Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/09/07

Autocensura si peng i diktaturës



Nga Agim Baçi.

“Vuajmë ende hijet e tejzgjatuna të sistemit kriminal stalinian që trullosi mendjet tona”. Kështu shkruante ditë më parë në “Panorama” Sami Repishti, një nga ata që vuajti vetë për 10 vite ferrin shqiptar të diktaturës, por që nuk reshti kurrë që të kërkojë nga shoqëria shqiptare që të guxojë të hedhë sytë nga e shkuara nën diktaturë për ta lexuar atë me gjithë tronditjen e madhe të saj.

autocens-001

Ai ka vijuar të këmbëngulë se jemi peng i hijeve të së shkuarës, duke gënjyer vetveten se e shkuara mund të kalojë përmes harresës. Fatkeqësisht, ai kishte të drejtë për frikën e tij ndaj hijeve të së shkuarës, teksa pa me sytë e tij, disa muaj më parë, kur një nga ish gardianët-dhunues ndaj tij dhe At Zef Pllumit e preku dekorimin.

Por zërat të cilët kanë evidentuar fuqimisht të shkuarën, si At Zef Pllumi, Ejll Çoba, Spartak Ngjela, Lek Pervizi, Agim Musta, apo shkrimeve në shtypin e shkruar nga Sami Repishti, Uran Butka, Nebil Çika, Kastriot Dervishi e shumë emra të tjerë, kanë mbetur në hije përballë furisë së ish-drejtuesve të kohës së diktaturës për të na rrëfyer historitë e tyre, kurorëzuar së fundmi me guximin e vejushës së ish-diktatorit, Nexhmije Hoxhës, për të na rrëfyer “mrekullitë” e dashurisë së saj në televizione e gazeta.

Paradoksalisht nga ajo që nuk kemi mundur ta realizojmë ne si shoqëri, duket se janë ambasadorët e SHBA-ve, OSBE-së apo ambasadori gjerman, që përsërisin pareshtur se shqiptarët nuk duhet të harrojnë të shkuarën, pavarësisht hapave që kanë hedhur. “Shqiptarët nuk duhet të harrojnë padrejtësitë e sistemit komunist”, u shpreh dy muaj më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, gjatë seminarit “Shqipëria, 25 vite pas komunizmit: rindërtimi i shtetit dhe i shoqërisë”.

Në të njëjtën kohë, përfaqë- sia e OSBE-së në Tiranë ka mbështetur idetë mbi dekomunistizimin, ndërsa ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, ka qenë ndoshta edhe më aktivi në këtë përpjekje, kur ka marrë pjesë dhe ka mbështetur projekte, si në rastin e mbështetjes së një prej pjesëve teatrale më përfaqësuese të asaj çfarë ka ndodhur me të shkuarën shqiptare, dramën “Ata hyjnë pa trokitur” të regjisorit Armando Bora.

Hoffman nuk e fshehu tronditjen kur u përball me këtë shfaqje verën e shkuar në Voskopojë, në një aktivitet të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut drejtuar nga znj. Elsa Ballauri. Aktorët Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka e kishin shtangur teksa luanin një nga fytyrat më dramatike të komunizmit, kur njeriu priste veçse ndëshkimin. Një shfaqje pa emra njerëzish apo vendesh, pa mllef apo urrejtje, por e ngarkuar me tërë tmerrin që vinte nga absurdi i një shoqërie të dehumanizuar.

E tillë është ligësia që vjen nga mungesa e lirisë, nga mungesa e njeriut për të besuar dhe për të ëndërruar. Personazhi pret ndëshkimin vetëm sepse nuk është treguar entuziast në një situatë banale me shefin, kur ai po ndëshkonte të atin se vdiq gjatë gjumit të drekës dhe jo duke ndërtuar veprat e socializmit. Menjëherë pas shfaqjes, Hofmman deklaroi se do mbështeste përhapjen e kësaj shfaqjeje, ndërkohë që përfaqësuesja e OSBEsë mori përsipër të sugjerojë rihapjen e një diskutimi lidhur me domosdoshmërinë e debatimit të krimeve të së shkuarës.

Falë këtij sensibilizimi, shfaqja e absurdit të diktaturës shqiptare, shkruar dhe vënë në skenë nga Bora, pritet të luhet në Athinë, Paris, Hagë, Berlin. Si për të thënë se, pavarësisht se kemi qenë vetëm një pjesë e vockël në botën e absurdit, mund të jemi shembull për shumë qytetarë të botës, për t’u treguar se si përmes mungesës së plotë të lirisë, përmes autocensurës, mund të arrijmë në pikën më të fundit të pikëpyetjeve mbi qenien tonë. Për këto leksione kemi nevojë të gjithë, e sidomos të rinjtë, të cilët kanë nevojë të mësojnë të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve.

Përpjekja e atyre njerëzve që nuk e kanë prekur këtë të keqe në jetët e tyre, por që mjafton vetëm ta përfytyrojnë atë, është një thirrje për të kthyer sytë një herë e mirë nga ky debat e për të kuptuar se nuk do të jemi kurrë të qetë, për sa kohë nuk kemi guxuar të lexojmë të shkuarën. Sepse çdo gabim i moslexuar mund të rrezikojë të na rikthejë tek ato hije, tek e cila vë theksin Repishti.

Bota e qytetëruar, pavarësisht hapave të jashtëzakonshëm që ka hedhur në drejtim të të drejtave të njeriut, të raportit me lirinë, nuk ka harruar kurrë të kujtojë se, shumë të shkolluar në Rusi, Hungari, Çeki, Gjermani, Itali e shumë vende të tjera, ishin përkrahës të makinave çnjerëzore si komunizmi, nazizmi e fashizmi dhe që u dhanë jetë diktaturave, duke rrëzuar çdo ditë vetveten e duke tundur kokën përballë çdo humbjeje lirie dhe krimi.

Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri për 50 vite, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish. Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar.

The Guardian: Enver Hoxha ende ka një hije në Shqipëri

bustieh

Në kuadër të sezonit turistik, mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar rëndësi Shqipërisë dhe kanë shkruar artikuj për vendin tonë, duke e rekomanduar si një ndër destinacionet ideale për pushime. Këtë herë, gazeta “The Guardian”, ka zbritur në vendin e Shqiponjave për të prezantuar për lexuesin e saj, kohën komuniste dhe vendet që tashmë shërbejnë si pika kryesore turistike. Ja çfarë shkruan gazeta: “Bunkerë nga epoka e pasluftës ende janë një peizazhi mbeturinave në Shqipëri dhe në kryeqytet, janë hapur për publikun e kaluara komuniste”.

Më tej më shkrim thuhet se; Shqipëria ka plazhe të mrekullueshme, sidomos luginat e thella, dhe është e pasur ende pas 25 vitesh të rënies së regjimit, ku me dhjetëra mijëra bunkerë ekzistojnë ende. Një detaj ky që shumë media ndërkombëtare marrin inspirimin për të shkuar e për të realizuar një reportazh. Por ironia nuk mungon kur bëhet fjalë pikërisht për bunkerët, ku nënvizohet se: “Ato janë ndërtuar për t’i bërë ballë pushtuesit i cili kurrë nuk erdhi”.

Një tjetër element është dhe Bunk’Art, një bunker i madh i ndërtuar në periferi të kryeqytetit të Tiranës, që shërbente për akomodimin e Hoxhës dhe miqve të tij në rast sulmi.

Disa nga dhomat janë përdorur për të treguar historinë e kohëve të diktatorit përmes fotografive, objekteve dhe dokumente.Dhomat e tjera janë përdorur për art por shumica janë të zhveshura.Në zemër të bunkerit është një sallë e kuvendit, i projektuar për qeverinë e Hoxhës por tani përdoret për koncerte të xhazit.

Të gjithë këtë pamje, gazeta e cilëson si një dalje në dritën e diellit, e ku po merr frymë të freskët mirënjohëse.

Bunk’Art do të bashkohen së shpejti me pika të tjera të fshehta, të kthyera në vende turistike. Shtëpia e Gjetheve në qendër të Tiranës, ishte për policinë sekrete të Sigurimit, zemra e rrjetit të përgjimeve të regjimit. Muzeu ka në plan për të strehuar një koleksion të pajisjeve të spiunëve të luftës, dhe valixhet me kamera të fshehta.

Disa qindra metra larg është bunker i madh në qendër të qytetit, në sheshin Skënderbeu. Ajo përdoret për të lidhur të gjitha ministritë dhe do të hapet për publikun në fillim të vitit të ardhshëm.

Gazeta reportazhin e saj e mbyll me një fjalë: “Hoxha ende ka një hije këtu”.

Zhgënjimi pas komunizmit dhe fundi i lirisë

komunizmi-lindje

Ivan Karstev/The New York Times.

Revolucionet në Europën Lindore kundër komunizmit janë vlerësuar si më të mirët në llojin e vet. Në shumicë paqësorë, ata ndihmuan në dhënien e dy çmimeve Nobel për paqen. Të parin e mori Les Valesa, lideri heroik i Sindikadës së Tregëtisë “Solidarnost” me 10 milionë anëtarë, në Poloni, më 1983; shtatë vjet më vonë, lideri i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçovi, u vlerësua për kurajën të pranonte falimentimin ekonomik, politik dhe moral të regjimit të vjetër.

Këto dy figura politike – z. Valesa, i cili u bë presidenti i parë i Polonisë i zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe z. Gorbaçov, i cili shërbeu si lideri sovjetik i fundit – janë bërë që atëherë simbolet më të fuqishme të 1989-ës. Tani statusi heroik i të dyve, dhe trashëgimia e këtyre revolucioneve, po vihen në dyshim.

Gorbaçov është akuzuar për tradhëti të vendit të tij, dhe z. Valesa për tradhëti të bashkëpunëtorëve të tij antikomunistë.

Në Rusninë e Vladimir Putinit, urrejtja kundër 1989-ës është kaq e madhe sa kur drejtori i filmit, besnik i Kremlinit, Nikita Mikhalkovi denoncoi kohët e fundit politikat e z. Gorbaçov që çuan në rënien e Bashkimit Sovjetik si “krim i vërtetë”, publiku nuk e lëvizi qerpikun – njerëzit mendonin se ai tha atë që dihej.
Lajm bëri fakti që një humorist, që u prezantua si z. Mikhalkov, telefonoi z. Gorbaçov dhe i kërkoi falje. Të gjithë qeshën me fituesin e çmimit Nobel, që e pranoi me mirënjohje faljen që nuk iu kërkua kurrë. Rusët nuk janë nostalgjikë të vërtetë të komunizmit, por ata dëshirojnë kohën kur Bashkimi Sovjetik ishte superfuqi. Në Rusi, 1989-ta nuk simbolizon fitoren mbi komunizmin, por humbjen dhe poshtërimin para perëndimit.

Thuajse në të njëjtën kohë me çështjen Gorbaçov, Instituti i Kujtesës Kombëtare në Poloni publikoi dokumente, disa prej tyre të marra nga vejusha e ministrit të Brendshëm të fundit të komunizmit, që ringjallnin pretendimet se z. Valesa ishte informator i shërbimit sekret në vitet 1970. (Më 2000 këto akuza ishin hedhur poshtë nga një gjykatë.) Valesa i quajti dokumentet “fabrikim” dhe mijëra njerëz dolën në rrugë në Varshavë, Gdansk dhe qytete të tjera polake në mbojtje të ish-liderit të Solidarnostit. Por qeveria polake, e drejtuar nga Partia Ligj dhe Drejtësi e Jaroslav Kaczynskit, nuk pranoi ta mbronte, duke këmbëngulur se “ndoshta legjenda [e Valesës] mund të mos mbrohej dot më.”

A mund të jetë dikush i sigurt që z. Valesa nuk ka bashkëpunuar kurrë me policinë? Të jem i qartë, jo. Ka shumë mundësi z. Valesa, si shumë të tjerë, bëri marrëveshje të ndryshme të vogla me autoritetet në vitet 1970 për të siguruar lirinë e tij pasi u arrestua për veprimtari pro-demokratike.
Por demonstruesit në rrugë, disa prej tyre anëtarë të vjetër të Solidarnostit, e dinë që policia sekrete mund të krijonte dokumente të fabrikuara për të diskredituar kundërshtarët. Dhe të njëjtët demonstrues e kanë të qartë se mrekullia e Solidarnostit nuk do të kishte qenë e mundur pa liderë si z. Valesa.
Megjithatë, çështja kryesore është se njerëzit në rrugët e qyteteve të mëdha të Polonisë sot mbrojnë diçka më të madhe se z. Valesa – trashëgiminë e 1989-ës. Ata dyshojnë se qeveria po përdor sulmin ndaj z. Valesa për të deligjitmuar demokracinë liberale.

Dhe duket se ata kanë të drejtë. Antoni Macierivic, ministri i mbrojtjes i i Polonisë, deklaroi hapur që dosja e z. Valesa tregon që “Polonia postkomuniste ishte produkt i shërbimit sekret dhe jo i institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.”
Të mbrosh revolucionin e 1989-ës në Rusinë “e mundur” është e lehtë. Por pse është kaq e vështirë të bësh të njëjtën gjë në Poloninë fituese, ku njerëzit janë më të lirë dhe më të begatë se kurrë më parë dhe ku Solidarnosti është një ikonë kombëtare?

Ironia e valës së tanishme të revizionizmit është se 1989-a hidhet poshtë për të njëjtat arsye që ajo është nderuar prej kohësh, specifikisht mungesën e radikalizmit. Fakti që u zgjodh integrimi i elitave të vjetra dhe jo persekutimi i tyre rezulton të jetë, njëherësh, arritja jetëgjatë e revolucionit dhe thembra e tij e Akilit.
Populzimi i ethshëm që përparon në Poloni, Hungari dhe pjesë të tjera të Europës Lindore është një rebelim kundër të moderuarve dhe moderacionit. Ngjarjet e 1989-ës dënohen si jo më shumë se një kurth për të kthyer pushtetin politik të elitave në pushtet ekonomik (si kënga e grupit Who që thotë “tako pronarin e ri, i njëjtë me të vjetrin.”)

Sipas kësaj narrative, 1989 shënon jo çlirimin e popullit, por të elitave komuniste. Ato u çliruan nga frika (e spastrimit të partisë dhe reagimit antikomunist), faji, ideologjia, zinxhirët e komunitetit dhe madje nga besnikëria kombëtare – më parë ata kishin privilegjin të udhëtonin; tani ka të drejtë të jenë pjesë e Perëndimit. Më parë drejtonin vendin, tani janë pronarë të tij. Pushteti në hije i elitave të vjetra është kthyer në shpejgimin e fundmë për gjithçka që shkoi gabim pas 1989-ës – rritja e pabarazisë, tradhëtia e pritshmërive.

Politika e zemërimit e z. Kaczynski, si politika e urrejtjes e z. Putin, u pëlqejnë brezave të rinj, të cilët jetojnë në një botë ku historia nuk ka më rëndësi. Ata kanë Google dhe telefona smart, por nuk kanë durim për ndërlikimet morale të periudhës komuniste, dhe kështu as dëshirë për të kuptuar çfarë bëri faktikisht zoti Valesa në vitet 1970, ose me çfarë zgjidhjesh përballej z. Gorbaçov në vitet 1980. Për brezat që nuk kanë përvojë personale në përballjen me natyrën shkatërruese ose vetëshkatërruese të politikës revolucionare, moderacioni as i frymëzon dhe as nuk justifikohet.
Heronjtë e 1989-ës shkëmbyen paqen me drejtësinë. Ky ishte një kompromis fisnik. Kurse sot, kur paqja merret si e mirëqenë, ajo që mbetet është vetëm deficiti i drejtësisë.

Lazer Stani: Hapja e dosjeve proçes i vonuar


Lazer Stani, duke folur gjate nje ceremonie festive te organizuar me rastin e 25 vjetorit te themelimit te gazetes Rilindja Demokratike, RD, organ i Partise Demokratike./r/n/r/nLazer Stani, speaks during a festive ceremony organized to mark the 25th anniversary of the founding of the Democratic Revival newspaper, RD, an organ of the Democratic Party.

Nga Valeria Dedaj

Procesi i hapjes së dosjeve është një ndër nismat më të diskutuara në Shqipëri. Por, çuditërisht ky proces, nuk është aq fort i diskutuar nga viktimat, të cilët duhet të kërkojnë të njohin xhelatët e tyre, sesa nga individë që nuk janë të papërfshirë drejtpërdrejtë. Këta të fundit “në të mirë” të kësaj nisme publikojnë vazhdimisht materiale arkivore, që trajtohen si e vërteta përfundimtare rreth një ngjarje të caktuar. Por a mjafton kaq? Çfarë ndodh realisht me një dosje? Si sigurohen këto materiale që publikohen? A duhet lexuesi t’i marrë, si të mirëqena plotësisht? Përse më të kritikuarit për krimet e komunizmit janë artistët dhe shkrimtarët? Cila është puna që duhet të bëjnë historianët për hapjen e tyre etj., janë vetëm disa çështjet, që shkrimtari dhe publicisti Lazër Stani trajton në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”.

Zoti Stani, fillimisht do donim të dinim se cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve në Shqipëri?

Hapja e dosjeve të ish- policisë sekrete të diktaturës, Sigurimit, është një proces i vonuar, i zvarritur në kohë, aq sa duket se nuk do të ndodhë kurrë, ose edhe në ndodhtë, do të jetë i pjesshëm, periferik, aq më tepër që arkivat, siç thuhet, janë abuzuar, dëmtuar, keqtruajtur, me qëllimin e vetëm që të fshihet e shkuara kriminale, monstruoziteti i një regjimi shtypës, vrasës, i pamëshirshëm, çnjerëzor. Kam qenë nga të parët që kam firmosur një peticion së bashku me Visar Zhitin dhe intelektualë të tjerë ku kërkohej hapja e dosjeve që në vitet nëntëdhjetë, ashtu siç u veprua në disa nga vendet e Lindjes ish- komuniste, si në Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki, Poloni, Hungari etj., por rezistenca për moshapjen e dosjeve ishte shumë e madhe, gjithmonë shpikeshin argumente të ndryshëm për t’i mbajtur të kyçura këto dosje. Shkurt; mungonte vullneti për hapjen e dosjeve, sepse në të vërtetë mungonte vullneti për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara diktatoriale.

Në dy momente vendimtare të historisë tonë, ne na ka munguar guximi si popull të shkëputemi përfundimisht nga e shkuara: pas shkëputjes nga Perandoria e rrënuar Osmane, ne u përpëlitem shumë vite midis të shkuarës dhe projektit të së ardhmes europiane të kombit shqiptar. Njëjtë u sollëm edhe pas përmbysjes së diktaturës. Na mungoi guximi të shkëputemi një herë e mirë nga diktatura, ndaj gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit përpëlitemi midis të shkuarës diktatoriale dhe të ardhmes demokratike, duke u sunduar nga diktatorë të vegjël, që sillen e veprojnë si pashallarë, politikisht të dëmshëm dhe qesharakë në përmbajtje. Pikërisht për këtë mendoj se hapja e dosjeve është një hap i rëndësishëm për shkëputjen nga e shkuara. Ne duhet të kemi aq guxim si shoqëri sa t’i thërrasim gjerat me emrin e vet: të zezës t’i themi e zezë dhe të bardhës e bardhë.

Duket sikur procesi i hapjes së tyre (dosjeve) është kthyer në mision në vetvete, edhe kjo jo aq shumë nga viktimat, që kërkojnë të njohin xhelatët e tyre, por nga individë të caktuar (të papërfshirë drejtpërsëdrejti), të cilët publikimin e materialeve arkivore, e konsiderojnë një arritje të madhe personale. Çfarë mund të na thoni ju rreth kësaj, mendoni se publikimi i materialeve arkivore të personazheve publikë mund të bëhet nga kushdo?

Nuk ka patur deri tani hapje të dosjeve të policisë sekrete. Janë publikuar dëshmi periferike, kryesisht, materiale të marra nga Arkiva e Shtetit, që nuk përbëjnë ndonjë sekret. Natyrisht mes tyre është botuar edhe ndonjë raport i përgatitur nga Sigurimi Shtetit për udhëheqjen e lartë të partisë, për individë, ngjarje apo fenomene të caktuara, që gjithsesi dëshmojnë aspekte të kriminale të diktaturës, absurdin dhe marrëzinë e regjimit në të cilin kemi jetuar. Por gjithsesi kutia e zezë e dosjeve mbetet e pahapur.

Dokumentet janë fakte historike dhe historia si shkencë ka shumë për të bërë që të zbardhet gjithë e vërteta e frikshme e diktaturës. Por shkenca e historisë tek ne, për fat të keq, ende përpëlitet midis dogmatizmit dhe pasionit politik. Por si dogmatizmi, ashtu edhe pasioni politik, nuk të shpien tek e vërteta historike, përkundrazi të hallakatin; deformojnë dhe fshehin të vërtetën. Azem Shkreli, duke iu drejtuar poetëve shkruante vargjet: “Poetët duhet ta kenë një Perëndi/ dhe tjetër s’ka të vërtetën”. Historianët shqiptarë që kanë trajtuar periudhën e Luftës së Dytë dhe pasluftën, pra diktaturën, ende nuk e kanë zbuluar këtë perëndi, Perëndinë e Të Vërtetës, ndaj studimet e tyre dhe librat e botuar janë të dyshimtë. Mendoj se këtu nuk ka vend për protagonizëm, por për profesionalizëm, besnikëri ndaj fakteve historike dhe përkushtim ndaj të vërtetës.

Bie në sy, por materialet që bëhen publike kryesisht u përkasin artistëve, shkrimtarëve dhe rrallëherë individëve, që mund të kenë pasur funksione të rëndësishme shtetërore asokohe. Përse mendoni ju se ndodh kjo?

Është një histori e vjetër kjo, e pistë dhe e poshtër, që zë fill menjëherë pas shembjes së diktaturës. Arkitektët e dhunës dhe të regjimit diktatorial fërkonin duart, ndërsa shtypi mbushej me shkrime dhe akuza për shkrimtarët dhe artistët, sikur ata të na paskëshin qenë demonët e të keqes. Të dalë nga makthi i diktaturës edhe vetë shkrimtarët u bënë pjesë e kësaj loje të djallëzuar, u mobilizuan kundër njëri-tjetrit, u përfshinë në fushata poshtëruese, të nxitur edhe nga dobësitë e tyre si njerëz: smirat, zilitë, rivalitetet, armiqësitë e fshehta. Duke qenë emra publikë, shkrimtarët gjithnjë tërheqin vëmendjen, lexuesi gjithmonë është i etur të dijë sa më shumë rreth jetës së tyre. Dhe u arrit deri aty sa u krijua ideja krejtësisht e gabuar se diktaturën në Shqipëri e kanë ndërtuar dhe mbajtur në këmbë shkrimtarët dhe artistët, çka nuk është aspak e vërtetë. Vetë shkrimtarët dhe artistët kanë qenë shënjestra e lakmuar e Sigurimit të Shtetit, gjithmonë të përgjuar, gjithmonë të mbajtur nën mbikëqyrje, qoftë nga struktura të posaçme policeske, qoftë nga aparatçikët dogmatikë partiakë, që mbronin me besnikëri vijën e partisë. Diktatura në Shqipëri zuri të instalohej me vrasje shkrimtarësh në hapat e parë të saj: Vinçens Prenushi dhe at Anton Harapi ishin viktimat e para të pafajshme. Janë me dhjetëra poetët, shkrimtarët dhe artistët e arrestuar, burgosur, ekzekutuar në vitet e diktaturës. Në vitet e para u burgosen emra të njohur, si Musine Kokalari, Arshi Pipa, Petro Marko, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, u vazhdua me Frederik Rreshpen e Visar Zhitin dhe me dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Të tjerë poetë u ekzekutuan, si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka për ta mbyllur me varjen e një poeti në grahmat e fundit të diktaturës -Avzi Nelës.

Pra në ferrin e krijuar nga diktatura shkrimtarët dhe artistët ishin on target, por edhe brenda këtij ferri, poetë dhe shkrimtarë krijuan poezi dhe proza dinjitoze, që mbetën një thesar i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Është e lehtë t’i gjykosh sot në liri veprimet dhe sjelljet e njerëzve që jetonin me qafën në gërshërë. Dhe, për fat të keq, ashtu kanë jetuar shkrimtarët dhe artistët shqiptarë, edhe ata që dukeshin të përkëdhelur nga Partia. Sigurisht, si në çdo komunitet tjetër, edhe këtu pati individë që u thyen nga presioni, apo bashkëpunuan vullnetarisht me organet e represionit, u bënë palë me sigurimin, direkt ose indirekt morën pjesë në krime. Hapja e dosjeve gjithsesi, do t’i japë fund një amoraliteti abuziv ku gjithkush mund të akuzojë gjithkënd. Dhe në fund dua të shtoj se zhvendosja e skenës së krimit nga bodrumet e errëta të policisë sekrete dhe zyrat e zymta të zyrtarëve të lartë të shtetit komunist në tryezat e shkrimtarëve është një orkestrim djallëzor për të fshehur të vërtetën e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe një alibi që eksponentët e diktaturës i bëjnë të shkuarës së vet.

A mendoni se këto materiale duhet, që të studiohen imtësisht nga studiuesit e fushës dhe historianët para publikimit të tyre? Dhe a mendoni se kemi ne njerëz, që janë të përgatitur për këtë proces në vendin tonë?

Mendoj se nuk duhet të ketë më censurë, abuzim me sekretin që sjell fshehjen e të vërtetës. E vërteta, cilado qoftë ajo, sado e dhimbshme dhe e frikshme, do ta çlirojë shoqërinë nga ankthi, i shërben shëndoshjes së saj, rikthimit te kodet dhe vlerat morale, pa të cilat nuk ka kuptim një shoqëri njerëzore dhe ku ne kemi humbur vërtet shumë. Ende dyshoj se kemi elita shkencore, që mund të bëjnë ekspertizën, duke iu bindur vetëm ligjeve të shkencës, tërësisht të pavarur nga ndikimi i politikës, aq më të për që jeta tek ne dhe karriera e secilit individ është e varur prej politikës me një mijë fije të dukshme dhe të padukshme. Por gjithsesi diçka mund të bëhet sidomos nga gjenerata, që nuk është e mpleksur drejt për drejt me diktaturën, me shërbime të kryera ndaj saj.

Një shoqëri që nuk ndëshkon krimin, vazhdon të mbetet një shoqëri e kriminalizuar

Procesi i hapjes së dosjeve po trajtohet si ndarje me të shkuarën. Mendoni se, kjo gjë do të ndikojë tek individët e përfshirë vetëm moralisht, apo do të ketë impakt edhe në historinë e periudhës komuniste?

Nuk shikoj ndonjë përpjekje serioze për t’u ndarë me të shkuarën. Asnjëherë në këto vite nuk ka patur një përpjekje të tillë, ngaqë pushtetet politike të pas nëntëdhjetës janë ushqyer nga rrënjë të ngulitura thellë në të shkuarën diktatoriale. Duket sikur edhe ligji për hapjen e dosjeve më shumë është bërë nën presionin ndërkombëtar, se sa nga vullneti i brendshëm për hapjen e dosjeve, ndaj dhe gjithçka zvarritet pafundësisht. Lustracioni që nuk u bë kurrë, krijoi mundësinë që individë të inkriminuar, eksponentë të shpallur apo të fshehtë të diktaturës të ruanin pushtetin e tyre, privilegjet e tyre. Gjithsesi hapja e dosjeve krijon mundësinë për të kuptuar më mirë ferrin në të cilin jetuan shqiptarët për pesë dekada dhe lehtëson punën e studiuesve që duan t’i bëjnë autopsinë diktaturës. Ky është një impakt pozitiv gjithsesi.

A mund të arrijnë shqiptarët, që edhe pas hapjes së dosjeve, të ndahen me të shkuarën, pa përsëritur të njëjtat gabime në formë tjetër, apo ideja e ndarjes me të shkuarën është thjesht propagandë politike? Dhe mëritë personale do të thellohen më tepër?

Pak mëri dhe konflikte kemi prodhuar në këto vite, edhe pse dosjet nuk ishin të hapura? Bashkëjetesa me krimin e pandëshkuar, bashkëjetesa më të keqen krijon konflikte të vazhdueshme. Ndarja me të keqen, sjell shëndoshjen morale të shoqërisë, paqen shpirtërore dhe sociale. Vetëm eksponentët e sigurimit dhe të diktaturës janë përpjekur ta paraqesin hapjen e dosjeve si një minë me sahat, që do të shkatërronte vendin, thjesht dhe vetëm për të ruajtur lëkurën e vet faqe njerëzisë, ndërkohë që vazhdojnë të mburren edhe sot e kësaj dite më bëmat e tyre të liga. Ata që e interpretojnë hapjen e dosjeve si një rrezik për konflikt social, mendoj se janë avokatë djallëzor të diktaturës dhe krimeve të saj, ku edhe vetë janë të implikuar në një mënyrë, ose në një tjetër. Unë asnjëherë nuk e kam parë një rrezik të tillë.

Gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë hapur disa muzeume, në të cilat ekspozohen materiale arkivore (dosje), të cilat diktohen si të asaj periudhe. Por, a mendoni se mjaftojnë këto materiale të shkëputura rastësisht ose jo, të paplota për ngjarje të caktuara, që t’i mundësojnë siç duhet brezit të ri të njoh të vërtetën?

Janë nisma pozitive, por gjithsesi të pamjaftueshme. Brezi i ri, sipas të gjitha sondazheve të kryer, është pothuajse i painformuar për të shkuarën kriminale, për diktaturën.

Në dosjet përkatëse normalisht do të jetë emri i personave, që kanë spiunuar dhe që kanë firmosur në dosjet e sigurimit, si bashkëpunëtorë, qoftë edhe pa dëshirë. Por a mendoni se nëpërmjet hapjes së këtyre dosjeve, duhet të bëhen publike edhe emrat e rekrutuesve të spiunëve të sigurimit?

Është e vërtetë se shumë njerëz janë rekrutuar në kushte presioni të jashtëzakonshëm, janë bërë spiunë nën trysni të tmerrshme, por ka dhe të tjerë që janë bërë bashkëpunëtorë për përfitime të ndryshme, ose thjesht, sepse ishin keqbërës. Diktatura mbështetej mbi të keqen, shfrytëzonte dobësitë dhe karakterin e keq njerëzor dhe kur këto nuk mjaftonin bënte presione dhe kërcënime monstruoze. Jo të gjithë ishin të fortë, të pathyeshëm. Por gjithsesi bashkëpunimi me të keqen është një akt i dënueshëm, pavarësisht rrethanave. Sigurisht, është normale që krahas emrave të spiunëve të bëheshin publikë dhe emrat e rekrutuesve të tyre, por me sa duket nuk kanë për t’u mësuar ndonjëherë as të parët, as të dytët.

Ka shumë figura të njohura, që kanë qenë bërë dëme në atë periudhë (me imponim ose jo), ndërsa sot vazhdojnë të kenë funksione publike. Si duhet trajtuar kjo kategori? A duhet që të kërkojnë falje?

Falja nuk është e mjaftueshme, ndonëse me sa di askush nuk ka kërkuar falje deri më sot. Shkatërrimi i jetëve njerëzore nuk mund të kalohet me një: “Më fal”. Është drejtësia ajo që duhej ta thoshte fjalën e saj rast pas rasti. Në Rumani, vazhdojnë të dënohen nëpërmjet proceseve gjyqësore të rregullt eksponentë të diktaturës, që kanë kryer krime ndaj jetës së qytetarëve të pafajshëm. Në Shqipëri nuk di asnjë rast ku drejtësia të ketë vepruar. Dhe një shoqëri që nuk ndëshkon krimin, vazhdon të mbetet një shoqëri e kriminalizuar. Kjo, pak të thuash, është e frikshme.

Dhe së fundmi, a e shihni të domosdoshme, që kjo periudhë e pandriçuar me fakte nga historianët, duhet të jetë pjesë e kurrikulave arsimore?

Ka një paradoks të turpshëm: në tekstet e historisë të shkollave nëntëvjeçare u mësohet nxënësve me dy-tre faqe tekst industrializimi (shkatërrimi) socialist i vendit dhe vetëm me një paragraf diktatura dhe krimet e komunizmit. Në fakt vetëm vitin e fundit ka patur një përpjekje për të informuar nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës nëpërmjet leksioneve të hapura të organizuara nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Por kjo gjithsesi nuk është e mjaftueshme: tekstet e historisë që mësohen në shkollat tona duhen rishkruar.

*****

Lazër Stani (17 janar 1959 Pult, Shkodër). Është një artist, shkrimtar dhe publicist shqiptar. Kritika letrare e ka vlerësuar atë si një ndër prozatorët më të veçantë në letrat e sotme shqipe.

Biografia

Në vitin 1985 u diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën Biologji-Kimi. Prej asaj kohe është marrë me letërsi dhe gazetari, eseistikë dhe kritikë letrare. Tregimet e para i botoi në fillim të viteve nëntëdhjetë në gazetat e kohës "Drita", gazetë kulturore e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe tek "Zëri i rinisë", gazetë që në ato vite botonte edhe krijime të avangardës. Tregimet e këtij autori janë përkthyer në Anglisht, Gjermanisht, Italisht, Maqedonisht, serbokroatisht etj.

Krijimtaria

1993, "Misteri i hijeve“, vëllim me tregime, botim i Shtëpisë Botuese të LSHA-së

1995, “Shplakja e Santa Marisë”, vëllim me tregime, botim i Shtëpisë Botuese “Eurorilindja”

1995, “Me dzmbëdhjetë çelësa”, libër me përralla dhe legjenda të Veriut, botim i Shtëpisë botuese të LSHA-së

1998, “Në Bregenc shkohet për të vdekur”, vëllim me tregime, botim i shtëpisë Botuese “Albinform”

1999, “Feniksi i kuq”, vëllim me tregime, botim i Shtëpisë Botuese, “Buzuku”, Prishtinë

2005. “Dënesje në dru”, botim i shtëpisë botuese “Ideart”, Tiranë

2014 "Kohë për Nuse", botim i EB. Fishta

2016 "Rrugë pa krye" - ese letrare. EB. Fishta

Çmimet letrare

Lazër Stani është nderuar me çmime të ndryshme letrare.

Ndër çmimet më të rëndësishme janë :

Çmim kombëtar për librin e parë më të mirë më tregime botuar në vitin 1993. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Çmimin e vitit për librin më të mirë të botuar nga Shtëpia botuese “Eurorilindja”, 1995.

Çmim kombëtar për librin më të mirë të botuar me tregime në vitin 1996, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

FLORI BRUQI

Terrori komunist në Shqipëri

Nga Aida Tuci.


Arkiva e Shërbimit Sekret Shqiptar gjatë kohës së sundimit komunist fsheh shumë fakte të rënda të vras-jeve, pushkatimeve, burgosjeve, internimeve të mijëra familjeve shqiptare. Nga të dhënat jo të plota të arkivit të Ministrisë së Brendshme rezulton se gjatë këtij regjimi u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën nëpër burgje 9052 vetë; u burgosën si të dënuar politikë 17 900 njerëz dhe u internuan për motive politike 30 383 të tjerë. Të gjitha këto shifra vijnë të dokumentuara me foto dhe dokumente në albumin e titulluar “Terrori komunist në Shqipëri”, ideuar nga Prof. dr Luan Malltezi dhe përgatitur për botim nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku. Albumi u promovua dje në sallën e Muzeut Historik Kombëtar.


vrasjet-kufi01


Gjatë këtyre 23 viteve është shkruar dhe folur shumë për krimet e komunizmit, kanë parë dritën e botimit shumë dokumente e foto, një pjesë e të cilave janë përfshirë edhe në këtë album, por shumë të tjera rrinë ende në magazinat e mëdha të Arkivit të Ministrisë së Brendshme ku mbahen të mbyllura dosjet e komunizmit. Enver Kushit, një ndër realizuesit e këtij albumi, i është dashur të gërmojë gjatë në këta arkiva për të sjellë dokumente dhe foto që publikohen për herë të parë. Ajo që e ka tronditur më shumë janë vrasjet masive që u bënë në kufi në vitin 1990.“Janë qindra të rinj të vrarë. Fotot e vrasjeve janë vërtet tronditëse”, – rrëfen Kushi në intervistën e tij, duke dhënë dhe detaje rreth shumë zbulimeve që ai ka bërë në këtë arkiv.

02krime33

Zoti Kushi, është shkruar dhe folur shumë këto 25 vjet për krimet e komunizmit dhe sigurisht që ka ende shumë për të thënë, por çfarë është e panjohur që ju e sillni në këtë album?

“Terrori komunist në Shqipëri” është drama shqiptare që zë fill nga viti 1948 deri më 1990-ën. Është konceptuar si album sepse kemi patur një lëndë të pasur falë ndihmës që na ka dhënë Arkivi i Ministrisë së Brendshme, por dhe Agim Musta, ish i persekutuar politik. Ky album ka qindra foto, por ato që botohen për herë të parë janë disa foto që kanë të bëjnë me vrasjet në kufi në vitin 1990. Në maj të këtij viti doli një dekret i firmosur nga Ramiz Alia, ku thuhej se arratisja, kalimi i kufirit nuk quhej tradhti ndaj atdheut, dhe se nuk mund të vriteshin ata që kalonin kufirin. Rinia shqiptare e gënjyer nga ky dekret filloi në masë të kalonte kufirin. Janë vrarë dhjetëra të rinj dhe janë vrasje nga më makabret. Janë të gjitha të dokumentuara dhe me lista emërore të të vrarëve në kufi.
02krime55
Ka fakte të dokumentuara që vrasjet janë bërë nga Sigurimi i Shtetit shqiptar?

Fotografitë janë marrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Në këto dosje ka informacione dhe të dhëna që vinin nga degët e kufirit në Veri dhe Jug të Shqipërisë, që nga Shkodra, Tropoja, Saranda, Korça, ku drejtues të pikave kufitare japin informacione për vrasjet që ishin bërë në kufi. Sipas këtyre të dhënave, mosha e të vrarëve në kufi ishte nga 18 vjeç-32 vjeç. Sigurimi i Shtetit edhe atëherë dokumentonte çdo gjë. Përkrah informacioneve janë dhe fotografitë e kufomave. Janë ndoshta fotografitë më tronditëse që unë kam parë në arkiv. Këto fotot flasin sa për dhjetëra libra, sa për dhjetëra tragjedi. Janë mbi 100 të vrarë në atë periudhë. Janë arratisur nga kufiri jugor dhe sidomos shumë kanë kaluar nga Mali i Zi.

Si i hodhën në Drin eshtrat e At Gjergj Fishtës…

gj.fishta01
Nga A. Bardhyli.

Kujtimet për Fishtën në penën e Atë Zef Pllumit… Njohja kur ishte ende fëmijë, dhe si u denigrua figura e tij gjatë komunizmit

Atë Zef Pllumi ishte vetëm 16 vjeç dhjetorin e vitit 1940 kur një nga personazhet më të njohura të mendimit shqip, Atë Gjergj Fishta, mbylli sytë përgjithmonë. Djaloshi që ende nuk kishte kaluar adoleshencën, e ndiente se ajo mbrëmje e ftohtë dhjetori kishte marrë me vete një figurë që do të mbetej në kujtesën jo vetëm të qytetit të tij. Ai e kishte takuar Fishtën kur ishte ende fëmijë, kur ai bashkë me Padër Anton Harapin kishin ardhur miq te xhaxhai i tyre në bjeshkë.

Shtati dhe prania imponuese e Fishtës, do t’i mbetej në mendje. Ai ishte përshëndetur me ta, dhe gjatë asaj përshëndetjeje të shkurtër xhaxhai u kishte thënë miqve që djaloshi donte të bëhej frat kur të rritej. Padër Arapi do t’i afrohej duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut që do ta mbante gjatë në qafë, duke i thënë ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në kolegjin françeskan ta paraqiste atë medaljon.

Më pas Atë Zef Pllumi do ta njihte Fishtën si mësuesin e tij, kur më 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës. Në kujtimet e shkruara pas burgut, Atë Zef Pllumi do të linte pasazhe të gjata dhe për Fishtën. Në vitin 1996 revista “Hylli i dritës” do t’i kushtonte një numër të posaçëm Atë Gjergj Fishtës, i cili hapet me shkrimin e Atë Zef Pllumit “Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”.

“Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës.

Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas ai ndalet në kohën kur komunizmi nisi të instalohej në vend, dhe lufta e parë që ai shpalli ishte kundër fesë.

Ja si e përshkruan ai momentin kur ushtarët hynë në kishë dhe kërkuan të dinin ku ishte varri i Fishtës, për t’u hakmarrë ndaj tij. “Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet.Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul.

Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas frati françeskan ndalet në 6 shkurtin e vitit 1967 për të shpjeguar atë që u quajt nga regjimi si “revolucion kulturor” në qendër të cilit ishte shfarosja e fesë. “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”, kujton Atë Zef Pllumi. Më tej ai vazhdon duke shkruar se “Kjo natë.

Simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”, shkruan At Zef Pllumi. Gazeta letrare “Drita” do të niste një fushatë kundër personalitetit të Fishtës, e cila më pas do të vijonte dhe me heqjen e emrit të tij nga tekstet shkollore.

Por sipas Atë Zefit, një sistem i tërë diktatorial nuk mundi ta hidhte në koshin e harresës një personazh si Fishta. “I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”, kujton At Zefi. pas rënies së regjimit komunist në 50-vjetorin e vdekjes së Fishtës një grup intelektualësh vendosin që ky përvjetor të mos kalohej në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skëndër Buçpapaj, Rudolf Marku, të cilëve iu bashkua dhe aktori Ndrekë Luca.

Më 28 dhjetor 1990 në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve do të ishte një moment emocionues, pikërisht në vendin ku ishte denigruar figura e tij. “Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjatësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”, do të shprehej Aurel Plasari. Pas kësaj ceremonie do të niste rikthimi i emrit të Fishtës në letrat shqipe, përmes aktiviteteve në Shkodër e Tiranë e shkrimeve që nisën që nga gazeta “Drita”.

Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit. “Kur u emnue Provinçial Superjoj i françeskanëve të Shqipërisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin. Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue. Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres V.Sulkaj. Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin. Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj.

Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore. U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.

FLORI BRUQI : Namik Resuli(10 September 1908 - 12 September 1985)


Image result for PROF.NAMIK RESULI(1908 – 1985)

Namik Resuli (10 September 1908 - 12 September 1985) was an Albanian linguist and academic.



Born in Berat in 1908, after having accomplished elementary studies in Albania he went to Italy, where he finished his secondary studies and then graduated in glottology in the University of Turin. His doctorate thesis "Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe" was written under the guide of Professor Matteo Bartoli. Resuli returned in Albania in the 1930s and taught Albanian language in Elbasan Normal School, now Aleksandër Xhuvani University, as well as in Shkodër, and Tiranë. In 1939, he went to Rome to become assistant professor of Albanian language, working there for 10 years. During 1940–44 he worked in the Ministry of Education of Albania, for a period also Deputy Minister of Education,and as a member of the Royal Institute of the Albanian Studies.

 Together with Ernest Koliqi, he published a two-volume collection on Albanian literature, titled Shkrimtaret Shqiptare (Albanian writers), in 1941.

During 1948-1957 he was a member of the International Center of Albanian Studies in Palermo, and in 1955 he became professor of Albanian language in the Università degli Studi di Napoli "L'Orientale" until 1971. In 1954 he published in Turin the magazine Shpirti Shqiptar (Albanian Soul). He died on 12 September 1985 in Turin.

Image result for PROF.NAMIK RESULI(1908 – 1985)

His study on the Missal (Meshari) of Gjon Buzuku (Città del Vaticano, 1958) is the first of its genre in the history of Albanology, whereas his work Grammatica della lingua albanese (Bologna, 1985) is considered an important approach in teaching the Albanian language to foreigner speakers.
He was of the opinion that the standard Albanian language would naturally lean toward the dialects of Central Albania.



Spiro Rusha (1999). Shqipëria në vorbullat e historisë: studim historiko-politik. Aferdita. p. 152.
Agency for Research, Technology and Innovation of Albania (2013). "Instituti i Studimeve Shqiptare". for Research, Technology and Innovation of Albania.

Engjëll Sedaj (1984). Homeri në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Rilindja. p. 21.

Kaloçi D., Resuli e Cungu, dy kolosët e harruar të letrave shqipe, Shqip. - Nr. 163, 15 qershor, 2008, f. 18 - 19.

Demiraj B., ‘Meshari’ në kohën e leximit, Mapo. - 3/04/2013.

Mehmet Elezi (2006). Fjalor i gjuhës shqipe. Gjergj Fishta. p. 63. ISBN 978-99943-874-6-5.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...