Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Bardhyl Demiraj: Gjak i shprishur


Picture


Autori i librit, prof. dr. Bardhyl Demiraj, falë kërkimeve të zhvilluara prej tij pranë arkivave kishtare romane, trajton një sërë çështjesh të rëndësishme për historinë e teksteve të vjetra arbëreshe dhe shqiptare. Përmes një qasjeje të veçantë ekdotike dhe një interpretimi origjinal të disa dokumenteve të vjetra, autori mbërrin në rezultate dhe përfundime të reja për historinë e filologjisë shqipe, duke hedhur dritë kështu mbi një periudhë të pastudiuar si duhet, por me interes të madh për të kuptuar zhvillimet e shekujve të mëpasmë. Me këtë libër të Bardhyl Demirajt tekstet e traditës arbëreshe i nënshtrohen një qasjeje filologjike në kuptimin e ngushtë të fjalës, sa mund të themi me plot gojën se kemi të bëjmë këtu me kontributin e parë të mirëfilltë të një autori shqiptar për filologjinë arbëreshe.
Francesco Altimari

Ardian-Christian Kyçyku: Incognito



Picture
​Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb.
Ligjërimi i romanit Incógnito i shkrimtarit Ardian–Christian Kyçyku rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja, duke vendosur një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qënieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta. Gjërat rrjedhin herë si në ëndërr, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qënien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon nëntekstin e librit.
Brenda 24 vjetëve, gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; poashtu edhe vendlindja, - në kahe e kohë të ndryshme, - ndërsa shqiptari Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër, dhe Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme. Vazhdon të presë një dashuri tjetër atje ku dikur, bashkë me të dashurën, prisnin vdekjen.

Mark Lucgjonaj: Ligji i maskave

Picture


Romani “Ligji i maskave” i shkrimtarit shqiptar që jeton në Mal të Zi, Mark Lucgjonaj, lundron mes njerëzores dhe fantastikes në një lojë që prek mendjen, ndjenjën e dashurinë në kufijtë e transhendencës; një roman ku kohët dhe ngjarjet takojnë njëra-tjetrën pa u ndier, mes portave sekrete të qiellit dhe ligjeve të pushtetit okult. Një histori fantastike që ruan tensionin e pritjes për të parë kufijtë e deformimit, si metaforë e pakohë dhe e pavend, por, njëkohësisht, lehtësisht e identifikueshme dhe e gjithmonshme e qenieve njerëzore.
Ermira Çaku-Aliaj, Shkodër

Me një mënyrë të eksperimentuari të guximshme, në laboratorin e tij krijues realiteti merr një tjetër dimension dhe zhvishet plotësisht para një shoqërie të nënshtruar ndaj rregullave dhe ligjeve absurde. Stili tërheqës bën që lexuesi të jetë i përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave, jo vetëm duke ia shtuar kureshtinë për të zbuluar atë çfarë ndodh, por edhe për t’i nxitur impenjimin për të lexuar mes rreshtave.
“Ligji i maskave” është romani i dytë i Mark Lucgjonaj, pas atij me titull “Fshati i heshtjes”, të dy botuar në Tiranë nga “Naimi”, ndërkohë që Mark Lucgjonaj ka botuar edhe vëllimin poetik “Zhurma e mendimeve”.
Lori Kola, Lezhë
 

Ledion Krisafi: Shqipëria dhe Jugosllavia 1945-1948 - Mitet, faktet dhe dyshimet


Picture


Libri "Shqipëria dhe Jugosllavia, 1945-1948: Mitet, faktet dhe dyshimet" i  dr. Ledion Krisafi vjen pas një mbrojtje të suksesshme që autori realizoi me temën e tij doktorale para pak kohësh. Megjithëse punimi mbështetet në punime të mëparshme për këtë temë dhe, gjithashtu, në një bibliografi shumë të pasur me autorë vendas e të huaj, përsëri ai realizon ambicien për të shkuar më tej në trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro - jugosllave të periudhës 1945-1948.
Është meritë e autorit që, për herë të parë në mënyrë shkencore e plotësisht të argumentuar, të sfidojë “mite” të ngritura në paradigmën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në fushën e studimit të këtyre marrëdhënieve ka kritikë, studiues dhe historianë, të angazhuar në analizën e këtyre marrëdhënieve. Por, pak prej tyre kanë arritur t’i shmangen subjektivitetit. Një pjesë glorifikojnë apo anatemojnë emocionalisht këtë periudhë historike. Me këtë monografi, studiuesi i ri mund të radhitet në grupin e studiuesve që, duke u mbështetur në të dhëna burimore të palëve (shqiptare dhe jugosllave); të grumbullojë, identifikojë, analizojë dhe përdorë në mënyrë të suksesshme literaturën e, pastaj, të arrijë në përfundime origjinale, larg qëndrimit shabllon ‘bardh e zi’.
Libri synon, gjithashtu, që për herë të parë të japë këndvështrimin jugosllav mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave tek lexuesit shqiptarë. Nëpërmjet analizës së raporteve të të dërguarve jugosllavë në Shqipëri, kuptohet se si ata e shihnin Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, si dukej qendrimi i Enver Hoxhës ndaj Jugosllavisë dhe çfarë priste ai prej kësaj marrëdhënieje. Kjo është shumë e rëndësishme pasi raportet e të dërguarve jugosllavë nga Tirana dërguar udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito apo Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë përcaktonin politikën e jashtme të Jugosllavisë, edhe atë ndaj Shqipërisë.
Studimi i këtyre të dhënave të nxjerra nga autori nga arkivat e ish-Jugosllavisë në Beograd, jo vetëm që hedhin dritë të re mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të asaj periudhe, por ri-interpretojnë politikën e jashtme të Shqipërisë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore dhe qëllimin e Enver Hoxhës në politikën e jashtme jo vetëm në lidhje me Jugosllavinë por edhe me Bashkimin Sovjetik.
Autori analizon në themel marrëdhëniet dypalëshe dhe trajton dilemën për shkaqet e aleancës  si formë e balancimit të kërcënimit, ndërsa të prishjes së tyre si rrjedhojë e ndryshimeve  strukturore ndërkombëtare. Gjithashtu, prishja e këtyre marrëdhënieve është në një masë të madhe edhe vazhdim i balancimit të kërcënimit. Në llogaritë e politikës së jashtme që Enver Hoxha bën, interesi kombëtar zë vendin e parë dhe jo afërsia ideologjike. Duket se udhëheqësi shqiptar nuk ka iluzione për politikën ndërkombëtare dhe nuk heziton të shkojë apo të përpiqet për një farë kohe të shkojë aty ku interesat kombëtare të Shqipërisë do të shërbeheshin më mirë dhe me më pak rrezik për vetë Shqipërinë.
Interesante janë analizat se si këto ndryshime marrëdhëniesh janë perceptuar nga drejtuesit e regjimeve në të dy vendet. Ndryshe nga një pjesë e ideve të pranuara në literaturën e sotme historike, studimi gjen se faktori sistemik ndërkombëtar është shkaku më i rëndësishëm në sjelljen e jashtme të shtetit shqiptar dhe në përcaktimin e aleancave të tij specifike; porse ky faktor nuk mund të shpjegojë këtë sjellje pa marrë në konsideratë faktorë të brendshëm si perceptimi i udhëheqjes politike për kërcënimet e jashtme ndaj sigurisë së Shqipërisë dhe regjimit politik.
Shqipëria thelloi aleancën me Jugosllavinë për të balancuar balancuar fuqitë kërcënuese në rajon apo edhe më gjerë, kryesisht për  rrezikun e perceptuar që i vinte rrëgjimit nga një politikë e hapur ndaj fuqive perëndimore, por edhe ra në varësi të plotë të Jugosllavisë për të njëjtin shkak: fuqisë relative inferiore të Shqipërisë dhe pamundësisë për të balancuar kërcënimin jugosllav nëpërmjet aleancave më të favorshme për Shqipërinë. Dallimi është se ndryshimet në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe fillim të Luftës së Ftohtë ishin shumë më të shpejta dhe intensive se në periudhën ndërmjet dy luftërave; në rastin e parë koha që aleanca të shndërrohej nga politikë balancuese në burim të kërcënimit ishte më e gjatë; në rastin e dytë shumë më e ngjeshur dhe e shkurtër.
Autori sjell argumente se forca përcaktuese në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë nuk është Shqipëria, por Jugosllavia. Dhe interesat kombëtare strategjike midis të dy vendeve nuk mund të ishin të njëjta e as të përafërta dhe do të dominoheshin nga koncepti i fuqisë. Në këto kushte, është e rëndësishme të kuptohen qëllimet dhe objektivat politikës së Jashtme të Shqipërisë dhe Jugosllavisë pas luftës. Autori tregon se pavarësisht afërsisë ideologjike të Partive Komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri, nuk ishte kjo arsyeja kryesore pse Shqipëria ndërtoi marrëdhënie të ngushta me Jugo-sllavinë. Arsyeja kryesore gjendet tek një vështrim më realist i politikës së jashtme të Shqipërisë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, një qasje që do të vazhdojë edhe në dhjetëvjeçarët në vazhdim pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
Autori tregon se qëllimi i Enver Hoxhës dhe udhëheqjes shqiptare në skenën ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore ishte mbijetesa dhe krijimi i një lloj mëvetësie ekonomike që do të siguronte mbijetesën. Marrëveshjet me Italinë në vitet 20-të dhe 30-të ishin shembulli i asaj që nuk duhet të ndodhte. Pavarësisht se mundësitë e Shqipërisë ishin tepër modeste, kjo tezë mbështetet mbi faktin që udhëheqja shqiptare kërkonte nga Jugosllavia atë ndihmë që do të çonte drejt një pavarësie ekonomike dhe që më vonë kërkoi po ashtu edhe nga Bashkimi Sovjetik. Kërkesat ndaj të dy palëve tregojnë qëllimin e udhëheqjes shqiptare. Edhe fakti që Jugosllavia nuk pranoi ta jepte, ndërkohë që Bashkimi Sovjetik po, tregon se edhe nga pala jugosllave nuk ishte afërsia ideologjike që shtynte drejt marrëdhënieve të ngushta me Shqipërinë, por një këndvështrim krejtësisht realist i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Marrëdhënia ndërmjet dy partive komuniste dhe dy udhëheqësve komunistë ishte asimetrike në kuptimin e varësisë së palës shqiptare ndaj asaj jugosllave;  Shqipëria gjendej përballë një pozite të vështirë ndërkombëtare si në pikëpamje legale - mosnjohja e Shqipërisë nga fuqitë perëndimore dhe problemi i kufirit në jug të Shqipërisë, po ashtu edhe në pikëpamje të fuqisë relative shprehur në kapacitetet për  të mbrojtur e vetme tërësinë territoriale. Ndërkohë raportet e shpërndarjes së fuqisë në rajon dhe strukturat e aleancave të krijuara ishin të paqarta në periudhën menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Pikërisht duke u fokusuar në këtë periudhë dhe në këtë situatë, autori nëpërmjet burimeve origjinale arrin të japë një analizë të qartë të gjithë kontekstit se cili ishte roli aktorëve politikë, ekonomikë, ushtarakë, ideologjikë dhe i lidershipit në marrëdhëniet dy-paleshe. Literatura e pasur, por edhe e përdorur për herë të parë në këtë libër e bën më interesante dhe shumë me interes trajtimin e kontekstit të marrëdhënieve midis vendit tonë dhe Jugosllavisë në periudhën 1945-1948.
Libri është shkruar plot realizëm е pasion. Libri dо të jetë një ndihmesë e çmuar në historiografinë tonë.
Lexim të mbarë!
Prof. dr. Kristaq Xharo

Julian Abrashi: Akull dhe zjarr

Të duash dhe të respektosh femrën, gruan, nënën do të thotë të duash e të respektosh përtëritjen, dashurinë, d.m.th., vetë jetën tënde... 
Picture

Ky është mesazhi që përcjell romani më i ri i Juljan P. Abrashit me titull “Akull dhe zjarr”. Elise dhe Ludwig, të cilat simbolizojnë Akullin dhe Zjarrin, janë frymëzim emrash nga pjesëza muzikore e Ludwig (Ludvig) von Bethoven “für Elise” -për Elizën. “Kur e kam dëgjuar, jam mahnitur. Ritmi i saj më dërgoi në universin e pafundëm planetesh dashurie. Dhe mendova pse mos të shkruaja mbi një histori dashurie me këta dy personazhe” shpjegon autori. “Dalëngadalë, nisur nga bisedat e përditshme, problemet, kërkimet, të rejat personale, u vura në hasje me një vrasës të pazakontë në Shqipëri. Vrasësin, për të cilin askush nuk flet, askush nuk ndihet. I heshtur, por i fortë. Dyqind fëmijë nga një mijë shtatzëni abortohen në Shqipëri. Një shifër marramendëse kur, krahasuar me Gjermaninë, për shembull, është vetëm gjashtë aborte për një mijë lindje; pra, mbi tridhjetë e tre herë më e lartë... Sot, në një farë mënyre, vrasin të gjithë: Unë, ti, të tjerët, politika, mentaliteti, bota, mosveprimi, harresa... Edhe pse në Bibël thuhet: ‘Kockat e mia nuk ishin një gjë e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi, duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende’ “Kockat e mia nuk ishin një gjë e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi, duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim; në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende”.

Në vend të përkujtimin për profesorin tonë të dshur : Zenun Gjocaj (1943 – 2013)


Nga Shkëlzen Ukëhaxhaj

Zenun Gjocaj (1943 – 2013), mësimdhënës, i burgosur politik, veprimtar dhe shkrimtar i dalluar

Zenun Gjocaj (1943 – 2013)

Zenun Gjocaj u lind në prillin e vitit 1943 në Gjocaj. 

Shkollën fillore e kreu në Junik – fshati më i madh i Kosovës ku “bashkëjetojnë” dymbëdhjetë fiset dhe me Kuvendin e Majit të vitit 1912 hyri në analet e historisë kombëtare. Në vitin shkollor 1959/60 të shkollimin e mesëm e filloi në Normalen e Prishtinës, por pas dy muajsh u kthye në Pejë dhe u regjistrua në gjimnazin e këtij qyteti – drejtimi pedagogjik.

Në vitin shkollor 1963/64 u emërua mësues në Jasiq, fshat afër vendlindjes së tij. Aty përherë të parë vijonin mësimin nxënësit nga klasa e parë në të katërten. Ishte mësuesi i parë në këtë vatër të re arsimore.

Pas një viti Zenun Gjocaj regjistrohet në shkollën e lartë pedagogjike në Prizren – dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Ndër të tjerë, të gjeneratës e pat edhe prof Fadil Sylejmanin i cili pak ditë para tij, po ashtu, u nda nga jeta. Pasi që kreu studimet punoi katër vjet në shkollën fillore të Carrabregut, tash” Lidhja e Prizrenit”, duke vazhduar njëkohësisht edhe studimet në Fakultetin Filozofik dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, të cilat i kreu dhe në vitin shkollor 1972/3 filloi të punojë në gjimnazin “ Vëllezërit Frashëri” në Deçan si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në të njëjtin vit u regjistrua në studimet pasuniversitare në Prishtinë në Degën e Gjuhësisë. I përcolli me përkushtim ligjëratat e emrave më të shquar të albanistikës siç ishin Çabej, Domi, Kostallari, Demiraj etj.

Prej vitit 1976 deri në vitin 1981 punoi në Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Veprimtarinë arsimore në këtë institucion ia ndërpresin organet policore në pranverën e vitit 1981. Atë vit pas dy muajsh që mbahet në burg lirohet për mungesë provash. Ndërkaq, në vitin tjetër ia vunë sërish prangat dhe e dënuan me disa shokë si pjesëtar të Lëvizjes ilegale. Ishte ndër të burgosurit e rrallë me gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.

Siç dihet, pas demonstratave të vitit 1981 rrethanat politike në Kosovë përkeqësoheshin gjithnjë e më tepër. Ato i përjetonte mbarë populli e në veçanti inteligjencia shqiptare, të cilën pushtuesi dhe argatët e tij përpiqeshin ta gjunjëzonin me çdo kusht. Edhe Zenun Gjocaj, i liruar nga burgu në gjysmën e dytë të asaj dekade, s’kishte si të mos përballej me ato rrethana. Qëndroi i palëkundur si edhe bashkëveprimtarët e tjerë.

Pak muaj pasi doli nga burgu u martua me mësuesen, Remzie, meqë fejesën e kishte zyrtarizuar kur ishte prapa grilave. Ajo ishte nga fshati Novolan i Vushtrrisë. Intelektual me sjellje e virtyte të rralla, Zenun Gjocaj u ambientua shpejt në atë mes, gati të panjohur deri atëherë. Përveç të tjerëve, ai u njoh edhe me Ramadan Pllanën e Nebih Sejdiun, dy të burgosur politikë të asaj ane, të cilët e njoftonin, ndër të tjera, edhe për shokët që i kishin lënë në kazamatin famëkeq të Nishit. Përveçse për të nipin, Hasan Ukëhaxhaj, lidhja e gjakut e të cilëve qe shndërruar në lëgurë në saje të idealit të përbashkët që nga bankat e shkollës së mesme, prandaj edhe të pandashëm edhe në demonstratën e një prillit të vitit 1981 në Prishtinë. Ata e njoftonin edhe për shokë të tjerë si Berat Luzhën, Hysen Gegen, Muhamet Rogovën e ndonjë tjetër. Këtë të fundit Zenuni e njihte nga afër që nga viti 1979. Ai takohej edhe me të burgosurit e Deçanit ndër të cilët mund të përmenden Avdullah Hasanmetaj, Dinë Ahmetaj, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha e ndonjë tjetër. Ato takime e kishin domethënien e vet të padiskutueshme: Dëshmonin se ata kishin dalë të pathyeshëm dhe ishin të gatshëm të vazhdonin rrugëtimin e mëtejmë për çlirimin e Kosovës, siç edhe u provua.

Zenun Gjocaj, pat botuar disa artikuj nga fusha e gjuhësisë edhe para se të burgosej. Në dhjetorin e tetëdhjetës ai e mbrojti temën e magjistraturës “ Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike”. Tani, vazhdoi të punojë me përkushtim në këtë fushë. Ishte një fillim i ri dhe frytet nuk munguan. Kështu, përveç temës së doktoratës, të cilën e mbrojti me 1997, i la të botuara më së tridhjetë punime me tematikë nga fusha e gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Së fundi, profesor Zenun Gjocaj e provoi veten edhe në fushën e poezisë; arriti ta botojë veprën në tri vëllime me titullin “ Rilindjet e orës arbërore”, në të cilën e pasqyron heroizmin e popullit tonë gjatë shekujve. Zenun Gjocaj punoi, gjithashtu, me përkushtim, bashkë me shokët dhe veprimtarët tjerë, për përgatitjen dhe botimin e veprës në disa vëllime “ Feniksët e lirisë – Dëshmorët e UÇK-së”. Përveç të tjerave ai i shkroi edhe biografitë e dhjetëra dëshmorëve, kryesisht të anës së Dukagjinit.

Profesor Zenun Gjocaj eci në tri shtigje: në fushën e arsimit i ka të rrallë shokët që haproi në të gjitha shkallët e tij: mësues i cili u mësoi vogëlushëve ABC – e shqipes, arsimtar e profesor i gjuhës shqipe në shkollat fillore e të mesme për të arritur në auditorët e botës akademike në Fakultetin e Edukimit ku punoi rrafsh dhjetë vjet. Kjo veprimtari shtrihet në harkun kohor prej një gjysmë shekulli, 1963 – 2013. Për veprimtarinë patriotike si pjesëtar i Lëvizjes ilegale u tha më lart, ajo çka mund të thuhet në këtë shkrim, por kësaj mund t’i shtohet veprimtaria e Zenun Gjocit me nxënësit e shkollave të mesme, të cilëve ndër të tjera u lexonte tekste që s’ishin të parapara në programin zyrtar, u shpërndante edhe revista si “Shqipëria e re”, “Ylli” edhe ndonjë tjetër, me qëllim që ta ngrehë sa më lart vetëdijen e tyre kombëtare. Në fushën e shkencës asaj që u tha pak më sipër po i shtoj edhe këto: shumica e artikujve të botuar kanë për tematikë kulturën e gjuhës, çështjet të ndryshme të morfologjisë dhe leksikologjisë. E mbrojti gjithkund njësimin e gjuhës letrare shqipe dhe në këtë aspekt polemizoi me të gjithë ata të cilët i morën kazmat për ta shembur të arriturën më të madhe në kulturën shqiptare. Ndërkaq, me temën e doktoratës “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe” dha një kontribut të padiskutueshëm në këtë fushë të gjuhësisë shqiptare. Me këtë vepër profesor Zenun Gjocaj, mund të thuhet pa ngurrim se është një nga nxënësit më të denjë të demiurgut të kësaj fushe në gjuhësinë shqiptare – akademikut Jani Thomaj.

Vdekja, më 14 shkurt 2013, e gjeti në punë. Ajo ia ndërpreu atë edhe jetën, por gjurmët që i la do ta përballojnë kohën.

(Naim Fetaj, “MË LANË EDHE PA KËNGË”, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, faqe 136, ISBN 978-9951-760-19-5)


Në lirikën e sotme shqipe, Naim Fetaj hyn si një poet i spikatur, me vargun eksplicit (të qartë), dhe me porosi përmbajtjesore.
Shefqet Dibrani: Lirika eksplicite e Naim Fetahajt
“Kompasi më la… e vetë e theva qafën/ Sot e atë ditë… s’e gjeta Itakën”, janë këto dy vargje të shkëputura nga poezia “AUTOBIOGRAFI”, faqe 125, që demonstrojnë opusin e tërësishëm poetik, që manifestohet si një autopsi për vetveten, nënën, atdheun dhe të tjerët. Kjo poezi është një radiogram, është një gjetje fatlume, është një mbushullim lirik përplot melankoli, një lirikë e larë kudo me lot, e çarë me gjëma e dënesje. Kjo që ka shkruar Naim Fetaj, është një poezi ku do të gjejmë lot e këngë përzierë si gotë me verë, mesazhe përmbajtjesore e porosi për jetën, mllef poetik e protestë intelektuale, po më shumë manifestohet si këngë epike të ngjizura në përmbledhjen më të re “MË LANË EDHE PA KËNGË”.

Pa dyshim këto krijime e vërtetojnë këtë konstatim, ndërsa poezitë i japin vlerë lirikës së sotme poetike, sidomos kur shkruan se “Iku dhe kjo verë/ Shiu edhe vjeshta/ Dergjen poetët mbi vargje/ Mbi vargje e vjersha”, poezia “REKUIEM PËR POETËT”, faqe 118. Me një fjalë, janë lirika artistike që e bëjnë autorin më të dalluar ndër poetët e dalluar, të cilët me përkushtim shkruajnë poezi që lexohen me pasion. Vargu i këtyre poezive është mjaftë i ngjeshur dhe ka një formë eliptike të rrëfimit1.

VETË E ENDËM NATËN

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër

Nata më e thinjur nata më e vjetër

Kot murosëm gra… ndër ura e kala

Vetë e endëm natën

Me njëmijë hata

Që atëherë me fajin tonë e rritëm

…shitojmë natën e vajtojmë ditën

Faqe 17.

Jo vetëm aspekti eliptik, por në poezitë e librit ka një alegori e cila lidhet me mallkimet tona, për të cilat u zë peng bota dhe mbetën legjendë si robi për dhembjet tona. Në anën tjetër sikur kanë zbuluar një zakon të largët, sado i shëmtuar, por duket se gjeneza e dhunës lidhet me sakrifikimin e detyrueshëm që detyrueshëm binte vetëm mbi gratë?! Si duket kjo legjendë shekullore prej kohësh ka prekur gjëmat e dhembjeve tona, për të cilat as sot s’kemi guxim të hulumtojmë, nga frika se zbulohen veset e marrëzishme të gjinisë sunduese kundër asaj poshtërueses që mbetet gjithmonë e diskriminueshme.

Poeti Naim Fetaj, si rrallë kush poezinë e mbyllë me varg i cili jep mesazh të fuqishëm në njërën anë, kurse në anën tjetër, metaforën e lidh edhe tek një fjalë e vetme, tek një varg përtej të cilit nuk mund të vazhdohet, pasi ai në mënyrën më artistike, në formë hiperbolike e mbyll vertikalisht kuptimin e atij mesazh përmbajtjesor, me porosi të qartë, përmbledhës dhe po aq lirike. “Vjershat si po shkruhen nuk i do kush/ Poeti oborrtar mbet si qeni n’rrush”, poezia “KOHË E PAKOHË PËR POETËT”, faqe 19. Vërejtje kaq të drejtpërdrejt nuk kemi has gjëkundi, por e thënë në mënyrë lirike disi përpihet, megjithatë elita intelektuale duhet ta marrë si vërejtje serioze për të mos u skllavëruar nga interesi, për tu shndërruar pastaj në pronë të paluajtshme për oborrtarët, se “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”, poezia “PËR VRASËSIN TIM”, faqe 22. Sille kah ta sillesh, lirika më të këndshme zor se mundemi me i gjetur, prandaj para se me hulumtuar është më mirë me pranuar se Naim Fetaj është poet i lindur, i cili më shumë se kushdo tjetër stërhollon mendimin artistik, padyshim një shembull i mirë në lirikën e sotme shqipe!

Këtë konstatim po e ilustrojmë me dy poezi përkushtimi, e para shprehë revoltë e mallkim ndërsa tjetra dhembje e miklim që manifestohet si metamorfozë për dhembjen që ka poeti për mikun e për vëllain, ky i fundit që i paska vdekur më i ri, prandaj e paska mbuluar vargun me kaq zi e me kaq shumë gjëma.

DHE IKTE NJË DITË

(Mikut tim… Enver Malokut)

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër

Vinte një thirrje a një vendim i vjetër

Thirrje kemi kthyer e thirrje kemi marrë

Po askund nuk shkruante:

Kemi për t’ju vrarë…

Faqe 113.

Në një motërzim tjetër tejet elegjiak, kushtuar të vëllait i cili i ka vdekur më i ri, përbëjnë jo vetëm gamen e tij prurëse, por edhe atë opusin e një krijuesi që ka sjellë sentencën e ndjeshmërisë, një metamorfozë e përjetimit real që e përshkruan deri në ekstazë dhembjen e cila manifestohet edhe gjatë leximit të kësaj poezie, qoftë si ndjeshmëri ose përjetim deri në shkallë flijimi.

TË MOS VDISJE TI

(vëllait tim Agimit)

Nuk vendosi unë… por po të them diçka

Vdekjen do ta kisha marrë

Rreth qafe në krah

Dhe me gjithë vdekjen isha mbytë në Bunë

Vetëm të mos vdisje ti… më i ri se unë

Faqe 115.

Të tjera lirika merren me ironizime sarkastike, veçmas kur atakon verbin politik, por autori përsëri mbetet po aq lirik, i veçantë dhe mjaftë dallues: “Diellin në gji e ruaj me drojë/ Këngën as ujin… kush s’i bëka tojë”, poezia “SI URTI”, faqe 9. Ne e dimë se jeta është sfidë, prandaj disa nga lirikat paraqesin dhembjen si sfidë artistike të poetit ku “Rrathët modern s’i dinte Aligeri/ Të vdesësh për së gjalli… qenka më ferr se ferri”, poezia “DY FJALË SHQIP PËR FERRIN”, faqe 27.

Derisa flijimi për kauzën është virtyt, këto vlera janë virtyte të vlefshme deri në shkallë flijimi. Të mos hamendemi kur nuk dallojmë se kush ka insistuar më shumë për tu flijuar, heroi në luftë për idealin e tij patriotik, apo poeti me përkushtimin e tij kaq lirik, kaq njerëzor, kaq human dhe kaq artistik, e në të njëjtën kohë vargjet kanë një ritmikë, kanë një tingëllimë, kanë një ringjallje, me një fjalë lirika poetike që jetojnë e përjetohen mirë. “Duan të vdesin në këmbë se i këputi malli/ Po vdesin për qyqe/ Po vdesin për së gjalli”, poezia “VALLTARËT E VDEKJES”, faqe 105.

Në anën tjetër vargjet janë me një muzikalitet sikur të ishin këngë, gjithsesi vargu kudo e kahdo në mënyrë hipotetike mbyllet me një mesazh të fuqishëm artistik. Kjo ritmikë e ky muzikalitet të bënë me përjetime mbresëlënëse edhe pasi libri të jetë përfunduar, edhe atëherë kur mbyllen kapakët e tij, në formë imagjinate disa poezi do të sillen vërdallë, ndjenja që përjetohen edhe nëpër ditë të tjera, edhe nëpër natën e errët, sepse struktura e vargut dhe forma shprehëse kanë një kompozicion artistik që secilin e bënë për t’i mbajtur në mend edhe përtej një leximi të rëndomtë, edhe përtej një shfletimi të kujdesshëm, sidomos në tipin e vargjeve: “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”, poezia “NË NJË QYTET TË HUAJ”, faqe 99.

Poezi kaq koncize moti s’kam lexuar. Nëpër vargje e strofa sikur bashkëdyzohet dhembja dhe qëndresa në një metaforë të vetme, më duket sikur përgjëron me realitetin jetësor të vet poetit në këto rrjedha jetësore. Si përkushtime sado që duken se poeti shkruan për lavdinë e heroit, ai mesazhin e tij e lidh sikur të kishte ngjizje me fatin e një populli të tërë, por në nënvetëdije lidhet drejtpërdrejt me fatin e intelektualit i cili më shumë se kurrë më parë, sot është i përbuzur, t’huajzuar, injoruar e nënçmuar. Natyrisht edhe vet poeti ka kaluar nëpër kohë të rënda, të cilat si duket i paskan dhënë eksperiencë për ta regjistruar dhembjen kaq dendur kaq dhembshëm: “Sytë na bëjnë xixa se dita s’është e bardhë/ Era dhé na vjen e shkruhemi për të gjallë/ Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”, poezia “…E SHKRUHEMI PËR TË GJALLË”, faqe 103.

Nëpër poezitë lirike, autori është pranverë me lule, është liria e atdheut është ardhmëria e tij. Nuanca të tilla poetike e artistike, ka me bollëk, por aspekti estetik kudo në secilën strofë dhe në secilin varg është pjesë dominante e strukturës artistike, që llogaritet niveli më i lart kulturor i këtij poeti. E ne, qartë mund të shprehemi se ky është Naim Fetaj, poet nga Dukagjini, i cili në poezi ka inkorporuar tërë mençurin proverbiale të së folmes së zonës, me specifika karakteristike të cilat e bëjnë të dalluar dhe mjeshtër në thyerjen e vargut, për të përçuar mesazhit në mënyrë sa ma artistike. “Mbi Bjeshkën e Strellcit… është një gur që flet/ Po gjuhën kush s’ia di… tash e njëmijë vjet// Po një gjë …nuk e ditën kurrë/ Ishte aty guri… a gjaku u bë gur/ /Ndaj rrinë përmbi të/ Zogj a ndonjë flutur/ / Në mjegull rri çdo gjë… pos emrit të bukur”, poezia “GURI I NUSËS…”, faqe 92-93.

Ndonëse nëpër poezi shihet një dhembje e skajshme, duket se poeti nuk ndjehet vet rehat dhe as i lumturuar në kohën kur rrethohet nga veprime të cilat lëndojnë sedrën e intelektualit dhe të qytetarit që jeton në Kosovë, për të cilët frikësohet se do të mbetën “Metaforë e vrarë poetësh/ Në këngë e poezi”, pasi edhe shtresa e intelektuale “Si një lot qepallave mbete/ Lot i ngrirë ndër sy”, vargje që kanë të bëjnë me fatin e Çamërisë, faqe 86.

Megjithatë poezitë kushtuar heronjve, pjesëve të atdheut dhe familjarëve, ose ato të tjerat që shprehin mall, brendapërbrenda kanë dhembje, sikurse edhe përkushtimet dhe heroizma të tjerë mbulohen me sintagmën e “metaforës së dhembjes”, përkatësisht është shndërruar dhembja si metaforë poetike e cila është trajtuar mirë, dendur dhe me korrektësi, pasi siç thotë një varg i poetit na është bërë jeta “Sa pak gëzim… e sa shumë festa”, sepse ”Nata lahet n’gjak… e territ nxi/ Ti Nëntori im… sërish kuq e zi”, poezia “NËNTORI I TRETË”, faqe 85, që dëshmon përpjekjen dhe sakrificën e tërësisë për identitet etnik nacional dhe shtetëror. E kjo dhembje është kudo, preket e përjetohet në forma të shumta, ndërsa dalldisja e aty-këtushme pas lirikave e dashuriçkave është një element i moçëm në poezinë shqipe, që brenda librit është deficit i theksuar, por ato që janë, duken si poezi me interpretim të posaçëm.



E KAM SHKRUAR DIKUND

Dhe vinin vashat e më thonin

A… ti na shkruan vjersha

Një vashë doja unë e ma mori vjeshta

U bë nuse

Pa ditë e pa pritë

(Qiellin me klithma e kam qarë atë ditë)

E kam parë si ëndërr edhe për ditë

Dhe ikën dyzet e sa vjet

Vaji i saj një katund e vret

Faqe 37.

Këto lirika mjaftë specifike edhe për kah motivi duken sikur të ishin vello nusërie, vaji i saj që një katund paska vra e shituar, por gjëma e dënesja e saj shkoi mbi re, dhe sikurse velloja e saj që valëvitej nga era e puhiza, dukej sikur po notonte mbi valë e tallaze deti, atëherë kur i afroheshin bregut i cili qetëson zemrat, në anën tjetër krejt në mënyrë magjepse e ka shndërruar metaforën lirike në valë-valë harmonike, kurse gjatë leximit këto lirika shpalosin, përkatësisht zbulojnë edhe vlera të tjera artistike që janë përpunuar me kujdes.
Në qasjen e tij kritike, poeti Sinan Sadiku, ka vërejtur se në poezitë e librit “janë kombinuar natyrshëm, në harmoni të plotë ana semantike me anën figurative dhe muzikore të poezisë, gjithnjë duke e shfaqur shpirtin e pasur të autorit, një shpirt artisti, i zgjuar, autokton, i ushqyer dhe rritur në ambientin shqiptar me këngë, legjenda, balada, vaje, thënie të mençura… pa e përjashtuar aspak edhe letërsinë e shkruar, muzikën dhe artin në përgjithësi”2.

Nga ky konstatim duket se poeti Naim Fetaj, si gjithë poetët tjerë ka mision, e ai mision është arti, ndërsa arti jeton më gjatë se prodhuesi i tij, prandaj edhe fjala artistike duhet të jetoj po aq sa arti, ndërsa fjalë artistike e varg artistik pa të vërteta nuk ka, të gjitha këto elemente i gjejmë si ngjizje në lirikat e këtij libri.
1.

As nuk ishte dritë as kishte rënë terri

Rreth qafës me dhimbjen

Përbirohej tmerri

Mbi shpatulla na ranë e na gërditën jetën

Të sëmurit u lodhën… duke pritur vdekjen

Disa i shituan… mes rrugës mbetën

Të lodhurit u sëmurën duke nëmur veten

Edhe atëherë kur shpërthen për realitetin që jetojmë, që për fat të keq është bërë i zymtë dhe pa perspektivë, përsëri ka optimizëm, përsëri ka lirizëm poetik e magjik. Këto qe themi ne janë preokupime poetike që nuk përfaqësojnë vetëm vlerë artistike, por e thonë një të vërtetë tragjike me realizmin e së mundshmes që përshkruhet në poezi të këtij motivi. Poeti vlerën e konsideron art, ndërsa veprimet e shëmtuara bien ndesh me konceptin e tij artistik, janë këto disa arsye pse ai detyrohet të protestojë, për të shprehur pakënaqësinë e cila është revoltë e një poeti që ka kuraje për ta thënë mendimin e tij, ashtu drejtpërdrejt dhe pa ndonjë ekuivokë.
2.

Disa pa duar disa tjerë pa këmbë

Disave u ranë dhëmbët diku nëpër këngë

Mbi gjak e eshtra disa bënë pallate

Vdekjes i ranë në dorë disa… pikën prej shtatë kate

Me hile i nisën dhe këngët për dëshmorët

Shtyhen me bjeshkët

Për një bukë skamnorët

Kjo mënyra semantike e po aq sentimentale është shoqëruar përplot me revoltë, është qasjes specifike ndaj ndjeshmërisë, ndaj pakujdesisë qytetare, si të themi një metabolizëm artistik që shpreh karakterin njerëzor, intelektual dhe qytetar të vet poetit. Andaj këtë poezi e mbyll me vargjet:

3.

Veç kripa s’na duhet tash e s’di sa mot

Bukë e këngë e faqe

I ulim me lot

Poezia: “SI ËNDËRR E THEM PO ËNDËRR S’ISHTE”, faqe 25.

Poeti Naim Fetaj, duke jetuar në një vend dhe ambient krejt ndryshe karshi realitetit në atdheun e tij, disa aspekte lirike sikur i ka kompozuar me metodat moderne “3D”, edhe shpërthimet, edhe mllefi por edhe kritikat e ashpra interpretohen në disa mundësi, në shumë mënyra, po me më shumë fytyra, që për fat të mirë i ka shprehur me varg artistik, andaj ashtu siç pranohen të gjitha artet e bukura, edhe fjala artistike pranohet më kollaj, për më shumë kur bëhet fjalë për lirika përmbajtjesore që janë sistemuar si një lloj kronike artistike në një kohë rrëmujë e mjaftë traumatike.

Dreqi e mori botën

E unë në mes

Me njëmijë dreqen linda

Me dymijë po vdes

Dhe ende i them të birit

e dreqit vetë… mirëmëngjes

Poezia: “KUKAMË”, faqe 33.

Ose…

Kanë ikur përrallat… ikën edhe këngët

Prej tmerrit i shtrëngojmë dhëmbët

(Buzëqeshjen tonë dhe gazin)

I futëm n’parantezë

Dhëmbë e nofulla i kemi protezë

…për faqe të zezë

Poezia: “PËR FAQE TË ZEZË”, faqe 34.

Siç e kemi theksuar edhe në pjesën e fillimit, Naim Fetaj, dallon nga poetët tjerë, për vargun e thyer, për mendimin metaforik dhe shprehjen artistike që ka, po sidomos për gjuhën elokuente që mjeshtërisht e ekzaktësisht e ka inkorporuar nëpër tekstin e poezive.

Më duket si askush tjetër, ky poet e laton mendimin e vet, nuk bjerr kohën dhe nuk shkruan atë që mendon, por e matë dhe mendon mirë atë që shkruan, për të përçuar në mënyrë besnike e mjaftë metaforike mendimin dhe porosinë që ai dëshiron. Ja disa metafora të arritshme e me porosi të fuqishme: “Këngën as ujin… kush si bëri tojë”; “Gaz u bëra para botës/ Gjithë jetën me bythën jashtë”; “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”; “Dielli përherë i lindur është/ Po terri i bie veç marrëzisë sonë”; “Trimat i lash vetëm/ Rrenës duke i kënduar”; “Qentë…, kur bien n’qytet/ Qençe i pshurrin lulet”; “Tash e sa vjet kërkojmë shpëtimin/ A i vrasim gjelat kur ndjellin agimin”; “S’ka pula as zogëza as këngë s’ka përmbas/ Kah cungu i vdekjes… hijes i shkon pas…”; “Një këngë e zezë më sillet mbi kry/ Si polifoni/ Hajde vëlla hajde… armiku im i zi”; “Po kënga ku mbet/ Historinë kurrë s’e shkruam vetë”; “Gogësimë në veri… tërmet në jug/ Hijet e urës vjellin vrer e tug’/ Hija e Evropës mbi Ibër si murg”; “Dhe pëllumbat i vranë…/ Sërish n’gjuhë të nënës/ Ndjellin veç hatanë…”; “Disa as ujin nuk e kanë pirë/ Se u mësuan qençe… duke lëpirë”; “Vajtonim ne e vajtonin lista/ Një det hej e mbuluan plisat”; “Ju nuk zgjoheni më/ Ne vdiqëm për së gjalli”; “Do i blenë… do i tutën… do i vranë/ Liri i thënçin… belbëzuan disa”; “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”; “Mjegulla bie mbi net/ As dera s’shihet ku mbet”; “Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”; “Po një gjëmë që të djeg më zi se zjarri/ Është kur Nëna t’vajton për së gjalli”, janë vetëm disa nga metaforat e shumta që shkëlqejnë ndryshëm e thyeshëm nëpër këtë mozaik lirikash eksplicite (të qarta).

Për të mos krijuar një pamje tjetër të këtij vështrimi kritik, mund të pajtohem me konstatimin e të tjerëve se lirika e Naim Fetajt, ka një pamje kristalore të cilën, ta sillesh kah ta sillesh, rrezaton shkëlqim që përjetohet mirë, prandaj për figurshmërinë eliptike, të përpunuara me kaq kujdes, poeti e ka përcjell besnikërinë artistike si mesazhe kuptimplota dhe me porosi specifike, e kthyer në një përmbajtje të gjerë kuptimore.

PAS LUFTE

Zërin e zogjve e vodhëm atëbotë

E i thamë diellit nuk duam lot

Nuk duam plumba… nuk duam prita

Pas lufte pastaj krisi zezëdita


Edhe zogjtë e malit i shitoi shita

Ku të errte nata

Nuk të zbardhte dita

Mbeti dhe kënga

Këmishë mbi njëmijë thika…

Faqe 5.

Natyrisht, poezia e Naim Fetajt, është e ndikuar nga zhvillimet që ndodhin në hapësirën që e shoqëron dhe rrethon autorin, ose ato zhvillime janë indikacione për t’ia ngjallur emocionet krijuese, prandaj vlen për ti kritikuar ose për ti ironizuar, edhe kështu përmes poezisë. E ky verb parasëgjithash ka një vlerë artistike për të komunikuar më mirë me lexuesin dhe shoqërinë në përgjithësi. E gjithë poezia e këtij libri është art më vete kurse syzhetë dhe hijet e figurave artistike herë bëhen heronj e herë vrasës të heronjve, jo vetëm kaq por vrasës të së tashmes, të nesërmes dhe ardhmërisë, fenomen ky i cili luftohet edhe përmes kësaj mënyre artistike!

LETËR PA ADRESË…

Ti i vrave zogjtë… ti e vrave verën



Ti më flet për mollët… ti e tremb pranverën



Ti e ndale stinën… ti ma ndale frymën



Ti më flet për erën… ti ma shpove shpinën



Ti më flet për etjen… ti këndon mbi krua



Tash e njëzet vjet… ti po më vret mua



Ti më flet… më flet… ti më flet pa nda



E qielli lotët i këput pa pra…



(Hossana baraba…)



O vëlla… o i jemi vëlla…



Faqe 53.



Naim Fetaj, tashmë një poet i konsoliduar e ka të qartë misionin, vullneti nuk i mungon, prandaj lexuesi, sigurisht bashkë me ta edhe unë, presim nga Ai, shoqërisë sonë për ti dhuruar edhe libra të tjerë, të kësaj natyre e të këtij niveli. Sukses Naim be Fetaj!…



SHËNIME PËR AUTORIN



Naim Fetaj, u lind më 7 shkurt 1961, në Strellc të Deçanit. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan. Ka mbaruar Fakultetin Filozofik – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Der më 5 korrik 1990 ka punuar si gazetar në programin dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Nga viti 1991 e këndej, jeton dhe vepron në Gjermani. Naim Fetaj, pos gazetarisë, është marrë vazhdimisht edhe me poezi. Ka botuar në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Është bartës i shumë shpërblimeve letrare dhe autor tekstesh i disa këngëve. Është përfshirë edhe në shumë vëllime të përbashkëta poetike, ndërsa deri më tash ka botuar katër vëllime me poezi. Jeton në Gjermani.


VEPRAT POETIKE:



“YJET BËJNË ROJE”, poezi, botoi biblioteka “PLEJADA”, redaksia e botimeve “RILINDJA”, Prishtinë 1987, faqe 62.


“TERRINË PËRTEJ DIELLIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “ARTINI”, Prishtinë 2013, faqe 94, ISBN 978-9951-8893-0-8


“VEZULLIMË THINJASH”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Prishtinë 2015, 112 faqe, ISBN 978-9951-594-64-6


“MË LANË EDHE PA KËNGËN”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, 136 faqe. ISBN 978-9951-760-19-5



1 Sinan Sadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.



2 Sinan Sadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...