Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/02/13

Boshko Jakshiq:Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës

Boshko Jakshiq: Nuk duhet lejuar rusët në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Rusia nuk do të zgjidhë asgjë

Boshko Jakshiq: 

Nuk duhet lejuar rusët në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Rusia nuk do të zgjidhë asgjë

Boshko Jakshiq, njëri prej analistëve politikë më të shquar të Ballkanit, ish-korrespondent në Kajro dhe Romë, i pari komentator që në gazetën “Politika” të Beogradit ka kërkuar Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në një intervistë dhënë portalit nga Zagrebi, “Novosti”, jep disa mendime e analiza të vlefshme për gjendjen në Ballkan, raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ndikimin rus në Serbi, luhatjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq mes Moskës dhe Perëndimit dhe gjendjen e opozitës në Serbi.

Një përmbledhje e mendimeve të Boshko Jakshiqit në vijim:

1. Aleksandar Vuçiqi dhe partia e tij janë projekt i krijuar me përkrahjen e Perëndimit për t'i dhënë fund muhabetit për Kosovën. Por Perëndimi po e humb durimin me Vuçiqin.

2. Vuçiq ka një personalitet të dyzuar, ai balancon mes BE-së dhe Rusisë dhe shpesh më shumë ia mban anën Rusisë. I frikësohet Vladimir Putinit. Gëzohet si fëmijë kur futet në avionët luftarakë rusë që Kremlini ia ka dhuruar Serbisë.

3. Mesazhi rus ndaj Vuçiqit është ky: nëse nuk je me neve aq sa duam, ne mund ta destabilizojmë pushtetin.

4. Amerikanët janë kërcënuar me sanksione kundër Serbisë nëse ky vend vazhdon të blejë armë ruse.

5. Vuçiqi e ka sjellë Serbinë në pozicionin që të jetë vatra e fundit e fuqishme e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Frika nga Putini i determinon veprimet e Vuçiqit.

6. Vuçiq luan herë andej, herë këndej, në fund atij askush nuk i beson.

7. Sa i përket Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit: duhet shumë më tepër presion nga Perëndimi. Serbët dhe shqiptarët kanë provuar gjithçka nëpër histori, por të jetojnë në paqe - këtë nuk e kanë provuar. Serbia duhet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por duhet të fitojë diçka, për shembull investime në Serbi nga Perëndimi. (Jakshiq nuk përmend prekjen e kufijve. Kurti dhe Vuçiq, thotë Jakshiq, njihen si radikalë, andaj ndoshta e kanë më lehtë të merren vesh).

8. Marrëdhëniet në rajon kurrë nuk kanë qenë më të këqija, ndërsa Serbia është e vetmuar dhe - në një mënyrë - me të gjithë në konflikt.

9. Mirë që po afrohemi ngadalë realitetit sa i përket Kosovës. Para 10 vitesh Kosova ka qenë alfa dhe omega. Tash popullsia në Serbi merret me gjëra më normale - me xhepin e vet dhe përjetimet vlerore, jo me tokën e shenjtë hyjnore.

10. Anketat tregojnë se shumica e popullsisë në Serbi angazhohet për status quo sa i përket Kosovës, po ashtu edhe gjysma e opozitës. Ajo është kundër zgjidhjes vetëm që Vuçiqi të mos gëzojë imazhin e paqebërësit. Kjo është gabim, sepse kjo nuk është as punë personale, as partiake, por çështje shtetërore. Opozita serbe e percepton Kosovën si çip në pokerin politik, me këtë tregon mungesë të sensit për shtet.

11. Amerikanët mund të jenë më efikasë se BE për shkak se kanë më shumë ndikim në Prishtinë, por nëse Donald Trumpi heq dorë nga Ballkani, atëherë do të gjendemi në telashe të mëdha. Me rëndësi është që në formatin e ri të dialogut (mes Kosovës dhe Serbisë) të mos hyjnë rusët, sepse Rusia është garanci që asgjë nuk do të zgjidhet. Kosova është leva më e madhe e ndikimit rus në Serbi.

12. Kur të zgjidhet problemi i Kosovës, rusët nuk mund ta shantazhojnë Serbinë aq lehtë. Nuk bëhen ata merak që Beogradi e Prishtina tepër janë të barrikaduar në pozicionet e tyre. Në këtë situatë irracionale rreth Kosovës, ne dhe shqiptarët jemi pengje të retorikës së liderëve tanë.

13. Fatkeqësisht opozita serbe është shumë e keqe. Serbia nuk meriton një opozitë të tillë, e cila nuk përfaqëson kurrfarë alternative kredibile kundër Vuçiqit. Opozita e tanishme nuk ka aleat nga jashtë. As Amerika, as BE nuk e përkrahin bojkotimin e zgjedhjeve.

14. Gazeta "Informer" është promotor i urrejtjes së brendshme, rajonale dhe globale. Kjo gazetë është absolutisht nën kontrollin e Vuçiqit. Më shumë ka pasur media të lira në kohën e Sllobodan Millosheviiqt se tani në Serbi.

15. Boris Tadiqi, ish-presidenti serb, ka qenë i dëmshëm për politikën. Tadiq ka treguar se është politikisht naiv dhe i papjekur. Demokratët e Tadiqit e kanë prodhuar Vuçiqin dhe partinë e tij SNS. Përçarja e Partisë Radikale ka qenë projekt i Partisë Demokratike, dhe këtu nga jashtë ka ndihmuar BE, për këtë ka qenë e ngarkuar Franca. Realizuesi më i madh i kësaj ka qenë këshilltari për siguri i Tadiqit, Miki Rakiq. Por në laboratorin e tyre ata krijuan një Frankenshtajn, i cili i mposhti.

(E.R.)

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, ndonëse njerëzit mendojnë se Kosova ka qenë serbe me shekuj të tërë, nuk është e vërtetë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar mbledhjen e sotme mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Veç tjerash, në një intervistë për televizionin publik serb, ai foli edhe për fotografinë e delegacioneve qeveritare me simbolin e shqiponjës me duar, duke thënë se ai “më shumë më ngjan me një pulë sesa me shqiponjë”

“Mua ashtu më duket, ku di unë. Po ta bënim ne atë, menjëherë do të shkonim në Hagë. Ata askund s’e mbajnë flamurin e Kosovës. A e keni parë diku në institucione të Kosovës. E kanë një Ditë të flamurit – të flamurit shqiptar”, tha Vuçiqi.


Image


Në një intervistë për televizionin publik serb, Vuçiqi tha se Serbia gjithmonë ka luftuar për Kosovën dhe gjithmonë ka humbur.

“Njerëzit mendojnë se Kosova është e jona nga kohërat e lashta, por kjo nuk përputhet me të vërtetën. Kemi pasur probleme, gjithmonë kemi luftuar për atë hapësirë dhe gjithmonë kemi humbur. Sipas regjistrimit të popullsisë më 1991 kemi pasur vetëm 17 për qind të popullsisë tonë në Kosovë e Metohi, nga viti 1981 kemi qenë të rrezikuar. Para kësaj periudhe, numri [i serbëve] është rritur nga viti 1955, por më pas nisën presionet nga migrimi shqiptar. Ata ishin shumë të disiplinuar dhe dhanë gjithçka për të vetin, shtetin e tyre shqiptar, e ne kemi qenë plotë kompromise, madje e kemi lëshuar edhe vendin. Të gjithë dëshironin të çlironin atë të veten edhe pse ajo ka qenë serbe. Kemi bërë gabime dramatike, nga të 90-at e tutje jo aq të dukshme, por në kuptimin e zhvillimit ekonomik kanë qenë të këqija”, ka thënë Vuçiqi duke folur për politikën serbe ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se në njërën anë sheh se serbët nuk dëshirojnë zgjidhje të problemit të Kosovës, e në anën tjetër nuk e dimë se me çka përballemi.

Ka thënë se sipas statistikave dhe hetimeve të cilat i ka parë, shumica e popullit të Serbisë dëshiron të mbetet njëfarë statusi neutral, por ka bërë me dije se kjo nuk është e mundur.

Sipas fjalëve të Vuçiqit, shqiptarët janë të gatshëm të përmbyllin shtetësinë e Kosovës me çdo çmim.

“Por, a jemi edhe ne? Ju pyes se çfarë do të bëjmë nëse do të vinte deri tek ndonjë përleshje? Për këtë arsye vazhdimisht ju kam folur se duhet të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, shtoi Vuçiqi, duke kujtuar se ka pasur “luftë me tërë botën dhe me shqiptarët”.

Kreu i shtetit serb ka thënë se Serbia do të ketë probleme edhe më të mëdha se çështja e Kosovës.

“Ne s’kemi dashur të kuptojmë situatën tonë. Gjendja ekonomike është pak më e mirë, e ne mendojmë se mund të bëjmë edhe ato që s’mund t’i bëjmë”, tha Vuçiqi.

Presidenti serb tha të ketë biseduar me zyrtarë të BE-së të cilët i kanë thënë se të gjithë së bashku duhet të bisedojnë, por ka thënë se nuk do të pranojë presione e shantazhe.

“Kanë disa ide për disa kompromise, por asnjë se si t’i qetësojnë shqiptarët. Janë përplot ide, por unë më s’jam i gatshëm t’i dëgjoj. Nuk më intereson fare çmimi. Amerika për shqiptarët është edhe nënë edhe baba, e të tjerët halla e teze”, tha Vuçiqi.

Ai foli edhe vrasjen e politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq, duke thënë se Milan Radojiçiq, i cili u mor në pyetje sot nga organet shtetërore serbe, nuk është fajtor, ndonëse “ai është akuzuar nga të gjithë politikat e mediat, e disa edhe kanë konstatuar se ai është ‘vrasësi i sigurt’”.

Vuçiqi tha se Serbia ka shumë informata për vrasjen e Ivanoviqit, edhe pse ka heshtur.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq :Për Angela Merkelin më shumë rëndësi ka takimi me Albin Kurtin, sesa me mua

Vuçiq: Për Merkelin më shumë rëndësi ka takimi me Kurtin, sesa me mua

Në një bisedim me gazetarë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka folur rreth takimit që së shpejti do të ketë me kancelaren Merkel, taksën dhe çfarë pret nga Qeveria e Albin Kurtit.

Ai ka thënë se çfarëdo bisedimesh, për Serbinë do të jenë më të komplikuara, meqë bashkësia ndërkombëtare kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vuçiq tha se lidhur me këtë, duhet gjetur kompromis për normalizimin e raporteve. Ai megjithatë, shtoi se në takimin me Merkelin nuk do të flitet për kurrfarë planesh të reja rreth Kosovës.

Ai shtoi se biseda e Angela  Merkelit me  premierin e Kosovës zt.Kurtin do të jetë më e rëndësishme sesa me këdo tjetër, meqë i duhet të dijë se çfarë planesh ka ai.

Vuciqi këtu përmendi padinë e paralajmëruar të kryeministrit Albin Kurti për gjenocid ndaj Serbisë dhe shpenzimet për armatim. Për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kurti, Vuçiqi tha se për këtë duhet pyetur kryeministrin e Kosovës.

Profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, deputet i Grupit Parlamentar Partia Liberal Demokrate – Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës – SDA Sanxhak, Zharko Koraq thotë se Kosova kurrë s’ka qenë në fakt pjesë e Serbisë

Deputeti i Serbisë thotë se Kosova kurrë s’ka qenë në fakt pjesë e Serbisë


Deputetët e Kuvendit të Serbisë, Zharko Koraq dhe Dragan Shormaz, kanë folur në lidhje me çështjen e Kosovës në emisionin e ri të serisë “Kosinus”, emision ky që realizohet nga agjencia serbe e lajmeve “FoNet” dhe merret pikërisht me çështjen e Kosovës.

Profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, deputet i Grupit Parlamentar Partia Liberal Demokrate – Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës – SDA Sanxhak, Zharko Koraq, ishte shumë i ashpër kur foli për atë se çfarë do të thotë për të personalisht Kosova. Thotë se atë territor Serbia e ka humbur historikisht, territor i cili, sipas mendimit të tij, në të vërtetë s’ka qenë kurrë pjesë e vërtetë e Serbisë.

“Ndodh që shtetet të humbin një pjesë të territorit të vet sepse nuk ia kanë dalë, ta them një fjalë neutrale, ta përvetësojnë atë. Serbët gjithmonë kanë pasur një raport shumë negativ ndaj shqiptarëve, ka pasur racizëm. Tek ne fjala ‘shiptar’ nënkuptonte një punëtor fizik, të paarsimuar, e kjo për një shqiptar të arsimuar është shumë e vështirë të pranohet”, vlerëson Koraq.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Përparimtare Serbe, partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Dragan Shormaz thotë se për të, sa i përket Kosovës, rëndësi ka populli serb dhe se dëshiron që asnjë serb të mos e lëshojë më Kosovën.

“Nëse është e mundur të kthejmë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse kjo është mënyra e vetme që të vazhdojmë të themi se është e jona, dhe natyrisht të mbrojmë trashëgiminë tonë historike dhe kishën ortodokse serbe sepse edhe ajo, pa popull, vështirë se do të mbrohet”, deklaron ai.

Për sa i përket referendumit, Koraq thotë se beson që as që do të ketë një të tillë, edhe pse, sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdimisht premton. Po ashtu mendon se edhe nëse do të ketë, formulimi do të bëhet në atë mënyrë që për njerëzit do të jetë e paqartë se çfarë po votojnë.

Shormaz thotë se qytetarëve serbë duhet t’u bëhet “kristal e qartë” se çfarë fiton e çfarë humb Serbia me marrëveshje me Kosovën.

Për sa i përket ulëses së Kosovës në OKB, profesori Koraq thotë se një ditë do të ndodhë kjo dhe Serbia thjesht nuk do ta ngre dorën kundër këtij vendimi.

“Nëse arrihet marrëveshja, Serbia do të detyrohet të mos e ngre dorën kundër – pra, s’do të votojë as pro as kundër, por do të jetë pasive. A do të jetë Kosova një ditë anëtare e OKB-së? E dini, në OKB është Palestina, e cila e kontrollon territorin e vet më pak sesa Kosova”, tha ai.

Kurse deputeti i partisë së Vuçiqit, Shormaz, tha se nëse Kosova do të bëhet pjesë e OKB-së, Serbia duhet të fitojë diçka.

“Nuk mund të thuhet që Kosova të ketë ulëse në OKB, e Serbia nga kjo të mos përfitojë asgjë”, tha ai.

Të pyetur rreth konfliktit të ngrirë mes Kosovës e Serbisë, profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, Zharko Koraq thotë se për Serbinë opsioni më i keq do të ishte ky konflikt, për çka, thotë ai, “insiston një pjesë e politikanëve në Serbi, e insiston, si duket, edhe Rusia”.

Ndërkaq Shormaz thotë se marrëveshja është zgjidhja e vetme, si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët.

Për zgjidhjen e kompromisit, profesori thotë se është i mundshëm, një kompromis që përfshin gjithçka. “Natyrisht se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga pavarësia, dhe kjo është jashtë kompromisit”.

Kurse deputeti Shormaz thotë se për kompromis, të dyja palët duhet të heqin dorë nga diçka.

“Për të arritur kompromisin, duhet që të gjithë ne të heqim dorë nga diçka. Kjo heqje dorë të jetë humbja më e vogël e mundshme, si për njërën ashtu edhe për palën tjetër”, thotë Shormaz.

Deputetët u pyetën edhe për demarkacionin (shkëmbimin e territoreve). Profesori Koraq thotë se kjo ide ishte një gënjeshtër, sepse asnjëra palë nuk do të humbasë pjesë të territorit të vet.

“Ideja për demarkacionin është një gënjeshtër, dhe mendoj se asnjëherë që nga fillimi i saj s’ka qenë reale. Sepse as shqiptarët e as përfaqësuesit e Republikës së Serbisë nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga një pjesë e territorit të tyre”, tha profesori.

Kurse Shormaz tha se do të donte që e tërë Kosova “të mbetet” pjesë e Serbisë.

“Ka qenë një ide për kompromis të mundshëm. Por, a është në tavolinë ende, nuk është pyetje për mua. A më pëlqen mua si ide apo jo, ju them se unë do të doja më së shumti që Kosova të mbetet krahinë autonome brenda Serbisë”, tha Shormaz

Branislav Kërstiq,gazetar serb mbështet idenë e Kurtit për dialog me serbët e Kosovës

Gazetari serb mbështet idenë e Kurtit për dialog me serbët e Kosovës
Dialog poshtë-lart, përkatësisht dialog me serbët e Kosovës ka premtuar kryeministri Albin Kurti, para se të arrijë marrëveshje me Serbinë.

Inicimin e një dialogu të tillë e mirëpret Branislav Kërstiq, i cili është gazetar dhe analist që vepron në Mitrovicën e veriut, komunë kjo e cila popullohet me shumicë serbe dhe udhëhiqet prej Listës Serbe.

“Qytetarët e rëndomtë serbë në veri e kuptojnë se me qasjen ‘partizane’ të Prishtinës nuk mund të ketë integrim. Kujtoj rastin e presidentit Thaçi, i cili vitin e kaluar erdhi dhe lundroi nëpër Gazivodë, në veri duke ‘kërcënuar’- me shefin e policisë dhe inteligjencës. Mendoj se Albin Kurti e ka kuptuar se kjo nuk është qasja që duhet aplikuar në raport me serbët”, ka thënë Kërstiq ..

Ai ka shtuar se Kurti do të duhej ta vizitonte veriun pa ndonjë bujë të madhe, pa spektakle me ushtri e polici.

“Asnjë kryeministër për 20 vjet nuk ka ardhur në veri të bisedojë me qytetarët. Shumë serbë janë arrestuar prej regjimit të Beogradit. Për ata qytetarë Kurti është i mirëseardhur. Ne aktualisht jemi veç monedhë kusuri, me të cilin Vuçiqi bën pazare”, ka theksuar Kërstiq. “Kurti deri tani nuk ka çuar sinjal se do të vjen me polici apo ushtri. Nëse dikush tenton ta kërcënojë apo ta sulmojë, kjo do të ndodhte vetëm me direktivat e Vuçiqit. Fatkeqësisht tërë veriun e kontrollon regjimi i Vuçiqit. Por sa e njoh, Albini nuk ka pasur frikë as në kohën e Milosheviqit, duket se nuk ka frikë as tash. E ka rrugën çel për ta vizituar veriun”.

Në prezantimin e programit para deputetëve, Kurti nuk ka treguar nëse do ta vizitojë veriun. Por është shprehur i gatshëm t’i udhëheqë bisedimet e ardhshme me Serbinë, duke thënë se do të ketë një ekip gjithëpërfshirës për bisedime, në kuptimin politik, etnik, shoqëror dhe profesional.

Sipas Kurtit, dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve.

Analisti Kërstiq thotë se, shumica e serbëve janë kundër ndarjes dhe dëshirojnë të jetojnë brenda shtetit të Kosovës.

“Ky nuk është një mendim vetëm i imi, por edhe i njerëzve që janë të befasuar se si Beogradi duke e kontrolluar veriun me mafinë e tij, luan lojëra me serbët, ndërsa Prishtina nuk reagon”, ka theksuar Kërstiq, i cili deri në vitin 1999 ka jetuar në Gjakovë. Por, sipas tij, të pashmangshme do të jenë temat që prekin asetet strategjike të Kosovës, siç është Gazivoda, përkatësisht rrjeti energjetik në veri.

Deri tani nuk ka pasur konsensus rreth temës që ka dominuar agjendën e qeverive të kaluara, duke shkaktuar madje përplasjet më të mëdha. Po ashtu, nuk dihet cili do të jetë roli i presidentit Thaçi, i cili prej vitesh ka lansuar idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Edi Rama, Aleksandër Vuçiqit për Masakrën e Reçakut: Si mund të mohohet një krim lufte i dokumentuar mirë


Rama, Vuçiqit për Masakrën e Reçakut: Si mund të mohohet një krim lufte i dokumentuar mirë

Foto: EPA


Rama, Vuçiqit për Masakrën e Reçakut: Si mund të mohohet një krim lufte i dokumentuar mirë
Pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e quajti masakrën e Reçakut si një histori të trilluar nga ish-Ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka ardhur edhe një reagim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare i bën me dije Serbisë së realiteti i Kosovës është tashmë i qartë “si kristali”, ndërsa kërkon prej saj që të punojë për ta bërë rajonin tonë një model për të ardhmen, ku të gjithë të jetojnë me paqe dhe me prosperitet.

“Aleksandar Vuçiq, si mundet dikush ende të mohojë në ditët e sotme një krim të mirëdokumentuar lufte! Përse është kaq e vështirë të kuptohet se përderisa Serbia do të jetojë duke mohuar realitetin e qartë si kristali të Kosovës, fantazmat e së kaluarës do të vazhdojnë të rrezikojnë rrugën e Serbisë drejt së ardhmes. Miq! Mjaft mohuat një luftë të pistë që një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd e ka kryer! Ecni përpara! ‘Lejoni të vdekurit t’i varrosin të vdekurit’ dhe të bëjmë së bashku atë që pritet nga ne ta bëjmë: të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe të fillojmë ta bëjmë rajonin tonë model”, shkroi Rama në Twitter.

Ngjashmëria e marrëveshjes izraelite me atë të Kosovës, të hartuar nga i njëjti ekip i Donald Trumpit




Ngjashmëria e marrëveshjes izraelite me atë të Kosovës, të hartuar nga i njëjti ekip i Trumpit

Plani për Lindjen e Afërme i prezantuar ditë më për në Shtëpinë e Bardhë ka shumë pika identike si ai i përgatitur për Serbinë e Kosovën, shkruan Borisllav Kashanski në “Republika” të Beogradit.

Sipas informatave të Telegrafit serb nga qarqet diplomatike, planin për zgjidhjen e kontestit shumëdekadësh ndërmjet Izraelitëve e palestinezëve e kanë hartuar njerëzit e njëjtë që kanë vizatuar konturat e strategjisë amerikane për zgjidhjen e raporteve midis Beogradit e Prishtinës, që këto ditë nis të realizohet nga i dërguari special i Trumpit, Richard Grenell.

Amerikanët e kanë dërguar Grenellin që të heqë taksën dhe t’ia bashkojë Serbisë veriun e Kosovës.

Kjo është paralelja midis dy marrëveshjeve, e cila duket kështu:

Izraeli - Palestina

1.Ripërcaktimi i kufijve – palestinezët fitojnë shtetin

2.Kryeqyteti i Palestinës Jerusalemi Lindor, ndërsa i Izraelit Jerusalemi

3.Izraeli mban vendbanimet e veta në Bregun Perëndimor

4.Statusi i deritashëm i vendeve të shenjta do të mbetej edhe më tutje i pandryshuar

5.Hebrenjve nuk do t’u lejohej të blinin shtëpitë e arapëve dhe anasjelltas

6.Marrëveshja do të mbështetet financiarisht me miliarda dollarë, në radhë të parë nga SHBA

7.Kufiri në mes të Palestinës dhe Izraelit do të jetë i hapur për lëvizje të qytetarëve dhe të mallrave, do të ndërtohet një tunel që lidhë Bregun Perëndimor me Bregun e Gazës

Beograd – Prishtinë

1.Rikufizimi – Serbisë i mbetet pjesa veriore e Kosovës

2.Mitrovica në njëfarë dore bëhet një lloj Jerusalemi, e ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ose do të marrin status special të distrikteve

3.Serbia mban komunat në veri të Kosovës, ashtu sikurse Izraeli të vendbanimeve të veta në Bregun perëndimor

4.Mbrojtja e veçantë dhe statusi eksterritorial për vendet e shenjta serbe jashtë veriut të Kosovës

5.Shqiptarët nuk do të mund të blejnë shtëpitë serbe dhe anasjelltas

6.Pakoja ekonomike, posaçërisht për veriun aktual të Kosovës, para së gjithash për ndërtimin e infrastrukturës dhe të uzinave prodhuese. Të sigurohen para, do të thirret konferencë ndërkombëtare, Amerika sjell investitor të rinj në Serbi e në Kosovë

7.Kufiri midis Kosovës e Serbisë (pjesa veriore e Kosovës) do të jetë i hapur për lëvizje të qytetarëve e të mallrave, pa qëndrim të gjatë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...