryetarë partish, ish kryeministra me të cilët ka replikuar dhe më vonë janë detyruar të pranojnë epërsinë e akteve të tij përtej të zakonshmes, në mbrojtje të vlerave qytetare dhe politike të demokracisë së brishtë shqiptare, kryeministra në detyrë, diplomatë të rangut të lartë të kancelarive më të fuqishme të vendeve të zhvilluara europiane.

Për shkak të qëndresës së tij të ngritur në një kult dashurie për lirinë dhe identitetin panshqiptar, mbi Azganin dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, që nga vendosja e eksplozivëve në banesë deri tek snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Veprimtaria dhe kauza e tij është shfaqur në një linjë konstante, në përballje me segmente të mafies shtetërore dhe është bërë objekt i kanecelarive të BE-së, Moskës e Uashingtonit, dy perandorive më të mëdha të kohës, me të cilat ka pasur letërkëmbime.

Gjithmonë Azgan Haklaj ka mbrojtur dhe mbron me fanatizëm identitetit evropian të shqiptarëve, duke i kërkuar rrënjët e këtij identiteti thellënë histori, në ato humnella keqkuptimi dhe devijimi që na kanë ofruar historianët e linjës pansllavisto-komuniste, linjë të cilën ai e çmitizon me argumente të fortë dhe mendjekthjelltësi të admirueshme.

Mjeshtri i Madh Azgan Haklaj, siç thotë Dr. Bujar Leskaj në parathënien e librit “Shteti Komb, domosdoshmëri historike, “i ka parë personazhet e historisë kombëtare në një këndvështrim të ri dhe pak të ndriçuar më parë. Kur lexova shkrimin e titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Moisiu ynë” tek libri i pestë “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, u mahnita me portretin që i kishte gdhendur Heroit tonë Kombëtar.Një Skënderbe epik dhe modern njëkohësisht, strateg gjenial e burrë shteti vizonar, ideator e themelues i shtetit të përqëndruar Arbëror “.

Idetë e tij nacionaliste, përkushtimi dhe qëndresa e tij, do t’i bënte nder spektrit politik shqiptar, që sot e gjithë ditën ka qenë i zënë duke bërë pazare e duke ndarë tortën e turpit, ndërkohë që individë si Azgani iu nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve me jetë, në një vend ku të jeshë idealist dhe progresist është një sprovë e vështirë.

Ne shqiptarët ka një mijë vjet që po përjetojmë kaosin e madh dhe nuk orientohemi dot në kohë-hapësirën gjeopolitike, falë një hutie shumëshekullore, të ardhur, siç thotë Haklaj në librat e tij, nga moskuptimet e gjata e të rënda, që kanë pasuar njëri-tjetrin, nga vënia e shkopinjve nën rrota që i kanë bërë shtetit dhe shoqërisë shqiptare plangprishësit e djeshëm dhe të sotëm, që i kanë vrarë e rivrarë heronjtë dhe martirët kohë pas kohe e tradhëti pas tradhëtie. .

Qasja e Azgan Haklajt në këto dy libra është në përvijim të ideve të tij rreth historisë së popullit shqiptar, ku tash njëqind e ca vjet shtet i reduktuar i shqiptarëve në Ballkan, (ku janë kërkimet e “ekskatedrës” për “Shtetin e Arbërit”, këtë identitet të lakmuar prej gjithëkujt në këtë sijudhesë të vjetër?!) historia jonë na ka ardhur e frustuar, e deformuar dhe e shantazhuar, sa prej armiqve tanë historikë, po aq dhe prej vetë shqiptarëve.

Ashtu si dhe në pesë librat e tjerë të tij, të pritur ngrohtësisht nga lexuesi dhe qarqet letraro-historike-gazetarekse, edhe në këto dy librat e tij të fundit, Haklaj ndërton gur pas guri kauzën e tij dhe të bashkëidealistëve që mendojnë si ai, se historia jonë duhet të pastrohet nga jashtësitë dogmatike dhe e vërteta e kulluar e të ndodhurave tona kombëtare në shekuj e mijëvjeçarë do të na çlirojë nga çdo makth dhe moskuptim ekzistencial.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...