Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/04/23

Etiketime fyese dhe të pavërteta të vrazhda të Elez Biberajt


NJË PËRGJIGJE PËR ELEZ BIBERAJN



I dashur Elez,

E kam lexuar jo pa keqardhje, fjalën Tuaj në ceremoninë e përvjetorit të 110-të të gazetës “Dielli”. Konsiderata personale për Ju, e lidhur me historinë e një marrëdhënieje të posaçme në distancë, krijuar tash e thuajse 30 vjet më parë, në momentet e lavdishme të Zërit shqiptar të Amerikës, ma imponon që t’Ju drejtohem publikisht.

E gjej për të ardhur keq gjuhën e përdorur prej Jush lidhur me qeverisjen time. Aspak jo pse Ju jeni kritik për të. Por sepse, në shtjellën Tuaj ka më shumë etiketime fyese e të pavërteta të vrazhda, se sa argumenta e fakte burimore.

Duke iu referuar shembullit “të disa udhëheqësve të tjerë europiano-lindore”, Ju thoni ndër të tjera se, “Rama është bërë dukshëm më i korruptuar”! Nuk po merrem këtu me etiketimet e tjera. Fundja ato janë opinione dhe është e drejta Juaj të mendoni, se unë qenkam bërë “më autoritar, më arrogant dhe më jo transparent”.

Por desha t’Ju pyes zoti Elez, a e dini Ju se “i korruptuar” është akuzë ligjërisht e rëndë e jo opinion dhe a keni Ju ndonjë provë për ta mbështetur këtë akuzë?!

Natyrisht kjo është një pyetje retorike. Sepse deri më sot, askush nuk ka sjellë dot asnjë provë, për ta mbështetur etiketimin e rëndë “i korruptuar”, lëshuar rëndom në adresën time nga palë e individë të angazhuar publikisht, në fushata a në maskarada të shumta kundër meje. Por personi im ka lidhje me këtë etiketë, aq sa ç’ka lidhje kjo lloj gjuhe me gazetarinë e vërtetë!

Më tej, sipas Jush, unë paskam “ngushtuar hapësirën publike, minuar institucionet e pavarura, mbushur gjyqësorin me besnikë nën maskën e reformave”! Ama për çudinë më të madhe, tërë këto thagma i paska zbuluar vetëm opozita, disa media online pranë saj dhe disa të vetëdeklaruar analistë – të cilëve Ju i bashkoheni, duke përsëritur akuzat e tyre një për një dhe me të njëjtën vrazhdësi.

Unë në fakt zoti Elez, e pranoj dhe e pranoj me krenari, se kam minuar një sistem të tërë të kalbur e të korruptuar drejtësie! E kam bërë hapur dhe vendosmërisht, duke marrë përsipër çdo risk e kosto të mundshme politike dhe jo nën maskën e një reforme, po përmes pikërisht Reformës në Drejtësi. E cila është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet pa asnjë ekuivok, qysh prej ditës së parë, nga çdo partner ndërkombëtar i Shqipërisë. Madje konsiderohet prej tyre një model për t’u shtrirë në të gjithë rajonin tonë.

A e dini Ju se partnerët tanë amerikanë dhe europianë e mbikëqyrin këtë reformë në çdo hap edhe përmes një Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit?!

Padyshim edhe kjo është një pyetje retorike. Sepse s’ka se si Ju të mos e dini se deri më sot, ata nuk kanë konstatuar asnjë minim apo cenim institucionesh të pavarura dhe asnjë ndërhyrje nga ekzekutivi për të futur besnikë në gjyqësor. Përkundrazi, ata e konsiderojnë procesin e pastrimit të gjyqësorit jo vetëm të suksesshëm deri këtu, po një garanci për pavarësinë e për besueshmërinë e institucioneve që po ndërtojmë nga themelet, pas dekadash kalbëzimi e rrënimi të tyre.

Është befasuese që Ju të flisni për gjyqësor të mbushur me besnikë, sepse e vërteta është që kaq larg s’ka shkuar askush, as brenda vetë oborrit opozitar, përveç Dr.Berishës! Dhe jo se është ndonjë mëkat i paamnistueshëm, që dikush të përsërisë fjalët e zotit Sali për të shprehur një opinion të ngjashëm, po unë besoj se është e pajustifikueshme për një gazetar apo një drejtues tribune mediatike, që një akuzë kaq shembullore në pavërtetësinë e saj, t’ia përcjellë audiencës si fakt mbi qeverisjen e këtij vendi.

Ju thoni se unë paskam “refuzuar të dënoj rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve” për blerje votash! Madje u paskam “ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar dhe trafikëve të drogave”.

Pyetja retorike në këtë rast mund të keqkuptohej, prandaj edhe s’po e bëj! Por dua t’Ju kujtoj, se siç Ju nuk jeni as prokuror e as gjykatës, edhe pse në këtë rast keni marrë përsipër ta luani këtë rol, as unë nuk jam prokuror apo gjykatës dhe s’kam ndërmend ta marr përsipër një rol të tillë. Kështu që s’kam as se si dënoj njerëz për çfarëdoqoftë, as se si refuzoj të dënoj kënd. Këtë detyrë e ka drejtësia dhe duhet ta bëjë vetëm ajo. Prandaj edhe Ju s’mund të tregoni dot një rast të vetëm, kur unë apo qeveria ime të kemi ofruar qoftë edhe mbrojtje verbale nga drejtësia për këdoqoftë, se pandëshkueshmëri siç bënte rregullisht paraardhësi im dhe qeveria e tij, jo e jo.

Nga ana tjetër, e keni përmendur edhe Zërin e Amerikës, duke thënë se qenka sulmuar në mënyrë befasuese nga unë. Ju siguroj se ato çka Ju quani sulme befasuese, kanë qenë thjesht shprehjet e sinqerta të befasisë sime, për faktin e pazakonshëm se një tribunë e respektuar, me standarde të mira profesionale si VOA, ra nën nivelin e standardeve të veta në dy raste konkrete.

VOA nuk respektoi për fat të keq, asnjë parim profesional në rastin e transmetimit të një përgjimi të nxjerrë nga një dosje hetimore, me një koment të vetin kriminalizues pa asnjë bazë faktike më shumë se sa vetë përgjimi (i cili siç e dini, nuk përbën provë në vetvete, në asnjë gjykatë të botës). Ndërsa në rastin tjetër VOA dezinformoi, duke bërë një mishmash e duke përfshirë persona pa lidhje në “aktakuzën” e vet dhe ende më keq, duke refuzuar publikimin e sqarimit të ministres së drejtësisë, e cila me fakte lehtësisht të verifikueshme mbi punësimet në sistemin tonë penitenciar, e hodhi poshtë “aktakuzën”. Si një gazetar e drejtues me shumë përvojë në botën e medias, Ju duhet ta dini se gjysmë të vërtetat e servirura si zbulime, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha publike.

Ju gaboni krejt kur thoni se sot shqiptarët “duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme”. E vërteta është se në asnjë rast këto vitet e fundit, shqiptarët s’e kanë mësuar një çështje të ndjeshme nga mediat ndërkombëtare apo nga Zëri i Amerikës, përpara se sa ta kenë lexuar e dëgjuar të komentohet gjerësisht në mediat e vendit.

Ju i quani kërcënuese reagimet e mia ndaj “kazanit” (s’kam gjetur dot një fjalë më të përshtatshme në shqip, për të karakterizuar mallin fake news) edhe pse ato janë “mesazhe dashurie”, krahasuar me sharjet brutale e shantazhet nominale të gazetarëve jo shumë vite më parë – atëherë kur kryeministri i Shqipërisë e quante bash gazetën New York Times “një letër higjenike”! Asnjëherë si apo sa sot, nuk është sharë e baltosur në liri të plotë qeveria e personalisht kryeministri, pa i hyrë gjemb në këmbë askujt, as si person e as si organ mediatik i çfarëdo lloji. Kështu që pa asnjë merak për lirinë e shtypit në këtë vend zoti Elez, sepse kërcënuesit e vërtetë të saj nuk janë më në pushtet. Me mua, kadrinjve mund t’u hasë sharra në gozhdë kur replikoj, po kurrë s’u has mishi në shkop a veshi në baltë kur konsumojnë shpifje e sharje në mexhelisin mediatik, sikur të konsumonin raki e djathë në pijetoren e fshatit.

Sa për sfidën e vazhdueshme që unë i paskam bërë “vetë parimit të shtypit të pavarur” duke krijuar median time televizive në internet ERTV, më duhet t’ju them se ishte një pasazh që më bëri për të qeshur.

Me shpresën se gjithë sa më lart do t’i prisni si gjithnjë i buzëqeshur, Ju lutem i nderuari mik të pranoni bashkë me konsideratën time të patrazuar, edhe urimet e mia më të sinqerta për shëndet e punë të mbarë.



Edi

****

Dr.sc.Elez Biberaj



Edi Rama është bërë më autoritar, më i korruptuar dhe më arrogant



Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.

Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqës të tjerë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tenderë, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.

Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si “kazan.” Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.

Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu. Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.

Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.

Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe “një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Raporti e rendit Shqipërinë si një vend ku kryhet pastrim i madh parash duke shtuar se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikantët e drogës përgjithësisht janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar”. Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga “korrupsioni i përhapur”.

Në këtë kontekst, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vendosi në muajin shkurt (2019) të largohej nga parlamenti. Ky hap i paprecedentë e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. Rama nuk i ka pranuar kërkesat e udhëheqësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen dhe për të krijuar një qeveri teknike, duke i cilësuar ato si thjesht përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Me gjithë urgjencën e situatës, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.



*



Elez Biberaj është drejtor për Euroazinë në “Zërin e Amerikës”. Ky fjalim është mbajtur në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës “Dielli”.

Është ndarë nga jeta, Idriz Mujë Gërvalla

Është ndarë nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare Idriz Mujë Gërvalla


Është ndarë nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare,avokati nga Duboviku i Deçanit  Idriz Mujë Gërvalla. Me organizim të komunës së Deçanit, nesër me 24.04.2019 (e mërkure) mbahet mbledhje komemorative në orë 11:00, në Sallën e Asamblesë komunale.


Ambasadori ynë në Britani: Pse e kritikova autoren e “Fifty Shades”?

Një debat mes autores së librit “Fifty Shades of Gray” E.L James dhe ambasadorit tonë në Britaninë e Madhe zoti Qirjako Qirko ka qenë në qendër të mediave britanike ditët e fundit. Shkas është bërë libri titulluar “The Mister”, që është një vazhdimësi e librit të saj të parë ” Fifty Shades of Gray”.

Gjatë një lidhjeje telefonike për ” Wake Up”, ambasadori ynë në Britani tha se, reagimi i tij erdhi pasi mësoi se ky libër i portretizon shqiptarët si kriminele dhe shoqërinë shqiptare si të prapambetur duke cënuar kështu imazhin tonë.

U dëbua nga çmimet Oscar, Polanski padit Akademinë



Roman Polanski ka paditur Akademinë e Shkencave dhe Arteve Vizive pasi u dëbua nga organizata. Regjisori i filmit “Pianisti” u dëbua nga organi i Oscar-it bashkë me Bill Cosbin në maj të vitit të shkuar.

Një avokat i regjisorit në arrati thotë se ai është dëbuar pa paralajmërim dhe pa patur shansin të japë shpjegime.

Akademia tha në një deklaratë se dëbimi i fituesit të çmimit Oscar ishte i drejtë dhe se nuk do të ketë një përmbysje të tij. Polanski ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale të paligjshme me një 13-vjeçare në 1977, rast pas të cilit kreu 41 ditë burg dhe u largua nga SHBA për shkak të frikës se marrëveshja për pranimin e fajit nuk do ta mbronte atë.

Avokati i Polanskit, Harland Braun, e paraqiti padinë në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit, javën e shkuar. Dëbimi i Polanskit dhe i Bill Cosbit, sipas Akademisë, është bërë në pajtim me standartet e sjelljes së organizatës. Në kohën e dëbimit të Polanskit nga Akademia pati madje shumë nga ata që pyetën përse iu deshën Hollivudit më shumë se 40 vite për të vendosur që përdhunimi i një 13-vjeçareje ishte akt që binte ndesh me vlerat e saj për respektin e dinjitetit njerëzor.

Polanski ka shtetësi franceze dhe polake dhe i ka shpëtuar disa përpjekjeve për ekstradim në SHBA. Franca, ku ai jeton, nuk i ekstradon qytetarët e saj. Edhe një gjykatë polake refuzoi një kërkesë amerikane për ekstradim kur ai po filmonte në Krakovë, në vitin 2015.

“Hirushja” shqiptare. “The Mister”, libri që portretizon negativisht shqiptarët

Gjashtë vjet pas botimit të “50 hije të Gray”, E.L. James hedh në treg librin e saj të fundit “The Mister”.

Ajo ka pushtuar faqet e para të gazetave më prestigjioze, jo vetëm britanike. “The Sunday Telegraph”, “The Neë York Times”, “Daily Mail” etj. shkruajnë për historinë e saj të re të dashurisë tek “The Mister”, një histori mes një aristokrati të pasur sharmant britanik dhe shërbyeses shqiptare të shtëpisë së tij.

E.L. James njihet për faktin që në krijimet e saj figurat femërore janë të nënshtruara me disbalancë të theksuar ekonomike nga partnerët që ato dashurojnë.

Por, në ndryshim nga trilogjia e hijeve, këtu nuk kemi dhomë të kuqe dhe mazokizëm.

E.L. James arrin deri aty sa e portretizon pastruesen shqiptare Alessia Demachi si një vajzë që nuk di çfarë është një telefon i zgjuar apo një kartë krediti. Ajo është viktimë e trafikut njerëzor duke krijuar edhe një herë imazhin e keq që kanë shqiptarët nëpër botë.

Ndaj kritikave të saj për librin e ri “The Mister” i është shtuar edhe ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko.

Ai u shpreh për britaniken “The Sunday Telegraph” që libri i E.L. James është plotësisht jorealist sa i përket përshkrimit të Shqipërisë dhe të shqiptares Alessia.

Ai thekson se ndihet keq sa i përket perceptimit dhe imazhit që krijohet për shqiptarët. “Ata janë njerëzit më të mirë që ju mund të takoni”, thekson Qirko.

Nga ana tjetër, E.L. James është shprehur se ka udhëtuar në Shqipëri disa herë për ta njohur si vend. Ka blerë një fjalor të gjuhës shqipe si dhe disa libra që rrëfejnë zakonet dhe kodin tonë kanunor.

Kur James botoi “50 Shades of Gray” nuk e mendoi kurrë se libri i saj do të shiste më shumë se 150 milionë kopje në mbarë botën, do të përkthehej në 50 gjuhë, përfshi dhe atë arabe dhe do të adaptohej për një film me tre seri që fitoi më shumë se 1 miliard dollarë në total.

Me “The Mister”, Hollivudi mund të ngacmohet për një film tjetër me hirushen e kohëve moderne, por kjo hirushe është një pastruese shqiptare e mahnitur nga padroni i saj sharmant britanik.


Pedagogia, Sula: E drejta e autorit shkelet që nga auditorët e universiteteve





Intelektualë, njerëz të letrave, shkrimtarë, përkthyes, bëhen gjithë bashkë në Ditë Botërore të Librit dhe e së Drejtës së Autorit për të diskutuar për librin dhe jo vetëm.

E ftuar në “Wake Up”, pedagogia e Fakultetit të Histori- Filologjisë Lili Sula tha se shqiptarët po i largohen librit, por ky është një shqetësim në të gjithë botën. Ndërsa respektimi i së drejtës së autorit, është një nga problemet më të mëdha që nis që në auditorët e universiteteve.

Visar Zhiti: Nuk kam qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, le të hapen dosjet

 Nga Flori Bruqi


Shkrimtari Visar Zhiti, i ftuar mbrëmjen e sotme në edicionin e lajmeve në Ora News ka dhënë një intervistë në lidhje me librin e tij më të ri, i cili është botuar edhe në rumanisht.


Rezultate imazhesh për visar zhiti


Pas një kohe shkëputje nga intervistat, Zhiti është pyetur ndër të tjera dhe për situatën e diskutuar së fundmi në lidhje me hapjen e dosjeve të sistemit komunist.



Shkrimtari është shprehur se nuk ka punuar kurrë në një ofiçinë-burgu dhe dosjet duhet të hapen për t’u bërë publikë emrat e sistemit komunist.



‘Ai (ish drejtori i burgut të Qafë-Barit) bashkë me të tjerët që nuk shfaqin pendesë, edhe tani që nuk janë më policë dhe as un nuk jam më i burgosur politik, me paturpësinë më të madhe vërsulen përbindshëm drejtuar ne të burgosurve politik.Në letrën e tij të hapur vihet re një krenari boshe, shifje, kapota të varura bosh, helmeta dhe çizme kuestori. Ky njeri ( ish drejtori i burgut të Qafë-Barit) e shikon kalimin tim nga burgu i Spacit në Qafë-Bar si të dërguar me mision. Në atë letrën e tij të famshëm, ky njeri thotë që kam punuar në një ofiçinë burgu, kur faktikisht unë s’kam punuar fare atje dhe skam qenë asnjë sekondë bashkëpunëtor i tij. Në librin tim shkruaj që në vitin 1989 kam refuzuar të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit, por mesa duket këtyre i ka hypur një nostalgji për telat me gjemba. Ka munguar hapja e dosjeve, po jetojmë në një demokraci të drejtuar nga ata që na kanë persekutuar në kohën e regjimit. Mungon e drejta, e vërteta dhe ndëshkimi të paktën moral. Ne duhet të kemi kultin e së vërtetës. Qëllimi i veprës sime së quajtur Burgologji, është që të merresha me dukuritë, e keqja është bërë me njerëz, me emra, domosdoshmërisht një ditë emrat do dalin. Është krijuar një gjendje e tillë që ka munguar hapja e dosjes, e së vërtetës. Diçka është bërë, diçka është thënë. Mungon e vërteta, e edukatës njerëzore. Duheshin bërë publikë emrat e sistemit komunist. Diçka është bërë, edhe unë e kam marrë dosjen time. Në qoftë se ai që thotë këtë dhe gjendet në atë dokumentacion atëherë çështja duhet të zgjidhet, në qoftë se jo të ndëkohet’, tha Zhiti.


****


Visar Zhiti (Durrës, 2 dhjetor 1952) është shkrimtar shqiptar i përndjekur në periudhën e regjimit komunist, përkthyes, deputet, diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar.


U lind në Durrës, i biri i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti. Visari u rrit në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973 përgatiti për përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

Veprimtaria krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të.

 Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi.

 Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit : burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. 

Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

Listë e librave me poezi :

Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)

Koha e krisur, Tiranë, 1993

Hedh një kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)

Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)

Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)

Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)

Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)

Rrugët e ferrit: burgologji(2001)

Pazari i Këpucarit.

Përkthime

Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).


****






Visar Zhiti ka folur prej kohësh për dosjen e tij, burgologjinë, apo poezinë.

Ishte vetëm 27 vjeç kur u dënua për një poezi. Dhe debati i denoncimit të poetëve nga poetët u rikthye pasi Drejtori i Institutit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa botoi emrat e autorëve të ekspertizës ndaj Zhitit. Njëri prej tyre poeti dhe ish-redaktori Pandeli Koçi. Visar Zhiti sot bën apel për katarsis dhe tregon ç’do të thotë të dënohesh 10 vjet për një poezi.

“Është shumë e cuditshme dhe pabesueshme. Madje është bërë e pabesueshme dhe për ne. Ishte një diktaturë e egër. Më e egra në të gjithë pernadorinë komuniste. Diktatura donte të zotëronte me gjithçka. Materialisht. Njeriun e kishte zhveshur nga prona, ng apasuria, nga identiteti njerëzor dhe poezinë e donte për vete. Madje edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të XX Umberto Eco thotë që diktaturat poezinë e duan për veten e tyre, nuk duan që poeti t’ua kushtojë gjërave lirike. Si psh trëndafilave. Dhe me citon edhe mua për librin tim “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Në këtë kohë diktatura i sulmonte intelektualët e poezinë, nëpërmjet intelektualëve dhe atyre që e lexonin, që e dinin, që e bënin poezinë. Në këtë drejtim do të thoja që ka qenë shumë e rëndë. Është e nevojshme për Katharsis. Të na bashkojë poezia, jo të na ndajë”, shprehet Visar Zhiti.
Përgjigjen publike të Pandeli Koçit, se atij i është falsifikuar firma, Zhiti e komenton kështu: “Ne jetojmë në një pseudokohë, ku ka edhe pseudonjerëz, ku është falsifikuar shumëçka. Në këtë drejtim do shumë kujdes, do dhe dhimbje për ta parë specialisti. Së pari, dosja ime më jepet në hetuesi për ta parë, dosja hetimore. Pastaj në vitet e mëpasshme kam mundur ta shoh, tani dhe e kam. Mund t’ju a le kur të doni ta shikoni”.

Aty në Spaç ai e gjeti forcën që të krijojë edhe në kushtet e mungesës së lirisë: “Poezia siç e thashë pak më parë ka aftësinë të bashkojë, dhe kur je në burg, duke menduar për të, ndihesh jashtë saj”.

Nuk mund të ketë jetë pa poezi. Poezia e jetës. Nuk është vetëm ajo që shkruhet, është dhe ajo që jetohet.
Dhe sërish ai i rikthehet poezisë sepse së shpejti një libër i ri me krijime të tij do të jetë mes shqiptarëve në Bukuresht: “Unë do shkoj të promovoj një libër mes shqiptarëve në Rumani. Më ka dalë një libër me poezi të reja atje, falë studiuesit, kritikut dhe përkthyesit Luan Topçiu”.

Të dënohesh për një poezi, sot tingëllon jo vetëm e çuditshme, por edhe çnjerëzore. Por, fenomeni i dënimit të poetëve nga poetët ka qenë e zakonshme në Shqipërinë e asaj kohe. Por ashtu sikurse Visar Zhiti e tha. Ky nuk ishte një dënim dhe vendosje prangash ndaj tij, por ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...