Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/07/01

Nga Arbnor SADIKU: Marrëdhëniet SHBA- Rusi dhe Kosova mes tyre


Presidenti Putin, siç e dimë, para dhe pas 11 shtatorit kanë pas ndryshime thelbësore në politikën jashtme, duke e përshtatur atë me politikat historike të Rusisë dhe realitetet e krijuara rishtas në politikën ndërkombëtare.
11 Shtatori i vitit 2001 i shpjegoi tendencat përafruese në marrëdhëniet SHBA-së dhe Rusisë, ku kjo marrëdhënie kishte për synim që të hapë një epokë të re të raporteve pozitive në mes dy vendeve.
E kjo, ndonëse Putini ishte ish-kuadër i KGB-së ruse, dhe me vonë kishte marrë një post udhëheqës në pushtetin lokal, si ndihmës i kryetarit të bashkisë së St. Petresburg në Rusi.
Duke e ditur se Rusia është hapur për bashkëpunim, presidenti Xh. W. Bush e kishte kuptuar këtë momentum politik dhe me pas e kishte kapur atë si opsion të bashkëpunimit ruso-amerikan në luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar, në pakësimin dhe reduktimin e armëve bërthamore, në mbajtjen e paqes në konfliktin Izrael-Palestinë,  si dhe në arritjen e një marrëveshjeje historike Kosovë-Serbi.
Dikur gjatë Luftës së Ftohtë, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës SHBA e luanin lojën me shumë shumë 0, në kuptimin që fitorja e njërës palë në një pjesë të botës sa i përket influencës dhe lidershipit, konsiderohej dobësim dhe humbje për palën tjetër, ndërsa që nga 11 Shtatori i 2001-ës, tanimë kjo teori si duket ka rënë dhe bashkëpunimi në mes këtyre dy shteteve të mëdha me ndikim në gjeopolitikën botërore do të avancohet më tej.
Siç e kishte thënë më parë njohësi i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërkombëtare, ish-Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, se marrëdhëniet amerikano-evropiano-ruse duhet të përballojnë katër sfida bazë:
-Marrëdhëniet duhet të ngrihen nga një nivel psikologjik në atë politik. Pra nëse i shikojmë në aspektin e dioptrisë analitike dhe krahasuese, i bie që këto marrëdhënie, apo thënë më saktë këto raporte, nuk mund të varen nga marrëdhëniet personale të udhëheqësve rusë dhe amerikanë. Ky bashkëpunim duhet zgjerohet e sidomos në ndalimin dhe kufizimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe atyre nukleare, por për t’u arritur kjo kërkohet punë dhe angazhim i thellë i dyja vendeve, duke e sanksionuar çdo shtet i cili dëshiron të konkurrojë në krijimin  e armëve të reja bërthamore, sikurse Irani dhe Koreja e Veriut.
-Në fushën politike,  nevojat e së sotmes nuk duhet të mbulohen me shpresat për të ardhmen, pra veçanërisht ruajtjen e raporteve me Evropën përmes aleancës së  NATO-s, si linja e vetme zyrtare e raporteve në mes dy fuqive, por këtu s’duhet përjashtuar edhe Kina, Japonia dhe Izraeli. Amerika s’mund të taktizoj asnjëherë me ndonjë politik momental kur vihen në pyetje interesat e saj  dhe aleatëve të vet.
-Rusia do të kërkojë që të ruajë influencën e vet në rajonet e një rëndësie gjeopolitike dhe historike për të dhe kjo duhet jetë bazë për ndërtimin e raporteve të reja amerikano-ruse, duke mos lënë anash edhe raportet e reja të mira me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Pra, siç mund të konkludojmë nga ajo që pamë me lartë se Amerika ka nevojë për një politikë të jashtme të zgjuar, e thotë ish-Sekretari i Shtetit Kissinger, duke i bërë shtet e tjera sikurse Kina dhe Rusia që më shumë të përfitojnë nga bashkëpunimi me Amerikën sesa të humbin, politikisht, ekonomikisht, dhe diplomatikisht them unë.
Gjithashtu, një çështje tjetër e ndërlidhur me interesat SHBA-Rusi ka qenë edhe statusi i pazgjidhur i Kosovës, i cili ka rrjedhën e vet nga pas-lufta e vitit 1999, kur forcat e NATO-së kanë hyrë në Kosovë në bazë të një mandatit të OKB-së, i cili është në kundërshtim me aspiratat e popullit shqiptar sepse dihet që ata rezistuan paqësisht dhe luftuar me pas për pavarësi nga Jugosllavia shtypëse. Megjithatë, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia më vonë, në shkurtin e 2008-ës, dhe është njohur deri më tani nga më shumë se 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)-së, kurse tani mbetet që dy vendet, Kosovë e Serbi të shkojnë drejt normalizimin të plotë të marrëdhënieve të tyre,  me një marrëveshje jo të lehtë historike e cila do të  dërgonte dyja vendet në njohjen e ndërsjelltë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Koha se kur do të vendosim të hyjmë në këto negociata është rëndësi jetike për diplomacinë kosovare dje, sot, apo nesër. Dhe për të ardhur deri te zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje rreth pranimit të Kosovës nga Serbia fqinje, konsideroj se  ka  dy mënyra :
-Ulja në bisedime e përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës dhe arritja e një marrëveshje dypalëshe për njohje të ndërsjelltë nën mbikëqyrjen amerikane dhe evropiane pas konsolidimit të institucioneve të BE-së të dala nga zgjedhjet e fundit të 2019-ës, si dhe një rrugë tjetër mund të ishte thirrja e një Konference Ndërkombëtare nga Perëndimi dhe të tjerët, lidhur me ofrimin e  Kosovës dhe Serbisë në tavolinën e bisedimeve,  ku me pas Konferenca do t’i jepte edhe garancitë për arritjen e marrëveshjes nga të dyja palët në negociata.

Nga Gramos SURKISHI*: Përplasja e realiteteve shqiptar versus serb?


Të filozofuarit për konceptin e realitetit asnjëherë s’ka sjellë ndonjë teori e cila nuk është vënë në dyshim të paktën njëher. Ekzistojnë shkrime, analiza dhe debate të ndryshme se çka përfshinë realiteti! Janë ngritur pyetje të vazhdueshme nëse realiteti përfshinë vetëm objekte fizike, apo është tërësisht imaterial! Sigurisht, gjetja e përgjigjes së sakt është tejet komplekse, ndërsa e vërteta absolute rreth tij do të mbetet misterioze deri në kohë të caktuar.
Brenda këtij lëmshi të paqartë rreth realitetit qëndrojnë edhe Kosova me Serbinë. Që nga viti 2000′ e deri më sot, në periudhën para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet shqiptaro-serbe (e kemi fjalën për shqiptarë të Kosovës) karakterizohen nga një standard ironik i ekzistencës së tyre. Në të dy periudhat gjejmë një Kosovë që mundohet të lë të shkuarën mbrapa dhe të ndërtoj një të ardhme të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar me fqinjin e saj të ri. Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht ka prodhuar probleme të ndryshme për Kosovën ku në mënyrë konsistente është munduar të delegjitimoj gjithçka rreth Kosovës.
Në këto 20 vitet e fundit, Kosova dhe Serbia kanë krijuar një dimension më ndryshe të konfliktit në Ballkan, duke lënë në rresht të dytë ideologjinë politike, fenë apo dominimin territorial. Në këto dy dekada të fundit, Kosova dhe Serbia janë përplasur përmes realiteteve të tyre që domosdoshmërisht përfshijnë ideologjinë politike, fenë dhe aspektin territorial.
Kosova e ka shpallë pavarësinë e saj. Më shumë se 100 shtete e kanë njohur atë, duke përfshirë pjesën më të madhe të shteteve të fuqishme perëndimore; SHBA-në dhe 23 shtete të BE-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj ligjor ka ardhë në përfundim që shpallja e pavarësisë është në linjë me të Drejtën Ndërkombëtare. Kosova është anëtare e disa organizatave dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe ligjërisht është pjesë e proceseve integruese për antarësim në BE.
Në anën tjetër, pavarësia e Kosovës është realitet i hidhur për Serbinë, por ekzistues.“Kosova është e Serbisë”. Kjo është në Kushtetutën e Serbisë. Një realitet i tillë, përveç që është ligjor, është tërësisht i pranishëm në diskursin aktual politik, në memorien kolektive; qytetare dhe fetare në Serbi. Ky realitet mbështetet nga pjesa tjetër e fuqive jo perendimore që përfshijnë dy shtete të fuqishme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe tre shtete të fuqishme të bllokut ekonomik, “BRICS”.
Kjo përballje dhe përplasje e realiteteve shqiptaro-serbe ka trajtë praktike dhe tejet ironike. Si Kosova ashtu edhe Serbia aspirojnë antarësimin dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kushti kryesor për të dy vendet është pajtimi ndërmjet tyre që duhet të realizohet më një marrëveshje përfundimtare. Të dyja palët e kanë pranuar këtë kusht. Mirëpo, Serbia tërë kohën e procesit të pajtueshmërisë, vazhdimisht e ka sulmuar dhe e kontestuar realitetin kosovar. Dhe ende vazhdon në të njejtën mënyrë. Serbia përveç që ka retorikë raciste dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës, ku në të njejtën kohë një pjesë e madhe e liderëve kosovar janë në lista të prokurorisë serbe për terrorizëm, ajo vazhdimisht lobon kundër pavarësisë së Kosovës, për tërheqjen e njohjeve dhe në mos antatërsimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në këtë aktualitet ironik, Serbia është më e fuqishme se Kosova në këtë përplasje. Kjo sepse Serbia ka pozicion sulmues ndërsa Kosova mbrojtës. Kosova ka zhvilluar politikën e saj të jashmte duke u mbrojtur pikërisht në këto pika ku Serbia sulmon, duke u përpjekur të bind aktorët tjerë që Serbia është gabim dhe Kosova jo.
Në këtë mënyrë, Kosova duhet të ndërroj pozicionin e saj. Ajo duhet të ndryshoj qasjen në politikën e jashtme. Kosova duhet të ndal së shpenzuari kohë dhe para për të arritur më shumë njohje të pavarësisë dhe të antarësohet në organziata ndërkombëtare. Arritja e njohjeve të pavarësisë dhe antarësimi në organizata ndërkombëtare janë relative. Në rende të caktuara ndërkombëtare ato shtete që dikur të kanë mbështetur ndërrojnë linjë. Në këtë sens, Kosova duhet të përqendrojë politikën e jashtme tërësisht te qytetarët e Serbisë. Me këtë lëvizje, Kosova ndryshon pozicionin e saj duke imponuar Serbinë të kthehet në pozicion mbrojtës.
Kosova duhet të krijoj në propagandë të tillë ku bind qytetarët e Serbisë që rëndësia e saj është irelative për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Propaganda kosovare duhet të bindë qytetarët serb që fokusi politik dhe fetar i Serbisë në Kosovë është thjeshtë ekonomik që i shkon për shtati vetëm grupeve të caktuara të interesit dhe jo qytetarëve. Qytetarët serb duhet të binden që përmes emocioneve të tyre, grupet e interesit shtyejn përpara agjenda të caktuara që në realitet nuk janë në interes të qytetarëve serb.
Nëse Kosova arrinë që në mënyrë përfekte të organizoj një politikë të jashtme të tillë, atëherë Serbia do të fokusohet për të pasqyruar të kundërtën. Serbia do të mundohet që politikën e jashtme ta zhvilloj brenda territorit të saj. Me këtë qasje, Kosova ka përfitim në terren. E para do të krijoj huti në politikën e brendshme të Serbisë, dhe kjo do ti jap avantazh Kosovës në politikën e jashtme. Në këtë mënyrë, Kosova mund të zhvilloj heshturazi dhe pa pengesa lobimin e saj për konsolidim të pavarësisë së saj në nivel ndërkombëtarë dhe për antarësim në organizata ndërkombëtare. Së dyti, Kosova mund të ndihmoj lëvizjet liberale dhe pro Evropiane që të fitojnë poena politik brenda Serbisë, duke dobësuar lëvizjet nacionaliste dhe partitë me bindje radikale.
Ky mission është tejet i vështirë, por është mundësia e vetme që Kosova të arrijë pavarësinë e plotë dhe të mbrojë qytetarët e saj për një periudhë afatgjate. Në realitetin shqiptar, Kosova ka pavarësi të plotë, por e vërteta është ndryshe. Mund të tingëlloj anakronike, por ajo vazhdon të jetë nën protektoratin ndërkombëtarë; vazhdon të mbrohet ushtarakisht nga NATO. Nëse në ditët në vazhdim trupat e NATO-s do të tërhiqeshin nga Kosova, Serbia menjëherë do të intervenonte ushtarakisht në Kosovë. Për Serbinë kjo lëvizje është obligim kushtetues.
Ndonëse në raport me Serbinë Kosova ka përkrahje nga aktorë të shumtë ndërkombëtarë, në rendin e ardhshëm ndërkombëtarë gjërat mund të ndryshojnë rrënjësisht. Prandaj, Kosova duhet të shfrytëzoj rendin dhe komunitetin aktual ndërkombëtarë për të përmbajtur Serbinë dhe paqen në rajon. Kështu, duke i dhënë vetës mundësi që gradualisht edhe të krijoj doktirnën e saj për politikën e jashtme, Kosova  mund të mposhtë realitetin serb përmes qytetarëve të Serbisë.

Nga Besnik MUSTAFAJ: Ne, pionerët e Enverit (viti 1985)


Si erdhi ky çast?! Papritur edhe shumë fëmijë u bënë “veteranë”. Gati të gjithë ne ata i njohim. Gazmend Gjoka është ai djali flokë-verdhë që pamë të ngjitet në tribunën e manifestimit të madh të 1 Majit të kaluar për t’i dhënë tufën me lule shokut Enver. Sot, ai, me një dosje të hollë kartoni nën sqetull kapërcen ngadalë pragun e Pallatit të Pionerëve. Gazmendi është nxënës i shkollës “Avni Rustemi” në Tiranë dhe në Pallatin e Pionerëve ka ardhur për të sjellë kujtimet e tij nga takimet me udhëheqësin e shtrenjtë. Tregon se si për herë të parë e ka takuar në fillim të nëntorit 1981, kur shkuan me shokët për të përshëndetur Kongresin e 8-të të Partisë. Dhe pastaj përsëri vjet. Nuk ka asnjë imtësi që të mos ketë mbetur e ngulitur thellë në kujtesën e tij. – Kur më kishte hedhur dorën në sup, më pyeti për emrin – thotë Gazmendi tani. – Unë, ia thashë, po ia thashë me zë të ulët se isha i hutuar nga emocionet. “Pse nuk e thua fort, më tha, apo nuk ke emër të bukur?”. Mua këto fjalë më bënë të ndjehem krejt i lirshëm.
Ky hutim i fillimit i ka mbetur në mend dhe Enkelejda Priftit, nënëse në klasën e 7-të të shkollës “Emin Duraku”. Para katër vjetësh, kur zhvillonte punimet Kongresi i 8-të i Partisë, ajo ishte fatose. Kur u ndodh në tribunë, ajo harroi krejt fjalët që do të thoshte dhe mbeti një çast. – Po të mos kishte qenë xhaxhi Enver që të më nxirrte nga hutimi, unë e humba për vete, por do t’i kisha ngatërruar edhe shokët-tregon ajo. – Atëherë thashë atë vjershën që do të më mbetet në mendje për jetë: “Xhaxhi Enver, me ç’gëzim e mall e kam pritur këtë çast të rrallë. Ende jam e vogël, do të rritem nesër, përqafimin tuaj do ta ndjej gjithë jetën.
Ja pra, si na u bënë “veteran” shumë e shumë pionerë nga e gjithë Shqipëria. Erdhi një çast që ata të ulen e të shkruajnë kujtimet e tyre. Të cilat kanë nisur t’jua mbledhin këto ditë në Pallatin e Pionerit në Tiramë. Fëmijët na u bënë më të heshtur, më te ndjeshëm, më të mençur. Sikur u rritën shumë vite njëherësh! Gjithë pionerët e kanë takuar shokun Enver, i kanë dhënë lule, e kanë përqafuar. Kam parë një zili të mirë nga moshatarët e tyre. Por këto ditë, ndërsa u kërkonin t’i rikrijonin ato skena, ishte një ndjenjë e dyfishtë: edhe trishtimi i ëndrrës së parealizuar për të qëndruar qoftë dhe njëherë me kokën e mbështetur në kraharorin e tij, për të ndjerë sir eh ajo zemër e madhe që nuk i shterroi asnjëherë dashuria për brezin e ri të rinisë sonë; edhe vetëdija e nderit të lartë. Prandaj, kush nuk i pa lotët e ngrohtë të syve të tyre si brishtësi fëminore. Lotët u dilnin nga zemra e lënduar, siç u dilnin vëllezërve e motrave të rritur, prindërve, gjyshërve. Dhe me ato lotë, me atë dhimbje të çiltër e burrërore, fëmijët u bënë më të respektuar në sytë e të gjithë popullit, në sytë e Partisë.
Suat Gega ka mbi 20 vjet që punon në Pallatin e Pionerit, që ndjek nga afër se si ecin dëshirat dhe aftësitë e tyre. – Por si këto ditë nuk i kam parë kurrë – thotë ai, – kurrë. Të shtunën në mbrëmje u njoftua vendimi i Pleniumit të 11-të të KQ të PPSH-së për t’i dhënë organizatës së tyre emrin “Pionerët e Enverit”. Të nesërmen në mëngjes ishte mbledhur këtu i tërë aktivi i Pallatit. E pra qe e dielë dhe askush nuk i pati lajmëruar ende. Pionerët e dinin vetë ç’duhet të bënin. I urdhëronte zemra. Zemra i urdhëroi pionerët e bllokut 14 të lagjes Nr.1 të ngrinin ato mozaikët e bukur me yllin, kazmën, pushkën e flamurin dhe të vinin me krenari firmën “Jemi pionerë të Enverit”. Zemra i urdhëroi pas disa orësh tërë moshatarët e tyre të kryeqytetit të bënin “vepra” të tilla. E nuk qe nevoja të thërritej asnjë piktor për t’i ndihmuar. Ishin bërë vetë të gjithë artistë. Simbolika e këtyre mozaikëve zbërthen para gjithëkujt që i sheh, karakterin dhe pjekurinë e pionerëve.
Zemra i urdhëroi pionerët elbasanas të shkollave “Ptoleme Xhuvani”, “Thoma Kalefi” e “Kostandin Kristoforidhi” të merrnin udhën për në malësinë e Shmilit. E ndjenë se do t’ua lehtësonin pak dhimbjen nënë Selime Cekës etë gjithë atyre veteranëve të nderuar që e pritën shokun Enver në ditët e acarta të operacionit të dimrit. Por do të lehtësoheshin dhe vetë pak. Duket se si tek at aka folur njëherësh mendja dhe zemra. Ndaj Partia e zgjodhi pikërisht këtë organizatë për t’ja bërë nderin e veçantë, i dha emrin “Pionerët e Enverit”. Kjo ka një kuptim të madh. Po mbushen gati 45 vjet që Partia i njeh mirë pionerët e Shqipërisë. Ata janë pionerët e Luftës, debatikasit. Tani janë bërë gjyshër. Por thinjat e tyre janë bërë dritë në begatinë e Atdheut, siç u bërë e tërë jeta e Udhëheqësit tonë të shtrenjtë që i udhëhoqi dhe ata në luftën e madhe për liri e socializëm. Ky do të jetë dhe “fati” i pionerëve të sotëm. Edhe i atyre që do të vijnë. Nesër ata do të bëhen anëtarë të BRPSH-së. Endrra për t’u bërë komunistë do të realizohet. Ndërkohë, të tjera do të vënë shallin e kuq të pionerit. Dhe Shqipëria do të ketë vetëm rini. Aty do ta gjejnë dhe do ta bëjnë të tyren figurën e ndritur të shokut Enver, dhe ata që sot janë ende shumë të vegjël, edhe ata që do të vijnë.
Ky mendim ndjehet që sot deri në bisedat me pionerët. – Miqtë e fatosave shkojnë çdo mëngjes te klasat e para dhe te grupet e rritura të kopshtit, sepse shkolla jonë ka dhe kopësht, e bëjnë biseda për xhaxhin Enver, – thotë Enkelejda Goga, nxënëse e klasës së shtatë në shkollën “Ylli i Kuq”. Ndërsa edukatorja e kopshtit 54, Myhrije Sula, tregon: U dhashë fëmijëve të bëjnë një tregim me tre fjalë: Pranvera, fëmijët, lulet. Pas pak e kishin gati: “Kjo pranverë na hidhëroi shumë. Për çdo pranverë, lulet e para që do çelin, do t’ja çojmë xhaxhit Enver”. Kështu, moshat e fëmijëve fshihen. Të gjithë e ndjejnë veten pionerë, të gjithë e duan mbiemrin e përbashkët “të Enverit”. Edhe në këtë tregim, yllkat kanë thënë atë që kanë thënë mijra e mijra shokë të tyre më të rritur në krijimet e këtyre ditëve.
Duke i marrë në dorë ato vjersha e hartime, askush nuk mund të kalojë pa u ndalur mbi to sepse të mbërthejnë vetë. Secila është e veçantë, por edhe të gjitha janë pranë njëra-tjetrës. Nisin me dhimbjen e shpirtit dhe mbyllen me betimin se rruga e tyre do të jetë vetëm rruga e xhaxhit Enver. Kështu, krijimet janë pranë njëra-tjetrës sepse pranë njëri-tjetrit janë autorët e tyre. – Çdo të bëni me to? – e pyesin Genta Popën, nxënëse në shkollën 8-vjeçare “Jeronim De Rada” – Tani për tani i nxjerrim në një kënd të veçantë të ngritur posaçërisht në shkollë dhe i ndërrojmë përditë, – përgjigjet ajo. – Më të mirat i shkruajmë në librin e nderit dhe i përcjellim bashkë me stafetën që po lëviz nga shkolla në shkollë e që do t’ja çojmë Komitetit Qendror të Partisë. Më vonë duam t’i botojmë në një libër. Mesazhi i stafetës në shkollë, nis me fjalët: “Ne, pionerët e Enverit”. Duke shpallur që në krye përkatësinë e tyre të gjakut e të shpirtit, ata i flasin me zemër të çelur të sotmes e të ardhmes.

Nikaj Mertur: perla e Tropojës…


Nikaj Merturi është mbase  rasti më unikal në botë i bashkëjetesës së dy fiseve të ndryshme pa lidhje gjaku me njeri tjetrin, të ardhur nga drejtime të ndryshme prej shekujsh, të shkrirë në një popull, me një kulturë, me një traditë, në një bashkëjetesë të lakmueshme.
Këtë e tregon më së miri fakti se këdo që të takosh nga kjo zonë në çdo anë të botës ku ai ndodhet, banor apo me origjinë nga Nikajt apo Merturi, dhe ta pyesësh se nga je, nuk do të përgjigjet as nga Nikajt e as nga Merturi, por “jam nga Nikaj Merturi”.
Kisha e Nikajve në vitin 1903
Kisha e Nikajve në vitin 1903
Mark Mitri i Nikajve, ndjesë pastë, lahutar me famë dhe gjamatar i njohur, e ka përcaktuar  më së miri bashkëjetesën e këtyre dy fiseve, kur një dukagjinas në Shkodër  e pyeti për fiset e Nikaj Merturit se “çka është puna e juaj, a jeni një  a dy fise, se cilindo të pyesësh prej jush, thotë se jam nikajmerturas”, e Marku “këmbadoraz” ia kthen përgjigjen duke i thënë se Nikaj e Merturi janë dy fise, por “janë si dy shpia në një oborr”.
Lulja përmbi gur...
Lulja përmbi gur…
Nikaj Merturi është krahina  më e veçantë e Alpeve Shqiptare, sepse nga do që ta vështrosh, nga qafat dhe luginat, nga bjeshkët dhe nga vrrini, mahnitesh nga peisazhe të mrekullueshme, të cilat vetëm Zoti mund t’ia falë. Nëse të jepet rasti t’i hedhësh një vështrim kësaj “nahije”, në secilën stinë nepërmjet pamjeve mahnitëse, do të kuptosh se natyra ka mrekullinë e saj midis këtyre maleve. Në Nikaj Mertur, edhe brenda një dite vere mund t’i përjetosh të katër stinët përnjeherësh: dimrin nq majëmali, ku bora nuk shkrihet kurrë; më poshtë vjeshta e natës bjeshkatare; pranvera me lulnajën që s’thahet asnjëherë por ylberon në rudinat alpine; e më poshtë vera e nxehtë që lagështitet nga liqeni i Komanit.
Kisha e re ndërtuar në vitin 2000 në rrënojat e kishës së vjetër
Kisha e re ndërtuar në vitin 2000 në rrënojat e kishës së vjetër
Nikaj Merturi është krahina më interesante e Shqipërisë, bazuar në mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative: nga ashpërsia natyrore e terrenit, me butësinë hyjnore të peisazhit, e kaluara e lavdishme dhe e padiskutueshme, e sotmja e diskutueshme me shumë anë të të njëjtit realitet, nga traditat që mbart dhe vlerat kombëtare të prodhuara ndër shekuj, nga veçoritë klimaterike dhe pasuritë e mëdha, bijtë e bijat që ka nxjerrë si dhe nga doket, zakonet e karakteristika të tjera që janË ruajtur dhe ruhen nga brezi në brez e përcillen deri në ditët tona.
Djalë i ri nga Nikaj Merturi
Djalë i ri nga Nikaj Merturi
Banorët katolikë të Nikaj Merturit kanë bashkëjetuar si vëllezër të një gjaku me muslimanët, veçanërisht fshati Rajë (Breg Lumi) dhe Dushajt; e që kujtohet ende sot miqësia mes priftit dhe hoxhës, apo rasti i dy vëllezërve që jetonin brenda një kulle me besime të ndryshme fetare; e të tjera fakte që e bën të veçantë Nikaj Merturin, legjionin katolik të Tropojës, tashmë të braktisur pothuajse 80 përqind e banorëve.
Banorët e kësaj krahine vazhdojnë të kujtojnë me nostalgji kultivatorin e Gjelosh Vatës, i cili ishte “automjeti” i parë dhe i fundit që shkeli në këtë fshat, i sjellë  pjesë-pjesë me mushkë në fshatin e mrekullive, tashmë të braktisur me vetëm dy familje, njëra prej të cilave e Martinit, kryeplakut që nuk e braktisi vendlindjen.
Por banorët e mbetur, ata që nuk i braktisën trojet e tyre, i gëzohen edhe rrugës automoblisitke të asfaltuar në aksin rrugor Fierzë-Lekbibaj nga ish-kryeministri Sali Berisha, ndonëse ish-komuna drejtohej nga socialistët.
E për t’u njohur sado pak me legjionin e këtij komuniteti katolik, i vetmi në Tropojë, u paraqesim muzeun e vërtetë të tij, 

Gjon Neçaj/ “Malësorët e Nikaj Merturit para një shekulli”



Prej kohësh kisha planifikuar që  të shkruaja diçka për një nga zonat më të thella të veriut e njëherazi më të varfrat, më të braktisurat, por edhe nga më të veçantat, Nikaj Merturi. 

Harta e Nikaj Mërtur, Shqipëria
E kjo më nxiste për të shkruar. Por duke hulumtuar dhe mësuar më tepër për banorët e kësaj krahine, mësojmë se mbi 70 % e tyre tashmë kanë migruar brenda vendit dhe të tjerë shpërndarë nëpër botë. Fise të tëra janë larguar nga viset e tyre për një jetë më të mirë për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Mirëpo nuk është e tepërt të shkruajmë se nga kjo krahinë kanë dalë mbi 500 kuadro të lartë në fusha të ndryshme, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në jetën e vendit. Bijtë e kësaj krahine janë shquar si intelektualë në arsim, shkencë, kulturë dhe letërsi. Por e veçanta e tyre është se, çdo vit nën kujdesin e komunës mblidhen dhe zhvillojnë folkfestën e Nikaj Merturit, duke ruajtur kështu traditat, doket dhe zakonet e saj. Nga kjo krahinë, siç hulumton poeti dhe biri i saj, Anton Papleka, janë ruajtur deri në ditët e sotme këngë mbi 400 vjeçare si: “Duel m’gurit bukuria”, “Kapërceva dy tre male”, etj.
Overview of Albanian tribes, Franz Seiner, 1918.jpg

Veçantitë e kësaj zone janë në ritet pagane: të vetmit në Shqipërinë e Veriut që vajtojnë të vdekurin nga kori i burrave, të vetmit në Shqipërinë e veriut që festojnë natën e Buzmit ndryshe nga viset e tjera. Në Nikaj Mertur ndodhet kisha më e vjetër në veri. E folmja e kësaj zone dhe fjalët e shprehjet e rralla që përdoren nga banorët janë të veçanta, thonë studiuesit. Arkitektura e ndërtimit të kullave me frëngji është karakteristike në Nikaj Mertur. Në Curraj Epër ndodhet, tashmë e vetmuar, kulla 200 vjeçare e ngujimit. Gjithashtu kisha e Currajve të Epërm mban mbishkrimin e viteve 1800.

Për të plotësuar më tepër portretin e malësorëve të kësaj krahine, po citojmë shkrimin e Pal Dukagjinit, sekretarit të At Gjergj Fishtës, shkruar një shekull më parë, me titull: “Shqiptari i maleve të veriut-nikaj merturasi”, ku citojmë në origjinal: “Shtatnaltë, ije-hollë, shpatullgjanë, gjak-kulluet, si vena ne gastare. Synin gacë xixëlluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike te maleve dinarike, banori nip i Lekës, paraqet tipin e squet te veriut pa moterzime as kryqëzime race. I pastër në gjuhë, me nji gjallësi lumenjsh që rrëzohen shkëmbinjësh, ma i pastern ne doke. I kadalëshem në kuvend dhe i matun në urti, i peshuem në gjykime, i prem në vendime, i shpejtë në veprim, Lakonik në shprehje, i pasun në fytyrzime e shembëlltyrë të përshtatuna…

Gojtar ne log burrash, ulun përreth, kur rendi ti takojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin ndër pleqni të fisit a por kur janë për tu marrë vendime me randësi për të mbaren dhe të mirën e Bajrakut. Bujar dhe fisnik në shtëpi, qi deri natën vonë rrinë çilë për të pritun miq, të njoftuem e te panjoftuem, e deri anmikun, udhëtarin që i bjen për shteg t’oborrit a drumit, qi kalon asajt, të vorfën e lypsa, qi erren jashtë pa ditë se kujt me i msyme. Kulla shumë katëshe e kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste, kur Zoti i harton me kambën e mikut përherë të deshiruem. Besnik në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zi shban. Përfjale, qi del ka del shpirti, e beset e shtërngueme, ep jetën, shkrin robi rob, djeg kullë e fortesë, shkretnon mal e vrri. S’din dredhi përse s’don të gënjejnë , s’mrrinë me u paraqitë shka s’asht, përse s’pranon të jetë fletë, qi luen era, as pendël qi ban fryma. U edukue qysh në fëmini me e que jetën nën prizmën e nderit pa të cilin njeriu asht i dekun. Para erzit vehtjak a familjar kanuni i mësoi vetem dy rrugë: gjakun, faljen por jo ligshtin.”
Kisha e Nikajve në vitin 1903
Ky ishte malësori i Nikaj Merturit skalitur prej Pal Dukagjinit para një shekulli. A thua brezi i sotëm, i ikur nga vendlindja, do t’i ruaj këto virtyte të mrekullueshme?!…

DELJA E HUMBUN!..





Nga Fritz RADOVANI:


Rezultate imazhesh për delja e humbur


1944 – 2019... Plot 75 Vjet...

“Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.” H. Kissinger “Diplomacia”, fq. 343, vazhdon: “Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën, pa asnjë ndihmë nga Amerika... Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit...” (fq. 396)
“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.” H. Kissinger.
■”Prova ma e sakta e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po përgatiteshin në Jugosllavi, dhe shtetin e varun prej saj në Shqipninë komuniste. Pra, Stalini zgjodhi dy shtete që nuk ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!
■Nëse historia e BRSS nuk do ti harrojë kurrë “Gulagët” e Stalinit, apo ata tmerret e kampeve të shfarosjeve në Siberi... As Populli Shqiptar nuk do të fundosin në “Arkivin e Harresës” asnjëherë: Torturat, masakrat dhe zhdukjet e bame nga hetuesit dhe vrasësit komunistë, nder 26 Burgjet dhe hetuesit e Shkodres nga 1944.., e përgjithmonë, ashtusi nder 40 kampet e shfarosjes komuniste në gjithë Shqipninë e robnueme per 50 vjet...
***
25 PRILL 1993: PAPA  GJON  PALI  II, perballë GJERGJ  KASTRIOTIT SKENDERBEUT në Tiranë ka thanë: “...Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, që u sjellë një përshëndetje të përzemërt... Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar... Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumë se asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane e t’arenave... Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste.
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht  e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë sot pikësynimi, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, edhe e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
■Populli Shqiptar, - dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,    asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashkpunimi të njerzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe, në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit.
Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm...
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna...
Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ju garantohët puna dhe, ajo, që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré.
“Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”. Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun.
Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. ■Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë...
Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit!
Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës.
■Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët
e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar...
■E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell e ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim...”
***
■Edhe unë po persëris edhe njëherë thanjen e Njeriut ma të Madh të Shek. XX, në prag të humnerës ku ndodhet sot Shqipnia e Gjergj Kastriotit, “Delja e Humbun e Ballkanit”:                “Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim...”
“...Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim...”
     Melbourne, 29 Qershor 2019.

DY LOT’ E NJI BETIM...


Pergatiti Fritz RADOVANI: Në prag të 30 Qershorit 2019...

NGA AT ANTON HARAPI O.F.M.


Anton Harapi.jpg



At A.Harapi(1888 – 1946)


Mbi Eshtën të deshmorve t’ Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli


Ndalniu ! Ku véni, o burra ?!..

Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari keni pa t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshtë, gëzueshem e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnia u qiti edhe u ndriti!
Lè të lavdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët per jetë, por grimë ma pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët per Atdhé.
Njimênd se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme,
por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo Shqiptarësh,
ju jeni heroj, jeni burra Shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë
sot me gëzim u percjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t’uej.
Jo, nuk u lëshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa u derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi Eshtënt t’uej. Eshtën të pamort, u falem !
Të pavdekshëm, po, pse nder vême t’ueja rueni nji visar të çmueshem, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër né deri sa të jetë Shqipnia.
E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o burra, qi vdekun flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, deh, lëshonje nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë Shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen thëmeluesat e Atdheut.
Kemi pse të jemi e të mahemi Shqiptarë, der të shêjte të ruhen bes’e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani nji urim Shqipnisë; m’i ndiellni të mbarë e perparim, paqë e ngadhnjim.
Por edhe nji nâmë si rrëfeja, m’ i a lëshoni kulshedres së ré, rrymvet dermuese, qi po e brejnë jeten Shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatrrojnë: levdohen per dashni, e na qesin mënin e fitmen, duen të na mësojnë e po na zhburrnojnë.
Hèu ! ata mos kjofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër veti, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familjet e historia. Nuk po u pyes kush jeni e kah po véni. Kudo shkojshi, të bardhë kjofshi; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk më duhet gja kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend até per shka ju ratë preja e dorës mizore.
Nuk marr parasyshë ç’ krahinë kjet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dêjt t’uej gjaku Shqiptar.
Ju mësyt Shkodren per strehë Atdhetarije, per lamë veprimi, per strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju perkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, nder të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lul e tjerë sokola.
Eh, moj Shkoder, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ?
Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty qi dukesh si të ngadhnojshe ma fort mbi vdekje se sa mbi të gjallë, si të gëzojshe ma fort per të mbetun se per të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, qi tash sa mot të rreshkë e të pervlon?…
Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and perkunde burrat e maleve, ashtu në prêhën t’and mblodhe, në votren t’ande rreshtove kreshnikët e Kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpetimin; në therori, fitimin; në burrni, forcen.
Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë per piri.
Zotnij të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë.
Merrni këto visare të çmueshme, e shkoni! Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta Eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë doren shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e kristjan e me besen e burravet,
me besen Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit të pa prekun nji Zot të vertetë, nji Atdhé të lumtun, per të bamë Shqipninë e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë per Skenderbéun.
T’i diftojmë, po, Botës, se Shqiptarët janë njimênd burra; se mund të jemi Tosk’ e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vertetë e Atdhéu lè të na bashkojnë, Zoti e Atdhéu t’ na mbajnë;
Me Zot e me Atdhé të lumnojmë!

Shenim nga Fritz RADOVANI:
Kopjue nga “Hylli i Dritës”, fq 462, viti XII, nr.9, Shkoder 1936.
Kjo fjalë u mbajt nga At A. Harapi, tek balkoni i Postës në Fushen e Çelës.
Melbourne, Qershor 2019.

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...