Është publikuar një intervistë që presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte dhënë për revistën e njohur “Der Spigel” më 26 qershor të vitit 1989, në të cilën ai kishte kërcënuar Jugosllavinë me bashkim me Shqipërinë, nëse Serbia nuk do ta ndalte dhunën .
Intervista e Akademik Profesor Dr. Ibrahim Rugovës ishte ribotuar më 7 korrik të vitit 1989 në gazetën ‘Zëri i Kosovës’, e titulluar “Kur ndonjë popull i vogël ballkanik provonte të jetë superior në Ballkan, pësonte vetë tragjedi”.
Kjo intervistë e tij ishte dhënë në prag të manifestimit serb të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Manifestimet e tilla të serbëve, Rugova i cilësonte si provokime dhe thoshte se do ta respektonte atë vetëm po të kujtohet si përkujtim historik e kulturor të asaj beteje të rëndësishme për të gjithë popujt e Jugosllavisë.
Atëbotë,presidenti kosovar Ibrahim Rugova thoshte se ishte koha e fundit që të ndërhyhej për të stopuar ofensivën nacionaliste serbe.
“Nëse Serbia edhe më tej shtyp identitetin tonë kombëtarë, atëherë do të plas kryengritje. Unë do t’i paralajmëroja serbët: edhe ata janë popull i vogël. Çdoherë në të kaluarën nëse ndonjë popull i vogël ballkanik ka provuar të imponohet si forcë imperialiste në Ballkan,ka pësuar vetë tragjedi”, thoshte lideri kosovar Ibrahim Rugova.