Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/12/25

Arbanasi, fshat historik shqiptar, në Bullgari



Thuhet se fshati i fisëm Arbanasi ndodhet pikërisht në qendër të një grupi vendbanimesh, që përbëhet nga Veliko Tarnovo, Gorna Oriahovica dhe Liaskovec, në largësi rreth 4 km nga secili syresh. Ai gjendet në një pllajë (gjë që të kujton një tjetër ngulim të njohur të mërgatës mesjetare shqiptare) dhe pamje të mahnitshme nga fortesat mesjetare Carevec dhe Trepezica.

Po ashtu, fshati hamendësohet se është themeluar në shekullin XV nga shqiptarë ortodoksë të ardhur kryesisht nga Shqipëria Jugore, zona e Kosturit dhe Epirit, që merreshin me tregtinë e dhenve, që shpesh bashkë me dhentë e tyre rrugëtonin gjer në Danub dhe Vllahi dhe paskëtaj do ta shndërronin këtë zonë në vendbanimin e tyre.

Me një ferman të sulltanit Sulejman të Madhërishmit, fshati Arbanas i dhurohet dhëndrit të tij, Rustem Pashës, Vezirit të Perandorisë Osmane, i cili gjithaq njihet për origjinën e tij shqiptare nga burimet historike dhe sakaq ngulimi arbëror në tokat bullgare shpejt kthehet në një fshat të spikatur me banorë të kamur, të cilët tregtojnë dhen, mish, lëkurë, prodhime qumështi, bakër, sapun, qirinj, etj., duke shkelur çdo cep të Perandorisë, por edhe Vllahinë, Hungarinë, Poloninë, Principatën e Moskës, duke vajtur gjer në Bagdad, Indi dhe Persi.

Image


Faktikisht, shqiptarët ortodoksë do të vendosen në disa ngulime në Bullgarinë Veriore, por me gjasë, ngulimi i parë i tyre do të jetë pikërisht Arbanasi pranë Veliko Tarnovos.

Janë pikërisht afresket dhe mbishkrimet e tjera kishtare të Arbanasit që dëshmojnë se ky ngulim themelohet diku nga mesi i shekullit XV. Ndërkaq, në dokumentet osmane të kohës, jo vetëm Arbanasi, por edhe ngulimet e afërta Gorna Oriahovica, Dolna Oriahovica dhe Liaskovec, quhen bashkërisht “Arnavud Kariyeleri”, pra “Fshatrat Shqiptarë”.

Nga të dhënat mesjetare, në vitin 1751 Arbanasi të ketë patur 236 shtëpi të krishtera shqiptare e gjithashtu dëshmohet për praninë e shqiptarëve edhe në fshatrat e tjerë të zonës, si ishuj të izoluar mes një deti popullsie bullgare.

Në gjysmën e parë të shekullit XVI Arbanasi zhvillohet si ngulim i kamur blegtorësh, artizanësh dhe tregtarësh, shkruan kultplus. Do të ndërtoheshin plot kisha, me afreske të mahnitshme, krejtësisht të pahasshme tjetërkund në Bullgari.

                      Image                                        
Ndërkaq, edhe vetë arkitektura e Arbanasit të kujton fort Shqipërinë e Jugut, veçanërisht Gjirokastrën dhe Beratin, e një tjetër dëshmi e rëndësishme na vjen nga fakti se afresket e para të kishës së Shën Gjergjit në Arbanasi janë vepër e mjeshtrit Nikolla, biri i Onufrit të madh, por gjithashtu përveç Nikollës, birit të Onufrit, në kishat e Arbanasit haset edhe emri i ndihmësit të tij, Joanit.

Sot Arbanasi është një fshat turistik në Bullgarinë Veriore, me 330 banorë (kurse në pikun e zhvillimit, pati arritur thuajse në 3000 banorë), ku bullgarët e pasur kalojnë pushimet dhe kanë vilat e tyre, fshat ku vizitori mahnitet nga hijeshia, historia dhe doket e këtij ngulimi unik me një trashëgimi shqiptare kaq të prekshme.
                                                                                                                                      
                                                  Image                                                     
Në Bullgari, siç pohon edhe historiani bullgar Bojan Gjyzelev, falë të cilit kemi fatin të njohim edhe shumë të dhëna lidhur me praninë arbërore në Bullgarinë mesjetare, ngulime shqiptare ka pasur edhe në Çervena Voda në zonën e Ruses buzë Danubit (tjetër përputhje interesante, pasi edhe në Shqipërinë Jugore kemi një qytezë, Çorovodën, me të njëjtën etimologji), në Poroishte (sërish të mbiquajtur Arnavutköy), sot lagje e qytetit të Razgradit, si dhe në Dobrina e Devnia, pranë qytetit të Varnës, nga ku rrjedhin shqiptarët e Ukrainës. 

KultPlus

Origjina e fjalës “Shqipëri” dhe pse bota na quan “Albania”



Dilemat mbi emrin dhe origjinën janë ato që na kanë shoqëruar gjithmonë. Në opinionet e Eqrem Çabej fjala “Shqipëri” dhe “Albani” marrin disa prejardhje të veçanta, të cilat i shpjegon në pjesëzën e mëposhtme.

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet. Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri. Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna – të vjetra e më të reja – prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme, dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin. Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.

Ky emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.


Sikundër dihet, astronomi e gjeografi Klaud Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në hartën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanói dhe qytetin Albanópolis në një trevë të Shqipërisë të mesme, afërsisht midis Durrësit e Dibrës së sotme e në lindje të Leshit.

Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të pakën që prej antikitetit.

Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.

Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen.

Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me përdorim më të moçëm, mbase paralel me emrin arbën arbër si emër etnik, dhe pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit, duke përfshirë edhe popullin e vendin. Shihet kështu se më i vjetri shkrimtar shqiptar që njihet, Gjon Buzuku, i vitit 1555, krahas ndë Arbanit “në Shqipëri” ka shqip “në gjuhë shqipe”; ashtu dhe Pjetër Budi (1621) shqip të na e thotë, e Pjetër Bogdani (1683) një gramatikë latin e shqip. Përdorimi etnik i këtij emri rreth vitit 1700 kishte zënë rrënjë, sepse në Vendimet e Koncilit provincial të vitit 1706 krahas Arbëni “Shqipëria” dhe i Arbëneshi “shqiptari” del edhe gjuhë e Shqipëtarëvet. Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipëri veriore që në shekullin e XIV, e të jetë identik me emrin familjar Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet një hipotezë që meriton të gjurmohet më tej.

Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur. Një kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër. Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj., nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme arbor, shumës arbanna “drithë”. Me emrin e Arbënit mund të ketë një lidhje të moçme edhe emri i ishullit Arbe të Dalmacisë.

Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë.

Mendime që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi nga trajtat e këtyre dy emrave.

Në të vërtetë, tek autorët e vjetër shqiptarë, shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme. Jo bindëse paraqitet dhe afrimi me qipi “mullar bari”, me paravendim (presupozim) të një kuptimi të hershëm “grumbull, popull”.

Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj; pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një çështje e hapët.

Edi Rama i dha Goran Bregoviçit çelësin e Tiranës



Serbofili Edvin Kristaq  Rama


Gazeta serbe "Kurir" provokon sërish. Në numrin e saj të sotëm ajo shkruan se tensioni në marrëdhëniet mes Serbisë e Shqipërisë, i amplifikaur pas incidentit në ndeshjen mes dy kombëtareve, duket tërësisht i pazakontë, nëse kthehesh pak kohë pas dhe sjell në mendje koncertin që mbajti në Tiranë këngëtari serb, Goran Bregoviç.

Gazeta e famshme e Beogradit kujton se Bregoviç u prit me ovacione në Pallatin e Kongreseve dhe se mbi të gjitha, Edvin Kristaq  Rama, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tirnaës, i dhuroi me entusiazëm "çelësin e qytetit".


"Ajo që nuk nuk e dinim dhe tashmë është bërë shumë interesante, është një fjalim i  Edvin Kristaq  Ramës, në të cilin ai thoshte se gjatë regjimit të Enver Hoxhës dëgjonte fshehurazi muzikën e grupit "Bjello Dugme", shkruan "Kurir".

Goran Bregovic Live In Tirana (Kalashnikov)














                             
K.I.Sh.: Z. Edi Rama, kerko FALJE nga shqiptaret !
KËSHILLI INICIATOR SHQIPTAR
ALBANIAN INITIATOR COUNCIL

Nr.3/24.4.2006
Reagim
Kryesia e K.I.Sh.



REAGIM

Reagim kundër shpalljës së serbit Goran Bregoviç
Qytetar Nderi i Tiranës dhe kundër dhënies së
Çelësit të Tiranës
Drejtuar Kryebashkiakut të Tiranës, Z. Edi Ramës,


I nderuar, Kryebashkiak i Tiranës, Z. Edi Rama,

Ne, Këshilli Iniciator Shqiptar, shprehim indinjatën
tonë të thellë për shpalljen e serbit Goran Bregoviç,
Qytetar Nderi i Tiranës dhe dhënien e Çelësit të
Qytetit të Tiranës.

Ne, Këshilli Iniciator Shqiptar, jemi te bindur që ky
veprim i Juaji ka prekur thellë ndjenjat e
shqiptarëve, posaçërisht shqiptarëve të Kosovës.

Është me të vërtetë gjë e hidhur kur shikon se si një
serbi i dhurohet Çelësi i Tiranës dhe shpallet
Qytetar Nderi i një qyteti shqiptar, edhe më i
hidhur bëhet ky akt i pandërgjegjshëm kur ipet nga
Kryeqyteti Shqiptar, titull ky që nuk mund të ipet
pjesëtarit të një kombi që masakroi e vrau, dhunoi më
mizorishtë nënat e motrat shqiptare në Kosovë.

Ju, Z. Edi Rama, edhe mund të keni harruar, se në
kohën kur Ju po e nderonit atë serb, nënat e bijtë
shqiptare po prisnin të dashurit e tyre në arkivole!
Ndërsa nënat po varrosnin trupat e pajetë të të
dashurve të tyre, Ju po elektrizonit shqiptarët
(nëpërmjet G. Bregoviç) e Tiranës me këngë e valle
çetnike. Ndërsa fëmijët bonjak shqiptar po prisnin
prindërit e tyre, qoftë edhe të vdekur, vetëm t’ua
shihnin edhe njëherë fytyrat, Ju po bënit rrathe me
tinguj çetnikë në Kryeqytetin Shqiptar, Tiranën.


Po, Ju Z. Edi Rama, Kryebashkiak i Tiranës, Tirana
kishte aheng me muzikë serbe, ndërsa pjesa tjetër e
kombit shqiptar akoma po vuanë torturën, mizoritë,
arrogancën, poshtërsitë të ushtruara me dekada të tëra
përgjatë historisë ndaj tyre, në Kosovë, Kosovë
Lindore e Iliridë (Maqedoni).

Akoma gjaku i derdhur nuk është tharë!
Akoma plagët nuk janë shëruar!
Akoma gratë shqiptare janë vejushka sepse burrat e
tyre u masakruan!
Akoma fëmijët bonjak shqiptar nuk janë rritur sepse
prindërit e tyre padrejtësishtë i varrosën të gjallë.

Kosova gjithnjë mbante shpresën në Tiranë, Kryeqytetin
Shqiptar, por me këtë akt Tuajin, sikur është zbehur
kjo shpresë, janë zhgënjyer, madje ka humbur besimin
në ndërgjegjën Tuaj kombëtare dhe qytetare dhe Të
Qytetarëve Tuaj.

JU qytetar të Kryeqytetit Shqiptar, dhe Kryebashkiak i
Tiranës, Edi Rama,
Përkujtoni se Goran Bregoviç asnjëherë nuk dënoi
gjenocidin kundër shqiptarëve!

Përkujtoni faktin se Goran Bregoviç ishte një mik i
Kasapit të Shqiptarëve, Sllobodan Millosheviç!

Përkujtoni, se atë që Ju nderuat, pat kompozuar një
këngë heroike-çetnike për ti inkurajuar njëherit për
ti çuar lëvdata krimeve e gjenocidit serb kundër
popujve të Ballkanit, e në veçanti kundër shqiptarëve
- me këngët Kallashnikov dhe Pucaj.

Me këto dy këngë, motrat shqiptare janë dhunuar!
Me këto dy këngë, fëmijët shqiptar mbetën jetimë,
Me këto dy këngë, shqiptarët u masakruan!
Me këto dy këngë të serbit Goran Bregoviç, Z. Edi
Rama!!

Ju përkujtojmë se, po ky Goran Bregoviç, i nderuari i
Tiranës, bëri një kolonë zanore për filmin
‘Underground’, film ky i financuar nga Armata më
famëkeqe e ish-Jugosllavisë.

Ju përkujtojmë se, po ky Goran Bregoviç, kur po
pengoheshin serbët të kryenin masakra makabre ndaj
shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë nga NATO,
organizonte G. Bregoviç koncerte kundër kësaj
mbështetjeje ushtarake për shqiptarët e pambrojtur të
Kosovës. Po! Propagandonte që të ndaleshin sulmet ndaj
armatës dhe çetnikëve serbë!

Dhe, si mundet një i tillë, si Goran Bregoviç, një
përkrahës i luftës kundër shqiptarëve, një Bregoviç që
ka qënë ithtar i dy monstrumeve të Ballkanit,
Millosheviç dhe Mlladiq; të shpallet Qytetar Nderi,
jo çfarëdo qyteti, po i Kryeqendrës Shqiptare!?

Ne, mund ta marrim me mend se muzika duke qenë art
mund të mos njeh edhe kufij, por kur një art cënon
vlerat dhe ndjenjat kombëtare, aq më keq kur vjen nga
një popull, i cili akoma nuk ka rënë pishman ndaj
gjenocideve të kryera, e as nuk ka kërkuar falje, për
më tepër është i gatshëm çdoherë të kryej po të njëjta
krime, ai art, ajo muzikë e atij populli shndërrohet
në një gjë e hidhur dhe vrasëse paplumb.

Pse ne duhet të promovojmë artin e një populli i cili
urren artin tonë; kulturën tonë; traditën tonë;
manipulon me historinë tonë; vlerat tona dhe mbi të
gjitha ushqim ka gjakun tonë..?

Pse të lejohet një njeri me veshje kombëtare çetnike
të kërcej e vallëzoj në tribunë shqiptare? E më keq të
lejohet të tundosë (elektrizoj) shqiptarët?

Z. Edi Rama, populli shqiptar, në veçanti shqiptarët e
Kosovës janë në kohën më të vështirë dhe më vendimtare
për fatin e tyre, e pikërishtë në këto momente mjaftë
drastike, Ju, dhe udhëheqja shqiptare e Tiranës
Zyrtare duhet të tregohet më e përgjegjshme dhe të mos
bëj gabime, sepse ka ikur koha kur gabimet nuk
përfilleshin, sot shqiptarët janë më të vetëdijesuar,
dhe nuk fal më!

Ju, Z. Edi Rama, kemi bindje të thellë dhe respekt se
po punoni shumë për ta bërë Kryeqytetin Shqiptar,
Tiranën, një metropol evropian, dhe keni admirimin
tonë si Këshill, kështuqë presim nga Ju që ti
kontriboni edhe çështjes shqiptare të pjesës tjetër të
Kombit Shqiptar me të gjitha mundësitë Tuaja
institucionale dhe private.



I nderuar Z. Edi Rama, Kryebashkiak i Tiranës, dhe
shumë i respektuar, Ne, në emër të Këshillit Iniciator
Shqiptar, JU ftojmë të keni mirësinë e të kërkoni
FALJE ndaj këtij akti, shpallja qytetar nderi i
Tiranës dhe dhënia e çelësit të Tiranës Goran
Bregoviç-it, shqiptarëve të pjesës tjetër të Kombit
Shqiptar; Kosovë, Kosovë Lindore, Iliridë (Maqedoni)
dhe me gjerë për hirë të fëmijëve bonjak, nënave të
ndara prej fëmijëve të tyre, familjarëve të mbetur
akoma pa strehë, e për hirë të Gjakut Shqiptar!


Me respekt dhe konsiderata,

Këshilli Iniciator Shqiptar - Zëri YT!
Raif Emini, Kryetar

*****
Flori Bruqi

Presidenti amerikan Donald Trump sulmon demokratët për procesin e shkarkimit


Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi të martën ligjvënësit ligjvënës demokratë për ngritjen e akuzave si pjesë e një procesi për shkarkimin e tij ndërsa vazhdon të jetë e paqartë situata lidhur me procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Senat.

“Ata na trajtuan shumë padrejtësisht dhe tani kërkojnë të trajtohen në mënyrë të drejtë në Senat”, u tha zoti Trump gazetarëve në vendpushimin e tij në Mar-a-Lago në Palm Beach të Floridës.

Zoti Trump kritikoi në mënyrë specifike kryetares e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi për shtyrjen pa afat të dërgimit të akuzave në Senatin e kontrolluar nga republikanët, në mënyrë që të nisë procesi i gjykimit.

“Ajo i urren të gjithë ata që kanë votuar për mua dhe Partinë Republikane. Ajo po i bën një shërbim të keq këtij vendi”, tha zoti Trump.

Në një votim sipas linjave partiake, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi të mërkurën e kaluar dy akuza ndaj Presidentit Trump, gjë që e bën atë presidentin e tretë në historinë 243-vjeçare të vendit ndaj të cilit ngrihen akuza me qëllim shkarkimin e tij. Presidenti Trump akuzohet se ka abuzuar me detyrën për përfitim politik dhe për pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar veprimet e tij.

Javën e kaluar, udhëheqësi republikan Mitch McConnell hodhi poshtë thirrjet e udhëheqësit të demokratëve në senat, Chuck Schumer për të dëgjuar dëshminë e katër zyrtarëve gjatë gjyqit për procesin e shkarkimit në senat, përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe Shefin në Detyrë të Personelit, Mick Mulvaney. Ata kishin refuzuar të dëshmonin gjatë hetimit për procesin e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Megjithatë të hënën, senatori McConnell e zbuti qëndrimin e tij, duke thënë se republikanët nuk kanë përjashtuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyqin për procesin e shkarkimit.

“Nuk e kemi përjashtuar mundësinë e dëshmitarëve”, tha Senatori McConnell gjatë emisionit “Fox & Friends” të hënën. “Mendojmë se duhet ta menaxhojmë këtë rast siç bëmë me Presidentin Clinton. Kështu do të ishte e drejtë”.

Përveç dëshmisë nga dëshmitarë me peshë, senatori Schumer tha të hënën se do qasje edhe në emaile dhe dokumente të tjera të rëndësishme që “do të hedhin edhe më tej dritë në vendim-marrjen e administratës lidhur me vonesat për fondet për sigurinë në Ukrainë”.

Procesi ndaj Presidentit Trump lindi nga një telefonatë e tij, e zhvilluar në muajin korrik me presidentin e Ukrainës, gjatë së cilës Presidenti Trump kërkon hetimin e njërit prej rivalëve kryesorë politikë, ish-nënpresidentit Joe Biden.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se nuk do t’i dërgojë akuzat në Senat dhe se nuk do të përzgjedhë ligjvënësit që do të shërbejnë si prokurorë, derisa Senati të bjerë dakort për rregullat që do të qeverisin procesin gjyqësor.

Senati nuk është i autorizuar të fillojë gjyqin, pa marrë paraprakisht akuzat nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk ka bërë asgjë të gabuar kur nxiti Ukrainën të hetonte një prej sfidantëve të tij kryesorë demokratë, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden, për punën e tij fitimprurëse në një kompani gazi natyror në Ukrainë. Presidenti Trump pati bërë thirrje gjithashtu për hetime në linjat e një teorie tashmë të rrëzuar, se ishte Ukraina vendi që ndërhyri në zgjedhjet amerikane të 2016-tës.

Presidenti Trump bëri thirrje për hetime ndaj familjes Biden në një moment kur ai pati pezulluar 391 milionë dollarë asistencë ushtarake që Ukrainës i duhej për ta ndihmuar në luftën ndaj separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.


Krimet që nuk vjetërohen kurrë

Shkruan: Blerim Shala

Nuk mund të ndodhë normalizimi i marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa ndodhë normalizimi i politikës serbe me të kaluarën e afërt, apo, njohja e përgjegjësisë për krimet e bëra në Kosovë.


Çfarë po shohim dhe po lexojmë ditëve të fundit nga ana e udhëheqësisë më të lartë të Serbisë, nuk është gjë e re. Dhe ky është lajmi më i keq i mundshëm për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për synimin e kahmotshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes një Marrëveshjeje Gjithpërshirëse.

Shkurt: Është e pamundur të ndodhë normalizimi i marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa ndodhë normalizimi i raportit të politikës serbe me një të kaluar të afërt, që matet me njëzet a tridhjetë vjet, ku kjo politikë është shfaqur, botërisht, si para nesh, ashtu edhe para gjithë të tjerëve, si kryepërgjegjëse për të gjitha tragjeditë që përcollën zhbërjen e ish-RSFJ-së (Jugosllavisë).

Kur të mirret parasyshë diskursi publik i instancave më të larta të Serbisë, karshi rastit të Reçakut, i cili nuk ka ndryshuar që nga janari i vitit 1999-të e tutje, dhe që sivjet, kur u shënua njëzet vjetori i fushatës së Aleancës Veri-Atlantike dhe çlirimi i Kosovës, u shfrytëzua sërish me të njejtin qëllim, nuk duket që politika serbe e ka ndërmend ta ndryshojë këtë relacion me historinë.

Krimi i Reçakut, nuk është emri i vetëm i të vërtetës për luftën në Kosovë, në vitet 1998-të, 1999-të.

E vërteta e kësaj lufte, njeh shumë emra të këtillë, të cilat bëjnë të madh dhe të pafalshëm krimin e pushtetit të atëhershëm të Serbisë në luftën e atyre viteve ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ky krim zatën është adresuar edhe në ICTY (Tribunalin e Hagës për krime lufte), me ndëshkimin e gjithë elitës së atëhershme politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.

Përmasat e këtij krimi, siç po shihet edhe sot e kësaj dite, janë ende të papërballueshme për politikën e Serbisë.

Me qëllim të ndryshimit të vërtetës së tërësishme për krimet dhe tragjeditë e shkaktuara në Kosovë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, prijësit politikë serbë (dhe jo vetëm politikë, fatkeqësisht), nuk janë ndalur në përpjekjet e tyre që dy rastet më të njohura të fajësisë së tyre për këto tmerre që ishin të pashoqe në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, t’i klasifikojnë si falsifikime dhe fabrikime të shqiptarëve dhe Amerikës, apo, boshnjakëve dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Bombardimi i tregut të Markales në Sarajevë (që do të ndodhë dy herë, madje), dhe ekzekutimi i civilëve shqiptarë në Reçak, do të jenë cak i vazhdueshëm i politikës serbe, për të ‘dëshmuar’ falsitetin e tyre.

Nëse politika serbe nuk është fajtore për këto dy rastet e njohura për politikën dhe mediat ndërkombëtare, atëherë, politika serbe nuk është përgjegjësja kryesore për tragjeditë e atyre viteve.

Këtë e ka synuar gjithmonë politika zyrtare serbe.

Apo, në variantin tjetër, e vërteta për autorësinë e këtyre krimeve relativizohet deri në atë masë, saqë askush nuk del të jetë ai kryeautori i tyre.

Këtë na e përsërisin edhe ata politikanë kryesorë në Serbi sot, të cilët vetëm para pak vitesh, patën guximin ta tregojnë të vërtetën për krimin në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë (në dhjetor të vitit 1998-të), ku dilte që Shërbimi Sekret i Serbisë e jo UÇK-ja apo shqiptarët, ishin kryes të vrasjes së gjashtë djemve të ri serbë, të urdhëruar nga instancat sipërore të shtetit të Serbisë.

Nuk është i gabuar, i shëmtuar dhe i turpshëm vetëm synimi i politikës serbe për t’i dhënë një kuptim tjetër ngjarjes së rëndë të Reçakut.

I tillë është edhe konkludimi i kësaj politike, që vendosë lidhjen e drejtpërdrejtë në mes të krimit të Reçakut dhe fushatës së Paktit NATO të pranverës së atij viti.

Aleanca Veri-Atlantike kishte ndërmarrë fushatën 78-të ditëshe, jo për shkak të Reçakut, por në vijim të dështimit të Konferencës së Rambouilletit (shkurt, mars, 1999-të), kur pushteti i atëhershëm i Serbisë refuzoi paqen e ofruar nga Grupi i Kontaktit dhe politikanët dhe ushtarakët e Kosovës.

E kaluara nuk mund të ndryshohet dot, prej askujt as këndejpari, as askund në Botë.

Ajo, me të gjitha tragjeditë që janë shkaktuar këndejpari, ka bërë që Kosova ta fitojë lirinë dhe të bëhet shtet i pavarur.

Çfarë mund të bëjë politika e sotme e Serbisë është që ta gjejë paqen me këtë të kaluar të rëndë, duke e marrë atë të tillë çfarë ka qenë dhe duke pranuar gjithë përgjegjësinë për ate, dhe pastaj, ta bëjë paqen e përhershme me Kosovën, përmes një Marrëveshjeje politike që do të mundësonte që Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, të jetojnë në fqinjësi të mirë.

A mos na erdhi Mini-Schengeni nga qielli?!

Shkruan: Agron Hoti

Se a ishim apo jo në dijeni për prejardhjen e Mini-Schengenit, se a e pranuam apo kundërshtuam atë nëpër takime të niveleve më të larta me BE-në, Shtetet Anëtare të saj dhe vendet e rajonit tonë ende problematik, se a vuajmë për protagonizëm personal para çfarëdo konsensusi të domosdoshëm shtetëror, se a jemi apo jo në gjendje t’i përcjellim dinamikat rajonale dhe evropiane që prekin dhe do të prekin drejtëpërdrejtë të ardhmen e Kosovës, mbetet më së miri të shihet se sa do të dimë dhe si do t’i qasemi mënyrës së zhbllokimit të pozicionit të Kosovës për një integrim të domosdoshëm e të qëndrueshëm rajonal e evropian.



Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë parakushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe njëra nga strategjitë për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Këtë e dëshmojnë veprimet e BE-së karshi rajonit tonë që nga viti 1999. Për të stabilizuar rajonin tonë të trazuar, Gjermania – menjëherë pas luftës në Kosovë, pra në vitin 1999 – kishte iniciuar Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore. Ndërkohë që BE në vitin 2000 kishte filluar me Procesin e Stabilizim Asociimit. Të dyja këto iniciativa shiheshin si përmbushëse ndaj njëra tjetrës, ashtu sikurse që shiheshin edhe si paralelizma mes BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj.

Qëllimi i BE-së dhe shteteve të fuqishme të saj ishte që përmes këtyre iniciativave të kontribuohej në rritje të bashkëpunimit në fushat e zhvillim ekonomik, politik dhe sigurisë për tërë rajonin e Evropës Juglindore, me theks të veçantë Ballkanin Perëndimor. Si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në shkurt të vitit 2008 në Sofje u formua Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (angl. Regional Cooperation Council – RCC-) me Sekretariat në Sarajevë, i cili aktualisht drejtohet nga Majlinda Bregu, ish-Ministre e Integrimit Evropian të Shqipërisë.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal gjatë një dekade të ekzistencës është bërë ombrella kryesore dhe prijëse e të gjitha iniciativave rajonale në fushën e bashkëpunimit rajonal për Evropën Juglindore. Gjatë kësaj periudhe ky Këshill (RCC) ka kontribuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin euroatlantik të vendeve të Evropës Juglindore duke përshpejtuar konektivitetin e rajonit, dijet dhe mobilitetin, konkurueshmërinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Nëse kthehemi ca vite mbrapa, nuk mund të mos e përmendin faktin që menjëherë pas marrjes së postit të Presidentit të Komisionit Evropian nga Jean-Claude Juncker në nëntor të vitit 2014, Bashkimi Evropian po përjetonte ditët më të vështira si rezultat i krizës financiare që kishte goditur BE-në dhe tërë globin. Presidenti Juncker kishte deklaruar në vitin 2014 që gjatë mandatit të tij pesëvjeçar “nuk do të kishte zgjerim të BE-së.” Kjo deklaratë në shumë qarqe pati tingëlluar si ndërprerje dhe dekurajim i procesit të Integrimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për rajonin problematik të Ballkanit Perëndimor kishte lindur Procesi i Berlinit i iniciuar nga Gjermania, i cili fillimisht ishte paraparë për periudhën 2014-2018. Përpos Gjermanisë këtu u përfshinë Austria, Franca, Italia, Kroacia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar, kurse nga Ballkani Perëndimor ishin dhe janë 6 vendet (Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Maqedonia).

Qëllimi i Procesit të Berlini ishte dhe është avansimi i rend-ditës evropiane në tri drejtime: 1) Rritja ekonomike dhe konektiviteti, 2) Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, dhe 3) Zhvillimi shoqërisë civile dhe konektivitetit njerëz me njerëz. Si Procesi i Berlinit ashtu edhe Pakti

i Stabilitetit qenë hartuar jashtë kornizës së BE-së për zgjerim, por që nga shumë qarqe u panë si procese përmbushëse karshi rend-ditës evropiane dhe procesit të zgjerimit të BE-së. Për më tepër qëllimi ishte që rajoni i Ballkanit Perëndimor të orientohej drejt BE-së e jo kah Rusia, Kina, Turqia dhe Vendet e Golfit, të cilat përmes investimeve dhe masave të buta (soft measures) po mundohen të shfrytëzojnë çfarëdo vakumi të krijuar në rajon.

Për zbatimin Procesit të Berlinit filluan të organizoheshin Samite Vjetore duke filluar së pari me atë në Berlin në gusht të vitit 2014, pastaj 2015 në Vjenë, 2016 në Paris, 2017 në Triestë dhe 2018 në Mbretëri të Bashkuar. Krahas Samiteve kishte edhe shumë takime të tjera të nivelit më të ultë me karakter rajonal, e tëra kjo për të afruar perspektivën evropiane sa më afër qytetarëve.

Ideja e Zonës Ekonomike Rajonale për Ballkanin Perëndimor

Meqë rajoni Ballkanit Perëndimor vazhdonte të kishte edhe ende ka probleme të theksuara të fqinjësisë dhe bashkëpunimit rajonal jo të mirë, atëherë kjo temë përbënte rend-ditën kryesore të çfarëdo iniciative që mund t’i servohej rajonit. Ideja e Mini-Schengenit buron nga ky tundim i pafund i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili edhe sot ka vështirësi sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë. Përvoja e ka dëshmuar që sa më shumë që izolohen shtetet aq më e tensionuar bëhet situata e përgjithshme dhe aq më e pashpresë bëhet e ardhmja.

Prandaj, me kërkesë të 6 Kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Triestës në korrik të vitit 2017 është përgatitur Plani i Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale në kontekst të Procesit të Berlinit. Ky plan parasheh integrim ekonomik rajonal në përputhje me kërkesat e parashtruara nga Kryeministrat e vendeve të rajonit. Rend-dita që parasheh ky plan përfshinë: promovimin e integrimit të mëtejmë të tregut rajonal, krijimin e një hapësire rajonale dinamike për investime, lehtësimin e mobilitetit rajonal dhe krijimin e një rend-dite dixhitale të integruar.

Për të qenë në linjë me Procesin e Berlinit edhe Bashkimi Evropian në shkurt 2018 kishte miratuar Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, e cila, ndër të tjera, parasheh themelimin i Zonës Ekonomike Rajonale (Regional Economic Area –REA-) ku do të përfshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të zbatuar këtë strategji, BE kishte filluar një sërë takimesh të nivelit të lartë në rajon. Samiti i parë BE-Ballkan Perëndimor që prej vitit 2003 në Selanik është mbajtur në Sofje në maj 2018, në të cilin përpos strukturave më të larta të BE-së morën pjesë dhe udhëheqësit më të lartë politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata të Kosovës.

Vlen të theksohet që Plani i Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale rrjedh nga angazhimet e ndërmarra në kuadër të kornizës së CEFTA-s dhe Stategjisë për Evropën Juglindore 2020 (South Eastern Europe -SEE 2020-) dhe është i bazuar në parimet dhe rregullat e CEFTA-s dhe BE-së të reflektuara në Marrëveshjet Stabilizim Asociim me vendet e rajonit. Ky plan përfshinë zbatimin e veprimeve prej periudhës 2017 deri në 2020 dhe disa aktivitete deri në vitin 2023.

Për të mirë-koordinuar të gjitha iniciativat rajonale, në Samitin e Triestës në vitin 2017 (në kuadër të Procesit të Berlinit), Këshillit për Bashkëpunim Rajonal i është besuar mandati i qartë për të drejtuar dhe koordinuar zbatimin e Planit të Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale (Multi annual Action Plan for a Regional Economic Area =MAP-REA=). Edhe në Strategjinë dhe Programin e Punës së Këshillit për Bashkëpunim Rajonal 2020-2022 është paraparë zbatimi Plani i Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale duke shërbyer si udhërrëfyes për të afruar procesin e bashkëpunimit rajonal sa më afër qytetarëve. Ajo që duhet

përmendur është se të gjitha iniciativat rajonale janë në përputhje me Axhendën për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 e OKB-së dhe objektivat strategjike të BE-së “Drejt një Unioni të qëndrueshëm deri në vitin 2030, si dhe reflekton angazhimet dhe zhvillimet në rajon në kuadër të Procesit të Berlinit.

Identifikimi i problemit në gjenezë

Ideja e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë pjesë e secilit takim, ku kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë politik të Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale. Edhe në Samitet e Procesit të Berlinit kanë marrë pjesë niveli më i lartë i politikës kosovare duke filluar nga viti 2014 e deri më sot. E Zona Ekonomike Rajonale, e cila i hap rrugë Mini-Schengenit është pikërisht ajo për të cilën të gjithë drejtuesit politik të rajonit vazhdimisht janë pajtuar, përfshirë ata të Kosovës. Bile edhe Kryeministri në ardhje Albin Kurti, parimisht nuk ishte kundër Mini-Schengenit duke thënë që “është dashur të pritej formimi i qeverisë e pastaj të vendosej për Mini-Schengen.”

Problemi me të cilin shumë shpejtë do të mund të përballemi është se çfarë do të thotë spektri politik i Kosovës, nëse presidenca e kroate e BE-së, që fillon nga 1 janari 2020, do të fuste në rend dite formimin e Mini-Schengenit, duke ditur që Zona Ekonomike Rajonale do të jetë paraprijëse e Mini-Schengenit? A do të jemi në gjendje që t’i kundërvihemi një ndërmarrjeje të tillë?!

Nëse i lëshojmë një sy rrafshit ndërkombëtar, shohim se krijimi i Zonave të Tregtisë së Lirë (Free Trade Areas) dhe Unioneve Doganore janë trend global i pa-anashkalueshëm. Që nga viti 1967 kemi Zonën e Tregtisë së Lirë ASEAN (Association of Southeast Asian Nations) në përbërje të Indonezisë, Singapurit, Malejzisë, Filipineeve, Vietnamit, Bruneit, Kamboxhës, Myanmarit, dhe Laosit; nga viti 1991 kemi MERCOSUR në përbërje të Brazilit, Argjentinës, Uruguajit dhe Paraguajit; nga viti 1994 kemi NAFTA (North American Free Trade Area) në përbërje të SHBA-së, Kanadës dhe Meksikës. Edhe Turqia ka Union Doganor me Bashkimin Evropian që nga viti 1995.

Që nga viti 1951 kemi Bashkësinë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik (BETHÇ) në përbërje të Gjermanisë, Francës, Italisë, Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut. Nga BETHÇ rrodhi ajo që sot e njohim si Bashkimi Evropian që ka tregun e përbashkët, unionin doganor, valutën e përbashkët dhe Sistemin Schengen me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. E Bashkimi Evropian, në rrafsh global, shihet si forma më e avansuar dhe më e suksesëshme e integrimit rajonal në botë deri më sot.

Nuk duhet harruar se hapja dhe unifikimi i tregjeve ishte bazë për BE-në. Mbi këtë bazë u hapen rajone të ndryshme në glob duke hyrë në Zona të Tregtisë së Lirë, shpesh shpërputhje me klimën mes shteteve pjesëmarrëse si rezultat i së kaluarës komplekse mes tyre. Kush do ta kishte besuar që Gjermania dhe Franca do të pajtoheshin kur kjo e para e kishte sulmuar Francën në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore?! Kush do ta kishte besuar që Polonia dhe Izraeli do të bashkëpunonin me Gjermaninë pas Holokaustit?! Kush do ta kishte besuar që investitorët japonezë do ta vërshonin bregdetin kinez dhe jug-korean me investime multi-miliardëshe duke qenë pushtues i tyre?! Kush do ta kishte besuar që BE do të hynte në Union Doganor me Turqinë duke marrë parasysh klimën që ekziston në BE mbi Turqinë ose e kundërta?!

Në një situatë normale, Mini-Schengeni do t’u bënte mirë ekonomive të Ballkanit Perëndimor duke rritur shkëmbimin e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe mobilitetin e njerëzve. Por, Kosova duke pasur probleme serioze me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, është e vështirë të paramendosh mirë-funksionimin e një Mini-Schengeni, pavarësisht se si do të dukej. Nëse thuhet Schengeni ka

funksionuar mirë mes Vendeve të BE-së dhe rrjedhimisht do të duhej të funksiononte edhe në Ballkan Perëndimor, ky do të mund të kundër-argumentohej duke thënë Vendet e BE-së janë futur në Schengen me kushte të barabarta dhe njohje të ndërsjellë, kurse futja e Kosovës në një Mini-Schengen me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, përderisa këto të fundit nuk e njohin shtetësinë e Kosovës dhe aq më tepër bëjnë pengesa të vazhdueshme kundër pavarësisë dhe eksporteve të Kosovës, do ta bënte ju-funksional çfarëdo Mini-Schengeni.

E njëri prej argumenteve për mos-hyrje në Mini-Schengen do të ishte mos-funksionimi adekuat i marrëveshjes së CEFTA-s (Central European Free Trade Agreement) mes Kosovës, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky është argumenti kryesor që spektri politik i Kosovës është dashur ta theksonte para konceptimit dhe krijimit të çfarëdo iniciative rajonale e jo ta heshtë atë. Një Mini-Schengen që nuk përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë i dështuar.

Nëse Serbia, Bosnja e Hercegovina do ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe ta shihnin Kosovën si partner të barabartë, atëherë një Mini-Schengen do të mund të kishte kuptim. Argumenti se Serbia do të jetë shteti më i fortë në Mini-Schengen nuk qëndron për ta kundërshtuar atë nga Kosova ose Shqipëria, sepse po të ishte ashtu atëherë as BE nuk do të ekzistonte, sepse brenda saj ka Gjermaninë si shtetin më të fortë karshi Francës, Italisë e shumë shteteve tjera, ose edhe NAFTA nuk do të funksiononte, sepse SHBA është shumë më e fortë se sa Meksika dhe Kanadaja, nuk do të funksiononte as MERCOSUR duke pasur Brazilin si shtetin më të fuqishëm në të, ose siç nuk do të mund të funksiononte ASEAN duke pasur Indonezinë shtetin më të fuqishëm në të.

Fundja, edhe kur Kosova të futet në BE, aty do të ketë Gjermaninë dhe Shtete tjera që janë shumë më të fuqishme. Gjithmonë, në një Zonë të Tregtisë së Lirë, Union Doganor apo formë tjetër të lidhjes mes shteteve, ka pabarazi mes shteteve në aspektin e zhvillimit ekonomik. Edhe Turqia është më e dobët se sa BE, por ka hyrë në Union Doganor me BE-në, sepse përfitimet nga hapja janë shumë më të mëdha se sa nga mbyllja.

E gjitha që u tha më lartë, tregon se pa u arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë – fatkeqësisht – tepër i vështirë nëse i pamundshëm thellimi i bashkëpunimit rajonal. Tashmë dihet që sa i përket arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse kemi në njërën anë BE-në, e cila përmes Mini-Schengenit mundohet që dalëngadalë t’i përafrojë aq shumë vendet e Ballkanit Perëndimor sa një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte para faktit të kryer dhe si rrjedhojë të arrihej, ndërsa në anën tjetër kemi qëndrimin amerikan që kërkon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse sa më shpejtë që të jetë e mundur, diçka që pastaj do t’i hapte plotësisht rrugë integrimit të plotë rajonal dhe evropian.

Spektri politik i Kosovës pa përjashtim duhet ndërprerë praktikat e deklaratave ditore për përfitime ditore për hir të elektorateve të veta dhe të arrijë konsensusin e nevojshëm për tema të mëdha. Nëse vërtetë kemi qenë kundër Mini-Schengenit është dashur ta themi të gjithë që nga gjeneza e tij e filluar në Samitin e Triestës në korrik 2017 nën udhëheqjen e presidencës italiane të BE-së, e jo vazhdimisht t’u themi po iniciativave të ndryshme e jo pastaj kur ato na servohen të heshtim, kundërshtojmë apo të japim arsyetime të çuditshme. Një qasje e tillë na ul seriozitetin para BE-së dhe iniciativave të ndryshme rajonale. Pra, duhet të jemi plotësisht koherent dhe konsistent në hapa politikë, përndryshe do të jemi vetëm konsumues të iniciativave e aspak bashkë-projektues të tyre.

Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Pejë-Deçan, konkretisht në fshatin Isniq si pasojë e të cilit ka humbur jetën një 23 vjeçar, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda.



Mediat raportojnë se i vdekur në këtë aksident ka mbetur Fatlind Hysenaj nga fshati Lëbushë i Deçanit.



Deri te aksidenti ka ardhur për deri sa drejtuesi i automjetit kishte qenë duke qarkulluar nga drejtimi i Deçanit në drejtim të Pejës, më të arritur në fshatin Isniq në vendin e quajtur ‘te ura e Demës’, për shkak të shpejtësisë shumë të madhe kishte humbur kontrollin mbi timon, ka dalë jashtë rruge në të djathtë dhe është përplasur me një shtëpi.


Ndryshe, Policia e Pejës njofton se në rrugën Pejë-Deçan, konkretisht në fshatin Isniq ka ndodhur një aksident komunikacioni ku ka humbur jetën një person i moshës 23 vjeqare ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda.

Sipas të dhënave nga hetuesit nga vendi i ngjarjes, në ketë aksident ishte përfshirë një automjet me targa regjistrimi të jashtëm.

Ngasësi i automjetit kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes sipas konstatimit mjekësor, ndërsa pasagjeri kishte pësuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast është dashur të intervenojë edhe njësiti i zjarrfikësve.

Personi i lënduar, është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë dhe për shkak të lëndimeve të rënda më pastaj është dërguar për QKUK Prishtinë, sepse gjendja e tij ishte serioze.

Deri te aksidenti ka ardhur për deri sa drejtuesi i automjetit kishte qenë duke qarkulluar nga drejtimi i Deçanit në drejtim të Pejës, më të arritur në fshatin Isniq në vendin e quajtur ‘te ura e Demës’, për shkak të shpejtësisë shumë të madhe kishte humbur kontrollin mbi timon, ka dalë jashtë rruge në të djathtë dhe është përplasur me një shtëpi.

Në ketë aksident, ka vdekur F. H. 23 vjeç ndërsa lëndime të rënda ka pësuar Sh. K. i lindur në vitin 1993.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me urdhër të prokurorit shtetit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...