Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/21

LEXONI KËTË PERLË TË FAIK KONICËS PËR GAZETARIN


Gazeta “Albania”, 15 Shtator 1901

I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.

Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën.

Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.

Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

Image result for faik konica


Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Image result for faik konica

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë.

Image result for faik konica

Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Image result for faik konica


Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.

Image result for faik konica

Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë.

Image result for faik konica

 E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Image result for faik konica

Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.


Image result for faik konica

Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.

Image result for faik konica

Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Image result for faik konica


 Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri.


Image result for faik konica

Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës".

Image result for faik konica

 Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.
FLORI BRUQI

JOZEFINA TOPALLI RIKTHEHET NË KUVEND…



Përurimi i bustit të Pjetër Arbnorit, ish-kryetar i Kuvendit dhe një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike ka shfaqur në publik pas një mungese të gjatë edhe Jozefina Topallin.


Ish-kryetarja e Kuvendit u pa në ceremoni së bashku me Genc Rulin, ish-Ministër i qeverisë Berisha dhe një tjetër kritik po ashtu i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Mungesa e zonjës Topalli në Kuvend duket se është ndjerë dhe tek kolegët e saj të vjetër socialistë pasi u pa në një bisedë të ngrohtë me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko dhe kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.

Figura e politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori, i cilësuar si Mandela i Shqipërisë, bëri bashkë sot të majtë dhe të djathtë përtej bindjeve dhe ndasive politike.


JA SI NGECËN FUTBOLLISTËT E VEGJËL BRENDA SHPELLËS NË TAILANDË.

Për shumëkënd në botë që ka ndjekur këto ditë rastin e fëmijëve të mbetur në shpellë në Tajlandë, një ekip futbolli të vegjlish së bashku me trajnerin e tyre 25-vjeçar, është ende e pakuptueshme se si ata janë bllokuar aty e nuk dalin dot normalisht, siç dhe u futën.

Gazetari kanadez Kelly Cancun ka publikuar një video ku shpjegohet gjithçka.

Djemtë hynë në shpellë ndërsa rruga ishte e lirë dhe kushtet atmosferike ishin të qëndrueshme, por kur ata arritën në një pikë në thellësi të saj, një shi i madh përmbytur pjesën tjetër të shpellës duke iu pamundësuar daljen.

Më tej shpjegohet, edhe grafikisht, se pse operacioni për nxjerrjen e tyre është shumë i vështirë, megjithatë i suksesshëm deri më tani.

Ta shohim se kush mblidhet më shumë dhe kush do të tërhiqet…




Image result for vilson blloshmi poezi


AGRON TUFA FTON POETË E SHKRIMTARË TË LEXOJNË NESËR POEZI TË POETËVE MARTIRË GENC LEKA E VILSON BLLOSHMI. FIRMA E DIANA ÇULIT PËR PUSHKATIMIT E TYRE

Të dashur vëllëzër/motra poetë e shkrimtarë shqiptarë,
ju që keni shkruar, shkruani e do të shkruani;
Të dashur vëllezër/motra lexues,
ju që keni lexuar, lexoni e do të lexoni,
Ju, të gjithë, që e doni artin, letërsinë, dhe e doni atë të pandotur, që keni ndjere dhimbje për pushkatimin në moshë të re të sivëllezërve tuaj, poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi, ju ftoj të gjithëve për një qëndrim, parimor, moral, njerëzor, ku të shprehim dinjitetin tonë, duke lexuar poezi të poetëve martirë Genc Leka e Vilson Blloshmi, pikërisht nesër, pikërish në orën 18.00, pikërisht në kafe “You, me & Bukowski”, sepse pikërisht aty nesër, në të njëjtën orë mbahet në kuadrin e projekteve leximore “Letërsia dhe Qyteti” (sponsorizuar nga M. Kulturës) Mbrëmja letrare me shkrimtaren Diana Çuli, e cila, rastësisht (?!) ka luajtur një rol fatal në pushkatimin e poetit Genc Leka, rastësisht ngarkohet me një barrë të papërballueshme respekti, rastësisht vihet në krye të Jurive për çmime të ndryshme EUROPA, etj, etj. ...

Meqenëse ta ngresh zërin për dinjitet njerëzor ta zënë për të madhe dhe të kujtojnë të Drejtën e Fjalës në një Botë të Lirë, a nuk kemi pra dhe ne, miq, po kaq të drejtë, sa të lexojmë me zë të lartë lirikat e mrekullueshme të poetëve të vrarë, pikërisht në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend me vrasësen e tyre?!
Ta shohim se kush mblidhet më shumë dhe kush do të tërhiqet… Kjo mbetet në NDERIN tonë.
Mirupafshim nesër në në kafe “You, me & Bukowski”, ora 18.00, e premte, 3 mars 20..., që të tregojmë se Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nuk kanë vdekur.

Genc LEKA

POEZIA E FUNDIT

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)

Poezi nga VILSON BLLOSHMI




Saharaja 

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.


Image result for vilson blloshmi poezi


Lirikë fshati

Lamtumirë!
U flas fushave, lumit, korijes.
Më duhet të dal nga ky peizazh i bukur.
Unë vetë jam tani një lëvizje ngjyrash
Prerë nga pëlhura e gjelbër e luadheve.
E di që era e kories do të thërrasë breglumit,
ku janë ulur shelgjet si ciganë...
Fshat i dashur!
Këtu edhe delet më njohin,
se unë kam pirë me barinjtë në çdo stan.
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve:
-Fred, eja në kopshtin me mollë!
Zjarret e vogla të çibukëve, si flutura alle,
Lëvizin dhe mblidhen nëpër kopshte.


Rapsodia e vjetër e lahutës

Kam përcjellë drejt varreve trimat,
kur gjamatarët (1) rrihnin gjoksin duke vallëzuar,
nëpër gryka çirreshin lekët (2):
ho, ho!
Zëri im prej lotësh,
zëri im prej gjaku
superënë mbi drurin e trishtuar...
Zëri im i uritur,
zëri im i tmerruar,
duke larguar shpirtrat nga fëmijët,
duke thirrur retë dhe shiun,
duke u mbrojtur nga legjendat,
nga mikprerja,
zëri im pagan...


I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë
N’jerm bën tunele n’ajër t’hapësirës
Si mbas formës së tij, lëvizjes së tij.
Ah sikur mbas çdo hapi
Ajri të ngrinte-beton,
Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen
Kallëp-shabllon
E të tregojë ta gdhendë Sa kohë iku zvarrë
E sa në këmbë.
Sikur të mbeteshin e shiheshin
Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi
Brenga, shpresa, vegimet
Të dukej krejt i jetës zigzagu i gjatë
Që nga ardhja në këtë botë e gjer
Tek varri, pikës e llahtartë.

***
Image result for vilson blloshmi poezi
A s'e patët ditën plot me diell
Qe bën natë koha dhe e nxin...!
I jep hënë e yje, lart në qiell
E, së fundmi, fare e përpin...!?

A se shkuat shpejt ju fëmininë?
Kjo s'u fsheh për ju e s'humbi fare?
A s'po mbani mbi sup pleqërinë,
E në mendje thellë vitet mitare?

A s'e mbani mend atherë te plepi
Loznit në oborr me hijen tuaj?
Po tani më larg nga ju është djepi
Apo arkivoli, pa më thuaj?

Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,
Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet
Troket lehtë kujtimi i trishtuar
Mysafiri në shtëpi të vet.

***
Sërish dukesh në udhë
Që ngjan si vijë gjaku
Mes gëlbazës së murrme
Të pështyrë
Nga turbekulë.
I lodhur,
Vetveten mbi kurriz
Shket
Dhe mendja lodhur
Klith: po shkoj,
Mbeç me shëndet...!
Dhe rend barkbosh
Në zorrën bosh të rrugës
Si një shtrëngatë
E qetë.
Dhe gurët kthejnë nga ti
Anën e mprehtë
Dhe njerëzit, ata
Stërnjerëzit,
Ajkë mbi jetët-hirrë
E kanë vështirë
Mëngjesit.
Edhe mbrëmjes
Vështirë,
Kur mbi ju ngecin vështrimin
Mbi ju rreckë-njerëzore,
Masë zhelesh mishi e shpirti
E qepur me fije damarësh
Mendimesh
E hedhur, pa mëshirë
E pa të drejtë
Në anë të rrugës së ndotur
Ku të qetë
Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet
Këllirë.
Dëshirat
Që i ndez thëngjilli i zemrës,
Mbuluar thellë
Me hirin e trupit...
Dhe brodhe prapë rrugëve
Me bujë e pohe
Kërkoje ti vetveten
Që më në fund e gjete
E s'e njohe
Ngaqë pandehje
Është shumë vështirë ta gjesh.
Kur të doli rastësisht
The: s'është kjo
Dhe kalove
Dhe u zhy te mes territ
Të zi pa fund.
Kërkon - një dorë e kurm
Dhe një këmbë
Dhe mbete cung.
Po prap sulesh përpara
Me tallas
Me me gjysmën e thatë
Dhe gjysmën e njomë
E at' që kërkon e arrin
E lë pas
Dhe zvarrë hiqesh përpara
Kërkon...
Vazhdë lënë mbi pluhur
E gjak
Gjymtyrët gjysmë të thara
Gërvishtin trak - trak
Dhe gjer thellë të ngushen
Ato kër - kër - kër - krak.
... kërkon
Mbi këtë tokë shkëmb
Mbi këtë tokë gur
Mbi këtë tokë kockë
E lëkurë.
E as e di ç'të dhemb
Veç sulesh para, shkon
Me zemrën e rëndë plumb
Dhe sa më shumë kërkon,
Ç'kërkon,
Më tepër
E humb.
Vjeshta

Me zbehtesine e zymte te gjetheve qe thahen,
Me ngjyren gri te qiellit mes reve qe shperndahen,
Me nje kujtim te bukur, ketu ne zemren time,
Me shira te rrembyer, me erera e gjemime,
Ja vjeshta po afron.

Me nje petale loti ne cep te syve rene,
Me nje pende dallandyshesh neper shtegetime lene,
Me nje fjale dashurie mbuluar me mister,
Me mall e nostalgji per Diellin ne pranvere,
Ja vjeshta po renkon.

Kur era vershellen mbi xhama dhe troket,
Kur shiu lot i qiellit mbi syte tona shket,
Vete vjeshta murmurit me nje trishtim ngjyre gri:
Nuk dua qe te kem kaq shume lot e merzi,
Vete vjeshta po loton.

Dhe ikin ditet, javet, pranvera vjen serish,
Na peshperit gjithe gaz plot fjale dashurish.
Dhe iken perseri dhe prape vjeshta vjen,
Trishtimin, zymtesine me vete pas i kthen
Kjo vjeshte qe vjen e shkon.

Vilson Blloshmi; Poezitë e panjohura dalin nga SHIK-u



Për herë të parë tre blloqe shënimesh, krijimtari letrare e Vilson Blloshmit dalin nga arkivat e SHISH, duke u përmbledhur në dy vepra letrare, përgatitur nga Sadik Bejko. Zbulimet e reja nga dosjet e arkivave nxjerrin në dritë rreth 26 poezi të Blloshmit.


Por ajo që quhet me mjaft rëndësi është zbulimi i shtatë poezive të tij të fundit që mbajnë datën 11 shtator 1975. Ndërsa e gjithë lënda e vëllimit të dytë, përkthime nga frëngjishtja, Hygoi, Lermontov vijnë për herë të parë. E panjohur është censura e Volterit “Zadigu” në përkthimin e Vedat Kokonës, ku mungojnë dy kapituj, gjë që zbulohet nga përkthimi i plotë që ka bërë Vilson Blloshmi


Mund të përmbyset e gjithë pema gjenealogjike e letërsisë shqipe. Edhe pse nuk është tutur ndokush që ta ndërmarrë këtë nismë, me daljen e dy veprave të para letrare të Vilson Blloshmit, historia e letërsisë ndryshon.
Related image

Tre blloqe shënimesh, që nuk mund të marrin thjesht këtë emërtim, kanë dalë nga arkivi i SHIK-ut, për të realizuar të paimagjinueshmen e poetit në gjallje. Botimin e tyre. Është gjithë pasuria letrare, që e plotë i vjen për herë të parë lexuesit në dorë, e hulumtuar, e studiuar, e përpunuar, redaktuar nga Sadik Bejko. “Të shkruash për vetëshprehje, pa parë dritë në fund të tunelit se një ditë këto shkrime do të lexohen, është akt vetëflijimi. Letrarët e brezit të tij e kishin marrë zgjedhën e realizmit socialist mbi supe...”. Në mënyrë absolute, me daljen në dritë të një pjese të mirë të krijimtarisë së tij, tani Vilson Blloshmi cilësohet si një poet me talent, duke kërkuar në nivelin më të mirë të mësuesve të tij, të poezisë franceze, të poetëve që i lexonte dhe i përkthente. (Violeta Murati)


Ndërsa i vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, është “njeriu i egër” që na tregon rrugën për t’i shtënë në dorë këto letra, krijimtari e mirëfilltë dhe punë letrare. Këto tre blloqe me kaligrafi të përsosur përmbajnë shtatë poezi të reja, të pabotuara dhe të panjohura më parë.


Në krye të vëllimit të dytë, autori i përgatitjes së librit, Sadik Bejko, na lajmëron se përfshihen përkthimet e tij në prozë; novela e plotë e Volterit “Zadig”, të cilën e sjell të ripunuar, një ese nga Viktor Hygo, të cilën ai e titullon “Në ditën e nisjes sime”; një përmbledhje të dramës “Hernani”, pra jo një përkthim, por dhënia e përmbajtjes së dramës për çdo skenë dhe për çdo akt të saj; një fragment i shkurtër nga romani “Një hero i kohës sonë” i Lermontovit. Shënimi se të gjitha këto përkthime vijnë nga gjuha frënge, shoqërohet me faktin se e gjithë lënda e këtij vëllimi botohet për herë të parë.


Në përjashtim të letërkëmbimit me të kushërirën, piktoren e njohur, Lumturi Blloshmi dhe të tre poezive që vëllai i tij, Bedri Blloshmi, i ka gjetur në bibliotekën e Vilson Blloshmit në Bërzhitë, të gjitha materialet e tjera letrare që botohen në këto dy vëllime janë nxjerrë nga arkivat e policisë sekrete. “Në vitin 2007 menduam se në librin “Vilsoni dhe Genci” kishim botuar gjithçka që kishte mbetur nga krijimtaria e Vilson Blloshmit. Në atë libër, poezitë dhe përkthimet ishin marrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, ishim të bindur se në këto arkiva duhet të kishte ende për të kërkuar”, - tregon Bejko. Po befasia i bëri të zbulojnë krijimtarinë letrare që mbahej mbyllur në arkivin e SHIK-ut. Bejko na shtjellon në këtë botim tri motivet politike që kishte shteti komunist për të arrestuar njerëzit, të përmbledhura në tri dosje; dosja operative, hetimore dhe dosja gjyqësore. Bejko na veçon se për një studiues, më e rëndësishmja është dosja operative. Aty janë materiale letrare si provë për akuzën, letrat e spiunëve për të përndjekurin bashkë me përpunimin e tyre nga zyrtarët e Sigurimit. Meqë në Shqipëri ende nuk ka një ligj për hapjen e këtyre dosjeve, askush nuk mund t’i shohë dhe prekë materialet e tyre. Kështu, të gjitha materialet janë siguruar të fotokopjuara nga zyrtarët e SHISH-it dhe të arkivit të Ministrisë së Brendshme. Poezitë i ka shkruar nga viti 1968 deri në 1975; e para mban datën 13 janar 1968 dhe e fundit 11 shtator 1975. Bejko na thotë se mund të ekzistojë mundësia që Vilsoni ka shkruar poezi edhe më parë. Por data e saktë se kur ka nisur të shkruajë nuk është arritur të vilet nga gjithë dokumentacioni i zotëruar deri tani. Në gjallë të poetit nuk është botuar asnjë poezi, asgjë e shkruar prej tij. Bejko na sjell informacionin e hulumtuesit, duke sqaruar se poezitë janë gjetur në fletoret e ditarëve, fletoret e përkthimeve, në copa letrash a në kapakët e librave, çfarë mund t’i qëllonte në duar në ato çaste. Në librin e parë, “Vilsoni dhe Genci” kanë dalë disa poezi dhe përkthime. Ndërsa në vitin 2007, kur i është bërë një letër-kërkesë tjetër zyrtarëve të arkivave për herë të parë, familja arrin të sigurojë tre blloqe me dorëshkrime të Vilsonit.

Blloku i parë
Related image

Blloku i parë në 82 faqe fletoreje të shkruar me stilograf nga dora e Vilsonit përmban sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë si: Sokrati, Aristoteli, Epikur Hegeli, Paskal etj., si dhe nga shkrimtarë e njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore si Euripidi, Virgjili, Dante, Shekspiri, Bajroni, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Dostojevski etj., fragmente esesh nga E. A,POe, V.Hygo, P. Claudel, si dhe poezi si tip antologjie të vogël me autorë si Bodler, Rembo, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Francis Karko, Apolner dhe Pol Gerald, si dhe 14 poezi dhe 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët”. Të gjitha këto janë shkrua në frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi, duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentenca nga Sami Frashëri, sentenca nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragmenti prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” të Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse. Me të drejtë, studiuesi skrupuloz, Sadik Bejko, bën pyetjen se cili ka qenë qëllimi i shkrimit të kësaj lënde në një bllok? Mbase shkaku ka qenë se këto libra nuk gjendeshin të shitur lirshëm nëpër libraritë e vendit. “Disa nga këta poetë, “dekadentë” dhe “reaksionarë”, siç quheshin zyrtarisht dhe në librat e universiteteve, nuk u botuan në Shqipërinë e atyre viteve dhe librat e tyre, gjendeshin me vështirësi dhe vetëm në bibliotekat e atyre që dikur kishin studiuar në Evropë”. Ajo që na tërheq vëmendjen, Bejko ka të bëjë me detajin se si në hetuesi Vilson Blloshmi arrinte të riprodhonte të gjitha poezitë përmendësh, pa harruar asnjë fjalë. Po ashtu edhe përkthimet. “Vilsoni i mbante përmendësh poezitë dhe përkthimet. Përgjithësisht nuk u vinte tituj poezive. Ka shkuar në varg të matur, me varg të lirë, poezitë e tij nuk e kalojnë faqen, ka edhe poezi të qëlluara me fare pak vargje. Është i kthjellët në atë që do të thotë. Ka pak poezi për dashurinë. Nuk ka motive politike, sociale, kombëtare apo poezi mbi natyrën”.


Related image


Blloku i dytë


Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, nis me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Mendohet nga studiuesi se ky libër mund t’i ketë rënë Vilsonit në dorë përkohësisht. Ai ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe në shqip ka dhënë përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Në këtë bllok të dytë, sipas kronologjisë kohore, vendin më të madh e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit, “Pendim i vonët” pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit, si dhe vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.


Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranisë.


Për herë të parë në këtë bllok, që quhet me mjaft rëndësi nga studiuesi Bejko, është zbulimi i shtatë poezive të tij të fundit që mbajnë datën 11 shtator 1975. Mësohet se në hetuesi Vilsoni ka thënë se këtë poezi e ka shkruar ngaqë pandehte se nuk do t’ia arrinte kurrë të martohej.

Related image
Fjala është e zezë në poezitë e Vilsonit. Ndërsa studiuesi Sadik Bejko arrin të na sjellë në veprën e parë një shënim të gjerë e të bollshëm, të asaj që quhet gjithë meditim i brendshëm, shpirtëror dhe psikologjik të poetit. Në këto dy botime, pak nga pak i afrohemi gjendjeve të rënda ekzistenciale që ka përjetuar poeti. Bejko na bën një zbërthim esencial, duke afruar në mënyrë prezantuese poezinë e Blloshmit tek lexuesi. Kjo natyrë shënimi është e para në këtë lloj, dhe më e plota e bërë deri tani për shkrimtarë të racës së Vilson Blloshmit, ndonëse të rrallë për nga rezistenca në diktaturë. “Vilsoni ka shkruar makthet njerëzore, agoninë deri në zbardhjen e tipareve të fytyrës, zhveshjen shpirtërore, eshtrat e zhveshura prej mishit. Ndikimi i Bodlerit tek ai nuk është i dukshëm, më tepër i afrojnë gjendjet e përbashkëta ngjethëse dhe të vrazhdta të botës. Bodleri në rastin e tij është një vëlla shpirtëror”, - kështu na njeh Bejko më nga afër me këtë poet. Poezitë më të mira cilësohen: “Saharja”, “Jehonë vjeshte”, “Një makth i llahtarshëm”, “Emër”, “I tremburi ikën” etj. Ndikimi prej simbolistëve apo romantikëve francezë, fatalistë, ishin dhe aktakuzat që mori poeti prej dy të nënshkruarve të ekspertizës letrare të asaj kohe, Myzafer Xhaxhiut dhe Koçi Petritit. “Vilson Blloshmi është një poet i personales, vjershat e tij përherë kanë një shkak, një ndodhi të jashtme a të brendshme, si shtysë për të dalë jashtë tij. Sipas dëshmisë së tij, ato, si dhe përkthimet e tij, janë ditari poetik i çasteve më tragjike, i rrëqethjeve dhe i torturës shpirtërore më të skajshme të njeriut në qorrsokak. Blloshmi, pas Migjenit, është nga poetët më tragjikë të poezisë shqiptare”, - shkruan Bejko, një vlerësim nga më seriozët bërë deri më tani për këtë poet, mbi një botë estetike të të shprehurit, me atë çfarë ndodhte si alkimi jetësore mbi poetin.





Blloku i tretë


Ky është blloku më i vëllimshëm, pasi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadigu” të Volterit. Nuk dihet në ç‘rrethana i ka rënë në dorë novela, - thotë Bejko, - dhe përse mund ta ketë përkthyer Vilsoni. Në fund të përkthimit është vënë shënimi 18 prill 1970, kohë kur ai ishte ushtar në brigadë pune, aty ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe të gjithë ata me biografi të keqe. “Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vite të shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes”. Bejko na tregon se novela “Zadigu” është në dorëshkrim dhe mbi të është punuar për ta redaktuar, dhe plotësuar në pak fjalë e fraza. Ky përkthim mendohet se vjen në shqip për herë të parë i plotë. Kemi një përkthim të “Zadig”-ut prej Vedat Kokonës te libri i Volterit, “Novelat” botuar në 1990. Këtë botim Bejko detyrimisht e ka krahasuar me përkthimin e Blloshmit dhe na tregon se tek “Zadigu” i Kokonës mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit. Mungesën e këtyre kapitujve në librin e përkthyer nga Kokona, Bejko e lidhte faktin se nën komunizëm të gjithë autorët vendas dhe të huaj, përfshi dhe Volterin censuroheshin, kjo duke u nisur dhe nga rëndësia që sjellin dy kapitujt e fundit, ato që mungojnë tek përkthimi i Kokonës. Si duket, mesazhi që përcillet te kjo novelë filozofike është nga më të bukurat e penës së Volterit. “Botimi i cunguar keqas i vitit 1990 të lë përshtypjen se heroi dhe heroina e novelës pas shumë peripecish, më së fundi, si në përralla, u martuan, u trashëguan dhe vdiqën të lumtur. Volteri me dy kapitujt e fundit të novelës “Zadig” është larg nga një moral i tillë prej përrallash me mbret e mbretëreshë. Dhe pikërisht këta dy kapituj mungojnë në botimin e Tiranës të vitit 1990”.


Vetiu, pas këtyre perlave letrare që dëshmojnë se kemi të bëjmë me një poet, me një gjeni letrar, jo vetëm në krijim por dhe në përkthim, me plot të drejtë Bejko shtron pyetjen. A mund të ketë shkrime të tjera të Vilson Blloshmit në arkiva? Për aq kohë sa arkivat janë të mbyllura për këto lloj dosjesh, përgjigjja na vjen negative. Duke u mbështetur në dëshminë e së shoqes së Vilsonit, Dianës, mësohet se Vilsonit i janë sekuestruar bashkë me poezitë edhe letërkëmbimet e ditarët. Gjatë hetimit ka dalë se vetë Vilsoni ka përmendur një ditar të vitit 1972, por deri tani nuk është gjendur. “Mund të gjenden ato ndonjë ditë? Edhe po, edhe jo. Sigurimi dhe hetuesia i zhduknin disa nga këto materiale që, sipas tyre nuk cilësoheshin si provë me vlerë për akuzën”, - thotë Bejko.


Si i gjente librat Vilsoni


Studiuesi Bejko na sjell një fakt; se asnjë nga librat që Vilson Bllloshmi ka përkthyer, apo librat nga të cilat ka marrë poezitë për t’i përkthyer nuk gjenden në bibliotekën e tij, apo në listën e librave të sekuestruar nga policia.


Sipas Bejkos, ka funksionuar paranoja e sigurimsave që shkonte me mendimin se mos ky “armik” kishte bërë ndonjë plan me shkrim për të përmbysur pushtetin. Kjo mund të ishte dhe arsyeja pse shkrimet e tij janë sekuestruar katër muaj para se ta arrestonin: shkrimet u përpunuan nga Sigurimi në bashkëpunim me përkthyes dhe me specialistë të letërsisë, për të gjetur material prove për akuzën e agjitacion-propagandës. “Natyrisht nuk gjetën hartimin e ndonjë plani për të përmbysur pushtetin. Vilson Blloshmi, për aq sa kemi lexuar deri tani, nuk ka shprehur mendime politike në dorëshkrimet e tij. Ai ishte një poet, një i dashuruar me librin, me kulturën dhe, në veçanti me kulturën frënge. Por edhe kjo, të adhurojë kulturën perëndimore, ishte armiqësore, sipas mendësisë së atëhershme”. Nga Bejko kur jeta e Blloshmit në atë kohë ishte tejet e izoluar, puna e tij dukej sa trimërore dhe e pasionuar, për të gjurmuar, hedhur në dorë, ose, së paku, për ta huajtur përkohësisht një libër në frëngjisht.


Nga të njohurit e Vilson Blloshmit, Bejko ka mundur të gjejë një dëshmi që tregohet në hollësi miqësia e poetit, me një intelektual të kohës së mbretërisë, një burrë i moshuar, i vetmuar, i degdisur nga regjimi në një nga bodrumet me lagështi të kryeqytetit. Me këta njerëz, Vilsoni hynte në pazar dhe u blinte librin. “Ishte një punë me frikë në zemër, se disa nga këta “borgjezë” të deklasuar, të sekuestruar, të futur në burgje, të mplakur e plot huqe, edhe donin të shisnin një libër ngaqë kishin rënë në mjerim, por edhe nuk donin të ndaheshin prej tij. Frika shtohej, deri në tmerr, se shumë prej tyre, nga halli e nga dajaku qenë bërë “miq” të Sigurimit...”.


Në letrat dërguar kushërirës së tij në Tiranë, Lumturi Blloshmit, një nga temat më të vazhdueshme ishte gjetja e librave në gjuhë të huaj.


Brengat e poetit në hetuesi


Vilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë shënim për idetë e tij mbi jetën dhe artin. Më poshtë janë mendimet e tij të nxjerra nga dosja hetimore. Gjithsesi, këto mendime të dhëna në hetuesi, kërkohet që të merren me rezervë nga monografi Bejko, por edhe kështu ato cilësohen vlerë për t’u bërë të njohura. Këto janë fragmente të nxjerra nga deponimet e ditëve të para në hetuesi. Shkëputur nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, 8.8.1976, fq. 213.


“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesioni si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në rrethana kam shkruar poezinë:


Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë


Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur


Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,


Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur





Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.


Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore.


Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret, si...


Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitet kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit. Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjesht punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime.


E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik, edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.


Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e gjërave i kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.


Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Me këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjekë njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.


Unë shpeshherë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.


Në datën 2 dhjetor 1973, unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time, dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë në brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin...


(fragment nga procesverbalet e hetuesisë)


Poezitë botohen për herë të parë


I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë


N’jerm bën tunele n’ajër t’hapësirës


Si mbas formës së tij, lëvizjes së tij.


Ah sikur mbas çdo hapi


Ajri të ngrinte-beton,


Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen


Kallëp-shabllon


E të tregojë ta gdhendë Sa kohë iku zvarrë


E sa në këmbë.


Sikur të mbeteshin e shiheshin


Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi


Brenga, shpresa, vegimet


Të dukej krejt i jetës zigzagu i gjatë


Që nga ardhja në këtë botë e gjer


Tek varri, pikës e llahtartë.



***


A s'e patët ditën plot me diell


Qe bën natë koha dhe e nxin...!


I jep hënë e yje, lart në qiell


E, së fundmi, fare e përpin...!?


A se shkuat shpejt ju fëmininë?


Kjo s'u fsheh për ju e s'humbi fare?


A s'po mbani mbi sup pleqërinë,


E në mendje thellë vitet mitare?


A s'e mbani mend atherë te plepi


Loznit në oborr me hijen tuaj?


Po tani më larg nga ju është djepi


Apo arkivoli, pa më thuaj?


Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,


Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet


Troket lehtë kujtimi i trishtuar


Mysafiri në shtëpi të vet.


***


Sërish dukesh në udhë


Që ngjan si vijë gjaku


Mes gëlbazës së murrme


Të pështyrë


Nga turbekulë.


I lodhur,


Vetveten mbi kurriz


Shket


Dhe mendja lodhur


Klith: po shkoj,


Mbeç me shëndet...!


Dhe rend barkbosh


Në zorrën bosh të rrugës


Si një shtrëngatë


E qetë.


Dhe gurët kthejnë nga ti


Anën e mprehtë


Dhe njerëzit, ata


Stërnjerëzit,


Ajkë mbi jetët-hirrë


E kanë vështirë


Mëngjesit.


Edhe mbrëmjes


Vështirë,


Kur mbi ju ngecin vështrimin


Mbi ju rreckë-njerëzore,


Masë zhelesh mishi e shpirti


E qepur me fije damarësh


Mendimesh


E hedhur, pa mëshirë


E pa të drejtë


Në anë të rrugës së ndotur


Ku të qetë


Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet


Këllirë.


Dëshirat


Që i ndez thëngjilli i zemrës,


Mbuluar thellë


Me hirin e trupit...


Dhe brodhe prapë rrugëve


Me bujë e pohe


Kërkoje ti vetveten


Që më në fund e gjete


E s'e njohe


Ngaqë pandehje


Është shumë vështirë ta gjesh.


Kur të doli rastësisht


The: s'është kjo


Dhe kalove


Dhe u zhy te mes territ


Të zi pa fund.


Kërkon - një dorë e kurm


Dhe një këmbë


Dhe mbete cung.


Po prap sulesh përpara


Me tallas


Me me gjysmën e thatë


Dhe gjysmën e njomë


E at' që kërkon e arrin


E lë pas


Dhe zvarrë hiqesh përpara


Kërkon...


Vazhdë lënë mbi pluhur


Egjak


Gjymtyrët gjysmë të thara


Gërvishtin trak - trak


Dhe gjer thellë të ngushen


Ato kër - kër - kër - krak.


... kërkon


Mbi këtë tokë shkëmb


Mbi këtë tokë gur


Mbi këtë tokë kockë


E lëkurë.


E as e di ç'të dhemb


Veç sulesh para, shkon


Me zemrën e rëndë plumb


Dhe sa më shumë kërkon,


Ç'kërkon,


Më tepër


E humb.


I MUNDSHMI


-Qenkeni tullac zotëri...


Si duket jeni krehur shumë


Kur qetë i ri...


Dhe xhaketa ju rri ca e ngushtë;


Nga që jeni koprac.


Jam i sigurtë...


Faleminderit, thënkeni përherë,


Si duket paskeni mall


T'ju bëjnë nder...


Po, po jeni servil, k'të e kam gjetur


Se sa herë flas unë


Dëgjon buzëqeshur.


De! Kthehuni tek unë


Pa shih se ç'flokë! -


-Po, po ngaqë ke shumë


Pleh në kokë.


***


Po ç'ke bërë kështu


Të uroftë Zoti... ?


- Po Zoti ka vrarë vehten Kaqëmoti...!


Po, po përgjithësisht


Në jetë e kanë vështirë


Njerzit që fatkeqësisht


Janë të mirë...!


***

... dhe vetëm me rrobat e mia


E me vetminë time


Nën barin e flokëve të mi të thinjur


Nën pleqërinë time


E dashurinë për mëshirë...


Me hijen e mirësisë tënde


Varur në gozhdën e kujtesës së venitur,


E të lodhur nga terri që


Nxjerr prapë gjithë sa hedh


Kujtimi thellë në të..



Poetë francezë, botuar për herë të parë


Sharl Bodler


Pendim i vonët


E zymtë bukuroshe, kur t'shkosh për të pushuar,


Në fund të nj'monumenti krejt në mermer të zi,


Dhe kur s'do t'i kesh më për shtrat e për shtëpi


Veç një bodrumi t'lagët dhe një grope të thelluar;


Kur guri, duke shtypur at'gjirin e fiksuar


Dhe ijet që t'i dredh një e plogësht energji,


S'do ta lejë të rrahë zemrën e të bëjë dashuri,


Dhe këmbët të baresin udhës së dëshiruar,


Varri, besniku im për ëndrrën e pasosur


(Gjithmonë poetin varri do ta kuptojë prore),


Gjatë netëve pa fund e gjumë - syrgjynosur,


Do t'thotë: "Ç'të shërben moj kurvëz shembullore,


Që s'njohe ç'qan njeriu që shkon për jetë të flejë?"


Dhe krimbi si pendimi lëkurën do ta brejë.


(Lulet e së keqes)


Viktor Hygo


LEGJENDA E SHEKUJVE


(fragment)


U përkula. Isha në anën tjetër të ferrit thellë;


Atje dergjej çdo gjëmë me natë mbështjellë


Edhe thirra: - Tiber! - Hë, ç'do? - më tha ai.


-Aty rri. - Mirë. -Neron! Prej Romës tjetër lubi


Tha: - Kush guxon e flet? - Mirë. Atje rri pra!


Thirra: - Sanakerib! Tamerlan! Atila!


-Pse na thirre, ç'do? - u përgjigjën tri gojë tok.


-Aty të rrini. Qepeni. Vetëm pa mik e shok.


U ktheva: Nemrud! - Ç'ke? - Pusho. Prapë thërres:


-Siry, Kambiz, Amilkar, Falaris, Ramses!


-Ç'është? - Aty rrini. Pastaj te modernët kalova


Dhe tërë britmat e guvave me radhë i krahasova,


Pallatet me shpellat, fronet me pyjet përpjetë,


Britmën e tigrit me britmën e Inoçentit t' tretë;


Natë-kob ku asnjë nga fajtorët nuk del,


As Otoni nën togë, as Cerberi nën mantel;


Mendueshëm, u kënaqa që ishin mirë ashtu


Dhe i pyeta: - Kush është më i keqi ndër ju?


Atëherë nga fundi i honit, nga hije e sterrosur,


Ku e keqja nga mllefi i pafund i kanosur


Diku vajt u mërgua dhe u tulat dhe ra,


Satani tha: - Jam unë! - E beson? - Borxhia tha.


Përkthyer, 9 shtator 1975


Alfred Myse

Soneti i fundit


I humba forcën, jetën time


Edhe gëzimin, miqësinë;


E humba madje krenarinë,


Ku thoshin ësht’ gjenia ime


Kur un’ e njoha vërtetësinë,


Ësht’ mike thashë, pa dyshime;


Kur u thellova në mendime,


Në shpirt më ngjalli neverinë.


PO ajo s’vdes, asgjë s’e shuan.


Ata që ikn’ e iu larguan


Në këtë botë asgjë nuk dinë:


Zoti po flet, duhet përgjegjur:


-E vetmja gjë që më ka mbetur


Janë lotët që në breng’ u shkrinë.


Pergatiti : Flori Bruqi

Vilson Blloshmi, torturat e natës së fundit dhe amaneti

Vrasja e dy poetëve, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve si akti më barbar i diktaturës komuniste në Shqipëri



Në kujtim të këtij akti barbar të diktaturës Instituti i Studimeve të Krimeve dhe pasojave të komunizmit në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë do të organizojnë sot 17 korrik 2012, ora 10⁰⁰, një ceremoni në përkujtim të 35 vjetorit të ekzekutimit të dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ceremonia do të zhvillohet në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave e Shqipërisë. Në këtë ceremoni është ftuar babai i poetit, Bradho Blloshmi, familjarët dhe dëshmitari i asaj nate të tmerrshme, Rustem Dashi. Ai rrëfen për gazetën sesi e pa me sytë e tij tragjedinë, pak orë para pushkatimit të poetëve Vilson Blloshmi dhe Gnec Leka. Krahu i paralizuar nga torturat, flokët që i binin vazhdimisht dhe lëkura e rrjepur kanë lënë shenja dhimbjeje edhe sot e kësaj dite tek Rustemi, që iu gjend pranë orëve të fundit në qeli. Ajo për të cilën tregon dëshmitari ka qenë një natë e zezë. Të vëllait të Vilsonit, Bedriut, në qelinë fqinje i hodhën në ushqim diçka që e la 24 orë në gjumë trullosës, që të mos shihte e ndjente gjë

"Njerëzit"... Dy poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka


Bën dimër dhe në sheshin kryesor të qytetit të Librazhdit, njerëzit lëvizin vetëm në një kahe: drejt punëve të ditës. Në hyrje të qytetit, në një lulishte të vogël, dy ikona simbol, dy martirë të demokracisë, viktima të diktaturës së egër komuniste.
Dy njerëz të gdhendur dhe përjetësuar në skulpturë nga skulptori i talentuar shkodran Sadik Spahia: poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Një burrë afër të 50-tave afrohet pranë dy poetëve. E quajnë Medi Leka dhe, pasi vendos një tufë me trëndafila të kuq ndanë dy vëllezërve të tij, siç i quan ai Vilsonin dhe Gencin, afrohet pranë meje me dy pikëza loti nën qepallat e ngrira për shkak të të ftohtit dhe na fton për një çaj.

Nuk kemi kohë. Pasi shtërngojmë duart e njeri tjetrit, në emër të TV A1 Report dhe Shqiptarja.com unë i propozoj të shkojmë në fshatin e lindjes së dy poetëve martirë. Në Bërzeshtë, rreth 20 km larg qytetit të Librazhdit. Ai pranon, hipën në makinë bashkë me ne dhe rrugëtimi bëhet ngjyrë okër, për shkak të gjetheve ndanë rrugës.

Pak histori
Fshati Bërzeshtë është i njohur si fshati i heronjve tashmë. Si fshati i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të cilët, në vitin 1967, diktatura e egër komuniste i vuri në plumb. Vetëm e vetëm pse ata e donin lirinë. I kënduan fshatit të tyre të lindjes, Shqipërisë, diellit, miqve, fëmijëve dhe nënave të tyre të dashura. Vetëm pse ata guxuan ta krahasojnë Shqipërinë me Saharanë. Kjo ishte akuza. Ishte një ditë e bukur maji. Ata ishin lart, tek shkëmbi mbi fshat, kur erdhën dhe i morën. Ata ishin në ëndrrat e tyre.

Poezia e Vilsonit dhe e Gencit ishte një det i madh, një lëndinë me trëndafila të kuq, një fushë e artë me grurë dhe një uragan lirie. Ata, ishin ndër djemtë më të mirëe të fshatit. Dy poetët martirë, Vilsoni dhe Genci, i ngjajnë dy yjeve, zbritur nga universi i lirisë dhe i paqes, që aq shumë ëndërruan…Ne ecim së bashku me Mediun rrugëve të fshatit. Pak para shtëpisë së lindjes së Vilsonit, në një shesh të vogël ku shushurijnë disa burime dhe bën hije një rrap rreth 500 vjeçar, ne ndalemi dhe Mediu na njeh me një banor tjetër të fshatit, me Astrit Blloshmin, nipin e poetit Genc Leka.

Pastaj ne nisemi mes për mes një monopati me baltë, drejt shtëpisë së Vilsonit. O Zot, çfarë trishtimi. Shtëpia dykatëshe është braktisur prej vitesh. Muret kanë nisur të zhvishen nga suvaja dhe dritaret me xhama të thyer, diçka fshehin me dhimbje përtej dhomave të zbrazura.

“Unë dhe Astrit vinim shpesh tek shtëpia e Vilsonit, thotë Mediu. Ai kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra dhe, veç kësaj, unë i kërkoja ndihmë Vilsonit për të zgjidhur problemat e matematikës. Vilsoni nuk ishte vetëm poet. Ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve dhe kurdoherë i papërtuar me ne më të vegjlit. Aso kohe unë isha në klasën e 5-të.” “Ndërsa unë, shpesh zhytesha në poezitë e tij dhe vetëm kur ishte bërë shumë vonë, kujtohesha të ngrihesha nga tavolina e Vilit dhe natën, nëpër errësirë, shkoja në shtëpi.

Kujtoj këtu si ai lexonte dhe përkthente poetin francez Charle Bodler me “Lulet e së keqes”. M’i lexonte plot pasion poezitë dhe tundte kokën, duke më thënë: është i ndaluar dhe, po morën vesh se ne lexojmë Bodlerin, do të na ndëshkojnë rëndë…Dhe ashtu ndodhi vërtet. Pak vite më vonë, atë e arrestuan bashkë me nipin tim, Gencin. Poezia e tyre i verbonte, i çmendte. Ata ishin disidentë dhe hapur shpreheshin, se ëndërronin një jetë në liri, në paqe, në bashkëjetesë me të gjithë popujt e botës. I vunë në pranga dhe i burgosën. Pastaj, i pushkatuan. Krismat e armëve të diktaturës, edhe tani më buçasin dhe më çpojnë në zemër…” Disa shtëpi më poshtë se ajo e Vilsonit, ndodhet shtëpia e motrës së poetit Genc Leka, Manushaqes.

E cila është gjithashtu edhe nëna e udhërrëfyesit tonë, mësues Astritit. Zemra e kësaj nëne dhe e motrës së poetit, Gencit, ka vuajtur shumë në jetë. Në fillim, ishte babai ai që u arratis nga Shqipëria, për një jetë më të mirë. Më pas, asaj i arrestuan burrin, Demirin dhe i pushkatuan vëllain, Gencin, si armik të diktaturës komuniste. “Çfarë të kujtoj?” - psherëtin Manushaqja. “Ishim të vegjël, babai ishte arratisur dhe nënën na e morën. Ne, tre fëmijët, ngelëm vetëm. Urritëm në shtëpitë e fqinjëve dhe farefisit. Genci mësonte shumë, ishte nxënës i 10-tave.

Kur mbaroi shkollën e dërguan arsimtar në një fshat të largët, afër Steblevës. Unë shkoja e takoja me mall. Derisa një ditë e pushuan nga puna dhe ne të dy filluam të punojmë në kooperativë. Por ai, nuk hoqi dorë kurrë nga librat dhe nga poezia. Miqësia me Vilsonin e burrëroi më shumë dhe e bëri ëndërrimtar. Dita kur erdhën e morën, më ka shkaktuar një plagë të madhe në zemër. Nuk e pashë më, asnjëherë. As të pushkatuar. Diktatura na ndau për së gjalli e për së vdekuri…Ah, po. Po këndonin të dy me kitarë tek shkëmbi, kur i morën…” - kujton Manushaqja. Kujtime të trishta, dhimbje në trajtë loti…

Bërzeshta
Ndërkaq, jeta në fshat vazhdon. Dhe unë, së bashku me Mediun dhe Astritin vizitojmë një prej banorëve të fshatit dhe familjen e tij: Kadri Lekën. Kadriu me profesion është veteriner dhe ka një ekonomi të mirë në familjen e tij. Ai thotë se jetojnë mirë në fshat dhe se, ka ardhur koha që pushteti lokal të ndihmojë më shumë në punët e bujqve dhe blegtorëve të fshatit. Kadriu është njeri shumë punëtor, ka ngritur një shtëpi të re, mban me duart e tij kopshtin e shtëpisë, disa lopë dhe shpendë dhe nuk ankohet. Por, shton ai, fshatit i mungon një muze për dy poetët martirë. Fshati Bërzeshtë është shumë i bukur, shton ai. Me drurë frutorë, me pjergulla rrushi, me rrapin e madh dhe me histori të madhe. Në Bërzeshtë, thotë Kadriu, shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1913, fill pas Normales së Elbasanit dhe po nga ky fshat kanë dalë deputetë të qeverisë së Ismail Qemalit dhe qeverive të tjera të para Luftës së 2-të Botërore. Pikërisht për këto tradita, që ne duam t’ua tregojmë edhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë botës, ne mendojmë se Ministria e Kulturës dhe ajo e Turizmit, duhet të ndërtojnë një muze në fshat…”
Image result for vilson blloshmi
Kënga për dy poetët

Kur mbi fshat fillon të bjerë mbrëmja, ne rikthehemi sërish në qytetin e Librazhdit. Malli për Vilsonin e sjell Mediun në një tryezë të thjeshtë, për të shfletuar dhe kujtuar fotot dhe poezitë e mikut të tij të paharruar. Pimë një kafe së bashku dhe ai, si udhërrëfyesi ynë, propozon të shkojmë Pallatin e Kulturës së qytetit. Një tjetër mik, artist edhe ky, kompozitori i talentuar Naim Gjoshi, na prêt në studion e tij modeste. Disa vite më parë, ai u ka kushtuar dy poetëve martirë një këngë zemre. Naimi është në pjano dhe tingujt e saj përmbytin studion.

Pasi përqafohet me Mediun dhe ky i fundit i flet edhe për ne dhe udhëtimin tonë në Berzeshtën e vendlindjes së dy poetëve martirë, ai hesht për disa çaste. Pastaj, psherëtinë thellë dhe, nis të luajë në piano këngën dhe bashkë me gishtrinjtë e duarve që i dridhen nga emocionet, edhe këndon vetë…”Buçet, buçet Shkumbin’ i shkretë/dhe vetëtin edhe gjëmon/thellë honeve thërret/Genc ku je, ku je Vilson?...” Tingujt e këngës dhe zëri i Naimit arratisen jashtë dritareve nëpër mbrëmjen e ftohtë të dimrit.

Jasht janë ndezur dritat dhe qyteti ka nisur të marrë frymë thellë me zjarret e ndezur dhe përmes oxhaqeve, që tymojnë. Ishim me dy poetët martirë sot. Më Vilsonin dhe me Gencin. Dy portretet e tyre ngrihen lart në qiell, si dy tollumbace dhe ndrijnë, si dy yje të kuq. Ëndrrat e tyre për liri, demokraci, paqe dhe dashuri të pastra njerëzore, nuk mund të shuhen, kurrë…

Charle Bodler

Kujtoj këtu si ai lexonte dhe përkthente poetin francez Charle Bodler me “Lulet e së keqes”. M’i lexonte plot pasion poezitë dhe tundte kokën, duke më thënë: është i ndaluar dhe, po morën vesh se ne lexojmë Bodlerin, do të na ndëshkojnë rëndë…

Fshat me tradita

Në Bërzeshtë, thotë Kadriu, shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1913, fill pas Normales së Elbasanit dhe po nga ky fshat kanë dalë deputetë të qeverisë së Ismail Qemalit dhe qeverive të tjera të para Luftës së 2-të Botërore.

Image result for vilson blloshmi


Vilson Blloshmi dhe Genc Leka: Shënime nga dosja hetimore

Homazh dy poetëve simbol të disidencës; më 17 korrik, është datë përkujtimore nga dita e pushkatimit të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Vrasja e tyre ka hyrë në histori si akti më barbar i diktaturës. Për këta dy poetë ekziston dosja më e plotë e nxjerrë nga SHIK-a dhe arkiva, por deri tani asnjë nuk është vënë në bankën e të akuzuarve për këtë krim si dhe ftohtësia e studiuesve është mjaftuar me të vetmin botim të plotë në fushë të letrave që lidhet me zbulimin dhe publikimin e veprës letrare të Vilsonit në tri blloqe, si dhe botimi i punës kërkimore në fushë të gjuhësisë i Genc Lekës, të përvetësuar nga gjuhëtarët e Institutit të Gjuhës

Vilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë shënim për idetë e tij për jetën dhe artin. Më poshtë janë mendimet e tij të nxjerra nga dosja hetimore. Gjithsesi, këto mendime të dhëna në hetuesi kërkohet që të merren me rezervë nga monografi Bejko, por edhe kështu ato cilësohen vlerë për t’u bërë të njohura. Këto janë fragmente të nxjerra nga deponimet e ditëve të para në hetuesi. Shkëputur nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, 8.8.1976, f. 213.

“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në rrethana kam shkruar poezinë:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur



Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore.

Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret, si…

Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitet kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit. Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjesht punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime.

E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik, edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.

Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e gjërave i kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.

Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Me këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjekë njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.

Unë shpeshherë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.

Në datën 2 dhjetor 1973, unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time, dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë në brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…

(fragment nga procesverbalet e hetuesisë)

Tri blloqe, vepra letrare

Në vitin 2007, kur u është bërë një letër-kërkesë tjetër zyrtarëve të arkivave për herë të parë, familja arrin të sigurojë tri blloqe me dorëshkrime të Vilsonit

Blloku i parë

Blloku i parë në 82 faqe fletoreje të shkruar me stilograf nga dora e Vilsonit përmban sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë si: Sokrati, Aristoteli, Epikur Hegeli, Paskal etj., si dhe nga shkrimtarë e njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore si Euripidi, Virgjili, Dante, Shekspiri, Bajroni, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Dostojevski etj., fragmente esesh nga E. A,POe, V.Hygo, P. Claudel, si dhe poezi si tip antologjie të vogël me autorë si Bodler, Rembo, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Francis Karko, Apolner dhe Pol Gerald, si dhe 14 poezi dhe 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët”. Të gjitha këto janë shkrua në frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi, duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentenca nga Sami Frashëri, sentenca nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragmenti prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” të Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse.

Blloku i dytë

Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, nis me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Mendohet nga studiuesi se ky libër mund t’i ketë rënë Vilsonit në dorë përkohësisht. Ai ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe në shqip ka dhënë përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Në këtë bllok të dytë, sipas kronologjisë kohore, vendin më të madh e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit, “Pendim i vonët” pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit, si dhe vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.

Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranis

Blloku i tretë

Ky është blloku më i vëllimshëm, pasi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadigu” të Volterit. Nuk dihet në ç‘rrethana i ka rënë në dorë novela, – thotë Bejko, – dhe përse mund ta ketë përkthyer Vilsoni. Në fund të përkthimit është vënë shënimi 18 prill 1970, kohë kur ai ishte ushtar në brigadë pune, aty ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe të gjithë ata me biografi të keqe. “Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vite të shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes”. Bejko na tregon se novela “Zadigu” është në dorëshkrim dhe mbi të është punuar për ta redaktuar, dhe plotësuar në pak fjalë e fraza. Ky përkthim mendohet se vjen në shqip për herë të parë i plotë. Kemi një përkthim të “Zadig”-ut prej Vedat Kokonës te libri i Volterit, “Novelat” botuar në 1990. Këtë botim Bejko detyrimisht e ka krahasuar me përkthimin e Blloshmit dhe na tregon se tek “Zadigu” i Kokonës mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit.

A është poezia “Saharaja” kryevepra e Vilson Blloshmit?!
Pjesa nga intervista për “standard” me poetin Agron Tufa, për disidencën dhe hierarkinë letrare pas zbulimit të veprës së Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës?

Ekspertizën e Vilsonit dhe Gencit e kanë bërë emra si Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu apo Diana Çuli. A nuk është kjo kategori emrash që vazhdojnë të bëjnë pedagogun, studiuesin, kritikun, shkrimtarin në letërsi edhe sot, që mund të bllokojnë dhe arkivin e SHIK-ut?

Sigurisht që janë. Por unë nuk mund të hyj në një teori të tillë konspiracioni sepse nuk mund ta them. Nga ana tjetër, fakti që SHIK-u vazhdon të mbajë vepra, qofshin këto gjuhësore, memuaristikë, letërsi, dorëshkrime, poezi etj., kjo është thjesht të mbash peng një epokë të tërë që presupozohet të jetë e lirë, demokratike. Në pikëpamjen e atyre njerëzve që janë gjallë dhe që kanë pjesëmarrës në atë që unë e quajta ritual i kryqëzimit, ne kemi shumë. Janë persona publikë tepër të nderuar dhe nuk ke çfarë u bën. Në fund të fundit që këtu fillon deformimi i pikëvështrimit të të drejtave të njeriut. E drejta e njeriut presupozon dhe të drejtën e kriminelit, kështu që ne hyjmë në një qorrsokak. Ata kanë krijuar imunitetet përkatëse që s’ke çfarë u bën. Është një dava e humbur, që nuk është bërë në kohën kur duhej bërë.

Nga Vilson Bloshmi deri tani janë zbuluar tri blloqe fletoresh me poezi dhe krijimtari të përkthyer. Me aq material letrar sa kemi në dorë, të botuar, që ju thatë në takim se mund të parashikohej një poet i fuqishëm, a mund ta marrim si krijues letrar të përfunduar për t’i dhënë vend në hierarkinë e vlerave poetike?

Do të jem krejt i sinqertë me veten, duke gjykuar se edhe unë me këtë sy e kam lexuar e stërlexuar duke u përpjekur t’i caktoj në kokën time hierarkinë e vlerave poetike, një pozicionim. Po këtu hyjnë disa faktorë që na pengojnë ta themi këtë.

Ai mbetet një herë poet, siç e lexojmë sot, mbetet një zë origjinal, një lirik i hollë, i nginjur, plot asosacione verbale nga kultura botërore dhe shqiptare, ka një ndjeshmëri krejt origjinale. Janë poezi të një faze me magjepsje nga romantizmi, dhe krijimi i një personaliteti të kohës në poezi – me regjistër të ndryshëm, stilistikë, diksion zëri, forma, një shprishje si të thuash e klasicizmit dhe romantizmit drejt modernizmit, që shfaqet me mendime të papërfunduara, me struktura të papërfunduara të vjershës, rimës që nuk janë rima, me kadenca të fuqishme, duke i lënë gjithnjë e më tepër udhë mendimit. Në tërësi, me kaq poezi sa kemi, se quaj poezi dhe shqipërimet që janë shumë autentike, për të cilat duhet një diskurs i veçantë, mendoj se Vilsoni ka krijuar me një libër një vend tepër të nderuar, që nuk e ka luksin ta ketë kush tjetër në poezinë shqipe.
Related image
A mendoni, ashtu siç qarkullon, se poezia “Saharaja” është kryevepra e Vilson Blloshmit?

ër mua jo. Për mua gjërat shihen në sistem, nga tërë formacioni poetik, nga poezia në poezi, nga vargu në varg etj. Ajo më tepër është gjykuar kështu sepse ka pak më shumë simbolikë. Por nuk besoj se edhe Vilsoni vetë e kishte si model. Tendenca ishte, si një poezi pure, midis parnasianëve – artit të kulluar të së bukurës, të artit për art, të Teofil Gotjesë, të cilin e donte shumë – dhe botëvështrimit të realiteteve si gjë në kalbëzim dhe fermentim të vazhdueshëm, që është si poetika e Bodlerit. Dhe më vonë në poetë të tillë si Malarme etj. ai rrekej dhe punonte shumë për të krijuar një estetikë krejt vetjake personale, pasi kishte guxuar tashmë se nuk mund të shpresonte jashtë ndërmarrjeve të veta private. Besoj se këtë po arrinte, ishte një urë ndërmjetëse dhe kjo është fatkeqësia se ky sistem i ndërpreu dhunshëm, m’u në pikën që ky po hapej dhe po tregonte tërë energjitë dhe produktivitetin e vet.

Bedri Blloshmi: Ja cilët e pushkatuan!

“Kjo është edhe arsyeja kryesore dhe s’ka si të ndodh ndryshe, që nomenklatura e kuqe nuk fal, nuk duron po arrite ta prekësh, sadopak, në kallo. Përnjëherë u dha urdhri: “Të ngrihet një grup pune me bashkëpunëtorë të niveleve dhe gradave të ndryshme të Sigurimit”. Ja çfarë gatuan bashkëpunëtorët e tij.
Image result for vilson blloshmi
Janë shpallur disa herë në media cilët janë personat në “ekipin vrarës të dy poetëve” . Që nga sekretari i parë, muratori Sotir Koçollari, deri në Tiranë me ekspertët letrarë, Myzafer Xhaxhiu, Koçi Petriti dhe Diana Çuli. Pa harruar edhe të dërguarin nga Ministria e Brendshme, Dhimitër Beshirin. Mirëpo botimi i Librit për poetët e pushkatuar, Vilsonit dhe Lekës, shkruar dhe përgatitur nga i mirënjohuri Sadik Bejko, pati edhe një çudi para se të dilte në dritë. Sponsorizimi i premtuar nga Instituti i të Përndjekurve Politik, për botimin e tij, nuk u realizua, kjo për arsyen e thjeshtë sepse në këtë Institut, për fat të keq ka ende nga ata me pseudonime, si KODI I PUNËS = SEIT PRISHTA, etj….Burime të sigurta më informuan se, Kodi i Punës, së bashku me spiunët e tjerë Myzafer Xhaxhiu, Koçi Petritin, Diana Çulin dhe Bilbil Camin, shërbëtor të bindur të “padronëve” të dikurshëm, për të justifikuar vjedhjen e parave të caktuar për botimin e librit “ Poetët e Pushkatuar për të hequr nga qarkullimi një sërë dokumentesh autentike, kanë botuar një libër tjetër, pa asnjë autorizim, siç thuhet “ ….me pëlqimin familjarëve të poetëve…. “

Libri i tyre nuk disponon asnjë nga këto materiale:

1- Protokollin e sekretarit të parë të Librazhdit, Sotir Koçollari, që ka marrë vendimin për të vrarë Gencin dhe Vilsonin.

2- Akt-ekspertizën e Diana Çulit për poezitë e Gencit.

3- Akt-ekspertizën e Myzafer Xhaxhiut për materialet në frëngjisht të Vilsonit.

4- Akt-ekspertizën e Koçi Petritit për poezinë “Saharaja”, po për Vilsonin.

Diana Çuli, në një takim me kunatin e Gencit, Bilbil Camin, kanë rënë dakord, për të hequr të gjitha këto dokumente, që Bilbili të shpërblehej me postin e drejtorit në Bibliotekën e Qytetit “Studenti”. Dhe Seit Prishta të vazhdojë të punojë“ ende në Institut për të botuar vetëm librat e bashkëpunëtorëve të tjerë, si Koçi Petritit me shokë.. Dhe, si gjithmonë, kontrolli i shtetit i vë vulën. “Çdo gjë në rregull!”. Le të shpresojmë që kjo çerdhe spiunësh s’do t’ia arrijë kurrë që librin e botuar trupërisht ta shpërndajnë si aktin e një krimi të fshehur”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...