2020-11-11
MOS ME BEJ QEJFIN
POEZI NGA BAJAME HOXHA
Nga një lëvdatë mbrëmë,
Ashtu kot më erdhi drithërima.
Ishte shumë vonë.
Tek po rrija mendueshëm përpara ordinatorit,
po flisja me vete dhe shkrova:
Një poezi dashurie,
si për të kujtuar kohërat furtunë,
Të një dhimbjeje të pafund,
Që prej saj mora një grimë helmi,
Për ditët e stuhishme,
Për mjerimin e rinisë sime,
Dhe s’u shërova kurrë.
Eh, psherëtimat nuk heshtin,
Ato, flasin me veten time,
Më shajnë, më bërtasin , më kritikojnë,
E qahen prej meje,
Thonë se paskam qenë e keqe...eh,
“Na helmove”, më thon
Po, e di, e keqe kam qenë,
Helmova ndjenjat, psherëtimat, mendimin,
Si të kisha dy psherëtima, dy ndjenja, dy mendime...
Mjerisht, kisha vetëm një ndjenje e s’u bënë kurrë dy.
Unë me ty
Oh, të desha çdo natë mes ëndrrave të të gjeja,
mes ëndrrave të të gjej, i lutem Zotit edhe tani.
Se, vetëm në ëndërr të puthja, të prekja, ishe i imi.
veç në ëndërr, kam bërë dashuri, unë me ty…
Aty në ëndërr, ëmbëlsisht, unë njoha prekjen e parë,
nëpër ëndërr kam njohur pasionet e forta stuhi.
Ta dish! Në ëndërr kam bërë dashuri si putanë,
në shtrat vërtet, s’kam qenë kurrë, unë, me ty.
Eh sa bukur! Unë vajzë e re vrapoja,
pranvera më lulëzonte shumë ngjyrëshe në sy.
Unë isha një vajzë e mitur akoma,
kur papritur, rrahjet e zemrës, i njoha në gji.
Natën, gjumi më çonte gjithnjë ndër trazira,
dhe zemra më rrihte aq fuqishëm për ty.
Ëndrrat më fusnin nëpër çudira,
nëpër gjumë, e mora dhe puthjen nga ti.
BUZAGAZI YT
Sikur të më errësohej terri natës
E dita të shkëlqente në dritë,
Unë s’do të isha gjë tjetër
Veç buzagazi yt.
E vetëtimtë trandja e papritur,
Që e përjeton veç shpirti poet.
Është ai buzagaz yt i ndritur,
Që me hojëza mjalti më nget.
Të gjitha çastet e mia ndër vite,
Buruar nga valë e syve të tu!
Më dukej e ëmbla burbuqe,
Kish çelur veç në sytë e tu.
Zotit s’do t’i lutesha për gjë tjetër,
Pranverë të kthehesha një ditë!
Unë s’do të isha gjë tjetër
Veç buzagazi yt!
ËNDRRA IME
Kur dashurinë time pas jetës tënde mbështolla,
Në shpirt rrezja e diellit më hyri menjëherë.
Kjo ndjenjë dukej në paqe, në ty kur vërshova,
Furishëm seç më duket si një shpresë e re.
Gjithçka më shndërrohet, në një ëndërr gjëmimesh,
Pyes veten vallë, kjo jetë, ka prapë pika takimesh?
Kam vuajtur gëzimesh, por s’ kam menduar kurrë,
Se do ndahesha prej teje me një zemër gur.
DASHURIA
Dot më s’do takohemi, sa më mungon ngushëllimi,
Timbri yt i ëmbël mungon s’kam më lot gëzimi.
Ëndrrën, flakën e ndezur, ndjenjat s’i mori dot era,
Do t’më shkrijnë ajsbergun kur të vijë pranvera.
Ah, kjo dashuri që asgjë s’e tret tani sa shndërrohet,
Nëpër pritje të gjata në dhimbje e lëngatë!
E ndjej shpirtin tim të thyet, të griset të pendohet,
Jo, asnjëherë s’gabuam e s’ramë në mëkat!
Dielli kur fshihet reve, rrufeve kur zbret ngatërruar,
Rrufeshëm më ndez shpresën eh, ditën e lënduar!
Mos vallë është shenjti që zbret ylberit ngazëlluar?
Mos vallë je ti, ai yll që po më ndrin vezulluar?
E di, sonte s’do mbyll sy, do bëj me qindra pyetje,
Nxitur nga e papërsëritshmja ndjenja qiellore.
Atij buzagazit tënd të dëlirë do t’i hap çdo dritore.
Që të më josh luhatjen e brishtë shpirtërore.
Thellësisht më mungon e s’do takohemi përjetësisht,
Ky shpirt si duron, më thuaj, kam shumë frikë!
Orët e ftohta, nga dashuria që më përthith tërësisht,
Ngrohen, digjen, pastaj pres agimin t’më ndrit!
Ah, sot
Sot nuk i shkula sytë nga gjelbërimi
I fushave ngazëlluese të vendit tim.
Sa dukej malli, vuajtja dhe pikëllimi,
I viteve ku s’ndihej gëzimi im!
Të gjitha vuajtjet, kujtimet janë shtjellë,
Lëndinave, pranverave të praruara.
Rinia faqendezur paska humbur thellë,
Tek vitet tona të dashuruara!
E ndjeva me zemër pasionin përsëri,
Ah, sa hyjnor shpërthimi rinisë!
Kthjellë e shoh qiellin, yjet po ndrinë,
Zot im, dhuroji paqe vendit tim!
FILIZAT E DASHIRISË
Të adhurova marrëzisht
Përmes belbëzimeve,
Përmes pasionit tënd të furishëm.
Dhe të dashurova fuqishëm.
Por, s’vonoi erdhën shirat me ujë të tërbuar
Përtej çdo caku,
Përtej çdo prove,
Përtej çdo dhimbje.
E megjithatë,
Filizat e dashurisë
Lulëzuan ndër ne,
Po me atë forcë,
Po me atë pasion,
Po me atë siguri.
Lulëzuan filizat
Përjetësisht,
Lulëzuan
Tek të dy!
Bazat e UÇK-së në Kukës: Banorët mohojnë ekzistencën e burgjeve, hedhin poshtë pretendimet e Hagës
Në aktakuzën e Gjykatës Speciale për ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfshihet edhe ekzistenca e disa objekteve në territorin e Shqipërisë që janë përdorur si burgje për tortura, burgosje, vrasje dhe zhdukje të etnive të ndryshme që dyshoheshin si informatorë për armikun apo kundërshtarë në fushë-betejë.
Në aktakuzë flitet për dy baza në qarkun e Kukësit të përdoruara nga UÇK, por nga autoritetet shqiptare nuk është pranuar kurrë ky pretendim.
Objektet në fjalë ndodhen në Nikoliq dhe Vlahën të Hasit.
video : https://www.youtube.com/watch?v=pHZJ0ttseT0&feature=emb_title
Kamera e Euronews Albania udhetoi në Has për të vërtetuar nëse vërtet këto objekte ekzistojnë dhe nëse janë përdorur nga UÇK. Ne hyrje te qytetit, ne zonën industriale, të bie në sy oficina e mekanikës, e cila mban edhe një pllakë Përkujtimore.
Aty shkruhet:
“Në këtë shtëpi ishte vendosur shtabi nr.1 ku merrnin detyrat për çdo ditë përgjegjësit e mobilizimit të përgjithshëm të UÇK-së. Në prill, mars ,maj të vitit 1999 mobilizimi bëhej me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”.
Gazetari i Euronews Albania, Ermal Hallaçi pa nga afër ambientet e kësaj godine e cila duket tejet e amortizuar.
Pronari i godinës, i cili e ka privatizuar, Asllan Elezi rrëfen muajt e vështirë mars-qershor të vitit 1999, kur ndërtesa u kthye në baze mobilizimi për UÇK-në, por mohon kategorikisht ekzistencën e burgut.
Elezi tregon se një vit më parë, objektin e kanë vizituar edhe prokurorë të Hagës për verifikime.
“Kur unë nuk e di këtë gjë, nuk e dinë as ushtarët, sepse nuk ka pasur burg në të vërtetë, nuk janë bërë keqtrajtime. Vjet erdhën ata të Hagës, tre prokurorë bashkë me prokurorë tanët, për të verifikuar, më thirrën, vajta në komisariat tre ditë, më pyetën iu përgjigja dhe erdhën më pas për të bërë kontrollin,” – shprehet Elezi.
Ai dëshmon me fakte se në objekt ndodhen ende disa nga uniformat e UÇK-së dhe sende të tjera.
Në pamje dallohen qartë shtretërit, apo edhe dhoma e mjekëve që kuronin ushtarët e plagosur. Madje edhe medikamentet ndodhen ende aty. Asllan Elezi tregon se të gjitha sendet ruhen nga vetë ai vetëm për të dëshmuar të vërtetën e luftës së UÇK-së.
“Të gjitha këto janë të mbajtura dhe të ruajtura për të dëshmuar se UÇK ka qenë ushtri e dalë vetëm nga ajo pjesë e familjarëve të mirë të Kosovës që kanë dashur të marrin pushkën për të luftuar [për liri],” – tregon më tej Elezi.
Sipas dëshmive, në këtë godinë janë trajnuar më shumë se 12 mijë trupa, të cilët më pas dërgoheshin në një bazë tjetër të UÇK-së, në fshatin Vlahën. Banorë të këtij fshati tregojnë për Euronews Albania se nuk ka ekzistuar asnjë burg në këtë zonë, por vetëm baza të UÇK-së. Këtë e konfirmon edhe Jak Jaku, banor I një prej shtëpive që ka shërbyer si strehë për ushtarët.
“Gjykata e Hagës më duket se përkrah më shumë Serbinë se sa të dhunuarit, të humburit që ata i kanë masakruar,” – thotë Jaku.
Në dalje të fshatit, ajo që bie në sy, është një kullë e vjetër në hyrje të së cilës shkruhet:
“Kullë e rezistencës, dijes dhe pushkës, çerdhe e UÇK-së!”.
Ambasadori rus në Beograd zt.Alexander Botsan-Kharchenkot : Të mos lejojmë përsëritjen e Luftës Botërore
Ambasadori rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenkot tha me rastin e Ditës së Pajtimit në Luftën e Parë Botërore, se është detyrim i të gjithëve të mos lejohet që tragjedia e Luftës Botërore të përsëritet.
Ai tha se “na mbetet neve të bëjmë gjithçka që është e mundur për të vendosur frymën e bashkëpunimit, besimit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë në marrëdhëniet ndërshtetërore”, njofton Ambasada Ruse në Serbi, raporton Tanjug
Ambasadori britanik Nicholas Abbott viziton Kompleksin memorial të Familjes Jashari, mbron luftën e UÇK-së për liri
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka bërë këtë të mërkure, nderime në Kompleksin memorial të Familjes Jashari në Prekaz.
Abbott shkruan se Britania e Madhe gjithmonë do të qëndrojë pranë ndërhyrjes së saj si të drejtë për të parandaluar katastrofën humanitare, për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga shtypja, njofton Klan Kosova.”Këtë mëngjes bëra nderimet e mia në memorialin e familjes Jashari në Prekaz në përkujtim të ngjarjeve të tmerrshme atje mbi njëzet vjet më parë. Sot Kosova ka guximin të përballet me të kaluarën përmes sundimit të ligjit dhe në ndjekjen e drejtësisë për viktimat. Mbretëria e Bashkuar gjithmonë do të qëndrojë pranë ndërhyrjes së saj si një çështje e drejtë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga shtypja”.
Tutje, Nicholas Abbott, ka cituar edhe ish-kryeministrin britanik të viteve ’99-të, me rastin e ndërhyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, njofton Klan Kosova.
”Siç tha Toni Blair në Dhomën e Komunave në 23 Mars 1999: “Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç të veprojmë dhe veprojmë ashtu si do të bëjmë”.
Walker për akuzat ndaj UÇK: Kosova dhe Serbia nuk po trajtohen njësoj, ndaj Vuçiq asnjë akuzë
Ish-kreu i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, gjenerali amerikan William Walker ka thënë se ish-drejtuesit e UÇK po hetohen padrejtësisht në Hagë, pasi qëllimi i luftës se tyre ishte çlirimi i vendit.
Sipas tij, termi terrorist nuk mund të përdoret për të përshkruar UÇK-në, por ushtrinë dhe paramilitarët serbë si Arkani.
“UÇK është siç e thotë emri i saj. UÇK ishte një grup të rinjsh kryesisht, të cilët nuk e duruan më shtypjen dhe krimet e luftës qe po kryheshin nga qeveria e Beogradit. Ata morën armët të mbronin veten e tyre, fshatrat dhe të mbronin familjet e tyre dhe rezultat i kësaj ishte luta”, është shprehur Walker për Euronews.al.
“Mendoj se është një përdorim i çuditshëm i fjalës terrorist, për të përshkruar UÇK. Fjalën terrorist do ta përdorja për ushtrinë serbe, policinë, paramilitaret, tipat si Arkan dhe grupet e tij të milicive që kryen akte vërtetë të tmerrshme në Kosovë”.
Walker, që ishte dëshmitar i masakrës së Reçakut, që do të ndryshonte më pas historinë e Kosovës, tha se Kosova dhe Serbia nuk janë trajtuar njësoj, pasi palës humbëse, Serbisë, nuk po i kërkohet përgjegjësi për mizoritë që ka kryer në Kosovë.
“Zyrat e prokurorisë speciale pretendojnë se krimet e luftës, mizoritë u kryen nga UÇK. Dhe tani ata po përpiqen të hetojnë disa njerëz të cilët i kane identifikuar si fajtorë… po flasim për 5 luftëtarë që kane shkuar në Hagë, përfshirë presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e parlamentit, Kadri Veseli”.
“Një prej tyre ishte komandant në terren, Jakup Krasnqi, të cilin e njoh e kam takuar disa herë gjatë luftës. Ai nuk ka qenë luftëtar në gjykimin tim, ka qenë zëdhënës i UÇK dhe Thaçi nuk ishte një luftëtar, ishte një drejtues politik i organizatës”.
“Dhe të dëgjosh se për 7 orë pati bastisje në shtëpitë e tyre, dhe më shumë në shtëpinë e Krasniqit e shoh të gjithë procesin të çuditshëm”.
Sipas z. Walker, presidentin serb Vuçiq, që ka qenë ministër i Millosheviçit, nuk e ka akuzuar askush në gjithë këto vite
“Sipas mendimit tim nuk ka pasur përpjekje të ngjashme ndaj palës serbe. Së fundmi pati zgjedhje në Serbi, dhe z. Vuçiq është akoma në pushtet. Por z. Vuçiq ishte propagandues, ishte ministër i informacionit të Millosheviçit, gjatë periudhës më të keqe të gjenocidit”.
“Nuk kam dëgjuar që askush ta akuzoje atë për asgjë, në asnjë lloj procesi ligjor dhe e shoh situatën shume asimetrike. Dy palët po trajtohen në mënyra të ndryshme. Ironia është se pala fituese po paguan çmimin dhe pala humbëse, Serbisë nuk po i kërkohet përgjegjësi për krimet e tmerrshme që ka kryer, për të cilat njerëzit e misionit tim ishin dëshmitarë”.
Gjeneral Rexhep Selimi: Jam veç një çlirimtar që luftën për liri e ka nisur me Adem Jasharin dhe që e kemi përfunduar me Wesley Clark
Rexhep Selimi ka bërë një deklarim në seancën e parë ndaj tij në Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj tij dhe të tjerëve është e pasaktë dhe mbi të gjitha e padrejtë.
“Është e pasaktë ndaj meje dhe luftës së popullit tim dhe shtetit prej nga vi unë. Ky proces do ta dëshmojë se ishim popull i shtypur që luftonim për liri. Bëmë luftë të pastër dhe të drejtë dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi”, është shprehur Selimi.
“Secili që ka dyshime do të bindet se as unë as UÇK nuk kemi të bëjmë asgjë me krime dhe ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi në këtë aktakuzë”.
“Kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore që veç të këqija i ka sjell vendit tim – vrasje, dhunë, shfarosje, gjenocid… E kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim”.
Selimi ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e përkrahur edhe nga NATO.
“Jam veç një çlirimtar që luftën për liri e ka nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me Gjeneralin Wesley Clark – NATO-n”.
“E kam për detyrë të jem në anën e UÇK-së dhe aleatëve të kësaj ushtrie. Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta duhet të jetë qëllimi i të gjithë neve këtu – edhe i prokurorisë”.
2020-11-09
Z.Baraybar, në “Le Temps” ju keni thënë se keni parë një raport në lidhje me trafikimin e organeve, me dëshmitarë dhe prova. A mund të na tregoni se cila ishte rruga e trafikimit, sepse nëse raporti që keni lexuar ishte një hetim i plotë ai do të duhej të kishte emrat e protagonistëve të tjerë të këtij të ashtuquajturi trafik, njerëz që blejnë këto organe, destinacionet e tyre dhe përbërës të tjerë . A mund të shtjelloni më shumë rreth kësaj…
Nga Habjon Hasani –
Burimi : https://kohajone.com/eksperti-i-okb-gazeta-zvicerane-ka-shpifur-lulzim-basha-ska-qene-me-mua-ne-shtepine-e-verdhe/
Në vitin 2010 sapo kisha nisur punë në gazetën “MAPO” të Henri Çilit, isha gazetar në atë që u quajt “sektori i investigimit”, ndonëse shumë shpejt u bë e qartë se të investigoje në një gazetë pro-qeveritare siç ishte MAPO, ishte pretendim naiv.
Në Dhjetor 2010 një publikim në gazetën zvicerane “Le Tiemps” bëri shumë bujë në Tiranë. Kjo gazetë kishte intervistuar një ekspert të OKB-së të quajtur Jose Pablo Baraybar, ndërsa ky i fundit ishte antropolog dhe hetues në misionin te “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri. Raporti i Dick Martyt e pretendonte këtë shtëpi si një bazë të UÇK-së ku ishin kryer transplante ç’njerëzore me organet jetike të pengjeve serb.
Në shkrimin e gazetës zvicerane, eksperti Baraybar citohej sikur të kish thënë se gjatë hetimeve që kishte kryer në “Shtëpinë e Verdhë” shoqërohej nga Lulzim Basha si përkthyes.
Në ato kohë pata një komunikim me mikun tim Auron Taren të cilit i thashë se synoja të intervistoja direkt ekspertin. Që të jem i sinqertë pritshmëritë e mia ishin që Baraybar të më jepte dhe më tepër detaje mbi rolin e Lulzim Bashës dhe duke pasur merakun mos intervista nuk do publikohej në gazetën “MAPO”, i kërkova Auronit që të ndërhynim diku tjetër për publikimin e intervistës në rast se do bllokohej.
Auroni më tha që ishte e vështirë që eksperti të pranonte të fliste sepse historia ka shumë gjasa që të jetë e sajuar. “Nuk besoj fare te historia e Shtëpisë së Verdhë, shteti serb punon si makinë qepëse, Dick Marty punon për ta, s’besoj se ka ndonjë lidhje Luli, gjithsesi mirë është të sqarohet ajo që kanë shkruar zviceranët”, – më tha Auroni.
Më ngjau sikur Auroni ja fuste kot dhe me mendjen time kisha pritshmëri të tjera, nëse eksperti Baraybar do pranonte të intervistohej “do e fundosja Lulin”.
E kontaktova ekspertin në Facebook i thashë kush isha dhe pse e kontaktoja dhe i shpreha synimin për ta intervistuar. Në chat-in e Facebook-ut më nisi direkt adresën e tij të e-mail-it dhe më tha që t’i dërgoja pyetjet. Ja nisa menjëherë.
Përgjigja erdhi diku pas një ore, ndërsa pritshmëritë e mia u shkërmoqën porsa e lexova.
Eksperti i OKB-së Jose Pablo Baraybar mohoi kategorikisht të ishte shprehur për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë” ai shoqërohej nga Lulzim Basha.
“Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.”, – u përgjigj eksperti duke demontuar me një fjali gjithë tymnajën e ngritur në Tiranë.
Mbaj mend se pasi u publikua kjo intervistë në MAPO, të nesërmen në mëngjes më erdhi një SMS nga Auron Tare i cili më shkruante: “Shumë e mirë intervista, por unë të thashë që ja fusin kot, është lojë e serbëve”.
Pasi u publikua kjo intervistë e ekspertit në MAPO, u shfry tullumbacja e gazetës zvicerane dhe mediat e injoruan këtë temë.
Sot, 10 vite më vonë, konstatoj që për kulisat politike të ditës, në media është rikthyer artikulli i gazetës zvicerane “Le Tiemps”, ku zyrtarë të rëndësishëm të Rilindjes dhe media pranë tyre, citojnë shkrimin e një gazete zvicerane i cili në fakt është përgënjeshtruar dhe ka dalë “huq” që para 10 vitesh.
Kjo është arsyeja që sot publikojmë në Hashtag.al të plotë intervistën e Dhjetorit 2010 me ekspertin e OKB-së, jo thjesht për të thënë të vërtetën, por edhe për të demontuar një sulm të pistë dhe dallkauk ndaj Lulzim Bashës, bazuar në një shkrim të pavërtetë të një gazete zvicerane.
INTERVISTA:
Z.Baraybar, në një intervistë për “Le Temps”, ju keni përmendur hollësi rreth hetimit tuaj në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel. 8 vjet pas kësaj, cila është përshtypja juaj? Sipas këndvështrimit tuaj, a është e vërtetë kjo histori?
Është e vështirë të vlerësosh historinë si të vërtetë ose të pavërtetë, ajo që është e qartë është se informacioni që kemi hasur përsëri në Kosovë ishte sigurisht i besueshëm. Siç thotë raporti i Marty-t, shumë është diskutuar rreth Shtëpisë së Verdhë dhe diçka e tillë është vetëm pjesë e një pamjeje shumë më të gjerë. Ne gjithashtu duhet të dallojmë dy grupe të të dhënave, që raporti Marty po artikulon pasi ka hetuar një numër drejtimesh për dy vjet)
1) ekzistenca e UÇK-së në Shqipëri dhe 2) trafikimi i mundshëm i organeve.
As në këtë moment dhe madje as atëherë, askush me mendje të kthjellët nuk do të thoshte se nuk kishte kampe të UÇK-së në Shqipëri dhe se njerëzit nga Kosova u morën nga përtej kufirit dhe se disa vdiqën atje. Unë kam intervistuar personalisht viktima që ishin atje (në Kukës). Për sa i përket trafikimit të organeve dhe faktit që disa njerëz të dërguar në ato kampe mund të kenë përfunduar në një rrjet të trafikut të organeve është pretendimi kryesor që duhet të hetohet më tej.
Ne kemi lexuar raportin e Dick Marty-s dhe pretendimet e Carla Del Ponte, gjithçka që gjetëm ishte e dyshimtë dhe pa prova. Çfarë mendoni për përfundimet e Marty-t?
Çdo hetim fillon si pretendim dhe dyshime, prandaj duhet të kryhet një hetim i duhur. Askush sipas meje nuk po pretendon gjëra pa bazë. Libri i Del Pontes është një raport biografik dhe nuk duhet të presim të gjejmë ndonjë “provë” në të, raporti Marty është një raport shumë më i plotë dhe për mendimin tim ai paraqet një numër drejtimesh që duhen ndjekur.
Z.Lulzim Basha reagoi sot (19 Dhjetor 2010). Ai e mohoi që të kishte qenë atje me ju, si përkthyes. Ai tha se gjatë asaj kohe, ai ishte duke punuar për UNMIK-un. A keni ndonjë dëshmi në lidhje me udhëtimin tuaj së bashku atje?
Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.
Janë bërë shumë hetime në “Shtëpinë e Verdhë” nga Tribunali i Hagës, Këshilli i Evropës dhe autoritetet shqiptare. Askush nuk mund të gjente prova në lidhje me trafikimin e organeve. A mendoni se është e mundur të gjesh prova, nëse do të zhvillohet një hetim tjetër?
Për aq sa di unë, i vetmi “hetim” i Shtëpisë së Verdhë ishte ai që ne zhvilluam në vitin 2004. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se edhe gjatë vizitës tonë në vitin 2004, probabiliteti për të gjetur prova të drejtpërdrejta të asaj që ndodhi pesë vjet më parë ishte tashmë i vogël. Mos harroni gjithashtu se një nga pretendimet sipas burimeve është se kufomat e viktimave ishin hedhur në varrezat lokale jo shumë larg shtëpisë. Një vizitë në varreza e bëri megjithatë praktikisht të pamundur të dihet se ku mund të kërkohet me informacionin paraprak. Trafikimi i organeve si krim duhet të hetohet nga shumë këndvështrime. Megjithatë është e qartë se si praktikë në zonë nuk është e re. Mos harroni klinikën ‘Medicus’ në Prishtinë. Një hetim i tillë do të përfshinte vlerësimin se kush është i përfshirë në rrjete të mëdha kriminale që mund të jenë në të vërtetë dhe ndër shumë gjëra të tjera, bëjnë edhe trafik organesh. Por qartësisht, çdo hetim duhet të ketë bashkëpunimin e të gjithëve. Nuk ka kuptim të thuash se gjërat janë të pavërteta nëse nuk ke treguar se janë të pavërteta, ose të vërteta për atë çështje. Për momentin ka akuza dhe të dhëna paraprake që sugjerojnë shumë gjëra, vetëm një hetim sistematik do i dalë çështjes në fund.
Ju keni thënë që keni gjetur pajisje për transfuzione gjaku, shiringa dhe gjëra të tjera. A keni marrë diçka me vete dhe e keni analizuar? Nëse po, cilat janë përfundimet?
Gjetëm relaksues të muskujve, shiringa dhe një çantë IV. E gjithë kjo u mor nga ICTY.
Z.Baraybar, në “Le Temps” ju keni thënë se keni parë një raport në lidhje me trafikimin e organeve, me dëshmitarë dhe prova. A mund të na tregoni se cila ishte rruga e trafikimit, sepse nëse raporti që keni lexuar ishte një hetim i plotë ai do të duhej të kishte emrat e protagonistëve të tjerë të këtij të ashtuquajturi trafik, njerëz që blejnë këto organe, destinacionet e tyre dhe përbërës të tjerë . A mund të shtjelloni më shumë rreth kësaj…
Jo. Ajo që unë u kam thënë për “Le Temps” është se kam marrë një informacion të besueshëm nga 8 burime të ndryshme që nuk e njihnin njëri-tjetrin rreth njerëzve të dërguar në Shqipëri, disa prej të cilave do të mund të kenë përfunduar në Shtëpinë e Verdhë. Kjo është arsyeja pse ne arritëm në Shtëpinë e Verdhë fillimisht. Nuk ishte çështje zgjedhja e ndonjë shtëpie në Shqipëri dhe planifikimi i një vizite. Kjo ishte bazuar në informacionin që morëm. Për më tepër do t’ju bëja një pyetje. Si mendoni se do të kishte gjasë të shkonit në ndonjë shtëpi në Shqipëri, që është një shtëpi e rastësishme dhe të gjeni të njëjtat gjëra që gjetëm? Unë do të thosha asnjë. Kjo sidoqoftë dhe unë këmbëngul, nuk është provë e asgjëje, është më tepër pjesë e një numri elementësh të tjerë që duhet të përdoren në një hetim.
Sipas këndvështrimit tuaj, është e mundur të bëni një transplantim në mes të askundit, në ato kushte?
Askush në dijeninë time nuk ka sugjeruar që transplantimet janë bërë në mes të askundit. Trafikimi i organeve ka të bëjë me tregtimin e organeve të nxjerra në mënyrë të paligjshme për një dhurues. Tjetër çështje është vetë procesi i transplantimit (mjekësor).
FUND/ 19 Dhjetor 2010
Subscribe to:
Posts (Atom)
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...