Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/04/20

FILXHANI ME BUZË TË KAFSHUAR

Image result for Kadri Tarelli





Skicë


Pasi piu një gllënkë ujë, afroi filxhanin më pranë vetes dhe pa i lënë radhë të tjerëve, Fatriu e filloi bisedën:
- Kur po shikoj këtë filxhan kafeje kaq të bukur, më vjen ndërmend një ndodhi, që nuk e kam përmendur, po bën gati 30-vjet.
Ishte mes shtatori i vitit 1992. Më emëruan drejtor shkolle diku në periferi të qytetit të Durrësit. Kohë ndryshimesh dhe trazirash të mëdha. Plazhi sapo ishte mbyllur, megjithëse vapa rëndonte ende. Zbrita nga biçikleta dhe e lidha pas një druri, pranë shkallëve të kafenesë së vetme në atë zonë. E rregullova mirë, që të mos pengoja kalimtarët. I ngjita me të shpejtë ato tre-katër shkallë dhe u futa në kafe. U stepa për një çast, pasi nuk e prisja atë pamje aq të zymtë. Nuk më pëlqeu që lokali ishte fare bosh, megjithëse ora shënonte shtatë e mëngjesit, kur njerëzit fillonin punën.
U ula në një tavolinë pranë derës, pasi m’ u duk si me më shumë dritë. Në banak qëndronte banakierja disi e përgjumur. Mbase askush nuk e kishte shqetësuar në këtë mëngjes të trishtë. Dëgjohej vetëm vërshëllima e avullit të ekspresit të kafesë. Banakierja, si duket po kryente edhe punën e kamarjeres, ndaj erdhi të marrë porosinë.
- Një kafe të mesme! – I thashë, pa lënë kohë, që ajo të fliste. Nuk e kuptova atë nënqeshje në shikimin e saj.
- Nuk doni ndonjë pije alkoolike? – pyeti e përmbajtur.
- Nuk e përdor alkoolin që në mëngjes. – i’ u përgjigja thatë. Edhe sot e asaj dite nuk e kam prishur këtë zakon.
Ajo u kthye dhe, si e lodhur, shkoi drejt banakut. Një rutinë e përsëritur mbase mijëra herë. E ndiqja me sy. Mori xhezven, hodhi ujë, kafe dhe sheqer dhe e vendosi tek tubi që nxirrte avull. Më pas, erdhi me tabaka në dorë dhe qëndroi pranë tavolinës. Me ngadalë, si me përtesë, e vendosi më parë një gotë uji e më pas një pjatë dhe filxhanin mbi të. E shtyu me kujdes drejt meje. Nuk e di pse nuk iku menjëherë. Në fytyrë kishte një lloj buzëqeshje të hidhur.
Gati sa nuk shpërtheva. Pse, do thoni ju? U trondita, kur pashë filxhanin aq të shëmtuar, sa nuk ua merr mendja. Nga jashtë dukej i mirë, por në buzë, nga brenda ishte hequr zmalti i bardhë në copëza të vogla, sikur ishte ngrënë me dhëmbë, ku dukeshin njollat e kuqërremta. Nuk kishte vend ku të vije buzët. Ja, cifla-cifla rrethe qark. – Fatriu çoi gishtin tregues tek buzët e filxhanit.
Kamarjerja më shikonte dhe nuk fliste, e gatshme të sulmonte që në fjalët e para, nëse unë do të bërtisja apo të ulërija. fjalët e tyre në raste të tilla ishin: “Po deshe pije, po deshe lere. Shteti këto na ka lënë”. Le që, ç”po them edhe unë, se edhe ju e dini, mbase më mirë se unë, atë kohë.
Nuk e di si u përmbajta dhe ç’pamje kisha në fytyrë. Në fillim, pjatën me filxhanin e kafes, që vazhdonte të nxirrte avull e afrova pranë vetes, për ta parë më mirë, pastaj me të dy duart e shtyva ngadalë drejt kamarjeres, duke e parë ngultas. Në mendje bluaja këto fjalë: pse e bëre këtë, se nuk më njeh, apo ç’ dreqin ke?
– Shumë paske duruar, - u hodh e tha Flamuri, duke lëvizur nga vendi. – Unë do ta kisha përplasur në çimento, ose do t’ia hidhja në fytyrë, po të ma punonte ashtu.
- Nuk di bëra mirë apo keq, por unë kështu veprova dhe besoj se bëra mirë. Kamarjerja nuk e priste këtë veprim, por në buzë nuk i shqitej ajo nënqeshja e ftohtë, sikur donet të thoshte: “E shikon ç’na bëri demokracia, jo vetëm po na le pa punë, ja vetëm ti po kërkon kafe sot, por edhe me filxhanë të tillë, që duken sikur i kanë kafshuar qentë”.
– Nuk mund ta pi kafen me këtë filxhan! - i thash me qetësi dhe nxora nga xhepi lekët, që i vendosi mbi tavolinë.
– Edhe këtë e paske bërë? Si munde të paguash? – foli Vaso. – Shumë i duruar je treguar.
- Unë sapo kam filluar punë këtu në Plazh, - i thashë kamarjeres, - dhe mendoj ta pi kafen këtu, se nuk ka lokal tjetër. Nëse nuk e kini bezdi, nesër po ju sjell një filxhan nga shtëpia ime.
Fytyra e gruas përballë u skuq, si spec djegës. Mbase u habit nga sjellja e papritur dhe fjalët e fundit, ndaj nxitoi të përgjigjet:
- Jo! Nesër do ta sjell unë nga shtëpia. - Dhe e mbajti fjalën. Të nesërmen, sapo u ula, erdhi dhe pruri kafen, duke buzëqeshur, sikur do më thoshte: “Ja e shikon, e solla filxhanin, besoj se do t’u pëlqejë!”. E falënderova.
Po ç’ndodhi në fund të javës, do të thoni ju? Sepse historia nuk u mbyll me kaq. Kolegët mësues, vendosën që në fund të mësimit, të uleshim në kafe, si për të më uruar “Punë të mbarë”. E pranova me kënaqësi.
U futëm në lokalin, ku unë pija kafe. Përsëri ishte fare bosh. Nuk kishte njerëz, megjithëse ishte mesditë. Kamarjerja, erdhi me një herë për të marrë porosinë.
Unë porosita një kafe dhe një fërnet, kështu edhe tre-katër të tjerë, ndërsa disa vetëm nga një gotë raki. Biseda vërtitej te ankesat ndaj mungesave në shkollë, që me thënë të vërtetën ishin të shumta. Nuk i numëron dot.
Pas disa minutash, kamarjerja me tabaka në dorë solli porosinë. Në fillim te unë, pastaj me radhë. Sytë e kolegëve lëviznin sa tek filxhani im, tek filxhani i tyre. Un me filxhan të mirë, ndërsa at me filxhanë me buzë të kafshuar. Unë po qeshja nën zë dhe vështroja fytyrat e tyre, që u rrudhën dhe u vërejtën si qielli dhe deti me stuhi, gati të shpërthenin.
Ajo e kishte menduar që më parë, prandaj i doli përpara grindjes, duke i sqaruar, se nuk kishte filxhanë të tjerë të mirë, pasi atë të drejtorit, domethënë filxhanin tim, e kishte sjellë vetë nga shtëpia. Plasi e qeshura mes nesh. Ata nuk e pinë kafenë, por Ademit, që ishte edhe sekretar i shkollës, s’ ju durua:
- E o drejtor! Ç’ na u bëre, si shoku Xhemë, qëmoti! - Të gjithë i hodhën sytë te mësues Xhemili, që e thërrisnin Xhemë, me që ishe me origjinë nga Rugova e Kosovës.
- Nuk është mësues Xhemili, Xhema i filxhanit. Ishte dikush tjetër. Dhe ja dha të qeshurit me zë të lartë, vuri duart në mes dhe s’pushonte, aq sa i dolën lot nga sytë. Mbas disa çastesh mundi të thotë: Çudi, akoma s’është harruar filxhani i shokut xhemë!.
Kjo ndodhi u mbyll duke qeshur, ashtu siç po qeshni edhe ju tani.
Kadri Tarelli
Durrës më: 16 të prillit, 2018.

2018/04/19

Sovrani nuk i lejon sharjet o deputetë!!!

Te Barometri diplomatik

Akademik Prof.Dr. Mehdi HYSENI

 Mos i kënaqni armiqtë, se me sharje nuk mund ta puthni Altarin e  Evropës Perëndimore  e as Amerikën


***

-Se armiqtë serbë së bashku me aleatët e tyre tradicionalë mezi po presin (pas dere janë duke vrojtuar buzë kufirit se çfarë po ndodh brenda në Kosovë), t’ua mbyllin ndërtesën e Kuvendit sikurse Slloba  dikur më 1989.-E, ju, fatkeqësisht (gjithmonë nën nivel të papërgjegjësisë dhe të luftës për pushtet) të gjitha punët i “paskeni kryer”, tash, nuk u paska mbetur asgjë  tjetër vetëm se ta ofendoni PUBLIKISHT njëri-tjetrin në shtëpinë e SOVRANIT ( i cili me votën e tij ua besoi, që t’i dilni  zot POPULLIT, ATDHEUT, ligjit, kushtetutës, drejtësisë, demorkacisë parlamentare dhe interest nacional dhe shtetëror të REPUBLIKËS SË PAVARUR TË KOSOVËS, jo ta  BALTOSNI IMAZHIN E SAJ, duke sharë njëri-tjetrin në sy dhe për turpin e krejt botës.

***

Nëse Kuvendi është institucion shtetëror dhe i popullit, askush nuk e ka atë drejtë diskrecioni, që t’i ofendojë deputetët “me nënë, me babë e me robë…” , sepse mund të japë llogari sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Këtë përgjegjësi, të të gjithë teveqelët që shajnë dhe kërcënojnë në sallën e Kuvendit, duhet ta dinë dhe, ta mbajnë parasysh mbase mund të kenë pasoja ligjore dhe politike. –Populli, kurrë më nuk do t’i votojë ata deputetë, që kacafyt1%n dhe që shajnë me “nënë e babë…” në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, në qoftë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në ndonjë arenë gladiatorësh apo në ndonjë lloj “kockarnice”  të  bixhozxhinjve, të pijanecëve, të fajdenixhinjve ose  në ndonjë stallë derrash të pazbutur , atëherë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit i lejohet t’i ofendojë dhe t’i kërcënojë deputetet, sepse nuk mban kurrfarë përgjegjësie morale, as ligjore e as kushtetuese për faktin se  “torishtat” e tilla nuk përbëhen nga kodi  i detyrimit moral dhe i normës morale, as ligjore e as kushtetuese.

Normat dhe zakonet  e traditës shqiptare nuk njohin e as nuk e durojnë sharjen ngadoqë të vijë ajo!

Prandaj, duhet pasur kujdes deputetët dhe kryekuvendari i tyre (në zgjedhjen e fjalorit), që të mos shërbehen me sharje gjatë debatit të tyre në Kuvend, sepse sjellet dhe veprimet e tilla primitive nuk kanë lidhje me traditën dhe me kulturën shqiptare dhe me asnjë kulturë dhe edukate të popujve të civilizuar në botë.

Përdorimi i fjalorit vulgar denigrues, që si duket  në Kuvendin e Kosovës është shndërruar në dukuri të zakonshme, më së shumëti po godit dhe, po krijon përshtypje negative (urrejtje, aversion dhe mosbesim) në shoqërinë shqiptare mbase ato seanca të Kuvendit të Kosovës, veç gazetarëve, reporterëve  dhe herë-herë edhe   miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët ndjekin drejtpredrejt  zhvillimin e tyre, ato përmes ekranit televiziv i shikojnë edhe familjarët e deputetëve (fëmijë, djemë, vajza, gra, prindër, vëllezër e motra) në mbarë Kosovën, si dhe në tërë diasporën shqiptare.

-Çfarë kryetari dhe deputetësh janë ata (humanë, patriotë dhe demokratë evropianë  të emancipuar kinse e quajnë veten?!) , që shajnë njëri-tjetrin “me robë” e me fjalë të tjera të ndyra dhe diskredituese?! –Çfarë thonë fëmija dhe familjet e tyre, kur të dëgjojnë dhe të shohin skena të tilla skandaloze?

-Çfarë thonë partenrët-miqtë tanë ndërkombëtarë (AMERIKANË dhe ERVOPIANË PERËNDIMORË), kur dëgjojnë  ofendime dhe skena të tilla rrugaçësh, injorantësh dhe teveqelësh primitivë, që nuk njohin dhe nuk respektojnë norma etike e as kurrfarë detyrimi ligjor dhe kushtetues?

Teveqelët me sharje dhe me sjellje primitive antishqiptare dhe anticivilizuese po çojnë ujë në “butinë e mullirit” të Serbisë çetniko-fashiste  dhe kolonialiste të  Slobodan Milosheviqit, të Sheshelit dhe të Aleksandar Vuçiqit!

- Me sharje të tilla të vokabularit vagabondistik nuk fitohet  kurrfarë besimi në popull e as te partnerët amerikanë dhe evropiano-perëndimorë, por vetëm se  goditet për “vdekje” imazhi politik i Kosovës në botë, si dhe vihet në pikëpyetje  karakteri etik, virtytet, zakonet dhe tradita e shenjtë njerëzore, bujaria, besa, mirësjellja, respekti dhe kultura e kombit shqiptar, ku të gjitha këto vlera sublime kanë ndikuar pozitivisht, që kombi shqiptar të mos asimilohej dhe të mos zhdukej në Ballkan, përkundër shkeljes dhe sundimit të egër të perandorive dhe të mbretërive të ndryshme, që kanë përjetuar me mijëra vjet.

-Po, çfarë thonë armiqtë shekullorë serbë në Beograd, kur të dëgjojnë sharje dhe të shohin skena të tilla primitive të përplasjes mes kryekuvendarit dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës?

-Asgjë të re nuk do të thonë (veçse i lutën KISHËS POLITIKE SERBE dhe i fërkojnë duart, që sa më parë të kthehen  dhe t’ia vënë kyçin Kuvendit të Kosovës, sikurse dikur fallanga policore të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, 1989 ), porse përsërisin tezat e tyre të vjetra shekullore të shfarosjes së identitetit kombëtar dhe shtetëror se, “shqiptarëve nuk duhet t’u jepet-njihet  kurrfarë shteti i pavarur, sepse nuk dinëe të qeverisin, janë të egër, që dinë të vetëm të  vrasin njëri-tjetrin…”

Pra, sharjet dhe kërcënimet e atyre teveqelëve mes veti në Kuvendin e Kosovës me Kadri Veselin (kryekuvendar) jusitifikojnë  tezat raciste dhe shoviniste hisoriografike dhe politike antishqiptare të akademikut, Jovan Gjorgjeviq, i cili (edhe si shkencëtar, edhe si politikan, edhe si diplomat, edhe si ish-kryeministër i Serbisë (1913), botërisht ka pohuar dhe shkruar me dhjetra e dhjetrea vepra, se gjoja “shqiptarët nuk janë kurrfarë kombi, por janë përzierje fisesh, pa gjuhë të unisuar, pa histori,  pa kulturë, pa atdhe… Prandaj, krijimi dhe njohja e një shteti  të pavarur shqiptar, është jo vetëm një gjë e pamundur, por edhe e rrezikshme për Ballkanin dhe për gjithë Evropën.” (V. Gjorgjeviq, Les Albanais et les Grands  Puissances, 1913:255).

Mësoni nga Oda e Xhemail Obrisë, se si duhet respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin!

Këtë e dëshmon edhe historia qindravjeçare e Odave-Kuvendeve të burrave të ndershëm, patriotë dhe atdhetarë anembanë SHQIPËRISË ETNIKE, të cilët nuk  e kanë sharë, nuk e kanë tradhtuar, nuk e kanë shpifur, nuk e kanë prerë në besë, nuk e kanë çnderuar, nuk e kanë mashtruar, nuk  e kanë shfrytëzuar, nuk e kanë gëjyer,  nuk e kanë plaçkitur, nuk e kanë shitur dhe nuk e kanë vrarë njërii-tjetrin për para, për kolltuk, për karrierë për  xhadie, për pushtet, por kanë qenë të bashkuar dhe të lidhur si ashti me mishin edhe në gëzime, edhe në luftëra e beteja, edhe në hidhërime, edhe në ngushëllime  vdekjeje, edhe në  fitore kundër çdo të keqeje dhe kundër çdo armiku.

Sa më sipër, këto virtyte  dhe vlera të larta njerëzore, kombëtare dhe atdhetare, ishin faktori kryesor, që ndikoi pozitivisht në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në shekuj.

-Ndaj, mos u shani si “rabaxhinjtë” e papunë në kohë skamjeje dhe robërie të huaj (t’u vijë turp nga deputet serbë), por, përqafoni njëri-tjetrin si shqiptarët (sepse jeni motra dhe vëllezër, nuk keni ku të shkoni përtej Kosovës) që  gjithmonë e kanë dashur dhe ndihmuar njëri-tjetrin! -Ndiqni, rrugën e ndrtishtme  dhe amanetin e të parëve tanë, që nga SKËNDERBEU e deri tek ADEM JASHARI. –Ky është shpëtimi, bashkimi   dhe qytetërimi ynë evro-perëndimor. Ndryshe, nëse vazhdoni edhe më tutje atë praktikë primitive të ofendimeve dhe të shanatzheve, do t’i gëzoni vetëm armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe të SHQIPËRISË ETNIKE, askë tjetër.

Çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të asimiluar në Maqedoni

Image result for jahja lluka

Nga Jahja Lluka*

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, familja Qiriazi është njëra nga familjet që dha kontribut të jashtëzakonshëm, duke shkrirë kështu gjithë pasurinë, intelektin dhe kulturën për çështjen atdhetare. Nga familja Qiriazi dolën inteketual të mëdhenjë si: Papashqevi, Sevasti, Kristo, Gjergji dhe Gjerasimi, të cilët ishin bijat dhe bijtë e Maria dhe Dhimitër Qiriazit nga qyteti i bukur i Manastirit. Në historinë tonë kombëtare Kongresi i Manastirit shënon një triumf për gjuhën shqipe, poashtu është një kthesë për kulturën dhe çështjen shqiptare në kohëra kur qenia jonë rrezikohej me mosekzistencë në Ballkanin e tërbuar nga pushtuesit sllavë, grekë dhe turq.


Roli i familjes Qiriazi për Kongresin e Manastirit ishte dhe do mbetet i pamohueshëm, sakrifica e tyre ngeli në histori duke e ngritur zërin e shqiptarëve në instancat më të larta të asaj kohe. Por ku janë sot pasardhësit e familjes Qiriazi dhe si jetojnë ata? Në emisionin “Në Mbremje me Agim Poshkën” Risto Qiriazi pasardhësi i kësaj familje të denjë shqiptare, tregon se si gati gjithë jetën, jetoi si i asimiluar duke mos guxuar të deklarohet shqiptar nga regjimi sllav. Është e dhimbshme se si familjet e mëdha shqiptare të ritit ortodoks janë asimiluar. Është jonjerëzore se si të drejtat e tyre themelore janë shkelur gati për një shekull para syve të Evropës, dhe do jetë dhe më jonjerëzore nëse zërat e këtyre shqiptarëve nga dy shtetet shqiptare nuk dëgjohen, sepse janë dhe do mbesin gjak i yni, pavarësisht rrethanave të cilat i kanë detyruar ta mohojnë vetveten, duke jetuar të nëpërkëmbur sa të jetë jeta.

Poashtu, dhuna ndaj themeluesit të Bashkësisë Fetare Ortodokse të shqiptarëve në Maqedoni, Branko Sinandinovskit para disa ditësh në Shkup, duhet të dënohet, pasi që të drejtat themelore të njeriut nuk mund të shtypen në asnjë formë, nga cilido regjim apo ideologji prezente. Vëllëzerit tanë të asimiluar të cilët kanë filluar të deklarojnë rrënjët e origjinës duhet të mirëpriten, të mbrohen dhe të dëgjohen nga institucionet e shteteve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare pasi që të drejtat bazike ekzistenciale të asnjë individi apo familje të tyre nuk guxojnë të vazhdojnë të shkelen, sepse janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

(*Jahja Lluka është Këshilltar i Kryeministrit Haradinaj. Zgjodhi Baki Ymeri, enkas për Botën sot dhe revistën Shqiptari.)

Post Scriptum

„Vëlla im dashur Zt. Naço, - i shkruan Gjerasim Qiriazi nga Korça më 9/21 dimërori 1892: Me gaz të madh e këndova letrën e Z-së Sate që e mora dje... Shumë na nderove që kur dërgove 10 napolona për ndërtimin e skolisë, të cilët zunë vend të mirë, se ato bashkë me ca ndihmëra të tjera na bënë të vëmë një themel të shëndoshë ndë punët e gjuhës sonë. Zoti jua shpërbleftë! Ne e kemi patur ndër mënt t’ju bëjmë shok të nderit të kësaj Vëllazërie (biblike), se s’harrojmë dot të mirën tuaj... Motin e ardhshëm ne kemi ndër mënd të kemi edhe çupa që gjetkë nga Shqipëria të janë e të vishen ndë skolitë. Ndë mbledhçim ndonjë ndihmë për së shpejti do të zëmë të ndërtojmë nja dy oda për të fjetur... U përqafonj me shumë mall, Gj. D. Qiriasi.” Disa muaj më vonë, më 27/8 prill 1893, Gjergj Qiriazi shkruan:

„Vëlla im i dashur, Zt. Naço, Bukuresht. Letrën e Z-së Sate të pastajmen e mora ndë Korçë. S’pata nge të të shkruanj, ndonëse kisha shumë fjalë për të thëmë... E para fjalë që dua të them është se Petrua (Petro Nini Luarasi – martir i shqiptarizmit), i cili ka fituar shumë kundërshtarë nga ca veta ndë Korçë. Mbesonj të jesh pjekur me Zt. Jovan Kosturin, i cili është sjellë fort me mënd ndë punë të skolisë, po tash posa iku ay. Petron e përfolnë shumë keq me fjalë të paduruarshme, kaqësa u nangos të ngrerë plaçkat nga skolia dhe t’i shpjerë ndë shtëpi gjetkë. Përmbi të gjitha, këta e lanë fare pa para, edhe kur iku nga Korça u anagas që t’i jap unë ca të holla të shkonjë Pashkët... Zoti Petrua është me zemër të përvëluar edhe me shpirt e me mish përpiqet për të mirën e skolive. Nuk i erth kaq keq për vetëhen e tij që mbet pa para, por kërkoi para për priftin dhe për dhaskenjtë, edhe s’i dhanë...”

Ali M. Lajçi, “Me karvanin poetik”, Faik Konica, Prishtinë, 2017.

POEZI PËR SHKRIMTARËT

(Ali M. Lajçi, “Me karvanin poetik”, Faik Konica, Prishtinë, 2017.)

SHKRUAN: MR. SKËNDER R. HOXHA

Gjashtëdhjetë e një poetë janë prezantuar me nga një poezi, disa me nga 5 strofa e disa me nga 4 strofa katërshe, bëjnë lëndën poetike të librit të tetë me radhë të poetit, tashmë të afirmuar, Ali M. Lajçi. Në këtë përmbledhje poetike autori na sjell një mënyrë interesante të vargëzimit të frymëzuar nga dashuria e respekti që ka për miqtë krijues, shkrimtare e shkrimtarë për të rritur e për fëmijë.

Për 60 shkrimtarët që Lajçi ka shkruar nga një poezi, ku pesëstrofshe e ku katërstrofëshe, të cilat autori i ka thurur sipas titujve të veprave të tyre, po edhe nga ndonjë thënie a varg i atyre autorëve.

Jemi mësuar më parë të kemi në duar libra të ndryshëm që u janë kushtuar shkrimtarëve, antologji, monografi, panorama, etj., por libri më i ri me poezi i poetit Ali M. Lajçi “Me karvanin poetik”, ka veçantitë dhe simbolikat e veta letrare. Në vetë titullin, nocioni “Me karvanin”, na lë të kuptojmë se është fjala për një varg të gjatë, në këtë rast, shkrimtarësh, por, në anë tjetër, këtë mund ta kuptojmë se poeti ka vargëzuar përkushtimisht për ata shkrimtarë që janë anëtarë e asociacionit “Karvani i Shkrimtarëve të Kosovës”. Mirëpo, poeti Ali M. Lajçi, këtu ka bërë një gjithëpërfshirje të shkrimtarëve që kanë shkruar dhe shkruajnë në gjini të ndryshme letrare dhe se janë nga vise të ndryshme shqiptare, ndaj edhe nis librin me këto vargje: (…) “Gjeta plot shkrimtarë/ vargje dhe frymë fjale/ me ëmbëlsirën e tyre/ freskinë si ndër male!...”

Ndërkaq, poezitë e përmbledhjes “Karvani poetik” nuk janë thjesht frymëzime përkushtuese për shkrimtarët dhe veprat e tyre , por janë vargëzime të motivuara nga vlerat autentike të vargjeve të poetëve për të cilët Lajçi ka thurur këto qëndisma poetike, ku sublimohen figurshmëria e gjuhës dhe semantika e vargut përkushtues. Kështu, brenda kësaj vorbulle poetike, shohim poezitë: “Mësoi Adi shkronjën e parë” (f. 9), është poezia që i kushtohet Adelina Mamaqit; “Lushi në kopshtin e magjepsur”, (f. 16) – Arif Demollit; “Te kroi i fshatit”, (f.22) – Çajupit; “Erdhën mësuesit”, (f. 25) – Ernest Koliqit; “Në ishullin e dallëndysheve”, (f. 30) – Gaqo Bushakës; “Krojet e bardha”, (f. 34) – Hasan Hasanit; “Princesha Argjiro”, (f. 37) – Ismail Kadaresë; “Mos i trego hënës”, (f. 43) – Kismete Hysenit; “Një fyell ndër male” (f. 47) – Martin Camajt; “Legjenda e një shkëmbi, (f. 55) - Odhise Grillos; “Buzëqeshja s’është larg”, (f. 58) – Qibrije Demirit; “Nëpër Lugjet e Verdha”, (f. 60) – Rexhep Hoxhës; “Bilbili i Dushkajës, (f. 68) – Skënder R. Hoxhës; “Si u bë piklorja bletë”, (f. 72) – Zejnullah Halilit; “Dielli i lodrave”, (f. 73) – Xhevahir Spahiut; “Zilja e fëmijërisë”, (f. 76) – Xhevat Sylës; “Zogj merrmëni me vete”, (f. 79) – Veli Veliut; “Ylli ëndërrimtar”, (f. 81) – Ymer Elshanit; si dhe shumë poezi të tjera, vargëzime të cilat Lajçi, i frymëzuar mirë, i ka gërshetuar dhe brumosur me thellësinë e mendimit dhe logjikën e vrojtimit poetik.

Kësisoji, të radhitura sipas një rendi alfabetik dhe të shoqëruara me nga një fotoportret artistik, kjo tufë poezish, librin e bëjnë më të pëlqyeshëm.

I madhi Martin Camaj (1925 – 1992 )

Fritz Radovani


Asht le në fshatin Temal të Veriut të Shkodres. Prindët e dergojnë në Gjimnazin e Jezuitëve të Shkodres, ku merr mësimet e para. Në vitin 1944 shkëputet nga Shqipnia dhe per pak vite asht mësues. Në vitin 1949 i jepet mundësia me ndjekë studimet në Beograd, ku perfundon shkelqyeshem universitetin per gjuhen sllave dhe romane.

I hapet njëfarë “drite” që per arsye të studimeve fillestare në Shkoder, i shuhet edhe ajo.

Detyrohet me u largue nga Beogradi në vitin 1956, dhe shkon në Romë Itali, ku vazhdon studimet dhe konsiderohet Akademik.

Në vitin 1969 triumfon në zemren e Martinit dashunia per Gjuhen Shqipe të Nanës…

Perfundon studimet per Albanologji në Universitetin e Mynihut në Gjermani.

Ishte Profesor aty, kur me 12 Mars 1992 mbylli sytë vezullues të Tij si shkectar i vertetë, tue na lanë një perlë shumë të çmueshme artistike nder Veprat e Tij…

Në Letersinë Shqipe, Martin Camajt, vendin ia ka caktue Prof. Arshi Pipa…



NGA MARTIN CAMAJ



HIJA E GJERGJ KASTRIOTIT



Shum vjet mbas vdekjes barijt e panë

Gjergjin mbi majet e Dibrës në kalë

tue shkue për Krû.

Andej lumit i ecte hija shpatit

tue i prekun majet e lisave kryet;

“Gjergj, ndalu njiherë, pashë Zotin! -

I britte nji plak tue ngâ mbas tij kambzdathë.

-Turqit m’a vranë djalin dhe vajzën…

vajzen m’a shnderuen te votra.

Ndalu, ndalu, Skanderbeg e kthe dalë!

Shatorret anmiku në mbrame i dij ku i ngul

e shtiqet e ngushta n’udhtim ku i këput.

Un due me vdekë, o zot, i ngimë me gjakun e tyne,

përndryshej toka s’ka me më lanun mbrendë

me djalë, as qiella me thithun nji ajr me vajzë.

Nxire pallën, bre burrë!”.

Skanderbegu pa sjellun kryet ulej majes teposhtë,

parzmorja e hekurt e armët pa krisë.

-O plak fatkeq, pse e mundon ashtu hijen?

-Britne barít për së largut.

Lene Gjergjin me shkue për Krû!”.

Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,

por andej lumit hija i eci mbi lisa me qinda vjet

për rrugë tue shkue në Krû.



Shenim: Në këte Pervjetor, ky material u pergatitë nga Fritz Radovani.

Melbourne, Mars 2018.

Kur kritikohej Kadare dhe Agolli

Fotografia e Gezim Llojdia

Nga Gëzim Llojdia

1.

Kadarenë e kam vizituar në studion e tij në vitin ,86,ndërkaq isha veçse një student . Nga kjo vizitë mbajë mend ende pamjen e një murgu të letrave, që çuditërisht vinte nga bota e epërme hyjnore. Dua të shqyrtoj, se ai ishte një :”punëtor i letrave”, që e gdhinte dhe ngryste kohën me letërsinë. Nën syrin tim ky ishte mendimi i parë .Mirëpo edhe pse Kadare njihej ndërkaq tej kufirit të këtij vendi dhe botohej nëpër botë (në bibliotekën e tij në shtëpinë e tij,librat me kopertina të ndryshme ishin botimet në gjuhët e ndryshme të botës) , shkrimtarin e godisnin me forma dhe mënyra të ndryshme dhe më çuditërisht e më tepër të përhapura aso kohe ishin letrat, që mbrinin nëpër redaksi gazetash apo kritikat që i bënin jo në pak raste :” lexuesit që në disa raste shfaqen si lexues të porositur”. Aso kohe parimi ishte i qartë .Nëse ishe dikush, pra nëse ishe kaposh,ta prisnin bishtin dhe nëse s’ishe i tillë, të vinin krejt papritur bisht.I lexueshëm parimi i kohës :”Partia mbi të gjitha kudo dhe në çdo vend”.

2.

Mjafton për të shfletuar të përjavshmen :”Drita”,letrarore-artistike të 10korrikut 1966,për të kuptuar qartësisht si bëhej kritika nga lexuesit në shtypin letrar.Në dukje qartësisht kritika e ndershme, po në thelb a ishte e tillë?

Një tregim me shumë pik-pyetje,shkruan (B.Myftari,punëtor në stabilimentin:”M.Duri” Tiranë.) Ku midis të tjerave shkruan:Unë do bëj fjalë në këtë shkrim për një tregim të tillë,për tregimin:Zbërthimi” të Ismail Kadaresë,që është botuar nga fundi i vitit të kaluar në gazetën:”Drita”. Ja përmbajtja më dy fjalë:”Një fshatar nga një “fshat i humbur”, që nuk e ka parë luftën me sy’ gjen një natë në bregdet një minë të cilën e merr për fuçi vaji dhe duke e rrokullisur e çon në shtëpi. Kur kupton se është minë jep alarmin në të gjithë fshatin. Fshatarët të trembur nga kjo e papritur sikur tu kishte rënë kolera braktisin shtëpitë dhe dalin jashtë fshatit.

Duke vijuar me tregimin, autori shkruan se : djali i madh i fshatarit shkon në qytet për të mësuar si zbërthej mina .Fshatarët kërkojnë një mjeshtër, por as ai nuk e zbërthen dhe shpëtojnë vetëm kur vijnë partizanët. Mbasi përfundon së lexuari këtë tregim të lindin këto pyetje:” Ç’ka dashur të thotë autori me këtë tregim?.

Ku ndodhet ky fshatë i “humbur” që s’ka parë luftë me sy?

Ç’janë këta fshatarë që tremben kaq shumë nga mina?

Armikun. Ne qoftë se mina përfaqëson armikun,po ushtarët fashistë të postës çfarë përfaqësojnë?Autori ka dashur të thotë diçka, por nuk ja ka dal. Një fshat i tillë nuk ndodhet asgjëkund në Shqipëri. Vetëm në fantazinë e autorit. Fshatrat tona janë djegur e zhuritur nga fashistat e nazistat. Fshatarët, që përshkruhen në tregim nuk janë shqiptarë. Shqiptarët nuk tremben. Këtë e dinë shumë mirë edhe armiqtë. Pra janë krijuar nga autori .E marrin minën për një moment si simbol, që përfaqëson armikun. Por,autori e rrëzon vetë këtë si simbol kur thotë se aty afër ndodhej një postë me ushtarë fashistë .Pra u rrëzua simboli e bashkë me simbolin edhe tregimi,sepse ky tregim është bazuar në simbol.Ky tregim mund të mbetet si legjendë,por të edukon për keq. Fshatarët simbas autorit tremben nga mina(armiku) braktisin shtypit dhe largohen të tmerruar. Por legjendat e bukura të popullit na tregojnë të kundërtën.

Marrim shembull :”Gjergj Elez Alia”,Bajlozi i zi që ka dalë nga deti përfaqëson armikun...Me tej ky autor shkruan: Gjuha në tregim është e thatë. Ajo nuk është bazuar në pasurin e folklorit tonë,megjithëse autori përmend shpesh fjalët “tmerr”,”llahtarë” etj.

Tregime të tilla nuk dëshiroj të lexoj. Presim nga shokët shkrimtarë të na shkruajnë vepra të bukura,të bazuara ne gjuhën popullit,ku pasqyrohen bukurit e vendit tonë, shpirti i popullit tonë,vetëmohimi i popullit tonë për ndërtimin e shoqërisë sonë të re,për ndërtimin e socializmit,vrullit revolucionar,që ka pushtuar masat tona punonjëse. Besoj se shkrimtarët do të na e plotësojnë dëshirën sepse tani,ata janë më afër me masat dhe do ti njohin më mirë ato,përfundon letra e punëtorit të stabilimenit M.Duri” të Tiranës.

3.

Po në faqen dy të kësaj gazete letrare-artistike shfaqet edhe shkrimi i M.Zeqo,nxënës ,Durrës. Duke folur për edukimin komunist revolucionar të brezit të ri, ai merë në analizë, disa tregime të disa autorëve shqiptarë.

Në fillim ai analizon tregimin e A.Cergës :”Ne ishim tetë” duke shqyrtuar fjalët se ky ishte një tregim i mirë. Ndërsa tregimi tjetër:Ujqërit’ i Agim Cergës,shkruan M.Z është i zbehtë dhe ka tinguj fallco. Në këtë tregim vihet re një tendencë humanizmi të sëmurë. Autori me anë të këtij tregimi e zbut figurën e oficerit fashistë i cili ka ardhur në vendin tonë. Ky oficer ka lëkundje shpirtërore dhe nuk donë, që të luftoj kundër shqiptarëve. Autori e justifikon këtë duke thënë se është arbëresh. Pra oficeri nuk don të luftoj kundër shqiptarëve se është arbëresh, por sikur ky oficer të ishte në nj shtet tjetër,a do të luftonte?

Dua të theksoj se ky oficer duhej të kish merita në ushtrinë fashiste,përderisa kishte gradën oficer.Nëpërmjet tregimit ky njeri me merita fashiste na del njerëzor dhe i dhembshur .

Më poshtë autori analizon tregimin e autorit T.Laco “Larashi” duke quajtur një tregim të mirë.

Duke analizuar D.Agollin, ai shkruan:”Tregim i dobët dhe pa vlerë është tregimi”Kamerad,kamerad” i D.Agollit.

Se kuptoj ce ka shqetësuar D.Agollin të shkruante këtë tregim. Një doktor italian dezerton nga ushtria e tij dhe vjen tek partizanët .A nuk kishte ndonjë cilësi të shquar. Sish trim,por nga ana tjetër ish i dhënë mjaft mbas dashurisë,megjithëse në një moment autori e ngre doktorin kur ky ndodhet pranë një gruaje,që po lindte,prapë se prapë figura e doktorit është e zbehtë .Ku qëndron fabula e këtij tregimi?

Duke mbyllur këto shënime dua të theksoj edhe njëherë se ne të rinjtë,duam të lexojmë tregime, që na mësojnë,duam të gjejmë në letërsi heronj,që të mund ti marrim shembull në punën e jetën tonë. Mbyllet po me këto fjalë letra e nxënësit nga Durrësi.

Gjurmë jete e dritë historie


Sejdi BERISHA:

TINGËLLIMA E VARGUT-GJURMË JETE E DRITË HISTORIE

(Fatmir Terziu: “Lumenjtë e ëndrrave”- poezi, botoi Shtëpia Botuese “Lulu” UK-USA Janar, 2012)

Po të lexosh krijimtarinë letrare të Fatmir Terziut, vëren një rrugëtim karakteristik dhe me plot temperament të dellit krijues gjithnjë me qëllim për të afirmuar vlerat shpirtërore dhe kulturore dhe krijimtarinë jo vetëm të vetvetes, i cili temperament, as autorin por as lexuesin nuk e lë të qetë pa u futur në brendinë ndijimit, të mendimit dhe të mesazhit, faktorë këta të cilët janë mirë të kompozuar me ankthin, makthin, dashurinë, me dritën, mallin dhe me etjen, por edhe me lumturinë e njeriut, me mirëqenien e tij dhe të atdheut. Të gjitha këto elemente, thekshëm dhe me amanetin e etjes shtrohen për ta ngritur lapidarin e dritës, e kjo, veçmas bëhet më domethënëse dhe me kuptim shumëdimensional, kur gjërat shkruhen e analizohen me shkrumbin dhe mallin për vendlindje, për atdhe, por edhe kur shkruhen nga ai këndi i shikimit të pafund në horizont, të cilin ta imponon kurbeti. Këtë karakteristikë me peshë filozofike e hasim edhe tek libri i pestë me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” të shkrimtarit, Fatmir Terziu.

Vargu sinonim i shpërthimit shpirtëror

Vargëzimi dhe këndimi poetik në këtë vepër, prej fillimit ecën plotë dashuri e dhembje, por edhe, thënë figurativisht, edhe trishtueshëm, mu ashtu si ora në dhomën e vetmisë, rrjedhë mahnitshëm si lumi, por, ç’është ajo dhembja që dot nuk hiqet qafet, por, gjithnjë e më shumë zë vend në shpirtin e njeriut, në shpirtin e poetit, është se: “Dhe prapë nga e para/një zanafillë/një grahmë që s’na puqet/e djeshmja/e sotmja.../e mbara”. Andaj, kështu, që në fillim, autori na imponon mendimin të përcjellë me ritmin e jetës, ndërsa, jeta edhe pse na këshillon, ajo ndonjëherë, edhe pse i besojmë, nuk del e saktë në shkronjat e vargut dhe të jetës. Ndërkaq, peizazhet, edhe pse, si tek piktorët ashtu edhe tek poetët, janë simbol i madhështisë, i jetës fragmentare mbase edhe historike, këtë formë ravijëzimi, poeti na sjellë me një subtilitet dhe ndërtim vargu duke i hapur shumë tema për debat: “...Fati i një viti të plotë/Mbledhur në grusht”, dhe “...Dasma ka nisur vitesh/Çafkat i ka flakur tutje/Biznes i vetëm glasat që lënë pas/Një bust i ndotur prej tyre/Ashtu vesh këputur/Gojëlidhur nisi të flasë”!

Vargjet e tilla, që janë metaforë e veçantë dhe karakteristike, sikur para nesh sjellin nyjën, jo të Gordiut, por një tjetër për ta zgjidhur, atë i cili me shekuj e decenie ngulfatë për gjithçka! Këtë lëvizje zjarri të mendjes, poeti e ngre edhe më lartë kur na bezdis me përplasjet e “ëmbla” shpirtërore të tij: “Mos më pyesni për kërcitjen e gishtave/...Më ndje qenia ime tokësore/...Të ndjej edhe Ty/...Edhe kur nën zë bilbilat këndojnë”. E theksova këtë me një qëllim, sepse, këndimi nën zë, shpeshherë është sinonim i shpërthimit shpirtëror, sinonim i ankthit për diçka, mbase edhe atëherë nuk di ta shpjegosh deri në fund, gjë kjo e cila e bën edhe më të fuqishëm vargun, poezinë!


Prof. Dr. Fatmir Terziu

Kur lexuesi i lexon me kujdes dhe me përkushtim vargjet dhe poezitë në këtë vepër, ato duken sikur janë të zgjedhura e të përzgjedhura për të na sjellë panorama kohërash për të na fërkuar e përplasur qëllimshëm mendjen me etapa e periudha, duke na nxjerrë kështu nga fundit i fundit përjetimin dhe ndijimin, duke na provokuar mendjen që edhe opinioni lexues për të hartuar një hartë dhembjeje, historie, matematike, qortimi, lumturie e krenarie, e të cilat gjëra, pastaj na detyron t’i sublimojmë në një mendim të arsyes, i cili binarët e jetës do t’i pajtonte me peshën e tillë të mospajtimit dhe të pajtimit në të njëjtën kohë. E këtë, si nismë provokimi për lexuesin e hasim tek poezia “Albania” kushtuar Faik Konicës: “...Jeta tek vjen me mua/Shëtit rrugë më rrugë/Dhe botës i thua/”Albania” s’vdes kurrë”!

Kurse, karshi kësaj teme, kurbeti është shqetësimi më i madh shpirtëror, i cili kalon normalen e zjarrit dhe të etjes, por që për gjithçka bëhet piramidë kënge e dashurie; për vendlindjen dhe atdheun si dhe për njeriun të cilit trupi i merr frymë ilirisht dhe ka erë dheu e shkëmbinjsh të vendit, ku shqiponjat fluturojnë lirisht, e vëzhgojnë tokën e cila ka peshën e mallit dhe madhështinë e Zotit: “...Si qenka kjo bota kështu/...Çdo ditë unë e vuaj largësinë/...Të ftohtit e ndjej edhe në verë/Dhe shiut as këngën s’ia ndjej”.
Por, kur lumenjtë marrin veten, dhe me ujin e kthjellët mahnitin gjelbërimin e tokës dhe bukurinë e fushave, ata, jo rrallë buzë vetes vjedhurazi prekin e lagin tokën dhe kështu tinëzisht i puthin ngjyrat e luleve që kanë petale përrallore. Andaj, për këtë, edhe poeti ka të drejtë të vargëzojë duke shmangur ndonjëherë rrugën e mallit dhe të zgjimit, e për të kujtuar “kalërimin” e jetës, duke shprehur në mënyrë të përzier edhe dhembjen edhe dëshirën, por ngjitur me to edhe mallin dhe vetëm mallin: “...Eh. Se ç’më zgjojnë takat nga gjumi/Dhe dijeni miq se s’është sekret/Pa taka na duket se na merr lumi/Dhe dheu më shpejt na tret...”!

Mirëpo, poeti menjëherë i kthehet realitetit që tronditë e dhemb për fatin e njeriut, për historinë e jetën, që janë të thurura e të ndërtuara edhe me shumë ngjarje-pasqyrë e çuditshme e njeriut që ia zë frymën kombit e atdheut: “Eh, sa gurë janë hedhur/Qëmoti për të gjakosur/Vrarë e nëpërkëmbur Fjalën/Të lirën e të bukurën”. Por, kur e analizojmë këtë, nganjëherë, më të vërtetë na duket mendim i tejkaluar dhe naiv, sepse, jeta është aritmetikë, mirëpo “Jeta rrokullisej përditë/Mes numrash me ankth e me frikë”.
E tërë kjo, na shpie për t’u ndërlidhur me poezinë “Mall”, e cila reflekton përjetimin e thellë shpirtëror të autorit me rastin e vdekjes së poetit Tahir Desku, i cili me vargun e tij karakteristik atëbotë i ushqente “Engjëjt e lirisë”, por edhe duke kënduar: “Në cilin gjeth e kam vdekjen”. Të gjitha këto, autorin e librit “Lumenjtë e ëndrrave”, e bëjnë shtegtar të jetës edhe të të tjerëve, për çfarë dëshmon se krijuesi, i tëri i është përkushtuar njeriut dhe jetës së tij, të cilat gjëra i rrumbullakon në rrethin e zjarrtë që quhet mall!
Në poezi, loti i nënës si faqe historish

Në “Lumenjtë e ëndrrave”, F. Terziu, gjithnjë ecën duke prekur çdo gjë që e ka në vetvete, që e ka të gjakut dhe të tokës e të vendit që i takon. Por, kjo merr pezëm e fuqi edhe më shumë, kur ai, larg atdheut thotë, këndon e ligjëron: “...Ditë-netët e mia/Murashë të largësisë/Garojnë në takimin tim me Ju”. Kjo, sepse, poeti në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me largësitë që e kanë katandisur nga vendlindja dhe toka e rrahur, e përgjakur dhe trazuar nëpër shekuj, por gjithmonë stoike, krenare dhe përherë ishte pip në këmbë-vertikalisht, toka arbërore: “Në motin qaraman, të ngrirë, të bufatosur/Si troshanak pas një cope buke përditëso/Magazinoj kujtesën time/Dita-ditës/Struk e ngjesh në të/Si emigrant valixhen e detyruar/Në udhëtimin drejt vendlindjes”.
Lumenjtë e ëndrrave, njeriun e sjellin edhe tek thelbi i dashurisë dhe i dhembjes. Këto dy drejtëza prush e zjarr, takohen, ku tjetër pos tek nëna. Prandaj, F. Terziu na i “lidhë” duart dhe na ngushton mendjen për lotin e nënës: “Një pikë loti nëne/I ardhur nga Zoti për tu derdhur/Djepeve/Odave/Frëngjive/Sa herë që është e nevojshme/Loti i nënave!/Dobësia e tyre e vetme/Një lot për njerëzimin”!

Përmes këtyre vargjeve, poeti, si formulë matematike na sjell një histori të tërë, e cila ngjit me lotin e nënës na i shfleton edhe faqet më të vështira dhe më të ndritshme të kombit. Për këtë, loti i nënës dhe pesha karakteristike e tij na ofrohet si univers i veçantë.
Autori, jeton larg atdheut. Andaj, siç kemi thënë edhe në fillim, ai është shpirt i trazuar, është me mijëra plagë nga më të ndryshmet, por është edhe me mijëra pikëpyetje për fatin e vet, të njeriut dhe të atdheut. Për këtë arsye, dhembjen e tij na ofron si pikturë: “Vite të tëra larg/Vragë në shpirt/Sy e duar ngatë/...Edhe pse mua pa Ju/Distanca më gërryen/Atdheu im, i vjetër i ri/Ndjej mall/para teje përkulem”!

Një gjendje të tillë në “Lumenjtë e ëndrrave”, e hasim edhe tek shumë poezi të tjera, si “Kredhje hutaqe”, “Në vend të ikjes”, “ Dhuratë e munguar”, “Gëlltitje” etj.

Kur vargëzimi bëhet dritë dhe portë e lumturisë

Vargu peshon më rëndë dhe shprush mendimin kur ngritë zërin për të shpjeguar se sa dhemb kurbeti, kjo plagë shekullore që ka goditur njeriun tonë. Andaj, poeti, kujtimet bashkë me kohën, të cilat korrespondojnë si valët e detit dhe të lumenjve, dëshiron ato dhe çdo gjë tjetër që ia rëndon mendjen e zemrën, t’i bëjë jehonë dhe pjesë të pashkëputshme edhe të lexuesit: “Ej, ndjesi të lumturisë/Ecni të paktën pranë meje/Ju ndjej/Ju prek/Ju njoh”, ose: “Ej, miq më dëgjoni/Këngën të paktën/Ma ndini/Vargun të paktën/Ma lexoni/Miq të vargut/Mikesha të fjalës/Më kuptoni që tretëm/Mes jehonës suaj/Më besoni”!

Pikërisht, për këtë arsye, poeti na rrëmben mendjen e zemrat edhe me poezitë: “Zbrastësi”, “Ne, 20-vjeçarët”, “Kacafytje guralecësh me ujëkripë”, “Kthinë” etj. Duke ndje mallin për atdhe, autori në “Lumenjtë e ëndrrave”, u këndon edhe shumë figurave dhe personaliteteve që atij ia “trazojnë” ecjet, si: Aleko Likajt, Vasil Qesarit, Pendeli Koçit etj. Poeti, thjeshtë shpreh rebelim, i cili edhe më shumë ia madhështon mesazhin poetik, sepse, siç dihet, përjetimet nuk rrinë galuc, por gjithnjë ecin dhe trazojnë e ngacmojnë njëri-tjetrin kudo që ndodhet poeti: “...Pastaj ndizem i tëri nën jorgan/Kaploj male, fusha oqean”. Shih se çfarë “rehatie” jete bën autori. Edhe nën jorgan, duke e braktisur gjumin, kush e di se çfarë bën duke shëtitur e duke vrarë mendjen, dhe pastaj sikur e “qetëson” shpirtin: “...Tani jam këtu bija ime/Jam këtu në këtë anë/Që të thërras ëndrrën time”, për të vazhduar: “Kush na trazoi bija ime/Kush na dredhoi rrugën e mirë/Kush na la në thërrime/Kush na la të ngrirë”!
Me këtë formë të vargëzimit, autori fuqishëm prezanton përplasjet shpirtërore të tij dhe jo vetëm të tij, të cilat, pastaj sikur shndërrohen në një rrëfim romani ku gërshetohet gjithçka që trazon, që sjellë dilema, por edhe njeriun e zbërthen në qëndresë të çuditshme, e cila bëhet si dritë që vjen nga lartë, kurse dera e lumturisë hapet njëherë, por përgjithmonë mirë. Bile, edhe atëherë kur “edhe gurët nën lumë pikojnë gjak”.
Të kësaj natyre fuqishëm tingëllojnë dhe bëhen gjurmë historie edhe poezitë: “Butrint”, “Janinës ia pashë sytë” e kështu me radhë.

Kthehemi tek mesazhi i veprës. Duke e njohur bukur mirë timbrin krijues të Fatmir Terziut, libri “Lumenjtë e ëndrrave”, në një mënyrë shpreh dhe prezanton një formë të biografisë së autorit, e cila shpalos faqe interesante, duke i gërshetuar ato, e nganjëherë edhe duke i shndërruar në periudha dhe etapa historike, që bashkërisht dhembin, djegin e përcëllojnë: “Ujëra pafund në ëndrrat e mia/Lumenj që rrjedhin pa pushim/Aty pastaj krihet vetmia/Aty nis çdo mendim”.

Në këtë vargëzim të “tensionuar”, autori mëton dhe dëshiron për të na bërë me dije, se: “Lumenjtë e mi kurrë s’flejnë/Lumenjtë ka kohë që janë egërsuar/Ëndrrave të mia të netëve dimërore/S’di ç’duhet për t’i qetësuar/Ndoshta, rikthim te ëndrrat rinore”!
Libri “Lumenjtë e ëndrrave” i F. Terziut është një vepër e cila edhe provokon edhe intrigon për vlerat letrare dhe të mendimit të thellë filozofik, për metaforën e vargut, të cilat, bashkë i ngjajnë bukurisë së kohës jo vetëm në katër stinët e vitit. Në këtë aspekt, mendimi dhe ndijimi sikur shndërrohen në një hartë e cila akoma e ka të paidentifikuar peshën dhe hapësirën e vetë, por që i ngjanë kopshtit me lule e plot gjelbërim, e që aty-këtu përvidhen edhe therra të cilat në aspektin metaforik e zbukurojnë qilimin e jetës!
Andaj, këtë analizë libri do ta përfundoj me disa nga vargjet e kësaj vepre: “Kohën e gozhduam mureve/E futëm në dosje/E kyçëm në sirtarë/E flijuam stendave, muzeumeve/Në parcela, kënde e qoshe...”! Pra, e tërë kjo dëshmon se rrugëtimi i mëtejmë është i domosdoshëm, por që do akoma më shumë ndërgjegjësim, vetëdijesim, angazhim, flijim e sakrificë dhe studim mbase edhe këndim poetik.

Për këtë, kujtoj se libri me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” i Fatmir Terziut është edhe një vepër e cila begaton letrat dhe krijimtarinë letrare kombëtare.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...