Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/04/23

Të mos kesh asgjë për të fshehur: një dhuratë që s’ka çmim


Qetësia kur nuk ke asgjë për të fshehur dhe e të paturit një ndërgjegje të pastër, është një dhuratë e vyer.



Kush nuk ka asgjë për të fshehur, gjithmonë i bën gjërat të qarta dhe nuk fshihet pas një gënjeshtre.



Leonard Sakse është një nga ekspertët kryesorë të poligrafit dhe një doktor në psikologji në Brandeis University, një qendër ekskluzivisht e fokusuar në kërkimet sociale. Në një nga veprat e tij, ai shpjegon se gënjeshtra, siç thoshte dikur Nietzsche, është një pjesë tjetër e jetës sonë dhe një nga burimet më të mëdha të pakënaqësisë tek njerëzit.



Një nga problemet më të mëdha që provokojnë gënjeshtrat, është se gënjeshtari jeton në kontradiktë të përhershme. Tregon se është i lumtur dhe mirë kur ndihet i dëshpëruar dhe i lodhur, kjo është një formë tjetër e gënjeshtrës. Ndonjëherë thuhet një gënjeshtër për të fyer dhe shkatërruar të tjerët, por kjo është e keqe.



Arritja e asaj qetësie mendore, që zbut mundimet e zemrës, kërkon shumë kurajë, por qetësia e të qënit të ndershëm nuk ka çmim.



Ndershmëria është të dëgjojmë zërin e vlerave tona duke jetuar në harmoni me to, pa fshehur asgjë, gjithmonë në përputhje me parimet tona morale. Prandaj, nëse i edukojmë fëmijët që herët për shtyllat e dashurisë, paqes, respektit dhe vetëvlerësimit, ne do të përmirësojmë marrëdhëniet e tyre sociale duke krijuar një klimë të transparencës dhe besimit të ndërsjellë, në të cilën do të fitojmë të gjithë.



Ne jetojmë në një shoqëri ku e vërteta vlerësohet, por është gënjeshtra që mbretëron, është ajo që triumfon dhe që shpërblehet shumë herë. Ne i referohemi para së gjithash mungesës së ndershmërisë, asaj që apelon më shumë në median e kronikës, ajo që përdor filtra të realitett, për të na shitur trupa dhe skenarë ëndrrash. Flasim edhe për sferat politike, të afta për të na magjepsur me gjysmë të vërteta apo gënjeshtra të plota.



Të jesh i kënaqur me veten, është e rëndësishme të jesh i sinqertë, vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë marrëdhënie të forta me të tjerët dhe të jetojmë jetën në qetësi.

“Amazon” i Katiola Karolit, vëllimi poetik që përcjell personalitetin njerëzor





Nga Albert Z. Zholi, shkrimtar-publicist.



Pas librit të parë shumë të suksesshëm “Sytë e botës tradhëtare”, poetja e re Katiola Karoli vjen me një libër të ri të titulluar “Amazon”. Ndoshta ishte libri i parë i suksesshëm që e shtyu autoren të ndërrmarrë një hap të dytë, më serioz, më konkret dhe më me përgjegjësi për të dalë para lexuesit me një vëllim të ri më të kompletuar, më të studiuar, më vizionar dhe më me figuracion dhe tematikë gjithpërfshirëse.



Në librin e ri poetik Katiola vjen më e freskët, më e kompletuar, më e përgjegjshme por mbi të gjitha me një dëshirë që poezia e saj të flasë vetë me ngjyrat reale të jetës, me ngjyrat e së vërtetës, duke bërë krahasime, duke përdoruar metaforë të fuqishme por dhe paralelizma në kohë dhe në gjeografinë e tematikave të kohës që përbëjnë thelbin e peozisë së saj në këtë vëllim. Por me gjithë rritjen e kërkesave ndaj vetes dhe tematikave të gjithëkohëshme, sërish Katiola më shumë e gjen veten tek poezia lirike, tek poezia për dashurinë ku ajo këmbëngul të gjejë sa më shumë fabula të reja, këndvështrime të pa zhbiruara, detaje të pa hedhura në letër, episode të veçanta që nuk janë plagjiaturë, momente specifike që ndoshta janë pjesë e jetës së saj apo imagjinatë e ndezur që e bëjnë librin shumë intigrues dhe befasues.



Nga vargu në varg, nga fabula në fabul, nga figura në figurë, Katiola vjen ne çdo poezi, e befasishme, e paeksploruar, e paparagjykuar, dhe shumë reale. Në çdo poezi autorja sjell një risi pasi do të jetojë realitetin me ngjyrat reale pa artifica duke shmangur përsiatjen dhe vulgaritetin. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet letrare, duke futur në bibliotekën e saj shumë libra me poet shqiptar dhe të huaj, autorja e kultivoi më shumë vargun metaforik duke e përcjellë poezinë me vërtetësinë e një nëne dhe gruaje që di çfarë kërkon në jetë dhe çfarë mesazhi duhet të përcjellë.



Larmishmëria e poezisë, tematika e pafundme në fabulat e përcjella, stili lakonik dhe besnikëria e vargut për ta sjellë sa më qartë idenë e poezisë tek lexuesi ka bërë që në këtë libër, poezia e Katiolës të vijë më e qartë, më e freskët, më e bukur, më e larmishme, më jetësore, më reale. Ajo që të mbërthen më shumë tek ky vëllim janë poezitë për dashurinë, shoqërinë, fëmijët që përbëjnë një pjesë e tematikave të gjalla që ajo i ka përcjellë me shumë intimitet, ndjeshmëri dhe diku edhe të mbështjella me intuitën femërore të vetmbrojtjes.



Në poezitë lirike, në fillimet e vargjeve autorja duket pesimiste, duket sikur shpresa është degdisur në horizonte të panjohura, por me kalimin e vargut në një varg tjetër, autorja kalon në situata të ndryshme, ku gëzimi dhe optimizmi nxjerren në pah idealin e saj jetësor, që dashuria e sinqertë të jetë dielli ndriçues i sukseseve në jetë. Me një vërtetësi fëminore, sinqeriteti i saj në varg duket si utopik, por kur poezia rrjedh në tërë gjatësinë e saj, vetiu ndjen se kontradita mes së mirës e së keqes është vënë në dyluftim, ku armët e së mirës me asrye dhe dashuri triumfojnë mbi të keqen. Sa kalon cakun e pesimizmit, sa përcjell butë hutimin e parë jetësor, autorja në shtrirjen e peozisë nis e përcjell mesazhe paqësore, bashkuese njerëzore, të cilat e bëjnë librin interesant, intrigues në lidhje me koherencat dhe zhvillimet sociale në botë.



Autorja në të vërtetë në jetë është e gjallë, komunikuese, bën një jetë aktive, e lidhur ngushtë me fëmijët, larg mbylljes në guackën individuale, ajo është tejet e hapur në jetën e saj me fëmijët dhe atë shoqërore dhe vargëzon natyrshëm lidhjet shpirtërore fëmijë-shoqëri. Pra sa lakonike, po aq konkrete dhe serioze në varg, poezia e saj në këtë vëllim vjen në mënyrë lineare, jo statike, as statistikë shifrash, por është një kërkesë shpirtërore e vargëzuar që shfaq dëshirën intelektuale që dhe pse jeta ka antagonizma kërkon një botë që të jetojë në paqe, mirëkuptim, zhvillim, mirëqënie. Në poezitë e saj ajo është vetvetja e pa shtirë, organike, tepër e sinqertë dhe pa kompromise në dëm të personalitetit.



Për të personaliteti njerëzor është çmimi më i madh që mund të marrë njeriu në jetë. Dhe pse në disa poezi melankolia hyn si kundërpeshë e optimizmit, ajo melankoli shërben si shtysë për nisma të reja që sjellin frymëzim dhe nxitje për rezultate të reja. Larg artificave të vargut, larg stisjejeve apo fjalëve banale, pa thirrje patetike, pa hamëndësime boshe por deri diku dhe me një ndjesi antimaskiliste të tërthortë vëllimi i ri poetik “Amazon”, i Katiolës, është një rritje artistike, një hap më i sigurt drejt paraqitjes si një poete me kërkesa ndaj vetes dhe ndaj poezisë në përgjithësi, për tu paraqitur denjësisht para lexuesit, kritikës dhe poetëve të rinj. Në këtë vëllim të ri me sinqeritet fëminor, Katiola dëshmon se peozia për të nuk është qëllim në vetevete, por pjesë e pandalshme e jetës që i jep frymëzim, entusiazëm, e detyron ta njohë më thellë veten, shoqërinë, punën, të afërmit dhe nëpërmjet vargut të jap pa asnjë paragjykim mesazhet e veta për jetën.



Duke qenë e virgjër në varg, vetvetja në gjithë poezinë e saj mesazhi i saj është konkret: Njihe jetën me të gjitha ngjyrat, merr nga jeta ç’ka të rrit vetbesimin! Poezia për të është ylberi jetësor, që në moment melankolie, dëshpërimi, vujatjeje, të jep frymëzimin e duhur për të gjetur motivin kyç dhe të domosdoshëm të jetës. Thjesht për të poezia nuk është vetëm art por edhe oksigjeni më i domosdoshëm që i hap dritaret më të bukura për të gjetur lëndinat shumëngjyrëshe frymëzuese që në përditshëmri nuk i gjen dot. Kjo lëndinë mahnitëse, e munguar në Tiranën e zhurmshme për të është dhe mbetet Poezia! Por çështë Amazona për Katiolën? Duke pasur parasysh që Amazonë është një femër e fortë, antimaskiliste që luftonte si një mashkull për të drejtat e saj, edhe Katiola është e fortë në mendime kundra çdo padrejtësie, urren të qenit e brishtë dhe nën hijen e dikujt.



Me vargje në këtë libër autorja shpreh rebelizmin që ajo shfaq ndaj padrejtësive që i bëhen femrës në realitetin shqiptar, dhunën ndaj tyre, indiferencën, nëvleftësimin. Pra për të Amazon është shpirti i fortë i një femre e cila për të është dhe duhet të jetë shumë herë më i fortë, i papërulur dhe i suksesshëm se një mashkull. Amazon është një femër tipike e kohës moderne, plot virtyte dhe e pa nënshtruar. Kjo është dhe ideja dhe mesazhi kryesor që e përshkon gjithë librin e dytë të poetes krenare Katiola Karoli.



Mëkatare



Sa bukur i lyen buzët si trëndafil,

Qerpikët si hala pishe i ke lyer ti,

Ti tunduesja e botës në dukje e lumtur,

Po jeton vetëm në ferr dhe në marrëzi.



Shterpësinë e mjerë të shpirtit tënd,

Se mbush dot me puthje pa vlerë,

Atje kanë lënë njollën e turpit meshkuj,

Pa karakter, paburrëri me fjalë në erë.



Ti bukuroshe në pamje tunduese,

Mos kujto se bota ty të ka zili,

Ti dëfren mbi çmenduritë e shtratit,

Shuan afshe, ndez pasione por s’merr dashuri.



Më vjen keq për lumturinë zhgënjyese,

Por për ty nuk mund të ketë pendesë,

E zgjodhe me dëshirë rrugën e turpit,

Tashmë nuk ka më vlerë e jotja kthesë.



Nuk mund të lahet mëkati,

Me lotët e gjithë botës,

Nē llumin ku ti zhyte vetveten,

Tē dalësh sot është e kotë.



Janë lotët e mijëra-mijëra femrave,

Që netët gdhinin zemra vetmuar,

Që prisnin të hynte te dera princi,

Princi i kaltër, besniku i përbetuar.



Nuk ndjej mëshirë për krijesa të turpit,

Dhe për ju burra pa burrëri….

Ai që ka një zemër fisnike,

Në jetë ka vetëm një dashuri!

Del në treg libri poetik i regjisorit dhe poetit, Nikolin Gurakuqi “Nëse …A e di ?!”.



Albert Z. ZHOLI – shkrimtar, publicist

Libri i ri me poezi “Nëse …A e di ?!”, i autorit Nikolin Gurakuqi, vjen pas 3 botimesh cilësorë që ky poet modern ka sjellë tek lexuesi për afro 6- vjet. Duke shfletuar librin e ri, them me ndërgjegje të plotë, se pashë një Nikolin të ri, me një poezi moderne, me një poezi bashkëkokohore, me një ndërthurje tematikash interesante, me një ndërthurje idesh plot vizion, me një ndërthurje mendimesh në evolucion, me një ndërthurje ndjenjash të pleksura ku optimizmi dhe pesimizmi kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe njeriu gjen rrugët e zgjidhjes në jetë. Në tërë kohështrirjen e tyre, poezitë janë paraqitur pa ndarje tematike, por sipas ditës së ngjarjes, frymëzimit të çastit sipas një kronologjie vjetore që poetin e ka ngacmuar ideja, fabula, gjetja e veçantë artistike. Në kontekstin letraro-artistik, poezitë janë renditur mjaftë mirë, vlera estetike e tyre nga poezia në poezi shënon ngritje. Gjithë libri frymohet nga përpjekja e çiltër për të sjellë para lexuesit një varg, një strofë, një ngjarje, një fabul, një ide të besueshme tërësisht dhe të ngritur në art mjeshtërisht. Këto cilësi i bëjnë poezitë e autorit më transparente dhe të tejdukshme. Ky vëllim poetik dhe pse nuk ka një ndarje sistematike kapitujsh, nëse e studion me kujdes përcjell benda teje tre kategori poezish. E para janë poezitë lirike, e dyta poezitë filozofike dhe e treta poezitë social-politike. Poezitë për nga koncepti tematik janë nuancime të larmishme, që pasqyrojnë përjetimin real, i cili mund të interpretohet edhe si një ofshamë e thellë që del nga gjoksi i poetit për çdo ngjarje, për çdo fenomen negativ, për çdo situatë politike që cenon interesat e shoqërisë shqiptare dhe më tej. Në poezitë lirike si gjini e mirëfilltë letrare, autori herë i përmbahet traditës, herë shpërthen në mënyrë individuale si një intelektual me botë të madhe njohurish duke shpalosur ndjesi të veçanta që atë e ngacmojnë. Ndryshe nga autorët e parë që lëvruan poezinë lirike shqipe e cila vinte nga një traditë gojore shekullore dhe shërbeu si gur themeli në letërsinë tonë, autori në lirikat e tij më shumë bazohet tek vargu modern, tek abstraksioni mendimit, tek e panjohura jetësore, tek zhbirimi substancial i idesë. Dhe pse njeh shumë mirë fillesat e dokumentimit të poezisë së hershme që fillon me Mesharin e Buzukut (1555), vjershat e Budit e Bogdanit ku spikati lirizmi tardicional, autori i kapërxen këta kufij duke e ndërthurur poezinë e tyre me zhvillimet kohore, me kërkesat kohore, me prurjet e reja në poezinë abstraksioniste si një detyrim i ri qytetarie. Thënë thjeshtë, lirikat e Nikolinit shënojnë një qasje të dukshme ndaj poetikave moderne pasi vihen re tipare e procedime stilistike të simbolizmit, formalizmit tipare të pranishme në krijimtarinë lirike të këtyre viteve të fundit.



Poezia filozofike

Poezia filozofike është një tipar tjetër i këtij vëllimi poetik. Ndoshta duke njohur mirë poetin tonë të parë filozof, Naim Frashërin, autori ka shkruar një numër të dukshëm poezish filozofike, të cilat tregojnë botën e tij të madhe intelektuale, njohjen e ideve të filozofëve të mëdhenj botëror, pasi shtjellon natyrshëm në poezi ligjet e natyrës, Në këto poezi autori tregon se ç’është natyra, cilat janë ligjet e saj dhe pse duhen respektuar. Pse filozofia është udhëheqëse në përditshmëri. A ka fund natyra dhe a përjashtohen në raste të veçanta ligjet e saj? Pyetje dhe përgjigje, Këtë etje për dije për të përsiatur për gjithçka dhe për të nxjerrë konkluzione jetësore të dobishme, poeti e shpreh më shumë vargje.

Poezia social-politike

Motivi social në letërsinë shqiptare në përgjithësi është rrahur fort mirë edhe nga poetë të tjerë nga e gjithë gjeografia shqiptare, duke filluar nëpër kohë më të largëta e që lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. Kështu, Migjeni në poezitë e tij dhe në tregimet e skicat temë kryesore ka pasur mjerimin dhe rastet sociale të asaj kohe, të cilat mjeshtërisht i ka vargëzuar gjithnjë i censuruar nga pushteti i asaj kohe, por që ato shkrime të karakterit social mbeten vulë e kohës dhe një lidhshmëri ndërmjet kohëve dhe gjeneratave të poetëve nëpër kohë. Në Kosovë nuk mund të mos e përmendim pionierin Esad Mekulin, i cili po ashtu në shkrimet e tij poetike e ka trajtuar bukur mirë brengën dhe problemin social të shqiptarëve të Kosovës, të cilët shkonin nëpër vende të ndryshme për ta siguruar kafshatën e bukës, madje edhe si sharrëxhinj nëpër Beograd. Nikolini na prezantohet me disa poezi në të cilat e rreh mjaft mirë motivin social dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në libër autori me vargje na paraqitet me sfidat e shqiptarëve për të siguruar kafshatën e bukës, të cilët, përpos rreziqeve të shumta, përsëri janë të detyruar të punonjnë jashtë atdheut në mërgim por edhe në Shqipëri me pagesë në kushtet e egzistencës. Autori tregon se të gjitha prapësitë, problemet sociale, vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare, nga politikanët arrogantë dhe prepotentë, nga deputetët të cilët nuk janë lidhur me popullin, me hallet e tyre. Vuatjet e shqiptarëve në atdheun amë vijnë nga korrupsioni galopant, nga vjedhja e pabesueshme e bankës në mes të ditës, nga egërsia mes tyre e partive politike. Duket se në këto raste autori luan në mënyrë të pavetëdijshme rolin e një analisti, të një analisti të pavarur dhe pa asnjë ndikim politik. Pra libri i ri i Nikolinit është një qasje e re në poezinë shqiptare ku ai në çdo hap të jetëës shikon, vëzhgon problemet, anët e erëta të shoqërisë, shikon fenoment negative të shoqërisë dhe i kritikon ato dhe bën thirrje për zgjim qytetar. Por ajo që dua të veçoj dhe që vet lexuesit do ti bjerë në sy menjëherë është dashuria e pafund e autorit për detin. Deti për të është frymëzim, është ngasje, antistres, magji, relaks, bota e ëndrrave, tundimi i çdo kohshëm, parajsa që nxit dëshira. Figurat letrare si krahasimi, metafora, në këto poezi kanë marë njgyrat më të bukura artistike dhe estetike. Ja si i dejtohet poeti detit:

‘”O det kaltërosh prilli,

që në pamje dukesh i qetë,

nën zë një këngë këndon,

nëpër dhëmbë i trishtuar murmuron!

Të dielave, kur njerëzit Uik- ende përtypin,

një këngë e lashtë dhe e lagësht

nga shpirti yt buron.

Po sa i bukur je o det edhe pa tualet!

Sykaltër, vetullshkruar, buzët pa botoks!

Flokët krela-krela krehur si Poseidoni,

të varen hijshëm

mbi trupin tënd lakuriq…”

Libri i Mimoza Osmanit “VËSHTRIM MES SYVE TË SAJ” poezi me tharm folklotik



Nga Albert Z. ZHOLI, shkrimtar-publicist



Një prej poeteve premtuese të mërgatës shqiptare në Greqi është pa dyshim dhe Mimoza Osmani. Ky konstatim vjen pasi, pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së saj e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim, ku, në këtë jetë të vështirë dhe me sakrifica, ajo ka gjetur muzën për veprat e saj poetike me vlera të spikatura ideoartistike dhe me një frymëmarrje të gjerë tematike. Mërgimi i zbuloi asaj ëndrrën e fëmijërisë, poezinë, për ti përcjellë lexuesve krijime të bukura artistike, estetike dhe ideore nga një këndvështrim tejet origjinal, të virgjër në lëmin e saj. Vetëm një shpirt poetik si Mimoza do të mund të përçojë aq natyrshëm tek lexuesi nëpërmjet vargjeve poetike jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj, vuajtjet, hidhërimet, gëzimet, shqetësimet, martesat, ndarjet, vdekjet, mallin, pasigurinë, mëdyshjen, konfliktet jetësore, gjurmët e panjohura jetësore, por edhe vëllazërinë me popullin mikpritës grek, e theksoj popullin, etj.



Në tematikën gjithëpërfshirëse, poezia e Mimozës tek libri “VËSHTRIM MES SYVE TË SAJ” është refleks i zhvillimeve të papritura jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet në mërgim, por edhe pjesës më aktive në atdhe. Ky është një binom i lidhur në mënyrë organike në krijimtari, çka bën që autorja të lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që tregon përfshirjen e saj në gjithë zhvillimet emigratore shqiptare në Greqi por edhe ato në tokën amë. Nga fillimi deri në fund, në poezitë e Mimozës do të gjeni, Vlorën, Tiranën, Shqipërinë, Kosovën, Athinën, vende të tjera ku ka emigracion shqiptarësh. Do të gjeni një ditë gëzimi, një ditë hidhërimi, një ngjarje, poezi për dashurinë, për familjen, për politikën anormale shqiptare, për detin, festat shqiptare, për Zotin, për nënën, babanë, fëmijët, për miqësinë, për problemet sociale, për heronjtë, për natyrën, për shoqërinë, njeriun intrigant, për burimin e frymëzimit, për sinqeritetin, lakminë, heronjtë, dëshmorët e Kosovës, mikpritjen, bujarinë, karakteret njerëzore, të ardhmen, varfërinë, pasurinë por edhe për pabesinë. Lajtmotivi i tërë kësaj game tematike poezie është: Të duam jetën dhe të respektojmë dashurinë dhe të qenit njeri. Në krijimtarinë e gjithëkahëshme poetike të autores, një vend të spikatur pa dyshim e zënë poezitë me motive nga mërgimi në Greqi ku nëpërmes figurave të goditura artistike ajo ka sjellë natyrshëm, shpirtin e saj të trazuar dhe në momente të caktuara edhe të dyzuar. Poezia është gjini letrare, ku porosia e poetit zakonisht shprehet me vargje dhe ndërthur figura stilistike (letrare) siç janë rima, metafora, krahasimi, hiperbola,litota , etj të cilat Mimoza në këtë libër i ka derdhur me elegancë, në mënyrë racionale, pa butaforizma ekstravagante, por në mënyrë lakonike dhe korrekte. Me poezitë e gjalluara artistikisht, autorja shpreh ndjenjat, por edhe vështrimin e saj për ndonjë dukuri apo ngjarje me një gjuhë të fuqishme artistike, por me një detaj, duke ruajtur besnikërisht deri në zgrip rimën e vargut. E theksoj besnikërisht se, nga fillimi deri në fund poezitë e Mozës ruajnë një rimë perfekte që ajo në asnjë mënyrë nuk bën kompromis për luhatje. Ndoshta kjo është cilësia numër një e poezive të saj, që e bëjnë lehtësisht të dallueshme nga të gjithë autorët e tjerë, tipar që përbën individualitetin e saj poetik. Por kushdo që do lexoj këtë vëllim, patjetër do has diçka ndryshe në fjalë të veçanta. Si një hulumtuese fjalori, në kujtesën e saj Moza ka ruajtur si thesar shumë fjalë të vjetra krahinore të prindërve të saj, fjalë që tingëllojnë bukur në poezi por që i japin dhe një sharm tjetër poezisë, atë të thesarit dhe folklorit të rrallë popullor shqiptar që sot po deformohet nga fjalët e huaja të huazuara nga gjuhë të ndryshme. Ato fjalë krahinore, apo të vjetra të trashëguara, ngjajnë si rruaza ndriçuese në vargun e saj rimor, ku duket se valët e detit vlonjat afrojnë thesaret e folklorit për ti bërë ballë fjalëve të pakuptueshme të huazuara. Folklori shqiptar, fjalët e moçme shqiptare, i kanë mposhtur të gjitha sfidat e kohës, pasi folklori kjo frymë e shpirtit të popullit, mbetet një pishtar i shpresës, të cilën e mbartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër, brez pas brezi, kokat më të ndritura të kombit nga Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, e deri tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni. Fjalët e rralla dhe rima i japin portretizim inkandeshent vëllimit. Rima nuk është parë si qëllim në vetvete, por si cilësi specifike e autores që atë e bën të formojë portretin saj poetik dhe ti jap një individualitet preferencial, pasi, varësisht nga preferencat e poetes, poezia në disa raste e përdor rimën, por autorët modern, ndryshe nga Moza, nuk kujdesen shumë për rimën. Por, përtej rimës, në vargje autorja është sa klasike po aq dhe moderne, sa e thjeshtë, po aq e ndërlikuar, pasi në shumë poezi ka një nëntekst thirrës që e dallon vetëm kur poezitë i lexon me kujdes. Pasthirrmat, ah, oh, eh, përbëjnë zemërim poetik për padrejtësitë shoqërore dhe politikën e mbrapshtë ku nënteksti përcjell kurajën njerëzore për të duruar dhe për ta parë të ardhmen me guxim. Duke krijuar në mënyrë origjinale, tërësisht bio, autorja duket se ka lexuar më së miri kritikun dhe eseistin botëror Octavio Paz i cili thotë: “Poezia është kujtesa që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë”. Pra Mimoza e ka kthyer poezinë në zë popullor. Në poezinë e këtij vëllimi autorja tregon botën e saj të brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimin hyjnor të ndërtuar me shkronja, më pas këto shkronja krijojnë vargje të cilat shpalosin mendime me energji pozitive që ndezin dritat e dijes, rrezet e arta të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, për një jetë të paqtë. Në poezi të veçanta spikat dhe lexohen lehtë shprehjet e shpirtit krijues, që autorja i ka shkruar më një frymëzim të thellë pasi në vargje gjallon realisht jeta, atdheu, dashuria, bukuritë natyrore të vendit ku dhe shpesh herë bukuritë e vendlindjes janë frymëzim për vargjet e saj. Pa asnjë egoizëm apo tendencë dukjeje, Mimoza vargun e gatuan me brumin e tokës dhe realitetit, ku ka reflektim njerëzor, kombëtar dhe realist, larg stisjeve. Ajo në librin e saj duket sikur bashkëbisedon me lexuesin përmes vargjeve që kanë një metaforë dhe me një rimë të përdorur mjaftë mirë e që është e lehtë dhe e asimilueshme për lexuesin. Ajo e tregon qartë frymëzimin nga jeta, nga e kaluara, nga e tanishmja dhe ideon artistikisht një rrugëtim serioz në të ardhmen, pasi vargjet e këtij libri dëshmojnë për një vlerë estetike ambicioze dhe për një artikulim të çiltër poetik që ruajnë origjinalitetin e ndjenjës së saj.



Një nga poezitë më të ndjera më të dhimbshme të Mimozës është ajo e humbjes së parakohshme të motrës. Një dhimbje e madhe, një gjëmë familjare por edhe individuale. Motra, një grua zonjë, zemër madhe, humaniste, plot mirësi dhe dëlirësi iku para kohe. Zoti e mori në përjetësi. Ajo la pas imazhin më të mirë të gruas shqiptare, si nikoqire, korrekte, e dashur, e respektueshme, bujare, me një zgjuarsi natyrore të veçantë. Ajo shkoi në Parajsë, por dhimbja që la tek Moza është e madhe. E madhe dhimbja pasi e madhe ishte në virtyte dhe cilësi motra e saj. Vojsava mbetet për Mimozën shëmbëlltyra e bukurisë, mirësisë dhe njeriut ideal. Me humbjen e saj ajo humbi një pjesë të shpirtit binjak që e nxit për çdo ditë të shkruaj më shumë dhe më bukur. Ja si shprehet autorja në poezinë për motrën:



Se thika që kam ndjerë

Në fund të asaj stine

S’më shqitet si kolerë

Më nxiu si Mersine.



Ç’të bëj, marr penë e mjera

E ngjyej në qiellin blu

Dhe rimën në ylbera

Hedhur nga sytë e tu!



Se ti ishe si nënë

Për motër e vëlla

Çdo varg lotin kam lënë

Dhe prapë kam një mëllë.



Një poezi ku dhimbja përshkruhet me germat e zemrës, më fjalët më të bukura të shpirtit. Vetëm një poete mund ta përcjellë kaq bukur dhimbjen që i kalon përmasat njerëzore.



Ajo ku ndalet më gjatë autorja është tema e mërgimit, këtë temë aq të diskutuar në familjet shqiptare, këtë plagë të rëndë autorja nuk ua dëshiron të tjerëve ta provojnë, por të punojnë në vendin e tyre. Në mërgim nisesh me ëndrra të mëdha, me dëshira të mëdha, me projekte. Në mënyrë shumë poetike autorja përshkruan ditën kur shkoi në Greqi. Ishte koha kur vendi ynë sapo kishte hyrë në demokraci. Varfëria, ikjet drejt perëndimit, vështirësitë e kalimit nga komunizmi në demokraci, prapambetja ekonomike kishin ideuar brenda çdo shqiptari se emigracioni ishte fushë me lule. Drita verbuese, reklama pafund, fusha të sistemuara, supermarket me prodhime ta pafundme, makina luksoze që nuk njiheshin në Shqipëri, gjallëri njerëzish të humbnin mendjen në ditët e para, po më pas shikoje se realiteti ishte krejt ndryshe. Ja si shprehet autorja tek poezia në fjalë:



Sa kalova Kakavijë,

Uau! -Parajsa thash me vete!

Xixëllonja pash një mijë,

Të ëmbla mendova dete.







Ç’më verbuan ato drita,

Nata, ditë nga autobusi,

Ah, ky lum qenkësh me prita

Rrjedh e qelbur ç’na përbuzi.







Siç i japin na i marrin,

Qira drita ujë e shkallë,

Ah, kurbet ç’na bëre varrin,

Për Atdhe seç kemi mall!







Përfundimi i kësaj poezie është sinjifikative. Në mërgim edhe mund të jetosh pak më mirë, mund të fitosh më shumë para, por qetësinë shpirtërore që të jep atdheu nuk ta jep asnjë vend në botë, ndaj autorja bën thirrje për kthim se në atdhe jemi vetvetja dhe malli për atdhe sa vjen dhe rritet.



Por ajo ndjek me vëmendje çdo zhvillim në atdhe dhe dinë mirë se politika e mbrapshtë ka bërë që kthimi nga emigracioni të mbetet një ëndërr e largët, një ëndërr e ëndrrave. Çdo klasë politike që vjen në pushtet mendon për vete, mendon për xhepin e saj dhe jo për popullin që çdo ditë merr rrugët e mërgimit. Plot 30 vjet, ikje, ikje se politikanët shqiptarë shkojnë te populli vetëm kur marrin votat në zgjedhje. Besimi i Mimozës te politikanët shqiptarë është zhgënjyese. Ajo me plot bindje shprehet se:



Kujt votë t’i zësh besë,

Ta japësh pa frikë,

Mbushur jemi stres,

E s’dimë në del “armik”!







S’mbajnë dot asnjë fjalë,

Të djallëzuar keq,

Hiqen det, pa valë,

Dy gurë bashkë s’lënë veç!







Pra në këtë vëllim, përveç elementeve personale, poezitë e saj kanë edhe mesazhe të forta për aktualitetin tonë shqiptar, pasi trajtohen plot vërtetësi problemet sociale, politike dhe shqetësimet e njeriut të sotëm. Por po kaq autorja ndalet edhe tek dashuria, jo vetëm si koncept personal, por edhe si koncept universal ku kjo poezi zë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim. Për dashurinë ajo flet plot ndjenjë, me sinqeritet, me pathos dhe respekt. Për të dashuria është të dish se çfarë mendon tjetri, pa nevojë shpjegimi, të shpjegosh dhe atë që është e vështirë dhe të mundohesh të kuptosh dhe atë që nuk të pëlqen, të diskutosh, bisedosh apo të gjesh kompromis. Me një penë elegante dhe të kujdesshme autorja tregon se dashuria kërkon kohë, angazhim, energji, pasion, dedikim, sinqeritet, aftësi për zgjidhje problemi, aktivizim, pasi dashuria është një ndjenjë delikate ku mund të ndahen suksese dhe dështime. Ja si shprehet ajo në një poezi:



Sonte yjet s’flenë,

Zemrës bëjnë refleks,

Shkronjat gjetën prenë,

Dashurisë me shpresë.



Yjet, zemra, pena, germat janë shoqërues të përjetshëm të dashurisë. Me nëntekst autorja thekson se dashuri do të thotë t’i japësh tjetrit atë që ka nevojë pa patur nevojë të ta kërkojë. Dashuri do të thotë të humbasësh veten dhe ndjenjat te tjetri, duke patur besimin që çdo gjë është në vendin e duhur, pikërisht aty ku donte natyra që të ishte, në atë vend dhe në atë moment. Larmishmëria e poezisë, metafora e fuqishme, tematika e pafundme në fabulat e përcjella, stili rimor dhe i ëmbël, mbështetja tek folklori vjen në mënyrë organike, tepër e sinqertë. Me vëllimin “Me sytë e jetës”, Mimoza, kërkon më shumë tek vetja, më shumë vëmendje nga lexuesi, më shumë realizëm nga kritika. Ajo kërkon individualitetin e vet larg plagjiaturave, larg përsëritjeve tematike me ide boshe, por kërkon një poezi shpirti të sinqertë që të jetë aktuale në çdo stinë jetësore, kërkon poezinë që jep dhe merr frymëzim popullor. Tek populli, folklori, te jeta e përditshme, ajo merr ozonin, pjalmin, muzën dhe shkëndijën e krijimit, që e bën poezinë e saj, të besueshme, të lexueshme, të kërkueshme, të asimilueshme, por mbi të gjitha me një mesazh që ta indetifikojë si shqiptare dhe si poete me gjurmë te folklori.

Si persekutoheshin dhe mbylleshin në kaos vajzat e dalluara


Flasim për vitet e demokracisë, jo për Komunizmin, e as për kohën pak përpara viteve ‘90.


Vajza shqiptare që binin në sy të sundimtarëve, liderëve apo edhe “të pasurve”. Por edhe për një arsyeje ose një tjetër: për shkak të forcës së tyre femërore, personale, krijuese ose edhe thjesht sharmit, humorit apo simpatisë. Vajza të përndjekura, të sulmuara në pika të ndryshme të personalitetit të tyre, të zvarritura, të kthyera në mish, të përdorura, të torturuara me strategji malinje që përfshijnë edhe artin, edhe nga vajza të tjera fatkeqësisht.



Një shoqëri pseudo-demokratike, ku vlerat perëndimore në vend që të theksohen, vidhen, mpaken, futen në rrathë mashtrimi, pafundësisht, edhe prej meshkushjsh të papërgjegjshëm, që sot janë ende gjallë. “Mitra” që bien viktimë e mentaliteteve me prapambetje kulturore, nervozizmi kriminalistik, krimeve, torturash, shkundjesh mendore prej të sëmurëve psiqikë, prej paranojakëve të sistemeve të vdekura, prej manjakëve të perfeksionit trupor përpara shëndetit dhe mendjes. Prej injorancës.



Vajza që sot mund të ishin

Kryeministre

Presidente

Ministre

Këshilltare

Pedagoge

Aktore

Modele të famshme

Kryeredaktore

Gazetare

Prijëse





Këto vajza nuk janë më!



Sepse ka vajza që vrasin vajza. Sepse ka djem dhe burra që harrojnë. Sepse ka burra që vrasin! Burra mentalitetesh të vdekura. Burra që duan vetveten përpara motrës, nënës, familjes.


“PËR TY KOSOVË” Përjetësisht s’na ndan má guri

Nga Azgan HAKLAJ


20 vjet më parë, Kosova, epiqendra e qëndresës kombëtare për liri e pavarësi, djepi i nacionalizmit shqiptar, i kuvendeve të mëdha e kryengritjeve të fuqishme u ngrit ashtu si Davidi kundër Goliatit përballë kuçedrës së Ballkanit, makinës së përgjakshme ushtarako-policore të kasapit Millosheviç.

20 vjet më parë bota mbarë u ba dëshmitare e masakrave të pashembullta të çetnikëve serbë mbi pleqtë, gratë e femijët e shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës. Garashanianët, karaxhiqët, çubriollviçët, rankoviçët e rinj ëndërruan dhe praktikuan zhbërjen e Kosovës Dardane përmes spastrimit etnik, dhunës, burgosjeve masive e shtypjes me metoda mesjetare, ndaj një popullsie të lashtë e autoktone, në trojet e veta mijëvjeçare.

Bota mbajti frymën tek shihte fshatra e qytete të djegura, bombardime barbare ndaj popullsise civile, grabitje e bastisje që të kujtojnë epokën e hordhive të hunëve të Atilës, vizigotëve të Alarikut që rrafshuan Romën, mongolëve të Çengiskanit, barbaritë e vikingëve të Erik Qimekuqit, fushatat e Sulltan Mehmetit apo krimet e esesëve hitlerianë ndaj hebrejve në Luftën e Dytë Botërore. Millosheviçi ëndërronte të bahej një Car Dushan i Ri.



Dukej sikur furia dhe egërsia serbe nuk kishte të ndalur e Kosova do gremisej njëherë e përgjithmonë në honet e historisë, ashtu si Kartagjena e Hanibalit, apo Troja e Priamit dhe Hektorit.

Mesjeta trokiti fort me tmerrin dhe barbarinë e saj në vatrat e Kosovës.

Është momenti të kujtojmë vargjet e Kadaresë për mizoritë e Car Dushanit, ideatorit të Perandorisë Serbe:



” Ish kohë e zymtë dhe e egër

Po vdekje s’kishte Atdheu,

Se pas Dushanit Car të frikshëm

Mbrrin rrufeshëm Skënderbeu…”



Providenca Hyjnore bëri të mundur që 20 vjet më parë Kombi Shqiptar të rilindë përmes zjarrit të luftërave e betejave ashtu si Zogu Feniks nga hiri.

Kosova i dha Kombit Shqiptar 22 vjet më parë gardën proteriane UÇK-në me Skënderbeun e Ri të qëndresës Kombëtare Adem Jasharin, De Golin Shqiptar Ramush Haradinaj, Bogdanin e kohërave moderne vizionarin gjenial Ibrahim Rugovën, gjeneralë dhe strategë trima të shumtë, mijra deshmorë që dhanë dhe jetën për liri nga të gjitha trojet etnike shqiptare.

Në vitin 1998 bisha serbe mbuloi me zjarr dhe hekur brezin kufitar në trekëndëshin Prizren-Pejë- Gjakovë

Malësia e Gjakovës priti me bujari e përkujdesje vëllazërore 20000 vëllezër dhe motra nga Kosova të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre me operacionin “Patkoi” të ideuar dhe realizuar nga makineria gjakatare e Millosheviçit.

Kukësi -Tropoja dhe Hasi u banë para dy dekadash ashtu si në kohën e Serbisë së parë dhe të dytë strehë e sigurtë për vellezërit dhe motrat e një gjaku dhe Kështjella të pamposhtura lirie.

Një këngë e vjetër popullore monumentale për reprezaljet serbe të dimrit të vështirë 1913 e shpërnguljet e imponuara me forcën e armëve, me zjarr, hekur e terror thotë:



” Ndjefsha mirë për ty, Malësi,

Mirë m’i prite 12 mijë,

20 vetë ma e vogla shpi…”



Kukësi -Tropoja –Hasi, që patën nderin një shekull më parë të prisnin në vatrat familjare e odat e burrave korifejtë e patriotizmit e të luftës për liri Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Shotë e Azem Galicën, një çerek shekulli më parë hapen dyert e zemrat për dasmën e lirisë e krushqit e tyre: Adem Jashari, Vëllezërit Haradinaj, Mujë Krasniqi, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Mujdin Aliu e mijëra luftëtarëve trima të Kosovës e të Shqiptarisë, që thyen kufirin Shqipëri-Shqipëri.

Kukësi, kjo trevë e lavdishme shqiptare, i ktheu përgjigje Sulltan Hamidit me koburen e Ramadan Zaskocit e bashkë me vëllezërit dibranë të udhëhequr nga Islam Spahia e Elez Isufi ripërtërinë Epokën e Skënderbeut në betejën legjendare me invadarët serbo-sllavë dhe asgjesuan 12.000 agresorë.

20 vjet më parë, kur NATO e kombet e lira demokratike bombarduan caqet e makinerisë gjakatare serbe, Kukësi priti me bujari mbi 500.000 vëllezër e motra të Kosovës.

Është rast unikal në botë që një qytet pret 10 herë më shumë mysafirë se popullsia e tij, prandaj me të drejtë është propozuar për Çmim “Nobel”.

Kjo mikëpritje legjendare e humanizëm proverbial i kuksianëve është i ngulitur thellë në ADN e Kombit Shqiptar dhe sanksionohet në shprehjen lapidare të Kanunit të Lekë Dukagjinit: “Shpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”

Jemi në vitin e 20 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në 20 vjetorin e Betejës legjendare të Koshares, ku ranë 113 dëshmorë. Ranë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Abaz Thaçi, që sëbashku me Luan Haradinajn e Mujë Krasniqin e shumë trima të tjerë, janë simbolet e thyerjes së kufirit, “Murit Berlinez” mes Shqiptarëve.

Jemi në 20 Vjetorin e rënies heroike të betejës dhëmb për dhëmb me armikun të gjeneral Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Hasim Halilaj në malet e Maznikut.

Jemi në 10-vjetorin e hyrjes së Shqipërisë në NATO.

Shqiptarët e Maqedonisë zyrtarizuan Gjuhën Shqipe, gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe Hyjnores Nanë Tereza. Ata u banë përcaktues ne rrugëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së me emër të ri Maqedoni e Veriut.

Pranvera Tuziane triumfoi me fitore spektakolare, pasi jetësoi mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit duke realizuar ëndrren e Ded Gjon Lulit pas më shumë se një shekulli.

Eshtë koha të shprehim një mirënjohje të përjetshme aleatëve tanë perëndimorë

NATO-s dhe burrave të mëdhenj të shtetit, Bill Klintonit, Toni Blerit, Zhak Shirakut, Xhorxh Bushit, shtetet e të cilëve kanë kontribut themelor e historik për Lirinë e Kosovës e Pavarësinë e Saj.

Sot Kosova është e lirë dhe demokratike, e sigurt në Rrugën e saj drejt progresit dhe integrimit Euro-Atlantik, është kujtesa jonë historike e kombëtare, pjesë integrale e Atdheut tonë, e pandashme, Kauzë Kombëtare për mbrojtjen e saj me betimin solemn: “Një Kokë për një Pëllambë Tokë”.

Muret e ndarjes janë shembur njëherë e përgjithmonë.

Kufijtë janë simbolik.

Përjetësisht s’na ndan ma guri.

Asgjë nuk mund të na ndalë në rrugën tonë Hyjnore të Bashkimit Kombëtar.

Me dt. 16 prill, ora 11.00, Unionn Artistik i Kombit Shqiptar do të zbarkojë në

Kukës, në Qytetin “Nobel” me 250 artistë të përzgjedhur nga të gjitha trojet Iliro- Dardano-Arbërore, me spektaklin madhështor tematiko-artistik: “Për Ty, Kosovë”.

Përkthimi, një histori pasioni ( Botuar nga: OMSCA-1 në 2015 )

titleToAlt
Libri “Përkthimi, një histori pasioni” i Eshref Ymerit që po vihet në dorën e lexuesve, pasuron dukshëm serinë e botimeve në shqip që u janë kushtuar problemeve të përkthimit, që nga shkrimet, artikujt, esetë, intervistat, studimet e gjer te librat. Libri është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë, që përbëhet prej njëmbëdhjetë kapitujsh, autori ka trajtuar një gamë të gjerë problemesh që fillojnë me lindjen e termit “përkthim” që në lashtësinë e kryehershme. Është e udhës të vihet në dukje fakti se në këtë libër, autori, para se të trajtojë llojet e përkthimit në aspektin e tekstit të përkthyer (materiale dokumentare, informative dhe shkencore, prozë publicistike, politike dhe filozofike, prozë artistike dhe poezi), është ndalur në analizën e përkthimit, si njëri nga llojet e kahershme të veprimtarisë së njeriut, që nga antikiteti e deri në ditët tona. Theksi është vënë në rolin e pazëvendësueshëm të përkthimit në pasurimin e gjuhës përkthimore, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje. Ai, përmes fjalëve të Montenjit (Michel de Montaigne), ka nxjerrë në pah kontributin e shquar të Zhak Amios (Jacques Amyot)në pasurimin e gjuhës franceze me përkthimin e veprës së Plutarkut “Jetë paralele” dhe, përmes fjalëve të Pushkinit – kontributin e Nikollaj Gnjediçit në pasurimin e gjuhës ruse me përkthimin e “Iliadës”. Me këtë rast, Eshref Ymeri ka nënvizuar se kultura jonë kombëtare krenohet me përkthyesin e saj të shquar, profesorin Gjon Shllaku, i cili, me përkthimin e “Iliadës”, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...