Të filozofuarit për konceptin e realitetit asnjëherë s’ka sjellë ndonjë teori e cila nuk është vënë në dyshim të paktën njëher. Ekzistojnë shkrime, analiza dhe debate të ndryshme se çka përfshinë realiteti! Janë ngritur pyetje të vazhdueshme nëse realiteti përfshinë vetëm objekte fizike, apo është tërësisht imaterial! Sigurisht, gjetja e përgjigjes së sakt është tejet komplekse, ndërsa e vërteta absolute rreth tij do të mbetet misterioze deri në kohë të caktuar.
Brenda këtij lëmshi të paqartë rreth realitetit qëndrojnë edhe Kosova me Serbinë. Që nga viti 2000′ e deri më sot, në periudhën para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet shqiptaro-serbe (e kemi fjalën për shqiptarë të Kosovës) karakterizohen nga një standard ironik i ekzistencës së tyre. Në të dy periudhat gjejmë një Kosovë që mundohet të lë të shkuarën mbrapa dhe të ndërtoj një të ardhme të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar me fqinjin e saj të ri. Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht ka prodhuar probleme të ndryshme për Kosovën ku në mënyrë konsistente është munduar të delegjitimoj gjithçka rreth Kosovës.
Në këto 20 vitet e fundit, Kosova dhe Serbia kanë krijuar një dimension më ndryshe të konfliktit në Ballkan, duke lënë në rresht të dytë ideologjinë politike, fenë apo dominimin territorial. Në këto dy dekada të fundit, Kosova dhe Serbia janë përplasur përmes realiteteve të tyre që domosdoshmërisht përfshijnë ideologjinë politike, fenë dhe aspektin territorial.
Kosova e ka shpallë pavarësinë e saj. Më shumë se 100 shtete e kanë njohur atë, duke përfshirë pjesën më të madhe të shteteve të fuqishme perëndimore; SHBA-në dhe 23 shtete të BE-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj ligjor ka ardhë në përfundim që shpallja e pavarësisë është në linjë me të Drejtën Ndërkombëtare. Kosova është anëtare e disa organizatave dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe ligjërisht është pjesë e proceseve integruese për antarësim në BE.
Në anën tjetër, pavarësia e Kosovës është realitet i hidhur për Serbinë, por ekzistues.“Kosova është e Serbisë”. Kjo është në Kushtetutën e Serbisë. Një realitet i tillë, përveç që është ligjor, është tërësisht i pranishëm në diskursin aktual politik, në memorien kolektive; qytetare dhe fetare në Serbi. Ky realitet mbështetet nga pjesa tjetër e fuqive jo perendimore që përfshijnë dy shtete të fuqishme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe tre shtete të fuqishme të bllokut ekonomik, “BRICS”.
Kjo përballje dhe përplasje e realiteteve shqiptaro-serbe ka trajtë praktike dhe tejet ironike. Si Kosova ashtu edhe Serbia aspirojnë antarësimin dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kushti kryesor për të dy vendet është pajtimi ndërmjet tyre që duhet të realizohet më një marrëveshje përfundimtare. Të dyja palët e kanë pranuar këtë kusht. Mirëpo, Serbia tërë kohën e procesit të pajtueshmërisë, vazhdimisht e ka sulmuar dhe e kontestuar realitetin kosovar. Dhe ende vazhdon në të njejtën mënyrë. Serbia përveç që ka retorikë raciste dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës, ku në të njejtën kohë një pjesë e madhe e liderëve kosovar janë në lista të prokurorisë serbe për terrorizëm, ajo vazhdimisht lobon kundër pavarësisë së Kosovës, për tërheqjen e njohjeve dhe në mos antatërsimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në këtë aktualitet ironik, Serbia është më e fuqishme se Kosova në këtë përplasje. Kjo sepse Serbia ka pozicion sulmues ndërsa Kosova mbrojtës. Kosova ka zhvilluar politikën e saj të jashmte duke u mbrojtur pikërisht në këto pika ku Serbia sulmon, duke u përpjekur të bind aktorët tjerë që Serbia është gabim dhe Kosova jo.
Në këtë mënyrë, Kosova duhet të ndërroj pozicionin e saj. Ajo duhet të ndryshoj qasjen në politikën e jashtme. Kosova duhet të ndal së shpenzuari kohë dhe para për të arritur më shumë njohje të pavarësisë dhe të antarësohet në organziata ndërkombëtare. Arritja e njohjeve të pavarësisë dhe antarësimi në organizata ndërkombëtare janë relative. Në rende të caktuara ndërkombëtare ato shtete që dikur të kanë mbështetur ndërrojnë linjë. Në këtë sens, Kosova duhet të përqendrojë politikën e jashtme tërësisht te qytetarët e Serbisë. Me këtë lëvizje, Kosova ndryshon pozicionin e saj duke imponuar Serbinë të kthehet në pozicion mbrojtës.
Kosova duhet të krijoj në propagandë të tillë ku bind qytetarët e Serbisë që rëndësia e saj është irelative për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Propaganda kosovare duhet të bindë qytetarët serb që fokusi politik dhe fetar i Serbisë në Kosovë është thjeshtë ekonomik që i shkon për shtati vetëm grupeve të caktuara të interesit dhe jo qytetarëve. Qytetarët serb duhet të binden që përmes emocioneve të tyre, grupet e interesit shtyejn përpara agjenda të caktuara që në realitet nuk janë në interes të qytetarëve serb.
Nëse Kosova arrinë që në mënyrë përfekte të organizoj një politikë të jashtme të tillë, atëherë Serbia do të fokusohet për të pasqyruar të kundërtën. Serbia do të mundohet që politikën e jashtme ta zhvilloj brenda territorit të saj. Me këtë qasje, Kosova ka përfitim në terren. E para do të krijoj huti në politikën e brendshme të Serbisë, dhe kjo do ti jap avantazh Kosovës në politikën e jashtme. Në këtë mënyrë, Kosova mund të zhvilloj heshturazi dhe pa pengesa lobimin e saj për konsolidim të pavarësisë së saj në nivel ndërkombëtarë dhe për antarësim në organizata ndërkombëtare. Së dyti, Kosova mund të ndihmoj lëvizjet liberale dhe pro Evropiane që të fitojnë poena politik brenda Serbisë, duke dobësuar lëvizjet nacionaliste dhe partitë me bindje radikale.
Ky mission është tejet i vështirë, por është mundësia e vetme që Kosova të arrijë pavarësinë e plotë dhe të mbrojë qytetarët e saj për një periudhë afatgjate. Në realitetin shqiptar, Kosova ka pavarësi të plotë, por e vërteta është ndryshe. Mund të tingëlloj anakronike, por ajo vazhdon të jetë nën protektoratin ndërkombëtarë; vazhdon të mbrohet ushtarakisht nga NATO. Nëse në ditët në vazhdim trupat e NATO-s do të tërhiqeshin nga Kosova, Serbia menjëherë do të intervenonte ushtarakisht në Kosovë. Për Serbinë kjo lëvizje është obligim kushtetues.
Ndonëse në raport me Serbinë Kosova ka përkrahje nga aktorë të shumtë ndërkombëtarë, në rendin e ardhshëm ndërkombëtarë gjërat mund të ndryshojnë rrënjësisht. Prandaj, Kosova duhet të shfrytëzoj rendin dhe komunitetin aktual ndërkombëtarë për të përmbajtur Serbinë dhe paqen në rajon. Kështu, duke i dhënë vetës mundësi që gradualisht edhe të krijoj doktirnën e saj për politikën e jashtme, Kosova mund të mposhtë realitetin serb përmes qytetarëve të Serbisë.