Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/08/15

Lëvizjet nacionale në Ballkan dhe letërsia shqipe


Prof. Jorgo Bulo

Në kulturën e shqiptarëve ka lënë gjurmën e saj të thellë historia e tyre e brendshme dhe e jashtme.

Pjesë e trevave të lashta ilirike, udhë kryqëzimi e qytetërimeve dhe e interesave gjeopolitike gjatë dyndjeve barbare e më pas, provincë e perandorive të perëndimit dhe të Lindjes, të Romës e të Bizantit, pasi kishte bërë e çbërë gjatë shekujve, despotate e principata të pavarura, dhe pasi kishte formuar më së fundi shtetin e Skënderbeut, i cili u qëndroi për një çerek shekulli hordhive osmanve, duke u kthyer në mburojë të krishtërimit dhe të qytetërimit europian, Shqipëria e cfilitur nga luftërat, pas vdekjes së heroit të rezistencës së saj, Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), kishte rënë në fund të shek.XV nën zgjedhën e Perandorisë së Sulltanëve.

Vendi ishte kthyer pas në një fazë zhvillimi ekonomiko-shoqëror historikisht të kapërcyer. Rrjedhat normale të kulturës shqiptare, që ecte në një hap me humanizmin evropian, u ndërprenë. 

Pasoja e parë e pushtimit ishte hemoragjia e elitës intelektuale në Perëndim. Prej saj u shquan figura, që bënë emër në botën humaniste, si historiani M. Barleti (1460-1513), që botoi në Romë më 1510 një histori të Skënderbeut, e cila u përkthye thuajse në të gjitha gjuhët e Evropës, ose M. Beçikemi (1408-1526), Gj. Gazulli (1400-1455), L. Tomeu (1456-1531), M. Maruli (shek. XV), M. Artioti (1480-1556) e të tjerë, që u dalluan në fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të filozofisë.


Ndërkaq, në vend jeta kulturore u fashit, monumentet e kulturës materiale e shpirtërore u zhdukën nën rrënojat e shkatërrimit të luftërave; gjysmëhëna e uli kryqin dhe gati dy të tretat e popullatës në fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë islame. 

Por ky ndryshim drastik i strukturës fetare nuk pengoi që Shqipëria të ishte përherë një nga provincat më të paqeta të Perandorisë dhe as që kultura shqiptare të mbijetonte edhe në kushtet e një pushtimi disashekullor, nën trysninë e islamit e të botës kulturore të orientit, që pati një ndikim të thellë e të gjithanshëm në të, veçse pa arritur të shtypë natyrën shqiptare të kulturës vendëse.

Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh në radhë të parë përmes lëvrimit të shqipes në lëmë të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht të qarkut konfesional katolik në veri, por edhe ortodoks në jug.

Reforma protestante gjallëroi shpresat e zhvillimit të gjuhës e të traditës letrare vendëse kur prifti Gj. Buzuku solli në shqip liturgjinë katolike, duke dashur të bëjë për shqipen atë që bëri Luteri për gjermanishten.

“Meshari” i Gj. Buzukut, botuar prej tij më 1555, mbahet deri më sot, si e para vepër e shqipes së shkruar. Niveli i përpunuar i gjuhës dhe ortografia e stabilizuar duhet të jetë rezultat i një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, traditë që nuk njihet. Por ekzistojnë disa dëshmi fragmentare më të hershme se vepra e Buzukut, të cilat flasin për shkrimin e shqipes të paktën nga shek.XIV:

E para dëshmi që njihet është e vitit 1332, e domenikanit freng Gulielm Adale, kryepeshkop i Tivarit, i cili në një relacion latinisht shkruan se shqiptarët kanë në përdorim në librat e tyre shkronjat latine edhe pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja. Me rëndësi të vecantë jane: një formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit Atit et Bizit et spertit senit) e vitit 1492, shkruar shqip brenda një teksti latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; nje fjalor me glosa shqip i vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf, i cili pat kaluar si udhëtar në Shqipëri dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XIV
Shkrimet shqip të këtyre shekujve s’duhet të kenë qenë vetëm tekste fetare, por dhe kronika historike, për të cilat flet humanisti M. Barleti, i cili në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” (1504) pohon se ka pasur në dorë kronika të tilla të shkruara në gjuhën e popullit (in vernacula lingua).

Me gjithë pengesat që krijoi Kundërreforma për lëvrimin e gjuhëve nacionale në literaturën kishtare, ky proces nuk u ndërpre. 

Gjatë shek. XVI-XVII u botuan në shqip katekizma “E mbësuame krishterë” (1592) e L. Matrëngës, “Doktrina e krishterë” (1618) dhe “Rituale romanum” (1621) të P. Budit, shkrimtari i parë i prozës dhe i poezisë origjinale shqipe, një apologji për Gjergj Kastriotin (1636) nga F. Bardhi, i cili botoi edhe një fjalor e lëndë folklorike, traktati teologjik-filozofik “Çeta e Profetëve” (1685) i P. Bogdanit, mendja më universale e mesjetës shqiptare.

Vepra e Bogdanit është një traktat teologjik-filozofik që trajton me origjinalitet, duke shkrirë të dhëna nga burime të ndryshme, çështje kryesore të teologjisë dhe një histori biblike të plotë, si dhe probleme të komplikuara të skolastikës, të kozmogonisë, astronomisë, pedagogjisë, etj. Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën humaniste dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut; ai me veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar, shënoi një kthesë në historinë e letërsisë shqipe.

Gjatë shekullit XVIII njohu një gjallërim më të madh literatura e qarkut kulturor konfensional ortodoks e mysliman. 

Një anonim prej Elbasanit sjell në shqip copa të ungjillit, T. H. Filipi, po prej Elbasanit, “Dhjatën e Vjetër dhe të Re”. Këto përpjekje u shumuan në shekullin e ardhshëm, me botimin më 1827 të tekstit integral të “Dhjatës së Re” nga G. Gjirokastriti dhe me korpusin e madh të përkthimeve kishtare të K. Kristoforidhit (1830-1895), në dy dialektet e shqipes, botime që ndihmuan procesin e integrimit të tyre në një gjuhë letrare të njësuar dhe vunë bazat për krijimin e kishës kombëtare të shqiptarëve me liturgjinë në gjuhën e tyre.

Ndonëse në kahje të kundërt me këtë prirje, duhet përmendur edhe kultura e Voskopojës, e cila gjatë shek. XVIII u bë një vatër e madhe qytetërimi dhe metropol i gadishullit ballkanik, me një Akademi e shtypshkronjë dhe me personalitete si T. Kavalioti, Dh. Haxhiu, G. Voskopojari, veprat diturore, filologjike, teologjike e filozofike të të cilëve objektivisht i ndihmonin shkrimit e njohjes së shqipes.

Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë, ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për t’i vënë gardh islamizmit, bën të domosdoshme edhe përdorimin e gjuhëve amtare, duke inkurajuar zhvillimin e kulturave kombëtare. 

Në shkollat e Voskopojës u përdorën dhe arumanishtja e shqipja për mësimin e greqishtes, kurse në shtypshkronjën e saj u shtypën edhe libra arumanisht.

Veprat e shkrimtarëve dhe dijetarëve të Voskopojës kanë sjellë disa elemente të ideve të iluminizmit evropian.

 Më i shquari ndër ta, Teodor Kavaljoti është një erudit i kohës. Sipas dëshmive të profesorit gjerman Thunman, vepra e Kavaljotit, që mbeti e pabotuar, në pjesën më të madhe ka trajtuar çështje pothuajse nga të gjitha degët e shkencës filozofike. Në të ndjehet ndikimi i Platonit, Dekartit, Malëbranshit dhe Leibnicit.

Rezultat i ndikimit të islamit dhe të kulturës së pushtuesit, ishte formimi gjatë shek. XVIII i një shkolle poetike, ose i një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe, por me alfabetin arab. Autorë të saj si: N. Frakulla, M. Kyçyku, S. Naibi, H. Z. Kamberi, Sh. e D. Frashëri, Sheh Mala, e të tjerë, trajtuan në veprat e tyre motive të huajtura nga letërsitë orientale, shkruan mevludë e divane me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat, lëvruan lirikën dhe epin religjioz.

 Kjo shkollë nuk pati jetë të gjatë dhe as ndikim të veçantë në zhvillimet e pastajme letrare.

Për të plotësuar kuadrin e zhvillimit kulturor të Shqipërisë në shek. XVI-XVIII duhet shënuar, se pati nga autorë vendës vepra të shquara në fushë të arkitekturës dhe të pikturës ikonografike, ku u dalluan Onufri dhe i biri Nikolla (shek. XVI) dhe K. Shpataraku e D. Selenica (shek. XVIII) të cilët vazhduan traditën e artit fetar post-bizantin, por jo pa ndikime nga Rilindja europiane.

 Në fushë të artit islam mund të përmenden kryesisht ndërtimet e kultit.

Shekulli XIX, shekulli i lëvizjeve nacionale në Ballkan, i gjente shqiptarët pa një traditë të mjaftueshme të zhvillimit shtetëror, gjuhësor e kulturor unitar, me një mendësi individualiste dhe regjionaliste, të trashëguar nga psikologjia e bajrakut dhe e fisit, për pajosë me një vetëdije kombëtare të pazhvilluar, por me një shpirt rebelimi spontan.

 Në këtë situatë historiko-kulturore nisi të merrte jetë një lëvizje e organizuar mendore dhe letrare që mori emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare. 

Ajo u frymëzua nga idetë e romantizmit nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan në rrethet e inteligjencës shqiptare, e cila jetonte kryesisht në mërgim, në kolonitë e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet më të reja në Stamboll, Bukuresht, SHBA, Sofje e Kajro.

Ringjallja nacionale, mbrujtja e shqipes si gjuhë e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi i letërsisë kombëtare, në rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit të pavarur, në rrafshin politik, këto ishin synimet e kësaj lëvizjeje prej së cilës lindi shkolla e romantizmit shqiptar. 

Ishte ky një romantizëm tipik ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit kombëtar, me nostalgjinë e mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit të mesjetës shqiptare, domethënë të luftrave të Gjergj Kastriotit.

 Kjo shkollë letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar, e më pak njeriu tragjik. Nga motivet dhe format poetike, ajo ka lidhje të ngushta me traditën folklorike. Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në fushë të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe” më 1866 nga De Rada, “Përmbledhje të këngëve popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare” më 1871 nga Z. Jubani, “Bleta shqiptare” më 1878 nga Th. Mitko, etj.), ishin pjesë e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e identitetit etnokulturor të shqiptarëve.

Dy janë përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit shqiptar të shek. XIX: J. De Rada (1814-1903), lindur e vdekur në diasporën shqiptare në Itali e shkolluar atje dhe N. Frashëri (1846-199), lindur në Shqipëri, i shkolluar në Zosimea të Janinës, por i mërguar dhe vdekur në Stamboll. 

I pari është poeti romantik shqiptar i rritur në klimën e romantizmit europian, i dyti romantiku shqiptar që tret në poezinë e tij ndikimet e poezisë lindore, sidomos persiane, me frymën dhe shpirtin e poezisë së romaantizmit perëndimor.

De Rada shkroi një cikël poemash epiko-lirike në stilin e rapsodive shqiptare: “Këngët e Milosaos”, 1836, “Serafina Topia” 1839, “Skënderbeu i pafat” 1872-1874 etj. me ambicjen që të krijonte eposin nacional për shekullin e Skënderbeut.

Pas gjurmëve të Herderit, De Rada zgjoi në poezinë e tij mallin e për këngën popullore dhe e ngjyrosi atë me koloritin etnografik. Veprat e tij janë pasqyrë e jetës shqiptare me zakonet dhe mendësinë e saj karakteristike, si dhe dramën shqiptare të shek. XV, kur polemi i tij i panënshtruar ra nën zgjedhën e osmanëve. 

Konflikti midis lumturisë së individit dhe tragjedisë së kombit, skenat ndanë kroit në katund, gratë që mbledhin kallëza në ara, burri që shkon në luftë dhe gruaja që i qendis brezin, të gjitha të paraqitura me një ndjenjë lirizmi të hollë, ja ç’është poezia e këtij poeti romantik, që u rrit në klimën politike të lëvizjes nacionale të shqiptarëve dhe në klimën letrare të romantizmit kalabrez.

Naim Frashëri shkroi një poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”, 1886) një përmbledhje lirikash filosofike, atdhetare e dashurore (“Lulet e verës” 1890), një poemë epike për Skënderbenë (“Histori e Skënderbeut” 1898) një poemë epike religjoze (“Qerbelaja” 1898) dy poema greqisht (“O eros” e “O alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash persisht (“Tehajylat” - Ëndërrime) dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve.

Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në poezinë shqipe. Në frymën e “Bukolikëve” e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit, ai në poemën “Bagëti e bujqësia” u këndoi punëve të bujkut e të bariut duke i thurur një himn bukurive të atdheut të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit të mërguar dhe krenarinë e qënies shqiptar. 

Nuk është çudi që, duke jetuar në zemrën e perandorisë së osmanëve, në Stamboll, të përjetonte aq thellë fatin e atdheut të tij. Malli për vendlindjen, për malet dhe fushat e Shqipërisë, për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë, i japin forcë e vrull lirik frymëzimit të tij.

Përjetimet subjektive të individit të çliruar nga prangat e mentalitetit mesjetar oriental, nga një anë, dhe nga ana tjetër panteizmi filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me panteizmin poetik të shkollës së romantizmit evropian, u japin meditimeve lirike të Frashërit një dimension human e filozofik universal.

 Poezitë më të bukura të përmbledhjes “Lulet e verës”, janë lirikat filozofike për jetën dhe vdekjen, për kohën që ikën dhe s’kthehet më, duke lënë pas kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut, për krijuesin të shkrirë me universin.

Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi, Frashëri është një poet metafizik, që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën helenistike, me mistikën e lashtë orientale e islame. 

I ndodhur në kryqëzimin e traditave poetike e filozofike lindore e perëndimore, N. Frashëri i tret ato në njëra-tjetrën, por pa shtypur natyrën e tij shqiptare. 

Kultura dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan substratin iluminist të veprës së Frashërit, qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik, kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij. Por duhet veçuar në veprën e tij fryma frënge. 

Fryma frënge në Greqi dhe në Turqi ishte përfaqësuese e kulturës evropiane. Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në vendet ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve të këtij gadishulli idetë e kryengritjes frënge dhe idenë e lirisë përgjithësisht e të nacionalizmit modern. 

Njohës i gjuhës frënge, admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar, dhe i Lamartinit si poet, Frashëri e shikonte të ardhmen e kombit të vet “të lindëte andej nga perëndon”. Romantizmi i Naimit në këtë pikë nuk dallon prej romantizmit grek e turk, ato janë pjella e Francës.

Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe i gjuhës letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në rendin e një gjuhe moderne të kulturës duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit të shqipes popullore.

Botën subjektive të heroit romantik me shpirt të trazuar e sjell në romantizmin shqiptar poezia e Z. Serembes. Në poezinë e N. Mjedës dhe A. Z. Çajupit, që jetuan në fundin e Rilindjes, shfaqen shenjat e dezintegrimit të sistemit artistik të romantizmit në letërsinë shqipe.
A.Z Çajupi (1866-1930), është një poet rustik, i tipit të këngëtarit popullor, i mbiquajtur Mistrali i Shqipërisë; ai i solli letërsisë shqipe komedinë e zakoneve dhe tragjedinë me temë historike.

 I shkolluar në një kolegj francez të Aleksandrisë dhe në Universitetin e Gjenevës, njohës i mirë i letërsisë franceze, A. Z. Çajupi solli ndër të parët në shqip fabulat e La Fontenit, duke hapur kështu udhën e përkthimit e të përshtatjes në gjuhën shqipe, të veprave nga letërsisa botërore, që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga udhët e mëdha të komunikimit të shqiptarëve me kulturën botërore.

Me krijimin e shtetit shqiptar (1912) shkolla romantike e lindur në truallin e lëvizjes kombëtare, e humbi bazën e vet historike; ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore dhe në zhvillimin e letërsisë shqiptare shfaqen prirje e stile të reja.

Drejtimi kryesor që mori letërsia shqipe në mes dy luftrave botërore ishte realizimi, por nuk munguan as shfaqje të një sentimentalizmi të vonuar (F. Postoli), as recidive të romantizmit.


Gjergj Fishta (1871-1940), shkroi një poemë të përmasave të eposit kombëtar (“Lahuta e malësisë”) ku paraqet me frymë romantizante e me një patos të ngritur patriotik, luftrat e malësorëve të Veriutkundër dyndjeve sllave.

Me këtë vepër ai mbetet poeti më i madh epik i shqiptarëve. Prift i urdhërit françeskan, erudit dhe anëtar i Akademisë italiane, Gjergj Fishta është një personalitet poliedrik i kulturës shqiptare: poet epik dhe lirik, publicist dhe satirist i hollë, dramaturg e përkthyes, veprimtar aktiv i jetës kulturore dhe politike shqiptare midis dy luftrave.

Vepra e tij madhore "Lahuta e malësisë” me rreth 17.000 vargje, e shkruar në frymën e eposit legjendar e historik të shqiptarëve, është një pasqyrë e jetës shqiptare dhe e mendësisë shqiptare, një mozaik poetik ngjarjesh historike e legjendare, personazhesh historike dhe jo historike, traditash e zakonesh të malësisë, zanash e shtojzavallesh të malësisë, një afresk i gjallë i historisë së një polemi të lashtë që pikëson në qendër tipin e shqiptarit të gdhendur në kalvarin e jetës së tij në rrymë të shekujve të egër për të. Poemën e Fishtës e shquan një pasuri e madhe gjuhësore, në të është mbledhur tërë visari i shqipes popullore të malësise, frazologjia e gjallë e pashtershme dhe larmia e ndërtimeve të çlirëta sintaksore, që i japin gjallëri e forcë ligjërimit poetik.
Përmbledhjet poetike “Mrizi i Zanave” me vjersha atdhetare dhe “Vallja e Parrizit” me vjersha me frymë fetare, e paraqesin Fishtën një poet të hollë lirik, kurse veprat “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit” e paraqesin Fishtën një shkrimtar satirik të papërsëritshëm. Në fushë të dramaturgjisë mund të përmenden prej tij tragjeditë me subjekt nga mitologjia biblike dhe antike “Juda Makabe” dhe “Ifigjenia n’ Aulli”.

Në letërsinë shqiptare midis dy luftrave nuk munguan as shfaqjet e sentimentalizmit (F. Postoli, M. Grameno) dhe të një klasicizmi të vonuar, sidomos në dramaturgji (E. Haxhiademi). Shfaqjet e rrymave moderne, të impresionizmit, simbolizmit e pamasizmit, ishin dukuri të veçuara në veprën e disa shkrimtarëve (Migjeni, Poradeci, Asdreni), pa arritur të formojnë shkollë. Ndryshime të thella ndodhen në sistemin e zhanreve; krahas poezisë u lëvrua proza (Migjeni, F. S. Noli, F. Konica, E. Koliqi, M. Kuteli etj.) dhe drama e satira (Gj. Fishta, K. Floqi).

Përfaqësuesi më tipik i realizmit ishte Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni (1913-1938). Poezia (“Vargjet e lira” 1936) dhe proza e tij përshkohen nga një realizëm i ashpër social për mjerimin dhe pozitën tragjike të individit në shoqërinë e kohës. 

Personazhet e veprës së tij janë njerëzit e basifondeve të shoqërisë shqiptare.

Disa novela të Migjenit janë romane në miniaturë; subjektet e tyre paraqesin konfliktin e individit me institucionet dhe moralin patriarkal e konservator. 

Natyra e rebeluar e talentit të Migjenit theu tradicionalizmin e poezisë dhe të prozës shqipe duke sjellë një stil e forma të reja në poetikë, e narracion. Ai është nga reformatorët më të mëdhenj të letrave shqipe, shkrimtari i parë i nadh modern shqiptar.

Natyrë tjetër, talenti poetik L. Poradeci (1899-1987), një poet lirik brilant, krijoi një poezi të butë e të ngrohtë, por me mendim të thellë e muzikalitet magjepsës (“Vallja e yjeve”, 1933, “Ylli i zemrës” 1937.

Tronditës verbi poetik i F. S. Nolit (1882-1965), në librin “Album” (1947) dhe elegante proza e tij historike (“Histori e Skënderbeut” 1921).

 Poet, historian, dramaturg, estet dhe muzikolog, publicist, përkthyes, mjeshtër i shqipes, përpos burrë shteti e diplomat, ai është gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX.

F. S. Noli lindi në një ngulim shqiptar të Thrakës Lindore (Ibik Tepe), ku mori arsimin fillor; arsimin e mesëm e mori në gjimnazin grek të Adrianopojës, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin Harvard të Bostonit (SHBA).

Në moshë fare të re u lidh me lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi osman dhe u bë një nga aktivistët më të shquar politikë e kulturorë të Rilindjes Shqiptare. 

Më 1908 u dorëzua prift duke inicuar idenë e krijimit të një kishe ortodokse aautoqefale shqiptare të cilën e themeloi më 1922.

Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare (1912) u bë frymëzues dhe udhëheqës i lëvizjes demokratike në Shqipëri.

 Më 1924, pas fitores së një revolucioni antifeudal, u zgjodh kryeministër i qeverisë jetëshkurtër të dalë prej këtij revolucioni.

 Restaurimi i reaksionit çifligar në dhjetor 1924 e detyroi të marrë udhën e pakthim të mërgimit, të cilin e përjetoi si një ekzil biblik. Ditët e fundit të jetës i mbylli në SHBA, ku u vendos përfundimisht më 1932, pas ecejakjeve nëpër Evropë si emigrant politik.


Përvoja e revolucionit të mundur të 1924-ës i frymëzoi atij një cikël poezish me motive biblike, të përfshira në librin “Album”. 

Më 1907 pat botuar dramën po me subjekt biblik “Izraelitë dhe filistinë”, duke dashur të aktualizojë legjendën biblike në përqasje me përvojat e tij si udhëheqës shpirtëror i lëvizjes për çlirim kombëtar e shoqëror të shqiptarëve.

 Më 1947 botoi anglisht studimin “Bethoven and the French revolution”. Përktheu në shqip shumë libra liturgjikë dhe vepra të shkrimtarëve botërorë O. Khajan, U. Shekspir, H. Ibsen, M. Servantes e të tjerë.

Me poezinë, me prozën publicistike, shkencore e kishtare, si dhe me përkthimet mjeshtërore, F. S. Noli ka luajtur një rol themelor në zhvillimin e shqipes moderne.

Lëvrues të shquar të prozës së shkurtër ishin E. Koliqi (1903-1975), M. Kuteli (1907-1967) dhe F. Konica (1875-1942).

 I pari krijoi një prozë subtile, plot kolorit të qytetit të vet, Shkodrës (“Tregtar flamujsh”, 1935), i dyti është një magjistar i shqipes, shkrimtari që kultivoi stilin popullor të rrëfimit në një prozë magjepsëse (“Netë shqiptare” 1938; “Ago Jakupi” 1943; “Kapllan aga i Shaban Shpatës” 1944).

F. Konica është mjeshtri që i dha fytyrë moderne prozës shqipe, intelektuali që solli mentalitetin e mirëfilltë perëndimor në kulturën shqiptare.

Lindi në Konicë, qytet i vogël shqiptar, që me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, të cilat e rudhën shtetin shqiptar në kufijtë e sotëm, mbeti ne Greqi. 

Vinte nga një derë e njohur, prej së cilës trashëgoi titullin bej, vetëdijen e një përkatësie elitare, që e manifestoi fort në jetë dhe në krijimtarinë e tij, por jo dhe mentalitetin anadollak lindor prej të cilit u nda me nje buzeqeshje hokatare, që u kthye në një sarkazëm therëse në veprën e tij.

 Ndoqi një vit shkollën jezuite të Shkodrës, pastaj Liceun Perandorak të Stambollit, kreu me 1895 studimet për letersi e filozofi në Universitetin e Dizhonit (Francë), shkollimin e mbylli me kryerjen e studimeve ne Universitetin e Harvardit, ndersa me 1912 mori, në këtë universitet, titullin e magjistrit në letërsi dhe arte. Master of Arts Erudit, njohës i gjithë gjuhëve të mëdha të Evropes dhe i disa gjuhëve lindore, mik i G.Apolinerit, F.Konica u quajt prej të huajve “një enciklopedi që ecën” dhe u bë për kulturën shqiptare modeli i intelektualit perëndimor. Iu kushtua që në rini lëvizjes kombëtare, por, në kundërshtim me frymën mitike idealizuese e romantizante të Rilindjes, solli në të frymën kritike dhe përjetoi dhomën e përjetshme të idealistit që vuan për mendimet e tij.
Themeloi revistën “Albania” (Bruksel 1897-1900, Londër 1902-1909), që u bë organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar të Rilindjes.

 Publicist, eseist, poet, prozator, përkthyes dhe kritik letrar, është veç të tjerave autor i studimit “L’Albanie et les turcs” (Paris 1895), “Memoire sur le mouvement national albanais (Bruksel, 1899), i novelave “Një ambasadë e Zulluve në Paris” (1922) dhe “Doktor Gjilpëra” (1924), si dhe i veprës historiko-kulturore “Albania. The rock Garden of Southeastern Europe”, që u botua pas vdekjes së Massachussets me 1957.

 Dy novelat e Konicës i bashkon shpirti satirik dhe shprehja alegorike e konfliktit midis dijes dhe injorancës e konflikti midis mentalitetit të prapamebtur oriental dhe mentalitetit modern perëndimor. Publicistika dhe proza e tij janë model i një shqipeje letrare të përpunuar dhe i një stili elegant.

Vitet e fundit të jetës (1926-1939), i kaloi si ambasador i Mbretësise Shqiptare në Washington, ku dhe vdiq më 1942. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitet e fundit.

Në letërsinë e shqiptarëve të Italisë, në periudhën midis dy luftrave, vazhdoi tradita e shkollës romantike të shek. XIX, Z. Skiroi (1865-1927) me veprën e tij (“Kthimi” 1913, “Te dheu i huaj”, 1940) desh të rikuperonte kujtesën historike të shqiptarëve të mërguar qysh nga shekulli XV, pas vdekjes së Skënderbeut.

Gjatë Luftës Antifashiste të popullit shqiptar (1939-1944), u zhvillua një letërsi e rezistencës, e cila lindi në ilegalitet përmes shtypit klandestin të Partisë Komuniste Shqiptare. Krijimet e kësaj letërsie ishin kryesisht shkrime publicistike, skica letrare dhe tekste këngësh partizane. Autorët e saj qenë luftëtarë antifashistë të brezit më të ri (Sh.Musaraj, A.Caci, F.Gjata, K.Jakova, Q.Buxheli).

Pas Luftës II Botërore, letërsia shqiptare njohu një zhvillim masiv. Tipari kryesor i letërsise dhe i arteve të kësaj periudhe, ishte zhvillimi i tyre i orientuar ideologjik dhe levrimi i të gjitha zhanreve, sidomos i romanit, i cili, nga nje zhanër pa traditë, doli ne krye të procesit letrar.

Tipi më i levruar i romanit u bë romani realist social, me permbajtje etologjike dhe historike, me subjekt linear (J.Xoxa, S.Spasse), por nuk mungon as romani me kompozicion të thyer, me poetikë të hapur dhe me një nënshtresë filozofike, që buron nga asosacioni i ideve dhe analogjitë historike (I.Kadare, P.Marko) dhe as romani satirik (D.Agolli, Q.Buxheli).

Tregimin dhe novelën, e lëvruan Dh.Shuteriqi, N.Prifti, Z.Cela, T.Laco, Dh.Xhuvani, N.Lera e të tjerë, kurse poezinë, I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, Xh.Spahiu, M.Ahmeti e të tjerë.

Më pak, u zhvillua drama (K.Jakova “Toka jonë”, 1955) dhe komedia (S.Çomora “Karnavalet e Korçës” 1961).

Letërsia e kësaj periudhe në Shqipëri u zhvillua brenda kornizave të realizmit socialist, i vetmi drejtim i lejuar nga politika zyrtare. Por talente te fuqishme, përtej këtyre kornizave, krijuan vepra me një frymë opozitare të nënkuptuar dhe me një domethënie universale.

I. Kadare (1936), me poezinë (“Përse mendohen këto male” 1964, “Motive me diell” 1968, “Koha” 1976) dhe sidomos me prozën e tij (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” 1963; “Kështjella” 1970; “Kronikë në gur” 1971, “Dimri i madh “ 1977, “Ura me tri harqe” 1978, “Piramida” 1992; “Spiritus” 1996 etj.), sfidoi kufizimet e kohës dhe përtëriti letërsinë shqiptare me forma dhe motive që e integrojnë atë në rrjedhat moderne të letërsisë botërore.

Vepra e Kadaresë paraqet një enciklopedi artistike të jetës shqiptare, një afreskë të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore, të përjetuara me një qëndrim filozofik të shprehur herë hapur e herë përmes gjuhës së Ezopit.

Filozofia, mentalitetet, dramat dhe traditat historike e kulturore të shqiptarëve, të kaluara në filtrin e mendimit artistik të shkrimtarit, janë paraqitur në veprën e tij si shprehje e identitetit kombëtar, e vitalitetit të kulturës shpirtërore të popullit të vet dhe si faktor i qëndresës e i mbijetesës së tij historike.

Kadareja krijon një prozë moderne duke shfrytëzuar gjerësisht analogjitë historike, parabolat dhe asosacionet, legjendat dhe mitologjinë kombëtare. 

Vepra e tij ka një poetikë të hapur që vjen nga përzierja e kohëve, e rrafsheve të ligjërimit artistik, e reales me irealen, nga natyra e thyer mozaikale e kompozicionit.

Vepra e Kadaresë i sjell letërsisë evropiane një aromë karakteristike mesdhetare, ballkanike dhe pasuron atë me koloritin e një areali tipik për veçanësinë e tij etno-kulturore.

Duke u nisur nga bota epike e legjendave dhe baladave mesjetare, proza e Kadaresë kapërcen distancën kohore dhe sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike e mesjetare, me mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike të kohës sonë.

 Nga përpunimi i thellë krijues i fondit të traditave të lashta popullore, mesazhi i prozës dhe i poezisë së Kadaresë fiton njëherësh një thellësi historike dhe një notë humane universale.

Krijues me një vetëdije të fortë kritike, Kadareja jo vetëm ka poetizuar vlerat shpirtërore të kombit të vet, por dhe ka fshikulluar traditat anakronike, mentalitetet retrograde, psikologjinë provinciale dhe konvencionet e jetës së shoqërisë shqiptare.
Me frymën e disidencës, në kushtet e diktaturës kur u krijua vepra e Kadaresë, ka ndihmuar t’i gërryhen themelet regjimit totalitar në Shqipëri. 

Ekzili i tij politik në Francë në vitin 1990, kur në Shqipëri sapo kishin filluar proceset demokratike, u dha shtysë këtyre proçeseve.
Për këto vlera, vepra e Kadaresë gëzon një popullaritet të gjerë dhe është përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të botës (anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, italisht, arabisht etj.). 

Kadareja është vlerësuar nga kritika e huaj, si një prej shkrimtarëve më të shquar bashkëkohorë të letërsisë botërore dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Kadareja është sot përfaqësuesi më eminent në botë i kulturës shqiptare.

Poet i hollë lirik dhe shkrimtar satirik D. Agolli (1931), ka sjellë në poezinë shqipe freskinë e një frymëzimi spontan meditativ dhe në roman humorin e lehtë popullor që shkon deri në grotesk. (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” 1973; “Arka e djallit” 1997). Ai është mjeshtër i tregimit psikologjik, filozofik (“Zhurma e erërave të dikurshme” 1964, “Njerëz të krisur” 1995).

Nga përmbledhjet më të rëndësishme poetike të Agollit, duhen përmendur, “Shtigje malesh dhe trotuare” 1965, “Fjala gdhend gurin” 1977, “Udhëtoj i menduar” 1985 dhe “Lypësi i kohës” 1995.

Agolli ka lindur në një katund të Shqipërisë juglindore dhe mori pjesë fare i ri në rezistencën antifashiste. Lidhja e ngushtë me jetën popullore dhe me idealet antifashiste, përcaktuan përmbajtjen e veprës së tij. 

Tipar i romaneve të Agollit për rezistencën është aktualizimi i vlerave të saj morale, përmes sinkronizimit artistik të ngjarjeve të luftës me kohën e sotme. 

Vepra e Agollit është bërë shumë popullore, është përkthyer në disa gjuhë të tjera dhe është vlerësuar nga kritika e huaj.

Në trojet shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, letërsia në gjuhën shqipe, e përfaqësuar nga shumë emra (E. Mekuli, A. Pashku, A. Podrimja, R. Kelmendi, R. Qosja, D. Mehmeti, M. Isaku etj.), ndonëse e zhvilluar në një kontekst tjetër politik e kulturor, edhe pas luftës, ruajti lidhjet me kulturën mëmë dhe solli në art ravgimet dhe dramat kombëtare e humane të njeriut të atyre trevave. 

Në diasporën shqiptare në Europë, pas Luftës, nuk pati ndonjë lëvizje të mirëfilltë letrare. I vetmi shkrimtar me rëndësi që krijoi në atë diasporë është M. Camaj (1925-1992), që rreh të zbulojë në poezinë dhe prozën e tij rrënjët e identitetit të shqiptarit të mërguar.

Rezultati më i rëndësishëm në kulturën shqiptare të pasluftës në fushë të gjuhës është unifikimi i shqipes standarte, të përpunuar në nivelin e një gjuhe moderne.

Në fazën e sotme të tranzicionit të shoqërisë postkomuniste, letërsia shqiptare përjeton avantazhet e hapjes ndaj botës, por edhe problemet që i krijohen në këto kushte kulturës së çdo kombi, për të ruajtur identitetin e vet.




Literatura:
1. Historia e letërsisë shqipe I, II (Botim i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës, Tiranë, 1960.
2. Historia e letërsisë shqiptare (Botim i Akademisë së Shkencave) Tiranë, 1983.
3. E.Çabej. Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë, 1994

Letërsia e Rilindjes Kombëtare dhe Letërsia romantike shqiptare.




Nga Flori Bruqi 


Letërsia shqipe, për shkak të kushteve të vështira historike, ka lindur përgjithësisht me vonesë.

 Shkrimet e para në gjuhën shqipe, janë të shekullit të XV.



Dokumentet e para të shqipes së shkruar:

Formula e Pagëzimit (1462)

Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497) dhe

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

Më i vjetri ndër këto tri dokumente është Formula e pagëzimit. Ajo i përket vitit 1462. Është një fjali e shkurtër: Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt. Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine.

Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit (Historia e Skënderbeut, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. Libri i parë shqip është Meshari (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shprehje e qëndresës kundër sundimit osman. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba.



Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e letërsisë shqipe me alfabet arab, e ndikuar nga i letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema fetare, shoqërore dhe didaktike (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Çami - Kyçyku etj).


Jeronim de Rada

Vepra e parë madhore e kësaj periudhe do të jetë poema Këngët e Milosaos, e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar në vitin 1836. Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, do ti takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes. Kjo, është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kësaj letërsie, do ti prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar.

Në kuadrin e letërsisë së Rilindjes do të krijojnë shkrimtarë si Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni, Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembe etj. Letërsia e kësaj periudhe ishte kryesisht letërsi poetike.

Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere. Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për çlirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. 

Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin evropian. 

U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria për atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. 

Te shqiptarët e Italisë (arbëreshët) u shquan Jeronim de Rada me poemën Këngët e Milosaos (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën Kënga e Sprasme e Balës, Zef Skiroi me shumë poemë, si Flamuri i Arbërit (1885), Mili e Hajdhia (1890), Te dheu i huaj (1891), dhe poezi, këngë tradicionale dhe përmbledhje folklorike, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës Bagëti e Bujqësi (1886), i Historisë së Skënderbeut në vargje dhe i shumë veprave të tjera patriotike, lirike e filozofike.

 Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi (Baba Tomorri, 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleks Stavre Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj.

Letërsia pas Pavarsisë



Me çlirimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re zhvillimi (1912-1939). 

Traditat e shquara në lëmin e poezisë do të lëvronin më tej nëpërmjet krijimtarisë së pasur të poetit të shquar Gjergj Fishta dhe të poetëve të tjerë si Ndre Mjeda, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Vinçens Prennushi etj.

Letërsia do të shënonte një etapë të re me lindjen e romanit shqiptar në dekadën e dytë të këtij shekulli me romanet e N. Nikajt, F. Postolit, Z. Arapit dhe më pas me ato të H. Stërmillit e S. Spasses.

Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit, e cila do të kualifikohet artistikisht nga Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi.

Gjatë periudhës së Pavarësisë, tema patriotike nuk do të jetë më në qendër të letërsisë. Problemet e mprehta shoqërore do të trajtohen nga brezi i letrarëve realistë, ku përmendim poetin dhe prozatorin e talentuar Migjeni, i cili la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare.

Në këtë drejtim mund të përmendim letrarët e rinj si Petro Marko, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Gaspër Pali, Aleks Çaçi etj.

Në vitet e çlirimit kombëtar e shoqëror do të zhvillohet letërsia shqipe me tipare të reja, si një letërsi realiste. Edhe pse në kushtet e një shteti monist, letërsia shqipe gjatë afro pesë dekadave (1944-1990) njohu pjekurinë e saj, u konsolidua dhe u afirmua si një letërsi me vlera të nivelit evropian.

Një moment i rëndësishëm në letërsinë shqiptare në këto vite janë në fushën e romanit, ku mund të përmendim Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Sterjo Spasse, Ali Abdihoxha, Fatmir Gjata etj.

Përfaqësues i shquar i rrymës demokratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes. Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. 

Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publicistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli.

Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfër dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënojnë veprat poetike dhe prozaike të Migjenit (Vargjet e lira, 1935). Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publicistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi...

Letërsia shqipe gjatë Komunizmit



Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. 

Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. Poema satirike Epopeja e Ballit Kombëtar (1944) e Shefqet Musarajt është vepra më e shquar i kësaj kohe.

Pas Çlirimit pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga censura e shtetit. Hapësirat në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rrezik për autorët.




 Shumë prej tyre si Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Petro Marko, Sotir Andoni e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare, Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vërtetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar. 

Megjithatë edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën censurë, u shkrua dhe u konfirmua. Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar.

 Letërsia në Kosovë.

Jashtë Shqipërisë, shkrimtarët shqiptarë shkruan të lirë nga kufizimet e ngushta të realizmit socialist të cilat ngulfatën letërsinë në Shqipëri. Në Kosovë u shfaqën talentë të rinj si Rexhep Qosja, Musa Ramadani, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Mehmet Kraja etj.

Shkrimtarët kryesorë në Kosovë në tri dekadat e fundit të shekullit XX janë: Rexhep Qosja, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Mehmet Kraja, Teki Dervishi, Jusuf Buxhovi etj.


Letërsia pas diktaturës

Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. 

Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës. 

Shkrimtarë si Diana Çuli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj,Sulejman Mato e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku dhe ndër më të rinjtë Ervin Hatibi.

Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos për sa i përket ribotimit të veprave që censura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. 

U botuan të plota veprat e rilindësve, e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit etj. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Visar Zhiti e shumë të tjerë.

Në prozë u shquan shkrimtarët si Ismail Kadare dhe shkrimtarë të rinj si Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Agron Tufa, Ben Blushi etj.

Letërsia e re kombëtare


Flori Bruqi 


Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit ("Historia e Skënder-beut", 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. 

Libri i parë shqip është "Me-shari" (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shpre-hje e qëndresës kundër sundimit osman. 

Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi , Frang Bardhi , Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba. 

Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e bejtexhinjve, e ndikuar nga i letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema laike e nota shoqërore (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Zenel Bastari etj).

Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për glirimin nga sundimi i huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare.

 Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin europian. 

U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria por atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. 

Te arbëreshët e Italisë u shquan Jeronim De Rada me poemën "Këngët e Milosaos" (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën "Kënga e Sprasme e Balës", Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

 Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësia" (1886), i "Historisë së Skënderbeut" në vargje dhe i shumë krijimeve të tjera patriotike, lirike e filozofike. 

Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi ("Baba Tomori", 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj.

 Pas shpalljes së Pavarësisëi (1912) letërsia e zhvilloi më tej frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare dhe në vitet 20-30 thellohet realismi, karakteri demokratik, problematika shoqërore. 

Përfaqësues i shquar i rrymës demo-kratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes. Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. 

Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publiçistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli. 

Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfëra dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënon krijimtaria në poezi dhe në prozë e Migjenit ("Vargjet e lira", 1935). 

Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publiçistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi.

 Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. 

Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. 

Poema satirike "Epopeja e Ballit Kombëtar" (1944) e Shefqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe. 

Pas Çlirimit pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga çensura e shtetit. 

Hapësirat në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rezik për autorët. 

Shumë prej tyre si Kasem Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Petro Marko e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare , Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vertetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar. 

Megjithatë edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën çensurë, krijoi dhe u konfirmua. 

Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar.

 Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi.

 Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. 

Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës. Shkrimtarë si Diana Çuli , Besnik Mustafaj , Besnik Mustafaj , e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. 

Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti dhe ndër më të rinjtë Etvin Hatibi. 

Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos përsa i përket ribotimit të veprave që çensura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. 

U botuan të plota veprat e rilindësve Gjergj Fishta , Faik Konicës , Lasgush Poradecit , Mitrush Kutelit etj. 

U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko , Pjetër Arbnori , Fatos Lubonja , Kasëm Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Visar Zhiti e shumë të tjerë.

2019/08/14

Poezia e Arben Prendit ,si peizazhi i perendimit



Nga Flori Bruqi 

(Refleksione pas leximit dhe studimit të librit me poezi të Arben Prendit)

Arben Prendi është poet, studiues dhe profesor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 



“Poezia nuk shkruhet me orar dhe pa frymëzim”, thotë  poeti Arben Prendi  ... “dhe nuk i drejtohet gjithkujt, por vetëm më të mirëve” dhe  se ai  nuk preferon zgjedhjen e temave, pasi asnjë temë nuk është e huaj për poetin....



Poezitë e poetit dhe pedagogut   Arben Prendi  me titull  “Vepra poetike “ 1 përfshin përzgjedhje të krijimtarisë poetike e strukturuar në shtatë cikle .

 Në ciklin e parë “ Thirrja e horizonteve”, janë përmbledhur disa prej poezive të moshës 18-23 vjeçare, që nuk u botuan kur ishte koha e shkrimit të tyre në vitet 1989-1995.


Në ciklin e dytë “Të shtunën ndize një qiri”, 1996, janë përzgjedhur një pjesë e mirë e poezive të botuara në këtë vëllim , “i cili mu duk se humbi si kripa në ujë , aq sa prej shitjeve e dhurimeve , mbeta pa kopje personale” , thekson autori Prendi .


 Në ciklin e tretë “Vashat nguten me u ba gra “, 1998, me poezi të zgjedhura prej vëllimit me të njëjtin titull , i cili qe pritë mirë prej lexuesit të parë . 





Cikli i katërt “Qirinj të ndezur për të gjallët”, 2001, me poezi nga vëllimi me të njëjtin titull . 

Tre ciklet e fundit : i pesti, i gjashti dhe i shtati “ Akuarelet e jetës dhe të vdekjes “, 2008-2015, “ Fushave të amshimit “, 2010 dhe “Pasqyrat e kohës”, 2015, përbëhen prej poezish të reja , të krijuara nga autori Prendi ndërmjet viteve të fundit 2000-2015, të pabotuara asnjëherë .Ka botuar librin “Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor” .



Autori ka sjell edhe botime të tjera, ndër to pjesa më e madhe në poezi. Mund të përmendim “Të shtunën ndize një qiri”, “Vashat nguten me u ba gra” apo “Qirinj të ndezun për të gjallët”.
Prej vitesh është pedagog në Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Njihet edhe si publicist dhe kritik letrar.
Poezitë e kësaj përmbledhjeje poetike , janë poezitë e meditimit , reflektimit të ngjyrosur me ndjenjat e momentit poetik . 

Ku secila lidhet me një moment të caktuar meditimi e reflektimi për gjëra të njohura në art , si : vetmia, trishtimi, dashuria , dhëmbja , vuajtja, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja , jeta dhe vdekja , problemet e tjera të njeriut , motive këto të përjetshme në letërsi .

Poezia  e Arben Prendit sështë   reflektive e dendur me ide filozofike .Ajo  është  poezi autentike që nuk përzihet me korin e poetëve mediatikë. 

Studimet kritike të Arben Prendit mbushin vakuumin e krijuar nga kritika ideologjike, e cila studionte vetëm letërsinë që i shërbente regjimit.  Prendi shkroi studime  mbi veprat e autorëve të njohur, si: Ridvan Dibra, Fatos Kongoli, Agron Tufa, Zija Çela e të tjerë. 

Kritika e  studieusit Arben Prendi  dallohet për kërkimet metodologjike dhe për dekonstruktimin e domethënieve estetike ngase  Poezia e Arben Prendit  është pasion, kurse studimi i letërsisë për studiuesin Prendi është profesion.


Akademik Prof.Dr.Flori Bruqi,Ph.D

(ASHASHA New York,Prishtinë,Tiranë ,Shkup)

Letërsia shqipe dhe 6 çështje fundamentale të saj

Rezultate imazhesh për arben prendi
Nga Arben Prendi

Letërsia shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek XX deri më sot, është një periudhë problematike por edhe interesante nga pikëpamja e studimit të saj, ndërkaq është ende një fushë e hapur dhe pa një vlerësim të përfunduar. Mund të themi se përgjatë saj dallojmë nga vështrimi i sotëm disa dukuri, tashmë të bëra objekt diskutimi dhe analizash shkencore vitet e fundit, në studimet tona letrare:


REALIZMI SOCIALIST ÇFARË TË BËHET ME TË

Dukuria themelore e periudhës 1945-1990 është realizmi socialist, që del si ndërhyrje politike e shtetit në procesin krijues të artit dhe letërsisë, ndërhyrje e cila kulmon me shpalljen e metodës së realizmit socialist si e vetmja metodë e lejueshme, gjë që solli mbytjen e lirisë krijuese dhe pluralizmit estetik. Si metodë e detyrueshme për letërsinë tonë 1945-1990, realizmi socialist erdhi më shumë e huazuar nga letërsia e Bashkimit Sovjetik sesa si prirje e brendshme e saj. Në letërsinë shqiptare realizmi socialist u shpall si model i detyrueshëm, në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në tetor 1949. Parimet e realizmit socialist në letërsinë tonë vijnë kryesisht nga ligjërata politike e udhëheqësve komunistë të kohës në formën e udhëzimeve, këshillave, orientimeve, kritikës etj. Ato mund të përmblidhen edhe në formën e disa parimeve bazë. Teoricieni kryesor i realizmit socialist qe shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi, njëkohësisht kryetari i Lidhjes në periudhën 1946-1973.

Moment me rëndësi në letërsinë e kësaj periudhe është viti 1961, kur zhvillohet një debat i gjerë kryesisht për poezinë, (por që përfshiu krejt letërsinë), mes krijuesve më të rinj në moshë (që sapo kishin botuar poezitë, apo vëllimet e para poetike) dhe krijuesve më të vjetër. Poetët e grupit të parë ishin për “novatoren”, për më shumë liri artistike në poezi, për fuqizimin e shprehjes figurative, figurës letrare, për ikjen nga skematizmi, dhe për një përdorim më të gjerë të vargut të lirë në poezinë shqipe. Meritë kryesore e këtij grupi është se ata rivendosën kontinuitetin me poezinë e madhe të gjysmës së parë të shekullit XX(Çiraku, Y.2004). Ndërsa poetët e grupit të dytë, kritikonin “shthurjen” që po sillnin në poezi poetët e rinj, mbronin vargun e rregullt, kombëtaren, poezinë “tradicionale”, qartësinë dhe rregullsinë e saj metrike. Sigurisht debati zhvillohej brenda kufijve të lejueshëm për ta pasuruar më tej letërsinë e realizmit socialist dhe si i tillë me miratimin e regjimit i cili e përkrahu fillimisht grupin e poetëve më të rinj duke dhënë shenja të një liberalizimi të përkohshëm. Paralelisht me këto zhvillime vijnë në letërsinë që shkruhet në Kosovë poetët e viteve 1960, poetë që e ngritën poezinë shqipe në nivele cilësore.

Shkrimtarët nën realizëm socialist në mënyrë që të bëheshin të botueshëm ishin të detyruar të bënin kompromise me sistemin politik. Ndaj në vështrimin e sotëm mbi këtë letërsi rezulton, se: një pjesë e mirë e saj është një shkrim me domethënie ideologjike dhe me funksione të varfra estetike. Por kemi edhe raste kur nga të njëjtët shkrimtarë kemi vepra të kritikuara nga censura e kohës. Kjo dukuri shënon të gjithë procesin letrar: vetëdija letrare i nxit shkrimtarët t’i kundërvihen metodës skematike, metoda i detyron dhe i ndëshkon për këtë kundërvënie.

arben prendi foto shkrimiÇështja e rishikimit të letërsisë së realizmit socialist mbetet ende e hapur: Nga pozita e sotme e vlerësimit dhe e gjykimit të kësaj periudhe mbetet detyra e rishikimit në kompleksitetin e saj, duke veçuar çka i përket realizmit socialist dhe çka ndonjë modeli tjetër, si modelit realist, modern apo tjetër fare. Studiuesja F. Dado në studimin Letërsia e painterpretuar (2010) ka mendimin se: “Në marrëdhënien realizëm/realizëm socialist mund të ndodhë që shumë tipare të realizmit socialist janë në sipërfaqe, por realizmi të jetë në brendësinë e konceptimit artistik. … Duke e ndeshur këtë dukuri te disa shkrimtarë, besoj se realizmi socialist është, në të vërtetë, një rrymë më e ngushtë se ç’është menduar”. Pavarësisht se të krijuara nën hijen e realizmit socialist, nuk janë të tilla të gjitha veprat letrare të tilla, kjo tashmë është e qartë. Për studiuesin Sh. Sinani: “Letërsia e realizmit socialist në të vërtetë bashkonte brenda vetes gjithë letërsinë që botohej nga institucionet e shtetit, pavarësisht se një pjesë e saj, sidomos ajo që trajtonte tema mitologjike, legjendare, historike të epokave dhe periudhave të shkuara, shmangej qartë, në mos tërësisht, të paktën pjesërisht, prej “pesë parimeve të metodës”.(Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të. (2010).

Realizmi socialist është mbizotërues në tërësi, në letërsinë tonë të gjysmës së dytë të shek. XX deri në vitin 1990, dhe duhet parë “si dukuri specifike, që i përket realitetit tonë historik dhe kulturor”(Dado, F. 2006)por është rishikuar çështja se në disa autorë kemi vepra që përputhen me parimet e realizmit socialist ashtu siç kemi vepra të cilat, sipas gjykimit tonë të sotëm, shmangen, biles janë një kundërvënie estetike ndaj tyre, pavarësisht se kronologjikisht i përkasin të njëjtës kohë(Çiraku, Y. 2010), etj. Kjo do të ndihmonte për të krijuar një pamje më të qartë të procesit letrar të gjysmës së dytë së shekullit XX, përkundër tendencës së viteve të fundit për të bërë objekt studimi vetëm veprat që i janë shmangur realizmit socialist a thua se ai nuk ka ekzistuar fare ose tendencës që veprat që përshkohen tërësisht prej këtij pseudorealizmi të paketohen si vepra realiste apo deri moderniste etj.

LETËRSIA E PABOTUAR DHE E NDALUAR

Dukuria e parë solli dukurinë e dytë,letërsinë e ndaluar dhe letërsinë e pabotuar. Në valën e parë të dhunës së shtetit komunist do të bien intelektualë dhe shkrimtarë. Komunikimi me disa shkrimtarë të rëndësishëm të traditës u ndërpre. Vepra e tyre letrare u hoq gradualisht nga qarkullimi dhe studimi. Se sa komplekse ishte letërsia nën diktaturën komuniste e shpreh edhe përcaktimi tjetër i studiuesit Sh. Sinani, në studimin Për prozën e Kadaresë: Kishte shkrimtarë e artistë të dënuar për arsye të lidhura drejtpërdrejt me veprën e tyre- ose me një vepër të vetme. (Rasti i Visar Zhitit). Por kishte edhe të tjerë të dënuar për arsye joletrare, – vijon ky studiues, – që megjithatë ishin shkrimtarë të dënuar me vepra të dënuara (K. Resuli, K. Trebeshina). Kishte shkrimtarë të padënuar me vepra të dënuara (I. Kadare). Kishte shkrimtarë shqiptarë që jetonin në Perëndim dhe nuk botoheshin në Shqipëri, duke zhvilluar një proces letërsie krejt të ndryshëm nga ai i realizmit socialist (Camaj, Pipa, B. Pogoni, Isuf Luzaj, B. Xhaferri). Kishte një letërsi “alternative”, edhe kjo “e realizmit socialist”, që zhvillohej në Kosovë, letërsi që ribotohej me përzgjedhje edhe në Shqipëri, më e lirë ideologjikisht. Kishte shkrimtarë të realizmit socialist që përpiqeshin të arrinin maksimumin e cilësisë, pa cenuar kornizën e përgjithshme të realizmit socialist. Kishte një letërsi brohoritëse të shkrimtarëve mesatarë të realizmit socialist, të cilët me vullnet të plotë, me bindje të padiskutueshme shkruanin në përputhje me kërkesat e partisë. Ka ekzistuar edhe një letërsi që megjithëse drejtpërsëdrejti dukej konformiste dhe më e partishme se partishmëria, në fakt me ekzagjerimin, shkaktonte përqeshjen e sistemit politik. (Kadare, Agolli etj.).

Gjithashtu nuk u lejua komunikimi me veprën letrare të disa autorëve të rëndësishëm të periudhës, që të arratisur nga Shqipëria, e botuan veprën e tyre jashtë vendit: Martin Camaj në Itali e Gjermani, Arshi Pipa e Bilal Xhaferri në SHBA etj. Ndërkaq për shkaqe ideologjike të ndërhyrjes së shtetit komunist, gjatë kësaj periudhe kemi edhe fenomenin e letërsisë së “sirtarëve”, ose të letërsisë së shkruar në burgjet komuniste nga disa autorë, si: Arshi Pipa, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Astrit Delvina etj., apo autorë të tjerë që veprat i mbajtën në sirtar, si: Zef Zorba, Primo Shllaku etj.

Nga pozitat e sotme të vlerësimit dhe gjykimit vazhdon të mbetet detyra e integrimit të autorëve të ndaluar, apo edhe veprave të ndaluara të autorëve të “lejuar”. Shembulli më domethënës i këtij integrimi është vepra letrare e M. Camajt, poet e prozator, por edhe e K.Trebeshinës, B. Xhaferrit etj., autorë për të cilët tashmë kemi artikuj studimorë, punime doktoraturash, monografi etj.

Si pasojë nga kjo periudhë vijojmë të kemi një gjendje komplekse: a) letërsinë e botuar, nga autorë të pranuar nga sistemi, por që ka vlera të dyshimta estetike: letërsia e realizmit socialist b) letërsinë e botuar, nga autorë të pranuar nga sistemi, por me vlera të mirëfillta estetike c) letërsinë e pabotuar, – nga autorë të pranuar dhe të përjashtuar, e cila ka vlera të mirëfillta estetike por ka mbetur pjesërisht e paintegruar, c) letërsinë shqipe që shkruhet në degët e saj: letërsinë shqipe në Kosovë, në Maqedoni, dhe në Malin e Zi, dhe te arbëreshët e Italisë ç) letërsinë shqipe në diasporë.

QARQET LETRARE SHQIPTARE

Me dukurinë e parë, – realizmin socialist – lidhet edhe komunikimi i zbehtë me degët e tjera të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Ky komunikim për arsye të brendshme ideologjike, por edhe për arsye të jashtme deri në vitin 1990 është i vakët ose tërësisht mungues. Kështu vetëm nga vitet 1970 kemi një përpjekje për ta bërë të njohur edhe në Shqipëri, letërsinë shqiptare që shkruhej në Kosovë, kryesisht përmes disa përmbledhjeve poetike të disa poetëve. Vlen të veçohet fakti se shkrimtarët shqiptarë në Kosovë e kundërshtuan importimin e realizmit socialist nga Shqipëria, megjithëse gjurmë të tij janë të ndjeshme në këtë letërsi, në vitet 1950-1960. Kundërshtim i ngjashëm me terma të tjerë është në Shqipëri debati i viteve 1961(Çiraku, Y.2010). Ky kundërshtim u shpreh veçanërisht në artikullin me titull “Vox Clamantis in Deserto” botuar në gazetën “Rilindja” në vitin 1971. Jo rastësisht në këtë kohë forcohet kërkesa për shprehjen artistike dhe gjuhën artistike të veprës letrare kërkesë e cila sjell frymën dhe ndjeshmërinë moderne; një ikje nga komunikimi masiv dhe i thjeshtë i gjuhës së drejtpërdrejtë drejt një gjuhe me nivel më të ulët komunikimi dhe që i drejtohet një lexuesi më elitar(Çapriçi, B. 2005). Madje për letërsinë e këtyre viteve në Kosovë mund të flitet edhe për prirje avangardiste(Islami, N. 2004) brenda tipareve moderne të kësaj letërsie.

Ndërsa lidhur me shtrirjen dhe përkatësinë gjeografike dhe etnike të letërsisë shqipe (kuptohet edhe kjo e Pasluftës së Dytë Botërore) mendimi i mbizotërues në studimet tona është se duhet përfshirë në objektin e studimit e gjithë krijimtaria letrare e shkruar nga autorë shqiptarë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Pra, letërsia shqipe nuk duhet t’i drejtohet një lexuesi shtetëror(Sinani, Sh., 2015)por mbarë lexuesit shqiptar.

Edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli dhe dekadës së parë të shekullit XXI letërsia kombëtare shqiptare vijon t’i ruajë ende disa forma të qarqeve letrare. Këto qarqe u krijuan në kontekste të ndryshme kulturore dhe politike. Një histori e përbashkët e letërsisë shqiptare, kudo që krijohet prej shqiptarëve,një njësim i vazhdueshëm i sistemit letrar shqiptar(Jorgo, K.,2005), pavarësisht veçorive e dallimeve që ekzistojnë për shkak edhe të realiteteve dhe konteksteve të ndryshme, në të cilat është krijuar apo krijohet kjo letërsi, është në të mirë të kulturës dhe letërsisë sonë, nëse në të ardhmen nuk do të na duhet të pyesim: “Sa letërsi shqiptare kemi?”(Jorgo, K.,2005). Praktikisht mungon uniteti në zhvillimin e degëve të letërsisë kombëtare. Kjo mungesë sa vjen e bëhet më problematike sidomos me mundësinë për krijimin e një identiteti të ri letrar për pjesën e letërsisë shqipe,tashmë në shtetin e ri të Kosovës, e cila për ndonjë studiues do të duhet të fillojë me Pjetër Bogdanin(Shala, Kujtim M.,2009).Vazhdon të jetë e pranishme dukuria e qarqeve letrare, përsëri për arsye kryesisht politike dhe paaftësisë për të realizuar këto integrime por sa kohë që ato janë të tilla, duhen parë edhe si pasuri e letërsisë shqipe(Çiraku, Y., 2010).

Gjithashtu edhe lidhja me letërsinë bashkëkohore arbëreshe gjatë kësaj periudhe është një lidhje e vakët, fare pak njihet dhe publikohet në Shqipëri, me ndonjë autor si Zef Skiro di Maxho apo Vorea Ujko (Domeniko Bellizi), Xhuzepe del Gaudios apo në ditët e sotme Karmine Abate e ndonjë tjetër. Ndërsa për arsye të kuptueshme deri pas ’90-ës është i ndaluar komunikimi me letërsinë shqipe në diasporë, autorët e së cilës ishin automatikisht të padëshiruar.

 VËSHTIRËSIA E EMËRTIMIT ME TERMA STILISTIKË

Periudha 1945- deri më sot duhet dalluar për shumë arsye nga letërsia e mëparshme. Për qëllim studimi letërsinë e shkruar dhe të botuar në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë dhe në dekadën e parë të shekullit XXI, mund ta ndajmë në dy periudha: 1) periudha e parë: 1945 -1990 dhe 2) periudha e dytë: 1990 – deri më sot. Kjo prerje është konvencionale sepse nga pikëpamja stilistike edhe pas viteve 1945 kultivohen tipare të letërsisë së mëparshme, si: sentimentalizmi, romantizmi, realizmi, elemente moderniste, dhe këto elemente janë të pranishme edhe pas viteve 1990, kur realizmi socialist nuk është më i detyrueshëm. Në studimet tona letrare, termat më të përdorur për ta emërtuar këtë periudhë janë: “Letërsi e sotme”, “Letërsi bashkëkohore”, “Letërsi e Pasluftës së Dytë Botërore”, “Letërsi e gjysmës së dytë të shek. XX” apo “Letërsi e modernitetit bashkëkohor”. Asnjëri nga këto emërtime nuk është i natyrës teorike/estetike, por ka karakter përcaktues kohor, kështu që çështja e emërtimit teorik mbetet një çështje e hapur(Vinca, A.,1996).

Do të shtonim sepse kjo periudhë është e pamundur të cilësohet as si letërsi realiste, as e realizmit socialist, as moderne dhe as postmoderne, në kuptimin që rryma letrare, stili, poetika të jetë mbizotëruese mbi një grup autorësh, mbi një brez letrar apo mbi një periudhë kohore sado të shkurtër. Megjithëse ka studiues që kanë shprehur mendimin se në periudhën 1945-1990, kemi të pranishme elemente të poetikës realiste dhe moderne, përveç realizmit socialist (brenda Shqipërisë) që u bë modeli mbizotërues. Në studimin “Periodizimi i letërsisë shqipe” (1973), studiuesi R. Qosja, konsideron, se: kemi të bëjmë me letërsi realiste sociale, në periudhën nga vitet 1934-1960; ndërsa nga vitet 1960 deri 1973, me letërsi të realizmit integral, një term i krijuar nga studiuesi. Studiuesi I. Rugova në studimin “Çështje praktike të romanit bashkëkohor” (1987) duke analizuar veçoritë e romanit vlerëson se “…del në planin e poetikës së romanit, kryesisht të romanit tonë bashkëkohor aplikohet prosedeu realist dhe prosedeu modern”.

Studiues të tjerë si B. Kuçuku, shpreh qëndrimin se në letërsinë shqipe, në vitet 1930-1990, kanë bashkëjetuar metoda, struktura dhe stile të ndryshme, si realizmi, realizmi socialist dhe moderniteti bashkëkohor[1](Kuçuku, B., 2004).Listës që bën ky studiues me vepra realiste, moderne, mund t’i bashkëngjitim edhe lista me kryeveprat e realizmit socialist. Ndërsa studiuesi S. Hamiti në studimin Shkollat letrare shqipe(2005) dallon gjatë kësaj periudhe:shkollën socrealiste, shkollën disidente dhe shkollën moderne në Kosovë. Studiuesi Robert Elsie në tekstin Historia e letërsisë shqiptare (1997)për paraqitjen e letërsisë nga vitet 1945 e tutje përdor herë kritere politike-historike, herë letrare, herë kronologjike.

 LETËRSIA E PAS ‘90-ës

Pas përmbysjes së regjimit komunist më 1990, bie edhe realizmi socialist si metodë e detyrueshme në letërsinë shqiptare. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shek XX dhe në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XXI, krahas autorëve të mëparshëm vijnë në letërsinë shqiptare autorë të tjerë, prozatorë dhe poetë të brezit më të ri, si: A. Tufa, R. Dibra, B. Shehu, A. Kyçyku, B. Blushi, K. Rrahmani, R. Gjini, E. Dones, L. Lleshanaku, E. Hatibi, L. Dushi,A. Leka, L. Kola etj. Në letërsinë e shkrimtarëve pas 1990, funksioni parësor i veprës letrare është rikthimi i funksionit estetik. Letërsia e tyre nuk është propagandë, nuk është edukim moral, as brumosje, por kënaqësi estetike dhe larmi përjetimesh emocionale, meditim apo shqetësim artistik për njeriun dhe botën ku jeton, shprehje e kompleksitetit të qenies njerëzore etj. Ajo nuk i drejtohet lexuesit për ta manipuluar, ajo i jep lexuesit një këndvështrim interesant mbi natyrën dhe problemet e shoqërisë e në mënyrë të veçantë të individit, i cili në këtë letërsi mendoj se ka një vend të posaçëm. Në këtë drejtim mund të themi se letërsia e autorëve që shkruajnë pas viteve 1990 është një çlirim i madh estetik dhe shpirtëror është edhe një arritje për letërsinë shqiptare e cila tashmë është e hapur ndaj përvojave të letërsisë europiane e më gjerë. Koha dhe studimet letrare do të verifikojnë vlerën estetike të kësaj letërsie e cila simbolikisht për arsye studimi por edhe për arsye estetike duhet dalluar nga letërsia e mëparshme.

Për ndonjë studiues që i referohet një grupi poetësh që u shfaqën në këtë kohë, letërsia shqipe e viteve 1990 lindi si një lëvizje tipike avanguardiste (Marku, M., 2004) ndërsa për ndonjë studiues tjetër letërsinë e avangardës së viteve ’90 e krijuan autorë të afirmuar më parë, ashtu edhe të tjerë më të rinj, që u afirmuan më pas(Jakllari, A., 2004) etj. Faktikisht një prerje agresive nuk mund të ketë por, disa prozatorë dhe poetë që vijnë nga letërsia e para viteve 1990, janë në përpunim të mëtejshëm të veprës letrare dhe stilit të tyre edhe pas vitit 1990.

Dallimet ndërmjet këtyre autorëve janë më shumë të stilit individual sesa të lidhura me momentin kohor, por është e kuptueshme që brezi më i ri letrar ka më shumë kërkesa për të eksperimentuar me formën, me gjuhën artistike të veprës letrare duke asimiluar lirisht përvojat e letërsisë moderne e postmoderne por sigurisht nga një kërkesë e tillë nuk përjashtohen edhe disa autorë të mëparshëm. Sikurse shprehet studiuesi S. Hamiti, vitet 1990 nëse nuk janë vite të thyerjeve të mëdha janë vite të vetëdijesimit të madh letrar dhe se zbulimi apo sprovimi më i madh i këtyre viteve është të sprovohet autenticiteti duke u provuar me universalitetin. Do të thotë komunikimet letrare zhvillohen me të njëjtin intensitet në të gjitha pikat e vlerave të kësaj letërsie, në një anë; dhe komunikimi i këtyre vlerave me vlera të letërsive e kulturave të tjera (Hamiti, 2005).Një kufi simbolik në një periodizim të ardhshëm sigurisht që duhet vendosur këtu.

 LETËRSIA SHQIPE NË GJUHË TË PARË, GJUHËN E HUAJ

Një dukuri tjetër lidhet me dekadën e parë të shekullit XXI, se si duhen vlerësuar veprat letrare të autorëve shqiptarë të shkruar prej tyre në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën shqipe ose në gjuhën shqipe, por në mërgim, larg lexuesit shqiptar. Sikurse shprehet studiuesi Sh. Sinani, duke qenë një letërsi dygjuhëshe, në shumë raste dhe vetëm në gjuhë të huaj, kjo letërsi gjendet para pyetjes nëse është pjesë e rrjedhave dhe jetës kulturore shqiptare apo duhet parë brenda një sistemi tjetër, nëse është në periferi të letërsisë shqipe dhe mbetet gjithashtu në periferi të letërsive të tjera, me të cilat i bashkon vetëm gjuha(Sinani, Sh., 2015). Do të shtonim edhe pyetjen se si duhet t’i qasemi kësaj letërsie të panjohur? Duke e lexuar në gjuhë të huaj apo si letërsi shqiptare të përkthyer?!

REZULTATI I LETËRSISË SHQIPE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEK. XX

Pavarësisht prej çështjeve të mësipërme të cilave mund t’u shtohen edhe të tjera, nga kjo periudhë vlen të veçohet fakti i “çudive” të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila nga zymtia dhe burgu i diktaturës më të egër të perandorisë komuniste,i dha letërsisë evropiane një shkrimtar të përmasave botërore si Ismail Kadare (kandidat për çmimin Nobel prej shumë vitesh), i përkthyer sistematikisht në gjuhët evropiane, prej vitit kur boton romanin që e bëri famshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963). Ndërsa nga ana tjetër, nga kahu i kundërt, nga bota europiane perëndimore ku jetoi, pas vitit 1990 iu kthye letërsisë shqipe, lexuesit të parë të saj, vepra letrare e shkrimtarit Martin Camaj, pak i njohur në publikun perëndimor dhe aspak në publikun shqiptar, e cila me vlerësimin e njëzëshëm të studiuesve zuri përfundimisht vendin që i takon në historinë e letërsisë shqiptare, duke e tejkaluar kohën e humbur. Megjithëse në kushte krejt të tjera,edhe në rrafshin gjuhësor, këta autorë sjellin arritjet kulmore të gjuhës standarde (Kadareja) arritjet kulmore të variantit të gegërishtes (Camaj), çka do të ishte një çështje tjetër e hapur lidhur me ligjërimin artistik të veprës letrare në gjuhën shqipe.

2019/08/12

Pantina: 66 mijë eurot janë arsyeja pse Besnik Bislimi nuk guxonte të gjuante gaz lotsjellës

Deputetja nga radhët e PSD-së, Shqipe Pantina, ka hedhur akuza të rënda ndaj zyrtarit të VV-së, Besnik Bislimit, shkruan Insajderi.

Pantina përmes Facebook ka thënë se Bislimi nuk ka pranuar të hedhë gaz lotsjellës në kuvend ngase nuk e rrezikonte dot rrogën prej 5500 euro në muaj ndërsa ajo ka rrezikuar edhe të burgoset për ish-partinë e saj, VV.

“PSD-së i kërkon të garojë e vetme në zgjedhje por ai vet u përfshi në listë të deputetëve vetëm duke qenë numër 5 që i mundësonte fitoren e sigurt si deputet, ndërsa në komunën e Prishtinës ku vërtet do mund të kontribonte si Drejtor nuk qëndroi as për dy muaj”, ka shkruar Pantina.

Deputetja e PSD-së, ka thënë se Besnik Bislimi ka pranuar të bëhet nënkryetar i VV-së ndërsa në anën tjetër, ka hartuar program për një parti krejtësisht të djathtë.

“Epo 66 mijë euro nuk janë pak. Pse jo do thoshte dikush). 

Si deputet i LVV e shkoi për më shumë se katër muaj në SHBA për arsye private, pra interesi personal më i rëndësishem se përgjegjësia publike.”, ka përfunduar Shqipe Pantina.

Pra,sipas znj.Shqipe Pantina i bije që deputeti Besnik Bislimi, e ka rrogën vjetore : 66.000 euro.

Kësisoji, paguhën edhe deputet tjerë(120 deputet x66.000=
7,920.000 euro në vjet ).

F.B

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...