Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/12/24

Mini Shengeni/ Vazhdon fortuna anti Rama në Kosovë



Nuk ka fund orteku i reagimeve kundër Edi Ramës për nismën e shengenit Ballkanik të mbrojtur në krah të Vuçiçit. Rast i veçantë ato vijnë jo vetëm nga qytetarët në rrjete sociale, por edhe nga deputetëe që do përbëjnë shumicën e re qeverisëse. I zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ish luftëtari i UÇK, Rexhep Selimi, ka thënë se në tavolinën ku po diskutohet për krijimin e “Mini-shengenit”, nuk mungon vetëm Kosova, por edhe Shqipëria. “Në këtë tavolinë nuk mungon veç Kosova, aty mungon edhe Shqipëria. Interesat e shqiptarëve nuk përfaqësohen nga asnjëri nga këta të katër”, ka shkruar Selimi.
Fotografia e Nijazi Halili
Deputeti i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Edi Rama është mjerimi i qeverisjes shqiptare dhe sipas tij nuk është i denjë që Kosova të merret me të. “Unë mendoj se Edi Rama përgjigjen më të mirë po e merr prej Kosovës, injorimin, ai person nuk e meriton të merret me të. Kjo është përgjigja që Kosova ja ka dhënë kësaj radhe dhe besoj që ka me ia dhënë gjithmonë atyre që mendojnë në çfarëdo forme me e injoru Kosovën, ai person është i padenjë që Kosova të merret me të”, ka thënë Gashi.

Ndërsa gazetari dhe këshilltari i Ramush Haradinajt Halil Matoshi, shkruan: se ‘MiniSchengen-i’ âsht sot projekt i Serbisë së Madhe, nuk dëshmon shumë mospjesëmarrja e Kosovës, sa bojkoti i BE-së!? “Shqipnia pa dyshim, si shtet sovran ka të drejtë të zhvillojë marrëdhânie dypalëshe me kombet tjera, pra edhe me Serbinë, por âsht jologjike me ia imponu kursin drejt nji ‘MiniSchengen-i’ Kosovës, veçmas kur edhe BE-ja ashiqare e sheh me dyshim këtë projekt. Sepse Vučić-in e Ramën i ka bashku antieuropeanizmi i dukshëm, si levë mbi të cilën duhet të krijohet ‘MiniSchengeni’ dhe në këtë kurth âsht gjetë “i pafajshmi” Zaev”?

Fatos Lubonja: Mini-shengeni, mungesa e Kosovës dhe arroganca e Ramës



Analisti Fatos Lubonja iu është bashkuar reagimeve në lidhje me samitin e tretë të Mini-Shengenit Ballkanik, që u mbajt këtë fundjavë në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama, atij maqedonas, Zoran Zaev, dhe Presidentëve të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe ku mungonin liderët nga Kosova.

Në një lidhje për emisionin “Opinion” në ‘News24’ Lubonja pohoi se para se të ndërmerrej kjo nismë, duhet të kishte diskutime të hapura mes partive si dhe për faktin se çfarë përfitohej realisht nga ky projekt.

“Mini-shengeni, përveçse do të duhej që liderët e këtyre vendeve të merrnin përsipër një ndërmarrje të tillë që ka kaq shumë përplasje, çfarë përfitimesh ka në këtë drejtim?

Kjo është pyetja që duhet të ishte bërë më herët dhe përpara vendosjes së këtij samiti. Kur flas për përfitime, besoj se nuk duhet të harrojmë se është përqendruar shumë problemi tek Kosova dhe përjashtimi i saj. Por mendoj se duhet të ishte dhe debati i përfitimeve. Pra është marrë e mirëqenë sikur është diçka e dhënë nga Zoti. Na jepet si diçka pozitive që duhet ta bëjmë me çdo kusht. Këtë e them se nuk e kam hasur shumë.

Problemi i kësaj Evropë që është ndërtuar kështu, shihet dhe tek largimi i Britanisë nga BE. Disa akuza të forta thonë se fiton Gjermania, dhe disa vende humbin, si Italia. Kjo kërkon një debat. Në një Mini-Shengen a është e vërtetë që fitojnë të gjithë? Por me lëvizjen e lirë të mallrave, mos ndoshta ne si shqiptarë humbasim dhe fiton më shumë Serbia?! Kjo kërkon debat midis atyre që quhen parti politike” – tha Lubonja.

Ai pohoi se me projektin e “Mini-Shengenit” u shfaq dukshëm arroganca e kryeministrit Rama, ndërsa shtoi se ky i fundit e do këtë nismë për protagonizëm.

“Që kryeministri ynë ka harruar që fjala “parti” do të thotë “pjesë”. Duhet të kishte dhe në Shqipëri qasje të ndryshme, ekonomistë, specialistë, që duhet të bënin këtë debat nga të gjitha aspektet. Ky debat mungon dhe në një farë mënyrë vë në dukje arrogancën e një kryeministri. Këtu dalim dhe tek raporti me Kosovën.

Duke menduar si logjike që këta liderët duhet të jenë konsultuar me faktorë të ndryshëm përpara se të kenë marrë këtë hap. S’kemi të bëjmë vetëm me 3 njerëz që kanë parë ëndërr natën dhe janë konsultuar me njëri-tjetrin…..

Cili është përfitimi? Nuk është hera e parë që Rama bën veprime që mendon se janë në përfitimin e tij. Por që në fakt janë në dëm, të shqiptarëve. Çfarë do të përfitonte Rama nga kjo marrëveshje?

Mjafton të kujtojmë ato PPP-të. Paraqitja e një imazhi si gjoja ‘Shengeni-Ballkanik’, është një imazh që nga një pjesë mund të konsiderohet si pozitive, një gjë që i jep pikë këtij politikani, apo atij serb. Këtu kemi të bëjmë me një propagandë pasi s’mendoj se është analizë serioze e përfitimeve të vërteta.

Ai e ka hedhur këtë ide për protagonizmin e tij, për natyrën e tij që i intereson vetëm një gjë; Edi Rama dhe jo Shqipëria e Kosova. Atij i duket sikur injektohet me interesin e Shqipërisë. Nuk është e thjeshtë. Secili nga ata ka kontekstin e vet.

Nëse unë jam në rolin e Vuçic dhe më duhet të kalojë mallra pa taksa dhe kam fuqi më të madhe prodhuese, atëherë më duhet dhe të anashkalojë një realitet bezdisës, siç është shteti i Kosovës që më ka vënë një taksë 100%. Ai pra ka interesin për ta bërë këtë. Këtu vijmë tek ana jonë. Gjermania, Italia, kanë interesa të ndryshme që të jenë në favor apo në disfavor të këtyre zgjedhjeve. Këto duhej të ishin diskutuar.

Përmenda disa nga kostot ekonomike. Por ka dhe kosto politike. Vuçiç ka tjetër interes nga ai që ka Shqipëria. Nëse ne mendojmë se jemi më afër Serbisë sesa të Kosovës, ky është problem. Dhe kështu del. Nëse ne mendojmë që të ndërtojmë urë me Serbinë, një prej këmbëve të urës duhet të jetë në Kosovë. Si mund të injorosh këtë faktor? Sikur të jesh ti mbreti absolut i të gjithë shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit (Rama). Këtu kemi një anashkalim dhe injorim të spektrit politik në Kosovë.

Them se mund të ishte i mirë nëse tek ‘Mini-Shengeni’ do të shkonin të gjithë dhe do të kishin biseduar me njëri-tjetrin. Kur ty s’të hyn Kosova, ‘Mini-Shengeni’ është dështim. Ky është dështim i sigurt dhe krijimi i problemeve të mëdha mes Ramës dhe partisë së tij dhe të gjithë klasës politikë në Shqipëri por dhe në Kosovë. Për Kosovën duhej të ishte diskutuar. Nëse je mbret absolut atëherë në rregull.. Por nuk jemi në këtë realitet. Je parti dhe nuk je mbret. Je pjesë dhe nuk je i tërë (I drejtohet Ramës).

Kjo ideja e imitimit të Europës, nuk është më ide triumfueses. Kjo ndikon që mos të ketë kaq mbështetje të madhe, e avancuar. Ndaj Rama në këtë drejtim është i vonuar. Ka qenë i vonuar dhe në politikat e brendshme. Kur nisën idetë kur Tirana dhe Durrësi do të bëheshin metropol i madh” – tha Lubonja.

‘Ndihem i turpëruar’, Basha mesazh për ‘Mini-Shengenin’: S’do të ketë kurrë fqinjësi të mirë pa Kosovën, Rama i padenjë!


Lulzim Basha komentoi sërish me tone të forta Samitin e tretë të Mini-Shengenit Ballkanik, që u mbajt dje në Tiranë mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, atij maqedonas, Zoran Zaev, dhe Presidentëve të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Basha kundërshton me forcë përjashtimin e Kosovës nga ky Samit, duke u shprehur në një postim në “Facebook”, se “e konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës.”

Mesazhi i Bashës:

Partia Demokratike mirëpret në parim çdo nisëm rajonale që ka për qëllim afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre. Por ne gjykojmë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës.

Prandaj e konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës.

Këto qëndrime bien ndesh me parimet e partneritetit strategjik për të cilat qeveria e Shqipërisë është zotuar disa herë gjatë mbledhjeve me qeverinë e Kosovës. Ato shkelin hapur marrëveshjen dyshtetërore për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme të dy vendeve tona.

Theksoj se i ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia.

Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti. Ushtria, policia dhe të gjitha institucionet e Kosovës ishin të parat që u angazhuan në mënyrë profesionale në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ofruan ndihmë humanitare për vëllezërit dhe motrat e goditur nga fatkeqësia natyrore e njerëzore, ndërsa kryeministri i padenjë i Shqipërisë ua shpërblen duke nëpërkëmbur të gjithë figurat e larta të shtetit të Kosovës.

Partia Demokratike, si parti e qendrës së djathtë natyrshme mbështet tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës, por për ne është e pashpjegueshme nevoja për një nisëm të re rajonale, ndërkohë që për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE.

Është papërgjegjshmëri dhe dështim i kësaj qeverie fakti që pikërisht gjatë vitit kur Shqipëria ka presidencën e CEFTA-s, në vend që ta konsolidojë këtë organizatë e të nxisë zgjerimin me vende të tjera që aspirojnë integrimin europian si Ukraina apo Gjeorgjia, kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset.

Po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negocitave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian.

Në tetor të këtij viti, Serbia nënshkroi në Moskë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroazian të dominuar nga Rusia pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se kjo marrëveshje nuk përputhet me kriteret e integrimit europian. BE vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2014 mirëpo Serbia, megjithëse vend kandidat, refuzoi ti vendoste. Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi. Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit.

Kjo nisëm ka hasur në hezitim jo vetëm prej Kosovës por edhe prej dy vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina çka dëshmon se kjo iniciativë rajonale me pjesëmarrje të gjymtuar i ka gjasat e mëdha që të dështojë pa u formuar mirë.

Prandaj e gjithë kjo seri takimesh duket se është propagandë që synon të largojë vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave si dhe nga keq-qeverisja socialiste që po shkakton gjithmonë e më shumë kosto tek çdo qytetar.

Së fundmi, duke ndarë shqetësimin se kjo nisëm mund të bëhet pjesë e një skenari të “anëtarësimit minus” për vendet e Ballkanit Perëndimor, shpreh bindjen e thellë se Shqipëria nuk meriton të penalizohet për dështimet, abuzimet dhe paaftësitë e kësaj qeverie që kanë çuar në errësimin e perspektivës europiane për shqiptarët.

Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Shqipëria dhe shqiptarët e kanë të gjithë potencialin e duhur për të arritur kriteret e kërkuara. Dhe ne jemi të bindur se vetëm rotacioni politik dhe krijimi i një qeverie të re do ta çlirojë këtë potencial europianizues dhe do ti hapë rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Akademia e Shkenca dhe Arteve e Kosovës ka reaguar lidhur me idenë e Mini-Shengenit


Rezultate imazhesh për mini shengeni reagon akademia e shkencave dhe arteve e kosoves
Akademia e Shkenca dhe Arteve e Kosovës ka reaguar lidhur me idenë e Mini-Shengenit, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces.

Në reagimin e ASHAK-ut, thuhet se tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Evropës, me të ashtuquajturin “mini-Shengen ballkanik”, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm, çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.

Rezultate imazhesh për mini shengeni reagon akademia e shkencave dhe arteve e kosoves

Lexoni të plotë reagimin e ASHAK-ut:

“Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Evropës, me të ashtuquajturin ‘Mini-Shengen ballkanik’, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.

Duke e parë këtë rrethanë dhe duke vërejtur dëmin e konsiderueshëm që shkaktoi kjo nismë në politikëbërjen shqiptare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është e shtrënguar të reagojë, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimit e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces.

Rezultate imazhesh për mini shengeni reagon akademia e shkencave dhe arteve e kosoves


Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës ‘pyetje patetike’; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës.


Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale.

ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se “mini-Shengeni ballkanik” nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve. Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia, përderisa ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë e këtij shteti dhe aq më pak të përfshihet në aleanca që shkojnë kundër interesave tona kombëtare dhe krijojnë alternativa të kundërvënies ndaj integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.


Kosova nuk mund të bëhet pjesë e aleancave që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë zhbërjen e saj. Historia më e re e Kosovës është histori e vlerave të civilizimit perëndimor dhe e parimeve të lirisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje. Më anë tjetër, Kosova është shtet sovran, ka subjektivitetin e saj politik, ka organet e saj legjitime dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë vendimmarrje të imponuar dhe sjellje paternaliste.

Duke u mbështetur në këto parime, ASHAK gjithnjë do të punojë dhe do të mbështesë bashkëpunimin

Kosovë-Shqipëri në të gjitha fushat, do të bëhet pjesë e të gjitha proceseve të përbashkëta integruese dhe do të përpiqet të minimizojë dëmet që shkaktohen në këto marrëdhënie nga politikat e pamatura dhe kundërvënëse ndaj procesit normal të integrimit të ndërvetshëm”.

Mini-Shengeni, Gjosha: Qeveria po tenton të kamuflojë dështimet



Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ftuar në rubrikën “Opinon” në News24 tha se mungesa e Kosovës në këtë Samitine Mini-Shengenit Ballkanik ngre pikëpyetje për ekzistencën e këtij projekti.


Po ashtu ish-ministrja pohoi se qeveria shqiptare po tenton që përmes këtij samiti, të kamulfojë dështimet; negociatat me BE, situata pas tërmetit të 26 nëntorit apo dhe dështimi ekonomik.

“Unë mendoj se duhet të ndajmë disa koncepte. Atë që po ndodh realisht, me konceptin e bashkëpunimit rajonal në vetvete. Askush nga ne nuk ka asnjë dilemë kur themi se Shqipëria ka nevojë që të bashkëpunojë me vendet e rajonit. Rajoni ka nevojë për bashkëpunim të ngushtë. Por kur kthehemi dhe shohim se çfarë po bëhet me këtë forum, kam shumë gjëra për të thënë. Mungesa e Kosovës ngre pikëpyetje për ekzistencën e këtij projekti. Vet Mali i Zi ka pikëpyetjet e veta, edhe pse ishte në takim nuk e ka të zyrtarizuar ende pjesëmarrjen. Mënyra se si është shpejtuar, ka të bëjë dhe me dështimet e qeverisë me negociatat. Po mbulohet si çështje. Nëse kthehemi tek Shqipëria, është një angazhim për të kamufluar keqqeverisjen dhe dështimin me BE. Dështimi i qeverisë me ekonominë, me atë çka po ndodh pas tërmetit me ata njerëz që janë ende të pastrehë. Për këtë arsye mendoj se pikëpyetjet janë të mëdha. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk mund të jetë i suksesshëm pa Kosovën. Kosova dhe Serbia kanë trazuar ujërat në rajon. Si mund të diskutojmë për bashkëpunim në rajon kur fton Kosovën dhe Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj?! Kjo iniciativë është e pasinqertë. Liderët që e drejtojnë këtë samit janë autoritarë. Për të mbuluar shumë dështime, është nisur kjo iniciativë dhe është e nxituar. Mënyra se si iu qas kryeministri ynë liderëve kosovarë është e gabuar. Ne ofendojmë disa liderë që janë legjitim dhe kanë mbështetje në vendin e tyre. Kjo është paturpësi. Se di nëse Mali i Zi do të bëhet pjesë e këtij samiti. Më duket më shumë një show dhe teatër, se sa tentativë reale. Ky rajon nuk funksionon i vetëm. Sado të duam ne që të krijojmë lidership në rajon, nuk e kemi këtë kulturë. Qeveria duhet të sqarojë shumë çështje. Se sa i dobishme është ky i samit.”, tha Gjosha

“Ky paska ken’ fati jonë…me shpresë t’Zotit do t’vdes si burrë”



“Ky paska ken’ fati jonë…me shpresë t’Zotit do t’vdes si burrë”

( Letra e deputetit Riza Dani, drejtuar familjes para pushkatimit: Amaneti i fundit)

Amaneti i fundit: Tashti dëgjoje Axhën! Për mue kanë kërkue dënimin me vdekje, e ke marrë vesh besoj. Kufomën time merreni dhe çojeni në Shkodër. Më varrosni pranë Agimes, ose t’em vëllai nëse asht zanë vendi pranë sime bije. Kshtu paska kene fati jonë. Amanet Bulen, amanet të gjithëve, sidomos Vaçes.

“Me 9 shtator më ka vdekë vajza Agimja, fëmija i vetëm, e ju mendoni se tue pasë kyt rast në shpi do merresha me Lëvizjen? Paçi hijen tuej!”, kjo është përgjigjja e Riza Danit, kur hetuesi Stavri Xhara e akuzoi si organizator të kryengritjes së Postribës.

Riza Dani ishte arrestuar me urdhër të diktatorit Enver Hoxha për shkak se kishte kundërshtuar vendimet e marra që binin në kundërshtim të plotë me parimet demokratike për të cilat Riza Dani e shumë patriotë të tjerë shqiptarë patën luftuar. Pikërisht për këtë arsye, Riza Dani u arrestua, u troturua dhe më pas u dënua me varje në litar.

Dhjetë letra cigareje të shkruara në ditët para se të varej në litar, do të mbeteshin testamenti i Riza Danit lënë së mbesës, Feti. Nuk kishte fëmijë sepse vajza e tij e vetme ndërroi jetë në moshën 9-vjeçare më 9 shtator 1946, pikërisht atë ditë kur ishte organizuar kryengritja e Postribës, e për këtë kryengritje, ai do të akuzohej si organizator e do të dënohej me varje në litar.

Letra është shkruar përgjatë disa ditëve dhe janë ditët e fundit para ekzekutimi. Ka dhimbje e fisnikëri në fjalët e tij. Luftja dhe amaneti i fundit për vendin ku duhet të varrosej, pranë së bijës, Agime, por edhe amaneti për bashkëshorten e tij, Bulen, që tashmë kishte mbetur fillikat pas dekjes së bijës e ekzekutimit të bashkëshortit. Letra i drejtohet mbesës, Feti e cila është kujdesur për t’i çuar ushqim e veshje, përgjatë gjithë kohës kur ai ishte në burg. Një ndër fjalitë më domethënëse të kësaj letre është: Me shpresë të Zotit do të vdes si burrë.

E dashur mbesa ime, Feti!

Çështja është tepër serioze, gjyqi ndaj nesh u krye me dyer të mbyllura, pa avokat e pa publik. Prokurori këtu më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve. Kam marrë pjesë në mbledhjet e saja, kam bërë mbledhje me të arratisurit.

Hetuesi nuk ka ba proces, as akuzat e deputetëve në ballafaqim me to nuk puqen. Prej grupit të deputetëve të dënuar veç Bejës, Sazanit, Majunit dhe S Kokalarit ,unë nuk njoh askënd tjetër.

Janë gënjeshtra të turpshme të formulueme me magji të një sistemi mesjetar torturash, i cili m’ash aplikue edhe mue. Sidoqoftë moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq. Ç’venndim jep ky, nuk e di.

Me shpresë të zotit do të vdes si burrë. T’falem shumë Feti për kujdesin e për gjellët që më ke prue. Bulen amanet nipave. Ta konsiderojnë si më parë si njeriun e tyne.

7 tetor.

Feti, këto jepja doktor Omerit. Kopjen ruaje për histori.

Doktor!

Me pesë të këtij muaji dola në gjyqin e naltë ushtarak me dyer të mbyllura e pa avokat.

Në Shkodër akuzohem se kam marrë pjesë në një mbledhje që asht mbajt në shpinë e Cen Serreqit. Këtu prokurori më akuzon për kryengritjen e Postribës. Më akuzon se me anë të amerikanëve kam marrë 150 stërlina për të financue kryengritjen që duhet të koincidojë me akt-akuzën.

Tashti dëgjoje Axhën! Për mue kanë kërkue dënimin me vdekje, e ke marrë vesh besoj. Kufomën time merreni dhe çojeni në Shkodër. Më varrosni pranë Agimes, ose t’em vëllai nëse asht zanë vendi pranë sime bije. Kshtu paska kene fati jonë. Amanet Bulen, amanet të gjithëve, sidomos Vaçes.

Tashti që po ju shkruaj nga dita 7 tetor kam vujt shumë. Tri ditë pa bukë e ujë, 20 ditë çimento për shtroje e mloje, përveç shiltes teme. Shilten kërkoje e merre që ta mbash kujtim. Feti! Thuaja doktor Omerit këto që po t’i shkruaj.

Akuzat i kam mohue të gjitha si shpifje të turpshme.

Në rast hallallëkut, më varrosni pranë Agimes.

Me mall axha jot

Rizai

Riza Dani lindi në Shkodër në një familje patriotike. Përfundoi shkollën “Ruzhdien” në qytet dhe më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Stambollit. Ra shpejt në kontakt me mjediset patriotike shqiptare dhe që, në rini, iu përkushtua lëvizjes kombëtare, përkrah të vëllait, Dan Hasani. Riza Dani zotëronte 4 gjuhë: gjermanisht, turqisht, italisht e sllavisht dhe në vitet 1908-1912 ishte pjesëtar i klubit “Gjuha Shqiptare” me miqtë e familjes: Atë Gjergj Fishta, Gurakuqi e Dom Ndre Mjeda. Ishte nismëtar i grupit të ngritjes së flamurit në Shkodër në fillimet e vitit 1913 dhe drejtonte gazetën politiko-shoqërore “Shkodra”. Vazhdoi aktivitetin patriotik deri në kohën e luftës antifashiste kur u angazhua në Frontin Demokratik Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga okupatori. Më pas u emërua kryetar i Frontit për qarkun e Shkodrës e më vonë kryetar i Komitetit të Shkodrës. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1946, zgjidhet nga populli i Shkodrës si deputet. Pikërisht në këtë kohë ai nisi të shohë se cili ishte regjimi që po vendosej në Shqipëri dhe menjëherë nisi organizimin për ta ndalur si një regjim që ishte në kundërshtim të plotë me parimet demokratike e me idealet për të cilat kishte luftuar ai, miqtë, shokët e tij dhe shumë shqiptarë të tjerë. Në një artikull të shkruar nga nipi i tij, Kujtim Dani, theksohet se:

“Riza Dani, në situatat e reja që po kalonte vendi, po e kuptonte që prej gjakut të derdhur, Shqipëria ishte çliruar nga okupatori i huaj, por mjerisht do të robërohej nga një sistem sllavo-komunist utopik që po aplikohej. Kuptoi se duhej ngritur zëri nga të gjithë në protesta e veprime opozitare. Grupi i deputetëve demokratë: Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Kolë Prela, Ibrahim Sheh Karbunara e tjerë ranë në kontakt me grupet intelektuale e organizatat opozitare të krijuara nga mesi i vitit 1945 në Shkodër e qytete të tjera. Këto do të organizoheshin për të kërkuar në zgjedhjet e ardhshme një sistem demokratik perëndimor, që kishte në themel pluralizmin politik, lirinë e individit, lirinë e fjalës e shtypit. Lëvizjet opozitare u zgjeruan e u formatuan në grupime me veprime politike. Uran Butka, në librin “Kryengritjet e para kundra komunizmit”, shkruan se në një mbledhje më 6 korrik 1946 në Shkodër, Riza Dani foli për nevojën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Në mbledhjen e 9-të të asamblesë, Riza Dani pat kundërshtuar projekt-statusin e paraqitur sijokombëtar e i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste. Më 7 mars 1946, pas vërejtjes që bëri Riza Dani, Nako Spiroja pasi kishte marrë udhëzime e urdhra nga eprorët, diskuton gjatë e përqendrohet vetëm në fjalën e deputetit të Shkodrës, që e quan si pararojë të reaksionit. Por, Dani iu përgjigj se, “kam qenë kundra turkut, kundra Toptanit, kundra rebelëve, kundra Zogut, kundra italianëve para e pas 7 prillit. Kam qëndruar larg çdo reaksioni e interesi privat. Jo për hatrin e Nako Spiros, por pse kështu e ka kërkuar interesi i atdheut”.

Dr. Pjetër Pepa në librin “Dosja e diktaturës” shkruan se Dani i di pasojat e fjalimit të ashpër, ndaj i thotë nipit të tij se, “dua një njeri që ta dijë se këtë fjalim e kam shkruar me gjakftohtësi dhe kryesisht i ndërgjegjshëm. Me një fjalë, dua të kem një dëshmitar që të dëshmojë në të ardhmen se shprehjet që kam përdor në Parlament, s’kanë qenë të rastit apo se kam qenë i nevrikosur, por sepse jam i ndërgjegjshëm për ato që të them e për atë që do të ngjasë”. Ai e kishte të qartë se e priste hakmarrja mesjetare sllavo-bolshevike, megjithatë vendosi të bënte çka kishte bindje. Më vonë, diktatori Enver Hoxha, në librin “Kur hidhen themelet” shënon për Riza Danin se, “ishte njeri me influencë në Shkodër, ishte demokrat, liberal, antizogist e antifashist” dhe se “Dani kërkonte të bënte edhe asamblenë tonë një kuvend ligjesh, ku secili të fliste sa t’i donte qejfi, pa asnjë kufizim e të gjitha ç’thonin Riza Dani me shokë të botoheshin në shtyp”. Kur kam lindur më 27 korrik 1946 në darkë, Rizaja po kthehej nga falja e Teravisë në xhami. I dalin para në oborr e i thonë: “Riza efendi, nusja e Xhevatit lindi djalë”. Ai i përgjigjet: Nusja me shëndet të mirë, djali me jetë gjatë, e më vjen keq se kanë me hekë keq”. Fjalë profetike për familjen Dani. Riza Dani me intelektualët e Shkodrës do të organizojnë një kryengritje të përgjithshme, ku marrin pjesë forca nga Kallmeti, Lezha, Mirdita e Puka, Zadrima e Nënshati, Postriba e Ura Shtrejtë, Dukagjini e Shoshi, Kopliku, Malësia e Madhe e Kelmendi. Në agim të 9 shtatorit, sulmohen kazermat e Shkodrës. Në mesin e shtatorit 1946, u arrestuan të gjithë meshkujt e familjes Dani. Nga gjyqet e diktaturës dënohen 3 vetë, 26 vjet burg (së bashku) e Rizai pushkatohet dhe sekuestrohen shtëpitë e fabrikat.

Deputeti Riza Dani arrestohet dhe nga 11 tetori i 1946-ës torturohet nga ‘hienat’ komuniste antinjerëzore deri në 23 dhjetor 1946, dita kur i hiqet “imuniteti”. Ja si e tregon një pjesë të vuajtjeve të deputetëve të Shkodrës, Kolë Prela e Riza Dani, bashkëvuajtësi i qelive e burgjeve, Sami Rrepishti: “Kolë Prela më tregoi se në nevojtoren ‘qeli’ pranë ishte Riza Dani, deputeti i Shkodrës, që herë pas here shpërthente me thirrje të nalta e shamje, që shuheshin menjëherë nga rojet e kuqe e shkopi i tyre mbi kurrizin e shtatëdhjetëvjeçarit demokrat”.

Më 11 tetor 1946 merret në pyetje Riza Dani nga hetuesi i Sigurimit të ushtrisë, Stavri Xhara para majorëve Vaskë Koleci e Zoi Themeli. Kjo ndodh mbasi ai kishte kalue tortura antinjerëzore, që vetëm ai ka ditur t’i përballojë. Mandati i hiqet në 23 dhjetor 1946, pra një deputet me mandat u nënshrohet hetimeve me metoda sllavo-mesjetare e qëndron me dinjitet e forcë morale lart, duke kundërshtuar me guxim të pavërtetat. Hetuesia e përcjell me shënimin: “Qëndrimi i tij para hetuesisë ka qenë armiqësor, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”. Me qëndrim krenar e stoik e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, deputeti Riza Dani deklaron: “Jam i ndërgjegjshëm për çka kam thanë e çka kam ba e veprue. Paçi hijen tuaj”. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, pa avokat. Nuk ka firmosë e nuk ka kërkue falje. Shpifja është argument i atij që s’ka arsye. 31 dhjetori 1947 si një re e zezë paralajmëron se është mbledhur Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i mbledhur për të gjykuar 19 të pandehurit. Në ato orë të vona të asaj nate të errët, komunikohet vetëm vendimi ogurzi: 7 pushkatim, 6 burgosje përjetë, të tjerët 20 e 15 vjet burgim. E gjithë kjo bëhet mbi bazën e një “Promemorie përcjellëse” që vinte nga hetuesia e mbushur me shpifje” shkruan Kujtim Dani, nipi i Riza Danit/Kujto.al.

(Teksti i letrës është marrë nga libri “Dosja e Diktaturës” me autor Pjetër Pepa)

Projekti Thaçi-Vuçiq për shkëmbimin e territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur

Kurti: Projekti Thaçi-Vuçiq për shkëmbimin e territoreve ka dështuar, por ideja  nuk ka vdekur

Kohë më parë Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetarët Prof.Besnik Bislimi dhe Dr.Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kanë takuar deputetët e Bundestagut nga radhët e SPD-së, z.Josip Juratoviç dhe znj.Gabriele Weber. Siç njoftojnë nga LVV, takimi u mbajt në zyrën e Fondacionit socialdemokrat gjerman (Friedrich Ebert Stiftung - FES) në Prishtinë.

Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për nevojën e zhvillimit socio-ekonomik si dhe të luftimit të krimit e korrupsionit. 

Kryetari Kurti tha se zgjedhjet e reja e të parakohshme janë zgjidhja e drejtë dhe e duhur në Kosovë, dhe kritikoi sundimin e autokratëve si dhe bashkëpunimin midis tyre, që nuk është i kufizuar vetëm në Ballkan. Në veçanti, ai theksoi se projekti Hashim  Thaçi- Aleksandar Vuçiq për shkëmbimin e territoreve ka dështuar, porse ideja e tyre ende nuk ka vdekur.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...