Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/01/27

Ku ishte Mengele, mjeku “Engjëll i vdekjes” në Aushvitc. Eksperimentet mizore që bënte me fëmijët


Josef Mengele, një mjek nga Gyncburgu kthehet në një vrasës masiv në Aushvitc. Ai arratiset në Amerikën Jugore. Viktimat e praktikave të tmerrshme të tij vuajnë ende edhe sot.

Mengele

“Fytyra e tij nuk më kujtohet, vetëm çizmet që shkëlqenin nga llustra. Kur dëgjoja hapat që vinte, fshihesha poshtë dhogave ku flinim, strukesha dhe mbyllja sytë. Kujtoja se ashtu nuk do të më gjente dot”, tregon Lidia Maksymowicz, kur flet për Josef Mengelen. Lidian e dërguan në Aushvitc-Birkenau- në dhjetor të 1943, ajo ishte tre vjeç. Gjermanët e patën marrë familjen e saj nga rrethinat e Minskut në Bjellorusi për ta dërguar në kampin e përqëndrimit.

Ajo nuk i ka harruar as sot pamjet e kampit ku mbërritën. Në mes të natës, platforma me dritë prozektorësh, njerëzit e SS që bërtisnin, qentë që lehnin. Familjarët ndahen nga njëri-tjetri. Edhe Lidia ndahet nga e ëma dhe dërgohet në barakën e fëmijëve. Një barakë e ndërtuar me dhoga druri ku ishin vendosur radhë të gjata dërrasash mbuluar me kashtë. Kudo lëviznin parazitët, mbulesat ngrirë nga pisllëku. Fëmijët vuanin nga uria dhe i ftohti. Por ata kishin më shumë frikë nga vizitat e doktor Mengeles se sa nga uria dhe i ftohti.

Mengele San Paolo

Mengele San Paolo
“Engjëlli i vdekjes” shkon në Aushvic

Josef Mengele është djali më i madh i Karl dhe Walburga-s, një familje sipërmarrësish nga Gyncburgu në jug të Gjermanisë. Ai studion mjekësi dhe antropologji. Pas përfundimit të studimeve punon në Institutin e Biologjisë Gjenetike dhe higjienës racore në Frankfurt.

Në verë të 1940-s ai shkon vullnetarisht të bëhet anëtar i SS-ve, krahut ushtarak të partisë naziste. Tre vjet më vonë majori 32-vjeçar dërgohet në Aushvitc. Ai është shumë aktiv në seleksionimin e njerëzve dhe ishte veçanërisht i interesuar për fëmijët, sidomos binjakët dhe xhuxhët. Mengele bën prova për të parë, nëse mund të ndryshohet ngjyra e syve duke bërë gjilpëra me lëndë të ndryshme ngjyrosëse. Ai bën operacione tek fëmijët pa përdorur narkoza. Ai infekton binjakët me tuberkuloz dhe tifo. Shumë fëmijë vdesin pas këtyre ndërhyrjeve. Fëmijë të tjerë vriten me qëllim. Të internuarit i japin atij emrin: “Engjëlli i vdekjes”.

Luftë për mbijetesë

Lista E Te Burgosurve

Lidia e vogël nuk shpëton dot nga Mengele. Ai provon tek ajo vaksinat. Mbas shumë gjilpërave ajo kthehet në gjysmë e vdekur. Kur e ëma futet fshehurazi në barakë për t’i sjellë ushqim, e gjen fëmijën pa ndjenja dhe me temperaturë të lartë që rrinte në një nga dërrasat e fjetjes.

Lista E Te Burgosurve

Mengele nuk ishte as ndonjë sadist i sëmurë as ndonjë nacional socialist fanatik, shkruan Zdenek Zofka në librin e tij “Gyncburg në kohën e nazizmit”. Zdenek Zofka është historian dhe mendon se tek Mengele me siguri kishte “cinizëm të pamasë”, që i jepte mundësinë që të mos i shihte viktimat si njerëz, por si “material të vdekur”, si kavie.

Mengele arratiset

Në janar të 1945, pak para mbërritjes së Ushtrisë së Kuqe, Mengele ikën në drejtim të perëndimit. Me emër të ndryshuar ai fshihet në Gyncburg. Më 1949 arratiset për në Amerikën e Jugut. Familja e tij jep para për kërkimin ndërkombëtar të kriminelëve nazistë. Më 1979 Josef Mengele vdes në një aksident në një pishinë në Brazil. Familja e tij e mban të fshehtë vdekjen për një kohë të gjatë. Në vitin 1985 e vërteta del në publik. Me siguri që familja e tij nuk donte të dënohej për fshehjen e një krimineli dhe për mostregimin e vendqëndrimit të një personi në kërkim.
Party E Nazistëve Me Pjesëmarrjen E Josef Mengele, Kampi I Përqëndrimit Aushvic

Familje me ndikim të madh

Party E Nazistëve Me Pjesëmarrjen E Josef Mengele, Kampi I Përqëndrimit Aushvic

Mengele vinte nga familje me ndikim të madh. Karl Mengele, i ati i Josefit, ka pas drejtuar që para lufte fabrikën “Mengele & Söhne”, e cila ka pas prodhuar makina bujqësore. Në nëntor 1932, Karl Mengele ia vë në dispozicion sallat e fabrikës Adolf Hitlerit për fushatë zgjedhore. Në maj të 1933 ai futet vetë në partinë naziste, NSDAP.

Në periudhën e pasluftës bizneset ecin edhe më mirë. Karl Mengele është këshilltar në bashkinë e qytetit dhe nënkryetar bashkie. Në vitin 1952 ai merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i qytetit. Një rrugë e qytetit merr emrin e tij. Kur ndërron jetë ai, i biri Alois, i vëllai i Josefit merr drejtimin e fabrikës. Sot fabrika ka falimentuar.

Mungesë interesi për mediat

“Mengele” – thotë një grua në anën tjetër të telefonit, kur i bie numrit të telefonit të “Fondacionit Social të familjes së Dieter Mengeles”. Kur i kërkon një takim ajo i jep fund bisedës menjëherë duke thënë: “Ne nuk jemi të interesuar për konktakte me median,” dhe e mbyll telefonin.

Fondacioni që është krijuar në vitin 2009 nga Dieter Mengele, i biri i Alois Mengeles, ka harxhuar deri tani një çerek milioni euro për qëllime bamirësie. Por familja nuk do të ketë të bëjë me të kaluarën. Ata nuk marrin pjesë as në Fondacionin që merret me ish-të burgosurit me punë të detyruar, as me projekte civile që kujtojnë viktimat e Josef Mengeles.

Historia E Lidias Në Mediat Ruse

Kështjellë e nazistëve apo vendlindje e rastësishme?
Mbi emrin e këtij qyteti ekziston një “njollë monstruoze” thotë Rudolf Köppler, ish-kryetar bashkie në Gynzburg. Prej dekadash ky qytet i vogël në qendër të rajonit Schwaben është vendosur nën hijen e “Engjëllit të vdekjes”, që ka lindur më 1911 në Gynzburg dhe ka jetuar atje deri në maturë.

34 vjet më parë Gynzburg shfaqet në titujt e gazetave. Në shkurt 1985, në Përkujtimoren e Holokaustit në Yad Vashem zhvillohet një “gjyq” simbolik kundër Mengeles. Para kamerave të mbijetuarit tregojnë për mizoritë e mjekut të kampit të përqëndrimit.

Jehona është gjigande. Uashingtoni kërkon sërish të rishikohet rasti Mengele. Paratë që jepen për ta kapur arrijnë në 5 milionë dollarë. Reporterë nga e gjithë bota pushtojnë Gynzburgun, “Mengele-Town”. “The town where Dr. Death still casts his evil shadow” (Qyteti, në të cilin Doktor Vdekja hedh ende hijen e tij), shkruan “Daily Express” nga Britania e Madhe.

“Gynzburg nuk ka qenë kështjellë e nazizmit. Qyteti nuk është as më i keq as më i mirë se sa çdo qytet tjetër gjerman”, shpjegon Köppler. Mengele “mund të kishte lindur kudo”, thotë socialdemokrati 83-vjeçar. Ai nuk do që emri i rrugës Karl-Mengele-Straße të ndryshojë. “Kjo do të ishte të merrje hak tek familjarët, si në kohën e nazizmit”, argumenton ai.

Qytetarët kujtojnë viktimat e Mengeles

Jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur me mënyrën se si qyteti është ballafaquar me historinë. Një prej tyre është mësuesi i gjimnazit, Siegfried Steiger. Angazhimi i tij ka bërë që të ngrihet një përmendore përkujtimore për Janusz Korczak, një pedagog polako- hebre, që është vrarë në vitin 1942 në kampin e zhdukjes në Treblinka.

Në mënyrë që krimet e Mengeles të mos bien në harresë, Steigers luan që në vitin 2005 në një teatër eksperimental pjesën “Loja me zjarrin – ose Josef M. dhe ata që janë si ai”. “Ne vemë me krah pas murit të gjithë mjekët që bëjnë eksperimente kriminele me njerëzit,” shpjegon ai.

Nga shoqëria civile është hedhur po ashtu ideja e ngritjes së një përmendoreje për viktimat e mjekut nazist. Në oborrin e Dossenbergerhauses është varur një pllakë përkujtimore me një citat nga Jean Améry: “Asnjë nuk i shpëton dot historisë së popullit të tij”, është shkruar në të.

Lidia i mbijeton Aushvicit
Lidia përjeton futjen e trupave të Ushtrisë së Kuqe në 27 janar 1945. “Në ditën e çlirimit në barakë jetonin 160 fëmijë në moshën 2 deri 16 vjeç. Unë kam jetuar më shumë se gjithë të tjerët në Aushvic”, thotë ajo. Vetëm në Aushvic Birkenau kanë vdekur 200 mijë fëmijë.

Mbas luftës Lidia u adoptua nga një familje polake. E ëma mendohej se kishte vdekur. Pesë vjet më vonë nënë e bijë bëhen bashkë sërish. Por frika nga Doktor Mengele mbetet. Kur fëmijët luajnë dhe bëjnë zhurmë, Lidia u thotë: “Mos bërtisni kaq shumë, se përndryshe do vijnë gjermanët”.

Lidia Maksymowicz mëson pas luftës të bëhet kimiste, martohet dhe ka një firmë të vetën. Jeta familjare e saj vuan nga pasojat e qëndrimit në kamp. “Unë nuk kam qenë në gjendje të dua vërtet dhe me sinqeritet. Nuk kam qenë në gjendje të dua fëmijët e mi, siç i do një nënë fëmijët,” thotë 75-vjeçarja.

Nga seria me reportazhe “Faj pa shpagim”, një projekt i redaksisë polake të DW me Interia dhe Wirtualna Polska. /zbrodniabezkary

Durim e Suada Hadri u gjetën të vdekur,policia po e kërkon të birin e tyre, i cili iku nga Kosova

Dyshohet se vrau dy prindërit në Prizren, kush është 35-vjeçari “fantazmë” i shpallur në kërkim, u zhduk direkt pas krimit


Capture 105 600x315

Durim e Suada Hadri u gjetën të vdekur pasi ishin goditur secili me nga një plumb të armës, në shtëpinë e tyre në Prizren. Çifti që jetonin në Suedi nuk dihet ende se si u vranë, por policia po e kërkon të birin e tyre, i cili iku nga Kosova po në ditën që ndodhi krimi, e ende nuk është bërë ‘i gjallë’



Ermrat
Në vendin e ngjarjes u gjenden vetëm dy viktima, një armë dhe disa gëzhoja plumbash. Pjesëtarët e familjes Hadri, dyshohet se u vranë dy ditë më parë.

Policia e familjarët ende nuk e dijnë se kush shtiu në drejtim të çiftit, por se tashmë kanë një person që po e kërkojnë, djalin e tyre që po ashtu jeton në Suedi.

I biri i dy viktimave, Adriatik Hadri 35 vjeç, u largua nga Kosova për në Maqedoni e më pas në Greqi më 20 janar, në ditën kur besohet se ndodhi krimi. Që prej asaj dite, familjarët nuk po mund të bien në kontakt me të.

Në fakt, personi në fjalë është ‘fantazmë’ edhe në rrjetet sociale, të cilat sot përdoren shumë.


Në një faqe suedeze, merifo.se ku ka të dhëna rreth banorëve që dalin prej departamenteve të Qeverisë, është edhe emri i Hadrit, ndonëse aty nuk tregohen shumë detaje rreth tij.

Adriatik Hadri ka lindur më 23 janar të 1984 dhe jeton në Stokholm. Ai ka banuar me qira në një lagje të quajtur Vastermalm.

Mirëpo, në këtë faqe nuk ka fotografi të tij, të dhëna rreth punës që bën, familjes e detaje të tjera.

Ndërkaq, as në rrjetet sociale nëpër internet, ai nuk ka as edhe një llogari private ndërsa as familjarët nuk kanë ndonjë fotografi të publikuar me të.

Kujtojmë që Prokuroria ka bërë të ditur se është duke i hetuar të gjitha rrethanat të cilat ndërlidhen me rastin dhe që mund të zbardhin ngjarjen.

“Mirupafshim Shqipëri, unë po iki”

“Do më mungosh, dreqi e mori”! Pedagogia fjalë therëse pas largimit nga Shqipëria: Në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty!

Silvana Begaj Pedagoge

Silvana Begaj Pedagoge


Pedagogia Silvana Begaj ka vendosur të largohet nga Shqipëria, ku përmes një mesazhi në “Facebook”, ajo i jep lamtumirën atdheut. Në shkrimin me titull “Mirupafshim Shqipëri, unë po iki”, Begaj flet për vendimin e saj për t’u largua nga atdheu, që siç shprehet ajo, e do aq shumë, por që nuk gjen mundësi për të ecur përpara.



“Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi! Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri”, shkruan ajo ndër të tjera.

Silvana Begaj u bë e njohur para disa kohësh për publikun shqiptar për shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, të cilat u shpërndanë në rrjetet sociale gjerësisht. Ajo punon si asistent/pedagoge në Universitetin e Gavle në Suedi.

Postimi i plotë:

Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!

Po lë familjen, po lë shokët e shoqet, po lë diellin, po lë kafen time të preferuar, po lë kujtimet dhe me to po lë dhe gjysmën time! Po e lë se do vi prapë ose se ndoshta do ta marr se s’dua të vi më!

Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!

Mirupafshim Shqipëri! Unë do të mendoj e do më marrë malli! Vras mendjen a do të marrë dhe ty për mua? E nëse do të merrte, pse më le të iki!

Mirupafshim Shqipëri! Vërja flakës veten se unë nuk dua të digjem! Le të digjen ata që duan ty në zjarr.

Silvana Postim



Mirupafshim Shqipëri e Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.

Mirupafshim Shqipëri se dhe po të rri nuk kam me kë. Vendi po boshatiset çdo ditë dhe ata që janë aty janë thjesht fizikisht se me mendje janë larg nga ti!

Mirupafshim Shqipëri! Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.

Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty dhe nuk ndriçon hëna si aty!

Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.

Mirupafshim Shqipëri! Mirupafshim o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër.

Hap sytë Shqipëri! Lufta nuk sjell fitore! Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!

Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi! Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri.

Nuk u arrit marrëveshja

Ldk 1 1 600x360


“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja. 

Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së. 

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Pas takimit me Vetëvendosjen që rezultoi pa sukses, pasi nuk u arrit asnjë marrëveshje, vjen një reagim nga LDK-ja.

Përmes një mesazhi për mediat, LDK thekson se në këtë takim kanë parashtruar qëndrimet e tyre.


Nëse shkohet në zgjedhje të reja LVV dhe LDK, e kanë humbur elektoratin...do të fitojnë partitë tjera !

Di(kush) do i bije kavallit?

Profilet e rreme në mediat sociale



Nga Maik Baumgärtner & Roman Höfner


Liza Bergman jeton në Kemnic të Gjermanisë, dhe ka me sa duket një problem me fenë islame. Ajo u detyrua të përjetojë një traumë të madhe disa vjet më parë, kur motra e saj Elizabet u vra brutalisht në një park publik të Berlinit. Dy autorët e vrajes ishin emigrantë.

”Kam shumë urrejtje dhe zemërim brenda meje. E di që kjo plagë do të kullojë gjithmonë gjak”- shkroi Bergman në një postim në Facebook në vitin 2015. Që nga ajo kohë është angazhuar në betejën kundër emigrantëve, teksa thotë se punon në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).

Një mike e saj në Facebook, e vlerësoi postimin e saj, duke shkruar:”Për besnikërinë ndaj motrës tënde të vrarë, kjo është më e mira që mund të bësh!”. Por mendimet e Bergman, nuk janë tërësisht të njëanshme. Nga njëra anë, ajo e neverit presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe Islamin.

Por nga ana tjetër, e do Turqinë, çajin turk dhe Stambollin. Dhe nuk është se të gjitha postimet e saj në Facebook, janë të natyrës politike. Bergman është fanse e aktori amerikan Leonardo Di Kaprio, ajo mbështet mbrojtjen e kafshëve dhe ndjek futbollin, sidomos skuadrën e Bajernit të Mynihut dhe kombëtaren gjermane.

Ndërkohë, ruan kontakte të ngushta në Facebook me kushërirën e saj Helena, modele dhe artiste që punon në një akademi arti, dhe që përmes artit të saj synon të rrisë ndërghjegjësimin për abuzimet dhe vrasjet e grave nga ana e emigrantëve. Në profilin e saj, ajo shkruan se gratë janë “vrarë nga emigrantët në shumë qytete gjermane”.

Bergman mban gjithashtu mban kontakte të ngushta në FB me vëllain e saj, Davidin, që është i shqetësuar për sigurinë e saj, kur njëri prej vrasësve të Elizabet u betua në gjyqin e tij se edhe Liza do të vdesë gjithashtu. Ose të paktën kjo është ajo që shkroi Davidi në profilin e tij në Facebook.

Fotot në këtë rrjet social, sugjerojnë se të tre janë takuar personalisht, për të përkujtuar motrën e ndjerë. Në një postim, tregohet se ata po udhëtojnë bashkë në vende të ndryshme, për t’u distancuar disi nga ngjarja traumtike. Ata angazhohen me shumë përdorues të tjerë të Facebook, duke nxitur debate të forta për çështje si emigrantët, dhe politikat e azilit të qeverisë gjermane.

Por ka vetëm një problem me historinë tragjike të Bergmanit:Familja nuk ekziston. Në realitet asnjë motër e saj nuk ka vdekur, dhe nuk ka pasur kurrë një mbledhje të anëtarëve të familjes për ta përkujtuar atë. Fotot në profil nuk janë të Liza Bergmanit, por të një aktoreje kiliane të quajtur Jozefina Montane.

Pra familja ekziston vetëm virtualisht. Fantazma e Bergmanëve, është pjesë e një rrjeti të madh të profileve të rreme në Facebook, që zbuloi gjatë verës së shkuar një ekip reporterësh të “Der Spiegel”, teksa po hulumtonte mbi raste të dyshuara të ekstremizmit të krahut të djathtë brenda autoriteteve gjermane të sigurisë.

Fillimisht, ekipi gjeti profilin e një njeriu që dukej mjaft origjinal. Por analiza e mëvonshme e pëlqimeve, postimeve dhe miqve, zbuloi se njeriu në fjalë nuk ishte një person real. “Der Spiegel” dhe Laboratori i Kërkimeve Dixhitale Ligjore, një njësi e Këshillit të Atlantikut në SHBA, ishin në gjendje të identifikonin profile nga mbi 30 vende që komunikojnë në gjuhë të ndryshme.

Profilet e kanë origjinën nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia. Edhe pse është e vështirë të zbulohen që në pamje të parë, asnjë prej profileve nuk është real. Ato janë që të gjitha të trilluara. Në pak muaj, “Der Siegel” dhe DFRLab, analizuan dhe vlerësuan aktivitetet e 330 profileve.

Facebook, që pretendon se ka aktualisht 2.45 miliardë përdorues aktivë në muaj, ka prej vitesh një problem serioz me llogaritë e rreme. Nga janari deri në shtatorin e vitit 2019, kompania zbuloi dhe fshiu rreth 5.4 miliardë profile të rreme. Shumë nga këto profile janë të dizajnuara në një mënyrë amatore, dhe kësisoj janë të lehta për t’u zbuluar për shkak të mungesës së ndërveprimit.

Të tjerët janë më të kuruar në detaje. Facebook e njeh rëndësinë e këtij problemi. Përveç softuerit të ri, që mund të gjurmojë automatikisht llogaritë e rreme, kompania ka ngritur edhe një ekip ekspertësh, që kanë si mision hetimin e rrjeteve më komplekse.

Miqtë e rremë mund të përdoren nga krijuesit e tyre për një numër gjërash, përfshirë ushtrimin e ndikimit politik. Disa vite më parë, Facebook bëri bujë në mediat e gjithë botës, kur disa operativë rus u përpoqën ta përdorin platformën, për të ndikuar mbi votuesit amkerikanë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Si pjesë të fushatës, operatorët përdorën edhe reklamat false përveç profileve të rreme. Kompanitë private të sigurisë dhe qeveritë në të gjithë botën, po i përdorin llogaritë në Facebook, për të zhvilluar fushata të fshehta politike, apo për të kryer operacione të tjera, që synojnë ushtrimin e ndikimit.

Ka shumë gjasa që rrjeti i ndërtuar rreth familjes Bergman, të ketë pasur qëllime të tilla. Përdoruesit e vërtetë në rrjetet sociale, mund të bien viktima të sulmeve hakeruese të ndërmarra nga llogaritë e rreme, të cilat mund të përdorin viruse të fshehura në imazhe ose skedarë të tjerë, që dërgohen në mesazhe private.

Kjo mund t’i lejojë ata të infektojnë kompjuterat, dhe madje t’i kontrollojnë ato nga distanca.
“Që të kesh sot profile false, duhet t’i bësh ata të duken sa më reale që të jetë e mundur, dhe të duken sikur po veprojnë si përdoruesit e vërtetë, që janë të lidhur me njëri-tjetrin, që kanë foto dhe që dërgojnë mesazhe private”-thotë Majkëll Fajër, ndihmësprofesor i teknologjisë së informacionit në Universitetin Ben-Gurion në Negev të Izraelit.

Ai thotë se tregu për këto profile është rritur në një biznes shumë miliona dollarë, dhe se kjo nuk i ka shpëtuar zyrtarëve të Facebook. “Ka një lojë të ‘maces dhe miut’, midis operatorëve të rrjeteve sociale, dhe operatorit të profileve të rreme”-thotë ai. Rrjeti i zbuluar nga “Der Spiegel”, ka qenë aktiv që prej të paktën vitit 2011.

Shumë prej llogarive, përfshijnë shumë informacione të detajuara biografike. Shumica e personave fictive, pretendojnë se punojnë për ushtrinë ose agjencitë e zbatimit të ligjit. Të tjerët, se punojnë në industrinë e turizmit, aviacionit, artit dhe modës.

Gjithsesi, shumica dërrmuese e profileve të rreme, tregojnë foto të grave dhe burrave që i përmbahen idealeve aktuale të bukurisë. Ato duken shpesh si të dalë nga kopertinat e revistave. Gratë kanë tendencën të jenë 20-40 vjeç, dhe postojnë selfi në bikin. Ndërsa burrat, rreth të njëjtës moshë, janë me trup atletik dhe muskulozë.

Por ekziston edhe një anë e errët e këtyre profileve, pasi ato ndjekin një axhendë të mbushur plot urrejtje. Profilet e rreme, përdoren për shpërndarjen e posteve raciste, ndërsa në të njëjtën kohë shprehin admirim për njerëz si Vladimir Putin dhe Donald Trump.

Kur adresohen çështje politike, toni i tyre ashpërsohet. Merkel, ish-presidenti amerikan Barak Obama, dhe presidenti francez Emanuel Makron, janë ndër armiqtë e deklaruar. Për kancelaren gjermane thuhet se i ka duart me gjak, dhe përçmohet si një vrasëse.

Profilet e rreme janë anëtarë të qindra grupeve në Facebook, të cilat ofrojnë një burim të pashtershëm fotot dhe historish. Dhe ato përdoren si lëndë e parë për krijimin e profileve. Një nga profilet më të mëdha të rreme, ka thuajse 1.600 ndjekës, çka do të thotë që shifra totale e qasjes mund të jetë në dhjetëra mijëra profile.

Gjatë disa javëve, “Der Spiegel” kontaktoi persona realë, që ishin në kontakt me profilin e rremë. Shumica e tyre refuzuan të flasin për këtë gjë. Të tjerët thanë se kishin pasur kontakte vetëm për një periudhë të shkurtër kohe. Pas një sugjerimi nga “Der Spigel” dhe DFRLab, Facebook mbylli llogaritë e lidhura me rrjetin e rremë.

Por numri i profileve të rreme në Facebook, ka ende të ngjarë të vazhdojë të rritet, dhe cilësia e tyre po përmirësohet. “Me teknologjinë e re sot në dispozicion, është e lehtë të krijosh profile të rreme, që duken dhe sillen si njerëzit realë”- thotë Fajër.

Inteligjenca artificiale mund të gjenerojë fytyra që duken si reale, thotë ai, dhe ajo mund të përdoret për të gjeneruar automatikisht tekste koherente, që tingëllojnë si origjinale. Bota e rreme në Facebook, po bëhet gjithnjë e më e madhe./Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel” –

Atdheu Hygoit ishte liria.



NGA PËRPARIM KABO


Nëse e shet lirinë, atëherë gjithçka që ke bërë deri atë ditë humbet jo vetëm vlerën dhe bukurinë, por edhe dinjitetin. Historia njeh shumë raste të thyerjeve të tilla, të dorëzimit apo rënies në dëshpërim, të trysnive të padurueshme dhe tek e fundit, tek mbërritja në rrëzimin shpërfytyrues. Njeriu pa lirinë mjaket. Pushteti përpiqet ose ta burgosë lirinë, ose ta dëbojë atë, rreket ta frikësojë dhe provon gjithçka që ta izolojë.


Pa e humbur vëmendjen ndaj saj, gjithnjë mendon se si të fusë në kurth njeriun e lirisë. E tremb dhe mandej përpiqet t’ia qetësojë frikën duke e joshur ose duke i thënë “eja, mos ki frikë, je i amnistuar”. Atdheu Hygoit ishte liria. Sa bukur tingëllon.

Jam i lirë dhe këtu jetoj e marr frymë. Përball amnistisë së vitit 1959 takojmë përbuzjen e Viktor Hygoit me fjalët: “Askush s’duhet të presë nga unë që t’i kushtoj, për aq sa më takon, një çast vëmendje asaj gjëje të quajtur amnisti. Besnik ndaj zotimit që kam marrë përpara ndërgjegjes, do të jem deri në fund i lirë në mërgim. Dhe kur të kthehet liria në vendin tim, do të kthehem edhe unë”.

Ky hero dhe pelegrin lirie ka model jetën e tij. Ka frymëzim lirinë e tij, ka dinjitet ndërgjegjen e tij të patradhtuar. Viktor Hygoi ka udhërrëfim mosdorëzimin tek autoritarizmi. Megjithëse familja iu largua nga ishulli, ai mbeti pengu lirisë së tij dhe ideve të tija. E vetmja që nuk iu nda ishte Zhuljeta, kjo femër që meriton adhurimin më të lartë. Një herë në vit Hygoi largohej nga ishulli me Zhuljetën dhe udhëtonte në Belgjikë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Zvicër.

Më pas kthehej në ishull, pranë oqeanit dhe shkrimeve të tija. Edhe në ishull ai u tregua aktiv dhe gjen rastin që të mbrojë çështjen e Xhyzepe Garibaldit dhe 1000 këmishëkuqve të tij. Ishte qershori vitit 1860, pothuaj pesë vjet nga koha kur e përzunë nga ishulli i parë dhe banorët me një ndjenjë faji duartrokasin Hygoin. Zëri tij vinte si një gjekëtimë. Por, prilli 1860 rezervon edhe një ngjarje shumë interesante. Ai nxjerr nga baulja dorëshkrimet e punimit “Të Mjerët”.

Po thuaj për dy javë nga 26 prilli deri në 12 maj rishikon dorëshkrimet. Në shënimet e tij lexojmë: “Nga 12 maji gjer më 30 dhjetor kalova shtatë muaj për ta përpunuar në mendje dhe për t’i hedhur dritë krejt veprës që qëndron brenda meje, me qëllim që të krijojë një unitet absolut midis asaj që kisha shkruar para dymbëdhjetë vjetëve dhe asaj që do të shkruaj tani”. Vepra qëndron brenda meje?! Shumë kuptimplotë. Mjerimi ishte shqetësimi tij që nuk humbiste, nuk mund të harrohej apo të braktisej.

Shkrimtari e ka veprën brenda ndërgjegjes së vet. Në këtë kuptim, ai është vetë vepra, ai është i njësuar me të si luftëtari i idealeve të tija. Kishte 12 vite që punonte mbi atë kryevepër. Nuk ndalej. E mendonte. E ndriçonte. Bisedonte me të, dialogonte me veten, i rrëfehej njerëzimit, kuvendonte me mizerjen. Ky udhëtim si drita brenda qenies më vjen si atribut jo thjesht i gjeniut të letrave, por mbi të gjitha të njeriut me shpirt e me zemër humane.

Nëse kjo dritë fiket ose humbet, shkrimtari mbetet vetëm me mjetet e punës dhe me to ai gatuan ngjarje e personazhe që jetojnë në veprën e tij dhe jo në jetën reale. Kështu, shkrimtarë të tillë nisin të imagjinojnë e të sajojnë, sforcohen dhe ndërtojnë në fund të pabesueshmen. Në këto rrethana shkrimtari duket si me petrahil jo në qafë, por në ndërgjegjen krijuese. Nëse udhëtojmë në historinë e romanit universal “Të Mjerët” do duhet të udhëtojmë në historinë e Francës dhe më gjerë. Ai u skicua në vitin 1845 dhe pas gati tri vitesh u ndërpre në 14 shkurt 1848.

Ngjarje të mëdha tronditëse pati ai vit jo vetëm në Francë, por në të gjithë Europën. Shënimet e asaj kohe pasqyronin ndërgjegjen Hygoliane, ku ngrinte krye oratoria akademike dhe retorika parlamentare. Gjithçka zhvillohej në rrethanat para se Viktor Hygoi të shndërrohej në majtist.

“Ngjarjet e vitit 1848 dhe 1851 ndryshuan pikëpamjet e tij morale edhe në fushën e fetare, por më e rëndësishmja ishte shndërrimet në pikëpamjet për sistemin shoqëror dhe idetë politike”. Ja përse në gjykimin tim krejt personal, romani i Hygoit nuk është thjesht mjeshtëria e fjalës së shkruar dhe estetika e artit të tij. Në të gjen si art vetë filozofinë e jetës. Takon mjerimin, këtë plagë historike. Njihesh me njeriun dhe fatin e tij, me besimin fetar dhe pushtetin e religjonit. Ke shansin të njohësh lirinë dhe nevojën jetike për të.

Të shfaqet me të gjitha ngjyrimet dinjiteti njerëzor. Jeta kishte kaluar në vetëdijen dhe shqetësimin njerëzor të Hygoit si dhentë në shtrungë dhe ai i kishte mjelë një e nga një të gjitha ngjarjet, ndodhitë dhe episodet, duke marrë çdo pikë informacioni dhe mësimesh që tregonin universin njerëzor të zhveshur, të vërtetë jetësor dhe sfidues. Mjerimi, pushteti, njeriu kishin udhëtuar jashtë dhe brenda mendjes së tij, në jetën dhe në shqetësimet e tij të pashlyeshme.

Në pjesët e para Hygoi shkruante për Fantinën, Kozetën, Mariusin, për Zhan Valzhanin, për idilin e rrugës Plumet dhe epopenë e rrugës Sent Denis. Në rikthimin që bën në veprën e tij, Hygoi analizon revolucionin, kuvendet fetare, dënimet me punë të rëndë dhe me vdekje, lëvizjet e gjëra masive. Një përfshirje e tillë sigurisht që e shpie edhe në ndryshime e përmirësime të karaktereve duke i gjallëruar me më shumë jetë. Fal kësaj qasjeje, tablotë e tij të mjerimit janë rrëqethëse.

Intriga njerëzore zë vendin e duhur. Situatat e ngjarjeve marrin thelb filozofik, historik, politik, ekonomik dhe revolucionar. Me anë të ndërthurjes së përshkrimeve me veprimin njerëzor në të gjithëplanësinë e tij, mjerimi jepet në anatominë e vet. Analiza e tij e imët deri në detaje i jep romanit një theks të dallueshëm realizmi. Vihet re një saktësi gati dokumentare. Shteti analizohet në kapilare që nga strukturat e larta, deri në ato më të ulëta. Bota pariziene këndvështrohet nga Kodi Penal i Shiurmëve deri në arkitekturën dhe funksionimin e llagëmeve të Parisit. Është atje peshkopi Miollis, që shërben si model për Mirielin.

Janë edhe kujtimet e Zhuljetës si ish-konviktore në kuvendin e Shën Madalenës. Është fakt historik që duhet pohuar se romani “Të Mjerët” u frymëzua nga libri i Rey Dusseil me titull, “Kuvendi Shën Marisë”, që ishte shkruar pas ngjarjeve të vitit 1830-1831, diku në vitin 1832. Ky libër ishte mbledhur kopje më kopje dhe ishte djegur në turrën e druve. Por, edhe nga hiri mund të nxirrej ajo që nuk duhej të humbiste. Në kreun e katërt të romanit “Të Mjerët” flitet për periudhën e Restaurimit dhe Revolucionin e vitit 1830 si edhe për Monarkinë e Korrikut.

Gjithçka bazohet pikërisht te ky roman, që u dogj në një akt të pashembullt, paçka se mesjeta inkuizitive datonte larg nga gjysma e parë e shekullit XIX. Një galeri e tillë e tipologjisë njerëzore dhe ecuria e tyre e bëjnë romanin e Hygoit të tipit letrar ku takon njëherësh aventurën, vë re trajta të romanit policor, ku shumica e personazheve maskohen me emra të rremë, por mbi të gjitha, “Të Mjerët” është një “Epope e vegjëlisë”. Edhe kujtesa personale e ushqen romanin e tij.

Kemi pa frikë një lloj autobiografie të autorit, sepse ai sjell në libër kujtimet nga kopshti Fejantinve, nga libraria ‘Royal’ e rrugës ‘Saint Jasques’, kujtimet e hidhura nga gjenerali Leopold Hygo. Vjen fal kujtimeve edhe Parisi i barrikadave si përjetime të gjalla të vetë autorit. Historia e Mariusit është e ngjashme me rininë e tij. Në mënyrë të veçantë në kalimin e tij nga ruajalist-bonapartist-republikan. Është e gjithëpranuar nga Hygolianologët se në këtë vepër ai e përfshin jetën e tij më shumë se në çdo vepër tjetër.

Gjykoj mjeshtër se si besnik i realitetit e tejkaluat atë me idetë që Ju ndërtuat dhe përhapët, ndaj mendoj se në këtë mënyrë romantizmi si metodë, u kapërcye prej jush për të takuar romantikën njerëzore si një realitet që duhej rrëfyer dhe nuk duhej zbukuruar. E vërteta lyp të ketë në thelb faktologjinë e besueshme. Në këtë kuptim Hygoi kishte jetuar në mënyrë aktive si një protagonist jo thjesht i gjallë, por edhe si sfidanti kokëkrisur.

Kjo ndodh me atë krijues që e do jetën dhe e mbron atë, e do njeriun dhe e mbron atë, e do lirinë dhe për të sakrifikon edhe jetën e vet. Korrektesa me historinë është detyrimi më serioz i atij që shkruan. Çdo lloj devijimi me apo pa qëllim është humbje për atë që e ka shkruar, por edhe për shoqërinë njerëzore për aq kohë që ajo ka besuar mbi atë çka është paraqitur në faqet e librave apo studimeve shkencore.

Për të mbajtur këtë drejtpeshim, Hygoi la për ca kohë Gernesejin dhe shkoi në Belgjikë, por edhe në Waterloo si për t’i bërë autopsinë e kufomës, atje në fushën e betejës. E imagjinoj Hygoin në atë fushë të zbrazur, me një pezmë të thellë duke vështruar se si atje mijëra njerëz lanë jetën. Ka dëgjuar hingëllimat e kuajve, të shtënat e topave, britmat komanduese. Ka parë plagët në trupat e luftëtarëve, është lebetitur nga klithmat dhe britmat e tyre. E në fund tek binte mbrëmja, shikonte korbat që uleshin mbi fushën për të shqyer kufomat e historisë. Një bisedë e tillë me heshtjen e mbetur mbi fushë, plazmon poetik dhe ngjiz meditim. Përthithur nga shikimi i poetit, fusha e betejës ndërtonte ngjarje të gjalla. Sillte mesazhe që mund të ishin braktisur.

Hygoi dukej sikur mërmëriste… Atë ditë të tmerrshme nuk isha këtu fizikisht… Sot jam. Dua të marr frymë nga fryma juaj, me qëllim që historia të ketë vërtetësi. Përtej gjembishtes, unë shoh se historia nuk mund të mbulohet me heshtjen. Llaskuçët nuk mund ta zhbëjnë historinë me rrëfenjat e tyre të sajuara. Tek zbriste në kontinent pas 9 vitesh, e ndjeu se ajri urban donte tjetër pamje, ndaj ndërroi rrobat e vjetra që mbante në trup dhe mjekrës që kishte filluar ta linte t’i rritej i shtoi edhe dy kostumet e rinj. Ishte data 7 maj i vitit 1861 kur ai bashkë me Zhuljetën u akomoduan në hotelin “Les Colonnes de Mont-Saint-Jean”.

Nga dritarja e dhomës dukej luani Vaterlosë. Heshtja ishte simbolike dhe meditim i thellë. Pas kaq vitesh shpenzuar në mes të detit, tani e gjente veten përballë një fushëbeteje ku historia kishte provuar veten, kishte vënë të ndesheshin të shkuarën me të ardhmen. E mendoj Hygoin tek ecte mespërmes fushës. E maste me sy e i lëshonte pyetje nën zë. Krahas kësaj gjeometrie, ai rrëmon dhe siguron materiale dokumentare e të bollshme. “Buka” e romanit ishte siguruar, ndaj romancieri i përvishet punës. Herë pas herë shkon edhe në Bruksel.

Zhuljeta zbardh shkrimet e tija, si të thuash ajo lexonte e para shpirtin e tij krijues. Puna e saj dukej si pikëderdhja e lumit Hygolian. Sa me fat ka qenë kjo femër, por edhe Hygoi për të. Vrulli i tij e rroposte historinë dhe historiografinë, sepse pena e tij shembte godinat e rreme të saj. Dhe e para që e ndjente këtë vrull ishte Zhuljeta. Përballë asaj fushe dhe Hygoi zhvilloi betejën e tij të krijimtarisë dhe të jetës. Ja si i shkruante Viktor Hygoi më 30 qershor mikut të tij Auguste Vacuerie: “Këtë mëngjes të 30 qershorit, në orën nëntë e gjysmë, mes një dielli të bukur në dritare, përfundova ‘Të Mjerët’. Pikërisht në këtë muaj të Vaterlosë, unë zhvillova betejën time. Shpresoj të mos e kem humbur”. Sa impresionuese! Ai e quan kryeveprën e përmbyllur një Waterloo të historisë së penës së tij dhe modestisht shprehet se është në dilemën nëse e ka fituar apo jo. Napoleoni e humbi atë betejë në 18 qershor 1815 dhe e mbylli karrierën atje. Viktor Hygoi e fitoi atë betejë dhe krijoi pas 45 viteve romanin “Të Mjerët”, këtë monument të mendimit dhe dëshmi të humanizmit e të historisë, himnin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Ju fituat jo thjesht betejën i nderuar Viktor Hugo. Ju fituat edhe ndeshjet që do të vinin në gjithëkohësi. Ditët vijuan për të me një pushim prej disa javësh në Holandë. Më tej, ai kthehet si shpendi vetmitar në ishull. Ishte fillimvjeshte, data 3 shtator kur mbërriti sërish atje…!1

Vikor Hygoi lindi në 26 shkurt 1802. Sot mbushen 215 vjet nga lindja e tij. Materiali i botuar është i shkëputur nga studimi me titull: Një breng e vjetër për Viktor Hygoin, që së shpejti do të shohë dritën e botimit si pjesë integrale e librit me titull, “Antropologjia e Artit”

Marrëdhëniet esenciale midis Lirisë dhe Sigurisë



Nga Simon ULNDREU* 


Marrëdhëniet esenciale midis Lirisë dhe Sigurisë


Cilat janë rreziqet që cenojnë sigurinë? A kemi frikë dhe si ndikon frika mbi lirinë e njeriut? Ç’rol luan shteti në shërbim të vlerave të lirisë? Marrëdhëniet esenciale midis lirisë dhe sigurisë dhe pse cënimi i njërës sjell rrënimin e tjetrës? A është demokracia një sistem që prodhon siguri dhe cili është roli i shtetit për mbrojtjen e lirive themelore të individit?

Siguria është sot në qendër të debatit politik në nivel global. Ajo është një koncept që vë në lëvizje të gjithë mekanizmat për ruajtjen e vlerave të sistemit demokratik nga rreziqet, dëmet dhe fatkeqësitë. Si të gjitha vlerat e sistemit, edhe siguria është në proces të përmirësimit të vazhdueshëm, është pjesë integrale e zhvillimeve politike dhe ekonomike dhe kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm të mjedisit social dhe natyror. Cilësia e saj përcaktohet në mënyrë të veçantë nga niveli i realizimit të lirive thelbësore të njeriut.

Siguria, si një element thelbësor është trajtuar që në shekullin e XVI, kur filozofet e teorisë mbi shtetin, Thomas Hobs dhe Xhon Lok, e vendosen atë në fokusin e marrëdhënieve midis shtetit dhe individit. “Në rast së nuk ekziston shteti, atëherë çdonjëri ka të drejtë të bëjë gjithçka dhe në mënyrë që të ndërpritet lufta e çdonjërit kundër tjetrit”, u bë e nevojshme një kontratë sociale, për domosdoshmërinë e fjalës dhe të mendimit të lirë brenda shtetit sovran, midis individëve nga njëra anë dhe shtetit monopol, në anën tjetër.
Kjo teori u zhvillua më vonë nga filozofi i madh holandez Baruch de Spinoza, i cili në mënyrë universale përkufizoi funksionet e shtetit midis lirisë dhe sigurisë së njerëzve: “Qëllimi final i shtetit nuk është, të qeverisë, të mbajë njerëzit nën frikë, ose të mposhtë rrezikun e huaj, por shumë herë më i madh, t’i çlirojë ata nga frika, në mënyrë që secili të jetojë i sigurte dhe e drejta natyrore e tij, të jetë, të mbrohet dhe të veprojë pa dëm për vetën dhe të tjerët. Qëllimi i shtetit është në fakt, Liria”.

Edhe sot pas pesë shekujsh, ideja gjeniale e Spinozës, shërben si një temë e gjerë në diskutimet mbi marrëdhëniet midis Lirisë, Sigurisë dhe funksionit të shtetit. Në këtë këndvështrim, politologët perëndimorë mbrojnë pikëpamjen se “shteti nuk është një qëllim në vetvete, por ai ka funksione shërbimi, - ai ju shërben në mundësitë e fundit lirive njerëzore, me të cilat ai ndërton paqen dhe sigurinë, duke i çliruar njerëzit nga frika e tyre, - në mënyrë të veçantë, nga frika e krimit, dhunës dhe vrasjes... Por çfarë janë liria dhe siguria në terma konkrete dhe përse dimensionet e këtyre koncepteve themelore janë kaq të rëndësishme në jetën e njeriut?

Liria është një koncept që përfshin dimensionet kulturore, psikologjike, sociale dhe politike dhe është një nga konceptet qendrore të historisë intelektuale njerëzore. Ky koncept, sot është në diskutim të vazhdueshëm dhe në këtë mënyrë në një ndryshim të përhershëm për të krijuar liri akoma edhe më të mëdha….
Siguria është një koncept qendror për vlerat e demokracisë. Opinionet rreth këtij koncepti janë pjesë e diskutimeve të ndryshme, ndërsa politologët perëndimore e kanë përkufizuar sigurinë si “ një element thelbësor në të gjitha sferat e jetës publike dhe nevojat themelore të të gjitha sistemeve natyrore dhe shoqërore. Si pjesë konstituive e rendit politik demokratik, siguria është baza për planifikimin dhe veprimin njerëzor”. Siguria është një madhësi inferiore ndaj ndryshimeve të vazhdueshme dhe për këtë arsye ajo është pjesë e diskutimeve të pandërprera të ekspertëve dhe të politikës. Disa shembuj të thjeshtë:
Kur dy njerëz goditën me mjete të forta, ose sulmojnë njeri – tjetrin me armë, ata janë duke zgjidhur forcërisht problemet me njëri-tjetrin, ndërsa kalimtarët e rastit largohen me vrap, pasi aty dominon frika dhe pasiguria. Kur përpara këmbëve tona na shfaqen fëmijë dhe të moshuar që shtrijnë dorën duke lypur, mendja na shkon tek njerëzit që meritojnë një siguri njerëzore “edhe me njerëzore”. Në rast se bie zjarr në një zonë të banuar, menjëherë mendojmë rrezikun afër shtëpisë tonë. Nëse dikun shpërthen një bombël gazi, mendja na shkon menjëherë tek certifikimi teknik ose gabimi njerëzor. Kur flasim për të drejtën e jetës, trishtohemi nëse shohim kronika me vrasje. Ngujimi nga frika e hakmarrjes, na sjell ndërmend disa njerëz që në kërkim të sigurisë, kanë izoluar vetveten, duke hequr dorë nga liritë e tyre. Nëse akuzat me sharje, fyerje dhe denigrim të njeri-tjetrit, të aktorëve në tempullin e demokracisë, janë një gjë e mirë, atëherë përse edhe njerëzit t’mos sillen po në këtë mënyrë në jetën e përditshme? Në ndonjë rast, kur dëgjojmë përdorimin e gjuhës së forcës dhe të urrejtjes, mendja na shkon tek “tipat e fortë”, të cilët i përdorin këto mjete për të realizuar qëllimet e tyre, nëpërmjet frikës tek pala me e dobët…..
Duke u nisur nga këta shembuj të thjeshtë dhe të tjerë, ndoshta edhe më të komplikuar, të jetës së përditshme, duhet të hymë në zemër të problemit që shqetëson sot shoqërinë tonë. Armët pa leje dhe kronikat me grabitje e vrasje, përbëjnë një dominim te frikës mbi lirinë. Me qindra viktima të shkaktuara nga fatkeqësitë kombëtare gjatë këtyre 20 vjetëve, si dhe vrasjet, gjakmarrja, ngjarjet e dhimbshme të regjistruara nëpër aksidente në det, në tokë, në rrugët automobilistike, mbi shinat hekurudhore etj, janë gjithashtu një shqetësim që shtrojnë përpara opinionit dilemën, perse liria e jetës duhet të paguhet kaq “lirë”? Mos vallë është demokracia, ajo që vret? A e kuptojnë shqiptarët e etur për liri, kufirin e lirisë? Cili është funksioni i shtetit, si një monopol mbi liritë tona apo si një fuqi absolute për t’i lejuar dhe për t’i mbrojtur liritë e gjithsecilit, deri në pikën e fundit? Mos vallë jemi duke krijuar një format specifik Liri-Siguri-Liri, ndryshe nga formati universal i vlerave të demokracisë?

Pasiguria i ka rrënjët tek frika dhe rreziku. Frika si gjendje psiko-sociale dhe emocionale e njeriut, ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi lirinë individuale. Frika e kufizon dhe izolon njeriun nga realiteti i lirive themelore. Ajo është aq e vjetër sa vetë jeta njerëzore dhe jeton së bashku me të. Në kohën e sotme, karakteri objektiv dhe shkalla e frikës, përcaktohen kryesisht nga gjendja e mjedisit social ekonomik, i cili vjen tek njeriu nëpërmjet rrjetit të dendur të informacionit, prej kronikave të zeza dhe krimit, prej varfërisë dhe sëmundjeve, prej papunësisë dhe urisë, prej ndotjes dhe fatkeqësive natyrore, prej gabimeve njerëzore dhe veprimeve arbitrare, prej represionit politik, konfliktit social dhe padrejtësive, të cilat bashkëjetojnë “mirë” me mjedisin e pandëshkueshmërisë, korrupsionit, dhe vulgaritetit të ditës.
Panorama sociale e frikës e ç’vesh njeriun nga dinjiteti, i heq atij mundësinë të konsiderojë liritë e tij brenda kontratës sociale me shtetin dhe, duke kaluar nën heshtjen shoqërore, bëhet gjithnjë e më e frikshme për gjendjen e sigurisë në një vend që aspiron integrimin me meritë në hapësirën Euro-Atlantike.
Në botën e sotme moderne urbane, asnjë individ nuk preferon të lëvizë, të punojë apo të jetojë në një vend të pasigurtë. Ambienti i pasigurtë ngjall gjithnjë ndjenjën e frikës dhe kufizon liritë individuale. Pasiguria, shpeshherë bëhet shkak për ndërprerjen e një veprimi, për mbylljen e një aktiviteti apo ndërmarrje të caktuar, për mbylljen e njerëzve në shtëpi për ndryshimin e vendbanimit etj.

Historia jonë, nëpërmjet paradokseve të tilla si në zhvillimet dramatike të viteve ‘97, ‘98 dhe 2011, të cilat u paraprinë nga lufta e ashpër politike dhe gjuha e urrejtjes midis palëve, është një produkt i pakontestueshm i politikës konfliktuale, e cila në momente ekstreme rrezikon shuarjen e funksioneve të shtetit. Ky stil i gjatë komunikimi pozitë-opozitë dhe anasjelltas, krijon një trysni të rrezikshme mbi vlerat e demokracisë dhe jep efekte negative në dimensionin e sigurisë publike. Disa prej këtyre zhvillimeve janë shoqëruar edhe me ndërhyrjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat kanë dëshmuar se faktori ndërkombëtar, jo vetëm e vlerëson por investon në mënyrë të vazhdueshme sigurinë publike të shoqërive demokratike. Nuk ka asnjë formacion politik, shoqëror, ekonomik apo social ne vendin tonë që të mos këtë provuar pasojat rrënimtare të sigurisë në krizat ekstreme politike gjatë këtyre dy dekadave.
Si çdo marrëdhënie, edhe marrëdhëniet midis lirisë dhe sigurisë, janë çështje besimi në kontratën sociale me shtetin e së drejtës. Kjo do të thotë se nga njëra anë, vetë njerëzit duhet të kuptojnë kufirin e lirive, “liria jote mbaron, aty ku fillon e drejta ime”, dhe nga ana tjetër, shteti të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë. Në vendet e zhvilluara disponimi ligjor dhe moral i shtetit për zgjerimin e sigurisë është kaq funksional, sa ka hapur edhe dilemën se zgjerimi i sigurisë, ndonjëherë ka krijuar pasiguri të mëtejshme. Risitë e vazhdueshme të teknologjisë, përhapja e mjeteve të komunikimit dhe zhvillimi i kibernetikës kanë sjellë nevojën e një ekuilibri të ri midis të drejtave civile nga njëra anë (privatësia, liria e komunikimit, liria e shprehjes dhe e tubimit, intimiteti i shtëpisë etj) dhe masave parandaluese të shtetit nga ana tjetër (censura, përgjimet, kontrolli i banesës, kontrolli trupor me dedektor, etj). Por, që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, është vërejtur një tendencë e theksuar për ashpërsimin e ligjeve, me qëllim ruajtjen e dimensionit të sigurisë, nga kërcënimi latent terrorist, që mund të jenë në kundërshtim me të drejtat e lirisë. Shtrëngimi i masave të sigurisë dhe sidomos i kontrollit trupor nëpër aeroporte, ka hapur shumë debate, aq sa kritikët e shohin ketë si një pushtim të intimitetit të trupit të njeriut.

Duket paradoksale se si në vendet me demokraci të zhvilluar, shteti është viktimë e suksesit të vet. Duke zgjeruar liritë individuale në një diapazion të gjerë dhe drejtësinë e tij sovrane, shteti ka krijuar gjithashtu nevoja edhe më të mëdha për sigurinë e shoqërisë. Pas sulmeve terroriste mbi demokracitë perëndimore, siguria përbën një sfidë të madhe për mbrojtjen e tyre nga rreziqet potenciale si terrorizmi, ndotja apo fatkeqësitë natyrore. Është legjendare ironia e historisë me Oto Shilin, ish Ministër i Brendshëm i Republikës Gjermane 1998-2005, i cili gjatë një manifestimi të Unionit Humanist kundër ashpërsimit te ligjeve, në vitin 1978, pati thënë: “Nuk luftohen armiqtë e ligjit me degradimin e tyre dhe nuk mbrohet liria me kufizimin e saj”.
Me këtë qasje të qartë, e cila e njeh ndërvarësinë midis Lirisë dhe Sigurisë, Spinoza shkon në qendër të çështjeve që diskutohen sot:
Si mund të zgjidhet paradoksi, se nga rreziqet potenciale, shteti bën ndërhyrje në hapësirat e lirisë, duke kufizuar vetë lirinë? Mirëpo, në botën e sotme të zhvilluar, të lëvizjes së lirë dhe të përafrimit të popujve me njeri-tjetrin, tema rreth këtyre marrëdhënieve, vazhdon të jetë akoma në qendër të diskutimeve për sigurinë globale.
Kërkesat që ka komuniteti ndërkombëtar dhe pretendimet e vendit tonë për integrimin në bashkësinë euro-atlantike, shtrojnë në plan të parë nevojën e diskutimit te formatit Liri-Siguri, duke startuar nga vlerat themelore të lirisë. Ndonëse këto vlera janë të përcaktuara në aktin themelor të shtetit, historia e hidhur e vetëgjyqësisë ka hapur edhe ajo faqen e saj. Një numër jo i vogël njerëzish, e kanë më të lehtë të vendosin vetë fatin e të drejtave dhe lirive të tyre, se sa të trokasin në dyert e drejtësisë, aty ku duhet të vuloset formati i të drejtave. Në këtë mënyrë edhe drejtësia luan rolin e saj për nivelin e sigurisë, por kjo është çështje besimi. Nëse sistemi ynë i drejtësisë është përfolur, nga mjediset më të thjeshta deri në nivelet më të larta të parlamentit europian, ky besim është akoma i zbehtë.

Siguria nuk është një çështje me të cilën duhet të merren vetëm forcat e sigurisë, apo vetëm njerëzit e drejtësisë. Ajo është shumë më tepër se kaq dhe përfshin të gjithë aktorët e jetës politike, shoqërore, ekonomike dhe sociale të vendit. Dimensioni i saj fillon nga liritë themelore të individit dhe nuk ka fund. E drejta natyrore për jetën, e drejta për punë, e drejta për shërbim shëndetësor, e drejta për arsim, e drejta për mjedis të pastër, e drejta për t’u mbrojtur etj, janë vetëm disa të tilla, me të cilat shteti ndërton paqen dhe harmoninë sociale, për t’i mbrojtur njerëzit nga frika,- në mënyrë të veçantë nga frika e dhunës, krimit dhe vrasjes... Por shteti, nga ana e tij, akoma nuk ka arritur t’i ktheje ato në të drejta të prekshme për një pjesë të konsiderueshme të njerëzve. Nga ana tjetër shteti, këtu e 20 vjet është karakterizuar kryesisht nga fryma e partishmërisë, militantizmi, korrupsioni, padrejtësitë dhe kultura e pandëshkueshmërisë, tipare këto që frenojnë vetë shtetin në kryerjen e funksioneve të tij…

Siç e thamë edhe në fillim të këtij shkrimi, koncepti i lirisë dhe sigurisë janë koncepte themelore të sistemeve demokratike. Ato janë vetëm fillimi i funksionit të shtetit në kontratën sociale me shtetasit e vet. Dhe si për ironi të fenomenit, në anën tjetër, në vend të rishikimit të ligjit për kufizimin e armëve dhe të kufizimit të përdorimit te tyre, pajisja me armë e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve, është një nevojë për më shumë siguri për politikanët dhe zyrtarët tanë të mandatuar, pikërisht nëpërmjet lirisë tonë, tanimë jo të drejtpërdrejtë, për të plotësuar 140 vendet e parlamentit!?
“Ata të cilët do të heqin dorë nga liritë thelbësore, në mënyrë që të fitojnë një siguri të përkohshme, nuk meritojnë as lirinë dhe as sigurinë dhe do t’i humbasin të dyja”, thotë në një citim Benjamin Franklin. 

*Anëtar i Forumit të ushtarakëve Euro-Atlantik, kualifikuar në Austri dhe Gjermani për Paqen dhe Sigurinë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...